Dikush e refuzon Nobelin për Letërsi, këto janë gjashtë skandalet e çmimit

Kjo është java e Nobelit. Çmimet Nobel do të ndahen këtë javë, madje dy prej tyre tanimë janë ndarë, ndërsa për neve është më interesanti Nobeli për Letërsi.

Ky çmim nënkupton që autori do të marrë për disa kohë vëmendjen e botës. Juria e vlerëson autorin a autoren me një qëllim, që zakonisht është i arsyetueshëm.

Deri ta njohim shkrimtarin që këtë vit e fiton Nobelin për Letërsi, e me shpresë se edhe Kadareja shqiptar mund të jetë fatlumi, po u kthehemi disa momenteve dhe debateve mbi Nobelin për Letërsi.

– Në vitin 1964, Jean Paul Sartre e refuzoi çmimin Nobel për Letërsi. Filozofi francez nuk ka pranuar çmime të tilla dhe mbetet deri sot i vetmi që e ka refuzuar çmimin prestigjioz

– Në vitin 1989, dy anëtarë të Akademisë që e ndan çmimin Nobel dhanë dorëheqje pasi çmimin nuk e morri Salman Rushdie. Asokohe, shkrimtari Rushdie ishte edhe cak i një letre publike për ta vrarë, me iniciativë nga Imami Khomeiny, shkruan KultPlus.

Salman Rushdie

– Kur nuk pritej fare të fitonte, fitues u bë Bob Dylan. Në dy raste ka ndodhur që publiku dhe parallogaritë të mos përputhen aspak me triumfuesin. Kjo ka ndodhur me Dylan, vitin e kaluar, dhe me Dario Fo në vitin 1997.

– Një problem i madh me çmimin Nobel për Letërsi është fakti që shpesh akademikët e harrojnë një pjesë të botës. Për vite, Akademia është akuzuar se është e dhënë pas perëndimit, dhe vetëm perëndimit. Ishte një kohë kur ishte e vështirë të vlerësohej letërsia arabe, ose ajo e vendeve tjera të Lindjes, shkaku i përkthimit. Gjithçka ndërroi kur fitoi Naguib Mahfouz në vitin 1988 dhe më pas Orhan Pamuk në vitin 2013.

Orhan Pamuk

– E kur flasim për gratë, janë fort të rralla në çmim. Janë vetëm 14-të fituese gra në Nobelin për Letërsi, ndërsa vetëm gjashtë në mes të viteve 1901-1990. Viteve të fundit, Svetlana Alexievich, Alice Munro, Doris Lessing apo Herta Muller e kanë thyer akullin. Në vitin 1993, Toni Morrison megjithatë bëri revolucion, njëjtë si Nadine Gordimer dy vite para saj.

– Institucioni i Nobelit e mban veten goxha apolitik. Megjithatë, akuzat nuk kanë munguar se me anë të politikës po ndahet edhe çmimi. Në Luftën e Ftohtë, disa prej fituesve nuk janë gjithsesi të lidhur me letërsi, si Brodsky apo Milosz. Për pak Solzhenjicini në vitin 1974 nuk mundi ta merrte çmimin shkaku i presionit sovjetik, njëjtë sikur Pasternaku. / KultPlus.com

Valbona Selimllari tregon pse e përjashtuan nga shkolla

Valbona Selimllari njihet si “Missi pa moshë”, për shkak të pamjes së saj të pandryshuar ndër vite, në mos të përmirësuar.

Missi i parë shqiptar, është ndër të paktat vajza që ka rrëmbyer kurorën dhe vijon të jetë po aq e pëlqyer sa në fillimet e saj.

Përveç përfshirjes në biznes prej kohësh, ajo është angazhuar si pjesë e jurisë së spektaklit të kërcimit “Dance with me”, i cili transmetohet çdo të hënë.

Por pas spektaklit të mbrëmjes që lamë pas, Bobi, siç e thërrasin miqtë e saj është zgjuar herët sot në mëngjes, pasi ishte e ftuara e radhës në emisionin “Wake Up në Top Channel.

Ajo ka treguar se ka problem me zgjimin, madje për këtë arsye e kanë përjashtuar nga shkolla.

“Kur kam angazhime, nuk e kam problem orarin por kur nuk kam, më pëlqen ta zgjas pak atë gjumin e mëngjesit. Më kanë përjashtuar nga shkolla, kam një vit të humbur prej gjumit të mëngjesit. Është gabim i madh”, tha ajo.

Po ashtu, Valbona tregoi se fle vonë natën dhe se kjo është një arsye që e pengon në zgjimin herët. Ish-Missi ka zbuluar edhe moshën e saj, duke thënë se është 45 vjeçe. / KultPlus.com

Natë

Poezi e shkruar nga Mire Prenaj.

Natë që vazhdon, s’mbaron kurrë!
Natë e shurdhër je, i dëgjoj fishkëllimat e insekteve,
roje të lehta të rrezeve të hënës;

Këta tinguj, tingujt të heshtur ruajnë në lartësi nurin tënd, Mbretëreshë!
Natë e plotë, treni që ikën nëpër shina ndryshku,
nëpër zbrazëtinë e stërgjatur;
pijanecët e rrugëve
strehët e lumtura kërkojnë
derisa të zbardh drita për t’u bërë
udhëtarë të sigurtë!

Natë e trishtë në tokën e Milanos
ku pasarelat trandin gjatësinë
vizëllimat e dantellave të mjeshtërve të modes
në vitrine spikaten plot hije!
Natë e gjatë bart sekretet e bukura të grave
dhe burrave të k’saj toke të trembur,
hijeshi e rritur me sharmin e k’tuhes!
Natë e thellët, kaq vonë përcëllon vetmia,

Tinguj të kitarës dhe këngë të bukura vrapojnë
pas turistëve
t’i kthejnë sërish në shkallët e mermerta;
Eh, si dukesh moj natë

Me shikim të kaltër nëpër shekuj të rrudhur
Me ngjyra plot ultësira e hije
Vizitorë gojëpahur duke fotografuar të padukshmen;
Këmbanat e katedraleve që morën rininë e shekujve
Të dizajnerëve arktiektëve maestrove
Për të lanë shkëlqyese
Kumbimin e mrekullueshëm të Artit
Nën vezullimin milanez, Mbretëreshë!

Këto këngë e melodi na la Jusuf Gërvalla (VIDEO)

I lindur në Pejë, Gërvalla ndërroi jetë në Gjermani në vitin 1982.

Ai njihet si këngëtar dhe bashkë me Bardhosh Gërvallën na lanë disa melodi e këngë të cilat e bëjnë të pavdekshëm talentin dhe zërin e këtij njeriu.

Jeta e Jusuf Gërvallës ka qenë e vështirë, vdekja e tij ka qenë tragjike. Për këtë është thënë e shkruar shumë dhe do të thuhet e do të shkruhet shumë. Por, edhe shkrimtari J. Gërvalla pësoi vështirësira të mëdha. Për poetin, prozatorin dhe dramaturgun Gërvalla është thënë e shkruar relativisht pak. Vepra e tij letrare nuk është tepër e njohur, me gjithë botimin shembëllor që ia bëri J. Gërvallës më 1992 Sabri Hamiti (Jusuf Gërvalla: Vepra letrare. “Ora”, Prishtinë, 1992). Opinioni e respekton dhe adhuron dëshmorin e kombit, simbolin e luftës për liri, shembullin e kurajës prej qytetari dhe intelektuali, ndërsa duket se e harron shkrimtarin e rëndësishëm që ishte dhe mbetet. Roli i tij prej simboli të qëndresës e hijesuaka faktin se ishte poet i dorës së parë.

Në letërsi, ai nuk i takonte qarkut të “lapidaristëve” të poezisë fjalëpakë që e shoshiste të tashmen me shkrimin simbolplotë alegorik në petkun e arkaikes mbikohore e në frymën e visarit të traditave të lashta gojore.

Këtu sot i zgjodhëm disa këngë të artistit. / KultPlus.com

Dy motrat që kënduan ‘Daba daba’, sot modele të rritura (FOTO)

Të dyja kanë vendosur të jenë modele dhe të pozojnë qoftë edhe për pak kohë. I mbajmë mend dikur të dyja duke kënduar një prej këngëve më të mira për fëmijë dhe që edhe sot këndohet me ëndje.

Rina dhe Nita Krasniqi, vajzat e kompozitorit Naim Krasniqi, dikur këndonin “Daba daba”, një këngë për fëmijë që sjellë sot kujtime të mira.


Nita Krasniqi


Rina Krasniqi

Sot, të dyja kanë vendosur të jenë modele qoftë edhe për pak kohë. Nita Krasniqi ka realizuar këtë fotografi për Sellma Kasumoviq, një grimere e njohur jo vetëm në Kosovë.

Rina Krasniqi, aktore, ka realizuar së fundmi një sesion të fotografive për kreatoren Valdete Mustafa. / KultPlus.com

Elhaida Dani publikon këngën e re ‘Më mbaj’ (VIDEO)

Elhaida Dani ka nxjerrë sot këngën e saj më të re. Një befasi e cila paralajmërohej prej kohësh vjen sonte.

Elhaida mbetet këngëtare me vokal të fuqishëm ndërsa projekti i saj më i ri titullohet “Më mbaj”, në bashkëpunim me dj Olti. / KultPlus.com

Robert Aliaj kërkon një minutë heshtje për viktimat në Las Vegas, kolegët nuk e mbështesin

Emisioni Dance With Me – Albania, i cili transmetohet në Klan TV në Shqipëri sot ka pasur një situatë tjetër të çuditshme.

Një emision ku jo pak ka racizëm e homofobi edhe pse shpesh përcillet me humor e me sportivitet, Robert Aliaj – një prej anëtarëve të jurisë që vlerëson vallëzimet në emision, kërkoi një minutë heshtje për viktimat në Las Vegas në Amerikë.

“Kërkoj një minutë heshtje, nëse është e mundur. Unë kështu jam, i ekzagjeruar, por jam njeri dhe do të doja të solidarizoheshim me viktimat e Las Vegas” kërkoi Aliaj, duke iu referuar sulmit të mbrëmshëm në një koncert në Las Vegas ku mbetën rreth 50-të të vdekur nga të shtënat me armë, shkruan KultPlus.


Anëtarja tjetër e jurisë – Valbona Selimllari

Megjithatë, duket se as publiku, as anëtarët tjerë të jurisë, as pjesëmarrësit në skenë dhe as vetë moderatorja e emisionit – Alketa Vejsiu, nuk e përkrahën fort në idenë e tij.

Alketa Vejsiu e kaloi situatën duke treguar se bota po kërcënohet dhe se do të ishte mirë që secili prej nesh të bënte diçka në favor të ndryshimit të vetes, ndërsa minuta e kërkuar e heshtjes për të respektuar viktimat nuk u respektua, dhe as që u bë gjatë këtij emisioni.

Dance With Me – Albania është emision i cili fton emra të njohur të estradës dhe artit e kulturës të cilët kërcejnë nën melodi të ndryshme, më pas për tu vlerësuar nga juria. / KultPlus.com

Artistët do të bëjnë zhurmë në Galerinë Qahili

Galeria Qahili organizon edicionin e tretë të aktivitetit “Zhurma e Artistëve Pa Kufi”. Zhurma e Artistëve Pa Kufi do të fillojë me 6 tetor 2017 në Galerinë Qahili. Ky aktivitet do të zgjas 3 ditë dhe do të përmbyllet me një mini ekspozitë në hapësirën e Galerisë Qahili me datë 9 tetor 2017.

Në “Zhurma e artistëve pa kufi” do të marrin pjesë artistë nga trevat e Kosovës.

Zhurma e Artistëve Pa Kufi ka për qëllim të krijojë një zhurmë me anë të artistave. Kjo për arsyje se jo çdohere artistat kanë hapësirat e veçanta ku mund të bëjnë zhurmë me anë të punëve të tyre si dhe aktiviteteve që i bëjnë por gjithashtu edhe me mënyrën se si nderveprojnë me shoqërinë. Me anë të punëve të tyre artistët paraqesin probleme të ndryshme që rrethojnë shoqërinë në vend apo edhe jashtë. Këto punime paraqesin besimin e artisteve si dhe aftësitë e tyre që udhëtojnë jashtë fizikisht apo me anë të punimeve të tyre. Këta janë personat të cilët janë në gjendje t’i thejnë rregullat me qëllim që të gjejnë metoda të reja, rregulla dhe stile të jetesës që tjerët t’i përcjellin.

Ky aktivitet mbështetet nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit si dhe Komuna e Prishtinës. / KultPlus.com

Fletë nga ditari i Jusuf Gërvallës, Ludwigsburg, më 13 janar 1980

“Rrudhat në ballin tim, mënyra si përpiqen ato, sa kam qenë në vendlindje kanë pasur domethënie. Për gruan time, ato kanë qenë shenja të njeriut të stërmunduar po të paepur, i cili e meriton dashurinë e saj. Për fëmijët, ato rrudha kanë qenë udhëkryqe, tek ka ndenjur pezull gjithë enigma e dashurisë dhe ashpërsisë, që kanë pasur peshë të caktuar në jetën e tyre, në edukatën e tyre.
Rrudhat mbi ballin tim, për mikun e vendlindjes, për aq sa kam pasur indikacione 34 vjet të jetës sime, kanë shprehur qartë pamundësinë për të fshehur ndjenjën e fuqishme të brengës për fatin e atdheut të robëruar; ato kanë treguar se janë dyer kurdoherë të hapura kah shpirti, për të gjithë ata që kanë halle të ngjashme.
Këtu në dhe të huaj, pushon së ekzistuari çdo domethënie e rrudhave të mia, e pulseve të mia të brendshme; në rrugë, në gazetë; në TV, ato „konsumohen“ këtu siç „konsumohet“ një langë automobili, një mbishkrim, një reklamë e margarinës, e sodës së teshave.
Megjithatë, sado që në fytyrën time nuk reflektohen më ato impulset e fuqishme të dashurisë e të urrejtjes, nganjëherë më ka rënë të kap vetëtimthi nga një dritë gati-gati identike me atë të dikurshmen, të njeriut në shtëpinë e vet; prapseprapë, vazhdimisht ndjenjat e mia, gjithë qenia ime sikur janë kyçur fortë; gjithë damarët sikur janë vënë me shtresa të forta e të ftohta lëndësh të panjohura, që po ua zënë frymën gjithë ndjesive të mia, duke i vënë fre vitalitetit në mua.
Më bëhet dendur se nga jeta njëdimensionale e të kolonizuarit në vendlindje, kam kaluar rrëmbimthi në një jetë më pak se një dimensionale të të arratisurit, që nganjëherë nuk do të donte më shumë se perspektivën e vdekjes në vendlindje së paku.”

Kandidati nga Vetëvendosja premton rivitalizimin e Pallatit të Kulturës ‘Jusuf Gërvalla’

Zekë Sinanaj, i kandiduari i Vetëvendosjes për Kryetar të Deçanit, ka premtuar kësisoj në rrjetin social Facebook sot se do të angazhohet për rivitalizimin e Pallatit të Kulturës “Jusuf Gërvalla”.

“Rivitalizimi i Pallatit të Kulturës “Jusuf Gërvalla” me funksione të plota dhe në shërbim të kulturës e të rinjve
Pallati i Kulturës, sot është në një gjendje të mjerueshme, madje një pjesë e madhe e këtij objekti nuk i shërben aktiviteteve kulturore. Në këtë objekt kanë zënë vend biznese të ndryshme private, duke ua vështirësuar qasjen në hapësirat e këtij pallati dhe njëkohësisht duke ua pamundësuar artistëve dhe të rinjve të komunës së Deçanit aktivitetet e tyre kulturore. Është e papranueshme që në objektin e dedikuar për kulturë të operojnë biznese private.
Prandaj prioritet i qeverisjes sonë fillimisht është funksionalizimi i plotë i Pallatit të Kulturës, ku është paraparë renovimi i tërësishëm i objektit, lirimi i hapësirave të zëna dhe ofrimi i mundësive që artistët ta zhvillojnë aktivitetin e tyre kulturor.
Pas kësaj zotohemi se do t’i mbështesim të gjitha idetë kreative nga artistët e rinj në lëmin e kulturës.
Ne jemi të vendosur ta kthejmë Pallatin e Kulturës në duart e njerëzve te kulturës” ka shkruar Sinanaj në Facebook.

Ky postim lidhet edhe me datëlindjen e Jusuf Gërvalles, e cila ishte dita e djeshme, 1 tetori. / KultPlus.com

Cila këngë e Rona Nishliut ju pëlqen më shumë? (VIDEO)

Nuk do ndoshta shumë koment interpretimi i saj në skenën e Eurovizionit. Krahash një tragjedie që ndodhi atyre ditëve, në majin e vitit 2012-të, Rona Nishliu ia doli të ngjitej në skenë.

Për shqiptarët ishin ditë të kobshme, njëjtë si për shpirtin e Ronës, megjithatë ajo doli në skenën e Eurovizionit dhe u pozicionua në vendin e pestë. Një performancë e rrëqethshme mbetet ajo e këngës “Suus”, edhe kaq vite pas krijimit të saj.

Sonte, po sjellim disa këngë të Ronës, por duke pyetur edhe lexuesin se çka pëlqen ai e ajo më shumë. “Suus” nuk mund ta largojmë nga lista, pasi mbetet nga ato këngë që nuk vdesin, në esencën e tyre kanë thirrje për mirësi por edhe për një vajtim të vetmuar.

Rona ka edhe këngë të tjera të fuqishme, të cilat e kanë pozicionuar në zërat të cilët nuk janë të shpeshtë, por janë të veçantë dhe të formuar. Kënga “Zonja Vdekje” u këndua para disa vitesh në Festivalin Kënga Magjike, dhe e vërtetoi magjinë e brishtë që ka brenda saj. Rona, si gjithmonë e veçantë në muzikë e në paraqitje, e solli një melodi të fuqishme e cila mund ta prekë secilin prej nesh, thellë thellë, nëse lidhet diçka e jona me këtë këngë, shkruan KultPlus.

Balada kalon në fund në një zhanër tjetër, por vetëm sepse revolta e saj duhet të ndalet dikur ose të ndërrojë frekuencë. Sonte po e sjellim edhe këtë këngë të Ronës – “Shko pastro pas saj”, sikur për të kërkuar një projekt të ri të Ronës. Kënga ka një videoklip simpatik, një tregim interesant paraqitur në moment që shihen, me Ronën që dëshiron të heq dorë nga një lidhje e cila e ka dërrmuar, e ku ka hyrë një person i tretë. Cila këngë e Rona Nishliut ju pëlqen më shumë juve, na tregoni në komente. / KultPlus.com

Edi Rama: Robert Elsie e bëri të njohur botërisht historinë dhe kulturën e kombit shqiptar

“Robert Elsie, albanologu i shquar me origjinë nga Kanadaja, me veprimtarinë e tij të vyer 40 vitet e fundit bëri të njohur botërisht historinë, artin dhe kulturën e kombit shqiptar me një dashuri e pasion të pashoq”, shkruan sot Kryeministri Edi Rama në rubrikën “In Memoriam”.

Në një postim në rrjetin social “Facebook”, Kryeministri Rama shkruan për albanologun Robert Elsie, i cili u nda nga jeta mëngjesin e kësaj të hëne në qytetin e Bonnit në Gjermani.

“Në trashëgiminë me vlera të jashtëzakonshme që na la pas, të spikasësh përkthimin e dorëshkrimit më të vjetër të historisë shqiptare nga prifti francez, Jean-Claude Faveyrial; volumin UNESCO të Antologjisë Moderne të poezisë shqipe; Këngët e Kreshnikëve, veprat e Migjenit dhe Ali Podrimes; apo kryeveprën ‘Lahuta e Malësisë’ të Fishtës, është shumë pak… U prehsh në paqe mik i mirë”, shkruan kryeministri Rama. / KultPlus.com

Shtatë shkrimtarët favoritë për të fituar Nobelin për Letërsi

Derisa Çmimi Nobel për Letërsi di të befasojë vit për vit, tanimë kanë nisur të përfliten emrat e favoritëve për të fituar çmimin.

Sa prestigjioz është çmimi, kjo mbetet për tu diskutuar, por gjithsesi që fituesi dhe procesi përcillet me interesim të madh nga lexuesit në mbarë botën.

Këtë vit, favoritët duket se janë ata të njëjtët e viteve më herët. Amos Oz, një jetë e vështirë prej shkrimtari dhe libra të hatashëm, është në këtë listë.


Margaret Atwood

Margaret Atwood, shkrimtare e njohur e cila javën e kaluar fitoi çmim Emmy, kësaj radhe vjen si një befasi në këtë listë. Don DeLillo – eseist e shkrimtar amerikan 80 vjeçar mund të jetë një befasi e Nobelit për Letërsi këtë vit.
Shqiptari Ismail Kadare, personazh kontraverze, i përket listës së favoritëve. Japonezi Haruki Murakami është aktivizuar viteve të fundit me libra të rinj dhe kjo bën që ai të jetë në këtë listë, shkruan KultPlus.


Haruki Murakami

Në emrat e favoritëve përmenden edhe Ngugi Wa Thiongo nga Kenia, i cili madje del i pari në listë si shkrimtari favorit për të marrë çmimin e Akademisë Suedeze. Philip Roth – shkrimtari amerikan i njohur për “American Pastoral”, nuk mungon në këtë listë.

Çmimi Nobel për Letërsi do të zbulohet të enjten, me 5 tetor. / KultPlus.com

U mësova të dua

Poezi e shkruar nga Jusuf Gërvalla.

Në duart e mia të ftohta me duart e mia
Trupin tënd e preka të ftohtë në argjilë
Largimin tënd akull dhe gazi m’u bë helm
Dimrin tonë të ftohtë e ngurosa në qepallë
E mapësuar dora ime e hapi kuvelinë
E dimrit
Dhe erdhi pranvera e dashurisë ndaj njeriut.
Gazi i tij pa kripë kripa e tij pa det e argjilë
Portofoli imë rëre gërshetat e tij kallam
Duart e mia të ftohta
Trupi i tij ujë
Dhe letër e verdhë.

Recitonte në sallën e madhe të zbrazët të ftohtë
Rendi i katërt ishte plot
Dyshemeja me lëvore gështenjash
Këndet e larta rrjetë merimangash
E dikush tha. Po cirresh kot!
Duart e tij të ftohta e sytë e tij të ngrohtë!

Pikëllimi s’ia kishte frikën
Ai dukej si kuvertë anijeve në detin Marmara
(nuk e di nga m’erdhi ky përfytyrim)
Ashtu dukej. Si kanjushë.
I verdhë. I ftohtë e i dashur
Mbi të gjithë që dashurojnë.

Në duart e mia të ftohta
E kam ndjerë shtrëngimin e dorës si prush
Në largimin e tij nuk kishte dhera të huaja
As shtigje që përsëri e sjellin aq të përhitur
Të dashur
Si fjalët e para si deti i ri si qyteti
Në kartëpostale.

Shqipëria tërhiqet nga Eurovizioni shkaku i Kosovës?

Pasi Kosova ka marrë përgjigje negative për pjesëmarrje në Eurovision, ka pasur zëra se edhe Shqipëria do të tërhiqet nga gara e vitit të ardhshëm si shenjë proteste.

Por përveç zërave, Radiotevizioni shqiptar (RTSH), sot ka konfirmuar se do të marrë pjesë në Eurovision 2018, që do të mbahet në Lisbon të Portugalisë.

Shqipëria edhe për vitin e ardhshëm përfaqesuesin e tyre për festivalin evropian do ta zgjedh përmes “Festivalit të Këngës’ i cili mbahet në fund të dhjetorit.

Shqipëria ka debutuar në Eurovision në vitin 2004, suksesin më të lartë vazhdon ta mbajë me këngëtaren kosovare Rona Nishliu, e cila në vitin 2012 e radhiti Shqipërinë në vendin e 5-të.

Kujtojmë që këtë vit Shqipëria u përfaqësua nga Lindita Halimi me këngën “World” por nuk arriti të kualifikohej në finale. / KultPlus.com

Nga Gjermania, Jusuf Gërvalla i shkruan letrën e shpirtit nënës Ajshe

Në shtator të vitit 1980, Jusuf Gërvalla ishte larg nënës së tij. Dashuria e pastër e saj megjithatë e ka shoqëruar Jufusin në udhëtimet dhe tragjeditë e të mirat e jetës së tij.

Poeti, muzikanti dhe atdhetari shqiptar i shkruan kësisoj nënës së tij, nënës Ajshe, një letër e cila duket se përmban emocione të tejpërtejme, fisnike, të cilat i shkruan veç një shpirt i mbushur si ai i Jusufit, përcjellë KultPlus.

Po e sjellim këtu të plotë letrën e Jusufit për nënën e tij, nga Gjermania e largët, sot.

Nanë e dashtun!
Rruga e jetës na pruni deri këtu. Zor sa të duesh. Po kollaj, s’ka qysh bahet ma kollaj. Ti vetë sa e sa herë, në prag të gjumit, kur ishim fëmijë e kur kishim dalë prej lojnave të fëminisë, na ke kallxue përralla që kanë të njëjtin përfundim: rruga e nderës asht ma e zorshmja, po ma e mira dhe e vetmja rrugë e vërtetë për njerin. Dhe, kush u mundue për nder, nder ka gjetë!
Sot, në vjeshtën e kësaj rruge, kur s’po kemi qysh me i dhanë gjevap bereqetit kaq të pasun, farën e të cilit e kemi mbjellë vetë, kush lodhet i pari mundet me thonë: a vyen me luftue për nder, tuj i ngarkue vetit kaq të liga në shpindë?!
Unë, besoj, nanë, se ti nuk je ajo që thotë kështu. Ti gjithmonë u ke përballue burrnisht rrebesheve të mëdha. Unë besoj se ti nuk je lodhë. Rruga jonë, mendja e shpirti ynë kanë pasur strofull fjalën tande, dashuninë e kujdesin tand të pashoq. Kur i kujtoj këto, më del se ti, në vend se të mërzitesh, duhet të gëzohesh e të përtërihesh. Ma në fund, veç tuj mos u dorëzue në këtë kohë të vështirë, ti nanë, do ta qitësh edhe hapin tand të fundit burrnor, që të bon si të gjitha ato nana trimnesha e fisnike shqiptare, të cilat, kur e ka lypë puna e vatanit, s’e kanë kursye e s’e kanë kajtë me lot jetën e djemve të tyne dhe kanë këndue kur kanë kukatë qyqet.
Jam shumë i lumtun që për këtë pikë, pra, për mërzinë tande, shpirtin e kam të fjetun. Ti je nji lis, që nuk don me ditë për fërfllazat e forta. Bile, nji lis, madhështia e të cilit del në pah bash kur merr mot me fërfllazë. As bora as ngricat e mëdha nuk të kanë ba kurrë shejë.
Pse, pra, dridhesh aq fort prej lagshte e prej bryme?
Në përfytyrimet e mia të gjalla, këtu në tretdhé, të shoh tuj ecë me atë krejninë tande të pashoqe, sa herë që nisesh me e pa djalin tand në burg, e rrugës të bjen me u shpërndrrue me anmiq të mëdhenj e të vegjël të pjellës sate. Le të pëlcasë anmiku, gjithë ai që e ka ba synin qorr e veshin shurdh kur e do puna me lufte për nderën, për ato që ti jau ke kushtue jetën e shëndetën. Dhe dije se krejnia jote përballë fërfllazës së sotme, asht helmi ma i fortë për anmikun
” . / KultPlus.com

Djali i Jusuf Gërvallës, një urim të veçantë për ditëlindjen e poetit e atdhetarit (FOTO)

“Gëzuar ditëlindjen, babi! Na mungon shumë!” ka shkruar në rrjetin social Facebook djali i heroit Jusuf Gërvalla, Premton Gërvalla.

Gërvalla, dje me datë 1 tetor, pati ditëlindjen. Jusuf Gërvalla, poet shqiptar dhe atdhetar i shquar, lindi më 1 tetor 1945 në Dubovik, rrethi i Deçanit, nga një familje bujare.

Zëri i tij poetik ishte zë më vete, mjaft origjinal, personal dhe individual. Poezia e tij na flet drejtpërsëdrejti, ngrohtë, zbutë, thellësisht njerëzor e me një sensibilitet të stërholluar. Në dy përmbledhjet e tij të para – “Fluturojnë e bien” (1975) dhe “Kanjushë e verdhë” (1978) – poezia e tij merrej kryesisht me vatrën e poetit tek janë mjaft kuptimplotë titujt e cikleve “Shtëpia në kornizë” dhe “Skena nga jeta e fshatit”.

Gërvalla vritet mizorisht më 17 janar 1982 në Untergruppenbach në Gjermani, shkruan KultPlus.

Thelbi kryekëput human i vargjeve, ligjërimi lirik dhe substancial i poetit të mallit, të dashurisë, të dhembjes, të vetmisë e të vdekjes e bëjnë Jusuf Gërvallën një zë të patjetërsueshëm të poezisë së re shqipe. / KultPlus.com

Protestojnë kundër Vuqiqit, dy studentë të artit në Beograd do të ndiqen penalisht

“Dy studentë të Fakultetit të Arteve Dramatike në Beograd do të ndiqen penalisht për shkak që kanë protestuar kundër Aleksandër Vuqiqit”.

Kësisoj ka shkruar Jelena Mitrovic në rrjetin social Facebook. Mitrovic është profesoreshë, pasi lë të nënkuptohet në status se njëri nga studentët është në fakt student i saj, një prej studentëve në lëndën ku ajo ligjëron në Beograd, në këtë fakultet, shkruan KultPlus.

Jelena është edhe producente e filmave nga Beogradi.

“Dy të talentuar, njëri prej tyre student imi, do të ndiqen penalisht pasi kanë protestuar kundër autokracisë. Kjo është mënyra se si autoriteti ynë i trajton protestuesit jo të dhunshëm. Mos harroni që kjo Qeveri mbështetet nga politikanët e Evropës. Ata e dinë që Vuqiq ishte një nga ata të Millosheviqit dhe njëri nga iniciatorët e krimeve në ish Jugosllavi. Shefi i tij i dikurshëm ishte në Hagë” ka shkruar Mitrovic e cila ka kërkuar që statusi të shpërndahet sa më shumë që të shihet se si regjimi serb po vepron me protestuesit por edhe me opozitën politike. / KultPlus.com

BBC: Ansambli Saz’iso çon sazet shqiptare në Londër

Pas tri dekadave dalje prej komunizmit, një grup muzikor në Shqipëri po provon të depërtojë në tregun muzikor të botës.

BBC e nisë kësisoj një shkrim mbi sazet shqiptare dhe grupin Saz’iso të cilët krijojnë muzike folklorike kryesisht nga qytetet e jugut shqiptar.

Pas disa javësh, grupi do të performojë në Londër, në St.Luke’s, Barbican Center, me ndihmën e një prej producentëve më të cilët ka bashkëpunuar grupi Pink Floyd, Joe Boyd.

“Jam fascinuar me muzikën. Është kaq e pasur muzikalisht, dhe menjëherë e kam ditur se duhet promovuar në lloj i tillë i melodisë. Kur isha në Gjirokastër para tre vitesh jam njoftuar për herë të parë me sazet” tregon Boyd për BBC.

Ky edhe do të jetë koncerti i parë i grupit jashtë Shqipërisë, shkruan KultPlus.
Donika Pecallari, Adrianna Thanou, Robert Tralo, Aurel Qirjo, Telando Feto, Agron Murat, Agron Nasi dhe Pëllumb Meta janë pjesë e këtij ansambli. / KultPlus.com

Momentet më të mira nga Paris Fashion Week (FOTO)

Parisi mbetet ndër qytetet ku e bukura merr frymë çdo ditë.

Java e Modës në Paris këtë javë ka sjellë koleksionet e ndryshme të cilat kanë parakaluar në këtë edicion. Si gjithmonë, Java është plot aktivitete dhe defile modelesh nga e mbarë bota.

Një pjesë e mirë e koleksioneve i është kushtuar Guy Laroche – një dizajner francez ndoshta ndër më ikonikët. Homazh i është bërë edhe aktores Mireille Darc. / KultPlus.com

Carpe Diem: 5 thënie nga Haruki Murakami

Haruki Murakami, u lind me 12 Janar, 1949. Haruki Murakami është ndër shkrimtarët japonezë më të njohur sot në botë dhe ndër më të rëndësishmit e botës letrare, autor i pothuajse të gjitha çmimeve prestigjioze letrare dhe për disa vite radhazi një ndër pretendentët e çmimit Nobel në Letërsi.

Kritika e cilëson Murakamin si ndër mjeshtrat e rrëfimit sot, autori që tronditi letërsinë japoneze dhe përshfaqjen e saj në botën letrare përmes së ashtuquajturit “thjeshtësim i realitetit”, për çka në krye të debutimit të tij u keqkuptua nga kritika dhe autorët e tjerë, të cilët sot e kanë idhullin e tyre letrar.

Përkundër kanoneve, diskrecionit, tabuve që shpesh e kornizojnë letërsinë japoneze, Haruki Murakami e çliroi prozën e tij, duke e kthyer atë në një ndër më të lexuarat në botë.

Kombinimi i stilit të tij autentik, frymës magjike dhe joshëse që ka terreni i tij letrar japonez dhe turbulancës pasionale që shkakton leximi i romaneve të tij, e bëjnë atë autorin me fansat më të shumtë në botë.

“Shpenzoni paratë tek gjërat që paratë mund t’i blejnë. Kaloni kohën me gjërat që paratë nuk mund t’i blejnë”- (The Wind-Up Bird Chronicle)

“Unë ëndërroj. Ndonjëherë, mendoj se kjo është e vetmja gjë e duhur për t’a bërë.” – (Sputnik Sweetheart)

“Talenti nuk është gjë pa durimin dhe përqendrimin.” (Blind Willow, Sleeping Woman)

“Ata thonë që dashuria rindërton botën, kështuqë çdo gjë është e mundur, kur bëhet fjalë për dashurinë.” (Kafka on the Shore)

“Dua që gjithmonë të më kujtosh. A do t’më kujtosh se kam egzistuar dhe se kam qëndruar pranë teje, kështu siç jam tani?” (Norwegian Wood)

Fotografi kosovar fotografon Era Istrefin për këngën e re “No I Love Yous” (FOTO)

Kënga e saj më re dhe e shumëpritur doli sot, ndërsa ajo duket se nuk ka harruar të bashkëpunojë me shqiptarët për famën e saj kudo nëpër botë.

Era Istrefi sot publikoi videoklipin e këngës “No I Love Yous” në bashkëpunim me French Montana.

Fotografi kosovar Jetmir Idrizi ka publikuar një fotografi të Erës, realizuar nga ai. Bashkëpunimi mes dyshes duket se ka dalë perfekt, me një fotografi ku Era është seksi dhe gjithmonë e veçantë.

Fotografia po shfrytëzohet si zyrtarja për këngën më të re të Erës. / KultPlus.com

Shpend Ahmeti në përurimin e kiosqeve për librashitësit në kryeqytet (FOTO)

“Sot përuruam kiosqet e librave në sheshet kryesore të qytetit. Shitësit e librave për shumë vite kanë qëndruar në shesh në kushte të mjerueshme. Nga sot ata nisën t’i shfrytëzojnë shtëpizat e librave, me kushte shumë të mira për zhvillimin e kësaj veprimtarie.
Këto 8 shtëpiza janë rregulluar nga Komuna e Prishtinës në bashkëpunim me DEMOS-in zviceran.
Shitësit e librave falënderuan Komunën për këtë projekt, dhe shprehën mirënjohje për mënyrën e shpërndarjes së tyre, proces ky që ka qenë shumë transparent, dhe përmes të cilit kanë mbetur të gjithë të kënaqur”.


Ky ka qenë statusi i Kryetarit të Prishtinës – Shpend Ahmeti, sot në rrjetin social Facebook pasi janë përuruar kiosqet e librave në kryeqytet. Deri tani shitësit ambulantë të librave qëndronin në kënde të ndryshme të shesheve kryesore, edhe pse ka vite që kërkonin hapësirë për ekspozim e shitje të dinjitetshme të librave. / KultPlus.com