KultPlus deri më 12 dhjetor kur edhe është Mbrëmja Gala e çmimeve “Zonjat që bëjnë Shqiptarinë, do të prezantojë çdo ditë nga një grua që do të merr këtë titull në Tiranë.
Flora Durmishi është një ndër 21 zonjat që do të merr titullin Zonja që bën Shqiptarinë nga Albanian Excellence, shkruan KultPlus.
KultPlus, deri më 12 dhjetor do të prezantojë çdo ditë nga një portret zonje, që do të marrin këto çmime në Gala Mbrëmjen në Tiranë, në Hotel Mak Albanian Hotel.
Flora Durmishi- Gazetare/redaktore në Radio Kosovë – Kosovë
Në vitin 1999, fillon punën në Radio Blue
Sky, sot Radio Kosova 2. Është ndër gazetaret e para dhe autore e
emisioneve të para në këtë radio. Aty gjeti veten shpejt duke krijuar emër dhe
identitet në këtë profil gazetarie. Është autore e shumë reportazheve,
emisioneve të drejtëpërdrejta, debateve e intervistave me njerëzit e kulturës
dhe te artit, por edhe të politikës. Shquhet sidomos për realizimin e
radiodokumentarëve.
Flora Durmishi është autore e emisionit të parë pas luftësqë i kushtohet gruas. Ajo është luftëtare e paepur për barazinë dhe
dinjitetin e gruas shqiptare . Për punën e saj është shpërblyer disa herë.
Vecojmë: “Femra më e sukseshme në media” (2007), “Gruaja e Vitit”
(2012) “Mbretëresha Teutë” (2013).
Nëse s’mund të fluturosh, vrapo, nëse s’mund të vraposh, ec, nëse nuk ecën, zvarritu, por si do që të jetë, vazhdo të ecësh përpara (Martin Luther King)./KultPlus.com
Tenori shqiptar Kastriot Tusha dhe pianistja e suksesshme Lule Elezi do të prezantohen me një koncert të përbashkët në Slloveni, shkruan KultPlus.
Koncerti do të mbahet nesër, në Teatrin e Qytetit të
Koprit, dhe ky koncert do të mbahet në kuadër të Ditëve të Kulturës Shqiptare.
Koncerti do të fillojë në ora 18:00, ku do të intepretohet
një pjesë e përzgjedhur e kompozimeve të njohura shqiptare, dhe kjo ngjarje
kulturore organizohet nga Shoqata Kulturore “Iliria” në Kopër, me mbështetje të
Ministrisë së Diasporës dhe Investimeve Strategjike.
Kjo shoqatë tash e sa vite organizon aktivitete kulturore për Ditët e Kulturës Shqiptare, ku vitin e kaluar me një program të përzgjedhur ishte prezantuar po pianistja Lule Elezi me sopranon e njohur shqiptare Inva Mula./KultPlus.com
Presidenti austriak, Alexander Van Der Bellen, është parë në aeroport krejtësisht i vetëm, derisa po udhëtonte drejtë Italisë për tu takuar me presidentin italian, Sergio Mattarella.
Fotografinë e ka postuar, gazetari i Deutsche Welle, Bahri Cani, duke u shprehur i habitur se si Van Der Bellen, nuk kishte roje e as ndonjë siguri tjetër pas vete.
Postimi i plotë:
Presidenti i Austrise van der Bellen…
Eshte nisur ne takim me presidentin e Italise Sergio Mattarella… Ku i ka rojet, limuzinat, autoblindat, helikopterret, avionet… Austria kufizohet me Ballkanin por ky nuk paska „mesuar“ asgje prej lidereve ballkanik!!!! Foto: Alexander Van der Bellen
Presidenti i Austrise van der Bellen…Eshte nisur ne takim me presidentin e Italise Sergio Mattarella… A eshte…
Publiée par Bahri Cani sur Vendredi 22 novembre 2019
Konkursi mbarëkombëtar i poezisë “KultStrofa” më datën 18 nëntor ka hapur thirrjen për edicionin e tretë të këtij konkursi.
Konkursi është i hapur për të gjithë poetët, ata që tashmë janë të dëshmuar me poezi, por edhe talentët e rinj, shkruan KultPlus.
Ardianë Pajaziti, themeluese e gazetës online për art dhe kulturë “KultPlus” ka bërë të ditur se në këtë konkurs mund të aplikojnë të gjithë të interesuarit me vetëm nga një poezi; poezia duhet të jetë e pabotuar dhe duhet të dërgohet me emër dhe mbiemër në adresën [email protected], me subjektin “Për konkursin e poezisë “KultStrofa”. Nuk pranohet asnjë poezi që vjen nëpërmjet formave tjera!
Juria profesionale e këtij konkursi është e përbërë nga:
Përkthyesja, publicistja dhe ekspertja ndërkombëtare, Mirela Kumbaro – kryetare
e jurisë, akademiku Bardh Rugova dhe profesori, studiuesi dhe shkrimtari Anton
Berishaj.
Dhjetë poezitë më të mira do të përzgjedhen nga juria profesionale, kurse nga dhjetë poezitë, më pas do të zgjedhen tri poezitë më të mira, të cilat edhe do të shpërblehen nga organizatori me mirënjohje dhe vlerë monetare. Ju kujtojmë që në konkursin e parë fitues ishte poeti i njohur Ragip Sylaj, ndërsa në edicionin e dytë Arjola Zadrima.
“KultStrofa” organizohet nga gazeta online për kulturë dhe art www.kultplus.com. Thirrja do të jetë e hapur deri më datën 1 dhjetor 2019. /KultPlus.com
Në ambientet e Bibliotekës së qytetit në Gjakovë u bë përurimi i “Trilogjisë gjermane” të shkrimtarit Jusuf Buxhovi. Autori, promovimin e veprës e shfrytëzoi për një bashkëbisedim me shkrimtarët dhe intelektualët rreth temës “Shekulli i mbrapsht shqiptar”, që është bosht tematik i kësaj vepre. Sipas autorit, marrja letrare me një problematikë të tillë ka pasë për qëllim nxjerrjen në pah të një absurditeti historik që ka përcjellë shtetndërtimin shqiptar nga 1912 deri te ndëryrja e NATOT-s e vitit 1999, kur edhe u krijuan rrethanat për shtetin e dytë shqiptat në Ballkan – Kosovën, me ç’rast ky zhvillim është përcjellë me kundërshtimin, por edhe luftën shtetit shqiptar nëpërmes vëllavrasjeve dhe veprimeve të tjera të papërgjegjshme me pasoja tragjike.
Në njërën anë neotomanizmi dhe në tjetrën anë ideologjia komuniste kanë qenë faktorët që kanë deyterminuar shekullin e mbrapsht shqiptar theksoi Buxhovi.Kjo anatemë, në njëfarë dore, ka vazhduar të përcjell edhe shtetin e Kosovës, i cili, prej vitesh nuk po ia del të stabilizohet, nga parteriteti i faktorit ndërkombëtarë me forcat e caktura politike me pedigre kriminale, që shtetin e kanë kthyer në plaçkë, duke rrënuar kështu të gjitha shtyllat e sistemit të vlerave (arsimin,kulturën, shëndetësinë) ekonominë dhe të tjerat.
Në këto rrethana, autori tha se kërkohet një ndergjegjësim i përgjithshëm drejt një ndryshimi rrënjësor, i cili nuk është i mundur pa angazhimin e drejtpëdrejtë të intelektualëve, shumë prej të cilëve, për përfitime të ndyshme, kanë hyrë në sherbim të kësaj politike rrënuese. Në fund, kryetari i shoqatës së intelektualëve të Gjakovës, Ruzhdi Sefa, doli me propozimin që të ndalohet fushata linçuese ndaj Buxhovi, që po zhvillohet kohëve të fundit nga çarqet e caktuara politike dhe shtetërore, me rastin e qëndrimeve të tij kritike, propozim që u pranua unanimisht./KultPlus.com
KultPlus prej sot deri më 12 dhjetor kur edhe është Mbrëmja Gala e çmimeve “Zonjat që bëjnë Shqiptarinë, do të prezantojë çdo ditë nga një grua që do të merr këtë titull në Tiranë.
Ardiana Sokoli (Diana) është një ndër 21 zonjat që do të merr titullin Zonja që bën Shqiptarinë nga Albanian Excellence, shkruan KultPlus.
KultPlus, deri më 12 dhjetor do të prezantojë çdo ditë nga një portret zonje, që do të marrin këto çmime në Gala Mbrëmjen në Tiranë, në Hotel Mak Albanian Hotel.
Ardiana Sokoli apo
si e thërrasin Diana, me profesion
ekonomiste, me një eksperiencë 25 vjeçare në fusha të rëndësishme të ekonomisë.
E nisi karrierën në 1993 si pedagoge e Fakultetit
Ekonomik në Shkodër, për të vijuar me një karrierë të shkëlqyer 15 vjeçare në
sektorin bankar nder drejtueset e Bankës Amerikane të Shqipërisë (me
vonë Intesa Sanpaolo Shqipëri). Në vitin 2013, Diana drejtoi
Departamentin e Integrimit dhe projekteve në Ministrinë e Mjedisit,
dhe përfaqësoi Shqipërinë në disa organizma ndërkombëtare. Në vitin
2018, ju rikthye sektorit të biznesit dhe sot është Zv Presidente e
Balfin Group, grup Leader në rajon dhe më gjerë . Është krenare për
jetën profesionale, e lumtur me familjen që ka
krijuar. Mama e tre djemve të cilët po rriten ashtu si ajo ka
dëshiruar e shpresuar.
Tirana ka triumfuar në Amiens të Francës, ku mes 5 qyteteve kandidate mundi të shpallej zyrtarisht si Kryeqyteti Europian i Rinisë 2022!
Lajmin e bukur e ka dhënë mbrëmjen e sotme vetë kryebashkiaku Erion Veliaj, i cili mori pjesë në ceremoninë e ndarjes së çmimeve, ku Tirana u vlerësua për fokusin që ka pasur tek të rinjtë, duke filluar nga ata më të vegjlit me çerdhet, kopshtet, shkollat, këndet e lodrave e deri te studentët me rikonstruksionin e konvikteve, apo krijimin e një sërë lehtësirave që ofron tashmë karta e studentit e kthyer në një realitet.
“Tirana është zyrtarisht fituese e çmimit European Youth Capital 2022! Super lajm për qytetin e veçanërisht për të rinjtë që do jenë motori i vitit europian të rinisë 2022”, shkruan Veliaj.
Tirana ishte përzgjedhur si një nga pesë qytetet kandidate për t’u zgjedhur si Kryeqyteti Evropian për të rinjtë 2022. Nga dhjetëra qytete të Europës që aplikuan, mes pesë qyteteve finaliste ishte renditur edhe Tirana, krahas Kazanit (Rusi), Poznań (Poloni), Varaždin (Kroaci) dhe Baia Mare (Rumani). Qytetet finaliste për EYC 2022 u përzgjodhën nga një panel i pavarur si Parlamenti Evropian, Komiteti i Rajoneve, Kongresi i Autoriteteve Lokale dhe Rajonale të Këshillit të Evropës, etj.
Bashkia e Tiranës ka ndërmarrë një sërë nismash në organizimin dhe mbështetjen e aktiviteteve rinore si: Tirana Art Fest, Java Evropiane, Ditët e hapura të edukimit të BE, Ditët Rinore të Start Up-eve, Ditët e Rrjetëzimit të të Rinjve dhe Bizneseve etj.
“Ti Shqipëri më jep nder”, janë vargjet e Naim Frashërit që sot jehuan në Parlamentin e Ontarios në Kanada, vargje këto të interpetuara nga ylli shqiptar Erza Muqolli me këngën “Fillim”, që e ka të përfshirë në albumin e saj të parë solo, shkruan KultPlus.
Këngëtarja shqiptare Erza Muqolli, e njohur për audiencën ndërkombëtare si një yll francez po merr pjesë në Kanada, ku Shoqata e Bashkësisë Shqiptaro-Kanadeze me mbështetjen e deputetit konservator Lorne Coe, organizon ceremoninë e përvitshme për të nderuar Muajin e Trashëgimisë Shqiptare në Ontario, të shpallur me ligj 3 vjet më parë, ngjarje kjo e realizuar me një përkushtim të madh nga Ruki Kondaj.
Para një audience të madhe, shqiptaro- kanadeze, ku kanë marë pjesë edhe nga Ambasada e Kosovës në Kanada, Erza Muqolli ka kënduar disa nga këngët e albumit të saj. Në kuadër të Muajit të Trashëgimisë Shqiptare, komuniteti shqiptar në Ontario ka organizuar nëpër vite shumë ngjarje kulturore, ku po në Parlamentin e Ontarios kishte kënduar edhe sopranoja e njohur shqiptare Inva Mula, kurse këtë vit, organizatorët kanë ftuar këngëtaren e re Erza Muqolli, e cila po shënon një sukses të madh në botën e muzikës./KultPlus.com
Raporti “Instituti i vetizoluar (vlerësim i shoqërisë civile për institutin albanologjik të Prishtinës)”, u prezantua para medieve në ambientet e hotelit “Sirius”, ku nëpërmjet 20 gjetjeve u shpërfaqën ngecjet dhe u dhanë rekomandimet për këto gjetje, shkruan KultPlus.
Akademia e Shkencave dhe Arteve e Kosovës dhe Instituti Albanologjik janë dy institucione relevante të shoqërisë tonë. Por, përgjatë viteve në këto dy institucione ka pasur mjaft probleme, me të cilat ato përballen sot e kësaj dite.
Organizata
“Integra” që mëton mëkëmbjen dhe zhvillimin e Kosovës dhe të rajonit, prezantoi
këtë raport 1-vjeçar të autorit Shkëlzen Gashi që hyn në kuadër të projektit
“Rishikim i shoqërisë civile dhe dialog publik për institucionet e heshtura të
Kosovës të financuara nga fondet publike”, projekt ky që ka për qëllim të
reflektojë mbi punën e institucioneve specifike publike të Kosovës.
Botuesi i raportit Kushtrim Koliqi në fjalën hyrëse foli në pika të shkurtra për projektin, të cilin e cilësoi si shumë të rëndësishëm.
“Para se të fillojmë të iniciojmë projekte të tilla, në diskutim e sipër me shoqëritë civile e kemi parë se shumë institucione funksionojnë si ishull, nuk i japin askujt llogari, nuk dihet shumë për to, aktiviteti i tyre është shumë i izoluar”, tha Koliqi në fillim.
“Kur kemi nisur t’i listojmë këto institucione ka dalë një numër i madh i tyre që marrin para publike por nuk dihet shumë për to, nuk dihet as llogaridhënia e as çka bëhet realisht në to. Ne kemi bërë një vlerësim të tillë për Akadaminë e Shkencave të Kosovës pastaj kemi vazhduar me Institutin Albanologjik. Projekti si i tillë, synon të iniciojë dialog më të gjerë në publik rreth këtyre institucioneve të cilat besojmë që nuk bëjnë mjaftueshëm për të qenë të hapur ndaj publikut për punën e tyre”, ka thënë Koliqi.
Tutje, ai u shpreh se qëllimi i këtij projekti është që të rishikojë dhe vlerësojë punën e institucioneve publike të Kosovës të cilat financohen prej parasë publike.
“Konkretisht, ne merremi me strukturën e brendshme, funksionimin, publikimet dhe rezultatet e këtyre institucioneve. Në fund japim rekomandime se si këto institucione përmirësojnë performancën e tyre, gjithmonë në linjë të transparencës dhe llogaridhënies”, përfundoi Koliqi.
Para gazetarëve autori i këtij raporti që specifikisht merret me këto dy institucione relevante, Shkëlzen Gashi, e prezantoi atë në tërësi. Si i tillë, raporti përmban 20 gjetje që janë bërë pas hulumtimeve dhe intervistave me personat relevantë përgjatë periudhës 1-vjeçare.
Duke treguar ngecjet e këtyre institucioneve, u dhanë gjithashtu rekomandimet që do ta përmirësonin përformancën.
“Anëtarët e
Akademisë së Arteve dhe Shkencave të Kosovës janë njerëzit më të paguar në regjion.
Ata marrin paga nga 1250 përkatësisht 1500 euro për dallim prej kolegëve të
tyre që i marrin trefish më pak. Gjendja bëhet edhe më rëndë sepse ata nuk
punojnë shumë”, tha ai në fillim të prezantimit.
“Nëpër tryezat, simpoziumet e konferencat që organizohen nuk e kemi të pranishme as gjuhën angleze dhe as serbe, që janë gjuhë zyrtare. Megjithëse me buxhet mbi gjysmë milioni eruo, janë vetëm dy projekte të mëdha që Akademia i realizojë, vepra shkencore e Rexhep Qosjes dhe vepra shkencore e Anton Çettës që s’ka përfunduar ende”, potencoi ai.
“Rekomandimi është ky, duhet të sqarohet cila është vlera shkencore e veprës së Qosjes dhe Çettës dhe pse nuk janë të vlefshme veprat e të tjerëve, pse është e nevojshme të botohen veprat e këtyre dy ish-punonjësve të Institutit. Qosjen jemi mësuar ta konsiderojmë si baba të kombit, sepse ka dhënë kontribut të madh në çështjen kombëtare dhe përpjekjen e shqiptarëve për pavarësi por duhet të sqarohet se çfarë ka shkencore te kjo vepër, poashtu Anton Çetta me pajtimin e gjaqeve tek shqiptarët në një periudhë të rëndë. Cila është vlera shkencore e këtyre dy personaliteteve të rëndësishme, që janë më shumë politike sesa shkencore” erdhi në konkludim Gashi.
Në vazhdim të paraqitjes së gjetjeve në kuadër të këtij raporti, Gashi foli për projektet shkencore ku hyjnë librat dhe revistat, të cilat sipas tij kanë mjaft probleme sepse nuk botohen në të gjitha gjuhët zyrtare, pra në gjuhën angleze dhe serbe, e po bëhet ekskluzivisht botimi i autorëve shqiptarë dhe në të njëjtën gjuhë, në shqip.
Po ashtu u përmend mos përditësimi i faqeve zyrtare të institucioneve dhe mos shfaqja e CV-ve të punëtorëve të tyre.
Botimi i raportit është realizuar me përkrahjen e Fondacionit të Kosovës për Shoqëri të Hapur (KFOS). /KultPlus.com
Një 51 vjeçar në Newbury të Anglisë, që quhet Robert Black, është arrestuar pasi vazhdimisht e ka goditur në kokë qenin e tij kur e shëtiste në parkun publik.
BBC raporton se kjo ka ndodhur në vazhdimësi, i cili edhe është filmuar, por s’i ka publikuar videot për shkak të skenave të rënda që thuhet t’i ketë videoja. Ka publikuar vetëm një foto të rastit, kur Black e ka goditur qenin në kokë.
Black ka marrë 23 javë burgim dhe s’do të lejohet të mbajë kafshë për dhjetë vjet, transmeton Koha.net.
Ai është shpallur fajtor për sulmet që ia ka shkaktuar qenit në parkun “Victoria”. Raportohet se ekzistojnë të paktën pesë video që ai shihet duke e sulmuar qenin.
Qeni, ka qenë kafshë e mbrojtur nga Gjykata e Magjistraturës.
David Burleigh, zëdhënës i Policisë, ka thënë se videot “përmbajnë egërsi të konsiderueshme të tij derisa e godet disa herë qenin në fytyrë, pa asnjë shqetësim për mirëqenien e kafshës”.
Megjithatë, një tjetër portal anglez, pavarësisht pamjeve të rënda që përmbanë videoja, e ka publikuar atë.
Organizata të ndryshme gjermane që nga paslufta kanë ndihmuar rimëkëmbjen e ekonomisë së Kosovës
I tillë ka qenë dhe vazhdon të jetë edhe “GIZ”-i gjerman, organizatë e cila edhe sot e kësaj dite operon në Kosovë, duke mbështetur bizneset e vogla.
Një mbështetje të tillë gjermanët ua kanë dhënë edhe grave të Krushës, të cilat merren me prodhimin e ajvarit.
E ajvarin e grave të Krushës, ambasadori gjerman në Prishtinë, Christian Heldt, e ka reklamuar edhe në mes të Berlinit.
Heldt ka thënë se ky është një premtim që e kishte dhënë, ndërkohë porosit gjermanët që të hanë më shumë ajvar.
“Hani më shumë ajvar, është i shëndetshëm dhe i shijshëm”, ka shkruar Heldt.
Kjo nuk është hera e parë që një diplomat i shteteve të huaja reklamon një produkt të prodhuar në Kosovë. Edhe ambasadori i Japonisë në OKB, Yoshifumi Okamura, kishte reklamuar verën e prodhuar në Rahovec.
20 years German-Kosovar cooperation: For a decade now, the strong ladies of #Krusha work as cooperative set up with @giz_gmbh. Promised at my last visit to raise Ajvar awareness in. And it is available even in the heart of Berlin. Germans, eat more Ajvar, healthy and
20 years German-Kosovar cooperation: For a decade now, the strong ladies of #Krusha work as cooperative set up with @giz_gmbh. Promised at my last visit to raise Ajvar awareness in. And it is available even in the heart of Berlin. Germans, eat more Ajvar, healthy and
Duket se asgjë nuk mund t’i ndalojë sukseset e kompanisë filmike, Warner Bros dhe filmit të DC-së, “Joker”, kjo pasi që ky film ia doli të kalojë shifrën mbi 1 miliard dollarë, shifër kjo e fituar me shitje të biletave në box office botëror.
Sipas Box Officit Mojo, filmi nga shitja e këtyre biletave arriti të fitojë 1.017 miliard dollarë amerikan, me 694 milionë dollarë të fituara jashtë tregut amerikan.
Me këtë fitim, “Joker” u bë filmi i parë në listën e filmave më fitimprurës R-rated movie. Ky sukses u arrit përkundër asaj se në Kinë u anulua shfaqja e tij, këtë duke qenë në dijeni se ky vend siguron tregun e dytë më të madh në botë sa i përket filmit. Në Kinë, ai u anulua për shkak se ka skena shumë të dhunshme.
Filmi Joker u realizua me një buxhet prej 62.5 milionë dollarë, dhe shifra që arriti në box office e bën atë filmin më fitimprurës të të gjitha kohërave të bazuar në strip. Me fjalë të tjera, “Joker” me këtë arritje iu bashkua tre filmave të Warner Bros, me superheronj të DC: “Aquaman” i cili u realizua në vitin 2018, e që fitoi 1.148 miliard dollarë. “The Dark Knight Rises” të vitit 2012, që fitoi 1.081 miliard dollarë dhe “The Dark Knight” të vitit 2008, që fitoi 1.005 miliard dollarë.
Filmi Joker u shfaq premiere në festivalin e 76-të të filmit në Venedik, më 31 gusht 2019, ku edhe u shpërblye me çmimin Luani i Artë. Megjithatë, ky film nxiti polemika në mes të kritikëve, ku disa prej tyre e vlerësuan si të dhunshëm, me frikën se mund të nxisë dhunë edhe në botën reale. Por përkundër kësaj, ai arriti sukses, duke u bërë kështu filmi i shtatë më fitimprurës 2019, ndërkaq i 43-ti me radhë në radhë të filmave më fitimprurës të të gjitha kohërave.
Pasi e kishin “zbuluar” mediet serbe se bonbonierat nga Kosova janë renditur “në formë të hartës së Shqipërisë së Madhe”, tani “zbulojnë se kanë zbuluar gabim” dhe se renditja e bonboneve të çokollatës “nuk janë në formë të hartës së Shqipërisë së Madhe por të hartë së Turqisë”!!!
“Pas bonbonierës “Kamila” e cila ka arritur në raftet tona nga Kosova, qëndron një kompani nga Turqia, e cila e ka hapur një fabrikë në Prizren. Tregimi mbi Shqipërinë e Madhe dhe këto ëmbëlsira, si duket nuk paska lidhje, sepse renditja e bonboneve në të, megjithatë përkujton në hartën e Turqisë”, shkruan gazeta serbe Novosti.
Nga ana tjetër Goran Papoviq, kryetari i Organizatës Kombëtare serbe për Mbrojtje të Konsumatorit thotë se ende askush nuk i ka parë këto ëmbëlsira në shitoret e Serbisë.
“Ky tregim është i vjetër tashmë një vit e gjysmë, edhe madje kur kemi dëgjuar për herë të parë për këtë, askush nuk e ka sjellë te ne, kështu që ne këtë bonbonierë kurrë nuk e kemi parë”, ka thënë Papoviq për mediet serbe.
“I bëjmë thirrje atij i cili e ka publikuar këtë, të vijë te ne dhe të na sjellë atë, së bashku me kuponin fiskal. Sepse na nevojiten dëshmitë. Ndërsa ajo që në të shihet harta e Shqipërisë së Madhe apo që në deklaratë shkruan “import nga Kosova”, është problemi më i vogël. Në pyetje është kualiteti i mallit”, pretendon Papoviq, dhe vazhdon: “Nuk është e qartë se prej nga ka dalë pikërisht tani ky tregim, derisa këtë prodhim ende askush nuk e ka parë”.
Të përkujtojmë, vetëm para disa orëve, mediet serbe kanë transmetuar “ankesat dhe zemërimet” e konsumatorëve “anonim”, të cilët kanë deklaruar për Novosti, se “pasi i kanë blerë këto ëmbëlsira, menjëherë pasi e kanë hapur kapakun e kanë njohur hartën e Shqipërisë së Madhe (!!!)” të vizatuar me ëmbëlsira, si dhe deklaratën në kuti “import nga Kosova”./insajderi/KultPlus.com
Të qenit i varur nga blerjet në internet duhet të njihet si një çrregullim mendor aktual, kanë argumentuar psikoterapistët.
Studiuesit thonë se ata mund të përcaktojnë simptoma dhe karakteristika të dallueshme të gjendjes dhe të thonë se si ndikon në mendje.
Kjo është njohur për dekada, por ekspertët thonë se po merr një kuptim të ri në epokën e internetit dhe tani prek një në 20 persona.
Njerëzit e fiksuar pas shpenzimit në internet mund të përfundojnë duke mbajtur gjërat që ata porosisin, të përfundojnë në borxh, të debatojnë me të dashurit dhe të humbasin plotësisht vetëkontrollin.
Dr Müller, një psikoterapiste në Shkollën Mjekësore Hannover në Gjermani, dhe kolegët e saj thanë se gjendja kishte kaluar e panjohur për shumë kohë.
Në një studim ata shikuan prova nga 122 pacientë që kërkonin ndihmë për varësitë e tyre të blerjeve në internet dhe zbuluan se ata kishin nivele më të larta se zakonisht të depresionit dhe ankthit.
Ata argumentojnë se rritja e dyqaneve në internet, aplikacionet dhe shpërndarja në shtëpi i kanë shtuar një dimension krejtësisht të ri konceptit të një ‘shopaholic’.
Shumë artistë kanë dhuruar pikturat e tyre që ti ofrojnë për shitje, fond ky që do të shkojë për të ndihmuar në shërimin e regjisores Burbuqe Berisha, shkruan KultPlus.
Luan
Mulliqi, Ismet Jonuzi, Zake Prelvukaj, Eliza Hoxha, Lorik Sylejmani, Valdete
Vucitërna, Visar Mulliqi, Arlinda Hajrullahu, Hajrush Fazliu, Muhamet Ahmeti,
Musë Prelvukaj, Isa Alimusa, Lirije Bulliqi, Vlora Kosumi, Vlora Hajdini, Arben
Shala, Blerta Surroi, Lyra Zajmi, Bardhyl Bejtullahu, Zana Ramadani, Mjellma
Goranci, Shqipe Kamberi, Arbana Hajredinaj, Tomor Arifi, Guri Cavdërbasha e Mirsad
Lushtaku, janë artistët që kanë ofruar punimet e tyre për këtë ankand, që do të
ekspozohen më 21 nëntor, prej orës 18:00 të Menza e Ramiz Sadikut.
Kjo mbrëmje do të udhëhiqet nga aktori i njohur kosovar Fatmir Spahiu, kurse për këtë iniciativë është shprehur falënderuese edhe vetë Burbuqe Berisha, e cila ka theksuar se është e vështirë në raste të tilla të përballohen financat. /KultPlus.com
“Të martën, më 19 nëntor në
ora18:30, në një pritje e cila do të organizohet në rezidencën e Francës,
Shkëlqesia e saj ambasadorja e Francës, Marie-Christine
BUTEL do të ketë nderin të dekorojë znj.Blerta
Zeqiri, « Kalorëse në Urdhrin e Artit dhe Letërsisë »”,
bëhet e ditur nëpërmjet një komunikate nga Ambasada e Francës në Kosovë,
shkruan KultPlus.
Kjo
është njëra nga dekoratat më të larta që e ndanë Republika e Francës, përmes së
cilës shpërblen individët, që janë dalluar përmes krijimtarisë së tyre, në
fushën artistike ose letrare, apo përmes kontributit që ata kanë dhënë për
rrezatimin dhe promovimin e artit dhe letërsisë në Francë dhe në mbarë botën
Përmes
kësaj dekorate, Republika e Francës njeh kontributin e jashtëzakonshëm të
zonjës ZEQIRI, gjatë gjithë karrierës profesionale, në përhapjen e gjuhës dhe
kulturës franceze në Kosovë, thuhet më tej në këtë njoftim.
Blerta Zeqiri është regjisore e njohur në Kosovë, e cila ka shënuar një sukses të madh me filma të metrazhit të shkurtë, sikurse edhe e filmin debutues të metrazhit të gjatë “Martesa”./KultPlus.com
“The Grand Gelinaz Shuffle” është gara e madhe e gastronomisë që do të zhvillohet në 138 restaurante të botës, e në këtë garë është futë edhe restauranti “Mullixhiu” në Tiranë, me shef kuzhine Bledar Kola, shkruan KultPlus.
Bledar Kola
ka konfirmuar për KultPlus se në këtë ngjarje të madhe do të performojnë 148
kuzhinierë, ku do të tregojnë sekretet e tyre në këtë ngjarje prestigjioze, dhe
është hera e parë që Shqipëria futet në këtë spektakël të gastronomisë.
Kjo ngjarje do të mbahet më 3 dhjetor, dhe biletat për të qenë pjesë e kësaj ngjarje të madhe mund të sigurohen vetëm nëpërmjet sajtit Gelinaz. Kjo ngjarje e madhe përfshinë edhe kuzhinierin e famshëm shqiptar Rene Rezepin, kurse kjo ngjarje do ketë partner medial mediet më perestigjioze në nivel ndërkombëtar./KultPlus.com
Dhe mes shumë gjërash, kam mësuar edhe që bota ndahet në dy kategori: ata që i japin pjatën kamarierit dhe ata që nuk ia japin pjatën kamarierit pasi mbarojnë së ngrëni.
Të parët, janë ata që të shohin, që e kuptojnë se je aty, po bën punën tënde, po lodhesh e pasi mbarojnë së ngrëni u duket krejt e natyrshme të ngrenë pjatat bosh e të të ndihmojnë t’i largosh nga tryeza, pa qenë nevoja që të përkulesh çdo herë që duhet t’i mbledhësh, duke rrezikuar të të bjerë tabakaja që ke në dorën tjetër. Zakonisht të thonë madje edhe faleminderit, sikur të mos ishin ata që po të bëjnë nder, më vinte t’i përqafoja. Një gjest i thjeshtë që s’kushton asgjë, por që do të thotë shumë. Më kanë pëlqyer gjithmonë këta lloj njerëzish, sepse janë thuajse gjithmonë njerëz të thjeshtë, të sjellshëm, që e dinë se ti si njeri ke dinjitetin tënd, nuk je shërbyes, por punonjës.
E dinë se sa me fat janë që ata ndodhen të ulur aty, ndërsa ti në këmbë duke punuar e lodhur, që ata të mund të jenë të kënaqur. E them këtë, sepse në jetë, më ka ndodhur të gjendem në një tryezë me shumë njerëz: shkrimtarë, politikanë, personazhe publikë, të TV, dhe pjesa më e madhe e tyre, megjithë pushtetin, rëndësinë, simpatinë e tyre shpesh ishin njerëz që nuk e ngrinin pjatën nga tryeza e t’ia jepnin kamarierit. Madje disa syresh i trajtonin keq dhe me përbuzje. Dje, pikërisht dje, isha në një tryezë me Clara Sanchez. Nuk e di nëse e njihni, por është një shkrimtare që ka shitur me miliona kopje të librave të saj në botë. Një femër që ka plot arsye për t’u ndier e realizuar në jetë. Për t’u ndier e rëndësishme. Pasi mbaroi së ngrëni, e ngriti pjatën dhe ia dha kamarierit. Sado e mirënjohur, e pasur, e realizuar, veten, sjelljen, edukatën e tregon me veprime të thjeshta, edhe kur thjesht i jep pjatën një kamarieri pasi mbaron së ngrëni.
Qendra për Studime të Avancuara FIT është duke shënuar Javën kundër bulizmit (11-15 nëntor) dhe Ditën Ndërkombëtare të Tolerancës (16 nëntor) në disa shkolla fillore të mesme të ulëta të komunës së Ferizajt, shkruan KultPlus.
Kjo Qendër ka prezantuar
disa nga punimet e bëra nga nxënësit e shkollës “Muharrem Shemsedini” në
Fshatin e Vjetër në Ferizaj, në lidhje me temën e bulizmit, ngacmimit online
dhe tolerancës.
“Bulizmi, qoftë ai verbal,
fizik apo online, ka një ndikim shumë të madh në jetën e fëmijëve deri
edhe në moshën e rritur. Duke bërë ndryshime të vogla, ne mund t’a ndërprejmë
këtë cikël dhe të krijojmë një ambient të sigurtë për të gjithë. Këto vizatime
të bëra nga fëmijët janë edhe një dëshmi se sa e rëndësishme është toleranca në
jetën tonë”, thuhet në njoftimin e kësaj qendre.
Ky aktivitet është mbështetur nga programi #BRICK i themeluar dhe implementuar nga Community Development Fund – CDF në partneritet me Qendrën për Studime të Avancuara FIT./KultPlus.com
Si zombi enden kotësisë njerëzore… Shkarraviten si padashur në ngjarje- Përgjojnë ashiqare me lëvizje budallaqe- grabitqare… Ashtu, kot fare! Qurraviten, jargaviten nëpër korridore Për një kore. Frymëqelbur prej ndyrësisë së fjalëve e zgërdheshjes… Zulma Trushkulurish e trushkulurash në paradë suksesi (ups vesi)… Horre/a të fryrë, që zaptojnë hapsira e të prishin ditën, jetën, Dordolece/ë pa nder e besë, veç një shportë me pordhë me gresë! Mosmirënjohës e bukëshkalë me kuintal, mbijnë si grami nën këmbë e të thonë ik, Se vendin ma ke zënë…! Qylaxhesha e qylaxhinj, Sa shumë mban moj tokë!! E mua, pijetarit të vjetër S’më mbetet tjetër, veç ta kthej dhe një gotë tjetër…! Kjo botë u shthur e më s’u ndreq, O Zot, o Dreq!./KultPlus.com
Besojeni ose jo, por një fëmijë gjeni pritet të diplomohet në nivelin Bachelor, ndërkohë që është veçse 9 vjeç.
Laurent Simons nga Belgjika është duke studiuar Inxhinieri Elektrike në Eindhoven University of Technology. Fill pas përfundimit të arsimit të lartë në muajin dhjetor, Laurent do të përfshihet në një program PhD, po në Inxhinieri Elektrike.
Djaloshi vjen nga një familje mjekësh dhe ishin gjyshërit ata të cilët vunë re diçka të veçantë te ai.
“Mendonim se ata po e ekzagjeronin kur shpreheshin se djali ishte shumë i zgjuar”, tregon e ëma e Simons. Kjo e fundit mendon se inteligjenca e të birit mund të burojë ndoshta nga fakti se gjatë kohës që ishte shtatzënë me të birin ka konsumuar shumë peshk.
Koeficienti i Inteligjencës së tij (IQ) shkon plot 145.Pavarësisht arritjeve të tij, prindërit sigurohen që në fund të ditës, Simons të argëtohet porsi një fëmijë. Atij i pëlqen të luaj me qenin, celularin dhe meqë gjithashtu tërhiqet shumë edhe nga mjekësia, ka një ëndërr në sitat: të zhvillojë organe artificiale/TCH./KultPlus.com
Ekipi i filmit “Zana” ka nisur fushatën promovuese për çmimin prestigjioz “Oscar”. Por këtë vit, për dallim nga vitet e kaluara, janë 5 mijë euro më pak. Qendra Kinematografike e Kosovës sivjet ka ndarë 15 mijë euro, edhe pse ishte paralajmëruar se mund të ketë rritje të përkrahjes për këtë fushatë për kandidatin e Kosovës drejt “Academy Awards”.
Ani pse me buxhet të zvogëluar, producenti i filmit, Casey Cooper Johnson, ka thënë se i janë përveshur punës për të promovuar filmin para votuesve të Akademisë dhe anëtarëve të industrisë së filmit. Ai, po ashtu, ka thënë se janë duke shfrytëzuar edhe lidhjet e tyre personale që kanë në këtë industri.
Filmi “Zana”, nën regji të Antoneta Kastratit, është i përzgjedhuri i Kosovës si kandidat për t’u nominuar për “Oscar” në kategorinë e filmit më të mirë në gjuhë të huaj (jo anglisht). Kësisoj, Kosova do të bëjë fushatë për rrëfimin e traumave të pasluftës. Premiera botërore e “Zanës” ishte dhënë më 7 shtator në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Toronto.
Është një dramë ku personazhet përplasen me forca mistike, ankthe, besëtytni dhe magji. Filmi shpërfaq historinë e Lumes (Adriana Matoshi) dhe burrit të saj Ilirit (Astrit Kabashi). Lumja e ndjekur nga ankthet e natës dhe nga dështimet e shtatzënësisë, dërgohet te magjistarë të ndryshëm ritualesh të pazakonshme me qëllim që ta shërojnë nga magjia e zezë, mirëpo kur ajo mbetet shtatzënë, kujtime të errëta nga koha e luftës do të kthehen duke i ndjekur atë dhe fëmijën e palindur.
Producenti i filmit, Casey Cooper Johnson, në lidhje me buxhetin e ndarë ka thënë se realizimi i pavarur i filmave është gjithmonë punë me kufizime buxhetore dhe duhet bërë më të mirën me ato u jepen në dispozicion…
Ndue Ukaj është prezantuar me librin e tij më të ri, që tashmë e ka prezantuar në Panairin e Librit në Tiranë, shkruan KultPlus.
“Ismail Kadare:
Kryqëzime letrare dhe kulturore”, titullohet libri i Ndue Ukaj që është botuar
nga Shtëpia Botuese “Onufri”.
Shtëpia
Botuese “Onufri”, ka nxjerrë një përshkrim mbi botimin e këtij libri:
Shkrimtari
Ismail Kadare, nën diktaturë dhe pas rënie së saj, ka shkruar letërsi të
këndshme, plot jetë dhe gjallëri, për njeriun, raportet e tij me
politikën, historinë, me një fjalë, ai ka shkruar letërsi, të bazuar “te
dashuria, nderi, dhembshuria, krenaria, mëshira, sakrifica, te vuajta, te
dramat jetësore, etj.”, siç thoshte William Faulkner. Me këto elemente, vepra e
tij, përbenë një botë të pafund të bukurisë së gjuhës, imagjinatës dhe
mendimit.
Artin
e Kadaresë e shquan një forcë tërheqëse e jashtëzakonshme estetike, ku kumbojnë
melodi të bukura e dridhmuese dhe një gjuhë artistike sublime, kurse ajo që i
mban të lidhura veprat e tij, është shumëllojshmëria temave, motiveve,
rrëfimeve dhe stileve, si dhe toni madhështor narrativ, ku del në pah talenti
dhe fuqia kreative, nëpërmes tekstit të pasur estetik dhe kulturor.
* * *
Ndue Ukaj (1977)
shkruan poezi, prozë, kritikë letrar dhe publicistikë.
Libri me poezi “Godo nuk vjen”, u laureua me Çmimin Kombëtar ”Azem Shkreli” për
librin më te mirë me poezi të botuar në vitin 2010, kurse në Festivalin
Ndërkombëtar të Poezisë, “Ditët e Naimit”, u laureua me çmimin për poezinë më
të mirë. Ka fituar edhe çmime tjera.
Ka botuar librat:
“Diskursi biblik në letërsinë shqipe”, (2004), studim;
“Ujëvarat e metaforave”, (2009), poezi;
“Godo nuk vjen” (2010), poezi;
“Arka e shpëtimit” (2012), poezi;
“Gjithmonë diçka mungon”, (2017), poezi;
“Krijimi i dashurisë”, (2017), përmbledhje e përzgjedhur poetike dhe botuar nga
Festivali Ndërkombëtar i Poezisë “Ditët e Naimit; 2017.
Poezitë e tij janë përkthyer në anglisht, spanjisht, italisht, rumanisht, finlandisht, kinezisht, suedisht, turqisht dhe janë botuar në revista dhe antologji të poezisë. Ukaj është anëtar i PEN-it në Suedi./KultPlus.com
Sot në orën 14:00 në varrezat e kryeqytetit u bë varrimi i regjisores Arzana Kraja.
Qindra qytetarë u mblodhën për t’i dhënë lamtumirën e fundit regjisores së njohur.
Familjarët kanë njoftuar poashtu se dyert e familjes do të jenë të hapura për ngushëllime në lagjen Ulpiana D9, pranë klinikës “Fati im, shkruan rtv21.tv
Regjisorja e filmit “Fusha e Mëllenjave” është gjetur e vdekur dje në banesën e saj në lagjen Kalabria në Prishtinë./KultPlus.com