“Pëllumbi i paqes” kompozimi më i mirë në “Cicërrimat Buzë Ibrit”

Në Mitrovicë është mbajtur edicioni i 37-të i Festivalit të Muzikës për Fëmijë “Cicërrimat Buzë Ibrit”, ku fëmijët janë prezantuar në dy kategori të ndryshme, shkruan KultPlus.

Në këtë festival kanë marë pjesë edhe përfaqësueset e grupit “Xixëllonja” nga Prishtina,  ku kënga “Pëllumbi i paqes” me tekst të Donika Rudit dhe me kompozim të Drita Rudit, është shpërblyer me çmimin si kompozimi më i mirë i festivalit, çmim që është ndarë nga juria profesionale.

Kënga “Pëllumbi i paqes” është kënduar nga dy motrat Anna dhe Ninna Krasniqi, kurse drejtoresha e grupit “Xixëllonjat” Drita Rudi ka thënë për KultPlus se ky është vetëm një nga sukseset e xixëllonjave, të cilat prezantohen në shumë festivale, si brenda ashtu edhe jashtë Kosovës.

Ajo poashtu ka treguar që nga ky grup së fundi janë prezantuar disa këngë të reja, të cilat do të prezantohen përgjatë  vitit të ardhshëm, sikurse në ngjarje të ndryshme kulturore, poashtu edhe në festivale të ndryshme.

Në Festivalin e Muzikës për Fëmijë “Cicërrimat Buzë Ibrit”, janë prezantuar shumë këngë nga fëmijë të moshave të ndryshme, kurse çmime janë ndarë për disa kategori./KultPlus.com

“The city is everywhere” rrëfen për qytetin e tjetërsuar e hapësirën e mohuar publike

Gili Hoxhaj

“The city is everywhere” apo “Qyteti është kudo”, sonte erdhi si libër në
Prishtinë. Ai tashmë mund të jetë në duart e gjithë lexuesve. Ata që nuk e kanë parë Pavijonin e Kosovës në Bienalen e Venedikut, punën artistike që Eliza Hoxha e shpalosi atje, tashmë mund ta shohin mes faqeve të librit “The city is everywhere”. Libri përmes fjalëve e fotografive,  vizualizon rezistencën e shqiptarëve të Kosovës në vitet e 90-a, atëherë kur ata në kohë okupimi shndërruan hapësirën e tyre private në hapësirë publike, si formë e kompensimit të hapësirës së mohuar publike. Ky libër tregon se në kohën e represionit nga regjimi i Millosheviqit, shqiptarët ishin larguar nga institucionet shtetërore, me përkrahjen nga diaspora e Shqipëria, ata krijuan sistemin paralel të arsimimit, shëndetësisë e kulturës, duke mos e llogaritur pronën e tyre më si private. Puna artistike e gati një viti nga Eliza Hoxha, tregon se si shtëpitë e shqiptarëve në Kosovë, u shndërruan në shkollë, restaurant, galeri,  zyrë e shtëpi në të njëjtën kohë. Eliza Hoxha, këtë libër e sjell në pikëpamjen e tri gjeneratave, atyre që kanë lindur shumë para kësaj kohe, atyre që veçse e kanë jetuar rininë në këtë kohë dhe atyre që kanë lindur pasi ajo ka kaluar. Duke e parë rëndësinë e kësaj periudhe, tashmë është planifikuar që çdo shtëpi në të cilën janë zhvilluar aktivitete të tilla, të vihet një shenjë që i identifikon ato.

Eliza Hoxha thotë se ka zgjedhur ngjarjet e viteve të 90-a pasi që e sheh të rëndësishme rikthimin e asaj gjendje në të cilën shqiptarët kanë kaluar. Atëherë kur ka mbizotëruar ideja e shkollave-shpija, ideja e paralelizmit, ideja e një qyteti të dyfishtë, një qyteti i cili për njerëz të ndryshëm që kanë jetuar në të nuk ka qenë i njëjtë.

“Pastaj, aspekti i vullnetarizmit dhe I mobilizimit social që sigurisht është bërë me idenë e momentit kur ne kemi qenë si viktimë por që mbas luftës ka qenë po s’ka qenë prezent si përpara luftës, edhe ajo është një brengë që mu më preokupon vazhdimisht, unë mendoj që duhemi me u kujtu edhe në kohë të mira me qenë pranë njëri tjetrit edhe me e ndihmu me aq sa mundemi procesin e shtet-bërjes”, u shpreh artistja shumëdimensionale, Eliza Hoxha.

Tutje Hoxha tha se e ka intriguar shumë fakti se si qyteti gjatë viteve të 90-a ka marr një dimension tjetër, atëherë kur ideja e përkatësisë ka filluar të zhduket, kur kufiri midis privates e publikes veçse është shkrirë, duke prodhuar një qytet krejtësisht tjetër.

“Ajo që ka qenë intriguese është sajo se çka nënkupton hapësira e lirë në Kosovë, hapësira e lirë e që është krijuar në kohë okupimi e që ne e kemi trajtuar në paviljonin e Kosovës, e që janë këto oazat ose satelitët hapësinor, që I themi ne, shtëpitë e vogla që e kanë hapur derën për me e përqafu sferën publike”, tha tutje Eliza Hoxha në fjalën e saj.

Ky libër sjell copëza rrëfimesh të akterëve të ndryshme që e kanë përjetuar periudhën e viteve të 90-a në forma të ndryshme, kush si fëmijë, kush si i ri, kush si student, kush si bartës i familjes, ose kush si pjesëtar I proceseve politike apo edhe atyre historike dhe aspekteve ekonomike. Hoxha tregoi se kanë vendosur që në vend të katalogut, të botojnë librin pasi që libri si platformë arrin të sjell ide e përjetime të ndryshme qoftë nga aspekti personal apo dhe interpretimi i momenteve ose situatave të caktuara. Si i tillë, libri mund të shërbejë si një bazament për ata që duan ta hulumtojnë periudhën e viteve të 90-a.

“Ky libër besoj që ka me shërby grupmoshave të ndryshme edhe gjeneratave të ndryshme dhe akterëve të ndryshëm me gjetë një copë të vetën edhe një kujtim të tyre në vitet e 90ta”, u shpreh tutje artistja Hoxha.

Në promovimin e këtij libri që u mbajt në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës, të pranishmëve iu drejtuar dhe ministri i kulturës, Kujtim Gashi. Gashi theksoi se promovimi i librit përmbyllë një procesi tejet të rëndësishëm, një storie të suksesshme të shtetit të Kosovës, përfaqësimin e saj jashtë vendit në një nga ngjarjet më të rëndësishme të kulturës e të artit në botë, pjesëmarrjen në Bienalen e Vendikut 2018.

“Kosova ka dhënë shembullin më të mirë të suksesit në bërjen e diplomacisë kulturore në Venedik. Me botimin e librit me temën e prezantimit në Bienale po e lëmë trashëgimi edhe një libër ku gjerësisht trajtohet tema e hapur nga ne për rezistencën kolektive të shoqërisë shqiptare në Kosovë në vitet më të vështira të okupimit, pra vitet 90. Kjo ka posaçërisht rëndësi edhe për gjeneratat e reja që ta njohin më mirë vendin e tyre dhe përpjekjet për liri dhe pavarësi”, u shpreh Gashi në fjalën e tij.

Jehona Shyti, komisionere e pavijonit e Republikës së Kosovës u shpreh se është ndjerë e nderuar që ka udhëhequr procesin e bienales së Venedikut , duke u bërë dëshmitare e një suksesi të madh të Kosovës.

“Unë paraqitjen e Kosovës e shoh në dy dimensione, e para prezantimi i suksesshëm sepse edhe kritika ndërkombëtare e ka cilësuar si një nga pavijonet më të mira të prezantuara dhe kemi arrit të bëjmë një përfaqësim të mirë të shtetit dhe të kemi një imazh të mirë të Kosovës sepse edhe pse si vend i vogël i kemi bërë përfaqësim të mirë Kosovës dhe e dyta si një faqe e re për të ndërtuar kontributin e shoqërisë kosovare për të luftuar okupimin dhe të drejtat që kontributi i secilit ka qenë që mos me humb gjeneratat tjera”, u shpreh Shyti.

Eliza Hoxha ka prezantuar Kosovën në edicionin e 16-të të Bienales së Arkitekturës në Venedik 2018./  KultPlus.com

“Dija është çelësi i suksesit”, fjalët e një mësuesi përpara nxënësve të tij


“Gjëja që kisha më tepër frikë në moshën tuaj, nuk ishte varfëria, por dështimi. Unë isha dështimi më i madh që njihja. Nuk kam ardhur për t’ju thënë se dështimi është i këndshëm, sepse ajo periudhë e jetës sime është e errët” ka thënë në fjalimin e mbajtur përpara studentëve Joanne Kathleen Rowling, autoria e serisë së famshme të librave “Harry Potter”.

Ju do të dështoni në diçka të caktuar në jetën tuaj; do të humbni; do të vuani; do të zhgënjeheni shumë në jetën tuaj. Mirëpo është shumë e thjeshtë të jesh në fund. Nuk ju duhet të përpiqeni aspak. Por a do të rrish përherë ashtu? Do të jesh përherë ai që të tjerët as i hedhin sytë? Sfidoje veten dhe dilja mbanë në jetë. Dija është çelësi i duhur. Edhe nëse përpiqeni dhe për pak kohë nuk shihni rezultatet që prisnit, vazhdoni të besoni. Suksesi i takon atyre që mundohen dita ditës. Çdo njohuri që ju merrni përditë, është një hap më afër suksesit tuaj.

Mos u lodhni. Mos hiqni dorë. Një ditë do t’ia dilni mbanë. Por nuk keni se si t’ia dilni mbanë, nëse hiqni dorë. Përpiquni dhe keni për të mësuar plot gjëra që nuk i dinit për veten tuaj. Do të mësoni se sa të zhvilluar e keni imagjinatën, se sa të fortë e keni vullnetin dhe se sa të madhe e keni dëshirën për të arritur më të mirën. Këto nuk janë fantazi. Këto janë rruga që juve do t’ju shtyjë drejt suksesit që dëshironi. Ju jeni më të mëdhenj se dështimet tuaja dhe më të fortë se vështirësitë tuaja. Nuk keni pse ecni në jetë si viktima. Ecni si modestë dhe kur të korrni sukses, ecni si fitimtarë. Por kujdes edhe nga krenaria, sepse kur ajo është e tepruar, ju rrëzon më shumë se dështimet.

Dua ta mbyll këtë fjalim me fjalët e të madhit Stephen Hawking “Ju jeni të gjithë të ndryshëm. Sado e keqe t’ju duket jeta juaj, ka gjithmonë diçka për të bërë që t’ia dalësh mbanë. Për aq kohë sa ka jetë, ka shpresë””. / Bota.al

“Nëse do të ishe burri im, do të ju hidhja helm në kafe, nëse do të ishit gruaja ime do ta pija”

Ky komunikim ka qarkulluar mjaft shumë ndërsa i janë atribuar si komunikim në mes të Churchillit dhe Nancy Astor, shkruan KultPlus.

Churchill : “Ju jeni një femër shumë e shëmtuar”.

Nancy Astor : “Nëse do ishit bashkëshorti im, do t’ju hidhja helm në kafe”

– Churchill : “Nëse do ishit bashkëshortja ime, do ta pija”.

Në vitin 1949, një shembull me Winston Churchill ishte shtypur në The New York Times, duke mos e identifikuar emrin e gruas. Më pas si komunikim mes Nancy Astor dhe Winston Churchill u rrëfye në një libër të vitit 1952 të quajtur “The Glitter and the Gold”. Është e mundshme që Churchill të përdorte këtë komunikim, por ai do të kishte qenë me vetëdije ose pa dijeninë e re-miratimit të një shakaje që kishte qarkulluar për shumë vite./ KultPlus.com

Sot unë quhem vrasës

Poezi e shkruar nga Omer Fucia.

Sot unë quhem vrasës.
Sot vrava të djeshmen dhe nuk di se ç’po ndjej.
Edhe pse e vrava kurrë nuk bëra të shuhen kujtimet.
Diku një moment e diku një fytyrë.
Siç uji dhunon gurin në përplasje,
ashtu m’pikon e shkuara në të tashme.
Po po, e vrava por s’po vdes.
Çdo ditë e vras e të nesërmen prapë të gjallë e gjej.
Diku në pasqyrë e diku në mëngjeset me diell e pa diell.

Në hënën forma-forma e në të vegjlit vezullues.
Të vrarën e djeshme e jetoj sot, e kështu shkon mot më mot.
Veç me vrasje e lindje.
Me të qara e të qeshura.
Sot më thanë ta vras edhe njëherë.
E thëna e thënë mbeti, e thënësi ndër dhëmbë qeshi.
Mbuluar me maskë, e me tjetër njeri.
Siç vetë koha, dje , sot dhe nesër.
Tek e vras më ndodh të stepem.
Të bëj një hap pas me thikën përballë pasqyrës
Tek vras vetveten për të disatën here.
Mendimet mbi krahë fluturash udhëtojnë në libra.
Mes rreshtash mbi pika e nën presje.
Anash emrash e pas foljes.
Stukur e mbështjellë pranë titujsh.
Mendimet qorrazi sec humben kujtimesh.
Mes personazhesh e në vende të përfytyruara.
Diku dhe mbi një shtëpizë plot dashamirë.
E diku nën sy e mbi flokë të një zemërmire.
Më bëjnë të stepem me veten përballë.
Të turpërohem si hezitoj veten ta vras.
Me thikën ndër duar, I ftohtë e syhapur.
E ngul mu në zemër të pasqyrës,
e lart I hedh sytë si t’fundit herë
Buzëqesh rrugëlidhur e shpresëvrarë..
Çdo ditë të djeshmen e vras,
e të nesërme kurrë nuk pashë.
Sot unë quhem vrasës, veç kaq jam.

Aktori Chow Yun-fat dhuron gjithë pasurinë për bamirësi

Paratë janë shumëçka, por jo gjithçka. Të bësh bamirësi nuk humb asnjëherë. Aktori i njohur i hollivudit, Chow Yun-fat, ka befasuar me veprimin e fundit.

Ai gjatë karrierës së tij të bujshme, ka krijuar pasur prej 630 milionë eurosh. Por, këto para nuk do t’i mbajë për vete, shkruan albinfo.ch.

Ylli kinez ka premtuar se do ta dhurojë të gjithën për bamirësi. “Paraja nuk është diçka që na takon përgjithmonë. Kur të vdesim, të tjerët e përdorin atë”, është shprehur Chow.

Kjo deklaratë e tij ka bërë bujë edhe në mediat ndërkombëtare. Gruaja e tij tregon se shpesh herë kanë ngrënë ushqim të përgatitur në rrugë, siç është zakon në Kinës, dhe nuk kanë jetuar si njerëzit tjerë të pasur.

Aktori Chow e filloi karrierën e tij që në shekullin e kaluar dhe ka luajtur në filma të njohur si “A Better Tomorrow”, “Murderer”, “Mister Gamblers”.

Shqipëria, mes 10 vendeve që duhet vizituar më 2019

Revista e famshme britanike “Harper’s Bazaar” që i kushtohet botës së modës, artit dhe kulturës, ka zhvilluar një sondazh në Instagram në bashkëpunim me ekspertët e udhëtimeve për vendin që dëshirojnë të vizitojnë turistët më 2019 dhe Shqipëria është në dhjetë më të preferuarat, në një klasifikim ku ndodhen vende si Sri Lanka, Kanadaja, Zelanda e Re apo Japonia.

“Ky vend i Evropës Jugore për një kohë të gjatë ka qenë nën hijen e tërheqjes turistike që kishin vendet fqinje, si Greqia dhe Mali i Zi, megjithatë, disa ekspertë udhëtimesh parashikojnë se 2019-a do të jetë viti i këtij vendi”, shkruan “Harper’s Bazaar”, transmeton “ATSH”.

“Booking.com cilëson Ksamilin, në jug të vendit, një xhevahir të fshehur. Për më tepër, ajo thekson se ky vend është vlerësuar nga vizitorët e mëparshëm për gatimet e detit dhe njerëzit miqësorë”, shkruan revista britanike.

Shqipëria ka arritur të listohet edhe nga “Lonely Planet” në destinacionet më të mira për vitin 2019: “Shqipëria mbetet një destinacion ku mund të ngjisësh male të bukura, të qëndrosh në fshatra të vogla dhe përtej kohës si dhe të eksplorosh kryeqytetin Tirana plot gjallëri shumë më i lirë se sa kudo tjetër në Europë”.

Buletini i Muezut Kombëtar të Kosovës

Revistë e Muzeut Kombëtar të Kosovës

“Buletini i Muzeut Kombëtar të Kosovës” është revistë shkencore (peer reviewed) që u dedikohet të gjithë studiuesve e punonjësve shkencorë të shkencave të ndryshme sociale. Buletini nxitë një angazhim kritik me praktikat e muzeve dhe rolin e tyre në zhvillimin e shoqërisë. Ai synon të nxisë diskutime shkencore rreth marrëdhënies mes Muzeut e shkencave të tjera sociale.

THIRRJE E HAPUR PËR PUNIME

                                                 nga data 18 Dhjetor 2018 deri më 30 Janar 2019

Në emër të Bordit Editorial, ftoheni të aplikoni me punime në Revistën shkencore ”Buletini i Muzeut Kombëtar të Kosovës”, duke dërguar punimin deri me datë 30 janar 2019.

Temat e propozuara:

Temat e mëposhtme propozohen (por nuk kufizohen) si pika qendrore potenciale për hulumtim:

Definimi i rolit  edukativ dhe  komunikativ të muzeut;

Autenticiteti, dekontekstualizimi dhe rikontekstualizimi i objekteve;

Reprezentimi i trashëgimisë shpirtërore;

Arkeologjia shqiptare – zbulimet dhe hulumtimet;

Shkenca arkeologjike;

Etnologjia shqiptare;

Studimet Antropologjike;

Teoria dhe interpretimi në arkeologji, antropologji, histori;

Ruajtja, prezantimi dhe menaxhimi i trashëgimisë kulturore;

Teknologjia në muze;

Didaktika e ekspozimit: dinamika e të mësuarit të vizitorëve;

Praktikat kuratoriale;

Shkenca historike

Punimet dorëzohen me postë elektronike, në versionin Microsoft word, pasi të jenë lekturuar dhe korrektuar. Tekstet e pa lekturuara dhe të pa korrektuara nuk do të botohen dhe si të tilla refuzohen (dërgimi i versioneve ne PDF dhe forma të tjera nuk pranohet).

Rekomandimet e mëposhtme kanë të bëjnë me çështje teknike të punimit për botim në revistën “Buletini i Muzeut Kombëtar të Kosovës”.

Luten që autorët e teksteve t’i respektojnë plotësisht kërkesat për botim, sepse kështu do të përshpejtohet procesi i përgatitjes së revistës “Buletini i Muzeut Kombëtar të Kosovës” për shtyp.

Kriteret për dorëzim të punimit në revistën Buletini i Muzeut Kombëtar të Kosovës

Punimi duhet të përmbajë deri në 6 mijë fjalë;

Recensioni për libër të botuar apo raport i aktiviteteve duhet të jetë i gjatë deri në 3 mijë fjalë.

Secili dërgim në adresën e revistës duhet të përmbajë:

Biografinë e autorit 100-150 fjalë;

Titullin e punimit, emrin e autorit dhe institucionin ku punon dhe adresën elektronike;

Përmbledhjen e shkurtër ose abstraktin (200-250 fjale);

Fjalët çelës;

Tekstin e punimit me fusnota te sakta, (shih modelin e bashkangjitur)  i cili mund të jetë i shoqëruar me fotografi, skica, grafikone, tabela etj të kualitetit të lartë.

Bibliografinë.

Dorëzimi i punimit

Autori duhet të dorëzoj punimin në formë elektronike në adresën [email protected];

Për vërejtjet, sugjerimet, pranimin apo refuzimin e punimit të dërguar, autorët do të njoftohen nga redaksia deri në 20 ditë pas mbylljes së afatit për dërgim të punimeve;

Në rast të kërkimit të plotësimeve shtesë nga redaktorët përgjegjës, autorët kanë një afat shtesë prej 6 ditëve për t’i plotësuar ato.

Buletini i Muzeut të Kosovës nuk boton:

Artikuj të publikuar me parë në ndonjë revistë, kapitull apo pjesë të ndonjë libri, faqe interneti etj;

Artikuj të karakterit të përgjithshëm informative në të cilët autorët nuk paraqesin origjinalitet dhe të dhëna të reja apo interpretim të ri.

Autorët, artikujt e të cilëve do të publikohen në Buletinin e Muzeut Kombëtar të Kosovës do të përfitojnë:

Publikim efikas dhe të shpejtë;

Një kopje të revistës në formë elektronike;

Shpërndarje të gjerë dhe akses në artikuj.

Promovimin e çdo artikulli të botuar

Adresa:

Muzeu Kombëtar i Kosovës

Rr. Ibrahim Lutfiu, 10000, Prishtinë

Email: [email protected]

Dy buzë

Poezi e shkruar nga Migjeni.

Dy buzë të kuqe,
dy dëshira të flakta,
që afshin ma thithën,
gëzimin ma fikën,
si fantazma hikën
ndër do bota të larta…

Dy buzë si të përgjakta,
dy dëshira të flakta,
që afshin ma thithën
në buzë kur mu njitën
andjet m’i trazuen,
zemrën ma tërbuen,
trurin ma helmuen
e në fund u mërguen…

Dy buzë të kuqe,
bukuri fatale,
të një gruaje stërzane
një pjesë zemre më nxorne,
një pranverë të tanë më morne
dhe gëzimin ma vodhne…

Ato dy buzë të kuqe
dhe dy lote të mija
qenë shenja të dhimbjes,
kur më vrau bukuria,
kur më zu dashunia
e më dogji rinia.

Kjo është 6 vjeçarja shqiptare e zhdukur që 20 vite në Suedi

E ftuar këtë javë në emision “Përrallë me Tupan”, ishte zonja Florije Jasharaj, e lindur në Bajgorë dhe e martuar në Podujevë.

Ajo vjen posaqërisht për të rrëfyer fatin e hidhur që pati ajo dhe familja e saj.

Në vitin 1998, fëmija më i vogël i familjes, Jasmina 6 vjeçare, kishte dalur të luajë jashtë shtëpisë, por për të mos u kthyer më kurrë.

Rasti i saj është i hapur tash e njëzetë vite më parë në shtetin e Suedisë, duke pasur disa të dyshuar por duke mbetur i pazgjidhur.

Florija rrëfen tmerrin që pësoi kur nuk mund ta gjenin vajzën, së bashku me bashkëshortin e saj, tashmë të ndjerë Rexhepin.

Por Florija nuk rreshti asnjëherë së kërkuari Jasminën.

Për më shumë ndiqni emisionin në videon e mëposhtme:


Kartolinat e shqiptaro-amerikanes po shiten në 14 shtete

Është pragu i Krishlindjeve dhe shumë nga ju po bëni pazaret e fundit të dhuratave.

Një shqiptaro-amerikane që ka ardhur në Shtetet e Bashkuara në moshën 5 vjeçare, ka nisur biznesin e saj me dhuratën më pak të kushtueshme por më domethënësen – kartolinën.

Pasi mbaroi shkollën e lartë për shkenca politike, Xhensila Velencia kuptoi se nuk i pëlqente një punë e rëndomtë zyre që të mban mbërthyer në karrige për 8 orë dhe investoi në pasionin e saj të krijimit të kartolinave për të përçuar mesazhe që e marrin temën nga politika apo nga jeta e përditshme.

Kompania e saj e vogël Card Bureau shet produkte në 30 dyqane në Washington dhe në 13 shtete amerikane./VoA

Kosovari bëhet hero në Austri, shpëton jetën e një 14-vjeçari të ngujuar në oxhak

Muharrem Behrami nga Podujeva i cili punon dhe vepron në Linz të Austrisë, është bërë hero në këtë shtet. Krejt kjo, pasi që Behrami ka intervenuar për të shpëtuar një 14-vjeçar i cili kishte mbetur i mbyllur në një oxhak.

Behrami së bashku me zjarrfikësit dhe Policinë austriake, kanë shpëtuar 14-vjeçarin që kishte mbetur i ngujuar në një oxhak. Ishte kosovari ai i cili ka dëgjuar ulërimat e 14-vjeçarit i cili kërkonte ndihmë, më pastaj ka njoftuar forcat e rendit për intervenim. Ky rast ka marrë vëmendje në mediet austriake, e që një faqe e ka zënë edhe te gazeta “Land Leute”.

“Një nga banorët e lagjes, shoferi i kamionit, Muharrem Behrami, dëgjoi thirrjet për ndihmë nga 14-vjeçari në 01:30 të mëngjesit. Kosovari menjëherë lajmëroi policinë. Dy zyrtarë kontrolluan të gjitha apartamentet, por fillimisht nuk gjetën asgjë. U deshën gati dy orë që britmat më në fund të lokalizoheshin”, ka shkruar gazeta, transmeton faqja “Podujeva Vendlindja Ime”.

“Kur ishte e qartë se në cilën situatë ishte djali, departamenti i zjarrfikësve u alarmua në orën 03:30. Shpëtimi i djalit nuk ishte aq i lehtë. Nëpërmjet një ngushtice, forcat e punës mund të preknin krahët e Bibenit të dëshpëruar. Ai po merrte frymë, por i mbërthyer në oxhaqet e ngushta dhe plotësisht i pafuqishëm”, ka shkruar tutje gazeta.

Pas intervenimit, 14-vjeçari u largua nga vrima që gati sa e kishte mbytur.

“Në orën 04:30, djali u lirua më në fund nga oxhaku. Ai ishte plotësisht i lodhur dhe i çrregullt. Pas ndihmës së tij të parë nga ambulanca, ekipet mjekësore e çuan në spital”, thuhet tutje.

Muharrem Behrami, i cili ishte i pari që dëgjoi britmat e djalit dhe kishte paralajmëruar shërbimet emergjente në mes të natës, është shprehur i kënaqur. Ai nuk e konsideron veten një shpëtimtar.

“Unë vetëm e kam bërë detyrën time si dhe e kam marrë telefonin. Heronjtë e vërtetë të natës janë zjarrfikësit, policia dhe ekipet e shpëtimit”, ka thënë ai për media austriake.

“E kundërta ndodhi ike larg, ato ditë dimri të jetës sime…”

Aleksandër Gjoka, një zë i thellë e fort i veçantë i ka dhënë mjaft “perla” muzikës shqiptare. Duke mbetur i tillë për vite të tëra në skenë, ka mbetur i pakrahasueshëm në mesin e artistëve shqiptarë.

Me stilin e paraqitjet e tij, ai shpesh është veçuar në festivalet jo dhe të pakta ku është prezantuar.  Performancat e tij si i vetëm e me grupin “Tre musketierët” kanë lenë shije të paharruar tek publiku.

Gjoka i i ka kënduar dashurisë së shkuar, zemrës së një gruaje, shiut e pranverës. Më së shumti, ai mbahet mend për këngën e dimrit, për zbrazëtinë e ikjes. Ani pse me dy vargje, ndërthurja e fjalëve të jep një histori të tërë të shtrirë në tinguj.

KutlPlus sot ju kthen nostalgjinë për zërin e Gjokës, duke e risjell këtë këngë.

Në jetën time ka qenë një çast

Kur unë për ty pata nevojë

Dhe për te tuat gjeste, fjalë

Por ti pranë meje më qëndroje

E kundërta ndodhi ike larg

Ato ditë dimri të jetës sime

Gjithmonë gëzime ndanim bashkë

Përse më ike, më braktise.

Letra e dashurisë së John Lennon për Yoko Ono

Më 9 tetor 1940 lindi në Liverpul një djalë që më pas u bë një legjendë, John Lennon. Yoko Ono dhe ish-“The Beatles” u takuan për herë të parë gjatë një performance të Ono në “Indica Gallery” në Londër, më 9 nëntor 1966. Nisën të frekuentohen dy vjet më vonë. Kjo letër është një dëshmi e vyer e dashurisë së tyre.

“Në 10 vjetët e fundit kemi arritur të kuptojmë se çdo gjë që dëshironim ishte e përkohshme, e mirë apo e keqe, në një mënyrë apo në një tjetër. Vazhduam t’i thoshim njëri-tjetrit se në një nga këto ditë duhet të organizoheshim dhe të dëshironim vetëm gjëra të mira. Më pas lindi fëmija ynë. Ishim shumë të lumtur dhe në të njëjtën kohë ndiheshim shumë përgjegjës. Tani dëshirat tona do të ndikonin edhe mbi të. E ndjemë se kishte ardhur koha mos të debatonim më, por të rishikonim mekanizmat tona të dëshirave, duhej të bënim pastrim me themel në mendjen tonë. Ishte një detyrë e madhe.

Rastiste të gjenim në dollapin e madh të mendjes sonë gjëra që nuk e dinim që i kishim. Duke bërë pastrime, nisëm të vinim re shumë gjëra që nuk rrinin mirë në shtëpinë tonë. Ishte një raft që as nuk duhej të ishte aty fare; një tablo që kishte filluar mos të na pëlqente dhe ishin dy dhoma të zymta që u shndërruan në plot dritë e ajër kur hodhëm poshtë murin që i ndante. Nisëm të pëlqenim bimët dhe të mendosh që në fillim ishim të bindur se ato na vidhnin ajrin. Nisëm të vlerësonim ritmin e shfrenuar të qytetit që zakonisht na bezdiste. Bënim shumë gabime dhe ende bëjmë. Në të shkuarën kemi harxhuar shumë energji për të kërkuar diçka që mendonim se e donim, na kërkonin që të rrezikonim për ta pasur, për të zbuluar më pas që s’e donim fare. Një ditë morëm një rrebesh shiu çokollatash nga njerëz nga e gjithë bota. “Çfarë janë këto gjëra? Ne nuk hamë gjëra të ëmbla. Kush i ka kërkuar”? Sa kemi qeshur! Zbuluam se kur të dy dëshironim një gjë njëkohësisht, realizohej më shpejt.

Filluam gjithnjë e më shumë të dëshironim dhe të luteshim. Gjërat që i kishim dëshiruar në të shkuarën, duke bërë shenjën e paqes, tani i kërkojmë përmes dëshirave. Nuk e bëjmë më sepse kështu është më thjesht. Të dëshirosh është më efikase se të valëvitësh flamuj. Funksionon. Është si magji. Magjia është e thjeshtë, është reale. Sekreti është ta dish që është e thjeshtë dhe jo ta vrasësh me rituale të përpunuara që janë shenjë pasigurie. Kur dikush është i inatosur me ne, i pikturojmë në mendjen tonë një aureolë përreth kokës. Dhe ai ndryshon qëndrim? Epo, s’i dihet. Por, dimë se kur ia vizatojmë aureolën befas na ngjason me një engjëll. Kjo na ndihmon të kemi ndjenja për njerëzit, të kujtojmë se secili ka një mirësi brenda vetes dhe se të gjithë ata që vijnë te ne janë engjëj të maskuar që na sjellin dhurata e mesazhe nga universi. Magjia është logjike. Provojeni ndonjëherë!

Kemi ende shumë rrugë për të bërë. Me sa duket, sa më shumë pastrime bëjmë aq më shpejt funksionon procesi i të dëshiruarit dhe marrjes. Shtëpia tani është bërë shumë e rehatshme. Sean është i mrekullueshëm. Bimët rriten. Macet përkëdhelen. Qyteti shkëlqen, qoftë diell, shi apo dëborë. Jetojmë në një univers shumë të bukur.

Çdo ditë jemi mirënjohës për plotësinë e jetës sonë. Nuk është eufemizëm. E dimë se qyteti, shteti dhe bota po përballen me kohë të vështira dhe mbretëron terrori. Por dielli ende shkëlqen, ne jemi ende bashkë dhe mes nesh mbizotëron dashuria. Po ashtu edhe në qytetin tonë, në vendin tonë dhe në botë. Nëse dy persona si ne jetojnë jetën e tyre siç bëjmë dhe ne çdo mrekulli është e mundur. Është e vërtetë, në këto momente do të bënte punë një mrekulli shumë e madhe. Dua të them, ta vlerësosh kur të ndodh dhe të jesh mirënjohës. Fillimisht manifestohen në formë të reduktuar, në përditshmëri, por më pas rrjedhin si lumenj e oqeane.

Gjithçka do të shkojë mirë! E ardhmja e botës është në duart e të gjithëve ne!

Nju Jork, 27 maj 1979

John Lennon për Yoko Ono

Përktheu: Elona Qose

Erërat e forta rrëzojnë bredhin në qendër të Prishtinës

Nuk kanë kaluar shumë ditë që kur sheshet e Prishtinës janë dekoruar e stolisur për festat e fundvitit.

Mirëpo, ky dekor nuk ka zgjatur shumë, kjo pasi që sot pas erërave të fuqishme bredhi i vendosur para shtatores së Skënderbeut, është rrëzuar.

Një rast i ngjashëm sot ka ndodhur edhe në një komunë tjetër të Kosovës.

Bredhi i vendosur në sheshin e Drenasit për festat e fundvitit, është rrëzuar.

Ersekë, Lëvizja Kombëtare për Lexim afron fëmijët me librin

Erseka ishte destinacioni i radhës i Lëvizjes Kombëtare për Lexim.

Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro edhe ekipi i kësaj lëvizjeje dhuruan e lexuan libra për nxënësit e shkollës “Papa Kristo Negovani” në qytetin e Ersekës.

E veçanta për Ersekën ishte se takimit iu bashkua edhe personazhi i Gishtos, simboli i Lëvizjes Kombëtare për Lexim. Ai u interpretua nga drejtori i Teatrit Kombëtar të Kukullave Erion Isai, njëherësh nxënës i shkollës “Papa Kristo Negovani”, Ersekë.

Gishto i LKL-së thërret fëmijët shqiptarë të rriten duke lexuar ”që të kenë mendje të hapur dhe të ruajnë këtë zemër të madhe e bujare edhe kur të rriten”, shkruan ata.

Lëvizja Kombëtare për Lexim nisi nga Kukësi dhe po udhëton në të gjithë Shqipërinë, në një nismë në të cilën janë bashkuar edhe personazhe publikë të jetës në vend si Ardit Gjebrea, Lorik Cana, Valbona Selimllari, Rudina Xhunga, etj.

LKL do të shtrihet gjatë gjithë vitit shkollor 2018-2019. Si e tillë kërkon përfshirjen dhe ndihmesën e të gjithëve: prindër, mësues, personalitete të vendit, medias, institucioneve qendrore dhe vendore. Janë zgjedhur 12 shkolla pilot në të gjithë vendin, shkolla periferike, ku përveç pasurimit të bibliotekave të shkollave, do të synohet trajnimi i mësuesve për të përçuar sa më mirë dëshirën për leximin, hapjen e shkollave për prani të autorëve, përkthyesve, njerëzve të letrave në orë të caktuara letrare, leximin ndoshta edhe me “detyrim” për 15 minuta çdo ditë të premte, aq sa për të ndezur dëshirën për një vijueshmëri të leximit në fundjavë.

Lëvizja synon gjithashtu të bëjë shembull gjyshet dhe prindërit që u lexojnë fëmijëve në shtëpi. Në kopshtet e zgjedhura si model do të zhvillohen lexime të përjavshme nga gjyshërit e fëmijëve.

Hapat konkretë që do të ndërmarrë Ministria e Kulturës kanë të bëjnë me nxitjen e kryebashkiakëve për t’u angazhuar në mbështetjen e bibliotekave publike me një fond të përvitshëm, si dhe të Ministrisë së Arsimit për pasurimin e bibliotekave shkollore. Ministria e Kulturës është në proces edhe për ndërhyrje ligjore për përmirësimin e klimës së librit në tërësi.

 

A ka Kosova vende turistike gjatë sezonit dimëror?

Kosova ofron shumë mundësi dhe ka shumë vende atraktive për turistët të cilët vijën në Kosovë.

Zekë Çeku, kryetar i Asociacionit të Turizmit të Kosovës, tha se është shtuar numri i turistëve që vizitojnë Kosovën.

“Kosova ka shumë pika turistike. Ka ndryshuar shumë turizmi, Peja dhe Prizreni kanë bërë më shumë për turizmin, sa i përket komunave. Duhet të punohet më shumë të kemi edhe promovim të turizmit të Kosovës. Turistët që vijnë për të vizituar janë vendin, janë nga Evropa, nga Turqia, dhe lindja e largët. Turistët vijnë për kohë të shkurtër”, tha ai sot në emisionin e mëngjesit “Mirëmëngjesi Kosovë”, në Radio Televizionin e Kosovës (RTK).

Sipas tij edhe turizmi dimëror në Kosovë ofron shumë mundësi. Çeku vlerësoi se të ardhurat nga turizmi do të ishin shumë të mëdha nëse do të kishte zhvillim të mirëfilltë.

“Kosova i ka mundësitë më të mira për turizmin në Evropën Juglindore, kemi shumë male të mira që i përshtaten aktiviteteve të ndryshme”, tha ai.

Më duaj, lutja e mrekullueshme indiane për dashurinë

Më duaj, por mos m’i prit krahët nëse dua të fluturoj,

mos më mbyll në kafaz nga frika se mos më humb.

Më duaj duke qenë i sigurt në dashurinë tënde dhe unë nuk do të iki

dhe nëse do të jem larg, diku, në qiell, do ta gjej rrugën drejt mendimeve të tua.

Nëse do të jesh me mua, unë do të të mësoj të fluturosh,

ndërsa ti do të më mësosh të qëndroj.

Më duaj me çdo qelizë tënden, sepse unë i përkas shpirtit, jo trupit.

Më duaj pa e fshehur butësinë që në sytë e mi të bën të dukesh si fëmijë dhe mos ki turp nëse të them se të dua.

Më duaj, edhe nëse pasioni im të duket i egër.
Më duaj për atë që jam dhe unë do të të ndjek hapat dhe do ta mbroj brishtësinë tënde përballë botës mbarë.

Më duaj dhe do të shoqëroj pa fjalë çdo veprim tëndin.

Më duaj pa u zgjatur te pamja ime aspak e bukur, te ngjyra e syve.

Më duaj për atë që sheh me sytë mbyllur, për atë që dëgjon në heshtje, sepse heshtja flet.
Më duaj sepse unë jetoj në dashurinë tonë.

Më duaj çdo ditë si të ishte unike, por jo e fundit… vetëm kështu do të mund ta njohësh bukurinë time.

Përktheu: Elona Qose

Në 20-vjetorin e themelimit, “Intelektualët” ndezin fishekzjarre (VIDEO)

Tifozëria e klubit të futbollit Drita – “Intelektualët” sot e kanë shënuar 20 vjetorin e themelimit të grupit të tyre.

Këtë festë ata e kanë shënuar me disa aktivitete gjatë ditës.

Fillimisht është luajtur një miqësore mes tifozërisë dhe lojtarëve të Dritës, pastaj prej orës 18:00 janë ndezur fishekzjarret në qytetin e Gjilanit, prej Teatrit e deri te Salla e Sporteve, shkruan Kallxo.com.

“Intelektualët” njihen si një prej tifozërive më të flakta shqiptare, të cilët gjithmonë e mbeshtesin ekipin e tyre që 20-vite.

Ka filluar votimi për këngën e Besim Baftiut në Sanremo, shqiptarët e Italisë mund të votojnë për këtë këngë

Ka filluar votimi për këngën e Besim Baftiut në Sanremo, shqiptarët e Italisë mund të votojnë për këtë këngë

Në fotografi janë të dhënat se si mund të votojnë të gjithë shqiptarët që jetojnë në Itali.

Kompozitori gjilanas ka arrit të sfidojë 2500 aplikantë që kanë synuar të jenë pjesë e Sanremos, përkatësisht në kategorinë Giovani, dhe pikërisht kënga e tij ka arritë të futet në pesëshen e kësaj gare, shkruan KultPlus.

Besim Baftiu ka treguar për KultPlus se fillimisht këtë garë e kanë synuar 2500 aplikantë, për tu selektuar më pas në pesë kompozime, në mesin e të cilave është edhe kënga e Besim Baftiut, e cila këndohet nga këngëtari Roberto Saita, një artist zvicerano-italian me këngën “Niërad”.

“Kategoria Giovani në kuadër të Sanremos është kategori që i dedikohet artistëve të rinj, për ata që nuk kanë marë pjesë në këtë festival dhe i nënshtrohen kësaj gare”, ka thënë Baftiu, i cili ka shpjeguar se është producent, kompozitor, orkestrues dhe mix e mastering i këngës.

Vetëm edhe pak moment na ndajnë nga performance e Roberto Saita, i cili nëse kalon këtë sfidë, do të jetë më pas në garën e madhe të Sanremos, bashkë me yjet e mëdhenjë të Italisë.

Kjo është gara më e madhe e kompozitorit gjilanas Besim Baftiu, i cili me muzikë është marë prej fëmijërisë. /KultPlus.com

Besim Baftiu në emocione të forta, kënga e tij sonte sfidohet për Sanremo

Kompozitori gjilanas ka arrit të sfidojë 2500 aplikantë që kanë synuar të jenë pjesë e Sanremos, përkatësisht në kategorinë Giovani, dhe pikërisht kënga e tij ka arritë të futet në pesëshen e kësaj gare, shkruan KultPlus.

Besim Baftiu ka treguar për KultPlus se fillimisht këtë garë e kanë synuar 2500 aplikantë, për tu selektuar më pas në pesë kompozime, në mesin e të cilave është edhe kënga e Besim Baftiut, e cila këndohet nga këngëtari Roberto Saita, një artist zvicerano-italian me këngën “Niërad”.

“Kategoria Giovani në kuadër të Sanremos është kategori që i dedikohet artistëve të rinj, për ata që nuk kanë marë pjesë në këtë festival dhe i nënshtrohen kësaj gare”, ka thënë Baftiu, i cili ka shpjeguar se është producent, kompozitor, orkestrues dhe mix e mastering i këngës.

Vetëm edhe pak moment na ndajnë nga performance e Roberto Saita, i cili nëse kalon këtë sfidë, do të jetë më pas në garën e madhe të Sanremos, bashkë me yjet e mëdhenjë të Italisë.

Kjo është gara më e madhe e kompozitorit gjilanas Besim Baftiu, i cili me muzikë është marë prej fëmijërisë. /KultPlus.com

Gëzim Aliu fitues i çmimit “Rexhai Surroi” për letërsi

Gëzim Aliu me romanin “Gosti në natën e parë të vjeshtës” është fitues i çmimit “Rexhai Surroi” për letërsi.

Romani fitues befason në shumë kuptime dhe ky është edhe sekreti i tij. Është udhëtim në oqean shpirti, pa pretenduar të zbulojë një kontinent. Është shkruar me një urtësi të brendshme. Gjuha e bukur shqipe dhe rrëfimi i autorit, ndërlidhja e ngjarjeve të tri periudhave të Kosovës, janë disa prej veçorive të shumta të librit.

“Në një vend fatkeq është e vështirë të jesh i lumtur. Përveç fjalëve të jurisë, po ndihem i lumtur, shpresoj që lumturia ime të zgjasë së paku një orë”, ka thënë shkurt fituesi Aliu pas pranimit të çmimit.

Vitin e kaluar fitues i çmimit “Rexhai Surroi” për letërsi ishte Zija Çela me romanin “Ora e Zooparkut”.

“Unë/ty dashuri në paketë” përmbyllë aktivitetin me 4 mijë dhurata për fëmijët në nevojë

Fondacioni Mute në bashkëpunim me Komunën e Prishtinës dhe Forcën e Sigurisë së Kosovës mbajnë aktivitetin përmbyllës të projektit “Unë/ty, dashuri në paketë”, të premten më 21 dhjetor nga ora 14:00-15:00 në Swiss Diamond.

Në këtë aktivitet të pranishmëve do të t’iu drejtohen presidentja e fondacionit, Florie Bajoku, drejtori i arsimit në Komunën e Prishtinës, Jonuz Salihaj dhe Drejtori i Departamentit për Bashkëpunim Civilo-Ushtarak në FSK, Hajrush Kurtaj. Në këtë ceremoni do të ketë edhe një program artistik nga trupa e baletit për fëmijë “Studio Rudina” dhe Ansambli i Tunxhit Prishtina Brass.    

Projekti “Unë/ty, dashuri në paketë” u organizua për herë të tretë dhe kishte për qëllim mobilizimin e fëmijëve të moshave 4-11 vjeç për të përgatitur dhuratat e fundvitit për bashkëmoshatarët e tyre në nevojë. Këtë vit u mblodhën 4 mijë dhurata nga nxënësit e shkollave të Prishtinës, nga stafi i Zyrës së BE-së në Kosovë dhe nga studentët e kolegjit Heimerer, të cilat me ndihmën e FSK-së u shpërndanë në familjet e varfër.

Ky është projekt humanitar dhe edukativ, që iu ofron fëmijëve mundësinë të shprehin përkujdesjen e tyre dhe dhembshurinë për fëmijët e familjeve të varfëra apo ata me nevoja të veçanta, si dhe të promovojë aftësitë e fëmijëve që të bëjnë ndryshime

“Unë/ty, dashuri në paketë” është iniciativë e dy artisteve, Florie Bajoku dhe Irena Cahani, të cilat arritën që ta institucionalizojnë këtë projekt humanitar përmes bashkëpunimit të rregullt me komunën e Prishtinës dhe Forcën e Sigurisë së Kosovës./KultPlus.com

Ibrahimoviq, i drejtohet shqiptarit: Ju jeni një hero i vërtetë (VIDEO)

Shqiptari nga Kosova, Fidan Bejta, 29 vjeçar u shpall “Heroi i Vitit 2018 në Suedi. Ai i shpëtoi plot 20 fëmijë nga një sulm me thikë.

Teksa fëmijët luanin në një shesh lojërash, një grua i kishte ndjekur ata dhe tentoi t’i godiste me thikë.

Fale ndërhyrjes së Fidanit është bërë i mundur shpëtimi i jetëve të 20 vogëlushëve.

Shqiptari do të nderohet të mërkurën me titullin “Engjëlli i mbrojtës”, nga shteti suedez. Pas ngjarjes heroike, i riu shqiptar mori një mesazh inkurajues nga ylli suedez Zlatan Ibrahimoviqi.

“Ju jeni një hero i vërtetë. Punë e mirë. Të gjithë janë krenarë për ty. Ajo që bëtë nuk është diçka që secili do të guxonte të bënte. Vazhdo të jesh kështu, vetvetja. Na duhen më shumë si ty. Ju ftoj që të vini dhe të më shikoni një lojë live”, deklaroi Ibrahimoviq./KultPlus.com