U zhvillua mbrëmë, në COD, aktiviteti “Vissi d’arte, vissi d’amore”, titull frymëzuar nga një arie e famshme e kompozitorit italian Xhakomo Puçini.
Ky aktivitet që u zhvillua për të parën herë, në mjediset e Kryeministrisë, erdhi në kuadër të 100-vjetorit të ndarjes nga jeta të Puçinit, ngjarje të cilës teatrot më prestigjiozë botërorë i kanë dedikuar vitin jubilar 2024.
Ashtu si në shumicën e kryeqendrave botërore, edhe në Tiranë, përgjatë 2024-ës u realizuan koncerte e vënie në skenë të operave të shkruara nga Puçini. Në përmbyllje të këtij viti, në COD u interpretuan veprat më të njohura të tij, përfshirë romancat për vokal-piano, veprat pianistike (premierë), arie të Suor Angelica për oboe-piano dhe pjesë nga Toska për 4 duar në piano.
Ishin të pranishëm personalitete të shquara të artit muzikor shqiptar si, kompozitori Zef Çoba, sopranoja Shqipe Zani, muzikologja Holta Sina Kilica, sopranoja Eriona Gjyzeli etj. Përveç interpretimeve, u analizua jeta dhe krijimtaria e kompozitorit, duke theksuar rëndësinë e veprave të tij në historinë e muzikës dhe ndikimin e tyre në artin e operës./atsh/KultPlus.com
Jean-Luc Godard, regjisori franko-zviceran, ishte një figurë kyçe në Nouvelle Vague, lëvizjen e krijimit të filmave që revolucionarizoi kinemanë në fund të viteve 1950-1960.
I njohur për stilin e tij të xhirimit ikonoklastik, në dukje të improvizuar, si dhe radikalizmin e pandërprerë, Godard la gjurmën e tij në një seri filmash gjithnjë e më të politizuar në vitet ’60, përpara se të shijonte një rikthim të pamundur të karrierës vitet e fundit, me filma të tillë si “Film Socialisme” dhe “Goodbye to Language” ndërsa eksperimentoi me teknologjinë dixhitale.
I lindur në Paris në vitin 1930, Godard u rrit dhe u shkollua në Nyon, në brigjet e liqenit të Gjenevës në Zvicër.
Pasi u kthye në Paris, pasi mbaroi shkollën në vitin 1949, Godard u angazhua në klubet e kinematografisë intelektuale që lulëzuan në kryeqytetin francez pas luftës, dhe dëshmuan transformimin e Valës së Re Franceze.
Pasi u takua me kritikë si André Bazin dhe regjisorët e ardhshëm François Truffaut, Claude Chabrol dhe Jacques Rivette, Godard filloi të shkruante për revistat e reja të filmit, duke përfshirë “Cahiers du Cinema” të Bazin.
Godard shfaqi qëndrimin e tij që në fillim, duke mbrojtur filmat tradicionalë të Hollivudit dhe duke promovuar regjisorët si, Howard Hawks dhe Otto Preminger, figurat më në modë. Godard gjithashtu mbështeti aktorin amerikan Humphrey Bogart, duke e promovuar në filmin e tij të parë, “Breathless”,i shfaqur në vitin 1960.
Megjithatë, përpara kësaj, Godard e lehtësoi rrugën e tij drejt krijimit të filmave nëpërmjet një serie filmash të shkurtër, si “Charlotte dhe Véronique”, ose “All the Boys Are Named Patrick” në 1957, të cilët shfaqnin stilin e tij të lirë.
Godard vazhdoi të bënte një seri filmash të rëndësishëm në vitet 1960 me një ritëm të furishëm. Filmi i tij i radhës, “Le Petit Soldat”, i cili sugjeronte që qeveria franceze të shpërfillte torturat u ndalua të shfaqej në ekran deri në vitin 1963, një film në të cilin Godard takoi gruan e tij të ardhshme, Anna Karina, si dhe shpiku aforizmin e tij më të famshëm, “Kinemaja është e vërteta me 24 kuadro në sekondë”.
Veprat e tjera kryesore përfshinin “A Woman Is a Woman”, një homazh vetreferues ndaj muzikalit të Hollivudit, ku përsëri luhej nga Karina, së bashku me Belmondo dhe fitoi më shumë çmime në Festivalin e Berlinit; filmi ekstravagant, epik “Contempt”, me Michel Piccoli, Brigitte Bardot, Jack Palance dhe Fritz Lang; dhe filmi “Alphaville”, një film fantashkencë.
Me kalimin e viteve ‘70, qëndrimet e ashpra politike dhe intelektuale të Godard filluan të humbnin dhe puna e tij pati më pak ndikim në vitet 1980, megjithëse, filmi i vitit 1987 i “King Lear”, i rikonfiguruar si një farsë post-apokaliptike që shfaq një gangster të quajtur Learo, u financua nga “Cannon Films”.
Filmi i tij i vitit 2001 “In Praise of Love” shënoi një rikthim, duke u përzgjedhur mes kandidateve të tjerë në festivalin e filmit në Kanë, ndërsa publikimi i “Film Socialisme” në 2010 i parapriu çmimit Oscar.
Filmi i tij i vitit 2014 “Goodbye to Language” fitoi çmimin “Image Book” në festivalin e filmit në Kanë 2018, si dhe “Palma e Artë speciale”.
Ai vdiq në moshën 91-vjeçare më 13 shtator të vitit 2022. / KultPlus.com
Robert Louis Balfour Stevenson ishte shkrimtar, novelist, poet, skenarist skocez që ka shkruar mjaft vepra, që u bënë të njohura.
Po ashtu veprat e tij ishin shumë të lexuara në Mbretërinë e Bashkuar, Amerikë e Francë kurse shumë prej tyre u përkthyen në gjuhë të ndryshme.
Sot, KultPlus sjell disa nga thëniet e tij të famshme:
“Nuk kërkoj as pasuri, as shpresë, as dashuri, as ndonjë mik që të më kuptojë. Gjithë çfarë kërkoj është qielli sipër meje dhe një rrugë nën këmbët e mia.”
“Tundimi për të bërë atë që është e ndaluar, thjesht pse është e ndaluar, përbën një ndër tundimet më të mëdha që mund të ekzistojnë.”
“Frikën mbaje vetëm për vete, por guximin ndaje me të tjerët.”
“Nuk ka vende të huaja. I huaj është vetëm udhëtari.”
“Nuk ekziston gjë tjetër përveç dashurisë së Zotit: ecim mbi të, e thithim si frymë, jetojmë dhe vdesim brenda saj. / KultPlus.com
Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, më shumë se një miliard njerëz në të gjithë botën jetojnë me aftësi të kufizuar.
Këta persona, përgjithësisht, kanë më shumë probleme shëndetësore, mundësi më të pakta ekonomike, edukim dhe arritje akademike më të ulëta. Kjo ndodh më së shumti për shkak të barrierave me të cilat ata përballen në jetën e tyre të përditshme, se sa si rrjedhojë ekskluzive e aftësisë së kufizuar.
Aftësia e kufizuar nuk është thjesht një çështje e shëndetit publik, por gjithashtu e të drejtave të njeriut dhe zhvillimit të shoqërisë. Përpjekjet e OBSH-së për të mbështetur shtetet në aspekte të ndryshme, reflektohen në Planin e Veprimit për Personat me Aftësi të Kufizuar 2014-2021, në Raportin Botëror për Aftësinë e Kufizuar, si dhe në Konventën e të Drejtave për Personat me Aftësi të Kufizuar.
Dita Ndërkombëtare e Personave me Aftësi të Kufizuar 3 dhjetor, u vendos me Rezolutën 47/3 në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. Qëllimi i kësaj dite është promovimi i të drejtave, mirëqenies, si dhe rritja e ndërgjegjësimit
Më 11 qershor 2019, sekretari i përgjithshëm i OKB-së Antonio Guterres, lansoi Strategjinë për Aftësinë e Kufizuar në një linjë me angazhimet e tij, për të shndërruar Kombet e Bashkuara një organizatë gjithëpërfshirëse.
Strategjia në fjalë, thekson nxitjen e një progresi transformues dhe të qëndrueshëm, riafirmon përmbushjen e plotë të çështjes së personave me aftësi të kufizuar, si pjesë integrale e pandashme e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut. / KultPlus.com
Nëse keni ëndërruar ndonjëherë të vizitoni Maldivet, por nuk mund të përballoni fluturimet e gjata apo shpenzimet e mëdha, keni fatin të vizitoni këtë vit Ksamilin, sipas një artikulli të botuar në revistën irlandeze “Her”.
Destinacioni mesdhetar – i konsideruar nga ekspertët e udhëtimeve si “Maldivet e Evropës” – është vetëm katër orë larg nga Irlanda.
Një vendpushim plazhi i njohur shqiptar, që ka tërhequr vëmendjen e pushuesve të huaj, dhe i rekomanduar nga ekspertët e udhëtimeve si destinacioni ideal për t’u vizituar në vitin 2025.
I njohur si “Maldivet e Evropës”, Ksamili krenohet me plazhet e tij të bukura me rërë, ujërat bruz.
Ju mund të porosisni një krikëll birrë vendase për 1 euro dhe të akomodoheni në një hotel për vetëm 16,70 euro.
Destinacioni pak i njohur i quajtur “Maldivet e Evropës”
Ju gjithashtu mund të gjeni akomodime në hotel për vetëm 16,70 euro nata – dhe të shijoni Rivierën Shqiptare me kosto të përballueshme – përpara se vija bregdetare të bëhet shumë e njohur.
Vendpushimi i Gadishullit Ballkanik ka qenë në qendër të vëmendjes së turistëve – që kërkojnë diçka më ndryshe nga destinacionet e njohura evropiane – të mbiçmuara dhe të mbipopulluara me vizitorë.
Turistët e kanë përshkruar Ksamilin si “parajsa në tokë”, ndërsa disa të tjerë i kanë krahasuar ujërat e tij blu të kristalta me ato në Maldive.
Sipas numbeo.com, një birrë kushton deri në 1 euro, që do të thotë se pijet nuk do të ndikojnë në buxhetin tuaj, ndërsa një vakt me tre pjata kushton deri në 20 euro.
Vizitorët gjithashtu mund të shijojnë udhëtimet në ishujt që ndodhen aty pranë, më i famshmi prej të cilëve quhet “Ishujt e Ksamilit”.
Ashtu si në Maldive, këtu vizitorët mund të notojnë, të zhyten në ujë dhe të eksplorojnë vijën bregdetare – pa u lodhur nga udhëtimi i tyre ajror.
“The Travel Mum”, një eksperte udhëtimesh në TikTok pati kënaqësinë të vizitonte fshatin e Ksamilit – të cilin e përshkroi si “Maldivet e Evropës”.
Udhëtimi i saj në fshatin e bukur bregdetar nisi me një fluturim në Korfuz. Prej aty, ajo dhe familja e saj udhëtuan me traget për në Sarandë, ku morën me qira një makinë dhe u nisën drejt Ksamilit.
“Ne rezervuam një apartament me dy dhoma gjumi për vetëm 222 euro për gjashtë netë”, tha ajo duke iu referuar akomodimit.
“Është një pikënisje e shkëlqyer për të shijuar plazhet e shumta mahnitëse, por edhe për të eksploruar disa vende të mrekullueshme nga afër”, tha ajo.
“Gjithashtu, shpenzuam afro 6 euro për disa ushqime në supermarket për pesë persona”, shtoi “The Travel Mum”./atsh/KultPlus.com
Shkolla artistike “Onufri” në Elbasan së shpejti do të mbështetet edhe me statusin e veçantë.
Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu ndau në rrjetet sociale pamje nga kjo shkollë, e cila ka hapur dyert këtë vit të ri shkollor si një qendër e vërtetë artistike, falë investimit të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit.
“Shkolla “Onufri” do të mbështetet edhe me statusin e veçantë, për të siguruar edhe më shumë investime në pajisje dhe burime njerëzore, për zhvillimin e talenteve”, tha Manastirliu.
Mbi 340 nxënës zhvillojnë mësim në klasa të reja, laboratorë të rinj shkencorë, palestër të re dhe sallë koncertesh.
“Me buxhetin2025 përfundojmë investimet në 40 shkolla në të gjithë vendin”, tha Manastirliu.
Statusi i veçantë mundëson një autonomi të menaxhimit të shkollës, por dhe një ngritje të nivelit të cilësisë së shkollës përmes përfshirjes.
Me dhënien status i veçantë shënohet një hap i rëndësishëm drejt suksesit të shkollave artistike në Shqipëri.
Më herët MAS ia ka dhënë këtë status Liceut Artistik “Jordan Misja” dhe Shkollës Koreografike në Tiranë. /atsh/ KultPlus.com
Rikthehet për të tretin vit Festivali Teatror “Hapat”, si një mundësi promovimi për aktorët, regjisorët, skenografët dhe kopmozitorët e rinj. 12 milion lekë për 11 shfaqje, që do të ngjiten në skenë nga nesër deri në fund të kësaj jave, ku nuk do të mungojë vlerësimi për talentet e reja.
Në këto tre vite, nuk kanë qenë të pakët ata artistë të rinj, që janë zbuluar, dhe ky festival ka shërbyer si trampolinë për të qenë pjesë e produksioneve të tjera të rëndësishme teatrore.
Një nga pjesëmarrësit, Rafael Hoxhaj në këtë festival vjen si regjisor i shfaqjes “Hanë Gjaku”.
11 shfaqjet teatrale do të interpretohen në tre skena, në atë të Teatrit Eksperimental “Metropol” dhe në Universitetin e Arteve./tvklan/ KultPlus.com
Një nga lumenjtë e fundit të egër të Evropës, Vjosa përshkon rreth 272 kilometra nga malet e Pindit, në Greqi, në brigjet e Adriatikut në Shqipëri duke rrjedhur nëpër gryka të ngushta dhe lugina të gjera, ku ujërat e saj blu në jeshile rrëshqasin pranë rrënojave ilire, fshatrave të rrënuara nga koha dhe peizazheve të zymta malore, shkruan Dominis Horner për BBC.
Shtëpia e më shumë se 1 100 llojeve, përfshirë ngjalën evropiane të rrezikuar në mënyrë të konsiderueshme, lundërzat dhe shkabën egjiptiane që shihet rrallë, Vjosa është më shumë se thjesht një lumë; ajo është një litar shpëtimi për komunitetet buzë lumenjve dhe një simbol i trashëgimisë dhe ripërtëritjes shqiptare.
Ujërat e saj bruz dhe habitatet e larmishme mbështesin jetën e egër, peshkimin, bujqësinë dhe gjithnjë e më shumë, eko-turizmin.
Në një lëvizje historike, në mars 2023, Vjosa u krijua si Parku i parë Kombëtar i Lumit të Egër në Evropë – një status që synon të ruajë ekosistemin dhe biodiversitetin e saj unik.
“Lumenjtë janë ndër habitatet më të rrezikuar të Evropës, me më pak se 10% rrjedhje të lirë”, thotë Beth Thoren, drejtore e veprimit mjedisor në Patagonia, e cila bashkëpunoi me qeverinë shqiptare për ngritjen e parkut kombëtar.
Thoren thekson rëndësinë e mbrojtjes së lumenjve si Vjosa.
“Duke qëndruar në brigjet e Vjosës, kupton se nuk ke parë kurrë një lumë vërtet të egër, pa diga, rezervuarë apo brigje betoni që kufizojnë rrjedhën e saj”, shton ajo.
Megjithëse Vjosa tani gëzon statusin e mbrojtur, kërcënimet e mundshme vazhdojnë.
Planet për digën e Kalivaçit, një projekt hidroelektrik në lumë, u anuluan në 2021 pas protestave publike, por presione të tjera priten.
Ndërtimi i Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës pranë Lagunës Vjosa-Nartë – një ndalesë jetike për zogjtë migrues – ka alarmuar ambientalistët, ashtu si edhe një ligj i fundit që lejon zhvillimet e turizmit luksoz brenda zonave të mbrojtura.
Investitorë të mëdhenj si Jared Kushner po shikojnë tani Deltën e Vjosës për resorte të nivelit të lartë duke shkaktuar frikë se rajoni mund të përballet me ndryshime të pakthyeshme.
Mbërrita në fshatin Çarshovë dhe ndalova për drekë në një restorant buzë lumit, në pronësi të Ana Jankut, një banore e përjetshme në Vjosë. Restoranti i Jankut, si shumë të tjerë përgjatë lumit, është tërësisht i vetëmjaftueshëm, me gjithçka që buron nga toka e familjes së saj: perime, bagëti dhe bukë e pjekur në shtëpi, si dhe peshk të sapo kapur (ndërsa po bisedonim, djali i saj Stavro ishte i zënë duke hedhur rrjetat e tij).
Teksa haja byrek, gulash dhe xaxiki të freskët, Janku më shpjegoi se si Vjosa e ka mbajtur familjen e saj për breza të tërë dhe ndërsa ajo e mirëpriti statusin e parkut kombëtar, ajo ende shqetësohet për zhvillimin e ardhshëm që mund të kërcënojë Vjosën.
“Ky lumë është gjithçka për ne. Ne u kujdesëm për të shumë kohë përpara se të mbrohej zyrtarisht”, thotë ajo.
Ajo shprehu lehtësim edhe për digën e Kalivaçit, tashmë e braktisur.
“Nëse dikush dëshiron të investojë në Vjosa, duhet të sigurohet që ta respektojë atë”, thotë ajo.
Duke vazhduar në drejtim të lumit, kalova nëpër fshatrat Kanikol, Strëmbec dhe Kaludh ku lumi mori një karakter më komunitar. Vendasit laheshin në ”pishina” më të qeta, të rinjtë hidheshin nga shkëmbinjtë dhe peshkatarët qëndronin të qetë pranë bregut. Teksa përshkoja një grykë afër Kanikolit, një shqiponjë fluturoi dhe u lëshua poshtë drejt lumit.
Nga Kaludhi në qytetin e Përmetit, iu bashkova një grupi me kompaninë rafting ”Vjosa Explorer” për të trajtuar në mënyrë të sigurt pjesët më të pabesa të lumit.
Fola me Irma Takon, pronaren e pasionuar të kompanisë që themeloi ”Explorer”, tetë vjet më parë, për të krijuar vende pune për të rinjtë në luginën e lumit Vjosa.
”Emigrimi është një nga problemet më të mëdha të vendit tonë. Lugina është e bukur, por na mungojnë burimet njerëzore”, thotë ajo.
Tako theksoi gjithashtu nevojën për zhvillim të qëndrueshëm.
“Lumi është i yni dhe ai u përket të gjithëve, por nevojiten ende kufizime për të ruajtur biodiversitetin e tij dhe botën ujore që ai ka. Ndërsa statusi i parkut kombëtar është një hap i rëndësishëm, zbatimi dhe vigjilenca janë vendimtare për të ardhmen e lumit”, thotë ajo.
Ditën tjetër e kalova duke u larë në burimet e nxehta në Bënjë (të famshëm jo vetëm për ujërat e tyre të ngrohta qetësuese, por edhe për Urën simbolike shekullore të Kadiut të epokës osmane) përpara se të ecja me vozitje 20 kilometra deri në qytetin e Këlcyrës.
Prej këtu, lumi zgjerohet pak, por peizazhi mbetet dramatik me male të larta në çdo drejtim (afërsisht 70% e Shqipërisë është malore). Ndalova për të notuar dhe vura re një lundër që rrahte brenda dhe jashtë shkëmbinjve.
Bollëku i dukshëm i jetës në lumë nuk është rastësi – është rezultat i drejtpërdrejtë i një bashkëpunimi midis qeverisë shqiptare, aktivistëve vendas dhe partnerëve ndërkombëtarë si ”Patagonia”, ”EcoAlbania” dhe fushata ”Save the Blue Heart of Europe”.
Këto përpjekje kanë dhënë rezultate mbresëlënëse: ruajtja e ujërave të lumit me rrjedhje të lirë dhe habitatet e lulëzuara, rritja e ndërgjegjësimit për vlerën e tij ekologjike dhe promovimi i praktikave të qëndrueshme, të gjitha duke mbështetur mirëqenien kulturore dhe ekonomike të komuniteteve buzë lumit.
”Parku Kombëtar i lumit të egër Vjosa mbron më shumë se thjesht natyrën”, tha Thoren.
“Ai u krijua në konsultim me komunitetet lokale për të siguruar ruajtjen e peizazhit natyror dhe trashëgimisë kulturore të rajoneve nëpër të cilat rrjedh”, shton ajo.
Të nesërmen, kalova me kajak nëpër grykën e Këlcyrës, një nga pasazhet më mahnitëse të Vjosës, ku lumi rrjedh midis faqeve të thepisura të maleve dhe ujëvarave poshtë shkëmbinjve. Nga këtu, udhëtimi mori një kthesë më sfiduese pasi infrastruktura aktuale dhe ajo turistike u pakësuan. Ajo që nuk u largua, megjithatë, ishte madhështia e ashpër e peizazhit, ndërsa lumi filloi të përhapej në një rrjet të gërshetuar kanalesh gjarpërore – duke zbuluar një pamje të botës tjetër.
Olsi Nika, drejtor ekzekutiv i ”EcoAlbania” – një organizatë mjedisore në qendër të fushatës për statusin e Parkut Kombëtar të Vjosës – foli për ekuilibrin delikat midis zhvillimit turistik dhe ruajtjes: “Vjosa nuk është gati për një bum turistik. Ajo ka potencial të madh, një përzierje e natyrës dhe kulturës me trekking, rafting dhe peshkim, por është e pazhvilluar, pothuajse një faqe bosh. Ne kemi nevojë për infrastrukturë dhe plane për turizmin duke siguruar që ne ta ruajmë Vjosën për brezin e ardhshëm”.
Thellësia kulturore e rajonit më goditi të nesërmen, ndërsa eksploroja rrënojat ilire të Bylisit, një qytet në majë kodre që luajti një rol kryesor në Ilirinë e lashtë në shekullin IV para Krishtit dhe u integrua më vonë në provincën romake të Epirus Nova, e cila përfshinte pjesë të Shqipërisë së sotme dhe Maqedonisë së Veriut.
Tani një vend kyç arkeologjik me pamje gjithëpërfshirëse të luginës, muret e tij fortifikuese të ruajtura, teatri dhe tempulli shërbejnë si kujtues të së kaluarës së tij të historisë si një qendër tregtare dhe kulturore nga një epokë e shkuar.
Në ditën e fundit, moti ishte i kthjellët dhe era frynte, ndërsa unë po vozisja drejt grykës së Adriatikut.
Rrjeta të gjera vareshin nga bregu i lumit dhe një peshkatar i vetmuar me kanoen e tij kaloi përpara meje në rrjedhën e sipërme. Teksa iu afrova grykëderdhjes dhe u ktheva përtej gadishullit, dallgët goditën anën e varkës sime të vogël me një forcë të tillë saqë gati u përmbys.
Më në fund, me pajisje të zhytura në ujë të kripur, dola në det të hapur. Skena përpara meje ishte aspak befasuese: në të majtën time, bregdeti i shkretë, malet e largëta, majat e tyre të mbuluara me re; në të djathtën time, horizonti i pafund i Adriatikut. Për ato kilometrat e fundit, ndjeva një qetësi të thellë medituese – një dorëzim i plotë ndaj fuqisë së botës natyrore.
I lashë valët të më çonin në breg, gjeta një shteg kthimi drejt qytetërimit, duke kaluar disa bunkerë të epokës komuniste të mbushur me grafite dhe zbrita në qytetin e Vlorës.
Me përfundimin e aventurës sime, arrita në dy konkluzione aq të qarta për mua sa edhe ujërat e lumit.
Së pari, përcaktimi i Vjosës si Parku i parë Kombëtar i Lumit të Egër në Evropë përfaqëson jo vetëm një fitore ekologjike për Shqipërinë, por edhe një shembull bindës për përpjekjet mjedisore që mund të shtrihen shumë përtej kufijve të Ballkanit.
Statusi i saj ka potencialin të krijojë një precedent frymëzues: ruajtjen e lumenjve natyrorë të pandërprerë dhe ekosistemeve të ndërlidhura që ata mbështesin, ndërkohë që mbrohet nga kërcënimet si zhvillimi i tepërt, ndotja dhe humbja e habitatit.
”Ky park kombëtar krijon një model sesi duhet ruajtur natyra”, shpjegoi Nika.
“Është një sistem lumor i gjallë që rrjedh lirshëm nga burimi në det pa ndërhyrje njerëzore – jashtëzakonisht i rrallë sot. Që ky model duhet të vijë nga një vend i vogël me probleme të tij të mëdha duhet t’i japë shpresë pjesës tjetër të Evropës”, thekson ajo.
E dyta?
Fakti që Vjosa është një nga thesaret natyrore të Evropës, falë jo pak përpjekjeve të palodhura të grupeve të ruajtjes që punojnë në prapaskenë dhe atyre që jetojnë dhe punojnë përgjatë brigjeve të saj, duke siguruar që ajo të mbetet e paprishur.
Siç kishte thënë Ana atë ditën e parë në Çarshovë: “Shpresoj që lumi të mbetet ashtu siç ka qenë gjithmonë dhe si është tani – natyral dhe i egër”./ atsh/ KultPlus.com
Sonte është rihapur përsëri për publikun teatri “Muharrem Qena” në Mitrovicë.
Ministri Hajrulla Çeku ka njoftuar se është përuruar teatri i rinovuar tërësisht Muharrem Qena në Mitrovicë, ndërsa janë rikthyer edhe shfaqjet me fillimin e Festivalit Tradicional të Komedisë “MatrixxFest”.
“Artistët dhe publiku artdashës në Mitrovicë tash kanë një hapësirë me kushte të dinjitetshme dhe moderne për të krijuar dhe shijuar art e kulturë.
Modernizimi i infrastrukturës teatrore në Kosovë është zotim yni që po jetësohet dita ditës”, ka shkruar Ministri Çeku në Facebook./ KultPlus.com
Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja e vlerësoi sot si “ikonike” mbylljen e Javës Kulturore Kombëtare Kosovë-Shqipëri në Muzeun e Pavarësisë në Vlorë.
“112 vjet Pavarësi dhe 80 vjet Çlirim u festuan me aktivitete të shumta që lidhin historinë dhe kulturën tonë të përbashkët”, shkroi Gonxhja, teksa ndau pamje nga mbyllja e javës kulturore në Muzeun e Pavarësisë.
Javët Kulturore Ndërkombëtare, pjesë e së cilës ishin 20 shtete të ndryshme u përmbyllën me Kosovën, që së bashku me Shqipërinë, nga data 21 deri më 30 nëntor organizuan një mori eventesh artistike në Tiranë, Durrës, Shkodër dhe Vlorë.
Aktivitetet nisën me një workshop edukues për fëmijë te Galeria Kombëtare e Arteve në Tiranë.
Fëmijët patën mundësi të njihen nga afër me regjistrin e katalogut fizik të bibliotekarit. Gjithashtu ata panë një videodokumentar mbi GKA ku u njohën me godinën ekzistuese dhe sallat ekspozuese dhe diskutuan rreth artistëve më të njohur dhe veprave të tyre në fushën e artit figurativ.
Aktivitetet vijuan me një ekspozitë me në fokus inteligjencën artificiale, që u hap më 22 nëntor në teatrin “Aleksandër Moisiu” dhe Qendrën Kulturore për fëmijë në Durrës.
Biseda-ekspozitë me artistin Eshref Qahili: “Arti bashkëkohor kosovar në kohën e inteligjencës artificiale”, që është pjesë e Bienales Ndërkombëtare të Artit Bashkëkohor, promovoi artin bashkëkohor kosovar dhe theksoi rëndësinë e ndërveprimit kulturor ndërmjet dy vendeve tona.
Paralelisht në këtë ditë, por në kryeqytet, në hollin koncertor të Teatrit të Operas dhe Baletit në Tiranë u mbajt koncerti “Side by Side”. Sopranoja Besa Llugiqi dhe pianisti Misbah Kaqamak sollën një performancë unike, duke ngjitur në skenë pjesë nga dy gjenitë botëror të muzikës klasike, Schumman dhe Strauss.
Kurse më 23 nëntor, te Piramida u mbajt projekti “Të kam në mendje” i Malda Susuri, që adresoi sfidat e shëndetit mendor me anë të ndërgjegjësimit dhe reduktimit të stigmës, me qëllim krijimin e një komuniteti mbështetës që ndihmon dhe fuqizon individët për t’u përballur më mirë me këto probleme.
Më 25 nëntor, në kuadër të 80-vjetorit të Çlirimit, qytetarët patën mundësinë të shikojnë koleksionet dhe materialet që pasqyrojnë momentet kryesore të Çlirimit.
Po ashtu në këtë ditë, më 25 nëntor, tek COD në Kryeministri, u mbajt sfilata “Krenari mbi supe” që solli punime të kostumeve tradicionale nga fëmijët e kursit të kostumografisë.
Ndërsa tek ArTurbina në Tiranë u mbajt koncerti “Jehonë shqiptare”, që ngjiti në skenë artistë profesionistë që kanë bërë historinë e artit shqiptar por edhe më gjerë, si nga Shqipëria, dhe nga Kosova.
Teatri i Operas dhe Baletit në Tiranë mikpriti operën e parë kosovare “Goca e Kaçanikut”. Një histori dashurie, trimërie dhe lirie, e bazuar në novelën e Milto Sotir Guros e sjellë në jetë me regjinë e regjisorit Nikolin Gurakuqi, ky produksion erdhi si një homazh për Festën e Flamurit.
Kurse nga data 26, deri më 30 nëntor, në Bibliotekën Kombëtare u çel një ekspozitë për 150-vjetorin e lindjes së At Shtjefën Gjeçovit, veprat kërkimore të të cilit apo mbledhja e traditave shqiptare, veçanërisht kodifikimi i Kanunit të Lekë Dukagjinit, mbeten një thesar i pazëvendësueshëm për kulturën dhe traditën tonë.
“Shkodra Elektronike”, projekt muzikor i dy emigrantëve shqiptarë të rritur në Itali, shumë larg qytetit të tyre mëmë, Shkodrës, gjallëruan Teatrin Metropol mbrëmjen e 26 nëntorit.
Po ashtu, kjo ditë iu përkushtua edhe gastronomisë. “Shije shqiptare”, panairi i madh i produkteve nga të gjitha trevat shqiptare ishte një mundësi për shijuar një pasuri shijesh dhe aromash tradicionale nga Shqipëria dhe Kosova.
Ndërsa në Teatrin “Migjeni” në Shkodër më datë 27-të u mbajt koncert nga Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve “Shota”, që performoi këngë dhe valle të bukura nga trevat shqiptare, të cilat pasqyrojnë traditën dhe kulturën e pasur të popullit shqiptar.
“Tingujt që sollën lirinë” ishte koncerti që paralelisht në këtë ditë u mbajt në Teatrin e Operas dhe Baletit në Tiranë. Ky koncert gala, pjesë e së cilit ishte edhe Orkestra e Forcave të Armatosura, vendosi në skenë muzikën më të mirë shqiptare me temën e Luftës Nacionalçlirimtare, u organizua po ashtu në kuadrin e 80-vjetorit të Çlirimit të Shqipërisë.
Ndërkohë, nga data 26 deri më 30 nëntor te sheshi para Teatrit Kombëtar ishte e hapur një tjetër ekspozitë, ajo e fotografisë “Keep calm and smile” e fotografit me famë botërore nga Kosova, Korab Basha.
Ekspozita që solli 25 fotografi bardhezi iu kushtua të rinjve dhe të rejave, që janë bërë pjesë e Forcës së Sigurisë së Kosovës.
Më datë 28 Nëntor të gjithë shqiptarët u mblodhën bashkë në Tiranë, për të kremtuar 112-vjetorin e Shpalljes së Pavarësisë. Në një paradë me ngjyra kuqezi në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, me kostumet e këngët nga çdo trevë shqiptare, në një bashkim vëllazëror festimesh të paharrueshme, ky aktivitet dhuroi shumë emocione.
Gjatë Javës Kulturore të Kosovës nuk mungoi as shfaqja e filmave. “Bota Jonë”, “117”, “Pa vend”, “Si e verdhë e sëmurë”, “Krahët e punëtorëve”, “Rrugës”, “Hana e re”, “Prishtinë 2002” dhe “Sign”, janë filmat që u transmetuan në kinemanë “Maks Velo” në Tiranë, në datat 28, 29 dhe 30 nëntor.
Java Kulturore Kosovë – Shqipëri u përmbyll me festivalin “Tirana Art Weekend”, që u mbajt nga data 29 nëntor, deri më 2 dhjetor te shtëpia e ish-të përndjekurve në Tiranë.
Ky aktivitet bashkoi aktorët kryesorë të skenës së pavarur të artit në Shqipëri, duke përfshirë hapësira ekspozuese, organizata kulturore dhe kolektivët artistikë vendas nën një program të përbashkët.
Javët Kulturore Ndërkombëtarë për 7 muaj me radhë, përveç se sollën kultura të ndryshe në vendin tonë, u dhanë edhe mesazhe të forta për gjithëpërfshirje, diversitet dhe të drejtat e njeriut. JKN patën për qëllim gjithashtu edhe krijimin e urave lidhëse, nxitjen e kreativitetit dhe shkëmbimit kulturor me sytë drejt inovacionit, si një mjet i domosdoshëm për t’i dhënë zgjidhje dhe alternativa sfidave të përbashkëta që bota po kalon.
Edicioni i tretë i Javëve Kulturore Ndërkombëtare, çeli siparin e aktiviteteve më datë 1 maj me “Javën e Evropës” dhe vijoi me Francën, Greqinë, Italinë, Izraelin, Brazilin, Hungarisë, Holandën, Turqinë, Mbretërinë e Bashkuar, Kinën, Gjermaninë, Japoninë, SHBA-në, Kombet e Bashkuara, Austrinë, Spanjën, Malin e Zi, Meksikën dhe Kosova që edhe përmbylli këtë edicion të tretë./atsh/KultPlus.com
Stacion – Qendra për Art Bashkëkohor Prishtinë mban natën finale, ceremoninë e mbylljes së ekspozitës së Çmimit Artistët e së nesërmes 2024 dhe shpalljen e fituesit të Çmimit, më 7 dhjetor nga ora 20:00.
Çmimi Artistët e së nesërmes është një çmim dhe njohje prestigjioze e krijuar për artistët pamor nën moshën 35 vjeç. Edicioni i vitit 2024 ka përfshirë procesin e aplikimit të artistëve me punën e tyre për Çmimin, aplikimet që janë shqyrtuar dhe vlerësuar nga juria e pavarur, mundësinë për artistët e zgjedhur finalist Mimoza Sahiti, Luiza Thaqi dhe Dion Zeqiri për të krijuar vepra të reja përmes një procesi të përkushtuar prodhimi, kurimi dhe zhvillimi, që është kurorëzuar me ekspozitën e Çmimit Artistët e së nesërmes 2024 e cila është hapur me 1 nëntor 2024 në Klubin e Boksit në Prishtinë.
Tre artistët e nominuar për Çmimin Artistët e së nesërmes 2024: Mimoza Sahiti, Luiza Thaqi dhe Dion Zeqiri, pas hapjes së ekspozitës dhe ngjarjes së dytë të konceptuar si ecje nëpër ekspozitë dhe bashkëbisedim me artistët e mbajtur me 7 nëntor 2024, në këtë fazë të procesit do të kenë takime me jurinë e pavarur për tu vlerësuar për arritjet, potencialin e demonstruar dhe për mundësinë e secilit artist të nominuar të zgjidhet fitues i Çmimit Artistët e së nesërmes 2024, dhe të udhëtoj në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku do të përjetojë skenën dinamike të artit në Nju Jork gjatë një qëndrimi artistik dy mujor.
Juria e Çmimit Artistët e së nesërmes 2024 përbëhet nga Julieta Aranda, artiste dhe bashkëthemeluese e e-flux në Berlin, Miljana Dunđerin, artiste dhe drejtoreshë e qendrës private kulturore “Akvarijus” në Mitrovicën e Veriut, Dr. Vjollca Krasniqi, sociologe dhe profesore e asociuar në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës, Alper Turan, kurator dhe shkrimtar, me seli në Nju Jork dhe Stamboll dhe Lulzim Zeqiri, artist që punon dhe vepron ndërmjet Kosovës dhe Austrisë.
Sipas deklaratës së jurisë tre finalistët në punët e tyre ofrojnë provokime të guximshme dhe të nevojshme që flasin për kompleksitetin tonë të përbashkët.
Me imazhet e thjeshta dhe ngacmuese, eksplorimi i patrembur i Mimoza Sahitit për gjendjen e gruas sjell një cënueshmëri të brishtë që ofron një rrëfim thellësisht personal por universalisht politik. Arti i Mimoza Sahitit, i rrënjosur në vizatim dhe pikturë, eksploron marrëdhëniet dinamike midis botëve tona të brendshme dhe mjedisit të jashtëm i cili ndryshon vazhdimisht. Puna e saj luan me idenë e hapësirave “të ndërmjetme” dhe formave të papritura që ato marrin, duke u zhytur thellë në përvojën njerëzore. Me një përzierje unike të humorit dhe dramës, ajo vë në dyshim se çfarë do të thotë të jesh njeri, duke shtyrë vazhdimisht kufijtë e mënyrës se si ne e shohim, ndjejmë dhe kuptojmë artin dhe shoqërinë.
Për ekspozitën e Çmimit Artistët e së nesërmes 2024 Mimoza Sahiti krijoi dhe prezantoi veprën “How Sad, How Lovely” (“Sa e trishtueshme, sa e bukur”), një eksplorim i qëndrueshmërisë, identitetit dhe udhëtimit nëpër peisazhe të brendshme dhe të jashtme. Një udhëtim “kauboji” është mënyrë specifike dhe një maskë shoqërore në realizimin e vetvetes – përballja përfundimtare me veten. Ky kauboj bëhet një figurë e ngecur në hapësirën midis vetes dhe shoqërisë, midis cenueshmërisë dhe mbijetesës.
Në qendër të veprës qëndron një derë, me një xhaketë lëkure të varur, që funksionon si objekt dhe simbol kalimtar. Xhaketa, e qepur me fije të kuqe me fjalët “Sa e trishtueshme, sa e bukur” vepron si armaturë dhe ftesë, një portë midis botës së jashtme dhe hapësirës intime përtej. Ky prag i fton shikuesit të lënë pas identitetet e tyre të jashtme dhe të hyjnë në një botë ku cenueshmëria nuk fshihet, por shfaqet. Në përgjithësi, kauboji i Mimoza Sahitit përfaqëson një ide të botës së jashtme që lundron sfidat e jetës, duke mishëruar forcën, përulësinë dhe vetminë, duke evokuar një figurë që endet nëpër peizazhe të shkreta të jetës. Kauboji që vesh këtë xhaketë, një figurë e përsëritur në ekspozitë, është një simbol personal dhe universal i qëndrueshmërisë. Këtu fillon udhëtimi në botën e brendshme, ku albumi i Connie Converse “How Sad, How Lovely” funksionon si një alegori. Këtu fillon biseda mes artistes dhe Connie Converse – një përvojë e përbashkët izolimi, betejash të brendshme, vetë-reflektimit, vetmisë, mallit dhe elasticitetit.
Mimoza Sahiti është artiste pamore që aktualisht studion pikturë në klasën Art dhe Imazh të Daniel Richter në Akademinë e Arteve të Bukura në Vjenë. Puna e saj fokusohet në eksplorimin e kufijve të pikturës përmes një qasjeje eksperimentale dhe jo tradicionale. Puna e Sahitit thellohet në tema personale dhe universale, duke eksploruar teknika dhe dimensione të ndryshme të kohës dhe hapësirës. Ajo gjithashtu ka diplomë Bachelor në Ekonomi nga Universiteti Goethe në Frankfurt. Mimoza viteve të fundit është aktive në skenat artistike të Prishtinës dhe Vjenës, ku aktron dhe ekspozon rregullisht.
Ekspozitat kolektive në të cilat ajo ka marrë pjesë në tre vitet e fundit përfshijnë: “Çmimi Funding për pikturën figurative”, Galeria County Lake Constance, Kështjella Salem, Salem, 2024; “Përtej ishullit të mrekullive”, Bräuhausgasse 31, Vjenë, 2024; “Shfaqje në klasë Daniel Richter & Alastair Mackinven”, Vjenë, 2024; “E këndoj trupin elektrik, ushtritë e atyre që dua”, Qendra Barabar, 2023; “Këtu sot, iku nesër”, Room Five Studio, Prishtinë, 2023; “Klasa e Richter”, Panairi i Artit Paralel, Vjenë, 2023; “Shfaqje në klasë Alastair Mackinven, Arti Figurativ” në Akademinë e Arteve të Bukura, Vjenë, 2023; “Koleksioni i parë i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit” në Galerinë Kombëtare, Prishtinë, 2022; “Finaliste e Çmimit Artistët e së nesërmes”, Stacion – Qendra për Art Bashkëkohor, Prishtinë, 2022; “Këmbëngulja e klubeve: Pas një feste”, Qendra për Artin Bashkëkohor, Sofje, 2022; “Grandi i Ri”, Manifesta 14, Prishtinë, 2022; “Pavijoni i Arteve Pamore”, Gjilan, 2022; “INTERNAL”, Room Five Studio, Prishtinë, 2022. Puna e Mimoza Sahitit është shfaqur edhe në ekspozitat personale “Status”, kuruar nga Albert Heta, Stacion – Qendra për Art Bashkëkohor, Prishtinë në bashkëpunim me FemArt Festival, 2023, dhe “Qumësht dhe Mjaltë”, Room Five Studio, Prishtinë, 2022.
Fokusi kritik i Luiza Thaqit në strukturat shoqërore dhe ndikimin e tyre ekologjik prekë çështjet që variojnë nga pronësia e tokës së grave në Kosovë deri te çështja e të drejtave të tokës të të vendosurve/kolonistëve në mbarë botën, duke e bërë punën e saj thelbësore në debatet urgjente socio-ekologjike të ditëve të sotme. Nëpërmjet punës së saj, ajo vë në pikëpyetje dhe sfidon se kush ka çasje në tokë dhe pse, duke theksuar betejat më të thella sociale dhe politike në funksion. Duke rimenduar pronësinë e tokës, Luiza na fton të rimendojmë vetë konceptin tonë për shoqërinë dhe marrëdhëniet njerëzore dhe se si mund t’i formësojmë ato në mënyrë më të barabartë.
Vepra “Vend i drejtuar nga toka” e Luiza Thaqit, e krijuar dhe shfaqur për ekspozitën e finalistëve të Çmimit Artistët e së nesërmes 2024, është një ndërhyrje artistike në një hapësirë të jashtme dhe të ndërmjetme në ndërtesën e Klubit të Boksit në Prishtinë, që është e paarritshme si shkak të shtesave të kohës në ndërtesën dhe ndërtimeve private përreth, dhe faktorëve të tjerë që ndikojnë në mirëqenien e tokës. Nëpërmjet kësaj ndërhyrjeje të bazuar në kërkim, artistja nxjerr në pah çështjet që lidhen me trajtimin e tokave, pronave, pronave publike dhe shkëputjen e njerëzve nga natyra me pretendim pronësie. Në bashkëpunim me tokën, duke nxjerrë të dhëna për gjendjen aktuale të tokës dhe asaj që ka ndodhur me të, ne tregojmë realitetin, praktikat për një shoqëri të qëndrueshme dhe kontekstin tonë shoqëror.
Luiza Thaqi është artiste e re pamore që jeton në Kosovë. Ka përfunduar studimet universitare në Fakultetin e Arteve, Universiteti i Prishtinës (UP), Dega Pikturë (2018-2021) dhe aktualisht po përfundon studimet master në Fakultetin Filozofik, Departamenti i Sociologjisë në Universitetin e Prishtinës. Ajo punon me një sërë mediash artistike, duke përfshirë pikturën, instalacionin dhe videon, me të cilat synon të kontekstualizojë dhe hulumtojë socio-ekologjinë brenda shoqërive specifike, duke shërbyer si një mjet për zbërthimin e ndërlikimeve të mjedisit ku jetojmë.
Në tri vitet e kaluara, Luiza ka qenë pjesë e shumë projekteve dhe ekspozitave, ndër të tjera ekspozita “Thuaj të më kujtosh që të mos harrojmë”, Tregime të grave për shtatzëninë, lindjen dhe amësinë gjatë luftës në Kosovë, pjesë e “Nënave të luftës” projekti 2023, punë bashkëpunuese me Renea Begollin, Biblioteka Hivzi Sylejmani, Prishtinë, 2023; “INFRARED” ekspozitë kolektive nga Foundacioni 17, Center for Narrative Practice, Biblioteka Hivzi Sylejmani Tophane, Prishtinë, 2023. Puna e Luiza Thaqit është shfaqur edhe në ekspozitën personale “Connected – Between Roots and Sky”, kuruar nga Laureta Hajrullahu dhe Shkamb Jaka, Europe House, 2023, Prishtinë.
Angazhimi i artit të Dion Zeqirit me forcat e padukshme – entitetet që e rrethojnë dhe përbëjnë ekzistencën tonë – përmes materialiteteve dhe mediumeve të ndryshme prezanton një këndvështrim të ri mbi marrëdhëniet ndërmjet fizikes dhe jofizikes. Zeqiri ju tërheq me fuqinë e tij të shqetësuar, pothuajse të nënvlerësuar. Ai eksploron se si mendja dhe trupi ndërveprojnë në mënyra që duken të njohura dhe janë poashtu turbulluese. Nuk ka të bëjë vetëm me atë që është, por edhe me atë që mungon – dhe shkëputjen mes të dyjave me që vazhdon të jetojë me ty. Është qasje subtile por me ndikim, mbresëlënëse për mënyrën se si ju bën t’i shihni gjërat ndryshe.
Vepra “Oh, mindgut” e Dion Zeqirit, e krijuar dhe shfaqur për ekspozitën e finalistëve të Çmimit Artistët e së nesërmes 2024, paraqet një skulpturë gjipsi ku truri dhe zorrët janë të kombinuara në formë rrethore, sikurse dalin nga vetë muri. Skulptura shërben si një paraqitje simbolike e dy forcave themelore, por shpeshherë të kundërta në përvojën njerëzore: intelektit dhe intuitës. Duke u përballur me trurin dhe zorrët – dy organe vitale që formësojnë perceptimin tonë për realitetin – artisti hyn në debatin e vjetër midis intelektit dhe instinktit, arsyes dhe ndjenjës, objektivitetit dhe subjektivitetit.
Artisti shtron pyetje provokuese: “A manifestohet intelekti si mungesë intuite apo është mishërim i gjithçkaje shijuese mes zorrëve dhe mendjes?”. Artisti e përdor këtë koncept për të nxitur reflektim të mëtejshëm duke pyetur se: kur marrim vendime – nëse duhet t’i besojmë dikujt, të ndjekim këshillat apo të ndërmarrim veprime – a veprojmë nga arsyetimi intelektual apo ndjenja intuitive? A mund të konsiderohet racional besimi në diçka të padukshme? Apo vendimet tona shpesh rrjedhin nga ndjenjat e zorrëve përpara se truri ta ketë përpunuar situatën?
Dion Zeqiri është artist dhe dizajner i lindur në Prishtinë. Studimet i ka përfunduar në Universitetin e Prishtinës, dega e dizajnit të enterierit. Gjatë studimeve ka punuar në kompani të dizajnit grafik si hulumtues dhe tekstshkrues i projekteve të ndryshme lokale dhe ndërkombëtare. Praktikat e tij artistike i kanë rrënjët në eksplorimin e kryqëzimit të të dukshmes dhe të padukshmes, me fokus në ndikimin e menjëhershëm të botës së padukshme tek njeriu, trupi dhe aspektet metafizike. Vitet e fundit ai ka qenë i fokusuar në hulumtimin e prezencës së baktereve, si në trupin e njeriut ashtu edhe në kontekstin e konsumimit të ushqimit. Ky hulumtim i ka dhënë atij një perspektivë unike mbi ndërlidhjen e jetës dhe forcave të padukshme që formësojnë ekzistencën tonë.
Ekspozitat kolektive në të cilat ka marrë pjesë në tri vitet e fundit përfshijnë: “Në Përdëllim”, Galeria 17, Prishtinë, Kosovë, 2024; “MQ ARTIST-IN-RESIDENCE”, Vjenë, Austri, 2024; Hulumtim artistik, Autostrada Bienale, Fondacioni Studio Rizoma dhe Qendra Shoqërore POSTANE, Kosovë, Itali, Turqi, 2023; Ekspozita për Ministrinë e Kulturës – Koleksioni shtetëror i veprave të artit, Galeria Kombëtare e Arteve, Kosovë, 2022; “Çmimi Baza”, Galeria Structura, Sofje, Bullgari, 2021. Puna e Dion Zeqirit është shfaqur edhe në ekspozitat personale: “Save me from what I’am”, Muzeu Kombëtar i Kosovës – Lapidarium, Prishtinë, Kosovë, 2022; Ekspozitë personale organizuar në bashkëpunim me Trashëgiminë Kulturore pa Kufij dhe Komunën e Prishtinës, Prishtinë, Kosovë, 2021.
Fituesi/ja i/e Çmimit Artistët e së nesërmes 2024 do të zgjidhet në bazë të portfolios së tyre artistike, veprave të ekspozuara në ekspozitën e finalistëve, arritjeve dhe ekspozitave të mëparshme, potencialit të demonstruar dhe intervistës me jurinë e Çmimit Artistët e së nesërmes 2024.
Fituesi i çmimit do të shpërblehet me një program dy-mujor qëndrimi artistik në Nju Jork, SHBA, me Residency Unlimited, planifikuar për maj/qershor 2025. Po ashtu, fituesi do të ketë mundësinë të realizojë një ekspozitë personale në vitin 2026, si pjesë e programit vjetor të Stacion – Qendra për Art Bashkëkohor Prishtinë.
Çmimi Artistët e së nesërmes është pjesë e programit Young Visual Artists Awards (YVAA), një rrjet çmimesh që mbështet artin bashkëkohor dhe shoqërinë civile në Evropën Qendrore dhe Lindore. I themeluar në vitin 1989 në Çekosllovaki nga presidenti Václav Havel dhe artistë disidentë, ky program ka për qëllim promovimin e artit bashkëkohor. Në vitin 2015, Residency Unlimited (RU) u bë mikpritës i programit në Shtetet e Bashkuara, ndërsa në shtator 2015, Stacion – Qendra për Art Bashkëkohor Prishtinë mori drejtimin e Çmimit Artistët e së Nesërmes në Kosovë, duke nisur ciklin e parë në vitin 2016.
Stacion – Qendra për Art Bashkëkohor Prishtinë synon të përforcojë ndikimin e Çmimit Artistët e së nesërmes dhe të kontribuojë në zhvillimin e gjithmbarshëm të artit bashkëkohor dhe kulturës në shoqërinë në Kosovë. Mbështetësit kryesorë të Çmimit Artistët e së Nesërmes 2024 janë: Trust for Mutual Understanding (TMU), Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Komuna e Prishtinës, x-print dhe DZG. Lista e plotë e donatorëve dhe partnerëve do të shpallet në kohë.
Drejtoria e Kulturës në Komunën e Prishtinës ka njoftuar për hapjen e ekspozitës në kuadër të fushatës ‘16 Ditët e Aktivizmit Kundër Dhunës me Bazë Gjinore, “Ky është një titull i fuqishëm”, shkruan KultPlus.
Ekspozita paraqet veprat e artisteve të njohura Mjellma Goranci Firzi dhe Shqipe Kamberi, së bashku me një performancë nga Agnesë Nokshiqi dhe kori Zanat.
Kjo ngjarje është kuruar nga Vullnet Jakupi dhe do të organizohet në ambientet madhështore të Hamamit të Madh të Prishtinës.
“Kjo ekspozitë sjellë një reflektim të thellë mbi fuqinë transformuese të artit në luftën kundër dhunës gjinore.
Ambienti Historik i Hamamit përforcon mesazhin e fuqishëm që arti mund të jetë një forcë e ndryshimit, duke ndihmuar në ndërprerjen e cikleve të dhunës dhe promovimin e respektit ndërmjet gjinive”, thuhet në njoftimin e Drejtorisë së Kulturës.
Ngjarja mbahet më 4 dhjetor, në ora19:00. /KultPlus.com
Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, sot i ka prezantuar projektet për të cilat MKRS ka investuar për përmirësimin e infrastrukturës kulturore e sportive në Kryeqytet.
Përmes një postimi në rrjetin social në facebook, Ministri Çeku ka thënë se në fokus të punëve të mira MKRS vazhdon ta ketë edhe Prishtinën.
“Kemi investuar me seriozitet në përmirësimin e infrastrukturës kulturore e sportive gjithandej Kosovës. Në fokus të punëve të mira ka qenë dhe vazhdon të jetë edhe kryeqyteti”, ka thënë Ministri Çeku.
Më tej, ministri Çeku i ka renditur punimet që kanë përfunduar ose janë duke u realizuar te objektet:
– Palestra e sportit në Pallatin e Rinisë – Stadiumi “Fadil Vokrri” – Amfiteatri i Pallatit të Rinisë – Salla e ushtrimeve e Ansamblit SHOTA – Agjencia Shtetërore e Arkivave – Rezidenca e Ibrahim Rugovës – Muzeu etnografik – Emingjiku – Galeria e Ministrisë te Qafa – Shtëpia tradicionale e Hynilerëve – Shtëpia tradicionale e familjes Safqi – Shtëpia tradicionale e familjes Sylejmani – Vetfarmi – masat Emergjente – Stadiumi ndihmës në Bërnicë – Teatri Kombëtar i Kosovës – Muzeu Kombëtar i Kosovës
Në procedurë projektimi ose prokurimi
– Galeria Kombëtare e Kosovës – Biblioteka Kombëtare e Kosovës – Salla koncertale (Qendra multi-kulturore) – Atelieja e Pallatit të Rinisë – Salla e kuqe te Pallati i Rinisë – Teatri ODA – Muzeu i Artit Bashkëkohor – Amfiteatri i ri te ish-Rilindja – Muzeu i Burgut të Prishtinës – Shkolla e parë shqipe – Kryqi i kuq – Xhamia e Sudi Efendisë – Palestra e re multi-sportive/ KultPlus.com
Komisioni Parlamentar për Arsim, Shkencë, Teknologji, Inovacion, Kulturë, Rini dhe Sport sot ka miratuar në parim Projektligjin për Lojërat Mesdhetare Prishtina 2030, të prezantuar nga zëvendësministrja e MKRS-së, Daulina Osmani.
MKRS ka thënë se ky projektligj është një hap kyç për të siguruar një organizim të suksesshëm të Kosovës të kësaj ngjarjeje prestigjioze ndërkombëtare. Ai parasheh lehtësira për investime në infrastrukturën sportive, formimin dhe funksionimin e Komitetit Organizativ, mënyrën e financimit dhe përcaktimin e rolit të palëve të përfshira.
Lojërat Mesdhetare 2030 janë ngjarja më e madhe multisportive ndërkombëtare që pritet të realizohen në shtetin tonë./ KultPlus.com
Me rënien e parë të dëborës për stinën e dimrit në vendet malore alpinistët dhe të apasionuarit pas ngjitjeve në mal kanë nisur frekuentimin e tyre.
Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro ndau në rrjetet sociale pamje nga ngjitja e alpinistëve në malin e Gramozit në Kolonjë, ndërsa thekson rëndësinë e shoqërimit të tyre nga udhërrëfyesit e certifikuar nga MTM.
“Dëbora e parë ka sjellë edhe nisjen e aktiviteteve malore, gjithmonë nën shoqërimin e udhërrëfyesve të certifikuar, për të vazhduar një sezon të mbarë turistik dimëror”, shkruan Kumbaro.
Profesioni i udhërrëfyesit, përtej prezantimit të bukurive natyrore e trashëgimive kulturore të vendit, është i rëndësishëm për të ofruar turizëm të sigurt në terrenet me nivele të caktuara vështirësie, ku shoqërimi nga guidat profesioniste është i domosdoshëm.
Mali i Gramozit me liqenin e tij akullnajor, monument natyre në një lartësi prej 2523 m mbi nivelin e detit është një nga atraksionet më të vizituara në Kolonjë.
Reshjet e borës dhe të shiut janë ushqimi kryesor i këtij ujëmbledhësi. Përreth ka bimësi të larmishme natyrore. Monumenti ka vlera shkencore, estetike e turistike.
Të pasionuarit pas lartësive, ngjiten në këto relieve të thyera për të ushtruar sportin e alpinizmit, të ecjeve malore dhe të admirojnë natyrën e rrallë të këtyre majave./ atsh/ KultPlus.com
Ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla-Schëarz, po mban fjalimin e saj para Komitetit për Punë të Jashtme të Parlamentit Europian.
Ajo ka përmendur aktin terrorist të ndodhur të premten me shpërthimin e kanalit të Ibër Lepencit, duke alarmuar se Europa nuk ka shumë kohë për sinjale më të vendosura, transmeton klankosova.tv.
Kryediplomatja u shpreh se Serbia nuk e do Europën por vetëm eurot e Europës.
Derisa në këtë pikë përmendi edhe Putinin.
”Ky nuk është tension etnik. Ata nuk e duan Europën, ata i duan vetëm eurot nga Bashkimi Europian”.
Prizreni ishte destinacioni i radhës i programit “Filharmonia në lëvizje”. Orkestra Frymore e Filharmonisë së Kosovës, nën drejtimin e Dario Salvit, mbajti koncert në Teatrin e Qytetit ‘Bekim Fehmiu’.
Interpretimi i jashtëzakonshëm i veprave të kompozitorëve të huaj e vendor u prit tejet mirë nga publiku.
Koncerti u hap me Illyrian Dances nga Guy Woolfenden. Më pas vazhdoi me interpretimin e The Gael (The Kiss) nga filmi i Fundit i Mohikanëve nga Trevor Jones dhe I Dreamed a Dream nga Claude-Michel Schönberg, me solist saksofonistin Dardan Gjinolli. Në dy pikat e fundit, orkestrës iu bashkua Kori i Meshkujve i Filharmonisë së Kosovës për interpretimin e veprave In a Persian Market dhe In a Monastery Garden nga Albert Ketèlbey. / KultPlus.com
Po kërkoni destinacionin më të mirë për të udhëtuar, me diell dhe plazhe me rërë? Ky vend i vogël i ka të gjitha, përfshirë fluturimet vajtje-ardhje për vetëm 24 paund, është e vështirë t’i thuash jo…, shkruan Christine Younan në një artikull të botuar në të përditshmen britanike “The Mirror”. Ndërsa moti në Britaninë e Madhe është i ftohtë, mendimi për pushimet e ardhshme mund të jetë joshës.
Sigurisht, ne të gjithë po ëndërrojmë për diell dhe rërë – por ajo që mund t’i largojë njerëzit nga udhëtimet janë çmimet e larta. Një faqe e TikTok-ut, e njohur si @travel.cove me mijëra ndjekës, tha se mund të rezervoni pushimet më të mira edhe nëse keni një buxhet të limituar.
Në video, faqja zbulon Shqipërinë si vendin ideal për të udhëtuar – pasi turistët britanikë mund të përfitojnë nga fluturimet vajtje-ardhje për 24 paund dhe nga hotelet që kushtojnë vetëm 32 paund për natë. Por, kjo nuk është e gjitha – pasi shpenzimet atje janë gjithashtu të lira, me 1,90 paund ju mund të konsumoni një krikëll birrë dhe një vakt me vetëm 8 paund.
Sipas “Skycanner” ju mund të bëni fluturime të lira dhe akomodoheni në hotele me çmime të përballueshme. Nëse planifikoni të udhëtoni në dhjetor, fluturimi kushton vetëm 30 paund me hotele me katër yje të disponueshme për 25 paund.
Ndërkohë, ekspertët e udhëtimeve mendojnë se koha më e mirë për të udhëtuar në Shqipëri është nga prilli deri në fillim të qershorit – ku moti është i shkëlqyer për ecje dhe çiklizëm. Por, ju ende mund ta vizitoni midis dhjetorit dhe shkurtit pasi mund t’i shpëtoni turmave të vizitorëve.
Destinacioni më popullor në Shqipëri është Tirana, kryeqyteti i cili njihet për restorantet dhe baret e shumta. Ju do të paguani 2-5 dollarë për një pjatë në një restorant lokal ose tezgë ushqimi në rrugë, ndërsa ngrënia në një restorant i nivelit të mesëm mund të kushtojë midis 5-15 dollarë.
Nëse ju pëlqen një vakt pak më i shijshëm, ai mund të kushtojë më shumë se 20 dollarë. Në përgjithësi, kur bëhet fjalë për pije, kafeja kushton më pak se 1 euro, dhe një krikëll birrë vendase rreth 2 dollarë.
Padyshim që, varet nga vendi ku shkoni – pasi diku tjetër këto mund të jenë edhe më lirë. Vlen të kujtojmë se monedha zyrtare e Shqipërisë është Leku, por shumica e bankave, supermarketeve dhe hoteleve pranojnë karta krediti dhe debiti.
“Albania Tour Guides” sugjeron se vendi nuk është i shtrenjtë për t’u vizituar në krahasim me destinacionet e tjera evropiane.
Shqipëria është një perlë e fshehur e Evropës e cila krenohet me plazhet e bukura dhe malet mbresëlënëse. Shqipëria ka plazhe mahnitëse dhe Saranda është një qytet i bukur bregdetar për t’u vizituar falë afërsisë me Ksamilin, një nga plazhet më të mira të rajonit.
Ndërkohë, Mali i Dajtit është një tjetër vend i mrekullueshëm për adhuruesit e natyrës – i cili ndodhet jashtë Tiranës. Ju mund të udhëtoni me një buxhet të kufizuar dhe të shijoni diellin e nevojshëm.
Në Toronto të Kanadasë u zhvillua Festivali i Librit Shqip.
Festivali u organizua nga shoqata “Alternativa Shqiptaro-Kanadeze për Zhvillim”. Ky festival libri siç shprehen dhe organizatorët ka si synim promovimin e trashëgimisë dhe kulturës letrare të kombit tonë nëpërmjet librit shqip.
Ky projekt është i pari i këtij lloji në fushën e letrave shqipe që organizohet në Toronto, ku ka gjetur entuziazmin dhe mbështetjen e komunitetit shqiptar. Në dy ditë intensive të panairit, u prezantuan 750 tituj librash, nga 81 shtëpi botuese dhe 388 autorë, duke e bërë një projekt unikal në llojin e tij, në të gjithë Amerikën e Veriut.
Anxhela Paparizo, drejtore për Artin dhe Kulturën në bordin drejtues të organizatës, tha se ky festival libri është më tepër se një paradë e letrave shqipe në një vend të huaj.
“Ky është një shans për të zhvilluar më tej letërsinë shqipe në komunitetin shqiptar në Amerikën e Veriut dhe për të mbajtur gjallë dashurinë për gjuhën tonë të bukur shqipe”, u shpreh Paparizo.
Ajo falënderoi më tej gazetarin Enkel Demi, fitues i çmimit të Panairit të librit në Tiranë, për këtë vit për praninë dhe përkrahjen e Festivalit të Librit Shqip në Toronto.
Alternativa Shqiptaro-Kanadeze ka besim se Festivali i Librit Shqip në Kanada do t’i rezistojë kohës dhe nisma e sotme do të kthehet në traditë duke synuar që ky aktivitet të vazhdojë të mbahet për çdo vit me qëllim që të tërheqë vëmendjen e të gjithë komunitetit shqiptar jo vetëm në Toronto e Kanada por në tërë Amerikën e Veriut e më gjerë./atsh/KultPlus.com
Në nderim të intelektualit të madh, studiuesit dhe shkrimtarit të Kosovës, dr. Ibrahim Rugova, Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë përkujtoi sot 80-vjetorin e lindjes së “arkitektit politik” të Kosovës, nëpërmjet një ekspozite.
Kjo ekspozitë përcjell një panoramë mbi punën studimore të Ibrahim Rugovës, pasuri e cila vijon të jetë kontribut i çmuar në letërsinë dhe bibliografinë shqiptare. Çështja e Kosovës ka qenë një nga objektet kryesore të veprimtarisë së tij politike e shprehur në titujt: “Çështja e Kosovës: biseda me Marie-Françoise Allan dhe Xavier Galmiche”, “Pavarësia dhe demokracia: intervista dhe artikuj”.
Gjithashtu, nuk mungojnë artikuj të shkëputur nga organe, si:“Rilindja”, “Nëntori” etj. Ekspozita do të qëndrojë e hapur për publikun në Hollin kryesor të BKSH-së përgjatë gjithë kësaj jave./atsh/KultPlus.com
Balerini dhe koreografi i njohur shqiptar Eno Peçi është figura e edicionit të sivetmë të mbrëmjes artistike “Ta zbardhi ftyrën”, mbrëmje kjo që organizohet nga gazeta online për art dhe kulturë “KultPlus.
“Ta zbardhi ftyrën” këtë vit do të shënojë edicionin e shtatë, dhe ky edicion do të ketë emocione skenike me balerinin shqiptar Eno Peçin, balerin që shkëlqen nëpër shumë skena të mëdha të teatrove prestigjioze, duke u prezantuar edhe si balerin por edhe si koreograf shumë i suksesshëm.
Mbrëmja e veçantë e “Ta Zbardhi Ftyrën” që ka për qëllim prurjen e artistëve shqiptarë nga vende të ndryshme të botës, përpos bashkëbisedimit audienca do të ketë rast që për së afërmi të përjetojë edhe magjinë skenike të këtyre artistëve, e që këtë vit do të kenë rastin të dëgjojnë rrëfimin e balerinit Eno Peçit, por që të shijojnë edhe performancën e tij të jashtëzakonshme.
Ardianë Pajaziti, drejtoreshë e KultPlus dhe organizatore e kësaj mbrëmje të madhe artistike është shprehur të jetë e lumtur që për gjithë këto vite janë prezantuar emra kaq të mëdhenj nga skena të mëdha botërore, e që nëpër vite, protagonistë të këtyre mbrëmjeve kanë qenë: Sislej Xhafa, Imer Kutllovci, Flaka Goranci, Erza Muqolli, Gjon’s Tears, Gëzim Myshketa dhe Elbenita Kajtazi.
“Eno Peçi vetëm sa po e vulos edhe më tutje rëndësinë e kësaj mbrëmje artistike, e që nëpër vite ka pas figura dhe profile shumë të rëndësishme, që janë inspirim për shumë artistë të rinj, që nëpërmjet kësaj mbrëmje mund të marrin edhe shkëndijat skenike”, ka thënë Pajaziti.
Ajo është shprehë tejet e vlerësuar që bashkë me ekipin e KultPlus po sjellin artistë të këtij kalibri, gjithnjë duke pas parasysh agjendat e tyre të stërmbushura.
Eno Peçi është balerin në Operën Shtetërore të Vjenës dhe është balerini i parë shqiptar që ka performuar në koncertin e përvitshëm të Filharmonisë së Vjenës që prezantohet më 1 janar. Është i dekoruar me Dekoratat: “Kalorës i urdhrit të Skënderbeut“, dekoratë që i është dhënë nga presidenca e Shqipërisë dhe “Kurora e Nderit të Austrisë për Shkencë dhe Art”, titull që i është ndarë në vitin 2019.
“Ta Zbardhi Ftyrën” do të mbahet në dhjetor të këtij viti, përkatësisht më 7 dhjetor.
Edicioni i sivjetmë i “Ta Zbardhi Ftyrën” mbështetet nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Radio Telvizioni Publik i Kosovës dhe Ujë Rugove./ KultPlus.com
Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit Mirela Kumbaro, mbajti fjalën e saj përshëndetëse në Senatin Francez në aktivitetin “Apolonia e Ilirisë, 100 vite kërkime arkeologjike franko-shqiptare”, me pjesëmarrjen e zëvendëspresidentit të Senatit Pierre Ouzoulias.
Në ligjëratën e saj, ministrja Kumbaro përmendi historinë e krijimit dhe figurat më të shquara që çuan përpara këtë mision.
“Jam shumë e nderuar të marr pjesë në këtë seminar dedikuar 100-vjetorit të misionit arkeologjik franko-shqiptar të Apolonisë në Shqipëri. Arkeologjia franceze në Shqipëri, (mund ta quajmë madje arkeologjia franko-shqiptare), është e vjetër, me vëzhgimet, kërkimet dhe gërmimet e para, që mund t’i quaj para-shkencore dhe shpesh të ushqyera nga romantizmi historik i pasionuar, të udhëtarëve dhe konsujve francezë në Shqipëri dhe Epir gjatë shekullit XIX. Ajo pati fillimet e saj të vërteta institucionale pas Luftës së Madhe, falë vullnetit të Justin Godart, ministër, deputet, senator, kryetar i qytetit të Lionit dhe pasionuar pas historisë dhe kulturës, duke vazhduar me aventurën e jashtëzakonshme të arkeologut Léon Rey, i cili kaloi më shumë se 17 vjet të jetës së tij për të krijuar dhe zhvilluar misionin e parë shkencor të vërtetë në Shqipëri”, theksoi Kumbaro.
Ministrja Kumbaro u shpreh se “kjo punë u pasua më tej nga kërkues francezë, shqiptarë të formuar në Francë ose frankofonë, për të arritur kulme me punën dhe angazhimin e profesorit të shquar Pierre Cabanes, vazhdues i misionit me kolegun e tij të shkëlqyer shqiptar, profesorin Neritan Ceka, dhe ish-drejtor i misionit arkeologjik franko-shqiptar të Apollonisë, autor i një Corpus monumental të shkrimeve të Ilirisë Jugore dhe Epirit, si dhe i veprave dhe artikujve shkencorë. Dëshiroj gjithashtu të përshëndes punën që bëjnë edhe personalitete të tjera në kuadër të këtij bashkëpunimi mes Shqipërisë dhe Francës në fushën e arkeologjisë”.
“Disa prej tyre janë midis nesh këtë mëngjes, Etleva Nallbani ose Saimir Shpuza, të cilët dua t’i uroj dhe falënderoj veçanërisht për angazhimin e tyre. Apollonia, është ky vend ku, falë kontributit të çmuar të paraardhësve të francezëve të pranishëm në publik, ndodhet sot një nga thesaret e kulturës mesdhetare antike, të cilin e vizitojnë çdo vit mijëra francezë, pasardhësit e pionierëve të parë, duke forcuar edhe më shumë lidhjen mes popujve tanë”, tha Kumbaro.
Gjatë fjalimit të saj, ministrja Kumbaro përmendi rolin e Shqipërisë si një pikëtakim kulturash mes lindjes dhe perëndimit, prej nga ka trashëguar shumë site të mbrojtura nga UNESCO, siç është edhe qyteti i Gjirokastrës, që francezët e kanë njohur përmes shkrimtarit Ismail Kadare, për të cilin Franca ishte shtëpia e tij e dytë.
“Shqipëria, një pikëtakim i kulturave po aq sa një urë lidhëse mes lindjes dhe perëndimit, mes Mesdheut dhe pjesës qëndrore të Ballkanit. Një vend ku në pak distancë mund të gjesh qytetet trashëgimi të UNESCO-s me arkitekturë otomane siç është për shembull Gjirokastra, vendlindja e shkrimtarit tonë të madh Ismail Kadare, dhe ma lejoni këtë mungesë modestie sepse është edhe vendi prej nga vij unë, por që Ismail Kadare e gjeti më pas shtëpinë e tij të dytë këtu në Francë dhe e përshkruante Gjirokastrën si “një qytet të pjerrët, ndoshta më i pjerrëti në botë”. Botë që i kishte thyer të gjitha ligjet e arkitekturës – dhe kjo ishte bota shqiptare e Gjirokastrës – të gjitha ligjet arkitekturore dhe urbanistike. Është ende aty. Një vend mikpritjeje. Është vendi i fëmijërisë së tij, ku shumë gjëra ishin të pabesueshme dhe shumë gjëra ishin si në ëndrra. Në fakt, këto janë realitetet që ju ftoj të vizitoni”, u shpreh Kumbaro.
Më tej, ministrja Kumbaro foli për zhvillimin turistik të Shqipërisë dhe përvojat origjinale që po joshin gjithnjë e më shumë vizitorë francezë në vendin tonë.
“Shqipëria sot po përjeton një rritje të jashtëzakonshme ose një bum turizmi. Dhe jo vetëm për bregdetin e rërës së Adriatikut dhe plazhet shkëmbore plot me shpellat misterioze të detit Jon. Filozofia që përkufizon Shqipërinë si një “destinacion unik” do të thotë të lidhesh miqësisht me banorët e këtij vendi, të cilët të ftojnë menjëherë të bëhesh pjesë e botës së tyre. Është të ndash me ta përvoja origjinale. Të shohësh në perspektivën e një dielli portokalli të zhytur në detet Jon dhe Adriatik mbi 450 kilometra bregdeti, i cili magjeps me relievet dhe shpellat e tij në jug dhe me plazhet e gjata rërë që mirëpresin mijëra pushues ose hapin skenat e festivaleve të verës. Kjo është arsyeja pse slogani ynë është “Albania All Senses” si një ftesë për të shijuar Shqipërinë në të gjitha shijet e saj”, përfundoi ministrja Kumbaro.
Në dhjetë muajt e këtij viti, më shumë se 200,000 francezë vizituan Shqipërinë, ose 75% më shumë se vitin e kaluar. Gjatë tetorit, drejtuesit e unionit francez “Les Entreprises du Voyage” mbajtën në Tiranë konventën e tyre të radhës, si një destinacion me rritje të shpejtë për vizitorët francezë./atsh/KultPlus.com