‘Perla e fshehur e Ballkanit’, Le Figaro rendit Shqipërinë në top 5 destinacionet kulturore botërore

Shqipëria po shfaqet me ritëm të shpejtë si një nga destinacionet më premtuese të turizmit ndërkombëtar, duke tërhequr vëmendjen për autenticitetin kulturor, natyrën e paprekur dhe përvojat unike që ofron. Sipas një artikulli të fundit të Le Figaro-s, Shqipëria konsiderohet një “perlë e fshehur” në Ballkan, që kombinon trashëgiminë historike, diversitetin natyror dhe një identitet autentik që mungon në shumë destinacione të mbingarkuara turistike.

“Një udhëtim në Shqipëri është si një kalim nëpër kohë përmes gjurmëve ilire, greke dhe osmane,” shkruhet në këtë artikull, i cili rekomandon vizita në qytete si Tiranë, Gjirokastër, Berat dhe Butrint, zona të pasura me trashëgimi kulturore dhe të njohura nga UNESCO-ja, transmeton KultPlus.

Por ajo që e veçon vërtet Shqipërinë, sipas Le Figaro-s, nuk janë vetëm monumentet, por edhe mikpritja e popullit, traditat kulturore të gjalla dhe kuzhina e pasur me shije autentike. Artikulli sugjeron që udhëtarët të shijojnë byrekë krokantë, të dëgjojnë polifoninë shqiptare të njohur nga UNESCO dhe të eksplorojnë tregjet e gjalla ku përzihen aroma mesdhetare dhe ndikimet orientale.

Ky vlerësim i Le Figaro-s vjen në një kohë kur Shqipëria e ka forcuar pozicionin në vëmendjen ndërkombëtare për turizëm kulturor. Vlerësimi mbështetet në një prani gjithnjë e më të madhe të Shqipërisë në mediat ndërkombëtare: nga historitë për plazhe me ujë kristal, peizazhe dhe kostot e përballueshme, deri te qytetet historike si Berat dhe Gjirokastër dhe atraksione natyrore si Alpet shqiptare, lumi Vjosa dhe kanionet. Mikpritja dhe kultura lokale lulëzojnë në çdo cep, duke e pozicionuar Shqipërinë si një zgjedhje ideale për udhëtarët që kërkojnë autenticitet dhe liri për t’u zhytur në një eksperiencë kulturore të vërtetë./KultPlus.com

Vlora Konushevci sjell librin “Martesat, valixhet dhe ngarkesat e tjera”, promovimi më 12 gusht 

Shkrimtarja Vlora Konushevci ka sjell librin e saj të fundit “Martesat, valixhet dhe ngarkesat e tjera”, libër që vjen i botuar nga Shtëpia Botuese “Onufri”, e që promovimin do ta ketë më 12 gusht, shkruan KultPlus. 

Promovimi i këtij libri do të mbahet në ora 12:00 në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës, 

Libri sjell tregime të shkurtra për mbijetesën mes absurditetit dhe përditshmërisë./ KultPlus.com 

Maska

Poezi nga Willam Butler Yeats

“Hiqe atë maskë me ar të shkrirë

Me sy smerald!”

“Oh jo, i dashur, ti do të bëje mirë ta gjeje

a është zemra e urtë e zjarrt’

dhe ende e pangrirë.”

“Do ta zbuloj çka pas saj ndryhet,

Dashuri a mashtrim.”

“Qe maska ajo q’e bëri mendjen të t’mpihet

Dhe t’rrahurave t’zemrës dha kumbim,

Jo ajo çka pas saj fshihet.”

“Po se mos jemi armiq ne dy,

Këtë m’duhet vesh ta marr.”

“Oh jo, i dashur, lëri ato tani,

Ç’na duhen kur ka kaq zjarr

Në mua dhe në ty?”

Përktheu Ag Apolloni/KultPlus.com

Shkodra bëhet gati për magjinë e “Dua Fest”, muzikë, histori dhe emocione pranë mureve të Rozafës

Shkodra po përgatitet të mirëpresë një nga ngjarjet më të veçanta kulturore të verës, “Dua Fest”, një festival që premton të ndezë qytetin me muzikë, energji dhe art të vërtetë.

Në datat 8 dhe 9 gusht, nën hijen e mureve të lashta të Kalasë së Rozafës, do të ngrihet skena që do të mbledhë disa nga emrat më të dashur dhe të suksesshëm të muzikës shqiptare. Shkodra Elektronike, Aleksandër Gjoka, Alban Skënderaj dhe shumë artistë të tjerë do të sjellin performanca që nuk do të harrohen lehtë.

“Dua Fest po vjen për të ndezur qytetin. Emrat më të mëdhenj të muzikës, performanca elektrizuese dhe energji që nuk harrohen,” – premtojnë organizatorët.

Festivali është konceptuar si një bashkim mes muzikës moderne dhe shpirtit historik të qytetit. Emocione, ritme dhe ndjenja do të gërshetohen në një atmosferë unike që vetëm Shkodra di të ofrojë.

Në skenën e “Dua Fest” do të ngjiten gjithashtu: DJ Hermes, DJ Irgen, Eri Dee, Grupi Burn, Hektor Jubani.

“Dua Fest” nuk është thjesht një koncert, është një përvojë për të gjithë ndjeshmëritë, një takim mes së vjetrës dhe së resë, mes historisë dhe të tashmes, ku muzika bëhet gjuhë e përbashkët e brezave./KultPlus.com

Kalaja e Palokastrës, një dëshmi e rëndësishme e trashëgimisë historike

Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore në Gjirokastër ka ndarë së fundmi pamje të veçanta nga Kalaja e Palokastrës, një monument kulture i kategorisë I, i vendosur në fshatin Palokastër, në qarkun e Gjirokastrës, brenda Njësisë Administrative “Cepo”.

Kjo kështjellë ndodhet në një terren të sheshtë, pikërisht aty ku bashkohen lumi Drinos dhe Belica, degë e lumit të Kardhiqit. Sipas studimeve arkeologjike, ndërtimi i saj daton në periudhën e shekujve IV-VI.

Kështjella ka një formë trapezore të rregullt, me një sipërfaqe prej 0.915 hektarësh. Baza e saj përshkon 113.5 metra, ndërsa brinjët anësore masin 92.5 metra dhe ajo e sipërme 90.5 metra. Struktura mbrojtëse përforcohet nga 14 kulla: katrore në anët lindore, në formë patkoi në pjesën veriperëndimore dhe rrethore në juglindje.

Sipas analizave të bëra mbi strukturat e mureve, kullave dhe hyrjeve, janë identifikuar tri faza ndërtimi të kështjellës. Gjatë gërmimeve arkeologjike në bazilikën e zbuluar brenda saj, nën dysheme janë gjetur gjurmë të mureve dhe kapanoneve që dikur shërbenin si strehim për ushtarët.

Këto ambiente kanë një gjerësi prej rreth 11 metrash dhe janë ndarë gjatësisht në dy pjesë, të cilat më pas ndaheshin në dhoma më të vogla me përmasa 5×5 metra. Ato komunikonin përmes rrugëve të vendosura në lindje dhe perëndim. Përveç kapanoneve, brenda kalasë është zbuluar një bazilikë, ndërsa jashtë saj një kishë me një nef.

Hyrja kryesore e fortifikuar me dy kulla ndodhet në pjesën perëndimore të kalasë. Gjithashtu, janë identifikuar edhe dy hyrje të vogla sekondare, një në anën lindore dhe një tjetër në atë veriore, të cilat shërbenin për lëvizje më të shpejtë dhe komunikim të drejtpërdrejtë me pjesët përreth.

Gërmimet kanë zbuluar gjithsej 18 varre. Nga gjurmët e ruajtura, duket se ambientet brenda kullave ishin shtruar me pllaka guri dhe kishin ndarje të brendshme me dysheme druri që shërbenin si kate të sipërme. Brenda tyre ndodheshin shkallë që lidhnin katet, ndërsa mungesa e rampave guri sugjeron se ato kanë qenë prej druri./KultPlus.com

Besohet se ky është njeriu nga i cili u frymëzua autori kur e krijoi personazhin e Shrek-ut

Maurice Tillet, i njohur më mirë si Engjëlli Francez, ishte një legjendë e mundjes në vitet 1940. I lindur në Rusi në vitin 1903, Tillet zhvilloi akromegali, një sëmundje e rrallë që zmadhoi kockat e tij, duke i dhënë tipare të fuqishme dhe të veçanta, ato që më vonë e bënë ikonë të ringut të mundjes.

Por pas kësaj pamjeje të fuqishme fshihej një njeri i qetë dhe i zgjuar. Tillet fliste disa gjuhë, kishte studiuar jurisprudencë dhe letërsi, dhe ishte i njohur për natyrën e tij të matur jashtë ringut.

Shumë fansa besojnë se Tillet ishte frymëzimi real për Shrek-un, një teori që nuk është konfirmuar kurrë zyrtarisht, por që bëhet e vështirë për t’u mohuar sapo të shohësh ngjashmërinë./KultPlus.com

Mozaikët e Parkut Kombëtar të Butrintit

Parku Kombëtar i Butrintit publikoi në rrjetet sociale pamje nga Mozaiku i Pagëzimores. Publikimi i i pamjes së mozaikut, i cili mbart një rëndësi të veçantë historike dhe kulturore vjen në kuadër të rubrikës “Të njohim Butrintin”.

Mozaiku i Pagëzimores së Butrintit është më i madhi dhe më i ruajturi nga mozaikët e çdo pagëzimoreje tjetër të botës romake. Ai ishte kompozuar në mënyrë që të jepte mesazhe të qarta të shpëtimit dhe jetës së amëshuar për ata që vendosnin të pagëzoheshin.

Përreth dy rrathëve koncentrikë prej tetë kolonash, shtatë unaza mozaiku rrethonin kryqin qendror, duke riformuar edhe një herë numrin tetë.

Ky numër në fillimet e krishtërimit simbolizonte pagëzimin, krijimin dhe shpëtimin.

Muajin e kaluar, specialistët e Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore njoftuan për hapjen dhe ruajtjen e dy mozaikëve: mozaiku i termeve romake pranë teatrit dhe mozaiku i galerisë në oborrin verior të gjimnazit. Këta mozaikë të rrallë qëndrojnë të hapur për publikun nga 22 korriku deri më 15 gusht./atsh/KultPlus.com

‘7 Gushti, ‘Djegaguri’ a ‘Aligjyni’ asht dita kur dielli kallet e toka qet zjerm’

Shkruan Nexha Gjema

Sot kemi mrri n’Mjedisin e Verës, n’7 Gushtin, ditën qi pleqtë e kanë thirrë: Djegagur ose Aligjyn.

“Kujdes nesër, mos rrini n’diell se kalleni!”-Kshtu moti na thojshin pleqtë, e s’kanë folë kot.

7 Gushti, “Djegaguri” a “Aligjyni”, nuk asht veç ditë e nxehtë. Asht dita kur dielli kallet e toka qet zjerm. Thojshin qi për këtë ditë kanë pasë rregulla t’shejta.

Qe do shprehje që janë ruejtë prej pleqve:

“Mos dil ditën e Aligjynit se t’vret dilli”

“As ujë mos pi n’Aligjyn se t’zen”

“As bari nuk rritet n’Aligjyn”

“Në Aligjyn del zjermi prej dheut”

“As hije s’gjan n’Aligjyn”

“Mos dil n’djegagur se t’shkon shpirti”

“Kallet toka, thahet bari, pëlcet miza n’ajër”

E çka nuk ban me ba sot:

Mos rri n’djell gjatë se t’kallë, t’mpinë, e t’rraskapit.

Mos laj tesha, se besohej se t’biejn smujat.

Mos merr rrugë t’gata.

Mos i le gjajën (kafshet) n’djell po maji n’hije, e jepu ujë.

Mos e puno tokën , se toka s’e duron dorën n’kitë ditë.

Mos e therr nojë kafshë.

Mos u laj n’ujë të ftoftë se t’zen.

Po çka ban me ba pra?

Rri n’hije e pusho. Sot asht ditë pushimi.

Laji duert e fytyrën me ujë t’pastër para se me lindë dielli.

Pije naj çaj me barishte t’egra: Mente, çaj mali, kamomil ose ujë me uthull molle për freski.

Ndize nji qiri e lutu për shi, për freski, për shnet.

Shikoj yjet natën. Besohej se qesin shkëndija n’qiell e secila shkëndijë asht nji dëshirë që munet me tu realizu.

Thojshin pleqtë:

“N’Aligjyn s’ban me fol me za të naltë se gjumi i natyrës asht i shenjtë.”

Aligjyni nuk asht veç nji datë – asht nji shenjë. Nji kujtesë e lashtë që t’thotë: Nalu. Rri. Pusho. Neroe natyrën.

E kur natyra vetë t’kërkon me u nal, njeri i mençëm e nigon./KultPlus.com

Dua Lipa: Ejani me mua, prapa skenave të festivalit  “Sunny Hill”

Ylli shqiptar me famë botërore, Dua Lipa, ka publikuar së fundmi një video ekskluzive në platformën e saj Service95, ku sjell momente të veçanta nga prapaskenat e edicionit të sivjetshëm të Sunny Hill Festival 2025, i mbajtur në Prishtinë.

Në këtë rrëfim vizual, ajo flet me emocion për rikthimin në vendlindje dhe për përgatitjet intensive që kanë paraprirë natën e parë të festivalit, ku ajo performoi para publikut vendas në një atmosferë magjike. E rrethuar nga familja dhe ekipi i saj, Dua ndan një histori personale që fillon nga koncerti i saj i parë në Prishtinë, në vitin 2016, deri te zhvillimi i një festivali me përmasa ndërkombëtare.

“Koncerti im i parë në Prishtinë ishte në vitin 2016. Po bëja një turne në Europë dhe mendova: nëse po performoj nëpër kontinent, patjetër duhet të kthehem edhe në shtëpi dhe të jap një koncert,” rrëfen ajo në video. “Me ndihmën e babait tim, e organizuam si një koncert bamirësie për Fondacionin Sunny Hill.”

Ajo thekson se suksesi i atij eventi u kthye në shtysë për të krijuar diçka më të madhe, një festival që sot sjell në Kosovë emra të njohur të muzikës botërore dhe artistë nga mbarë rajoni.

“Ishte një ide shumë e madhe, madje paksa frikësuese, por e ndërtuam me familjen. Donim të sillnim një imazh ndryshe për Kosovën, më pozitiv, plot jetë, kulturë dhe energji të reja.”

Videoja përfshin momente intime përpara se ajo të ngjitej në skenë: ngrohjet vokale, përgatitjet me grupin dhe atmosferën elektrizuese pas kuintave. Një nga pjesët më prekëse është kur ajo tregon për një mysafir shumë të veçantë atë mbrëmje:

“Sonte do të këndoj një këngë në shqip, dhe do të kem në skenë babain tim. Ai është frymëzimi im më i madh.”

Për Duan, ky rikthim në Prishtinë është më shumë se një koncert, është një kthim në rrënjë, një “homecoming” emocional, ku ndan skenën me babanë e saj, Dukagjin Lipa, një ish-muzikant dhe një nga figurat kyçe në organizimin e festivalit.

Në fund të videos, ajo shpreh mirënjohjen për gjithçka që është arritur deri tani, me shpresën që Sunny Hill të vazhdojë të rritet dhe të bëhet një pikë referimi kulturore për rajonin.

“Ka gjithmonë një energji të veçantë në Kosovë gjatë verës. Tani është edhe më shumë. Dhe unë e dua këtë, sidomos kur jam pjesë e saj me familjen time.”/Service95/KultPlus.com

Presidentja Osmani publikon letrën e plotë që pranoi nga Donald Trump

Presidentja e Republikës së Kosovës ka shprehur falënderimin e saj të sinqertë ndaj Donald J. Trump për përkrahjen e vazhdueshme dhe për fjalët e fuqishme që ai ka dhënë në mbështetje të partneritetit mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duke publikuar kështu edhe letrën e plotë që pranoi nga Trump, i cili ndër të tjera i drejtohet Osmanit me “mike e vërtetë e Shteteve të Bashkuara”.

Në falënderimin që publikoi në llogarinë e saj në Facebook, Vjosa Osmani, theksoi edhe rëndësinë jetike të marrëdhënieve me SHBA-të, duke e quajtur aleancën me Uashingtonin një shtyllë kyçe për paqen, zhvillimin dhe sigurinë në rajon. Presidentja ritheksoi përkushtimin e saj për të forcuar më tej këtë partneritet strategjik:

“Mbetem e përkushtuar të punojmë së bashku me Presidentin Trump për ta thelluar edhe më tej aleancën tonë në vitet që vijnë.”

Ky falënderim mirënjohjeje dhe publikimi i letrës së Trump, vijnë në një kohë kur bashkëpunimi mes Kosovës dhe SHBA-ve mbetet më i rëndësishëm se kurrë, si në fushën e sigurisë, ashtu edhe në atë të zhvillimit ekonomik dhe integrimit ndërkombëtar të vendit.

Mbështetja e vazhdueshme e Shteteve të Bashkuara, veçanërisht nga figura të larta politike si Donald Trump, konsiderohet si një element kyç në avancimin e interesave të Kosovës në skenën globale./KultPlus.com

9 vite krenarie, triumfi historik i Majlinda Kelmendit

Sot bëhen plot 9 vite nga dita kur Majlinda Kelmendi shkroi historinë dhe e ngriti Kosovën në majat e botës. Më 7 gusht 2016, në Lojërat Olimpike të Rio de Janeiros, ajo u bë sportistja e parë që fitoi një medalje të artë për Kosovën, duke hyrë përgjithmonë në zemrat e një kombi të tërë.

Në një arenë ndërkombëtare ku konkurrenca është e pamëshirshme, Majlinda doli mbi të gjithë, e pathyeshme, e vendosur dhe krenare. Kur ajo u ngjit në podiumin më të lartë dhe flamuri i Kosovës u ngrit për herë të parë në Olimpiadë, e gjithë bota dëgjoi për Kosovën, për një shtet të ri, por me shpirt të madh, transmeton KultPlus.

Ajo medalje nuk ishte vetëm e artë, ishte simbol i sakrificës, i përkushtimit dhe i guximit, jo vetëm për Majlindën, por për të gjithë shqiptarët, kudo që janë.

Majlinda Kelmendi nuk ishte vetëm kampione, ajo u bë ikonë. Heroina që me duart e saj solli lot gëzimi, shpresë dhe krenari për një popull që e kishte ëndërruar këtë moment për dekada me radhë./KultPlus.com

Ed Sheeran befasoi fansat me një performancë në një pub irlandez gjatë festivalit Fleadh Cheoil në Wexford

Këngëtari dhe kantautori i njohur Ed Sheeran ka befasuar fansat të martën në mbrëmje duke interpretuar këngë të tij origjinale dhe melodi tradicionale irlandeze në pubin “The Sky and The Ground” në qytetin Wexford, si pjesë e festivalit të muzikës dhe arteve, Fleadh Cheoil na hÉireann.

Sheeran performoi përkrah grupeve irlandeze Amble, BIIRD, Beoga dhe Aaron Rowe, në një atmosferë intime por energjike, duke sjellë tingujt e muzikës tradicionale për një publik të zjarrtë. Për ata që nuk arritën të futen në pub, Sheeran u siguroi një performancë të jashtëzakonshme akustike jashtë lokalit me hitin e tij “Perfect”.

I rritur në Suffolk, Angli, babai i Sheeran është nga Belfasti. Në qershor, ai deklaroi publikisht se identifikohet kulturalisht si irlandez. Sipas Eamon Murray, anëtar i grupit Beoga, Sheeran “e do shumë atë ndjesinë e improvizuar të një sesioni tradicional” dhe ka një lidhje të thellë me trashëgiminë e tij irlandeze:

“Të dyja palët e gjyshërve të tij janë irlandezë, kështu që sa herë që bëjmë diçka me të, ai dëshiron që gjithçka të ketë një theks të fortë irlandez.”

Beoga, që vjen kryesisht nga County Antrim, kanë bashkëpunuar shpesh me Sheeran, përfshirë këtu edhe në suksesin ndërkombëtar “Galway Girl” më 2017. Murray kujton përvojën në Wexford si një nga më emocionueset:

“Kemi qenë në Coachella me Ed dhe në vende të tjera, por nata e djeshme ishte më e rrëmujshme sepse ishte në një bar publik… por janë gjithmonë të këndshme.”

Mbrëmja përfshiu gjithashtu bashkëpunime me grupin BIIRD, ku ata interpretuan së bashku këngën tradicionale “Wild Mountain Thyme”. Publiku këndoi me entuziazëm, ndërsa Sheeran luante kitarën, i shoqëruar nga violinë dhe bodhrán, një daulle tradicionale irlandeze.

Në vazhdim, Aaron Rowe, Amble, BIIRD dhe Sheeran kënduan “Raglan Road”, një poezi nga Patrick Kavanagh, e bërë e njohur nga The Dubliners. Muzika tradicionale vazhdoi me një interpretim emocionues të këngës “The Parting Glass”, një këngë me origjinë skoceze e njohur në Irlandë që nga botimi në librin Irish Street Ballads në vitin 1939.

Fleadh Cheoil është festivali më i madh në botë i muzikës tradicionale irlandeze, i cili mbahet çdo gusht dhe tërheq qindra mijëra vizitorë. Është organizuar për herë të parë në vitin 1951 nga Comhaltas Ceoltóirí Éireann, shoqata e muzikantëve tradicionalë irlandezë.

Në vitin 2026, Fleadh-i do të mbahet në Belfast, një ngjarje e rëndësishme për qytetin dhe për historinë muzikore të Irlandës.

“Fakti që po vjen në Belfast është i pabesueshëm,” tha Murray. “Është një moment i rëndësishëm për historinë e ishullit dhe për historinë e muzikës irlandeze. Ka lidhje të shkëlqyera me artin dhe kulturën. Mendoj se do të lulëzojë atje.”/BBC/KultPlus.com

RTK-ja finaliste në garën prestigjioze ndërkombëtare “Japan Prize 2025”

Radiotelevizioni i Kosovës është përzgjedhur në finalen e madhe të njërës prej garave më prestigjioze ndërkombëtare në fushën e prodhimeve audiovizuale edukative “Japan Prize 2025”.

Lajmin e ka bërë të ditur drejtori i televizionit në RTK, Rilind Gërvalla, përmes një postimi në rrjetet sociale.

“Jam i lumtur t’ua kumtoj lajmin se RTK është përzgjedhur në finalen e madhe të Çmimit Japonez ‘Japan Prize 2025’. Projekt-propozimi i përzgjedhur ka të bëjë me futbollin e vajzave dhe rrëfimet e futbollisteve vendore, ëndrrat dhe synimet e tyre drejt kampionateve”, ka shkruar Gërvalla, teksa ka falënderuar ekipin realizues Aleksandra T. Jovanovic, Gjergj Anton Filipaj, Dardan A. Berisha, Ersin Samli dhe Asako Matsushima Kubota për punën e palodhshme.

Ndërkohë, sipas njoftimit zyrtar në faqen e “Japan Prize”, edicioni i këtij viti ka pranuar 373 aplikime për vepra audiovizuale dhe projekt-propozime nga 58 shtete dhe rajone të botës. Fituesit e çmimeve do të shpallen më 25 shtator, ndërsa ceremonia përmbyllëse e ndarjes së çmimeve do të mbahet më 20 nëntor në Tokio, gjatë “Japan Prize Festival Week”./rtk/KultPlus.com

Dy gra të reja nga Kosova shpërblehen me çmime të rëndësishme në fushën e sigurisë kibernetike

Dy gra të reja nga Kosova kanë arritur të shpërfaqin talentin dhe aftësitë e tyre në skenën ndërkombëtare të teknologjisë, duke fituar çmime prestigjioze në fushën e sigurisë kibernetike.

Dredhza Braina, një 22-vjeçare nga Prishtina, ka fituar çmimin Global Cybersecurity Woman of the Year në kategorinë “Barrier Breaker”. Ajo ka ndarë emocionet e saj në një postim në Facebook, ku shprehu mirënjohje për të gjithë ata që e kanë mbështetur gjatë këtij rrugëtimi.

“Po po, vendi i parë në botë, për mua, për ne, e për Kosovën! Fituese e çmimit Global Cybersecurity Woman of the Year në kategorinë ‘Barrier Breaker’. Jam pafundësisht mirënjohëse për të gjithë ata që më kanë mbështetur gjatë këtij rrugëtimi, familja ime, miqtë, komuniteti dhe dashamirët, ju faleminderit nga zemra! Ky çmim nuk është vetëm për mua, është për të gjithë ata që janë përballur me sfida, por nuk janë ndalur, kanë thyer heshtjen dhe kanë thyer barrierat”, ka shkruar Braina. Ajo ka shprehur gjithashtu falënderime për ekipin e Cybersecurity Woman of the Year, sidomos për Carmen Marsh, që krijoi këtë platformë për të fuqizuar gratë në sigurinë kibernetike.

“Faleminderit jurisë Cristina Dolan, Victoria Beckman, Bianca Lins, Darren Argyle, Jessica Robinson, Helen Oakley dhe shumë të tjerëve, për besimin që më dhatë! Urime të gjitha fitueseve nëpër secilën kategori, është një nder i madh të jem mes jush! Këtë çmim e trofe e fitova me emrin tim, por do e mbaj për të gjithë bashkëkombësit e mi. Ky s’është fundi i rrugës, është vetëm hapi i radhës. Nuk do ndalemi këtu”, tha ajo.

Po ashtu, një tjetër kosovare, Luanda Domi, fitoi çmimin Cybersecurity Woman of the Year 2025 në kategorinë Supporter. Ajo ka shprehur emocionet e saj për këtë arritje në një postim në Facebook, ku ndau falënderime për të gjithë ata që e kanë votuar.

“Jam ende e emocionuar dhe thellësisht mirënjohëse që fitova çmimin Cybersecurity Woman of the Year 2025 – kategoria Supporter, i ndarë në Las Vegas me 3 Gusht mes grave dhe mbështetësve të jashtëzakonshëm në fushën e sigurisë kibernetike”, ka shkruar ajo.

Ajo ka falënderuar gjithashtu familjen e saj dhe të gjithë ata që e kanë mbështetur në këtë rrugëtim.

“Faleminderit nga zemra familjes sime, të gjithë atyre që votuan për mua dhe të gjithë atyre që më kanë përkrahur në këtë rrugëtim. Mbështetja juaj ka pasur domethënie të jashtëzakonshme për mua. Jam krenare që do ta sjell këtë çmim në Kosovë dhe shpresoj që të jetë një kujtesë e vogël për çdo vajzë të re: zëri yt ka vend në sigurinë kibernetike, në udhëheqje, në çdo dhomë. Mos u ndal. Bota ka nevojë për ty. Po ashtu, me kënaqësi ndaj që jam përzgjedhur në listën e ngushtë për çmimin Cybersecurity Woman of the World, që do të ndahet më 25 Shtator në Itali”, ka thënë Domi./KultPlus.com

Rita Ora shpërndan një postim për 10 shqiptarët më të famshëm ndërkombëtarisht me këngën e Dua Lipës

Këngëtarja shqiptare me famë botërore, Rita Ora, së fundmi ka shpërndarë në InstaStory një postim nga faqja Eja, e cila rendit shqiptarët më të suksesshëm në arenën ndërkombëtare. Ajo çka e bëri këtë postim edhe më të veçantë ishte fakti që shoqërohej me këngën “Houdini” të Dua Lipës, një tjetër yll shqiptar që ka arritur sukses global.

Në postimin origjinal, faqja Eja e kishte përfshirë Rita Orën në listën e 10 personaliteteve shqiptare më të ndikueshme, duke e përshkruar atë si një nga artistet më të suksesshme të muzikës ndërkombëtare, me më shumë se 10 miliardë dëgjime globale dhe një figurë të fuqishme në skenën e muzikës pop.

Ajo që tërhoqi veçanërisht vëmendjen e ndjekësve ishte përdorimi i këngës së Dua Lipës, një zgjedhje që shumë e kanë interpretuar si një sinjal afrimi mes dy artisteve.

Pavarësisht se të dyja janë shqiptare nga Kosova dhe kanë arritur karriera të jashtëzakonshme, Rita Ora dhe Dua Lipa nuk janë parë kurrë së bashku në publik dhe kanë shmangur gjithmonë komentet për njëra-tjetrën në intervista apo në rrjetet sociale, duke shkaktuar spekulime mbi një raport të mundshëm të ftohtë mes tyre.

Megjithatë, ky veprim i Ritës shihet nga shumëkush si një hap i vogël drejt një afrimi të mundshëm. Në rrjetet sociale kanë shpërthyer komentet pozitive, ku fansat shprehen të entuziazmuar për mundësinë e një bashkëpunimi të ardhshëm mes dy ikonave shqiptare të muzikës./KultPlus.com

Muzeu Historik i Shkodrës pasurohet me pesë harta historike

Fondi i Muzeut Historik të Shkodrës është pasuruar së fundmi me pesë harta me vlerë të veçantë historike, një dhuratë e çmuar nga z. Gjergj Marena, një qytetar i njohur për pasionin e tij ndaj historisë dhe trashëgimisë kulturore.

Këto dokumente të rralla përbëjnë një kontribut të vyer në ruajtjen e kujtesës sonë historike, duke reflektuar dashurinë për qytetin e Shkodrës dhe ndjenjën e fortë të identitetit kombëtar, transmeton KultPlus.

Ky akt bujar u kurorëzua përmes një ceremonie simbolike të titulluar “Një Dhuratë me Vlerë Historike”, ku u shpreh mirënjohja për këtë kontribut me rëndësi të veçantë për trashëgiminë kulturore të qytetit.

“Një falënderim i veçantë për Gjergj Marena, për përkushtimin, vizionin dhe kontributin e tij në ruajtjen e trashëgimisë sonë kulturore.” – shkruan Beci në profilin e tij në Facebook.

Ky gjest i z. Marena është një shembull i frymëzues për të gjithë ata që vlerësojnë dhe mbështesin trashëgiminë tonë të përbashkët kulturore./KultPlus.com

Një javë plot krijimtari për fëmijët në kuadër të DokuFest

Brenda programit të festivalit ndërkombëtar të filmit dokumentar dhe të shkurtër, DokuFest, edhe këtë vit është krijuar një hapësirë e dedikuar posaçërisht për më të vegjlit, DokuKids. Ky program ofron një përvojë unike që kombinon krijimtarinë, edukimin dhe argëtimin përmes filmit, artit dhe lojës.

DokuKids ka për qëllim të frymëzojë fëmijët që në moshë të hershme, duke i angazhuar ata në aktivitete që nxisin mendimin kritik, imagjinatën dhe shprehjen e lirë artistike. Gjatë ditëve të festivalit, kjo platformë shndërrohet në një botë plot ngjyra, ide dhe energji, ku fëmijët janë në qendër të vëmendjes.

Fëmijët që marrin pjesë në DokuKids ndihen të përfshirë dhe të motivuar nga përvoja që përjetojnë.

Programi njëjavor i DokuKids përfshin punëtori artistike e krijuese, shfaqje filmash, lojëra dhe improvizime të ndryshme.

“Programi jonë është njëjavor, pra fillon prej ditës së dytë të festivalit dhe mbaron në ditën e parafundit të festivalit. Pra për një javë e kemi një program shumë të pasur që enkas e kurojmë për fëmijët”, shpjegon Malborja Krajku, kuratore dhe koordinatore e DokuKids.

Nga viti në vit, kjo pjesë e festivalit është bërë e pandashme nga vetë identiteti i DokuFest-it, duke u kthyer në një platformë të rëndësishme për edukimin kulturor të fëmijëve.

Prindërit e shohin këtë nismë si një mundësi të vlefshme për fëmijët që të mësojnë dhe argëtohen jashtë rutinës së përditshme.

DokuKids është më shumë se një program, është një hapësirë ku edukimi dhe krijimtaria bashkohen, ku fëmijët shndërrohen në krijues të vegjël që mësojnë përmes përvojës, ndërtojnë vetëbesim dhe shprehin lirshëm botën e tyre të brendshme./KultPlus.com

Kafka i ‘riatdhesuar’, arkivi që rrezikonte të digjej, por që e ngjiti më lart në yjësinë e famës shkrimtarin

Shkruan Albert Vataj

Franz Kafka është nga ata shkrimtarë që edhe kur kërkuan të harrohen, nuk mundën të shuhen. Edhe kur kërkuan të zhduken, u bënë zëra të përjetshëm. Edhe pse ai vetë e kërkoi harrimin, trashëgimia e tij sfidoi vdekjen, dogmën dhe ligjin. Dhe në një mënyrë që vetëm letërsia e madhe e meriton, ajo u ringjall.

Pas një beteje ligjore 11-vjeçare që përfshiu gjykata në Gjermani, Izrael e Zvicër, në vitin 2019, arkiva e tij – një koleksion i çmuar me dorëshkrime, letra, ditarë dhe reflektime të papublikuara – u rikthye në Bibliotekën Kombëtare të Izraelit, në përmbushje të vullnetit të Max Brod-it, mikut të tij më të ngushtë dhe njeriut që i shpëtoi këto thesare nga zhdukja.

Ky akt, që në pamje të parë duket thjesht një rikuperim dokumentesh, është në thelb një “riatdhesim shpirtëror” i një shkrimtari që nuk i përkiste asnjë vendi dhe, në të njëjtën kohë, u përket të gjithëve. Kafka, hebre nga Praga që shkroi në gjermanisht, ishte një eksilant në shpirt, një i huaj brenda vetes, një qenie e dyzuar mes frikës dhe fjalës. Ai nuk kërkoi famë, nuk pranoi botime të mëdha, dhe i la mikut të tij një amanet të qartë: “Shkatërro gjithçka pas vdekjes sime.”

Por Brod nuk e dëgjoi. Dhe ndoshta bota duhet të jetë përgjithmonë mirënjohëse për këtë pabesi të madhe. Sepse pikërisht përmes këtij mohimi të amanetit, u ngjiz një prej figurave më të thella të letërsisë moderne. “Procesi”, “Kështjella”, “Letra babait”, “Amerika”, e mbi të gjitha, ditarët dhe shënimet e tij, na zbulojnë një shpirt që nuk jetoi asnjëherë rehat me botën – as me veten, as me Zotin, as me autoritetin.

Për më shumë se një dekadë, dorëshkrimet e Kafka-s kaluan nëpër frigoriferë në Tel Aviv, kasaforta bankare në Zvicër dhe tentativa shitjeje në Arkivin e Letërsisë Gjermane në Marbach. Por në maj 2019, një vendim përfundimtar i gjykatës në Wiesbaden i hapi rrugë kthimit të arkivës në Izrael – në bibliotekën ku Brod kishte dashur të merrnin frymë dorëshkrimet e mikut të tij.

Kryetari i Bibliotekës Kombëtare të Izraelit, David Blumberg, e përshkroi këtë akt si: “Një përmbushje të vullnetit të Brod-it dhe një angazhim për të mbrojtur trashëgiminë kulturore të njerëzimit.”

Në qershor të vitit 2025, një ekspozitë e madhe e titulluar “Kafka: Metamorphosis of an Author” u çel në Jerusalem, ku u prezantuan për publikun 89 objekte origjinale nga kjo arkivë: letra, dorëshkrime, skica, madje edhe fletë të dorës së Kafka-s që më parë nuk ishin parë kurrë. Ky është kulmi i një rrugëtimi të gjatë dhe shpesh të errët, nga dëshira për t’u harruar, te kujtesa kolektive që refuzon ta lërë në harresë.

Është e vështirë të mos e shohësh këtë si një akt shpëtimi: jo më nga zjarri i shkatërrimit, por nga heshtja e arkivave të mbyllura, nga tregtia e koleksionistëve privatë, nga amnezia.

Ka një trishtim të thellë tek Kafka. Një vetmi që nuk shërohet, një druajtje që përkufizon ekzistencën. Dhe pikërisht për këtë, rikthimi i letrave të tij në një institucion të hapur, publik, është një akt i drejtë. Sepse ai që nuk e duronte dritën, duhet të jetë i pranishëm në dritën e kujtesës së përbashkët.

Në një prej shënimeve të ditarit të tij, Kafka shkruante: “Unë jam si një llambë që digjet nga brenda, duke konsumuar gjithçka në vetvete për të mos ndriçuar askënd.”

Por kjo llambë nuk u shua. Dhe në vend të errësirës, letrat e tij ndriçojnë humnerat e shpirtit modern, paranojën ndaj burokracisë, absurditetin e pushtetit, frikën e ekzistencës.

Kafka nuk i përkiste asnjë atdheu, por kishte rrënjë në të gjitha dhembjet. Ai ishte si një shpirt i shkulur, që udhëtoi nëpër kohë dhe institucione, duke mbijetuar më shumë si zë se sa si njeri. Dhe nëse akti i Brod-it qe një mosbindje shpëtimtare, rikthimi i këtyre dokumenteve në Jeruzalem është një përgjigje e vonuar ndaj një shpirti që kërkoi të mos njihej, por u desh.

Në thelb, Kafka është një profet i epokës moderne, një Moisi që nuk hyri kurrë në Tokën e Premtuar, por ia tregoi udhën botës. Dhe tani, kjo tokë, në mënyrë simbolike, ia kthen dorëshkrimet. I kthen kujtesën. I kthen zërin një pëshpërime trazimtare shpirti.

Në një epokë ku informacioni mbizotëron mbi mendimin dhe koha ndan më shumë se sa lidh, Kafka është më aktual se kurrë. Shkrimet e tij nuk kanë të bëjnë me epoka të caktuara, por me përjetësinë e pyetjeve që s’kanë përgjigje. Ai është pasqyrë e vetëdijes moderne, që, edhe kur nuk e kupton dot botën, nuk mund të mos e pyesë.

Rikthimi i arkivës së tij është më shumë se një fitore ligjore. Është një përulje ndaj atij zëri që kërkoi të digjej, por nuk u dogj. Një zë që nevojitet edhe sot, për të kuptuar atë çka nuk shpjegohet, ndoshta sepse është më e vërtetë se vetë realiteti./KultPlus.com

“The Skin of Light”,Gjon Mili Video Art Festival rikthehet në Korçë me edicionin e tretë

Festivali Ndërkombëtar i Video Artit “Gjon Mili” rikthehet këtë vit në Korçë me edicionin e tij të tretë, që do të mbahet nga 27 deri më 29 gusht 2025, në tre lokacione, me qendër në Muzeun Gjon Mili.

Me titullin “The Skin of Light”, ky edicion fton artistët dhe publikun të mendojnë dritën si një lëkurë simbolike – një hapësirë ku përzihen kujtesa, ndjesia dhe perceptimi. Drita shfaqet jo vetëm si element teknik, por si një sipërfaqe poetike ku ndërthuren realja dhe imagjinata.

Nga 1230 aplikime të ardhura nga mbarë bota, 62 artistë janë përzgjedhur për të paraqitur punimet e tyre që eksplorojnë marrëdhënien e njeriut me dritën, ekranin dhe emocionin. Çdo punim ofron një gjuhë unike vizuale që lëviz midis botës virtuale dhe asaj fizike.

Festivali hapet në vendin simbolik ku mbetet i gjallë emri i mjeshtrit të fotografisë, Gjon Mili, duke e kthyer muzeun që mban emrin e tij në një qendër të dialogut artistik bashkëkohor.

Ky edicion sjell më shumë se një festival arti – është një thirrje për të ndier, për të parë dhe për të imagjinuar dritën si një lëkurë që flet./KultPlus.com

Fjalimi historik i Esat Mekulit për Çamërinë

Fjalimi epik i Esat Mekulit për Çamërinë. Është viti 1941…, Pejë!

“Kosova dhe Çamëria kanë çelë plagë të randa dhe të paharrueshme në trupin e popullit t’onë, por i kanë dhanë edhe eksperiencë të madhe Shqipnisë së lirë dhe të bashkueme sot e mbrapa me vendet që ia kishin grabitun. Po flas si djalosh i Kosovës shqiptare, i Kosovës qi në ditën e sodit po lirohet përgjithmonë prej zgjedhës, me dishirin e madh dhe të pashkimun qi Kosova shqiptare t’i bashkohet Shqipnisë së lirë, qi vllaznit tonë, të çdo feje qofshin, t’a ndjejnë me zemër se janë vllazen rreth qëllimit dhe punës së përbashkët.

Zemrat t’ona le të jenë të mëdhaja dhe veprat t’ona edhe ma të mëdhaja, terrori qi anmiqt mbuellën nëpër fushat tona të buta dhe pjellore le të jenë nji herë e mirë mësim për bashkimin t’onë rreth idealeve të përbashkëta. Besa dhe dashunija vllaznore le të jenë të mëdha, sikurse ka qenë e madhe vuejtja e jonë deri tash, pse Shqipnia duhet me kenë e njishme, e pandashme, e pacoptueme.” / MekuliPress/ KultPlus.com

Edis për Sunny Hill Festival: “Faleminderit Prishtinë për mikpritjen magjike”

Këngëtari i njohur turk, Edis, ishte një nga yjet më të ndritur të Sunny Hill Festival 2025, duke sjellë një performancë të zjarrtë që elektrizoi publikun në zemër të Prishtinës.

I njohur për stilin unik dhe karizmën në skenë, Edis krijoi një lidhje të veçantë me publikun, duke bërë që mijëra të pranishëm të këndonin dhe kërcehnin bashkë me të. Emocionet e tij u reflektuan edhe në postimet pas koncertit, ku ndau mirënjohjen për përvojën e veçantë që përjetoi në Kosovë.

Artisti falënderoi posaçërisht Dua Lipën dhe Dukagjin Lipën për organizimin dhe për faktin që po e bëjnë këtë festival një pikëtakim ndërkombëtar të muzikës moderne. Ai e cilësoi Prishtinën si një qytet që rrezaton dashuri dhe energji pozitive, duke lënë të hapur mundësinë për rikthim.

Sunny Hill Festival vazhdon të afirmohet si një prej ngjarjeve më të rëndësishme kulturore në rajon, që bashkon artistë të mëdhenj dhe publik të zjarrtë nga e gjithë bota./KultPlus.com

OpenAI në bisedime për shitje aksionesh që do ta vlerësonin kompaninë në 500 miliardë dollarë

OpenAI, kompania që qëndron pas zhvillimit të ChatGPT, është në bisedime me investitorë për një raund të ri shitjeje aksionesh, që mund ta çojë vlerësimin e saj në 500 miliardë dollarë – duke e bërë kështu grupin privat më të vlefshëm të teknologjisë në botë, përpara SpaceX të Elon Musk, që aktualisht vlerësohet në rreth 400 miliardë dollarë.

Aktualisht, OpenAI është në fazën përmbyllëse të një raundi financimi prej 40 miliardë dollarësh, i udhëhequr nga gjiganti japonez i investimeve SoftBank, i cili e vlerëson kompaninë në 300 miliardë dollarë. Por sipas burimeve pranë kompanisë, OpenAI ka nisur tashmë diskutimet me investitorë si Thrive Capital për një vlerësim të ri, pothuajse dyfish më të lartë.

Ky financim pritet të realizohet përmes një shitjeje të aksioneve dytësore, që do t’u lejonte punonjësve aktualë dhe ish-punonjësve të shesin aksionet e tyre. Vlera përfundimtare në të cilën do të kryhet kjo shitje ende nuk është përcaktuar dhe do të varet nga kërkesa e investitorëve. Megjithatë, sipas një burimi të njohur me çështjen, shitja pritet të jetë dukshëm më e madhe se ajo prej 1.5 miliardë dollarësh e realizuar në fund të vitit të kaluar.

As OpenAI dhe as Thrive Capital nuk kanë pranuar të komentojnë mbi këto zhvillime.

Këto bisedime, të raportuara fillimisht nga Bloomberg, janë një tjetër tregues i interesit të jashtëzakonshëm që po gjeneron inteligjenca artificiale, duke krijuar një mjedis të paparë financimi për kompanitë që ndërtojnë apo përdorin këtë teknologji. Investitorët po nxitojnë të pozicionohen te start-up-et më premtuese, me shpresën se kompania dominuese në këtë fushë do të arrijë vlera prej triliona dollarësh.

Që nga lansimi i ChatGPT në fund të vitit 2022, të ardhurat vjetore të përsëritshme të OpenAI (një tregues i përdorur zakonisht për të matur të ardhurat nga abonimet në start-up-e) janë rritur në 12 miliardë dollarë. Kompania parashikon që kjo shifër të arrijë në mbi 20 miliardë dollarë deri në fund të vitit 2025, sipas burimeve të njohura me të dhënat financiare të saj.

Konkurrenti më i afërt i OpenAI, kompania Anthropic, ka katërfishuar të ardhurat e saj vjetore të përsëritshme në 4 miliardë dollarë këtë vit dhe është në bisedime për të siguruar të paktën 5 miliardë dollarë në një tjetër raund financimi që do ta vlerësonte atë në 170 miliardë dollarë.

Të dy kompanitë, megjithatë, vazhdojnë të punojnë me humbje, për shkak të kostove shumë të larta që kërkohen për trajnim dhe operim të modeleve më të avancuara të inteligjencës artificiale.

Ndërkohë, kompanitë më të mëdha të teknologjisë kanë fituar qindra miliarda dollarë në kapitalizim tregu në ditët e fundit, pas zotimeve për të investuar më shumë në këtë fushë.

Gara për klientë është e ashpër, ndërsa kompanitë ofrojnë mjete që gjenerojnë tekst, kod apo imazhe nga kërkesat e përdoruesve.

Të martën, Anthropic njoftoi përmirësime të reja në një nga modelet e saj kryesore, që rrisin ndjeshëm performancën në programim, ndërsa OpenAI publikoi modele “open-weight” që janë të aksesueshme falas dhe mund të përshtaten nga zhvilluesit. Gjithashtu, pritet që gjatë këtij muaji OpenAI të lançojë modelin shumë të përfolur GPT-5.

Miqtë e mi, Lamtumirë!


Gabriel Garcia Marquez

Sikur Zoti të harronte për një moment që unë jam një dordolec i ndrequr me rrecka dhe të më dhuronte një copë jete, mbase nuk do të thosha t’i gjitha ato që po mendoja, por sigurisht do t’i mendoja të gjitha ato që po them.

Do i jepja rëndësi gjërave jo për vlerën e tyre por për domethënien e tyre. Do flija pak, do ëndërroja më shumë, sepse cdo minutë që mbyllim sytë humbim gjashtëdhjetë sekonda drite.
Do vazhdoja kur të tjerët do të ndalonin, do të zgjohesha kur të tjerët do të flinin.

Do t’i dëgjoja kur të tjerët do flisnin dhe sa do e shijoja një akullore me çokollatë!!!

Nëse Zoti do me jepte nje cope jete, do të vishesha thjesht, do të shtihesha përballë diellit duke e lënë të pambuluar jo vetëm trupin tim, por edhe shpirtin tim.

Zoti im, nëse do të mundesha do ta shkruaja urrejtjen time mbi akull dhe do të prisja të dilte dielli.

Do pikturoja një ëndërr të Van Gogut mbi yje, do të recitoja një poezi të Benedetit dhe një këngë të Sheratit…

Do ishte serenata që do t’ia dhuroja hënës.

Do ujisja me lotët e mi trëndafilat, që të ndjeja dhimbjen nga gjembat e tyre dhe puthjen ngjyrë kuqe nga fletët e tyre.

Ah Zoti im, sikur të kisha një copë jetë …nuk do të lejoja të kalonte as edhe një ditë pa iu thënë njerëzve që dashuroja se i dashuroj.

Do të bëja çdo burrë dhe grua të besojnë se janë njerëzit që dua dhe do të dashurohesha me dashurinë. Te njerëzit do tregoja se sa gabim bëjnë kur besojnë se ndalojnë së dashuruari kur plaken, pa kuptuar se plaken kur ndalojnë të dashurojnë.

Fëmijës së vogël do i jepja pende, por do e lija të mësonte vetë sesi të fluturojë.

Pleqve do i tregoja se vdekjen nuk e sjell pleqëria por “harresa”.

Mësova kaq gjera nga ju njerëzit…

Mësova se të gjithë duan të jetojnë në “majën e malit”, pa kuptuar se lumturia qëndron në mënyrën se si zbret “faqen e pjerrët”.

Mësova se kur fëmija e porsalindur shtrëngohet mbi pëllëmbën e tij të vogël, për herë të parë gishti që zgjatet i babait të tij e robëron përgjithmonë.

Mësova se njeriu ka të drejtë ta shoh tjetrin nga lart, vetëm kur duhet ta ndihmojë të çohet.

Janë kaq shumë gjëra që mësova prej jush, por me të vërtetë nuk do të hyjnë në punë, sepse kur të më mbajnë të mbyllur brenda në këtë valixhe fatkeqësisht do të jem i vdekur.

Të thuash gjithmonë atë që ndjen dhe të bësh gjithmonë atë që mendon.

Nëse do ta dija që sot do të ishte hera e fundit që do të te shihja duke fjetur, do të të përqafoja fort dhe do t’i lutesha Zotit që të bëhesha roja i shpirtit tënd.

Nëse do e dija se kjo do ishte hera e fundit që do të të shihja të dilje nga dera, do të të përqafoja dhe do të të jepja një puthje dhe do të të thërrisja përsëri që të të jepja edhe të tjera.

Nëse do e dija se kjo do të ishte hera e fundit që do dëgjoja zërin tënd, do ta incizoja çdo fjalë tënden që të mund të të dëgjoja përsëri, përsëri.

Nëse do e dija që këto do të ishin momentet e fundit që do të të shihja do të të thoja “të dashuroj” dhe do të supozoja jo logjikisht se e dije më parë.

Ekziston gjithmonë një e nesërme dhe jeta na jep edhe mundësi të tjera që ti bëjmë gjërat siç duhet, por në qoftë se bëjmë gabime na mbetet vetëm e sotmja, do doja të të thosha se sa shumë të dua dhe se kurrë s`do të të harroj.

E nesërmja nuk është e sigurt për askënd si i ri si i vjetër. Sonte mund të jetë hera e fundit që i shikon njerëzit që do. Prandaj mos prit më, bëjë sot sepse e nesërmja nuk vjen kurrë, sigurisht do pendohesh për ditën kur nuk gjete kohë për një buzëqeshje, një përqafim, një puthje dhe sepse ishe shumë i zënë për të realizuar një dëshirë të tyre.

Mbaj ata që dashuron pranë vetes, thuaji duke mërmëritur se sa shumë ke nevojë për ta, dashuroi, sillu mirë gjeje kohën për ta, thuaji “më vjen keq”, “më fal”, “të lutem”, “faleminderit” dhe të gjitha fjalët e dashurisë qe di. Asnjeri nuk do të të mbaj mend për mendimet e tua të fshehta.

Kërko nga Zoti fuqinë dhe zgjuarsinë t`i shprehësh. Tregoju të tjerëve domethënien e tyre.

Fillo të bësh realitet ëndrrat e tua.

Tani është momenti!

Writer Gabriel Garcia Marquez, who won the Nobel Prize in 1982, died Thursday at 87.

“Wednesday” rikthehet sot me sezonin e dytë: Më e errët dhe më enigmatike se kurrë

Pas suksesit të jashtëzakonshëm global, seriali “Wednesday” rikthehet sot, më 6 gusht, me pjesën e parë të sezonit të dytë në platformën Netflix.

Me një atmosferë edhe më të errët, sezoni i ri sjell një kapitull të ri në jetën e Wednesday Addams, ndërsa misteret e Nevermore Academy thellohen edhe më tej. Ky sezon premton zbulime të forta, sekrete të pazbuluara dhe zhvillime që do të trondisin jo vetëm shkollën, por edhe botën e saj të errët.

Jenna Ortega, e cila u bë ikonë me rolin e saj, rikthehet jo vetëm si protagoniste, por edhe si producente ekzekutive, duke shtuar më shumë thellësi dhe intensitet në rrëfim.

Pjesa e dytë e sezonit pritet të publikohet më 3 shtator, duke sjellë një vazhdim të ngjarjeve që premtojnë emocion, tension dhe kthesa të papritura.

Fansat e gotikes, misterit dhe humorit të zi tashmë mund të rikthehen në botën magjepsëse të “Wednesday”, ku asgjë nuk është ashtu siç duket./KultPlus.com