Ti fluturon me dallëndyshet

Poezi e shkruar nga Yllka Domi.

Ti fluturon me dallëndyshet

Një ditë qdo gjë do të ndryshojë
Do të vish të luash me veten,
Do të këndosh në duet me heshtjen,
Do të jetosh me kujtimin në ballë,
Do të thërrasësh me zë,qu bë vallë,

Do të kërkosh për veten shpëtim
E sdo të gjesh kund emrin tim.
Jetonim ne të dy në gjethe të trëndafilit
Jetonim duke shijuar erën e tij
Jetonim bashkë me këngën e bilbilit,
Por në fund ,na therrën gjembat e tij.

Shpresuam se deri në vdekje do të jemi bashkë,
Por ajo jetë që ne e ëndërruam nuk ishte e gjatë,
Ajo zgjati vetëm të paktët muaj
E për këtë gjë unë tani po vuaj.

Tani jemi të vdekur për njëri tjetrin,
Fluturojmë në qiell për një jetë tjetër,
Fluturojmë të dy,por shumë larg njëri tjetrit
E të dyve na shoqrojnë valët e detit,
Ti fluturon bashkë me dallëndyshet ,
Fjalët që i dha tani po vyshken,
E mua më thërrasin skifterët ,
Por unë s dua të fluturoj me ta
E ti këndoj ninullat,
Sdo të jemi më bashkë.
Jeta jonë mbaroi,

A do të jetojmë te lulet apo te zjarri,
Sdi për njëri tjetrin
A do të na marrë malli?/KultPlus.com

Tano Banushi, gjithçka që mëkoi ishte dielli i të qeshurave me gjithë shpirt që ai na dhuroi

Nga Albert Vataj

Athanas Banushi, njohur si Tano Banushi, u lind në Shkodër më 4 Shkurt 1927 dhe u shua më 7 gusht 1993 në moshën 66-vjeçare duke lënë një emër të skalitur në tipe e karaktere, në personazhe dhe profile që u përjetësuan nga shpirti i tij që mbeti i gjithmonshëm në kujtesën që e ruan. Tano Banushi, ishte dhe do të mbetet së një nga aktorët më në zë të humorit shqiptar, ku spikati në gjininë e estradës. Për meritat e tij në këtë lëmë është dekoruar me titullin “Artist i Popullit”, vlerësim i cili është i pakrahasueshëm me atë që ai mori si të merituar nga publiku, ai spektator që e ndoqi dhe e motivoi, e duartrokiti dhe e bëri pjesë të adhurimit. Talenti dhe puna e tij kontribuese si shkrues dhe interpretues i humorit e ngjitën atë në panteonin e vlerave të artit skenik shqiptar.

“Buzëqesh gjithmonë, edhe nëse buzëqeshja jote është e trishtuar, sepse më i trishtuar se një buzëqeshje e trishtuar, është trishtimi që nuk buzëqesh”, më shumë se një maksimë, ky është lajtmotivi që e udhëpriu atë në përjetësi dhe na u servir si një bujari, bashkëkohësve të tij dhe brezave.

Humori shkodran është pjesë organike e traditës sonë të humorit, është manifestim i një vullnese të kurajshme që sfidon kohën dhe sprova më dinjitoze e trashëgimisë. Ajo ka kapluar vite për të mbërritur deri në të tashmen e nevojës për t’u ushqyer me mëkimin e atij shpirti lirie dhe hareje. Panoramimi i kësaj tabloje ka tonet dhe dritëhijet që nxitin joshjen tonë të përgjithmonshme dhe na rrëmbejnë në një andje që cyt, në një dëshirë rrëmbese. Pikërisht këtë kimi, këtë gjendje, këtë ngazëllim, kësaj tabloje ia mëkon portreti i një personazhi, i cili u instalua në shpërthimin gazmues të buzëqeshjes si një veçanti, si një tipizim, si një karakter, prej të cilit humori, e qeshura, satirikja, sarkazma gufojnë natyrshëm. Ai është Tano Banushi, personifikim dhe përfaqësim, promovim dhe mishërim, tharm dhe lëndë e humorit shkodran, sinonim i buzëqeshjes me gjithë shpirt, emblemë e skenës dhe ovacioneve frenetike. Pa bujë dhe pa gjurmime pas lavdeve dhe privilegjeve, ai punoi, ai ende, ai ngjizi në traditën tonë të shkëlqyer një emër dhe një vepër, një monument, lartësia e të cilit na legjitimon krenarinë dhe mburrjen.

“Kam luajtur këpucarë e bojaxhij / zdrukthëtarë e dugajxhi / mekanikë dhe terzi / elektricistë e hallvaxhi…/ Burra grash shamataxhesha / gagarelë pa mentesha / beqar t’mbetur e nervozë / matrapazë e karagjozë / fanatikë e kulakë / me mustak e pa mustakë / e demek me ju ba me qeshë, edhe femër kam qenë veshë…”. Thoshte vetë Tano Banushi.

***

Tano Banushi, një prej emblemave të artit të satirës dhe humorit, ai që do të mbamendet pambarim në kujtesën e gjeneratave për rolet, karakteret dhe personazhet që jetësoi me kaq përkushtim dhe pasion. Ai, si pakkush tjetër, diti të na bënte të qeshim, të jetojmë me të qeshurën. Të shumtë janë emrat e personazheve që e bënë atë të pavdekshëm. E pakrahasueshme mbetet aftësia për të ardhur në çdo tip dhe karakter i ndryshëm dhe krejt i veçantë, plot humor.  Në jetën e tij skenike prej 45 vitesh ka një galeri të pamatë rolesh.

Megjithëse brenda kornizës së pakalueshme të një ideologjie imponuese dhe kufizimesh, të arrish të ironizosh, të tallesh, t’u bësh karikaturën shefave, brigadierëve, drejtorëve… pra kalbësimin e një shoqërie, a nuk është kjo t’i bësh radioskopinë një sistemi drejtues dhe politikës që e krijoi atë? A nuk është ky qëndrim kritik dhe disident? Dhe Tano Banushi, i dalluar sidomos për rolet e naivit, apo një lloj Shvejku shqiptar, mund të themi se vuri në lojë, talli dhe akuzoi shoqërinë e kohës. Ndaj edhe mbetet i madh.

La pas jo vetëm qindra role, por edhe një shkollë të madhe të artit të humorit, në gjurmët e të cilit kanë ecur breza të tërë humoristësh nga i gjithë vendi. Kontributi i tij artistik e kishte kaluar skenën e Shkodrës, artin e tij kanë patur fatin ta ndjekin të gjithë, breza të tërë janë rritur me rolet dhe humorin e tij.

Është kjo një lloj patente për bukurinë dhe humorin e anekdotës. Sepse, figura të tilla në Shkodër, mes tyre edhe Tano, kanë qenë dhe mbesin sinonim i humorit të çiltër, i mjeshtërisë edhe në tregimin e një anekdote a barcelete. Aq e vërtetë është kjo, sa njëherë kompozitori i madh Prenk Jakova, Nder i Kombit, e takoi Tanon në rrugë, e ndali dhe i tha: -Tano. Mbrëmë më kanë treguar një anekdotë. Po ta tregoj unë ty e pastaj ma trego ti mua që të qeshi. Këto fjalë të Prenkës kanë një domethënie të madhe. Jo gjithkush di të bëjë humor. Duhet talent, mjeshtëri… Dhe këta i kishte Tano Banushi.

Të lindësh mes humorit

Në një shtëpi të gëzueshme e plot humor, ku pothuajse të gjithë ishin artistë në mënyrën e tyre dhe në aftësitë për të krijuar dhe për të thithur vlerat më të mira të artit, të këngës e humorit të asaj kohe, më 4 shkurt 1927, lindi Athanas Banushi, njeriu që do të bëhej aktori më në zë i humorit shqiptar, mjeshtër i vërtetë i interpretimit në gjininë e estradës.

Tregojnë se atë ditë që ka lindur Tano Banushi, edhe pse dimri ka qenë në kulmin e ashpërsisë së vet, natyra ka qenë e qeshur, qielli i kthjelltë dhe dielli i shndritshëm, sikur të paralajmërohej se doli në jetë ai që do t’u jepte njerëzve më shumë gaz e hare, që do t’ua bënte më të bukur jetën. Lluko Banushi ishte bërë me djalë dhe kjo ishte një ngjarje tepër e këndshme dhe ngazëlluese për të dhe të shoqen e tij, Marien. Gjithmonë Llukoja thoshte: “Kam dëshirë që fëmija i parë të jetë djalë, pastaj le të lindin një duzinë vajzash, nuk prish punë, por ama të filloj me djalë”.

Për të mëtuar diçka më përplotësuese për këtë figurë të humorit dhe jo vetëm po huazojmë diçka nga Isa Alibali, një mik dhe koleg i tanos

Kur nisi humorin…

Rrugët e Shkodrës mbanin ende erën e barutit, kur dolën edhe afishet e para teatrale e koncertale. Më 18 janar 1945, pak ditë pas çlirimit, u krijua Shtëpia e Artit dhe e Kulturës, të cilën e formuan ajka e inteligjencës shkodrane. Më 18 shkurt u shfaq drama e M.Gorkit, “Bujtina e të vorfënve”, përgatitur nga intelektualët e njohur Filip Ndocaj e Qemal Draçini. Në qershor të vitit 1945, në përfundim të vitit shkollor, kur sapo Tano Banushi kishte mbaruar klasën e shtatë të gjimnazit të shtetit, u zhvilluan disa veprimtari kulturore e artistike. Në këtë dramë Tano Banushi interpretoi rolin e Gjinit, shërbëtorit simpatik të një familjeje shkodrane. Shfaqja u dha në sallonin e shoqërisë “Vllaznia” afër “Dugajve të Reja”. Po në këtë shfaqje u dhanë edhe paroditë “Klasa e shtatë” dhe “Jak, o Jak”, ku Tanoja u prezantua si humorist. Në vitin 1946, nga grupi i teatrit pranë Shtëpisë së Artit e të Kulturës u shfaq drama “Armiku i Popullit” e Ibsenit. Tano Banushi interpretoi me sukses rolin e një të dehuri. Pastaj u përgatit komedia “Pashuku”, ku interpretoi rolin e shërbëtorit gazmor, që e bëri atë një aktor që shpresonte shumë për të ardhmen. Kështu filloi për Tanon rruga e artit skenik.

Takimi me Migjenin

Ishte ditë vere, kur Maria (e ëma) e mori Tanon për të bërë një fotografi te Marubi (ishte nëntë vjeç e gjysmë). Përpara Kafes së Madhe pa Migjenin, që po pinte kafe me një shok të vetin. Nuk e pati të vështirë të dallonte Teofik Gjylin, me të cilin Migjeni rrinte gjithnjë aty, gjithmonë në të njëjtën tavolinë për të pirë kafen e ditës. Për një çast nguroi, por duke pas parasysh dëshirën e Tanos për ta takuar, i tha:

– Tano, shih, ai atje është Milloshi… Migjeni yt, – shtoi pas pak. Tanoja u shtang. U shkëput nga dora e së ëmës dhe u ndal përballë tij, në trotuarin përpara Kafes së Madhe. Milloshi e vuri re këtë veprim, njohu Marijen, shoqen e dikurshme të shkollës dhe u ngrit nga tavolina. Sytë e Tanos morën një shkëlqim të veçantë. Millosh Gjergj Nikolla u përkul përpara vogëlushit, bëri sikur i lëmoi flokët, pa ia prekur në të vërtetë. Duke e ditur sëmundjen që kishte, ai nuk prekte të tjerët as me dorë, aq më pak fëmijët. Tundi pak kokën drejt Marijes dhe i foli me përzemërsi: – Qenka shumë i kandshëm ky djali yt, Marije, si quhet?, – i tha duke buzëqeshur.

– Athanas, por e thërrasim Tano. Kishte dëshirë të madhe të të takonte, sepse ka lexuar disa nga shkrimet tuaja.

– Ooo, po më kënaq, – dhe iu drejtua Tanos: – Në ç’klasë je?

– Hyj në klasën e tretë, – i tha shpejt e shpejt Tanoja i vogël.

– Shumë mirë, Athanas, jam i bindun se mëson mirë, apo jo?

– Po, vetëm 1-sha kam marrë.

Ky ishte një episod i paharruar për atë që do të bëhej logo e humorit shkodran, Tano Banushi, “Artistit të Popullit” dhe “Mjeshtrit i Madh”

Batutat më të famshme të Tano Banushit

Është e njohur thënia se njeriu do të çmendej po të mos ekzistonte e qeshura, me të gjitha rrjedhojat e këndshme që vinë prej saj. Por më të njohura se kaq janë batutat dhe anekdotat e Tano Banushit,

Anekdotat e Tano Banushit

***

Berberi po rruante një klient shumë të dobët. I fut në gojë një top ping-pongu, për t’i fryrë faqen. Kur i rruan njërën anë, i thotë: – Kaloje në anën tjetër.

Ky, duke e kaluar, e kapërdin. Shqetësohet.

– Mos u bëj merak, nuk të mbyt, – i thotë berberi – se edhe njeri e ka kapërdirë dje dhe ma ka sjellë sot në mëngjes!

***

Banditi: – O paret, o shpirtin.

Burri: – Grua, çohu shpirt, se të kërkojnë.

***

Te mjeku shkon për vizitë një grua.

– Hyr e zhvishu.

Pas pak mjeku pyet:

– He, a u zhveshe?

– Unë po, po ti…? – thotë gruaja.

***

– Pse i more erë peshkut, ai është i freskët!

– E pyeta: – “Ç’të reja kemi nga deti?”.

– E ç’të tha?

– Nuk di gjë se kam dhjetë ditë që kam dalë nga uji e…

***

Një shitës kishte vënë në banak, anës peshores, dy pasqyra:

– Pse i ke vënë, Selim?!

– Që gratë mos të shikojnë peshoren, por të habiten në pasqyrë…

***

Për tre papagalët:

– Sa kushtojnë?

I pari 500 lekë, sepse di një gjuhë të huaj

– Po ky i dyti?

– 700 lekë sepse di dy gjuhë të huaja.

– Po ky i treti?

– I treti kushton 1000 lekë por s’di asnjë gjuhë.

– Po pse kaq shtrenjtë ky?

– Sepse është përgjegjësi i dy të tjerëve.

***

Mjekut të fëmijëve:

– Ah, more doktor, si s’ke shkollë më shumë të shërosh edhe të mëdhenjtë?!

***

Dy shokë të dehur. I pari e merr me zor për në shtëpi shokun e vet.

– Kjo është rrugica ime, kjo…është dera e shtëpisë…kjo është shtëpia…(hyjnë në shtëpi ) kjo është dhoma e gjumit (e hap dhe sheh në shtrat të shoqen me një tjetër) kjo këtu është gruaja ime…kurse ky burri këtu, jam unë…

***

– Si shkon me gruan?

– E dua shumë dhe ajo më do shumë. Llogarite, po të hidhen gratë në lotari, mua do të më binte gjithmonë gruaja ime!…

***

Një i dehur i bie ziles:

– Kush është? – pyet e zonja e shtëpisë.

– A ju mungon kush, a?

– Më mungon burri.

– Hape, se unë qenkam…

Jetëshkrim i shkurtër

Tano Banushi lindi 4 Shkurt 1927 – 7 gusht 1993) është një Artist i Popullit. Tano Banushi ka interpretuar mbi 1000 role në jetën e tij të gjatë skenike. Leo, Pashuku, Fotografi, Dulla, .. do të duhet një kohë e gjatë për t’u përmenduar mbi 1000 rolet e tij në skenë, mbi 1000 fytyrat e papërsëritshme të interpretuara prej tij në rreth 45 vjet jetë në skenën e Teatrit “Migjeni” të Shkodrës, ku nisi jetën e tij artistike. Fillimet.. “Në dramën “Armiku i popullit” të Ibsenit në 1945, në mes shumë roleve, tërhoqi vëmendjen edhe figura e të dehurit, e cila bashkë me personazhin ibsenian, prezantoi aktorin komik Tano Banushi”, do të thoshte për të në një shkrim portret kritiku Miho Gjini. Për të vijuar më pas në komedinë “Pashuku” të F. Ndocajt 1946, në rolin e një shërbetori komik. Elegant, i shkathët, me një humor befasues, me ngjyra shkodrane e i gërshetuar me traditën, improvizues dhe ekspresiv, do të shfaqet Tano si prezantues i shfaqjeve të grupit amator te klubit të punëtorëve “Vasil Shanto”. …dhe me pas.. Në rolin e marinarit në “Një tragjedi optimiste” të Vishnjevskit; në rolin e kapterit në komedinë “Prefekti” të B.Levonjes; në rolin e Llomovit te “Fejesa” e Çehovit; në rolin e Mazllumit te komedia “Hej moj babë” të J.Vojushit; në rolin e Leos te komedia “Këshilli i ndrikullave”, të Sh.Mitës. …në vazhdim të plotësimit të portretit Në vitin 1958 krijohet estrada profesioniste e qytetit të Shkodrës. Tano Banushi, aktor komik interpreton me qindra role nga të ndryshmet si brigadier, nëpunës, shef, bojaxhi, fotograf etj, të cilat edhe sot e kësaj dite kanë mbetur të paharuara në mendjet e artdashësve të humorit. Tano Banushi është një figure komplekse. Realist. Brenda nje shfaqjeje e shihje në role të ndryshme. Te secili rol gjente veshjen e veçantë artistike. Tanoja ishte një aktor shumëplanesh. Brilant. Dinte të luante tragjedinë, komedinë, skeçin, paradine, vodevilin, intermexon, etj. Ishte mjeshtër për të përjetuar brenda një materiali letrar gjithë dridhjet e shpirtit të një personazhi. E personazhi që krijonte Tanoja nuk ishte as klloun, as palaço, por kishte humor të brendshëm, therës, kishte dramë. Nje kujtim nga aktori, Artisti i Merituar, Bep Shiroka, Tanoja ishte aktori zëmadh i humorit shkodran dhe atij shqiptar. Vazhdues i denjë i humoristëve shkodran Kolë Tivari, Osos se Falltores, Hilë Gegës etj. Ai shkelqeu në të gjitha zhanret e humorit. Aktor melodioz, i binte kitares. I vëmendshëm ndaj çdo roli per ta luajtur sa më mire. Vdiq në vitin 1993.

(Pjesë e materiale janë huazuara nga libri monografik i Isa Alibalit,

“Me Tano Banushin dhe humorin e tij”, një punë 15-vjeçare që jetëson një talent dhe kërkon një mirënjohje )/ KultPlus.com

Dredhza Braina fiton çmimin ndërkombëtar “Global Cybersecurity Woman of the Year”

Ekspertja kosovare e sigurisë kibernetike, Dredhza Braina, është shpallur fituese e çmimit “Global Cybersecurity Woman of the Year”, në kategorinë “Barrier Breaker”, duke u renditur e para në botë për kontributin dhe ndikimin e saj në këtë fushë.

Në një postim emocionues në rrjetet sociale, Braina falënderoi familjen, miqtë dhe të gjithë ata që e kanë mbështetur në rrugëtimin e saj, duke theksuar se ky çmim i përket jo vetëm asaj, por çdo njeriu që ka thyer barriera dhe nuk është ndalur përballë sfidave.

“Ky çmim nuk është vetëm për mua, është për të gjithë ata që janë përballur me sfida, por nuk janë ndalur, kanë thyer heshtjen e kanë thyer barrierat,” shkroi ajo.

Ajo gjithashtu shprehu mirënjohje për organizatorët dhe anëtarët e jurisë që e vlerësuan, si dhe për krijimin e kësaj platforme që fuqizon gratë në fushën e sigurisë kibernetike.

“Ky nuk është fundi i rrugës, por vetëm hapi i radhës. Nuk do të ndalemi këtu!” – theksoi Braina, duke e ndarë suksesin me të gjithë bashkëkombësit e saj.

Kjo arritje e vendos Kosovën në hartën e inovacionit dhe sigurisë kibernetike në nivel global./KultPlus.com

Franceinfo: Shqipëria, El Doradoja e re e turizmit evropian

Rubrika “Ne, evropianët” na çoi këtë të martë, më 5 gusht, në Shqipëri apo El Doradon e re për pushuesit, sipas stacionit të njohur informativ francez, Franceinfo.

”Ky vend i ish-Bllokut Lindor ishte për një kohë të gjatë një nga regjimet më të mbyllura në Evropë. Tani po hapet për turizëm, me rezultate spektakolare.

Një rritje prej 80% e turistëve në pesë vjet.

Ujëra bruz dhe ishuj të shkretë. Kjo nuk është as Karaibet dhe as Maldivet, por Shqipëria, e vendosur midis Greqisë dhe Italisë, e cila tani është gjithashtu e njohur për turistë nga e gjithë bota.

Shqipëria, ku qytetërimet mesdhetare kanë pasuar njëra-tjetrën, secila duke lënë gjurmë sublime greke, romake, bizantine, veneciane dhe osmane.

Dhe kohët e fundit, përgjatë gjithë vijës bregdetare, bunkerë po aq të shëmtuar sa periudha në të cilën u ndërtuan.

Dhe gjithashtu në Tiranë, kryeqytet, një mbetje e një regjimi komunist paranojak që kishte frikë nga pushtimet.

Njëri prej tyre tani është shndërruar në një muze për turistët mosbesues.

“Ky bunker nuk u përdor kurrë për luftë, sepse nuk patëm kurrë luftë. Pas Luftës së Dytë Botërore, u përdor shumë për të marrë në pyetje njerëzit”, shpjegon Sokol Selami, një guidë në ”Bunk’Art”.

12 milionë turistë në vitin 2024

Kështu veproi regjimi i terrorit i Enver Hoxhës, i fundit i admiruesve të Stalinit. Për më shumë se 40 vjet, Shqipëria mbeti një nga vendet më të mbyllura në botë.

Në vitin 1991, regjimi ra.

Shqiptarët zbuluan lirinë.

Gati 35 vjet më vonë, ndërtesa ultramoderne po shfaqen në sheshin kryesor të Tiranës.

Toka e shqiponjave është hapur ndaj botës së jashtme. Dhe turistët po vërshojnë.

12 milionë u numëruan vitin e kaluar.

Ky është një efekt pas Covid-19 dhe medieve sociale që po e popullarizojnë destinacionin.

“Ne erdhëm të filmojmë Shqipërinë për të inkurajuar njerëzit të vizitojnë këtë vend, sepse në Poloni nuk është ende një destinacion kaq popullor”, thotë Adrianna Skon, një influencere polake.

Dhe profesionistët e turizmit kanë gjetur mënyrën se si ta shesin atë.

“Jam këtu me ftesë të një agjencie udhëtimesh polake që shet udhëtime në Shqipëri. Ne donim vetëm të kontrollonim nëse është vërtet mjaftueshëm interesante për ta rekomanduar, dhe që nga dita jonë e parë, menduam se ishte vërtet e shkëlqyer”, shpjegon gruaja e re në hyrje të videos së saj.

Këto video janë krijuar nga influencerë dhe marka, por edhe nga udhëtarë të zakonshëm.

Në mediat sociale, Shqipëria po shpërthen si destinacion.

“Ne pamë video në TikTok dhe pastaj bëmë disa kërkime dhe kjo na çoi këtu”, rrëfyen turistët.

Një tjetër avantazh për një audiencë shpesh shumë të re janë çmimet janë shumë të ulëta./ atsh/ KultPlus.com

FARDI FEST 2025 rikthen ngjyrat, zërat dhe shijet e Anadrinisë

Në Kompleksin Memorial në Gradish të Xërxës, më 6 dhe 7 gusht po mbahet edicioni i dytë i festivalit FARDI FEST 2025, i cili sjell në qendër të vëmendjes trashëgiminë kulturore të Anadrinisë, përmes aktiviteteve të shumta që bashkojnë brezat.

Me moton “Trashëgimia që bashkon brezat”, festivali ofron një program të pasur kulturor, artistik dhe argëtues. Pjesë e tij janë lojërat tradicionale, këndi i artit figurativ “Muri i Ngjyrave”, prezantimi i ushqimeve tradicionale nga zona, si dhe Muzeu i Luftës – një kujtesë e historisë së Anadrinisë.

Policia e Kosovës ka sjellë një program të dedikuar për fëmijë dhe familje, ndërsa nuk mungojnë as aktivitetet sportive dhe mundësia për bashkëlojë me yjet e basketbollit të Rahovecit.

Festivali gjithashtu promovon bizneset vendore dhe përmbyllet çdo natë me koncert festiv ku performojnë artistë të njohur të muzikës popullore.

FARDI FEST 2025 mbahet nga ora 18:30 deri në 00:00, dhe synon të jetë një pikë takimi për të gjitha gjeneratat që duan të ruajnë e të festojnë trashëgiminë kulturore të Anadrinisë./KultPlus.com

Osmani pas takimit me Peter Sørensen: Procesi i drejtë i dialogut, kyç për paqen në rajon

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është takuar me Përfaqësuesin e posaçëm të Bashkimit Evropian, Peter Sørensen, me të cilin ka diskutuar mbi zhvillimet e fundit në vend dhe rajon.

Ajo theksoi se një proces i drejtë dhe i paanshëm i dialogut, me objektiva të qarta, është thelbësor për paqen dhe stabilitetin në rajon. Në takim u trajtua gjithashtu rëndësia e avancimit të integrimit evropian të Kosovës, si dhe nevoja për heqjen e masave të padrejta të vendosura ndaj qytetarëve të saj.

Presidentja Osmani ngriti edhe shqetësimin për arrestimet arbitrare të qytetarëve të Kosovës nga ana e Serbisë, duke i cilësuar si shkelje serioze të të drejtave të njeriut dhe pengesë për normalizimin e marrëdhënieve.

Takimi vjen në një kohë kur tensionet në rajon mbeten të larta dhe Bashkimi Evropian po kërkon rifillimin e dialogut me angazhim të shtuar nga të dy palët./KultPlus.com

Nga tensionet reale në kiminë e ekranit, marrëdhënia e ndërlikuar mes Sharon Stone dhe Michael Douglas

Tensionet reale mes aktorëve në jetën jashtë kamerës shpeshherë mund të jenë burim sfidash gjatë xhirimeve. Por në disa raste, pikërisht ato e bëjnë magjinë e ekranit të funksionojë në mënyrë më të thellë e autentike. Kjo është pikërisht ajo që ndodhi mes Sharon Stone dhe Michael Douglas gjatë bashkëpunimit të tyre të vitit 1992, “Basic Instinct”.

Në një intervistë Stone rrëfen se marrëdhënia e saj me Douglas ishte e tensionuar qysh përpara se të fillonin xhirimet. Aktori nuk ishte entuziast për të provuar skena me të, duke qenë se ajo ishte një emër i panjohur në atë kohë.
“Ai nuk donte të tregonte të pasmet e tij në ekran me një të panjohur – dhe unë e kuptova këtë,” tha Stone.

Por më shumë sesa mungesa e famës, ajo përmend një incident të mëparshëm mes tyre në Festivalin e Filmit në Kanë, që ndikoi negativisht në marrëdhënien e tyre.
“Ishim një grup njerëzish dhe ai po fliste për dikë dhe fëmijët e tyre. E njihja shumë mirë atë person për të cilin po fliste. Kështu që ndërhyra dhe ai më bërtiti: ‘Çfarë dreqin di ti?’ Ishte një bisedë që kishte të bënte me marrëdhënien baba-bir,” kujton ajo.
Ajo nuk e kaloi pa reagim:
“Tërhoqa karrigen mbrapa dhe i thashë: ‘Hajde të dalim jashtë.’” Jashtë, sipas saj, ajo i sqaroi afërsinë me personin për të cilin po fliste dhe theksoi se e njihte situatën shumë më mirë nga afër.

Ky episod la një shije jo të mirë, dhe më pas, kur emri i saj u përzgjodh për rolin kryesor në “Basic Instinct”, Stone thotë:
“Nuk mendoj se ai donte që unë të isha partnerja e tij në film.”

Por pikërisht kjo dinamikë e brendshme, tensioni i nënkuptuar dhe raporti i ftohtë personal, u kthyen në shtyllë të fuqishme të interpretimit në ekran.
“Tensioni funksionoi në mënyrë të shkëlqyer gjatë xhirimeve,” shpjegon ajo. “Nuk u mërzita kur ai më bërtiti. Ishte diçka që ndihmoi shumë në ndërtimin e dinamikës mes personazheve tanë, sepse Michael ka nerva dhe mua nuk më interesonte fare.”

Kjo distancë dhe energji e ftohtë mes tyre i dha jetë kimisë seksuale dhe tensionit psikologjik që e bëri filmin kaq të veçantë. Personazhet e tyre, Catherine Trammel dhe detektivi Nick Curran, funksionojnë për shkak të mosbesimit të ndërsjellë, dominancës, manipulimit dhe kontrollit emocional. Të gjitha këto elemente, duket se kishin edhe një bazë reale jashtë skenarit.

Me kalimin e kohës, raporti mes tyre u përmirësua. “Përfunduam duke qenë miqtë më të mirë, dhe jemi ende miq edhe sot,” thotë Stone. “E admiroj jashtëzakonisht shumë.”

Nga ana tjetër, përfaqësuesi i Michael Douglas, Allen Barry, tha se aktori “u habit shumë nga fjalët e Sharon”, dhe nuk kujton ndonjë përplasje të tillë mes tyre. Sipas tij, Douglas e parë për herë të parë Stone në provën në ekran që regjistroi Paul Verhoeven dhe menjëherë tha: “Ky është ai personazhi.” Barry gjithashtu thekson se takimi i tyre në Kanë ndodhi më vonë, në vitin 1992, gjatë promovimit të filmit, kur ata tashmë ishin miq.

Pavarësisht se versionet e kujtimeve mund të dallojnë, një gjë mbetet e qartë: tensioni i vërtetë jashtë kamerave ndihmoi në formësimin e një prej marrëdhënieve më komplekse dhe magjepsëse në historinë e kinemasë. Ai nuk i pengoi, por përkundrazi, e thelloi interpretimin e tyre dhe e bëri “Basic Instinct” një klasik të pavdekshëm./KultPlus.com

Magjia që lindi në letër dhe lulëzoi në ekran: nga Charles Perrault te Georges Méliès dhe Walt Disney

Në një botë ku pluhuri i harresës shpesh mbulon ëndrrat e brishta, “Hirushja” lindi si një melodi që përshkon shekujt, e thurur nga penat e urta të tregimtarëve dhe ngjizur në shpirtin njerëzor si një shpresë e përjetshme. Ndër të parët që i dha formë kësaj magjie ishte Charles Perrault, në vitin 1697, kur botoi përrallën “Cendrillon ou la petite pantoufle de verre”, një histori që, ndonëse e njohur për rrënjët e saj popullore, u kthye në një simfoni letrare falë finesës dhe imagjinatës së Perraultit.

Ishte ai që i fali Hirushës këpucën e qelqit, një objekt i vogël e i brishtë, por më i fortë se çdo mur pallati. Ai që krijoi karrocën nga kungulli, tërhequr nga mi të kthyer në kuaj dhe që e veshi skllaven e përulur me petkun e një princeshe, të bardhë e vezulluese si drita e hënës. Dhe mbi të gjitha, ishte ai që i vuri rregull të hekurt kësaj ëndrre: magjia zgjaste vetëm deri në mesnatë. Ajo orë, e pashmangshme, shndërrohej në një kambanë që i kujtonte Hirushës se bukuria dhe mrekullia janë të përkohshme, përveç nëse zemra guxon të besojë.

Kur ora godiste 12, gjithçka zhdukej: karroca kthehej në kungull, veshja në leckë, kuajt në brejtës. Vetëm këpuca, ajo ndalesë e vogël mbi realitetin, mbetej si dëshmi e asaj që kishte ndodhur. Ishte pikërisht ajo që do të udhëhiqte princin drejt dashurisë së tij, në një botë ku ndjenjat nuk njihnin klasë, pozitë apo pasuri.

Ky rrëfim i përjetshëm, me hijeshi të thjeshtë dhe simbolikë të thellë, kaloi nëpër shekuj si një urë e padukshme midis brezave. Dhe në vitin 1899, mjeshtri i hershëm i kinemasë, Georges Méliès, e solli për herë të parë në ekran, të titulluar, “Cendrillon”. Me një kohëzgjatje prej vetëm rreth 6 minutash, ai e ndau përrallën në 20 sekuenca filmike, duke përdorur teknika revolucionare për kohën, që i dhanë jetë kungullit që lëvizte, princit që kërkonte, orës që ndalonte, dhe magjisë që mbështillej rreth një vajze me zemër të bardhë. Ishte një film i heshtur, por plot zë, zëri i imagjinatës që kapërcente fjalët. Në rolet kryesore ishin Mlle Barral si Hirushja dhe Bleuette Bernon si Zana Kumbarë, ndërsa vetë Méliès luajti rolin e genit të orës së mesnatës. Stili vizual ishte frymëzuar nga ilustrimet e Gustave Doré, duke i dhënë filmit një cilësi teatrale dhe përrallore, ndryshe nga çdo produksion i kaluar. Filmi ishte një sukses i menjëhershëm në Francë dhe më gjerë, dhe nënvizoi potencialin narrativ të kinemasë për tregime fantastike.

Më vonë, në 1950, ëndrra mori ngjyrë dhe këngë me krijimin e animuar të Walt Disney. Në një kohë kur studioja e tij ndodhej përballë sfidave të mëdha, ishte pikërisht kjo përrallë që i dha dritë shpresës. Disney, duke ndjekur gjurmët e Perraultit, i dha Hirushes jo vetëm zë, por edhe melodi të paharruara, duke e kthyer rrëfimin në një baladë të shpirtit që nuk dorëzohet.

Në versionin e tij, e vërteta është akoma më e ëmbël: Hirushja nuk është vetëm një vajzë që gjen princin, ajo është simbol i mirësisë që nuk ndryshket, i durimit që shpërblehet, i ëndrrave që ngjiten pas hirit, sepse e vërteta e saj nuk është fustani, por zemra që nuk u ngurtësua as në skllavëri.

Ajo që nisi si një pëshpëritje në letrat e një autori francez, u bë film pa zë, e pastaj një simfoni ngjyrash që e njohu botën me magjinë e saj.

Përralla e Hirushes, me gjithë thjeshtësinë e saj, mbart një magji që ka kapërcyer shekuj, kontinente e mediume. Që nga fjala e shkruar e Charles Perrault, ku një pantofël qelqi vendos fatin e një vajze të braktisur, deri tek ekranizimi i parë i heshtur në fillim të shekullit XX, e më pas te interpretimi i paharrueshëm i Walt Disney në vitin 1950, historia e Hirushes është kthyer në simbol universal të shpresës, ëndrrave dhe drejtësisë poetike.

Suksesi i filmit të animuar të Disney-t nuk ishte thjesht komercial – ai shënoi rilindjen e studios pas Luftës së Dytë Botërore, frymëzoi breza të tërë me estetikën e tij të ëmbël dhe muzikën e paharrueshme, dhe bëri që figura e Hirushes të jetojë përtej përrallës, si një arketip i së mirës që triumfon në heshtje.

Sot, Hirushja nuk është vetëm një princeshë mes të tjerave – ajo është metaforë e shpresës që nuk shuhet, e dashurisë që vjen pa paralajmërim, dhe e bukurisë që lind nga dhembja. Kinemaja ia fali përjetësinë. Ekrani e ktheu në kujtesë kolektive.

Përralla e Hirushes, me gjithë thjeshtësinë e saj, mbart një magji që ka kapërcyer shekuj, kontinente e mediume. Që nga fjala e shkruar e Charles Perrault, ku një këpucë qelqi vendos fatin e një vajze të braktisur, deri tek ekranizimi i parë në fillim të shekullit XX, e më pas te interpretimi i paharrueshëm i Walt Disney në vitin 1950, historia e Hirushes është kthyer në simbol universal të shpresës dhe ëndrrave.

Suksesi i filmit të animuar të Disneyt nuk ishte thjesht komercial, ai shënoi rilindjen e studios pas Luftës së Dytë Botërore, frymëzoi breza të tërë me estetikën e tij të ëmbël dhe muzikën e paharrueshme, dhe bëri që figura e Hirushes të jetojë përtej përrallës, si një arketip i së mirës që triumfon në heshtje.

Sot, Hirushja nuk është vetëm një princeshë mes të tjerave, ajo është metaforë e shpresës që nuk shuhet, e dashurisë që vjen pa paralajmërim, dhe e bukurisë që lind nga dhembja. Kinemaja ia fali përjetësinë. Ekrani e ktheu në kujtesë kolektive./KultPlus.com

Fjalët e nënës nuk e ndalën litarin, por as vargjet e tij nuk i ndali vdekja, tragjedia e poetit Havzi Nela

Më 10 gusht 1988, në një orë të heshtur të mëngjesit, regjimi komunist shqiptar ekzekutoi me varje poetin Havzi Nela, duke vendosur një nga vulat më të errëta të diktaturës në historinë tonë. Por ajo që duhej të ishte heshtja përfundimtare e një “zëri kundërshtues”, u kthye në një britmë që do të jehonte më fort pas rënies së komunizmit.

Nela, i lindur më 20 shkurt 1934 në Kollovoz të Kukësit, ishte rritur në varfëri, por kishte pasuri shpirtërore që s’kishte kufij: dashurinë për fjalën e lirë, për dijen dhe për njeriun. Qysh në rininë e hershme e shfaqi hapur kundërshtimin ndaj padrejtësive të regjimit. U përjashtua si “element destruktiv” nga Instituti Pedagogjik i Shkodrës, por nuk reshti së mësuari të tjerët.

Dënimi i tij me 15 vjet burg nisi pas një tentative për t’u arratisur në Kosovë, bashkë me bashkëshorten Lavdie, në prill të vitit 1967. Por nuk ishte thjesht tentativa për t’u larguar nga vendi ajo që e dënoi – ishte vetë poezia e tij, fjala e tij, refuzimi për të heshtur që e shndërroi në simbol të rezistencës. Burgjet dhe internimet u bënë pjesë e jetës së tij deri në momentin e fundit.

Më 24 qershor 1988, Gjykata e Lartë vulosi dënimin e tij me vdekje. As lutja e nënës, Xhevahire Nela, dhe as telegramet e motrave, nipave e mbesave, dërguar Presidiumit të Kuvendit Popullor më 26 shkurt 1988, nuk u morën parasysh. Regjimi nuk njihte mëshirë për poetët.

Në praktikën e faljes së jetës vihet re se Havzi Nela nuk kërkoi falje, as nuk shkroi ndonjë lutje për jetë. Fjala e tij nuk pranoi të përkulej.

U var në mes të qytetit dhe më pas u gropos në këmbë, pa të drejtë të prehej i shtrirë, në një gropë të hapur aty ku dikur ishte një shtyllë druri. Qëndroi në këmbë nën dhe për pesë vjet, deri më 20 gusht 1993, kur më në fund u gjet nga familja dhe u rivarros me nderet që i takonin.

Titulli “Dëshmor i Demokracisë” iu dha pas vdekjes me dekret presidencial, por ajo që Havzi Nela i dha Shqipërisë ishte shumë më shumë: ai u bë metafora më e fuqishme e poetit të pamposhtur, e fjalës që nuk pranon të heshtë, edhe kur i vihet litari në fyt.

Në një kohë kur vendet e tjera komuniste po zhbënin dënimet politike dhe po lëviznin drejt reformës, Shqipëria zgjodhi të vrasë një poet.

Në vazhdim, sjellim një nga poezitë më të dhimbshme të Havzi Nelës, kushtuar nënës së tij, si dhe letrën prekëse të nënës për të birin, një dëshmi e përjetshme e dhimbjes:

“SHOKUT, RAMIZ ALIA

PRESIDIUMI KUVENDIT POPULLOR

TIRANE

LUTEM ME FALNI JETEN E DJALIT TIM HAVZI NELA QE ESHTE DENUAR ME VARJE

NENA XHEVAHIRE NELAJ

KATUNDI KOLLOVAZ

LOK. SHISHTAVEC

URGJENTE…”

Po, o nanë, po

Po, o nanë, po,
N’emën të ligjit jam arrestue,
E duert m’i kthyen prapa policët e zi,
N’hekur me tutjus m’i kanë ngujue!
Me gazin 69 u pamë sy ndër sy,
Si me keqardhje m’u ba se më vështroi,
E kur lëshova kambën mbrenda me hy,
M’u ba se psherëtiu, m’u ba se rënkoi!
Ndoshta e ndjeu veten fajtor,
Pse erdhi e më mori përsëri!
Ndoshta i gjori ishte lodhë,

Gjithkah n’udhtim nëpër Shqipni.
Gjithkund tue shkue nëpër atdhe,
Sa djem nanash kështu po i merr!
Si nji kuçedër në “Shqipnin’ e re”
Emni i tij ka futun tmerr!
Ti mos u druej, o Nana ime,
Sido të bahet jam pa faj,
Qëndro malsore, mbahu trime,
Mos e mbyll jetën me vaj!
Djali yt s’ka me t’turpnue,
Gjinin tand s’do ta tradhtojë,
Shqiptar i ndershëm ka me qëndrue,
Po prehnin tand do ta kërkojë.
Ka me dasht me t’pasun pranë,
Ta vështrosh, ta ledhatosh,
E nji fjalë t’ambël me ia thanë,
Plagët zemrës t’ia shërosh!
Pusho, mos qaj, o nanë e mjerë,
Ti me mue s’je kënaqun kurrë.
N’merak e mall ke qenë përherë,
Qysh i vogël dhe sot burrë!
Qysh nand’ vjeç m’ke nxjerrë prej shpie,
Jetim, pa babë, bukën me nxjerrë;
M’shkule nga prehni prej vorfnie,
Vetë jam rritun derë më derë!
Tri ditë bashkë s’i bamë në votër,
Shtëpia jonë nuk qeshi kurrë;
Kurrë s’u ulëm në nji sofër,
Kurrë, o Nana ime, kurrë!/KultPlus.com

Festivali ‘Lumina’, atmosferë elektrizuese për adhuruesit e muzikës elektronike

Festivali i muzikës elektronike “Lumina Electronic” solli ritëm dhe atmosferë për të gjithë adhuruesit e muzikës elektronike.

Aktiviteti dëshmoi edhe një herë se Korça është jo vetëm një qytet i kulturës dhe historisë, por edhe i rinisë dhe energjisë së jashtëzakonshme.

Kryebashkiaku i Korçës, Sotiraq Filo e konsideroi këtë edicion të dytë të festivalit “Lumina”, si të jashtëzakonshëm.

Filo u shpreh se për dy net me radhë, parku “Rinia” u mbush me ritme elektrizuese, energji pafund dhe qindra të rinj që festuan muzikën moderne në një atmosferë që vetëm “Lumina” di ta krijojë.

“Ky edicion e forcoi më tej identitetin e festivalit si një nga eventet më të rëndësishme verore në Korçë, duke tërhequr vizitorë dhe adhurues të muzikës elektronike nga e gjithë Shqipëria dhe rajoni”, tha Filo, në një postim në rrjetet sociale.

Të rinj vendas dhe turistë të huaj u entuziazmuan, në një atmosferë që vështirë të përshkruhet me fjalë.

Lumina Electronic Festival është tashmë një traditë që do të vazhdojë çdo vit, me synimin për të rritur edhe më shumë ndikimin kulturor dhe turistik të Korçës, si një destinacion festash bashkëkohore dhe përjetimesh unike./atsh/KultPlus.com

‘Keep Calm and Carry On’, nga poster i harruar, në ikonë kulturore të shekullit 21

Në pranverën e vitit 2000, në një kuti pluhurosur në librarinë Barter Books në Alnwick, Angli, u zbulua një poster i harruar i Luftës së Dytë Botërore me mesazhin: “Keep Calm and Carry On”. Asokohe askush nuk e dinte se ky slogan do të bëhej një ndër shprehjet më të përhapura dhe të transformuara të kohëve moderne.

Posteri ishte krijuar në vitin 1939 nga Ministria Britanike e Informacionit për të ngritur moralin publik në rast sulmesh ajrore. Ndryshe nga dy posterët e tjerë të serisë, që u shpërndanë gjerësisht, ky kurrë nuk u publikua zyrtarisht dhe shumica e kopjeve u shkatërruan për të kursyer letër. Vetëm disa mbijetuan, përfshirë atë që u gjet në librari.

Stuart dhe Mary Manley, pronarët e librarisë, vendosën ta varin në mur. “Nuk kishim asnjë ide për atë që do të bëhej,” kujton Stuart. Popullariteti nisi si një fenomen lokal, por shpërtheu globalisht pas një artikulli të “The Guardian” në vitin 2005. Deri në vitin 2007, ishin shitur mbi 50,000 kopje.

Në një botë të ndryshuar nga interneti, kultura e memeve dhe ironia, slogani gjeti kuptim të ri. Në kohë krizash, si ajo financiare e vitit 2008, “Keep Calm and Carry On” u pa si thirrje për qëndrueshmëri. Ai u bë pjesë e identitetit kombëtar britanik, por gjithashtu u transformua pafundësisht: Keep Calm and Drink Tea, Keep Calm and Have a Cupcake, e kështu me radhë.

Megjithatë, jo të gjithë e përqafuan mesazhin. Kritikët e panë si simbol të elitizmit, propagandës së luftës apo si përgjigje të pandjeshme ndaj krizave moderne. Për disa, ai përfaqëson nostalgjinë për “kohët e arta” të qëndrueshmërisë britanike, për të tjerë, një klishe pa thelb.

Pavarësisht debateve, posterit i mbeti forca për të përcjellë një ndjenjë qetësie në kohë të trazuara. Thjeshtësia e dizajnit, fuqia e mesazhit dhe aftësia për t’u përshtatur me çdo kontekst, e kanë bërë të pavdekshëm në kulturën pop.

Një slogan i krijuar për luftën, por që jeton edhe sot, ndërmjet humorit, kritikës dhe nostalgjisë./BBC/KultPlus.com

Lady Gaga dhe Bruno Mars kryesojnë në nominimet për MTV Video Music Awards 2025

Lady Gaga, Bruno Mars dhe Kendrick Lamar janë artistët me më shumë nominime për edicionin e sivjetshëm të çmimeve MTV Video Music Awards (VMAs).

Ndër artistët më të nominuar janë gjithashtu edhe Sabrina Carpenter dhe Ariana Grande, të cilat kanë pasur një vit të suksesshëm në muzikën pop.

Dy ikonat e muzikës Beyoncé dhe Taylor Swift, që ndajnë rekordin për më shumë çmime VMA të fituara ndonjëherë (nga 30 secila), këtë vit janë nominuar vetëm në një kategori, artistja e vitit. Edhe pse asnjëra nuk ka publikuar album gjatë vitit të fundit, të dyja kanë zhvilluar turne të mëdha dhe të suksesshme.

Taylor Swift mban rekordin si artistja me më shumë trofe “Moonman” si soliste, ndërsa shumë prej çmimeve të Beyoncé përfshijnë bashkëpunime. Kujtojmë se vitin e kaluar Swift ishte fituesja më e madhe e mbrëmjes, duke marrë shtatë çmime, përfshirë dy më kryesoret: artistja e vitit dhe videoja e vitit.

Për vitin 2025, Lady Gaga udhëheq me 12 nominime, Bruno Mars me 11, ndërsa reperi Kendrick Lamar ndjek me 10. Këngëtarja e hitit “Espresso”, Sabrina Carpenter, është nominuar në tetë kategori.

Ndër nominimet e Lady Gaga përfshihen artistja e vitit dhe albumi më i mirë për projektin e saj “Mayhem”. Artistja 39-vjeçare është aktualisht në një turne në SHBA.

Kënga Die With A Smile, një bashkëpunim mes Lady Gaga dhe Bruno Mars (edhe ai 39 vjeç), është nominuar për këngën e vitit. Dy artistët janë gjithashtu në garë për kategoritë bashkëpunimi më i mirë, kënga më e mirë pop, dhe videoja e vitit.

Këtë vit, ceremonia e VMA-ve sjell dy kategori të reja: artisti më i mirë country dhe artisti më i mirë pop.

Shfaqja do të zhvillohet më 7 shtator në UBS Arena në New York.

Nga ana tjetër, deri më tani nuk janë shpallur plane për edicionin e MTV Europe Music Awards për vitin 2025, me raportime që tregojnë se eventi është përkohësisht në pauzë./BBC/KultPlus.com

Elbasani në ritmin e verës, Ansambli Popullor ndez atmosferën me një spektakël të traditës shqiptare

Mbrëmjen e kaluar, sheshi qendror i Elbasanit u mbush me ngjyra, ritme dhe emocione, teksa Ansambli Popullor solli një performancë mbresëlënëse me valle dhe këngë tradicionale nga të gjitha trevat shqiptare.

Eventi u organizua me përkujdesjen e posaçme të kryetarit të Bashkisë, Gledian Llatja, dhe shënoi nisjen zyrtare të një kalendari të pasur aktivitetesh verore që do të zgjasin gjatë gjithë muajit gusht. Kjo nismë synon ta shndërrojë Elbasanin në një pikë tërheqëse për turistët, artdashësit dhe çdo qytetar që kërkon argëtim dhe përjetim kulturor.

Për më shumë se dy orë, qindra banorë dhe vizitorë shijuan një shfaqje të larmishme artistike, ku u ndërthurën harmonikisht muzika, vallëzimi dhe tradita, duke krijuar një atmosferë të ngrohtë dhe festive në zemër të qytetit.

Ky aktivitet konfirmon edhe një herë rolin e Elbasanit si një qendër aktive e kulturës dhe trashëgimisë kombëtare në sezonin veror./KultPlus.com

Stevie Nicks shtyn koncertet pas një lëndimi në shpatull

Stevie Nicks do të shtyjë disa nga datat e ardhshme të turneut të saj pas një frakture në shpatull, sipas një njoftimi të publikuar në rrjetet e saj sociale. Shfaqjet do të vazhdojnë, por së pari ajo do të marrë pak kohë për t’u shëruar.

“Për shkak të një dëmtimi të fundit që ka rezultuar në një frakturë në shpatull dhe që do të kërkojë kohë rikuperimi, koncertet e planifikuara të Stevie Nicks në gusht dhe shtator do të riplanifikohen”, thuhet në deklaratë.

“Ju lutemi vini re se datat e tetorit nuk do të preken.”

Të gjitha biletat e blera më parë për nëntë datat e prekura do të jenë të vlefshme për datat e reja, sipas deklaratës. Nuk u dhanë detaje të mëtejshme mbi dëmtimin. Turneu i Nicks pritet të rifillojë në Portland, Oregon, më 1 tetor.

“Stevie mezi pret t’ju takojë së shpejti dhe kërkon ndjesë ndaj fansave për këtë shqetësim”.

Së fundmi, Nicks dhe ish-partneri i saj si në jetën personale ashtu edhe në muzikë, anëtari i Fleetwood Mac, Lindsey Buckingham, njoftuan se do të ribotojnë albumin e tyre të vitit 1973, “Buckingham Nicks.” Projekti i paraqet ata si duo dhe është albumi i tyre i parë dhe i vetëm në studio së bashku, para se t’i bashkoheshin grupit Fleetwood Mac.

Ky lajm vjen si një zhgënjim për fansat që prisnin ta shihnin artisten legjendare këtë verë, por gjithashtu me shpresën se ajo do të rikthehet në skenë më e fortë në vjeshtë./CNN/KultPlus.com

‘S’e dija se dhjetë vjet më i ri se Krishti, do të kryqëzohesha mbi ty’

Fragment poezie nga Ismail Kadare

Llora

-II-

Tani shiu godet me shkelma qelqeve.
Atje qielli i zi si negativi i një shkretëtire.
Llora,
Më ka marrë malli,
Mall bojë hiri.
Tani nata si një mbulesë vigane
Qëndisur me drita anëve
Karfosur me paralele dhe meridianë
Nga lindja në perëndim,
Na mbulon e shqetësuar.
Ne shtrihemi nën të,
Si në ethe zbulohemi
Të ndarë,
Të largët,
Të vetmuar.

Pati net,
I qullur nga stuhia jote,
Heshtja pranë teje dhe pasionit të marrë,
Mbërthyer mbi krahët dhe këmbët e tua
Si mbi një kryq të madh
Të bardhë.

Në fillim e mora kaq lehtë.
Madje s’thosha as fjalën “dashuri”.
S’e dija se dhjetë vjet më i ri se Krishti
Do të kryqëzohesha mbi ty./KultPlus.com

Gonxhja: Artefaktet e vjetra nga Muzeu i Budapestit në ‘Marubin’ e Shkodrës

 Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, kujtoi sot, përmes rrjeteve sociale, se në Muzeun Kombëtar të Fotografisë “Marubi” vazhdon të jetë ekspozita e veçantë “Pazari i Humbur i Shkodrës: Ringjallja e një Kujtese”.

Kjo ekspozitë ka sjellë për herë të parë koleksionin e Palokë Lacës, një tregtar i hershëm i Shkodrës, artefaktet e të cilit ruheshin në arkivën e Muzeut të Etnografisë së Budapestit.

Paolo Lazza apo Palokë Laca i kishte shitur departamentit të Muzeut Kombëtar të Etnografisë së Budapestit, rreth 300 objekte si bizhuteri dhe veshje shqiptare. Me hulumtimin në detaje të kësaj figure u angazhua vetë drejtori i “Marubit”, Luçjan Bedeni dhe kuratorja Knopper.

Ministri Gonxhja fton çdokënd që ka mundësi ta vizitojë këtë ekspozitë e cila është e hapur çdo ditë, nga e hëna në të dielë, nga ora 09:00-19:00.

Eskpozita “Pazari i Humbur i Shkodrës: Ringjallja e një Kujtese” ka si kuratore Kim Knoppers. Një hapësirë e veçantë në këtë ekspozitë i dedikohet edhe dizajnerit të tekstileve Jozef Martini, me punimet e tij në jacquard, që sjellin një qasje bashkëkohore ndaj motiveve tradicionale shkodrane./atsh/KultPlus.com

‘Loja e Luftës’, filmi që fitoi Oscar pavarësisht ndalimit nga BBC

Në vitin 1965, regjisori britanik Peter Watkins realizoi një film tronditës me titull “The War Game”, i cili përshkruan pasojat e një sulmi bërthamor mbi Britaninë. Filmi paraqet një skenar hipotetik ku një raketë bërthamore shpërthen mbi Kent, duke shkatërruar spitalet, duke krijuar mungesa të rënda ushqimore dhe duke zhytur vendin në një gjendje kaosi të plotë. Megjithëse ishte porositur nga BBC si pjesë e serisë së dokumentarëve të saj, filmi u ndalua nga transmetimi për dekada me radhë me arsyetimin se ishte “tepër tronditës për mediumin televiziv”.

Pavarësisht kësaj, “The War Game” u nderua me çmimin Oscar për Dokumentarin më të Mirë në vitin 1967 dhe u transmetua më në fund në BBC më 31 korrik 1985.

Filmi u xhirua me rreth 350 aktorë amatorë nga Kent, shumica prej tyre banorë vendas, dhe shumë skena u realizuan në Grand Shaft Barracks në Dover, një bazë ushtarake në rrënim e sipër. Pjesëmarrësit tregojnë se për t’i dhënë realizëm skenave të djegieve, atyre u ngjiteshin në fytyrë kokrra Rice Krispies dhe më pas spërkateshin me bojë të errët për të simuluar plagët nga zjarri. Skenat përfshijnë njerëz që vdesin në rrugë, spitalet e tejmbushura dhe madje edhe policë që kryejnë “vrasje nga mëshira”.

Michael Banks, një nga figurantët në film dhe më vonë regjisor teatri, e kujton përvojën si transformuese: “Shpejtë e kuptova që isha në praninë e një gjeniu. Peter Watkins ishte një inovator. Fillimisht, si çdo 17-vjeçar, e pashë si një mundësi për të luajtur me armë, por që në ditën e dytë, qëndrimi ynë ndryshoi kur kuptuam natyrën e asaj që po xhironim.”

Glynis Greenland, një tjetër pjesëmarrëse, kujton se ishte pjesë e një grupi grash që duhej të bërtisnin në prapaskenë për të shtuar ndjesinë e panikut. Ajo kujton një moment të sikletshëm gjatë xhirimeve: “Mendova se kishin përfunduar xhirimin, kështu që hapa sytë, por kamera ishte ende mbi mua.”

Ndërhyrja politike në ndalimin e filmit është zbuluar përmes dokumenteve të deklasifikuara nga Zyra e Kabinetit. Qeveria e kryeministrit Harold Wilson ushtroi presion mbi BBC për të mos e transmetuar filmin, duke frikësuar se ai mund të ndikonte në opinionin publik ndaj politikës së mbrojtjes bërthamore. Lord Norman Brook, kryetar i BBC-së në atë kohë dhe ish-sekretar i kabinetit, në një letër drejtuar kabinetit, shkroi: “Kam parë filmin, dhe mund të them se është prodhuar me përmbajtje të konsiderueshme. Por subjekti është në mënyrë të pashmangshme alarmues dhe transmetimi i tij mund të ketë një efekt të ndjeshëm në qëndrimet e publikut ndaj politikës së parandalimit bërthamor.”

Huw Wheldon, atëherë drejtues i dokumentarëve në BBC, kishte kundërshtime ndaj disa pjesëve të filmit, si një deklaratë nga një peshkop që thotë “duhet të mësojmë ta duam bombën”, si dhe një skenë ku një polic kryen një vrasje nga mëshira. “Thjesht nuk besoja se ndokush do t’u kërkonte policëve ta bënin këtë. E pashë si një deklaratë anti-policore,” tha ai. Kur e ndau këtë shqetësim me regjisorin Watkins, ky i fundit “shkoi përtej vetes nga zemërimi”.

Ish-Drejtori i Përgjithshëm i BBC-së në vitin 1965, Hugh Carleton Greene, deklaroi vite më vonë: “Vendimi për të mos e transmetuar nuk ishte politik. Unë isha më i tronditur nga programi sesa vetë Lord Brook. Nuk mund të përballoja përgjegjësinë e transmetimit të një programi kaq tronditës.”

Profesori John Cook nga Universiteti Glasgow Caledonian ka studiuar gjerësisht veprën e Peter Watkins dhe vëren se ndikimi i filmit nuk qëndron vetëm në përshkrimet grafike, por në mesazhin e tij të thellë shoqëror: “Nuk ishte aq për shkak të skenave, por sepse ngrinte çështje të pakëndshme për përgatitjen civile të Britanisë. E tregoj ende sot para nxënësve dhe ata mbeten të tronditur.”

“The War Game” mbetet një nga veprat më të fuqishme kinematografike që ka sfiduar pushtetin, politikën dhe vetë mediumin që e porositi. Ai është një kujtesë e fuqishme për realitetin e luftës bërthamore dhe ndikimin e saj mbi njerëzit e zakonshëm, një film që edhe pse u ndalua, i mbijetoi kohës dhe la një gjurmë të pashlyeshme në historinë e kinemasë dhe ndërgjegjes publike./BBC/KultPlus.com

Turistët në Himarë: Kalaja të ofron panoramë mahnitëse

Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Vlorë publikoi në rrjetet sociale intervista të turistëve të shumtë të cilët kanë zgjedhur të vizitojnë këtë zonë të Shqipërisë. Ata shprehen të mahnitur nga panorama që ofron Kalaja e Himarës.

Një vajzë e lindur në Nju Jork por me origjinë shqiptare, tha se kishte ardhur me bashkëshortin dhe miqtë e saj për të parë Kalanë e Himarës.

“Sapo vizituam Kalanë e Himarës. Është absolutisht e bukur. Dhe pamja panoramike e Himarës, mahnitëse. Na pëlqeu shumë. Pothuaj humbëm atje, duke parë kishat dhe shtigjet e lezetshme me lule. Na pëlqeu shumë”.

Një tjetër çift vizitorësh të huaj u shpreh se kalaja është e bukur dhe pamjet gjithashtu shumë të bukura dhe se ua rekomandonin dhe të tjerëve ta vizitonin.

“Ky vend është shumë interesant, i bukur dhe i lashtë”, thotë një tjetër turiste ndërsa shëtit në Himarën e vjetër.

Kalaja e Himarës është një thesar i trashëgimisë kulturore. Në majën e kodrës, mbi të cilën ajo ngrihet, takohet deti me historinë dhe shpirtin e banorëve të kësaj zone.

“Kur ec përreth kalasë, kur ec mes ledheve mund të admirosh peizazhin”, thotë një turiste nga Franca.

Panorama është mahnitëse dhe vizitorët që mbërrijnë deri aty, për ta shijuar, janë të shumtë. Kalaja e Himarës i pret çdo ditë me dyert hapur dhe shpirtin e saj të lashtë. Vizitorët, vendas e të huaj, enden rrugicave me gurë, duke zbuluar kisha e shtëpi të vjetra të cilat dikur gjallonin. Kalaja e Himarës është ndërtuar nga kaonët e lashtë. Ajo ishte një fortesë e fuqishme nëpër shekuj, që ka parë pushtime romake, bizantine dhe osmane, por gjithmonë ka qëndruar kryelartë./atsh/KultPlus.com

Qendra ‘Sotir Kolea’, një hapsirë për lexim, krijimtari dhe inspirim

Biblioteka Kombëtare ka hapur dyert e Qendrës “Sotir Kolea” për të gjithë ata që kërkojnë një vend të qetë, frymëzues dhe të përshtatshëm për punë intelektuale, lexim apo zhvillim idesh të reja. Nëpërmjet një njoftimi në rrjetet sociale, ajo ka ftuar publikun të shfrytëzojë këtë ambient bashkëkohor, i cili kombinon estetikën me funksionalitetin.

Qendra ofron kushte të favorshme për punë individuale, duke përfshirë wi-fi falas, hapësira të qeta, si dhe një atmosferë pa zhurmë, ideale për përqendrim maksimal. Ajo është krijuar për të qenë jo vetëm një vend për lexuesit e pasionuar, por për këdo që kërkon një strehë mendimi, reflektimi dhe krijimtarie.

Një nga veçoritë dalluese të kësaj qendre është salla e literaturës shumëgjuhëshe, ku gjejmë libra të ndarë sipas gjuhëve, nga gjermanishtja dhe italishtja, te greqishtja e lashtë, latinishtja dhe gjuhët orientale. Kjo pasuri gjuhësore dhe kulturore e bën Qendrën “Sotir Kolea” një pikë referimi për studiuesit dhe të apasionuarit pas kulturave të ndryshme.

Stafi mikpritës dhe profesionist është gjithmonë i gatshëm të ndihmojë vizitorët, qoftë për të gjetur materialin e nevojshëm, apo për të orientuar drejt burimeve që ndihmojnë në zhvillimin e projekteve akademike apo krijuese.

Biblioteka Kombëtare thekson se kjo qendër nuk është thjesht një vend për studim, por një hapësirë e hapur për dialog kulturor dhe shkëmbim idesh. Ajo është një dëshmi se kultura dhe dijet nuk janë privilegj, por një nevojë e përbashkët që na bashkon dhe na zhvillon./KultPlus.com

Duart e kryqëzuara të Mona Lizës, kod i fshehur i Leonardo da Vinçit

Shkruan Albert Vataj

Në kryeveprën enigmatike të artit të Rilindjes së Artë, Mona Lizën e Leonardo Da Vinçit, ndërsa syri i shikuesit ndalet fillimisht te buzëqeshja që lëkundet mes ndjeshmërisë dhe fshehtësisë, dhe te vështrimi që ndjek pa u lëvizur, është një tjetër detaj që, në heshtje, grish vëmendje të thellë: duart.

Të kryqëzuara butësisht mbi njëra-tjetrën, ato nuk janë vetëm një element formal i kompozimit, ato janë një përmbajtje më vete, një mesazh i fshehur në qetësinë e figurës. Pozicioni i tyre, me njërën dorë të vendosur me kujdes mbi tjetrën, krijon një pikë gravitacionale të pazëshme, peshoren shpirtërore të gjithë portretit, ku qenia e saj qëndron pezull mes tokës dhe qiellit, mes përjetësisë dhe çastit, mes trupores dhe shpirtërores.

Në këtë ekuilibër delikat, Leonardo ka vendosur solemnitetin e një prehjeje të përmbajtur, një qetësi që tingëllon, një brishtësi që të fton të vështrosh më thellë. Nuk ka tension në duart e saj. Muskujt janë të liruar, pulsi ndjehet i heshtur, lëvizja është ndalur në kufijtë e një meditimi të përjetshëm.

Duart e Mona Lizës janë një varg poetik i vizatuar me penel, janë një gjendje emocionale, e përmbajtur por jo e ftohtë, e heshtur por jo e plogët. Leonardo, mjeshtër i anatomisë, i dritës dhe i ndjeshmërisë, nuk i modeloi thjesht si pjesë fizike, por si burim sensualiteti të heshtur, si çelës i një enigme që nuk shprehet dot vetëm përmes buzëqeshjes.

Këto duar, të kryqëzuara jo nga rastësia, por nga meditimi, bartin gjithë peshën e asaj që nuk thuhet. Ato nuk kapin, nuk tregojnë, nuk kërkojnë, ato presin. E është pikërisht kjo pritje që i jep portretit thellësinë e tij të pakapshme. Ato janë heshtja që flet më shumë se fjalët, më shumë se vetë buzëqeshja./KultPlus.com

Nga Strehim në Frymëzim: Bunkeri i Ulpianës shndërrohet në qendër për art dhe kulturë

Dikur vendstrehim i ndërtuar për të mbrojtur jetën në kohë lufte, sot një simbol i ringjalljes përmes artit dhe bashkësisë. Në zemër të lagjes Ulpiana në Prishtinë, bunkerët e errët, të harruar e të mbushur me lagështi, kanë nisur një kapitull të ri: janë shndërruar në një hapësirë moderne, të ndritshme dhe të hapur për të gjithë.

Ky transformim rrënjësor është më shumë se një rikonstruktim fizik. Është një mesazh i qartë: çdo hapësirë, sado e errët apo e frikshme që ka qenë në të kaluarën, mund të bëhet vend i dritës, i krijimtarisë dhe i bashkimit. Sot, aty ku dikur sundonte heshtja dhe frika, lind jeta përmes artit, ngjall kureshtje tek fëmijët dhe ngjiz ide e ëndrra të reja për të ardhmen, transmeton KultPlus.

Hapësira e re kulturore në Ulpianë përfaqëson një vizion të qartë për transformim social dhe kulturor. Nga një vend i izoluar, në një epiqendër të bashkëpunimit e frymëzimit. Është një hap konkret drejt përfshirjes së komunitetit, veçanërisht të të rinjve, në aktivitete kulturore, arsimore dhe kreative që nxisin zhvillimin personal dhe shoqëror.

Ky projekt u bë i mundur falë financimit nga Qeveria e Dukatit të Madh të Luksemburgut, në partneritet me UNDP Kosovë, dhe do të menaxhohet nga Komuna e Prishtinës. Një bashkëpunim ndërkombëtar dhe lokal që dëshmon se ndryshimi është i mundur kur vizioni shoqërohet me përkushtim dhe mbështetje konkrete.

Qendra e re për Art dhe Kulturë do të shërbejë si një urë lidhëse mes brezave, duke krijuar një hapësirë të sigurt dhe stimuluese për fëmijët, të rinjtë dhe gjithë banorët e lagjes. Një vend ku talentet e reja mund të shprehen, ku komuniteti mund të mblidhet, dhe ku kujtimet e errëta të së kaluarës shndërrohen në dritare të së ardhmes.

Kryeqyteti, edhe një herë, po dëshmon se di si të kthejë sfidat në mundësi, dhe të ndërtojë nga rrënojat një të ardhme që frymëzon./KultPlus.com

Esad Mekuli, poeti që i dha zë shpirtit të Kosovës

Figura e Esad Mekulit qëndron si një nga shtyllat themelore të letërsisë shqipe në Kosovë. Me veprën e tij poetike dhe angazhimin intelektual, ai jo vetëm që la gjurmë të thella në zhvillimin e poezisë moderne, por u bë edhe zëri i një kohe të rëndë, ku fjala kishte peshën e rezistencës dhe përkushtimit.

I lindur në Plavë më 1916, Mekuli i përkiste brezit të atyre krijuesve që nuk ndanë kurrë letërsinë nga përgjegjësia qytetare. Poezia e tij buron nga dhembja kolektive, nga dashuria për tokën, për njeriun e thjeshtë dhe për idealin e lirisë. Vepra e tij e parë, “Për ty” (1955), shënoi një kthesë në letrat shqipe të Kosovës, duke vendosur themelet e një poezie të ndjerë, të drejtpërdrejtë dhe me vetëdije të thellë kombëtare, transmeton KultPlus.

Krahas krijimtarisë letrare, Esad Mekuli dha një kontribut të jashtëzakonshëm në jetën kulturore dhe institucionale të vendit. Ai ishte themelues i revistës “Jeta e Re” dhe kryetari i parë i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës, duke ndikuar drejtpërdrejt në organizimin dhe zhvillimin e jetës letrare kosovare në dekada të vështira.

Veprimtaria e tij përkthimore është po ashtu e rëndësishme, ai solli në gjuhën shqipe poetë të mëdhenj si Pushkini, Majakovski dhe Esenini, duke e pasuruar fondin kulturor kombëtar dhe duke hapur dritare të reja për lexuesin shqiptar.

Më 6 gusht 1993, Esad Mekuli u nda nga jeta, por vepra dhe ndikimi i tij nuk u zbehën kurrë. Në këtë përvjetor, kujtohet një krijues që me fjalën e tij i dha kuptim një kohe, që përmes poezisë i dha zë atyre që nuk mund të flisnin, dhe që sot mbetet frymëzim për brezat e rinj.

Esad Mekuli nuk ishte thjesht një poet, ai ishte një vetëdije e gjallë kulturore, një simbol i dinjitetit dhe i qëndresës shpirtërore shqiptare./KultPlus.com

Letërsia e mërgatës në zemër të Prishtinës: Biblioteka Kombëtare promovon librat e autorëve shqiptarë nga diaspora

Në ambientet e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani”, u zhvillua një ngjarje e veçantë kulturore që vuri në qendër krijimtarinë e autorëve shqiptarë nga mërgata. Aktiviteti, i organizuar në bashkëpunim me Lidhjen e Krijuesve Shqiptarë në Mërgatë, synoi të forcojë urat e bashkëpunimit mes krijuesve që jetojnë jashtë atdheut dhe institucioneve kulturore të Kosovës.

Në këtë takim të ngrohtë e kuptimplotë morën pjesë autorë si Shqipe Bytyqi dhe Musa Jupolli, ky i fundit edhe kryetar i Lidhjes së Krijuesve Shqiptarë në Mërgatë. Ata ndanë me publikun pjesë nga veprat e tyre, përvoja jetësore dhe krijuese, si dhe reflektuan mbi rëndësinë e ruajtjes së gjuhës dhe identitetit përmes letërsisë, përcjellë KultPlus.

Drejtoresha e përgjithshme e Bibliotekës Kombëtare, Blerina Rogova-Gaxha, theksoi vlerësimin që institucioni që ajo drejton ka për diasporën letrare shqiptare, duke deklaruar:

“Dyert e Bibliotekës do të jenë përherë të hapura për mërgatën tonë të jashtëzakonshme!”

Në shenjë mirënjohjeje dhe ndërlidhjeje kulturore, ajo ndau me autorët pjesëmarrës dy nga botimet më domethënëse të Bibliotekës:
“Kujtesa e Kosovës – rrëfime të 100 pleqve dhe plakave të Kosovës” dhe
“Rrëfimet e të mbijetuarve të masakrës së Krushës së Madhe”, dy vepra që ruajnë zërin e dëshmisë dhe historisë kolektive.

Ky promovim është më shumë se një ngjarje letrare, është një përqafim simbolik mes Kosovës dhe krijuesve të saj të shpërndarë nëpër botë, një dëshmi se letërsia dhe kultura nuk kanë kufij, por rrënjë të thella dhe degë që prekin zemrat e shqiptarëve kudo që ndodhen./KultPlus.com

6 gushti i dijes, në përkujtim të lindjes së Eqrem Çabej

Më 6 gusht të vitit 1908 lindi në Gjirokastër Eqrem Çabej, një prej mendimtarëve dhe studiuesve më të mëdhenj të gjuhës shqipe. Figura e tij mbetet sot një nga themelet mbi të cilat u ngrit shkenca albanologjike moderne. Me veprimtarinë e tij të pasur shkencore, Çabej u bë zëri më autoritativ në fushën e gjuhësisë historike shqiptare dhe një nga emrat më të respektuar në botën akademike shqiptare dhe europiane.

Pas studimeve në Austri dhe një formim të thellë në gjuhësi krahasimtare, Çabej solli në Shqipëri një qasje shkencore të mirëfilltë mbi origjinën, zhvillimin dhe strukturën e gjuhës shqipe. Ai punoi ngushtësisht me gjuhëtarë të njohur të kohës, si dhe dha kontribute të jashtëzakonshme në zbërthimin e lidhjeve të shqipes me gjuhët indoevropiane, përcjellë KultPlus.

Një nga veprat më të rëndësishme të tij është “Studime etimologjike në fushë të shqipes”, një seri voluminoze që përbën themelin e etimologjisë shqiptare. Në këtë vepër dhe në shumë të tjera, Çabej tregoi një kujdes të jashtëzakonshëm shkencor, duke u bazuar në burime historike, gjuhësore dhe folklorike për të ndërtuar një pamje të qartë e të argumentuar mbi zhvillimin e shqipes ndër shekuj.

Ai kontribuoi gjithashtu në hartimin dhe pasurimin e terminologjisë shkencore në shqip, në sistemimin e dialekteve dhe në mbështetjen e një standardi gjuhësor që të pasqyronte trashëgiminë dhe dinamizmin e gjuhës shqipe.

Përveçse gjuhëtar, Çabej ishte dhe një edukator i përkushtuar. Si profesor, ai frymëzoi breza të tërë studentësh dhe studiuesish, duke e kthyer Universitetin e Tiranës në një qendër serioze të kërkimit albanologjik.

Në përvjetorin e lindjes së tij, më 6 gusht, kujtojmë jo vetëm një datë kalendarike, por një jetë të tërë të përkushtuar dijes, gjuhës, identitetit kombëtar. Eqrem Çabej mbetet një nga figurat më të ndritura të kulturës shqiptare, një njeri që e deshi gjuhën shqipe jo vetëm si objekt studimi, por si pjesë të shpirtit dhe trashëgimisë së një kombi.

Trashëgimia e tij shkencore sot është udhërrëfyese për studiuesit e rinj dhe një pasuri e paçmuar për kulturën kombëtare shqiptare. Në një kohë kur ruajtja e gjuhës dhe identitetit bëhet gjithnjë e më sfiduese, vepra e Eqrem Çabejt është më e rëndësishme se kurrë./KultPlus.com