​91 vite nga lindja e Bilbilit të Kosovës

Nexhmije Pagarusha ka lindur më maj të vitit 1933 në fshatin Pagarushë të Malishevës, dhe ka vdekur më shkurt të vitit 2022, në moshën 89 vjeçare.

Mbretëresha e Këngës Shqipe, Nexhmije Pagarusha e cila njihej si ikona e muzikës shqiptare, sot do të festonte ditëlindjen e 91-të, me një karrierë të bujshme për tërë këto vite.

Kur flitet për të, përdoren në një frymë shumë epitete si, Bilbili i Kosovës, Mbretëresha e Këngës Shqipe, Primadona e Melosit Popullor, e shumë epitet të tjera. Veprimtaria e saj muzikore 50-vjeçare është aq e gjerë, sa që është vështirë të thuhet se cilit zhanër i takon. Është e njohur për interpretimet e saj të shkëlqyera në muzikën popullore dhe opera. ”Baresha”, është një ndër kryeveprat e interpretimit të saj, e cila ishte shkruar nga tekstshkruesi Rifat Kukaj./KultPlus.com

Balada për Gurin…

Sabile Keçmezi Basha

Nuk di si…
Por, balada na mbajti për dore
Dje, Sot, Nesër…
Po edhe një ditë tjetër…
Në mesnatë…
Në mes-stinë…

E unë, në faqen e saj
Ende pikturojë
Kthimin e lirë
Në lëkurën e djegur

Nuk di si,…
Por kurrë nuk u ndërpre loja
Në pikën e vlimit
Në mesnatën kallkan
Dhe…
Në vjeshtën e thinjur…

Pa çka
Që edhe sot
Shi bie në Prishtinë
Bie shi
Dhe përmbyten ëndrrat

Imzot,
Vetë pate thënë,
Kurrë të mos kërkojmë
Lëmosh …
Për gjërat që nuk falen…
Për gjërat që nuk blihen…

Paçka… Imzot…
Po qese na zënë pritën
Korbat… hienat e eklipsuara
Që dridhen e përdridhen…
Mbi Urën e Siratit

Çka…
Kah…
Pa çka…
Imzot…/KultPlus.com

Kryeministri Kurti për Skënderbeun: Mbetet referenca e parë fillestare e çdo vetëdije shtetëndërtuese

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i ka dedikuar një shkrim Heroit Kombëtar shqiptar, Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, pasi ka hipoteza të historianëve që ditëlindja e tij mund të jetë sot, më 6 maj.

Kryeministri Kurti ka thënë se Skënderbeu është referenca e parë fillestare e çdo vetëdije shtetëndërtuese dhe e çdo ndërgjegjje komunitare për shqiptarët.

Më poshtë gjeni shkrimin e plotë të Kryeministrit Kurti:

Nga Prishtina në Gjakovë e nga Tirana në Shkup dhe deri te arbëreshët në San Basile të Italisë, këto ditë u kujtua me nderime dhe me shtatore të reja heroi kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu. Ky portret i tij, është publikuar në biografinë më të njohur të Skënderbeut, shkruar nga Marin Barleti dhe botuar më 1508.

Siç besohet gjerësisht, Gjergj Kastrioti kishte lindur para 619 vitesh, më 6 maj të vitit 1405. Kjo duke u bazuar në një traditë antroponomike mesjetare, sipas së cilës të lindurit në ditë shenjtorësh pagëzoheshin me emrin e shenjtorit përkatës, prej nga disa historianë kanë hedhur hipotezën që Gjergj Kastrioti, mund të ketë lindur pikërisht më 6 maj, ditën e Shën Gjergjit, me emrin e të cilit shenjtor është pagëzuar.

Sidoqoftë përtej ditëlindjes së tij, ka gjithmonë arsye dhe dobi të kujtohet jeta dhe vepra e Skënderbeut, Zotit të Arbërisë, fisnikut më të shquar arbëror të Mesjetës. Skënderbeu ishte një luftëtar i paepur për liri, strateg ushtarak gjenial, burrështetas i guximshëm dhe diplomat vizionar. Ai drejtoi një rezistencë dhe qëndresë të pathyeshme ndaj osmanëve që nga viti 1443 e deri sa vdiq më 1468.

Lidhjet e Skënderbeut me shtetet italiane dhe perëndimore si me Mbretërinë e Napolit, me Papatin e Romës dhe me Republikën e Venedikut, janë rikthyer dhe rimarrë si raporte referenciale politike për shqiptarët edhe në kohët moderne. Në shekullin e XIX, figura e Skënderbeut u mor nga rilindasit shqiptarë dhe u vendos në qendër të identitetit kombëtar të shqiptarëve. Stema dhe flamuri i dikurshëm i Kastriotit u bënë bazë e flamurit kombëtar dhe shtetëror nga shqiptarët në fillim të shekullit të XX.

Vepra e Skënderbeut është dhe do të mbetet referenca e parë fillestare e çdo vetëdije shtetëndërtuese dhe e çdo ndërgjegjje komunitare për shqiptarët.

Andaj përherë, lavdi i Skënderbeut brez pas brezi do të shtohet!/KultPlus.com

‘Travel Off Path’: Shqipëria – destinacioni mesdhetar me rritjen më të shpejtë turistike në Evropë

Po mendoni të vizitoni Spanjën për plazhet më të mira në Evropë? Apo Italinë, për të zbuluar kulturën romake? Po sikur t’i gjenit të dyja në ‘perlën e fshehur’ më pak të njohur dhe më të përballueshme? Vizitoni Shqipërinë, shkruan Tor Brierley në një artikull të botuar në “Travel Off Path”.

Shqipëria ka regjistruar një rritje të pabesueshme prej 233,3% të pasagjerëve ajror krahasuar me vitin 2019, duke e bërë atë destinacionin me rritjen më të shpejtë turistike në Evropë. Ja pse duhet të vizitoni Shqipërinë:

Atraksionet historike magjepsëse

Shqipëria e sotme ishte dikur pjesë e Perandorisë Romake, kështu që këtu do të gjeni një sërë atraksionesh të pabesueshme romake. Por, pa turma turistësh që do të gjenit në Romë!

Disa nga rrënojat romake më të rëndësishme në Shqipëri përfshijnë Parkun Arkeologjik të Apolonisë, Butrintin dhe Kalanë e Beratit.

Butrinti nuk është vetëm një vend i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, ai gjithashtu konsiderohet si vendi më i rëndësishëm arkeologjik në Shqipëri.

Mbetjet e një Amfiteatri Romak janë përfshirë në këtë vend të rëndësishëm, i cili ka qenë i banuar që nga kohërat parahistorike.

Eksploroni Kalanë e Beratit

Ndoshta atraksioni më unik arkeologjik në Shqipëri është Kalaja e Beratit.

Të ecësh nëpër Kala është si të ecësh nëpër historinë e Shqipërisë, pasi ajo është përshtatur dhe përditësuar me secilin nga pushtimet e njëpasnjëshme të vendit.

Kjo është një kështjellë e fortifikuar me mure, por gjithashtu përmban kisha dhe xhami dhe është krejtësisht unike. Nuk do të gjeni askund tjetër në botë si Kalaja e Beratit.

Qyteti i Beratit është gjithashtu historikisht i pasur, magjepsës dhe ia vlen të eksplorohet.

Riviera Shqiptare

Plazhet në Rivierën Shqiptare janë magjepsëse dhe ofrojnë një panoramë që të lë pa frymë.

Riviera Shqiptare konsiderohet destinacioni më i ri i plazhit mesdhetar dhe shtrihet në një sipërfaqe prej 130 kilometra me rërë të bardhë mahnitëse.

Nëse jeni duke kërkuar për plazhet më të mira, atëherë vizitoni Sarandën, e cila është një qytet tipik bregdetar ideal për udhëtarët që pëlqejnë atraksionet dhe akomodimet e rehatshme gjatë pushimeve në plazh.

Këtu mund të shëtisni përgjatë bulevardit Hasan Tahsini, të kënaqeni me ushqimet e shijshme të detit në restorante dhe t’i kaloni mbrëmjet në bare koktejlesh.

Infrastruktura turistike këtu është e pabesueshme.

Ksamili me ujërat e kristalta blu rivalizojnë Maldivet, për të cilin Riviera shqiptare është kaq e njohur.

Ky është plazhi i preferuar i shumë turistëve.

Në brigjet e Ksamilit ndodhen katër ishuj të pabanuar dhe janë një zgjedhje e shkëlqyer për një udhëtim ditor në Shqipëri.

Zona ofron pamjet spektakolare si dhe mundësi të shkëlqyera për not, ski jet ose kajak.

Një destinacion i përballueshëm

Krahasuar me shumë pika të tjera të bukura në Mesdhe, Shqipëria është mjaft e lirë!

Ju do të paguani 2-5 dollarë për një vakt të lirë ose meze të lehtë në një kafene, dhe 10 dollarë për një drekë ose darkë të bollshme në një restorant lokal.

Një litër birrë kushton rreth 2,5 dollarë, ndërsa një kapuçino kushton aktualisht më pak se 2 dollarë.

Shqipëria është një nga destinacionet më të lira në Europë dhe ideale për udhëtarët me buxhet t ë kufizuar.

Eksplorimi i Tiranës

Tirana është kryeqyteti i Shqipërisë dhe pavarësisht sipërfaqes , ajo është një kryeqytet vital dhe i gjallë.

Këtu do të gjeni një kulturë të pasur tradicionale, por edhe një anë rinore dhe bashkëkohore që e bën Tiranën një qytet magjepsës.

Tirana ishte dikur një kryeqytet komunist, por tani ndërtesat e saj me ngjyra të ndezura dhe rrugët e pedonalizuara të qytetit janë një kënaqësi për t’u eksploruar.

Pikat kryesore të qytetit përfshijnë Muzeun Historik Kombëtar dhe Bunk’Art, i cili është një bunker i Luftës së Ftohtë që është shndërruar në një galeri arti moderne magjepsëse.

Nëse udhëtoni në Shqipëri, bëni ndalesën tuaj të parë në Tiranë dhe eksploroni për disa ditë kryeqytetin emocionues përpara se të shkoni në bregdet.

Shprehje frazeologjike nga Sigmund Freud

Sigmund Frojd

Lexim i lumtur, shikim i lumtur dhe… le të përpiqemi gjithmonë të kuptojmë të gjitha sinjalet që na dërgon pavetëdija jonë çdo ditë: ëndrrat, rrëshqitjet e gjuhës dhe aktet e përsëritura të pavullnetshme sigurisht që nuk tregojnë një gjendje të mirë të shëndetit psikologjik.

Të dëgjosh mesazhe të caktuara do të thotë të lexosh atë pjesë tonën që nuk e njohim dhe që ndoshta nuk do ta njohim kurrë plotësisht.

***

Vetëm në një pakicë njerëzish të kulturuar janë bashkuar në mënyrë të përkryer dy rrymat e dashurisë dhe sensualitetit.

***

Turma është një tufë e urtë e paaftë për të jetuar pa zot. Ajo është aq e etur për t’u bindur, saqë instinktivisht i nënshtrohet atij që e vendos veten në krye.

***

Humori është mekanizmi më i fuqishëm mbrojtës. Na lejon të kursejmë energji psikike dhe me një shaka bllokojmë shfaqjen e emocioneve të pakëndshme .

***

Qytetërimi është diçka që i imponohet një mazhorance rebele nga një pakicë që ka mundur të përvetësojë mjetet e pushtetit dhe të detyrimit.

***

Qentë i duan miqtë dhe kafshojnë armiqtë, ndryshe nga njerëzit, të cilët janë të paaftë për dashuri të pastër dhe ngatërrojnë dashurinë me urrejtjen në marrëdhëniet e tyre.

***

Ndaj sot neuroza është ajo që ishte manastiri në kohët e tjera, ku gjenin strehë të gjithë të zhgënjyerit nga jeta dhe të gjithë ata që ndiheshin shumë të dobët për ta përballuar atë.

***

Mendimet tona në ëndrra dominohen nga i njëjti material që na mban të zënë gjatë ditës dhe shqetësohemi për të ëndërruar vetëm ato gjëra që na kanë dhënë arsye për të medituar gjatë ditës.

***

Vetëm besimtarët, të cilët presin që shkenca të bëhet zëvendësuesi i katekizmit që ata kanë hequr dorë, mund të fajësojnë studiuesin që përpunon apo modifikon konceptet e tij.

***

Oh, jeta mund të ishte shumë interesante, sikur të dinim dhe kuptonim diçka më shumë.

***

Kushdo që është në gjendje të depërtojë në shkaqet përcaktuese të sëmundjeve nervore do të bindet së shpejti se rritja e tyre në shoqërinë tonë rezulton nga intensifikimi i kufizimeve seksuale.

***

E ardhmja që na tregon ëndrra nuk është ajo që do të ndodhë, por ajo që do të donim të ndodhte. Mendja popullore këtu sillet si zakonisht: beson atë që dëshiron.

***

Pikërisht thelbësorja e urdhrit “mos vrit” na siguron se ne rrjedhim nga një seri shumë e gjatë brezash që kishin në gjak vrasjen, siç ndoshta ne vetë ende e kemi, kënaqësinë e vrasjes.

***

Asnjëherë nuk jemi kaq të pambrojtur ndaj vuajtjes sa në momentin që duam.

***

Liria nuk është një përfitim i kulturës: ajo ishte më e madhe para çdo kulture dhe është kufizuar me zhvillimin e qytetërimit.

***

Turmat nuk e kanë ndjerë kurrë dëshirën për të vërtetën. Ata kërkojnë vetëm iluzione, pa të cilat nuk bëjnë dot. Ata gjithmonë i japin përparësi e surreales mbi realen; irealja vepron mbi to me të njëjtën forcë si realja. Ata kanë një tendencë të qartë për të mos dalluar njërën nga tjetra.

***

Një shkak shumë i fuqishëm i shqetësimeve është dëshira për të shmangur një kujtim që mund të shkaktojë ndjenja të pakëndshme ose të dhimbshme.

***

Çmimi i përparimit të qytetërimit paguhet me pakësimin e lumturisë, për shkak të intensifikimit të ndjenjës së fajit.

***

Ka dy mënyra për të qenë të lumtur në këtë jetë, njëra është të bëhesh idiot dhe tjetra është të jesh i tillë.

Përgatiti: Albert Vataj/ KultPlus.com

‘Pemët në verë’ nga Vehbi Kikaj

Poezi nga Vehbi Kikaj

Mollës së hollës
iu ka tharë fyti,
për një gotë ujë
Dielli e mbyti.

Dardhës -së bardhës
iu ka tharë dora
nga vapë e verës
lëngon e gjora.

Kumbulla -sumbulla
s’mund t’i thotë kuj:
si t’shkojë të lumi
të pi pakëz ujë.

I pari -kopshtari
zgjohet që më natë,
pemëve të etura
u jep limonatë…/KultPlus.com

Besiana Mehmedi dhe Adem Karaga sjellin ‘Adem Jasharin’ në Tetovë

Në Tetovë është shënuar edhe një e arritur në kulturën shqiptare në Maqedoninë e Veriut. Ansambli muzikor ka hedhur në skenë koncertin e parë gala, duke shënuar edhe hapat e parë drejt një rrugëtimi muzikor për të lënë gjurmë në muzikën shqiptare në vend.

Themelimi i këtij institucioni paraqet realizimin e kërkesës shumëvjeçare të kuadrove të cilët pasi përfundonin fakultetin muzikor, nuk kishin ku të vazhdojnë rrugëtimin e vet professional.

Pika kulminante ishte: “Legjendat këndoja me mall” një interpretim brilant i dy kërçovarëve Besiana Mehmedi e Adem Karaga. Nën përcjellje të orkestrës simfonike dhe korit, u portretizua në mënyrë madhështore figura e Adem Jasharit, interpretim artistik që ka ngritur sallën në këmbë të gjithë të pranishmit në Pallatin e Kulturës në Tetovë ku mbajt koncerti promovues i Ansamblit Muzikorë.

Pas Teatrit Kombëtar, Ansamblit të Këngëve e Valleve, për shqiptarët fillojë me aktivitet edhe Ansambli Muzikor. Një institucion tjetër shtetëror, me të cilin shqiptarët hap pas hapi po pozicionohen në pozita të barabarta dhe në sferën e kulturës.

Veprimtaria kryesore e këtij institucioni sipas drejtorit Jeton Pustina do të jetë përgatitja dhe prezantimi skenik i veprave muzikore të muzikës klasike, xhаz, vokale dhe vokalo – instrumental

Artistja e njohur Besiana Mehmedi, përmes llogarisë së saj sociale ka bërë një postim të veçante:

Emocion i jashtëzakonshëm! Atmosferë që falin ata që nuk vdesin kurrë sikurse është kryeheroi legjendar, Adem Jashari, i cili mbrëmë risolli frymën e bashkimit në sallën e Tetovës të stërmbushur me spektatorë nga të gjitha viset tona!

Çfarë ndjesie na ke falur Sami Piraj dhe Kreshnik Aliçkaj, neve në skenë dhe gjithë publikut me këtë kryevepër! Mbrëmë jo vetëm që u realizua një projekt madhor i liderit Ali Ahmeti, jo vetëm që u jetësua ëndërra jonë që nisi si ide që në vitin 2020 por shkoi në vend edhe amaneti i baballarëve tanë – të ndërtojmë kalatë tona për brezat që vinë!

Valmir Aziri përgëzimet më të sinqerta për angazhimin tënd si ish sekretar shtetëror në themelimin e kësaj Kalaje kulturore në të cilën të gjithë bashkë vumë nga një gur! Faleminderit për gjithçka që ke bërë për kulturën shqiptare në RMV!

Adem Karaga, Shkelzen Baftiari, Premtim Etemifaleminderit për realizimin brilant të kësaj vepre! Bashkë shënuam histori në këtë datë të rëndësishme dhe rikujtuam edhe njëherë fuqishëm së UÇK është mburoja jonë e përjetshme!

‘Java e Europës 2024’, aktivitete në Gjirokastër

Zyra e Delegacionit të Bashkimit Europian në Tiranë, çeli sot në Gjirokastër “Javën e Evropës 2024”, një event që fton qytetarët të njihen më nga afër me projektet dhe të mësojnë se si BE po e mbështet Shqipërinë për të nxitur gjithëpërfshirjen, diversitetin dhe të drejtat e njeriut.

Në ceremoninë e organizuar me këtë rast në Qafës e Pazarit, në Gjirokastër ishte i pranishëm Ambasadori i Bashkimit Evropian në Tiranë, Silvio Gonzato, kryetari i Bashkisë Gjirokastër, Flamur Golemi dhe qytetarë të shumtë që iu bashkuan këtij eventi.

Ambasadori Silvio Gonzato, përshëndeti këtë event duke u shprehur se është kënaqësi që Java e Evropës po çelet në Gjirokastër.

“Ne kemi vendosur tre tema kryesore mbi të cilat do të fokusohemi, të cilat janë gjithëpërfshirja, larmishmëria në shoqëri dhe të drejtat e njeriut. Kjo për faktin se 27 vendet e BE-së janë të ndryshme, por të gjitha bëhen bashkë në BE. Pra në shoqërinë europiane secili ka vendin e vet dhe e gëzon atë”, tha Gonzato.

Gonzato tha se, gjatë vizitës në Gjirokastër inspektoi nga afër punimet për hapjen e një tregu të ri për grumbullimin dhe shitjen e të gjitha produkteve që do të prodhojë komuniteti rom në këtë bashki.

Ai nënvizoi faktin se “gjatë rrugëtimit që Shqipëria po bën për në BE, nuk duhet të lëmë askënd pas”.

“Të gjitha pjesët e shoqërisë bëhen pjesë e këtij rrugëtimi, duke kontribuar për një shoqëri më të mirë. Unë ju ftoj të vizitoni stendat në panairin e çelur me këtë rast këtu ku ekspozohet kontributi që BE jep për Shqipërinë, bashkë me shoqërinë civile, për ta bërë Shqipërinë një shoqëri më të drejtë më të mirë”, u shpreh Gonzato.

Ndërsa kryetari i Bashkisë, Golemi e vlerësoi nisjen e këtij aktiviteti fillimisht një ditë më parë në Shkodër dhe sot në Gjirokastër, një hap të rëndësishëm, që siç u shpreh ai “çelet në dy qytete të vatrës kombëtar me tradita e histori ku zë vend edhe diversiteti kulturor dhe fetar”.

“Projektet që BE ka mbështetur në zhvillimin e Gjirokastrës, kanë dhënë kontribut në përmirësimin e ekonomisë lokale. Ndërsa vihet re një interes i shtuar i turistëve për ta vizituar këtë qytet”, tha Golemi.

“Më shumë se 300 mijë turistë patëm vitin e kaluar dhe këtë vit presim shifra në rritje dhe kjo falë transformimit pozitiv që po shënon kjo zonë, në çdo drejtim ekonomik, social, e kulturor”, u shpreh ai.

“Javën e Evropës 2024” në Gjirokastër filloi me performanca artistike dhe një panair ku ekspozohen prodhime tradicionale të zonës, nga ato ushqimore e deri tek ato artizane. Ndërsa pjesëmarrës të shumtë në këtë takim u bënë pjesë në diskutime dhe shkëmbyen ide për bashkëpunime të reja./atsh/KultPlus.com

Kryeministri Kurti përkujton Fehmi Aganin: Ishte busull mes turbullirave politike të kohës në Kosovë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka përkujtuar në 25 vjetorin e vrasjes profesorin Fehmi Agani.

Kryeministri Kurti ka thënë se profesori Agani u vra në kohën kur operacionet gjenocidale të forcave policore e ushtarake të Serbisë në Kosovë ishin në kulmin e tyre.

“Një polic serb e pikasi Profesor Aganin mes të tjerëve, e ndau nga familjarët duke e zbritur nga autobusi dhe bashkë me policë të tjerë e hipën në një veturë të kuqe. Fehmi Agani u ekzekutua atë ditë, në afërsi të Lipjanit nën një urë. Prej atëherë dhe deri sot që u bënë 25 vite, rrethanat e vrasjes së Fehmi Aganit nuk janë sqaruar plotësisht, kurse ekzekutuesit e tij nuk janë nxjerrë para drejtësisë”, tha Kurti.

Ai tha se profesor Fehmi Agani, ishte busull mes turbullirave politike të kohës në Kosovë.

“Fehmi Agani do të kujtohet përherë mes të rënëve të popullit tonë në përpjekjet dhe sakrificat për liri të Kosovës!”, tha shefi i qeverisë Albin Kurti.

Fehmi Agani, u vra më 6 maj 1999-të.

Presidenti Begaj pritet nga Papa Françesku

Presidenti Bajram Begaj u prit sot në një audiencë të veçantë në Selinë e Shenjtë në Vatikan nga Shenjtëria e tij, Papa Françesku.

Kjo është hera e dytë që Presidenti Begaj pritet në audiencë nga Ati i Shenjtë, pas vizitës së parë që zhvilloi në Vatikan në dhjetor të vitit 2022.

Kreu i shtetit falendëroi përzemërsisht Papa Françeskun për këtë pritje duke i shprehur atij urime të sinqerta për angazhimin e fuqishëm në përhapjen e paqes përmes mesazheve të drejtpërdrejta  për t’i dhënë fund luftrave sidomos në zonat e e nxehta të konfliktit; Ukrainë e në Lindjen e Mesme.

Presidenti i Republikës konfirmoi qëndrimin e Shqipërisë në krah të aleatëve perëndimorë për zgjidhjen përmes dialogut, si i vetmja garanci për stabilitet dhe zhvillim të qëndrueshëm në rajonin e Ballkanit dhe me gjerë.

Presidenti Begai i dhuroi Atit të Shenjtë një pikturë të Kishës së Kuvendit të Rubikut, një ikonë e krishtërimit shqiptar dhe një ndër kishat më të vjetra në Ballkan.

Presidenti Begaj u prit në një takim edhe nga Sekretari i Shtetit, Kardinal Parolini.

Gjatë këtij takimi u diskutua për proceset integruese që Shqipëria ka ndërmarrë si pjesë natyrale e Evropës dhe që tani me avancimin e reformave pret të jetë anëtare me të drejta të plota në Bashkimin Evropian.

Presidenti Begaj falenderoj Sekretarin e Shtetit për mbështetjen që Selia e Shenjtë i jep proceseve integruese  të Shqipërisë. Edhe për Kosovën, Presidenti i Shqipërisë i përcolli Sekretarit të Shtetit progresin që  Kosova ka bërë në procesin e reformave, të shtetit të së drejtës, respektimin e pakicave dhe integrimit në organizmat ndërkombëtare.

Kreu i Shtetit theksoi vijimësinë e angazhimit të tij për thellimin e bashkëpunimit duke iu referuar edhe lidhjes të Selisë së Shenjtë me Kishën katolike shqiptare në Shqipëri dhe në Kosovë./atsh/KultPlus.com

Të enjten mbrëma, nis festivali më i madh i muzikës klasike në vend, ‘Chopin Piano Fest’ 2024

 “Chopin Piano Fest Prishtina”,  festivali më i madh i muzikës klasike në vend  të enjten mbrëma nis edicionin e 14- të festivalit, duke sjellë edhe këtë herë magji të lojës me piano nga artistët vendorë e ndërkombëtar, shkruan KultPlus.

Edicioni i 14-të i “Chopin Piano Fest” do të prezantojë 14 koncerte me program të pasur artistik jo vetëm me veprat e Chopin-it, por edhe kompozitorëve të tjerë të njohur, klasikë dhe bashkëkohorë, në Amfiteatrin e Ri të Bibliotekës Qëndrore Universitare të Prishtinës.

“Për 14 mbrëmjet e festivalit, do të mund të dëgjoni një repertor të zgjedhur me kujdes, për t’i dhënë mbrëmjeve tuaja një përzierje të shkëlqyeshme të muzikës së bukur dhe interpretimit të saj në nivelin më të lartë botëror.

Bashkohuni me ne, për të përjetuar një eksperiencë unike muzikore në edicionin e 14-të të Chopin Piano Fest Prishtina”, thuhet në njoftim.

“Chopin Piano Fest 2024” mbahet nga data 9 maj deri më 9 qershor 2024/ KultPlus.com

Eurovizion 2024, dy gjysmëfinalet më 7 dhe 9 maj, nata finale më 11 maj

Vetëm pak orë na ndajnë nga spektakli i “Eurovision 2024”, i cili mbledh artistët nga e gjithë Evropa.

Eurovizioni sivjet do të mbahet në Malmo në Suedisë me dy gjysmëfinale më 7 dhe 9 maj. Artistet pjesëmarrës siç e do tradita kanë bërë dhe paradën e tyre në tapetin Turkez.

Shqipëria do të performojë natën e dytë të gjysmëfinales së Eurovision 2024 ku pas hedhjes së shortit, është përcaktuar se do të jetë e 6-ta në radhë, të enjten e 9 majit, kur do të zhvillohet edhe gjysmëfinalja e dytë.

Besa Kokëdhima do të përfaqësojë Shqipërinë në Eurovizion 2024 me këngën “Titan”.

Ajo ka marrë besimin e publikut në Festivalin e 62 –të të Këngës në RTSH për të përfaqësuar Shqipërinë në edicionin e 68-të të Eurovizion-it.

Përfaqësimi i Besës në këtë kompeticion ka marrë një vëmendje të veçantë.

“E kanë cilësuar si një performancë dinjitoze, Besën me një vokal shumë të mirë, me një mesazh shumë të bukur. Me provat që janë realizuar deri tani duket se gjithçka është përfekte”, tha moderatori Andri Xhahu.

Përsa i përket votimit në Eurovizion, moderatori Andri Xhahu tregon detajet.

“Votimi është shumë i rëndësishëm pasi nga gjysmëfinalja, dhjetë finalistët vlerësohen nga vota e publikut. Votohen në dy forma: Shqiptarët që ndodhen në shtetet që janë në garë në natën e dytë gjysmëfinale mund të votojnë me kodin 02 në numrat e telefonit vendosur në dispozicion nga shteti ku ata jetojnë, nga vendet pjesëmarrëse. Ndërsa, të gjithë shqiptarët që ndodhen kudo nëpër botë, tani është votimi rest of the world (pjesa tjetër e botës) ku mund të votohet online 24 orë përpara se të çelet votimi i online në esc.vote ku mund të votohet për Shqipërinë deri në 20 herë nga çdo vend i botës,” tha Xhahu për RTSH.

Eurovision 2024 do të transmetohet drejtpërdrejtë edhe në RTK.

Vetëm 16 shtete do të zgjidhen nga dy gjysmëfinalet për të vijuar më pas në finalen e madhe që do të zhvillohet më 11 maj, të cilat do t’u bashkohen 5 shteteve të përhershme finaliste./rtsh/KultPlus.com

Haqif Mulliqi, dramaturgu që shkroi mbi 300 kritika mbi dramën, filmin dhe teatrin

Në 64 vjetorin e lindjes përkujtojmë dramaturgun Haqif Mulliqi.

Haqif Mulliqi (1960 – 2023) ishte gazetar, dramaturg dhe profesor universitar nga Peja. 

Haqif Mulliqi lindi në Pejë (1960). Shkollën fillore, të mesmen si dhe studimet themelore, akademike, i mbaroi në Prishtinë. Studimet master mbi psikologjinë, me temën: Psikologjia e karaktereve në veprat ‘Hamleti’, ‘Magbethi’ dhe ‘ Mbreti Lir’ i mbaroi në Tiranë (2009).

Ka magjistruar në Universitetin Shtetëror të Tetovës, me temën: Tipa të dramës në Evropë dhe në Amerikë – nga Ibseni e deri tek klasikët e modernizmi:Beket dhe Jonesko (2012). Ka doktoruar në Akademinë e Studimeve Albanologjike në Tiranë, në fushën e antropologjisë së dramës dhe të teatrit, me temën: Teatri, Drama dhe Identiteti Kulturor në Kosovë (2015). Është profesor i rregullt në Fakultetin e Arteve të Universitetit të Prishtinës. Ka punuar edhe në disa universitete të tjera si ligjërues i jashtëm.

Ka shkruar mbi 300 kritika mbi dramën, filmin dhe teatrin. Për dhjetë vjet të plota, në Radio Televizionin e Kosovës, ishte autor dhe drejtues i emisionit për film dhe teatër, Pro arte.

Nëpër teatrot më të njohura shqiptare, ka vënë në skenë rreth 25 vepra ndërsa, ka marrë pjesë në mbi 80 festivale të ndryshme, kombëtare si dhe në ato, më të njohurat, ndërkombëtare me ç’rast ka fituar një numër çmimesh. Më i rëndësishmi është ai kur, në edicionin e 58-të të Festivalit Teatror të Edinburgut (Skoci, 2004), ku, me shfaqjen (tregjuhëshe) The Kosowars, nga juria e përbërë nga kritikët e gazetës The Scotsman, si dhe aktorët më eminentë të Teatrit Kombëtar Skocez, u rangua në dhjetëshen e parë të shfaqjeve më të mirë të atij viti, e që është çmimi kryesor që jepet në atë festival.

Librat e tij artistik dhe studimorë janë pjesë e programeve akademike brenda dhe jashtë Kosovës si literaturë e obligueshme. Në vitin 2018, në konkursin e Ministrisë së Kulturës të Kosovës, për veprën Teatri, drama dhe identiteti kulturor në Kosovë, e fitoi çmimin letrar “Ibrahim Rugova”, për krijimtarinë më të mirë në kritikë letrare dhe eseistikë. Ka qenë anëtar i PEN Qendrës së Kosovës dhe anëtar i Bordit.

Ai ka vdekur më 25 korrik 2023./ KultPlus.com

Kryeministri Kurti uron goranët: Kontributi i juaj mbetet i rëndësishëm, i veçantë dhe i çmueshëm

Kryeministri Albin Kurti ka uruar komunitetin e goranëve për ditën e tyre.

Në urimin e Kurtit thuhet se kontributi i goranëve në jetën shoqërore të vendit mbetet i rëndësishëm, i veçantë dhe i çmueshëm.

“Vitin e kaluar, kam pasë mundësinë të takohem përsëri me përfaqësues tuaj, si në Prishtinë, por po ashtu dhe gjatë një vizite në Dragash. Që nga fillimi i mandatit tonë, kemi dëshmuar se askush, nga asnjë komunitet, nuk do të lihet pas, por do të jetë pjesë e zhvillimit e progresit tonë, ku politikat progresiste të shtetit mbërrijnë tek të gjithë”.

“Andaj dhe nuk kanë munguar investimet e qeverisë sonë si në përmirësimin e infrastrukturës, por edhe mbështetjes ekonomike, ndërtimit të shtëpive, përfitimit nga kuotat e punësimit apo dhe verifikimit të diplomave. Kjo ditë feste na rikujton se bashkë kemi bërë shumë, por mund të bëjmë ende më shumë. Do të vijojmë punën në mbrojtjen, promovimin e mbështetjen e komunitetit goran”, thuhet në urim.

168 vite nga lindja e babait të psikoanalizës, Zigmund Frojd

Sot, në 168 vjetorin e lindjes kujtojmë babain e psikoanalizës, Sigmund Frojd, shkruan KultPlus.

Ai ka lindur më 6 maj të vitit 1856 në Freiberg, një qytet në Mähren (Çekia e sotme). Ishte mjek, neurolog austriak dhe pionier i psikoanalizës.

Familja e tij i takonte kulturës hebraike në ketë qytet dhe ky ishte një nga 130 judenj në një qytet të banuar nga 4500 banorë. Frojdi filloi universitetin në moshën 17 vjeçare, por nuk u promovua si mjek pas provimeve derisa i plotësoi 25 vjet. Por kur u promovua, ai u punësua menjëherë në spitalin e Vjenës. Në vitin 1903 Frojdin e takojmë si profesor, pas 17 vitesh përvoje pune në profesion (koha normale ishte tetë vjet), ndërsa në vitin 1886 u martua dhe kishte gjithsejt gjashtë fëmijë.

Puna e parë e Frojdit në teorinë e psikoanalizës ishte ”Studie über Hysterie” të cilën e shkroi së bashku me kolegun e tij të punës Joseph Breuer (Jozef Brojer). Ky libër u botua në vitin 1895, pra nëntë vite, pas hapjes së klinikës së tij private. Libri i parë të cilin ai e shkroi vetë ishte ”Traumdeutung” – “Ëndërrshpjegim” që doli në qarkullim në vitin 1899.

Në fillim më 1902 një grup studjuesish u interesua aq shumë rreth këtij libri saqë filluan të takohen me Freudin çdo javë në shtëpinë e tij për të diskutuar idenë e librit të ëndrrave dhe shkrimet e tjera në të.

Frojdi shkroi edhe një sasi të madhe librash dhe artikujsh mbi psikoanalizën në fillim të vitit 1900. Në këtë kohë, ai ishte 40 vjeç, që zakonisht mendohej si një moshë produktive në bazat shoqërore.

Në vitin 1908 u formua shoqata e psikoanalistëve, ku në fakt, shumë studiues të jashtëm udhëtonin shpesh në Vjenë për të studjuar tek Frojdi dhe për ketë edhe mori edhe shumë urime dhe premtime dhe komplimente.

Në vitin 1909 Frojdi u bë mjek nderi në Clark University në Amerikë dhe po në të njëjtin vit u mbajt edhe kongresi i parë mbi psikoanalizën në Salzburg të Austrisë. Frojdi u propozua edhe për marrjen e çmimit Nobel, por edhe pse zbuloi shumë, kontribuoi shumë dhe dha teori të rëndesishme, ai nuk e mori kurrë ketë çmim.

E bija e tij Anna Freud filloi që të shkojë së bashku me të nëpër seminare të ndryshme dhe e zëvendësonte edhe atë nganjëherë. Anna e cila shkoi për analiza tek babai i saj dhe e studijoi psikoanalizen tek ai, ishte edhe si sekretare e tij, infermiere por edhe si kolege më e besuara e tij.

Përforcimi i nazistëve në Gjermani dhe përndjekja e judenjve krijoi një pasiguri tek Frojdi. Në një bashkëpunim të hershëm në lidhje me një libër Woodrow Wilson (kryetar i Amerikës) Frojdi e njihte ambasadorin amerikan në Francë William Bullin dhe kishte marrëdhënje të mira me të. Ky e ndihmoi Frojdin që të dalë në Angli për shkak të pasigurisë së tij në Gjermani, e gjithë kjo ndodhi në vitin 1938, kur ai kaloi në Angli.

Në vitin 1923 Frojdi u diagnostikua me kancer në gojë dhe për këtë shkak ai bëri me dhjetëra operacione që në fillimet e para të sëmundjes në Austri. Pak pasi mbërritjes së tij në Angli, dhimbjet e tij u rritën aq shumë saqë ndikuan që te kërkonte nga mjeku i tij, aplikimin e një doze morfine vdekjeprurëse më 23 shtator të vitit 1939./KultPlus.com

Përpjekjet e Shqipërisë për shpëtimin e albanologut Norbert Jokli nga nazistët

Albanologu austriak me origjinë hebreje, gjuhëtar dhe mik i madh i shqiptarëve, Norbert Jokli ndërroi jetë më 6 maj të vitit 1942.

I quajtur ndryshe edhe “babai i shkencës së albanologjisë”, Jokli do të konsiderohej që në rini, si një nga studiuesit më të mirë të kohës në fushën e gjuhësisë e kryesisht në lëmin e gjuhëve indoevropiane.

Albanologu do të hidhte vështrimin e tij studimor në gjuhën tonë, duke kryer studime të kalibrit botëror. Në mbështetje edhe të studimeve të Gustav Majerit e të Pedersenit, dr. Jokli do ta cilësonte shqipen si vazhdimësi të ilirishtes dhe të trakishtes.

Kulmin e veprimtarisë shkencore Jokli e arriti me botimin e veprës “Kërkime gjuhësore-kulturo-historike nga fusha e shqipes” (“Linguistisch-kulturhistorische Untersuchungen aus dem Bereich des Albanischen”, 1923, Berlin-Lajpcig).

Me ardhjen në fuqi të Hitlerit më 1933 në Gjermani, punimet e Joklit nisën të refuzoheshin nga botuesit, e po ashtu iu ndërprenë ftesat në konferencat shkencore. Kalvari i Joklit zë fill në maj të vitit 1938, atëherë kur nacionalistët e ekstremit të djathtë nazist nisën ta persekutonin dhe t’i mohonin të drejtat profesionale. Ai kërkoi me ngulm që të vinte në Shqipëri. Ai  shkarkua nga detyra dhe u ndalua të futej në zyrën e tij në universitet.

Dekani i fakultetit të filozofisë, Viktor Kristiani, u përpoq t’ia shpëtonte vendin e punës Joklit, por më kot. Pak kohë më vonë Jokli bëri një kërkesë, me mbështetjen e dekanit, për t’u klasifikuar në kategorinë e “personave me gjak të përzier në shkallës së parë” (një kategori që kishte disa të drejta të kufizuara, krahasuar me hebrenjtë), në mënyrë që t’i lejohej hyrja dhe të shfrytëzonte bibliotekat. Por kërkesa iu refuzua.

Jokli bëri përpjekje për të gjetur punë jashtë Austrisë, por edhe këto përpjekje shkuan dëm. Ishte kjo koha kur Shqipëria u përpoq ta shpëtonte nga duart e nazistëve. Në tetor të 1941-it Ernest Koliqi, asokohe Ministër i Arsimi, krijoi enkas për Joklin një post si bibliotekar në Tiranë, duke i ofruar një rrogë prej 600 frangash ari në muaj. Për arritjen e këtij qëllimi u përdorën edhe autoritetet italiane, duke bërë që profesori Karlo Taliavini i universitetit të Padovës e deri tek Galeaco Çianoja, asokohe ministër i jashtëm i Italisë (dhe Shqipërisë bashkë), të ndërhynin pranë Ministrisë së Punëve të Jashtme të Gjermanisë për ta lejuar Joklin të punonte në Shqipëri.

Por tërë këto përpjekje u refuzuan nga ana e gjermanëve. Jokli, që e kishte pranuar ftesën shqiptare për t’u zhvendosur në Tiranë, kërkoi marrjen me vete të bibliotekës së vet personale në njërin prej aplikimeve që bëri për të lënë Austrinë, gjë që shkaktoi kundërshtimet e ashpra të dekanit Kristiani, i cili kërkonte ta mbante koleksionin e gjerë të Joklit në universitet. Veç veprës së vet, koleksioni i Joklit përmbante, ndër të tjera, edhe dorëshkrimet e fjalorit shqip të Gustav Majerit.

Fundi i jetës së tij ishte tragjik. Norbert Jokli u arrestua nga Gestapoja në 4 mars 1942 në banesën e tij në Vjenë, ku dy nëpunës të Gestapos e rrëmbyen profesorin nga shtëpia.

Në shenjë të pendesës, senati i Universitetit të Vjenës vendosi më 29 prill 1982 ta shkruajë emrin e Norbert Joklit në stendën e nderit të universitetit./ora/KultPlus.com

Vdes në moshën 79-vjeçare ”kapiteni” i Titanikut

Aktori Bernard Hill, i njohur më së shumti për rolin e kapitenit në filmin ”Titanik” ka vdekur në moshën 79-vjeçare, shkruan BBC.

Ai luajti rolin e kapitenit Edward Smith në filmin fitues të Oskarit të vitit 1997 dhe mbretit Théoden në ”The Lord of the Rings”.

Roli i tij kryesor ishte në dramën televizive të BBC-së Boys from the Blackstuff, ku ai luajti Yosser Hughes, një personazh që luftoi – dhe shpesh dështoi – për të përballuar papunësinë në Liverpool.

Duke shkruar në X, muzikanti skocez Barbara Dickson tha se ai ishte “një aktor vërtet i mrekullueshëm”.

Hill, me origjinë nga Mançesteri, do të kthehej në ekranet televizive në serinë e dytë të ”The Responder”, një dramë me protagonist Martin Freeman.

“Bernard Hill hapi një gjurmë nëpër ekran dhe karriera e tij e gjatë e mbushur me role ikonë dhe të jashtëzakonshëm është një dëshmi e talentit të tij të jashtëzakonshëm”, theksoi Lindsay Salt, drejtor i BBC Drama./tema/KultPlus.com

Piktura e skulptura nga artistët shqiptarë, dedikuar Gjergj Kastriotit

Sot është ditëlindja e heroit kombëtar Gjergj Kastriot – Skënderbeu, i cili u lind më 6 maj 1405, në një familje fisnike të Dibrës, siç ishte ajo e Gjon Kastriotit.

Për nderë të kësaj dite, artistë nga qytete të ndryshme të Kosovës u mblodhën sot në Ekspozitën e Artit në Prishtinë, në pikturë dhe skulpturë realizuar nga disa artistë shqiptarë, dedikuar Gjergj Kastriotit.

Rexhep Kasumaj, publicist, në një prononcim për ATV-në, u shpreh se, Gjergj Kastriot – Skënderbeu është po ashtu themelues i ndërgjegjes tonë kombëtare.

“Skënderbeu është kryezoti i ynë mesjetar dhe lavdia e jonë ndër shekuj. Themelues, po ashtu i ndërgjegjes tonë kombëtare. Tash kohëve të fundit ka edhe zëra që përpiqen me i hedhë hije figurës së tij, por siç e dimë, Skënderbeu s’ka qenë kurrë i humbur, ka qenë gjithmonë triumfator. Do të triumfojë tash e përgjithmonë”, tha Kasumaj.

Ndërsa, Hagji Gjoni, skulptor nga Peja, duke komentuar shtatoren e Skënderbeut që u vendos në Gjakovë, tha se kjo shtatore ka disa mangësi të vogla në harmoni.

“Nuk është se më ka pëlqyer tamam, por ka disa mangësi ndoshta të vogla në harmoni”, tha Gjoni./atv/KultPlus.com

Përkujtohet në Lezhë datëlindja e Gjergj Kastriotit, në memorialin në Skënderbeut u sollën fakte historike

Përmes fakteve historike dhe këngëve arbëreshe u përkujtua në Lezhë 619 vjetori i datëlindjes së Skënderbeut.

Në memorialin e Skënderbeut në Lezhë, historianë, banorë të qytetit e të rinj kujtuan 619 vjetorin e lindjes së Heroit Kombëtar.

Me një interpretim mbresëlënës u jehuan tonet e muzikës arbëreshe

Të rinjtë me ngjyrat e penelave hodhën mbi telajo ngjyrat e betejave të Skënderbeut në sprapsjen e turqve.

Përgjegjësi i Trashëgimisë Kulturore në Bashkinë e Lezhës, historiani Paulin Zefi theksoi rëndësinë e këtij organizimi.

Historian të shumtë folën mbi rolin e Skënderbeut në ndaljen e pushtimit turk, e po ashtu dhe për vendlindjen e tij në Sinjë të Dibrës./ora/KultPlus.com

Në Gjirokastër fillon “Java e Europës 2024”

Zyra e Delegacionit të Bashkimit Europian në Tiranë, çeli sot në Gjirokastër “Javën e Evropës 2024”, një event që fton qytetarët të njihen më nga afër me projektet dhe të mësojnë se si BE po e mbështet Shqipërinë për të nxitur gjithëpërfshirjen, diversitetin dhe të drejtat e njeriut.

Në ceremoninë e organizuar me këtë rast në Qafës e Pazarit, në Gjirokastër ishte i pranishëm Ambasadori i Bashkimit Evropian në Tiranë, Silvio Gonzato, kryetari i Bashkisë Gjirokastër, Flamur Golemi dhe qytetarë të shumtë që iu bashkuan këtij eventi.

Ambasadori Silvio Gonzato, përshëndeti këtë event duke u shprehur se është kënaqësi që Java e Evropës po çelet në Gjirokastër.

“Ne kemi vendosur tre tema kryesore mbi të cilat do të fokusohemi, të cilat janë gjithëpërfshirja, larmishmëria në shoqëri dhe të drejtat e njeriut. Kjo për faktin se 27 vendet e BE-së janë të ndryshme, por të gjitha bëhen bashkë në BE. Pra në shoqërinë europiane secili ka vendin e vet dhe e gëzon atë”, tha Gonzato.

Gonzato tha se, gjatë vizitës në Gjirokastër inspektoi nga afër punimet për hapjen e një tregu të ri për grumbullimin dhe shitjen e të gjitha produkteve që do të prodhojë komuniteti rom në këtë bashki.

Ai nënvizoi faktin se “gjatë rrugëtimit që Shqipëria po bën për në BE, nuk duhet të lëmë askënd pas”.

“Të gjitha pjesët e shoqërisë bëhen pjesë e këtij rrugëtimi, duke kontribuar për një shoqëri më të mirë. Unë ju ftoj të vizitoni stendat në panairin e çelur me këtë rast këtu ku ekspozohet kontributi që BE jep për Shqipërinë, bashkë me shoqërinë civile, për ta bërë Shqipërinë një shoqëri më të drejtë më të mirë”, u shpreh Gonzato.

Ndërsa kryetari i Bashkisë, Golemi e vlerësoi nisjen e këtij aktiviteti fillimisht një ditë më parë në Shkodër dhe sot në Gjirokastër, një hap të rëndësishëm, që siç u shpreh ai “çelet në dy qytete të vatrës kombëtar me tradita e histori ku zë vend edhe diversiteti kulturor dhe fetar”.

“Projektet që BE ka mbështetur në zhvillimin e Gjirokastrës, kanë dhënë kontribut në përmirësimin e ekonomisë lokale. Ndërsa vihet re një interes i shtuar i turistëve për ta vizituar këtë qytet”, tha Golemi.

“Më shumë se 300 mijë turistë patëm vitin e kaluar dhe këtë vit presim shifra në rritje dhe kjo falë transformimit pozitiv që po shënon kjo zonë, në çdo drejtim ekonomik, social, e kulturor”, u shpreh ai.

“Javën e Evropës 2024” në Gjirokastër filloi me performanca artistike dhe një panair ku ekspozohen prodhime tradicionale të zonës, nga ato ushqimore e deri tek ato artizane. Ndërsa pjesëmarrës të shumtë në këtë takim u bënë pjesë në diskutime dhe shkëmbyen ide për bashkëpunime të reja./atsh/KultPlus.com

‘Trim mbi trima, ai Gjergj Kastrioti, fuqí t’madhe që m’i dhanë ka Zoti’

Filmi për Gjergj Kastriotin është një film historik që trajton jetën dhe veprën e heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastrioti, shkruan KultPlus.

Në film Gjergj Kastioti bashkon princërit shqiptarë duke u martuar me Donika Kastriotin dhe duke organizuar Besëlidhjen e Lezhës, por përballet edhe me tradhtinë e Hamza Kastrioti, nipi i tij.

Filmi ka skena masive të betejave historike dhe rrethimit të Krujës. Është filmi i parë artistik, frut i bashkëpunimit shqiptaro-sovjetik.

KultPlus ju sjell këngën e Gjergj Kastriotit, e cila është edhe kolona zanore e këtij filmi.

Bashkangjitur gjeni videon e shkëputur nga filmi dhe tekstin e këngës:

Trim mbi trima, ai Gjergj Kastrioti,
fuqí t’ madhe që m’i dhanë ka Zoti,
s’e djeg flaka e s’e djeg baroti,
shpata e tij than malin n’dysh e çán,
me nji t’ râme nji ushtrí perlán.

Lavd’ ô Gjergj, ô Skanderbe drangoi,
krahu yt çdo dit’ u përforcoftë,
gjithë ku janë armiqt ai i çfaroftë,
Lavdi yt, ô, brez mas brezi u knoftë. / KultPlus.com

Jennifer Lopez vishet me fustanin e krijuar nga Diana Qerimi

Këngëtarja me famë botërore Jennifer Lopez është shfaqur e veshur me fustanin nga dizenjatorja e famshme shqiptare Diana Qerimi, në paraqitjen e saj në Met Gala.

Në fotografitë e publikuara, këngëtarja shihet me fustanin e zi i cili ka detaje të ngjyrës së argjendë.

Diana Qerimi njihet si një ndër dizajneret më të suksesshme në Kosovë, që ka kapur edhe tregun ndërkombëtar./KultPlus.com

“Kurrë s’ka për të dalë më mbi tokë një luan i tillë”, thënie të të huajve për Skënderbeun

Mit, strateg, hero i kombit, shqiptari më i famshëm në histori, është Gjergj Kastriot Skënderbeu.

Sot, kemi zgjedhur thënie, vlerësime, përcaktime dhe përfundime që janë bërë për figurën e tij. Studiues, historianë, ushtarakë, shkrimtarë, filozofë, gazetarë, shqiptarë dhe të huaj, të cilët jetojnë ose jo, i kemi bërë bashkë në një formë të përmbledhur tashmë, se çfarë menduan dhe çfarë mendojnë për Skënderbeun. Dy Papë, mbretëresha Elisabetë e Anglisë, Sulltan Mehmeti, shkrimtari francez, Volter, deri te Aleks Buda, Artan Fuga, Ismail Kadare, Marin Barleti, Gjergj Zheji dhe Faik Konica. Një udhëtim, jo vetëm në histori, por edhe në mendimin shqiptar dhe botëror, për heroin tonë kombëtar. Sigurisht, mes tyre ka edhe kundërshti dhe debat.

Papa Kalikst i III

“Si një pendë e patundshme, Gjergj Kastrioti ndaloi furinë e sulmeve turke dhe i pengoi të zaptonin Europën Kristjane!

Papa Piu I II

“Gjergj Kastrioti kaloi gati gjithë jetën e tij, duke luftuar për kauzën kristiane. Është zor me gjetë një prijës kryqëzate, që mund të krahasohet me të!”

Mbretëresha e Anglisë, Elisabeth, në librin e lutjeve, botuar më 1559

“17 janar. Si sot, vdiq princi i mirë, Skënderbeu, mbreti i Epirit dhe shfarosësi i turqve”.

Sulltan Mehmeti II

“Kurrë s’ka për të dalë më mbi tokë një luan i tillë!”

Voltaire, (Volter) François-Marie Arouet, shkrimtar francez

“Sikur ta kishte mbrojtur Skënderbeu Konstantinopolin, turqit nuk do të kishin mundur ta merrnin në maj 1453”.

Gjenerali Xhejms Volfi, heroi i Kebekut

“Ai (Skënderbeu) ua kalon gjithë oficerëve, të lashtë e të sotëm, për drejtimin e një ushtrie të vogël mbrojtëse!” 

Sër Uiliam Tempël, në punimin mbi “Virtytin heroik”

“Skënderbeu është një ndër shtatë mbretërit e pakurorëzuar të Europës …, bëmat dhe virtytet e të cilëve mund t’u lejojnë atyre me të drejtë, të renditen krahas kaq mbretërve e perandorëve… Gjergj Kastrioti, i quajtur zakonisht Skënderbeu, princ i Epirit, dhe Huniadi, mëkëmbës i mbretit të Hungarisë, që kanë qenë dy kapedanët më ngadhënjimtarë dhe burra të shkëlqyer, kampionë të vërtetë të krishtërimit sa qenë gjallë dhe tmerr i turqve, sepse me forca të pakta, iu bënë ledh për aq shumë vite, gjithë fuqive të Perandorisë Osmane… dhe Skënderbeu asnjëherë nuk mblodhi bashkë mbi gjashtëmbëdhjetë mijë vetë, për të gjitha fitoret e famshme që korri kundër turqve, të cilët ishin disa herë më shumë si numër, mbi njëqind mijë!”

Thomas Townshend, sekretar i Britanisë për Luftën

“Njohuri të mëdha të artit ushtarak, mund të nxirren nga jeta e Gustav Adolfit dhe nga ajo e Karlit XII, mbretit të Suedisë, si dhe nga jeta e Ziskës së Bohemias. Dhe do të ishte një punë e paçmueshme, po mund të sigurohej një përshkrim i mjaftueshëm i bëmave të Skënderbeut, sepse ai shkëlqen midis gjithë gjeneralëve të kohërave të vjetra dhe të sotme, si udhëheqës i një ushtri të vogël mbrojtëse. Skënderbeun e kam gjetur në historinë e Turqisë, por askund gjetkë. ”

Milan Shuflaj, albanolog nga Kroacia

“Është e kotë të kërkosh dokumente në Shqipëri për Skënderbeun, përveç atyre që janë shkruar nëpër shkëmbinj, sepse çdo gjë që ishte e shkruar, u dogj nga turku!”

Kostandin Jiriçek, historian dhe albanolog nga Çekia, në librin “Historia e Serbëve”

“Venedikasit shpallën si çmim, pagesë të përjetshme prej 100 dukatësh, për vrasjen e Skënderbeut.” / KultPus.com

Rama: Lumi i Shalës, spektakël i ngjyrave dhe relievit

Kryeministri Edi Rama ka publikuar në rrjetet sociale pamje nga Lumi i Shalës i përshkruar nga shumë turistë të huaj si Tajlanda e Shqipërisë.

“Pamje nga peizazhet që Lumi i Shalës krijon në zonën e Shoshit të Dukagjinit, një spektakël i ngjyrave dhe i relievit, por edhe një atraksion turistik për të cilin flasin të gjithë”, shprehet Rama krahas videos së publikuar.

Lumi i Shalës buron në Parkun Kombëtar të Thethit dhe përshkon luginën e Shalës për rreth 25 km duke u derdhur në liqenin e Komanit.

Vitet e fundit ky liqen është kthyer në një prej destinacioneve më të frekuentuar në veriun e Shqipërisë.

I izoluar nga majat e larta, rrjedha e vrullshme e ujit të kaltër të Shalës, ofron për turistët një panoramë të magjishme mes natyrës së paprekur dhe mundësive të shumta që ofron, ndërsa është përfshirë edhe në gudiat e agjencive turistike.

Aventurierët e natyrës mund të shijojnë eksplorimin e zonës me varkë, ngjitjen në majat përreth me pamje spektakolare si dhe zhytjen në ujin e freskët të lumit të Shalës./atsh/KultPlus.com