‘Trauma nuk ka afat’- QKRMT organizon panel diskutimi në Ditën Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës Seksuale në Konflikt

Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT) të enjten do të mbajë panelin diskutues: “Trauma nuk ka afat”- një panel reflektues me mesazhe nga të mbijetuarit e dhunës seksuale në konflikt.

Ngjarja është paralajmëruar të mbahet më 19 qershor, në Ditën Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës Seksuale në Konflikt.

Për të mbijetuarit e dhunës seksuale në konflikt, koha nuk shëron plagët pa mbështetje, pa njohje dhe pa drejtësi dhe rehabilitim të vazhdueshëm. Shumë prej tyre vazhdojnë të jetojnë me pasoja të thella emocionale, sociale dhe fizike, shpesh në heshtje dhe izolim. Përcaktimi i afateve ligjore për njohjen e statusit të viktimës, injoron natyrën komplekse dhe të zgjatur të traumës. Prandaj, çdo përpjekje për drejtësi dhe rehabilitim duhet të reflektojë këtë realitet: e drejta për të kërkuar njohje dhe mbështetje nuk duhet të kufizohet në aspektin kohor.

“Andaj, ju ftojmë në shënimin e 19 Qershorit – Ditës ndërkombëtare për eliminimin e dhunës seksuale në konflikt, ku të mbijetuarit e dhunës seksuale do të adresojnë mesazhet e tyre për këtë ditë, duke vazhduar me një panel diskutimi për këtë temë. Në vitin 2015, Kombet e Bashkuara miratuan 19 Qershorin si ditën ndërkombëtare për eliminimin e dhunës seksuale në konflikt. Shënimi i kësaj dite synon të rrisë ndërgjegjësimin për t’i dhënë fund dhunës seksuale në konflikt, për të nderuar viktimat dhe të mbijetuarit e dhunës seksuale në mbarë botën dhe për t’i nderuar të gjithë ata që kanë përkushtuar me guxim apo humbur jetën e tyre në përpjekje për zhdukjen e këtyre krimeve”, thuhet në njoftim.

Data është zgjedhur për të përkujtuar miratimin më 19 Qershor 2008 të rezolutës 1820 (2008) të Këshillit të Sigurimit, ku ka dënuar dhunën seksuale si një taktikë lufte dhe pengesë për ndërtimin e paqes./ KultPlus.com

Sal Dashi me ekspozitë në Gjermani, kuratori Apolloni: Dashi ka gjendjen e vet, reagimin e vet, prandaj edhe stilin e vet

Në kuadër të Javës se Kulturës në Berlin është hap ekspozita e piktorit të njohur Sal F Dashi, e që për kurator kishte shkrimtarin e njohur kosovar, Ag Apollonin. 

“Mes nostalgjisë dhe revoltës”, ekspozita e Sal Dashit është hap në ambientet e Ambasadës së Kosovës në Berlin, hapje që është bërë nga ambasadori i Kosovës në Gjermani, Faruk Ajeti. 

Ndërkaq, kuratori Ag Apolloni ka thënë se Sal Dashi kur trajton të kaluarën është nostalgjik, kurse po sipas tij, kur trajton të sotmen është i revoltuar dhe ironik.

“Edhe kur duket qëllimisht lokal, piktori Sal Dashi nuk mendon si individ i thjeshtë, por si artist. Ai është në gjendje që një copë tokë nga vendlindja ta artikulojë si thirrje për njerëzimin. Pas daljes nga ekspozita e tij, secili do të bëjë pyetjet: nga vijmë? Ku po shkojmë? Pas këtyre pyetjeve që do të bëjnë vizitorët, mund të thuhet se piktori e ka arritur qëllimin. Ankthi i tij bartet tek ne, bëhet yni. Kapja e kumtit dhe vetëdijesimi mbi identifikimin mes artistit dhe publikut, është realizim i suksesshëm i komunikimit dhe funksioni kryesor i artit”, ka vlerësuar mes të tjerash kuratori Apolloni për këtë ekspozitë. Apolloni në fund ka thënë se Sal Dashi ka gjendjen e vet, reagimin e vet, prandaj edhe stilin e vet. 

Sal Dashi (1980) është piktor shqiptar nga Kosova. Ka studiuar pikturën në Universitetin e Prishtinës, ku ka fituar titullin Master i Pikturës. Nga viti 2016, ai jeton në Gjermani. / KultPlus.com

Jenny Berggren e grupit legjendar ‘Ace of Base’, atmosferë elektrizuese në Tiranë

Këngëtarja e grupit “Ace of Base”, Jenny Berggren elektrizoi mbrëmjen e djeshme artdashësit kryeqytetas me një koncert në sheshin “Skënderbej”.

Në koncertin e organizuar në kuadër të Javës Suedeze të Kulturës, Berggren performoi këngët e njohura të grupit “Ace of Base”, si “All that she wants”, “Don’t turn around”, Angel Eyes, Angel of Love, Beautiful Life, Change with the Light, si dhe disa këngë të repertorit të saj.

Qytetarët e pranishëm në shesh kënduan dhe kërcyen së bashku me këngëtaren Jenny Berggren nën ritmet e këngëve duke përjetuar nostalgjinë e viteve ‘90 ku këto këngë dëgjoheshin masivisht në vendin tonë.

Këngëtarja Berggren solli edhe disa këngë shqiptare, që u mirëpritën nga publiku.

“Është hera ime e parë në Shqipëri dhe kam dashur të vij prej kohësh, por më në fund jam këtu. Kam miq që janë shqiptarë dhe që janë përpjekur edhe të më mësojnë ndonjë fjalë shqip. Ju keni gjuhë shumë të bukur dhe vend të bukur”, tha Berggren për mediet para koncertit.

Me hitet legjendare që kanë lënë gjurmë brezash, Berggren solli një mbrëmje nostalgjie dhe feste pop nën qiellin e hapur të Tiranës.

Në koncert ishte i pranishëm edhe ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, Ambasadorja suedeze në vendin tonë Elsa Hastad, ambasadorja e Francësm Catherine Suard, etj.

Koncerti i këngëtares Jenny nga grupi legjendar “Ace of Base” është pjesë Javës Kulturore Suedeze në vendin tonë që vjen me aktivitete të ndryshme.

Java Kulturore Suedeze ka pjesë të saj muzikën, ekspozitat dhe aktivitete e tjera, ndërsa nis më 13 qershor. Prej datës 13 qershor e deri më 19 qershor, Shqipëria do të mikpresë kulturën e artin suedez./atsh/ KultPlus.com

Me shumë suksese ndërkombëtare, filmi “Pikë uji” nga 19 qershori në Cineplexx

“Pikë uji” filmi artistik me metrazh të gjatë me skenar të Doruntina Bashës e me regji të Robert Budinës do të shfaqet edhe në Kosovë, shkruan KultPlus. 

Në Cineplexx të Prishtinës dhe atë të Prizrenit ky film do të shfaqet prej 19 qershorit, e të gjithë adhuruesit e kinemasë kanë rastin ti shohin në ekranin e madh aktorët: Gresa Pallaska, Adem Karaga, Astrit Kabashi, Gerhard Koloneci, Arben Bajraktaraj…

Filmi “Pikë uji” është film që është mbështetë edhe nga Qendra Kinematografike e Kosovës, ndërkaq po këtë film, Shqipëria e pat propozuar për cmimin Oscar./ KultPlus.com 

Voto Luanda Domi për çmimin ndërkombëtar “2025 Cybersecurity Woman of the Year”

Luana Domi është e nominuar për çmimin ndërkombëtar “2025 Cybersecurity Woman of the Year”, dhe votimi është i hapur deri më 30 qershor. Luanda Domi, LinkedIn nga Kosova është përzgjedhur si finaliste nga një juri ndërkombëtare për çmimin prestigjioz “2025 Cybersecurity Women of the Year”! 

“Tani është radha e publikut që të votojë – vota juaj mund të bëjë ndryshimin dhe ta sjellë këtë çmim në Kosovë. Ky vlerësim është një njohje për punën, përkushtimin dhe ndikimin e jashtëzakonshëm që Luanda ka sjellë në fushën e sigurisë kibernetike në nivel global”, thuhet në njoftim. 

Si të votoni: 1. Klikoni këtë link: https://www.surveymonkey.com/r/MS88BCG 2. Plotësoni emrin, mbiemrin dhe emailin tuaj. 3. Shkoni direkt te pyetja nr. 6, në kategorinë “Cybersecurity Ëomen Supporter of the Year”. Do të shfaqen tre emra – zgjidhni Luanda Domi. 4. Klikoni “Done” për të përfunduar votën tuaj. Fitueset do të shpallen më 4 gusht në Las Vegas, gjatë ceremonisë gala Cybersecurity Ëomen of the Year 2025. 

Kush është Luanda Domi | LinkedIn? Luanda është një zë i fuqishëm nga Kosova në fushën e sigurisë kibernetike dhe qeverisjes digjitale globale. Ajo është aktualisht Menaxhere për Integrimin e Perspektivës Gjinore dhe Zhvillimin e Aftësive në Global Forum on Cyber Expertise (GFCE) – një platformë ndërkombëtare me seli në Holandë, që promovon bashkëpunimin global për ndërtimin e kapaciteteve në siguri kibernetike. Në këtë rol, ajo udhëheq rrjetin ndërkombëtar Ëomen in Cyber Capacity Building (ËiCCB), i cili fuqizon gratë në teknologji përmes mentorimit, rrjetëzimit dhe mundësive për zhvillim profesional. Ajo gjithashtu përfaqëson Kosovën si Guvernatore për Inteligjencën Artificiale (AI) të Përgjegjshme në Global Council for Responsible AI, duke sjellë zërin dhe përvojën e Kosovës në tryeza globale që formësojnë të ardhmen e teknologjisë. Me mbi 10 vite përvojë, Luanda ka kontribuar në zhvillimin e strategjive të sigurisë, forcimin e infrastrukturave kritike dhe përfshirjen gjinore në teknologji, përmes projekteve të ndryshme të mbështetura nga DCAF, UNDP dhe USAID./ KultPlus.com 

Homazh për Xhavid Leskovikun, Vengu: Ushtarak dhe diplomat i shquar i Shqipërisë

Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu përkujtoi sot figurën e Xhavid Leskovikut, në 80-vjetorin e ekzekutimit të tij nga gjyqet e sistemit totalitar.

Ministri Vengu vlerësoi kontributin e jashtëzakonshëm të Leskovikut si ushtarak dhe diplomat.

Xhavid Leskoviku përfundoi studimet e tij në vitin 1907 në Akademinë Ushtarake në Stamboll, në degën e Këmbësorisë.

Në vitin 1913, në një kohë të trazuar për vendin, ai iu bashkua qeverisë së Ismail Qemalit dhe më pas shërbeu nën urdhrat e Princ Vidit, duke dëshmuar përkushtim të palëkundur ndaj atdheut.

Në dhjetor të vitit 1921, Leskovikut iu besua detyra e Shefit të Shtabit të Përgjithshëm, duke u ngjitur në një nga pozicionet më të larta të komandës ushtarake shqiptare.

Por veprimtaria e tij nuk u kufizua vetëm në fushën ushtarake. Me kalimin e viteve, ai u angazhua edhe në shërbimin diplomatik, duke shërbyer si atashe ushtarak në legatën shqiptare në Beograd, konsull i përgjithshëm në Shkup dhe ambasador i Shqipërisë në Turqi, detyra të cilat e konfirmuan si një personalitet të shquar dhe të besuar të shtetit shqiptar.

“Përulemi ndaj kujtimit të Xhavid Leskovikut në këtë përvjetor të 80-të të ekzekutimit të tij nga gjyqet famëkeqe të sistemit totalitar”, u shpreh Vengu në mesazhin e tij përkujtimor./ atsh/ KultPlus.com

Katër shpella unike të Kosovës në pulla postare

Posta e Kosovës, në bashkëpunim me Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, përkatësisht me Institutin e Kosovës për Mbrojtjen e Natyrës, lansoi sot emisionin më të ri të pullave postare kushtuar katër prej monumenteve natyrore më të veçanta të vendit: Shpella e Kusarit, Shpella “Gryka e Madhe”, Shpella e Hoxhës dhe Shpella e Demës.

Ky emision paraqet një udhëtim vizual të pasur nëpër thesaret nëntokësore të vendit tonë – dëshmi të rralla të gjeologjisë, arkeologjisë, biodiversitetit dhe historisë sonë të lashtë. Përmes këtyre pullave, publiku ka mundësinë të njihet me vlerat e jashtëzakonshme natyrore dhe kulturore që i ofron Kosova.

Shpella e Kusarit, gjendet pranë fshatit të lashtë Kusar në rajonin e Gjakovës, është pjesë e peizazhit karstik të Malit Pashtrik. E formuar në shkëmbinj gëlqerorë me një histori mijëvjeçare, shpella mbart gjurmë të banimit të hershëm dhe ofron një ambient unik për studiuesit dhe vizitorët.

Shpella “Gryka e Madhe”, e pozicionuar në kilometrin e tetë të Grykës së Rugovës, 60 metra mbi shtratin e Lumëbardhit të Pejës, ofron një pamje imponuese që i ngjan një tempulli natyror. Brenda saj gjenden stalaktite dhe stalagmite të mahnitshme, lumenj e liqene nëntokësore, duke e renditur këtë shpellë ndër më të mëdhatë në Kosovë dhe rajon për nga vlera speleologjike dhe turistike.

Shpella e Hoxhës, mbi fshatin Vrellë të Istogut, në masivin malor të Moknës, përfaqëson një lokalitet arkeologjik me rëndësi të madhe. Ajo ka qenë e banuar që nga parahistoria e deri në kohët moderne. Brendësia e saj ruan fragmente qeramike, gurë të punuar dhe një liqen të brendshëm, që formohet nga pikimi i vazhdueshëm i stalaktiteve.

Shpella e Demës, e cila ndodhet në hyrje të Grykës së Rugovës, pranë Patrikanës së Pejës, shquhet për vlerat e saj historike dhe biologjike. Si lokalitet arkeologjik, kjo shpellë simbolizon lidhjen e përhershme ndërmjet njeriut dhe natyrës, duke ruajtur gjurmë të qëndrueshmërisë njerëzore nëpër shekuj.

Përmes këtij emisioni të veçantë, Posta e Kosovës synon të promovojë dhe të nxisë vetëdijen për mbrojtjen e trashëgimisë natyrore dhe kulturore të Kosovës. Pullat postare shërbejnë jo vetëm si mjet komunikimi, por edhe si ambasadorë të vlerave tona kombëtare në botë./ KultPlus.com

Ekrani i Artit 2025 çel siparin në Shkodër

Edicioni i tetë i festivalit Ekrani i Artit hapi siparin sot në qytetin e Shkodrës, nën temën poetike “Kartolina nga Tjetërkund”. Dita e parë nis me dy ekspozita të rëndësishme dhe përmbyllet me një premierë filmike në Kinema Republika, në prani të artistëve.

Ekspozitat e mëngjesit dhe pasdites
11:00–18:00
Art House
“Covers” nga Barbara Prenka
Kurator: Zef Paci

Një ekspozitë e ndjeshme dhe personale ku artistja Barbara Prenka eksploron sipërfaqet e
kujtesës, trupit dhe përjetimit njerëzor. Punimet e saj ndërthurin tekstura intime dhe narrative
vizuale që lidhen thellë me temën e festivalit mbi vendet e padukshme dhe ndarjet e
përkohshme.

11:00–18:00
Galeria e Arteve
“REWIND – Shkëputje nga Video Arti Shqiptar”
Kurator: Edi Muka
Një ekspozitë retrospektive që dokumenton dhe sjell në vëmendje zhvillimin e video-artit në
Shqipëri nga vitet ’90 deri më sot. Me vepra nga disa prej artistëve më përfaqësues të këtij
mediumi, ekspozita ofron një udhëtim reflektues përmes historisë së artit pamor shqiptar.

Ceremonia Hapëse
19:00
Kinema Republika
Ceremonia zyrtare e hapjes
Festivali çelet zyrtarisht me shfaqjen e filmit ARSA nga MASBEDO (2025, 96’), në prani të
regjisorëve. Ky film tronditës dhe vizualisht i fuqishëm trajton çështje të identitetit, kujtesës
dhe transformimeve urbane në një shoqëri post-industriale. Në vijim të shfaqjes, MASBEDO
do të zhvillojnë një bisedë me publikun.

Ekrani i Artit vijon deri më 22 Qershor, me një program të pasur projektesh filmike,
ekspozitash, diskutimesh dhe prezencash artistike në vende të ndryshme të qytetit. Festivali
mbetet një nga platformat më të rëndësishme kulturore në Shqipëri, duke vendosur theksin
mbi kinemanë si akt ndjeshmërie, reflektimi dhe kujtese kolektive.

Shoqëria ‘Agimi’ feston 81-vjetorin me koncert në Shatërvan

Shoqëria Kulturore Artistike ‘Agimi’, e cila vepron në Prizren që nga viti 1944, e ka festuar 81-vjetorin e themelimit me një koncert festiv.

Aktiviteti u mbajt në njërën nga pikat më të njohura të qytetit, në Shatërvan. Në mbrëmje morën pjesë edhe kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, si dhe shumë qytetarë.

Në skenë performuan kori i shoqatës ‘Agimi’, grupi i folklorit dhe këngëtarë të ndryshëm, të cilët ofruan një mbrëmje të paharrueshme për të pranishmit.

Gjatë aktivitetit u theksua edhe një herë kontributi i shoqatës në ruajtjen e trashëgimisë kulturore./rtk

Luigj Gurakuqi, përkujtohet me ekspozitë në Bari në 100-vjetorin e ndarjes nga jeta

Në kuadër të 100-vjetorit të ndarjes nga jeta të Luigj Gurakuqit, një prej figurave më të ndritura të historisë shqiptare, Arkivi i Shtetit në Bari, në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave të Shqipërisë, hapi një ekspozitë të veçantë kushtuar jetës dhe veprimtarisë së tij.

Ekspozita paraqet një ndërthurje të dokumenteve origjinale dhe materialeve të digjitalizuara, që hedhin dritë mbi kontributin e Gurakuqit në formësimin e shtetit shqiptar, nga Rilindja Kombëtare deri në përfshirjen e tij në jetën politike, kulturore dhe institucionale të vendit.

Ky aktivitet është pjesë e një serie të ngjeshur ngjarjesh që DPA ka zhvilluar në Itali, përfshirë Konferencën IX Mbarëkombëtare të Arkivistikës në Shën Mitër, vizitën në komunitete arbëreshe në Kalabri dhe Pulja, si dhe bashkëpunime me institucione si Universiteti i Kalabrisë, Dioqeza e Rosanos dhe Arkivi i Barit.

Përmes kësaj ekspozite, Gurakuqi nuk përkujtohet vetëm si një figurë historike, por si një simbol i lidhjes së fortë kulturore e historike midis Shqipërisë dhe Italisë./atsh/ KultPlus.com

Igor Stravinsky, arkitekti i revolucionit muzikor të shekullit XX

Igor Stravinsky (1882–1971) mbetet një nga figurat më të rëndësishme dhe më novatore të muzikës së shekullit XX. Me një krijimtari që sfidoi traditat klasike dhe hapi rrugë të reja për muzikën moderne, ai është përkufizuar si një “revolucionar me mjete të artit”.

Stravinsky lindi më 17 qershor 1882 në Oranienbaum (sot Lomonosov), afër Shën Petersburgut të Rusisë, në një familje me prirje të theksuara artistike. Babai i tij, Fyodor Stravinsky, ishte një bas i njohur në Operën Mariinsky, dhe ndikimi i tij ishte thelbësor në formimin artistik të Igor-it. Megjithëse fillimisht studioi juridik, Stravinsky u tërhoq shpejt nga ligji dhe iu përkushtua muzikës nën mentorimin e kompozitorit të njohur Nikolai Rimsky-Korsakov.

Karriera ndërkombëtare e Stravinsky-t u ngrit fuqishëm falë bashkëpunimit me Sergei Diaghilev dhe trupën e tij të famshme “Ballets Russes” në Paris. Në këtë periudhë lindën tri nga veprat më të rëndësishme të tij, të cilat transformuan peizazhin e muzikës perëndimore:

“The Firebird” (1910) – një balet me tinguj ekzotikë dhe kolorit orkestral, që solli një shkrirje të elementeve ruse me modernizëm perëndimor.

“Petrushka” (1911) – një balet i guximshëm ritmikisht, që tregonte historinë e një kukulle tragjike me një gjuhë të re harmonike.

“The Rite of Spring” (1913) – një vepër që shkaktoi një nga skandalet më të mëdha në historinë e muzikës. Premiera e saj në Paris u prit me zhurmë, por vepra u kthye në një nga shtyllat themelore të modernizmit muzikor, për shkak të strukturës së saj radikale ritmike dhe përdorimit disonant të harmonisë.

Ndryshe nga shumë kompozitorë të tjerë, Stravinsky nuk u lidh ngushtë me një stil të vetëm. Pasi mbaroi periudhën ruse, ai kaloi në një fazë neoklasike, ku u frymëzua nga format e muzikës së shekujve XVIII dhe XIX, por i interpretoi në mënyrë moderne. Vepra si “Pulcinella” (1920) dhe “Symphony of Psalms” (1930) dëshmojnë këtë kthim në rregull dhe qartësi, por me gjuhën e tij unike.

Më vonë, në vitet ’50, Stravinsky përqafoi edhe serializmin – një teknikë kompozimi e lidhur me Arnold Schoenberg – duke e dëshmuar kështu gatishmërinë e tij për të eksperimentuar edhe në moshë të avancuar.

Pas Revolucionit Rus, Stravinsky kaloi pjesën më të madhe të jetës në Perëndim – fillimisht në Francë, e më pas në Shtetet e Bashkuara, ku mori edhe shtetësinë amerikane në vitin 1945. Ai qëndroi aktiv si kompozitor, dirigjent dhe pianos në skena ndërkombëtare deri në fund të jetës së tij. Vdiq më 6 prill 1971 në New York dhe u varros në Venedik, pranë mikut të tij Diaghilev.

Stravinsky nuk ishte vetëm një novator në aspektin teknik të kompozimit. Ai ndikoi gjenerata të tëra muzikantësh dhe krijuesish përtej muzikës – në balet, film, letërsi dhe artin pamor. Siç ka thënë edhe Pierre Boulez, “në historinë e muzikës moderne, muzika ndahet në atë përpara dhe pas Rite of Spring”./KultPlus.com

‘Pranverë, o kohëz dashurie, ç’më mbush plot me pikëllim’

Poezi nga Aleksander Pushkin

Në mes mjegullash të nxira
hëna zhduket, hëna bredh.
Mbi të trishtëmet rrafshira
trishtëm dritën ajo derdh.
Udhës shkretë dimërore
rend kjo trojka gjithnjë.
Zile e kalit monotone
mezi ndihet nëpër të.
Seç më kap një mall rinie
karrocieri kur këndon,
herë gas çapkënërie
herë mall ai më zgjon.
S’shoh as zjarr e as kasolle
vetëm borë si pambuk.
Dhe përtej shtyllat rrugore
duken, zhduken tek e tuk.
Ah, ç’mërzitje… nesër, Ninë,
tek e shtrenjta do të vi.
Pranë zjarrit kur të rrimë
të të shoh me mall në sy.
Dhe akrepi i sahatit
do vij’ rrotull me qetësi
E mërzitshmja mesnatë
s’do na ndajë përsëri.
Mërzi udhës dimërore
karrocieri zu dremit
Zile e kalit monotone
hënë e mjegullt që ndrit.

Pranverë, o kohëz dashurie,
ç’më mbush plot me pikëllim.
Sa mall sërish ti po më bie
në shpirtin tim, në gjakun tim.
Për mua gazi është i huaj…
çdo ngazëllim e çdo shkëlqim
më sjell mërzi, më bën të vuaj.

Oh, nëmëni shqotën, suferinën
dhe të pafundmen natë dimri.
Pse, moj jetë je dhuratë
që të bie rasti kot?
Pse të dha i fshehti fat
një ndëshkim me tmerr në botë?
Ç’është ai pushtet i nxirë,
që prej hiçit më ka thirë,
që në shpirt më dha mundime
dhe dyshim në mendjen time?
Pa një dritë e një qëllim,
më rreh zemra në shkreti.
Më mbush plot me pikëllim
jeta gjith monotoni./ KultPlus.com

Rama: Citatet e shkrimtarit Spasse zbukurojnë shtegun drejt Parkut Kombëtar të Prespës

Parku Kombëtar i Prespës është një nga parqet natyrorë më të mëdhenj të Shqipërisë, i cili ofron një eksperiencë të pazakontë për turistët dhe udhëtarët që zgjedhin të vizitojnë këtë rajon.

Kryeministri Edi Rama ndau në rrjetet sociale foto të një shtegu që të çon në zemër të Parkut Kombëtar të Prespës, i cili është zbukuruar me citatet e shkrimtarit Sterjo Spasse.

“Një shteg i bukur që të çon në zemër të Parkut Kombëtar të Prespës, me citatet e shkrimtarit Sterjo Spasse që ndriçojnë rrugën për në shtëpinë e tij muze dhe joshin kalimtarët që i lexojnë”, shkruan Rama në një postim në rrjetet sociale.

Parku Kombëtar i Prespës është një thesar natyror që ndodhet në veri-lindje të Shqipërisë, pranë kufirit me Maqedoninë e Veriut. Ky park është një kombinim i veçantë i shkëmbinjve të lartë, fushave të gjelbra e ujëra të kaltër të liqenit Prespa, i cili gjithashtu është një nga liqenet më të mëdha të Ballkanit.

Një nga gjërat që e bëjnë këtë park të veçantë është biodiversiteti i tij i jashtëzakonshëm. Turistët që vizitojnë Parkun Kombëtar të Prespës kanë rastin të zbulojnë një shumëllojshmëri të pasur të faunës dhe florës që janë të vështira të gjenden në zona të tjera të kontinentit./atsh/KultPlus.com

Homazh për Xhavid Leskovikun, Vengu: Ushtarak dhe diplomat i shquar i Shqipërisë

Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, përkujtoi sot figurën e Xhavid Leskovikut, në 80-vjetorin e ekzekutimit të tij nga gjyqet e sistemit totalitar.

Ministri Vengu vlerësoi kontributin e jashtëzakonshëm të Leskovikut si ushtarak dhe diplomat.

Xhavid Leskoviku përfundoi studimet e tij në vitin 1907 në Akademinë Ushtarake në Stamboll, në degën e këmbësorisë.

Në vitin 1913, në një kohë të trazuar për vendin, ai iu bashkua qeverisë së Ismail Qemalit dhe më pas shërbeu nën urdhrat e Princ Vidit, duke dëshmuar përkushtim të palëkundur ndaj atdheut.

Në dhjetor të vitit 1921, Leskovikut iu besua detyra e Shefit të Shtabit të Përgjithshëm, duke u ngjitur në një nga pozicionet më të larta të komandës ushtarake shqiptare.

Por veprimtaria e tij nuk u kufizua vetëm në fushën ushtarake. Me kalimin e viteve, ai u angazhua edhe në shërbimin diplomatik, duke shërbyer si atashe ushtarak në legatën shqiptare në Beograd, konsull i përgjithshëm në Shkup dhe ambasador i Shqipërisë në Turqi, detyra të cilat e konfirmuan si një personalitet të shquar dhe të besuar të shtetit shqiptar.

“Përulemi ndaj kujtimit të Xhavid Leskovikut në këtë përvjetor të 80-të të ekzekutimit të tij nga gjyqet famëkeqe të sistemit totalitar”, u shpreh Vengu në mesazhin e tij përkujtimor./atsh/KultPlus.com

Fytyra e Statujës së Lirisë…

Nga Eva Dori

Si ia dha fytyrën e veja e krijuesit të makinave qepëse Singer Statujës së Lirisë?

Jeta e Isabella Boyer është si një roman emocionues. Ajo ka lindur në Paris, në një familje me baba pastiçeri afrikan dhe nënë angleze. Ajo quhej Isabella, një emër i bukur që duhet të ishte baza e një fati të bukur.

U bë e qartë se natyra i dha Isabelës një bukuri të veçantë.

Në moshën 20-vjeçare, ajo martohet me prodhuesin e makinave qepëse, Isaac Singer, 50 vjeç, dhe pas vdekjes së tij bëhet gruaja më e pasur në vend.

Dhe nuk është çudi që ajo u zgjodh si modele për Statujën e Lirisë, sepse ajo mishëron ëndrrën amerikane të realizuar. Pasi u bë e ve, Isabella filloi të udhëtonte nëpër botë, duke kërkuar njohuri të reja dhe sfida emocionuese, shumë e re për t’u varrosur nën rroba zie.

Ajo u martua me violinistin holandez Victor Robstett, i cili është një personazh i famshëm botëror dhe një kont, kështu që Isabella bëhet edhe konteshë.

Së shpejti Isabella bëhet ylli i showroom-eve në Amerikë dhe Evropë, dhe është e ftuar në të gjitha eventet botërore. Në njërën prej tyre, ajo u takua me skulptorin e famshëm francez Frederick Bartoldi. Në atë kohë, Bartoldi ishte i impresionuar shumë nga udhëtimi i tij në Shtetet e Bashkuara, nga madhësia e vendit, nga burimet e tij natyrore, nga popullsia atje dhe kishte pranuar tashmë propozimin për të krijuar një statujë që simbolizonte pavarësinë e Shteteve të Bashkuara.

Skulptura duhej të ishte një dhuratë nga Franca për nder të 100 vjetorit të pavarësisë së vendit. Kështu lindi ideja e një statuje gjigante që përshkruante një grua që mbante një pishtar në njërën dorë dhe pjata në tjetrën, me datën e miratimit të Deklaratës së Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara.

Bartoldi ishte aq i impresionuar nga fytyra e Isabelës sa vendosi ta përdorte atë si model për skulpturën e tij. Prandaj, në ishullin Bedlow në Gjirin e Nju Jorkut, u ngrit Statuja e Lirisë me figurën e një perëndeshë të lashtë, por me fytyrën e Isabella Boyer.

Isabella martohet për herë të tretë, në moshën 50-vjeçare, me Paul Sohege, një koleksionist i famshëm arti.

Ajo vdiq në Paris në vitin 1904 në moshën 62 vjeçare dhe është varrosur në Varrezat Passy.

Por statuja me fytyrën e saj vazhdon të ngrihet mbi ishullin Bedlow, duke simbolizuar krenarinë e parë të Amerikës, lirinë./KultPlus.com

’Zjerm’ jehon në Prishtinë, Shkodra Elektronike elektrizon skenën në hapjen e edicionit të 13-të të FemArt

Flonja Haxhaj

Në një mbrëmje që përçoi emocione, kujtesë kulturore dhe energji bashkëkohore, edicioni i 13-të i festivalit FemArt filloi me një performancë që kapërceu kufijtë e një koncerti tradicional.

Shkodra Elektronike, pas paraqitjes dinjitoze në Eurovision 2025, ndaloi mbrëmë në Prishtinë për të dhuruar një perofmancë të jashtëzakonshme që erdhi si një udhëtim i thellë estetik e muzikor ku trashëgimia muzikore shqiptare u përkthye në një gjuhë të re, atë të muzikës elektronike, shkruan KultPlus.

Të veçantë në paraqitje e në këndim, Shkodra Elektronike ngjalli emocione që e kapluan publikun që nga tingulli i parë, në koncertin që erdhi si një simbiozë mes muzikës së vjetër shkodrane dhe asaj elektronike.

“Po të jemi bashkë ne të dy”, “Turtulleshë” dhe “Vaj si kenka ba dynjaja” nuk u interpretuan, por u përjetuan si fragmente të identitetit shqiptar, por të risjellë në stilin e veçantë të Shkodrës Elektronike.

Momenti kulmor i mbrëmjes ishte interpretimi i këngës “Zjerm”, tashmë e kthyer në një himn të muzikës së vjetër me ritme të reja, që i tejkalon brezat dhe kohën. Salla u ndez në një valë të përbashkët emocionesh, duke e bërë këtë performancë të paharrueshme.

Më pas, me këngët “Askund” dhe “E lirë”, Shkodra Elektronike krijoi një udhëtim emocional përmes nostalgjisë dhe muzikës moderne. Çdo tingull, çdo varg, u prit me entuziazëm nga një publik që nuk e ndali duartrokitjen dhe vallëzimin nën tingujt e muzikës elektronike.

Ndërkaq, si një surprizë për publikun prishtinas, Shkodra Elektronike solli për herë të parë këngën “Stuhi”, një krijim i ri që u mirëprit me entuziazëm dhe e tregoi fuqinë krijuese të grupit.

E krejt në fund,  nën kërkesat e pandërprera të publikut, koncerti u mbyll me një rikthim të “Zjerm”, që përmbylli në mënyrën më të mirë të mundshme këtë mbrëmje të paharrueshme.

Pas koncertit ku i dha publikut një eksperiencë të paharrueshme, për KultPlus foli këngëtarja Beatriçe Gjergji, e cila shprehet e lumtur për koncertin, e sidomos për mirëpritjen që merr gjithmonë nga publiku i Prishtinës.

“Një gjë fantastike që ka ndodhur sonte është që djemtë dhe vajzat që ishin në publik, nuk kanë këndu vetëm këngën ‘Zjerm’ por kanë kënduar edhe këngë që kanë dalë edhe para disa javës dhe kjo gjë fantastike. E kjo mbështetje na ka dhënë forcë qysh në momentin e parë, është e domosdoshme për njerëzit si ne që hipim në skenë, sepse pa njerëz nuk jemi askushi, e me publikun e Kosovës ndjehemi më të fortë dhe kemi një krah më të fortë”, u shpreh Gjergji për KultPlus.

Po ashtu, pas koncertit foli edhe pjesëtari tjetër i Shkodrës Elektronike, Kolë Laca, i cili u shpreh se gjithmonë, publiku i Prishtinës i ka pritur akoma më mirë se sa që e kanë imagjinuar.

“Publiku kosovar gjithmonë na ka surprizuar për të mirë. Gjithmonë ka qenë akoma më mirë se sa që e kemi imagjinuar. Edhe sonte ishte e njëjta gjë, një dashuri, një dhuratë që nuk do të harrojmë. Sot kemi dhënë edhe disa këngë që nuk janë të publikuara, por që do t’i publikojmë në fund të vitit. Është emocionale se si e mirëpriti gjithë publiku koncertin e sotëm”, theksoi Laca për KultPlus.

Ndërkaq, pas kësaj hapje, për KultPlus foli edhe drejtoresha e FemArt, Zana Hoxha, e cila konsideron këtë koncert si një hapje spektakolare dhe një muzikë që i ngjason konceptit të festivalit.

“Ishte një hapje spektakolare, e paimagjinueshme, sepse festivalet feministe e kanë atë paragjykimin e vet dhe këtë e kemi thyer sonte, natyrisht me një grup I cili ndan mesazhe shumë të ngjajshme me neve. Jam jashtëzakonisht e lumtur që kemi pasë privilegjin me pasë Shkodrën Elektronike, po edhe me shënu këtë ditë të çlirimit të Prishtinës bashkë me Komunën e Prishtinës dhe me FemArt. Unë jam besimtare e ithtare e madhe e partneriteteve. Nuk besoj në ndasi, besoj në bashkim. Bashkimi dhe diversiteti janë vlerat e FemArt, kështu që sonte kjo natë ishte me të vërtetë ai shembulli më i mirë i diversitetit edhe i bashkëpunimit”, theksoi Hoxha, duke shtuar më tutje, se kjo meritë i përket Shkodrës Elektronike dhe publikut që ishte prezent.

Ndërkaq, për gjashtë ditë me radhë, nga 16 deri më 21 qershor 2025, FemArt do të jetë një hapësirë e shenjtë për krijim, kujdes, dashuri dhe shërim – një festival ku arti nuk është vetëm spektakël, por mjet për të prekur të pathënat, për të gjetur forcë në brishtësi dhe për të imagjinuar liri të reja./KultPlus.com

“Diku thellë në ty e shoh një qershi, sa herë të shikoj në sy” (VIDEO)

Tekste të shumta lirike gjetën jetësimin në tingujt e muzikës, shkruan KultPlus.

E tillë është edhe kënga “Një grusht qershi” kënduar nga grupi Gjurmët.

Gjurmët janë grup kosovar i muzikës rok, të cilët shënuan periudhën e lulëzimit të tyre përgjatë viteve 1980-1986.

KultPlus ua sjell tekstin dhe videoklipin e këngës “Një grusht qershi”:

Era ja përkdhelë hapin e…
E bëhet sikur nuk më sheh
Sa bukur i paska ra
Fustani i kuq o me dantela

E sonte ne
Do ta hedhim e
Një valle t’ëmbel o si qershi

Mos thuaj nuk e di
Diku thellë në ty
E shoh një shkëndi
Sa herë të shikoj në sy, o moj…

Diku thellë ne ty
E shoh një qershi
Sa herë të shikoj në sy o…

Ç’të paska hije kjo gërshetë
Sdi pse behësh sikur nuk më flet
Sikur të të kisha pranë
Nji grusht qershi do a kisha dhanë

E sonte ne
Do ta hedhim e
Një valle t’ëmbel o si qershi

Mos thuaj nuk e di
Diku thellë në ty
E shoh një shkëndi
Sa herë të shikoj në sy, o moj…

Diku thellë ne ty
E shoh një qershi
Sa herë të shikoj në sy o…

E sonte ne
Do ta hedhim e
Një valle t’ëmbel o si qershi

Mos thuaj nuk e di
Diku thellë në ty
E shoh një shkëndi
Sa herë të shikoj në sy, o moj…

Diku thellë ne ty
E shoh një qershi
Sa herë të shikoj në sy o / KultPlus.com

Wikipedia po tërhiqet nga një plan për të testuar përmbledhjet e artikujve me inteligjencë artificiale

Platforma njoftoi më parë këtë muaj se do ta testonte këtë funksion në rreth 10 përqind të përdoruesve në versionin celular të faqes së internetit, por reagimi nga redaktorët ishte larg të qenit pozitiv. Fondacioni Wikimedia (WMF) ndryshoi planet e tij dhe anuloi testin.

Një redaktor shkroi: “Vetëm pse Google ka prezantuar përmbledhjet e saj të inteligjencës artificiale nuk do të thotë që ne duhet t’i tejkalojmë ata. Ju lutem sinqerisht të mos e testoni këtë – në celular apo diku tjetër. Do të shkaktonte dëme të menjëhershme dhe të pakthyeshme për audiencën tonë dhe reputacionin tonë si një burim relativisht i besueshëm dhe serioz.”

Vërejtjet nuk ishin të drejtuara vetëm ndaj vetë idesë – redaktorët kritikuan gjithashtu organizatën jofitimprurëse për përjashtimin e komunitetit nga faza e planifikimit.

“Ju gjithashtu thoni se ka pasur një ‘diskutim’ rreth kësaj, gjë që është qesharake, sepse ‘diskutimi’ për të cilin po flisni ka pikërisht një pjesëmarrës – postuesin origjinal, i cili është gjithashtu një punonjës i WMF-së”, shkroi një redaktor tjetër.

Fondacioni Wikimedia i tha Engadget se po “eksploronte mënyra për ta bërë Wikipedia-n dhe projektet e tjera të Wikimedia-s më të arritshme për lexuesit në mbarë botën”.

“Si pjesë e këtij eksperimenti, përmbledhjet u gjeneruan nga modeli Aya me burim të hapur i zhvilluar nga Cohere. Qëllimi ishte të matej interesi për një veçori të tillë dhe të na ndihmonte të merrnim në konsideratë se cili lloj sistemi i moderimit të komunitetit do të ishte më i përshtatshmi – për të siguruar që njerëzit të mbeten një faktor kyç në vendimmarrjen se çfarë informacioni shfaqet në faqe”, shtoi WMF./KultPlus.com

Vdes inxhinieri i Apple që influencoi zhvillimin e kompjuterëve modernë

Inxhinieri i shquar i Apple i cili luajti një rol jetik në zhvillimin e kompjuterëve modernë është ndarë nga jeta. Bill Atkinson, i cili ishte pjesë e ekipit të parë të zhvillimit të Macintosh pranë Apple, vdiq në moshën 74 vjeçare pasi vuajti nga kanceri i pankreasit sipas një postimi bërë në rrjetin social Facebook më 5 Qershor.

Kontributi i tij në Apple dhe kompjuterët Macintosh konsiderohet fundamental sidomos në zhvillimin e elementëve të ndërfaqes së përdoruesit është është shiri i menusë, klikimi i dyfishtë dhe mjeti i selektimit.

Por puna e tij është më e thellë sepse është përgjegjës për krijimin e gjuhës së dizajnit që influencoi Apple në ditët e para. Trashëgimi i tij përfshin krijimin e MacPaint, një aplikacion që i tregoi botës sesi sistemet e bazuara në grafika dukeshin në një kohë kur sistemet e bazuara në tekst ishin normalitet.

Atkinson ishte një prej tre themeluesve të General Magic, një kompani e softuerit dhe elektronikës që furnizoi produkte për Motorola dhe Sony në fund të viteve 90. /PCWorld Albanian/KultPlus.com

‘E ftohtë dhe e ashpër’, poezia e trishtë e Franz Kafkës

“E ftohtë dhe e ashpër” është një nga poezitë më të bukura të autorit Franz Kafka. Poezia ndërtohet mbi bazën e kontrastit, ku autori i quan të ftohtë dhe të ngrirë njerëzit, ndërkohë ambientin e konsideron tëndriçuar e me gjallëri në periudhën e festave të fundvitit.

Është një nga “panorama” normale të kohëve tësotme, ku atmosfera gjallëruese e festave jo gjithmonë shkon paralel me problemet dhe streset e çdokujt në përditshmëri. Ama nëfund, çdokush pajtohet me realitetin dhe i lë ngjarjet të rrjedhin natyrshëm (autori në strofën e fundit me foljet “sheh” dhe “mbështetet” pranon pikërisht realitetin, edhe pse të trishtë).

“E ftohtë dhe e ashpër”
E ftohtë është dita sot dhe e ashpër.
Retë të ngrira,
erërat zvarritin të ftohtit.
Të ngrirë edhe njerëzit.
Hapat jehojnë si metal
mbi pllakat e bakrit
dhe retë vështrojnë
liqene të bardhë.

Në qytetin e vjetër janë ngritur,
shtëpiza krishtlindjesh me drita
dhe dritare shumëngjyrëshe që shohin,
në sheshin e vogël me borë.
Një burrë ecën heshtur,
në sheshin me borë me dritë hëne
dhe hijen e tij të madhe e fryn
era mbi shtëpizat.

Njerëz që kalojnë ura të errëta,
shkojnë me nxitim në meshë,
me dritat verbuese në duar.
Në qiellin gri kalojnë re,
mbi kishat,
me kambanare gjysmë të errëta.
Dikush, që mbështetet në mur,
sheh ujin e natës,
me duart e tij në gurët e lashtë./ KultPlus.com

’Chatroom’ me regji të Erson Zymberit, premierë në Teatrin e Gjilanit

Teatri i Gjilanit sjell premierën e shfaqjes ‘Chatroom’, vepër e shkruar nga dramaturgu irlandez Enda Walsh, përcjell KultPlus.

E shkruar nga dramaturgu irlandez Enda Walsh dhe me regji nga Erson Zymberi, kjo vepër sjell në qendër gjashtë adoleshentë që takohen në një chatroom online. Ajo që nis si një bisedë e zakonshme mes të panjohurish, shndërrohet shpejt në një lojë të rrezikshme mendore, ku fjalët e shkruara marrin formën e dhunës më të pastër psikologjike.

Në vijim gjeni njoftimin e plotë:

📣 PREMIERË – CHATROOM | nga Enda Walsh, regjisor Erson Zymberi

📅 21 & 22 Qershor | 🕗 Ora 20:00
📍 Teatri i Gjilanit

Aktorë: Elton Tahiri, Andi Bajgora, Fiona Abdullahu, Rinesa Behluli, Drin Berisha

Skenograf: Bekim Korça, Kostumografe: Njomëza Luci, Dizajni i dritave dhe video artist: Burim Baftiu

Për shfaqjen:
Në një kohë kur bisedat virtuale zëvendësojnë kontaktin njerëzor, dhe vetmia shpesh maskohet pas ekraneve të ndritshëm, Chatroom është një dramë therëse dhe urgjente që eksploron errësirën psikologjike të adoleshencës moderne.

E shkruar nga dramaturgu irlandez Enda Walsh dhe me regji nga Erson Zymberi, kjo vepër sjell në qendër gjashtë adoleshentë që takohen në një chatroom online. Ajo që nis si një bisedë e zakonshme mes të panjohurish, shndërrohet shpejt në një lojë të rrezikshme mendore, ku fjalët e shkruara marrin formën e dhunës më të pastër psikologjike.

Chatroom nuk është thjesht një kritikë e botës digjitale – është një vëzhgim i mprehtë i mungesës së ndërlidhjes së vërtetë mes njerëzve. Pavarësisht se bashkëbiseduesit janë në të njëjtin qytet dhe moshë, ata janë të ndarë nga një distancë e frikshme emocionale dhe morale.

Në thelb, Chatroom është një pasqyrë e gjeneratës digjitale – e mbingarkuar me informacione, por e varfër në ndjeshmëri. Është një thirrje për ndërgjegjësim: për të kuptuar fuqinë e fjalës, për të zbuluar përgjegjësinë që mbart komunikimi – qoftë ai i shkruar apo i heshtur.

Chatroom është një dramë që na thërret të shohim më thellë – përtej ekraneve, përtej maskave, përtej heshtjes.

Shfaqja është produksion nga Elton Tahiri dhe vjen premierë në Teatrin e Gjilanit më 21 dhe 22 qershor nga ora 20:00.

Audienca: + 16/KultPlus.com

82-vjetori i lindjes së Ukshin Hotit, përkujtohet nga Kryeministri Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, përmes rrjeteve sociale ka bërë përkujtimin e 82-vjetorit të lindjes së profesor Ukshin Hotit. Ai e ka përshkruar Hotin si një mendje të rrallë dhe një figurë të rëndësishme për kombin shqiptar.

“Profesor Ukshin Hoti është një figurë dhe mendje e papërsëritshme. Aq e thellë për nga mençuria, aq e gjerë për nga dija dhe aq e lartë për nga idetë saqë ne e kemi obligim t’ia kujtojmë e përkujtojmë vetes tekstet e tij në mënyrë që të ngrihemi në nivel të detyrës kombëtare dhe historike për të ecur përpara për Republikën e Kosovës dhe kombin shqiptar në përgjithësi”, ka shkruar Kurti.

Tutje, ai është shprehur se asnjëherë nuk do të rreshtim së kërkuari të vërtetën e drejtësinë dhe gjithmonë do të jemi krenarë e mirënjohës për trashëgiminë e tij politike e kombëtare./KultPlus.com

Flamur Maloku prezanton antologjinë e re poetike kosovare

Pas një pune të gjatë dhe përkushtuese, është finalizuar një antologji e re e poezisë shqipe në Kosovë, e përgatitur nga Flamur Maloku. Kjo vepër përmbledh krijime poetike të autorëve të ndryshëm dhe vjen si rezultat i një procesi të kujdesshëm leximi, përzgjedhjeje estetike dhe redaktimi profesional.

Maloku ka theksuar se përgatitja e antologjisë ka qenë një sfidë e vërtetë, që ka kërkuar angazhim të madh dhe vendimmarrje të vështira, përfshirë edhe refuzime të domosdoshme gjatë përzgjedhjes së poezive.

Antologjia është përgatitur në bashkëpunim me një ekip të përbërë nga emra të njohur të fushës së letërsisë dhe kritikës letrare. Kryeredaktor i projektit është Prof. Dr. Bajram Kosumi, ndërsa në këshillin redaktues kanë kontribuar Prof. Dr. Merxhan Avdyli, Prof. Dr. Behar Gjoka, Prof. Dr. Zeqir Kadriu dhe Ma. Enis Reçica.

Për realizimin e kësaj antologjie ka dhënë mbështetje financiare edhe Komuna e Fushë-Kosovës, e cila, sipas Malokut, ka treguar një angazhim të veçantë në përkrahje të kulturës dhe letërsisë.

Antologjia pritet të jetë një kontribut i rëndësishëm në pasurimin dhe promovimin e poezisë shqipe në Kosovë./KultPlus.com