Poezi e shkruar nga Anna Ahmatova. Përktheu: Elife Krasniqi
Ki me ni bubullimë e ki me më kujtu, Dhe ki me mendu: ajo i donte stuhitë. Skaji I qiellit ka me qenë ngjyra e kuqrremtës, Dhe zemra jote, ashtu qysh atëherë ishte, Në zjarr ka me qenë.
Atë ditë në Moskë, gjithçka do të bahet, Kur, për të fundit herë, udhën në sy e marr Dhe ka me u nxitu për naltësitë që per to mallë kam pasë Tue e lanë hijen teme, hala me ty me nejt./ KultPlus.com
Vajta në Stamboll të bëj pazar, për kujtim të ble një vazo balte: – Paqe dhe selam, usta poçar, Vazon më të mirë po e pate Paqe dhe selam, usta poçar!
Vazoja nga dora shkau e ra Dhe m’u bë njëzet e pesë copë, Më erdhi rrotull deti Marmara Dhe m’u hap dyqani turk si gropë, Më erdhi rrotull deti Marmara.
Pa më shau poçari keq turqisht, Unë e shava shqip e mend i rashë; Për çudi poçari nuk u ligsht, Veç dy lot në sytë e kuq i pashë, Për çudi poçari nuk u ligsht!
Mos u çmend ky turk, ky musliman? Unë e shaj, ai me duar në qafë! Poçe tjeter mori në dyqan Dhe më tha: ” Më shaj, për besë, prapë!” Poçe tjetër mori në dyqan.
Psheretiu si unë: ” Jam shqiptar, Shqip, vëlla, ti shamë dhe një herë, Fjala shqipe s’blihet në pazar, Në dyqan ka vjet që s’e kam ndjerë, Fjala shqipe s’blihet në pazar!”
Ikën nga dyqani burra e gra, Unë e një poçar e tjetër s’kishte, Vazot frynte deti Marmara, Vazove poçari shqip u fliste, Vazot mbushte deti Marmara. /KultPlus.com
Një titull me peshë, një titull që mbart shpirtin dhe historinë e një populli, “Themeli” është fjala që përthekoi punën e dy artistëve shqiptarë, Luan Buleshkaj dhe Arijan Zymeraj për të prezantuar një copë Kosove në një vend të veçantë, siç është Muzeu i Amsterdamit.
Për një shqiptar të rritur larg vendlindjes së tij, “Themeli” është më shumë se një fjalë – është një kujtim i vendlindjes, një lidhje me rrënjët dhe një dëshirë për të përjetuar dhe ndarë trashëgiminë kulturore me botën, shkruan KultPlus.
“Themeli” është një përpjekje plot pasion e këtyre dy artistëve, për të zbuluar thelbin e popullit kosovar dhe të shpërndajë këtë njohuri me botën nëpërmjet poezisë dhe fotografisë.
Muzeu i Amsterdamit ka hapur dyert për këtë ngjarje të veçantë, ku poezia dhe fotografia përplasen për të sjellë historinë dhe kulturën e Kosovës të nxjerra nga një udhëtim i veçantë i këtyre dy artistëve në Kosovë, në veçanti në qytetin e bukur të Istogut.
Në një intervistë për KultPlus, artistët kanë zbuluar më shumë rreth këtij projekti inspirues.
Projekti “Themeli” lindi si ide e Luan Buleshkajt, një artist me ngjyra të ndryshme në biografinë e tij. I lindur dhe i rritur në Amsterdam, me rrënjë shqiptare, ai bëri emër më së shumti si reper, por që kur u fut në botën e poezisë ai ka performuar në shumë skena të njohura në Holandë.
“Gjithmonë kam pasur dëshirën që të kombinoj poezinë dhe fotografinë për të shpalosur historinë e Kosovës në një mënyrë unike”, tha Luani i cili tregon se kur u takua me fotografin Arijan Zymeraj kuptoi që ky ishte kombinimi perfekt për realizimin e këtij projekti.
Bashkë, ata kuptuan se kishin një mision të përbashkët, për të eksploruar dhe shpërndarë historinë dhe emocionet e Kosovës nëpërmjet artit.
Kosova është një vend i pasur me histori të ndryshme ku pothuajse nga secila familje mund të nxjerrësh rrëfime fantastike. Edhe për këta dy artistë, historitë e familjes së tyre ishin burimi kryesor frymëzues për këtë projekt.
“Historitë e babait tim dhe anëtarëve të familjes më kanë frymëzuar. Tregime nga historia e Istogut. Përralla popullore klasike por edhe histori rreth luftës. Më kanë prekur më së shumti historitë e gjyshit. Ai ishte këngëtar dhe aktivist politik”, tregon Luani për KultPlus.
Njëjtë është edhe për Arijanin, i cili në këtë ekspozitë do të ndaj me publikun edhe një pjesë shumë personale.
“Jam jashtëzakonisht i lumtur që mund të ndaj fotografitë e gjyshit tim gjatë kësaj ekspozite 5 mujore dhe ta bëj të pavdekshme historinë e tij”, thotë Arijani.
Arijan Zymeraj dhe Luan Buleshkaj
Edhe pse ekspozita do të hapet në Muzeun e Amsterdamit, titulli mbetet në gjuhën shqipe, “Themeli”. Fotografi shqiptar i cili jeton dhe vepron në Holandë, Arijan Zymeraj, fotografitë e të cilit kanë arritur të marrin vëmendje në Holandë, një arsye kjo që vazhdon ta nxisë për të punuar vazhdimisht, ka treguar më shumë rreth idesë së titullit të ekspozitës.
“Ne e quajtëm projektin “Themeli” sepse njerëzit për të cilët flitet dhe janë fotografuar janë themeli i popullit shqiptar të Kosovës sot, sepse ata kanë luftuar për të na dhënë një të ardhme neve”.
Udhëtimi nëpër Kosovë për të kapur historitë dhe emocionet ishte një përvojë e pasur dhe ndikuese për artistët. Fotografi tregoi se pavarësisht bukurisë së vendit, udhëtimi kishte edhe sfidat e veta.
“Përvoja ishte e bukur por edhe e vështirë. Të dëgjosh historitë e njerëzve në Istog për kohën e tyre gjatë okupimit është diçka që nuk dëshiron ta dëgjosh çdo ditë. Por arsyeja pse vazhduam është diçka për të cilën gëzoj më shumë respekt”, shprehet Arijani.
Në ekspozitën “Themeli,” dy artistët trajtojnë tema të ndryshme, por disa prej tyre janë më shumë në fokus. Arijani theksoi se një nga temat kryesore është brezi i vjetër që ka guxuar të ndërmarrë hapa kundër pushtimit. Por edhe se si Kosova ende po punon për të rindërtuar vendin e saj.
Ndërsa Luani u shpreh se ekspozita është më shumë se një pasqyrim i historisë së Kosovës.
“Kosova është më shumë se luftë dhe tragjedi. Është një vend historik me histori të pa treguara. Ne i përcjellim ato histori të pa treguara përmes fotografisë dhe poezisë”, thotë Luani.
Sipas artistëve, e veçanta e kësaj performance në Muzeun e Amsterdamit është aspekti njerëzor.
“Ne i qasemi çdo gjëje nga këndvështrimi njerëzor. Nga vetë populli shqiptar. Por edhe nga diaspora shqiptare. Mendoj se kjo është arsyeja pse kjo ekspozitë do të bëhet shumë e njohur për publikun këtu” thotë Luani.
Krejt për fund, artistët na shpalosën se tashmë kanë nisur punën që ekspozitën e njëjtë ta sjellin edhe në Kosovë.
“Ne patjetër që dëshirojmë ta sjellim këtë ekspozitë edhe në Kosovë. Poezitë janë në anglisht por janë përkthyer edhe në shqip. Këtë e bëmë pikërisht për këtë qëllim, sepse duam ta sjellim këtë ekspozitë edhe në Kosovë”, përfundon Luani.
Ekspozita “Themeli” do të hapet nesër më datë 6 tetor në Muzeun e Amsterdamit dhe do të qëndroj e hapur deri më 25 shkurt të vitit 2024. / KultPlus.com
Mbramja asht larg e ti je atje mbi kodër të blerueme ku gurzit që bashin zhurmë i përpiu dheu.
Ti je atje me të bijën e heshtjes e me shoqe tjera e mendon për mue. Unë jam në detin e tingujve e ndër gjujt e mij ndieva peshen e tramit tue u ndalue me turr.
Mandej i lëshova vendin një të vjetri e mes tallazit të krahve thashë: mbramja ashtë larg e ti andej lumit.
Heshtja prek qiellin me dorë E ti atje mbi kodër të blerueme njeh gjurmët e diellit npër qiell. / KultPlus.com
Të jetosh mes memecëve është ku e ku më vështirë se të jetosh mes kafshëve Kafsha rri larg zjarrit armëve dhe fjalëve mund të jetosh me kafshët në përulësi dhe duke hequr dorë nga zbutja e vetes por jetohet memec mes memecëve?
S’të bën gjë dobi. Këtu fjala s’është fjalë zjarri s’është zjarr arma s’është armë përulësia s’është përulësi heqja dorë s’është heqje dorë ende je mes të shushaturish dhe ç’është më e keqja do s’do ti ke për t’u bërë dalëngadalë njëri prej tyre.
Thuaj atij trapit se jeta është ndryshe nga rehatia se është luftë e paprerë sa e plotë, aq e vështirë se gëzimi kushtëzohet nga përpjekjet, dlirësia, dashuria, e vërtetë sigurisht, e hidhur e vërteta nëse pyet dikë dhe e pyet ç’mban të fshehtë, nëse e sheh në sy asgjë s’ke për të kuptuar nëse s’je në shpirtin e tij
Diellin ta shikosh nga hija e plepit Dhe ta matësh Kur hijen tënde s’mund ta kapërcesh më Qenit ruaju se të kafshon ajo kafshë shtëpiake Besnik i madh i Njeriut Nga kafshimi i gjarprit mund të shpëtosh Macen nxirre nga fjalori yt gjithsesi Ajo s’është simbol i kohës sate as i artit tënd
(Unë gjthmonë ia kam frikën edhe Lules edhe Femrës)
Kur të flasësh fol të dëgjohesh në bjeshkë të dëgjohesh në shkretëtirë Për të dytën herë mbetesh pa kokë ose kush nuk të beson: Sa më pak shikoje veten në pasqyrë Dhe kurrë mos mendo: I pari Ai që ka ekzistuar para teje jam UNË Ai që do të kujdeset për ditët e mia të mbrama Për ëndrrat e mia e qetësinë je Ti Me pleh kurrë mos u pajto: Nxirre në gjysmë të natës në pikë të vapës Asgjë mos rrit asgjë mos krijo me dhunë Rast i humbur nuk je edhe pse pylli dendësohet Mund ta kalosh natën në Kullën time të vetmuar në botë Dhe si të duash Ti Lumi Kryesorja: jetën ta jetosh pa e vrarë Dhe pa të mbetur në këmbë ndonjë therrë e saj e zezë Bashkudhëtari im Ta provojmë vetveten derisa kemi frymë./KultPlus.com
Ti e di se si është kjo: nëse unë vështroj në hënën e kristaltë, në degën e kuqe të vjeshtës të ngadaltë në dritaren time, nëse unë prek pranë zjarrit hirin e imët ose trupin e rrudhosur të drurit, gjithçka më sjell tek ty, sikur gjithçka që ekziston, aromat, dritat, metalet, të ishin anije të vogla që lundrojnë drejt atyre ishujve të tu që më presin mua.
E pra tani, nëse pak e nga pak ti ndal të më duash, unë do të të ndal të të dua pak e nga pak.
Nëse papritmas ti më harron ti do të ndalësh të më kërkosh sepse unë do të të kisha harruar tashmë.
Nëse e mendon gjatë dhe marrëzisht, erën e flamujve që kalon përmes jetës time, dhe ti vendos të më lësh mua në bregun e zemrës ku i kam rrënjët e mia, mos harro se atë ditë. se atë orë, unë do të ngre krahët e mi për fluturim dhe rrënjët e mia do të çrrënjosen në kërkim të një toke të re.
Por nëse çdo ditë dhe, çdo orë, ti e ndjen se je fati im dhe unë jam fati yt, me buzëqeshjen që s’të shqitet, nëse çdo ditë një lule ngjitet në buzët e tua duke më kërkuar, ah dashuria ime, ah vetja ime, tek unë është kthyer rishtaz zjarri, tek unë asgjë s’është fikur dhe as harruar, dashuria ime ushqehet prej tëndes dashuri, e dashur, dhe deri sa ti të jetosh do të jetë në krahët e tu shtrënguar e lidhur pazgjidhshëm me të mijtë/ KultPlus.com
Nga po na vjen, moj erë e rreptë? Pse vërshëllen me aq mallëngjim? -Vij drejt nga malet e Shqipërisë, për të përhapur zi e vajtim. Fryn, moj erë, moj erë e shkretë fryn, drejt më zëmër, më zëmër time hyn.
-Nga ata male, moj erë trime, ç’lajme të reja po na ke siell? Pse je e vrerët dhe e helmuar? qiellë me zi përse na e mbiell? Fryn, moj erë, etj.
Pse e ke synë të trubulluar e rent kaluar mi t’zeza re? Pse të pikojnë lottë të zeza, lottë të zeza posi rrëke? Fryn, moj erë, etj.
Syri m’u err nga ato që pashë Ah! nukë mbahem, nuk duroj dot. Pashë një gjëmë, gjëm të tmeruar, rent ta haroj, po rentkam më kot. Fryn, moj erë, etj.
Atje tek losnja në fush’ të Korçës, duke u hedhur lis më lis, një qivur pashë me nj’çup’ të virgjër, ma vrau shpirtin ay filis. Fryn, moj erë, etj.
Tokat pushonin, prift nukë dukej, e pakënduar na u varros; mihnë dëborën, i bënë varrë, shpirt nuk më mbeti, forca m’u sos. Fryn, moj erë, etj.
Atje mi varrë qante një grua, një grua qyqe me mallëngjim; burrën të qante më par’a çupën, për kë të bënte më par’vajtim? Fryn, moj erë, etj.
Renda e ika e fluturova, po dhëmbjen time ku do ta fsheh? Çava oqeane, dete dhe male, po vajtoj edhe sikundër sheh. Fryn, moj erë, etj.
-Moj er’e rreptë, erë malsore, shpirti m’u ndes, zëmra më shkriu; sytë m’u errë si ty dhe mua, mëndja në kokë më bubullin. Fryn, moj erë, etj.
Qëndro të lutem, të kam për t’dhënë dhe un’i varfri një porosi: një re të madhe dërgo të zbresë e ta ngarkojmë me lott’e mi. Fryn, moj erë, etj.
E kur të kthehesh nga Shqipëria, Atje në kopshtin, atje t’qëndrosh, dhe lott’e mia si vesë qjelli dalë nga dalë do t’i pikosh. Qaj, moj erë, moj er’e shkretë qaj, derthmi lottë atje mi varr’e saj./ KultPlus.com
Duaje trupin tënd grua është kryevepër arti që nuk shitet në asnjë ankand të botës është liria jote e fituar përgjakshëm në fushëbeteja lufta e paqja e maskuar burgu yt i përjetshëm pasion i egër ëndërr burrash e shpupluar bukuri e latuar Zotash lakmitarë mallkim varrë dhimbje e plagë.
Grua moj, duaje fort trupin tënd të bardhë, të zi, të butë, të vrazhdë, të lëmuar të fortë, të brishtë, të lodhur, të pushuar.
Trupin tënd duaje fort o grua është vula jote identiteti yt libër dëshirash.
Mbaje mend Grua, Trupi është dashnori yt i parë dhe i fundit. / KultPlus.com
Vuaj nga një sëmundje e rrallë e plot mister Çdo ditë më gërryen diçka përbrenda Përballë secilën qelizë jete me vdekjen
Vuaj nga përditshmëria e të pathënës fjalë të groposura n’thellësinë e zezë humnerore të vetmisë zbardhur
Vuaj kur nuk luftoj mos me u dorëzua Në rrugën që pritet t’i jepet një emër Dikush gjithnjë është n’kërkim të një emri
Një njeriu
Vuaj për njeriun ndarë në dysh mes kundërshtive si në gojë darâsh
Me veten strukur diku në qoshkun e fëmijërisë
Vuaj për luftën që se bëj Për rrënjët në paqe lëshuar thellë, zgjatim Vuaj për fytyrat e fryra për dhimbjet shkakësore mimikën beton e buzëqeshje sipërore harruar
Në të djeshmen, matanë murit të koshiencës
Vuaj për emrat që nuk kanë këmbë, duar as fytyrë Që s’shprehin gjë as irritohen thjesht ekzistojnë për fjalën që dhemb – një dhembje kohë rrënon një dromcë dashurie të ndjellë ndonjëherë diku
Vuaj çdo ditë për timen bijë që nuk arrita t’ia bëja një botë më të mirë me vizllima Të papranishmën botë Që premtuar ia kisha asaj dhe shoqeve të saj
Vuaj për vuajtjen Për përmbysjen, kaosin e pritjen
Mes nesh s’ka hapësirë. Hapësira për ne nuk ekziston. Ndryshe përcaktohet distanca jonë. Mes nesh ka dete të thella ku gjen pasqyra të thyera copë-copë, por prapë ato pasqyra vazhdojnë të na reflektojnë. Pasqyrojnë imazhet tona qysh nga dita që kemi lindur. Nëse do të thuash që s’jemi njohur në atë botë, unë këtë e di. Ndoshta ditëlindja ime nuk është dita kur kam lindur, por kur jam njohur me ty! Mes nesh s’ka hapësirë, por ka dete të qeta e të kthjellët, sikur janë në mes të korrikut. Dete që të japin qetësinë e prekjes sate dhe kthjelltësinë e syve tu, nga të cilët nuk largohem dot. Ka edhe valë, të ulta e të larta. Që trazojnë njeriun e të humbin ekuilibrin, njëjtë siç trazon shpirtin mendimi për ty. Hapësirë jo se jo! Po mes nesh ka re me plot forma dhe fortuna, aq të forta sa shpesh duhet të fshihemi. Kësaj radhe nuk bartin peshën e shiut apo të erës, për të cilat toka ka nevojë. Por bartin peshën e lotëve të mi dhe vorbullën e ndjenjave tua, që bukur i mban të fshehura. Për të cilat të dytë kemi nevojë, e pranojmë apo jo. Mes nesh, nuk jemi kurrë vetëm unë dhe ti. Jemi unë dhe ti, me plot kujtime, ëndërra e zhgënjime, të vendosura aty në mes. Unë dhe ti, me thërrmija zjarri e copa akulli. E pavarësisht nëse jam një hap larg teje, apo aq larg sa s’të shoh fare në horizont, në çdo grimcë ajri që na ndan do të ketë copëza dashurie, ndjenja frike, dhe emocione që shpirti as nuk tenton t’i kontrollojë. Pas krejt kësaj, si mund të ketë mes nesh hapësirë?! / KultPlus.com
Poezi nga William Butler Yeats Përktheu Orjela Apolloni
Kur të jesh plakur, thinjur dhe përgjumur të jesh, përkulur pranë zjarrit këtë libër ngadalë lexo, për shikimin e butë që patën sytë e tu ëndërro dhe për hijet e tyre të thella që më s’do t’i kesh.
Sa shumë të tjerët t’i deshën çastet madhështore dhe dashuruan bukurinë tënde, rrejshëm a vërtet, por veç një burrë pas shpirtit tënd pelegrin u tret dhe ta deshi fytyrën që e ndryshuan brengat njerëzore.
Dhe duke u përkulur në vatrën e oxhakut, murmuron, pak trishtueshëm, se si iku kjo Dashuri dhe fluturoi përmbi male, atje në lartësi, duke fshehur fytyrën e saj mes yjesh. / KultPlus.com
Përmbi çdo maje mali Ka qetesi: Mi asnje maje mali Asgje s’leviz, As pipetin; Ne pyllin zogjtë’ e vegjël po pushojnë: Prit pak, se shpejt a vonë Gjen qetësi dhe ti./KultPlus.com
Ti fillon të vdesësh ngadalë Nëse nuk udhëton, Nëse nuk lexon Dhe nëse nuk i vëzhgon meloditë e jetës Nëse nuk e vlerëson veten. Ti fillon të vdesësh ngadalë Kur e vret vetëbesimin tënd Kur nuk i lë të tjerët më të ndihmu. Fillon të vdesësh ngadalë Nëse bëhesh skllav i zakoneve tua Duke ecur përditë të njëjtat udhë, Nëse nuk e ndërron rutinën tënde Nëse nuk vishesh me ngjyra të ndryshme Nëse nuk u flet të huajve që si njeh. Fillon të vdesësh ngadalë: Nëse u ikë pasioneve tua Dhe emocioneve të tyre trazuara Ato që t’i bëjnë sytë të vezullojnë Dhe zemrën të rrah më shpejt. Fillon të vdesësh ngadalë: Nëse nuk e rrezikon rehatinë për diçka të çastit Nëse nuk shkon pas një ëndrre Nëse nuk e lejon veten Të paktën një herë në jetë Tu shmangësh këshillave të arsyeshme Mos e lërë veten të vdesësh ngadalë, Mos harro të jesh i lumtur! / KultPlus.com
“T’ isha një lule–lule are, e vogël dhe me erë. Të çelnja në pranverë dhe në vjeshtë të vishkesha në vetminë t’ime. T’isha një lule vjollce në mes të ferrave. Të qëndroja e fshehur, e pa dukur dhe një ditë të zbulohesha prej duarve të dy të rinjëve. Prej frike, të larguar prej njerzis do t’më këputnin, do të dhurohesha te njeri–tjetri për shënjë kujtimi.”
Musine Kokalari u lind më 10 shkurt të vitit 1917 në Adanë të Turqisë. Në vitin 1921, familja e saj kthehet në Shqipëri dhe vendoset në Gjirokastër, ku Musineja kreu shkollën fillore. Nëntë vjet më vonë, familja Kokalari vendoset në Tiranë. Në vitin 1937, Musineja mbaroi shkollën e mesme “Nëna Mbretëreshë” dhe më pas shkoi për studime në Universitetin e Romës, në Itali, të cilin e mbaroi shkëlqyeshëm në vitin 1941. Ajo botoi librin e saj të parë “Seç më thotë nëna plakë” në vitin 1939. Ishte viti 1943, kur Musine Kokalari së bashku dhe me disa shokë të tjerë formuan Partinë Socialdemokrate. Një vit më vonë, me përpjekjen e saj, doli numri i parë i gazetës “Zëri i Lirisë”. Në vitin 1944, botoi librin e saj të dytë “Rreth vatrës”, ndërsa më 12 nëntor të po këtij viti u pushkatuan vëllezërit e saj, Muntaz e Vesim Kokalari. Katër ditë më vonë e arrestuan dhe Musinenë, të cilën e mbajtën 17 ditë në burg. Në janar të vitit 1945, u botua libri i tretë i Musine Kokalarit “Sa u tund jeta”. Më 23 janar të vitit 1946, ajo u arrestua për së dyti nga forcat e Mbrojtjes së Popullit e gjyqi e dënoi me 20 vjet heqje lirie. Në vitin 1961, e nxjerrin nga burgu dhe e internuan në Rrëshen, ku dhe doli në pension me gjysmë page. Më 1980, Musine Kokalari u diagnostikua me kancer të gjirit dhe ashtu e sëmurë u refuzua e u la pa u kuruar nga trupat spitalore. Moskurimi i sëmundjes, dhimbjet dhe vuajtjet e shumta të kaluara nën përndjekjen komuniste i shkaktuan vdekjen në gusht të vitit 1983. Musine Kokalari përfaqëson disidenten e parë shqiptare. Vdiq e vetme dhe u varros vetëm nga varrmihësit. / KultPlus.com
Poezi nga Nazim Hikmet Ran Shqipëroi: Alban Tartari
Tek ti, unë, dashuroj siluetën e anijes nisur për në pol Tek ti, unë, zbulimet aventuriere prej kumarxhinjsh Tek ti, largësinë. Tek ti, unë, dashuroj të pamundurën. Të kridhem në sytë e tu, ashtu si në një pyll plot dritë. Mes djersës, urisë e irritimit, me uri gjahtari të ta kafshoj mishin Tek ti unë, dashuroj të pamundurën, Por kurrë pesimizmin./ KultPlus.com
bëra më mirë natën dola në oborr Hana lart nuse violet spërkat gjethet e trëndafilit me piklat që vezullojnë sedef natë vere pemësh që piqen m’degë shtrirë barit im at po fle ka gjashtë vjet që ka vdek’
vonë këso netësh nga gjirët e Drinit nga peshkimi kthehej ai pesëdhjetë vjet me pemën e papjekur me ujin e zi që udhëtonte me çikletë me shtambat që varte timonit plot ajër e peshk dhe midis oborri në govatë druri krijonte detin e tij të kufizuar
po sonte? kush e solli peshkun në govatë kaq të lirë pa gjuhë të lundrojë në ujin e kufizuar i lirë
ah të ishte midis katër muresh do t’ia linte fajin burgut që s’e la të vinte deri te ti deti
dhe unë mund të dal të eci e të eci të shkel barin, pluhurin, lumin, kënetën oh moj ti vdekja – vetëm. / KultPlus.com