Fragment nga romani  ‘Gjarpri i shtëpisë’ nga  Arif Demolli


Në shtatë vjetorin e vdekjes së shkrimtarit Arif Demolli, Kult Plus ua sjell një fragment nga romani i tij “Gjarpri i shtëpisë’.

Në atë farë fshati ishte një shtëpi… Shtëpia ku isha lindur dhe ku po e kaloja fëmijërinë, bota e tërë që po e njihja në vitet e para të jetës sime. Ajo ishte goxha shtëpi, me një bodrum poshtë dhe me tri dhoma lart (në midis ishte dhoma e zjarrit, kurse në të dy krahët e saj ishin dhoma jonë e fjetjes dhe dhoma e xhaxhait). Para derës së shtëpisë shtrihej një copë oborr, i ngushtë dhe i pjerrët, që merrte fund me dyert e mëdha me deriçkën përngjitur me to. Një herë, derisa dyert ishin të hapura dhe zbrazëtinë e mbushte hija e dendur e arrave të xha Fejzës, nuk e di pse, oborri ynë më qe dukur si një gjuhë e nxjerrë jashtë nga vapa e një qeni gjigant, kurse dyert – si goja e tij. Ndoshta pse ua kisha frikën qenve, ndodhte që ndonjëherë të më bëhej se po mblidhej nën këmbët e mia ajo gjuha e stërmadhe dhe kështu po më fuste në gojën e vet ai farë qeni gjigant i përfytyruar. Skajit të oborrit rridhte vija e hollë e ujit, sikur të donte ta njomte përherë gjuhën e atij qeni dhe kështu ta zbuste egërsinë e tij. Në njërën anë shtriheshin vatha, pojata, çilari dhe oda, kurse në anën tjetër ishin kopshti, lëmi, hambari dhe plemja. Nën të gjitha këto zbriste fort pjerrtas Ara e Bregut, ku kishte rrezik t’i thyeje jo vetëm këmbët, por edhe qafën. Po t’i shikoje nga Shpati (ku dilja shpesh me gjy- shen për t’i kullotur qengjat), krejt këto krijonin një pa- mje laramane: shtëpia ishte e mbuluar me qeramidhe, pojata me dushk, hambari e çilari me kashtë, kurse oda, e ndërtuar vonë, – me tjegulla, të kuqe gjak. Aty i shtrinin kurorat e tyre dy arrat e mëdha, ngriheshin përpjetë disa dardha, sesi i ngatërronin degët disa mollë e disa kumbulla, përpiqej të grabiste sa më shumë tokë një ftua me shumë trungje nga të njëjtat rrënjë, sikur të mos donte të rronte i vetmuar në atë vend, ku çdo pemë e kishte së paku një shoqe të llojit të vet. Nga Shpati shihej gjysma e shtëpive të fshatit. Përpiqesha t’i krahasoja dhe më dilte se shtëpia jonë ishte ndër më të bukurat. IN MEMORIAM 28 – Gjyshe, kush e ka shtëpinë më të bukur? – pyetja. Ajo i numëronte katër-pesë shtëpi dhe ndër to ishte edhe shtëpia jonë. -Ne, pëllumbi i gjyshes, – më shpjegonte ajo, – i kemi pasur të gjitha të mirat: edhe shtëpinë e mirë, edhe në vend të mirë, edhe tokën më pjellore se të askujt… vetëm meshkujt nuk i kemi pasur të hajrit. Prandaj, na ka mbetur vetëm kjo shtëpi si dëshmi e asaj se kush kemi qenë dikur. Po edhe kjo e shkreta i ka hequr një mijë të zeza. Sa e mbaj mend unë – kush mund ta dijë se ç’ka pësuar më përpara? – deri tash e kanë djegur tri herë… – Kush e ka djegur, gjyshe?! – Së pari e kanë djegur zaptijet e turkut, pastaj xhandarët e Serbisë dhe, së fundi, italianët… Doja të pyetja se ç’ishin ata farë zaptijesh, xhandarësh e italianësh, po më vinte keq ta preja në gjysmë rrëfimin e gjyshes. -Dhe secilën herë, – vazhdonte gjyshja, – e kemi ngrehur më të fortë e më të bukur. Së pari ka qenë me kashtë të zakonshme, së dyti me kashtë thekre tërë renda-renda, së treti me shinra… të gjitha të gdhendura me durim për inat të armiqve… dhe tash, si e sheh, e mbuluam me qaramidhe… që ta kenë më vështirë kur ta djegin sërish… Ndonëse nuk më kishte rënë të shihja ndonjë shtëpi duke u djegur, përfytyrimet e mia ishin më se të llahtarshme. – E pse e kanë djegur kështu vazhdimisht shtëpinë tonë? -Pse, a? Sepse të zotët e saj kanë qenë gjithmonë dofarë kryengritësish, kaçakësh, gjakësorësh, vullnetarësh… e ku ta di unë çka jo, të cilët nuk i shtroheshin dot as pushtetit të fshatit, as pushtetit të shtetit. Secili prej tyre ishte më kokëfortë e më i papërkulur se tjetri… Të gjithë njësoj: e mira e tërë botës, e keqja e kokës dhe e shtëpisë së vet… Më tej rrëfimet e gjyshes merrnin ngjyra të tjera emocionale dhe nuk e dije më në i qortonte për së vdekuri e për së gjalli ata burra kryeneçë (babai e xhaxhai domosdo ishin dy prej tyre), apo mburrej me trimëritë e tyre. Dikur ajo kridhej me tërë shpirtin në botën e kujtimeve të saj të pazakonshme dhe tashmë fliste hapur me mburrje e me krenari për vjehrrin, për burrin dhe për djemtë e saj, kurse mua më kapte njëfarë shqetësimi. Në fytyrën e saj të ndezur nga krenaria më dukej se e shihja flakën e shtëpisë dhe zija të dridhesha nga frika se dikush mund të na e digjte sërish shtëpinë dhe të na linte në titërr të lënd- 29 inës. Ajo pothuaj harronte fare se më kishte pranë (lëre më të mundohej të hynte në shpirtin tim të vogël e plot shqetësime), ia ngjallte vetes kujtimet e kohëve të shkuara, prandaj e merrte si krejt të zakonshme djegien e herëpashershme të shtëpisë sonë dhe derisa e shikonte atë sikur mrekullohej dhe u thoshte në vetvete ndezësve të ardhshëm: “Do t’ia merrni të ligat shtëpisë sonë! Muret i ka prej guri, pullazin prej qeramidhesh, digjeni në mundshi!”. Për një çast trimërohesha edhe unë. Besoja se nuk mund ta digjnin po t’i lëshoheshin të gjithë ndezësit e botës, prandaj lirisht mund të bëhesha edhe unë kryengritës, kaçak, gjakësor, vullnetar e çkado që të më tekej. Dhe ia shihja vetes për të madhe pse isha shqetësuar e isha frikësuar kot së koti. Po mua më tepër ma nxitnin kureshtjen ata që fshihnin përbrenda të gjitha ato që i takonin shtëpisë dhe oborrit tonë, sesa t’ia shikoja ashtu për karshi dhe t’i dë- gjoja rrëfimet e gjyshes për kohët e djegësve të pamëshirshëm. Isha në një moshë kur nuk më rrihej në një vend, as nuk mund të kënaqesha dot me një të shikuar. Hyja e dilja prej një dhome në tjetrën nga disa herë në ditë. Zbritja me kënaqësi në bodrum me nënën dhe me gjyshen, kur shkonin ta milnin lopën. U shkoja pas në pojatë. Kisha dëshirë të ndukja edhe unë kashtë a sanë me kërrabë në pleme, t’i shihja zogjtë se si hynin e dilnin nëpër pallzina, t’i kërkoja e t’i gjeja çerdhet e tyre, me të cilat ishte plot kashta e pullazit. Edhe në çilar e në hambar mund të ndiente njeriu një kënaqësi të veçantë, sidomos po ta shikonte botën nëpërmjet pallzinave të tyre. Kështu, secila më dukej më tërheqëse se tjetra, kurse çdo herë që hyja në ndonjërën prej tyre më bëhej se zbuloja diçka të re, apo ato që i kisha parë tash më dukeshin disi më ndryshe. E sidomos bodrumi më tërhiqte me njëfarë fuqie magjike. Ashtu i errët, tërë pleh, ku gati ta zinte frymën duhma e shurrës dhe e bajgave që digjeshin, me vatrën e mbetur shkret (bodrumi kishte qenë dikur dhomë zjarri), me raftet anash saj dhe me dollapët në të gjitha muret, ku tash pulat i bënin furriqet – gjithnjë më dukej plot fshehtësi, plot b 30 rënë. Kishin mbetur vetëm gurët e zhvoshkur, kurse ndërmjet tyre i hapnin gojët vrimat e panumërta, formash dhe madhësish të ndryshme. Ashtu të shplarë edhe nga grimca e fundit e baltës së dikurshme ndërlidhëse, gurët dukej se kacavareshin apo se rrinin pezull fare dhe vetëm pritnin çastin të shembeshin. Hardhucat hynin e dilnin nëpër ato vrima si në shtëpi të vet. – Duhet të mbajmë sa më shumë pula, – thoshte gjyshja, – sepse, si na është bërë ky bodrumi ynë – sikur të mos kishim burrë në shtëpi – do të na mbysin gjarpërinjtë. Pulat, sikur vërtet ta kishin kuptuar këtë mendim dhe këtë frikë të gjyshes, shkonin e shpurthnin tërë ditën e lume pikërisht rrëzë mureve të bodrumit dhe përreth plehut, ku shpesh gjenim vezë gjarpërinjsh. Ato ishin më të mëdha se të vremçave dhe më të vogla se të pulave – ve të tjera nuk më kishte rënë të shihja – më dukeshin të bukura dhe më pëlqente të luaja me to. Prandaj, i kërkoja me ngulm dhe kjo dëshirë do të më mbetej përgjithmonë, derisa të rritesha, sikur nga një sosh të mos më dilte një gjarpër i vogël, i hollë, tërë lara… Ai filloi të zvarrisej tërë qejf, sikur mezi të kishte pritur ta çliroja nga gëzhoja e vezës së tij, duke e nxjerrë ritmikisht thimthin e tij të vocërr. Unë bërtita dhe as dita të ikja nga tmerri, gjarpri ikte lakadredhas, një pulë e vuri re dhe sakaq e goditi në kokë me sqepin e saj të sigurt, vdekjeprurës. Ja, nuk ishte e thënë që të rronte më gjatë, të bënte më tepër se një hap rrugë, as të shihte më shumë se një pleh, një fëmijë të trembur dhe një pulë vrastare, në e pastë parë fare, duke qenë i mrekulluar nga drita që po e shihte për herë të parë dhe nga sendet, të cilave ajo u jep shkëlqim dhe ngjyra. Nga kjo ditë nuk guxova të luaja dhe më me vezë gjarpërinjsh. Edhe murin e çaraveshur zura ta shikoja me frikë gjithnjë më të madhe. Tamam kur në shpirtin tim nisi të lëshonte rrënjë gjithnjë më të thella kjo frikë, në dhomën tonë të fjetjes, në pikë të ditës, e gjetëm një gjarpër të madh. Ishte shtrirë në tërë gjatësinë e shtrati, fare i qetë, thuajse ndodhej në shtrat të vet e jo në shtrat të botës. Nëna këlthiti. Mua, që po i shkoja bisht pas, nuk më doli as zëri nga frika. Gjyshja hyri me nxitim në dhomën tonë. Ajo sikur u qetësua nga ajo që pa në shtrat. 31 – Dil përjashta, – i tha nënës. – Jepi djalit ujë që t’i kalojë frika. Nëna më dha ujë dhe piu edhe vetë. Gjyshja mbeti të merrej vetëm me gjarprin. Nuk ka më trime se gjyshja, mendoja. Pa e prishur fare terezinë – kjo mbresë mund të fitohej nga zëri i saj – zuri t’i fliste gjarprit. Fjalët e saj ishin të qeta, të ëmbla, plot kujdes e perkëdheli. E luste të mos na bënte keq, të largohej nga shtrati ynë dhe të strukej në vrimën e vet. Herë pas here e vidhja me bisht të syrit se ç’bënte gjyshja e si ia dëgjonte fjalët gjarpri – uji vërtet më kishte qetësuar pak – dhe nuk mund t’u besoja as syve, as veshëve të mi. Gjarpri, sikur t’i thoshte gjyshes: “Ndonëse më pëlqen të prehem në këtë shtrat të pastër, që kundërmon erë sane të re, po iki, po ta bëj qejfin, pasi qenke kaq plakë e mirë e trime”, zbriti nga shtrati, e trupoi dhomën dhe u fut pak me përtesë në një vrimë të murit, skaj dyshemesë. – Pse nuk e thirre dikë nga burrat që ta mbyste?! – pothuaj e qortoi nëna. – Si të flemë tash në këtë dhomë, kur e dimë se në atë vrimë është strukur një gjarpër aq i madh?! Gjyshja e shikoi nënën më tepër me keqardhje e me habi, si të ishte e vogël fare, sesa me hidhërim. – Si të mbytet, moj, gjarpri i shtëpisë?! Je në vete ti? Ai është roja jonë… Nëna u skuq dhe e uli kokën. Ishte turp të flitje keq për të, apo të mos e njihje fare gjarprin e shtëpisë. Si të mos kishte ndodhur gjë fare, gjyshja u ul në stolin e saj pranë vatrës, e futi në shokë furkën tërë zbukurime, i dha hov boshtit gati të mbushur plot dhe pastaj filloi t’i fliste nënës, duke i mbajtur sytë në fundin e shtëllungës së leshit, prej nga dilte peri: -Si nuk e ditke, moj, se gjarpri i shtëpisë nuk të kafshon?! Ku më je rritur ti që nuk e paske mësuar?! – E di, e di, – u përgjigj nëna e turpëruar. – Ama sa vlen kjo, kur rrëqethem sapo ta kujtoj gjarprin, e lëre më edhe ta shoh në shtratin tim, ta di se e kam në dhomë, se mund të më futet nën jorgan, në gji të fëmijëve… -Edhe në u futtë, nuk u bën gjë, – fliste gjyshja me siguri të plotë. – E kam gjetur gjarprin unë edhe nën jorgan, edhe në djep të burrit tënd kur IN MEMORIAM 32 ka qenë foshnjë… I kam folur dhe ai më ka dëgjuar, është futur në vrimë të vet… Mbaje mend, se je e re ti, gjarpri është rojë e robëve të shtëpisë. Kur ne flemë, ai kalon mbi trupat tanë që të na mbrojë. Ku ka gjarpër, nuk ka të keqe… – E si na mbron, gjyshe? – pyeta, pasi nuk më bindën fjalët e saj. – Si?! – u zu ngushtë ajo. – Këtë nuk e di as unë… Gjarpri është fshehtësi e madhe… Ai ashtu na duket, por vetëm zoti e di se ç’fshihet nën lëkurën e tij… dhe sa është… sa fuqi ka… Gjarpri mund të jetë edhe njeri… Ta kam treguar atë përrallën për djalin gjarpër që martohet me çikën e mbretit? – Po, gjyshe. – Edhe ata kanë menduar se ajo është martuar me gjarpër, po ç’djalosh i bukur na ka qenë ai! Gishtat e thatë të gjyshes e nduknin dhe e ngjeshnin leshin me shpejtësi të pabesueshme, boshti sillej aq shpejt sa agërshaku gati nuk shihej fare. Gjyshja e ndër- prente pakëz rrëfimin sa për t’i pështyrë gishtat, kurse unë sakaq tretesha në përfytyrime të botës mahnitëse e plot befasi të asaj përrallës për djaloshin 33 Gjyshja vazhdoi të fliste, nëna gjeti një arsye dhe doli përjashta, kurse mua më kujtoheshin përralla e rrëfime të ndryshme për gjarpërinj e për bolla. Ishte rrëqethës sidomos rrëfimi për një bollë të gjatë sa një litar, me flokë të kuqe si një vajzë, e cila i mbyste njerëzit që hynin në livadhin ku rronte ajo. Më bëhej se e ndieja se si ma shtrëngonte trupin ajo bollë gjigante dhe pastaj sesi e fuste kokën e saj nën sqetullën time, që të ma shponte trupin dhe të ma hante zemrën… Dora më shkonte vetvetiu së pari nën sqetull, pastaj mbi zemër… Zemra ishte aty dhe rrahte pak më shpejt se zakonisht, duke treguar kështu jo vetëm se ishte aty, në vendin e vet, shëndoshë e mirë, por edhe shqetësimin tim. Pas kësaj ngjarjeje frika erdhi duke m’u shtuar me hov për çdo ditë e për çdo natë. Ditët i kaloja disi, ama netët donin të më çmendnin fare. Sapo fikej drita, më bëhej se më sulej një gjarpër në fytyrë. Bërtitja. – Ç›ke? – më afrohej nëna. – Po kam frikë, – mezi flitja. – Ih, edhe ti! Duke u rritur, duke u bërë më frikacak! E sheh se nuk ka gjë?! Fli tash! Ja, edhe llambën po ta lë të ndezur. Nëna e ndizte Ilambën, ia ulte fitilin që të mos shpenzonte shumë vajguri dhe shtrihej. – Ke frikë tash? – më pyeste. – Jo, – i thosha, duke ia ngulur sytë dritës së zbehtë të llambës, sikur prej saj të më vinte shpëtimi. Babai kishte filluar të gërhiste kaherë. Edhe nëna flinte. Unë përpiqesha të rrija zgjuar, duke e endur shi- kimin prej dritës së llambës nëpër trarët e tavanit dhe prej trarëve te drita, gjithnjë duke u përpjekur të mos e lëshoja shikimin poshtë te dyshemeja, në fund të murit, ku ishte vrima e atij gjarprit të tmerrshëm. S’e di sa rrija ashtu, po dikur qepallat më rëndoheshin dhe gjumi pa- pritmas më kapte në kurthin e vet. Ëndrrat më shfaqeshin secila më frikësuese se tjetra. Shembje dhe gjarpërinj. Përnjëherësh shembeshin muret e bodrumit, gurët merr- nin rrokullisjen teposhtë Arës së Bregut, kurse gjarpërinjtë dilnin grumbuj-grumbuj prej tyre dhe, duke bërë leqe me trupat e tyre të shkruar e duke i nxjerrë thimthat, vinin drejt meje, donin të më hidheshin sipër bashkë me tavanin, i cili tashmë kishte mbetur pezull pas shembjes së mureve. IN MEMORIAM 34 Këlthitja dhe ia nxirrja vetes gjumin me zërin tim, apo më tundnin e më zgjonin prindërit, nuk e kuptoja dot. Kur i hapja sytë, veten e shihja të ulur në cep të shtratit. Anash më qëndronin prindërit, të cilët nuk mund të ma gjenin çarenë. Llamba vazhdonte ta dridhte atë dritën e vogël e të dobët. Muret ishin të tëra e të bardha, si gjithmonë. Tavani – në vendin e vet, i nxirë dhe i bluar nga krimbat si mos më keq, i bërë blozhdë. – Ç›pate? – më pyetnin. – Ç›të trembi? Në sy ua shihja frikën, shqetësimin, dhembshurinë. I shikoja i hutuar, duke u dridhur, pa mundur të vija në vete, pa arritur të kthehesha plotësisht në botën e qetë të dhomës sonë. – Pse bërtite? – më pyetnin sërish. – Na trego… Ç’po të dëftohet? -Gjarpërinjtë… gjarpërinjtë dhe bodrumi… – mezi përgjigjesha dhe trupin ma përshkonin të rrëqethurat. – Ç›gjarpërinj?! Ç›bodrum?! -Bodrumi po shembet… gjarpërinjtë po dalin prej vrimave të veta… po më sulmojnë… Më shikonin me habi, me frikë, me shqetësim, me dhembshuri. -Ç›gjarpërinj? – babai përpiqej të më largonte nga ankthi i ëndrrave të mia. – E sheh, këtu nuk ka asgjë. Edhe ne jemi me ty. Edhe llambën po ta lëmë të nde- zur… Ndërkaq, bodrumi është i fortë… nuk mund ta rrëzojë as gjylja e topit… – Nesër duhet të shkosh te hoxha, – i pëshpëriste nëna babait. Ai sesi mëdyshej në vetvete e nuk thoshte gjë. Për çdo natë ëndrrat vinin duke m’u bërë më të tmerrshme. Nuk më ndihmonin gjë as prania e prindërve, as llamba e ndezur, as fjalët më të ëmbla të botës… Më sollën hajmali të shumë hoxhallarëve. M’i vunë ato në trup, nën jastëk, ku jo? Ma dhanë ta pija ujin e tyre dhe ujin e shehlereve, të cilat më kishin shkrirë plumb (nëna thoshte se plumbi tregonte shumë gjarpërinj të lidhur lëmsh). Edhe në tyrbe ma shpunë një rrobë trupi. Edhe baba shehu më përbiroi nëpër tespihet e tij të gjata, duke kënduar dua arabisht… Mirëpo, gurët dhe gjarpërinjtë e ëndrrave të mia sikur vetëm merrnin forma të reja nga çdo hajmali dhe nga çdo të yshtur. Gurët rro- kulliseshin gjithnjë 35 më marramendshëm teposhtë Arës së Bregut, gjarpërinjtë lakadredheshin e nxitonin gjithnjë e më shumë drejt meje, tavani më zbriste një pëllëmbë mbi kokë… Dhe do të binte e do të ma zinte frymën sikur të mos bërtitja me sa zë kisha dhe sikur prej zërit tim të mos trembeshin të gjithë, të mos e ndalnin hovin dhe të mos pendoheshin për atë që kishin dashur të bënin: gurët ktheheshin sërish në mure, gjarpërinjtë fshiheshin në biruca, tavani nderej mbi kokat tona dhe qëndronte më se i sigurt mbi të katër muret… Ja, papritur të gjitha shta- ngeshin në vend dhe të mbushej mendja se ashtu të ngrira kishin qenë gjithmonë. Vetëm nëna dhe babai viheshin në lëvizje: kërcenin të trembur nga shtrati, më jepnin të pija një gëllënkë ujë, përpiqeshin të më sillnin në vete më fjalët më të ëmbla. Me të mbaruar të të shirave babai na çoi te dajat. – Po të çoj më herët se viteve të tjera, – i tha babai nënës, – që djali ta ndërrojë pak vendin dhe që gjyshja e tij t’i kërkojë farë ilaçi për ato ëndrrat. Nëna mezi priste të shkonte në gjini. Edhe unë u gëzova shumë. Më kishte marrë malli për gjyshen. Për një çast i harrova edhe gurët e zhvoshkur të bodrumit, edhe gjarpërinjtë, edhe hajmalitë. Fshati i dajave ishte një botë krejt tjetër kundruall Murrizajës. Atje kishte vetëm pyje të mëdha ahu, ku nuk mund të hynte as drita e diellit, lëndina me fier dhe tek-tuk ndonjë arë. Kishte shumë lajthi, kumbulla dhe patate. Lajthi dhe kumbulla kishte edhe te ne, po patate nuk kishte. (Ndonëse e kishim tokën më të mirë në botë, thoshin se nuk i bënte patatet, prandaj nuk mbillte njeri). Unë i doja shumë patatet dhe vazhdimisht e përfytyroja gjyshen duke i nxjerrë nga prushi patatet e pjekura. Ahet i gjetëm ashtu madhështore e të errëta si edhe herat e tjera. Fierin të skuqur dhe aty-këtu të kositur (ua shtronin kafshëve dhe e hidhnin mbi kulme shtëpish). Lajthi dhe kumbulla mund të shihje edhe ndanë rrugës. Gjethet e patateve shiheshin në çdo arë, po ato vetë ishin fshehur thellë në dhe, sikur ta kishin kuptuar se ç’me- raklinj po u urdhëronin në fshat. E merrja me mend se atyre së para u pëlqente t’i hidhje në zjarr, t’i piqje dhe t’i haje pastaj. Edhe shtëpia e dajave ishte po ajo, mbase pak më e rrëzbitur: e zezë futë nga tymi (kishin qorroxhak), por disi e ngrohtë, e dashur. Nuk kishte bodrum dhe ende pa hyrë mirë në të e ndieja veten të sigurt. IN MEMORIAM 36 E vumë re edhe njeriun e parë, gjyshen. Ishte në lëmë. Ashtu e vogël, e hajthme dhe e gërmuçur, hidhte dy-tri tërplote në hava, pastaj e linte tërplotën menjanë që me fshesë ta lante grumbullin e drithit nga kashtëzat dhe nga kallëzat. Ajo punonte me nguti, që ta hidhte drithin para se të binte terri, prandaj as kishte kohë të shikonte anash. – Gjyshe! – e befasova. Ajo e hodhi fshesën, më shtrëngoi fort në parzmën e saj të ligësht, m’i përkëdheli flokët dhe më tha: – Qenke bërë burrë, lum gjyshja për ty! Në mbrëmje u mblodhën të gjithë rreth vatrës, pos dajës, i cili se ku ishte argat. Drita e fitilaçes ishte aq e dobët, sa nuk mund shihje as të haje, lëre më të punoje gjë (gratë domosdo duhej të thurnin diçka, sidomos nëna, që vetëm tash kishte kohë më shumë për çorapët, jelekët e dorezat tona dhe për pështjellakët e vet dhe të gjyshes). Babai u ngrit, e mori fitilaçen nga gozhda dhe pastaj, pak prej së larti e si zot shtëpie e jo si mysafir, i tha nuses së dajës: – Ma sill një gjilpërë! Ajo zuri të sillej si e ndërkryer nëpër mugëtirën e dhomës, duke gjëmuar sikur të kërkohej të bënte një gjë të pamundshme. Dikur mezi ia solli babait gjilpërën. -Merre, – i tha me zë të dridhur, – po mos ia ngrit shumë, se nuk bën, se prishet… – Këtë e di unë, – iu përgjigj prerë dhe me mospërfillje babai dhe ia rriti flakën derisa zuri të nxirrte tym. – Nuk do të fikeni për një natë, xhanëm. Nesër- mbrëma, pasi të kem ikur unë, po deshët mos e ndizni fare. -Të lumtë dora! – e uroi gjyshja me gjysmë zëri, nga frika se po e dëgjonte e reja. – Më verbuan para kohës. I ka bashkuar zoti… Në ato fjalë u hap dera. – Ç›e keni çuar aq shumë fitilin e fitilaçes?! – e dëgjuam më parë zërin e dajës sesa e pamë atë vetë. Kur na pa ne, e uli zërin, u përshëndet me mysafirët, po më dukej se syri i kishte mbetur te drita e fitilaçes. Rrija në një qoshe dhe ç’mendoja. 37 – Eja në prehrin tim të të dhuroj diçka. U ula në prehrin e ngrohtë të gjyshes dhe iu dorëzova dëshirës së saj posi një qengj i perkëdhelur. Ajo se ç’më vuri rreth qafës. E ndjeva vetëm se qe e ftohtë. – Sa i bukur! – tha nëna tërë kënaqësi. E shikova për së kithi: ishte një krahosh fort i bukur, me gjithfarë larash e me plot rrusha tërë lajle. – Ta bajë djali, që të mos i bjerë mësysh, – tha gjyshja. – Ma ka punuar për qejf një arnaute… Dajat i quanin kështu gratë e disa fshatrave fqinjë, të cilat vishnin dimi të leshta, dofarë rrobash të tjera të veçanta dhe punonin me rruaza gjithçka, me të cilat e stolisnin çdo pjesë të veshjes dhe të trupit. – Duart e arta i kanë këto arnautet! – i mburri gjyshja. – Ç’u sheh syri e punon dora. E shihni, e ka punuar gjarprin si të ishte i gjallë, me lara, me sy… – Gjarprin! – këlthita dhe brofa në këmbë i shastisur. Nëna, që ma dinte hallin, më kapi për krahësh. – Rruaza janë ato, rruaza… – më fliste ajo, pa e ditur se si të më sillte në vete. – Ja shikoji, preki! Ma hoqi krahoshin nga qafa dhe ma afroi ta prekja. Po unë u struka në një kënd të dhomës, pa guxuar as ta shikoja atë krahosh në formë gjarpri, i cili më dukej se ende po ma shtrëngonte fytin, kurse nga ftohtësia e tij më ngjethej trupi. Unë mbeta ashtu në kënd, kurse babai e nëna se ç’i shpjegonin diçka gjyshes me zë të ulët që të mos i dëgjoja unë. E qartë: flitnin për mua dhe për frikën time. – Si, more?! – foli gjyshja me zë pak më të lartë sa ta dëgjoja edhe unë. – Deri tash nuk më ka rënë të dëgjoj të jetë frikësuar fëmijë nga rruazat. I ç’brumi na qenka ky nipi im?! Më vinte shumë keq se pse ia kisha lënduar zemrën gjyshes sime të mirë, duke e refuzuar një dhuratë aq të bukur, po ç’të bëja, pasi frika ime, si çdo frikë tjetër, kishte shpërthyer krejt papritur dhe pa dëshirën time? As gjyshja nuk mund të vinte në vete pas kësaj ngjarjeje. Të nesërmen, sigurisht jo pa keqardhje, gjyshja e bëri copë-copë atë krahosh të mrekullueshëm. Rrethin në formë gjarpri e la për tezet e mia të IN MEMORIAM 38 vogla, që ta varnin në qafë pasi të ikja unë, kurse rrushat m’i vuri në jelek dhe në flokë, që të mos i shkonte krejt kot mundi asaj arnautes duarartë dhe që syri i keq të ikte sa më larg prej meje. Ndonëse te dajat e ndieja veten shumë më mirë, ndodhte që ndonjëherë të ëndërroja se si ngjallej ai gjarpri i krahoshit dhe zinte të ma shtrëngonte fytin… Kështu, krejt në ankth, më kaluan edhe vjeshta, dimri, gjysma e pranverës… Atëherë babai u kujtua t’i lyente me baltë faqet e jashtme të mureve të bodrumit dhe të më sillte dy gjarpërinj të mbytur. – Ja, – më tha, – murin e leva që të mos mund të hyjë në të as buburreci, kurse gjarpërinjtë i mbyta që të gjithë. Tash fli i qetë. Gjarpërinjtë me koka të çallamitura i vari në gardh. Po t’i prekje me thupër, trupat e tyre, e sidomos bishtat, lëviznin ende. – Baba, ata lëvizin! – thashë me shqetësim e me frikë, derisa fëmijët e tjerë i preknin për t’u argëtuar. – Do të ringjallen dhe… – Jo, jo, nuk do të ringjallen, – ma priti babai me një ton të zërit që të jepte siguri të plotë. – Sapo të perëndojë dielli, nuk do të lëvizin më. Në mure nuk kishte mbetur plasë as për të hyrë maja e briskut, e lëre më vrima për gjarpërinj. Plehu ishte hedhur i tëri në ara, vendi i tij ishte bërë tepsi. Gjarpërinjtë e mbytur u ngrinë, përgjithmonë, me të perënduar të diellit; kot i preknin me thupër, muskujt e tyre nuk do të lëviznin kurrë më për jetë të jetëve. E mora edhe unë një thupër. E preka të parin: ishte bërë koçan. E preka të dytin: po ashtu. Tash e ndjeva njëfarë sigurie të papandehur, njëfarë çlirimi të atypëratyshëm nga ankthi që më kishte mbajtur në kthetrat e veta aq muaj me radhë. Po nga ëndrrat e mia shembjet dhe gjarprinjtë u larguan shumë më ngadalë, me manovrime të papritura, me tërheqje taktike dhe me sulme të sërishme krejt të befasishme. Ndodhte kështu, sepse ishte e pamundshme që rreth e përreth të mos shihje gjarpërinj për çdo ditë e në çdo gjë. Gjarprin e skalitnin në arka të nuseve, në kërroqe, në dërrasa të 39 tavanit, në bisht të kosës, në kënata, në ibrigë e në kalanica, e qëndisnin në këmisha, e punonin për qafore e për byzylykë, e paraqitnin në qilima e në sixhade… Madje edhe ato vijat zigzag zbukuruese të ço- rapëve dhe të punëdoreve të tjera të kujtonin gjarprin, të thjeshtuar e të shndërruar tashmë në shprehje simbolike. Ndonëse nuk e kuptoja pse ndodhte kështu, gjithnjë e më tepër po bindesha se as plakat, as pleqtë, as burrat, as gratë, as vajzat nuk mund ta merrnin dot me mend pa ato figura të pafund e aq të larmishme të gjarpërinjve. Gjarprin e nderonin të gjithë dhe nuk ishte aspak në rregull t’ia kishe frikën, apo, ruajna zot, ta urreje. Dhe përpiqesha të mësohesha me të. Disa vjet më vonë, pasi kisha dëgjuar aq shumë përralla të reja për gjarprin, kisha parë aq shumë skalitje, qëndisje e endje të tij dhe pasi kisha parë shumë gjarpërinj të gjallë, sërish ma përshkuan trupin të dridhurat, kur në derën e oborrit të një bashkëfshatari, tek i cili babai më kishte dërguar të kërkoja diçka, e vura re se trakulloja vinte disi si gjarpër. Përnjëherësh më sulmuan të gjitha ato kujtime e ëndrra të ankthshme të dikurshme. E përmblodha veten, e ngrita dorën dhe trokita tri herë, me guxim, gjithnjë më fuqishëm se herën e mëparshme. Të trokiturat jehuan të qarta, të sigurta, të fuqi- shme… Ato sikur shprehnin ngadhënjimin tim përfun- dimtar mbi ankthin e frikës nga çfarëdo gjarpri, e jo vetëm prej atyre të shtëpisë, apo prej atyre gjarpërinjve të pajetë, të cilët qëndronin gjithmonë në të njëjtin vend dhe në të njëjtën pozitë nëpër arka, bishta kose, kërroqe, tavane, qilima, këmisha… Kur u rrita edhe ca, më hyri meraku të kisha një brisk. Ëndërroja se si do të punoja një mulli të vogël, me rrotë që do ta sillte uji i Gurrës, me gur të bërë nga një copë gërnaç, me dizhmë, me koshin e drithit, madje edhe me një çakallë sa grima… Doja të gdhendja edhe një shkop të bukur, ta thurja një shportë për gjyshen, t’i punoja disa drugëza ojmesh për Beharen… Xhaxhai vërtet ma plotësoi dëshirën. Brisku që më bleu në Prishtinë m’u duk më i bukur se asnjë brisk që kisha parë ndonjë herë. Nxitova në oborr që ta provoja në prente mirë, në i lakohej maja. Syri ma kapi një copë shkopi lajthie. Pa e kuptuar as vetë se ç’doja të punoja, zura ta skalitja në të figurën e gjarprit. Brisku ishte shumë i mprehtë, maja ishte IN MEMORIAM 40 e fortë dhe shumë e përshtatshme, prandaj as e hetoja se si ia gdhendja kokën, gojën e hapur, syrin, vijat dhe larat e trupit, bishtin e përdredhur, madje edhe thimthin e nxjerrë përjashta, pa më shkuar aspak ndër mend se ç’tmerr më kishin futur në shpirt dikur ato vija, ata sy, ai thimth… / KultPlus.com

Kush ishte mbretëresha Elizabeth II, monarkja më jetëgjatë britanike – Jeta e saj ndër vite

Në kohën e lindjes së saj më 21 prill 1926, princesha e atëhershme Elizabeth ishte e treta në radhën e fronit – vajza e madhe e një djali të dytë, dhe për këtë arsye konsiderohej e pamundur të sundonte. Pas 10 vitesh, ajo u bë trashëgimtarja më e mundshme pasi xhaxhai i saj abdikoi, duke e zhytur vendin në krizë.

Në vitin 1947, ajo u martua me Princin e guximshëm Philip të Greqisë dhe Danimarkës, me çiftin që qëndroi së bashku për 73 vjet. Ndërsa udhëtonte në Kenia në shkurt të vitit 1952, ajo mësoi se babai i saj kishte vdekur dhe kështu filloi mbretërimi i monarkes britanike më jetëgjatë në histori.

Që nga qershori 2022 ajo ishte gjithashtu monarkja e dytë më e gjatë mbretëruese në historinë botërore. Në shtator 2015, Elizabeth tejkaloi rekordin prej 63 vjetësh e 216 ditësh në fron të mbajtur nga mbretëresha Victoria (stër-stër-stërgjyshja e saj) për t’u bërë monarkja britanike më jetëgjatë në histori.

Ndërsa në shkurt 2022, Mbretëresha Elizabeth festoi ‘Jubileun e Platinit’ të saj, duke shënuar shtatë dekada shërbimi ndaj Commonëealth.

Ngjitja në fron

Në verën e vitit 1951, shëndeti i mbretit George VI filloi të përkeqësohej dhe Princesha Elizabeth e përfaqësoi atë në paradën e ngjyrave dhe në funksione të tjera zyrtare. Më 7 tetor ajo dhe bashkëshorti i saj nisën një turne shumë të suksesshëm në Kanada dhe Uashington.

Pas Krishtlindjeve në Angli, ajo dhe Duka u nisën në janar 1952 për një turne në Australi dhe Zelandën e Re, por gjatë rrugës, në Sagana, Kenia, lajmi i vdekjes së Mbretit arriti më 6 shkurt 1952. Elizabeta, tani mbretëreshë, u kthye menjëherë në Angli.

Tre muajt e parë të mbretërimit të saj, një periudhë zie e plotë për të atin, i kaloi në një izolim relativ. Por në verë, pasi u zhvendos nga Clarence House në Buckingham Palace, ajo mori detyrat e zakonshme të një monarku dhe mbajti hapjen e saj të parë zyrtare të Parlamentit më 4 nëntor 1952.

Kurorëzimi i saj u bë në ëestminster Abbey më 2 qershor 1953.

Nga nëntori i 1953, Mbretëresha dhe Duka i Edinburgut ndërmorën një turne gjashtëmujor rreth Komonuelthit, i cili përfshinte vizitën e parë në Australi dhe Zelandën e Re nga një monark britanik në fuqi. Në vitin 1957, ajo dhe Duka vizituan Kanadanë dhe Shtetet e Bashkuara.

Gjatë “Jubileut të saj të Argjendtë” në vitin 1977, ajo drejtoi një darkë zyrtare në Londër ku morën pjesë liderët e 36 anëtarëve të Komonuelthit, udhëtoi në të gjithë Britaninë dhe Irlandën e Veriut dhe bëri turne jashtë shtetit në Paqësorin Jugor dhe Australi, në Kanada dhe Karaibe.

Mbretëresha Elizabeth dhe Princi Filip

Elizabeth dhe Margaret kaluan pjesën më të madhe të Luftës së Dytë Botërore duke jetuar veçmas nga prindërit e tyre në Kalanë Windsor, një kështjellë mesjetare jashtë Londrës. Në vitin 1942, mbreti e bëri Elizabetën një kolone nderi në Gardën e 500 Grenadierëve, një regjiment i ushtrisë mbretërore.

Dy vjet më vonë, ai e emëroi atë anëtare të Këshillit të fshehtë dhe Këshillit të Shtetit, duke e lejuar atë të vepronte në emër të tij kur ai ishte jashtë vendit.

Në vitin 1947, menjëherë pasi familja mbretërore u kthye nga një vizitë zyrtare në Afrikën e Jugut, u njoftua fejesa e Elizabeth me Princin Filip të Greqisë dhe një toger të Marinës Mbretërore. Ajo e njihte kur ishte vetëm 13 vjeç dhe marrëdhënia e tyre u zhvillua përmes vizitave dhe korrespondencës gjatë luftës.

Edhe pse shumë në rrethin mbretëror nuk e konsideronin Filipin për shkak të mungesës së parave dhe gjakut të huaj (gjerman) – madje edhe babai i saj nuk e miratoi – Elizabeta ishte e vendosur dhe shumë e dashuruar. Ajo dhe Filipi u martuan më 20 nëntor 1947 në Westminster Abbey.

Djali i tyre i parë, Charles (Princi i Uellsit) lindi në 1948, ndërsa vajza e tyre, Anne (Princesha Royal) erdhi dy vjet më vonë. Elizabeth dhe Philip ishin të martuar për 73 vjet, derisa Princi Philip vdiq në prill 2021 në moshën 99 vjeçare.

Monarkia moderne e Mbretëreshës Elizabeth

Jashtëzakonisht popullore gjatë pjesës më të madhe të mbretërimit të saj të gjatë, mbretëresha është e njohur për interesimin serioz për qeverinë dhe çështjet politike, përveç detyrave të saj ceremoniale, dhe i njihet merita për modernizimin e shumë aspekteve të monarkisë.

Mbretëresha dukej se ishte gjithnjë e më e vetëdijshme për rolin modern të monarkisë, duke lejuar, për shembull, transmetimin televiziv të jetës familjare të familjes mbretërore në 1970.  Megjithatë, në vitet 1990, familja mbretërore u përball me një sërë sfidash.

Në vitin 1992, një vit që Elizabeth e përshkroi si “annus horribilis” e familjes mbretërore, Princi Charles dhe gruaja e tij, Diana, Princesha e Uellsit, u divorcuan, si dhe Princi Andrew dhe gruaja e tij, Sarah, Dukesha e Jorkut.

Për më tepër, Anne u divorcua dhe një zjarr shkatërroi rezidencën mbretërore të Kalasë Windsor. Gjithashtu, ndërsa vendi luftonte me recesionin, pakënaqësia me stilin e jetës mbretërore u rrit dhe në vitin 1992 Elizabeth, ra dakord të paguante taksa për të ardhurat e saj private.

Ndarja dhe divorci i mëvonshëm (1996) i Charles dhe Princeshës Diana minuan më tej mbështetjen për familjen mbretërore. Kritikat u intensifikuan pas vdekjes së Dianës në 1997, pasi Elizabeth fillimisht refuzoi të lejonte që flamuri kombëtar të ulej në gjysmështizë mbi Pallatin Buckingham.

Disa vite më vonë, në vitin 2005, Mbretëresha gëzoi mbështetjen e publikut kur dha pëlqimin e saj për martesën e Princit Charles me të dashurën e tij prej shumë kohësh Camilla Parker Bowles. Në përputhje me përpjekjet e saj të mëparshme për të modernizuar monarkinë, mbretëresha që atëherë është përpjekur të paraqesë një imazh më pak të ashpër dhe më pak tradicional të monarkisë.

Dalja në pension e Princit Philip dhe vdekja e tij e mëvonshme

Në gusht 2017, Princi Philip u tërhoq zyrtarisht nga jeta publike, duke u shfaqur periodikisht në angazhimet zyrtare. Ndërkohë, Mbretëresha Elizabeth filloi të zvogëlojë detyrat e saj zyrtare , duke i dorëzuar disa detyra Princit Charles dhe anëtarëve të tjerë të lartë të familjes mbretërore.

Djali më i vogël i Charles, Princi Harry, duka i Sussex, dhe gruaja e tij, Meghan Markle, Dukesha e Sussex-it, zgjodhi të tërhiqej nga rolet e tyre mbretërore në mars 2020. Gjatë kësaj kohe, interesi i publikut për Mbretëreshën dhe Familjen Mbretërore u rrit si rezultat i popullaritetit të gjerë të ” The Crown”.

Pasi u përball me disa pengesa fizike në vitet e fundit, Filipi, i cili ishte bashkëshorti i Elizabeth për më shumë se shtatë dekada, vdiq në prill 2021. Në përvjetorin e tyre të 50-të të martesës, në vitin 1997, Elizabeta kishte thënë për Filipin, të cilin do ta “takonte” sërish një vit pas vdekjes së tij.

“Ai ishte thjesht forca ime dhe shtëpia ime gjatë gjithë këtyre viteve”.

Ndërsa pasuria e saj e patreguar e bëri atë një nga gratë më të pasura në botë, Mbretëresha Elizabeth në nivel personal e donte thjeshtësinë. Ajo ishte një kalorëse e mprehtë, ndërsa mbante kuaj garash, shpesh merrte pjesë në gara dhe vizitonte periodikisht fermat e Kentakit në Shtetet e Bashkuara.

Një nga personat më me ndikim në botë nisi rrugëtimin e saj drejt përjetësisë plot ditë në moshën 96-vjeçare dhe me përvoja jetësore që shumëkush do t’i kishte zili. /abcnews.al/ KultPlus.com

”Financial Times”: Udhëtim nëpër Shqipërinë antike

Në bregun e liqenit të Ohrit, në manastirin e lashtë të Shën Naumit, gjeta një mik të ri për të pirë, murgun Dongo, shkruan Stanley Stewart për ”Financial Times”.

”Unë isha duke udhëtuar në Shqipëri me Elvis Nanajn, shoferin tim, dhe kishim kaluar kufirin për në Maqedoninë e Veriut për të kaluar një pasdite atje, duke ndjekur vijën bregdetare në drejtim të lindjes për të vizituar manastirin.

Një rrugë e gjatë plepash të çonte mbi një urë drejt një oborri me kalldrëm, ku disa pallonj bërtisnin dhe frynin bishtin. Brendësia e manastirit në Shën Naum nuk ka ndryshuar për 1 000 vjet. Është i ngushtë, me dyer aq të ulëta sa duhej të përkulesha shumë, dhe një dysheme me gurë të mëdhenj të pabarabartë të lëmuar nga një mijëvjeçar i tërë.

Afresket e shenjtorëve dhe profetëve vërshonin mbi mure dhe ikonat prej bakri shkëlqenin në dritën e qirinjve dhe llambave të vajit. Kur shkrimtarja britanike, Rebecca West e vizitoi në vitin 1937, ajo zbuloi se manastiri vepronte si një strehë edhe për të çmendurit; një murg po u këndonte një arie nga ”Madam Butterfly” dy njerëzve të dëshpëruar për t’i shëruar.

Dongo u ul pak jashtë hyrjes në një kioskë të vogël që shiste kartolina dhe qirinj. Ai dukej si Moisiu në vitet e shkretëtirës, ​​tullac, i shëndoshë, me mjekër të gjatë dhe me një shkëlqim mesianik në sytë e tij. Ne biseduam gjatë. Ai më dha dhurata nga kioska e tij – një unazë çelësash, një medaljon me një ikonë brenda dhe një kartolinë bardhë e zi të manastirit.

Pastaj më shkeli syrin dhe solli një shishe me “rakinë mrekulli” të manastirit. “Është 21 gradëshe”, pëshpëriti ai. “Por, gjithçka është bio, kështu që nuk ka problem”, shtoi ai. Ai mbushi dy gota dhe ngritëm dolli për njëri-tjetrin.

Raki kishte shije pishe dhe kumbulle. Dongo mbushi edhe dy gota të tjera. E pyeta sa kohë kishte qenë këtu, në manastir. ”Shumë gjatë”, qeshi ai. Ai kishte dalë nga kioska e tij e vogël për t’u ulur me mua në një stol prej guri. Na mbushi gotat. E pyeta sa murgj kishte. “Një”, tha ai duke goditur kofshën e tij. “Për gjithçka – kartolina, liturgji, këngë, qirinj, kopsht, pallua, gjithçka”. Na mbushi sërish gotat.

Kalova 10 ditë në Shqipëri, duke bërë turne me Elvisin, duke bredhur nga vendstrehimet malore në lumturinë bregdetare, nga manastiret në kampet e safarit. Vendi është  magjepsës dhe i bukur, dhe njerëzit janë jashtëzakonisht miqësorë. Vendet antike si Butrinti dhe Apolonia kanë disa nga rrënojat më të bukura klasike në Mesdhe. Në brendësi, malet shpalosen në distanca të gjata, me qytetet e lashta osmane që komandonin luginat e tyre. Rrugët janë të mira po ashtu dhe restorantet. Por, udhëtimi këtu ishte si nëpër dekada. Nganjëherë Shqipëria ndihej si Europa e stërgjyshërve tanë – karroca me kuaj, barinj që kullosin tufat, burra që korrin grurin me dorë dhe thithin bykun.

Gjatë viteve 1950-1960, kur Shqipëria ishte lloji i shtetit komunist të izoluar që do ta bënte Korenë e Veriut të dukej përkëdhelëse, një dritare në botën e jashtme erdhi nga filmat e Norman Wisdomit, humoristit anglez, të vetmit filma të huaj që kaluan censurën e rreptë. Ndoshta popullariteti i tij është i kuptueshëm, pasi e tillë ishte bota e Wisdomit, e absurditeteve të çmendura dhe të pakuptimta.

Në vitin 1995, pas rënies së komunizmit, Wisdom u bë njeri i lirë i Tiranës, sepse i bëri shqiptarët të qeshin në një epokë kaq të errët tiranie.

Tirana është një qytet më simpatik se sa thonë njerëzit për të. Ka kafene me tarraca në natyrë, një sallë të bukur koncertesh, një muze të madh arkeologjik dhe disa muze modernë tërheqës që katalogojnë idiotizmin dhe tmerret e periudhës komuniste. Por, isha i lumtur që dola nga qyteti në peizazhe të gjera rurale. Isha nisur drejt liqenit të Ohrit në kërkim të ilirëve. Nuk është dëgjuar shumë për Ilirinë, një qytetërim pararomak në Ballkan, në dy mijëvjeçarët e fundit, dhe kuptimi ynë për ta është disi e mjegullt. Thuhej se kishte varre në Selcë në kodrat mbi liqen.

Në fund të një rruge të bardhë, afër fshatit Selcë e Poshtme, një grua e moshuar me dy pula nën krahë na drejtoi në një si fushë. Eca nëpër lule të egra drejt një shkëmbi të ulët, ku gjeta fasadat klasike të gdhendura në shkëmbin e butë. Dukej një vend i mrekullueshëm për të vdekur, i zhytur këtu mes hardhive dhe ullinjve – një ndjenjë qetësuese e përjetësisë, një sfond majash malesh që lë të nënkuptojnë përjetësinë. U ula në shkallën e një prej varreve të vogla dhe shikoja fluturat. U dëgjua kënga e zogjve, zhurma e këmbanave të deshëve dhe zërat e largët të fëmijëve. Qentë lehnin në oborret e shtëpive.

Isha vetëm me botën antike.

Shekspirit iu desh që ta bënte Ilirinë një metaforë që ndoshta ishte arsyeja pse isha këtu. Emri dukej se mbante njëfarë ndjesie romantike dhe misteri. Kur Viola dhe Sebastiani mbyten në bregun ilirik në fillim të ”Natës së Dymbëdhjetë”, ka kuptimin se ata i kanë shpëtuar botëve të tyre të kufizuara për një tokë të askundit, ku asgjë nuk është siç duket, ku marrëzia bëhet realitet, një version elizabetian i Norman Wisdom. Ishte një ide që dukej se më ndoqi nëpër Shqipëri.

Për pesë shekuj, Shqipëria u sundua nga osmanët, duke u bërë e pavarur në vitin 1912 dhe u pushtua nga ushtritë e gjashtë fuqive të ndryshme pas fillimit të Luftës së Parë Botërore. Pas luftës u tentua të ndërtohej vetëdija kombëtare. U përfol se froni iu ofrua lojtarit anglez të kriketit, CB Fry, por në fund ata morën mbretin Zog.

Zogu ishte tamam njeriu i kohës së tij. Ai mbante llojin e mustaqeve trend për diktatorët e viteve 1930. Ai burgosi kundërshtarët e tij, shpiku përshëndetjen e tij – përshëndetjen zogiste – dhe pinte 200 cigare në ditë. Thuhej se ai ishte objekt i jo më pak se 600  gjakmarrjeve si edhe u mbijetoi më shumë se 55 atentateve, njëra prej tyre në shkallët e Teatrit të Operës së Vjenës pas një shfaqjeje të ”Pagliacci”-t.

Gjithsesi, Zogu shpëtoi. Por, tetë vjet më vonë, ndërsa italianët aneksuan Shqipërinë, ai iku në mërgim duke marrë me vete pjesën më të madhe të arit në kasafortat e Bankës së Tiranës dhe Durrësit. Më pas ai udhëhoqi ekzistencën nomade të një monarku të mërguar, duke përfshirë një qëndrim në ”Ritz” në Londër, në ditët kur mund ta shlyente faturën me një lingotë ari, përpara se të vinte të pushonte përfundimisht në Paris. Ai vdiq në moshën 65-vjeçare.

Zogu i kishte mbajtur të mbyllur kundërshtarët politikë në birucat mesjetare të kalasë së Gjirokastrës. Një qytet i lashtë me korsi dredha-dredha të pjerrëta, shtëpitë e Gjirokastrës janë grumbulluar së bashku, pllakat e tyre prej guri ngjyrë hiri si luspat e bishave të çuditshme që janë ngjitur me kthetra në shpatin për t’u grumbulluar nën muret e kështjellës.

Imazhi i përket shkrimtarit më të madh të Shqipërisë, Ismail Kadaresë, gjirokastrit. Ai e quajti qytetin të çuditshëm dhe ëndërrimtar. Shtëpia e dikurshme e Kadaresë tani është muzeu etnografik i Gjirokastrës. Është një vend qilimash dhe kostumesh, fustanesh prej kadifeje dhe jelekësh. Muzeu mban të gjitha kontradiktat e Shqipërisë.

Por, është vetë shtëpia që zë vendin qendror. Ka një intimitet për shtëpitë e vjetra osmane të Gjirokastrës, të cilat strehonin familje shumë brezash. Modeli është labirint, pothuajse i fshehtë. Në katin e parë banonin bagëtitë, çdo dhomë kishte me divane të ftohta me jastëk dhe një dhomë gjumi e veçantë iu caktohej të sapomartuarve, në një distancë të respektueshme nga të tjerët.

Veçimi i grave ishte në qendër të arkitekturës; Në të gjitha këto shtëpi ka galeri të fshehta ku gratë, të ulura pas punimeve të drurit me grilë, mund të ndiqnin bisedat dhe marrëveshjet pa u parë nga vizitorët. Mbi çatitë e shtëpive të Gjirokastrës është kështjella, një kolos, një strehë kalimi dhe betejash dhe dhoma të harkuara. Një rampë e gjatë të çon poshtë në birucat ku, në një dhomë të errët tetëkëndore, të burgosurit ishin të lidhur me zinxhirë në mur. Të burgosurit ishin aty në fillim të shekullit XIX, në kohën e Ali Pashës sadist me të cilin lord Bajroni pinte çaj. Pashai ishte i fiksuar pas duarve të bardha delikate të poetit dhe e përkëdhelte me ëmbëlsira. Ata ishin aty në kohën e mbretit Zog. Dhe ata ishin ende aty gjatë periudhës komuniste, duke mbajtur kundërshtarët e liderit komunist, Enver Hoxha. Të paktën deri në vitin 1968 kur vendosën të organizojnë një festë folklorike në kështjellë dhe shqetësoheshin se vajtimet e të burgosurve mund të prishnin këngët e paqes.

Enver Hoxha është djali tjetër i famshëm i Gjirokastrës. Lideri komunist i Shqipërisë për gati 40 vjet deri në vdekjen e tij në 1985, ai ende rri pezull mbi Shqipërinë si një re e errët. Në 10 ditë në vend, nuk kam dëgjuar askënd të thotë emrin e tij. Si gjithë të tjerët, edhe Elvisi e quajti atë thjesht si diktator. Kur regjimi i vjetër u shkatërrua përfundimisht në fillim të viteve 1990, shqiptarët u përballën me kapitalizmin. Skemat piramidale dolën duke ofruar shpërblime financiare të pallogaritshme për një popullsi naive që mendonte se kështu duhet të funksiononte kapitalizmi. Njerëzit hipotekuan shtëpitë dhe fermat e tyre për të investuar. Ndërsa skemat e Ponzi-t falimentuan të gjitha, rreth dy të tretat e popullsisë së Shqipërisë humbën kursimet e tyre. Ishte shkas për shpërthimin e një anarkie të dhunshme në vitin 1997, aq të rëndë saqë kishte nevojë për një forcë paqeruajtëse ndërkombëtare për të bashkuar vendin përsëri.

Rreth 60 kilometra në veri është Berati, një tjetër qytet i epokës osmane, por historia e të cilit shtrihet 2 400 vjet më parë, madje edhe përtej ilirëve. Shtëpitë e tij të zbardhura që ngrihen në faqet e pjerrëta të kodrave duket se qëndrojnë mbi supet e njëra-tjetrës, rreshtat e tyre të dritareve të grumbulluara që reflektojnë dritën. Në korsitë dredha-dredha të kalasë, arrita te Kisha e Shën Mërisë, tani një muze i pikturave të Onufrit, një prej piktorëve të mëdhenj të ikonave të shekullit XVI.

Mbi ikonostas, jeta e Krishtit ndriçohet në të kuqen dhe blunë e lavdishme nën qiejt e artë. Ato mund të kenë qenë disa shekuj më të vonë, por këto piktura janë ekuivalenti lindor i Duccio-s dhe Giotto-s, të stilizuara, të ndritshme dhe të përhumbura. Janë të bukura, por në këto hapësira të errëta vëreni se si fokusi i rrëfimit është pa ndryshim tragjik, një lloj entuziazmi i pafund ndaj tradhtisë, kryqëzimit, martirizimit dhe vdekjes.

Në Berat ka një traditë tjetër fetare. Në sheshin me kalldrëm prapa Xhamisë Mbret, gjeta një teqe’ ose vend kulti për një urdhër sufi që erdhi nga Turqia në shekullin XVI. Një formë soditëse dhe shpesh e pavarur e Islamit, bektashizmi lulëzoi në Shqipëri, shumë kohë pasi u ndalua në Turqi si heretik, dhe selia botërore e bektashizmit është tani në Tiranë. Por, teqeja ishte bosh. Ashtu si me shumë vende kulti në Shqipëri, mbi katër dekada ateizmi zyrtar i kishte grabitur asaj shumicën e adhuruesve të tij.

Ishte një ndërtesë modeste, por e shkëlqyer, e përbërë nga një dhomë e vetme katrore. Një kube tetëkëndëshe dukej sikur notonte mbi të. Muret ishin të zbardhura dhe të thjeshta, përveç kornizave të dyerve dhe dritareve dhe dollapëve të vegjël të vendosur në mure, të cilat ishin të lyera me dizajne të ndërlikuara. Dielli zbriste nga një grumbull i lartë dritaresh nëpër dërrasat e lashta të dyshemesë. U ula vetëm për një kohë të gjatë në këtë dhomë qiellore në një nga stolat e ulëta rreth mureve duke shijuar qetësinë meditative. I lodhur nga pritja, kujdestari më la çelësat për t’i mbyllur.

“Lërini nën vazo kur të largoheni. Kaq mjafton”, më tha ai./atsh/KultPlus.com

Ekspozita e Pjerin Kolnikajt në Galerinë e Fakultetit të Arteve të Bukura

 “Skulpturë” titullohet ekspozita vetjake e skulptorit Pjerin Kolnikaj, e cila u çel në Galerinë FAB. Në ceremoninë e inaugurimit ishin të pranishëm miq, kolegë artistë e dashamirës të artit.

“Sa herë e sjell në vëmendje, Pjerin Kolnika më ndërlidhet me disa livadhe të munguara në peizazhin e artit, ku në një formë apo në një tjetër presim të lulëzojnë trajtat parake të pavetëdijes, që në të shumtë kanë diçka nga adoleshenti që rreket të vendosë një rend të ri estetik”, është shprehur Vladimir Myrtezai, i cili e konsideron Kolnikën, një artist të rëndësishëm të pasnëntëdhjetës, në një lidhje organike me misionin e tij si artist dhe si njeri.

Shumë nga punët e Kolnikës janë embrionale, me një trajektore parashikimi të hershëm, si një ëndërr që nuk dorëzohet në një territor të pamundur mundësish kur bëhet fjalë për ta aplikuar në hapësirë.

Veprat e Kolnikajt do të presin artdashësit deri më datën 2 prill 2024./KultPlus.com

Gonxhja: Mbi 773 mijë vizitorë në sitet kulturore

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja tha se, Shqipëria është gjithnjë e më shumë në hartën e turizmit kulturor botëror.

Ministri publikoi statistikat sa i përket vizitave në sitet kulturore të vendit, ku shifrat tregojnë se për periudhën janar-korrik 2025, ka pasur 69% më shumë vizitorë se në vitin 2023, përkatësisht 773,542 vizitorë.

Vetëm në korrik 2025, vizitorët e thesareve tona kulturore arritën në 204,453 persona, vendas dhe të huaj. Krahasuar me vitin 2023 shifrat tregojnë një rritje me 56%.

5 institucionet e trashëgimisë kulturore më të vizituara janë:

Parku Kombëtar Butrint – 150,178 vizitorë

Kalaja e Gjirokastrës – 142,838 vizitorë

Parku Arkeologjik Shkodër – 100,443 vizitorë

Muzeu Gjergj Kastrioti, Krujë – 95,386 vizitorë

Parku Arkeologjik Apoloni – 71,300 vizitorë

Parqet arkeologjike janë vizituar nga 334, 911 persona, rreth 93% më shumë se në vitin 2023. Vizitorët e muzeve arritën në mbi 240 mijë vizitorë, rreth 38% më shumë se dy vjet më parë dhe në kala e monumente vizitorët ishin më shumë se 198 mijë, ose 78% më shumë se në 2023-shin./atsh/KultPlus.com

Kur arti fluturon: Thirrja e Berat Hasanit për Kosovën, nga lartësitë e qiejve

Diellza Gashi

Në një avion mes reve, atje ku horizonti bëhet paqe dhe zhurma shuhet në tingujt e motorëve, një akt i vogël shpërtheu si një dritë e ngrohtë në mes të rutinës. Në vend të një reklame të zakonshme për pushime, shfaqet një skicë. E bardhë dhe e zezë. E heshtur, por e fortë. E vendosur me dorën e një artisti.

Një peizazh i thjeshtë, por tronditës në bukurinë e tij të qetë: një rrugë që futet në një tunel malor, një urë që kapërcen një përrua, shkëmbinj që ngrihen si rojtarë të përjetshëm të natyrës së egër. Dhe mbi të gjitha, një thirrje e vogël, në cepin e sipërm: “Visit Kosovo.”

Sa shumë mund të thotë një fjalë kur del nga një zemër që e do vendin e vet!

Artisti Kosovar, Berat Hasani publikoi në rrjetet sociale artin e tij gjatë një fluturimi, përmes të cilit nuk kërkoi vëmendje, nuk postoi një fushatë, nuk bëri zhurmë. Thjesht zëvendësoi një poster komercial me dashurinë e vet për vendin, të skicuar, të menduar, të dhënë si dhuratë për këdo që do ta shihte. Një veprim që flet me zërin e atyre që nuk harrojnë rrënjët, edhe kur janë lart në qiell.

Kosova, me natyrën e saj të paprekur, me rrugët që përdridhen nëpër male si damarë të gjallë, me urat që lidhin brigje, njerëz, histori  shfaqet në këtë skicë si një ftesë, si një kujtim, si një premtim i bukurisë që pret të zbulohet.

Në një botë ku çdo hapësirë është kthyer në vend për të shitur, ky ishte një vend për të ndjerë. Një vend për të kujtuar se arti është ende gjallë, se dashuria për atë që është e jotja, nuk ka nevojë për fjalë të mëdha, por për gjeste të vogla që digjen si flakë të heshtura në errësirë.

Dikush, diku, do ta shohë këtë skicë dhe do të pyesë: “Ku është kjo?”
Dhe ndoshta, vetëm ndoshta, do të zbresë një ditë në tokën e Kosovës. Jo sepse e pa në një reklamë me zbritje, por sepse një artist vendosi ta thërrasë me shpirtin e tij. Berati i Kosovës. Kosova e Beratit…/KultPlus.com

Rama ndan pamje nga kantieri i Muzeut Kombëtar të Arteve të Bukura: Kushte të avancuara për ruajtjen e veprave

Kryeministri Edi Rama ka publikuar pamje nga kantieri i Muzeut Kombëtar të Arteve të Bukura në Tiranë që po shndërrohet në një qendër bashkëkohore për artin dhe kulturën në Shqipëri.

Rikonstruksioni total i Muzeut Kombëtar të Arteve të Bukura është investim i qeverisë shqiptare, dhe do të ruajë dhe evidentojë vlerat e projektit të prof. Enver Fajës.

Rama shprehet se “dita-ditës po merr formë një hapësirë e re arti, që do t’i shtojë kryeqytetit hapësira të zgjeruara për ekspozita, kushte të avancuara për ruajtjen e veprave, laborator modern restaurimi dhe teknologji, gjithçka për të mirëpritur vizitorë, kuratorë dhe artistë nga vendi dhe bota”.

Investimi përfshin gjithashtu aksesueshmërinë me dy hyrje të reja, sistem sigurie të avancuar, shkallë emergjence dhe sisteme HVAC për ruajtjen e veprave në kushte optimale.

Një godinë simotër do i shtohet asaj ekzistuese, në pjesën e pasme, me të njëjtat volume, duke zgjeruar hapësirat e fondit të ruajtjes së veprave të artit, ekspozimit, laboratorëve restaurues, aktivitetit edukues për të rinj e fëmijë e shërbime për vizitorët.

Nga 4.600 m2 që është sot, muzeu do të shtrihet në 10.100 m2./atsh/KultPlus.com

Thomas Mann, romancieri që i dha zë shpirtit evropian

Më 12 gusht 1955, në qytetin e Kilhut në Zvicër, u shua Thomas Mann, një nga figurat më të mëdha të letërsisë botërore dhe fitues i Çmimit Nobel në Letërsi (1929). I lindur në Lubeck të Gjermanisë më 1875, Mann u bë i njohur për romanet e tij monumentale si “Buddenbrooks”, “Mali Magjik”, ku pasqyroi me mjeshtëri dramën shpirtërore dhe krizat morale të njeriut modern.

Vepra e tij u formësua nga përplasja mes traditës dhe përparimit, mes dëshirës për art të pastër dhe përgjegjësisë qytetare, transmeton KultPlus.

Për Mann-in, letërsia nuk ishte thjesht art, por edhe akt moral, një mënyrë për të kuptuar dhe sfiduar realitetin. Me stilin e tij të thellë, ironik dhe të ngarkuar me reflektime filozofike, ai ndikoi breza të tërë shkrimtarësh e mendimtarësh.

Sot, në përvjetorin e vdekjes së tij, kujtojmë jo vetëm mjeshtrin e fjalës, por edhe intelektualin që nuk heshti përballë padrejtësisë. Thomas Mann mbetet një zë i gjallë në ndërgjegjen kulturore të Evropës, një kujtesë se fjala e shkruar mund të jetë po aq e fortë sa çdo armë./KultPlus.com

Dita Ndërkombëtare e Rinisë – forca që mban gjallë të ardhmen

Çdo 12 gusht, bota nderon energjinë, ëndrrat dhe guximin e brezit të ri, Ditën Ndërkombëtare të Rinisë. E shpallur nga Kombet e Bashkuara në vitin 1999, kjo ditë synon të njohë rolin vendimtar të të rinjve në ndërtimin e një bote më të drejtë, më të gjelbër dhe më humane.

Rinia është motori i ndryshimit shoqëror. Ata janë zëri që sfidon padrejtësitë, mendja që shpik ide të reja dhe zemra që beson se e pamundura mund të bëhet e mundur. Janë ata që nuk frikësohen të ëndërrojnë dhe të gabojnë, sepse e dinë se çdo hap përpara nis nga guximi për të provuar, transmeton KultPlus.

Por përtej festës, kjo ditë është edhe një thirrje për veprim, për të investuar te rinia me arsim cilësor, mundësi punësimi, barazi dhe hapësira për krijimtari. Sepse rinia nuk është thjesht e ardhmja, ajo është forca që po e ndryshon botën tani.

Në një kohë sfidash globale, nga ndryshimet klimatike te pabarazitë sociale, të rinjtë mbajnë pishtarin e shpresës. Sot, le t’i dëgjojmë, t’i mbështesim dhe t’i besojmë. Sepse e ardhmja nuk është vetëm e tyre, e ardhmja janë ata./KultPlus.com

Kleopatra – fundi tragjik i një mbretëreshe që sfidoi historinë

Më 12 gusht të vitit 30 p.e.s., në Aleksandrinë e lashtë, përfundoi jeta e një prej figurave më të famshme dhe më të diskutueshme të historisë, Kleopatras së VII, mbretëresha e fundit e Egjiptit Ptolemeik. E njohur për bukurinë, inteligjencën dhe aftësitë e saj politike, ajo u bë simbol i fuqisë femërore, udhëheqjes dhe guximit.

Pas një jete të mbushur me intriga, aleanca strategjike dhe pasion të ndaluar me dy prej burrave më të fuqishëm të kohës, Jul Çezarin dhe Mark Antonin, Kleopatra u gjend e rrethuar nga fati. Humbja e betejës së Aktiumit dhe vetëvrasja e Mark Antonit shënuan fundin e shpresës për të mbrojtur Egjiptin nga Romakët. E famshme është legjenda sipas së cilës ajo zgjodhi të vdiste duke lejuar një gjarpër helmues ta kafshonte, për të shmangur poshtërimin publik në duart e Oktavianit, transmeton KultPlus.

Vdekja e Kleopatrës nuk ishte thjesht fundi i një gruaje, ajo shënoi fundin e një epoke. Me të, u shua dinastia ptolemeike dhe Egjipti u shndërrua në provincë romake. Figura e saj mbetet e gjallë jo vetëm në histori, por edhe në art, letërsi e kinematografi, si mishërim i bukurisë, pushtetit dhe tragjedisë.

Sot, mbi dy mijë vjet më pas, Kleopatra vazhdon të magjepsë botën, një mbretëreshë që i dha historisë një fund po aq dramatik sa edhe jeta që jetoi./KultPlus.com

Teatri i Kukullave Pogradec, pjesëmarrës në Festivalin Ndërkombëtar “Bitolino”

Trupa e Teatrit të Kukullave “Piro Xëci”, i Pogradecit mori pjesë në edicionin e 14-të të Festivalit Ndërkombëtar të Teatrit të Kukullave “Bitolino”, i cili u zhvillua në qytetin e Manastirit (Bitola) të Maqedonisë së Veriut.

Artistët pogradecarë u prezantuan me pjesën teatrore për fëmijë “Pabesi në Pyllin e së Mirës”, të autorit Andi Kosta, me regji të Dhimitraq Tasellarit dhe skenografi të Enxhel Gegpriftit.

Shfaqja u prit mjaft ngrohtë nga publiku i vogël dhe i rritur dhe u vlerësua për përcjelljen e vlerave të teatrit tradicional për të vegjël, lojën aktoreske, si edhe për mesazhin “Le ta bëjmë planetin në të cilin jetojmë, një vend më të mirë përmes mirësisë dhe besnikërisë ndaj njëri-tjetrit”.

Bitolino është një festival i përvitshëm i teatrit për fëmijë që mbahet në gusht, organizuar nga Teatri Babec. Çdo vit në festival marrin pjesë teatro profesioniste për fëmijë nga e gjithë bota./atsh/KultPlus.com

Porto Palermo Festival, emrat e njohur të këngës ndezin atmosferën në kala

Mes artistëve të shumtë që janë bërë pjesë e Porto Palermo Festival, ishte edhe Aurela Gaçe.

Skena e Kalasë së Ali Pashës u ndez nga energjia e saj shpërthyese dhe zëri që sfidon kohën. Për Aurelën, kjo ishte pjesëmarrja e saj e parë në këtë festival, i cili këtë vit shënon 5-vjetorin e tij.  Nata e Aurela Gaçes u kthye në një festë të paharrueshme, për publikun në kalanë mesjetare, ku çdo kengë u bë një shpërthim emocionesh dhe gëzimi.

Publiku këndoi, kërceu dhe e duartrokiti pa pushim. Një tjetër mbrëmje në Kalanë e Porto Palermos iu dedikua muzikës latine. Ritmet e zjarrta të Amerikës Latine pushtuan skenën magjike, kur Carlos Paz dhe Sin Fronteras sollën pasionin, energjinë dhe muzikën “pa kufij”, duke e kthyer natën në një festë plot kërcim dhe emocione nën yjet e jugut. Të tjerë artistë të mirënjohur që u bënë pjesë e Porto Palermo Festival gjatë kësaj fundjave ishin Kastriot Tusha dhe Ardian Trebicka. Serenatat e ëmbla dhe perlat e muzikës së kultivuar shqiptare u ndërthurën me sfondin magjik të detit dhe mureve shekullore të kalasë. Çdo notë, çdo fjalë, çdo melodi dukej se ngjallej për të treguar histori dashurie, kujtimesh dhe ëndrrash të harruara./atsh/KultPlus.com

‘Apolonia e Ilirisë’, Gonxhja: Gërmimet janë përqendruar në tri zona kryesore të sitit arkeologjik

Projekti kërkimor-shkencor “Apolonia e Ilirisë”, i bashkëdrejtuar nga profesorët Belisa Muka dhe François Quantin, po vijon në sitin arkeologjik të Apolonisë dhe këtë vit është përqendruar në tri zona kryesore të tij.

Nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale, ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja tha se “në kuadër të projektit kërkimor-shkencor “Apolonia e Ilirisë”, i bashkëdrejtuar nga profesorët Belisa Muka dhe François Quantin, vijon me përkushtim bashkëpunimi ndërinstitucional ndërmjet Institutit të Arkeologjisë (Akademia e Shkencave e Shqipërisë), UMR 8546 – AOrOc Paris, Shkollës Franceze të Athinës (EfA), Shkollës Franceze të Romës (EfR), Departamentit të Arkeologjisë dhe Trashëgimisë Kulturore (Universiteti i Tiranës), IKTK-së dhe Parkut Arkeologjik Kombëtar Apolonia (nën varësinë e MEKI-t)”.

Sipas ministrit Gonxhja, “programi i vitit 2025 është përqendruar në tri zona kryesore të sitit arkeologjik: Sektori i termave të periudhës romake; Porta verilindore; Linja e fortifikimit”.

Gonxhja nënvizoi se “paralelisht me gërmimet, vijon puna e studimit të materialit arkeologjik dhe formimi i studentëve shqiptarë e francezë, përmes trajnimeve mbi metodologjitë bashkëkohore të dokumentimit, si dhe analizës së teknikës, stilit dhe ikonografisë së skulpturave antike”.

“Ky vit shënon fazën e dytë të ateliesë mbi skulpturën antike, një hap i rëndësishëm në thellimin e njohurive dhe praktikave kërkimore mbi artin skulpturor të Apolonisë dhe trashëgimisë së saj unike”, theksoi Gonxhja./atsh/KultPlus.com

“Kaq të këqij sa janë të mirë” – pse na pëlqejnë filmat e tmerrshëm?

Kritikët e filmit kanë dhënë verdiktin: versioni i ri i War of the Worlds, ku Ice Cube luan rolin e një burri që duhet të shpëtojë njerëzimin nga një pushtim alienësh pa u larguar nga tavolina e punës, është i keq. Por sa i keq? Është thjesht “adaptimi më i keq i mundshëm i veprës së HG Wells”? Është “një nga filmat më të këqij të dekadës deri tani”? Apo madje “një nga filmat më të këqij ndonjëherë”? 

Kur këtë javë nisën të dalin recensionet, interneti u argëtua me rezultatin 0% nga kritikët në faqen Rotten Tomatoes. Ndërsa disa u bashkuan me entuziazëm në “sulm”, të tjerë u tërhoqën prej filmit të Prime Video si fluturat drejt dritës. “Më duket se tani duhet ta shoh patjetër,” shkroi aktori i The White Lotus Patrick. 

Schwarzenegger, i cili, si djali i Arnold-it, ndoshta ka hasur edhe ndonjë film me vlerësime të ulëta. Ai nuk është i vetmi që ndjen “magnetizmin” e një filmi me recensione shkatërruese, disa filma të tmerrshëm kanë krijuar ndjekës të zjarrtë pikërisht sepse janë kaq keq, sa bëhen të mirë. 

Lon Harris, producent ekzekutiv i podcast-it This Week in Startups, ndezi debatin këtë javë kur postoi: “Rënia nën 5% në Rotten Tomatoes ka thuajse të njëjtin efekt tek unë si të thyhet shifra 90%. Është diçka që më duhet ta përjetoj patjetër.” Një film me vlerësim minimal, thotë Harris, është automatikisht interesant: “Një rezultat shumë i ulët tregon marrëveshje universale: ky film është i keq. Tani dua të di më shumë… Pse të gjithë bien dakord? Papritur, jam i intriguar. Shikoj shumë filma, ka kaq shumë përmbajtje që del, dhe shumica është e zbehtë e e harrueshme.” 

I intriguar, Harris e pa War of the Worlds, dhe filmi ia përmbushi “pritshmëritë e ulëta”: “Është shumë qesharak, interpretimi solo i Ice Cube duke reaguar para ekranit të laptopit herë pas here afrohet me parodi dhe shpesh më bëri të qesh, dhe ka një subplot të tërë për dërgesat me dron të Amazon-it, aq i drejtpërdrejtë sa është thuajse e pabesueshme që e kanë përfshirë.” Filmi nuk është aspak i sofistikuar.

Personazhi i Ice Cube, një agjent qeveritar i survejimit, duhet të shpëtojë botën dhe familjen nga distanca, duke parë pushtimin alien në ekranin e tij, një zgjedhje e shpjeguar nga fakti se filmi u realizua gjatë pandemisë. Ai kishte qëndruar në sirtar që atëherë, derisa u publikua tani. Harris shton: “Ka një lloj bukurie të shohësh një film që nuk është i lëmuar e i përsosur si shumica e të tjerëve, ku mund të dallosh dorën e artistëve duke bërë më të mirën për të mbuluar problemet me buxhetin dhe vonesat e prodhimit. Kjo më duket më interesante se thjesht ‘një tjetër film pushtimi alien’.” 

Pas kritikave të para të ashpra, një recensues vendosi t’i dilte në krah filmit. 
Jordan Hoffman nga Entertainment Weekly shkroi të enjten: “A është ky film vërtet aq i keq? Përgjigjja është… absolutisht jo. Sigurisht që është budalla, por është edhe shumë argëtues.” Shkrimi, i cili e përfundonte me: “Filmi është një rrëmujë, por një rrëmujë e hareshme,” u konsiderua pozitiv nga Rotten Tomatoes, duke e ngritur rezultatin nga 0% në “lartësinë” prej 4% në kohën e publikimit. 

Sipas Timon Singh, themelues i Bristol Bad Film Club një dekadë më parë, filmat vërtet të tmerrshëm janë shpesh më të preferueshëm se ata që janë thjesht të mërzitshëm: “Kam parë filma ku plani nuk është as në fokus, ekipi teknik hyn në kuadër, paruku e aktorit bie, dhe përsëri është një film jashtëzakonisht argëtues.” Ai shton se disa superprodhime mund të jenë “të fryra” dhe “të mërzitshme”, duke përmendur Transformers: The Last Knight (2017) si shembull. 

“Në krahasim, Samurai Cop është teknikisht një film i tmerrshëm, por është 90 minuta me aktrim qesharak, skena të tmerrshme sherri, dhe pasi ta shohësh, nuk do ta harrosh kurrë. Ndërsa Transformers: The Last Knight mund ta harrosh ndërsa ende po e shikon.” Filma të tjerë që kanë fituar kult pasuesish përfshijnë The Room (2003), të përshkruar dikur nga Daily Beast si “një kryevepër mbeturinash”. Megjithatë, The Room, i realizuar nga “auteuri i filmave të këqij” Tommy Wiseau, ka mjaftueshëm argëtim pervers për të mbajtur një 24% relativisht “të respektueshëm” në Rotten Tomatoes.

Katharine Coldiron, autore e Junk Film: Why Bad Movies Matter, thotë se është më mirë të shohësh një regjisor si Wiseau duke u përpjekur me gjithë shpirt dhe duke dështuar, sesa dikë që punon me autopilot: “Kur një film bëhet me sinqeritet, dhe dështon, kjo është fantastike për t’u parë.” Ajo thotë se filmi i saj i preferuar “i tmerrshëm” është Staying Alive (1983), vazhdimi i disko-klassikut Saturday Night Fever, me regji të Sylvester Stallone, që u kritikua rëndë pavarësisht suksesit komercial: “Të gjithë personazhet, përveç njërit, janë sociopat, kështu që filmi nuk funksionon në pothuajse asnjë nivel. Më pëlqen ta vë dhe t’i bërtas.”/BBC/KultPlus.com

Duke u menduar për bukurinë 

Poezi nga Dritëro Agolli

Përse një shkëmb i ashpër dhe i rrudhur,

Që deti e godet, si dash, me valë,

Më duket aq i bukur,

Ku ndodhet bukuria vallë?

Më shembëllen me bustin e njeriut,

Në rrudhat sikur fshihet dhembja e botës,

Gjëmon në rrudhat breshri dhe veriu 

Dhe moti shira derdh dhe i fryn shqotës,

Po shkëmbi rri fisnik si një bari me gunë

I zhytyr për shelegë në mendime, 

Që vijnë me këmborë e blegërime.

1971/KultPlus.com

Si lindi ikonizimi i këpucëve me taban të kuq të Christian Louboutin

Christian Louboutin, i njohur sot si mjeshtri i këpucëve me taban të kuq, nuk e kishte planifikuar kurrë këtë detaj që do ta kthente në ikonë. Ishte fillimi i viteve ’90 dhe ai po punonte në studion e tij mbi një palë këpucë elegante, por diçka mungonte. Dizajni dukej i bukur… por jo i paharrueshëm.

Ndërsa përpiqej të gjente atë “shkëlqimin” e fundit, vështrimi iu ndal tek një punëtore aty pranë, e cila po lyente thonjtë me një llak të kuq të ndezur. Ngjyra ishte aq e gjallë dhe e guximshme, sa i dha menjëherë frymëzim. Ai mori shishen e llakut nga dora e saj, u përkul mbi këpucë dhe filloi t’i lyente tabanin, transmeton KultPlus.

Rezultati ishte magjik, papritur, këpuca u shndërrua në një deklaratë sensualiteti dhe luksi. Nga ky moment spontan lindi firma më e famshme e Louboutin, tabani i kuq, një detaj që sot është sinonim i elegancës dhe i klasit të lartë në mbarë botën.

Në modë, shpesh janë rastet e vogla që krijojnë legjenda. Për Louboutin, ishte thjesht një çast, një shishe llak… dhe një vizion i kuq që nuk do të shuhet kurrë./KultPlus.com

Nis restaurimi i kishës 1.300-vjeçare në Arrëz të Lushnjës

Një nga monumentet më të hershme të Myzeqesë, kisha 1.300-vjeçare e “Shën Todrit” në fshatin Arrëz të Lushnjës, ka hyrë në një fazë të rëndësishme restaurimi. Ndërhyrja u konsiderua urgjente, pasi ndërtesa rrezikonte shembjen për shkak të dëmtimeve të shkaktuara nga kushtet atmosferike dhe tërmetet ndër vite.

Punimet, të mbështetura nga Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore, po përqendrohen kryesisht në rikonstruksionin e çatisë dhe riparimin e mureve të degraduara. Kjo kishë, e cila besohet të jetë e dyta më e vjetër në zonë pas manastirit të Ardenicës, mbart jo vetëm vlera të veçanta fetare dhe historike, por edhe një arkitekturë të rrallë. Për këtë arsye, ajo gëzon statusin e “Monumentit të Kulturës” të kategorisë së parë, përcjellë KultPlus.

E mbyllur për besimtarët që prej vitit 2020 për shkak të amortizimit, kisha pritet të hapet sërish brenda pesë muajve, madje punimet po ecin me ritme të tilla që afati mund të përfundojë më herët. Drejtuesit e saj theksojnë se, krahas restaurimit të ndërtesës, mbetet e rëndësishme edhe rregullimi i rrugës që të çon drejt këtij objekti të trashëgimisë.

Pas restaurimit të kishës në Bishqethëm, ky është projekti i dytë i këtij lloji që realizohet në Lushnjë, duke treguar përkushtimin për ruajtjen e monumenteve me vlera të rralla historike dhe shpirtërore./KultPlus.com

Adidas dhe dizajneri Willy Chavarria kërkojnë falje për akuzat e “përvetësimit kulturor” nga Meksika

Dizajneri amerikan i modës Willy Chavarria ka kërkuar falje pas kritikave për bashkëpunimin e tij me Adidas Originals në krijimin e një modeli këpucësh të quajtur Oaxaca Slip-On. Ky model ishte frymëzuar nga sandalet tradicionale prej lëkure të njohura si huaraches, të punuara nga artizanët autoktonë në Meksikë.

Kontroversia shpërtheu kur u bë e ditur se këpucët ishin prodhuar në Kinë, pa konsultim ose njohje zyrtare ndaj komuniteteve që kishin origjinuar dizajnin. Presidentja e Meksikës, Claudia Sheinbaum, reagoi duke theksuar se “shumë kompani të mëdha shpesh marrin produkte, ide dhe dizajne nga komunitetet indigjene” dhe njoftoi se po shqyrtohen hapa ligjorë për mbrojtjen e tyre.

Zëvendësministrja e Kulturës së Meksikës, Marina Nunez, tha se Adidas ka kontaktuar zyrtarët e Oaxacës për të diskutuar “kompensimin për njerëzit të cilëve iu plagjiatua dizajni”. Në një deklaratë për BBC, kompania tha se “vlerëson trashëgiminë kulturore të komuniteteve indigjene të Meksikës” dhe kërkoi falje publike, duke premtuar bashkëpunim me komunitetin e Yalálag-ut për të nderuar trashëgiminë e tyre.

Chavarria, ish-nënkryetar i lartë i dizajnit në Calvin Klein dhe themelues i markës së tij, u shpreh se “qëllimi gjithmonë ka qenë të nderohej fryma kulturore dhe artistike e Oaxacës”, por pranoi se mungesa e një bashkëpunimi të drejtpërdrejtë me komunitetin përbënte “një dështim në respektimin e tyre”. Ai shtoi: “Dashuria fitohet me veprime, jo vetëm me fjalë.”

Pamjet promocionale të modelit Oaxaca Slip-On janë hequr nga rrjetet sociale të Adidas dhe Chavarria-s, ndërsa diskutimet për zgjidhjen e situatës me komunitetet indigjene vazhdojnë./BBC/KultPlus.com

Tempulli i Solomonit – kujtimi i një lavdie të lashtë

Në kujtesën e historisë dhe besimit, Tempulli i Solomonit zë një vend të veçantë, si një nga monumentet më të përfolura të botës së lashtë. I njohur edhe si Tempulli i Parë, ai përshkruhet në Biblën Hebraike si “Shtëpia e parë e shenjtërores”, vendi ku qëndronte Arka e Besëlidhjes dhe ku kryheshin ritualet më të shenjta të popullit hebre.

Sipas rrëfimeve biblike, tempulli u ndërtua në shekullin e 10-të p.e.s. me porosi të mbretit Solomon, simbol i mençurisë dhe pasurisë së Izraelit të lashtë. Por lavdia e tij nuk zgjati përgjithmonë. Në vitin 587 p.e.s., gjatë rrethimit të Jeruzalemit nga mbreti Nebukadnetzar II i Perandorisë Neo-Babilonase, tempulli u shkatërrua plotësisht, duke u kthyer në një plagë të hapur në historinë e popullit.

Megjithëse studiuesit bashkëkohorë pajtohen se një tempull i tillë ka ekzistuar në Malin e Tempullit, mbeten dilema të mëdha për datën e saktë të ndërtimit dhe për identitetin e ndërtuesit. Për disa, ai është një fakt historik; për të tjerë, një mit i fuqishëm që ka marrë jetë në faqet e shkrimeve të shenjta.

Sot, përvjetori i tij rikthen kujtimin e një ndërtese që për shekuj ka qenë simbol i besimit, shpresës dhe lavdisë, por edhe një dëshmi se as monumentet më madhështore nuk i shpëtojnë rrjedhës së kohës. Tempulli i Solomonit mbetet një figurë e gjallë në ndërgjegjen kulturore të njerëzimit, një urë midis historisë, mitit dhe shpirtit./KultPlus.com

Rekord vizitash në Butrint – mbi 150 mijë turistë në shtatë muaj

Parku Kombëtar i Butrintit ka shënuar një rekord historik vizitueshmërie për vitin 2025, duke tërhequr mbi 150,000 vizitorë vetëm në shtatë muajt e parë të vitit. Vetëm gjatë muajit korrik, parku u vizitua nga 44,555 persona, shifër që përfaqëson një rritje prej 82% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Drejtoresha e parkut, Jorida Muho, konfirmon se përveç numrit të vizitorëve, është rritur ndjeshëm edhe të ardhurat. “Në korrik të këtij viti kemi arkëtuar 165% më shumë të ardhura sesa në korrik të vitit 2024, për një total prej 1.5 milionë eurosh.” Sipas saj, fundjavat janë periudha më e ngarkuar për parkun, ku krijohen radhë të gjata në hyrje, transmeton KultPlus.

Gjatë këtij sezoni, përveç turistëve vendas, një numër i madh vizitorësh ka ardhur nga Polonia. Klaudia Broda, udhërrëfyese me origjinë polake, prej 8 vitesh sjell grupe turistësh në Butrint. “Butrinti mbetet një magji jo vetëm për mua, por për të gjithë bashkëkombasit e mi, që kërkojnë të mësojnë diçka më shumë përtej guidës klasike. Por do t’ju them se ishte vërtet një surprizë për mua sot, pasi më kërkuan të paguaj biletën 10 euro, ndryshe nga çfarë ndodh kudo në Europë, ku udhëheqësi i guidës është falas.”

Mes vizitorëve të huaj këtë korrik ishte edhe 

Mattia Esposito, përfaqësues i një grupi rotarianësh italianë që kanë themeluar së fundmi klubin e tyre në Sarandë. “Ka qenë një fundjavë shumë e rëndësishme për ne të Rotary. U pasuruam edhe shumë me vizitën në këtë Park Arkeologjik, pasuri botërore. Tani po mendoj se ‘Butrinti’ është emri i duhur që i vendosëm edhe Rotary-t të Sarandës, pasi Butrinti është një pasaportë ndërkombëtare.”

Një nga atraksionet kryesore të korrikut ishte hapja për publikun e dy mozaikëve të rrallë: ai i Termës Romake dhe mozaiku i Gjimnazit, të cilët do të qëndrojnë të ekspozuar deri më 15 gusht.

Butrinti, pjesë e Listës së Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s që prej vitit 1992, përfshin një zonë të pasur me monumente historike si Teatri, Bazilika paleokristiane, Tempulli i Asklepit dhe Porta e Liqenit, një thesar i gjallë i kulturës dhe historisë shqiptare./KultPlus.com

DeepSeek: Aplikacioni kinez që tronditi tregun e AI, por a ndryshoi lojën?

Vetëm një javë pas marrjes së detyrës nga presidenti amerikan Donald Trump, një aplikacion i ri kinez i inteligjencës artificiale (AI) me emrin DeepSeek tronditi Silicon Valley-n. Brenda natës, versioni DeepSeek-R1 u ngjit në krye të listës së shkarkimeve falas në SHBA në App Store të Apple. Kompania pretendoi se chatbot-i i saj rivalizonte ChatGPT-n, dhe madje ishte zhvilluar me një kosto shumë më të ulët.

Ky lajm pati pasoja të menjëhershme në tregun financiar: vlera e aksioneve të gjigantit të çipave Nvidia ra me 600 miliardë dollarë, duke shënuar humbjen më të madhe ditore për një kompani në historinë e bursës amerikane. Edhe aksione të tjera të lidhura me AI pësuan rënie.

Për shumë analistë, mbërritja e DeepSeek ishte “momenti Sputnik” i AI-së, duke sfiduar perceptimin se SHBA dominonte plotësisht këtë fushë. Aplikacioni tregoi se edhe me burime më të kufizuara mund të ndërtohej një model konkurrues, duke vënë në dyshim qasjen amerikane të fokusuar te qendrat masive të të dhënave dhe fuqia e madhe kompjuterike.

Por suksesit të menjëhershëm i pasuan sfidat. Organizata në SHBA nisën ta ndalonin përdorimin e aplikacionit, mes frikës se të dhënat e përdoruesve mund të përfundonin në serverë në Kinë. Politika e privatësisë së kompanisë e konfirmon se të dhënat ruhen dhe përpunohen në Republikën Popullore të Kinës. SHBA madje nisi hetime mbi lidhjet e DeepSeek me ushtrinë dhe shërbimet e inteligjencës kineze.

Megjithatë, shumë start-up-e amerikane vazhdojnë ta përdorin modelin për të ulur kostot, shpesh duke e ekzekutuar lokalisht për të shmangur rreziqet e privatësisë. Ekspertët theksojnë se modeli kinez ndryshoi mënyrën se si mendohet për AI-në, duke treguar se efikasiteti mund të jetë po aq i rëndësishëm sa fuqia përpunuese.

Krahasimet financiare janë të dukshme: ndërsa OpenAI shpenzoi rreth 5 miliardë dollarë vetëm në vitin 2024, DeepSeekthotë se zhvilloi R1-in me vetëm 5.6 milionë dollarë, duke e kaluar modelin o1 të OpenAI në disa teste matëse.

Megjithatë, pas gjashtë muajsh, zhurma është zbehur. OpenAI ka rifituar terren duke lançuar modele të reja, përfshirë GPT-5  dhe tregu është kthyer sërish drejt investimeve masive në qendra të dhënash dhe infrastrukturë. Aksionet e Nvidia-s jo vetëm që janë rikuperuar, por kanë arritur nivele rekord, duke e bërë kompaninë më të vlefshme në histori.

Sipas analistëve, DeepSeek tani përballet me vështirësi për të ruajtur momentumin, me vonesa në produktin e ri DeepSeek-R2 për shkak të mungesës së çipave të avancuar dhe konkurrencës së ashpër si nga SHBA, ashtu edhe nga Kina.

Në fund, DeepSeek mbetet një shembull i fuqishëm se si një inovacion i papritur mund të tronditë tregjet dhe të ndryshojë diskutimin global, edhe nëse efekti i tij afatgjatë nuk është aq revolucionar sa dukej në fillim./KultPlus.com

Amy Schumer ndan rrëfimin e ndjerë pas operacionit të ‘rrezikshëm’ në shpinë

Aktorja dhe komediania e njohur Amy Schumer ka zbuluar për fansat e saj një moment të rëndësishëm në jetën personale, duke treguar se ka kaluar një operacion për një problem të vjetër në shpinë.

Përmes një postimi në Instagram, Schumer bëri të ditur se i është nënshtruar një laminektomie? një ndërhyrje kirurgjikale që konsiston në heqjen e një pjese të kockës së shtyllës kurrizore për të lehtësuar dhimbjet. Sipas saj, shkaku ishte një dëmtim i hershëm gjatë praktikës së surf-it.

“Që nga lëndimi im me surf, L5 më ka shkaktuar shumë dhimbje. Sot bëra një laminektomi! Rikuperimi është i shpejtë dhe kur të ndihem më mirë, do të blej recipeta!”, ka shkruar ajo me humor.

Schumer ndau gjithashtu një selfie nga spitali në Instagram Stories, duke treguar momente të rikuperimit dhe duke ironizuar mbi bisedat që kishte dëgjuar aty: “Dëgjova një bisedë pas operacionit: ‘Pickleball mbajnë këtë vend në biznes’”.

Komediania ka qenë gjithmonë e hapur për sfidat e saj shëndetësore. Më herët këtë vit, ajo foli edhe për përdorimin e ilaçeve për humbje peshe, duke treguar se aktualisht përdor Mounjaro, pas një periudhe jo të mirë me Ozempic.
“Ozempic më bëri të përjetoj një përvojë të tmerrshme me të vjella,” ka rrëfyer ajo në një intervistë, ndërsa për Mounjaro-n ka pasur një përvojë pozitive./KultPlus.com

‘Balt’ e pluhur do të bëhem, të më shkelnjë këmbë’ e saj’

Poemth nga Naim Frashëri

Bukuria

9.

Zëmra jote në krahrorët tënt

Është hekur Brenda n’ergjënt;

Dhe në linj’ aty krahruar, 

Si ndë dhé gur’ i paçmuar.

Dielli zënë me rezë, 

Vera në qelqe të zezë,

Shpirti brënda nër qivure,

Zot’ i madh nër katrë mure! 

10.

Do të shtrihem

Të venitem

Si kandili kur s’ka vaj

Balt’ e pluhur 

Do të bëhem

Të më shkelnjë këmbë’ e saj;

E të prehem 

Duke puthur

Atë këmbë pasandaj.

As më thua,

Ç’ke me mua?

Pse të dua paskam faj?/KultPlus.com

‘The Skin of Light’– Rikthehet në Korçë dhe përfundon në Manhattan edicioni i tretë i Gjon Mili International Video Art Festival

Edicioni i tretë i Gjon Mili International Video Art Festival vjen këtë vit nën temën poetike “The Skin of Light”, një ftesë për të shikuar dritën jo vetëm si burim ndriçimi, por si një “lëkurë” ku ndërthuren kujtesa, perceptimi dhe forma.

Nga gjithsej 1,230 aplikime nga mbarë bota, vetëm 62 artistë janë përzgjedhur për të prezantuar vizionin e tyre mbi marrëdhënien me dritën, duke e paraqitur atë si një element që pulson mes botës reale dhe asaj virtuale, mes ndjeshmërisë intime dhe ndërveprimit artistik, transmeton KultPlus.

Festivali nis në Korçë, më 27-29 gusht, në Muzeun Gjon Mili, vendi ku filloi kjo nismë ndërkombëtare, ku për tre ditë video arti do të bashkëjetojë me kujtesën dhe historinë, në një lojë të pandërprerë formash dhe refleksesh. Më pas, nga 1 deri më 3 shtator, destinacioni i dytë është Dhërmiu, ku drita do të dialogojë me shtëpitë e vjetra dhe hapësirat e qiellit të hapur. 

Udhëtimi përmbyllet në zemër të Nju Jorkut, në Manhattan, nga 28 shtatori deri më 4 tetor, aty ku Gjon Mili arriti majat e famës së tij.

Programi përfshin net kushtuar artistëve fitues dhe ditë të tëra shfaqjesh ku drita shfaqet si element i gjallë, i ndjeshëm dhe gjithmonë në transformim. 

Ky edicion synon jo vetëm të nderojë trashëgiminë e mjeshtrit të fotografisë dhe dritës, por edhe të ndërtojë ura mes kulturave, vendeve dhe mënyrave të reja të të parit./KultPlus.com

Shkallë për qiell

Timo Flloko
Shkallë për qiell


Ngrita sytë, qiellin pashë,
Ku është skaji i tij, thashë.
A i soset fundi vallë?
Ndoshta duhen shpikur shkallë.
Të padukshme, pa dyshim,
Shkallë që zgjaten pambarim,
Që takojnë fund e fillim,
Prej këtej në askund,
Gjithësisë pa anë e fund.

Fantazova të shkoj larg,
Botën poshtë ta shoh nga lart,
Gjithë ç’pata pas ta lë,
Historitë një nga një,
Dashuritë pa shpirt në të,
Miq, të afërt që s’janë më,
Mitet, ëndrrat dhe çdo gjë.

Sa ngjita shkallën e parë,
Ndjeva frikë, të jem i marrë?
N’atë udhë katrahurë,
Humb përjetë, s’kthehesh kurrë.
Nëse ndodh atje të mbes,
Zbrazëtisë, në univers,
Fillikat e i pashpresë,
Kush kujtohet të më presë?
Nëna la një det me lot,
Iku herët nga kjo botë.
(Kthehem s’kthehem, çfarë pastaj,
Fatin tim mbi shpinë e mbaj)

U enda vite të tërë,
Jeta – një kështjellë në rërë.
Në çdo skaj me stërmund,
Fundin prekja por s’kish fund,
Ishte fund sa ish fillim,
Hapësirës pa mbarim.

(S’ka fillim as fund ky bosh,
Nis e sos ku ta mendosh.)

*
Rrugëtova aq kohë qiellit,
Mend sa preka yjet, diellin.
Rënie ngjitje na shkon jeta,
Që nga lindja gjer te vdekja.

*
Mbërrin koha që të zbres,
Yjet fikur një mëngjes…

Këmbën ula kur, për djall,
Mend u vara, s’kishte shkallë (!)
Udha çonte veç për lart
(Kurth qiellor, thirra në çart).
Pas në tokë kthim s’kish më,
Shkallët shpinin në mosgjë,
Me shigjetën Udhë pa Kthim,
Gjithësisë pa mbarim,

Zbrazëtisë së askundit,
Shkalla ime ish e fundit.

Por u zgjova atë çast,
Çfarë vjen pas, ska përmasë,
Askund qiellit s’është e shkruar,
Portë e hyrjes në parajsë.

Kurrë s’e dimë se ç’të fshehta,
Na i ngre fati më pas..!/KultPlus

Demi Lovato ribashkohet me Jonas Brothers pas 15 vitesh në skenë

Në koncertin e mbajtur të dielën në New Jersey, Jonas Brothers surprizuan publikun me një moment nostalgjik. Demi Lovato u ngjit papritur në skenë për t’u bashkuar me Joe, Kevin dhe Nick Jonas, duke performuar këngë të njohura nga filmi i famshëm “Camp Rock”.

Ky ribashkim shënoi 15 vite nga koha kur Demi dhe Joe u takuan gjatë xhirimeve të filmit, moment të cilin këngëtarja e ndau edhe në Instagram me fjalët: “Për librat e historisë”.

Bashkëshorti i saj, muzikanti Jordan Lutes, shfaqi mbështetje të plotë me një koment plot krenari. Ndërkohë, koncerti ishte pjesë e turneut të 20-vjetorit të Jonas Brothers, i mbushur me performanca dhe surpriza për fansat, duke përfshirë edhe mysafirë specialë nga projektet e tyre të njohura./KultPlus

Kurti takon zyrtarin gjerman, bisedojnë për ekonominë, integrimin evropian dhe sfidat rajonale

Kryeministri i Kosovës në detyrë, Albin Kurti, u takua mbrëmë me drejtorin për Ballkanin Perëndimor në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Michael Reiffenstuel, dhe ambasadorin gjerman në Kosovë, Jörn Rohde.

Takimi u fokusua në marrëdhëniet dhe bashkëpunimin bilateral, veçanërisht në fushën e ekonomisë dhe investimeve të huaja, zhvillimet politike në vend, situatën në Ballkanin Perëndimor dhe procesin e integrimit evropian.

Kurti theksoi performancën ekonomike pozitive të gjashtëmujorit të parë të vitit, rezultatet e politikave të punësimit dhe angazhimin për të drejtat dhe mirëqenien e pakicave. Ai shprehu edhe shqetësimin për ndikimin e fushatave dezinformuese dhe lajmeve të rreme në shoqëritë demokratike.

Kryeministri falënderoi Reiffenstuel për vizitën dhe mbështetjen e vazhdueshme të Gjermanisë ndaj Kosovës./KultPlus

NASA zbulon detaje të pabesueshme nga Marsi

Roveri Perseverance i NASA-s ka dërguar një nga panoramat më të detajuara të Planetit të Kuq, duke i ofruar shkencës një pasqyrë të rrallë të terrenit marsian. Mozaiku 360 gradë, i përbërë nga 96 imazhe të marra më 26 maj, tregon kodra deri në 65 kilometra larg, falë një dite me qiell jashtëzakonisht të kthjellët e pa pluhur.

NASA ka publikuar dy versione të panoramës: një me ngjyra të përmirësuara që shfaq qiellin në blu, dhe një tjetër në ngjyra natyrale me qiellin karakteristik të kuqërremtë të Marsit.

Shkencëtarët janë të intriguar nga një shkëmb i madh që duket sikur “lundron” mbi një brez ranor, si dhe nga zona e quajtur Falbreen, që mund të jetë ndër më të vjetrat e studiuara ndonjëherë nga roveri. Panorama zbulon gjithashtu kufirin mes dy njësive gjeologjike dhe gjurmët e rrotave të Perseverance.

Ky mision është pjesë e përgatitjeve për eksplorimin e ardhshëm njerëzor të Marsit, i cili pritet të nisë pas programeve Artemis të NASA-s./KultPlus