Arilena Ara merr çmim dhe performon në Kazakistan (VIDEO)

Këngëtarja Arilena Ara ka sjellë “Nëntorin” e saj anglisht në Kazakistan.

Pos që ka marrë çmim në Expo Astana 2017, Arilena edhe ka performuar këngën e saj para një audience në këtë organizim.

Ajo performoi në eventin e organizuar nën temën “Energjia e së ardhmes”. U prezantua me këngën “I`m sorry”, variantin e sapopublikuar, anglisht, të “Nëntori”, nga ku doli edhe me çmim. Ajo ndau me publikun vetëm një foto, ku shihej e gjitha e kuruar dhe shumë e bukur.

“Nëntori” tani ka edhe versionin anglisht “I’m sorry”, megjithatë është për t’u theksuar që edhe në shqip, kënga e Darko Dimitrov, u pëlqye dhe u ngjit në krye të klasifikimeve të shumë shteteve. / KultPlus.com

https://vid.me/nEO3r

Më në fund, Dua Lipa e Rita Ora në të njëjtën skenë

BBC bashkon Rita Orën me Dua Lipën

Dy këngëtaret e njohura shqiptare, Rita Ora dhe Dua Lipa do të performojnë në skenën e njëjtë më 22 tetor.

Bashkë i ka bërë ceremonia e ndarjes së çmimeve “BBC Radio 1 Teen Awards”.

Pjesëmarrjen e kanë konfirmuar dy këngëtaret përmes postimeve në rrjetet sociale.

Dy këngëtaret me prejardhje shqiptare e me famë botërore asnjëherë nuk janë parë së bashku. / KultPlus.com

I am so excited to perform at the Radio 1 Teen Awards!! Get yo tixx @bbcradio1 #R1TEENAWARDS 💕

A post shared by DUA LIPA (@dualipa) on

Ulqini është gati për Festivalin e Filmit “Seanema”

Festivali i filmit “Seanema” këtë vit do të mbahet në disa lokacione në Qytetin e vjetër të Ulqinit, në datat 31 gusht deri më 3 shtator.

Tema e edicionit të tretë është “EXILE” (Dëbim), ndërsa në fokus janë të rinjtë që ndihen të përjashtuar për shkak të ndryshimeve kulturore si dhe nga pamundësia për t`i realizuar idetë, planet dhe ambiciet në vendin ku ata jetojnë.

Përveç temës së re që prek këtë vit, “Seanema” ndryshon konceptin dhe bëhet festival me karakter garues ku filmat garojnë në tre kategori: filmi më i mirë, filmi më i mirë metrazh i shkurtër dhe çmimi i publikut ulqinak.

Rreth ndarjes së çmimeve vendos juria vlerësuese, e cila përbëhet nga regjisori malazez, Pavlle Simonoviq, regjisori Fatos Berisha dhe dramaturgia e gazetarja Dafina Halili.

Në jurinë që do të vlerësojë filmat metrazh i shkurtër do të jetë aktori, fitues i çmimit të madh të Teatrit Kombëtar të Malit të Zi, Mirko Vllahoviq, regjisori i ri malazez, Senad Shahmanoviq dhe Tomas Auksas, regjisor, producent, aktivist dhe drejtor artistik i kompanisë multimediale Liberatum nga Londra.

Në programin e edicionit të tretë bëjnë pjesë filmat “Kushtetuta e Republikës së Kroacisë” e regjisorit Rajko Grliq, që do të shfaqet në natën e parë të festivalit, dy produksionet malazeze “Iskra” nga Gojko Berkuljan dhe “Perla e Bunës”. Krahas programit të filmit, festivali “Seanema” këtë vit organizon panele, leksione për studentët, prezantime për dhe rreth filmit, për të rinjtë dhe rëndësinë e mbrojtjes së ambientit.

Festivali hapet pranë Muzeut arkeologjik në Kala, të enjten datë 31 gusht në ora 8 në mbrëmje. “Seanema“ këtë vit mbështetet nga Ministria e Kulturës ne Mal të Zi, Komisioni për ndarjen e fitimeve nga lojërat e fatit, Qendra kinematografike e Malit të Zi, Komuna Ulqin dhe shumë partnerë e donatorë të tjerë. Hyrja në të gjithë ambientet e festivalit do të jetë falas. / KultPlus.com

“Burrneshat në Shqipëri respektohen për sakrificën e tyre”

Shkrimtarja franceze Emmanuelle Favier ka botuar kësisoj librin e saj të parë, romanin i cili flet për Manushen – një burrneshë e cila betohet të jetojë përgjithmonë si mashkull.

Mediet franceze po e vlerësojnë lart librin i cili duket se ka zgjuar interesim tek lexuesi francez, sidomos kur flet për një dukuri të tillë të veçantë në Shqipëri.
Favier, e lindur në vitin 1980, është përgjigjur në disa pyetje për Culturebox, revistën e njohur franceze, rreth librit të saj “Le courage qu’il faut aux rivières”.

Manushe është një nga ato « virgjëresha të përbetuara » (Virges jurées). Në një fshat të Ballkanit ku ajo jeton, ajo është e respektuar nga të gjithë. Por kur shfaqja e Ardianit, një njeri me një të kaluar enigmatike dhe vështrim tërheqës, do t’ia kujtojë papritur e në mënyrë brutale feminitetin e saj, dëshira e bën të rrezikojë…

Cila është tema konkrete e romanit tuaj?
Është e komplikuar. Është një fokus evident tek virgjëreshat e betuara shqiptare, ndërsa ka edhe tema brenda më të thella, sikur identiteti. Se si këto gra krijojnë identitetin e tyre, se si ne imponojmë krijime identitetesh tek njerëzit. Mua më intereson diçka e tillë sepse jam rritur në një ambient të thjeshtë, e lirë të bëj ç’të dua, pa ndonjë imponim nga lart, pra jam rritur me plot privilegje. Dhe kur e nisa librin, desha të nisesha nga një shoqëri me limite, nga një sistem me ego dhe me kufizime. Romani ka tri karaktere, secili si një version i idesë “Unë vendos çka jam”, duke u rikthyer gjithmonë tek vetja.

Si erdhi deri te lindja e këtij libri ?

Në një muze në Marsejë të Francës, kalova tek një fotografi ku shkruhej “virgjëresha të përbetuara”. Ka diçka të tillë edhe në pjesë të ndryshme të botës, por kjo është për mua një dukuri unike në Ballkan. Këto janë gra që shndërrohen në burra dhe pranohen shumë normalisht në shoqëri, kudo në Evropë. Aspak të margjinalizuar, shumë të respektuar. Komuniteti në Shqipëri, shembull, e respekton faktin se ato u sakrifikuan për mirëqenien e të tjerëve. Sakrifica u njihet sepse janë më të forta se meshkujt.

Pse pikërisht ky titull?
Titulli “Kurajë që u duhet lumenjve” i referohet në fakt guximit dhe kurajës që ndonjëherë i duhet njeriut për të përcjellë një rrugë e cila shpesh mund të jetë e rrezikshme. Lumi e përcjellë shtratin e tij, por shpesh duhet të kalojë malet. Më pëlqen titulli në fakt, flet shumë për guximin që dikush duhet ta ketë për të qenë vetvetja. / KultPlus.com

‘Burrnesha Manushe’, pjesë nga libri i francezes Emmanuelle Favier

«Porta u mbyll pas burrit të fundit. Nata e zezë mbeti jashtë, ku asnjë yll nuk mbijetonte më në atë errësirë akulli. Manushaqe u shtriq rëndë-rëndë mbi sofa. Me kurajon e dehjes, ajo u përkul mbi shishen, duke dashur t’i hiqte tapën, por duke e shtypur tapën shumë fort, shishja rrëshqiti mbi kanape. Punë e madhe… Nuk do shkonte tani gjer në hyrjen e dhomës, pranë atyre tri shisheve të pira gjatë asaj nate. Avujt e alkoolit më së fundi u daravitën në ajrin e dhomës.
Manushe u ngrit me këmbët që i merreshin duke shkuar gjer në shtratin e saj. Iu hap goja dhe kruajti vithen e majtë. Hoqi nallanet, po kështu dhe pantallonat e gjera dhe pulovrin e leshtë e të ashpër dhe ashtu me të mbathura e kanatiere u shtri në çarçafët e freskët që të drithëronin disi, duke hedhur pastaj mbi vete jorganin e trashë. Dora i rrëshqiti pastaj mbi seksin e saj, i lëvizi mbi pubisin leshtor, duke luajtur me anët e vaginës me gishtin e saj. Gjumi e pushtoi para se seksi më së fundi të mos lëngështonte më.
U ngrit pak para agut. Nxorri një cigare, mori çakmakun mbi komodinën pranë shtrati dhe e thithi ngadalë pa i hapur sytë… »

Pjesa e parë e librit ‘Le courage qu’il faut aux rivières’ shkruar nga francezja Emmanuelle Favier. / KultPlus.com

Albanologu Robert Elsie zgjon debat me shqiptarin problematik të Konstandinopojës

Albanologu dhe studiuesi Robert Elsie shumë shpesh në rrjetet sociale shpalosë ekspertizën e tij në hulumtimin e gjuhës shqipe. Në fakt ai mbledhë vazhdimisht material që lidhen me gjuhën shqipe.

Dje, Elsie ka postuar një fotografi e cila sipas tij është pikturë e realizuar nga piktori skocez Sër David Wilkie.

“Ja një pikturë të piktorit skocez, Sër Dejvid Uillki (Sir David Wilkie, 1785-1841), me titullin “Zoti Kartrajt, Konsull në Kostandinopojë, me Shqiptarin e tij” dhe u realizua në tetor të vitit 1840. Në qarqet diplomatike të Perandorisë Osmane, fjala ‘shqiptar’ kishte shpesh kuptimin ‘dragoman, përkthyes, shërbëtor, roje.’” , shkruan Elsie si përcjellje e fotografisë.

Komentuesit, në anën tjetër, si rrallë herë e kanë sulmuar albanologun duke mohuar se personi në fotografi ëshë shqiptar, dhe në asnjë mënyrë nuk duhet të lidhet me një shprehje pezhorative.

“Kjo veshje nuk ka ngjashmëri me veshjet shqiptare, mos i shtrembëro shkronjat sepse të vret historia” është komenti i Milan Bunjanit, shkruan KultPlus.

“Po më duket ky farë shkrimtari mos ka një përfundim negative për shqiptarët? Tash shërbëtor na bëri, më vonë edhe ardhacakë. Bisedo me historianët shqiptarë të cilët janë neutral, e lëri dëgjimet e historianëve grekë, serb e turq” është një tjetër koment i këtij individi. Të tjera komente janë pozitive e negative mbi postimin e albanologut, i cili megjithatë nuk ka replikuar.

Piktura në fjalë megjithatë duket se ka disa tituj. Derisa albanologu e vendosë titullin si të tillë:
“Mr Cartëright, Consul at Constantinople, with his Albanian” ekziston edhe version “ Mr. Cartwright, British Consul-General at Constantinople, and Mustafa his Janissary”.

Elsie, që nga 1978 pati mundësi të vizitojë Shqipërinë disa herë në kuadrin e ‘takimeve shkencore’ midis Institutit të Gjuhësisë së Universitetit të Bonit dhe Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Gjithashtu mori pjesë disa vite me radhë në Seminarin Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare në Kosovë . / KultPlus.com

“Dita zë fill” me Ornela Kapetanin, së shpejti në kinematë e Tiranës

Filmi shqiptar “Dita zë fill”, i cili zbardhi fytyrën e shqiptarëve në Festivalin e Filmit në Sarajevë, së shpejti vjen në kinematë e kryeqytetit shqiptar.

Me regji nga Gentian Koçi dhe me një lojë aktoriale të hatashme të Ornela Kapetanit – kjo e fundit edhe fituese e çmimit aktorja më e mirë në Festivalin e Filmit në Sarajevë, filmi në fjalë vjen për publikun shqiptar pasi ka mahnitur shikuesit në Sarajevë, shkruan KultPlus.

Një nënë bashkë me foshnjën e saj vendosin të jetojnë me një grua të vjetër dhe të sëmurë. Kompromiset morale që njerëzit duhet ti bëjnë kur ballafaqohen me sfida ekonomike dhe ato të mbijetesës, sipas Koçit, janë të pranishme dhe trajtohen në filmin shqiptar që nuk ka shumë kohë lansimi në treg. / KultPlus.com

Vlora Dumoshi uron Mirela Kumbaron për riemërimin në pozitën e ministres

Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, ka zhvilluar sot një bisedë telefonike me ministren e Kulturës së Shqipërisë, Mirela Kumbaron, me ç’rast e ka uruar atë për riemërimin e saj në pozitën e ministres.

Me këtë rast, ministrja Dumoshi shprehu përkushtimin për të thelluar bashkëpunimin kulturor, si një mundësi e mirë në funksion të njohjes dhe afirmimit të mëtejmë të kulturës shqiptare, nëpërmjet bashkëpunimit konkret ndërmjet institucioneve kulturore të dyja vendeve.

Ministrja Dumoshi më tej u shpreh se Kosova dhe Shqipëria, tanimë kanë një bashkëpunim të shkëlqyer kulturor, me një Kalendar të Përbashkët Kulturor dhe me iniciativa tjera, që janë në dobi të kulturës shqiptare, dhe shtoi se thellimi i këtij bashkëpunimi është në të mirë të dyja shteteve. / KultPlus.com

Kur Pablo Neruda i thurte vargje Shqipërisë

poezi nga Pablo Neruda, shqipëroi Moikom Zeqo

S’kam qenë asnjëherë në Shqipëri,

në tokën e ashpër, plot dashuri,

peisazheve bjeshkatare me barinj trima.

S’kam qenë, po ja

që sot kam shpresë

të vij

ashtu si festat apo dasmat popullore,

për të pare i etur diellin e madh

që praron fuqishëm muskujt viganë

të vargmaleve të saj epikë!

Si zambaku i ri dhe i freskët

që shpërthen mes shkrepave

shpërthen nga gjiri i saj kultura,

arti, librat, ndërsa përpara bujkut

e punëtorit ngrihet nderimi i epokës,

përmendorja e dashurisë

e virtuti lulëzon

viset e lashta!

O Shqipëri e vogël, por sa e fortë!

E vendosur e patundur e fjalëmbël.

Tingulli i kitarës tënde

është i gjallë e i çeliktë

e vjen e i shtohet me dinjitet melodive

të historisë,

këngës së epokës që s’ka të heshtur!

Është një zë malesh,

ndërtimesh të pafundme e të bardha,

kjo është kënga e njerëzve dhe bjeshkëve

e zogjve të pranverës dhe drurëve të mollëve

plot lule të porsaçelura

e erërave e valëve të detit.

Qëndresa, pamposhtmëria dhe lulet e tua Shqipëri

janë dhurata që po i sjell

vetë ndërtimit të jetës së re mbi botë.

“Zoti ma ka dhënë zërin”

“Çil njat zemër plot kujtime…
Aaaaa, atë këngë e dua shumë, shumë! – ma kthen.

Ju lidh me ndonjë kujtim të veçantë? – provoj të ndez bisedën ndërsa ajo ndez cigaren, zë të flasë qetë, me zë paksa të shterur:

Jo jo nuk kam ndonjë kujtim të veçantë, por e dua, se më është përshtatur, e kam kënduar me shumë emocion! Në cilat vite? Eeh, unë datat nuk i mbaj mend, se kurrë nuk kam menduar që datat do t`më vyejnë, nuk kam menduar kurrë se unë paskam bërë një punë shumë të madhe, kjo është arsyeja e vetme, pse, vërtet nuk i mbaj mend. Për punën që kam bërë, Zoti ma ka dhënë zërin. Kam dalë në skenë, kam kënduar dhe jam kthyer në shtëpi. Këto kanë qenë të vetmet momente të jetës sime kur kam menduar në këngën, jo ta interpretoj, se ndryshe është kur ti del para publikut dhe do ti tregosh – ja si këndoj unë, por unë kam kënduar nga shpirti, kurrë skam menduar as si po dukem, as ç’kam veshur. Gjithmonë kam pasur emocione të mëdha, tremë, porse kurrë nuk kam bërë ndonjë ‘kiks’. Veçse një gjë e them, kur kam dalë në skenë unë kam pasur një fuqi mbinjerëzore! Si e tek, as vetë nuk e di….Nexhmije Pagarusha

Marrë nga libri “Ecje nëpër kujtesë” – bashkëbisedim mes Sanije Gashit dhe Bilbilit të Këngës Shqipe – Nexhmije Pagarushës.

Artisti italian Ettore Favini vë në pikëpyetje identitetin e kosovarëve

Me ardhjen e Pavarësisë së Kosovës, me 17 shkurt të vitit 2008 dhe kësisoj edhe me formimin e një shteti me tërë komponentët e tij, në opinionin publik nisi të qarkullonte ideja se pasi Kosova u bë shtet, tash duhej të flitej edhe për Kosovën si komb.

Çdo shtet duhet ta ketë edhe kombësinë. Artisti Ettore Favini shpalosë një inspirim të tillë në konceptin e punës artistike të cilën e ka sjellë në Prizren.

Gjithçka po ndodhë në kuadër të Autostrada Biennale – një Bienale arti e cila duket se kësaj radhe ka qëlluar në shenjë me edicionin debutues, me vepra e artistë të ndryshëm. Favini, një prej artistëve pjesëmarrës, vjen me një instalacion mbi simbolizmin kosovar.
Në fakt – “Simbolizmi Kosovar” është emri i punës së artistit italian.

Ai ka zgjedhur të punojë me atë që ai e quan element dekorativ që prezanton edhe sferën kolektive, por edhe atë personale: qilimin.

“Qilimi është hapësirë dhe vend i privatësisë shtëpiake, vend ku edhe shkëmbehen mendime. Qilimi është hapësirë pa kufi ku përfaqësohen simbole të përbashkëta. Ideja ime me punën në Prizren është që të krijoj një punë të hapur, ku audienca mund të bëhet vetë autore, të përfshihet në zgjidhjen e simboleve” tregon artisti.

Një pyetësor tenton të marrë mendime njerëzish për një identitet të ardhshëm kosovar, bazuar në memorien kolektive, të ardhmen dhe peizazhin. Ai e ka kuptuar se fakti që kosovarët janë vend i izoluar dhe në nevojë për viza udhëtimi, kjo paraqet problem edhe në krijimin e një identiteti, në të cilin zë vend më pas ndjenja kombëtare e ajo shtetërore, shkruan KultPlus.

Favini ka lindur në Kremones të Italisë në vitin 1974. Ai cakton përvojën e dëgjimit të tregimeve “të vogla” për të ushqyer veprat që përcaktojnë marrëdhëniet mes njerëzve dhe mjedisit të tyre. Kujtesa, të dyja – individuale dhe kolektive, është shpesh në qendër të një rruge që lëviz nga burime autobiografike të frymëzimit drejt temave universale, si koha dhe ekzistenca. Puna e tij, e cila priret të jetë specifike për vendin, zhvillohet përmes një procesi të gjatë rritjeje, që i bënë ato organizma të gjallë, pa përfunduar realisht kurrë: pajisjet e hapura të vizionit në çikrik, në të cilën puna merr pjesë në jetë, duke e bërë shikuesin pjesëmarrës aktiv.
Çmimi Artegiovane nga Dhomat e Tregtisë së Milanos dhe Torinos (2005) dhe Çmimi prestigjioz në Nju Jork nga Universiteti i Kolumbias (2007), janë në mesin e çmimeve që artisti ka marrë. / KultPlus.com

Manushja, virgjëresha e përbetuar shqiptare në librin e shkrimtares franceze

Ka kohë që është inspiruar nga shqiptarët dhe kufijtë me të cilët ata rrethohen.

Shkrimtarja franceze Emmanuelle Favier është fokusuar në virgjëreshat e përbetuara shqiptare për librin e saj “Le courage qu’il faut aux rivières”.

Romani i parë i shkrimtares merret me Manushen, gruan e cila vendosë të jetojë si mashkull, përgjithmonë, për shkak të rrethanave familjare dhe mentalitetit patriarkal shqiptar. Manushja pi sikur një mashkull, tymos si një mashkull, jeton si një mashkull. Fshati e çmon sakrificën e saj, ndërsa ajo gëzon respekt të veçantë.
45 vjeçarja Manushe jeton në monotoni derisa paraqitet në jetën e saj Adriani, një i huaj për fshat.

Culturebox ka shkruar për librin i cili në 224 faqe vë në pikëpyetje gjininë, dëshirën seksuale, dëshirën njerëzore për pasion, jetën e këtyre grave që kthehen në burra dhe mbijetojnë në një shoqëri me kode burrash.
“Ky është roman lirik, sensual dhe plot befasi brenda tij” shkruan Culturebox për librin e francezes, e cila tanimë po e promovon romanin në pjesë të ndryshme të Francës. Romani tanimë është nominuar për dy çmime letrare franceze: Talents Cultura dhe “Envoye par la poste”.

Pak më vonë në KultPlus do të lexoni një intervistë të shkurtër me shkrimtaren Emmanuelle Favier. / KultPlus.com

Ballina: Qamile Stema – Dailymail

Në mundsh…

Poezi nga Rudyard Kipling.
Përktheu Robert Shvarc

Në mundsh ta ruash arsyen, kur bota humbet fillin
e fajin ty ta hedh dhe vetes t’i besosh,
sa herë tek ti dyshojnë e s’të përfillin
por edhe dyshimet drejt t’i gjykosh…

Në mundsh të rrish në pritje, nga pritja pa u lodhur,
e, kur t’urrejnë, urrejtje mos t’ushqesh,
madje, ndaj shpifjeve të rrish pa folur,
me thjeshtësi, me to pa rënë ndesh…

Në mundsh t’mendosh, por jo gjer në shkatrrim,
të ëndërrosh, por jo si rob ëndërrimesh,
dhe t’i trajtosh njëlloj e pa dallim
ngadhnjim e shpartallim burim mashtrimesh…
Në durofsh dot thëniet e tua të drejta
në kurthe për trutharët, kopuket që t’i kthejnë,
t’i shohësh të thyera gjërat më të shtrenjta
e prapë t’i ndërtosh me vegla që nuk vlejnë…
Në mundsh fitoret që ke korrur t’i flijosh
si në kumar, në një të vetme lojë,
të rrezikosh, të humbasësh e prapë t’ia fillosh,
dhe humbjen kurrë të mos e zesh në gojë…

Në i detyrofsh dot muskul, nerv e puls e zemër
të të shërbejnë edhe kur gjithçka duket e kotë,
e të qëndrosh kur s’ke asgjë më veç vullnetit,
që vetëm fjalën “Qëndro!” gjithmonë të thonë…
Në mundsh të flasësh me maskarenj, por nderin tënd ta ruash
e t’ecësh përkrah mbretit pa krenari që të verbon…
Nëse armiku apo miku s’të bëjnë dot të vuash,
dhe gjithkend e çmon, por veç sa meriton…

Në mundsh t’i mbushësh ti minutat aq të rënda
me vepra që peshojnë
dije dhe mos kij asnjë dyshim,
se jotja do të jetë Bota, me ç’ka brenda,
dhe NJERI do të jesh, o biri im!

Ministrja Dumoshi takohet me drejtuesit e Festivalit DokuFest

Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, ka pritur sot në takim drejtuesit e Festivalit Ndërkombëtar të Filmit Dokumentar dhe të Shkurtër DokuFest, Veton Nurkollarin, Nita Deden dhe Eroll Bilibanin, me të cilët bashkëbisedoi për ecurinë e edicionit të fundit të DokuFest-it, si dhe perspektivën e këtij festivali të rëndësishëm për Kosovën.

Drejtuesit e DokuFest-it e falënderuan ministren Dumoshi për pritjen dhe përkrahjen që i ka dhënë këtij festivali.
Ministrja Vlora Dumoshi i falënderoi drejtuesit e DokuFest-it për punën e madhe që po bëjnë për afirmimin e kulturës së Kosovës, dhe u shpreh se rrugëtimi i DokuFest-it ka një rëndësi të veçantë dhe domethënëse për shtetin e Kosovës.

Po ashtu, në këtë takim ndërmjet ministres Dumoshi dhe drejtuesve të DokuFest-it u bisedua edhe për përgatitjet që po bëhen për shënimin dhjetëvjetorit të Pavarësisë së Kosovës vitin e ardhshëm./ KultPlus.com

Mirela Kumbaro takon pesë fituesit e Fondit për Krijimtarinë Letrare për të Rinj (FOTO)

Mirela Kumbaro-ministre e Ministrisë së Kulturës së Shqipërisë, u takua sot me pesë fituesit e Fondit për Krijimtarinë Letrare për të Rinj, shkruan KultPlus.

Saimir Muzhaka, Manjola Nasi, Eris Rusi, Elona Çuliq dhe Belfjore Qose janë pesë fituesit e sivjetmë të këtij fondi, ku në këtë takim Kumbaro, premtoi se ministria të cilën ajo udhëheq do të vazhdoi edhe më tutje ta mbështes këtë program, bashkë me të tjera programe të dedikuara për lexim.

“Çfare kenaqesie sot qe u njoha me 5 fituesit e Fondit per Krijimtarine Letrare per te Rinj, Manjola Nasi, Saimir Muzhaka, Belfjore Qose, Eris Rusi, Elona Çuliq. Autore te poezise, prozes se shkurter e prozes se gjate, qe japin shprese e besim se Letersia shqipe e ka rrugen e gjate. Ky eshte nje program qe Ministria e Kulturës do te vijoje ta mbeshtese ne vitet ne vazhdim bashke me te tjera programe te dedikuara per Leximin. Urime dhe pune te mbare autoreve! Pershendetje Lexuesve qe se shpejti do te kene ne dore 5 libra te rinj e me vlere! Takohemi për një LIBËR”, ka shkruar në rrjetin social Facebook Mirela Kumbaro./ KultPlus.com

Filmi shqiptar ‘Black Man’, në garë për çmim në festivalin e Egjiptit

Film “Black Man” me skenar dhe regji nga Gentian Selo vjen si një tjetër prodhim kinematografik shqiptar. Edhe pse filmi nuk është shfaqur ende për publikun shqiptar, ai do të jetë në garë për çmimin e madh në “Alexandria Mediteranean Film Festival”, që zhvillohet në qytetin e Aleksandrisë të Egjiptit. Ky festival këtë vit është në edicionin e tij të 33 dhe është një nga më të vjetrit në Evropë e gjithashtu është një nga dy festivalet më të rëndësishëm të Egjiptit. Festivali zhvillohet në muajin tetor, ndërsa më pas do të ketë dhe premierën për publikun në Tiranë. Rolet në filmin e tij regjisori ia ka besuar aktorëve si Klevis Bega, Jaho Guma, Julinda Emiri, etj. Personazhi kryesor në film është, Noeli vëlla i vajzës dhe që interpretohet nga aktori Klevis Bega. Aleksi është i dashuri i vajzës dhe që interpretohet nga Jaho Guma, Nayade është vajza që interpretohet nga Julinda Emiri në filmin “Njeriu i Zi”. Skenaristi dhe regjisori i filmit Gentian Selo vjen në këtë intervistë për gazetën “Standard” për të na folur dhe për na njohur më shumë rreth filmit “Black Man” dhe si ka arritur në Festivalin e Filmit në Egjipt.

Filmi “Black Man” do të jetë në garë për çmimin e madh në “Alexandria Mediteranean Film Festival”. Si ka arritur ky film deri në Egjipt?

Thjesht hyra në linkun e festivalit dhe bëra aplikimin dhe direkt mbas dy javësh më kthyen përgjigje: që e kanë pranuar në garë në kompeticionin e filmave me metrazh të gjatë për çmimin e madh. Përgjigja ishte shumë e shpejt dhe shumë kohë para festivalit, gati katër muaj dhe u kënaqa me të vërtetë shumë për arsye se mendova që vërtetë është pëlqyer. Më vonë u binda pasi pash që bordi drejtues i festivalit përbëhet nga shkrimtarët më me emër të Egjyptit dhe të them të drejtën une mendoj se skenari është pika më e fortë e këtij filmi.

Na tregoni diçka rreth filmit, subjekti i tij dhe si ka lindur idea për ‘’Black Man’’?

Ngjarjet zhvillohen në Tiranë dhe fillojnë me një çift që njihen e dashurohen, por papritur në jetën e tyre përfshihet dhe vëllai i vajzës që shfaqet si një person shumë karizmatik, por njëkohësisht edhe shumë mistik. Dhe kështu të tre sëbashku dalin nëpër qytet duke u argëtuar e duke bërë humor pafund, por një ditë me diell e gjithë kjo marrëdhënie e thellë mes tyre përfundon në mënyrën më të paimagjinuar të mundur.
Ndërsa idea lindi kur po shihja një dokumentar në divanin tim i shtrirë me qafën shtrembër e me njerën këmbë në tokë, por papritur tema më përfshiu thellë dhe u drejtova, u pozicionova dhe pakuptuar u hipnotizova. Ishte një dokumentar për “vrimat e zeza” të hapësirës” dhe mbasi dokumentari përfundoi realizova në mendjen time skenën kryesore , por që përket dhe me skenën finale të filmit.

Kur jeni ulur për herë të parë që e keni shkruar skenarin e tij dhe kur është finalizuar?

Kam filluar ta shkruaj skenarin në vitin 2006 në Firenze të Italisë, kur isha në shkolle dhe studioja për skenarist filmi dhe mbas tre muajve e përfundova.

Si është bërë përzgjedhja e aktorëve që interpretojnë në këtë film?

Aktorin kryesor Klevis Bega ma prezantoi një miku im dhe Klevisi mbasi lexoi skenarin më tha: Që unë këtë rol dua ta bëj dhe do më ngeli peng nëse nuk ma jep këtë mundësi. Me tipin që ka dhe me përkushtimin që më premtoi, me bindi dhe e zgjodha pa i bërë as ‘kinoprovën’. Ndërsa dy aktoret e tjerë Jaho Guma dhe Julinda Emiri i zgjodha nga studentet e Akademisë së Arteve, por kësaj radhe duke i bërë kinoprovën.

Pse titulli “Black Man’’?

Këtë nuk mund ta them për arsye se çdo ‘frame’ i filmit është bërë për të sqaruar këtë enigmë dhe do doja që të mbeteshe e tillë për spektatorët deri në fund të filmit.

Kur do ta ketë mundesinë publiku shqiptar për ta parë?

Besoj në mars të vitit ardhshëm filmi do ketë përfunduar rrugën e festivaleve dhe rreth kësaj periudhe do bëhet dhe premiera në Tiranë.(Intervista është realizuar nga Irini Meçe)/ KultPlus.com

Kush u vesh më bukur në MTV Video Music Awards 2017

Mbrëmjen e djeshme u mbajt ndarja e çmimeve muzikore “MTV Video Music Awards” në Kaliforni, e u drejtua nga këngëtarja e hitit “Feels”, Katy Perry.

Por vëmendjen më të madhe të kësaj ceremonie çmimesh, e merr edhe veshja e personazheve VIP, transmeton VisionPlus.

Vogue ka renditur 9 personazhet që ishin veshur më mirë:

Katy Perry, Paris Jackson në Christian Dior, Millie Bobby Brown zgjodhi Rodarte dhe këpucët Stuart Weitzman, Pink, Cazzie David dhe Pete Davidson, Yara Shahidi zgjodhi Zimmermann, Alessandra Ambrosio në Balmain, Hailee Steinfeld në Atelier Versace dhe Nicki Minaj./ KultPlus.com

“Qamil Grezda, grabitqari i bukurisë së natyrës… 1917-1992”

Sytë e saj dallojnë lehtë ndrojtjen, në portretin ku piktori është kujdesur të mos humb asgjë ndjesi. Një grua e plotë me jetën që duket që I lexohet në fytyrë. Kjo është vetëm një prej tablove të Qamil Grezdës, një prej piktorëve të njohur para viteve 90-të. Artisti do të rikthehet në Galerinë Kombëtare të Arteve më 31 Gusht ora 19:00, me ekspozitën “Qamil Grezda, grabitqari i bukurisë së natyrës… 1917-1992”. Ekspozita e cila hapet në sallën e përkohshme të ekspozitave është një dedikim me rastin e 100 vjetorit të lindjes së artistit dhe përmbyll kalendarin e aktiviteteve në këtë kuadër.

E kuruar nga Oltsen Gripshi, ekspozita “Qamil Grezda, grabitqari i bukurisë së natyrës… 1917-1992”, do të prezantojë një koleksion të pasur prej 55 veprash. Midis tyre janë tablo në teknikën e vajit, 9 nga të cilat pjesë e fondit të GKA, vepra në teknikën e pastelit dhe vizatime në letër, të cilat zënë një pjesë të rëndësishme në ekspozitë. Përmes retrospektivës, por edhe veprave të paekspozuara më parë, vizitorët do të mund të njohin disa aspekte të jetës dhe rrugëtimit artistik të Qamil Grezdës.

Krahas artit të Grezdës, në sallë do të shfaqen edhe objekte origjinale të vetë artistit si: xhaketa, apo kapelet të cilat mbante kur pikturonte në natyrë, kavaleti, dy tavalocat, valixhja me penelat e bojrat, fotografi të piktorit gjatë periudhës së studimeve, diploma e Akademisë së Arteve të Bukura në Romë, letërkëmbimet mes tij dhe artistit të madh Ibrahim Kodra, video e vizitës së Ibrahim Kodrës në shtëpinë e Qamil Grezdës pas vdekjes së këtij të fundit, blloku i vizatimeve dhe skicave, qysteku në ar të cilin e mbante me vete kudo ku shkonte, ditari vetjak dhe maska në allçi e piktorit fill pas vdekjes së tij. Krijmatria artistike e piktorit Qamil Grezda karakterizohet në tërësinë e saj në leximin horizontal pikërisht nga ndikimet historike të pikturës së peizazhit italian të fund shekullit të XIX-të. Ndikime të cilat artisti i huazoi falë studimeve që kreu në akademitë e arteve të bukura në Firence dhe “San Luca” të Romës, në gjysmën e parë të shekullit të XX-të. Për piktorin Grezda ndikimi nga piktura italiane dhe mjeshtrat e saj ishte i pashmangshëm dhe kjo ndjehet si në modelimin akademik të gjinisë së portretit, figurës, si dhe makiaioliste të peizazhit në veçanti, që më pas do të shkruante emrin e tij me gërma të arta në plejadën e artistëve shqiptar, shkruan GSH.

“Një frymë, e cila në rrafshin historik gjen shumë elementë të përbashkët me pikturën e peizazhit napoletan të viteve 1800 të shekullit XIX-të. Kur përmend këtë periudhë të pikturës napoletane dhe në tërësi të asaj italiane, kam në mendje Scuola di Posillipo[it] (Shkolla e Pozilipos). Në të vërtetë stili piktorik i Qamil Grezdës gërsheton tri mendësi, tri fryma artistike stilistikore atë të Macchiaioli[it] (Makiaiolëve), Scuola di Posillipo (Shkollës së Pozilipos) dhe Divisionismo[it] për t’u prezantuar më pas me publikun përmes një personaliteti të tij krejt original”, shprehet Gripshi. Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri më 10 shtator 2017./ KultPlus.com

‘New Rules’ e Dua Lipës në Video Music Awards 2017 (VIDEO)

Mbrëmë në Inglewood, Kaliforni u mbajt MTV Video Music Awards 2017.

Në këtë mbrëmje tejet të madhe muzikore gjatë ceremonisë lëshohej kënga ‘New Rules’ e këngëtares me prejardhje kosovare Dua Lipa, shkruan KultPlus. Kjo gjë është bërë e ditur përmes rrjetit social Twitter, nga fansat e këngëtares të cilët kanë publikuar një video teksa dëgjohet kënga e Duas në VMA.

Ndërkohë në VMA, ka marrë pjesë këngëtarja tjetër me prejardhje shqiptare Bebe Rexha, e cila është komentuar shumë për veshjen e saj./ KultPlus.com

Bebe Rexha mahnitëse në VMA 2017-të (FOTO)

Bebe Rexha mori pjesë në MTV Video Music Awards 2017 në The Forum mbrëmë më 27 gusht në Inglewood, Kaliforni, shkruan KultPlus.

Ajo që la shumë përshtypje me këtë pjesëmarrje të Rexhës, ishte fustani i saj ‘LaBourjoisie’, ku nga mediet u cilësua si ‘bomba bjonde’. Përveç medieve Bebe Rexha u komentua edhe nga stilistët e ndryshëm.

“Kur e pamë këtë, e kishim një ndjenjë të një glami të vjetër të Hollivudit”, tha ndër të tjera stilisti Maeve Reilly, shkruan Billboard./ KultPlus.com

Ermonela Jaho me rolin kryesor të operës ‘La Traviata’ në Argjentinë

Me rolin kryesor të një prej operave më të famshme të Giuseppe Verdit, sopranoja shqiptare me nam botëror, Ermonela Jaho do të ngjitet në skenën e “Teatro Colón”.

Në një prej shtëpive më të mëdha operistike që ndodhet në Buenos Aires të Argjentinës, Jaho do të interpretojë rolin e Violetta Valery, personazhit kryesor të operës “La Traviata”, shkruan sot “Koha Ditore”.

Në uebfaqen zyrtare të “Teatro Colón” janë publikuar datat e shfaqjes së operës, bashkë me një përshkrim për të. Jaho do të ngjitet në skenën e shtëpisë operistike që është radhitur prej më të mirave në gjithë botën nga “National Geographic”, më 12, 15, 17 dhe 19 shtator.

“La Traviata” është një histori dashurie, ku bashkë me të vjen edhe sakrifica dhe keqkuptimet dhe konsiderohet si një prej operave më të njohura dhe vlerësohet për personazhet komplekse./ KultPlus.com

Zojusha qi njoh vetë

Poezi e shkruar nga Erenestina Gjergji Halili.

Zojushë
e t’hollueme për birë t’gjylpanës,
lagun,
sysh si peni me hi n’ të,
bishë,
gulfon n’at grykë t’veten,
flen gjindja,
ban natë, kjân’ bish’ e tretun.
Zojushë
në at’ korp pė i dredhun,
dridhë
si peni zemra mbetun,
qepë
gjilpana at’ buzë mshelun,
kjân’e flen’
bishë në at’ mall pa dvetun.
Zojusha qi njoh vetë.

Flaka Jahaj, stilistja që me kërrabëzat kosovare pushtoi sfilatat botërore (VIDEO)

Stilistja zvicerano-shqiptare e njohur në Zvicër, Flaka Jahaj, ka depërtuar në tregun e modës zvicerane duke u frymëzuar me traditën e punës së dorës së nënave shqiptare.

Koleksionet e saj tashmë kanë depërtuar në tregun e modës zvicerane, madje ajo vlerësohet si një nga kreatoret më të mira të këtij shteti, duke fituar vendin e parë në “Swiss Design Awards 2014”. Albinfo.ch ju sjell video-portretin e Flakës që në modën e lartë zvicerane ka arritur ta shndërrojë trashëgiminë e veshmbathjes shqiptare nga konteksti tradicional, në vepër artistike të modës bashkëkohore.

Albinfo.ch vazhdon me prezantimin e gjashtë video-portreteve të para të realizuara me pjesëtarët e diasporës kosovare.
Që tani e tutje do të zbuloni profilet e sipërmarrësve nga diaspora kosovare në Zvicër dhe gjetkë në Evropë, të cilët kanë nisur projekte inovuese dhe me vlerë të shtuar në Kosovë.

Projekti “Storie suksesi” synon të prodhojë dymbëdhjetë video-portrete të emigrantëve ose ish-emigrantëve kosovarë, të cilët kanë ndërmarrë iniciativa të pazakonta në favor të zhvillimit të qëndrueshëm të vendit të tyre të origjinës. Bëhet fjalë, pra, për kosovarët e diasporës që kanë përfituar nga arritjet e tyre në Zvicër apo në vende të tjera të Evropës për të nisur projekte origjinale ekonomike, shkencore, kulturore apo socio-politike në favor të Kosovës. Nëpërmjet këtyre portreteve ne mund të kuptojmë më konkretisht ndikimin që diaspora kosovare mund të ketë në prosperitetin e shtetit të Kosovës.

Kjo qasje pozitive e projektit “Storie suksesi” synon të influencojë vendimmarrësit në Kosovë dhe në rajon, në mënyrë që të jenë më të vetëdijshëm për potencialin që ka diaspora në modernizimin e vendit. Ky projekt gjithashtu synon të promovojë shembuj të suksesshme, duke ngritur vetëdijen dhe duke nxitur anëtarët e tjerë të diasporës të ndërmarrin iniciativa të ngjashme, pasi që Kosova është e mbushur me mundësi për investime ekonomike.

“Storie suksesi” i përgjigjet një nevoje prioritare sa i përket përpjekjeve për të krijuar mekanizma të qëndrueshëm dhe institucionalë në transferimin e njohurive në Kosovë. Më konkretisht, transmetimi gjatë gjithë vitit të këtyre video-portreteve ka për qëllim të theksojë projektet që kanë efekte direkte ose indirekte në Kosovë.

Ky projekt është hartuar pas një reflektimi afatgjatë dhe është ndërtuar me një qasje moderne dhe dinamike. Ai është i pasuruar nga një shumëllojshmëri vendesh xhirimi në Kosovë, Zvicër dhe vende të tjera perëndimore. Intervistat e ndryshme janë kryer me bashkëbisedues dhe dëshmitarë të drejtpërdrejtë. Gjithë kjo punë sjell një komponent të rëndësishëm informacioni në marrëdhëniet e diasporës me vendin e origjinës./ KultPlus.com

Historia e divorcit të Dianës nga princi Çarls

Më 28 gusht të vitit 1996, princi i Uellsit, Çarls dhe princesha e Walesit, Diana janë divorcuar. Diana ishte vetëm 19 vjeç kur u fejua me Çarlsin, në vitin 1981, por martesa u rrënua. Diana fajësonte Kamila Parker Boules, të dashurën e Çarlsit, e cila më pas u bë bashkëshortja e tij.

Në një dokumentar të transmetuar në Channel 4, shihen imazhe të saj që flet për martesën gjatë seancave private të regjistruara me një këshilltar mbi fjalimet në publik.

Në regjistrime, Diana flet edhe për jetën e saj seksuale me Çarlsin. Ish-truproja e saj personale, Ken Uarf, i cili shfaqet në dokumentar, thotë se princat Uilliam dhe Herri nuk do të shqetësohen aspak nga dokumentari.

“Ata do të shohin të ëmën të gjallë, plot humor, si një njeri normal dhe të dashur. Dhe kjo është ajo që Diana tregon në këto regjistrime”, shprehet Uarf, përcjell 21media.

Diana, gruaja e parë e trashëgimtarit britanik të fronit, u nda nga jeta në moshën 36-vjeçare, në Paris, më 31 gusht 1997, pasi makina në të cilën ajo po udhëtonte bashkë me të dashurin Dodi al-Fayed u përplas në një tunel, ndërsa përpiqej t’i largohej paparacëve që po i ndiqnin me motoçikleta./ KultPlus.com