Letër presidentit Thaçi: Mbi dekoratat presidenciale dhe të merituarit që mungojnë

I dashur President, z. Hashim Thaçi

I vetëdijshëm për mundësitë e mëdha që kjo letër të mos arrijë fare te Shkëlqesia Juaj, që në fillim dua t’i sqaroj dy gjëra, për të cilat mund të kritikohem potencialisht: 1. Si qytetar i Kosovës dua të besoj që listën e të dekoruarve nuk e keni hartuar vetë, pasi në një rast të tillë do të isha edhe më i shqetësuar seç jam tash, sepse nuk besoj se Ju e keni kohën e mjaftueshme për t’u marrë me përpilime listash. E së këndejmi, jam i prirë të besoj se listën e ka(në) përpiluar një (a disa) këshilltar(ë); 2. Nuk e kam hallin tim, edhe pse në atë listën e gazetarëve e shoh veten goxha lart, për plot arsye.

I nderuar z. President i Republikës së Kosovës

Tani, unë do të merrem me listën e gazetarëve dhe të njerëzve të kulturës që Ju keni harruar t’i dekoroni në jubileun e parë të shpalljes së pavarësisë së Kosovës, që nuk është imja më pak seç është Juaja. Duke mos dashur ta kontestoj asnjë nga emrat që janë dekoruar, pasi konsideroj se secili në mënyrën e tij ka dhënë një kontribut, qoftë edhe duke vozitur veturat me gazetarë, apo duke përkthyer për gazetarë të huaj, dua t’jua bëj me dije lëshimet e rënda që ka kjo listë. Nëse flitet për gazetarë të Kosovës apo që kanë kontribuar për lirinë dhe pavarësinë e saj, z. President, e kam të vështirë ta kuptoj mungesën e Enver Malokut. Këshilltari a këshilltarët Tuaj mund të mos e kenë ditur se Enver Maloku ka qenë udhëheqës i Qendrës për Informim të Kosovës, një institucion burim informacionesh që çuditërisht mungon në listën e institucioneve mediale të dekoruara. Enver Maloku ka pasë nxjerrë një gazetë të përditshme të mbrëmjes me emrin “Informatori” deri në ditën kur u vra. Enver Maloku u vra si gazetar dhe për shkak të punës së tij. Nuk e keni dekoruar Xhemail Mustafën, i cili më shumë sesa gazetar ka qenë pjesë e politikës, por i ngarkuar me sektorin e informimit. Nuk e keni dekoruar Ibrahim Berishën, si themelues i QIK-ut, Lindita Tahiri –Aliun, Muhamet Hamitin, Hilmi Zogianin e Safet Zejnullahun, nuk e keni dekoruar Bexhet Shalën e Halit Baranin, e dhjetëra aktivistë komunalë që kanë informuar përditë, por edhe i kanë ndihmuar gazetarët e huaj, ndoshta jo duke përkthyer, por duke u ofruar shërbime të tjera logjistike.

I nderuar z. President, roli i radiostacioneve ndërkombëtare që transmetonin në gjuhën shqipe, në situatën e një terri të plotë informativ ka qenë i jashtëzakonshëm. Por, për çudi, në mesin e emrave të të dekoruarve mungon gjiganti i gazetarisë, Elez Biberaj, asokohe shef i seksionit shqip të “Zëri i Amerikës” (i dekoruar me urdhrin Nderi i Kombit në Shqipëri), Adelaide Falke, shefe e radios gjermne “Deutsche Ëelle”. Pastaj, si mund të flitet për gazetarë në Kosovë e të mungojë Besim Abazi, gazetar i BBC-së e pastaj i Zërit të Amerikës. Si mund të harrohet Arbër Vallahiu, asokohe gazetar i Radiotelevizionit të Suedisë, pastaj i Deutsche Ëelle e më pas edhe i BBC-së. Nuk ka guxuar të harrohen as Shefki Morina, e as Ibrahim Osmani. Si u harrua Bahri Cani? E qysh dikush mundet me e harru si gazetar Shaban Buzën. Pastaj, nëse flasim për reporterë të luftës, me ç’rat, me të drejtë keni dekoruar disa prej tyre, si Ju ka shpëtuar emri i Milaim Zekës.

Tash e disa herë po i lexoj listat duke mos besuar që në to nuk është Muhamet Mavraj. Për dijeninë e këshilltarëve Tuaj, Muhamet Mavraj ka qenë kryeredaktor i gazetës Bota e re, pastaj pjesëmarrës i luftës e pas luftës nuk ka pasur asnjë pozitë politike, por ka vazhduar të merret me gazetari, duke e themeluar e mbajtur gazetën Epoka e re, ku janë shkolluar shumë gazetarë të rinj të Kosovës e sidomos studentë të gazetarisë.

I nderuar President, Ju keni harruar fare që gjatë luftës ka ekzistuar “Bota Sot” dhe njerëzit e saj. Kontributi i Milazim Krasniqit, Melazim Kocit e Teki Dërvishit nuk ka guxuar të anashkalohet – Milazim Krasniqi edhe është arrestuar disa herë gjatë viteve 1997 e 1998. I keni dekoruar disa redaktorë të “Zëri”-t, por e keni harruar Haqif Mulliqin, që ka qenë reporter lufte dhe Mufail Limanin, një gazetar e kolumnist konsistent dhe i guximshëm. Më kuptoni drejt, nuk i di prapaskenat politike eventuale – po flas si gazetar i asaj kohe dhe njohës i shkëlqyeshëm i asaj periudhe për të cilën Ju pretendoni t’i keni dekoruar laureatët që unë i përgëzoj për mirënjohjen e marrë. Mirëpo, ndërsa që është dekoruar një dyzinë gazetarësh të mirë të Koha ditore, si u harrua Arbana Vidishiqi, e cila përveç punës në Koha ditore, në vitin 1999 mbajti fjalim në Parlamentin Evropian, si gazetare kosovare dhe sot, për shkak të cilësive të dëshmuara profesionale, është udhëheqëse e Seksionit të Ballkanit në Radion Evropa e lirë, që është radioja më e madhe ndërkombëtare që i dedikohet Kosovës. Ky gabim është i rëndë, z. President.

Është po kaq e çuditshme se si Ju ra emri i Avni Zogianit – ishte po aq gazetar, madje i terrenit.

Nëse e keni dekoruar Blendi Fevziun, me siguri për shkak të emisioneve e intervistave të shumta, si u ka shpëtuar nga lista Adriatik Kelmendi, po aq produktiv, madje laureat i shpërblimeve ndërkombëtare për storie nga lufta e Kosovës. Ndoshta, për me çu nderën deri në fund, Ramiz Kelmendit i ka taku një dekoratë presidenciale, si themelues i parë i shkollës së gazetarisë në Kosovë.

Pastaj, gazetarët dhe redaktorët e RTP-së të angazhuar në emisionin shqip në Radio Zagreb dhe ata në RTSH, udhëhequr nga Migjen Kelmendi. Nuk lihet jashtë Sherif Konjufca, i rrahur gati për vdekje për shkak të punës së tij, Mehmet Haziri, Shaqir Foniqi, Bexhet Baraliu, Violeta Oroshi. Pastaj, njerëzit e Rilindjes, Bujkut, Fjalës Shkëndijës që e mbajtën gjallë informimin pas masave të dhunshme. Nuk mund të lihen jashtë, pra Avni Spahiu, Milazim Krasniqi, Ibrahim Berisha e të tjerë.
Afrim Maliqi, një ndër penat më të mprehta të gazetarisë në Kosovë është vrarë duke qenë gazetar, ndoshta edhe ushtar.

Zoti President, Lista Juaj e të dekoruarve ka plot fotoreporterë, edhe të tillë që s’kanë mundur të mbijetojnë në këtë profesion dhe tash bëjnë punë të tjera, por jo edhe Ilaz Bylykbashi. Fakti që nuk është në këtë listë nuk e bën atë më pak madhështor dhe kontribuues për Kosovën. Fotografitë e tij kanë shëtitur botën. Ai për ato fotografi e ka rrezikuar jetën.

Këshilltari yt a këshilltarët tu mund të kenë qenë të rinj dhe të mos i kenë përjetuar këto periudha, por Lista ka dalë në emër të Presidencës dhe historia e Kosovës nuk nis me asnjërin prej nesh, ndonëse pajtohem se meritat janë të dallueshme. Ata që t’i kanë përpiluar listat të kanë dëmtuar, pasi neve na mbetet hatri te Presidenti ynë e jo te këshilltarët anonimë, që veten mund ta kenë futur në listat e të dekoruarve. Nuk e kontestoj as faktin që ai a ata mund të kenë mendim të lartë për veten dhe mund të mendojnë se kanë qenë edhe gazetarë.

Duke llogaritur se nuk po e harxhoj kohën Tuaj të çmuar, më lejoni t’jua kujtoj se përveç Agim Vincës, Ismail Kadaresë, Din Mehmetit e Rexhep Qosjes, kontributi i të cilëve nuk mund të kontestohet, e keni harruar edhe Ali Podrimjen e Azem Shkrelin, e keni harruar edhe Sabri Hamitin e Rexhep Ismajlin. Kam pritur dhe ende pres që Ali Podrimja ta ketë edhe shtatoren e tij diku në Prishtinë, po nejse. “Kosova është gjaku im që nuk falet është varg i Ali Podrimjes, kjo për dijeninë e këshilltarëve tu.

Se sa joseriozë ishin ata që e përpiluan listën tregon edhe mënyra se si janë shkruar emrat. Valentina Saraçini ka dalë Valentina Saraçi, ndërsa Sylejman Kllokoqi ka dalë Sylë Kllokoqi. E, lista ka dalë në emrin Tuaj, i nderuar z. President.

Shkëlqesi

Unë nuk pajtohem sigurisht me ata që e refuzuan dekorimin nga Ju për arsye politike, por më vjen vërtet keq që të dekoruarit, me përjashtim të Muharrem Nitajt nuk u kujtuan për mungesat, por u mjaftuan me faktin se emrat e tyre janë aty.

Ndonëse zyrtarët e lartë të shtetit nuk praktikojnë të marrin këshilla nga ata që nuk kanë pozita të tilla, me lejoni t’Ju them se nderin më të madh do t’Jua kishte bërë dekorimi edhe i gazetarëve të sotëm. Ata mund të mos kenë kontribuar për çlirimin e Koosvës dhe për pavarësinë e saj ndoshta, pasi thjesht ka qenë fëmijë të shpërngulur në ndonjë nga malet e Kosovës, duke pritur me familjet që Ju t’i shpëtoni, por kontributi i tyre në luftën kundër korrupsionit dhe keqqeverisjes është kontributi më i madh që mund t’i jepet shtetndërtimit të Kosovës, në krye të të cilit proces jeni vetë Ju.

Dhe, krejt në fund, ata që Jua kanë përpiluar listën e të dekoruarve Ju kanë dëmtuar, edhe pse Ju mund dhe keni të drejtë të mednoni ndryshe. E kanë bërë listën joserioze, duke u hyrë në hak edhe atyre që janë dekoruar e që nuk i kontestoj aspak. Do të duhej, prandaj, që urgjentisht të kërkonit përgjegjësi për voluntarizmin me rastin e përpilimit të listës.

Ishte jubileu i parë i shtetit tonë. Urime dhe e paçim Kosovën!

Me respekt
Rrahman Paçarizi

P.S.
U kërkoj falje atyre që nuk kam arritur t’i përmend!

Kisha vdekur… nuk e dija!?

Poezi e shkruar nga Agim Doçi.

Kisha shumë vite që kisha vdekur
Erdhën plot njerëz dhe në varrim
Sa fjalë të bukura që kishin gjetur
I kishin shkruar mbi varrin tim…

Sa turp më vinte, sa më peshonte
Rrasa e varrit me ato fjalë.
Ndonëse parajsa nuk më pranonte
Ndoshta dhe shpirti s’më kishte dalë…

Sa isha gjallë më ndenjën ftohtë
Nuk e kuptoja çfarë kisha bërë
Doja nga njerëzit një fjalë të ngrohtë
Vetëm më iku, jeta e tërë…

Tani që s’jam, mos u frikësoni!
Se larg prej jush vendin e gjeta.
Rri kuvendoj me Perëndinë
Ai s’paska frikë nga e vërteta!

Rozmari Jorganxhi, dirigjentja e parë shqiptare

KultPlus, sjellë disa kujtime nga Rozmari Jorganxhi, dirigjentja e parë shqiptare. Ajo për herë të parë para publikut si dirigjente ka dalë me suitën për kor dhe orkestër “Vullnetarët” të të ndriturit dhe të madhit kompozitorit Tonin Harapi.

Rozmari Jorganxhi ka nisur karrierën e saj që në vitin 1959 si soliste lirike.
“Mezzosoprano” në TOB dhe ka interpretuar me profesionalizëm në nivele të larta role nga operat ndërkombëtare, por edhe ato kombëtare. Nga viti 1967-1984 ajo ka dirigjuar Korin e TOB duke qenë femra e parë dirigjente e këtij institucioni unik të kulturës shqiptare. Më 1993 Jorganxhi në moshën 56-vjeçare fiton audicionin dhe fillon si këngëtare profesioniste në Teatrin Giusepe Verdi të Triestes ku këndoi për 10 vjet. Zonja Jorganxhi ka dhënë dekada mësim në Universitetin e Muzikës duke i dhënë kulturës shqiptare emra artistësh si në fushën e dirigjimit ashtu edhe në atë të kantos.

Rozmari ka lindur në një familje me tradita muzikore nga ana e të atit , “Artistit të Merituar” Gaqo Jorganxhi, i cili këndoi për 65 vjet si solist në qytetin e Korçës, që prej vitit 1920, kur u krijuan shoqëritë e para muzikore në këtë qytet.

Vetë qyteti i Korçës ka nxjerrë artistë lirike si Tefta Tashko Koço, Jorgjie Truja,( e cila ka qenë dhe regjisorja e parë e TKOB), Mihal Ciko, Kristaq Antoniu etj, ( kanë qenë dhe mbeten ikona, qe ngritën themelet e artit lirik në Shqipëri).

Shkoi për studime në Liceun Artistik “Jordan Misja” në Tiranë, ku pati si pedagoge kantoje “Artisten e Popullit” Marie Kraja. Në atë kohë pedagogë kantoje si ajo ishin dhe këngëtarët e parë lirikë si Jorgjie Truja, Gjyzepina Kosturi, Mihal Ciko.

Më pas shkoi për studime në Konservatorin e Moskës për kanto ku ishin: Avni Mula “ Nderi i Kombit”, Mentor Xhemali “Artist i Popullit”,Gjoni Athanas “Mjeshtri i Madh”, Ibrahim Tukiqi “Artist i Popullit”. E vetmja vajzë mes tyre ishte Rozmari që ishte dhe më e reja në moshë, vetëm 15 vjeç!

Në këtë Konservator , sot Akademia e Artit të muzikës, ajo gjeti të ndriturin Lluk Kaçaj “Nderi i Kombit”, Albert Papariston, Maliq Herrin, Çesk Zadenë “Artist i Popullit”, Tish Daijen “Nderi i Kombit”, Dhora Lekën, Hamide Stringën. Për dirigjentë me të kanë studiuar Rifat Teqja “Artist I Popullit”, për dirigjent orkestre dhe Milto Vako “Artist i Merituar” dirigjent kori.

Më vonë erdhën për studime në këtë Konservator kompozitor Nikolla Zoraqi “Artist i Popullit”, këngëtaret si Irena, Gjergo, Luiza Papa, Gjinovefa Heba, Gaqo Çako “Artist i Popullit”. Vazhdoi dirigjimin dhe kanton për 7 vjet duke dalë shkëlqyeshëm. Në vitin 2017, në moshën 80-të vjeçare ajo mori titullin “Mjeshtre e Madhe”./ KultPlus.com

“IDGAF” me 100 milion shikime vetëm brenda një muaji (VIDEO)

Më 12 shkurt është bërë plot një muaj që kur këngëtarja shqiptare, Dua Lipa publikoi videoklipin më të ri të këngës “IDGAF”, shkruan KultPlus.

Tashmë një muaj pas, Dua Lipa ka arritur të mbledh mbi 100 milionë shikime në You Tube. Dua Lipa mbrëmë ka publikuar një fotografi teksa shihet e lumtur për këtë sukses të ri.

“100 milion shikime për IDGAF-it në një muaj!! Woweee”, ka shkruar Dua në Instagram.

Po ashtu kujtojmë se “New Rules” e Lipës e lansuar në korrik deri tani ka mbi 1 miliard klikime vetëm në YouTube, ndërsa suksesi i saj e ka shpallur Dua Lipën si këngëtaren më të dëgjuar në Britani të Madhe vitin e kaluar./ KultPlus.com

Ikona e 10-vjetorit në tri komuna përfundon në mbeturina

Ikona e vendosur në qendër të Ferizajt që simbolizon 10 vjetorin e Pavarësisë së Kosovës, u hodh në mbeturina, kjo u bë me kërkesë të komunës nga kompania ‘Pastërtia’.

Zyrtarë të kësaj kompanie bënë me dije se kjo u bë për shkak se ikonën e dëmtuan tej mase qytetarët.

Një qytetar thotë për klankosova se njerëzit janë mërzit me shtetin, prandaj edhe i kanë shkatërruar simbolet e dhjetë vjetorit të Pavarësisë

“Janë mërzit njerëzit prej vetë shtetin tonë çfarë veprime po bënë, nashta edhe kjo ka ndiku që me e hedhë në bërllok obeliskun”, tha një qytetarë.

Ikonën e 10-vjetorit të Pavarësisë e shkatërruan edhe në komunën e Drenasit, e as policia nuk arriti ta ruaj nga dëmtuesit më shumë se një ditë.

Ikona e ngjashme u hodh në mbeturina edhe në komunën e Gjakovës. /KultPlus.com

The Economist: Si do të duket harta etnike e Shqipërisë, nëse do të copëtohej Ballkani

“The Economist” ka paralajmëruar sot se nëse Serbia dhe Kosova do të shkëmbenin territore, do të shpërthente i gjithë Ballkani. Revista prestigjioze ka publikuar një hartë, që tregon se si do të dukej, sipas saj, Shqipëria etnike, nëse do të copëtohej Ballkani.

“Nëse Kosova dhe Serbia fillojnë bisedime serioze rreth një rivendosje të kufijve të tyre, ndikimi në komunitetet e Ballkanit përveç atyre në pjesët e prekura të Kosovës dhe Serbisë mund të jetë i thellë.

Krerët serbë boshnjakë do të mbajnë një referendum mbi të ardhmen e Republikës Serbe; Kroatët e Bosnjës do të ndiqnin shembullin; dhe boshnjakët pastaj do të luftonin për të parandaluar ndarjen e vendit të tyre të përbashkët”, shkruan “The Economist”.

“Përtej kufirit Serbia do të shtypte nacionalistët boshnjakë në Sanxhak, të cilët ëndërrojnë të përfshijnë atë rajon në një Bosnje të Madhe. Ndërkohë shqiptarët në Maqedoninë perëndimore dhe Malin e Zi do të kërkonin të bashkoheshin me një Shqipëri të Madhe. Përkrahësit e kësaj ideje do të dëshironin gjithashtu të përfshijnë pjesë të Greqisë veriore, ndërsa nacionalistët grekë do të kërkonin një pjesë të Shqipërisë së Jugut”, thuhet më tej në shkrimin e revistës londineze.

“The Economist” ka publikuar një hartë, që tregon se si do të dukej, sipas saj, Shqipëria etnike, nëse do të copëtohej Ballkani./ KultPlus.com

Ndërrohet flamuri në hyrje të Prishtinës

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka autorizuar ministrin e Administratës Publike Mahir Yagcilar, për vendosjen e flamurit Kombëtar Shqiptar në hyrje të qytetit të Prishtinës, më saktësisht të rrethrrotullimi.

Kështu ka bërë të ditur për “Gazeta Blic” një burim i mirinformuar brenda Qeverisë së Kosovës.

Sipas këtij burimi, brenda pak çastesh pritet zëvendësimi i flamurit shtetëror me atë kombëtar. Këtë vendim Kryeministri Haradinaj, e ka marrë sot.

“Gazeta Blic” ka arritur të sigurojë edhe vendimin në fjalë të cilin mund ta shihni më poshtë.

Ndryshe, zëvendësimi i flamurit Kombëtar me atë shtetëror ka ngjallur debat të madh në opinon. Madje disa qytetarë edhe kanë protestuar në shenjë pakënaqësie./ KultPlus.com

Dua merr një urim të veçantë nga YouTube për suksesin e “New Rules”

Dua Lipa i ka përjetuar sukseset më të mëdha në karrierë gjatë vitit 2017 dhe në muajt e parë të këtij viti. Sa u përket këngëve të saj, më e dëgjuara është “New Rules”, e cila tashmë ka kaluar shifrën prej një miliard shikimeve në YouTube.

Në platformën më të njohur të shpërndarjes së videove, klipi i kësaj kënge aktualisht numëron një miliard e 15 milionë shikime.

Ndërsa këto ditë, Dua ka përjetuar një befasi të këndshme duke parë sukseset e saja në monitorët gjigantë reklamues në rrugët e Londrës.

“Një miliard shikime, po i numërojmë. Urime, Dua Lipa”, shkruante në urimin e YouTube dedikuar këngëtares shqiptare.

“Befasia më e çmendur! Duke shkuar në provat e mia për ‘Brit Awards’, e pash këtë… në të katër anët”, ka shkruar 22-vjeçarja në Instagram duke shprehur falënderimin e saj.

Ndërsa në një video të publikuar në InstaStory, dëgjohet këngëtarja e habitur duke thënë: “O Zot, faleminderit YouTube”.


Këngëtarja shqiptare me famë botërore udhëheq nominimet për edicionin e sivjetmë të Brit Awards me pesë nominime, duke përfshirë edhe garën për albumin më të mirë.

Ajo konkurron edhe në kategoritë për këngëtaren më të mirë, videoklipin më të mirë, depërtimin më të madh britanik dhe këngën më të mirë.

Ceremonia e sivjetme e Brit Awards zhvillohet më 21 shkurt dhe shqiptarët do të kenë shumë arsye për ta ndjekur.

Ndërhyrje dhe projekt përforcues në Kalanë e Gjirokastrës

Kalaja e Gjirokastrës së shpejti do të ketë një ndërhyrje përforcuese.

Ministria e Kulturës, Mirela Kumbaro, siç raporton ATSH, inspektoi situatën së bashku me arkitektin Agron Doraci, një prej ekspertëve që ka ndërhyrë në kala vite më parë.

Gjatë inspektimet u pohua se çarjet në muret juglindore janë thellim i atyre të shfaqura vite më parë, dhe nuk e rrezikojnë kalanë e Argjirosë në Gjirokastër për momentin.

Për specialistët që shoqëronin ministren, çarjet në muret e anës juglindore të kalasë së Gjirokastrës janë të vjetra, por lëvizjet tektonike dhe reshjet e shiut të muajve të fundit kanë ndikuar që ato të thellohen. Ministrja Kumbaro, pas këtij inspektimi u shpreh se situata po mbahet nën monitorim të vazhdueshëm.

“Inxhinierët janë duke punuar për të bërë projektin qoftë gjeologët, qoftë restauratorët, për të parë sesi do të ndërhyhet për fortifikimin dhe të parandalohet çdo avancim i mundshëm i këtyre krisjeve që nuk janë të reja e theksoj. Janë çarje të vjetra të viteve ’60”, tha ministrja Kumbaro.

Gjirokastra historike dhe mitike

Gjirokastra që ndryshe njihet edhe si qytet muzeal apo “qyteti i gurtë” është ndër të parat të pranuara në UNESCO. Arkitektura është një nga karakteristikat e veçanta, por simbol kryesor për këtë qytet është Kalaja e Argjiros.

Kalaja ka një sërë pikash atraktive, të cilat do të mund të vizitohen, dhe për të cilat duhen orë të tëra. Kalaja e Gjirokastrës, një nga monumentet më të rralla të këtij lloji, ka pësuar ndryshime dhe zgjerime. Pas pushtimit osman, në fund të shekullit XIV, u bënë përmirësime të gjera nga sulltan Bajaziti II rreth vitit 1490. Nga viti 1811, Ali Pashë Tepelena shtoi shumë elemente, duke përfshirë Kullën e Sahatit në anën lindore. Ai përfundoi fortifikimin e zonës së greminës dhe ndërtoi ujësjellësin e Sopotit, që sillte ujin në kala rreth 12 kilometra larg.

Me të hyrë brenda, janë të ekspozuar një numër topash, të cilët janë pjesë e galerisë së topave, artileri këto që kryesisht janë braktisur apo u janë kapur forcave të pushtuesve nazistë nga Lufta e Dytë Botërore. Në fund fare të kësaj galerie gjendet edhe një tank italian, i prodhuar nga “Fiati” në mes viteve 1941-1943.

Muzeu Kombëtar i Armëve, pjesë e së cilës është edhe Galeria e Topave, është një pasuri tjetër kombëtare, i cili në koleksionin e tij përmban armë nga lashtësia dhe deri te lufta e partizanëve.

Në këtë kështjellë, rrënjët e së cilës datojnë që nga shekulli i 4-të para erës sonë, në kohë të Pirros së Epirit, ekziston edhe Muzeu, që njëherësh njihet edhe si Galeria “Gjin Zenebishi”, e në të cilën rrëfehet historia e Gjirokastrës, duke filluar që nga vendbanimet parahistorike dhe deri në periudhën kur qyteti bëhet një qendër e rëndësishme administrative e Perandorisë Osmane dhe më pas vendlindje e shkrimtarit të njohur Ismail Kadare, e diktatorit komunist Enver Hoxha, etj.

Aty gjithashtu tregohet historia e lokaliteteve arkeologjike, që shtrihen në luginën e Drinos.Nga muret e kalasë së Gjirokastrës shpaloset një peizazh mahnitës i të gjithë luginës së lumit Drino dhe maleve përreth.

Legjenda e Argjirosë

Kështjella njihet dhe me emrin kalaja e Argjirosë. Princesha Argjiro mendohet të ketë qenë sundimtarja e qytetit të Gjirokastrës gjatë shekullit XIV. Ajo ishte e martuar me princin e këtij qyteti. Princesha Argjiro luftoi me turqit kur ata rrethuan kalanë e Gjirokastrës. Megjithatë, turqit e morën Gjirokastrën me tradhti. Prandaj princesha Argjiro për të mos rënë e gjallë në duart e turqve, u hodh nga kulla më e lartë e kalasë bashkë me djalin e saj foshnje.

Ajo ra mbi një shkëmb por djali i saj mbeti gjallë dhe për ta bekuar filloi të pikoj qumësht. Sipas legjendës thuhet se foshnja mbeti gjallë nga guri që pikonte qumësht. Legjenda thotë që emri i Gjirokastrës vjen pikërisht nga emri i princeshës./ KultPlus.com

Librat që Tolstoy i propozon për secilën moshë të jetës

Pas ditëlindjes së 50-të, Leo Tolstoy vendosi të distancohej nga të gjithë dhe të provonte të gjente kuptimin e jetës.

Shkrimtari që solli në jetë personazhet e ndryshme artistike, dikur e humbi veten.

Në moshën 63 vjeçare, në një letër dërguar një miku, Tolstoy e përmblodhi një listë të librave që sipas tij janë mundësi e mirë për njeriun të jetë i lumtur, duke lexuar, shkruan KultPlus.
Mosha 0-14

Tales from The Thousand and One Nights: The 40 Thieves,

Prince Qam-al-ZamanTregimi i Joseph nga Bibla

Pushkin’s Poems – “Napoleon”The Byliny – Dobrynya Nikitich,

Ilya Muromets, Alyosha Popovich

Mosha 14-20

Polinka Saks – Aleksandr Druzhinin

A Sportsman’s Notebook – Ivan Turgenev

Dead Souls – Nikolai Gogol

Die Räuber – Friedrich Schiller

Yevgeny Onegin – Alexander Pushkin

David Copperfield – Charles Dickens

Mosha 20-35

Poema – F.T. TyutchevIliada / Odisea – Homer

The Symposium and The Phaedo – Plato

Hermani dhe Dorothea – Johann Wolfgang von Goethe

Notre-Dame de Paris – Victor Hugo

Mosha 35-63

Novelat e George Eliot, Anthony Trollope dhe Henry Wood.

Të mjerët – Victor Hugo

Progress and Poverty – Henry George

The Essence of Christianity – Ludwig

FeuerbachDiscourse on Religious Subject – Theodore Parker./KultPlus.com

Momenti kur Rita Ora u përlot nga emocionet e publikut (FOTO)

Tashmë kanë kaluar dy ditë nga koncerti i madh që Rita Ora i fali publikut prishtinas, por emocionet e këtij koncerti janë duke u përcjellë edhe më tej, jo vetëm nga mediet shqiptare, shkruan KultPlus.

Tashmë shumë fotografi e video kanë qarkulluar nga performanca e yllit botëror në Kosovë. Ajo krijoi një atmosferë të mrekullueshme kur nisi të luaj vallen e Rugovës. Por në interpretimin e kënges së fundit “Anywhere”, derisa falendëron publikun, Rita mezi mban lotët. “Shumë bukur po dukeni krejt, faleminderit”, shprehet Rita në ato momente, pak para ndriçimit të qiellit me fishekzjarrë. /KultPlus.com

Mediet kroate: Kosovarët nuk festojnë pa flamurin Kuq e Zi

Një reportazh për dhjetëvjetorin e Kosovës është përcjellë edhe në Jutarnji Vijesti të Kroacisë, të cilët kanë përcjellë nga afër atmosferën 17 shkurtit, duke përfshirë edhe koncertin e Rita Orës, përcjellë KultPlus.

Në këtë reportazh është prezantuar atmosfera në sheshet e Prishtinës, duke specifikuar njerëzit e lumtur për këtë festë, moshën mesatare 25, dhe flamujt e Kosovës dhe ata Kuq e Zi, që ka spikatë kjo medie, si të pranishëm në festën e Pavarësisë së Kosovës.

“Shumë kosovarë janë deklaruar se ata janë rritur me flamurin tjetër, me atë Kuq e Zi”, thuhet në këtë shkrim.

Poashtu në këtë shkrim është përmendur edhe standardi ekonomik, të cilët e vlerësojnë si një vend të përshtatshëm për të huajt, pasi që cmimet janë të lira, sikurse që është shkruar edhe për pagën mesatare në Kosovë, e cila vlerësohet të jetë 250 euro./KultPlus.com

Arsyet se pse Fan Noli nuk u kthye kurrë në Shqipëri

Nga Arshin Xhezo*
“Ti dhe të tjerë pleq do të ngecni,

Tokën e Shenjtë kurrë s’e shkelni,

Skllevër, bij skllevërish s’e meritoni,

Se liri s’doni.”

(Fan S.Noli. “Moisiu në mal”)

Vepra-mal e Fan Nolit, kontributi i tij për pavarësinë e Shqipërisë, themelimin e Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare, kulturën dhe letërsinë shqipe, cilindo do ta bënte të mendonte, se i dëbuari i madh i 1924-s, menjëherë pas luftës së Dytë Botërore dhe çlirimit të Shqipërisë, do të rikthehej në vendin e tij, në piedestale të bëra gati për të dhe me kurora dafinash mbi krye.

Është folur e shkruar shumë për mundësinë dhe pamundësinë e rikthimit të “Moisiut” në “Tokën e Shenjtë”, e, megjithatë, pyetja “përse Noli nuk erdhi kurrë në Shqipëri?”, vazhdon të përsëritet.

Mallin dhe dëshirën e tij për të parë atdheun e vet dhe për të ardhur në Shqipëri e sheh në dhjetëra letërkëmbime të tij me miq, bashkatdhetarë dhe në biseda me miq e shokë.

Po këndej, nga Shqipëria zyrtare, qeveritarët e rinj të pasluftës, a donin vërtetë që Noli të kthehej në Shqipëri?

Fillimi duket tepër idilik.

Në një letër që Sejfulla Malëshova i dërgon Fan Nolit, më 27 gusht të vitit 1945, ndër të tjera, i shkruan: “Hirësi! Enver Hoxha, unë dhe gjithë Shqipëria jemi të mendjes, se ardhja juaj në Shqipëri, do të ishte një fat i madh për Shqipërinë. Kështu, jo vetëm do të kurorëzohej tërë e shkuara Juaj patriotike, por vendi ynë do të kishte në situatën e sotme, një ndihmë të madhe morale dhe politike…

Për së afërmi, ndoshta, nga fundi i tetorit do të kemi zgjedhjet për në Kuvendin Themelonjës. Do të ishte shumë mirë të vinit me këtë rast në Shqipëri, qoftë edhe provizorisht…” (Nasho Jorgaqi. Fan S.Noli. Letërkëmbimi i Fan Nolit. Shtëpia Botuese “Erik”, Tiranë, 2012, Faqja 389).

Këtyre letrave, Noli iu përgjigj në 3 tetor, 1945: “Me kënaqësi të madhe mora mesazhin tuaj të nxehtë dhe bujar, si dhe letrën e mikut tim dhe kolegut tuaj, Sejfulla Malëshova.Ndërkaq, vetëm një muaj më vonë më 25 shtator, 1945, është vetë Enver Hoxha, i cili, përmes një letre dërguar Nolit, i propozon të vihet edhe emri i tij në listën e kandidatëve për zgjedhjet në Asamblenë Kushtetuese që u zhvillua më 2 dhjetor, 1945. (Po aty. Faqe 392).

Kam dëshirë të madhe të jem aty me ju, por, sot për sot nuk munt, pse udhëtimet janë të kufizuara, përveç që ka edhe pengesa të tjera…

Mundet t’ju bëj një vizitë pas Pashkëve; kështu, do të takonj përsëri me miqtë e mij të vjetër. Kam shumë arsye që më pengojnë të vë kandidaturën në Shqipëri.” (Po aty. Faqe 175)

Kërkesat dhe ftesat që Noli të vinte në Shqipëri, në vitet e para janë të shumta e nga më të ndryshmet.

Në Konferencën e Parë të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, në 7 tetor të vitit 1945, “Noli u zgjodh me unanimitet “Kryetar Nderi” i Lidhjes, kurse miku i tij, Sejfulla Malëshova u zgjodh Kryetar i Komitetit Drejtues të Lidhjes; Nën-kryetar-Profesor Aleksandër Xhuvani”.

“Sa herë shkoja në Nju Jork, në mbledhjet vjetore të Asamblesë së Kombeve të Bashkuara, Enver Hoxha më porosiste t’i bëja të fala Fan Nolit.”,-shkruan në librin e tij, Behar Shtylla, ish-ministër i Jashtëm në vitet 1956-1965, dhe mik i Nolit. (Behar Shtylla. Fan Noli, siç e kam njohur. Shtëpia Botuese “Dituria”, Tiranë, 1997, Faqe. 157)

Por, komplimentet, urimet, premtimet, sigurisht të shoqëruara gjithmonë me ftesa dhe kërkesa për miqësi e bashkëpunim, Nolit nuk i vinin vetëm nga Shqipëria. I vinin nga Amerika ku jetonte, nga Anglia, Italia, Greqia,- nga gjithë diaspora shqiptare.

Kostë Çekrezi, antikomunist i njohur, në një letër të tij, në 11 janar 1947, dërguar Nolit, “i këshilluar nga disa miq të përbashkët në Nju Jork, i propozon të bashkohen e të bashkëpunojnë në një “iniciativë për çështjen e shpëtimit të Shqipërisë”, tani që “puna e Shqipërisë ka marrë rugën më të keqe”.

Nuk njohim ndonjë përgjigje të Nolit, në qoftë se ka pasur, por dihet se ai nuk u bashkua me “iniciativën e Çekrezit” (Behar Shtylla, Fan Noli, siç e kam njohur. Shtëpia Botuese “Dituria”; Tiranë, 1997. Fq.152)

Një ftesë për bashkëpunim “për një Kuvend Kombëtar me shqiptarët e diasporës, Nolit do t’i vinte edhe nga ai që i rrëmbeu fronin e kryeministrit, e dënoi me vdekje në mungesë dhe e dërgoi syrgjyn, Ahmet Zogu. (Nasho Jorgaqi. Fan S.Noli. Jeta. Shtëpia Botuese OMBRA GVG. Tiranë, 2005. Faqe 178)

Edhe kësaj ftese, Noli nuk iu përgjigj.

Tashmë, siç shkruante me të drejtë gazeta “Dielli”, në një editorial të sajin “Fan Noli nuk është një person, por një institucion kombëtar” (“Dielli”, 1959)

Është tepër e vështirë të jesh “shkrimtar-institucion kombëtar” dhe, njëherësh, – i pavarur.

Edhe në rastet, kur institucionet janë organizma të një shteti, madje, edhe demokratik, nuk e kanë të lehtë të jenë të pavarura.

Merret lehtësisht me mend, se sa të vështirë e ka dhe çfarë sulmesh duhet të përballojë një njeri, një shkrimtar, aq më tepër një “shkrimtar-institucion kombëtar”, për t’i rezistuar politikës dhe pushtetit politik, të ngarkuara me njerëz, para, propagandë, etj., për të mbetur gjithmonë edhe institucion, edhe i pavarur.

Shkrimtarit i kërkojnë veprën për të blerë atë vetë, dhe e kërkojnë atë, për t’i blerë veprën dhe emrin.

Në qoftë se vepra e Nolit është e pasulmueshme dhe e parrëzueshme, kjo nuk e largonte aspak rrezikun; përkundrazi, e shtonte. Por kjo do të thoshte vetëm se, tanimë, tërë pesha e goditjeve, pra, e dyfishtë,- do të binte mbi Nolin – njeri.

I ndodhur i vetëm dhe i pambrojtur brenda rrethit të egër të politikës, ku secili përpiqej të rrëmbente, të zhvaste, të shqyente prej tij ç‘të mundte,- kokën, krahët a këmbët, (-një të vetme, një deklaratë, një foto, një dalje bashkë në publik- një artikull apo një poezi për liderin do ta bënte të lumtur!) – të dukej, sikur në fund të kësaj masakre, nga shkrimtari nuk do të mbetej asgjë.

Për paradoks, pavarësia e Nolit, ishte, ndoshta, më e rrezikuar nga “të tijtë”, nga Shqipëria. “Të sëmurit nga shqipja” mund t’i vinte “vdekja e lirisë”, pikërisht nga andej ku kishte dheun e vet. “Do të luftonj, gjersa të vdesë. Shpërblimi i mjaftë për luftën time dua të jetë një këngë labësh a laleshash, kur të vdesë” (Shpëtim Sala, Letër e Fan Nolit për Thanas Tashkon, 26 shtator, 1906. “Letra të panjohura të Fan Nolit”. Biblioteka Françeskane “At Gjergj Fishta”. Shkodër, 2008, Faqe 44).

Por, a mund t’i këndohej kënga një shkrimtari të blerë?

Rreziku ishte i madh. Vetë Noli, me dorën e tij kishte shkruar, e zeza mbi të bardhë, se “guverna e Enver Hoxhës e rrëmben Shqipërinë nga thonjtë e vdekjes me sakrifica heroike në periudhën e luftës”. Madje, edhe, “Guverna e Enver Hoxhës, jo vetëm e shpëtoi Shqipërinë nga vdekja, por tani i vë themele të patundura shtetit me reformat dhe veprat konstruktive… Ballistët tanë janë një grup heterogjen dhe nuk kanë asnjë program fare.” (“Dy fjalë për ballistët” “Dielli”, 26 mars, 1947).

Nuk e parashikoi dot Peshkopi, se “nesër- pasnesër” këto deklarata mund ta “implikonin” me secilën nga palët politike për ta “kapur”? Sigurisht, ai i shkroi me bindje ato që shkroi, por, për “të tijtë”, domethënë, Tiranën zyrtare, këto dolën të mjaftueshme, që, sipas saj, “institucioni kombëtar” të quhej “i tyri”. Prandaj, dhe në letrat e saj të njëpasnjëshme, Tirana këmbëngulte: “Të vini, vetëm të vini në Shqipëri, qoftë edhe përkohësisht, sepse “kemi zgjedhjet”, “në situatën e sotme…”, “ndihmë e madhe morale e politike”.

Më hapur, s’bëhej.

Në vitin 1944, Fan Noli ishte 62 vjeç, burrë i pjekur, me dy-trifishin e moshës së udhëheqësve të Tiranës politike, dhe, kryesorja, me një mal veprash e përvoje politike dhe një emër të madh.

A thua, të mund ta hidhnin kaq lehtë në grackën politike këto thirrje, letra e artikuj kaq të troçta nëpër rreshta njeriun që tërë jetën ishte mësuar të lexonte midis rreshtash?, stilistin brilant, të aftë edhe “për të hedhur fjalën duke shkelur syrin”?

Mendja e Fan Nolit ishte një mendje e thellë, domethënë, e tillë, që nuk besonte lehtë.

Intrigat e luftës për pushtet, Noli nuk i kishte mësuar, thjesht, nga përkthimi i dramave të Shekspirit, por nga shpina e tij, dhe veç këtyre, kishte dekada që jetonte në vendin më të madh demokratik të botës, – shkollë më vete.

Sigurisht, edhe nga bota e madhe e librit dhe nga përkthimi dramave të Shekspirit kishte mësuar. Por, Makbethin, Hamletin, Mbretin Lir, dhe kryevepra të tjera të dramaturgut të madh, ai u kishte shkruar shqiptarëve në gjuhën e tyre, me po atë qëllim fisnik, siç kishte bërë 400 e ca vjet para tij, Makiaveli, që i dha vendit të tij dhe botës “Princin” e vet, për t’i mësuar si të mbrohen nga Princat” absolutizmi, pushteti politik, oratatorët e diktaturat kudo.

Krahasuar me “letrat” e vargjet e anglezit të madh, letrat që i vinin nga Tirana politike, Nolit, besoj i ngjanin me hartime fillestarësh.

Fan Noli mund të pranonte të vinte në Shqipëri, vetëm nëse edhe ajo do të ishte e denjë për të dhe për gjithë shqiptarët; e tillë, që ai të ndihej mirë me të trija “veshjet” e tij: Të qytetarit të lirë, demokratik e patriot; Të shkrimtarit “institucion kombëtar” dhe i pavarur, dhe; Të Hirësisë së Tij, Metropolitit, Tehofan Stilian Noli, Themelues i Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare.(dita)

*Shkrimi është marrë nga libri “Fate shkrimtarësh dhe gazetarësh”

Abdurrahman Shala, Faruk Begolli dhe Çun Lajçi në një fotografi (FOTO)

Çun Lajçi, Abdurrahman Shala dhe Faruk Begolli janë tre emra të njohur që kanë kontribuar në fushën e aktrimit në Kosovë, shkruan KultPlus.

KultPlus, ju sjellë një fotografi të përbashkët të këtyre tre aktorëve. Fotografia është shkrepur disa vite më herët, andaj përmes saj mund të shohim edhe dukjen e këtyre aktorëve kur ishin më të ri në moshë.

Abdurrahma Shala dhe Faruk Begolli kanë ndërruar jetë vite më herët./ KultPlus.com

Regjisori dhe aktori shqiptar Edi Mehana film amerikan për LGBTQ

Kinematografia amerikane do të pasurohet edhe me një projekt filmik nga regjisori dhe aktori shqiptar Edi Mehana.

Ai kësaj radhe në filmin me titull The Pride ka zgjedhur që të trajtojë temat më tabu jo vetëm në shoqërinë kosovare por në të gjithë botën.

Filmi është i metrazhit të shkurtër dhe thuhet se është mjaft premtues. The Pride është një film i ri amerikan që trajton çështjet e anashkaluara që përfshijnë konflikte ushtarake, fetare dhe konflikte të komunitetit LGBTQ, shkruan Onair.al.

Aktori dhe regjisori Edi Mehana është me origjinë nga Kosova ndërsa tani është duke jetuar në Chicago ku edhe po punon shumë për të publikuar projekte të reja filmike.

Ai ka arritur që të jetë pjesë e më shumë se 10 filmave të metrazheve të ndryshme, por edhe ka arritur që me sukses të jashtëzakonshëm të interpretojë mbi 35 role apo karaktere në teatër./KultPlus.com

Skulptura më e madhe e shqiponjës në botë

Është në mesin e skulpturave më të mëdha në botë, dhe pikërisht kjo skulpturë e shqiponjës është punuar në Indi, shkruan KultPlus.

Duke pas parasysh se shqiponja është simbol i popullit shqiptar, përpos në flamur dhe nëpër stema të ndryshme, një vepër e tillë mungon në trojet shqiptare./KultPlus.com

Pas performancës në Kosovë, Rita Ora takohet me aktoren e famshme

Pas koncertit madhështor të mbajtur në kuadër të 10-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, Rita Orën e priste një tjetër ngjarje e madhe.

‘Bafta 2018”, është ceremonia ku mori pjesë këngëtarja shqiptare, Rira Ora, e cila kishte zgjedhur një veshje të mahnitshme për parakalimin në tapetin e kuq, shkruan koha.net.

Në rrjetin social Instagram, Rita ka bërë me dije se gjatë ceremonisë ka pasur një takim të bukur me aktoren Salma Hayek, foton me të cilën e ka publikuar duke shkruar: “Sa grua e bukur”./KultPlus.com

Përurohet trilogjia e Avni Deharit “Gjergjat në drita përkrenaresh”

Promovimi bëhet në kuadrin e aktiviteteve të “Vitit të Skënderbeut” që përkon me 550 vjetorin e vdekjes së kryeheroit të shqiptarëve, Gjergj Kastriotit – Skënderbeut.

Duke filluar nga 3 marsi, në disa qytete të Zvicrës bëhet promovimi i trilogjisë “Gjergjat në drita përkrenaresh” të autorit të njohur nga Kosova, i cili më parë ka jetuar në Zvicër, Avni Dehari.

Promovimi bëhet në kuadrin e aktiviteteve të “Vitit të Skënderbeut” që përkon me 550 vjetorin e vdekjes së kryeheroit të shqiptarëve, Gjergj Kastriotit – Skënderbeut.

Promovimi i parë bëhet më 3 mars në Gjenevë, për të vazhduar më 4 mars në Ostermündingen (Bernë) dhe Rapperswil-Jona (St.Gallen), pastaj 8 mars në Kreuzlingen (ZG), 10 mars Wil dhe Flums St, Gallen) dhe më 11 marts në Lozanë.

Në pllakatin më poshtë i gjeni të dhënat më të hollësishme rreth kësaj serie promovimesh.

Shpallen projektet fituese në Art/Kulturë/Trashëgimi për vitin 2018

Thirrja e Ministrisë së Kulturës për projekt-propozimet për vitin 2018 u hap më datë 4 dhjetor 2017 dhe u mbyll më datë 12 janar 2018. Pranë Ministrisë së Kulturës u paraqitën 291 projekt-propozime në art-kulturë dhe trashëgimi kulturore, nga të cilat u miratuan 128 projekte fituese.

Kolegjiumi i përbërë me ekspertë të fushave të artit dhe kulturës, si dhe drejtues të zhvillimit të politikave dhe strategjisë kulturore, vlerësoi fitues projekt-propozimet që përputheshin me kriteret e shpallura në udhëzuesin që shoqëroi thirrjen.

– Kriteret kryesore në të cilin u mbështet vlerësimi ishin: projekte me ide novatore, që garantojnë cilësi dhe profesionalizëm në realizim, qëndrueshmëri dhe vazhdimësi, mundësi për rritjen profesionale të artistit, që sjellin zhvillim dhe gjallërim të skenës artistike e kulturore në Shqipëri, rritje të audiencave, shtrirje gjeografike dhe kohore, që dëshmojnë respektimin e të drejtës së autorit, aftësi për të thithur fonde nga burime të tjera, si dhe që janë të përputhshmëri me prioritetet e Ministrisë së Kulturës: edukimi përmes artit dhe kulturës, përkrahja e të rinjve duke filluar nga potenciali i tyre krijues e deri tek punësimi i tyre, mbështetje dhe zhvillim të turizmit kulturor.

– Kritere specifike për këtë vit ishin gjithashtu mbështetja e projekteve në kuadër të hartimit të kalendarit të aktiviteteve për vitin e Skënderbeut dhe për Vitin e Trashëgimisë Kulturore Europiane.

Projektet e përzgjedhura do të mbështeten në mënyrë të pjesshme nga Ministria e Kulturës.

Njoftojmë se subjektet, projektet e të cilëve janë përzgjedhur për mbështetje financiare nga Ministria e Kulturës, do të kontaktohen brenda 15 ditëve për të vazhduar me hapat e mëtejshëm.

Lista e plotë e projekteve të renditura sipas kategorive është si më poshtë vijon:

http://www.kultura.gov.al/al/newsroom/njoftime/shpallen-projektet-fituese-ne-art-kulture-trashegimi-per-vitin-2018

Historia e vërtetë e Himarës (VIDEO)

Cila është historia e vërtetë e Himarës? Simbolet e Kastriotëve në kishën e vjetër peshkopale…
Çfarë shkruanin vetë himarjotët në letrat e shekujve XV, XVI e me radhë. Dokumentet, betejat, të pathënat…
Përgjigjet i jep dokumentari i Top Channel, në emisionin “Gjurmë shqiptare”./ KultPlus.com

Kisha e Ristozit në përfundim të restaurimit

Nis faza e fundit e restaurimit te Kishës së Ristozit të Mborjes, një nga monumentet e rëndësishëm të periudhës së vitit 1389, shkruan KultPlus.

Pas dy ndërhyrjeve emergjente në vitin 2014 dhe 2015, ky monument kulture doli nga lista e rrezikut. Ministria e Kulturës dhe Instituti i Monumenteve po investojnë në fazën e tretë të këtij monumenti të vyer bizantin duke e shpëtuar nga rreziku dhe duke e nxjerrë nga emergjenca./ KultPlus.com

“Nuk ka vend që më bën hije, sikur hija e flokut tënd” (VIDEO)

Këngëtari Sabri Fejzullahu këto ditë rrumbullaksoi gjysmë dekade në skenën muzikore. Ai përreth pesëdhjetë vite jo rrallë herë ka arritur të prek publikun me këngët e tij, shkruan KultPlus.

Përmes fuqisë së tij interpretuese, e teksteve të kompozitorëve më të njohur të vendit, Sabri Fejzullahu ka arritur të ngjallë emocione përmes këngëve të tij. Sytë e tij të mbyllur, e duart në lëvizje janë karakteristikë e përjetimit të veçantë artistik të këngëtarit.

Sabri Fejzullahu gjatë karrierës së tij, ka bashkëpunuar edhe me emra të tjerë të njohur të skenës muzikore shqiptare, përfshirë këtu Ledina Celon, Adelina Ismailin, Sinan Vllasaliun… Po ashtu ai në ekranet shqiptare, është shfaqur edhe në rolin e aktorit, ku ka luajtur përkrah aktorëve të njohur të vendit.

Këngët e vjetra të Sabri Fejzullahut depërtojnë edhe sot me të njëjtën fuqi artistike tek publiku, madje ato dëgjohen më shumë nostalgji.

KultPlus sot ju sjellë këngën dhe tekstin e një këngë më të vjetër të Sabri Fejzullahut, kënga e titulluar “Hija e flokut tënd”, mund të konsiderohet si një nga këngët që i ka rezistuar kohës.

Te kam prit ne strehë te ftohta
te kam përcjell ne mot me shi
sa te me vish një mbrëmje vjeshte
ne grusht ta marr flokun e zi
sa herë qelin trëndafilat
te fontana ne Prishtine
dua t`qel fytyra jote
drite qe praron n`dashuri

Bukuri e rrall moj
buzujse moj qershi
(2x) si te të shtrydh e mos
te lëndoj t’më pikosh
një jetë përmbi

REF 2x:
se kur djeg ai diell i gushtit
pushton vapa kënd me kënd
nuk ka pemë qe me bën hije
sikur hija e flokut tënd

te kam prit ne strehë te ftohta
te kam përcjell ne mot me shi
sa te me vish një mbrëmje vjeshte
ne grusht ta marr flokun e zi
sa herë qelin trëndafilat
te fontana ne Prishtine
dua t`qel fytyra jote
drite qe praron n`dashuri

Bukuri e rrallë moj
buzujse moj qershi
(2x) si te të shtrydh e mos
te lëndoj t’me pikosh
një jetë përmbi

REF 2x:
se kur djeg ai diell i gushtit
pushton vapa kënd me kënd
nuk ka pemë qe me bën hije
sikur hija e flokut tënd

Andrrën ta trishtuam

Poezi nga Brikenë Ceraja Beka.

Në udhëtimin e një dekade po zbavitëm me heshtjen
Pse po shkelim me dashni n’lagështi të kohës
Po eshtnat që ia falem fundit të tokës
Për t’na lulëzu një herë një gurë
Aktrojmë një dekadë nën mjegullën pa pëlhurë
Po pse e frikësuam edhe diellin e atë gjysmëhanë
Me ta rritë shtatin ty dhjetëvjeçar
Po ta trishtuam andrrën që n’gjumin e thellë
U ringjalle veç me puthë po atë diell
E shkërdhyem një dekadë pa a dashtë dashninë.

bcb (shkurt 2018)

Oda gati për turneun e saj të 5-të në Evropë

Alberina Haxhijaj
Foto: Gerta Xhaferaj

Oda Haliti është një DJ nga Kosova që po krijon një prezencë të rregullt duke luajtur në vende të njohura në të gjithë Ballkanin dhe Evropën. Ajo ka gati data për turneun e saj të 5-të në Evropë. Oda do të paraqitet në Munich dhe Berlin të Gjermanisë si dhe në Zurich, Luzern, dhe Lausanne të Zvicrës.

Oda Haliti, është bërë e njohur për performancën e saj si DJ, edhe në festivalet më në zë në Kosovë dhe Shqipëri, ku performanca e saj konsiderohet si qershia mbi tortë e këtyre ngjarjeve kulturore.

“Këto tre vitet e fundit kam qenë pothuajse gjithë kohës në lëvizje si në Evropë ashtu dhe në Ballkan e rajon. Sado që kam filluar të mësohem me këtë ritëm, emocione kam gjithmonë edhe në Kosovë dhe jo vetëm jashtë vendit. Nuk dallojnë shumë paraqitjet, vetëm se kur jam jashtë Kosovës performancat dinë të jenë më sfiduese nganjëherë. Për arsye se publiku përherë është i ri i panjohur për mua, ashtu sikur unë për ta. Prandaj nuk e di kurrë se çfarë duhet të pres, si do të reagojnë apo si do të shkojë paraqitja. Mirëpo pikërisht kjo e bënë procesin e punës sime më emocionues, interesant dhe intrigues”, u shpreh ajo për KultPlus.

Zgjedhja unike e muzikës së Oda-s gjallëron audiencën e saj, gjersa ajo luanë tinguj eksperimentues elektronikë.

Gjatë tri viteve të fundit ajo ka punuar intensivisht në zhvillimin e projekteve të reja muzikore, madje edhe jashtë Kosovës duke bashkëpunuar me artistë të mirënjohur lokalë dhe ndërkombëtarë. Kohët e fundit ajo ka qenë duke u përqendruar në një bashkëpunim me muzikanten e njohur Blerta Kosova, me të cilën kanë krijuar grupin “Tandem”.

Në vijim KultPlus, ju sjellë datat se kur ODA do të performojë në Gjermani dhe Zvicër:

22.02 Rote Sonne – Munich, Germany
24.02 Favorit Bar – Munich, Germany
02.03 Safari Disco – Radio Banda Larga – Berlin, Germany
10.03 “Girls Not Brides” – Photobastei – Zurich, Switzerland
16.03 Uferlos – Luzern, Switzerland
23.03 Genevegas – Lausanne, Switzerland