Manushja, burrnesha shqiptare nominohet për çmim në Francë

(Ballina: Qamile Stema)

Libri “Le Courage qu’il faut aux rivières” me autore Emmanuelle Favier është në mesin e tetë librave që janë nominuar për çmimin letrar francez Régine Deforges.

Le Prix Régine Deforges është cmim letrar që jepet në Francë dhe është ndër më prestigjiozët.

E veçuam librin e Favier pasi ai flet për burrneshat shqiptare.

Romani i parë i shkrimtares merret me Manushen, gruan e cila vendosë të jetojë si mashkull, përgjithmonë, për shkak të rrethanave familjare dhe mentalitetit patriarkal shqiptar. Manushja pi sikur një mashkull, tymos si një mashkull, jeton si një mashkull. Fshati e çmon sakrificën e saj, ndërsa ajo gëzon respekt të veçantë.

45 vjeçarja Manushe jeton në monotoni derisa paraqitet në jetën e saj Adriani, një i huaj për fshat.
Pos këtij libri, janë edhe shtatë të tjerë nga shtëpi të ndryshme botuese franceze, me autorë francezë, që janë në listën e ngushtë për çmimin në fjalë.

Fituesi i çmimit do të dihet me datë 3 prill.

Pjesa e parë e librit ‘Le courage qu’il faut aux rivières’ shkruar nga francezja Emmanuelle Favier.

«Porta u mbyll pas burrit të fundit. Nata e zezë mbeti jashtë, ku asnjë yll nuk mbijetonte më në atë errësirë akulli. Manushaqe u shtriq rëndë-rëndë mbi sofa. Me kurajën e dehjes, ajo u përkul mbi shishen, duke dashur t’i hiqte tapën, por duke e shtypur tapën shumë fort, shishja rrëshqiti mbi kanape. Punë e madhe… Nuk do shkonte tani gjer në hyrjen e dhomës, pranë atyre tri shisheve të pira gjatë asaj nate. Avujt e alkoolit më së fundi u daravitën në ajrin e dhomës.
Manushe u ngrit me këmbët që i merreshin duke shkuar gjer në shtratin e saj. Iu hap goja dhe kruajti vithen e majtë. Hoqi nallanet, po kështu dhe pantallonat e gjera dhe pulovrin e leshtë e të ashpër dhe ashtu me të mbathura e kanatiere u shtri në çarçafët e freskët që të drithëronin disi, duke hedhur pastaj mbi vete jorganin e trashë. Dora i rrëshqiti pastaj mbi seksin e saj, i lëvizi mbi pubisin leshtor, duke luajtur me anët e vaginës me gishtin e saj. Gjumi e pushtoi para se seksi më së fundi të mos lëngështonte më.
U ngrit pak para agut. Nxori një cigare, mori çakmakun mbi komodinën pranë shtrati dhe e thithi ngadalë pa i hapur sytë… » / KultPlus.com

Gjenerali Wesley Clark, me mesazh për 10 vjetorin e pavarësisë së Kosovës (VIDEO)

Ambasada e Kosovës në Uashington sjell video mesazh nga Gjenerali Wesley Clark, ish-komandanti suprem i NATO-s për qytetarët e Kosovës me rastin e 10 vjetorit të pavarësisë:

“Popullin e Kosovës e mbaj në mend si ndër më të guximshmit dhe më të qëndrueshmit në Evropë dhe poashtu e mbaj në mend si popullin më pro-amerikan në Evropë. Tash kur po e festoni 10 vjetorin e pavarësisë, duhet ta kujtoni me shumë krenari atë që është arritur dhe nga ju duam të shikoni drejt asaj që mbetet për t’u bërë në të ardhmen – zhvillimi ekonomik, përmirësimi i marrëdhënieve me fqinjët, mposhtja e pasigurive të së kaluarës, izolimit, ndasive dhe shtypjeve etnike, të cilat kanë mbizotëruar me shekuj në Ballkan – për t’u bërë kështu prijës të Evropës së re. Të ardhmen e keni përpara. Keni popull shumë të mirë. Keni miq shumë të mirë në Shtetet e Bashkuara. Unë besoj në të ardhmen tuaj të ndritshme.” #Kosova10

Arben Zharku emërohet drejtor i Qendrës Kinematografike të Kosovës

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit z. Kujtim Gashi ka emëruar Arben Zharkun në pozitën e drejtorit të Qendrës Kinematografike të Kosovës.

Mandati i drejtorit është katërvjeçar dhe ky është mandati i dytë për Arben Zharkun.

Arben Zharku rreth këtij vendimit u shpreh:

“Për katër vite që kam qenë në pozitën e drejtorit në QKK, kam punuar me përkushtim dhe pasion maksimal dhe besoj që do të mund të kontribuoj edhe më shumë në katër vitet e ardhshme, ku përveç tjerash, do të fokusohem në adaptimin e legjislacionit të Kosovës me shtetet e Bashkimit Evropian, angazhimin për futjen në funksion të Rregullores për Lehtësirat Financiare, lobimin për anëtarësimin e Kosovës në Eurimages dhe në Media Program etj.”

Hillary Alidema apo Klinton Bajgora, dashuria e Kosovës për Amerikën (FOTO)

Dezar Dezfuli, një fotoreporter që po qëndron këtyre ditëve në Prishtinë, sjellë fotografi që dëshmojnë praninë e Amerikës në Kosovë.

Dashuria e shqiptarëve për Amerikën u forcua sidomos me ndërhyrjen e kësaj të fundit gjatë tmerrit që po ndodhte në Kosovë në vitet 1998-99.

Trashëgimia vazhdon edhe sot, me imazhe e simbole të cilat tregojnë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës marrin frymë në çdo cep të Kosovës.

Galeria Kombëtare e Kosovës publikon programin e ekspozitave për këtë vit

Programi i ekspozitave vazhdon të jetë pjesa kryesore e programit të ekspozitave GKK do të zhvillojë edhe programet si ai i hulumtimit dhe publikimeve, ligjëratës dhe debatit, si dhe edukimit.

Ekspozitat tradicionale të GKK në vitin 2018 do të jenë: Edicioni i dymbëdhjetë i Bienales “Çmimi Muslim Mulliqi edicioni i XIII”, dhe “AR”- edicioni III. Në konkursin për programin e vitit 2018 kanë aplikuar 21 konkurrues. Ekspozita e parë e këtij viti është Vizatimi Sot me kurator Ismet Jonuzin, hapet me rastin e dhjetëvjetorit të pavarësisë së Kosovës.

16 Projektet e përzgjedhura të aprovuara nga Këshilli Drejtues që do të realizohen në kuadër të programit në GKK:

Ekspozitat Vetanake:

Thomas Hirschhorn – PIXEL COLLAGE: Ekspozitë e artistit të njohur ndërkombëtarisht, i ftuar nga GKK me përkrahje të SCO.

(Thomas Hirschhorn u lind në vitin 1957 në Bern, Zvicër. Fillimisht I trajnuar si dizajner grafik, Thomas Hirschhorn formon diskursin publik I cili lidhet me pakënaqësinë politike, dhe ofron modele te mendimit dhe mirëqenies alternative. – Duke besuar se çdo person lind me një kuptim mbi artin, Hirschhorn reziston kriteret estetike elitike dhe perjashtuese – për shembull, kualitetin – në favor të principeve dinamike të energjisë dhe bashkekzistencës.)

Sislej Xhafa, SHOW ME THE LOVE:

Artisti i njohur që përfaqësoi Kosovën në Benalen e 57 të Venecias, tani vjen ne GKK me ekspozitën e parë të tij vetanake në Kosovë. (Sislej Xhafa ka lindur në Kosovë në vitin 1970 dhe jeton në Neë York City. Xhafa është i njohur për punët që përkshruhen si “veprime” apo edhe strategji konceptuale që sfidojnë stereotipet kulturore, paragjykimet e fiksuara dhe strukturat institucionale. Duke eksploruar shpesh mënyrat nëpërmjet të cilave funksionon shoqëria bashkëkohore, ai hulumton realitetet sociale, ekonomike dhe politike dhe përfundimisht kritikon konsumizmin dhe mekanizmat e tij lëvizës. Rezultatet e prekshme sociale gjenden me të vërtetë në zemër të hulumtimit artistik të Sislej Xhafës, duke vërë në pikëpyetje statusin ligjor të shtetit të tij të origjinës, Kosovës. Duke punuar në shumë mediume nga piktura deri te vizatimi pastaj skulptura dhe instalacioni, angazhimi i tij me dimenzionet politike është gjithmonë direkt dhe i nënkuptuar, duke reflektuar në normat dhe strategjitë dhe mënyrat ku ata manipulohen në nënvetëdije).

Gani Llalloshi, artisti i njohur ndërkombëtarisht nga Kosova, aktiv në skenën ndërkombëtare i cili sjell për herë të parë ekspozitën vetanake në GKK;

Lorik Sylejmani, dizajner dhe artist multimedial me ekspozitën Come and see Loneliness, me instalacione dhe piktura;

Maksut Vezgishi arkitekt dhe artist që jeton dhe vepron në Bruksel me ekspozitën vetanake;

Lulzim Zeqiri, artist i njohur për videot dhe instalacionet si dhe vizatimet e tij, me ekspozitë vetanake;

Shpresa Faqi, artiste kosovare që jeton dhe vepron në Gjermani, me projektin multimedial DRIVING;

Emine Krasniqi dhe Leonid Palushaj, çift artistësh me ekspozitën e pikturave të tyre;

Ekspozitat kolektive:

– Projekti grupor me kuratorin Avi Lubin,me pjesëmarrës: Gazmend Ejupi, Driton Selami, Luan Bajraktari, Fatmir Mustafa-Carlo dhe Albert Allgeier; – Ekspozitë e arkitekturës socialiste UNDER PRESSURE, me autorë Denada Veizaj dhe Gjergj Islami, me kuratorë Eliza Hoxha dhe Ilir Gjinolli; Bashkëpunimet: – Koleksioni i artistëve francezë nga koleksioni Muzeu i Artit Bashkëkohor të Shkupit, inicuar dhe përkrahur nga Ambasada Franceze në Kosovë; – Amateras Foundation nga Bullgaria me ekspozitën Paper Innovation and Elemental Sculpture,në bashkëpunim me Ambasadën Bullgare ne Kosovë; – Projekti Desire for Freedom nga Bosnia dhe Hercegovina, shkëmbim me Galerinë Kombëtare të Bosnes dhe Hercegovinës; – Ekspozitat që planifikohen jashtë vendit në kuadër të shkëmbimit janë: Radiant Nature në Galerinë Kombëtare të BiH, aktivitete të ndryshme në Sofie dhe Plovdiv të Bullgarisë dhe me Turqinë. Në kuadër të programit të ligjeratës dhe debatit janë planifikuar: një Konferencë regjionale me rastin e pavarësise se Kosovës; ligjerata dhe prezentime nga kuratorë, menaxherë të artit dhe artistë mysafirë të ndryshëm; punëtori të organizuara paralelisht me ekspozitat që trajtojnë problematika të ngjashme. Vazhdon Programi i hulumtimit dhe publikimeve, përfundimi i së cilit do të realizohet me një ekspozitë me vepra të zgjedhura nga Koleksioni i GKK të interpretuara nga ekipi i teoricienëve të artit, si rezultat i hulumtimit gjatë vitit 2017. Programi I Edukimit vazhdon të zhvillohet në dy platforma: përmes vizitave të organizuara të nxënësve nga vende të ndryshme të Kosovës si dhe përmes organizimit të punëtorive të artit bashkëkohor. Risi do të jenë eventet e orientuara kah publiku ku çdo e enjte do të jetë mundësi që vizita në GKK dhe ekspozitat, të jenë të përcjella me ciceron.

Video mesazh nga Condoleezza Rice me rastin e 10 vjetorit të Pavarësisë (VIDEO)

Ambasada e Kosovës në Uashington sjellë video mesazh nga Condoleezza Rice, ish Sekretare e Shtetit me rastin e 10 vjetorit të Pavarësisë:

“Demokracia u ngarkon shumë përgjegjësi qytetarëve dhe ju mbetet juve që t’i përmbushni këto përgjegjësi… Rruga drejt demokracisë është gjithmonë me kthesa dhe shpeshherë ka ngecje përgjatë rrugës. Unë jam e bindur se me punë dhe përkushtim të vazhdueshëm, ju, populli i Kosovës, mund ta tejkaloni çdo pengesë para vetes. Me mbështetjen e partnerëve tuaj në Evropë, SHBA dhe në mbarë botën, ju mund të përparoni edhe më tej. Ne të gjithë e duam më të mirën për ju. Gëzuar për shumë vite të tjera të paqes, lirisë dhe pavarësisë!”./ KultPlus.com

Pulla postare “10 Vjetori i Pavarësisë”

Për nderë të shënimit të 10 Vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, më 17 shkurt 2018 në qarkullim postar do të vihet emisioni i pullës postare me titull “10 Vjetori i Pavarësisë”.

Shpallja e Pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008, është ngjarja më kulmore e historisë tonë kombëtare, e cila u kurorëzua pas një rrugëtimi të gjatë, me plot sakrifica e lavdi të popullit shqiptar përgjatë gjithë shekullit XX. Kjo pullë i dedikohet rrugëtimit të Republikës së Kosovës përgjatë këtij dhjetëvjeçari, zhvillimit të shtetit tonë të njohur nga 116 shtete botërore.

Kjo pullë postare në imazhin e saj mbartë kopjen e Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës me simbolet e tjera shtetërore. Ndërsa në aspektin moral, përmes saj pasqyron sukseset e Shtetit, posaçërisht talentin e të rinjve kosovarë në gara të ndryshme nga fusha e kulturës dhe sportit, të cilët i bënë nderë Kosovës dhe qytetarëve të saj me lartësimin e flamurit shtetëror në rangun e parë botëror.

Filatelia e Postës së Kosovës nuk do të ndalet vetëm me kaq, por do të veprojë në vazhdimësi në afirmimin e të arriturave të Shtetit tonë!./ KultPlus.com

Video mesazh nga mikja e madhe e Kosovës, Madeleine K. Albright (VIDEO)

Video mesazh nga mikja e madhe e Kosovës, Madeleine K. Albright , ish Sekretare e Shtetit për qytetarët e Kosovës me rastin e 10 vjetorit të pavarësisë:

“Ndonëse na ndanë oqeani, Kosovën dhe popullin e saj e kam gjithnjë në mendje. Saherë më pyesin se cila është e arritura ime si Sekretare e Shtetit me të cilën krenohem më së shumti, them se është ndihma që i dhashë popullit të Kosovës. Gjatë këtyre 10 viteve kam qenë krenare për hapat që i ka ndërmarrë Kosova drejt stabilitetit më të madh, përparimit dhe integrimit në bashkësinë Euro-Atlantike. Por, për shkak të dashurisë sime të veçantë për Kosovën, kam dëshirë të flaktë t’ju shoh se po përparoni dhe po zhvilloheni në mënyrë të duhur. Përvoja më ka mësuar se zhvillimi politik dhe ai ekonomik janë të pandashëm. Pra, mënyra më e mirë drejt zhvillimit është përtrirja e përkushtimit ndaj demokracisë, duke mbajtur në mend se sundimi i shumicës varet nga të drejtat e pakicës. Përparimi dhe ndryshimi asnjëherë nuk janë të lehta dhe nuk ka mostër apo rrugë të përkryer drejt suksesit. Mirëpo, duke e pasur parasysh vullnetin dhe qëndrueshmërinë e popullit të Kosovës, besoj në të ardhmen dhe ju premtoj se do të bëj çmos për t’ju ndihmuar t’ia dilni mbanë. Gëzuar 10 vjetorin! Do të jemi pranë jush. Punoni me zell!” #Kosova10

Video është realizuar nga Ambasada e Kosovës në Washington./ KultPlus.com

Hapet shtandi i Kosovës në tregun e filmit të Berlinales

Qendra Kinematografike e Kosovës vazhdon prezencën e saj në tregun e madh të filmit, European Film Market, në festivalin prestigjioz Berlinale.

Tregu i filmit është hapur dje, 15 shkurt 2018, dhe QKK edhe sivjet ndanë shtandin me Qendrën Kombëtare të Kinematografisë së Shqipërisë, ku gjatë kësaj kohe, profesionistë ndërkombëtar të filmit do të kenë mundësinë të informohen me të rejat e industrisë së filmit kosovar dhe anasjelltas.

Në European Film Market tashmë janë konfimuar dhjetëra takime me përfaqësues të fondeve të filmit, producentë ndërkombëtar, programera të festivaleve, distributorë etj. ku dhe do të promovohen 61 filma të mbështetur nga QKK. Disa prej filmave të përfshirë në katalog janë: “Cold November” me regji të Ismet Sijarina, ‘Cirku Fluturues’ nga Fatos Berisha, ‘Hana’ nga Ujkan Hysaj, ‘Kodra e Diellit’ nga Blerim Gjoci, ‘Fusha e Mëllenjave’ nga Arzana Kraja, ‘Aga’ nga Lendita Zeqiraj, ‘Familje’ nga Durim Kryeziu, ‘Qiej të Trazuar’ nga Anton Ndreca, ‘Martesa’ nga Blerta Zeqiri, ‘Ajo’ nga More Raça, ‘Klithmë’ nga Korab Lecaj, ‘Drita’ nga Rita Krasniqi, ‘Urtësia’ nga Bujar Berisha, ‘Aktorët e Kanës’ nga Mentor Spahiu etj.

Gjithashtu në tregun e filmit EFM do të shfaqen për audiencë të caktuar dy filmat, bashkëprodhime kosovare, të mbështetura nga QKK, filmi ‘Martesa’ nga Blerta Zeqiri dhe filmi ‘Kthimi’ nga Kastriot Abdyli.

Në Berlinale do të jenë prezentë edhe tre aktorët kosovarë, Andi Bajgora, Florist Bajgora, Arbresha Grabovci Nixha me filmin holandez ‘Kiem Holijanda’ nga Sarah Veltmeyer, film ky që do të ketë premierën në këtë festival në programin Generation 14plus.

Gjatë qëndrimit në Berlin, do të organizohet një koktej rasti së bashku me QKK-në e Shqipërisë, ku do të jenë të ftuar përfaqësues të fondeve ndërkombëtare të filmit, partnerë të huaj, producentë dhe përfaqësues të industrisë së filmit me qëllimin e krijimit të kontakteve dhe shkëmbimit të ideve të reja të bashkëpunimit.

Në ditët në vijim pritet që edhe Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit Kujtim Gashi të vizitoj shtandin e QKK-së në Berlinale./ KultPlus.com

Dhjetë vjet jetë, dhjetë vjet shtet, Darsej Kastrati ka një mesazh për kosovarët

Për 2 minuta e 49 sekonda, Darsej Kastrati i cili ka lindur më 18 prill në vitin 2008, vetëm dy muaj pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës ka treguar se si është të rritësh së bashku me Kosovën. Ai në një video të realizuar së bashku me nënën e tij, regjisoren Vjosa Abazi, ka shfaqur përditshmërinë e tij por edhe disa nga problemet që ka Kosova, shkruan KultPlus.

Fillimisht dëgjohen tingujt e pianos gjersa ai luan në të, himnin e Kosovës, për të sqaruar tutje se sa të lumtur kanë qenë prindërit e tij 10 vite më parë, kur Kosova u shpall shtet i pavarur dhe demokratik. Gëzim ky që sipas tij tani është venitur.

“As unë nuk e kam mendur se po rritem në një shtet të ri, që kur të dalë nga shtëpia nuk kam ku të eci e ku të luaj”, shprehet ai gjersa tregon se futbolli është sporti i tij i preferuar. Darsej Kastrati duke treguar një ditë të tij të përditshme shfaq edhe problemet që ka Kosova, e të cilat i kanë rënë në sy edhe atij. Me të dalë në rrugë ai shprehet se nuk ka menduar se do të rritet në një shtet ku nënat me fëmijë në dorë kërkojnë lëmoshë, e as në një shtet ku fëmijët punojnë në rrugë dhe kërkojnë bukë nëpër kontenjerë të mbeturinave.

“ Kam shumë dëshirë që shkolla ime të më ofrojë kushte më të mira për mësim, por kot, arsimi nuk është prioritet në vendin tim”, mendon ai gjersa është në shkollë. Kurse me tu kthyer në shtëpi tregon se do i mungojnë bisedat me shoqen e tij, Nitën, e cila banon në katin e pestë të banesës së tij.

“”Nuk du me besu që shumë shokë e shoqe, e familjarë të mi po e shohin të ardhmen e tyre jashtë Kosovës. Pikërisht në dhjetëvjetorin e Pavarësisë së Kosovës, Nita po shkon me jetu me familje në Gjermani”, tregon 10-të vjeçari Kastrati, i cili edhe vetë ka dashur që të dalë jashtë Kosovës për të vizituar tezën dhe dajën e tij, dëshirë e cila i është kufizuar për shkak të vizave.
Por një gjë e bënë atë e mbase edhe shumë të tjerë që të harrojnë të gjitha pakënaqësitë që kanë. Ato janë rrëfimet mbi luftën dhe për heronjtë që kanë dhënë jetën për liri.

Tutje, Kastrati tek varrezat e dëshmorëve në Velani, të cilat i ka vizituar, thekson se do të do të jetojë e kontribuojë për Kosovën të cilin ai e do shumë gjersa ka një mesazh edhe për të tjerët. ‘Duaje edhe ti’, thotë ai në përfundim të kësaj video./KultPlus.com

Dëshmorët

Poezi e shkruar nga Azem Shkreli.

Ata vetëm do të ç´lodhen pak dhe do të vinë
në kremte tjera, nuk janë përmendore
mendimi të ftohtë në gurë, vallë e dinë
u kishte dhembje plaga apo fitore

kur ngriheshin rishtas dhe rishtas binin
me shikimin para, kushedi se ç´panë
tek përçartë flisnin diçka me Leninin
dhe shikonin para dhe s´dinin se ranë

dhe nuk ranë sepse u kishin lulet hije
ata na i dhanë dheut të etur bukuri
të kuqe, të ngrohtë, jo qumësht shpendarie
ata paqe nënshkruan, nënshkruan liri

liri, ajër të lirë, njerëz të lirë, troje
dhe kot i thërrasim me vargje e këmbora
ata janë dheu ynë i ashtëm që rri roje
bimës sonë, moshës sonë, në çeta, batalione

Ata vetëm do të ç´lodhen pak dhe do të vinë
në kremte tjera, nuk janë përmendore
mendimi të ftohtë në gurë, vallë e dinë
u kishte dhembje plaga apo fitore.

Momenti i përurimit të shtatores së arkitektit të Pavarësisë së Kosovës (FOTO)

KultPlus, ju sjellë momentet nga përurimi i shtatores së Presidentit Historik, arkitektit të Pavarësisë së Kosovës, Ibrahim Rugova më 27 shtator në vitin 2013.

Plotë shtatë vite pas vdekjes së Ibrahim Rugovës, komuna e Prishtinës, pati organizuar një ceremoni solemne me këtë rast, ndërkohë që shtatorja u vendos para Kuvendit të Kosovës, ku qëndron edhe sot. Në ceremoni patën marrë pjesë shumë personalitete të jetës politike të vendit por dhe qytetarë të shumtë që kanë dashur të kujtojnë Presidentin Historik të tyre.

Pas një momenti solemn muzikor i përcjellë nga Ansambli i Forcës Mbrojtëse të Kosovës, është zbuluar dhe shtatorja 4. 20 metra e lartë mes duartrokitjeve të pjesëmarrësve dhe mijëra qytetarëve.

Ideja e kësaj vepre madhështore ka dalë nga studio e skulptorit Julian Muçollari dhe është realizuar në fonderinë e veprave të artit. Shtatorja ishte përfunduar brenda 15 ditëve. Ajo kishte ardhur nën masa të sigurisë nga Tirana në Prishtinë përmes Rrugës së Kombit./ KultPlus.com

Fëmijët e kopshtit “Elita” po qëndisin flamurin e Kosovës (FOTO)

Dhjetëvjetori i Pavarësisë së Kosovës po shënohet në të gjitha anët e Kosovës dhe secili institucion po mundohet që të shënojë këtë festë të madhe edhe në mënyrë kreative. Në kopshtin për fëmijë “Elita”në Prishtinë, paraditja e sotme ka kaluar me qëndisjen e flamurit të Kosovës, shkruan KultPlus.

Fëmijët e grupmoshës pesë vjeçare i janë përkushtuar punimit me dorë, që flamuri i Kosovës të qëndiset edhe nga duart e tyre të vogla.

Ninna Krasniqi është njëra prej fëmijëve që ka marë pjesë në këtë aktivitet. Ajo me buzëqeshje është shprehur se po qëndisë flamurin e Kosovës, duke thënë se është hera e parë për të që edhe e përdorë gjilpërën.


Emira Hajzeraj
Kurse drejtoresha e kopshtit të fëmijëve “Elita”, Emira Hajzeraj ka thënë për KultPlus se si institucion parashkollor, mundohen që çdo festë ta shënojnë në mënyrë kreative, që fëmijët, nëpërmjet punës së tyre të kuptojnë edhe historinë.


“Është më rëndësi kjo iniciativë, sepse ata duke krijuar, në të njëjtën kohë mësojnë edhe për flamurin, shtetësinë e Kosovës dhe historinë. Fëmijët në asnjë mënyrë nuk do ta harrojnë këtë qëndisje që e kanë realizuar sot, sepse në formë të lojës, atyre ju ngelet në mendje edhe ky shënim i përvjetorit të dhjetë të shtetësisë së Kosovës”, ka thënë Emira Hajzeraj./KultPlus.com

Pamje nga vizita e personaliteteve të fuqishme botërore në Kosovë (FOTO)

Bill Clinton, Joe Biden, Hillary Clinton, Angela Merkel, John Kerry, Tony Blair e shumë të tjerë personalitete të fuqishme botërore vizituan Kosovën gjatë një dekade të shtetit të pavarur, shkruan KultPlus.

Me flamujt e shteteve të tyre dhe flamurin e Kosovës, u mirëpriten shumë nga këta përfaqësues të shteteve mike të Kosovës. Në fotografitë e shkrepura nga momentet e vizitës së tyre, përveç pritjes protokollare shtetërore, shihet edhe një pritje përplot emocion nga qytetarët që zgjasin duart drejt tyre.

KultPlus, ju sjellë disa fotografi të këtyre momenteve. /KultPlus.com

“Bac, çikat na e zbardhen ftyrën!” (FOTO)

“Bac, u kry” është një nga panot e famshme që u përdor si një formë komunikimi ndaj përmbushjes së amanetit të komandantit legjendar Adem Jasharit dhe të rënëve të tjerë për lirinë e vendit, shkruan KultPlus.

Bazuar në këtë, në këto ditë festive ekipi i “Image of Kosova”, ka përzgjedhur një mënyrë të veçantë për të dhënë një mesazh për ambasadoret më të mira të vendit, që po e ngritin emrin e këtij shteti, në shumë vende të botës.

Në këtë fotografi të dizajnuar nga “Image of Kosova”, shihen këngëtaret shqiptare me fame botërore Rita Ora, Dua Lipa dhe kampionia e botës, Majlinda Kelmendi, ndërsa shkruhet “Bac, çikat na e zbardhen ftyrën!”. /KultPlus.com

NEWBORN, monumenti që vulosi shtetin e ri në botë (FOTO)

Alberina Haxhijaj

Instalacioni metalik me shkronja “NEWBORN”, i vendosur para Pallatit të Rinisë në Prishtinë, ishte zbuluar në Ditën e Pavarësisë – më 17 Shkurt 2008. Ai monument fillimisht ishte i hapur për të dhënë nënshkrime në të. Pas shpalljes së Pavarësisë së Republikës së Kosovës, ish-Kryeministri Hashim Thaçi dhe ish-Presidenti Fatmir Sejdiu, vunë nënshkrimet e para në NEWBORN. Kësisoj, vepruan edhe shumë qytetarë të Republikës së Kosovës.

Por pamja e “NEWBORN”-it së bashku me mesazhet që ai transmetonte ndryshuan ndër vite.

Monumenti “NEWBORN” (nga anglishtja “i porsalindur”), është i ndërtuar nga një skelet çeliku i mbuluar me shtresë metali 4mm të trashë. Çdo shkronjë është 3 metra e lartë dhe 1 metër e thellë, me peshë prej përafërsisht 1 tonelate. I gjithë instalacioni është 24 metra i gjerë.

Monumenti ishte për vite i ngjyrosur në të verdhë dhe e mbuluar me nënshkrimet dhe mesazhet që lanë qytetarët e Kosovës por edhe ata që e vizituan këtë monument. Ngjyra e verdhë përfaqësonte flamujt e Kosovës dhe Bashkimit Evropian. Ky monument i cili edhe fitoi disa çmime ndërkohë si: Cannes Gold Lion, Silver Clio, Silver Eurobest, Golden Drum Grand Prix dhe të tjera, qëndroi i njëjtë deri në 5 vjetorin e Pavarësisë së Kosovës, pasi që krijuesve të monumentit iu ishin refuzuan kërkesat e njëpasnjëshme për mirëmbajtje dhe ngjyrosje. Atyre që në përvjetorin e parë iu mohua realizimi i idesë fillestare, që të ngjyroset ndryshe për çdo vit dhe të zbulohet me pamje të re për çdo datë të 17 shkurtit.

Duke qenë simbol i pavarësisë skulptura ka tërhequr shpeshherë vëmendjen e mediave të huaja. Reklama më e mirë këtij monumenti është bërë në vitin 2012 nga këngëtarja shqiptare, Rita Ora e cila në klipin e këngës së saj “Shine Ya Light” u paraqit duke kënduar mbi “NEWBORN”. Ky simbol po ashtu në vitin 2012-të, pra në katër-vjetorin e pavarësimit, ishte shfaqur edhe në reklamën 1 milionëshe në CNN ku për 24 orë këmba e shkronjës “B” ishte ngjyrosur me të zezë, nga persona të panjohur, duke bërë që fjala “NEWBORN” (i porsalindur) të duket si “Newporn”.

Por pak ditë para 5 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, në vitin 2013, Qeveria e Kosovës mori vendimin ta ngjyroste atë me ngjyrën që e pati që në fillim – të verdhë, e cila nga krijuesit u cilësua se nuk ishte e njëjtë me parapraken. Kështu si shenjë revolte, vetëm dy ditë para 5-vjetorit të Pavarësisë, krijuesit u bënë një thirrje qytetarëve nëpërmjet rrjeteve sociale Facebook dhe Twitter, që të ndihmonin në ngjyrosjen e monumentit, me flamujt e 98 shteteve që e kanë njohur Pavarësinë e Kosovës. Duke e konsideruar këtë si mënyrë falënderimi për njohjet, një porosi shteteve të tjera që të na njohin, si dhe një përkujtim Qeverisë së Kosovës se ka shumë punë për të bërë, që t’ia sigurojë vendit ulësen në OKB.

Një vit më vonë në vitin 2014, “NEWBORN” tërhoqi vëmendjen e medieve për faktin se shtetit ende i mungon ushtria e vet. “NEWBORN”-i ishte “veshur” me rroba ushtarake në shenjë respekti për 15 vjetorin e çlirimit nga NATO-ja dhe UÇK-ja.

“Sivjet, për hir të flijimit të popullit tonë gjatë luftës së vitit 1999, sakrificës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe ndihmës kolosale të Aleancës Veriatlantike (NATO), do të kremtohet viti jubilar i 15-të i paqes në Kosovë, me pamje të uniformave ushtarake të asaj kohe”, u tha në njoftim. Kështu çdo shkronjë pati larat e njërës prej ushtrive kryesore botërore të asaj periudhe, ose të uniformave me të cilat është identifikuar UÇK. “NEWBORN” këtë vit më së shumti iu dedikua atyre që dhanë jetën, që “NEWBORN” të jetojë. Por puna guerile e lyerjes këtë vit shkaktoi kritika për temën e saj ushtarake dhe ngriti pyetjet rreth asaj se çfarë përfaqëson monumenti dhe kush mban të drejtën për të ndryshuar pamjen e tij.

Në vitin 2015 “NEWBORN” vuri theksin të liria e shprehjes. Nën moton “Shprehu shlirë, ndjehu mirë”, ky monument u ngjyrosë nga vetë qytetarët. Një diell, një sy, një lule, një raketë, një katrorë i zi ishin vetëm disa pjesë nga vizatimet e shumta që realizuan vet qytetarët. Ata ishin të lirë të pikturonin çdo shkronjë, përveç shkronjës “E” e cila mbeti e zezë, duke simbolizuar emigrimin masiv të kosovarëve në vitin 2015.

Kurse viti 2016 e solli “NEWBORN” më ndryshe duke marrë pamjen e një qielli të kaltër me re e me gjemba. Izolimi ishte koncepti mbi të cilin u ngjyros Monumenti i Pavarësisë në ditëlindjen e tetë të shtetit. Gjembat simbolizonin pengesat për të kapërcyer kufirin lirshëm. Pamja e re tregonte qiellin që një shtet i ri s’po ia del ta mbërrijë për shkak të pengesave. Gjithashtu ishte simbolikë e pamundësisë së vendit për t’u integruar në Bashkimin Evropian. E në aspekt global, ishte edhe zëri i dyndjeve të refugjatëve që kanë qenë kryelajm në medie botërore.

Në vitin 2017 shkronjat ‘N’ dhe ‘W’ e këtij monumenti u rrëzuan. Poshtë shkronjave të rrëzuara u dha mesazhi “No Walls”, (nga anglishtja “pa mure”). Duke përcjellë mesazhin se në një botë ku çdo ditë po krijohen mure, dhe lëvizja e lirë çdo ditë e më shumë po kushtëzohet nga mendjet e ngushta, e në Kosovën e brishtë ku një mur vazhdimisht po e cenon sovranitetin e shtetit, “NEWBORN” dëshiron që ti rrëzojë këto mure për hir të njerëzimit. Kështu “NEWBORN” kësaj radhe përçoi një mesazh të fortë, kundërshtimin e mureve, apo çfarëdolloj ndarjeje që ndodh mes njerëzimit.

Këtë vit për të shënuar 10-të vjetorin e pavarësisë së Kosovës shkronjat e “NEWBORN”-it, të vendosura para Pallatit të Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë, janë larguar për me iu gërryer ngjyrat, ndryshku edhe papastërtitë që ka mbledhë ndër vite, duke marrë kështu trajtimin e merituar, por edhe për tu kthyer me një pamje të re këtë vit./ KultPlus.com

“Njeriu që mungonte” solli kthimin e dëshmorit në Kosovën e pasluftës

“Njeriu që mungonte”, me regji të Isa Qosës e me tekst të Zymber Kelmendit, mbrëmë erdhi premierë në Teatrin Kombëtar të Kosovës, shkruan KultPlus.

Gili Hoxhaj

“Njeriu që mungonte”, me regji të Isa Qosës e me tekst të Zymber Kelmendit, mbrëmë erdhi premierë në Teatrin Kombëtar të Kosovës, shkruan KultPlus.

Kjo shfaqje brenda skenës solli fatin e personazhit të Agronit, i cili për disa vite ka qenë i zhdukur i luftës. Por në jetën e njerëzve të tij, e të vendit ai figuron si dëshmor lufte, ndërsa emri i tij qëndron i gdhendur mbi varrin ku prehen eshtrat e dikujt tjetër. I kthyer në familjen e tij pas katër viteve të luftës, kupton rrjedhën e jetës që çdonjëri kishte krijuar pa praninë e tij, por mbi emrin e tij. Kthimi i Agronit në shtëpi, e bën atë dëshmitar të projekteve e shtatores me emrin e tij. Shkolla që ka marr po ashtu emrin e këtij dëshmori, që dikur ishte arsimtar, duket se më nuk ka vend për kthimin e tij si individ. Bisedat për varrimin e tij, e për realitetin e tanishëm, në këtë shfaqje vijnë në dritën e qiriut. Shtëpia e tij, tashmë do të bëhet ankth i izolimit edhe pas disa vitesh qëndrimi në burg. Trokitjet në derë janë një ankth i ri, që shtohet çdo ditë e më shumë. Kjo gjendje po bëhet çdo moment e më e padurueshme për Agronin sa që në fund të shfaqjes, ai vendos që përsëri t’i zhduk gjurmët e hapave të tij nga vendi ku më nuk po mund ta shihte dritën nga jashtë.

Zymber Kelmendi e ka përcjellur tërë procesin e provave, për ta parë se si tingëllon teksti në letër dhe në skenë, ndërsa tha për KultPlus se ndihet shumë i kënaqur me gjithë procesin e kësaj shfaqje.
“Arti nuk ka mundësinë që t’i ndryshoj gjërat por që të prek ndërgjegjen e secilit. Duhet të kishim një kujdes më shumë karshi kësaj, duket se ne çdo gjë po e ndërtojmë mbi të kaluarën tonë, pa pasur një koncept për të ardhmen”, u shpreh dramaturgu Kelmendi.

Për KultPlus, tha se përmes këtij teksti tenton të ngrij disa pyetje se kush jemi ne në raport me të kaluarën tonë, në raport me njerëzit që kanë dhënë shumë për këtë vend.
Ngjarjen e kësaj shfaqje në skenë e jetësuar aktorët: Teuta Krasniqi, Basri Shala, Agron Shala, Doresa Rexha dhe Gani Rrahmani.

Basri Shala, në këtë shfaqje pati mbi supet e tij rolin kryesor të shfaqjes, atë të dëshmorit të kthyer, Agronit. Ai tha për KultPlus se procesi më i mirë i gjithë shfaqjes, kanë qenë provat të cilat kanë zgjatur për rreth një muaji e gjysmë. Lidhur me rolin, ai tha se ka qenë një rol i rendë për ta luajtur, kjo bazuar edhe në natyrës e tij energjike të punës.

“Realisht, ky ka qenë rol ka qenë një rol i rëndë, sepse për dallim prej kolegëve që kanë pasur mundësi me u shpreh, ky shumicën e lojës e ka pasur të brendshme, arsyeja është e qartë, sepse është një rob lufte që pas katër viteve kthehet në shtëpi të vet dhe burgu e ka një të mirë që të rehaton”, u shpreh Shala për KultPlus.

Teuta Krasniqi, me anë të këtij roli po kthehej pas një viti e gjysmë në skenën e Teatrit. Ajo në këtë shfaqje solli gruan e dëshmorit dhe përballjen e saj të përditshme me rrethanat e jetës që të krijohen nga ky fat. Teuta për KultPlus tha se ndihet e nderuar nga puna e parë me regjisorin Qosja, ndërsa shtoi se e veçanta e kësaj shfaqje qëndron pikërisht tek teksti.

“Me regjisorin ka qenë një bashkëpunim i jashtëzakonshëm. Edhe sot në takimin e fundit para premierës e thash se nuk ka rendësi destinacioni sa ka rendësi rrugëtimi. E veçanta e krejt shfaqjes është teksti, sepse teksti është shumë i veçantë, është shumë i fuqishëm, është jashtëzakonisht i shkruar me finesë”, u shpreh aktorja Teuta Krasniqi, e cila tha se interpretimi i këtij teksti në të njëjtën kohë ka qenë përgjegjësi por edhe jo e vështirë.

Skenografe e kësaj shfaqje ishte Shqipe Kamberi, kostumografe Samka Ferri, skulptor Agron Blakçori dhe kompozitor Korab Shaqiri. Reprizat e para të kësaj shfaqje vijnë më 17 dhe 19 shkurt duke filluar nga ora 20:00./KultPlus.com

Ekspozita “Vizatimi sot”, një pasqyrë 40 vjeçare e vizatimit në Kosovë

Alberina Haxhijaj

Adem Rusinovci, Agim Salihu, Alije Vokshi, Artan Balaj, Artan Hajrullahu, Burim Canolli, Esat Valla, Fjoruntina Sylejmani, Hysni Krasniqi, Jeton Muja, Leunora Salihu, Mehmet Behluli, Musa Prelvukaj, Nebih Muriqi, Orhan Kurtolli, Rexhep Ferri, Shpend Qeriqi, Shyqri Gjurkaj, Veli Blakçori dhe Vlora Hajrullahu janë bashkuar mbrëmë në Galerinë Kombëtare të Kosovës përmes punimeve të tyre duke sjellë kështu një pasqyrë 40 vjeçare të vizatimit në Kosovë.

Artdashësit të cilët e vizituan ekspozitën “Vizatimi sot”, e realizuar me rastin e dhjetëvjetorit të Pavarësisë së Kosovës, arritën që të marrin një përshkrim të tranzicionit që ka pësuar vizatimi ndër vite në Kosovë. Madje përmes vizatimeve arritën që të kuptojnë se cilat kanë qenë ngjarjet apo proceset nëpër të cilat ka kaluar Kosova e që kanë lënë gjurmë në veprimtaritë e artistëve. Gjithë kjo pasi që vizatimi paraqet shumëllojshmërinë përmes mediumeve që artistët kanë zgjedhur si dhe motiveve të shumëllojshme me të cilat ata konfrontohen si krijues.

“Portret”, “Muret”, “Vetmi e madhe”, “Nostalgjia”, “Vizatim në autobus”, Mëngjesi i Orfeut”, “Kthimi në shtëpinë e djegur”, “Furtuna”, “Larg dhe afër”, “Torzo në mal”, “Qele zemrën”, “Çelësi i jetës”, “Qyteti im”, “Jeta është e bukur”, “Gurët në hapësirë”, “Shikimi brenda humnerës”, “Kolltuku”, “Retro copë”, ishin disa nga punime e sjella në këtë ekspozitë, të cilën drejtoresha e Galerisë Kombëtare të Kosovës, Arta Agani e konsideroi të rëndësishme për faktin se në qendër ka vizatimin.

“Për këtë ekspozitë kemi vendosur që t’i qasemi një disipline, një formë të artit e cila nuk trajtohet shpesh nëpër ekspozita. Vizatimi është zgjedhur pasi që është forma e parë e komunikimit ndër njerëzor dhe atij mes gjeneratave. Po ashtu vizatimi është forma më e sinqertë në të cilën nuk ka hile, dhe vizatimi mund të jetë ose i mirë ose i keq por nuk ka mes”, u shpreh ajo duke sqaruar se ky vit ka filluar mbarë për galerinë edhe për faktin se artisti Rexhep Ferri, ia ka dhuruar galerisë vizatimin ‘Portreti i dyfishtë”.

Kjo është e rëndësishme pasi që koleksioni të cilin e posedon galeria nuk është përtërirë me vite.

Në mesin e artistëve pati edhe tre artistë kosovarë nga diaspora të cilët në mënyrë të suksesshëm janë duke e përfaqësuar vendin e tyre si artisti Shyqri Gjurkaj që jeton në Suedi. Pastaj Leunora Salihu e cila tashmë po njihet në Evropë e veçanërisht në Gjermani, dhe Artan Balaj i cili jeton dhe vepron në Belgjikë.

Kuratori i ekspozitës, Ismet Jonuzi tha se realizmi i një ekspozite e cila përmban punime të 20-të artistëve ishte një procedurë e vështirë dhe e këndshme njëkohësisht.

“Artistët janë kryesisht ata që e përfaqësojnë të sotmen dhe janë të moshave të ndryshme, që nga ata që kanë formuar Fakultetin e Arteve në Prishtinë e deri të gjenerata më e re që sapo ka përfunduar Fakultetin e Arteve. Vet titulli dhe koncepti i ekspozitës “Vizatimi sot” ka të bëjë me të sotmen, dhe më atë se çfarë po ndodh me vizatimin sot në skenën e artit pamor dhe një pasqyrë e saj. Natyrisht që në këtë hapësirë nuk mund të përfshihen të gjithë dhe kjo është vetëm këndvështrimi im si autor për të përfaqësuar këta artistë në mesin tuaj”, u shpreh ai.

Një ekspozitë e tillë mirëpo me artistë nga Shqipëria ishte menduar që të shfaqej edhe në Tiranë në të njëjtën kohë mirëpo që për shkaqe të caktuar një gjë e tillë nuk ka arritur që të realizohet. Për piktorin Agim Salihu realizmi i një ekspozite të tillë do të ishte i mirë për faktin se vizatimi trajtohet ndryshe në Shqipëri dhe në Kosovë. Sipas tij në Shqipëri i bëhet një trajtim shumë i mirë vizatimit klasik kurse në Kosovë atij bashkëkohorë.

“Që një kohë të gjatë nuk janë bërë ekspozita të vizatimit dhe kjo tregon një pasqyrë të mirë se çfarë po ndodh me vizatim në Kosovë. Vizatimi ka një traditë të gjatë mirëpo për një kohë ka qenë i lënë anash edhe përkundër faktit se vizatimi ka një rëndësi të madhe pasi që gjithçka realizohet prej një fryme dhe nuk mundet shumë me improvizu, pra është një materie ku tregohet një profesionalizëm shumë i madh”, u shpreh Salihu për KultPlus, duke theksuar se Kosova duhet të prezantojë vetën në botë pikërisht përmes artit.

Ekspozita synon të paraqesë realitetin krijues të skenës së artit pamor aktual por edhe tendencat e reja nga artistët e rinj, e që i bashkon të gjithë në një koncept të vetëm. Por disa prej tyre në mesin e të cilëve është edhe Jeton Muja paraqesin edhe realitetin në Kosovë, përmes video instilacionit, dhe vizatimeve të tij.

“Në vitin 2015 kur kosovarët filluan që të emigrojnë, emigracioni u bë një preokupim i imi si qytetar por edhe si artist. Kjo temë më ka ngacmuar dhe kam filluar ta zhvilloj dhe gjithë puna që kam bërë është në autobus. Koncepti është i tillë që autobusi vizatonte me dorën time”, pohoi ai për KultPlus, duke shtuar se vizatimet janë bërë gjatë udhëtimit në autobus edhe jashtë Kosovës si në Holandë, Romë, Zvicër, Belgjikë, Gjermani e vende të tjera.

Artistët e përzgjedhur tregojnë ecurinë e piktorëve, skulptorëve, grafistëve dhe artistëve medial, që aktualisht janë aktiv në skenën e artit bashkëkohor kosovarë. Kjo i ka lënë përshtypje edhe artistes Vlora Hajrullahu.

“Jam shumë e lumtur që jam pjesëmarrëse me punimet e mia në këtë ekspozitë pasi që jam bashkëpjesëmarrëse me disa nga profesorët e mi të cilët tani i kam edhe kolegë. Vizatimi akoma vazhdon të përdoret në punime e mia edhe pse kam bërë ndryshime shumë. Pra vizatimi mbetet por i përshtatur më ngjyrën dhe i harmonizuar me pjesën tjetër”, tregoi ajo për KultPlus, duke theksuar se është pikërisht teksti i cili e shtynë që të hyjë në koncept të vizatimit.

Ekspozita e hapur më 15 shkurt do të qëndrojë përgjatë këtij muaji në Galerinë Kombëtare të Kosovës. / KultPlus.com

Tirana së shpejti me një teatër ndër më modernët në Europë

Tirana do të ketë shumë shpejt një teatër të ri modern, pa kullë, në vendin ku ndodhet sot Teatri Kombëtar dhe do të jetë ndër më të mirët në Europë, ka deklaruar sot Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.

I ftuar në koncertin “Vienna Salutes Tirana”, i cili çeli zyrtarisht Vitin Kulturor Austri-Shqipëri në Tiranë, kryebashkiaku Veliaj, u shpreh se “Unë kam një lajm të mirë sot. Ne tashmë e kemi marrë një vendim, nuk është sekret. Tirana do të ketë një Teatër Kombëtar modern, pa kullë sipër, në vendin ku është Teatri sot dhe do të jetë ndër më të mirët në Europë dhe jemi të vendosur që ta zhvillojmë këtë projekt në kohë rekord”.

“Ju premtoj sot publikisht që në bashkëpunim me qeverinë shqiptare, me Kryeministrin, me ministren e Kulturës dhe të gjithë dashamirësit, ne do të kemi një Teatër Kombëtar të paprecedent në të gjithë Europën”, theksoi Veliaj.

Kreu i Bashkisë pohoi se sikurse të gjitha projektet e mira, kërkohet durim dhe bashkëpunim nga të gjithë. “Por si çdo projekt, sidomos projektet e sofistikuara, duan durim, duan bashkëpunim. Ajo që do të shikoni sot në skenë duke filluar nga Inva Mula e gjithë të tjerët është produkti i njerëzve që i bëjnë gjërat me durim, që mundohen të bëjnë histori, jo histeri dhe nëse ne i bëjmë gjërat me durim dhe me mirëkuptim, ashtu siç dukeshin të pamundur ndonjëherë sheshi “Skënderbej”, apo Pazari i Ri, apo këndi i lodrave, apo debate të tjera që ne kemi pasur thuajse duke u kacafytur me njëri-tjetrin, që sot kanë dalë produkte të mrekullueshme”, tha ai./ KultPlus.com

Krijuesit e sloganit ‘Bac, u kry’: Brenda pak orëve slogani nuk ishte më i yni (FOTO)

“Bac, u kry”, është njëra nga panot më të famshme që nga koha e pasluftës. Ajo tregon përfundimin e një lufte që pas shumë sakrificash solli lirinë. Por a e dini kush janë autorët e “Bac u kry”?

“Bac, u kry!” është një logo e krijuar nga Krenar Gashi, Besnik Nuli dhe Muhamet Jashanica, posaçërisht për Pavarësinë e Kosovës.

Logoja nga krijuesit është liruar për përdorim por pa ndërhyrje në të, duke lënë si logo shpirtërore, e cila nuk është e lejuar për biznes të asnjë lloji.

Logoja i drejtohet Adem Jasharit, komandantit legjendar të UÇK-së, i cili u vra së bashku me gjithë familjen e tij në një konfrontim me forcat serbe.

Edhe fjala “bac” i drejtohet Adem Jasharit, njeriut që dha jetën për pavarësinë e Kosovës.

Krenar Gashi është hulumtues dhe aktivist i shoqërisë civile.

Kënga fituese e Sanremos 7.5 milionë shikime në Youtube

Kënga e Fuese e kënduar në Sanremo, po pëlqehet jashtëzakonisht nga fansat në kontinentin e vjetër europian.

“Non mi avete fatto niente” e Ermal Metës dhe Fabrizio Moros tanimë numëron 7.5 milionë shikime në Youtube, në kanalin e RAI-t.

Këto klikime janë për natën e parë të Festivalit të Sanremos, duke mos numëruar edhe paraqitjet e tjera të kësaj kënge deri në natën finale.

Ermali dhe Fabrizio me këtë këngë do shkojnë në Eurovizion për të përfaqësuar Italinë, në muajin maj të këtij viti në Lisbonë.

Meta, është një nga tre shqiptarët që do të ngjitet në skenën e Eurovizionit këtë vit.

Është herët të flitet për këngët favorite për të fituar Eurovizionin, por Italia këtë vit mbetet një konkurrente e fortë, 7.5 milionë shikime për vetëm 1 javë tregon se kënga premton shumë dhe e ka suksesin të garantuar./ KultPlus.com

“Një ditë me kuratorin!” me temë “Monedhat, dëshmi e qytetërimit ilir”

Muzeu Historik Kombëtar do të zhvillojë pranë Pavijonit të Lashtësisë veprimtarinë “Një ditë me kuratorin!”, me temë “Monedhat, dëshmi e qytetërimit ilir”.

Kjo është një veprimtari, e cila synon të rrisë bashkëpunimin midis këtij institucioni me shkollat e mesme dhe të larta, shkruan ATSH. Ky bashkëpunim do t’i sjellë më afër objektet me studentët e nxënësit. Kuratorët e Muzeut Historik Kombëtar organizojnë orë të hapura, ku i flasin brezit të ri për punën e tyre të përditshme dhe ndajnë njohuritë e tyre mbi një temë të caktuar.

“Një ditë me kuratorin!”synon të rrisë ndjeshmërinë e brezave të rinj ndaj objekteve muzeale, të evidentojë rolin e kuratorit të një muzeu, si dhe të inkurajojë dialogun me qytetarët mbi historinë e kulturën. Kuratori do të ketë në qendër të diskutimit objektet e një pavijoni të një periudhe historike të caktuar, do të diskutojë për origjinën e një objekti të veçantë të ekspozuar në stenda, aspektet artistike e specifike, skenën e teknikën që është përdorur për realizimin e tij. Studentët për një ditë do të jenë nën udhëheqjen studimore të kuratorit, pranë pavijoneve të Muzeut, ku do të mësojnë më tepër rreth objekteve muzeore./ KultPlus.com

“New York Times” shkruan për 10 vjetorin e Pavarësisë së Kosovës

Në prag të 10 vjetorit të pavarësisë së Kosovës, gazeta prestigjioze amerikane “New York Times” ka shkruar për të.

Andrew Testa, që gjatë kohës së luftës ka qenë fotograf, rreth 20 vite më parë, siç shkruhet në tekst, është kthyer pas kaq viteve në Kosovë për të parë se banorët e këtij vendi kan kaq pak arsye për të festuar.

“Nëse nuk do të ishte për të gjithë ata që dhanë jetën për liri, do të thoja të kthehemi ashtu si ishte më parë” i tha një plak fotografit.

Këtij shkrimi në New York Times i kanë bashkëngjitur edhe një fotografi të një shtëpie në murin e të cilës janë të pikturuara shqiponja dhe flamuri kombëtar.

Rita Ora e ka një mesazh rreth koncertit në Prishtinë (VIDEO)