Milan Šufflay, albanologu kroat që u vra nga armiqtë e shqiptarëve

Në kalimin e natës 18/19 shkurt të vitit 1931 është kryer në Zagreb vrasja e Milan Šufflay, e përgatitur nga regjimi i mbretit Aleksandri I Karagjorgjeviq, vrasje kjo që kishte bërë jehonë të madhe në opinionin publik evropian e botëror.

Lidhur me këtë vrasje është i njohur edhe reagimi i personaliteteve të shquara të shkencës dhe të kulturës, si, Albert Einstein, Heinrich Mann e shumë të tjerëve, të cilët kishin dërguar një letër Ligës Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut në Paris. Sipas letrës në fjalë, kërkohet dënimi për vrasje, si dhe për ushtrimin e diktaturës nga strukturat mbretërore të Jugosllavisë.

Šufflay ishte një nga nxitësit kryesorë të idesë së ndarjes së qytetërimeve sipas “Linjës së Teodosit” nga viti 395. Ndërsa në botën shkencore u bë i njohur me veprat e tia kapitale nga lëmi i Albanologjisë: “Acta et diplomata Res Albaniae mediae aetatis illustrantia, I-II” (“Aktet e diplomat që ilustrojnë ngjarjet në Arbërinë Mesjetare”, në bashkëpunim më, L. Thalloczy dhe K. Jireçek. Vjenë: 1913-1918); “Biologjia e popullit të shqiptarëve” (München, 1916); “Gjendja e kishave në Arbërinë paraturke. Zona ortodokse e depërtimit në digat katolike”, (Zagreb-Budapest: 1915/16); “Kufijtë e Arbërisë në Mesjetë” (Munich-Leipzig: 1916); “Qytete e fortifikata të Arbërisë, kryesisht gjatë mesjetës” (Vjenë-Leipzig: 19241924), “Serbët dhe Shqiptarët” (Beograd-Lubjanë: 1925), “Statuta et ordinationes capituli ecclesiae cathedralis Drivastensis”; ”Fatet politike të Themës së Durrësit” (Zagreb: 1915); romani historik “Alba Limi” kushtuar princit Arbër, Kastandin Balsha (1920), e shumë shkrime të tjera eseistike të kësaj natyre.

Me këtë opus të pasur albanologjik të mbështetur vetëm në burime historike të dorës së parë, Milan Šufflay ishte bërë pengesë e madhe në realizimin e projekteve të mëdha antishqiptare, jo vetëm nga strukturat mbretërore jugosllave, por edhe më vonë nga shteti komunist i Jugosllavisë, që synonin zbrazjen e territoreve shqiptare duke u mbështetur edhe në dëshmi teorike-shkencore-historike se, gjoja shqiptarët janë të pranishëm në treva jashtë Shqipërisë politike vetëm nga kapërcyelli i shek. XVII.

Burimi: A. Einstein Accuses Yugoslav Rulers, in: The New York Times, May 6th, 1931! / KultPlus.com

Mogherini: Keni tre shqiptarë në Eurovizion, jeni integruar në disa vende

Përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian, Frederica Mogherini, tha me shaka gjatë një takimi në Parlamentin Evropian se Shqipëria është e integruar, duke theksuar se tre shqiptarë përfaqësojnë tre vende në Eurovizion.

“Keni tre shqiptarë në Eurovizion që përfaqësojnë tre vende të ndryshme, kështu që jo vetëm jeni integruar në disa prej vendeve, por kam përshtypjen që është Italia, Shqipëria dhe Qiproja. Fituat edhe Sanremon” ka shtuar Mogherini.

Performanca energjike e Dua Lipës në emisionin e famshëm të Jimmy Kimmel (VIDEO)

Ylli botëror Dua Lipa sot ka zënë vend në shkrimet e shumë medieve të huaja për performancën e saj në emisionin e njohur Jimmy Kimmel Live, shkruan KultPlus.

Dua Lipa ka gëzuar një sukses të jashtëzakonshëm me albumin e saj të titulluar “Dua Lipa” dhe me këngën e saj “New Rules”. Ndërsa këtë vit, ajo solli këngën “IDGAF”, e cila po korr shumë sukses. Së fundmi një performancë të kësaj kënge e ka dhënë tek “Jimmy Kimmel Live”.

Gjatë këndimit të këngës “IDGAF”, këngëtarja Dua Lipa shfaq një energji të jashtëzakonshme. Ndërsa ajo këndon këtë këngë, teksti i saj paraqitet prapa e që bën që edhe publiku ta këndojë këngën së bashku me të.
https://www.youtube.com/watch?v=t9QxlDaI3Y4

Së fundmi këngëtarja shqiptare, ka pasur një shkëputje nga skena për shkaqe shëndetësore ndërsa ka paralajmëruar se nga sonte ajo do t’i kthehet koncerteve në Australi./ KultPlus.com

‘Me dasht’, me dasht’, me dasht’ me premierë në Hot Docs të Kanadasë

‘10 dokumentarë evropian të jashtëzakonshëm janë zgjedhur për ‘The Changing Face of Europe’; bashkëpunimi i ri i European Film Promotion me Hot Docs në Toronto’ është titulli i komunikatës së lansuar nga EFP.

Në këta 10 filma bënë pjesë edhe dokumentari i mbështetur nga QKK ‘Me dasht’, me dasht’, me dasht’’ nga Ilir Hasanaj, film ky që pati premierën kombëtare në DokuFest ku edhe mori çmimin e publikut.

Hot Docs është një ndër festivalet më të mëdha të dokumentarit në botë dhe ky është edicioni i 25-të i tij i cili fillon nga 26 prill deri më 5 maj 2018. Një përzgjedhje e gjerë e 200 dokumentarëve prej Kanadasë dhe mbarë botës do të shfaqen përpara publikut të Torontos.

Dokumentari ndjek storien e një çifti të ndarë rishtazi dhe një adoleshenti të humbur, i cili është i zhgënjyer nga jeta. Të tre këta i bashkohen një projekti artistik me të cilën udhëtojnë në Evropë.

Në muajin prill ky film do të shfaqet edhe në festivalin American Documentary Film Festival në Palm Springs./ KultPlus.com

Hapet konkursi për Panairin e Librit “Fieri 2018”

Njoftojmë të gjithë autorët poetë, shkrimtarë, studiues, si dhe botues se sot hapen pranimet për botimet që do të përfshihen në konkurs në kuadër të Panairit të Librit “Fieri 2018”, shkruan KultPlus.

Kriteret për konkurs janë:

– Librat të dërgohen të printuar (3 kopje);
– Botimet (poezi, prozë, studime, si dhe letërsi për fëmijë), duhet t’i përkasin periudhës 1 qershor 2017 – 27 prill 2018;
– Nuk pranohen ribotime;
– Çmimet për fituesit ndahen natën e fundit të panairit.
Për më tepër informacion, mund të kontaktoni në dy adresat elektronike më poshtë:

[email protected]
[email protected]
Pranimet mbyllen më datën 27 prill 2018./ KultPlus.com

Shqiptarët besojnë më shumë te feja se tek institucionet

Për vitin 2017, shqiptarët kanë thënë se besojnë më tepër tek institucionet fetare se sa tek ato të arsimit publik, tek institucionet e shëndetit, tek policia apo tek prokuroria apo gjykata.

Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim (IDM) dhe Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (PNUD) kanë prezantuar së fundmi gjetjet e sondazhit “Besimi në Qeverisje 2017”, i zhvilluar në nëntor 2017, raporton TopChannel.

Gjetjet tregojnë se institucionet publike që gëzojnë besimin më të madh janë:

– Institucionet Fetare (76%)

– Forcat e Armatosura (63%)

– Institucionet e Arsimit Publik (63%)

– Institucionet e Shëndetit Publik (53%)

– Policia e Shtetit (53%)

– Prokuroria (22%)

– Gjykatat (21%)

– Partitë Politike (21%)

Linja e rrobave për fëmijë “Vit’Aime”, në ankand për Bekim Lumin

Vazhdojnë aktivitete në New York, për të ndihmuar regjisorin Bekim Lumi. Në ankand do të dalin edhe veshjet nga linja për fëmijë Vit’Aime, shkruan KultPlus.

Miqtë e regjisorit Bekim Lumi, të cilët jetojnë dhe punojnë në New York do të mbajnë një koncert me qëllim që të ndihmojnë regjisorin. Në kuadër të këtij organizmi do të realizohet edhe një ankand ku është njoftuar se Afërdita Delaj do të dhurojë edhe rrobat nga linja për fëmijë Vit’Aime.

Ky organizim ishte paralajmëruar fillimisht si koncert nga artistët ,Riad Ymeri, Ergin Oda, Donika Ukshini-Gjokaj, Kushtrim Hoxha, Lori Miho, Bekim Qela, Lekë Salihu, Faton Macula, Taulant Mehmeti, Arens Leka, Angelo Miho, Shpend Xani.

Më vonë këtij organizmi iu bashkuan edhe miq e artistë të tjerë si: Fadil Berisha, Sara Shala, Vero panini & wine bar, Shpresa Xhakli, B&B Couture, Blue Waterfall Films, Albanian American Woman’s Organization “Motrat Qiriazi”, e të tjerë.

Koncerti do të mbahet në Scandinavia House, 58 Park Ave, New York, NY. Tiketat do të mund të blihen në hyrje të derës kurse çmimi i tyre është 50 dollarë.

Paratë e mbledhura nga kjo natë do të përdoren për tu solidarizuar me regjisorin dhe profesorin Bekim Lumi, një artist që për vite me radhë ka dhënë kontribut të jashtëzakonshëm për skenën artistike dhe teatrale si dhe edukimin e studentëve dhe artistëve të rinj. Ngjarje të tilla janë realizuar gjatë muajit të kaluar kurse do të vazhdojnë edhe gjatë këtij muaji./ KultPlus.com

“Erdhi pranvera çeli qershia” (VIDEO)

KultPlus ju sjellë këngën “Erdhi Pranvera” të këngëtares Merita Halili, e cila është e njohur me këngët e saj popullore.

Erdhi pranvera çeli qershia
Dita filloj me ardh.
Erdhi pranvera çeli qershia
unë rri tu mëndu .

Kush t’mi qaj hallet e mija, ajo që desha u largu.

Ka shumë vite moj
që po t’presë moj
Du me t’pa me sy.

Nëna yte moj edhe baba moj
t’kishin mbyll o me dry.

Vura kokën ne jastëkë
Kujtova se binte shi.
Por ata moj,
ata ishin lotët e mi./KultPlus.com

13-vjeçari nga Kosova, fitues i vendit të parë në “Palaio Faliro Guitar Festival” në Athinë (FOTO)

13 vjeçi nga Mitrovica, Diar Aliu, nxënës i klasës së 7-të, ishte pjesëmarrës në edicionin e 7-të të “Palaio Faliro Guitar Festival” të mbajtur në Athinë të Greqisë.

Diari, nga Athina u kthye me vendin e parë në kategorinë e dytë që përmbledh grupmoshat 13-16 vjeç, aty ky ai konkurronte, shkruan KultPlus. Përveç kësaj, Diar Aliu, kishte mundësi të ndiqte një masterklas nga John Feeley dhe Yannis Petridis. Ndërsa përveç mirënjohjes ai fitoi edhe një kitarë të punuar nga mjeshtri Stelios Theodoroudis me vlerë prej 1000 euro si çmimi kryesor i kategorisë.

Diari, për këtë pjesëmarrje në Athinë është mbështetur financiarisht nga prindërit, ndërsa talenti 13-vjeç, ka marrë pjesë edhe nëpër festivalet e tjera të kitarës në Kosovë e së fundmi edhe në spektalin e virtuozeve të organizuar nga Inva Mula.

Talenti në kitarë, doli të jetë fitues i kategorisë së dytë në “Peja Guitar Festival 2017”. Krejt ky sukses i Diarit, sipas prindërve të tij është meritë e profesorit Drilon Cocaj, pasi që, Diar Aliu është nxënës i klasës së pestë i shkollës së muzikës “Prenk Jakova” në Prishtinë./ KultPlus.com

Ministri Gashi: Me sponsorizim në kulturë, rini, sport e trashëgimi do të kemi edhe ngritje të performancës

Sot, nën organizimin e Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, u mbajt tryeza e diskutimit lidhur me aktet ligjore që kanë të bëjmë me sponsorizimin, dhe përfitimet që dalin nga këto politika të reja të MKRS-së për palët përfituese si dhe për bizneset.

Në këtë tryezë mori pjesë edhe ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi. Ministri me këtë rast foli rreth Ligjit për Sponzorizime duke thënë se ky Ligj rregullon përkrahjen dhe mbështetjen financiare e materiale të aktiviteteve kulturore, rinore dhe sportive përmes sponsorizimeve dhe reklamave.

Ndër të tjera, ministri Gashi theksoi se përmes sponsorizimit të aktiviteteve të ndryshme në fushën e kulturës, rinisë dhe sportit realizohet interesi i përgjithshëm i cili sjell përmirësimin e jetës individuale dhe shoqërore të qytetarëve, organizatave biznesore, fondacioneve, personave fizik dhe juridik në Republikën e Kosovës. “Qëllimi i sponsorizimit është realizimi, përkrahja, promovimi dhe mbështetja e veprimtarive dhe aktiviteteve në fushën e kulturës, rinisë dhe sportit” u shpreh ministri.

“Kur është proceduar ligji ka qenë i paraparë të jetë 20 % por deputetet kanë vendos që të jetë 30%. Është ligj që ashtu e kemi gjetur. Ne kemi nxjerrë një rregullore e cila e lehtëson zbatimin e këtij ligji. Tani ka mbetur koordinimi me ministrinë e Financave. Besoj që deri në qershor t’i kemi të harmonizuara të gjitha”, shtoi ministri Gashi.

Ministri po ashtu tha se Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, ka nxjerr Rregulloren për Përcaktimin e Kritereve, Procedurave dhe Formës për Vërtetimin e Sponsorizimit në fushën e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e cila është e nënshkruar dhe është në fuqi ku gjatë hartimit të kësaj Rregullore pjesë të Ekipës punuese kanë qenë edhe përfaqësuesit e Administratës Tatimore të Kosovës të cilët kanë dhënë kontributin e tyre.

“Me fillimin e zbatimit të këtij Ligji dhe akteve tjera nënligjore që lidhen me këtë Ligj, do të kemi avancim dhe ngritje të performances nga këto tri fusha dhe njëkohësisht Ministria e Kulturës do të ketë mundësi që buxhetin e destinuar për aktivitetet sportive, kulturore dhe rinore ta zvogëloj dhe të njëjtin ta orientoj në infrastrukturën kulturore, rinore dhe sportive e cila do të shërbej në plotësimin e standardeve të përcaktuara nga UEFA dhe FIFA”./ KultPlus.com

Filmi i Zgjim Terziqit, pjesë e festivalit The Brussels Short Film Festival

Filmi i shkurtër “Një Muaj” me skenar dhe regji nga Zgjim Terziqi dhe producent Agon Syla do të jetë pjesë e festivalit kualifikues për Oscar në Belgjikë, në edicionin e 21-të të festivalit “The Brussels Short Film Festival”, shkruan KultPlus.

Filmi do të konkurroj në pesë kategori: “Grand Prix”, çmimi i jurisë, çmimi i aktorit më të mirë, çmimi i aktores më të mirë dhe çmimi i publikut. Festivali do të mbahet nga 25 prill deri më 6 maj 2018.

“Një Muaj” është film i bazuar në ngjarje të vërtetë dhe flet për Anën një 40 vjeçare e verbër, e pa martuar, e cila jeton sipas marrëveshjes së katër motrave të saj. Pakti i tyre përmban përkujdesjen e saj secila me rend nga një muaj.

Në këtë film luajnë: Makfire Miftari, Luan Jaha, May-Linda Kosumovic, Shengyl Ismajli, Irena Cahani, Fatmir Spahiu, Rinesa Qeriqi, Era Balaj, Dardane Mehmeti, Zog Zeqiri Berisha, Blerina Krasniqi, Nata Zeqiri Berisha, Lis Spahiu.

Filmi është prodhim i shtëpisë filmike ‘Broken Branch Production’, i subvencionuar nga Qendra Kinematografike e Kosovës dhe me mbështetje nga Swiss Cooperation Office Kosova dhe Komuna e Prishtinës./ KultPlus.com

Dhe pranvera erdhi

Poezi nga Migjeni.

…-pranvera erdhi…
Nëpër fytyrat tona rrëshqiti një gëzim
dhe ndër zemra tona ngriti një fole,
e një jete e bukur e një jete e re,
me dëshira të shumta, po buzëqesh në lulëzim.

…Dhe dallëndyshja erdhi…
Si shpirt n’ekstaz, në hovin e shenjtë u shtri
me qiellin rroket, me diellin puthet,
dridhen krahët në hare~ mandej poshtë vërsulet
tue dhurue me cicërim përshëndetje një mije.

…Dhe vesa shkëlqen…
Në një pikë t’argjendt pasqyrohet jeta ,
tërhëqese si andrra dhe si vizatimi
ndër orët e hyjzimit, kur shpërthen agimi
e rrezet e arta rrëshqasin ndër fleta.

“Pasioni”, bashkëdyzimi mes mitologjisë dhe modernes erdhi mbrëmë në TKK

Gili Hoxhaj

Mbrëmë në skenën e madhe të Teatrit Kombëtar të Kosovës, erdhi premierë shfaqja “Pasioni”, me tekst të Sabri Hamitit e regji të Martin Kočovckit, shkruan KultPlus.

Pamja e kësaj skene fillimisht vjen e mjegulluar, duke i lenë kështu të paidentifikuar personazhet e shfaqjes. Ata do të shfaqen më pas e jo dhe pak herë gjatë shfaqjes do të nisin në kor refrenin që nis me fjalët “Na duhet gjak”. Ata jetojnë në një tokë të djegur katër herë nga lufta e si e tillë qëndrojnë në plagët qindravjeçare. Në një vend ku kanë mbetur gjurmët e pashlyeshme të luftës, aty ku përditshmëria karakterizohet nga shtëpitë e djegura, fëmijë jetim e gra të përdhunuara. Në një vend në të cilin gjithçka merret si e mirëqenë, për ta përshkruar kështu masën amorfe në të cilën individët nuk kanë emra e as individualitet, një botë ku njerëzit janë shndërruar në numra përbrenda një jete virtuale, pa emocion, pa respekt e pa dashuri.

Dy vëllezër binjak qëndrojnë peng i një historie të pa rrëfyer për njëzetë vite, e në qendër të tyre qëndron nëna e tyre (Hana), e cila rrëfen vuajtjet për ta mbajtur gjallë familjen.

Regjisori i shfaqjes Martin Kočovcki tregoi për KultPlus se fillimisht ishte impresionuar nga teksti dhe kishte menduar që do të nxjerrë diçka të veçantë, por me kalimin e kohës e kishte kuptuar që teksti nuk ishte edhe aq i thjeshtë por gjatë punës me gjithë ekipin thotë se e kanë gjetur mënyrë për të sjellë diçka të veçantë.

“E gjithë shfaqja ka për qëllim të nxjerrë në pah se jeta jonë është si një rreth, ne jetojmë në kohë të paqes por gjithnjë shqetësohemi edhe për kohën e luftës. Le ta jetojmë kohën e paqes, le ta gjejmë atë që kemi brenda vetes dhe kështu mund t’i shtyjmë të këqijat që vijnë”, ishte mesazhi i regjisorit Kočovcki.

Loja e kësaj shfaqje u jetësua nga aktorët: ShkëlzenVeseli, Gresa Pallaska, Ard Islami, Arta Selimi, Shpejtim Kastrati, Ismet Azemi, Lumnie Sopi, Semira Latifi dhe Shengyl Ismaili.

Për regjisori Kočovcki, kjo është hera e dytë që punon me aktorët e Teatrit Kombëtar të Kosovës, por shfaqjet e tij kanë ardhur edhe më parë në Kosovë, gjë që ka bërë që disa nga aktorët të njoftohen me punën e tij. Ai tha për KultPlus se ndihet i kënaqur me punën e aktorëve të Kosovës dhe se ndihet i vlerësuar për ftesën që të punoj me ta.

“Përkundër që kam punuar në shumë vende të Ballkanit dhe Evropës, me sinqeritet e them se ansambli i këtyre aktorëve është një nga më të mirët, një nga tre ansamblet më të mira në Ballkan, andaj dhe e vlerësojë shumë që kam qenë i ftuar të punoj këtu me ta”, u shpreh regjisori Kočovcki.

Për aktorin Shkëlzen Veselin, kjo është hera e dytë e bashkëpunimit me regjisorin Kočovcki. Ai në këtë shfaqje e sjellë një nga rolet kryesore, atë të Ukit, një ushtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që kalon nga mitologjia, si linjë e gjakut prej Mujës së mitologjisë e deri tek Uki. Ai tha për KultPlus se kjo shfaqje është një bashkëdyzim i mitologjisë dhe kohës moderne, aty ku ka ndodhur lufta e fundit. Ai krahas të tjerash gjatë shfaqjes ballafaqohet edhe me vëllanë, që për shumë vite e kishte konsideruar si djalë të tezës. Në këtë përballje ata kuptojnë se të dy janë të fiksuar pas të njëjtës femër.

Aktori Veseli tregoj se procesi i provave deri tek finalizimi i shfaqjes ka rrjedhë shumë mirë për kundër problemeve me hapësirën në Teatër, për shkak se kanë filluar edhe disa projekte të tjera, në të njëjtën kohë.

“Është një punë dy mujore e gjysmë, procesi ka qenë mjaft i mirë edhe për faktin se është hera e dytë që po punoj me Martinin . Të punosh me të është një ndjenjë shumë e mirë, pavarësisht lodhjes e ndjen dhe një kënaqësi për shkak se evoluon puna çdo ditë e më shumë”, tregoi aktori Veseli.

Regjisori Agim Selimi tha për KultPlus se kjo shfaqje ishte shumë e qëllueshme, ndërsa veçoi lojën e aktores Gresa Pallaska.

“Mendoj që ishte kapur thelbi i një lloj autobiografie dhe një lloj kalvari në të cilin kemi kaluar ne. Mendoj që edhe regjisori kishte arritur të krijoi një dramë prej dromcave skenike dhe ishte brilante Gresa Pallaska. Mendoj që është një shfaqje në të cilën dominoj, pa lënë anash edhe lojën e aktorëve të tjerë”, tha regjisori Selimi për KultPlus.

Repriza e parë e kësaj shfaqje vjen sonte më 20 mars, duke filluar nga ora 20:00. / KultPlus.com

Tri gratë më të fuqishme në botë bashkë në një fotografi

Një fotografi që po qarkullon në rrjetet sociale por edhe në media të ndryshme online, tregon shoqërinë e përbashkët të tri prej grave më të fuqishme aktualisht në botë.

Në foto janë kancelarja e Gjermanisë, Angela Merkel, kryeministrja e Britanisë së Madhe Theresa May dhe presidentja e CIA’s, Gina Haspel.

Nuk dihet nëse një foto e tillë është e vërtetë dhe askush ende nuk ka dhënë informacione mbi vërtetësinë e saj.

Kur Aleksandër Gjoka i këndonte “Pranverës në Prishtinë”

KultPlus ju sjellë këngë “Pranvera në Prishtinë” të këngëtarit Sabri Fejzullahu, por kësaj radhë, të kënduar nga këngëtari i njohur Aleksandër Gjoka.

A t’kujtohet natë e parë,
shi kur binte në Prishtinë?
Unë e ti si dy këng’tarë
pëshpëritnim për dashurinë!
Unë të doja, ti më doje
lugut t’gjelbër të Gërmisë;
Yj’t në qiell na bënin roje
e lisat gjelb’ronin prej lakmisë!
S’harrohet kjo ngrohtësi e parë
kur pranvera ishte në Prishtinë!
Unë e ti si dy këngëtarë
thurnim vargje për ardhmërinë!
S’harrove dot ngrohtësi e parë
Kur pranvera ishte në Prishtinë.
Un e ti si dy këngëtar
thurnim vargje për ardhmërinë.
A t’kujtohet natë e parë,
Shi kur binte në Prishtinë.
Un e ti si dy këngëtar,
pershperisnim për dashurin.
Un të doja ti me doje,
lugut t’gjelbër te germisë,
yjet n’qiell na bënin roje,
e lisat gjelbronin prej lakmise.
s’harrohet dot ngrohtësi e parë,
kur pranvera ishte në Prishtinë,
Un e ti si dy këngëtar
thurrnim vargje për ardhmërinë.
s’harrohet kjo ngrohtësi e parë
kur pranvera ishte në Prishtinë
un e ti si dy këngëtar
thurrnim vargje për ardhmëri.
2x.
Në Prishtinë./KultPlus.com

Pranvera

Poezi nga Ndre Mjeda.

Jeni lodhë, dallëndysha t’shkreta,
Je molis’i ziu bylbyl;
Ah! pushoni n’streh’ku u gjeta,
Pusho n’kopshtë te njaj zymyl.
Mbi krahë t’uej prei dhenash tjera
Ju prendveren na pruet këtej;
Shlodhn’ ju pra, dallëndysha t’mjera,
Rri, bylbyl, n’lulzim qi kthej.
Se qe’j prrue prei malit ulet
E t’tanë fushës ushqim i nep;
E nen borë po shperthejn’ lulet
Porsi fëmië që zbulohen n’djep.
Fllad i let me vapë dashtnijet
Puthi pemen gemb për gemb;
U zgjue pema, e qe prei shijet
Buloj mbarë nëpër kopshtë t’em.
Ndej’ brië votres nieri myket:
Vrapo bulk, ku puna t’thrret;
Tui vrue fushen kau berlyket,
Lyp’m’u vue per lavrë t’vet.

Stacion, hapë aplikimin për ‘Shkollën verore si shkollë’

Stacion – Qendra për Art Bashkëkohor Prishtinë tashmë ka hapur aplikacionin për “Shkolla verore si shkollë” e cila është një platformë që ka në qendër artin dhe edukimin, shkruan KultPlus.

Pas suksesit të projektit të realizuar fillimisht në vitin 2015, Stacion – Qendra për Art Bashkëkohor Prishtinë tashmë ka hapur aplikacionin për vitin 2018 për projektin “Shkolla verore si shkollë”.

Këtë vit programi do të ketë njëmbëdhjetë kurse, kombinuar me teori dhe praktikë në klasë, leksione publike dhe prezantime duke prodhuar një përvojë unike dhe një shembull për arsim alternativ të artit.

Fakulteti i Shkollës Verore si Shkollë 2018 përfshin: Julieta Aranda, Zdenka Badovinac, Ari Benjami Meyers, Carolyn Christov-Bakargiev, Sezgin Boynik, Boris Buden, Mladen Dolar, Linda Gusia, Kate Fowley, Felix Gmelin, Sami Khatib, Vjollca Krasniqi, Nita Luci, Meriton Maloku, Miran Mohar, Andrej Nikolaidis, Renaud Proch, Bernhard Rüdiger, Anri Sala, Jelena Vesiq, Branimir Stojanoviq, Milica Tomiq, Alenka Zupančič dhe Dardan Zhegrova.

Frymëzuar fillimisht nga rastet në Kosovës, ku sistemi arsimor është strukturuar në mes të viteve 1970, Shkolla Verore si Shkollë është projektuar për të bashkuar dhe të për të shpërndarë njohuritë si dhe për adresimin e sfidave të rëndësishme me të cilat përballemi sot, duke sjell modele të reja dhe mundësive të ndryshme që mund të shfrytëzohen për mësimin e artit dhe për krijimin e bashkëpunimeve artistike.

Të interesuarit do të kenë mundësin që të aplikojnë deri më 20 maj, kurse programin do të zgjasë nga 16 korrik deri më 2 gusht. / KultPlus.com

Facebook kërkon falje pas censurimit të ‘Freedom Guiding the people’ (FOTO)

Vepra e artistit francez Eugene Delacroix “Freedom Guiding the pople” është censuruar nga Facebook-u, i cili më pas ka kërkuar falje për këtë veprim, përcjellë KultPlus.

Ky është një gabim, ka sqaruar rrjeti social Facebook pasi që censuroi pikturën, në të cilën një grua e re më gjoks të zbuluar valëvitë flamurin francez.

“Piktura e artistit francez e ka vendin e saj në Facebook dhe nuk i thyen rregullat tona”, ka thënë Facebook duke treguar se kjo ka qenë një gabim. Kurse tutje ata kanë shkruar “Më qëllim që të mbrojmë integritetin e shërbimeve tona, ne kontrollojmë me miliona imazhe të reklamave çdo javë dhe ndonjëherë edhe gabojmë, prandaj ne kërkojmë falje për këtë gabim”, kanë njoftuar zyrtarët e facebook-ut, shkruan culturebox.

Jocelyn Fiorina, një regjisore e ka përdoru pikturën e artisti për të promovuar shfaqjen e saj online. Mirëpo, postimi i saj nuk ishte aprovuar, kurse më vonë asaj i ishte lejuar mirëpo mbi gjoksin e gruas, që shihet në fotografi, ishte shfaqur shkrimi “censuruar nga Facebook”.

Facebook, kohët e fundit ka bërë censurim e disa veprave artistike të cilat më pas edhe janë lejuar që të publikohen te tilla si “The origin of the world” e artistit Gustave Courbet , pastaj imazhi i “Madonna e Willendorf” –një statujë paleolitike prej gati 30 mijë vjetësh./ KultPlus.com

Rikthehet Julia Roberts, së shpejti në një seri televizive

Pas disa vitesh mungesë në kinematografi, rikthehet Julia Roberts.

Këtë herë aktorja do të vijë si protagoniste në një seri televiziv të realizuar nga “Amazon” në bashkëpunim me “Homecoming”.

Sipas mediave, seria ku protagoniste do të jetë aktorja e famshme do të ketë dy sezone, dhe çdo episod do të zgjasë rreth 30 minuta.

Seria, e prodhuar nga “Universal Cable Productions”, ka në qendër të tij historinë e një asistenteje të një strukture sekrete të qeverisë dhe një ushtari që dëshiron t’i rikthehet jetës normale.

Gjithashtu, seria vjen nën regjinë e Sam Esmail ndërsa xhirimet, raportohet se kanë nisur në Los Anxhelos./ KultPlus.com

Dita Botërore e Poezisë i kushtohet poetit Basri Çapriqi

Me rastin e shënimit të Ditës Botërore të Poezisë, studentët e Degës së Letërsisë Shqipe të Fakultetit të Filologjisë në bashkëpunim me mësimdhënësit e tyre, organizojnë aktivitetin kulturor të pagëzuar Mesdita poetike.

Ky aktivitet do t’i kushtohet poetit, studiuesit dhe profesorit Basri Çapriqi, i cili në muajin janar të këtij viti iku në amshim. Me këtë rast, duke e nderuar jetën dhe veprën e poetit, do të lexohen pjesë nga krijimtaria e tij letrare, si dhe poezi përkushtimi për të.Gjithashtu, studentët do t’i lexojnë krijimet e tyre.

Takimi letrar do të mbahet më 21 mars 2018, në orën 12.00, në ambientet e Fakultetit të Filologjisë./ KultPlus.com

Lancohet Fondacioni “Jahjaga” (VIDEO)

Në kuadër të Javës së Gruas që po mbahet këto ditë në Prishtinë sot do të bëhet lansimi i Fondacionit Jahjaga.

Fondacioni është nismë e ish-presidentes Atifete Jahjaga dhe si qëllim ka të sjellë një qasje të re në angazhimin dhe përfaqësimin efikas dhe domethënës të grupeve të margjinalizuara.

Fondacioni do të fokusohet në këto shtylla kryesore: fuqizimin e grave, rininë, sigurinë dhe pajtimin rajonal ose ballafaqimin me të kaluarën./ KultPlus.com

Robert Ndrenika përsëri kundër qeverisë Rama për ndërtimin e teatrit

Një grup artistësh janë mbledhur bashkë, ndërsa po diskutojnë për problematikat e Teatrit Kombëtar, ku në fokus është ndërtimi i godinës së re.

Bujar Asqeriu ka prezantuar para artistëve një projekt për ndërtimin e një godinë të re ngjitur me ndërtesën ekzistuese.

Gjatë fjalës së tij, aktori Robert Ndrenika pohoi se i ishte dukur interesant projekti i prezantuar, ndërsa theksoi se ka shumë variante. Mes të tjerash Ndrenika, një nga zërat e fuqishëm që është shprehur kundër shembjes së godinës ekzistuese të teatrit, ndërsa shtoi se ajo nuk duhet të jepet me PPP (Partneritet-publik-privat).

“Mua nuk ma heq njeri nga mendja, se edhe Maqedonia u bën teatër shqiptarëve. Pra nuk jam fare dakord për formulën PPP. Më paraqiti zoti Kapexhiu një variant, më pëlqeu. Ka disa variante. Le të bëjnë ato 6-7 kulla që duan të bëjnë. Ne le të na japin sheshin përpara të vëllezërit Frashëri. Pra ka variante. Unë jam kundër variantit PPP sepse në të gjitha këndvështrimet ky variant është për të përfituar privati, dhe jo teatri”, tha Ndrenika, duke dalë kundër propozimit të qeverisë Rama./ KultPlus.com

Testamenti intim i Brigitte Bardot: Kurrë nuk jam ndier e bukur

“Pa kafshët do të kisha vrarë veten”, – rrëfen aktorja franceze Brigitte Bardot në “Larmes de combat”. Në moshën 83 vjeçare, pasi ka qenë ylli i kinemasë franceze dhe një ikonë e sex-appeal, rrëfen se për shkak të zhgënjimit të shkaktuar nga mizoria e njerëzve disa herë e kanë çuar në ekstreme të psikikës së vet. Pas kësaj përvoje thotë se nuk do të shkruajë. Ky libër përmban 255 faqe që sapo ka dalë në Francë dhe në fakt është një testament intim i aktores. Ja disa pasazhe:

E famshme. “U konsiderova si një nga yjet më të mëdha botërore e megjithatë nuk jam asgjë. Gjithmonë e kam patur këtë qartësi mendimesh….Ëndrra ime është të kthehem në anonimitet. Ndihem e burgosura e vetes. Është e sigurt se shumica e njerëzve kanë pushuar së përkituri vetes”

Bukuria. “ Kurrë nuk u ndjeva e bukur. Veç kohët e fundit kam filluar ta kuptoj atë bukuri që i dha origjinë suksesit tim. Kjo vjen nga aparati i dhëmbëve që m’u desh ta duroj gjatë gjithë fëmijërisë sime që kombinonte me syzet e mëdha dhe me krehjen e flokëve të tmerrshme. Kisha kaq shumë neveri nga fiziku im, saqë në moshën 10-11 vjeç vendosa ta pranoj shëmtinë time. Mund t’ju duket e habitshme, por nuk kam besim tek vetja. Gjithçka më terrorizon. Kur hyj në kontakt me botën e jashtme kam frikë se nuk do të kuptohem, që nuk do të trasmetoj mesazhin që dëshiroj”.

Popullariteti. “Braktisa kinemanë, nuk mundesha dot më. Është shumë e vështirë të durosh anën tjetër të medaljes. Një frazë e Mme Germaine de Staël përmbledh shumë mirë ankthin që lind nga të qënit i famshëm. “Lavdia është dueli i shkëlqyer i lumturisë.” Jam e bindur se të qënit i famshëm të shkatërron. Mjafton të shohësh fatet e Marilyn Monroe-s, Rommy Schneider-it ose Marlene Dietrich. Pjesa më e madhe e aktoreve patën një fat tragjik. Popullariteti është helmi që më ndaloi të jetoja jetën time. Kur e lashë punën u ndjeva e shpëtuar. Përkushtimi ndaj kafshëve më nxorri nga kthetrat e një fati tragjik.”

Mëmësia. “Kur lindi djali im kisha qindra fotografë në shtëpi. Sulmi mediatik që kam pësuar në ato momente ishte origjina e një traume të pakorrigjueshme. Ishte Nikolasi ai që pagoi pasojat. Nuk munda të përballem me atë shtatzani, sepse isha shumë e re, pa përvojë, shumë aktive, tejet e njohur dhe e paqëndrueshme. Mos forconi kurrë një grua të ketë një fëmijë. Ky moment duhet të jetë një çast lumturie. Gjatë fëmijërisë së Nikolasit marrëdhëniet tona ishin të dhimbshme për të dy dhe më pas u qetësuan. Tani jeton në Norvegji dhe më viziton një herë në vit vetëm ose me familjen. Nuk mban mëri, pavarsisht se ka vuajtur. Nuk e di nëse ka kuptuar ndonjë gjë nga unë, nga historia jonë e përbashkët. Kurrë nuk kemi folur për fëmijërinë e tij. Kurrë. Nga ana tjetër kam një marrëdhënie të shkëlqyer me mbesën time, Tea. Interesohet shumë për jetën time dhe për të kaluarën. Instikti maternal mësohet me kalimin e kohës dhe në një jetë të qetë.”

Dashuritë. “Ethet e dashurisë kontrollojnë jetën time dhe ndjenjat e mia. Dashuria nuk shërben asgjë, nëse nuk është pasionante. Kjo është arsyeja që shpesh nuk kam qenë besnike. Në çdo marrëdhënie, kur e tashmja ishte pak e ngrohtë, filloja e kërkoja dashuri të tjera. Gjithmonë kam kërkuar pasionin. E desha me forcë Sami dhe me të njëjtën forcë Jean-Louis Trintignant dhe për këtë arsye nuk mund të mbaja më pas marrëdhënie miqësore me ta. E dija që Bernard d’Ormale do të ishte burri im i fundit, më joshi me personalitetin, inteligjencën dhe eruditizmin e tij. Sot pas 25 vitesh martesë kur largohet edhe për ndonjë ditë çmendem kur jam pa të. Është i vetmi që vendosi një dallim midis Brigitte-ës dhe Bardosë dhe kjo më jep një qetësi të vonuar, por të sigurt.”

Raca njerëzore. “Nuk bëj pjesë në të dhe nuk dua ta integroj. Ndihem ndryshe, pothuaj anormale. Përderisa kafsha konsiderohet si një specie inferiore, vazhdojmë të vrasim për nevojat tona, për kënaqësi dhe nuk jam pjesë e kësaj race gjaksore.”

Kafshët. “Kafshët më shpëtuan, sepse ajo që më lidh me ta është dashuria e pastër. Kalova periudhën më të errët të jetës falë atyre. Qëndruan me mua kur isha e vetmuar, sëmurë dhe në depresion. U diagnostikova me kancer të gjirit dhe kafshët kurrë nuk e morën vesh, sepse nuk dhashë kurrë shenja dobësie.”

Lotë që nuk shihen. “Kurrë nuk kam qarë, të paktën në publik. E mohoj. Do të ishte një shenjë dobësie. Nuk më pëlqen të ndaj dhimbjet e mia më të thella, madje as bashkëshortit tim. Megjithatë në fshehtësi mund të shfryhem, qaj për atë që s’duhet të ndodhë, për mizorinë, shkatërrimin dhe padrejtësinë, qaj për të dobëtit, për njerëzit e kafshët.”

Feja. “Kurrë nuk jam ndiher rehat me idenë e fesë. Preferoj një shpirt të lirë, një marrëdhënie direkt me qiellin. Më pëlqejnë vendet religjoze dhe të bukura. Është shpirti që më gjallëron. Të tjerat, ligjet, këshillat, rrëfimet nuk më interesojnë.”
Pleqëria. “Gjithmonë kam jetuar me idenë se është e pashmangshme humbja e asaj që kemi. Rinia ime, bukuria, freskia nuk kanë qenë përjashtim i këtij rregulli. Nuk më ka mbetur ndonjë gjë nga rinia, përveç shpirtit, shpirtit tim vajzëror që mrekullohet pas gjërave më të pakuptimta. Gjithçka më dëfren, jam naive dhe më mashtrojnë shpesh. Ideja e vdekjes më terrorizon. Nuk jam e sigurt, nëse mund të gjej ndonjë të njohur përtej. Edhe pas vdekjes më duket e frikshme. Ajo çfarë i ndodh trupit është e pistë, diegia nuk është një zgjidhje, sepse kam frikë nga zjarri dhe nga ideja e të djegurit. Më duket e largët ideja se do kthehem në tokë. Nuk e di, nëse ekziston jetë pas vdekjes dhe nuk kam ndonjë shpresë për këtë. Çfarë na pret nga ana tjetër? Do të preferoja të flija, për gjithmonë.”

Kujtime të një gruaje. “Lotë lufte” është vepra e fundit e BB, është libri i 7-të i kujtimeve të saj. / Përgatiti: bota.al

Dua Lipa i rikthehet skenës (FOTO)

Këngëtarja shqiptare me famë botërore, Dua Lipa së fundmi është dashur t’i lë anash koncertet e saj, për shkaqe shendetësore, shkruan KultPlus.

Pavarësisht një shkëputje të vogël, ajo sonte ka njoftuar të gjithë fansat e saj se ndihet më mire dhe se nga nesër do t’i kthehet përseri skenës. Dua Lipa përmes një postimi në Instagram, ka thënë se sot ka qenë dita e parë në të cilën ajo po ndihet më mirë, pas problemit me dhemballet e pjekurisë.

“Dita e fundit me antibiotikë dhe dita e fundit me supë, shpresoj. Jam ndjerë tmerrësisht e mërzitur nga qëndrimi në shtrat, përvec ditëlindjes së Kaika Noise e cila ka qenë një natë e përkryer për mua”, ka shkruar këngëtarja e cila ka thënë se që nga nesër është e gatshme t’i kthehet skenës.

Ajo së fundmi ka realizuar disa koncerte të mahnitshme në Australi, ndërsa për shkak të dhimbjes së dhemballave është detyruar ta anuloj koncertin me Bruno Mars./KultPlus.com