Beyonce konfirmon zyrtarisht turneun “On The Run Tour 2” me Jay Z

Beyonce sapo është siguruar që sërish të gjithë në internet të flasin për të pasi ka konfirmuar edhe zyrtarisht turneun botëror “On The Run Tour II” me Jay Z.

Mbretëresha e pop muzikës ka shfrytëzuar rrjetin social Facebook për të konfirmuar turneun me bashkëshortin e saj.

Ajo e konfirmoi turneun me një klip bardh e zi që shfaqë dashurinë e madhe që mbretëresha ka për reperin.

Duke filluar nga e mërkurja e 6 qershorit, çifti do të ndalet në plot 15 qytete përreth Britanisë së Madhe dhe Evropës, e 21 qytete tjera të Amerikës së Veriut, shkruan Telegrafi.

Në verën e vitit 2014, Beyonce dhe Jay Z performuan gjasht ëjavë dhe arritën që të shesin biletat e të gjitha koncerteve.

Turneu u mbyll me dy koncerte ndërkombëtare në Paris ku u xhirua edhe një video nga rrjeti televiziv HBO që mori edhe nominim Emmy.

Shitja e biletave fillon nga 14 marsi në ora 10:00. /KultPlus.com

Ndahet nga jeta koreografi Agron Bajrami

Pas një sëmundje të rëndë është ndarë nga jeta mbrëmë në Cyrih të Zvicrës, koreografi, piktori dhe udhëheqësi shumëvjeçarë i Shkollës së vallëzimit “Shota” në Cyrih, Agron Bajrami.

Bajrami ka udhëhequr shoqatën për më shumë se 25 vite, duke organizuar me qindra prezantime në mbarë Zvicrën dhe vende të ndryshme të Evropës.

Shoqata “Shota” ka qenë ambasadori më i mirë i kulturës shqiptare të shprehur përmes valles, jo vetëm në Zvicër ku ka qendrën, por edhe gjithandej Evropës.

Vitin e kaluar kjo shoqatë në shenjë pakënaqësie më mosmbështetjen e Ministrisë së Diasporës dhe Qendrën Kulturore të Republikës së Kosovës në Zvicër, kishte ndërprerë çdo lloj bashkëpunimi.

Agron Bajrami është i lindur në Prishtinë, në vitin 1964. Në kohën sa ka jetuar në Kosovë ai ka qenë anëtar i Ansamblit të Valleve “Shota”. /rtv21/KultPlus.com

ANDRRA sjell elektrofolkun shqiptar në Cyrih

Në kuadrin e projektit të vet “Vajza, jo nuse”, shoqata “Brezi ynë” në bashkëpunim me „duyaka“ organizoi të shtunën e kaluar në “Photobastei 2.0” një koncert të një lloji të ndryshëm. Elektrofolku shqiptar nga Berlini u takua me një publik të entuziazmuar të Cyrihut.
Me zërin e saj pa peshë, shoqëruar nga tinguj të thellë dhe nga ritmi i lehtë i dy instrumentistëve Christoph Hamann dhe Jörg Wähner, artistja nga Berlini, me rrënjë kosovare, mbushi hapësirën koncertale të Photobastei në Cyrih deri në cepin e saj më të skajshëm.

“Kaj moj çikë , se sot të la nana, të la tezja. Sot të la dashnija e motrës”, këndon ANDRRA në gjuhën shqipe. Por, nuk është e domosdoshme ta njohësh shqipen që ta kuptosh përmbajtjen. Muzika melankolike e nënvizon secilën fjalë që del nga buzët e saj dhe gjeneron kështu një pjesëmarrje intensive emocionale të audiencës.

“Ju do ta kuptoni këtë tension dhe peshën e rëndë të këngëve”, thotë ajo në një intervistë për albinfo.ch. “Pas koncerteve në Gjermani, erdhën te unë disa njerëz që nuk e kuptonin shqipen dhe thanë se ishin shumë të prekur, aq sa madje kishin edhe lot në sy. Kjo flet shumë për kompozimet me të cilat ne po përpiqemi t`i përkthejmë tekstet”.

Me këtë lloj të kompozimeve, artistët nga Berlini kanë arritur të krijojnë diçka krejtësisht të re. Përmes kombinimit të teksteve folklorike dhe muzikës elektroakustike, ata krijojnë një balanc në mes të traditës dhe modernes, diçka që në këtë formë deri tash nuk ka ekzistuar dhe me të cilën po i bindin jo vetëm fansat shqiptarë.
Martesa me detyrim dhe një zë për gratë

Tradita unike shqiptare e narracionit përmban ne vete edhe transmetimin e historive në trajtë të këngëve. Këto melodi dhe këndime të vjetra, që kanë edhe shekuj, pasqyrojnë deri sot historinë kulturore dhe politike të popullit shqiptar. Këngët në albumin (EP) të parë të ANDRRES tregojnë historitë e Palinës, e cila ishte martuar si vajzë 14 vjeçe.
“ç`ke Palinë që je idhnue? Po don baba me më martue. Pse po m`qet o babë jasht, kush të don si une t kam dasht”, thuhet në njërën nga pjesët e saj më të njohura.

“Unë në radhë të parë dua të rrëfej tregime që janë pjesë e shoqërisë sonë. Kur të mendosh se në gjithë botën janë 700 milionë gra të cilat jetojnë edhe sot dhe që herëdokur i kanë martuar si fëmijë ose si vajza të reja, them se ky është një numër tepër i madh që të mos i bëhet vend në pop kulturë”, sqaron këngëtarja. “Unë e kisha ndjenjën se këto gra nuk e kanë zërin e tyre, sepse ato nuk kanë pasur fare mundësi që të dëgjoheshin. Unë doja që ato të ndiejnë veten se po dëgjohen nga të tjerët, në mënyrë të lehtësohej barra e fatit të tyre”.
Fatime Kosumi, që është emri i vërtetë i këngëtares, dëshiron që deri në fund të vitit t`ia shtojë kësaj historie edhe pesë këngë.

Për emrin e saj artistik “ANDRRA”, ajo është përcaktuar nga shkaqe të ndryshme. “Unë kujtoja një ëndërr timen si vajzë e re që të krijoja muzikë dhe që këtë ta jetësoja”. Një ëndërr tjetër e saj ka qenë që tekstet pakrahasimisht të fuqishme e prekëse të mbledhura nga fokloristi dhe albanologu Anton Çetta t`i bartë në një kontekst bashkëkohor, në mes të Berlinit. ANDRRES i është realizuar edhe kjo ëndërr.

Por ANDRRA e ka shpërblyer edhe publikun dhe e ka justifikuar emrin e saj artistik, duke i bërë dëgjuesit që me muzikën dhe zërin e saj të zhyten në një botë ëndrrash, e cila i drejton ata përtej çdo kufiri.

Për kënaqësinë e përjetuar, fansat e Cyrihut e kanë shpërblyer me duartrokitje të forta dhe me thirrje të zëshme entuziaste, gjë që trioja muzikore e ka merituar plotësisht./albinfo.ch

Gati për inaugurimin e bustit madhështor të Gjergj Kastriot Skënderbeut (VIDEO)

Busti madhështor i Gjergj Kastrioti Skënderbeut, 8 metra i lartë, në Labinot të Elbasanit, i porositur dhe financuar nga biznesmeni Gjergj Luca dhe i realizuar nga mjeshtri i skulpturës Fiqiri Kasa ka përfunduar, shkruan KultPlus.

Bëhet e ditur se inaugurimi i këtij busti do të bëhet ditën e verës, më 14 mars. Gjithçka përkon edhe me 550 vjetorin e vdekjes së Skëndërbeut dhe me shpalljen e këtij viti si Viti i Skëndërbeut në trojet Mbarëkombëtare. Ky monument ngjan si diçka e përafërt me portretet e presidentëve në Amerikë të gdhendura në mal./KultPlus.com

Bill Clinton sërish dërgon letër në Kosovë: Gjithmonë do të keni një vend special në zemrën time

Ish presidenti amerikan Bill Clinton vazhdon të mbetet figura më e dashur për popullin e Kosovës, por një ndjesi të njëjtë vazhdon ta ketë edhe vet Clinton për kosovarët.

Ai ka dërguar së fundi një letër në shkollën Prishtina High School, i cili këtë letër e dërgon për të falënderuar më të vegjlit e kësaj shkolle, të cilët para disa mujave i kishin dërguar letra Bill Clinton.

Vetë shkolla ka njoftuar për pranimin e letrës së ish presidentit amerikan Bill Clinton. “Sot, na erdhi përgjigjia e tij në form të letrës nga Shtetet e Bashkuara për nxënësit dhe mësusen Dr. Ëaters. Në këto letër Presidenti Bill Clinton përmendi edhe 10 vjetorin e pavarësisë së Kosovës dhe dëshirën për të vizituar shkollën tonë në vizitën e tij të radhës në Kosovë”, thuhet në njoftimin e shkollës.
Dhë në letrën që e ka publikuar kjo shkollë, shihet të ketë shkruar Bill Clinton, se Kosova do të ketë gjithmonë një vend special në zemrën e tij./KultPlus.com

Kosova në gjendje të jashtëzakonshme në vitet e 90-ta, shikuesit e pyesin Rrahman Morinën për shkeljen e popullit shqiptarë (VIDEO)

Është publikuar një video nga një emision i viteve të 90-ta, emision i drejtpërdrejtë në TVP, ku ishte i pranishëm Rrahman Morina, i cili atëherë ishe në krye të Partisë Komuniste në Kosovë, shkruan KultPlus.

Vitet e 90-ta konsiderohen si një periudhë mjaftë e vështirë për popullin e Kosovës.
Në këtë emision,ku shihet edhe gazetarja Dijana Toska, e cila lexon mjaftë pyetje të guximshme të qytetarëve, flitet për situatën e atëhershme, duke u inkuadruar edhe shikuesit.

Në këtë emision shikuesit janë interesuar të dinë se pse masa merren vetëm ndaj popullit shqiptarë, e jo ndaj të tjerëve, kur do të vjen demokracia në Kosovë, vrasja e të rinjëve shqiptarë, pastaj pyetja se pse po pohoni se populli shqiptar është i barabartë me popujt e tjerë të ish Jugosllavisë dhe shumë pyetje të tjera që ishin aktuale në atë kohë.

Për më shumë mund ta shikoni këtë video, ku shihet të përgjigjet edhe Rrahman Morina, i cili shqiptarët i quan nacionalistë, seperatistë e terroristë./KultPlus.com

Rama prezanton projektin e Teatrit të ri Kombëtar

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, gjatë prezantimit të projektit të ndërtesës së re të Teatrit Kombëtar, e cila siç theksoi ai, do të realizohet në bashkëpunim me Bashkinë e Tiranës dhe sipërmarrjen private, vuri në dukje se ndërtesa e re do të ketë trefishin e hapësirës që ka sot dhe nuk do të jetë me kullë.

“Ndërtesa do shembet dhe mbi gërmadhat e të shkuarës do ngrihet teatri i ri kombëtar. Kushtet e teatrit sot janë poshtëruese për artistët. Nuk do jetë teatër me kullë, por s’do kishte asnjë mëkat të ishte nën kullë, se njerëzit shkojnë të shohin teatër dhe jo kullë. Këtu nuk është historia se çfarë ka sipër, apo anash, pavarësisht se sipër do ketë hapësirë teatrale në qiell të hapur dhe anash do ketë hapësirat e veta për artistët. Ne kemi bërë për teatrin aq sa pasur mundësi, por kemi bërë më shumë se të gjitha vitet e marra së bashku. Nga 3000 metra katror rrënoja do të kemi 9 mijë metra katror. Nga 1 sallë do të kemi 4 salla për shfaqje. Teatri është pjesë e një propozimi për një partneritet publik privat. Sipërmarrësi garanton projektin për teatrin e ri, por nuk vjen për të humbur”, u shpreh Rama.

“Ka një rregull shqiptar të njohur botërisht: Gruaja është e paprekshme”

Faik Konica qe një nga figurat më të shquara të çështjes kombëtare, studiues i historisë kombëtare dhe i gjuhës shqipe, botues, publicist dhe diplomat shqiptar, shkruan KultPlus.

Më 1897 shkoi në Bruksel ku themeloi revistën e përkohshme të quajtur “Albania”, e shkruar pjesërisht në shqipe dhe pjesërisht në frëngjisht. Më 1903 u largua nga Brukseli dhe u shpërngul në Londër, ku mori leje të punonte në Departamentin e Dorëshkrimeve të Muzeumit Britanik.

Më 14 mars 1912 u regjistrua pranë Zyrës së Emërimeve të Universitetit të Harvardit, pra gjatë semestrit të dytë të vitit shkollor. Njeri me dituri të madhe, dhe dhunti artistike, mjeshtër i hollë i gjuhës shqipe, Konica ka hyrë në historinë e kulturës sonë kombëtare jo vetëm si erudit e stilist i përkryer, por edhe si shkrimtar me vlera të shquara ideoartistike.

Sot KultPlus kujton një nga thëniet e tij, ku tregon pikëpamjen e shqiptarëve ndaj grave.

“Ka një rregull shqiptar të njohur botërisht e të provuar në jetë: gruaja është e paprekshme. Edhe në gjakmarrjen dhe në luftërat më të egra gratë nuk janë qëlluar”, kishte thënë Konica.
Faik Konica vdiq më 15 dhjetor 1942 në Uashington, nga një hemorragji cerebrale. Trupi i tij u përcoll për në banesën e fundit nën tingujt e kompozitorit të famshëm Vagnerit, që aq shumë e kish adhuruar./ KultPlus.com

Ferrparajsa

Poezi e shkruar nga Xhevahir Spahiu

Pa pikë pezmi vdes qysh nesër
po fundja fatit pse t’ia prish
Pushtoma shpirtin, verë e vjetër,
më lidh me pranga perëndish.

Shkëlqen parajsa përmatanë,
s’ka ferr e terr e tmerr pa fre,
se nga të gjithë qe shkuan e vanë
asnjë s’u kthye prapë mbi dhe.

Por cfarë mërzie e përzishme
rrafshirë e botës n’ameshim!
Pa pabesi të befasishme,
Pa një përplasje, një tundim.

M’u ndiz në deje zjarr i are,
me prush e afsh më përkëdhel.
Njëmijë demonë ta heqin zvarrë,
I zmbraps ky dufi yt rrebel!

Me yjet flet kur pret vetëm
në ferrparajsa gjithësish.
Plugoma shpirtin, verë e vjetër,
të thyej pranga perëndish.

Ai, tjetri në letërsi

Vështrim mbi romanin “NILkon” të Fate Velaj’t, botuar nga Onufri, Tiranë 2017, nga Vjollca Dibra Universiteti i Prishtinës dhe Prizrenit.

E para gjë që më ra ndërmend kur mora në dorë romanin “NILkon” ishte informacioni im i mëngët për autorin. Krahasimi bëhet edhe më i rëndë, edhe më i vrazhdë kur kujtojmë faktin se është ky autor që në përmasë ndërkombëtare njihet pikërisht për përpjekjet, mëtimet dhe rezultatet e tij në terrenin e ndër-komunikimit kulturor e artistik midis popujve, racave e besimeve të ndryshme. Sa nis leximin e sheh se asgjë nuk të duhen shënimet gjenerale biografike e bibliografike, po të mban misteri i titullit-kompozitë: NILkon.

S’ka forcë t’i vë fre kureshtjes, aq më tepër kur stili joshës, sharmi gjuhësor dhe begatia figurative të tundojnë hovshëm drejt fundit. Drejt fundit të pafundmë.
NILkon-i (…kur Danubi e takoi Nilin) është pjesa e dytë e trilogjisë “Kreuztanne”. Rrjedha e veprimit nis në dekadën e parë të këtij shekulli, në Vjenë të Austrisë dhe përvijohet gjithandej përmes rrëfimit autorial, ose siç njihet ndryshe: narracion në ICH form. Mua më vjen më i saktë koncepti AI, tjetri.
Vitin e kaluar në Prishtinë u mbajt një konferencë albanologjike po me këtë temë. Unë s’kam punë me konferencën, po me Borges’in dhe Velaj’n. Derisa Borges’i e gjen atë tjetrin, Borges’in e letërsisë përballë vetes si një alter ego, Fate Velaj e ndërton dhe e prezanton atë tjetrin, kuratorin e ekspozitës “Arti përmirëson kohën”, ”Midis Danubit dhe Nilit” dhe projeksionin e tij në telajo “Kujtime nga e ardhmja”.

Analiza e mëtejme e kësaj proze, që autori e quan roman, pjesë të dytë të trilogjisë, më shpie në tentativën e shmangies së teorisë klasike. Unë e shoh si një rrëfim eseistik autobiografik, diçka që në aspektin e modernitetit e tejkalon konceptin teorik të romanit. Këtë gjë do ta thosha edhe në planin e strukturimit të kësaj vepre. Pjesët, pesëdhjetë sosh, më parë se kapituj do t’i quaja pamje ose skena, terma të gjuhës së teatrit, pikërisht për faktin se secila njësi ka një bërthamë dramatike që në kuptimin asociativ ndërlidhet me kohë, vende, personalitete e hapësira të ndryshme përgjatë së tashmes e deri në muzget e kohërave të vjetra.

Autori narrator këtu nuk bën të gjithëdijshmin si në prozën e përroit të ndërdijes, as shtrirjen e tiradave narrative të diskursit monoton kuazifilozofik, por shpërfaq mbresën personale karshi aktit personal ndanë të tjerëve dhe me të tjerët, pjesëtarë të popujve të ndryshëm, të kulturave të ndryshme, të arteve të ndryshme, pa iu shmangur madje as politikës për aq sa ajo ka pjesë në jetën e këtyre njerëzve e të këtyre popujve. Kujtojmë ngjarjen e 11 shtatorit (shembjen e kullave binjake), Marrëveshjen e Ohrit, Historinë e Operës “Aida” e shumë e shumë të tjera.

Në ritmin e leximit kjo vepër të mban pezull, fluror dhe të pandalshëm. Provon të nënvizosh një mendim: “E çuditshme – thashë. – Unë jam i përpirë nga kujtimet, nga e ardhmja, ndërsa ajo nga kujtimet nga e kaluara” (fundi i citatit), kur të shfaqet pasazhi tjetër: “Ndaluam përballë tyre. Pa folur. Një heshtje, që vinte nga mosgjetja e fjalëve përballë madhështisë dhe modestisë së tyre, mbizotëronte në ajër. U bëmë gati të flisnim. Asnjëri s’e hapi gojën. Ngelëm të shtangur para tyre” (faqe 243). Është skena para piramidave. Këtu autori ta dikton edhe ritmin e leximit dhe mu ku përfundon fjalia me pikë e sheh veten se po të mbahet fryma. Nuk më ka rënë të lexoj përshkrim më autentik ku ankthi i pamjes të reflekton drejtpërdrejt në brendësin e qenies.

Një karakteristikë e kësaj proze bie në sy edhe në ndërtimin e skenës, të situatës. Diçka nga teknika e filmit. Thjeshtësia e përshkrimit me fjali sa më të thjeshta e me detaje sa më të tëholluara. Kjo i bie se s’ke asnjë rast e rrethanë, në rreth 350 faqe, të të bëhet monoton dhe bezdisës. Sigurisht që në këtë plan ka punë e peshë dora prej mjeshtri e Fate Velaj.

As gaboj dhe as e teproj, ma thotë mendja, po të formuloj autorësinë e kësaj vepre si autorësi e artistit përpara se e shkrimtarit.
Erudicioni i Velaj‘t, formësimi dhe përvoja e tij, njohuritë e gjithanshme të arteve dhe kulturave të ndryshme të popujve dhe epokave të ndryshme e bëjnë atë një autor të kërkuar e të pritur nga lexuesit.

Dhe, vijmë të NILkon-i. E dimë tashmë Danubin. Dimë madje edhe për “Valsin e Danubit”. E dimë Nilin edhe vëllamërinë që krijohet në fushën e artit përmes ekspozitës në Kajro të Egjiptit. Ah, po. Fate Velaj, krahas brushës (ngjyrës) dhe lapsit (fjalës) ka edhe një mjet tjetër shprehës, aparatin fotografik, aparatin e firmës NIKON që në përqasje me Nilin, i merr atij vetëm një L, si një kujtim të mos-humbjes e të mosbjerrjes.
Nuk thoshin kot latinët e moçëm: “Ars longa, Vita brevis” (Arti është i gjatë, jeta është e shkurtër)./ KultPlus.com

Këngëtaret shqiptare të mahnitshme në tapetin e kuq të iHeartRadio Awards (FOTO)

Rita Ora dhe Bebe Rexha, dy këngëtare shqiptare, tashmë të njohura ndërkombëtarisht, mbrëmë kanë mahnitur me dukjen e tyre në tapetin e kuq të iHeartRadio Awards, shkruan KultPlus.

Këto dy këngëtare tashmë nuk mungojnë në ngjarjet prestigjioze që po mbahen kudo në botë. Ndërsa dukja e këngëtareve është vlerësuar pozitivisht nga e përditshmja britanike “Daily Mail”.

“Bebe Rexha ka mahnitur me dukjen e saj në qilim e kuq këtë të diele në iHeartRadio Music Awards, ku ajo është paraqitur në një fustan të gjatë që në mënyrë të përkryer tregon format e trupit të saj”, shkruhet në shkrimin e Daily Mail, dedikuar këngëtares shqiptare, Bebe Rexhës.

Rita Ora mbrëmë kishte zgjedhur pantallona e këmishë për këtë event. Një këngëtare glamuroze, e cilëson Daily Mail, këngëtaren shqiptare, Rita Orën.

Këngëtarja e hitit “Hot Right Now” dukej e përsosur mbrëmë pasi vetëm disa orë më parë ishte kthyer në SHBA nga Dubai, atje ku kishte dhënë një performancë të mahnitshme”, shkruhet në shkrimin tjetër të Daily Mail, dedikuar Rita Orës.

Po ashtu një moment i veçantë i natës së mbrëmshme është kur dy këngëtaret shqiptare, Rita Ora dhe Bebe Rexha , së bashku u ngjitën në skenën e iHeartRadio Awards për të ndarë një çmim./ KultPlus.com

“Ata që kanë lindur për njëri-tjetrin, takohen lehtë”

Arthur Schopenhauer ishte një nga filozofët gjerman më të njohur, pesimist dhe ateist, doktrinist i qartësisë dhe komunikimit filozofik, pwrcjellw KultPlus.

Paraprirës dhe shkallmues i rregullave dhe normave. Kumtues kurajoz dhe ndëshkues. Arthur Schopenhauer ishte filozof i famshëm gjerman i shekullit të XIX. Ai lindi më 22 shkurt 1788 dhe u nda nga jeta në vitin 1860.

Schopenhauer është një ndër filozofët që është përkthyer në shqip në shumicën e veprave të tij, nga ku supershendeti.com ka zgjedhur 23 thënie “pikante” për t’u menduar dhe reflektuar thellë.

1. “Ai që shkruan për budallenjtë, audiencën e lartë e ka të sigurte.”

2. “Kur e blini një libër, ju në mënyrë optimiste mendoni se po e blini edhe kohën për ta lexuar atë.”

3. “Njerëzit e mëdhenj janë sikur shqiponjat; ata i ndërtojnë folet e tyre në lartësitë e vetmuara.”

4. “Një njeri mund të jetë vetja, veç për aq kohë, sa ai është vetëm…”

5. “Urrejtja është një çështje e zemrës; përbuzja është një çështje e kokës.”

6. “Ata që duhen dhe që kanë lindur për njëri-tjetrin, takohen lehtë. Shpirtrat e ngjashëm e ndjejnë përshëndetjen edhe nga distancat.”

7. “Nderi ka kuptimin se një njeri nuk është i jashtëzakonshëm; fama ka kuptimin se ai është i jashtëzakonshëm. Fama është diçka që duhet fituar, nderi është vetëm diçka që nuk duhet të humbet.”

8. Në pjesën tonë monogame të botës, të martohesh do të thotë të përgjysmojmë të drejtat dhe të dyfishojmë detyrat e dikujt.”

9. “Pasuria është si uji i kripur, sa më shumë të pish, aq më i etur je. Kjo vlen edhe për lavdinë.”

10. “Burrat janë nga natyra thjesht indiferent ndaj njëri-tjetrit; por gratë nga natyra janë armike.”

11. “Secila dashuri, sado qiellore të duket, rrënjët e saj i ka në instiktin seksual.”

12. “Zakonisht është humbja ajo që na bënë ta dimë vlerën e gjërave.”

13. “Doktori e sheh të gjithë dobësinë e njeriut, gjykatësi e sheh të gjithë ligësinë dhe teologu të gjithë budallallëkun e tij.”

14. “Talenti e godet shënjestrën, të cilën askush nuk mund ta godasë. Gjeniu e godet shënjestrën, të cilën askush nuk mund ta shohë.”

15. “Ne rrallë mendojmë për atë që e kemi, ndërsa shpesh për atë që na mungon.”

16. “Çdo komb përqesh kombet e tjera, dhe të gjithë kanë të drejtë.”

17. “Njerëzit e zakonshëm thjeshtë mendojnë se si duhet ta shpenzojnë kohën e tyre; I talentuari tenton ta përdor atë.”

18. “Mëshira është baza e moralit.”

19. “Ne humbim tri të katërtat e vetes, në mënyrë që të jemi si njerëzit e tjerë”

20. “Leximi është barabar si të mendosh me kokën e dikujt tjetër në vend se të mendosh me kokën tënde”.

21. “Të gjitha të vërtetat e mëdha kalojnë nëpër tre faza: fillimisht ato përqeshen, pastaj ato kundërshtohen dhunshëm dhe në fund ato pranohen si vetë – evidente.”

22. “Vështirësia është që të përpiqemi të mësojnë turmën se diçka mund të jetë e vërtetë dhe e pavërtetë në të njëjtën kohë”.

23. “Martirizimi është e vetmja mënyrë, që një njeri mund të bëhet i famshëm pa pasur ndonjë aftësi”/ supershendeti.com/ KultPlus.com

“Nëse i gjykon njerëzit nuk ke kohë për t’i dashur”

Nënë Tereza mund të jetë shuar vite më parë, por dashuria e saj e pamasë dhe mençuria e saj jetojnë akoma dhe sot. Ajo ndau disa mësime për jetën nëpërmjet kohës që kaloi në Tokë, shumë prej të cilave përqendrohen tek dashuria, dhembshuria, ndihma për të tjerët dhe ruajtja e përulësisë.

Ajo mishëroi një shembull të mrekullueshëm që të gjithë ne ta ndiqnim – të duam me thjeshtësi dhe t’u japim ndihmë të tjerëve pa kërkuar asgjë në këmbim. Ne të ftojmë të lexosh disa nga citimet e saj më të njohura që do të të frymëzojnë të duash më shumë, të japësh më shumë dhe të ndihmosh më shumë:

Flit për veten sa më pak të jetë e mundur

“Ka pak mënyra me të cilat mund ta praktikojmë përulësinë: të flasësh sa më pak për veten. Të shohësh punën tënde. Të mos përpiqesh të menaxhosh marrëdhëniet e njerëzve të tjerë. Të shmangësh kureshtjen. Të pranosh kontradiktat dhe korrigjimet me gëzim. Të kalosh mbi gabimet e të tjerëve. Të pranosh fyerjet dhe lëndimet.
Të pranosh të qenit i/e përqeshur, harruar dhe i/e papëlqyer. Të jesh i sjellshëm dhe i butë edhe kur provokohesh. Asnjëherë mos qëndro mbi dinjitetin e dikujt. të zgjedhësh gjithmonë më të vështirën.”
“Nëse je i përulur asgjë nuk do të prekë, apo të lëvdojë ose përçmojë, sepse ti e di se çfarë je.”

Ji i zënë duke bërë punët e tua jo ato të të tjerëve

“Ne vetë ndjejmë se ajo që po bëjmë është vetëm një pikë në oqean. Por oqeani do të ishte më pak nga mungesa e asaj pike.”
“Jeto në thjeshtësi kështu të tjerët të munden thjesht të jetojnë.”
“Unë mund të bëj gjëra që ti nuk mundesh, ti mund të bësh gjëra që unë nuk mundem; së bashku ne mund të bëjmë gjëra të mëdha.”

Shmange kureshtjen

“Ne duhet të gjejmë Perëndinë dhe ai nuk mund të gjendet në zhurmë dhe nervozizëm. Perëndia është mik i heshtjes. Shiko se si natyra – pemët, lulet, bari – rriten në heshtje; shiko yjet, hënën dhe diellin, se si ata lëvizin në heshtje… ne kemi nevojë për qetësi që të mund të prekim shpirtrat.”

Pranoji acarimet e vogla me një humor të mirë

“Njerëzit janë jo realistë, jo logjikues dhe të përqëndruar tek vetja. Duaji ata gjithsesi.”

Mos u end në fajet e të tjerëve

“Unë kam zbuluar paradoksin, se nëse do derisa dhemb, nuk mund të ketë më shumë dhembje, vetëm më shumë dashuri.”
“Dashuria intensive nuk matet; ajo thjesht jepet.”
“Ne mendojmë ndonjëherë se varfëria është thjesht të qënit i uritur, lakuriq dhe i pastrehë. Varfëria e të qënit i padëshiruar dhe i padashur është varfëria më e madhe. Ne duhet të fillojmë nga shtëpia jonë që të shërojmë këtë lloj varfërie.”

Pranoji censurat edhe nëse të pamerituara

“Më mirë do të bëja gabime me mirësi dhe dhembshuri se sa të bëja mrekulli në keqardhje dhe ngurtësi.”

Ji i sjellshëm dhe delikat edhe kur provokohesh

“Le të takohemi gjithmonë me buzëqeshje në fytyrë, sepse buzëqeshja është fillimi i dashurisë.”
“Shpërndaj dashuri kudo që të shkosh. Mos ler askënd që vjen tek ty të largohet pa qënë i lumtur.”
“Nëse i gjykon njerëzit, nuk ke kohë t’i duash.”
“Një jetë që nuk jetohet për të tjerët nuk është jetë.”

Mos kërko të jesh i admiruar apo i dashur

“Nëse nuk kemi paqe, është sepse kemi harruar se i përkasim njëri-tjetrit.”
“Në fund të jetës ne nuk do të gjykohemi se nga sa diploma kemi marrë, se sa para kemi bërë, sa gjërat të mira kemi bërë. Ne do të gjykohemi nga “Unë isha i uritur dhe ti më dhe diçka të ha, isha i zhveshur e ti më veshe. Isha i pastrehë e ti më strehove.”

Mos e e mbaj veten në mbrojtje pas dinjitetit tënd

“Një nga sëmundjet më të mëdha është të jesh askushi për askënd.”
“Duhet të ketë një arsye përse disa njerëz e përballojnë jetesën e mirë. Duhet të kenë punuar për atë gjë. Unë ndihem e inatosur vetëm kur shoh shpërdorim. Shoh njerëz duke hedhur gjëra që ne mund t’i përdornim.”
“Jo të gjithë ne mund të bëjmë gjëra të mëdha. Por ne mund të bëjmë gjëra të vogla me dashuri të madhe.”
“Unë nuk mund ta ndryshoj botën e vetme, por unë mund të hedh një gur nëpër ujëra për të krijuar shumë valëzime.”

Gjithmonë zgjidh punën më të vështirë

“Ki besim në gjërat e vogla sepse në ta qëndron forca.”
“Le të mos jemi të kënaqur vetëm duke dhënë para. Paraja nuk mjafton, paraja mund të merret, por ata kanë nevojë për zemrat tona për t’i dashur. Kështu, shpërndaj dashuri kudo që të shkosh.”
“Le të prekim atë që po vdes, të varfrën, të vetmuarën dhe të padashurën sipas zemërgjerësisë që kemi marrë dhe le të mos kemi turp apo të mos ngadalësohemi për të bërë punën e përulur.”/ KultPlus.com

Kumbaro vizitë tek shkolla artistike në Gjirokastër, i plotëson dëshirën flautistit të talentuar (FOTO)

Ministrja e Kulturës dhe deputetja, Mirela Kumbaro gjatë vizitës së saj në qarkun e Gjirokastrës është ndalur në shkollën artistike “Feim Ibrahimi”, ku i ka bërë një surprizë të bukur njërit prej nxënësve të talentuar të kësaj shkolle.

Kumbaro i ka dhuruar një flaut të ri Anxhelos nga Përmeti, duke i plotësuar kështu dëshirën e tij. Dëshirë, që ishte bërë publike edhe në kronika televizive për shkak të kushteve të vështira ekonomike të Anxhelos, i cili flautin e ka objektin më të çmuar.

“Në shkollën artistike “Feim Ibrahimi” në #Gjirokastër me Anxhelon nga Përmeti, flautistin e ri që sot u pajis me flaut të ri siç e dëshironte. #EdukimPërmesArtit”, shkruan Kumbaro në faqen e saj në Facebook, ku ka publikuar edhe disa foto.

Nga shkolla artistike, Kumbaro tha se qëllimi i kësaj vizite është të shkohet drejt një iniciative për të mbështetur me instrumente muzikore shkollën e vetme artistike të Gjirokastrës. Javën që vjen, kjo shkollë do të pajiset me instrumenta të tjerë muzikorë, që u vijnë në ndihmë fëmijëve të talentuar që studiojnë aty.

Ministrja e Kulturës shoqërohej në këtë vizitë edhe nga deputeti tjetër i qarkut të Gjirokastrës Flamur Golemi./ KultPlus.com

Sot prezantohet projekti i ri i Teatrit, trefishohet hapësira e godinës së re

Teatri Kombëtar ka tashme një projekt, i cili do të prezantohet sot në orën 17.00 në hollin protokollar të COD në kryeministri. Bjarke Ingels, i njohur si djali i artë i arkitekturës daneze, dhe arkitekti më në zë sot në botë, i vendosur në Kopenhagen dhe Nju Jork, për Top Channel sqaron konceptin e godinës së projektuar për Teatrin Kombëtar.

“Ajo që duam të bëjmë me teatrin kombëtar, është të bëjmë një institucion kombëtar që dëshmon performancën artistike të Shqipërisë, por të bëjmë edhe një godinë që është shumë shumë publike. Gjithashtu do të jetë radikalisht transparente. Ndërtesa do të ketë 600 vende brenda saj, do të ketë dy skena eksperimentale për gati 120 vetë. Pjesa e poshtme e ndërtesës do të jetë një zonë publike e mbuluar ku mund të zhvillohen evente publike ose koncerte”, thotë Bjarke Ingels, arkitekt.

Sa i përket territorit të teatrit, çështje kjo e diskutuar si shumë e rëndësishme edhe nga vetë artistët arkitekti sqaron që ajo do të trefishohet.

“Në termat e sipërfaqes, teatri do të trefishohet si hapësirë, dhe do të ketë gjashtë hapësira në ndryshim nga vetëm një ekzistuese”, vijon ai.

E rëndësishme për arkitektin nuk është ruajtja e një godine që nuk i plotëson standardet për të vazhduar ekzistencën si teatër, por fakti që adresa e teatrit do të jetë e njëjtë. Duke ju dhënën kështu edhe një përgjigje artistëve që duan ruajtjen e godinës, ose shndërrimin e saj në muze.

“Godina është e papërshtatshme për Teatër Kombëtar. Ajo që ne duhet të përqendrohemi nuk është godina, por aktiviteti në vetvete. Të jemi të sigurtë që Teatri Kombëtar i Shqipërisë të ketë shtëpinë në qendër të Tiranës”, thotë Ingels më tej./ KultPlus.com

Emërohet Komisioni që do të bëjë vlerësimin e vërtetimeve për sponosorizim në Kulturë, Rini dhe Sport

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, ka nënshkruar sot vendimin për emërimin e Komisionit për shqyrtimin dhe vlerësimin e kërkesave për lëshimin e vërtetimit për sponsorizime në fushën e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, me një mandat dy vjeçar me mundësi rizgjedhjeje.

Komisioni do të përbëhet nga 5 anëtarë, Betim Jahaj, Zyrtar i lartë ligjor në Departamentin Ligjor të MKRS-së, në cilësinë e kryesuesit, ndërsa katër anëtarët do të jenë si vijon: Servete Lika, Zyrtare e lartë financiare në Divizionin e Financave; Kamuran Goranci, Udhëheqës i Divizionit në Departamentin e Kulturës; Xhevat Bajrami, Udhëheqës i Departamentit të Rinisë dhe Afërdita Fazliu, Udhëheqëse e Divizionit për Federata në Departamentin e Sportit. Anëtarët e komisionit do të kompensohen financiarisht për punën e tyre për mbledhjet e mbajtura. Kryesuesi do të kompensohet me 125 euro për mbledhje, ndërsa anëtarët me nga 100 euro secili, por ky kompensim lejohet më së shumti për dy mbledhje të mbajtura gjatë muajit.

Komisioni në punën e tij do të ketë të gjitha përgjegjësitë që të shqyrtojë vërtetësinë e dokumenteve zyrtare dhe të sigurojë zbatimin e plotë të akteve normative që rregullojnë çështjen e sponsorizimit, Ligjin nr. 05/L-090 dhe Rregulloren nr. 01/2018 për Përcaktimin e Kritereve, Procedurave dhe Formës për Vërtetimin e Sponsorizimit në fushën e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

Në bazë të vendimit të nënshkruar nga ministri Gashi, anëtarë të rregullt në këtë Komision do të jenë përfaqësuesit nga Departamenti Ligjor respektivisht Divizioni i Financave, ndërkaq anëtarët tjerë marrin pjesë në mbledhjet e komisionit vetëm në shqyrtimin e kërkesave që bien në fushëveprimtarinë e departamenteve, konkretisht, të Kulturës, Rinisë apo Sportit.

Ministri Gashi emërimin e Komisionit e cilësoi si një realizim të një obligimi ligjor dhe u shpreh se përmes këtij Komisioni finalizohen procedurat që kanë qenë të parapara që MKRS-ja t’i realizojë.

“Me emërimin e Komisionit në fjalë, ne si ministri i kemi hapur rrugë sponosorizimit në fushat e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Tani palët e interesuara e kanë një adresë konkrete. Ky është një ndër hapat më të rëndësishëm që kemi marrë sepse vlerësimet dhe pritjet janë të mëdha. Ky akt që kemi nënshkruar sot dhe që ministria ka ndërmarrë në bashkëpunim edhe institucionet tjera të vendit, është gjëja më e mirë që ka mundur t’i ndodh fushave të cilat i ka në përgjegjësi ministria, sepse konsideroj se përmes sponsorizimit, konkretisht të orientimit të një pjese të tatimeve nga Kultura, Rinia dhe Sporti, do të rrisin aktivitet në këto fusha e po ashtu do të rritet edhe cilësia”, ka thënë ndër të tjera ministri./ KultPlus.com

Agron Blakçori, sjellë ekspozitën e radhës në GKK

Artisti Agron Blakçori, këtë të enjte sjellë ekspozitën “A mund ta imagjinosh këtë si diçka të bukur”, me kurator Mehmet Behlulin, shkruan KultPlus.

“A mund ta imagjinosh këtë si diçka të bukur”, ka filluar me një imazh të një peizazhi urban, një fotografi e cila është shkrepur nga artisti afër shtëpisë së tij në Podujevë, Kosovë. Fotografia është prekëse; ajo paraqet një “intervenim” të rëndomtë të mbeturinave të njerëzve dhe natyrës. Një strukturë delikate dhe e brishtë e ndërtuar nga plastika dhe degë të thata duke kaluar nëpër hapësirë, duke krijuar një ndjenjë të perspektivës. Prapa, në plan të tretë, shtëpi të reja të cilat sapo janë ndërtuar nga një ekonomi artificiale paraqiten të ndara dhe të mbrojtura nga një muri brenda hapësirës kolektive të mbyllur.

I diplomuar nga Fakulteti i Arteve të Universitetit të Prishtinës me master në skulpturë, kryesisht punët e Blakçorit janë të inspiruar nga objektet dhe situatat në rrugë, përballja në të cilin artisti i jep kuptim asaj e cila ka mbetur e fshehur nga njerëzit e tjerë të cilët e kanë injoruar. Agron Blakçori është po ashtu fitues i edicionit të pare të Artistëve të rijnë në Galerinë Kombëtare të Kosovës në vitin 2016.

Kjo ekspozitë hapet këtë të enjte në Galerinë Kombëtare të Kosovës, duke filluar nga ora 19:00 ndërsa ekspozita do të qëndroj e hapur deri më 1 prill./ KultPlus.com

Skena në heshtje, 1 vit pa Hadi Shehun

Sot bëhen 1 vit nga ndarja nga jeta e aktorit të mirënjohur kosovar Hadi Shehu, shkruan KultPlus. Shehu ndërroi jetë në moshën 68-vjeçare më 12 mars të vitit 2017.

Në këtë ditë, Shehu, është përkujtuar nga biri i tij Betim Shehu, përmes një shkrimi në rrjetin social Facebook:

“Sot behet nje vit prej kur ti ike nga kjo bote.

Kam shume per te thene…aq shume…sa ishte edhe vepra jote, e cila perjetesisht na bene krenar. Sot nje vit skena heshti, skenografia mbeti e ngrire, perdret rrinin gaditu e dritat u fiken.
“Na la HADIU” ishte kryefjala e gjithe shqiptareve te cilet ishin tronditur nga ky lajm. Interpretove figura te Heronjve dhe Rilindasve shqiptare, te cilet te dhane force qe edhe ne jeten tende te jesh nje atdhetare sypatrembur e nje shqiptar i madh.
Jeta te solli sfida te ndryshme por ato i tejkaloje burrerish gjithnje duke pase ne krahe bashkeshorten tende fisnike,Nerzanin. Faleminderit babi per gjithçka bere per Artin, per Gjakoven, per Kosoven e shqiptaret. Do te vazhdojme te jetojme me mburrje me emrin tend te madh HADI!
I perjetshem kujtimi per ty!”, ka shkruar Betim Shehu.
/ KultPlus.com

“Frankenshtajni” i Bokshit vihet në Teatrin Kombëtar në Tiranë

Në Teatrin Kombëtar në Tiranë, tashmë kanë nis provat për inskenimin e tekstit të Tim Kelly “Frankeshtajn”, shkruan KultPlus.

Ky tekst që sjellë në skenën e teatrit të Tiranës, gjithsej tetë personazhe do të inskenohet nga regjisori kosovar Ilir Bokshi.

“Është interesante se në kulturën popullore emri i cili pasqyron monstrën është Frankenshtajn, dhe shumë ndoshta nuk e dinë se Frankenshtajn është vet shkencëtari e jo monstra. Megjithatë, janë disa që do të thonë se Frankenshtajni, për shkak të pikëpamjes së tij morale dhe asaj që ai ka arritur të krijojë, është po aq monstër sa krijesa që ai ka krijuar”, thuhet në fillim të sinopsisit të kësaj shfaqje.

“Frankeshtajn”, vjen nën lojën e aktorëve Helidon Fino, Besmir Bitraku, Yllka Mujo, Klea Huta, Erjona Kakeli, Gent, Hazizi, Lulzim Zeqja dhe Niada Saliasi.

“E dramatizuar nga romani i Mary Shelley nga Tim Kelly, ky adaptim qëndron i veçuar nga dhjetëra adaptime të tjera filmike dhe skenike, sepse ndërkohë që i qëndron më së miri besnik romanit origjinal, vepra gjithashtu bie në një zhanër plotësisht të dalluar, ku komikja dhe tragjikja janë të ndërthurura mjeshtërisht dhe munden që në mënyrë shumë fleksible të paraqiten si njësi në vete apo si një dyshe e bashkuar. Viktor Frankenshtajn është një njeri i konsumuar nga shkenca dhe biologjia, pasioni jetësor i të cilit ka qenë të zbuloj shkakun e jetës apo e të dhënit jetë. Pas përpjekjeve dhe eksperimenteve të vazhdueshme, ai më në fund zbulon një rrugë të kthej në jetë indet e njeriut të vdekur. Më shkurt, ai vije në gjendje të krijoj jetë duke qepur së bashku një koleksion makabër pjesësh trupore të njeriut dhe duke përdorur procesin e tij special, ai ka sjellë në jetë një krijesë të ndërtuar nga pjesë trupore njerëzish, por akoma jo tamam njerëzor”, është thelbi i shfaqjes.

Ekipi tjetër që do ta përbëjë këtë shfaqje është: Skenografia: Petrit Bakalli, Kostumet: Vesa Kraja, Kompozitor: Art Lokaj, Asistente regjie: Algiona Agaj.

Shfaqja pritet të dalë me premierë në muajin prill në Teatrin Kombëtar në Tiranë./ KultPlus.com

Personalitete të larta shqiptare në Liban në krye me Vasko Pashë Shkodranin (FOTO)

Pashko Vasa njohur gjithashtu si Vaso Pasha e Vaso Pashë Shkodrani, qe nëpunës i konsullatës britanike në Shkodër, oficer kalorësie në Bolonjë, revolucionar i Risorgimento-s, nëpunës i Perandorisë Osmane dhe veprimtar i Rilindjes Kombëtare Shqiptare, shkruan KultPlus.

Së bashku me figura të tjera kombëtare në Stamboll, si Hoxhë Hasan Tahsini, Jani Vreto dhe Sami Frashëri, ai luajti rol në krijimin e një alfabeti të shqipes dhe, lidhur me këtë, botoi një broshurë 16 faqesh me titull «L’alphabet latin appliqué à la langue albanaise». Ishte anëtar i Shoqërisë së të shtypurit shkronja shqip.

Pasi kreu mësimet e para në vendlindje, shërbeu si sekretar i konsullatës britanike nga 1842 deri më 1847, ku pati mundësinë të përmirësojë dijet e tij në gjuhët e huaja: Italishte, Frëngjishte, Turqishte dhe Greqishte. Gjithashtu kishte njohuri në Anglishte e Serbishte dhe më vonë mësoi edhe Arabishten.
KultPlus ju sjellë një fotografi ku shihet Pashko Vasaj, kjo figurë e shquar shqiptare, e rrethuar me personalitete të tjera të larta shqiptare. Fotografia është shkrepur në Liban./ KultPlus.com

Që nga Baroku e deri te vepra e madhe shqiptare “Kënga e Rexhës”, Kori i Filharmonisë së Kosovës mrekulloi me koncertin e 15-të vjetorit

Gili Hoxhaj

Mbrëmë në Kishën Katolike “Shën Ndou”, kori i Filharmonisë së Kosovës solli premierë disa vepra të epokave të ndryshme. Kjo për të treguar që Kori i Filharmonisë së Kosovës ka arritur nivelin e duhur artistik, pas pesëmbëdhjetë vitesh nga themelimi, shkruan KultPlus.

Derisa të gjithë vizitorët kishin zënë vend në ulëset e Kishës, anëtarët e korit me veshjet e tyre ngjyrë të kaltër të mbyllët vijnë dhe rreshtohen në shkallët e kishës. Pranë tyre vjen dirigjenti brazilian, Marcio Da Silva, e që nën dirigjimin e tij, kori do të qëndroj pa lëvizur për më shumë se një orë. Veprat e epokës së Barokut, Renesancës dhe vepra moderne, jehuan përmes zërit të tyre. Ata, pranë publikut, sollën veprat e kompozitorëve si: Heitor Villa-Lobos, Alessandro Scarlatti, José Maurício Nunes Garcia, Pierre Passereau, Ola Gjeilo, Imant Raminsh dhe kompozitorit shqiptar, Hajrullah Sylës.

Kori mbrëmë shënoi koncertin e parë për këtë vit. Në interpretimin e korit vërehej një përjetim i rrallë i veprave. E njëjta gjë reflektohej edhe tek dirigjenti që ata e kishin përballë. Sako e tij shpesh ngrihej nga duart që shtriheshin lart, e me shpejtësi të jashtëzakonshme lëviznin aq sa shtrihej kori. Pas secilës vepër, duartrokitjet e publikut e kthenin fytyrën e tij përballë tyre, për t’i dhënë buzëqeshje e përkulje falënderimi. Marcio Da Silva kishte qenë edhe herë të tjera në skenë së bashku me Filharmoninë e Kosovës. Ai herën e parë kishte dirigjuar orkestrën e Filharmonisë së Kosovës, ndërsa herën e dytë që kishte ardhur kishte dirigjuar korin së bashku me orkestrën e Filharmonisë dhe tani po kthehej për të tretën herë, për të dirigjuar Korin e Filharmonisë së Kosovës, në të 15-in vit të rrugëtimit të tyre artistik.

Ai tha për KultPlus, se është ndjerë shumë i kënaqur me korin sonte ndërsa shtoi se ata ishin shumë të saktë dhe të hapur ndaj punës së tij, sado që është e vështirë për korin të punojnë me dirigjent të ndryshëm dhe që të mësohen t’i bëjnë gjërat varësisht nga teknika e punës së dirigjentit.

“Arsyeja përse ata më kanë ftuar këtu sonte është se Filharmonia e Kosovës do të udhëtoj në Angli gjatë muajit maj dhe kjo është edhe një mundësi e mirë për mua që të njihem më shumë me ta, para se ata të vijnë atje. Mua më pëlqej programi i sotëm dhe ishte program mjaft tërheqës edhe për korin, për mua ishte hera e parë që kam punuar me veprën e Gjeilos, që ishte shumë interesante me kuartetin harkor dhe me piano. Unë shpresoj që do të vij përsëri në të ardhmen sepse mënyra se si më presin njerëzit këtu është e mrekullueshme, po ashtu publiku është shumë i ngrohtë dhe reagimi i tyre sonte ishte i mahnitshëm”, u shpreh dirigjenti Da Silva.

Këtij koncerti nuk i munguan as veprat vokalo-instrumentale si vepra “Kënga e Rexhës” e kompozitorit shqiptar, Hajrullah Syla dhe “Miisa Breviz” e Imant Ramnish. Pasi kori nën dirigjimin e Marcio da Silva, solli katër vepra.

Tenori Luan Durmishi, u shkëput nga kori për të interpretuar si solist veprën e njohur “Kënga e Rexhës”, pranë tij erdhi edhe violinisti Festim Fanaj. Që nga tingulli i parë, e deri në fillimin e veprës, tek publiku vërehej një ndjesi e veçantë e përjetimit. Kjo këngë e njohur në kulturën tonë, që mbrëmë erdhi e kompozuar nga Hajrullah Syla, dukej që mori publikun me vete në çdo notë, tingull, e fjalë të interpretimit. Sytë e Luan Durmisht qëndrojnë të mbyllur, para se zëri i tij fillon ngadalë të jehojë brenda tërë ambientit, ku do të fuqizohej edhe me përcjelljen e korit, e interpretimin e violinistit Fanaj. Reagimi i publikut, që nga fillimi i saj e deri tek mbarimi e dëshmonte që kjo vepër, e ky interpretim ka arritur qëllimin ku vepra kishte marrë publikun me vete.

Tenori Luan Durmishi, thotë se këtë vepër e ka eksploruar edhe vite më parë në një teatër të Vjenës dhe në forma të tjera, por interpretimin maksimal të kësaj vepre thotë se e ka ndjerë mbrëmë në Prishtinë.

“Jam shumë i lidhur me kulturën time, me muzikën time. Kjo vepër është një ri-prurje shumë e bukur nga kompozitori dhe dirigjenti Hajrullah Syla dhe natyrisht me korin e Filharmonisë që është një kor shume profesionist dhe me violinistin Festim Fanaj. Jam ndjerë shumë i emocionuar, në fund të fundit emocioni dhe interpretimi janë kulmi i publikut, dhe, po jam munduar që këtë edhe ta transmetoj”, tregoi tenori Durmishi, ndërsa tha se ndihet i privilegjuar që sonte bashkëpunuan me një dirigjent të përmasave ndërkombëtare, që është mjaft i talentuar dhe njohës i mirë i muzikës në përgjithësi që nga Renesanca deri tek klasikja dhe muzika bashkëkohore.

Ndërsa për dirigjentin Marcio Da Silva, dirigjimi i kësaj vepre shqiptare e kishte inspiruar edhe më tepër, kur kishte kuptuar historinë e saj.

“Ishte shumë interesante për mua të dirigjoj kur më treguan më shumë rreth historisë së veprës, u ndjeva edhe më i inspiruar nga kjo vepër. Pra, kjo është një histori shumë e dhimbshme dhe shumë e bukur në të njëjtën kohë . Unë mendoj që interpretimi i kësaj vepre sonte ishte shumë emocionues, pasi që, edhe publiku reagoi shumë mirë ndaj kësaj vepre”, u shpreh dirigjenti Da Silva.

Ndërsa një interpretim tjetër të veçantë e solli sopranoja Adelina Paloja, që për publikun solli një vepër mjaft sfiduese të Imant Ramnish. Ky interpretim u përcoll me kor dhe në piano nga pianisti Melos Buza, duke mbyllur kështu koncertin e mbrëmshëm. Por para këtyre, me tingujt e pianistit Buza, në skenë u ulën interpretuesit e njohur të kuartetit harkor Visar Kuci, Festim Fanaj, Arianist, Shehu e Antonio Gashi. “The Dark night of the soul”, nën interpretimin e korit, e veçmas të sopranos Selvije Marteti veçse e bëri këtë koncert më të kompletuar.

Ky ansambël prej rreth pesëdhjetë anëtaresh veçse po e vazhdon ta kultivoj traditën e këndimit koral që në Kosovë ekziston qysh herët. Drejtori i Filharmonisë së Kosovës, Baki Jashari mendon se kjo është pikërisht arsyeja që niveli i korit i Filharmonisë së Kosovës, është dukshëm më i avancuar se ai i vendeve të rajoni.

“Ky vit shënon një jubile të veçantë për korin e Filharmonisë. Kori i Filharmonisë njihet jo vetëm në Kosovë por edhe në rajon si një ansambël profesional më në nivel, kjo pasi që ne kemi edhe një traditë që nga vitet e 50’, duke u nisur nga Shoqëria Kulturore-Artistike “Agimi” në Prizren e qysh nga i madhi Lorenc Antoni, Rexho Mulliqi, por kori i Filharmonisë ka një lidhje më direkt e me korin e “Radio Prishtinës”, i cili ka vepruar plot dhjetë vite, deri në mbylljen e dhunshme të Radio Televizionit të Prishtinës”, tregoi drejtori Jashari, i cili ndër të tjera veçon edhe prezantimin e ansamblit të “Radio Prishtinës”, në shumë skena të njohura të Jugosllavisë së atëhershme.

Dirigjenti Da Silva i ka bërë një ftesë Korit të Filharmonisë për dy përvjetorë, për 10-të vjetorin e Pavarësisë së Kosovës si dhe 15-të vjetorin e themelimit të korit, që më 5 maj, në qytetin Hastings të paraqiten me koncert. Vend ky në të cilin vepron dirigjenti Marcio Da Silva. Kori i Filharmonisë do i bashkëngjitet orkestrës dhe një kori tjetër atje, bashkim ky që ndodh për të shënuar edhe 90-të vjetorin e themelimit të korit të tyre atje. Ndërsa gjatë qëndrimit në Hastings, Kori i Filharmonisë së Kosovës do të mbajë edhe një koncert vetanak në Londër, me mbështetje të Ambasadës së Kosovës në Londër./ KultPlus.com

10-vjetori i Pavarësisë së Kosovës, është festuar edhe në Tokyo të Japonisë (FOTO)

Ambasada e Republikës së Kosovës në Tokyo ditë më parë ka organizuar një pritje solemne me rastin e 10 vjetorittë Pavarësisë së Kosovës, shkruan KultPlus.

Po ashtu ky aktivitet është organizuar edhe dhe me rastin e vizitës së Zëvendës kryeministrit dhe Ministrit të Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli.

Në pritje morën pjesë përfaqësues të lartë të institucioneve japoneze, si dhe një numër i madh i përfaqësuesve diplomatikë në Tokyo. Në mesin e 170 pjesëmarrësve, kishte më shumë se 10 ambasadorë. Në ceremoninë hapëse fjalën e mori ministri Pacolli dhe ambasadori Malazogu, zëvendësministri i Jashtëm i Japonisë, Horii Manabu, si dhe Presidenti i Grupit të Miqësisë Parlamentare Kosovë-Japoni, Ryu Shionoya.

Gjatë pritjes u ekspozuan 15 fotografi nga Kosova dhe disa video promovuese të vendit. Pjesëmarrësit u shërbyen me verë të Kosovës që ishte një dhuratë nga prodhuesit e verës në Kosovë dhe Ministria e Punëve të Jashtme. Vepra të Kosovës u interpretua nga një duo kosovaro-japoneze.

Vullnetarët japonezë, disa që kanë jetuar në Kosovë si dhe Organizata Japoneze për Marrëdhënie Ndërkombëtare (JIRO) ndihmuan në organizimin e ngjarjes./ KultPlus.com

14 vjeçarja shqiptare që po mahnitë me zërin e saj publikun holandez (VIDEO)

Vlera Kida, nga Kosova, është pjesë e The Voice Kids të Holandës.

Vlera është 14 vjeçe dhe ka lindur në Holandë. Prindërit e saj kanë lindur në Kosovë dhe nuk kanë pasur gjithnjë lehtësi në jetë, shkruajnë mediat holandeze, transmeton Koha.net. Prindërit e Vlerës kishin ikur nga vendlindja për shkak të luftës që ka ndodhur në Kosovë në vitin 1998-99.

Vlera ka një shembull të mirë, sepse edhe Dua Lipa ka prindër kosovarë. Po ashtu, edhe Rita Ora ka lindur në Prishtinë, shkruan Sterren Op TV.

Vlera Kida është duke marrë pjesë në The Voice Kids. 14 vjeçja e di arsyen saktësisht se pse po merr pjesë në këtë program.

“Unë jam pjesëmarrëse e The Voice sepse çdo kush mendon që unë mund të këndoj shumë mirë dhe të gjithë më kanë sugjeruar që të hyjë në këtë program”, tha Vlera.

Ajo tani është duke ëndërruar për një jetë me plot famë.

https://www.youtube.com/watch?v=dAVDVY6wTpM

“Me të vërtetë dëshiroj të bëhem e famshme. Mund të jesh një shembull për shumë njerëz. Mund të shprehësh ndjenjat nëpër kënga dhe ti transferosh ato përsëri, mendoj se kjo është një gjë shumë e mirë”, ka thënë Vlera.
Nëse Vlera do të bëhej e pasur dhe e famshme, ajo do të ndihmonte njerëzit e varfër. Edhe prindërit e saj ishin shumë të varfër.

Për herë të parë ajo është shfaqur në Blind Audition në The Voice Kids, ku ka treguar talentin e saj në këndim. Ajo ka zgjedhur këngën e Adeles – “Rolling in the Deep”, me të cilën ka bërë një performancë të jashtëzakonshme me zërin e saj shumë të bukur duke çuar në këmbë publikun si dhe jurinë e këtij programi.

Për më tepër shikoni performancën e saj në video:

Vdes Ken Dodd, legjenda e komedisë britanike

Britaniku Ken Dodd, legjenda e komedisë britanike, shumë popullor në vendin e tij, vdiq dje në moshën 90-vjeçare, njoftoi sot agjenti i tij.

“Komediani me sy të mëdhenj dhe flokë të shpupuritur ishte një prej emrave të fundit të mëdhenj të ‘music hall’”, deklaroi agjenti i tij, Robert Holmes, për agjencinë britanike PA, transmeton ATSH raportimin e AFP-së.

Ai ishte i famshëm për spektaklet e tij të komedisë, shpesh herë të shoqëruara nga ‘Diddy Men’, njerëz të vegjël që mbajnë veshje shumë të mëdha dhe me ngjyra.

Ai kishte marrë titullin “Kalorës” vitin e kaluar, si mirënjohje për karrierën e tij të gjatë prej shumë dekadash dhe të angazhimit të tij social.

Me origjinë nga Liverpuli, Ken Dodd kishte dalë nga spitali më 27 shkurt pas qëndroi për gjashtë javë për shkak të një infeksioni në mushkëri.

Para 40 vitesh ai u martua me Amme Jones./ KultPlus.com