Tirana përzgjidhet si qyteti model në Mynih, Veliaj: Suksesi i kushtohet qytetarëve të saj

Tirana është përzgjedhur si qyteti model i zhvillimit në Forumin vjetor të arkitektëve dhe urbanistëve gjermanë, organizuar nga Ministria e Zhvillimit Urban të Bavarisë dhe qyteti i Mynihut. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, zhvilloi një vizitë një ditore në Mynih, si i ftuar në Forumin vjetor për Qytetet dhe Ardhmërinë, ku prezantoi transformimin që ka pësuar Tirana dhe projektet strategjike për të ardhmen.

Në fjalën e tij, kryebashkiaku Veliaj theksoi se një pjesë e madhe e suksesit ka ardhur falë qytetarëve të Tiranës, të cilët kanë nxitur një sërë nismash të rëndësishme për qytetin. “Jam shumë krenar për Tiranën! Jemi përzgjedhur si një qytet model, kësaj here në forumin vjetor të arkitekturës gjermane organizuar nga Ministria e Zhvillimit Urban të Bavarisë dhe nga qyteti i Mynihut. Jam shumë krenar sepse jo vetëm Bashkia ka bërë punën që duhet të bëjë, por një pjesë e madhe e sukseseve tona i kushtohet qytetarëve të Tiranës. Janë ata që kanë inkurajuar ditët pa makina, që po kthejnë zonat pedonale, që po mbjellin pemë, që po e mbajnë pastër qytetin. Historia e vërtetë e suksesit të Tiranës është se çdo qytetar e ndjen që është pjesë e familjes së Tiranës dhe kujdeset për mbarëvajtjen e punëve”, tha Veliaj.

Ai shtoi me bindje se nuk ka një qytet të dytë sot në Europë, ku qytetarët janë kaq shumë të përfshirë me pastrimin, mbjelljen e pemëve, kujdesin e hapësirave publike, korsitë e biçikletave dhe mënyrën se si po krijohet një sens përkatësie për përkujdesje ndaj qytetit. Veliaj u shpreh se kjo histori e bukur që po shkruhet në Tiranë po vlerësohet nga të gjithë ata që sot janë në avangardë të arkitekturës dhe të urbanizmit në Europë. Kreu i Bashkisë nënvizoi se fakti që Tirana ka bërë në një kohë të shkurtër një kapërcim gjigant, është një inkurajim për të vijuar punën me energji edhe më të madhe për projektet e nisura.

Kryebashkiaku siguroi se edhe këtë vit Bashkia e Tiranës ka planifikuar një sërë investimesh të rëndësishme, si ndërtimi i shkollave të reja, transformimi i Piramidës dhe i mjaft zonave të reja të qytetit, të cilat gjatë këtyre viteve kanë njohur zhvillim, por jo urbanizim. “Edhe këtë vit do të vazhdojmë të nxisim shumë prej projekteve që tashmë i kemi nisur, siç janë shkollat e reja, Piramida, ndërtesa të tjera me funksion publik, më shumë fokus në zonat e reja të Tiranës, si zona e Kasharit, zona e Unazës së Re, zona e Freskut pranë Dajtit, apo zona e Selitës. Kthehemi të inkurajuar nga fakti se Tirana po merr vlerësime, që në një kohë të shkurtër ka bërë një kapërcim gjigant, për të vazhduar projektet që kemi nisur”, deklaroi ai.

Duke falënderuar qytetarët për mbështetjen që kanë dhënë gjatë këtyre 3 viteve në zbatimin e një sërë projektesh të rëndësishme, si fushata për mbjelljen e 100 mijë pemëve të reja deri më 21 mars, Veliaj u shpreh se Tirana do të vendosë një standard për të realizuar synimin e krijimit të Pyllit Orbital me 2 milionë pemë, shkruan panorama.

“Dua të falënderoj çdo qytetar që ka qenë me ne këto tre vjet. Teksa bëjmë bilancin e 3 viteve të para të mandatit, po përgatitemi për një finish më të fortë se vitet e kaluara. Falënderoj qytetarët që u bënë pjesë e fushatës së mbjelljeve. Na kanë mbetur edhe pak ditë deri në datën 21 mars, ku rekordi prej 100 mijë pemësh jo vetëm që do të tejkalohet, por besoj që do të vendosim një standard se si do të punojmë çdo vit, për të kapur ambicien tonë të 2 milionë pemëve për Pyllin Orbital”, përfundoi Veliaj./ KultPlus.com

“The Guardian” shkruan për billbordet e HAVEIT, të vendosura midis Prishtinës (FOTO)

Foto: Armend Nimani
Filmi “Three Billboards Outside of Ebbing, Missouri”, i cili ka fituar dy çmime Oscar këtë vit, është bërë referencë e aktiviteteve të ndryshme në botë duke krijuar një metodë të re globale për të protestuar.

Shembulli i njëjtë është ndjekur edhe në Kosovë, ku grupi i vajzave Haveit, kanë krijuar tri billborde pranë selisë së Policisë, shkruan KultPlus.

Lidhur me këtë, ka shkruar edhe gazeta prestigjioze “The Guardian”, në shkrimin e publikuar sot. Në mesin e aksioneve të njëjta në botë, ky shkrim i ka dhënë hapësire edhe billbordeve të vendosur nga HAVEIT në Kosovë. Shkrimi tregon se si ky grup i vajzave kanë krijuar tri billborde të ngjashme me filmin, ndërsa ngritin një pyetje qenësore se deri kur do të neglizhohet dhuna ndaj grave.

“Edhe sa thirrje të humbura?”, “Diana Kastrati” dhe “Zejnepe Bytyqi”, është shkruar në billbordet të cilat janë vendosur në rrugën Luan Haradinaj, ku gjendet edhe stacioni i Policisë së Kosovës . Billbordet e krijuara nga Haveit i referohen dhunës ndaj grave dhe vrasjes së Diana Kastratit dhe Zejnepe Bytyqi, të cilat ishin vrarë nga bashkëshortët e tyre.

HAVEIT (Alketa Sylaj, Hana Qena, Vesa Qena, Arbërore Sylaj) është një grup prej katër grave të cilat tentojnë të shkojnë përtej kënaqësive të përditshme, rregullave morale dhe refuzojnë të bien dakord me çështjet që po servohen.

Ato nuk bëjnë asgjë përpos se tregojnë historinë e tyre dhe të juajën! Grupi është themeluar në 2011, në Prishtinë./ KultPlus.com

Shqiptarja që përfaqëson Qipron në Eurovizion: Ndihem mirë që jemi tre shqiptarë në Eurovizion, nuk e ndjej konkurrencën e tyre (VIDEO)

Shqiptarja që do të përfaqësojë Qipron në festivalin evropian të muzikës, ka sjell klipin e këngës pjesëmarrëse “Fuego”.

E njohur ndryshe si Beyonce e Greqisë, 31-vjeçarja ka folur edhe për dy shqiptarë të tjerë që do të shfaqen në Eurosong.

Ajo ka pohuar se nuk ndjen rivalitet me shqiptarët dhe se ndihet mirë që do të jenë tre në këtë festival.

“Fakti që tre shqiptarë do të ngjiten në skenën e Eurosong më bën të ndihem shumë mirë, shpresoj të shkojmë mirë me njëri-tjetrin. Nuk ndjej konkurrencë ndaj tyre”, tha Furiera për “Jo vetëm modë”, duke kujtuar se Shqipërinë do ta përfaqësojë, Eugent Bushpepa ndërsa shtetin italian, Ermal Meta.

Ajo më tutje foli rreth pjesëmarrjes në festival duke premtuar se do të jep maksimumin e mundshëm.

“Do të jap gjithçka tek kjo performancë sepse skena për mua është një dashuri e vërtetë. Do të ketë shumë koreografi dhe shpresoj që njerëzit ta shijojnë performancën tonë. Do ta bëjmë të pamundurën që bota të ndjejë flakët tona”, tha Furiera./ KultPlus.com

Tirana merr ngjyrat pranverore (FOTO)

Tirana po bëhet gati të presë Ditën e Verës Përveç programit të aktiviteteve argëtuese, Bashkia e Tiranës ka nisur përgatitjet për t’i dhënë qytetit një atmosferë pranverore dhe mbi të gjitha festive.

Në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” janë vendosur zbukurimet përgjatë gjithë këtij segmenti. Siç shihet edhe nga fotot, janë vendosur zbukurimet me lule që simbolizojnë largimin e dimrit dhe ardhjen e pranverës. Sakaq ndërmarrjet bashkiake kanë veshur edhe të gjitha pemët përgjatë gjithë këtij bulevardi me ngjyra që krijojnë një atmosferë festive.

Dita e Verës është një festë me origjinë të lashtë pagane . Ajo është festë e trashëguar në veçanti nga qytetarët e Elbasanit, festë mbarëshqiptare, që kremtohej si në Veri edhe në Jug, por me nuanca të ndryshme, sipas krahinave.

Dita e Verës ishte dita e fillimit të vitit sipas kalendarit shumë të lashtë të shqiptarëve, pra një ditë që kremtohej shumë shekuj para se të lindte krishterimi. Ajo kremtohej me 1 mars të kalendarit Julian, ditën e parë të vitit të ri, e sipas kalendarit Gregorian, “14 mars”./ KultPlus.com

107 vite nga dalja e parë e gazetës “Liri e Shqipërisë” (FOTO)

Më 11 mars 1911, në Sofje, në kryeqytetin bullgar, u botua numri i parë i gazetës “Liri e Shqipërisë”, kjo ishte një gazetë e përjavshme politike, shoqërore, kulturore.

Gazeta u drejtua nga Kristo Luarasi dhe u botua tri herë në javë. Ai trajtoi me interes të veçantë lëvizjen patriotike dhe çlirimtare në Shqipëri dhe kolonitë e mërgimtarëve shqiptarë gjatë viteve 1911-1912, duke dhënë një kontribut të madh në përhapjen e çështjes shqiptare në arenën ndërkombëtare dhe ndërgjegjësimin e opinionit publik./ KultPlus.com

Po vdes nanë, sot po vdes

Kushtuar vajzës Mirditore, mësueses Marie Tuçi,(1928-1950) të cilën regjimi Enverian e torturoi në mënyrën më makabre, duke e mbyllur në një thes, lakuriq, bashkë me një mace të egër. Nuk mjaftonin vetëm thonjtë e kafshës së egërsuar, por njëkohësisht, ajo goditej me mjete të forta nga hetuesat e gardianët e burgut, në prani të grave të tjera të burgosura. Pse? Sepse mendonte ndryshe. Vdiq e masakruar nga shqipfolësit e një ideali pa ideal…

Po vdes nanë, sot po vdes

Nan’ e dashtun,sot po vdes
më kan futur,në një thes
lakuriq, tok me një mace
më kan mbyll ,në thes linace

N’burg të Shkodrës,po m’del shpirti
po ma merr nan’, shef Seiti
jashtë thesit, shqip po flasin
më shqelmojn’ e më godasin
ligësia, nuk ka ngjyrë
shqelm në bark, shqelm në fytyrë!

Po vdes nanë, sot po vdes
një lëmsh gjaku, brenda n’thes
nuk ka vend imagjinata
kriminel, shpirtzinj si nata
më kan ça, bark e zorrë
hajde nan, e ver’ një dorë!

Mbaju nan’, mbaju burrneshë
më sill teshat, e m’vish murgeshë
mos qaj nan, jam bij Mirdite
s’na kan mposht, tash ndër vite
as dhe shkau, as dhe turku
as Enveri, as dhe burgu
as bollshik, e as titista
as hetues, as komunista!

Po vdes nanë, moj un’ e zeza
shko më sill, një palë ndresa
njëzet e dy, sapo kam mbush
nuk du’ nan’, me m’qa kurkush
as n’ Orrosh, e as Ndërfush
as në bjeshkë, atje thellë
as në Fan, e as në Kthellë
as n’Kurbnesh, e as n’ Selitë
as kurkund, nëpër Mirditë

Zoti nan, ka pat’ mëshirë
më ka dërgu, të vdes e lirë
më sill ndresat, po të pres
po vdes nanë, sot po vdes

Nga Meti Fidani

Dua Lipa uron Ditën e Nënave: Gruaja që më mësoi që të jem vet bosi (VIDEO)

Sot në Britaninë e Madhe festohet Dita e Nënave dhe me këtë rast këngëtarja e njohur shqiptare, Dua Lipa ka uruar nënën e saj, Anesa Lipa, shkruan KultPlus.

Për t’i uruar këtë festë, Dua Lipa ka publikuar një video të shkurtër nga ndeja e Brit Awards, nga nata kur ajo mori dy çmime të mëdha.

“Urime Dita e Nënave për nënën më të mirë dhe shoqen time. Gruaja që më mësoi të jem vet bosi. Rina, Gjini dhe unë jemi shumë me fat. Nuk di çfarë do të bënim pa ty”, ka shkruar Dua Lipa poshtë videos që ka postuar në rrjetin e saj Instagram./ KultPlus.com

20 arbëreshë të Italisë pushtojnë Shqipërinë për Vitin e Skënderbeut

“Të dua Arbëri” një aktivitet me përmasa mbarëkombëtare pritet të zhvillohet nga data 1 deri ne 6 Maj në Shqipëri në kuadër të shpalljes nga Qeveria Shqiptare, të vitit 2018 si Viti i Skënderbeut.

Aktivitetet do të shtrihen në Tiranë, Krujë, Lezhë, Bulqizë, Peshkopi dhe Dibër të Madhe. Grupeve etnike do t’u shtohen edhe një grup i madh i shqiptarëve të Italisë. Gjatë ditëve të aktivitetit një grup prej të paktën 20 arbëreshësh, do të performojnë në muzikë, teatër, kulinari, traditat më të mira të spikatura, nga enciklopedia njerëzore e arbëreshëve, paraardhësve të shqiptarëve të Italisë, një nga rastet unikale në botë të ruajtjes në këtë formë kaq sublime të jetës së të parëve të tyre.

Në kuadër të shkëmbimit të këtyre traditave dhe aktivieteve të larmishme që do të zhvillohen në Tiranë dhe në rrethe të vendit, Qendra Albanian Excellence në Tiranë dhe Shoqata Vorea, me qendër në Frascineto, Itali, kanë nënshkruar pak ditë më parë në në këtë qytezë të vogël të Kalabrisë një marrëveshje bashkëpunimi. Frascineto banohet nga shumica e një popullate arbëreshe. Sipas Presidentes së Albanian Excellence, Flora Nikolla: “Marrëveshja ka në qendër të saj, evindentimin ,vlerësimin, njohjen dhe përhapjen e traditës arbëreshe, një qëndrese kjo kolektive e admirueshme ndaj të parëve të tyre, që kurse u detyruan të lënë Arbërinë pas shekullit XV, me vdekjen e heroit kombëtar të shqiptarëve, Gjergj Kastrioti Skënderbeu.”

Kjo marrëveshje u nënshkrua në Komunën e Frascineto-s, në prani të Kryetarit të Komunës, Dr. Angelo Catapano, për Albanian Excellence nga Drejtoresha Ekzekutive e Qendrës, znj. Flora Nikolla dhe për Shoqatën Vorea nga Drejtoresha Ekzekutive, znj. Lucia Martino.

“Kjo marrëveshje parashikon një bashkëpunim dyvjeçar mes dy shoqatave të njohura për aktivitetin e tyre konkret në favor e në mbështetjes të vlerave më të mira shqiptare dhe arbëreshe, në kulturë, art dhe turizëm , një sferë për të cilën dy shoqatat do të angazhohen përmes shumë iniciativa të reja, nisur edhe nga që turizmi është më pak i zhvilluar mes dy vendeve në kohën e ushtrimit të turizmit kulturor, elitar dhe emocional me nota argëtimi:”, tha Flora Nikolla për “Shqiptarja.com”.

Marrëveshja, parashtron njëherazi edhe organizimin e aktivitetit shumëdimensional. Në bazë të kësaj Marrëveshje, gjatë këtyre ditëve , grupi prej të paktën 20 arbëreshësh i bashkohet projektit “Të dua Shqipëri ! ” Kryetari i Komunës së Frascinetos, Dr . Catapano , ka përgëzuar palën shqiptare për nënshkrimin e kësaj marrëveshje duke e cilësuar si “një hap më shumë më afrimin mes Arbëreshëve të Italisë dhe Shqipërisë”.

Ai falënderoi gjithashtu të dy shoqatat , për vullnetin e tyre të mirë në organizmin e aktivitetit “Të dua Arbëri “ në muajin Maj në Shqipëri, duke u shprehur optimist që ky aktivitet kaq domethënës , do të vijojë edhe me aktivitete të tjera nga të dyja shoqatat , shqiptare dhe italo-arbëreshe.

Zonja Lucia Martino, aktiviste e njohur edhe në bashkëpunimet e mëparshme dhe një zonjë e rrallë në ruajtjen dhe zhvillimin e traditës arbëreshe tha se, ishte e emocionuar dhe priste me padurim zhvillimin e “Të dua Arbëri”, ku ajo do të prezantonte njëherazi me grupin e saj të gjithë atë punë të vullnetshme e plot dashuri, që ka bërë për një kohë të gjatë, në krijimin e traditës teatrore , të ruajtjes së kulturës së gjithë kahershme shqiptare përfshirë edhe kulinarinë të cilën ajo me shumë zell, dëshiron t’ua bashkëngjisë edhe menuve të restoranteve shqiptare.

Flora Nikolla, drejtuese e Qendres Albanian Excellence është shprehur se projekti, “Të dua Arbëri”, është një projekt i ndërtuar, me dhe mbi dashuri e vlerësim për këtë pjesë shqiptaro-italiane, të cilët me devotshmëri kanë ruajtur deri më tani, gjuhën, traditat, doket shkrimin e shqipes, ashtu sikundër edhe ritet fetare.

Flora Nikolla është shprehur më tej se “në të gjitha fushat sikundër edhe letërsia arbëreshe, ka shumë krijues, poetë, shkrimtarë, intelektualë të njohur, jo vetëm në Itali e Shqipëri por kudo edhe në mërgatë dhe kjo është një detyrë më shumë e shoqatës që ajo drejton për evidentimin dhe botimin e tyre në një të afërme, në vëllime të veçanta, si një vlerë e shtuar e këtij fenomeni historik dhe me vlera unikale”./ KultPlus.com

Të famshmit që do t’ju befasojnë me talentet e tyre të fshehta

Janë disa të famshëm që përveç që i njohim përmes ekranit televiziv, kanë disa talente të cilat rrallë herë publiku i ka parë.

Disa prej këtyre të famshmëve siç janë Jim Carrey, Marilyn Manson, Anthony Hopkins, Johnny Depp, George W.Bush përveç famës dhe punës që e bëjnë e i njeh gjithë bota, zbuluan talentin e tyre edhe në art me piktura. Talent të tillë kishin edhe tashmë të ndjerët John Lennon, Frank Sinatra, Marilyn Monroe, Bob Dylan, David Bowie e Michael Jackson, transmeton Koha.net.

Është Lucy Liu e cila për vite të tëra shfaqte punën e saj me pseudonimin Yu Ling por në vitin 1993, ajo vendosi të dalë publikisht me emrin e saj të vërtetë.

Më poshtë keni disa artistë të njohur për të cilët u zbulua edhe talenti i tyre i fshehtë, mbase Sylvester Stallone mbetet befasia më e madhe pasi zakonisht ai përfytyrohet si Rambo duke luftuar armiqtë e tij./ KultPlus.com

Kosova sërish në rrugën e vështirë drejt UNESCO-s

Afirmimi i shtetit të Kosovës në botë dhe anëtarësimi në mekanizmat ndërkombëtarë, është një nga prioritetet kryesore të Qeverisë së Kosovës dhe në këtë aspekt institucionet e Kosovës janë duke bërë të gjitha përpjekjet për anëtarësimin e vendit në dy mekanizma ndërkombëtarë, në INTERPOL dhe në Agjencinë e Kombeve të Bashkuara për Kulturë, Shkencë dhe Arsim (UNESCO), konfirmojnë zyrtarët e ekzekutivit të vendit.

Në rubrikën e përjavshme “FOKUS”, të Radios Evropa e Lirë, zyrtarë dhe ish-zyrtarë të Qeverisë së Kosovës, si dhe njohës të çështjeve të sigurisë dhe zhvillimeve në vend, thonë se me anëtarësimin në këta dy mekanizma ndërkombëtarë, përveç përfitimeve në fushëveprimet konkrete të këtyre mekanizmave, Kosova do të përfitonte edhe në rritjen e subjektivitetit dhe prestigjit të saj ndërkombëtar.

Halil Matoshi, këshilltar i kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, thotë për Radion Evropa e Lirë se ekzekutivi tashmë është duke punuar në përmbushjen e të gjitha kushteve për anëtarësim në këta dy mekanizma.

“Sa i përket çështjeve teknike që duhet përmbushur, do të thotë, kritereve për INTERPOL, Qeveria e Kosovës është gati dhe sigurisht që sivjet do të aplikojë. Kurse, edhe për UNESCO, Kosova tashmë është gati. Dy ligjet, për trashëgimi kulturore dhe për fetë, janë proceduar në Kuvendin e Kosovës. Dikasteret përkatëse vlerësojnë se Kosova i ka edhe numrat e nevojshëm (të vendeve që votojnë), që të bëhet pjesë e këtyre dy mekanizmave”, thekson Matoshi.

Rruga drejt UNESCO-s, më e vështirë

Ndryshe nga mundësia e sivjetme që Kosova të aplikojë për në INTERPOL dhe eventualisht edhe të pranohet, mundësia eventuale e Kosovës për anëtarësim në UNESCO do të jetë vetëm në vitin 2019, kur edhe pritet Konferenca e Përgjithshme e kësaj organizate.

Megjithatë, zëvendësministri Hoti thotë se Kosova po bëhet gati edhe për këtë sfidë.

“Ministria e Punëve të jashtme e ka finalizuar propozim-kornizën për strategjinë për procesin e aplikimit në UNESCO 2019. Duke qenë se procesi i anëtarësimit në UNESCO kërkon mobilizim gjithëpërfshirës institucional të bazuar në planifikim të procesit dhe veprime të koordinuara ndërinstitucionale, dokumenti përmban kornizën që parashikon reformat legjislative, krijimin e mekanizmave gjithëpërfshirës koordinues në nivel nacional, si dhe fushatë të fuqishme diplomatike të koordinuar me partnerët tanë ndërkombëtarë”, thekson Hoti.

Kosova tashmë ka dështuar një herë për t’u anëtarësuar në UNESCO.

Ish-ministri Hyseni shpreh mendimin se diplomacia e Kosovës nuk guxon ta bëjë gabimin e njëjtë me atë të vitit 2015, kur sipas tij, nuk është punuar mjaftueshëm me vendet, të cilat e kanë njohur Kosovën. Sipas tij, aktualisht nuk ka sinjale për një vazhdimësi të ruajtjes së raporteve dhe kanaleve të komunikimit me vendet që e kanë njohur Kosovën, por edhe me ato që nuk e kanë njohur.

“Ka një moskuptim të veprimit në rrafshin diplomatik, sepse gjërat merren si të garantuara. Në momentin që të ka njohur një shtet, ne sikur e marrim se e kemi të garantuar përkrahjen e atij shteti dhe kjo nuk ndodh ashtu në rrafshin diplomatik. Shenjat dhe sinjalet që vijnë kohëve të fundit, nuk janë shumë të mira dhe nuk janë shumë premtuese”, konsideron Hyseni.

Më 9 nëntor të vitit 2015, Kosova nuk kishte arritur të bëhej pjesë e UNESCO-s për mungesë të tri votave në favor të pranimit të saj. Për pranimin e Kosovës në UNESCO nevojiteshin 95 vota “për”, që nënkuptonin dy të tretat e votave të përgjithshme të vendeve pjesëmarrëse në Konferencë e Përgjithshme të UNESCO-s, e cila u mbajt në Paris. Në favor të pranimit të Kosovës patën votuar 92 vende./ KultPlus.com

Letra e Karl Marx e cila u shit mbi 53 mijë dollarë

Një letër jashtëzakonisht e rrallë e shkruar nga filozofi gjerman Karl Marx dhe që mban datën 1 tetor 1879 u shit për më shumë se 53 mijë dollarë në një ankand në Boston (Massachussets).

“Kur u ktheva nga bregu i detit, gjeta kartën tuaj të 23 shtatorit. Do të më pëlqente të më dërgonit disa kopje të “Zbulimit” sepse nuk kam asnjë”, -shkruante në atë letër Marksi. Publikimi që Marksi aludon qartazi është mbi “Zbulimin e historisë diplomatike të shek XVIII” që u publikua me disa numra në shtyp në gusht të 1856 deri në prill të 1857.

Letrat e Marksit janë jashtëzakonisht të rralla dhe jashtë institucioneve inekzistente dhe kjo është e vetmja që kemi gjetur, – shprehet në një komunikatë Bobby Livingston, zëdhënës i ankandit.

E njëjta shtëpi ankandi shiti një fotografi të Mahatma Gandhi-t të firmosur nga ai vetë për 41.806 dollarëo, përcjell Bota.al. Fotografia, në të cilën shihet Gandi duke ecur bashkë me politikanin indian, Madan Mohan Malaviya pas ciklit të dytë të koferencës së tavolinës së rrumbullakët indiane është e firmosur me penë stilografike me iniciale “MK Gandhi”./ KultPlus.com

Dhjetë këshilla të një gjeniu

I njohur për etikën e tij të punës së madhe, këmbëngulësisë dhe zgjuarsisë, Thomas Edison është njëri prej shpikësve më të mëdhenj të të gjitha kohërave. Nga llamba në fotografinë, gjatë jetës së tij Edison mbajti mbi 1000 licensa në Shtetet e Bashkuara në emrin e tij, pa përmendur edhe tjerat rreth botës.

Kontributet e tij të mëdha në energji elektrike, filma, inçizim të zërit madje edhe makina x-rreze ndryshuan botën në të cilën jetojmë sot. Së bashku me shumë arritje të tij, mentaliteti dhe etika e punës e Edison gjithashtu e shtyen atë drejt suksesit.

Ka shumë që mund të mësoni nga ky gjeni kreativ.

Shikoni këto 10 thënie të cilat do ju motivojnë dhe inspirojnë.

Për shanset
‘’Shanset humbasin nga shumë njerëz për shkak se ajo është e veshur me pantallona dhe duket si punë’’.

Për suksesin
‘’Fati i mirë shpesh ndodh kur mundësia takohet me përgatitjen’’.

Për kreativitetin
‘’Për të shpikur, ju keni nevojë për imagjinatë të mirë dhe për gjëra të vjetra’’.

Për punën e rëndë
‘’Gjeniu është 1 përqind inspirim dhe 99 përqind djersë’’.

Për këmbëngulësinë
‘’Dobësia jonë më e madhe qëndron në dorëzimin. Mënyra më e sigurtë për të pasur sukses është që gjithmonë të provoni edhe njëherë tjetër’’.

Për dështimin
‘’Unë nuk kam dështuar. Vetëm kam zbuluar 10,000 mënyra të cilat nuk kanë pasur sukses’’.

Për fuqizimin
‘’Nëse do të bënim të gjitha gjërat për të cilat jemi të aftë, do të befasonim veten’’.

Për ide
‘’Unë kam më shumë respekt për një njeri i cili ka një ide dhe arrin sukses me të se sa për një njeri i cili ka me mijëra ide dhe nuk bën asgjë’’.

Për suksesin
‘’Gjithçka vjen te ai i cili bën kërkime përderisa pret’’.

Për mentalitetin
‘’Gjithçka vjen te ai i cili bën kërkime përderisa pret’’./KultPlus.com

Gravura e rrallë, ja si ishte flamuri shqiptar 540 vjet më parë

Aurel Plasari

“Marrja e Krujës nga Mehmeti II” është njëra prej gravurave të punuara nga Jost Amman (1539-1591) që shoqërojnë veprën e Marin Barletit në vëllimin III të përmbledhjes “Kronika të turqve” (Chronicorvm Tvrcicorvm) (1578) nga Philippo Leonicero.

Bën përshtypje se si në qytetin që po digjet dhe ndërsa banorët po masakrohen, në njërën nga kullat e tij dallohet ende tek valëvitet flamuri me shënjesën heraldike të Kastriotëve, shqiponjën e zezë me dy krerë, sado që e skicuar “kalimthi”. E zmadhuar shënjesa nuk lë vend për dyshim.

“Marrja e Krujës nga Mehmeti II” është njëra prej gravurave të punuara nga Jost Amman (1539-1591) që shoqërojnë veprën e Marin Barletit në vëllimin III të përmbledhjes “Kronika të turqve” (Chronicorvm Tvrcicorvm) (1578) nga Philippo Leonicero.
Bën përshtypje se si në qytetin që po digjet dhe ndërsa banorët po masakrohen, në njërën nga kullat e tij dallohet ende tek valëvitet flamuri me shënjesën heraldike të Kastriotëve, shqiponjën e zezë me dy krerë, sado që e skicuar “kalimthi”. E zmadhuar shënjesa nuk lë vend për dyshim.

(Me rreth flamuri shqiptar i vitit 1478)

Mbas vdekjes së Skënderbeut, në përfundim të një qëndrese prej më se një viti të garnizonit të Krujës, nën komandën e një venedikasi (një Jacopo da Mosto, simbas Romaninit ose një Piero Vettori, simbas Kronikës së Benedetto Deit), ndaj një rrethimi të egër, Kruja dorëzohej më 15 qershor 1478 e shtrënguar urie. Gjatë dorëzimit të qytetit, me gjithë premtimin e pushtuesit për t’i lënë banorët të delnin të lirë së toku me pasuritë e tyre, me urdhër të sulltanit u veprua ndryshe: meshkujt u therën, kurse femrat dhe fëmijët u morën skllevër për t’u përdorur nëpër haremet.

Bënë përjashtim vetëm disapak pasunarë, të cilët e blenë jetën e tyre duke paguar (Romanin, Storia documentata, IV, 379, ASV). Tursun-beu, kronikan i Mehmetit II, ka “argumentuar” kështu këtë “ndëshkim” të mbrojtësve të kryekështjellës së Arbërisë, Akça-Hisarit, nga ana e sulltanit: “Ati i Pushtimeve e kishte marrë dhe nënshtruar mbarë territorin e asaj fortese, si dhe kishte prerë rrugët nëpërmes të cilave i mbërrin asaj nga toka e nga deti nozullimet dhe ndihmat.

Deri aty u detyruan të pafetë e mallkuar sa të hanin padallim qen, mace dhe krimba. Ngase rruga e përshkuar në rastin e ekspeditës kundër fortesës së Shkodrës kalonte pranë, të tmerruar nga mundësia e një sulmi prej ushtrisë osmane, të pafetë pranuan të dorëzoheshin. Por kur ishte e qartë se ata qenë dorëzuar ngaqë nuk kishin ç’të hanin, sulltan Mehmeti u shpreh i mendimit se mëshira nuk do të hynte aspak në punë. Ndaj dhe, si shpërblim për kokëfortësinë e tyre, mbështetur në fjalën që thotë se “fara është shkak për shtim”, të pafetë besëpakë vajtën t’i bënin shoqëri shpatës ndëshkimore dhe, për mrekulli të një aso shoqërie, skeletet e trupave të tyre u dyfishuan në numër” (Turgun-Beg, Târih-i ebül’feth, 169).

Për venedikasin Navagero komandanti i qytetit së toku me familjen u çuan skllevër në Kostandinopojë (Navagero, Storia, 1153).

Ndërsa, simbas gjenovezit Benedetto Dei: “U mor kështjella [e Krujës] më 5 të shtatorit dhe brenda ishte komandant dhe guvernator Piero Vettori, të cilit me urdhër të Turkut të Madh ia prenë të dyja duart…” (La Cronica dall anno 1400 all’ anno 1500, 87 verso). Në “Shpalljen për pushtimin e Krujës”, lëshuar nga Mehmeti II fill mbas pushtimit të qytetit, ai nuk harronte të njoftonte: “Paskëtaj do të fillojë shkatërrimi i kishave, ndërtimi i medreseve, ndalimi i kambanave dhe prishja e ligjeve.

Brenda në zemrat e të pafeve, ku kishte bërë vend pabesia dhe mëkati, paskëtaj do të çelë burbuqja e besimit në një zot të vetëm…” (“Fetih-name-i Akçehisar”, nga “Burime osmane”, 382). Në qytetin e zbrazur u vendosën kolonë turq, ndërsa vetë qytetit iu ndërrua emri; deri në shek. XIX të krishterët do ta kishin të ndaluar, me ndëshkim vdekjeje, hyrjen natën në qytezë (Jireček, Albanien, 83).

22 vjet më parë, Steve Jobs tha se 1 gjë i ndan ata që arrijnë, nga ata që ëndërrojnë (VIDEO)

“Unë kurrë nuk kam gjetur askënd që nuk donte të më ndihmonte”, thoshte Steve Jobs 22 vjet më parë, në videon që e gjeni edhe në fund të këtij artikulli. “Nëse u kërkoja ndihmë … i telefonova Bill Hewlettit kur isha dymbëdhjetë vjeç: Përshëndetje, unë Unë jam Steve Jobs, jam dymbëdhjetë vjeç, jam nxënës në shkollë të mesme, dua të ndërtoj një numërues frekuencash, dhe unë doja të dija nëse keni ndonjë pjesë rezervë që mund të ma jepni”. Ai qeshi, dhe më dha pjesë këmbimi, dhe më ofroi një punë atë verë në Hewlett-Packard … dhe unë fluturoja”.

“Unë kurrë nuk kam parë a dëgjuar, asnjë person, që më ka thënë jo apo më ka mbyllur telefonin, kur e kam marrë. Thjesht kërkoja. Dhe kur njerëzit më kërkojnë, përpiqem t’u përgjigjem, që të shlyej atë borxh mirënjohjeje. Shumica e njerëzve kurrë nuk e ngrenë telefonin dhe të telefonojnë dhe të kërkojnë. Shumica e njerëzve kurrë nuk KERKOJNE, dhe kjo është ajo që ndan ndonjëherë njerëzit që bëjnë gjëra nga njerëzit që vetëm ëndërrojnë për to”./bota.al
https://www.youtube.com/watch?v=dxNQebY-Qdw

A ishin më të shkolluar kryeministrat shqiptarë më parë sesa ata që po garojnë sot?

Kryeministrat e parë shqiptarë ishin zë i fuqishëm për të drejtat e shqiptarëve, bartës të proceseve të mëdha, ndërtues të marrëdhënieve ndërkombëtare të shqiptarëve me shtetet tjera perëndimore, të ndjekur nga komunizmi, themeluan alfabetin dhe shkollat shqipe…
Ata njihnin disa gjuhë të huaja, kurse kishin mbaruar studimet në qendrat më të njohura universitare të asaj kohe si: në Itali, në Austri, në Zvicër, në Stamboll, në Romë…
Kryeministri i parë shqiptar Ismail Qemali u diplomua në gjimnazin Zosimea në Janinë. U arsimua në Paris për Shkenca Juridike dhe Ekonomike. Me këtë edukim ai ishte një nga më të arsimuarit në administratën turke të asaj kohe, transmeton “Zeri.info”.

Njihej si një poliglot, një armë që atij i shërbente në të gjithë aktivitetin e tij politik për çështjen shqiptare. Ai njihte shkëlqyer gjuhën shqipe, osmanishten, turqishten e re, greqishten e vjetër, latinishten, italishten dhe frëngjishten.
Ai u vlerësua nga qeveria turke si një diplomat, deputet, udhëheqës shteti, mendimtar, ndërsa mbajti disa pozita të rëndësishme e larta në qeverinë turke.

Asnjë kryeministër shqiptar nuk njihte më pak se katër gjuhë të huaja

Kryeministri i 2-të shqiptar Turhan Pashë Përmeti rridhte nga familjet e mëdha të qytezës së Përmetit në vilajetin e Janinës.
Ka mbaruar Fakultetin e Drejtësisë në Athinë, ka marrë mësim nga disa pedagogë privatë njohuri mbi të drejtën ndërkombëtare, të drejtën romake, mbi historinë e hartimit dhe të nënshkrimit të të gjitha marrëveshjeve duke filluar nga Paqja e Vestfalisë (1648) e deri në vitin 1815 Kongresi i Vjenës dhe njohuri mbi ekonominë ndërkombëtare, përcjell “Zeri.info”.
Njihte turqisht, frëngjisht, greqisht , italisht…
Ndër postet që ai ka pasur në perandorinë Otomane ishte Guvernator i Kretës në vitet 1895 dhe 1896 dhe ambasador në Shën Petërsburg.
Delvina, kryeministri që vendosi marrëdhënie diplomatike me shtetet e huaja

Një kryeministër tjetër ishte Sylejman Delvina ishte politikan i shquar shqiptar, kryeministër për periudhën 30 janar 1920-14 nëntor 1920 dhe pjesëtar i qeverisë së Fan Nolit…Studimet i ka kryer në Stamboll në vitin 1898, Universitetin “Mylkie”.
U emërua atashe në MPB-në Osmane dhe më pas sekretar në zyrën e dekreteve të Kryeministrisë, si dhe profesor në liceun e Gallatasarait e në gjimnazin e Vefa-s.
U bë shef seksioni në MPB dhe drejtor i përgjithshëm i vilajeteve. Ishte një ndër figurat qendrore të klubit shqiptar të Stambollit. Ishte zë i mbrojtjes dhe zhvillimit të të drejtave të shqiptarëve. Ishte një nga nënshkruesit e thirrjes së 18 nëntorit dorëzuar përfaqësive të Fuqive të Mëdha në Stamboll ku kërkohej të njiheshin të drejtat kombëtare të popullit tonë, transmeton “Zeri.info”.
Në prill 1919 kolonia shqiptare në Turqi, e dërgoi atë në Konferencën e Paqes në Paris, për të mbrojtur në emër të saj interesat e Shqipërisë…
Qeveria Delvina njihet se drejtonte në atë kohë pjesën më të madhe të vendit dhe u përpoq që të kishte jehonë edhe në fushën ndërkombëtare, duke vendosur marrëdhënie diplomatike me shtetet e huaja, me kusht që të respektohej tërësia territoriale e Shqipërisë.
Kryeministri që Franca e dekoroi dhe komunizmi ia humbi varrin

Një tjetër kryeministër është dhe Iliaz Vrioni, tre herë kryeministër nga 1921 deri më 1925, ishte i biri i Mehmet Ali Pashë Vrionit, nën-kryetarit të Lidhjes së Prizrenit, ndërsa vet ishte nënshkrues i Deklaratës së Pavarësisë së Shtetit Shqiptar së. Shërbeu tre herë si kryeministër i Shqipërisë dhe disa herë si Ministër i Jashtëm dhe si Ministër i Plotfuqishëm i Shtetit Shqiptar në Paris, Francë. Shërbeu gjithashtu për një kohë shumë të gjatë si Deputet i Parlamentit të Shqipërisë.
Vrioni, për kontributin e tij të pasur në marrëdhënie ndërkombëtare, është dekoruar nga Republika Franceze në vitet 1920 me urdhrin e lartë Grand Officier de la Légion d’Honneur, përcjell “Zeri.info”.
Në vitin 1946, regjimi dikatorial ia zhvarros eshtrat e ish kryeministrit Iliaz Vrioni, siç thuhet për t’i hedhur ato në lumin Osum të Beratit. Eshtrat e e tij vazhdojnë të mbeten të humbura duke e lënë ende pa marrë ish kryeministrin shqiptar.
Evangjeli, kryeministri që përpiqej të hapte katedrën e shqipes në qendrat evropiane

Një nga 33 kryeministrat shqiptar Pandeli Evangjeli që ishte katër herë kryeministër luajti një rol të jashtëzakonshëm në forcimin e ndërgjegjes kombëtare dhe në konsolidimin e shtetit të pavarur shqiptar.
Si anëtar i shoqërisë “Dituria” në Bukuresht do të jap kontributin e tij në botimin dhe përhapjen e librit shqip në gjithë trevat ku jetonin shqiptarë, me qëllim që ata të mësonin të lexonin dhe të shkruanin gjuhën e tyre.
Nën drejtimin e Pandeli Evangjelit, shoqëria “Dituria” botoi abetaret e para shqipe, gjithë librat e Naimit e të Sami Frashërit, si dhe shumë të tjera. Librat shpërndaheshin falas në të gjitha trevat shqiptare, transmeton “Zeri.info”.
Pandeli Evangjeli, ishte autodidakt, i kulturuar, që njihte shumë mirë greqishten, rumanishten, frëngjishten. Ai kishte kontakte dhe letërkëmbime me shumë personalitete të huaja, si dhe akademik që lobuan për çështjen shqiptare si akademikun e shquar rumun Vasil Urechea, filologun e shquar francez, doktor Louis Benloew, dekan në Universitetin e Dijonit, ndërsa në bashkëpunim me E.
Legdrand (studiues i njohur francez), që në atë kohë Pandeliu u përpoq të hapte një katedër të gjuhës shqipe në Paris. Këto përpjekje patën rëndësinë e tyre sepse në vitet 1896-1898 bënë të njohur problemin shqiptar në qarqet shkencore evropiane.
Hasan Prishtina, shqiptari i pasur që shkriu pasurinë për kombin

Një nga kryeministrat që shumë pak i zgjati mandati por dha kontribut të madh në pavarësinë dhe ndërtimin e shtetit shqiptar është edhe Hasan Prishtina përndryshe llogaritet kryeministri i 8-të shqiptar. Prishtina ka mbaruar gjimnazin grek të Selanikut ku mësoi edhe gjuhën frënge, në Stamboll u diplomua në Fakultetin e Drejtësisë, përkatësisht në Fakultetin e Shkencave Politike – Juridike.
Ishte ithtar i ideve të Revolucionit Francez (1789-1794). Ai njihte shumë gjuhë: anglishten, arabishten, çerkezishten, frëngjishten, greqishten, gjermanishten, italishten, serbishten e turqishten. Brenda një kohe të shkurtër zuri pozita të rëndësishme në administratën turke dhe arriti të bëhet edhe kryekonsull në shtetin e Turqisë.
Në vitet 1908-1912 u zgjodh tri herë deputet në Parlamentin osman si përfaqësues i Vilajetit të Kosovës në Prishtinë, të cilin e përdori si tribunë për mbrojtjen e të drejtave kombëtare të shqiptarëve, transmeton “Zeri.info”.
Në parlament luftoi për të drejtat e shqiptarëve, për njohjen zyrtare të kufijve të Shqipërisë, për hapjen e shkollave shqipe, për administratën shqiptare në Vilajetet shqiptare, që ushtria shqiptare të shërbejë në Shqipëri me oficerë vendas, etj.
100 vjet më parë diplomati dhe ideologu shqiptar Hasan Prishtina, shqiptari i pasur që shkriu pasurinë e tij, si dhe mblodhi të holla për të çuar në Shkollën Normale të Elbasanit djemtë shqiptarë nga Kosova.
Kryeministri i 10-të shqiptar Xhafer Ypi ishte ishte një politikan shqiptar, i edukuar në një universitet në Stamboll. Në 1920-1921 ai ishte ministër i Punëve të Brendshme dhe Ministrit të Drejtësisë. Ai gjithashtu ka mbajtur postin e Ministrit të Rendit Publik. Si udhëheqës i Partisë Popullore, në fund të dhjetorit 1921 ai formoi një qeveri ku Fan S. Noli ishte Ministri i Punëve të Jashtme dhe Ahmed Zogu ishte Ministri i Punëve të Brendshme….
Kryeministri i 14-të Mehdi Frashëri u diplomua në Stamboll për Shkenca Politike-Administrative

Spanja habiti botën me marshin e grave, ky marsh do të mbetet në histori (VIDEO)

Krejt qytetet e Spanjës më 8 mars ishin të mbushura me gra, të cilat po kërkonin të drejtat e tyre, kërkesa këto që u thirrën nëpërmjet marsheve të shumta në shumë qytete të Spanjës, shkruan KultPlus.

Mirëpo, marshi i sivjetmë po del të jetë më masivi që ka mund të ndodhë ndonjëherë në Spanjë, për ta vlerësuar kështu edhe si marsh historik.

Një video që po qrakullon nga ky marsh, ku janë përfshirë protesta nga shumë vende të Spanjës të lënë pa fjalë. Për më shumë mund ta shikoni këtë marsh, që është mjaftë emocionues./KultPlus.com


Gazmend Kapllani, Thanas Medi dhe Manjola Nasin në Panairin e Librit në Lajpcig

Letërsia shqipe prezantohet në Panairin e Lajpcigut nga 15 deri më 18 mars. Stenda e Shqipërisë atje është ideuar si një vënd promovimi dhe bashkëbisedimi mbi krijimtarinë shqiptare bashkëhore të fokusuar në trajtimin e temës së kujtesës, përshtatjen me ndryshimet rrënjësore historike, emigrimin, bashkëjetesën dhe integrimin.

Midis 15 dhe 18 marsit letërsia shqipe prezantohet në Panairin e Lajpcigut, nën kujdesin e Ministrisë së Kulturës.
Ajo që ministria e quan prurja më e mirë e letrave shqipe në vitet e fundit, përfaqësohet nga shkrimtarët bashkëkohorë të vlerësuar me çmime kombëtare dhe ndërkombëtare në tre vitet e fundit, si: Bashkim Shehu, fitues i Çmimit Balkanika 2015, Rudi Erebara, fitues i Çmimit Europian për Letërsinë, Idlir Azizaj Autori i Vitit” 2017, Agron Tufa “Autori i Vitit i Pananirit të Librit”, Parid Teferici, Virion Graçi, Luljeta Lleshanaku, Romeo Çollaku e të tjerë.
Stenda e Shqipërisë është ideuar si një vend promovimi dhe bashkëbisedimi mbi krijimtarinë shqiptare bashkëhore të fokusuar në trajtimin e temës së kujtesës, e përshtatjes me ndryshimet rrënjësore historike, emigrimit, bashkëjetesës.

Të ftuar në stendën shqiptare do të jenë autorët Gazmend Kapllani, një shkrimtar shqiptar që jeton prej njëzet vitesh në Greqi e që përmes krijimtarisë së tij zbulon se si totalitarizmi, emigracioni, kufijtë dhe historia ballkanike kanë formuar jetën private dhe narracionin e tij personal.
Thanas Medi, i cili në një pjesë të mirë të krijimtarisë trajton jetën e një pakice kombëtare në Shqipëri, si vllehët, si dhe historinë e një brezi që përjetoi ndryshimet e mëdha të viteve nëntëdhjetë.

Dhe brezi i më të rinjve prezantohet me Manjola Nasin, përkthyese dhe poete që sjell një lirikë urbane dhe imazhiste. Kjo është një mundësi e shumë që autorët shqiptarë të prezantohen aty me lexime, intervista të hapura për publikun, të krijonë kontakte me botues që i hapin rrugën përkthimeve në gjuhë të tjera.

Ministria e Kulturës ka menduar që në stendën shqiptare t’i bëhet homazh shkrimtarit Kasëm Trebeshina, duke e prezantuar atë pas vdekjes dhe për herë të parë në deklaratat publike të ministrisë, si simbol i disidencës. Profili i Trebeshinës shoqërohet nga një prezantimin i shkurtër i romanit “Odin Mondvalsen” që është përkthyer tashmë në gjunë gjermane.

Panairi i Lajpcigut që është ngjarja e dytë e madhe në botën gjermanofone pas Panairit të Frankfurtit, ka si karakteristikë leximin. Autori dhe lexuesi janë më afër se në çdo manifestim të tjetër lloji mbi librin./ora news

Hitet e Dua Lipës remiksohen në dy super-versione

Dyshja nga Los Angeles, Two Friends, kanë lansuar remiksin e tyre të fundit dhe kësaj radhe kanë zgjedhur pop-yllin Dua Lipa dhe hitin e saj “IDGAF”.

Miqtë nga shkolla e mesme u bënë të famshëm me remikset e tyre shumë të vlerësuara të këngëve si “Mr. Brightside” dhe “Kids”, raporto Koha.net.
E tani që janë kthyer për të bërë atë që dinë më së miri, “Two Friends” kanë përpunuar hitin e fundit të Dua Lipës.

Ndërsa një tjetër remiks i është bërë këngëtares nga Prishtina, por, siç raporton Koha.net, kësaj radhe është përzgjedhur kënga “New Rules”.

Vokal-bendi i njohur botërisht, Pentatonix, kanë lansuar “coverin” me video të super-hitit të Dua Lipës, “New Rules”, duke e përzierë atë me hitin e Aaliyah të vitit 1998 “Are You That Somebody?”.
Ky grup, kohë më parë lansuan edhe versionin ‘cappella’ të Camila Cabellos, “Havana”.

Një nga letrat më të bukura të dashurisë që Remarku i shkroi të dashurës

Unë jam një pasqyrë konkave që kap plot ethe dritën tënde, e mbledh atë plotësisht në gjoks dhe, duke e djegur fort, e dërgoj krejt refleksin në drejtimin tënd. (Me këtë fjali postojeni ne facebook sipër linkut, nëse mundeni.)

Mendoni se letra e vetme e bukur e dashurisë është ajo e Tatjanës drejtuar Onjeginit? Duhet të lexoni edhe letrën e shkrimtarit Erich Maria Remarque drejtuar të dashurës së tij, Marlene Dietrich, dhe me siguri do ta rimendoni edhe një herë se cila është më e bukura. Ndjenjat e pastra dhe fjalët e bukura të Remark të emocionojnë, të depërtojnë në shpirt dhe të rrënqethin. Për më tepër, ju ftojmë ta lexoni letrën e tij :

“Shpirti im, qielli im i dashur, ti më ke shkruar kaq e kaq letra të bukura e, unë përsëris atë që të kam thënë gjithmonë : shkrimtarët nuk duhet të shkruajnë letra dashurie. Sepse ka të tjerë që shkruajnë shumë më bukur se ata.

Ti më quan “Rezonancë që merr frymë” – e si do të mund të arrija unë vallë, të gjeja një figurë të tillë kaq prekëse? Ti arrin dhe kë atë aftësinë magjike që t’i thuash dikujt se sa shumë e si e dashuron atë – kurse unë, unë e di, mund ta arrij atë në mënyrë të plotë. Sa mirë ndjehem kur ti më thua se, edhe pse je vetëm, ndjehesh e qetë dhe e lumtur. Unë këtë kam uruar vazhdimisht për ty. Nuk kam uruar kurrë që ti të ndjehesh e mërzitur dhe fatkeqe. Kam dashur gjithmonë që ti të jesh e lumtur në formë vezulluese, plot dritë dhe e bukur si kurrë herë tjetër dhe dua që kjo gjendje e jotja të jetë e dukshme edhe së largu, në kilometra, dhe që tit a dish me siguri absolute që dikush tjetër nuk jeton në këtë botë, veçse për ty.


Sot gjeta dhe lexova edhe një herë poemën tonë të Gëtes. E lexova dhe e rilexova vërtet me një emocion të thellë : A s’është e vërtetë që fati po na bashkon? A nuk po na lidh ai përjetë? Nuk e di, ti je motra apo nusja ime? Ti njeh me imtësi çdo pjesë të qenies sime. Ti ndjen tek unë dhe nerving më të hollë. Ti lexon çdo gjë në shikimin tim. Me gjakun tënd hyn në brendësinë time. Hyn në gjakun tim të ngrohtë që rrjedh në deje dhe ecën si i çmendur në drejtimin tënd e që, me krahët e tua prej engjëlli, gjoksin tim shëron. Po, e dashura ime, a nuk është pikërisht kështu? Nganjëherë më ndodh të eci i vetmuar nën shi e të mendoj e ndiej që lidhja jonë është gjithmonë e fortë, e askush nuk mund ta prishë atë. Në ato çaste ndiej të vij dikush drejt meje me hapa të lehtë dhe ajo je ti. Atëherë unë jetoj një ndjenjë të veçantë lumturie që asnjë qenie tjetër njerëzore nuk e ka jetuar. E, atëherë, ndiej që së bashku me ty, të kthehen tek unë vitet e rinisë që lufta e dhunshme m’i mori dhe, ato vite je ti që vjen e m’i shumëzon me dy. E kështu ti bëhesh në të njëjtën kohë aventura dhe gruaja ime.
Ti je bërë për mua e unë jam bërë për ty. Nuk mund të jetë ndryshe. Nuk je vetëm ti ajo rezonanca që unë ndiej e thith si ajër, por i tillë jam edhe unë. E di? Unë jam një pasqyrë konkave që kap plot ethe dritën tënde, e mbledh atë plotësisht në gjoks dhe, duke e djegur fort, e dërgoj krejt refleksin në drejtimin tënd. Herë të tjera më duket vetja si një merimangë që end një pëlhurë vezulluese, të trëndafiltë e plot reflekse, – një pëlhurë mendimesh, ndjenjash, pune, fjalësh ngrohtësie, e cila do të të kapë e pastaj të bëhet banesa jote, – e mbushur plot gjëra, të cilat ty të mungojnë.

O drita ime e dashur! E di? Nganjëherë unë nuk mund të ulem për të shkruar librin që kam nisur, të cilin e urrej, sepse ai më largon prej teje. Në atë moment tërhiqem nga studioja, nxjerr fotografitë e tua dhe i vendos në radhë para meje edhe pse e di që kjo gjë nuk më qetëson, përkundrazi, e bën më të rëndë gjendjen. Por megjithatë, edhe pse këtë e di, nuk ndërroj mendje e, duke i vështruar ato, nis e flas me ty. Pastaj ndiej që gjendja ime shpirtërore bëhet edhe më e rëndë, sepse është një gjest i vështirë ky, i padurueshëm, por edhe i mrekullueshëm. Më pas, unë tërhiqem përsëri aty tek vendi im, ulem aty tek vendi im në tavolinën e shkrimit për të vazhduar librin. Ja, tani ndalova përsëri, sepse ndiej që dora s’po më bindet. Më duaj! Më thuaj që ti më do. Kjo fjalë më bën mirë, më shëron. Kur ti më thua që më do, unë gjej forcë e shkruaj edhe më bukur e më shpejt. Sepse unë nuk jetoj veçse për dashurinë tënde.
Më duaj, puma (e quante ai me përkëdheli Marlene Dietrich)

21 vjet nga krijimi i kësaj kënge të Aurela Gaçes, publiku në këmbë duke e kënduar bashkë me të (VIDEO)

Aurela Gaçe shumë shpesh është duke u prezantuar me koncerte të ndryshme në vende të shumta të botës, dhe para një jave, një të tillë e mbajti në New York, shkruan KultPlus.

Ajo në këtë koncert duket të ketë marë një emocion të veçantë, pasi që, i gjithë publiku këndonte bashkë me të, këngën që është krijuar para 21 viteve.

“Kane kaluar 21 vjet qe kur u krijua kjo kenge e Sa here kjo gje ndodh live, per mua eshte si te jete hera e pare. Duket sikur tanime jam mesuar me ju e me dashurine qe me jepni? Diçka ta keni te qarte, nuk marr asgje e asnje per te mireqëne. Mirenjohese per kete zerin tuaj qe kendon me mua… dikur degjoja live te artisteve te huaj dhe publikun qe kendonte e thosha me vete, valle do te ndodhe kjo edhe me mua? E tani po jetoj endrren.”, ka shkruar Gace.

Fati ynë, shpresë e marrëzi

Ne të dy kurrë s’jemi ndarë
ne të dy kurrë s’kemi heshtur
ëndrra ime, një shpend i marrë
krahët hapë në re, qiellin gjenë atje
tek ti

Kur je larg të pres me mall
kur je pranë grindem me ty
jeta lojë, çfarë është vallë
duhemi të dy grindemi të dy
s’e di

Ref

Ti je si engjëll që më mbron gjithmonë
unë jam si zjarri që të djeg, ngado
ti je si djalli, që në faj më fton
ndryshe nuk bëjmë dot, jo jo (jo jo)
E kemi fatin shpresë e marrëzi
na jep një engjëll të na mbroj, o zot (o zot)
se ne në jetën tonë jemi fëmijë
ndryshe nuk bëjme dot jo jo (jo jo)

Kur je larg të pres me mall
kur je pranë grindem me ty
jeta lojë cfarë është vallë
duhemi të dy grindemi të dy
s’e di

Kosova

Poezi nga Bilal Xhaferi

Me ndarje dhe nënndarje gjeografike
Me ndarje dhe nënndarje historike
Kosova
Që nga ujrat e kulluara të Ohrit
Deri në errësirën e minierave të Mitrovicës
Që nga brigjet e kaltra të Ulqinit
Deri në Qelekullën e në fushën e Nishit
Kosova
Fushë e begatshme me fruta e grunore
Që bie erë pranverës e tëra lule molle
Kosova me male kreshnike
Male të zhveshur me pisha e bredhishte
Që e rrahin qiellin me krahë shqipesh
Që e dehin diellin me aromë rreshire
Që e ndezin qiellin me zbardhëllimë dëbore
Kosova
Krahinë shqiptare që në fillim të saj
Tokë e Manastirit
E Prizerenit
E Plavës dhe e Gucisë
Tokë e legjendave legjendare të Gjergj Elez Alisë
Kosova
Legjendë e mbetur në rrugëkryq të historisë
Kosova
Gjithnjë ashtu si gjithnjë
Me dhëmb të shtrënguar e me shpirt ndër dhëmbë
Kosova
Ku shqiptarët flasin një gjuhë dhe dëgjojnë dy gjuhë
Kosova gjithnjë ashtu./KultPlus.com

Mjaftë me kukulla seksi, kompania “Barbie” sjellë 17 gra të fuqishme nëpërmjet kukullave (FOTO/VIDEO)

Kompania e kukullave e njohur si Barbi, ka plotë 58 vite që sjellë kukulla të ndryshme, mirëpo këtë vit kompania ka ndryshuar rrugën e saj të bukurisë. Duke sjellë kësaj radhë një koleksion të 17-të kukullave të cilat janë inspiruar nga gratë e fuqishme si: Frida Kahlo apo Chloe Kim, përcjellë KultPlus.



Pas një hulumtimi të bërë nga kjo kompani ku janë përfshirë 8 mijë nëna, kompania ka ardhur në përfundim se 86% e tyre janë të shqetësuar mbi rolin që kanë modelet e kukullave barbie. kështu që kompania ka krijuar 17-të kukulla inspiruese, shkruan CNN.



“Vajzat gjithmonë kanë qenë në gjendje që të luajnë role të ndryshme me kukullat e tyre Barbie. Kurse tani ne jemi të emocionuar që po sjellim role nga jeta reale si një kujtesë për to se mund të bëhen gjithçka që dëshirojnë”, është shprehur Lisa McKnight.




Lansimi i këtij koleksioni të kukullave është bërë për Ditën Ndërkombëtare të Gruas. Çdo kukull vjen së bashku me informacionet edukuese mbi punën e këtyre grave, figurat e të cilave janë marrë nga kompania.
Amelia Earhart, femra e parë që fluturoi përgjatë Oqeanit Atlantik dhe Frida Kahlo, aktivista e mirënjohur meksikane janë në mesin e tyre. Po ashtu është gazetarja Martyna Wojciechowska, Kryekuzhinierja Helene Darroze, aktisvistja dhe fotomodelja Ashley Graham, regjisorja Patty Jenkins. Katherine Johnson e njohur për matematikë dhe fizikë, balerina Yuan Yuan Tan, futbollistja Sara Gama, dizajnerja Leyla Piedayesh. Pastaj Ibtihaj Muhammad , Bindi Irwin, Xiaotong Guan, Chloe Kim, Gabby Douglas, Ava Duvernay, Hui Ruoqi dhe kampionia e boksit Nicola Adams.



Megjithëse kjo seria e këtij koleksioni ka vetë tri kukulla deri më tani, dalja në treg e të tjerave pritet që të ndodhë së shpejti. /KultPlus.com





Xhamia e ndërtuar në themelet e një kishe, pagëzuar me emrin e një katoliku dhe mbiemrin e një ortodoksi (VIDEO)

Xhamisë së Gjin Aleksi në Delvinë, restaurimi po i kthen shkëlqimin e harruar dekada me radhë, shkruan KultPlus.

Tre besime brenda një emri. Xhamia e Gjin Aleksit ndodhet në fshatin Rusan të Delvinës dhe mendohet se i përket viteve 1600 dhe thuhet se kjo xhami është ngritur mbi rrënojat e një manastiri me stil bizantin.

Xhamia është një objekt që mban brenda saj të ndërthur disa gërshetime kulturash që fillojnë që nga ajo vendase dhe vazhdon në atë postbizantine e deri tek periudha otomane. Kjo xhami ka qenë e famshme për akustiken e saj të veçantë./KultPlus.com

Zonja e Parë e Francës në Shtëpinë e Bonjakëve të Nënës Terezë në New Delhi

Zonja e Parë e Francës Brigitte Macron ka vizituar Shtëpinë e Bonjakëve të Nënës Terezë në New Delhi të Indisë, shkruan KultPlus.

Në këtë qendër qëndrojnë fëmijët me probleme mendore, kurse Zonja e Parë e Francës ka vizituar këtë qendër nga afër.

Ajo po qëndron në Indi me bashkëshortin e saj, të cilët po realizojnë një vizitë tre ditore./KultPlus.com