“Unë nuk besoj në Zot, por i frikësohem Atij”

8 thënie nga Gabriel Garcia Marquez
1. Unë nuk besoj në Zot, por i frikësohem Atij.
2. Seksi është ngushëllimi kur ju nuk mund të keni dashurinë.
3. Asnjë ilaç nuk mund të shërojë atë që s’mund ta shërojë lumturia.
4. Një burrë e kupton kur plaket, sepse atëherë ai nis t’i ngjajë babait të tij.
5. Liria është shpesh viktima e parë e luftës.
6. Të gjitha qeniet njerëzore kanë tri jetë: publike, private dhe sekrete.
7. Nuk do t’i këmbeja kënaqësitë e vuajtjes sime për asgjë në botë.
8. Nuk është e vërtetë që njerëzit ndalojnë së ndjekuri ëndrrat kur plaken, ata plaken kur ndalojnë së ndjekuri ëndrrat.

Marrë nga Bukinist

Nobelisti Mario Vargas Llosa, në mbrojtje të intervenimit humanitar të NATO-s në Kosovë në vitin 1999

Shkrimtari nobelist Mario Vargas Llosa në mbrotje të intervenimit humanitar të NATO-s në Kosovë shkruan: “Disa burra të matur që na paskan fort nderim për të drejtën ndërkombëtare, për të cilën ndërhyrja aleate në Jugosllavi na qenkërka një monstruozitet juridik sepse, sipas tyre, meqë Kosova qenka pjesë integrale e atij vendi dhe problemet e kosovarëve çështje e politikës së brendshme, bashkësia ndërkobëtare duke na sulmuar një komb sovran, ka vënë në pikëpyetje gjithë rendin juridik ndërkombëtar. Sipas këtij kriteri i bie që në emër të një sovraniteti abstrakt, Millosheviçit i duhet lënë dorë e lirë që me zjarr e hekur dhe shpërngulje të dhunshme ta pastrojë Kosovën prej dy milion kosoarëve meqë i prishin planet: gjë që, meqë ra fjala, kish nisur ta bënte para se të fillonin sulmet e NATO-s, me të njëjtin zell e bindje që Hitleri spastroi Europën nga Hebrenjtë.”

Një Luftë e Vonuar – *Shkrim i publikuar në vitin 1999

NATO-ja nuk lipset qortuar për ndërhyrjen në Jugosllavi, por për faktin që këtë ndërhyrje duhej ta kish kryer këtu e dhjetë vjet të shkuara, si dhe për gabimin e bërë duke shpallur se përjashtonte çdo ndërhyrje tokësore.
Të gjita këto i ndezën dritën e gjelbër diktaturës së Beogradit për të vënë në jetë planin për spastrimin etnik në Kosovë, një prej krimeve më të lemerishme kundër njerëzimit që janë kryer përgjatë këtij shekulli, i krahasueshëm për nga natyra, edhe pse jo nga numri, me Holokaustin e hebrenjve të realizuar nga Hitleri, ose me deportimin e popujve prej Stalinit, i cili ishte i vendosur në synimin e vet për të rusifikuar Bashkimin Sovjetik. Siç ka shkruar Alain Finkielkrahut, lufta në Kosovë ka nisur më 1989.

Ka nisur bash atëherë kur Sllobodan Millosheviçi, pasi u lëshua turravrap në fushatën frenetike të ekzaltimit nacionalist serb, gjë që i hapi rrugën e i dha mundësinë të shtjerë në dorë pushtet absolut (gjë që në të njëjtën kohë do të përshpejtonte shpërbërjen e Federatës Jugosllave) i hoqi statusin e autonomisë Kosovës, mbylli shkollat në gjuhën shqipe, i privoi shqiptarët nga çfarëdolloj e drejte e përfaqësimit publik dhe, ndonëse ata përbënin nëntëdhjetë përqind të popullsisë, i shndërroi në qytetarë të dorës së dytë, kundrejt mbetjes prej dhjetë përqind (pakicës serbe).
Në qoftë se vendet perëndimore do të kishin mbështetur që asokohe në Jugosllavi demokratët, të cilët vazhdonin t’i Bënin ballë makinës shtypëse të aparatçikut- i cili me synimin si e si të ruante e të konsolidonte pushtetin e kish këmbyer petkun e ideologjisë marksiste me atë të nacionalizmit dhe provokonte pa reshtur sllovenët, kroatët, boshnjakët e kosovarët me kërcënimin e një hegjemonie serbe mbi Federatën si dhe duke krijuar një klimë përçarjesh e ksenofobie për të frenuar me çdo kusht demokratizimin e Jugosllavisë, gjë që, pa një pa dy, do t’i jepte fund karrierës së tij politike- Europa do t’i kishte kyrsuer atijj vendi dyqind mijë të vrarët e Bosnjës dhe një oqean brengash e vuajtjesh që ka përbytur Ballkanin, doemos edhe vetë serbët.
Problemi nuk është thjesht Kosova, ashtu si edhe më parë nuk kishin qenë kulturat tjera që përbënin Federatën Jugosllave (Sllovenia, Bosnja e Kroacia) tashmë republika të pavarura. Problemi ka qenë dhe është, edhe sot e gjithë ditën, diktatura e Millosheviçit, burimi parësor i konflikteve etnike dhe i shpërthimit histerik të ndjenjave nacionaliste, njeriu që i ka vënë zjarrin mbarë Ballkanit. Në qoftë se në Beograd do të kishim një qeveri demokratike, ndarja do të kishte qenë aq paqësore sa edhe divorci midis Sllovakisë dhe Republikës Çeke, divorc që nuk pati qoftë edhe një të shtënë të vetme. Por ajo që ka më fort gjasë është se me një regjim demokratik Federata Jugosllave nuk do të shpërthente dhe ngrehina e saj do të Kish mbijetuar e mbështetur në një sistem të brendshëm fleksibël, të bashkëjetesës ndërmjet kulturave, religjioneve e traditave të ndryshme, sipas modelit zvicerran apo atij belg. Që do të kishte qenë zgjidhja e atyre udhëheqësve europianë, të cilët në mënyrë krejt të papërgjegjshme, si e si për të zotëruar zona të influencës politike e ekonomike, inkurajuan shpërbërjen e Jugosllavisë dhe arritën deri në aë pikë sa të mbështesnin ekonomikisht dhe të armatosnin lëvizjet nacionaliste lokale. Ishte pikërisht kjo miopi që i dha dorë regjimit të Millosheviçit i cili i shndërruar ashmë në simbol të nacionalizmit serb si dhe i mbështetur nga një fushatë e fuqishme e propagandistike që e paraqiste si viktimë të të tjerëve në sytë e opinionit publik, ia doli ta shpinte deri në fund spastrimin politik brenda vendit duke eliminuar çdo opozitë serioze dhe frymë kritike, madje kohë përpara se të fillonte nga Kosova. Është jashtë çdo dyshimi që bombardimet e NATO-s në kurriz të popullit jugosllav e favorizojnë jashtëzakonisht Millosheviçin, të cilit, kurrkush s’ka kurajon t’i kundërvihet, përndryshe damkoset si tradhëtar i atdheut. Por nisur nga ky realitet nuk mendoj se duhet ngutur për të nxjerrë ato farë argumentashm, që na i tundin sot para syve disa shpirtra të qashtër, kundër ndërhyrjes së NATO-s. Përkundrazi, përfundimi ku lipset të arrijmë të gjithë është se arsyeja e kësaj ndërhyrjeje, po qe se ajo dëshiron t’i japë fund njëherë e mirë gjithë spastrimeve etnike dhe krimevekolektive në Ballkan, duhet të jetë rrëzimi i regjimit autoritar të Millosheviçit dhe në vend të tij, krijimi në Beograd i një qeverie të lirisë e legalitetit.

Kësaj teze i kundërvihen disa zotërinj që Daniel Cohn Bendit, në një nga artikujt më të mirë që kam lexuar deri më sot për Kosovën, i quan “sovranitarët”. Cilët janë këta zotërinj? Disa burra të matur që na paskan fort nderim për të drejtën ndërkombëtare, për të cilën ndërhyrja aleate në Jugosllavi na qenkërka një monstruozitet juridik sepse, sipas tyre, meqë Kosova qenka pjesë integrale e atij vendi dhe problemet e kosovarëve çështje e politikës së brendshme, bashkësia ndërkobëtare duke na sulmuar një komb sovran, ka vënë në pikëpyetje gjithë rendin juridik ndërkombëtar. Sipas këtij kriteri i bie që në emër të një sovraniteti abstrakt, Millosheviçit i duhet lënë dorë e lirë që me zjarr e hekur dhe shpërngulje të dhunshme ta pastrojë Kosovën prej dy milion kosoarëve meqë i prishin planet: gjë që, meqë ra fjala, kish nisur ta bënte para se të fillonin sulmet e NATO-s, me të njëjtin zell e bindje që Hitleri spastroi Europën nga Hebrenjtë.
Sovraniteti ka caqet e veta. Në qoftë se një qeveri merr nëpërkëmbë të drejtat më themelore të njeriut, si dhe kryen krime kundër njerëzimit përmes vrasjeve kolektive e spastrimit etnik, ashtu siç vepron Millosheviçi, atëherë vendet demokratike janë të detyruar të veprojnë për t’i ndaluar me çdo kusht këto soj krimesh. S’ka pikë dyshimi që çdo veprim i armatosur mbart pasoja të tmerrshme sepse e pësojnë edhe të pafajshmit. Por pacifizmi i pavend shpie ujë në mullirin e tiranëve dhe fanatikëve që i ndjekin, të cilët s’kanë asnjë skrupull moral që t’i ndalojë dhe, a posteriori, nuk vlen gjëkafshë tjetër veçse të vonojë aksionet ushtarake, që kësisoj shkaktojnë dëme të mëdha e të rënda sesa ato që do të donin t’i shmangnin me mosveprimin.

Në qoftë se Perëndimi demokratik do ta kishte bombarduar Hitlerin atëherë kur Çurçilli e kërkonte me ngulm, prej Luftës së Dytë Botërore nuk do të kishim pasur njëzet milionë të vrarë, por shumë herë më pak dhe Holokausti nuk do të kishte ndodhur. Në qoftë se gjatë Luftës së Gjirit Presidenti Bush nuk do të kish shpënë gjer në fund misionin e vet, duke e rrëzuar nga froni Sadam Hyseinin duke hapur rrugën Irakut drejt emancipimit politik, ndoshta edhe atje do të kishte ndodhur ajo që ndodhi më pas në Panama, pas rënies së tiranisë së Noriegës: vendosja e një regjimi që nuk iu kanoset fqinjëve, që qeveris në bazë të ligjit dhe respekton liritë e qytetarëve të vet.
Natyrisht, këtu nuk bëhet fjalë që demokracitë e zhvilluara të ndërmarrin sistematikisht aksione ushtarake kundër gjithë atyre regjimeve autoritare që gjenden anembanë rruzullit tokësor. Kjo do të ishte një utopi dhe, për më tepër, askush nuk mund të na sigurojë që një demokraci e dalë nga gryka e pushkës hedh rrënjë ngaherë e jep frytet e veta (edhe pse në disa raste tejet të rëndësishme, si në atë të Gjermanisë e të Japonisë, ka ndodhur pikërisht kështu). Por të paktën, të kërkohet një rend botëror, në të cilin të mëtohet prej të gjithë regjimeve një minimum të drejtash njerëzore, si dhe sanksione të ashpra nga ana e kombeve demokratike kundër të gjithë atyre që i shkelmojnë haptazi këto të drejta, përmes persekutimeve religjioze, raciale apo etnike, si dhe vrasjeve e shpërnguljeve të pakicave kombëtare.
Sanksionet mund të jenë si ekonomike, ashtu edhe politike (në Afrikën e Jugut e në Haiti kanë rezultuar me sukses), por në raste të veçanta edhe ushtarake, si në Kosovë, kur lind nevoja t’i ndalet dora shfarosjes së një populli mbarë për shkak të delirit nacionalist të një tranit. Në këtë pikë s’ka se si të na bëhet më e qartë se fjala “shfarosje” i rri për bukuri pas shtatit operacionit që ka ndërmarrë Millosheviçi në Kosovë, operacion që ai e kishte nisur teksa në Rambuje zhvilloheshin negociatat, duke i shkuar kështu ndesh zotimit të marrë në tetor të vitit të shkuar, ndërkohë që në Kosovë ishin futur dyzet mijë trupa ushtarake dhe prej provincës tashme të izoluar ishin përzënë të gjithë përfaqësuesit e shtypit botëror.
Dëshmitë e mbledhura mes refugjatëve kosovarë në Maqedoni e Shqipëri, flasin për një plan të hartuar me gjak të ftohtë dhe të zbatuar me një përpikmëri shkencore. Në fshatrat e pushtuar të rinjtë janë ndarë nga fëmijët, të moshuarit e gratë e më pas janë ekzekutuar, ndonjëherë duke i shtërnguar t’i hapnin varret me duart e tyre. Të mbijetuarve iu është lënë një kohë e shkurtër në dispozicion për t’ia mbathur jashtë kufijve, pasi i kanë privuar më parë nga çfarëdolloj dokumenti vetjak. Regjistrat publikë janë shqyer e djegur ashtu si edhe çdo dokument tjetër i çfarëdoshëm që vërtetonte pronësinë e kosovarëv mbi shtëpi apo toka, madje deri në atë shkallë sa të venë në pikëpyetje jetesën dhe ekzistencën e tyre në ato troje. Faza e fundit e operacionit -kur sipas Komisarit të Lartë të Kombeve të Bashkuara për Refugjatët, mëse gjysmë milion kosovarë janë përzënë jashtë kufijve dhe afro dyqind e pesëdhjetë mijë ndodhen të fshehur në brendësi të Kosovës- konsistonte në mbylljen e kufijve, në mënyrë që kosovarët e mbetur në vend të përdoren si mburoja njerëzore kundër bombardimeve dhe një ndërhyrjeje të mundshme tokësore nga ana e trupave aleate.

Gjithsesi, tashmë është mëse e qart që objektivi i Millosheviçit ka qenë e mbetet spastrimi etnik, shndërrimi i Kosovës në një provincë njëqind për qind serbe dhe ortodokse, ku të mos mbesë këmbë myslimani a shqiptari. Mos vallë ka ndonjë farë lidhjeje ndërmjet vonesës me të cilën bashkësia ndërkombëtare ka vepruar kundër Millosheviçit dhe faktit që viktimat e tij janë myslimanë? Kam frikë se po, ashtu siç ndodhi edhe në kohën e Hitlerit, me ngurrimin e aleatëve për t’i shpallur luftë Gjermanisë dhe faktit që viktimat e Holokaustit u bënë hebrenjtë. Jam mëse i bindur se sikur të kishte qenë e besimit të krishterë bashkësia njerëzore që ka hequr në kurriz mundimet e mujshitë që u shtrënguan të përballojnë bosnjakët dhe që po i vuajnë edhe sot e kësaj dite kosovarët, reagimi i opinionit publik e i qeverive perëndimore do të kish qenë më ishpejtë, dnërsa në shoqëritë perëndimore nuk do të ishin shfaqur ato segmente të angazhuara në përpjekje për t’i detyruar qeveritë e vendeve të tyra të mos rrinë duarkryq e të bëjnë sehir krimet. Kjo është diçka për të cilën heshtet ose që përshpëritet vesh më vesh në qarqe të caktuara e të besuara: Mos vallë jemi duke krijuar një Moloch mes nesh? Mos vallë duam të krijojmënjë regjim fondamentalist islamik në zemër të Europës, aleatë të Kadafit Sadam Hyseinit dhe të ajatollahëve të Iranit? Mos vallë në një farë mënyrë edhe sot e kësaj dit serbët janë duke luftuar, ashtu siç luftoi edhe princi Llazar më28 qershor 389 në kosovë kundër GJysmëhënës barbare e fanatike, armike e përjetshme e Europës së krishterë e të civilizuar? Edhe pse na duket se të gjitha këto hamendje nuk kanë gjasë të jenë të përnjëmendta, nuk mund të thuhet se mungojnë ata demokratë të ndjeshëm ndaj këtyre “argumenteve” dhe bash për këtë, sondazhet e kryera na kallëzojnë se segmentet që i kundërvihen ndërhyrjes ushtarake në, synimi i së cilës është të shpëtojë popullsinë kosovare nga asgjësimi, i kalojnë përqindjet e elektorale që kanë kapur rëndom partitë komuniste e neofashiste, të vëllazëruara sot, ashtu si në kohën e paktit Molotov-Ribentrop, në të ashtuquajturën fushatë pacifiste kundër NATO-s.


Nga libri Lufta kundër luftës (opinioni intelektual rreth luftës në Kosovë), fq. 15-20, Shtëpia Botuese Ora, Tiranë, 2001.

Nxorri dhe përgatiti: Butrint Berisha

‘Black Mirror’ do të vazhdojë edhe me sezonin e pestë

Seriali i famshëm ‘Black Mirror’ do të vazhdojë me sezonin e pestë.

NETFLIX ka nënshkruar kësisoj me regjisorin e Black Mirror që seria të vazhdojë edhe për një sezon, shkruan KultPlus.

‘Black Mirror’ është një seri që merret me temën e ndikimit të rrjeteve sociale në modernitet. Shoqëritë e ndryshme nëpër botë janë të hipnotizuara nga internet dhe teknologjia, ndërsa rrjetet sociale janë bërë obsesioni i radhës.

Secili episode i ‘Black Mirror’ trajton një efekt nga teknologjia.

Episodi i parë i ‘Black Mirror’ është transmetuar me 4 dhjetor 2011, ndërsa regjisor është Charlie Brooker.

https://www.youtube.com/watch?v=5ELQ6u_5YYM

Nuk dihet ende kur do të dalin episodet e reja të serialit. Në sezonën e katërt në mesin e aktorëve ishin edhe Andrew Gower, Kiran Sonia Sawar, Georgina Campbell, Joe Cole, George Blagden, Maxine Peake, Jake Davies, Clint Dyer e aktorë tjerë. / KultPlus.com

Cili prej tre shqiptarëve do ta ketë rezultatin më të mirë në Eurovizion?

Tanimë dihet se janë gjithsej tre këngëtarë me prejardhje shqiptare në Eurovizioni e këtij viti.

Ka shumë që nuk e pëlqejnë Festivalin Evropian të Muzikës – Eurovizionin, por këtë vit edhe ata që nuk janë të pasionuar pas tij do të kthehen për të parë tre shqiptarët që ngjiten në skenë për tri shtete të ndryshme.

Qiproja përfaqësohet këtë vit nga Eleni Foureira. Ajo është shqiptare me origjinë, por për vite me radhë e ka mohuar dhe fshehur prejardhjen e saj. Megjithatë, emri i saj i vërtetë është shqiptar. Kënga e saj “Fuego” ka pak ditë që është lansuar dhe po pëlqehet prej fansave të Eurovizionit. Një këngë ritmike është gjithmonë e mirëseardhur për fansat e Eurovizionit.

https://www.youtube.com/watch?v=ZuZoTKTbwUA

Eugent Bushpepa do të ngjitet në skenën e Eurovizionit për të provuar një rezultat më të mirë për Shqipërinë. Bushpepa po përgatitet fuqishëm për gjysmëfinalen ku ai do të performojnë, ndërsa nga ky muaj do të nisë edhe promovimin më intensiv të këngës. Shqipëria ka debutuar në Eurovizion në vitin 2004 ndërsa rezultati më i mirë është vendi i pestë në finalen e vitit 2012-të. A do të mundet Eugenti të depërtojë edhe më mirë se kaq?

Ndërsa Ermal Meta do të përfaqësojë Italinë në Eurovizion. Shqiptari i tretë në këtë garë të fuqishme evropiane sjellë një këngë me një mesazh të fuqishëm, kundër akteve terroriste që viteve të fundit kanë ndodhur në pjesë të ndryshme të Evropës. Meta, një djalë karizmatik i cili para se të bëhej vetë këngëtar u angazhua si tekstshkrues për plot këngëtarë italianë, këtë vit provon që bashkë me Fabrizio Moron ta çojë fitoren e Eurovizionit në Itali. Hera e fundit kur Italia e fitoi Eurovizionin ishte në vitin 1990. / KultPlus.com

Debatet për Ligjin e Artit, Ministria e Kulturës hap thirrje për konsultim publik

Ministria e Kulturës pas zhurmës dhe debateve që shoqëruan disa ndryshimeve të propozuara në Ligjin për Artin dhe Kulturën, së fundmi ka hapur një platformë onlinë ku mund të përfshihen gjithë grupet e interesit. Njoftimi, i cili është bërë publik në faqen e ministrisë sqaron se:

“Pas konsultimeve me ekspertë dhe grupet e interesuara, Ministria e Kulturës, me qëllim përfshirjen e publikut të gjerë në procesin e vendimmarrjes, ka hapur thirrjen për “Konsultim Publik për ndryshime mbi Ligjin për Artin dhe Kulturën, nr. 10352, datë 18.11.2010”, që të këshillohet me të gjithë të interesuarit mbi propozimet për projektligjin”.

Ky shqyrtim me publikun, të cilin mund ta gjeni në web-in zyrtar të Ministrisë së Kulturës ju jep mundësinë që të lini sugjerimet tuaja mbi propozimet në secilën prej 12 faqeve, nen për nen. Thirrja do të qëndrojë e hapur për një muaj, deri me datë 5 Prill 2018.

Më herët Ministria e Kulturës ka sqaruar se ky projektligj nuk synon ndryshimin e varësisë institucionale, të institucioneve qendrore të artit dhe kulturës, por parashikon lehtësira/ thjeshtëzim në procedurat ligjore për realizimin e veprimatarive artistike kulturore që kryhen me ligjin e artit dhe kulturës .

Nga ligji QKK dhe AQSHF dhe BK do të përfitojnë nga lehtësimi i procedurave si pjesë e varësise nga MK, pasi me projektligjin e ri për artin dhe kulturën u lehtësohen procedurat e projekteve, çka nënkupton funksionim të dyfishtë, do të kryejnë veprimtarinë e tyre me ligjin e kinematografisë, edhe me ligjin për artin që propozohet sa i përket procedurave ligjore për realizimin e veprimtarive artistike.

Projektligji lehtëson në masën 100% , procedurat ligjore per projektet artistike në institucionet publike që në fushën e tyre të veprimit nuk kanë objekt artin dhe kulturën, ku do të përfitojnë njësitë e qeverisjes vendore dhe institucionet e tjera publike./ KultPlus.com

Ansambli “Shota”, me premierë për “Epopenë e UÇK-së”

Koreodrama “Lulet e Marsit” është premiera e Ansamblit “Shota”, me koreografi të Xhemali Berisha dhe me muzikë dhe orkestrim të Ylber Asllanaj, shkruan KultPlus.

Udhëheqësi Artistik i Ansamblit “Shota”, Ylber Asllanaj koreodramën “Lulet e Marsit” e ka konsideruar si një perlë të re në “Gjerdanin” e Ansamblit.

“Kjo premierë është punuar ekskluzivisht për nderë të 20 vjetorit të “Epopesë së UÇK-së” dhe rënies heroike të komandantit legjendar Adem Jashari dhe familjes së tij”, thuhet në njoftim, i cili tutje sqaron se kjo koreodramë ka në qendër luftën dhe sakrificën e tre brezave të familjes Jashari.

Tematika fillon me prologun e Shaban dhe Zahide Jasharit, dhe bekimin që ata i japin Ademit për rezistencë. Tutje vazhdon me rezistencën e burrave dhe grave të familjes Jashari dhe përfundon simbolikisht me një homazh të 13 fëmijëve (numri i fëmijëve të vrarë të familjes Jashari në datat 5,6 dhe 7 Mars 1998), të cilët skenikisht paraqitën me nga një lule dhe një qiri. Në anën tjetër krye-personazhi, i luajtur nga solisti i Ansamblit Besnik Grajcevci, shndërrohet në lapidar. Kjo konform simbolikës tashmë të njohur “Ai është i gjallë”.

Premiera e kësaj shfaqjeje do të jetë në gala-koncertin që organizohet në Skenderaj, me datë 7 Mars ndërkaq sipas planit të punës së Ansamblit, parashihet edhe një premierë tjetër në Prishtinë, gjatë këtij muaji./ KultPlus.com

“Tre gjermanët e trashë” rikthehen në ekranin televiziv (VIDEO)

Kasta e aktorëve të shfaqjes “Tre gjermanët e trashë”, janë bërë përsëri bashkë për të sjellë në ekranin televiziv sërish serialin e famshëm.

Nën direktivat e regjisorit Florent Mehmeti kjo shfaqje e cila ka vite që është shndërruar në produksion televiziv, do të sjellë episodet e saj të reja në Radio Televizion e Kosovës, shkruan KultPlus.

“Tre gjermanët e trashë” ka qenë dhe mbetet një nga serialet më të suksesshme televizive të Kosovës.

Episodet e reja do bëjnë së bashku aktorët Kushtrim Sheremetit, Fisnik Ademi dhe Lirak Çelaj, Adrian Morina, Arta Selimi. Lajmin për rifillimin e këtij seriali për KultPlus e ka konfirmuar vet regjisori Florent Mehmeti, i cili ka thënë se deri më tani edhe aktorët e kanë konfirmuar pjesëmarrjen dhe janë në përgatitje të nisjes së xhirimeve, duke mos dhënë më shumë detaje.

Kultplus ju rikujton disa nga rolet: Naser Rafuna (Gania), Flutura Zeneli (Mimoza), Lirak Çelaj (Piteri), Ard Islami (Ukshini), Ardian Morina (Hekurani), Kushtrim Sheremeti (Hansi), Fisnik Ademi (Brigeli)./ KultPlus.com

https://www.youtube.com/watch?v=ZXuXELZ32gs

Shembet objekti i mbrojtur si Trashëgimi Kulturore në zonën e vjetër të Prishtinës (FOTO)

Gjatë ditës së sotme, objekti i mbrojtur si trashëgimi kulturore që gjendet në zonën e vjetër të qytetit, ka filluar të shembet, njoftojnë kështu nga Komuna e Prishtinës.

Drejtoritë përkatëse të Komunës së Prishtinës bashkë me Zjarrfikësit dhe Policinë e Kosovës kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe i kanë ndërmarrë masat e nevojshme për parandalimin e rrezikut.

“Ekspertët tanë bashkë me ata të nivelit qendror kanë vlerësuar se duhet të bëhet rrënimi i kontrolluar i disa pjesëve të këtij objekti, ashtu që të evitohet në tërësi rreziku. Meqë është objekt privat dhe nën mbikëqyrje të Institutit për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore, presim nga ky institut që të na e dërgojë pëlqimin për një gjë të tillë, ashtu që të veprojmë sa më parë”, thuhet në njoftim./ KultPlus.com

“Monologjet e Vaginës” sonte në Oda

Për nderë të 20 vjetorit të botimit të librit Monologjet e Vaginës së autores Eve Ensler, Qendra për Art dhe Komunitet- Artpolis i ka dedikuar aktivizmit feminist përkthimin e këtij libri në gjuhën shqipe, si shenjë revolte kundër dhunës ndaj grave, shkruan KultPlus.

Nën regjinë e Zana Hoxha Krasniqit do të shënohet 20 vjetori i veprës “Monologjet e Vaginës”, që cilësohet si vepra më e rëndësishme teatrale politike dhe sociale për të drejtat e grave, si dhe Dita Ndërkombëtare e Gruas.

Leximi skenik do të mbahet sonte më 6 mars në hapësirën e Teatrit Oda duke filluar nga ora 20:00. Ndërsa, leximet do të përcillen nën tingujt e muzikës së artistes Blerta Kosova.

Performueset e monologjeve do të jenë artistet dhe aktivistet e shquara nga Kosova: Anisa Ismajli, Aurita Agushi, May-Linda Kosumovic, Vjosa Abazi, Qëndresa Kajtazi, Daniela Markaj, Donjeta Morina, Adelina Tërshani, Jeta Berisha, Jovana Radosavljevic dhe Alketa Sylaj.

Viti 2018-të shënon 20 vjetorin e Lëvizjes “Dita – V”, lëvizje kjo që qysh nga fillimi ka zgjeruar përdorimin e artit dhe aktivizimit së bashku për ndërgjegjësimin e popullatës. “Dita – V” është lëvizje globale aktiviste kundër dhunës ndaj grave dhe abuzimit seksual. Misioni i kësaj lëvizje është “Një botë ku gratë jetojnë të sigurta dhe të lira”.

Kjo ngjarje është e mbështetur nga United Nations Population Fund – UNFPA/Kosovë, Koalicioni për të Drejtat dhe Shëndetin Seksual dhe Riprodhues – K1 0 dhe CFD/Zvicërr./ KultPlus.com

Ali Podrimja i shkruante Dritëro Agollit: Qëllimi im është ta shpëtoj Lumin, të gjej ilaç për jetën e tij (DOKUMENT)

Elona Agolli, bija e shkrimtarit të njohur Dritëro Agollit, herë pas here po zbulon korrespondencën e babait të saj me të afërmit dhe miqtë e tij, shkruan KultPlus.

Së fundi, ajo ka zbuluar një letër që i ishte dërguar nga Ali Podrimja, në kohën sa e kishte të shtrirë djalin e tij Lumin, në një spital në Beograd.

Letra është e vitit 1979, dhe sipas Elenës, Ali Podrimja në atë kohë duhet të ketë qenë 37 vjeç.
Podrimja i drejtohej Dritëro Agollit me një lutje, se nëse mund ti gjej ndonjë mjek të mirë, për djalin e tij Lumin. Kurse letra ishte drejtuar Beograd-Tiranë.

Më poshtë po ju sjellim letrën e plotë të Ali Podrimës, që ia kishte nisur në vitin 1979, Dritëro Agollit.

I dashur Dritëro ,
Dëshiroja të jem me Juve, por qe ,më gjet kjo e keqe. Megjithë intervenimet e mëdha të mjekëve, fëmija im gjendet në një kotësi të thellë .
Ai nuk kishte ekinokokun, por tumor në brinin e shtatë të anës së majtë. Tmerr, tmerr dhe diçka e paparamenduar . S’di si do ta mashtroj dhe si do t’i tregoj Fitores; s’di si do t’i kaloj ditët me të.
I dashur Dritëro, nëse mundesh dhe nëse ke miq të mirë nga mjekët, të lutem interesohu dhe më lajmëro disi. Qëllimi im është ta shpëtoj Lumin , të gjej ilaç për jetën e tij.
Këtë fotografi të Lumit ia jep Xhevairit.
Më fal , nuk po mundem më të shkruaj .
Ju dëshiroj çdo të mirë ty, familjes suaj dhe të gjithë shokëve.
Me dashuri vëllazërore
Ali Podrimja
30.10.79 , Beograd
P.S
30 tetorin do ta mbaj në mend si ditë të rëndë për familjen time .
Aliu
Kohë më pas , do të shkruhej e mrekullueshmja poezi “Lum Lumi”:



Lum Lumi
A thua është dita jote e fundit në spital
do t’i biem deri në fund a thua
edhe kësaj dite të lodhur në orën e familjes.

Nuk të kam sharë as nuk të kam rënë kurrë
vetëm të kam thënë; Ai në hapsirë atje larg jam Unë.

Në jetë, në art vrasësit më të mëdhenj janë frikacakët.
Mjeshtëria e tyre; gjuajtja në gabime, dhelpëria.

Ti mëso të duash vogëlush. Ti mëso të ecësh me këmbët e tua
mbi të keqen mbi të mirën, mendo me kokën tënde
kurrë mos pështyj në dashuri, as në pleh;
Mallkim i fisit.
Shkolla jote antike; të dish të çelësh derën e shtëpisë
Në çdo kohë,
Të dish të thuash fjalën kur duhet thënë.
Urrejtja është më e rëndë se vrasja.

Me ditë me shikon nga krevati i vjetër; spitali tepër i vogël
për dhimbjet e tua
për shtatë plagët e tua
për ditët, për netët e tua plot klithje.

spitali tepër i vogël
i vogël tepër spitali
nën te Danubi i thellë e i kaltër.
A thua tërë jetën do të na vijë era jod
sëmundje, murtajë
do pështyjmë gjak e vrer,
a thua tërë jetën t’i dezinfektojmë plaçkat, ëndrrat, fjalët.
A thua edhe këtë ditë do ta kalojmë në spital.
Të shikoj; në syrin tënd flaka, etja, qielli,
Në syrin tënd asnjë dredhi, asnjë mllef
pastërtia e syrit tënd më ka përpirë të tërin.
Në fund të syrit tënd
hap fatin tim të kobshëm.
Ai nuk jam Unë
Ai nuk je TI
Kush jam, kush je?
Syri yt mbyllet, dhe frëngjia në Kullë.
Poezia më e bukur ende s’është shkruar
as do të shkruhet
përderisa zhytësit ende jetojnë
Vogëlushi im, thellësia mashtron, vetëm largon nga e vërteta
dhe çdo fund është tragjik.
Po ç’ka aty poshtë në materie
Miu i Bardhë, antimateria.

Do të vijë koha kur do të më hapësh si një libër
të vjetër psalmesh
kur do të mësoj të ecësh nëpër pluhurin tim
por koha ecën shpeshherë në shpinë të breshkës.

A thua na u sosën fjalët, këngët,
na mundi ëndrra, udha,
a thua edhe kjo ditë po na lë me shpirt ndër dhëmbë.

Ti je më i madh, vogëlush, më i fortë se ky spital
për inat këtë ditë ta sosim deri në fund.
Lum Lumi.
– poezi nga Ali Podrimja

Thomas Hirschhorn: Pikësellimi apo mjegullimi ka marrë përsipër rolin e autentikes (FOTO)

Gili Hoxhaj

Thomas Hirschhorn është artist i njohur zviceran por që tash e një kohë jeton në Paris. Veprat e tij janë ekspozuar në shumë muze e galeri të botës, përfshirë këtu edhe Bienalen e Venedikut, Documenta 11, Bienalja e 54-të e Venedikut, Bienalja e 9-të e Shangait, Galeria Gladstone në New York e vende të tjera.

Kurse sonte do të ekspozoj punën e tij në Galerinë Kombëtare të Kosovës.

Para kësaj ekspozite, ai mbrëmë mbajti një takim me dashamirët e artit pamor. Në Galerinë Kombëtare të Kosovës ai prezentoi pikëpamjet e punës së tij që lidhen me imazhet konfrontuese dhe përballjen me teknikat e rrejshme dhe maskuese të mediave. Pyetja e tij thelbësore është se ‘Pse është e rëndësishme sot të tregojmë dhe shikojmë imazhe të trupave të shkatërruar të njerëzve’. Viteve të fundit, Hirschhorn ka zbarkuar në këtë lloj pune thellësisht personale, politike dhe sociale, e cila eksploron limitet dhe mashtrimet e kulturës dhe media.

Nikoqirja e kësaj mbrëmje, Arta Agani- Bunjaku ishte ajo që u uroi mirëseardhje artistit zviceran Thomas Hirschhorn dhe kuratorit të ekspozitës Dirk Snauwaert. Ajo fillimisht lexoi biografitë e tyre në mënyrë që publiku të njihet me gjerësisht me punën e tyre. Në mes të tjerash ajo përmendi edhe çmimet e shumta të Thomas Hirschhorn si çmimin “Marcel Duchamp”, çmimin “Joseph Beuys”, çmimin “Kurt Schwitters”…

Thomas Hirschhorn para se të filloi prezantimin e tij, tha se ndihet shumë i lumtur që është këtu dhe se kjo ishte hera e parë e tij në Kosovë. Tematika e tij lidhej me Kolazhin që bëhet përmes piksellimit e që identifikohet edhe në shumë punime që ai prezantoi mbrëmë. Kolazhi që është shumë i pranishëm në punën e këtij artisti është një punë që ai e ka dashur qysh si i vogël ndërsa mbrëmë tregoi edhe disa arsye të kësaj.

“Më pëlqen të bëjë kolazhe sepse më pëlqen që t’i bashkoj elementet e punëve ekzistuese dhe arsyeja përse bëj kolazh është sepse tregon se ajo nuk është një punë e përfunduar por është gjithnjë në progres”, tregoi artisti Hirschhorn.

Në mes tjerash artisti zviceran Hirschhorn ngrit çështjen mes raportit të estetikës dhe etikës jo vetëm në nivel individual të gjykimit por edhe në nivel kolektiv. Për të ngjallur debat lidhur me këtë ai prek disa tematike ekstreme të dhunës, gjymtimit, vojërizmit dhe urgjencës së imazheve. Me punën e tij aq sa përpiqet të nxjerrë pjesën e të vërtetës, ai mundohet ta nxjerrë në pah edhe pjesën manipulative dhe atë që ne nuk mund ta shohim dhe që i mohon faktet. Ndërsa në fotografitë e mjegulluara është gjithnjë një arsye përse dikush ka vendosur që t’i mjegulloi ato.

Arti është rezistencë dhe si i tillë i reziston fakteve. Ai thotë se pikësillimi në abstraksionin e tij arrin ta krijoi një formë të re.

“Qëllimi është të kuptohet se si një fotografi ekzistuese e publikuar mund të bëhet abstraksion. Më duket që në mënyre paradoksale, gatishmëria autoritare përdor pikësillimin në mënyrë që ta fsheh, ta “mbrojë”, të mos paraqes, në të vërtetë është bërë një mënyrë për ta prekur të vërtetën. Të prekësh të vërtetën nuk nënkupton verifikim të informatave, të prekësh të vërtetën është veprim i emancipimi”, deklaron Hirschhorn.

“Unë dua ta përdor mjetin art sepse më lejon t’i rezistoj fakteve historike. Unë e përdor atë në mënyrë që vepra ime të arrij përtej historisë, historisë në të cilën unë jetoj. Arti është mjet për të mbajtur koncentrimin të përqendruar në atë që vlen për mua, në atë që është thelbësore në formë”, është një nga përgjigjet e artistit se përse e përdor mjetin apo instrumentin të cilin ai e përdor.

Ekspozita ‘Pixel-Collages’ e autorit zviceran do të hapet sonte në Galerinë Kombëtare të Kosovës duke filluar nga ora 19:00./ KultPlus.com

Diskutohet për bashkëpunime kulturore në mes Parisit dhe Prishtinës

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti së bashku me Ambasadorin francez në Kosovë Didier Chabert dhe me nënkryetarin e Komunës së Parisit, Christophe Girard biseduan për bashkëpunime të mundshme kulturore në mes Prishtinës dhe Parisit, shkruan KultPlus.

Komunën e Prishtinës e vizitoi dje nënkryetari e Komunës së Parisit, Christophe Girard, bashkë me Ambasadorin francez në Kosovë, Didier Chabert. Ata u pritën nga kryetari Shpend Ahmeti, nënkryetari Selim Pacolli, si dhe drejtorët Muhedin Nushi dhe Yll Rugova.

“Përgjatë këtij takimi u diskutua për thellimin e bashkëpunimit mes dy vendeve, sidomos në sektorin e kulturës. Kësisoj, do të marrim shembuj të mirë nga Parisi si për mbrojtjen e objekteve të rëndësisë së veçantë, ashtu edhe për shfrytëzimin e hapësirës publike për projekte të ndryshme kulturore”, thuhet në njoftimin e Komunës së Prishtinës./KultPlus.com

Në Festivalin e Poezisë në Zvicër edhe Sibel Halimi, Jeton Neziraj dhe Shpëtim Selmani

Një rrugëtim poetik – Kosova prezantohet në festivalin e njohur të poezisë në St Gallen të Zvicrës, shkruan KultPlus. Me shkrimet e tyre në këtë festival do të paraqiten nga Kosova: Sibel Halimi, Jeton Neziraj dhe Shpëtim Selmani, shkruan KultPlus.

“Bern është kudo” është një grup prej dymbëdhjetë autorësh dhe muzikantë zviceranë të cilët i ndërlidhin së bashku tekstin dhe muzikën, duke i sjellë së bashku në skenë. Ndërsa me “Kosova është kudo”, pas shtatë performancave në Kosovë, artistët nga Kosova do të paraqiten edhe në Zvicër.
Mbrëmja do të sjellë së bashku performuesit nga Zvicra: Laurence Boissier, Guy Krneta dhe Gerhard Meister kurse nga Kosova: Sibel Halimi, Jeton Naziraj dhe Shpëtim Selmani.

Në kuadër të prezantimeve Sibel Halimi do të paraqitet me poezinë “Copë” e cila trajton fatin e grave/viktima të dhunës seksuale gjatë luftës. Si dhe me poezitë: Zoti më dashuron mu, Shtëpia qenësia ime dhe Vdekja e bardhë. Festivali nisë më 22
dhe përfundon më 25 mars./KultPlus.com

Çohi Te Dekun

Poezi nga Gjergj Fishta

E n’kjoftë se lypet prej s’hyjnueshmes Mni,
Qi flije t’bahet ndo’i shqyptar m’therore,
Qe, mue tek m’kini, merrni e m’bani fli
Për shqyptari, me shue çdo mni mizore. –
Oh! edhe pa mue Shqypnija kjoftë e rroftë,
E nami i sajë përjetë u trashigoftë!
Po: rrnoftë Shqypnija! E porsi krypa n’Dri
E porsi krandja e that n’nji flakada,
U shoftë me arë, me farë me mal e vrri
Kushdo shqyptar, qi s’brohoritë me za,
Kushdo shqyptar, qi s’brohoritë me uzdajë:
Oh! Rrnoftë Shqypnija! Rrnoftë Flamuri i sajë!/KultPlus.com

Për gruan, Atifete Jahjaga e Alketa Xhafa Mripa do të flasin në Londër

Për të shënuar 8 marsin, Ditën e Gruas, Ambasada e Kosovës në Lodër, do të shfaqë dokumentarin “Mendoj për ty”, dokumentar që spikatë punën e madhe të artistes Alketa Xhafa Mripës, në projektin “Mendoj për ty”, shkruan KultPlus.

Gjithashtu të pranishmit do të kenë mundësinë që të diskutojnë me artisten kosovare, Alketa Xhafa Mripa, si dhe me ish-Presidenten e Kosovës, Atifete Jahjaga.

“Mendoj për ty” është nismë e Alketa Xhafës, kushtuat grave të dhunuara në Luftën e fundit në Kosovë. Artistja vendosin vëmendjen e të gjithëve mbi këtë temë, kur mblodhi rreth 5 mijë fustaneve nga e mbarë Kosova për ti vendosur më pas ato në Stadiumin e qytetit në Prishtinë.

Presidentja e atëhershme e Kosovës, Atifete Jahjaga ishte e para që dhuroi një fustan, duke e vlerësuar nisëm e artistes dhe duke shprehur solidaritet me viktimat. Aktualisht, artistja Alketa Xhafa është duke punuar për rikrijimin e të njëjtit instalacion në Londër, por me dedikim tjetër, kështu që çdo donacion i veshjeve është i mirëpritur./KultPlus.com

Maks Velo siguron dosjen e ndjekjes ndaj tij, tronditet me atë që gjen

“Jam tronditur aq sa akoma nuk e kam lexuar gjithë materialin imtësisht, dua të qetësohem që të vazhdoj”. Ndonëse ishte në dijeni për shkaqet e asaj që i ndodhi, dinte edhe emra të atyre, që kishin firmosur kundër tij, të tjerë i kishte nuhatur, por t’i kishte në duar ato faqe, plot 250, nuk ishte e njëjta gjë.

Maks Velo tashmë po përballet me të shkuarën e vet, me persekutuesit e vet. Autoriteti për Informimin për Dosjet e ish-Sigurimit të Shtetit i ka mundësuar të ketë në dorë dosjen e ndjekjes dhe dënimit të tij gjatë diktaturës. Ishte si të hapje Kutinë e Pandorës. Rreth 20 emra dilnin aty.

“Ndjeva një lloj çlirimi se dua të marr hak. Të kuptohemi, pa vrarë njeri, por vetëm duke i bërë të njohura publikut faktet, që të njohin secilin, qoftë edhe mbas 38 viteve”-thote ai.
Sipas tij, “Nuk ka asnjë denoncim nga arkitektët, nga zyrat ku punoja për 15 vjet. Është e çuditshme, se të gjitha akuzat i kisha nga piktorët dhe skulptorët”, tregon Maks Velo në një intervistë për gazetën “Panorama”.
Pasi më parë ka botuar disa faqe nga dosja e tij, duke përfshirë denoncime, informacione për Ministrinë e Brendshme, ekspertiza nga Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve, madje edhe një deklaratë të tij në zyrat e hetuesisë, Velo rrëfen ndjesitë, që provoi kur mori në duar materialet.

Çfarë zbuloi që nuk e dinte në këtë dosje; si ia doli të mbetej gjallë në burg; të mos rekrutohej në radhët e bashkëpunëtorëve të ish-Sigurimit të Shtetit; cili ka qenë reagimi i kolegëve-spiunë.

Ermonela Jaho në skenën e operas së New Yorkut

Sopranoja Ermonela Jaho po rrëmben duartrokitje në Metropolitan Opera në Nju Jork me rolin Ço Ço Sanit në operan “Madame Butterfly” të Puçinti.

Në datat 8, 13, 16 mars, Madame Butterfly ngjitet sërish në skenën e operës së New Yorkut si produksion i Antoni Mingelës, me regji e koreografi e Karolin Koa. Rolin e Ço Ço Sanit ia kanë besuar sopranos shqiptare Ermonela Jaho, një personazh i brishtë, i ndjeshëm me fund tragjik, të cilën Jaho e ka intepretuar edhe në skenën shqiptare.

Ermonela Jaho është rritur duke shpresuar se një ditë do të këndonte Cio Cio Sanin dhe tanimë që ajo e arriti duket se gjithmonë kur ngjitet në skenë përjeton ëndrrën e saj. Kështu e përshkruan kritika muzikore njujorkese.

“Madam Butterfly” tregon historinë e Butterflait, që beson verbërisht te dashuria e një oficeri detar, një amerikan cinik i quajtur Pinkerton. Por, pas martesës, Pinkerton shkon në shtëpi në Amerikë. Kur Butterfly e zbulon që njeriu që ajo donte është kthyer përsëri me gruan e tij amerikane dhe do të marrë përgjegjësinë e djalit që ajo lindi pas largimit të tij, ajo i jep fund ëndrrës së saj perëndimore dhe kryen harakiri.

Bie shikueshmëria e ceremonisë së Oscar-it

Ceremonia e çmimeve Oscar sivjet tërhoqi audiencën më të vogël televizive të regjistruar ndonjëherë në SHBA.

Sipas të dhënave të rrjetit televiziv ABC, i cili e transmeton drejtpërdrejt ngjarjen, ajo ka pasur 26.5 milionë shikues, krahasuar me 32.9 milionë në vitin 2017, raporton REL.

Këto shifra, megjithatë, nuk përfshijnë shikueshmërinë digjitale.

Edicioni i 90-të i Oscar-it u zhvillua të dielën, ndërsa çmimin për filmin më të mirë e mori drama romantike “The Shape of Water” e regjisorit Guillermo del Toro.

Ceremonia e Oscar-it, ngjarjes më të rëndësishme në industrinë e filmit, transmetohet qysh në vitin 1953, ndërsa audienca matet qysh më 1974.

Rrënohet shtëpia që kishte vlera historike, shkencore, artistike, identiteti, ekonomike dhe funksionale

Në Qendrën Historike të Prizrenit është rrënuar shtëpia e familjes Hisarit, e cila gëzonte mbrojtje me Ligjin për Qendrën Historike të Prizrenit. Kjo shtëpi është e listuar në shtojcën II të këtij Ligji përkatësisht Monumentet Kulturore në Qendrën Historike të Prizrenit. Aty shkruan se shtëpia e Hilmi Hisarit i takonte shekullit XIX.

Sipas informatave fillestare të marra nga autoritetet lokale të trashëgimisë kulturore shtëpia ka qenë në gjendje jo të mirë për banim. Kësisoj institucionet ëshë dashur që me kohë të angazhohen në dy drejtime: për sigurimin e jetës së banorëve dhe po ashtu për mbrojtjen e monumentit.

Kjo shtëpi sipas hulumtuesve kishte vlera historike, shkencore, artistike, identiteti, ekonomike dhe funksionale.

EC Ma Ndryshe deri më tani shumë herë ka reaguar në lidhje me shkatërrimin e monumenteve të trashëgimisë kulturore në Prizren, e sidomos në Qendrën Historike të qytetit dhe përsërit sërish qëndrimin se është çasti i fundit që organet shtetërore të veprojnë në mënyrë serioze për zbatimin e plotëtë legjislacionit në raport me këtë zonë të mbrojtur, gjithnjë duke e përfillur në radhë të parë nevojën për sigurinë e jetës së qytetarëve, thuhet ne komunikaten e leshuar nga EC Ma Ndryshe ./KultPlus.com

Në Shtëpinë e Bardhë, kryeministrit Rama i dorëzohet çmimi për ruajtjen e kujtesës së Holokaustit (VIDEO)

Kryeministrit të Shqipërisë Edi Ramës, dje i është dorëzuar çmimi për pluralizëm kulturor, ceremoni kjo që është mbajtur në Shtëpinë e Bardhë, dorëzuar nga i emëruari i Presidentit Trump në krye të Komisionit për Mbrojtjen e Trashëgimisë Amerikane në Botë, Paul Packer, shkruan KultPlus.

“Një surprizë e posaçme ceremonia e marrjes sot, në Shtëpinë e Bardhë, të ÇMIMIT PËR PLURALIZMIN KULTUROR, dorëzuar nga i emëruari i Presidentit Trump në krye të Komisionit për Mbrojtjen e Trashëgimisë Amerikane në Botë, Paul Packer.

Çmimi për angazhimin në ruajtjen e kujtesës së Holokaustit dhe mbrojtjen e së vërtetës historike, një nder shumë i veçantë për mua, qeverinë tonë dhe padiskutim Shqipërinë që rrezaton, gjithnjë e kudo, me shembullin e saj të mbrojtjes së popullit hebre, gjatë orëve të zeza të Luftës së Dytë Botërore”, ka shkruar Rama nw facebook./KultPlus.com

Shoqata “Labeatët” solli në Ulqin rreth 50 veshje dhe piktura me motive kombëtare (FOTO)

Në Galerinë e Qendrës Kulturore, Shoqata Labeatët e udhëhequr nga Luljeta Avdiu Cura organizoi ekspozitën me motive kombëtare, në të cilën u prezantuan rreth 50 veshje tradicionale kombëtare si dhe piktura me motive kombëtare.

Veshjet tradicionale të kornizuara janë të punuara nga etnografja kosovare, Erodita Qorkadiu Haxhiu, ndërsa pikturat janë të punuara nga piktorja Valdete Berisha, e cila jeton dhe vepron në Belgjikë.

Në hapje të ekspozitës folën dr Nail Draga, organizatorja Luljeta Avdiu Cura, dy pjesmarrëset e ekspozitës, sekretari i KKSH-së Faik Nika si dhe piktori Jozo Koçoviq, i cili edhe e shpalli të hapur ekspozitën. Për të pranishmit ishte përgaditur edhe një program kulturor, recitim nga Behar Pali, dhe këngë popullore shkodrane të interpretuara nga këngëtarja shkodrane Klodiana Vata. Të pranishëm në këtë ekspozitë përveç një numri të madh të qytetarëve ishin edhe Ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Mal të Zi , Ernal Filo, si dhe Ambasadori i Republikës së Kosovës në Mal të Zi Skender Durmishi./KultPlus.com

Zbulohet letra e rrallë: Si i shpëtoi qindra hebrenjë të Beratit, komandanti i Ballit Kombëtar

Hebrejtë i kanë shpëtuar ata që kishin vendin në dorë dhe jo ata që shikonin nga mali;
“Berat,11.9.943

Bektash Cakranit, Cakran, Mallakastër (konfidenciale në dorë)
Xhaxha, po të shkruaj urgjent mes halleve të shumta që pllakosën tani me kapitullimin e italianëve, pasi ti e ke Mallakastrën në dorë.
Duhet me urgjencë të transportojmë nga Berati tek ju një numër të madh njerëzish, që tani për tani nuk kemi as mjete për ti prurë aty.
Bëhet llaf për çifutët këtu tek ne që janë me qindra dhe halli është se po të merret vesh kush janë, kanë për ti shkuar në plumb të tërë dhe Beratin vetë që aq është i gjithi.
Nuk dihet se nga mund tu vejë haberi dhe as besim nuk kam, kohë jo e jo se edhe ti mësheh me dokumenta muhamedane nëpër familje këtu, s’dihet nga del fjala dhe mua më duhet të shkoj në plumb Beratin pastaj.
Duhet domosdo të piqem dhe me Mit’hat Frashërin dhe ata në Tiranë të mos jepet asnjë informatë ku janë sa, si e qysh.Nuk duhet të bjenë në dorë të armatës gjermane që është duke ardhur asnjë çifut nga këta që kanë qënë dhe kanë ardhur në Berat, për arsye se dihet qëndrimi i gjermanëve për ta. Gjithashtu nuk duhet të konsiderohen shqiptarët dhe Berati si mëshehës të tyre, për arsye se do të mbizotërojë mbi popullatën më prapa një klimë terrori.
Po edhe për aty gjithë ai milet nuk e mbëshehim dot dhe kohë për ti prurë po ka mbetur akoma. Tjatër rrezik që ti e di vetë është se po u muarr vesh Mallakastra mund të digjet. Dërgo njeri urgjent me korierin tim.
Komandant Kadri Cakrani”./KultPlus.com

Arrestohet hajni që ia vodhi statujën e Oscarit aktores e cila u shpall më e mira

Policia në Los Anxhelos ka arrestuar një person i cili dyshohet se ia ka vjedhur trofeun e Frances McDormand, e cila u shpall si aktorja më mirë në ceremoninë e ndarjes së çmimeve “Oscars”.

Sipas gazetës “Los Angeles Times”, personi i quajtur, Terry Briant kishte publikuar një video ku shihej duke e puthur trofenë të cilën e kishte vjedhur nga aktorja.

Academy Awards ka shpallur mbrëmë Frances McDormandin “Aktoren më të mirë në rol kryesor”. Ajo ka mposhtur konkurrencën duke iu falënderuar rolit të saj në filmin “Three Billboards Outside Ebbing, Missouri”.

Sorrat dhe valigjet e Driton Hajredinit, homazh për të zhvendosurit (FOTO)

Punimet e Driton Hajredinit kanë udhëtuar në shumë vende të botës, ashtu siç ka udhëtuar ai me valigjet e tij. Sot në Prishtinë, ai solli rreth dhjetë punime në ekspozitën e tij personale, shkruan KultPlus.

Gili Hoxhaj

Galeria “Monet”, që është bërë një derë e ekspozimit të punëve të artistëve të ndryshëm, sonte kishte hapur dyert për mysafirët e kësaj ekspozite. E artisti Driton Hajredini kishte vendosur nga në një ose dy valigje në secilën pikturë, e në shumë prej tyre kishte vendosur nga një apo dy sorra. Drita pranë tyre ishte e zbehtë, e reflektonte kështu edhe hijen e çdo sorre në pikturë.

Valigjet në pikturat e Hajredinit flasin për të kaluarën por prekin dhe të tashmen. Dizajni i tyre është më antik, e madhësia e ngjyrat janë të ndryshme. Megjithatë, mesazhi që ato mbartin është universal, andaj ashtu si valigjet, ai është i depërtueshëm në secilin vend të botës.
Këtë cikël të valigjve, autori e kishte filluar shumë më parë e si i tillë kishte qenë pjesë edhe e disa ekspozitave të mëhershme. Përkundër ekspozitave të tjera të suksesshme, kjo ekspozitë është tejet e veçantë për artistin Hajredini, pasi që është ekspozita e parë që kur ka ardhur në jetë vajza e tij. Ai tha për KultPlus se këtë ekspozitë edhe ia dedikon vajzës së tij tashmë gjashtë muajshe.
Emri i kësaj ekspozitë “Should I say or should I go”, burim të inspirimit e ka këngën e grupit “Should I stay or should I go”, të grupit “The Clash”. Artisti Hajredini, ka një lidhje tjetër me këtë këngë, pasi që kjo këngë është shkruar në vitin 1981, në kohën e demonstratave që zhvilloheshin në Kosovë. Në titullin “Should I say or should I go”, ai thotë se qëndron një dilemë e madhe që secili mund ta ketë.
““Should I say or should I go” është ajo dilema e madhe e artistit, e intelektualëve apo e të gjithëve se a duhet t’i thonë ato çfarë i mendojmë apo që ta lënë krejt këtë punë dhe të ikin diku, sepse momentalisht jemi të pakënaqur me atë çfarë po ndodhë, si këtu apo edhe në tërë botën”, tregoi Driton Nuredini për KultPlus.

Siç duket valigjet janë mishëruar thellë në konceptin artistik të piktorit Hajredini dhe arsyeja e kësaj është se e gjithë jeta e tij ka qenë e lidhur me valigjet, pasi që, para rreth 25 viteve e kishte përjetuar jetën e azilantit.

“Jeta ime gjithnjë ka qenë me valigje, unë kam qenë azilant prej vitit 1992 dhe është si një lloj homazhi i të gjithë të zhvendosurve me dëshirë dhe pa dëshirë, por që shumica janë pa dëshirë”, u shpreh Driton Hajredini për KultPlus.

Valigjet e tij në jo pak raste qëndrojnë të hapura e në vend të rrobave mbajnë diçka tjetër. Sorrat janë simbolika më e shpeshtë e tij. Ato kishin qenë dëshmitare të Prishtinës së zbrazur në kohën e luftës, andaj dhe në disa vende, artisti i ka titulluar si “The Guardians” që i bie “Rojet” apo “The guard”, “Roje”.

Ai këtë cikël e cilëson si me seriozen, përkundër cikleve të tjera ku luan me botën e artit të etabluar. Megjithatë, karriera e tij artistike tashmë lidhet edhe në videoinstalacione, e instalacione të ndryshme. Edhe pse, ai ende qëndron pas pikëpamjes së tij se “piktura është mbretëresha e arteve”, sfidimi i tij edhe në video e ka zbehur paksa këtë mendim.

Muret e kësaj ekspozite, kohëve të fundit janë mbushur edhe me piktura të artistëve të tjerë. Por për piktoren dhe themeluesen e Galerisë “Monet”, Blerta Surroi kjo ekspozitë është një nder për këtë galeri. Ajo tregoi për KultPlus se e njeh që shumë herët punën e artistit Driton Hajredini.
“Ne si galeri ndihemi shumë të nderuar që sonte në galerinë tonë e kemi artistin Driton Hajredini. Driton Hajredini është një artist shumë i suksesshëm, jo vetëm në pikturë por edhe në video dhe në art konceptual. Suksesi i tij në shumë fusha ka bërë që ai të marrë edhe shumë çmime ndërkombëtare që janë rezultat i punës së tij”, u shpreh Blerta Surroi.

Ajo tutje shtoi se ciklin që ky artist e ekspozoi sonte është gjithnjë aktual dhe kurdo dhe kudo që ekspozohet ky cikël, përsëri ta zgjon një ndjenjë dhembshurie, sepse lidhet direkt me eksodin, migrimin ekonomik. Blerta Surroi tha edhe pse këto valigje mund ta kenë edhe konceptin pozitiv të pushimeve, por ajo që gjithnjë të vije në mendje është eksodi andaj dhe ngjallë këtë ndjenjë të dhembshurisë. Të gjithë ata që duan t’i shohin punimet e kësaj ekspozitë, tashmë mund të drejtohen në Galerinë “Monet”, deri më datën 18 mars./ KultPlus.com