Adem Bunguri shpërblehet me çmimin për veprimtari jetësore “Dea Dardanicae” (FOTO)

Sot në Muzeun e Kosovës është mbajtur ceremonia e ndarjes së çmimeve në fushën e trashëgimisë kulturore. Këto çmime janë ndarë nga ministri i Ministrisë për Kulturë, Rini dhe Sporte, Kujtim Gash, shkruan KultPlus.

Adem Bungurit, iu nda Çmimi për Veprimtari jetësore “Dea Dardanicae” kurse Fatmir Peja mori çmimin Vjetor për Merita të Veçanta “Shtjefën Gjeqovi”, Çmimi Vjetor për Vepër Shkencore “Zef Mirdita”, iu nda Florina Jerliut dhe Çmimi Vjetor për Menaxhim Instutucional “Muhamed Shukriu”, iu nda Sabit Sylës.
Ministri i Kulturës, Kujtim Gashi tha se për të si ministër është kënaqësi e veçantë që po ndahen këto çmime ndërsa shtoi se MKRS-s është vazhdimisht në mbështetje të promovimit të trashëgimisë kulturore.
“Nuk kam dyshim që juria profesionale ka vendosur drejt. Unë si ministër jam mirënjohës për punën që keni bërë në fushën e Trashëgimisë Kulturore por kjo nuk mbaron këtu sepse ne do vazhdojmë të gjejmë rrugë të reja për të qenë vazhdimisht me ju ”, u shpreh ministri Gashi.

Në emër të jurisë foli Nuri Bexheti i cili tha se Bunguri është njëri nga klasikët më të mëdhenj të arkeologjisë.
“Shquhet me tezën e tij ku argumenton me këmbëngulësi për lidhjen e botës dardane me atë ilire”, u shpreh Bexheti.
Vet Bunguri i cili vjen nga Shqipëria pasi pranoi këtë çmim u shpreh se është kënaqësi e veçantë që po nderohet me këtë çmim e veçmas që këto çmime po ndahen në vitin kur Kosova mbush dhjetë vite shtetësi.
“Kosova për ne andej kufirit ka qenë një mollë e ndaluar. Ajo që dua të them unë pa e zgjatur është se Kosova ka një pasuri të jashtëzakonshme arkeologjike që është një burim dhe një arkiv e jashtëzakonisht e pasur që na jepet në dorë për te evidentuar ndonjëherë historinë e deformuar antike të Kosovës”, u shpreh Bunguri sot.

Çmimi Vjetor për Merita të Veçanta “Shtjefën Gjeqovi”, iu nda të ndjerit Fatmir Pejës. Në emër të familjes këtë ecim e mori Fatos Peja i cili falënderoi Ministrinë e Kulturës dhe Jurinë për këtë çmim ndër shtoi se do të donte shumë që ai të ishte i pranishëm që ta marr këtë çmim.
“Ky vend ishte një vend shumë i veçantë për babain dhe veprimtarinë e tij jetësore. Ata që e kanë njohur e kanë ditur përkushtimin profesional i tij ka qenë i palodhshëm, do te donim qe të ishte ai këtu dhe ta pranoi këtë çmim për vepra e tij vazhdon të jetoj”, u shpreh Fatos Peja

Sabit Syla sot pranoi çmimin Vjetor për Menaxhim Institucional “Muhamed Shukriu”. Syla në këtë ceremoni tha se ky është një motivim për të çuar më tutje punën e Institutit të Historisë pasi që dihet fakti se Instituti i Historisë është një institucion i rëndësishëm lidhur me historinë dhe trashëgiminë e Kosovës.
“Ky çmim na motivon edhe më shumë në angazhimin tonë profesional dhe shkencor”, tha Syla.

Po ashtu në fund të kësaj ceremonie, të pranishmit patën mundësinë ta shohin edhe një film të shkurtër me përmbajtje nga jeta e Fatmir Pejës./ KultPlus.com

Udhëtim në Tokën e Shqiponjave, Tirana një qytet që ndryshon

Vizita në Shqipëri pa marrë një makinë me qera është praktikisht e pamundur. Transporti publik mund të funksionojë më mirë, por në çdo rast autonomia e një automjetit lejon të arrini shumë vende të tjera.

Mbi të gjitha, Shqipëria është një vend me të vërtetë i këndshëm për të eksploruar me makinë, shkruan siti italian girosognando.it, që ka për synim njohjen e vendeve të reja dhe të panjohura.

Gjatë udhëtimit tim në Tokën e Shqiponjave, më duhej të organizohesha në kohë, saqë sapo zbrita në aeroportin e Tiranës, kushtuar Nënë Terezës së Kalkutës, gjithçka shkoi në drejtimin e duhur. Ndër të tjera, aeroporti ndodhet në mes të Tiranës dhe Durrësit, në autostradën e autostradës që bashkon dy qytetet.

Në këtë rast ashtu edhe në të tjera, portali Easyterra na ndihmon për të gjetur një Hyundai I10 të përshtatshëm për eksperiencën tonë, e vogël dhe me kambio automatike, pa shumë pretendime dhe një tarifë qesharake të ulët.

Merreni në aeroport dhe shkoni direkt në Tiranë. Ne marrim autostradën (vëmendje, mund të ndodhë që njerëzit të kalojnë në këmbë!) Dhe pastaj të shkoj drejt kryeqytetit shqiptar. Në fund të autostradës na mirëpret një rrethrrotullim me shumë trafik me në qendër një shqiponjë me dy koka në mes, atëherë një tjetër rrugë e gjatë na çon drejt në qendër të Tiranës.

Parkimi nuk ishte i vështirë dhe pastaj për të shkuar drejt zemrës së kryeqytetit shqiptar: sheshi i dedikuar për Gjergj Kastriot Skënderbeu. Po, është i njëjti patriot që e takuam në Krujë dhe në të cilën i referohemi artikullit të dedikuar shumë kohë më parë.

Sheshi Skënderbej kohët e fundit është pedonale dhe të impresionon me madhësinë e tij. Është i jashtëzakonshëm, pikërisht sepse është menduar në shumë epoka si një vend për të përqendruar manifestimin e fuqisë dhe madhështisë së Shqipërisë. Edhe fashistët italianë më përpara dhe më pas komunistët e Hoxhës e përdorën sheshin Skënderbej për parada.

Pranë tij ndodhen ndërtesat më të rëndësishme në qytet: Teatri i Operës, Biblioteka, Banka Kombëtare, Bashkia dhe vende të tjera që janë relevante për kulturën dhe jetën ekonomike kombëtare. E pamungueshme një statujë kushtuar Skënderbeut, e ndërtuar në vitin 1968 në 500 vjetorin e vdekjes së tij, ndërsa në njërën anë mund të shihni Sahati i Orës, në distancë të afërt me xhaminë otomane Ethem Beu.

Shqipëria ka kapërcyer komunizmin për më pak se tridhjetë vjet dhe me kalimin e kohës, Tirana ka rifituar gjithnjë e më shumë energji. Për shembull, bregu i lumit është pastruar nga barakat abuzive dhe është kthyer në rregull. Qyteti po evoluon vit pas viti dhe po kërkon edhe në nivelin urbanistik të riniset me një aset të ri. Ndër të tjera, qyteti është shumë i gjallë edhe në mbrëmje, me një sërë klubesh nate, që nuk i kanë asgjë për zili kryeqyteteve të tjera europiane.

Le të kthehemi në autostradë, këtë herë prapa. Ne e kalojmë aeroportin dhe shkojmë të shohim detin pranë Durrësit. Makina jonë e vogël na ndihmon të kapërcejmë çdo pengesë dhe të arrijmë në një plazh natyror dhe jo të prekur nga turizmi masiv, vetëm pak jashtë qytetit.

Kemi bërë nga pluhuri, por nuk ka rëndësi: Shqipëria është e mbushur me larje makinash dhe stacione shërbimi dhe me disa euro ju keni të garantuar një larje. Pra, në fund të turneut tonë në Shqipëri, ne mund të kthejmë automjetin tonë në aeroport pa probleme, për t’u kthyer në Itali me siguri të impresionuar nga ky udhëtim./ KultPlus.com

Qielli i njërit qytet të Norvegjisë që merr një pamje magjike natën (FOTO)

Reine ndodhet në ishujt Lofoten të Norvegjisë. Tipari i tij më simpatik janë shtëpitë, kryesisht ngjyrë vishnjë që dallojnë gjatë dimrit nga bora e cila mbulon shpatet e malit Reinebringen që duket në sfond.

Banohet vetëm nga 300 banorë, të cilët kryesisht merren me peshkimin. Edhe pse konsiderohet si një nga pjesët më të paarritshëm të vendit vizitohet nga mijëra turistë çdo vit. Pse? Sepse në këtë pikë të vogël në hartë, ndodh diçka magjike sa herë që erret.

Në Reine kemi shfaqjen më mbresëlënëse të fenomenit natyror që quhet “Dritat e veriut”.

Dritat e veriut janë një nga fenomenet më të rëndësishme natyrore, pasi qielli mbushet plot ngjyra dhe forma të ndërlikuara. Ky fenomen natyror është kaq i famshëm, sa që organizohen udhëtime të veçanta për turistët që duan të shohin spektaklin nga afër./ KultPlus.com
https://www.youtube.com/watch?v=DFGpwXVFo24

19 vite nga vrasja e familjes Bogujevci

Sot janë mbushur plotë 19 vite nga vrasja e familjes Bogujevci nga Podujeva, shkruan KultPlus.

16 anëtarë të kësaj familje tash 19 vite më parë gjetën vdekjen nga paramilitarët serbë ndërsa e vetmja e mbijetuar është Saranda Bogujevci.

Si çdo vit tjetër edhe sot Saranda, përkujton familjarët e saj të vrarë.
“Në Dimensionin tjetër…
Askush nuk mund t’na ndaj
JETOJMË
FLASIM
KUJTOJMË”, ka shkruar Saranda Bogujevci në rrjetin social Facebook.

Ndërsa të hënën mbrëma në Qendrën për Dekontaminim Kulturor në Beograd, Saranda Bogujevci ka sjellë prapë diçka nga dhimbja e saj pasi një pjesë e familjes së saj u vra gjatë luftës së fundit në Kosovë. Saranda, një nga të shpëtuarat e vrasjeve që ndodhën në Podujevë, të hënën mbrëma ka folur në Beograd se si u ka shpëtuar 16 plumbave në trupin e saj, si një 13 vjeçare në kohën kur ndodhi lufta./ KultPlus.com

98 vite më parë, kur nisi punimet Parlamenti i parë i Shqipërisë

Historiani Kastriot Dervishi, ka sjellë në fokus nisjen e punimeve nga Parlamenti i parë i Shqipërisë. Përmes ilustrimit të një fotoje, ai shkruan në Facebook, se dje më datën 27 mars të vitit 1920, ka startuar për herë të parë jeta parlamentare e shtetit shqiptar.

“Parlamenti i parë i Shqipërisë

Më 27 mars 1920, ora 09:45, nisi për herë të parë jeta parlamentare e shtetit shqiptar. Deputetët u mblodhën në godinën e Zija Toptanit (sot selia e Akademisë së Shkencave), në anën lindore të ndërtesës (evidentuar në foto).

Në atë kohë, Parlamenti quhej herë Senat dhe herë Këshilli Kombëtar. Punimet i çeli deputeti më i vjetër, Mytesim Këlliçi, duke pasur sekretar më të riun, Kostaq Kottën.

Kjo trupë parlamentare, deri më 15 nëntor 1920 zhvilloi 70 mbledhje.
Kryesia e parë e parlamentit ishte:
-Xhemal Naipi-kryetar
-Spiro Koleka-nënkryetar
-Hilë Mosi-sekretar”./ KultPlus.com

Vepra e Mid’hat Frashërit, Uran Butka: Parashikoi çlirimin e Kosovës, foli edhe për çamët (VIDEO)

Vepra historike të botuara në shtypin periodik prestigjioz të Parisit, Londrës, Brukselit e Gjenevës, por edhe çështja e Epirit, marrëdhëniet e Shqipërisë me Italinë, Turqinë dhe marrëdhëniet shqiptaro-sllave, shohin dritë në vëllimin e dytë dedikuar veprës së Mid’hat Frashërit.

Nipi i Abdyl, Sami e Naim Frashërit, ligjërimet e Mid’hat Frashërit, figurës historike në mbrojtjen e çështjes shqiptare në Konferencën e Paqes në Paris dhe Lidhjen e Kombeve nën cilësinë e Kryetarit të Delegacionit Shqiptar, vijnë për lexuesin për herë të parë nën optikën e një njeriu avangardë, që e shihte të ardhmen e Shqipërisë, shumë vite përpara.

“Ai sa një njeri që parashikon ngjarjet, është një parashikues gjenial i zhvillimeve historike në Shqipëri, parashikon edhe çlirimin e Kosovës, parashikon edhe zhvillime të tjera shqiptare, por në këtë botim veçoj shqetësimin e tij të madh për çështjen çame, që është edhe aktuale sot dhe pastaj relacionet e marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Greqisë, një kontribut shumë i madh, por edhe një mësim shumë i madh për politikën, për historinë, por edhe qytetarinë shqiptare”, tha Uran Butka, shkrimtar, studiues.

Butka shton se nga vepra e pasur e Lumo Skëndos janë ende 13 vëllime të tjera të pabotuara si edhe një biografi e tij./Top Channel/ KultPlus.com

Blick promovon bukuritë e Kosovës, publikon pamje fantastike nga maja e Gjeravicës (Video)

Përpos kuzhinës së pasur tradicionale, mikpritjes, trashëgimisë kulturore, Kosova shquhet edhe për bukuritë e rralla natyrore.

E përditshmja gjermano-zvicerane Blick, ka publikuar një video interesante të Arton Krasniqit nga i cili ka marrë leje për përdorimin e pamjeve.

Ky i fundit i është përgjigjur në mënyrë pozitive kërkesës së tyre pa kurrfarë kompensimi financiar, pasi që beson se publikimi i tyre është në interesin kombëtar, dhe se ndihmon zhvillimin e turizmit të vendit tonë.

Në video shfaqen bukuritë e majës së Gjeravicës e cila është 2556 metra mbi nivelin e detit, dhe konsiderohet si një nga atraksionet më të kërkuara turistike në Kosovë.

Atë e vizitojnë qytetarë nga e mbarë bota e në veçanti gjatë dimrit, kur hapësirat e mbuluara me borë dhurojnë peizazhe të rralla që gjithkush ëndërron t’i shoh. /Telegrafi/ KultPlus.com

Policia beson se ka gjetur trupin e aktores së zhdukur shqiptare

Detektivët në Los Angeles që kanë qenë në kërkim të aktores shqiptare, Adea Shabani, e cila u zhduk në muajin shkurt, kanë gjetur një trup që besojnë se është i saj.

New York Times raporton se detektivët këtë trup e kanë gjetur të varrosur në një zonë të pabanuar në Californinë Veriore, 400 milje larg apartamentit të saj.

Shabani, 25-vjeçare, mungonte që prej pasdites së 23 shkurtit, kur kamerat e sigurisë kapën aktoren shqiptare me të dashurin e saj. Kërkimet për të u zgjaruan nga Los Angelesi, Sierra Mountains e deri në Colorado.

Kërkimet për shqiptaren përfunduan të martën kur policia gjeti një trup të varrosur nga Nevada County, 20 milje në verilindje të Sacramentos. Edhe pse nuk është kryer obduksioni, policia beson se trupi është Adea Shabanit.

Në një konferencë për media, policia ka njoftuar se pas raportimit se është zhdukur, janë përqendruar në të dashurin e saj, Christopher Spotz, i cili është parë të jetë larguar nga apartamenti së bashku me të. Sipas policisë, Spotz, 33-vjeçar, i cili ishte i fejuar me një tjetër grua, kishte dëshmuar se më 23 shkurt, janë ndalur për kafe në Hollywood dhe më pas kanë vazhduar në veri për te shtëpia e babait të tij, jashtë Sacramentos.

I dashuri i shqiptares nga Maqedonia ka bërë vetëvrasje pas përndjekjes nga policia.

Adea Shabani, nga Maqedonia, shkoi në SHBA më pak se dy vite më parë për të ndjekur karrierën e saj në aktrim./ KultPlus.com

Vaçe Zela në Greqi, koncerti ku ajo pështyu gjak

Më 6 shkurt 2014 muzika shqiptare mbeti pa mbretëreshën e saj. Vaçe Zela ndërroi jetë në Bazel të Zvicrës duke lënë një boshllëk të madh në muzikën dhe artin shqiptar.

Në këtë katër vjetor, Hysni Zela, vëllai i daj në një intervistë për gazetarin Roland Qafoku në emisionin “Debati në Channel One” ndau shumë emocione, por edhe fakte dhe detaje që vijnë për herë të parë .

“Vaçen nuk e shpallën fituese të konkursit për në Lice, e quajtën të paaftë!

Është një humbje e madhe. Nuk humba vetëm unë motrën dhe familja jonë njeriun e dashur. Por është një humbje e madhe për të gjithë muzikën dhe kulturën shqiptare veçanërisht për popullin. Është rasti të them se nuk ka një njeri që e zbuloi talentin e saj. Vaçja zbuloi veten në shtëpinë tonë në Lushnje, se ne kemi lindur të gjithë në Lushnje. Madje ka një fakt interesant.

Vaçja lindi ditën që Italia pushtoi Shqipërinë, por nuk e përmendin këtë dhe vitin e lindjes ia shënuan me qëllim në 1938. Kishim një bahçe përpara shtëpisë dhe Vaçja aty këndonte çdo ditë dhe imagjinoni edhe pse ishte fëmijë ajo bënte vokalica. Këndonte çdo lloj këngësh, shqiptare e të huaja. Nisi të këndonte në shtëpinë e pionierit në qytetin e Lushnjës dhe aty spikati. Aty u zbulua si talent dhe e kërkuan të vinte në Tiranë. Erdhi në Tiranë në moshën rreth 15 vjeçare dhe filloi shkollën.

Në fakt në fillim konkurroi për në Liceun Artistik, por për habi nuk fitoi konkursin duke e nxjerrë të paaftë. Kur e kanë marrë në pyetje ka qenë në komision Marie Kraja. Bashkë me të ka qenë edhe një soprano bullgare. Ka shumë mundësi që bullgarja të ketë menduar se Vaçja nuk ka qenë për muzikë lirike dhe kjo duhet të ketë qenë arsyeja që nuk ia ka dhënë konkursin.

Më pas Vaçja kreun gjimnazin “Qemal Stafa” dhe më pas fitoi konkursin për në institutin e Arteve në degën dramë. Por e ndërpreu, pasi mbaroi vitin e dytë dhe nuk u diplomua. Madje, ka luajtur edhe një dramë. Ajo e ndërpreu shkollën edhe me arsyen se duke qenë familje e varfër dhe me shumë fëmijë të gjithë ushqimet ti merrte Vaçja. Ishte momenti që ajo bëri shkëputjen e madhe si këngëtare dhe ajo nuk mund të ishte edhe aktore edhe këngëtare. Kënga ishte ajo që qëlloi në shenjë.

Pak kohë pasi erdhi në Tiranë ajo na mori të gjithë familjen të 6 fëmijët dhe prindërit. Tirana na dukej si Amerika. Kur shikonim një makinë me targën LU ngazëlleheshim. Kam dëgjuar që disa thonë se jemi me orgjinë nga Kosova. Unë nuk e di këtë, mund të jetë e largët por nuk e di.

Unë di që jemi lushnjarë autoktonë aty kemi qenë prej shumë e shumë kohësh. Ne merreshim me bujqësi. Babai e shiti shtëpinë kur erdhëm në Tiranë. Ishim shumë të varfër dhe jetonim me prodhimet e tokës që e punonin prindërit. Vaçja e vogël vizitonte shpesh tokën ku punonin prindërit, por ishte e vogël dhe nuk punonte”.

Për vdekjen

“Ishte një humbje e madhe. Vaçja shkoi pas vitit 1990 në Zvicër te e bija. Ajo kishte mundësi jetese më të mirë dhe Vaçja duke qenë e sëmurë ishte nën kujdesin shëndetësor. Sivjet u mbushën 4 vjet nga humbja e Vaçes.

Vaçja vdiq në Bazel, por sipas amanetit e varrosën në Tiranë. E bija Irma dhe bashkëshorti Pjetër herë pas herë vijnë në Tiranë. Madje duhet të themi se këtë varr të veçantë Irma ia ka sjellë nga India. Më kujtohet një koncert që Vaçja dha në Greqi. Kthyem vizitën këngëtares Marinela. Ajo vetë ishte në sallën me 2 mijë spektatorë. Kur këndoi Vaçja këngën e saj në greqisht salla u ngrit në këmbë.

Shfaqja mbaroi dhe Vaçja shkoi direkt në garderobë. Iu afrova dhe ajo mbylli derën. Ishte bërë e bardhë borë. U tremba shumë. Duket se i harxhoi të gjitha turbinat e trupit. Aty pashë që për herë të parë pështyu gjak. Kishte kaluar momente shumë të forta. Ndoshta aty ka nisur sëmundja e saj.

‘O dheu im, përkëdhelma fytyrën’, këngë për vëllezërit Gërvalla (VIDEO)

KultPlus ju sjellë këngën “Baladë për mikun tim” kënduar nga grupi Foleja.

Grupi u formua në vitin 1978 nga një grup të rinjsh nga Kumanova si: Qenan Ismaili, Enver Latifi, Shenoll Aliu, Besnik Arifi së bashku me Edita Ramizin (e cila iu bashkua grupit më vonë).

Kjo këngë është krijuar në momentin kur janë kthyer arkivolet e vëllezërve Gërvalla në Kosovë në mars të vitit 2002, dhe iu kushtohet atyre. Ata u vranë në një atentat në Untergrupenbach të Gjermanisë.

Ti mos qaj,
ti mos qaj o toka ime
se po vi sot unë
po vij krenar tek ti

Dhe të pushoj,
të pushoj në gjirin tënd unë
se sot po ndjejë
po ndjejë amshim të plotë

O dheu im
përkëdhelma fytyrën
se aroma jote
më mungon aq fortë

O ti mos qaj
ti mos qaj o nëna ime
se toka ime o nënë
sot mua më ledhaton / KultPlus.com

Ferdonija kujton më të dashurit e zemrës, në përvjetorin e vrasjes

Ferdonije Qerkezi

Sot më 27 prill 2018 u mbushën plotë 19 vite që nga dita kur dora gjakatare serbe mi rrëmbeu më të dashurit e zemrës. Kriminelët serbë ma morën bashkëshortin tim Halimin, bijtë e mi Artanin, Armendin, Ardianin dhe Edmondin dhe I dërguan në drejtim të panjohur. Vite me radhë shpresoja se një ditë do të kthehen por shpresa ime u venit kur kuptova se të gjithë të dashurit e zemrës sime i kishin ekzektuar.
Unë e mbylla dhembjen dhe e gjeta forcën e shpirtit për ta mbajtur gjallë kujtimin për ta. Jetoj me dashurinë e tyre në shtëpinë tonë të madhe, flas me ta, i përkëdhel fotografitë e tyre dhe u premtoj se nëna do të qëndrojë e fortë deri në frymën e fundit.
Tani shtëpia jonë u shndërrua në “Shtëpia tradicionale e Familjes Qerkezi- Muzeu historik, 1999” dhe në këtë vend të shenjtë përjetësisht do të flasin kujtimet dhe faktet!
Ju jetoni dhe frymoni bashkë me lirinë e Kosovës

Fëmijët tanë ulen nëpër banka të shkreta e të dëmtuara

Shkruan: Ndue Ukaj

Ndërkohë që ne merremi vetëm me tema të mëdha politike, madje kemi guxim të japim këshilla edhe për probleme ndërkombëtare, fëmijët tanë, nëpër shkollat tona, ulen nëpër banka të shkreta. Jam i vetëdijshëm se, ky mund të jetë ndoshta problemi më i vogël, kur e di çfarë tekste të mjera kanë fëmijet tanë përpara. Mos të flaism pastaj për eksperimentet që bëhen me sistemin arsimor, dhe mendësinë komuniste, prej të cilës lëngon ende shkolla jonë.

Mirëpo, këto banka dhe karriket ku ulen fëmijët tanë, për mua flasin shumë. Ato më kujtojnë bankat e kohës komuniste, kur unë shkoja në shkollë, por shumë më të dëmtuara dhe më të shëmtuara.

Në këto banka të ngushta dhe të dëmtuara, është problem të formohen fëmijë me ndjesi për të bukurën dhe të dobishëm. Sepse, fëmijët aty kalojnë shumë kohë.

Aty formohen.

Duke u marrë me tema të holla dhe të mëdha, ne harrojmë të shohim ku ulen fëmijët tanë. Çfarë ushqimi shpirtëror e kulturor marrin ata. Harrojmë se, ata të cilët ulen në banka të tilla të shëmtuara, nesër do të bëhen drejtuesit e vendit tonë, mjekë e pedagogë, juristë e artistë…

Kjo pasqyrë, për mua, është mënyra më e mirë m’ e pa sa pak dashni i kemi dhanë vendit. Sa pak kemi investuar te brezat e Kosovës së nesërme.
Ne, ende nuk e dimë çfarë shkolle duam. Nuk e dimë, mbi çfarë parime etike e arsimore duam t’ i edukojmë brezat e ri.
Pra, Kosovën e nesërme.
A në fakt, në këto banka ngjizet e ardhmja e disa dekadave.
Kjo fotografi është marrë në një nga shkollat kryesore të kryeqytetit tonë.

Peshkopi Teodosije e dënon arrestimin e Marko Gjuriqit

Arrestimi i Marko Gjuriqit dje në Prishtinë po cilësohet si një veprim absurd e banal edhe nga Peshkopi i Rashkës në Prizren – Teodosije.

Teodosije, i njohur për deklaratat e tij të forta kundër shqiptarëve edhe pse një njeri që proklamon dashuri për trashëgiminë kulturore e shpirtërore të popujve të botës, kësaj radhe ka thënë se me këto arrestime po rrezikohet i tërë rajoni.

Peshkopi i Rashkës dhe i Kishës Ortodokse Serbe në Prizren, Teodosije, kërkon urgjentisht nga Zyra e BE-së në Kosovë dhe KFOR-i që të ndërmjetësojnë në lirimin e Marko Gjuriqit, për të parandaluar përshkallëzimin e situatës e cila mund të ketë pasoja serioze. Kjo ndodhi para se Gjuriq të lirohej.

“Dioqeza e Rashkës dhe i gjithë populli serb në Kosovë e Metohi me shqetësim morën lajmin për aksionin brutal të njësive speciale policore të Kosovës “ROSU” në Mitrovicën e Veriut, aksion ky gjatë të cilit pjesëmarrësit ishin sulmuar fizikisht nga policia dhe disa njerëz lënduan Marko Gjuriqin, kreun e Zyrës së Qeverisë së Serbisë për Kosovë dhe Metohi, të cilin e arrestuan. Ky është një veprim pa precedent i policisë që nga viti 1999” ka deklaruar në mes rreshtash në një komunikatë të lëshuar Peshkopi Teodosije.

“Një reagim i tillë i policisë dhe njësisë speciale “ROSU” në veriun e Kosovës, në kundërshtim me marrëveshjet e mëparshme midis Beogradit dhe Prishtinës, kërcënon direkt vazhdimin e dialogut dhe sigurinë e qytetarëve. Arrestimi i Gjuriqit është një skandal dhe provokim i madh për të gjithë serbët që jetojnë në këtë rajon” ka shkruar Teodosije.

Më vonë, Gjuriq u lirua ndërsa sot ‘spektakli’ i tillë politik po vazhdon me deklarata nga vetë Gjuriq dhe nga palët tjera, duke dhënë kështu detaje tjera rreth këtij arrestimi që ndodhi gjatë ditës së hënë të 26 marsit. / KultPlus.com

Dëshmia e Saranda dhe Fatos Bogujevcit dhe lajmërimi i Natasha Kandiqit

Tragjeditë dhe humbjet njerëzore gjatë luftës së fundit në Kosovë nuk duhet harruar asnjëherë.

Marrë shkas nga tregimi i Saranda Bogujevcit, e cila mbrëmë në Beograd pati mundësinë që para audiencës të flasë për familjen e saj dhe për krimet e Serbisë në Kosovë, ne sot po e rikujtojmë këtë histori e cila nesër, me 28 mars, bëhet një histori e vuajtjes 19 vjeçare.

Natasha Kandiq, një aktiviste për të drejtat e njeriut, kësisoj e përshkroi lajmërimin e rastit Bogujevci në Prishtinë, në vitin 2008.

“Me ne janë Saranda dhe Fatos Bogujevci nga Podujeva. Më 28 mars të vitit 1999 ajo kishte dy muaj pa i bërë 14 vjet; Fatosi kishte 12 vjet, pas gjithë asaj që ndodhi, në korrik ai i mbushi 13 vjet. Ata i kishin familjet e tyre, vëllezërit e tyre, motrat e tyre. Dolën nga ajo ngjarje, asnjëri prej tyre nuk ka më nënë dhe ajo që ata përjetuan, ajo që u ndodhi atyre nëse do të mund të mos i ndodhte asnjë fëmije në botë do të ishte diçka e natyrshme për t’u kërkuar, për të pritur dhe për të luftuar për atë. Unë do ta lus Sarandën dhe Fatosin që ata bashkërisht të përpiqen të tregojnë se çka u ka ndodhur dhe ata janë të parët. Në viitn 2003 ata erdhën në Beograd për të dëshmuar. A mund ta paramendoni, në vitin 2003, kjo është pra pas më pak se katër vjet të plota, ata të dy, baballarët, vëllezërit dhe motrat e tyre vendosën të vinin dhe të dëshmonin përpara gjykatës në Beograd sespe ata e kuptuan se kjo është e vetmja gjë që ata mund të bëjnë për të gjithë ata që u vranë më 28 mars. Nuk ishte e lehtë që fëmijët të cilët me sytë e tyre i shikuan vrasjet të vinin në Beograd dhe të shihnin uniforma në rrugë. Por edhe Saranda edhe Fatosi që atëherë kishin kuptuar se e vetmja gjë që ende mund të bënin, ishte të përpiqeshin që faktet të vërtetoheshin, në mënyrë që ata të mund të dëshmonin publikisht. Dhe pastaj vetëm Saranda dëshmoi përpara gjykatës së hapur, përpara publikut, Fatosi ishte i mitur, ai dëshmoi në seancën e mbyllur por askush nuk mund ta përballonte dhe të ballafaqohej me atë për të cilën Saranda fliste. Nëse ekziston ndonjë drejtësi, atëherë unë ndjeva se ajo që u ka ndodhur atyre prapëseprapë ndryshon diçka. Një pjesëtar i Skorpionëve u lajmërua atëherë dhe më tha, ai kishte qenë atje në atë kohë, kishte parë se çka kishte ndodhur dhe ka dalur para gjykatës dhe ka folur për atë që ka ndodhur. Por unë nuk do të flas më për këtë sepse tani në Beograd ende po zhvillohet gjykimi ndaj katër pjesëtarëve të ri të Skorpionëve të cilët gjithashtu morën pjesë në këtë ngjarje. Por ja, do ta lus edhe njëherë Sarandën dhe Fatosin që të përpiqen ta tregojnë ngjarjen, e këtu, në rendin e tretë është Enver Duriqi dhe unë e lus që të përmbahet, sepse ai i ka [humbur] të katër fëmijët e tij, bashkëshorten, i kanë mbetur vetëm rruzujt lodër të cilët i mban në xhep që nga ajo kohë. Asgjë nuk i ka mbetur më pas kësaj. Pas atij 28 marsi.”

Më poshtë po e sjellim edhe dëshminë e Saranda Bogujevcit bashkë me vllaun e saj, Fatosit, në vitin 2014-të, në kuadër të iniciativës KOMRA. / KultPlus.com

Kosova është Shqipëri në dokumentarin e fundit nga Al Jazeera (VIDEO)

Televizioni Al Jazeera ka realizuar një dokumentar për bukuritë e Shqipërisë.

Dokumentari, në fakt vetëm pjesa e parë e tij e cila është publikuar sot, rrëfen historinë, trashëgiminë dhe bukurinë e Shqipërisë, potencialin turistik dhe të tjerat pika të forta të shtetit të bukur evropian.

Ekipi i Al Jazeera Channel ka vizituar kohët e fundit Shqipërinë ku ka realizuar një dokumentar, mirëpo dokumentari nuk përfundon vetëm me Shqipërinë pasi aty është përfshirë edhe Kosova.

Në dokumentar mund të shihet edhe alpinistja Uta Ibrahimi por edhe pjesë nga Kosova. Ekipi realizues i dokumentarit ka qenë edhe në Kosovë, ku kanë provuar “Zip-line” në qytetin e Pejës.

“Udhëtari” është një program i cili mundohet që të zbulojë vendet atraktive të Evropës dhe të shpalosë historinë dhe bukuritë e tyre duke vënë në pah mundësitë për turizëm, shkruan KultPlus.

Në dokumentar flitet edhe për kanunin. Njëri prej banorëve tregon edhe për historinë e kullave të cilat janë përdorur për pajtimin e gjaqeve, ndërsa dëgjohen edhe këngë e shihen veshje e ushqime tradicionale të cilat eksplorohen dhe promovohen përmes këtij dokumentari. / KultPlus.com s

Eneda Tarifa e Landi Hysi interpretojnë në burgun e grave në Tiranë

Eneda Tarifa, Kristi Karkanaqe dhe Landi Hysi, tre këngëtarë të njohur të estradës muzikore shqipe, dhanë intepretime të jashtëzakonshme dje në burgun e grave në Tiranë, duke festuar Muajin e Historisë së Grave me një ditë të veçantë për mamatë dhe fëmijët, shkruan KultPlus.

Me mbështetjen e këtij instituti dhe ish-pjesëmarrësve në programet e shkëmbimit të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Tiranë, më shumë se 60 gra dhe fëmijët e tyre që kishin ardhur për t’i vizituar shijuan muzikën, lojërat, si dhe u takuan me përfaqësuesit nga shoqëria civile, biznesi, akademia, gazetaria, ekspertë vendas dhe studentë.

Muaji mars është Muaji i Historisë së Grave dhe gjithmonë veçohet si muaj kur duhet reflektuar mbi gratë e fuqishme dhe ato që nuk lanë vështirësitë ti rrëzojnë në tokë. / KultPlus.com

Mësuesit dhe arsimtarët në Pejë, në vitet 50’të

Duke kujtuar kohërat e vjetra, gjithmonë sjellim në pah mentalitete të ndryshme por edhe realitete kur sidomos edukimi ka qenë më cilësor se sot.

Rreth viteve 50-të është realizuar kjo fotografi, në Pejë. Një grup i mësuesve e arsimtarëve në Pejë shihen në këtë fotografi e cila sjellë kujtime, dhe emra që rritën gjeneratat.

Hamdi Tabaku, Kamber Pajaziti, Hamza Begolli janë vetëm disa prej emrave në këtë fotografi.

Fillet e arsimit të lartë në Pejë datojnë që nga viti 1960, atëherë kur me vendimin e Këshillit Ekzekutiv të KSAK ishte themeluar Shkolla e Lartë Ekonomike – Komerciale në Pejë. Fillimisht shkolla kishte vetëm Seksionin e Afarizmit Komercial në Ndërmarrje dhe një numër të vogël mësimdhënësish. Në vitin e parë të studimeve 1960/61 ishin të regjistruar 120 studentë.

Në këtë fotografi, në të cilën më pas janë identifikuar edhe emra të tjerë, është edhe Lejtore Krajku, Gjylizare Syka, Pervere Zatriqi, Lytfi Kotorri, Nexhmije Hoxha, Shadije Kotori dhe emra të tjerë mësuesish e arsimtarësh. / KultPlus.com

Fotografia: Bajri Luljeta / Facebook

Sytë

Poezi nga Timo Flloko.

Sytë shohin, shihen; fshehin, fshihen;
Sytë ikin largohen, …sytë mërgohen.

Sytë ndrijnë, qeshin; ndizen, ndezin,
Sytë dashurojnë, dashurohen …sytë verbohen.

Sytë lotojnë, pikëllojnë; fiken shterohen,
Sytë ftohen, s’flasin, ….sytë vrasin.

Shtati kallkan ngrin,
sytë mbesin,
hapur, kur vdesim.

“Disa e dëgjojnë Marko Gjuriqin, e disa të tjerë Saranda Bogujevcin”

Saranda Bogujevci, një prej të shpëtuarave të luftës në Kosovë, mbrëmë ka qenë e ftuar në një debat në Beograd, në Qendrën për Dekontaminim Kulturor.

Menjëherë pas debatit, Goran Miletic – Drejtor për Evropë i Civil Rights Defenders, organizatë kjo që punon për të drejtat e njeriut në mbarë Evropën dhe me fokus në Ballkan, ka shkruar disa rreshta rreth ngjarjes së mbrëmshme që ‘përplasi’ para syve të Beogradit edhe njëherë mizoritë që ndodhën në Kosovë para 19 vitesh.

“Disa kanë dëgjuar e parë sot Marko Gjuriqin, e të tjerët tregimin e Saranda Bogujevcit në CZKD. Serbia do të bëhet vend më i mirë nëse secili qytetar do ta dëgjojë këtë tregim të Sarandës, cfarë i ka ndodhur asaj dhe familjes së saj” ka shkruar Miletic, përcjellë KultPlus.

Bogujevci mbrëmë ka rrëfyer përsëri vështirësitë nëpër të cilat ka kaluar para 19 vitesh, kur si 13 vjecare ajo i shpëtoi serbëve.

Kujtojmë se para disa vitesh, Saranda pati hapur një ekspozitë në Beograd, ekspozitë kjo e cila u përfol shumë asokohe pasi arriti që të përcillej edhe nga zyrtarë serbë të cilët deri asokohe refuzonin të dëgjonin e shihnin krimet e Serbisë në Kosovë.

Kanë qenë të shumta reagimet rreth tregimit të Sarandës në Beograd, në rrjete sociale, nga mendje-ngushtët e Serbisë por edhe nga ata që kanë ecur përpara dhe e kanë kuptuar realitetin e dy dekadave më parë. / KultPlus.com

Në Horën e Arbëreshëve vazhdon tradita shekullore e festimit të Pashkëve (FOTO)

Udhëtimi ynë na çon sot te Hora e Arbëreshëve për të zbuluar traditat shekullore të Pashkëve, shkruan gazeta italiane “IlSicilia.it”.

Kisha e Horës së Arbëreshëve akoma ndjek ritet fetare greko-bizantine, si dhe festimi i Javës së saj të Shenjtë (Java e Madhe) tërheq çdo vit shumë turistë italianë dhe të huaj.

Festimet për Pashkët nisin që më 25 mars dhe përfundojnë më 1 prill, të dielën e Shenjtë të Pashkëve ku mbahet mesha e celebruar nga peshkopi me ritualin e “tryezës së shenjtë” që ngrihet në qendër të apsidës.

Veçori e këtij riti është gjuha e përdorur: lutjet në greqisht, besimtarët përgjigjen në kor në greqisht dhe këndojnë këngët bizantine për të festuar ringjalljen e Krishtit. Pas kësaj vijon këndimi i Ungjillit në gjuhë të ndryshme.

Pas meshës së të dielës, është koha për paradën e grave me kostume tradicionale.

“Rreth 300 gra veshin kostume tipike arbëreshe të shekullit XV dhe parakalojnë përgjatë rrugës ”Gjergj Kastrioti” drejt sheshit kryesor. Veshjet, një përzierje e vërtetë ngjyrash, janë unike në llojin e tyre dhe tërheqin vëmendjen e turistëve për bukurinë dhe origjinalitetin e tyre”, shkruan Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Çdo veshje ka veçantinë e saj: ka rrip, harqe, vello, kapele, të gjitha të bëra me materiale me cilësi të lartë dhe punë artizanale. Ngjyra më e zakonshme është e kuqja, e ndjekur nga jeshilja dhe vjollca.

Një regjistrim i kohëve të fundit tregon se ka rreth 800 veshje në Horën e Arbëreshëve, 500 prej të cilëve janë veshur në Pashkë. Në fund të paradës jepet bekimi dhe shpërndahen vezët e kuqe.

Vezët e kuqe përfaqësojnë një traditë shekullore të Horës së Arbëreshëve dhe në përgjithësi të të gjitha komuniteteve lindore greko-bizantine dhe ritet ortodokse. Kuptimi i tyre është i thellë: ato shprehin jetën, pjellorinë dhe Ringjalljen e Krishtit. Përgatiten të shtunën e shenjtë nga familjet e vendit, u shpërndahen besimtarëve dhe turistëve të dielën e Pashkëve, pas paradës së veshjeve dhe përdoren gjithashtu për të dekoruar bukët e Pashkëve.

Në përfundim të ditës së madhe të Pashkëve, do të ketë momente argëtimi dhe relaksimi në “Teatro Diocesano”, të Horës. Në këtë eveniment do të marrin pjesë disa grupe arbëreshe siciliane,ku në program janë “Maarmagia” me tingujt tipike të ”blues” dhe ”rock and roll”, e cila do të pasohet nga “The Astice della Grotta”, që do të përfshijë audiencën me repertorin e tyre italian të viteve ’70 deri më sot.

Një shfaqje që do të mbyllë një javë plot tradita, histori, kulturë, e gjitha e jetuar me entuziazëm total nga komuniteti.

“Veshjet tradicionale, të përdorura fillimisht si një veshje e përditshme ose për dasma, sot vishen si një shenjë e vërtetë e dallimit, prestigjit, krenarisë dhe përkatësisë. Në mënyrë të veçantë, parada e të dielës së Pashkëve është momenti në të cilin protagonistët kryesorë janë fustani i qëndisur me ar, bizhuteritë unike që e stolisin dhe atmosfera e shenjtë dhe solemne që merr frymë”, thekson Simona Scalia, Këshilltare për Turizmin në Hora

“Java e Shenjtë” e Horës së Arbëreshëve sapo ka marrë nga Ministria e Trashëgimisë Kulturore, Aktiviteteve dhe Turizmit përfshirjen prestigjioze në programin e ngjarjeve që janë pjesë e “Palermos, kryeqyteti italian i kulturës 2018” duke pasur parasysh “vlerën historike, kulturore, artistike dhe turistike të Pashkës së Horës së Arbëreshëve”./ KultPlus.com

Saranda Bogujevci tregon para publikut në Beograd vuajtjet dhe shpresat e saj

Mbrëmë në Qendrën për Dekontaminim Kulturor në Beograd, Saranda Bogujevci ka sjellë prapë diçka nga dhimbja e saj pasi një pjesë e familjes së saj u vra gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Saranda, një nga të shpëtuarat e vrasjeve që ndodhën në Podujevë, mbrëmë ka folur në Beograd se si u ka shpëtuar 16 plumbave në trupin e saj, si një 13 vjeçare në kohën kur ndodhi lufta.

Ajo ka treguar se si e humbi një pjesë të çmuar të familjes së saj në krimin që ndodhi në Podujevë, nga forcat “Skorpions” me 28 mars të vitit 1999, shkruan KultPlus.

Saranda bashkë me Selatin Bogujevcin mbrëmë kanë qenë të pranishëm në mbylljen e ekspozitës “ICTY: Kosovo Case 1998-1999”, e cila tregon për tmerrin e masakrave dhe vrasjeve që këtë vit kujtohen në 19 vjetorin e tyre.

Saranda ka treguar gjatë panelit në Beograd se është e gatshme të ndihmojë në një përmirësim të gjendjes dhe tensioneve në mes të Kosovës dhe Serbisë. Në të kaluarën, ajo ka treguar se ka nevojë për drejtësi për të gjitha viktimat e luftës në Kosovë.

Nesër mbrëma, të mërkurën, në Beograd do të shfaqet edhe filmi “Depth Two” nga Ognjen Glavonic, film ky që hulumton varresat masive në Batajnicë dhe pjesë tjera të Serbisë, prej kah dalin trupat e shqiptarëve të pajetë.

Sasha Cvjetan, pjesëtar i “Skorpionëve”, u dënua me 20 vjet burg, në vitin 2005 nga Gjykata Serbe Për Krime Lufte.

Në vitin 2009, u dënuan edhe tre “Skorpionë” tjerë. Dragan Borojeviq e Dragan Mediq, u dënuan me 20 vjet burg, ndërsa Miodrag Sholaja me 15. 20 vjet burg iu dhanë edhe Zhelko Gjukiqit, në vitin 2010. / KultPlus.com

Mëmëdheu

Poezi nga Andon Z. Çajupi.

Mëmëdhe quhet toka
ku më ka rënur koka,
ku kam dashur mëme e atë,
ku më njeh dhe gur’ i thatë
ku kam pasur shtëpinë,
ku kam njohur perëndinë,
stërgjyshet ku kanë qenë
dhe varret q’i kanë vënë,
ku jam rritur me thërrime
ku kam folur gjuhën time,
ku kam fis e ku kam farë,
ku kam qeshur, ku kam qarë,
ku rroj me gas e me shpresë,
ku kam dëshirë të vdes.

Merita Harxhi Koci, përmes baletit sjellë koleksionin e radhës

Baleti të rrëmben në botën magjike, duke shprehur me gjuhën e trupit dashurinë, dhembjen, mallin…copëza jete. Kështu na vjen edhe ky koleksion nga dizajneria e njohur kosovare Merita Harxhi Koci, shumë unik, “pikturuar” me të gjitha ngjyrat e ylberit, prerje dhe modele për rastet tuaja speciale, por mbi të gjitha shumë komode, shkruan KultPlus.

Në bashkëpunim me fotografin Shenoll Zehri, balerinën Aulonë Nuhiu, dizjaneria Merita Harxhi Koci “troket” në stinën e pranverës me këtë minikoleksion, i cili vë theksin te gjatësia, materiali shumë cilësor dhe ngjyrat. Për ato që duan modën dhe artin, për ato që e duan thjeshtësinë, por me hijeshi edhe elegancë, për ato që duan të duken të veçantë, ky koleksion është adresa e duhur.

Dizajneria Merita Harxhi Koci, gjithmonë është fokusuar në realizimin e fustaneve të mbrëmjeve madhështore, si një festim i personalitetit të gruas, të sofistikuar dhe elegante në masën e duhur./ KultPlus.com

Cila ishte balerina rebele e Shqipërisë që sfidoi ruset në mes të Moskës (FOTO)

Karriera e saj shënon një rritje në majën e ajsbergut të artit të kërcimit, në “Balshoi Teatër”, në qendrën botërore të baletit, në Moskë.

Shkurti i vitit 1958 e gjen në majat e baletit. Ajo kërcen si soliste e parë në këtë teatër me famë që nga 1 shkurti i vitit 1958- 3 Korrik 1967. Në qendër të grupit të “baletit të vogël” siç quhej grupi fillestar i artit të kërcimit, shkëlqente talenti i të paarritshmes, vajzës shkodrane Melushe Bebeziqi. Emri i vërtetë i saj ishte Melehad, por të gjithë e quanin Melushe, një emër më tingëllues, më i ëmbël e më ledhatues.

Balerina shqiptare ka lindur në vitin 1933 në qytetin e Shkodrës dhe, falë aftësive të saj të veçanta, shumë shpejt u bë një nga kërcimtaret e dukshme të trupës fillestare të baletit. Në moshën 17-vjeçare, u nis drejt Moskës për të studiuar në shkollën koreografike të Moskës, në grupin e balerinëve të parë që shkonin atje si Ganimet Vendresha, Zoica Haxho, Petrit Vorpsi, Agron Aliaj, etj…

Dëshira dhe pasioni, talenti dhe fati e ngjitën më pas në skenën më të adhuruar të baletit botëror në “Balshoi Teatër”. Kërkimet dhe mundësitë për të mësuar rreth jetës së saj kanë qenë tepër të vakta.
Balerinët e brezit të saj e kanë njohur në momentet e mësimit të baletit, por nuk kanë mundur ta shohin në interpretimet e saj skenike në teatrin e madh të botës. Për këtë arsye faktet e jetës së saj skenike kanë qenë përherë të mjegullta. Falë një përpjekjeje të pedagogut të AAB në Tiranë, Faruk Koka, është mundësuar komunikimi me arkivin e “Balshoi Teatër” në Moskë dhe sot, falë një korrespondence të vështirë dhe të gjatë, kemi informacione të sakta për rolet e interpretuara prej saj në këtë teatër.

MITI I BALERINËS DHE TË DHËNAT TRUPORE

Melushja balerinë ishte njëra nga vajzat më trup e bukuri të veçantë. Në skenë dhe gjatë kërcimit ajo bëhej edhe më e bukur, sepse natyra i kishte falur të gjitha të dhënat fizike që i duhen një balerine. Tek ajo ishin skalitur bukuri trupore me dimensione e proporcione që rrallë lindin te një balerinë dhe kur ndodhin, e veçojnë tërë- sisht nga trupa duke e quajtur “e lindur për soliste”.
E rëndësishme te Melushja ishte ekspresiviteti i saj, që buronte nga një e brendshme tepër shpërthyese. Gjatë kërcimit, shihje një Melushe në rol, së cilës i fliste çdo pjesë e trupit, fytyra, duart, korpusi trupor, me zjarr e temperament. Jo më kot e quajtën “balerina rebele”.

REBELE & PASIONANTE

Ende nxënëse në shkollën koreografike të Moskës, në vitet 1950-1956, u cilësua me epitetin “e ëmbla balerina rebele” nga vetë pedagogia e kursit. Ishte pikërisht ajo që do të shprehej më vonë për të: “Melushen e dalloj në çdo formacion artistik. Sikur 100 balerinë të jenë në kërcim, ajo kuptohet se ka një impulsivitet të veçantë. Melushja ka lindur për të qenë soliste”. Dhe vërtet, masa e kordebaletit në skenë e mbyste atë. Te Melushja ndihej nevoja e shpërthimit individual, të pavarur. Ishin të dukshme aftësitë e saj, prandaj ende nxënëse në shkollën koreografike të vitit 1953, në spektaklin e shkollës, Melushja luan pjesën solistike “Kërcim oriental”, në baletin “Arrëthyesi”.
Ky numër pikant që vjen i ruajtur nga shekulli XIX e këtej kërkon cilësi të veçanta mjeshtërore në interpretim. Melushja e realizoi me dinjitet artistik dhe që nga ajo ditë ajo mori emrin e dytë nga të gjithë artistët e shkollës, “balerina rebele e Shqipërisë”.
Ishte e çuditshme, por emri rebele vinte jo thjesht nga shpërthimet e saj skenike, por edhe nga temperamenti i saj tepër energjik.

Nuk mund të mendoje një Melushe në bisedë pa gjestet e saj dinamike, pa fjalët e saj këmbëngulëse dhe ëmbëlsinë karakterizuese të portretit. Në të kundërt, në skenë ajo i shpëtonte “rebeles”, edhe rebelimit emocional. Ky ishte ndoshta rebelimi i fortë i Melushes, paarritshmëria nga të tjerët, ajo që i jepte një përmbajtje të thellë emocionale rolit, plus graciozitetit dhe plastikës trupore, që është karakteristikë e veçantë në kulturën e Orientit në tërësi. Balerina filloi karrierën e saj artistike në Shqipëri me pjesët popullore të vendit dhe pjesë të huaja. Ka qenë e pakapshme në idilin shqiptar “Vallëzim me shtamë” dhe “Vallja moldaviane”, ku ajo u skalit edhe ne kujtesën e spektatorit shqiptar.

“BALSHOI TEATËR” & MAJA E SUKSESIT

Karriera e saj artistike pësoi një rritje në majën e ajsbergut të artit të kërcimit, në “Balshoi Teatër”, në qendrën botërore të baletit, në Moskë. Shkurti i vitit 1958 e gjen në majat e baletit. Ajo kërcen si soliste e parë në këtë teatër me famë që nga 1 shkurti i vitit 1958-3 Korrik 1967. E paarritshme dhe e palodhur, me një ambicie, dëshirë, pasion, dhe aftësi të jashtëzakonshme trupore, Melushe Bebeziqi fillon të zëvendësojë gradualisht solistet ruse, që kishin fituar famë dhe lavdi.
Zhvillon aktivitetin e saj skenik pikërisht në skenën ku ende ndihej fama dhe lavdia e balerinave si Galina Ulanova, Maja Plisetskaja, Olga Lepeshinskaja, Raisa Struchkova, etj..
Qenia e saj në teatër i dha mundësinë të interpretojë shumë role të vështira me bazë teknike që kërkonin zbërthimin artistik të karakterit të rolit. Repertori i saj është i larmishëm, sepse vetëm një soliste do të mundte t’i realizonte këto role teknikisht dhe emocionalisht. Shembull mund të marrim rolet cigane që ka luajtur te “Traviata” dhe baleti “Kali gërmuq”.
Megjithëse flitet se janë role krejtë- sisht të ndryshme nga kultura shqiptare, me interpretimin e Melushes dukeshin roletë veçanta. Pikërisht sepse ajo arrinte t’i zbërthente teknikisht dhe gjente vetitë dalluese në vetë karakterin interpretativ. Kështu mund të thuhet sidomos në kërcimet spanjolle, të luajtura prej saj në shumë balete si: “Don Kishoti”-Mercedes, “Bolero”-Spanjola, “Arrëthyesi”-Spanjola, “Laurencia”-Flamengo. Të gjitha këto kërcime me bazë Spanjën, në interpretimin e Melushes nuk ngjajnë me njëra-tjetrën.
Secila duket më e bukur, më flakëruese, më e zjarrtë dhe e veçantë. Melushja kishte një intuitë të fortë artistike. Kjo e ndihmonte të hynte në çdo rol lehtësisht, duke e skalitur atë me veti tipike karakterizuese.

ROLET DHE PERSONAZHET SKENIKË

Në rolet orientale, Melushja përcillte largësinë orientale dhe elektrizonte spektatorin me bukurinë e trupit, plastikën e duarve dhe me interpretimin magjik të rolit. Pjesët si indiania te baleti “Arrëthyesi”, gruaja e dytë te “Shatërvani i Bahçisrait”, valltarja me gjarpër te “Hirushja”, vajza me ngjyrë te “Shtegu i shtrëngatës”, arapesha te baleti “Lejli e Maxhun”, te gjitha këto role janë kërcime të një kulture të pasur dhe të bukur orientale. Melushja iu shmangej dozave seksuale, të cilat shumë balerina të rëndomta i përdorin si efekte për të fituar suksesin.
Melushja ishte artiste e madhe, ajo ecte në rrugën e artit të vërtetë, aty ku dominonte interpretimi poetik i rolit. Melushja mbetet e madhe në shumë gjini të artit koreografik. Kërcimet e karakterit që ajo interpretonte, kishin gjithmonë një vulë artistike të veçantë. Ishte gjithçka ndryshe ne interpretimet e Melushes, e pazakontë, e paparë, e paarritshme, e pakapshme. Kërcimi hungarez në “Liqeni i Mjelmave”, ose Lezginka te “Gajane”, një kërcim i vështirë gruzian, në interpretimin e solistes së madhe tingëllonin “ndryshe”. Ajo nuk ishte vetëm një soliste e zhanrit të karakterit. Tek ajo një vend të rëndësishëm zinte baleti klasik.

Ka kërcyer si soliste në shumë balete të ndryshme dhe ka dhënë shfaqje në një aktivitet të gjerë koncertal. Melushja ka debutuar me sukses në shumë skena të Evropës Qendrore dhe asaj Juglindore. Kudo ka lënë mbresa dhe jehonë artistike. Revista gjermane “Biter Van” shkruante për Melushen, “Vlerësojmë balerinën e ‘Balshoi Teatër’”. Kurse gazeta “Fjala” e Prishtinës në vitin 1984 përsëriste vlerat e saj artistike dhe tregonte jetën dhe karrierën e saj si soliste në “Balshoi Teatër”.
Melushja pati një jetë të shkurtër skenike. Sëmundja e saj e rëndë që e shoqëroi për vite me radhë ia preu dëshirën, pasionin dhe talentin e saj të madh. Në kulmin e krijimtarisë artistike, Melushe Bebeziqi, rebelja, pasionantia, balerina shqiptare ndahet nga jeta në vitin 1967. Mbetet një balerinë e madhe shqiptare që mundi të përjetësojë një ëndërr përreth nëntë vjet rresht në “Balshoi Teatër”.
Nuk është e rastit që fotografia e saj qëndron në hollin e teatrit të Moskës, përkrah qindra artistëve të mëdhenj rusë. Ajo, e ëmbla, e bukura, e hijshmja, Melushe Bebeziqi, balerina që ngjiti skenën e madhe ruse dhe tregoi se “Balshoi Teatër” nuk ishte thjesht një ëndërr e pakapshme. BALETI I MADH RUS Kur lindi ky emër? Ai u shfaq në vitin 1956, kur trupa e baletit “Balshoi Teatër” kapërceu kufijtë jashtë shtetit rus. Londra e priti me radhë të tejgjata pranë sporteleve të teatrit “Coven-Garden”.
Ishte e këndshme, e pabesueshme të shihje këtë pritje të gjatë, por njëherësh edhe e frikshme. Balerinët i mundonte dyshimi nëse londinezët do të kuptonin shfaqjet dhe si do të reagonin. Sillnin një balet “Zhizel”, në vitin e 112-të të repertorit dhe një “Romeo & Zhuljetë”, që kishte pësuar devijime nga Shekspiri. Kjo frikë rritej edhe nga recensionet plot bujë me të cilat mbusheshin gazetat e Londrës përpara fillimit të turneut të “Balshoi Teatër”.

A do të vazhdonte legjenda? Skemat dhe tabutë e shfaqjeve të ftohta londineze u thyen nga fuqia dhe madhështia e baletit të madh rus. Nuk ishte parë ndonjëherë në “CovenGarden” që salla ta zhurmonte nga këmbët e spektatorëve. Nga skena e këtij teatri, asnjëherë dhe askush nga trupat botërore nuk ishte përshëndetur në këtë mënyrë, nuk kishte marrë kaq shumë falënderime dhe kaq lumë duartrokitjesh nga publiku. Rregullat ishin prishur. Tabutë ishin kapërcyer.
Kundërshtimi i botës tjetër ishte pranuar, të paktën në art, në artin e madh të realizuar nga “Balshoi Teatër”. Ndoshta për këtë arsye, rusët iu përgjigjën ftohtë Francës, për balerinin e famshëm Rudolf Nurejev, “Kudo që të shkojë, ai do të mbetet rus”. “Balshoi Balet” që lindi në Angli, udhëton në botë pas artistëve të mëdhenj të këtij teatri legjendar, në Amerikë, apo në Japoni, në vendet Skandinave, apo në Afrikën e Jugut, në Europë, apo në Australi, duke treguar se ata janë vazhdim i legjendës së madhe të artit të baletit.
Interpretime në Balshoi Teatër
‘Arrëthyesi’- Lindori 14 Nëntor 1953
‘Kali Gërmuq’- Cigania 7 Prill 1960
‘Don Kishoti’- Spanjolle 13 Maj 1961
‘Arrëthyesi’- Indiane 25 Shkurt 1962
‘Don Kishoti’- Bolero 23 Mars 1962
‘Shatrivani i Bahçisarait’ 14 Prill 1962
‘Traviata’- Cigane 20 Shtator 1962
‘Don Kishoti’- Mercedes 5 Tetor 1962
‘Laurencia’- Liriku 11 Janar 1963
‘Romeo&Zhuljeta’- Shërbyesja 25 Prill 1963
‘Arrëthyesi’- Spanjolle 31 Maj 1963
‘Laurencia’- Flamengo 12 Tetor 1963
‘Shtegu i Shtrëngatës’- Vajza me ngjyrë 7 Nëntor 1963
‘Gajana’- Legzinka 6 Shkurt 1964
‘Hirushja’- Valltarja me Gjarpër 20 Shkurt 1964
‘Lejli dhe Maxhuni’- Mauritania 7 Janar 1965 /Panorama/