Konferencë shkencore në Universitetin “Ukshin Hoti”, 200 studiues nga 12 universitete

Në Universitetin “Ukshin Hoti” në Prizren sot nisi punimet Konferenca Shkencore Ndërkombëtare “XV European Conference on Social and Behavioral Sciences”. Këtë konferencë e organizojnë 12 universitete ndërkombëtare, në mesin e tyre edhe UPZ dhe UGJFA, ndërsa marrin pjesë 200 studiues anekënd botës.

Nikoqiri i kësaj konference, rektori i UPZ-së, Ramë Vataj, në fjalën e tij në ceremoninë e hapjes solemne tha se për universitetin që drejton është nderë dhe privilegj që të bëjë bashkë numër kaq të madh të studiuesve. Ai theksoi se tashmë në UPZ organizimi i konferencave të këtij primati është bërë traditë, si rezultat i bashkëpunimit të frytshëm me shumë universitete, posaçërisht me universitetet nga Turqia. Rektori Vataj shtoi se studiuesit, përpos që do të prezantojnë punën e tyre shkencore në fushat përkatëse, do të kenë mundësi që të shijojnë bukuritë e qytetit të lashtë të Prizrenit, i cili ofron shumë si në aspektin e turizmit, por edhe gastronomisë mjaftë të pasur.

Edhe Hasan Arslan, theksoi se ndihet i nderuar dhe i privilegjuar që bashkë me Universitetin e Prizrenit kanë arritur të organizojnë këtë konferencë shkencore ndërkombëtare.

Rektori i UGJFA, Shaban Buza dhe Engin Demirel me këtë rast prezantuan punimet e tyre në fushat përkatëse.

Konferenca Shkencore Ndërkombëtare “XV. European Conference on Social and Behavioral Sciences” do të vazhdojë punimet edhe të premten ku gjithsej do të prezantohen 147 punime nga studiues të shteteve të ndryshme nga mbarë bota./ KultPlus.com

Konkurs për piktorë dhe skulptorë për shënimin e Vitit të Skënderbeut

Ministria e Kulturës së Republikës së Kosovës, ka shpallë konkurs për mbështetje e te gjithë piktorëve dhe skulptorëve mbarëkombëtar, të cilët mund të shprehin idetë dhe kreativitetin e tyre artistik përmes pikturës dhe skulpturës, për nderë të shënimit të 550 vjetori të vdekjes së Heroit Kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu, shkruan KultPlus.

Konkursi ka karakter garues dhe shpërblyes me Çmimet e tri vendeve të para, si në pikturë ashtu edhe në skulpturë. Kriteret për konkurrim:

Piktura

1. Tema kryesore e punimeve është: 140 Vjetori i Lidhjes së Prizrenit.
2. Dimensioni i tablove të pikturave nuk duhet të jetë më i madh se 120cmX100cm
3. Pikturat duhen te jenë të punuara në këtë vit.

Skulptura

1. Tema kryesore është punimi i bucetave të skulpturës të tri figurave të Lidhjes së Prizrenit, të Ymer Prizrenit, Sylejman Vokshi dhe Avdyl Frashërit.
2. Kompozicioni struktural i bucetave nuk duhet të jetë më i lartë se 50 cm.
3. Bucetat e skulptura ve duhen te jenë të punuara në këtë vit. Çmimet shpërblyese për pikturat dhe bucatat e tri vendve të para do të jenë:

• Cmimi i parë: 500 €
• Cmimi i dytë: 300€
• Cmimi i tretë: 200 €

Përparësi për përkrahje do të kenë veprat artistike të cilat në përmbajtje e tyre reflektojnë me karakter:

• profesional, artistik, tematik dhe përmbajtjesor;
• stimulues, të cilat kanë për qëllim evidentimin e talenteve të reja me ide të veçanta kreative;
• tradicional, përmes të cilave do të promovoheshin vlerat kulturore mbarëkombëtare; • inovativ dhe kritik të cilat, me formën, përmbajtjen, frymën dhe mënyrën e realizimit të tyre, paraqesin risi për ambientin tonë krijues;

Përzgjedhja e veprave me te suksesshme do të bëhet nga Juria profesionale e SKQ-së Buceta e skulpturës e cila do të merr vendin e parë…ajo do ta fiton te drejtën qe te realizohet në Statujë të derdhur në bronz, në hapësirat e Kompleksit të Lidhjes së Prizrenit. (kriteret dhe kushtet për realizimin e saj, do të bëhet me marrëveshje paraprake në mes të autorit dhe Sekretariati i Komisionit Qeveritar. Punimet, duhen të dorëzohen me së largu deri me 31.05.2018 në Bibliotekën Kombëtare në Prishtinë, te Sekretariati i Komisionit Qeveritar./ KultPlus.com

Dua Lipa, imazhi i fundit i ballinës së revistës Elle (FOTO)

Këngëtarja Dua Lipa është pjesë e ballinës së numrit të fundit të revistës “Elle UK”, shkruan KultPlus.


Këngëtarja shqiptare, Dua Lipa ka publikuar disa fotografi të revistës, ku shpërfaq bukurinë e saj natyrale. KultPlus ju sjellë këto fotografi të veçanta të këngëtares, ku ajo shihet me veshje e pozita të ndryshme.


Dua Lipa së fundmi ka publikuar edhe videoklipin e këngës më të re “One Kiss”, ndërsa së fundmi ka realizuar disa koncerte në Japoni./ KultPlus.com

Rita favorite për anëtare të jurisë në “X Factor”

Rikthimi i Mel B në jurinë e “X Factor” është vënë në dyshim shkaku i problemeve familjare dhe këngëtarja Rita Ora është favorit për ta zëvendësuar anëtaren e “Spice Girls” në ulësen e gjyqtarëve.

Ylli me prejardhje nga Kosova pritet të kthehet në ulësen të cilën e shijoi para tre vjetësh, shkruan tabloidi britanik “The Sun”.

Kandidate tjera për ulësen në “X Factor” janë edhe Cheryl, Alesha Dixon, Kylie Minogue dhe Mariah Carey./ KultPlus.com

Ndahen çmimet “Shkencëtar i ri i vitit 2018”

Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT) sot ka bërë ndarjen e çmimeve të garës “Shkencëtar i ri i vitit 2018” për nxënësit e klasave 10-12 në komunën e Prishtinës dhe atë të Ferizajt në fushën e shkencave natyrore.

Vendin e parë nga komuna e Prishtinës e ka zënë Art Berisha nga gjimnazi “Sami Frashëri”, kurse vendin e dytë Altina Aliu po ashtu nga kjo shkollë, ndërsa vendi i tretë iu nda Redon Durajt nga shkolla e mesme e lartë “Ahmet Gashi”.

Nga komuna e Ferizajt vendi i parë iu nda Shkodran Hasanit, vendi i dytë Çlirimtare Ramadani, kurse me vendin e tretë u shpërblye Enis Vladi, që të gjithë nxënës të gjimnazit “Kuvendi i Arbrit”.

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, tha se do të krijojnë kushte për të rinjtë, me qëllim që ata të tregojnë potencialin.

“Për angazhimin e vazhdueshëm që ne të rinjtë tanë t’i kemi të dalluar në shkenca natyrore që është vërtet një fushë recidive në Kosovë dhe po kemi problematika të vazhdueshme dhe kjo po tregon se kur ne iu ofrojmë kushte dhe angazhohemi gjithë së bashku të rinjtë tanë janë të gatshëm edhe të zhvillohen, edhe të jenë ata që neve na bëjnë krenar. Ne po themi vazhdimisht që të rinjtë tanë janë vërtet ata të cilët janë e ardhmja e vendit tonë, sepse konsiderojmë që pasuria kryesore e Kosovës janë të rinjtë dhe ne duhet që të gjithë së bashku t’u krijojmë kushte në mënyrë që të këta të rinj të tregojnë realisht atë potencial që ne po e themi se janë e ardhmja e vendit tonë”, tha ministri Bytyqi.

Fituesi i vendit të parë nga komuna e Prishtinës, Art Berisha këtë çmim e konsideron si një motiv për të punuar më shumë në të ardhmen. Ai tha se në Kosovë nuk ka perspektivë për të rinjtë e sidomos për ata që merren me shkencë.

“Përkrahjen më së pari e kam pasur nga familja edhe nga profesorët…nuk ka edhe aq perspektivë, por besoj që do e ndërtojmë ne të rinjtë tash e tutje”, u shpreh Berisha.

Ndërsa, i lumtur për çmimin e parë u shpreh edhe Shkodran Hasani, i cili tha se si shkencëtar i ri më së shumti i pëlqejnë lënda e kimisë dhe fizikë për të cilat edhe më parë është shpërblyer.

“Po, kam pasur edhe çmime të mëhershme sigurisht që kjo ka qenë një garë, e cila më ka motivuar edhe më shumë me vazhdua me studiua shkencat e natyrës dhe kjo ka qenë një arritje e lartë për mua. Më së shumti me kimi dhe fizikë. Kam qenë në garat e fizikës tani që janë mbajtur ku e kam marrë vendin e dytë dhe në të kimisë kam qenë edhe aty që janë organizuar nga Mehmet Akif. Sigurisht, jemi shtet akoma i ri po megjithatë motivimi dhe perspektiva për të studiuar këtu nuk mungon”, ka deklaruar Hasani.

Zyrtari i lartë nga Drejtoria e Arsimit në komunën e Prishtinës, Fatos Osmani bëri të ditur se në këtë komunë kjo garë organizohet për herë të tretë. Sipas tij, qëllimi i garave të tilla është të identifikohen dhe mbështetën talentet e ri shkencëtarë.

“Po shpresojmë që një garë e tillë në vitet në vijim të jetë edhe më e gjerë dhe të përfshihen të gjitha komunat e Republikës së Kosovës ku qëllimi i garës është që t’i identifikojmë talentet e rinj, t’i mbështesim dhe t’i promovojmë vlerat e tyre”, tha ai.

Edhe Sadie Hajdini nga Drejtoria e Arsimit në komunën e Ferizajt tha se gara të tilla ndikojnë edhe në rritjen e cilësisë së arsimit.

MASHT gjatë kësaj ceremonie ka ndarë mirënjohje edhe për drejtoritë e arsimit në komunën e Prishtinës dhe Ferizajt.

Ndryshe, garat për “Shkencëtari i ri i vitit 2018” për klasat 10, 11 dhe 12 janë mbajtur më 26 mars 2018 në fushat e shkencave natyrore dhe aty kanë qenë të përfshira nxënësit e komunës së Prishtinës dhe Ferizajt./ KultPlus.com

Lirohet aktori Mensur Safqiu

Burime të KALLXO.com kanë mësuar se aktori Mensur Safqiu lirohet nga mbajtja në polici.

Atij i janë shqiptuar dy fletëparaqitje, për njëra për vozitje në rrugë njëkahore dhe tjetra për mosbindje ndaj policisë.

Safqiu ishte shoqëruar sot në mëngjes në polici.

KALLXO.com kishte mësuar se Safqiu është shoqëruar nën arsyetimin se banorët janë ankuar pasi që kishte bllokuar rrugën njëkahëshe me veturën e tij.

Pas marrjes së informatës policia kishte shkuar në vendin e ngjarjes dhe më pas ishte shoqëruar në polici për shkak të mospërfilljes së urdhrave të zyrtarëve policorë.

Atij i ishte konfiskuar vetura pasi në të ishin gjetur disa lëndë të dyshuara të lëngshme të cilat janë dërguar në laborator për analiza.
Mensur Safqiu është njëri ndër tre aktorët kryesorë të grupit të njohur të humoristëve kosovarë “Stupcat”.

“Rizgjimi magjik”, udhëtim teatror në natyrë i fëmijëve

Femijët e talentuar të Qendrës Kombëtare të Kulturës për Fëmijë (National Cultural Children Center) do performojnë me talentin e tyre në spektaklin “Rizgjimi magjik” pranë sallës së Teatrit të Kukullave, në Tiranë.

Ky spektakël do të jap një mesazh sensibilizues për artdashësit pasi tregon përkujdesin e brezit të ri për të mbrojtur dhe për tu kujdesur për natyrën .

“Rizgjimi magjik” është një përrallë ekologjike, protagoniste e së cilës është “Nëna Natyrë”, metaforë e një komuniteti të kujdesshëm kundrejt ambientit që na rrethon.
Një udhëtim teatror në natyrë ku flutura, lule, pemë… mundohen të hyjnë në një kopësht i cili transformohet me kalimin e stinëve.

Një rrugëtim i shkurtër edukativ në botën e muzikës klasike dhe poezisë simboliste, për të gjithë fëmijët, prindërit, gjyshërit dhe mësuesit, ku gërshetohen muzika e Antonio Vivaldit dhe poezia e Asdrenit.

Premiera ambientaliste “Rizgjimi magjik” do të shfaqjet për publikun pranë sallës së Teatrit të Kukullave më datë 11 Maj, ora 18:00./ Ata

Atëherë

Poezi e shkruar nga Jacques Brel.

Në se të duhen trena për t’ia mbathur botës
E anije me vela që udhëtimesh të shpien larg
Për të kërkuar diell që t’a mbash në sy
E kengë që ti lehte mund t’i kendosh
atëhere …

Në se të duhet agimi për të besuar të nesërmen
Dhe të nesërmen që të mundësh të shpresosh
Për të gjetur shpresën që të kap për dore
Për të gjetur dorën që ti ke braktisur
Atëhere …

Në se do të dëgjosh rrëfime e fjalë të moçme pleqsh
Për t’u ngushëlluar për ato që s’ke bërë dot
Në se poezia për ty humbet vlerë e bëhet lojë
E në se jeta jote nuk është veç një pleqëri
Atëhere …

Në se do të duhet pak mërzitje për t’u dukur i thellë
A rrëmujë qytetesh për të harruar çdo zhgënjim
E pastaj delikatesë për t’a ndjerë vehten të denjë
E pastaj zjarr e nevrik per t’u dukur i fortë trim
Atëhere…

Atëhere ti s’ke kuptuar asgjë …

Figura e Skënderbeut, frymëzim dhe për brezin e ri (FOTO)

550-vjetori i vdekjes së Heroit Kombëtar, i kthyer tashmë edhe në një tur aktivitetesh për shkak të shpalljes së vitit 2018 dhe si “Viti Mbarëkombëtar i Gjergj Kastriotit Skënderbeut”, ka marrë vëmendje të madhe edhe nga nxënësit e shkollave.

Në këtë kuadër Muzeu Historik Kombëtar dhe shkolla 9-vjeçare “Jeronim De Rada” organizuan një aktivitet mbi figurën e Heroit tonë Kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeu.

Viti Mbarëkombëtar i Gjergj Kastriotit Skënderbeut bëri që fëmijët e shkollës 9-vjeçare “Jeronim De Rada” në Tiranë të mund të realizojnë krijime origjinale siç ata e përceptojnë Heroin Kombëtar.
Fëmijët e talentuar të frymëzuar nga historia e betejave dhe ngjarjeve të rëndësishme të kohës, por dhe armët e përkrenarja e tij, kishin përgatitur punime të realizuara në pikturë dhe një program festive-edukativ me dramatizime, këngë e valle patriotike dhe ese mbi figurën e Skënderbeut.

Aktiviteti që u zhvillua edhe nën moton “Edukimi mbi dhe përmes kulturës”, u organizua nën kujdesin e Sektorit të Programeve Edukative. Në emër të drejtorit të Muzeut Historik Kombëtar, Dorian Koçi, aktivitetin e përshëndeti dhe specialistja e Sektorit të Programeve Edukative, Sonjela Babaliu, e cila falenderoi shkollën “Jeronim De Rada” për bashkëpunimin./ Ata/ KultPlus.com

Nga Zvicra dhe Spanja me biçikleta në Parqet Natyrore Shqiptare (FOTO)

Parku Kombëtar Shebenik – Jabllanicë ka qenë destinacioni i preferuar i dy prej Rojeve Mjedisore( rangers), Marleen nga Zvicra dhe Serafin nga Spanja, që janë duke bërë një tur me biçikleta nëpër Shqipëri, ku kanë kërkuar dhe informacionin e nevojshëm për iteneraret dhe parqet natyrore më të bukura të Shqipërisë.

Ata kanë kërkuar informacion për peizazhet natyrore që shtrihen përgjatë rrugës Korçë drejt Tiranës dhe “Shoqata e Parqeve në Shqipëri” ju ka sugjeruar Parkun Kombëtar “Shebenik – Jabllanicë”.

Në mëngjesin e ditës së djeshme ata u gjendën pranë zyrave të AdZM Elbasan ku morën një informacion të detajuar rreth vlerave natyrore të parkut, u paraqitën në Qendrën e Vizitorëve në Fushë Studën dhe bënë një vizitë në park duke ndjekur një shteg të shkurtër buzë liqenit të Fushë Studës.

Të kënaqur nga natyra e mrekullueshme e parkut kanë vendosur të qëndrojnë këtu edhe sot për tu njohur më mirë me vlerat natyrore të parkut. Natyra Shqiptare çdo ditë e më tepër po tërheq vëmendjen e vizitorëve të huaj./Ata/ KultPlus.com

Dua Lipa publikon prapaskenat e videoklipit “One Kiss” (VIDEO)

Dua Lipa së fundmi ka publikuar videoklipin e këngës më të re “One Kiss, të cilën e ka sjellë në bashkëpunim me DJ-n e njohur Calvin Harris, shkruan KultPlus.

Dje ajo ka publikuar momentet gjatë realizimit të videoklipit, duke treguar kështu gjithë procesin e punës deri në finalizimin e videoklipit. KultPlus ju sjellë këtë video me anë të së cilës mund të shihni shumë nga procesi i realizimit të videoklipit të këngës “One Kiss”.

Fama e Dua Lipes tashmë është shtrirë në mbarë botën ndërsa ajo po vazhdon koncertet në skena të vendeve të ndryshme. Ylli botëror pritet që gjatë kësaj vere të realizoi një koncert në vendlindjen e saj, në Prishtinë. / KultPlus.com

Lufta e fundit në Kosovë përmes një filmi në Arizonë (VIDEO)

Rina Hajra, aktore, skenariste dhe producente e filmit “My Sekret War” (“Lufta ime e fshehtë”), është një vajzë e re shqiptare, e cila gjatë luftës ishte detyruar që së bashku me familjen, si mijëra shqiptarë të tjerë, ta lëshonte Kosovën për t’i shpëtuar gjenocidit serb dhe kishte shkuar refugjate në SHBA.

Vite më parë ajo ka mbaruar studimet për aktrim dhe për drejtësi (të dyja njëkohësisht), në Universitetin Shtetëror të Arizonës (Arizona State University). Gjatë katër viteve ajo ka marrë bursë të plotë nga Universiteti, pasi që në të gjitha lëndët ishte vlerësuar me notën më të lartë A dhe A+. Temë diplome në drejtësi ka pasur Gjykimin e Millosheviqit në Hagë, ndërsa për temë diplome në aktrim ka shkruar dhe ka vënë në skenë dramën “Puhiza dhe Toka”, kushtuar luftës së Kosovës dhe në këtë dramë ka luajtur edhe rolin kryesor. Drama ishte vlerësuar shumë nga profesionistët dhe ishte pritur jashtëzakonisht mirë nga spektatorët.

Pas diplomimit, Rina, e cila ka pasion filmin, kishte vendosur që në bazë të kësaj drame ta shkruante skenarin e filmit “My Sekret War” (“Lufta ime e fshehtë”). Pothuaj gjysma e filmit është xhiruar dhe së shpejti do të xhirohen edhe skenat e mbetura dhe filmi, shpreson autorja, do të jetë gati për t’u shfaqur brenda 2-3 muajsh.

Filmi është një dramë psikologjike e luftës për shpengimin, faljen dhe efektet e luftës. Një vajzë e re ballafaqohet me vendimin e errët që ajo kishte qenë e detyruar ta bënte si fëmijë i luftës. Filmi fokusohet në psikologjinë e njeriut, se si e gjen forcën që t’i tejkalojë tragjedinë e sfidat dhe çfarë pasoja të tmerrshme shkakton lufta. Rina do që ky film t’i frymëzojë njerëzit të jenë më paqesorë, të luftojnë për drejtësi, ta kuptojnë tragjedinë e luftës dhe t’u japë forcë njerëzve që t’i tejkalojnë të këqijat në jetën e tyre.

Ideja i kishte lindur Rinës nga lufta e Kosovës. Ja ç’thotë ajo thotë për përvojën e saj të luftës: “Fëmijët e refugjatëve e përjetojnë dy herë luftën. Një herë si fëmijë (nëse kanë moshën që të kenë kujtime) dhe dy, vuajtjet e familjes së ngushtë e të gjerë, rrëfimet që i dëgjojnë prej prindërve. Më kanë frymëzuar ngjarjet e luftës, – vazhdon Rina, humbja e njerëzve të pafajshëm, sakrifica e prindërve të mi, aksidenti gati fatal i tezes sime gjatë një proteste në prag të luftës, rrëfimet e familjarëve dhe të njerëzve të tjerë. Më në fund, kam dashur vetë të kuptoj më shumë pse shkaktohet lufta, pse njerëzit masakrojnë të pafajshmit, pse ndodh gjenocidi. Kam dashur të bëj një katarzë, një pastrim moral të shpirtit. Kam shumë besim që do të dalë një film i mirë, por filmi ka nevojë për fonde të mëdha. Kur i kam hyrë punës për realizimin e këtij projekti, jam bazuar në fondet e mia e të familjes, por megjithatë më duhen më shumë fonde për ta realizuar filmin me sukses të plotë dhe për të marrë pjesë në festivale të ndryshme të filmit.

Filmi është një testament i fuqishëm për elasticitetin njerëzor dhe fuqinë e faljes. Është një film i ndërgjegjes shoqërore që shqyrton temat e mizorisë njerëzore, të refugjatëve dhe çfarë do të thotë të kesh një shans të dytë në jetë.

Sinopsisi i filmit është ky: Një vajzë e pafajshme ballafaqohet me mizoritë e luftës. Në momentet e terrorit, ajo zbulon një sekret të dy ushtarëve mizorë. Ajo zbulon një sekret që thyen identitetin dhe moralin e saj. Dhjetë vjet më vonë, e vendosur në një qytet në Amerikë, ajo takon një mik nga e kaluara e saj, i vetmi person që mund ta zhbllokojë sekretin e saj. Do ta zbulojë sekretin e saj e të lirohet nga dhembja, apo do të shkaktojë më shumë shkatërrime.

Përgatitjet për këtë film dhe realizimi i këtij filmi ka kohë që kanë filluar. Skenat e fundit të filmit, siç u tha dhe më lart, do të përfundojnë nga fundi i këtij muaji, natyrisht nëse sigurohen të gjitha mjetet e nevojshme financiare, ndaj çdo ndihmë financiare, sado e vogël të jetë, është e mirëseardhur.

Disa skena nga filmi “My Sekret War” (“Lufta ime e fshehtë”)

Të premten lansohet bashkëpunimi i Ritës me Beben

Dy këngëtaret shqiptare me famë botërore, Rita Ora dhe Bebe Rexha, këtë të premte do të lansojnë këngën e re.

“Girls” titullohet kënga që përpos dyshes shqiptare ka bashkuar edhe këngëtaret Cardi B e Charli XCX.

Kënga “Girls” është pjesë e albumit të ri të Rita Orës, i cili pritet të publikohet në vjeshtën e këtij viti, ndërsa flet për marrëdhëniet shumë të afërta mes vajzave./ KultPlus.com

GIRLS – COMING FRIDAY 💕 @iamcardib @BebeRexha @charli_xcx

A post shared by RITA ORA (@ritaora) on

Kosova, nga “Naçertania” e deri te pavarësia: Vepra e Jahja Llukës, botohet në anglisht

Strategjia serbe për asgjësimin e shqiptarëve në Ballkan dhe rezistencën e shqiptarëve vjen përmes librit të Jahja Llukës të botuar në gjuhën angleze, “Kosovo from ‘Naçertanie’ to Independence (1844-2008)” (“Kosova nga ‘Naçertania’ deri te Pavarësia (1844-2008)). Kjo vepër është në formatin e një botimi akademik dhe universitar.

“Vështrimi i ri teorik që sjell autori Jahja Lluka, është një risi në fushën e historisë dhe në atë të marrëdhënieve ndërkombëtare”, thotë recensentja Irna Peshkepia – Dobi.

Sipas saj, autori vjen me fakte të reja në këtë botim, “duke na pasqyruar në detaje situata dhe ngjarje të historisë së Kosovës; duke ilustruar gjithë strategjinë serbe ndër vite për asgjësimin e shqiptarëve në Ballkan dhe na vendosë përpara një panorame shumë dinjitoze të qëndrimit dhe mbijetesës shqiptare kundrejt hordhive serbe”.

Baza e konfliktit shqiptaro-serb qëndron në mitizimin e historisë së Serbisë, sipas së cilës çdo territor ku ka kisha e manastire serbe, është dhe duhet të jetë territor i Serbisë.

“Shkak i këtij konflikti është, gjithashtu, miti nacionalist serb i viktimizimit, i cili prodhon deduksionin se serbët fitojnë në luftë dhe humbasin kohë në paqe. Ky mit hipotetik nacionalist e ka zanafillën e ushqyerjes tek popullata serbe, hierarkia e Kishës Ortodokse të Serbisë të cilët e thelluan ketë konflikt për shekuj me radhë”, shton ajo. “Zhvillimet në Kosovë dhe konflikti i saj me Serbinë, kanë qenë dhe mbeten prioritet i shumë studiuesve, por risia e këtij libri qëndron pikërisht në faktet dhe argumentet historiko-politike, ku marrëdhëniet dhe konfliktet ndër etnike vëzhgohen në këtë studim në raport me marrëdhëniet ndërkombëtare”. /Telegrafi/ KultPlus.com

Arrestohet aktori Mensur Safçiu

Policia e Kosovës e ka konfirmuar arrestimin e aktorit kosovar Mensur Safqiu. Flora Ahmeti, zëdhënëse e Policisë, ka treguar shkurt për arrestimin në fjalë.

“Sot rreth orës 08:00 në mëngjes Policia ka arrestuar një person në Mëhallën e Muhaxherëve”. Sipas saj, i arrestuari është duke u intervistuar.

“Ende nuk dihet motivi i arrestimit derisa të përfundojë marrja në pyetje e të arrestuarit”, ka thënë ajo për Express.

Ndërkohë, në fotografitë e publikuara shihet se Policia kishte bllokuar rrugën për ta kontrolluar veturën e aktorit. Ndërkaq, ende nuk dihet arsyeja e arrestimit. KultPlus.com

Piktura e Picassos shitet për 115 milionë dollarë

Natën e parë u thye rekord në ankandin treditor me veprat e koleksionit privat të David Rockefellerit, ku u mblodhën 544 milionë euro në New York – një shumë që tashmë tejkalon vlerësimin e gjithë listës së shitjes me 1 mijë e 600 artikuj, që është parashikuar të thyejë rekord me 1 miliard dollarë.

Në mesin e veprave të artit të nxjerra në shitje nga shtëpia e ankandeve “Christie’s” në Manhattan, ishte vepra nga e ashtuquajtura rozë e Pablo Picassos që u shit për 115 milionë dollarë (97 milionë euro) dhe piktura e Monetit nga seria e tij e kopshteve që u shit për çmim rekord prej 84.7 milionë dollarësh (71 milionë euro), shkruan The Guardian.

Në aksion u shitën 44 lote në total nga koleksioni i artit modern të sektorit të miliarderëve të naftës, duke përfshirë vepra të njohura nga Paul Gauguin dhe Henri Matisse.

Por pika kryesore e shitjes në New York ishte “Young Girl with a Flower Basket” (Vajza me buqetë lulesh) një vepër e vitit 1905 e Piacassos, që u shit për 115 milionë dollarë, çmimi i dytë më i madh i një vepre të këtij artisti e shitur në ankand./ KultPlus.com

Në Galerinë Qahili vijnë besëtytnitë e grave shqiptare ndër vite

Alberina Haxhijaj

Gratë në Kosovë me vite besëtytnitë e tyre i kanë shfaqur përmes punimeve.

Vite më parë kur rrobat bëheshin nga gratë e familjes, Dielli dhe Hëna dhe elemente të tjera nuk mungonin në punët e tyre. Madje ato ngulnin këmbë që anëtarët e familjes të mbanin hajmalia, një dhëmb ujku apo një dhëmb qengji, diçka të kaltër, apo një gjarpër të punuar me rruza, e disa edhe fije të kashtës. Gjithë kjo pasi ato besonin që këto do i mbronin anëtarët e familjes të cilët i kishin për zemër.

Mirëpo të gjitha këto elemente jo vetëm që e bënin më të bukur punën e tyre, mirëpo edhe nxjerrnin në pah kulturën e vendit dhe besëtytnitë e popullatës.

Një kulturë që është përcjellë prej gjeneratës në gjeneratë, elemente të ndërlidhura me karakteristika pagane e që i kanë lënë çdo herë mbresa Nexhmi Bardhit, koleksionuesit të punimeve, u prezantuan sonte në një ekspozitë interesante në Galerinë Qahili në Prishtinë.

Qorapa, hajmalia, shami të kokës, dorëza, jelekë, qilima, shoka (kollana), byzylyk të dorës, qafore ishin vetëm disa nga punimet që u prezantuar në ekspozitën “Aura”, shkruan KultPlus.
Ekspozitë të cilën vetë Bardhi e quan ‘ekspozitë të gjysheve dhe nënave tona’, kjo pasi që sipas tij të gjithë mund të kujtojmë nënën apo gjyshet tona teksa kanë qepur punime të tilla apo na kanë treguar për fuqinë dhe mbrojtjen që të ofron dhëmbi i ujkut apo elementet tjera.

“Kjo ekspozitë është kryesisht ekspozitë e gjysheve tona. Është interesante, pasi është vetëm e grave çka do të thotë se historikisht gjyshet tona kanë qenë shtylla e shtëpisë. Këto janë eksponate të punuara me dorë dhe në kohën kur janë punuar nuk ka pasur mjek, rrobaqepës, pra të gjitha punët i kanë bërë nënat tona. Ndërsa kësaj here i kam paraqitur vetëm simbolet e shenjat, e që paraqesin një dashuri ekstreme të nënave ndaj fëmijëve të tyre”, tha Nexhmi Bardhi për KultPlus duke shtuar se këtu paraqiten vetëm 10% e eksponateve që ai posedon.

Karakteristika më e bukur që hulumtuesi ka gjetur është fakti se secila vajzë kur është bërë nuse ka mbajtur ngjyrën e kaltër.
“Ngjyrë e cila për ne është e para. Nuk ka nuse e cila nuk ka pasur një kalavesh të kaltër. Pastaj një karakteristikë tjetër është e që nuk besoj që e kanë të tjerët është edhe fakti se dy ekspozita i kanë bërë gratë e popullit tonë”, tha ai duke sqaruar se gratë shqiptare ekspozitën e parë e kanë pasur kur kanë ekspozuar punimet e tyre para martesës “paja” apo “çejzi” dhe pas martesës kur punëdoret e tyre i kanë ekspozuar në shtëpinë e burrit.
“Kur i shikoni këto eksponate e vëreni që ato ju takojnë krejt Kosovës. Gratë i kanë punuar me dorë dhe janë eksponate të përgjithshme e që më shumë ju takojnë viseve rurale”, sqaron Bardhi i cili tregon se këtë punë e ka trashëguar edhe vetë nga nëna e tij.

Një grua e fortë e cila ka jetuar 91 vite dhe që gjatë këtyre viteve dashurinë për këto punime e ka kultivuar edhe te biri i saj i cili më pas studioi për dizajn dhe punoi si profesor. “Në familjen time nuk ka pasur artist përveç nënës sime e cila me punën e saj për 91 vite ka qenë artiste”, theksonte me krenari ai.

Në anën tjetër me këtë ekspozitë shënohen edhe 5 vite punë që nga themelimi i Galerisë Qahili. Nita Qahili tregoi se kjo ka qenë një rrugë e gjatë mirëpo e cila ka përfunduar shumë shpejtë pasi prapa saj ka pasur rezultate dhe kujtime shumë të bukura.

“Para pesë viteve kemi qenë me stres. E kemi ditë çka po dojmë prej Galerisë, çka kemi me investuar në art mirëpo jo edhe sa ka me funksionu puna jonë. Për këto pesë vjet kemi pasur aktivitete të ndryshme artistike, kemi sjellë artistë ndërkombëtarë, kemi promovuar artistë të rinj, dhe shumë aktivitete të tjera”, tha ajo për KultPlus.
Ekspozita “AURA” do të qëndrojë e hapur në Galerinë Qahili deri më 16 maj. / KultPlus.com

Dramaturgu Jeton Neziraj, Evropiani i Vitit

Dramaturgu kosovar, Jeton Neziraj është shpallur “Evropiani i Vitit” për 2018 -ën, si individi që ka promovuar idenë dhe vlerat evropiane më së miri në Kosovë.

Ky çmim iu nda nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, që ka krijuar tashmë traditë tre vjeçare për të nderuar përmes këtij çmimi individë apo institucione që promovojnë idenë evropiane në Kosovë. Këtë çmim Nezirajt ia ndau Majlinda Kelmendi që ishte e para që u nderua me këtë çmim para tre vitesh. Në ceremoninë e ndarjes së këtij çmimi u theksua nder tjerash se Kosova ka bërë progres të mirë në rrugën e saj drejt integrimeve evropiane, porse ka ende shumë punë për të bërë, sidomos në sundimin e ligjit, transmeton kp.

Shefja e zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Natalya Apostolova, tha se sot po shënojnë punën jashtëzakonisht të madhe që BE-ja po bënë në Kosovë. / KultPlus.com

Donart Rexhbogaj vjen me librin e parë me poezi

“NJI Z” quhet libri me poezi i krijuesit të ri, studentit të letërsisë, Donart Rexhbogaj.

Libri ka dalë nga shtypi më datë 7 maj 2018 nga shtëpia botuese “Rozafa”.

Libri përmban gjithsej 84 faqe, i ndarë në 4 cikle:
1. Fjala lindi fjalën
2. Gjetje
3. Udha
3. Nga arka e kujtesës

Përmbledhjen poetike “NJI Z” e mbizotëron dialekti gegë, po ashtu edhe gjuha standarde, të cilat janë të ndara varësisht prej cikleve.

Donart Rexhbogaj u lind në Pejë më 23 nëntor 1996. Shkollën fillore dhe të mesme i kreu në Pejë. Është student i vitit të tretë në degën e Letërsisë shqipe në Universitetin e Prishtinës. Ka publikuar shkrime letrare në revista dhe gazeta të ndryshme.

Ky është libri i tij i parë me poezi. / KultPlus.com

Eleni Foureira ‘pushton’ toplistat e rreth 30 shteteve në Europë

Pas performancës së mbrëmshme në Eurovizion, këngëtarja Eleni Foureira ka pushtuar toplistat e disa shteteve në Evropë.

Përfaqësuese e Qipros në këtë Eurovizion – Festivalin e madh muzikor në Evropë, Eleni Foureira është numër 1 në toplistën zyrtare muzikore në Qipro.

Në Greqi ajo është në vendin e dytë, ndërsa në Estoni në vendin e pestë.
Kënga “Fuego” është momentalisht në vendin e nëntë në Suedi, në vendin e dhjetë në Spanjë, në vendin e 33-të në Izrael, në vendin e 35-të në Norvegji.

“Fuego” që u kualifikua për në finale e Eurovizionit me datë 12 maj, është edhe në toplistat e Portugalisë, Belgjikës, Francës, Austrisë, Irlandës, Finlandës, Anglisë.

Vlerësoje veten

Paulo Coelho

Vlerësoje veten për atë që je, sepse ti je dashuri
Nga ato dashuri që i kërkon në çdo gjë e në çdo vend.
Mirëprite atë që je, sepse ti je ai që kërkon të jesh
ai që do të jesh, ti je jeta që krijon jetën tënde.
Pranoje veten, dashuri e dashurisë tënde,
sepse ti je ai që ke gjithmonë nevojë të jesh.
Buzëqeshi dashurisë që dhuron
sepse ti je ajo lloj dashurie që kërkon në çdo vend,
paqe e shqisave të tua.

Ramë Lahaj me masterklasë në Prishtinë: Fillimisht muzika për mua ka qenë eksperiment

Gili Hoxhaj

Tenori i njohur Ramë Lahaj po qëndron këto ditë në Prishtinë, në kuadër të aktiviteteve për Ditën e Evropës. Ai sot u kthye përsëri në skenën ku performoi një natë më parë, kësaj here para një publiku që përbëhej kryesisht nga të rinj.

Lahaj erdhi për të ndarë një masterklasë me studentë të artit muzikor.

Para kësaj, ai ishte i hapur për të pranuar pyetje nga të pranishmit, që lidheshin kryesisht me eksperiencën e tij profesionale në skenat më të mëdha botërore. Nuk munguan as pyetjet për fillimet e rrugëtimit të tij dhe mungesën e mbështetjes. Ai tha se mungesa e mbështetjes në fillimet e tij është krejt e arsyeshme pasi që edhe për të muzika ka qenë fillimisht një eksperiment.

“Është krejt e logjikshme që s’kam pasur si të kem një mbështetje më të madhe pasi muzika për mua ka qenë një eksperiment që ka ardhë shumë vonë, shumica prej kolegëve dhe studentëve e dinë që unë kam filluar ta studioj pentagramin në një moshë shumë të vonë, në moshën 21 vjeçare dhe sigurisht që komentet s’kanë pasur si të jenë pozitive”, tregoi Lahaj.

Ai u shpreh se ajo që e pengon më së shumti është që në komunitetin muzikor artistik është krijuar një atmosferë jo shumë mbështetëse për njëri-tjetrin.

“Nëse do të mund ta kisha thënë që edhe të largohet ky mentaliteti i pedagogëve të vjetër që mendojnë se vetëm ata dinë dhe s’ka si të jetë ndryshe. Arti nuk është matematikë, ka shumë mundësi për të eksperimentuar dhe ka forma të reja të eksplorimit të artit”, u shpreh Lahaj sot gjatë ligjëratës në Amfiteatrin e Ri të Bibliotekës Universitare.
Të pranishmit ia rikujtuan edhe rëndësinë që ka ai për imazhin e Kosovës, që shpesh herë e ka dërguar emrin e Kosovës në vendet më të njohura të botës. Lidhur me këtë ai tha se ai nuk është as drita e parë e as e fundit e tunelit pasi që Kosova ka shumë ambasadorë të fushave të ndryshme në botë, për të cilët as që dihet.
“Kam pasur fatin të takoj njerëz të suksesshëm të fushave të ndryshme por sa jemi duke u dhënë ne hapësirë atyre që të na promovojnë sa më mirë, sa jemi duke i promovuar që ta dijmë kë ku e kemi dhe sa janë duke kontribuar”, u shpreh Lahaj sot.

Lahaj tha se ka mbajtur në mënyrë vullnetare trajnime në shkolla të mesme dhe në Universitet, në mënyrë që t’i ndihmojë talentët e rinj kosovarë, për të mos u larguar në tërësi nga Kosova dhe aktivitetet këtu.
“Kam ardhur me dëshirën që dy fjalë të mira të eksperiencës time do t’i ndihmojnë dikujt, kanë me i hapë një rrugë apo një vizion. Dëshira ime më e madhe në botë është që ta transmetoj këtë eksperiencë time”, tregoi tenori i njohur Ramë Lahaj.

Viteve të fundit ai ka performuar në shtete të kontinenteve të ndryshme por thotë se tek shqiptarët dhe në Ballkan, ekziston një veçanti që tek muzika funksionon perfekt.
“Tek shqiptarët dhe në përgjithësi në Ballkan ekziston një lloj nervi, një lloj temperamenti që tek muzika funksionon perfekt. Tek arti funksionon perfekt edhe tregimi njerëzor, mënyra se si je rritur, rrugëtimi yt. Besoj se pak shoqëri të tjera e gëzojnë këtë natyrë të funksionimit të dashurisë dhe lidhjet që i kemi”, tha Ramë Lahaj.
Rrugëtimi jetësor nuk ka qenë i mbushur me momente vetëm të mira, edhe tek Lahaj.
Ai tha se ka vetëm një teori, që të punohet shumë dhe që të mos dorëzohesh pasi çdo rrugëtim ka rënie dhe ngritje. Ai tha se ndryshe po ndodhë me gjeneratat e pasluftës.

Pas ligjëratës, Lahaj priti në skenë studentë të muzikës, të cilët i dëgjonte me kujdes, i përgëzonte, i ndalte, këndonte bashkë me ta dhe i sugjeronte me këshilla e me komente.

Tenori Ramë Lahaj po bën karrierë të bujshme muzikore jashtë Kosovës me paraqitjet e tij edhe krahas yllit të madh Placido Domingo. Ai ka qëndruar këto ditë në Kosovë me ftesë të Ambasadores Nataliya Apostolova, nga Zyra e Bashkimit Evropian dhe Qendra Kulturore dhe Informative e Bashkimit Evropian në Kosovë.
Këtyre ditëve ai është dekoruar nga Presidenti – Hashim Thaçi. / KultPlus.com

Ben Blushi përkthehet në italisht dhe ftohet në Sallonin e Librit në Torino

Ben Blushi, një nga autorët më të njohur të letërsisë shqipe do të jetë një ndër të ftuarit e veçantë në Sallonin Ndërkombëtar të Librit në Torino, që do të mbahet nga datat 10-14 maj. Lajmi bëhet i ditur nga Botimet Mapo, që lajmërojnë daljen në gjuhën italiane të romanit “Otello Arapi i Vlorës”.

“Ka vetëm pak ditë që botimet Mimesis në Itali kanë nxjerrë në librari botimin italisht të romanit “Otello Arapi i Vlorës” nën përkthimin e Elda Katorri. Botimi i një romani përfaqësues të letërsisë bashkëkohore shqipe është një ngjarje për letrat shqipe, duke patur parasysh hapësirën që kultura dhe letërsia shqipe ka pasur në tregun e librit të vendit fqinj”, thotë Alda Bardhyli, drejtore e botimeve UET PRESS/Mapo edition.

Në promovimin e librit në gjuhën italiane, në ambientet e Sallonit Ndërkombëtar të Librit priten të marrin pjesë personalitete të njohura të kulturës e njerëz të librit. Prezantimi i librit do të bëhet më 12 maj, ora 10.30 në sallën Internacionale.

“Histori shqiptare në Torino”, me këtë titull histori shqiptare do të rrëfehen në Torino dhe krijimtaria e autorëve të rinj. Autorët e rinj janë : Saimir Muzhaka, përfitues i Fondit të Krijimtarisë Letrare me romanin “Qyteti plak”, Eris Rusi, me vëllimin me tregime “Ëndrra e fundit e natës”, Manjola Nasi me vëllimin me poezi “Një udhëtim e gjysmë”, Elona Çuliq me vëllimin me poezi “Rranjët e kangës” dhe Belfjore Qose me vëllimin me poezi “Aurat e natës”.

Kina nuk e transmetoi performancën e Eugent Bushpepës mbrëmë

Kina nuk e ka transmetuar mbrëmë performancën e Eugent Bushpepsë në Eurovizion. Shteti kinez duket se i ka respektuar rregullat televizive dhe shtetërore dhe ka hasur në probleme me Shqipërinë dhe Irlandën.

Shteti kinez ka rregulla strikte për tatuazhet, dhe meqë Eugenti ka disa tatuazhe atëherë komplet performanca e tij mbrëmë në gjysmëfinalen e parë të Eurovizionit nuk është transmetuar në Kinë.

Hunan TV e ka transmetuar gjysmëfinalen, i ka modifikuar edhe videoklipet e Eugentit në promot e tyre dhe pos Shqipërisë nuk e ka transmetuar këngën nga Irlanda për shkak të dy djemve që vallëzojnë afër njëri tjetrit dhe janë të dashuruar.

EBU- Unioni i Transmetuesve Evropianë ende nuk ka dalë me reagim, shkruan KultPlus.

Të vetmet momente kur Kina nuk i ka prerë Shqipërinë dhe Irlandën nga nata është momenti kur të dyja këngët u futën në finale, pra momenti i zbulimit të finalistëve.

Për herë të parë në Kinë Eurovizioni është transmetuar në vitin 2013-të.

Edhe Eugenti edhe përfaqësuesi i Irlandës, Ryan O’Shaughnessy, futen në finalen e Eurovizionit që mbahet me 12 maj. / KultPlus.com