Kënga e Italisë flet edhe shqip (VIDEO)

Përveç se do te përfaqësohet nga një shqiptar, kënga italiane këtë vit në Eurovision do të ketë përkthim te tekstit edhe ne shqip gjate performances ne finalen e Eurovisionit, shkruan KultPlus.

Këtë e ka bërë të ditur Eurvision Kosovo me anë të një postimi. Teksti i këngës “Non mi avete fatto niente”, i kënduar nga Ermal Meta e Fabrizio Moro, përveç se do të përkthehet në disa gjuhë, teksti i këngës do te ketë edhe fjalë shqipe gjatë kohës sa do te këndoj ne Eurovision me 12 maj.

KultPlus ju përcjellë pamjet ekskluzive nga provat e këngës.

Dukja e Rita Orës ndër vite në Met Gala (FOTO)

Ylli botëror me prejardhje nga Kosova, Rita Ora sonte do të marr pjesë në mbrëmjen e njohur “Met Gala” që do të mbahet në New York, shkruan KultPlus.

Rita Ora është paraqitur edhe viteve të tjera në këtë mbrëmje. Dukja e saj ndër vite është përcjellë më një stil të veçantë në veshje e grim. Para se të shohim dukjen e yllit sonte, KultPlus ju sjellë pesë fotografi që tregojnë për dukjen e saj ndër vite.


Me anë të një postimi, Rita Ora ka falënderuar revistën “Vogue”, për pesë vite të mrekullueshme në Met Gala.
“Po ashtu falënderoj të gjithë kreatoret e talentuar që janë përkujdesur për veshjen time dhe i kanë jetësuar qëllimet tona”, ka shkruar dje Rita Ora./ KultPlus.com

Kultura dhe tradita shqiptare prezantohen në Uashington, interes i madh nga vizitorët (FOTO)

Ambasada e Shqipërisë në SHBA hapi dyert këtë të shtunë , për të tretin vit radhazi për vizitorët dhe qytetarët e Uashingtonit.

Më shumë se 4500 vizitorë patën mundësi të shijonin ushqimin dhe pijet tradicionale të Shqipërisë, të shoqëruar me valle e muzikë nga të gjitha trojet shqiptare.

Ky aktivitet u realizua nën kuadrin Passport DC, Xhiroja e Botës përmes Ambasadave, një program njëmujor që prezanton bashkësinë diplomatike në Uashington së bashku me kulturën e traditat e larmishme që ajo mbart.

E shtuna i mori vizitorët e Ambasadës në një udhëtim të shkurtër në historinë e lashtë dhe në Shqipërinë e sotshme, që nga malet e larta të veriut, ngjyrave të thella të Detit Adriatik e Jon, qytetin e gurtë të Gjirokastrës e atë të një mbi një dritareve, të Beratit.

Në kuadrin e Vitit të Skënderbeut, vizitorët u njohën edhe me historinë e Shqipërisë dhe heroin kombëtar përmes shfaqjes së filmit klasik të Skënderbeut dhe shpërndarjes së materialeve me përmbajtje nga historia e vendit tonë.

Aktiviteti ngjalli një interes të veçantë, ndërsa nuk munguan foto, kartolina dhe albume nga konkursi Colours of Albania, prezantim i kostumeve kombëtare, por dhe disa leksione mbi gjuhën shqipe.

Për herë të parë dhe në veçanti nga përfaqësitë e tjera, aktiviteti kulmoi me organizimin e një shorteu, i cili parashikon një paketë turistike 10-ditore për të vizituar Shqipërinë.

Fituese e këtij shorteu është Yvona, e cila do të ketë mundësi të shijojë një javë në bregdetin e Adriatikut në një nga hotelet më luksoze të ngritura në bregdet.

Më tej, ajo do qëndrojë në Tiranë, për të mësuar historinë, dhe për të shijuar larminë e kryeqytetit, baret, restorantet dhe të gjitha dimensionet e tij./ ATA/ KultPlus.com

Nexhmije Pagarusha: Kurrë s’kam menduar që do të vijë ky moment kaq i rëndësishëm për mua

Donald Trump ka dekoruar këngëtaren e njohur shqiptare, Nexhmije Pagarusha, e cila jeton e punon në Prishtinë.

E ngulitur në mendjen e spektatorëve për këngën e famshme “Zambaku i Prizrenit”, Nexhmije Pagarusha mbledh sot në Tiranë në ditën e 85-vjetorit të saj, figura të rëndësishme dhe intelektualë.

Nga atje, Nexhmije Pagarusha ka falënderuar të gjithë për urimet dhe dashurinë që po i dhurojnë në këtë ditë, ndërsa ka shtuar se kurrë nuk e ka menduar një moment të tillë.
“Kurre s’kam menduar qe do të vije ky moment kaq i rëndësishëm për mua, kaq i dashur. Keto janë momente qe njeriu nuk mundet me i tregu, vetëm shpirti e din sa çka kam përjetuar unë këto dite. Jam shume e lumtur”, ka shkruar ajo në faqen zyrtare të Facebook, shkruan KultPlus.

Kurse presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta ka pritur sot në një takim të veçantë, këngëtaren e mirënjohur Nexhmije Pagarusha.Ai i ka uruar ditëlindjen, legjendës së muzikës së Kosovës, duke shprehur admirim për zërin e saj.

/ KultPlus.com

71 vite nga vdekja e Jani Mingës

Më 7 maj 1947 vdiq Jani Minga, mësuesi patriot shqiptar dhe një ndjekës i dukshëm i Rilindjes Kombëtare të Shqipërisë.

Ai ishte gjithashtu një nga nënshkruesit e Deklaratës së Pavarësisë së Shqipërisë./ KultPlus.com
https://www.facebook.com/photo.php?fbid=10156125846040631&set=gm.1692971924111907&type=3&theater&ifg=1

Lule Elezi prezantohet me koncert në Gjermani, interpreton edhe veprën që i kushtohet asaj (FOTO)

Kalaja Storkow (Mark), në afërsi të Berlinit ishte e mbushur me adhurues të muzikës klasike, të cilët kishin zënë vend për të shijuar tingujt e pianistes së mirënjohur kosovare Lule Elezi, e cila për një orë e 40 minuta ka bërë që të pranishmit e shumtë të shijojnë tinguj nga vepra të mëdha botërore, shkruan KultPlus.

Në koncertin që është organizuar nën patronazhin e kryetares së këtij qyteti, Cornelia Schulze – Ludwig, Lule Elezi ka përcjellë emocion nëpërmjet veprave të njohura nga opusi krijues i kompozitorëve të njohur botëror si : Ludwig van Beethoven , Frederik Shopen…

Mirëpo, e veçanta e kësaj mbrëmje, përpos pianistes shqiptare, ka prezantuar edhe një vepër shqiptare.
Vepra “Flower” e kompozuar nga kompozitori kosovar Kreshnik Aliçkaj, që i është dedikuar po pianistes Lule Elezi, nga vetë Lule Elezi është interpretuar para të pranishmëve si premierë, vepër kjo, sikurse edhe të tjerat është mirëpritur nga audienca gjermane.

“Është një emocion i veçantë kur kompozitorët krijojnë vepra dhe të njëjtën ta dedikojnë. Vepra “Flower” që ka edhe emrin tim, më ka bërë të ndihem shumë mirë, dhe sidomos edhe për faktin që po këtë vepër e prezantova premierë para një audience gjermane, të cilët e kanë mirëpritur jashtëzakonisht mirë”, ka thënë Elezi.

Bëhet e ditur se ky koncert është përcjellë me duartrokitje të gjata nga të pranishmit, ku të pranishëm kishte shumë mysafirë nga jeta politike, kulturore…
Pianistja Lule Elezi është e dëshmuar për koncerte të shumta jashtë vendit, e cila është prezantuar shumë shpesh me koncerte sofistike në vende të ndryshme të botës./KultPlus.com

Haradinaj: Urime për 85-vjetorin e lindjes “Bilbil i Kosovës”

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka uruar këngëtaren, Nexhmije Pagarushën në 85 vjetorin e lindjes.

Haradinaj ka shkruar se diva e këngës, Nexhmije Pagarusha, hyri në mbamendjen e të gjithë brezave, duke lidhur shekujt 20-21 përmes fijeve të arta të muzikës burimore shqiptare.

Haradinaj ka shkruar në Facebook se ajo me “Bareshën” e famshme, dridhi zemrat e adhuruesve të këngës edhe jashtë gjeografisë shqiptare, kudo që u shfaq, duke u dhënë vulën e personalitetit lirik perlave të thesarit shqiptar.

“Urime për 85-vjetorin e lindjes “Bilbil i Kosovës”, urime dekorimi nga presidenti amerikan, Donald Trump, dhe faleminderit që i ke dhënë shumë shpirt e krenari këtij vendi”, ka shkruar ai./ KultPlus.com

GKK së shpejti sjellë ekspozitën “Mjegulla”

Galeria Kombëtare e Kosovës javën tjetër do të sjellë ekspozitën e radhës të titulluar “Mjegulla”, shkruan KultPlus.

Në këtë ekspozitë do të prezantohen punimet e artistëve: Albert Allgeier, Driton Selmani, Fatmir Mustafa-Karllo, Gazmend Ejupi dhe Luan Bajraktari. Kjo ekspozitë vjen e kuruar nga Avi Lubin.
Kjo ekspozitë mëton të mendojë për potencialin që ka realiteti i mjegullt si dhe të reflektojë mbi faktin se mungesa e qartësisë mund të krijojë shtigje të reja të pamjes.

“Çka do të thotë të jesh një shtet pjesërisht i njohur, si Kosova? Çka do të thotë të jesh territor në mosmarrëveshje? Në një kohë të stresit gjeopolitik, frustrimi i momentit aktual politik dhe jostabilitetit, kur nuk dihet se çfarë të pritet dhe si të veprohet”, janë pyetjet që shtjellohen brenda ekspozitës.

Ceremonia e hapjes do të bëhet në Galerinë Kombëtare të Kosovës të enjten, më 17 Maj 2018, në orën 20:00./ KultPlus.com

Galeria Qahili hapë vitin 2018-të me ekspozitën “AURA”

Më 9 maj Galeria Qahili, e hapë programin e saj për vitin 2018-të, me ekspozitën “AURA” nga Nexhmi Bardhi, shkruan KultPlus.

Kjo ekspozitë është e krijuar nga koleksioni i madh etnografik i Bardhit. Përndryshe me këtë ekspozitë shënohen edhe plot 5 vite të themelimit të Galerisë Qahili, duke hyrë në vitin e 6-të.

“Bestytëni! Estetikë e ngjyra që i japin jetë detajeve. Detaje që përcjellin e ritransmetojnë kulturën e traditat e një vendi. Janë këto elemente që i përmban koleksioni i Bardhit. Koleksion i titulluar Aura që mbërthen ideologjinë e Benjamin. Koleksion që përmban në vete një identitet, autoritet si dhe i përket një periudhe kohore. Një numër i madh i elementeve etnografike prezantojnë periudha të ndryshme të trevave të Kosovës. Detaje që e bëjnë një kulturë të zhvillohet.
Një nismë!
Një moment!
Një dëshirë!
Një kujtim!
Një jetë!
Një popull!
Një kulturë!”, një pjesë e konceptit të ekspozitës “Aura”.

Ekspozita, hapet më 9 maj me fillim nga ora 19:00 në Galerinë Qahili./ KultPlus.com

Ilir Meta: Gëzuar datëlindjen e papërsëritshmja Nexhmije Pagarusha

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta ka pritur sot në një takim të veçantë, këngëtaren e mirënjohur Nexhmije Pagarusha.

Ai i ka uruar ditëlindjen, legjendës së muzikës së Kosovës, duke shprehur admirim për zërin e saj.

Presidenti e cilëson si të papërsëritshme dhe mbretëreshë të këngës shqiptare.

“Pata sot privilegjin e veçantë t’i uroj ditëlindjen e jetë sa më të gjatë Mbretëreshës së këngës shqiptare. Admirim e mirënjohje të thellë, për të gjitha emocionet dhe krenarinë që zëri i saj i ka dhuruar kombit në dekada. Gëzuar ditëlindjen, e papërsëritshmja, artistja jonë e madhe, Nexhmije Pagarusha!”, shkruan Meta, duke publikuar edhe fotografitë e takimit./ KultPlus.com

Letër dashuria nga Marquez për të dashurën e tij

“E dashur…

E kam kuptuar që shkrimtari është gjithmonë në luftë me mjedisin në të cilin shkruan, tamam si dashuria që tenton të jetojë përjetësisht. Ja pse nuk prita asnjë sekond tjetër që të ulesha përsëri e të rifilloja letrën që e lashë pa filluar rreth një orë më parë.

Postieri më tha që e kanë zgjatur orarin për të pranuar letra e që për mua do e mbyllte njërin sy edhe për vonesa të tepruara. Me siguri do të ketë lexuar letrat e mia e ka rënë në dashuri me ty. Ja kisha frikën kësaj gjëje, por më mirë ti bëj të tjerët të dashurohen me ty sesa ti të vazhdosh ditët e tua pa ditur se sa lehtë i bën të tjerët të bien për ty duke të parë nëpërmjet fjalëve të mia.

E mban mend fiksimin tonë të hershëm për ëndrrat dhe kuptimet e tyre? E di, nuk arritëm asnjëherë t’ua gjenim fundin e ndoshta kjo është arsyeja se pse më shfaqesh këto netët e fundit kur mbyll sytë. Mesa duket egoizmi i tepruar që ke pasur për të marrë dashuri nuk të qënka shuar fare. Gjithmonë ta kam urryer atë veçori, pasi doemos duhet të jetë një ves, kur pi me litra dashuri e përsëri mendon për gotën e rradhës. Ama e di mjaft mirë që nëse nuk do e kishe atë gjë, une s’do kisha asgjë.

Ja për shembull dje, tek po ecja rrugës për të blerë disa libra të rinj, pasi kam nevojë që të dal nga idetë e djeshme, pashë një vajzë. Nuk ishte aspak si ti, por në mëndjen time imazhi yt ishe gjithçka që shihja. Humba aq shumë në formën e gushës së saj duke pikturuar butësinë e lëkurës tënde, saqë nuk e dëgjova as të kuqen e semaforit që kërcente para syve të mi. Kalova rrugën me shpejtësi që mos ta humbisja fytyrën e saj nga vështrimi im. Në mëndje shpresoja që të mos më vinte re, pasi do e kuptonte menjëherë që po mendoja për ty. E një femre nuk i pëlqen ta shikojnë për një tjetër. Edhe pse në rastin tënd jam i sigurtë që dhe vetë ajo do bënte një përjashtim.

Flokët nuk i kishte aspak si ti. Ja pse mu desh të bëhesha piktor e të kaloja aromën e kaçurrelave të tu nga kujtimet e mia tek mendimet e saj. Mollëzat nuk e kishin aspak atë nuancën ngjyrë ari që krijohet tek ti kur të buzëqeshin sytë, ama bëra më të mirën që munda për t’i dhënë buzëqeshjen që kam kur ti më sheh drejt e në sy.

Në fund mbërrita tek sytë. Ngjyra e tyre ishte gati e njëjtë me të tuat, ama e dija me siguri që i mungonte epshi i egër që ti i jep shikimit kur i lyen buzët me të kuqe. E buzët janë gjithmonë të kuqërremta kur të shikoj tek femrat e tjera. Ndoshta sepse buzët e tua janë të marrosura pas të kuqes. Ose ndoshta sepse gjaku im është i marrosur pas buzëve të tua.

Nëse do ta dija që sot do te ishte hera e fundit që do të të shihja duke fjetur, do të të përqafoja fort, fort dhe do t’i lutesha Zotit që të bëhesha roja e shpirtit tënd. Nëse do e dija se kjo do ishte hera e fundit që do të të shihja të dilje nga dera, do të të përqafoja dhe do të të jepja një puthje dhe do të të thërrisja përsëri që të të jepja edhe të tjera.

Nëse do ta dija që kjo do të ishte hera e fundit që do ta dëgjoja zërin tënd, do të regjistroja çdo fjalë tënden që të mund të të dëgjoja përsëri, përsëri.. Nëse do të dija që këto do të ishin momentet e fundit që do të të shihja, do të të thosha “të dashuroj” dhe do të supozoja jo logjikisht se e dije më parë. Ekziston gjithmonë një e nesërme dhe jeta na jep edhe mundësi të tjera që t’i bëjmë gjërat siç duhet, por nëse bëjmë gabime na mbetet vetëm e sotmja.

Do të doja të të thoja se sa shumë të dua dhe se kurrë s’do të të harroj. E nesërmja nuk është e sigurtë për askënd, si i ri, si i vjetër. Sonte mund të jetë hera e fundit që i shikon njerëzit që do. Prandaj mos prit më, bëje sot sepse e nesërmja nuk vjen kurrë. Sigurisht do pendohesh për ditën kur nuk gjete koheë për një buzëqeshje, një përqafim, një puthje dhe sepse ishe i zënë për të realizuar një dëshirë të tyre.

Mbaji ata që dashuron pranë vetes, thuaju duke mërmëritur se sa shumë ke nevojë për ta, dashuroji, sillu mirë, gjej kohën për ta, thuaju “më vjen keq”, “më fal” , “faleminderit” dhe të gjitha fjalët e dashurisë që di. Asnjëri nuk do të të mbajë mend për mendimet e tua të fshehta…

Gabriel Garcia Marquez”/ Filozofia.al/ KultPlus.com


Mexosopranoja Sanije Matoshi prezantohet me dy koncerte në New York (FOTO)

Mexosopranoja nga Kosova, Sanije Matoshi ka performuar dy mbrëmje radhazi në New York, atje ka performuar me artistë të mirënjohur që jetojnë e veprojnë në New York, shkruan KultPlus.

Koncerti i titulluar “Poetica Musica”, ka qenë nën organizimin e sopranos, Eleanor Valkenburg, ndërsa janë interpretuar vepra te kompozitorëve të cilët kanë vepruar gjatë Luftës se II-të Botërore.
Matoshi në këtë koncert të mbajtur në Long Islan New York, në Old Westbury Gardens, ka interpretuar një cikël këngësh nga kompozitori Manuel de Falla- Siettes Canziones populares Espagnoles, ndërsa është përcjellë më kitarë nga Oren Fader.

Kurse mbrëmë, ajo ka realizuar një koncert tjetër, i cili organizohet nga Albanian-American Cultural Foundation, që udhëhiqet nga Cafo Boga. Ky koncert u mbajt në Symphonyspice Broadëay New York, ndërsa u realizuar për diasporën shqiptare atje./ KultPlus.com


Një angleze e mahnitur nga Skënderbeu

Muzeu Historik Kombëtar çel ditën e martë, datë 08 maj ora 11:30, ekspozitën “Jehona përmes shekujve-Gjergj Kastrioti Skënderbeu” me koleksionin e Patricia Nugee, i cili përbëhet nga 37 libra unikë.

Kjo ekspozitë, mbi figurën e Heroit Kombëtar, i cili ka tërhequr vëmendjen e historianëve, por edhe të shkrimtarëve evropianë përgjatë shekujve, çelet në kuadër të “Javës së Europës” dhe Vitit Mbarëkombëtar të Gjergj Kastriotit Skënderbeu. Një numër shumë i madh autorësh, të epokave të ndryshme historike dhe rrymave të ndryshme letrare, i janë përqasur kësaj figure duke krijuar një mori veprash të gjinive dhe lloje të ndryshme letrare.

Disa vite më parë anglezja Patricia Nugee ka prezantuar në Qendrën Kulturore të ushtrisë këtë koleksion të rrallë me vepra mbi Skënderbeun. Në koleksion janë botime të rralla nga autorë si Lavardin,Jean de Bussieres, Plutarku, Frank Bardhi e Marin Barleti. Nisur nga pasioni I saj mbi historinë Patricia prej vitesh nisi një hulumtim mbi jetën e Skënderbeut, për të blerë më pas çdo libër që fliste mbi jetën e tij. Sot ky koleksion I cili vlen shumë, është një pasuri që e sjell jetën e heroit tonë përmes rrëfimeve tepër interesante. Nugee njihet botërisht dhe është vlerësuar edhe me mirënjohje nga ish-presidenti i Shqipërisë, Alfred Moisiu për pasionin e rrallë dhe koleksionin më të pasur, me më shumë se 500 ekzemplarë, kushtuar heroit tonë kombëtar të shkruar në rrjedhën e shekujve, shkruan GSH.

Sot keni një koleksion të madh librash mbi Skënderbeun. Si u njohët fillimisht me të?

Ka ndodhur shumë vite më parë. Unë punoja në një librari të madhe në Londër, ku kishte libra antikuarë nga e gjithë bota. Një ditë erdhi një klient dhe më pyeti nëse kishim libra mbi Skënderbeun. Unë i thashë që nuk kishim. U bëra kurioze të dija kush është Skënderbeu dhe fillova kërkimet mbi të. Kur mësova se cila ishte figura e Skënderbeut, m’u duk mjaft interesante dhe s’u ndava kurrë më prej tij. Përveçse interesant, ai më shfaqej gjithnjë dhe më i rëndësishëm. Kështu unë bleva librin e parë për të. Libri i takonte vitit 1595. E më pas dalëngadalë, unë bleva libra të tjerë sa herë gjeja botime për të.

Kushtonin shumë librat?

Jo. Kur unë fillova të blija, ishin çmime të përballueshme. Më saktë deri në vitet 1980-1990 ata kushtonin pak, ndërsa pas këtyre viteve kushtojnë një ‘djall e gjysmë’. Edhe me çmime të larta kam blerë dy syresh. Përpiqem të mos humbas ankandet ku di që mund të ketë libra për të, por njëherë edhe e kam humbur.

Prej sa vitesh i koleksiononi këta libra?

Ka më shumë se 30 vite, më shumë se kaq. Janë libra që nuk gjenden shumë lehtë. Kur kam blerë librin e parë ka qenë shumë emocionuese. Kur merresh me koleksionim, duhet të kesh kujdes sepse ndonjëherë nuk janë vërtet libra të vjetër.

Sa libra keni ju për heroin shqiptar?

Libra që janë shkruar përpara vitit 1800, kam rreth 36. Këtu kam sjellë një pjesë të koleksionit tim. Janë libra të shkruar në gjuhë të ndryshme për Skënderbeun dhe nga autorë të ndryshëm. Secili prej autorëve jep dimensionet e tij të mëdha dhe përcjell historinë e luftës së tij. Emrat e autorëve që unë sjell janë Marin Barleti, që ka edhe veprën më të vjetër, 1510; Frang Bardhin origjinal me “Fjalorin” e vitit 1635; Jean Nicolas Duponcet “Historia e Skënderbeut, mbret i Shqipërisë” 1709; Giovanni Maria Biemi me “Historia e Gjergj Kastriotit, i quajtur Skënderbe” 1742; “Ritrati et logi di capitani illustri”, Giulio Rosio 1646; “Scanderbeg: or love and liberty” i Thomas Ëhincap 1747; Jean de Bussieres me “Scanderbeg, poem” 1656-1658; një vepër nga Andrea Gambini 1652; por kam edhe një libër të Plutarkut, ku mes 20 personalitetesh të grekëve e romakëve ndër të tjera vë edhe jetëshkrimin e Skënderbeut. Ky i takon vitit 1657.

Cilët janë më të vjetrit?

Libri më i vjetër është ai i Marin Barletit, “Scanderbeg. Historia de vita et gestis”, i vitit 1510.

Keni lexuar ndonjë prej tyre?

Jo, janë latinisht dhe unë nuk di latinisht. Unë mundem të lexoj frëngjisht, italisht, spanjisht, por vetëm kaq.

Çfarë dini për Skënderbeun?

Jo edhe aq shumë. Unë nuk jam historiane apo studiuese, jam thjesht koleksioniste. Di që ka qenë një prijës mjaft i rëndësishëm dhe i vetmi që ka mundur të sprapsë turqit. Ai vdiq shumë i ri. Mbase ai do të kishte ndryshuar të gjithë Europën dhe pse jo, do t’i kishte mundur turqit sërish. Ata ishin në Shqipëri për 500 vite dhe nuk e lejuan vendin të zhvillohej. Jo vetëm që ju vranë, por dhe nuk u kujdesën për vendin, ndërtuan vetëm disa ura apo disa xhami. Kaq! Nuk lejuan shkollat, nuk lejuan as gjuhën.

Ju keni ardhur disa herë në Shqipëri…

Po kam ardhur disa herë. Kur vij, qëndroj në shtëpinë e Ilir Kadisë, të cilin e njoh prej kohësh dhe kam një raport të mirë me të gjithë familjen e tij.

E njihni historinë e Shqipërisë ndopak?

Di disa gjëra, por edhe po mësoj çdo ditë ndonjë gjë të re.

A ka ardhur ndokush t’ju kërkojë ta blejë koleksionin tuaj?

Po, kanë ardhur. Por unë nuk i shes. Ato janë koleksioni im dhe nuk ia jap asnjërit. Një ditë ai do të kthehet në Tiranë, kur unë të mos jem më.

Ju kanë ofruar para?

Po, shumë para, por unë ndërroj mendje.

Ju njihni shumë shqiptarë, studiues e shkrimtarë. Kanë ndikuar ata në marrëdhëniet tuaja me vendin tonë?

Mbase po. Kam takuar njëherë Moikom Zeqon dhe i ka pëlqyer shumë koleksioni im. Këtë koleksion e kam dërguar në shumë ekspozita, si në Universitetin e Kembrixhit, në BBC Londër, në Shkup, Prishtinë, Ulqin, Kalabri etj.

Keni menduar të shkruani kujtimet tuaja, mbase edhe të flisni për këtë pasion tuajin?

Jo, nuk dua t’i shkruaj kujtimet. Shumë vetë e bëjnë këtë, por mua nuk më pëlqen. Ka qenë një ndër gjërat më të bukura që kam bërë në jetë, koleksionimi i këtyre librave. E them këtë sepse kam takuar njerëz të mrekullueshëm dhe kam mësuar gjëra shumë interesante. Shqipëria është një vend i mrekullueshëm. Unë vij edhe për pushime këtu, e jo vetëm kur kam aktivitete. Kam takuar edhe kryeministrin Berisha dhe i kam folur si burri-burrit (qesh). Ai kishte një sens të madh humori. Mua më pëlqejnë shumë ushqimet shqiptare.

E keni vizituar Kalanë e Krujës?

Po, kam qenë atje dhe më ka pëlqyer shumë, ashtu si edhe Pazari i Krujës. Kishte objekte tradicionale shumë të bukura dhe kam blerë disa gjëra.

Si koleksioniste që interesoheni për Skënderbeun, si i shihni studimet e viteve të fundit, që në një farë mënyre hedhin baltë mbi të?

Ju e keni fjalën për librin e Oliver Shmit. Epo, kam marrë vesh se ka qenë hapur një debat i madh për librin e tij. Mendoj se s’ka thënë asgjë me mend. Jam e lumtur që jam këtu dhe falënderoj Arben Imamin që e bëri të mundur çeljen e kësaj ekspozite me rastin përvjetorit të Kuvendit të Lezhës./ KultPlus.com

Rita Ora, plot stil në revistën “Style” (FOTO)

Revista e modës “Style”, i ka kushtuar një hapësirë të veçantë këngëtares Rita Ora, duke e vendosur atë në ballinë të revistës, shkruan KultPlus.

Rita Ora është shfaqur me veshje unike, e pozita të veçanta duke i dhuruar kështu një freski revistës.

Rita Ora muaj më parë ka krijuar brendin e saj të veshjeve, ndërsa ka paralajmëruar edhe këngën më të re të titulluar “Girls”, në të cilën është e përfshirë edhe këngëtarja tjetër shqiptare, Bebe Rexha./ KultPlus.com

Thaçi dekoron tenorin Ramë Lahaj

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, me medaljen presidenciale të dhjetëvjetorit të Pavarësisë, ka dekoruar tenorin e njohur kosovar, Ramë Lahaj.

Thaçi ka shkruar se Lahaj përmes artit muzikor po shkëlqen kudo në skenat botërore dhe po e afirmon denjësisht emrin e Kosovës.

“Me Medaljen Presidenciale të Dhjetëvjetorit të Pavarësisë e dekorova tenorin e njohur kosovar, Ramë Lahaj. Ai, përmes artit muzikor po shkëlqen kudo në skenat botërore dhe po e afirmon denjësisht emrin e Kosovës”, ka shkruar Thaçi në Facebook./ KultPlus.com

Dua Lipa kalon shifrën prej 10 milionë ndjekësish në Instagram

Derisa ditët po kalojnë, popullariteti i Dua Lipës është në rritje të vazhdueshme.

Këngëtarja shqiptare tashmë e ka siguruar vendin në listën e yjeve të mëdha botërore dhe karriera e saj është në ngritje të përhershme.

Me projektet e saja muzikore, 22-vjeçarja po arrin suksese të jashtëzakonshme në të gjitha platformat ku dëgjohet muzika e saj.

Ndërkohë, ajo nuk i harron edhe fansat e saj në rrjetet sociale, të cilët i mban të informuar për përditshmërinë dhe karrierën e saj.

Kjo ka bërë që numri i ndjekësve në Instagram të kalojë shifrën prej dhjetë milionë, gjë që e ka gëzuar këngëtaren.

Vetë Dua ka bërë një postim që e ka shoqëruar me një fotografi për ta shënuar këtë arritje të rëndësishme./ Telegrafi

“Të dua Arbëri”, koncerti i Arbëreshëve të Italisë në Dibër

Arbëreshët e Italisë mbrëmë mbajtën koncert para spektatorit dibran.

Vizita e tyre në Shqipëri dhe në Dibër vjen në kuadër të projektit “Të dua Arbëri”, një bashkëpunim shqiptaro-italian mes dy shoqatave Albanian Excellence dhe Shoqata “Vorea”.

Në koncert kryesisht u kënduan këngë malli për atdheun e Skënderbeun, për rininë e dashurinë të kënduara me ritëm tresh dhe të shoqëruara nga grupi i vajzave.

Gjuha folklori nga arbëreshët e Italisë janë të ruajtura 550 vjet brez pas brezi ndërkaq këngët për Skënderbeun përbënin kryefjalën e koncertit.
Në këtë mbrëmje u tregua me sinqeritet malli për tokën e të parëve. Ata me dashuri kanë përcjellë mesazhin se si mund të ruhet gjuha e një kombi, traditat dhe mbi të gjitha emrin Arbëresh./ KultPlus.com

Sot Nexhmije Pagarusha feston datëlindjen

Bilbili i Këngës Shqipe ka një ditë të veçantë.

Nexhmije Pagarusha e cila njihet si ikona e muzikës shqiptare, feston ditëlindjen e 85-të, me një karrierë të bujshme për tërë këto vite.

Kur flitet për të, përdoren në një frymë shumë epitete si, Bilbili i Kosovës, Mbretëresha e Këngës Shqipe, Primadona e Melosit Popullor, e shumë epite të tjera. Veprimtaria e saj muzikore 50-vjeçare është aq e gjerë, sa që është vështirë të thuhet se cilit zhanër i takon. Është e njohur për interpretimet e saj të shkëlqyera në muzikën popullore dhe opera.

”Baresha” është një ndër kryeveprat e interpretimit të saj, e cila ishte shkruar nga Rifat Kukaj.

Nexhmije Pagarusha ka lindur më 7 maj të vitit 1933 në fshatin Pagarushë të Malishevës./ KultPlus.com

Grekët “kryqëzojnë” Elenin pas fotos me Eugentin: T’i hiqet shtetësia, të ikë në Shqipëri

Duket se një foto e postuar nga Eugent Bushpepa teksa shfaqej në krah të Eleni Foureira-s duke bërë simbolin e shqiponjës, (ndërsa vetë ajo nuk e bëri publike në llogaritë e rrjeteve sociale), ka ngjallur një debat të fortë në mediat greke.

Pas disa postimeve të bëra në rrjetet sociale të disa gazetarëve grekë, të cilët akuzonin Elenin se kishte fyer Greqinë me këtë simbol dhe se nuk duhej kurrsesi ta kishte bërë, duke shkuar me tej dhe duke shkruar që duhet “t’i hiqet shtetësia greke dhe të ikë në Shqipëri dhe të bëjë të gjithë zogjtë fluturues, jo vetëm shqiponjën’” është kthyer edhe në temën e ditën në emisionet e mëngjesit në kanalet kryesore.

“U bë nami edhe në rrjete sociale por edhe në bisedat mes shoqërive, pas fotos që Eleni bëri me përfaqësuesin e Shqipërisë në Eurovizion, dhe si përfundim nuk e kuptuam, ishte një simbol që përfaqësonte “Shqipërinë e madhe” apo ishte thjeshtë simbol i flamurit shqiptar?”, e nis bisedën një ndër gazetarët e emisionit të mëngjesit në “ANT1”.

Ndërkohë, një tjetër gazetar, i cili ndër të tjera shprehet se nuk ka asgjë me shqiptarët, duke i cilësuar si njerëz ‘të pëlqyer’ e se ka shumë miqësi nga Shqipëria, shprehet:

“Eleni duket se nuk e ka bërë qëllimisht dhe nuk e ka kuptuar se çfarë ka bërë, se çfarë kuptimi ka kjo gjë. Nuk ka asgjë të keqe në këtë foto, por për Greqinë, për fat të keq kjo shenjë për grekët është shenjë e “Shqipërisë së Madhe” dhe për këtë është keqkuptuar kaq shumë”.

“Eleni nuk duhej ta bënte, ka bërë gabim, dhe të paktën duhej të kërkonte falje pas kësaj që ka bërë”, shprehet një tjetër gazetare.

Ndërkohe debati edhe në këtë studio është ndarë, teka disa nga gazetarët e kanë justifikuar Elenin, duke thënë se nuk e ka pasur për qëllim të nënkuptoj asgjë që provokon grekët, ndërsa të tjerë shprehen se ajo duhej ta dinte mirë se disa gjëra, pikërisht në Eurovizion që ka ndikim politik, nuk duhen bërë./ KultPlus.com

Kosova në Festivalin Ndërkombëtar të Koreve Botërore në Francë

Kori i qytetit të Pejës “Siparantum Choir” të hënën me datë 7 maj do të udhëtojë për në Nancy të Francës me ç’rast do të jetë pjesë e festivalit ndërkombëtar të koreve botërore “Nancy Voix Du Monde 2018” në Francë, që mbahet nga data 9-13 Maj.

Kori do të paraqitet resht me disa koncerte në lokacionet më të njohura të vendit si; Temple à NANCY, la salle Erkman à LUNEVILLE, Grand Salon de NANCY dhe Place Stanislas à NANCY, ku në këtë mbrëmje ne do paraqitemi bashkë me shtetet si; Algjeria, Gjermania, Argjentina, Bullgaria, Kili, Ekuadori, Filipinët, RD e Kongos, R. Çeke, Zvicra, Ukraina etj.

“Për këtë program ne jemi duke punuar gjatë dhe intenzivisht dhe ja mundi u shpërblye. Edhe pse kori është formuar vitin e kaluar, konsideroj se kemi bërë një punë të madhe dhe e gjithë kjo në baza vullnetare vetëm për të pasuruar kulturën dhe vlerat tona. Për këtë gjë i jam falënderues gjithë atyre që na kanë përkrahur drejt qëllimeve tona artistike. Shpresoj që do të kthehemi me paraqitjet tona më të mira nga Franca”, thotë Fatmir Bajraktari, president i korit.

Kori Siparantum do të paraqitet me vepra të kompozitorëve të njohur botëror dhe vendor si; Ëhitacre, Bartolucci, Runestad, Gjeilo, M. Mengjiqi, K. Aliçkaj, D. Zeqiri-Nushi, M. Kelmendi etj.

“Është kënaqësi për mua si dirigjent të jem pjesë e këtij eventi shumë të rëndësishëm ku shteti ynë Kosova paraqitet për herë të parë në këtë festival, me ç’rast ne do të paraqitemi me vepra të repertorit të ndryshëm duke përfshi poashtu vepra të kompozitorëve të njohur botëror dhe qëllimi kryesor është paraqitja e motiveve dhe vlerave tona kombëtare në këtë festival. Ndjehem krenar që shoh flamurin e shtetit tonë në mesin e shteteve të botës në këtë festival që për neve si shtet konsideroj që është një ngjarje shumë e rëndësishme kulturore për ne”, pohon Memli Kelmendi, dirigjent i korit.

Pjesë e programit do të jenë; Agron Shujaku, piano; Matej Karaqi, vokal; Arita Bajraktari, soprano dhe piano; Bleona Leka, piano; Rexhë Dobrunaj, bas dhe bariton; Erjon Palucaj, vokal ; Luan Sapunxhiu, gitarë ; Rizah Jahaj, tenor; Blerina Zeka, flaut; Durim Jasharaj, fagot.

Pjesëmarrja e shtetit të Kosovës në këtë festival është përcjellë edhe nga media të shumta franceze.

Të shtunën me datë 12 Maj duke filluar nga ora 20:00 të interesuarit mund të përcjellin mbrëmjen e fundit live në: http://www.chantchoral.org / KultPlus.com

Herdelezi

Poezi e shkruar nga Kujtim Paçaku.

Ishte muaji maj, ditë Herdelezi,
Një mëngjes i hershëm,
Diell pranveror mbi horizont.
Që im bir të mos më kërkonte
rroba të reja.

Në majë të gishtave ika,
sytë të mbushur lot
e xhepat bosh.
Edhe një festë do të kalojë
në lecka të vjetra.

Edhe një fëmijë do të qajë
në prehrin e së ëmës,
Edhe një baba do ta kafshojë
krenarinë e vet.
Ishte muaji maj, ditë
Herdelezi.

Ismail Kadare: Skënderbeu nuk luftoi myslimanët, por osmanizmin

Në një intervistë për Eni Vasilin në “Studio e hapur” në “News 24”, shkrimtari i njohur Ismail Kadare u ka dhënë një përgjigje debateve për heroin Kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu. Si mishërues i Europës, sipas shkrimtarit, Skënderbeu na nderon, ndërsa vë në dukje se ai luftoi për pavarësinë e Shqipërisë.


Po, a është Skënderbeu në këndvështrimin tuaj princi i krishterimit, që bëri luftë për mospërhapjen e islamit në Shqipëri, siç cilësohet tani?

“Ai para së gjithash bëri luftë për ta çliruar Shqipërinë nga Turqia, për shtet të pavarur. Kur Skënderbeu doli në skenë, Shqipëria ishte krahinë osmane. Nuk e bëri ai për të hequr myslimanizmin, e bëri për të hequr tërë Shqipërinë nga bota osmane”, ishte përgjigja e shkrimtarit Ismail Kadare.

Shëmtimi i kështjellës iliro-arbërore me xhami turke

Shkruan: Gani Mehmetaj

Për Kështjellën e Prezës kanë dëgjuar shumica e shqiptarëve, megjithëse po t’i pyesësh nuk e kanë idenë sa afër e sa larg e kishin. Shqiptarët e veriut të Shqipërisë e të Dardanisë i kalojnë pranë, së paku dy herë në vjet, në të shkuar e në të kthyer nga bregdeti.

Është kështjellë e mrekullueshme mbi një peizazh përrallor, që do t’ ia kishin lakmi kështjellat më të lavdishme në Evropë. Kronisti më i famshëm arbëror, Marin Barleti e përmend duke e përcaktuar vendin e gjendjen e saj në kohën e luftimeve të Gjergj Kastriotit kundër turqve. Kjo fortifikatë ilire me vazhdimësi arbërore, i shërbeu zinxhirit të mbrojtjes kundër pushtuesve që nga antika në mesjetë.

Kështjella e Prezës: “Ka shërbyer për vëzhgimin e rrugëve të rëndësishme ekonomike e ushtarake që kalonin poshtë saj, nëpër fushën e Tiranës”, shkruan Vikipedia. Faqja elektronike nuk e përmend përdhosjen e këtij monumenti arbëror me xhami turke. Ka edhe shëmti tjera, pos xhamisë që e shpërfytyrojnë turizmin e kësaj qyteze.
Rruga gjarpërore e asfaltuar, e rrethuar me murin me gurë skajeve, i japin sharmë të veçantë. Por me t’iu afruar Prezës të pret një befasi, pas shtëpive të bukura, oborreve të rregulluara me premtimit mashtrues se po futesh në një qendër turistike.

Në kthesën e parë ndesh një “dollmush” ( furgon në gjuhën turke) që të habitë se si ende ecën, ndërsa e ka vendin në muzeun e makinave të vjetra. Këtë dollmush e kam parë me 1983 dhe me 1985 në skaj të Anadollit, kur kaptoja qafën e maleve të larta nga Turqia në Siri. Habia tjetër që me la gojëhapur ishte mbishkrimi në turqisht në pjesën e prapme të qelqeve të “dollmushit” me flamurin e madh turk. Mu duk sikur shihja ëndërr: i njëjti dollmush i qafëmaleve turko-siriane qarkullonte nëpër rrugicat me kthesa të Prezës. U hutova edhe unë sikurse grupi i vizitorëve arbëreshë që kishin ardhur në shtegtimin patriotik, nën organizimin e “Folesë Kombëtare Shqiptare”dhe Elida Jorgonit. Nuk dija jam në Anadollin e dyzetë vjetëve më parë, në qafëmalin turko-sirian apo në Shqipëri. Askund nuk pashë flamur shqiptar.

Arbëreshet e sollën një flamur gjigant me vete, që të mos na mbulonte turpi. Shqiptarët nga Dardania e nga Diaspora sollën disa flamuj të Gjergj Kastriotit.
Befasi tjetër që ma forconte bindjen se jam në qafëmalin turko-sirian, ishte xhamia fringo e re në hyrje të kështjellës, në vendin ku gjatë sundimit të Gjon Kastriotit ishte kisha e Shën Gjergjit.
Mbi kishë e kishte ndërtuar xhaminë TIKA , organizatë kulturocide që e rrënon sistematikisht të kaluarën shqiptare në Shqipëri e Dardani dhe e rindërton pushtimin turk, duke i korruptuar e kriminalizuar zyrtarët shqiptarë në të gjitha nivelet.

Në vendin ku do të duhej të lartësohej shtatorja e Gjon Kastriotit, të rindërtohej Kisha e Shën Gjergjit, u përjetësua kujtimi për sulltanin turk që e masakroi popullatën e Prezës, vrau banorët e ultësirës së Tiranës dhe të Arbërisë, dogji kishën dhe ndërtoi xhami mbi te.

Më këtë xhami turke në hyrje të kështjellës arbërore i bëhet goditje e pariparueshme turizmit shqiptar, sepse pos ndonjë anadollaku të rastit, s’ka shqiptar a evropian që do të donte të vinte në Prezë për të parë një xhami fringo të re, sikurse mijëra xhami që i ndërtoi Turqia të ne. Një shembull të ngjashëm të shtetit të turpit nuk ka në Evropë, por besoj as në botë. Edhe shtetet vazale janë më të dinjitetshme.

Në të kthyer i morëm me vete flamujt shqiptarë, Prezës ia lamë xhaminë dhe dollmushin me flamurin turk.
Mu dhimbs restoranti afër kështjellës me gatime të mrekullueshme e verë të mirë, që do të kishte dhjetëfishin e vizitorëve sikur t’ia hiqnin simbolet e pushtimit turk.

Sikur të funksiononim si komb e kolektivitet, do të duhej të bojkotohej Kështjella e Prezës, derisa nuk hiqet xhamia turke e flamujt e nënshtrimit.
Turizëm me xhami e dollmush anadollak nuk bëhet.

Një dhuratë unike për ditëlindjen e Nexhmije Pagarushës (VIDEO)

Bilbili i Kosovës, këngëtarja ikonë e muzikës shqipe – Nexhmije Pagarusha, nesër feston ditëlindjen e saj të 85-të.

Zëri më absolut shqiptar i të gjitha kohërave, këngëtarja e “Bareshës”, “E dehun jam” apo“Mora testin”, në këtë ditëlindje do të pranojë një dhuratë të veçantë që tregon se kontributi i saj dhe vlerat që ajo i dha kulturës shqipe ndër vite nuk janë harruar.

Bëhet fjalë për dis fustane me ngjyrë bezhë dhe portokalli e hapur të cilat divës shqiptare për këtë ditëlindje ia dedikon dizajneri Etnik Shala.

Shala ka punuar me shumë dashuri në koleksionin ‘Muzë’ duke pasur në mendje Nexhmijen.
Me anë të një videoje promovuese, Shala e ka prezantuar koleksionin në fjalë, i cili sipas tij i përshtatet stilit kur Nexhmije Pagarusha ishte në kulmin e karrierës së saj.

Fustanet vijnë në stilin retro classic gërshetuar me modernen, gjithnjë me Bilbilin e Këngës Shqipe në mendje.
Çka tërheqë vëmendjen në këtë realizim është kënga e njohur e Nexhmije Pagarushës që na vjen më e freskët dhe në një stil më unik. Vetë Nexhmije Pagarusha ka pranuar që kënga e saj të jetë e tillë brenda kësaj videoje.
Në realizimin e videos kanë ndihmuar miqtë e afërm të Etnikut ndërsa për muzikën është përkujdesur Gent Gorani. / KultPlus.com