Testi i maturës, Algjeria ndal gjithë internetin që të mos kopjohet

Ditën që është mbajtur testi i maturës, Algjeria ka ndaluar internetin në gjithë vendin, me qëllim që të pamundësojë kopjimin nga nxënësit.

Të gjitha shërbimet e internetit, duke përfshirë atë telefonik dhe si linjat fikse nuk do të jenë duke punuar për një orë gjatë mbajtjes së testit në mënyrë që të parandalohet çdo formë mashtrimi, raporton BBC.

Kjo do të vazhdojë për pesë ditë sa do të jetë edhe kohëzgjatja e testit. Vendimi ka ardhur pas mashtrimeve masive që u bënë në testin e mbajtur në vitin 2016, pasi pyetjet e testit kishin qarkulluar në rrjete sociale.

Të gjitha pajisjet elektronike me qasje në internet-për studentët dhe stafin e shkollës, do të jenë të ndaluara në sallën ku mbahet testimi, si dhe detektorët e metalit janë në hyrje të objektit./ KultPlus.com

Ngritja e kampeve për refugjatët sirianë në Shqipëri alarmon Pandeli Majkon: Refugjatët sirianë po i përdorin si “bombë njerëzore”

Lajmet se në Shqipëri do të hapen kampe për 600 mijë refugjatë sirianë janë përtej cdo gadishmërie e imagjinate për një prej kombeve më të vjetër të Europës sic janë shqiptarët. Mediat mund të japin lajme por jo të nxisin panik në një popull që është një shembull në atë cfarë ofron për të huajt.

Nëse dikush, nuk di të merret me diktatorin e Sirisë, padyshim që nuk kupton se ky individ dhe aleatët e tij, Rusia dhe Irani, po përdorin refugjatët sirianë si “bombë njerëzore”. Qëllimi është për të shkatërruar strukturën europiane si ngrehinën kryesore ndërkombëtare e cila mbart vlerat që ata nuk i kanë. Eshtë një krim cinik dhe antinjerëzor që si teknologji ka filluar me Luftën e Jugosllavisë. Arma synon panikun. Qëllimi është që të ngjalli pasionin e ADN-së për “ruajtjen e territorit” i cili nuk është njerëzor. Krijimi i “antinjeriut” vjen si ftesë nga kjo aleancë e pashpallur lindore e cila po troket në Europën me politikanë që masin cdo gjë me vota…

Shtëpia e shqiptarit është e zotit dhe e mikut. Kështu shkruhet në rregullat e lashta të trajtimit të të huajve që trokasin në derën e shtëpisë së shqiptarit. Shqiptarët janë populli më miqësor me të huajt dhe që i mbron ata me vullnet e pa kërkesë nga të tjerët.

Askush, dhe për asnjë arsye nuk mund të fyejë kombin shqiptar duke luajtur me këtë ndjenjë kaq pozitive karshi të huajve. Shqipëria është një rast i rrallë në një botë refuzuese për të huajt. Cdo familje shqiptare ka migrantë jashtë vendit, në Perëndim, dhe kjo është një arsye më shumë për të qenë dashamirës me ata që janë larguar nga vendi i tyre për arsye të mbijetesës.

Si njohës modest i krizave të tilla humanitare e vlerësoj të pavend përhapjen e lajmeve të tilla të cilat mund të shkaktojnë panik në vendin më miqësor me të huajt sic është Shqipëria. Ajo nuk është një “epruvetë” ku interesat politike dhe paaftësitë menaxhuese të të tjerëve të gjejnë justifikim me “eksperimente” të tilla.

Grumbullimimet e refugjatëve në sasi sfiduese për vendasit do të krijojë situatë shpërthyese për të cilën duhet të bëhen mirë llogaritë.

Shqipëria ka gatishmëri për të huajt por askush nuk mund të bëjë “humor” nisur nga nevojat e saj. Nëse ka ndonjë politikan europian i cili diskuton “ftesën” për të hapur negociatat e integrimit europian për Shqipërinë me pranimin e ndërtimit të kampeve të refugjatëve atëherë kjo “ftesë” më mirë të mos vijë… Pasi ajo nuk do të ishte ftesë, e aq më pak ftesë europiane.

Jam i bindur, që Brukseli nuk mund ti kërkojë një vendi dhe populli, ndryshimin e strukturës së vet sociale duke vënë në diskutim sigurinë e tij kombëtare dhe më gjerë.
Të huajt që të vinë në derën e shtëpisë për ndihmë, janë miq! Ata që ti sjellin… janë miq të refuzuar të dikujt tjetër. Ky është përkthimi që shqiptarët do ti bëjnë një ftese për kampe refugjatësh në Shqipëri.

Shqipëria do të ishte e gatëshme të ndajë peshën e cdo krize me familjen e vet europiane por shqiptarët nuk janë njerëz naivë. Ata dyshimin e tyre do ta fillonin me pyetje të thjeshta… “Pse dicka që nuk është e mirë për Europën është e mirë për Shqipërinë?” Dhe më ironikja vjen më pas “Nëse na kërkoni dicka që nuk e bëni vet, a na bën kjo më europianë apo e kundërta?”… Janë 600 mijë pyetje për një të vërtetë. Natyrisht!/KultPlus.com

Era Istrefi: Rrini gati

Këngëtarja kosovare Era Istrefi ka porositë fansat e saj, shkruan KultPlus.

Ajo me një fotografi që tashmë ka postuar porositë fansat e saj që të rrinë gati, dhe pikërisht kjo porosi ka të bëjë me videoklipin e saj më të ri, që duket se së shpejti do të lansohet.

Bëhet fjalë për këngën Prisoner e cila tashmë e ka lansuar nëpërmjet audios, por tashmë ajo këtë videoklip e ka realizuar në Xhamajka.

Në fotografinë që Era Istrefi tashmë e ka postuar ajo ka treguar se kënga është gati dhe fansat vetëm edhe pak mund të presin deri të momenti kur mund ta shikojnë këtë videoklip./KultPlus.com

Ushtari britanik James Blunt këndon “You’re Beautiful”, këngën që ia dedikoi një vajze anonime kosovare (VIDEO)

Ai asnjëherë nuk ka treguar më shumë rreth kësaj kënge, përpos që ia ka dedikuar këtë këngë një vajze kosovare, ku James Blunt kishte shërbyer me forcat e KFOR-it, në vitin 1999 në Kosovë, shkruan KultPlus.

James Blunt që kishte marë inspirimin në Kosovë por që këngën e lansoi më vonë, u bë shumë i famshëm dhe kjo këngë ishte shndërruar në një super hit.

Ai shihet në këtë video duke kënduar këtë këngë para një audience të madhe, ku të pranishmit këtë këngë e kanë kënduar bashkë me këngëtarin./KultPlus.com

‘Së shpejti do të futemi në grevë urie’, dramë rreth Teatrit Kombëtar

Ka vijuar e sot pasdite protesta e artistëve në mbrojtje të godinës së Teatrit Kombëtar. Aktori Arben Derhemi e nisi fjalën e tij me një interpretim, për ti ftuar më pas të gjithë qytetarët, që ti bashkohen jo vetëm me zemër kauzës së teatrit, por edhe fizikisht. Sipas tij, nëse do ketë qëndresë nga ana e qeverisë, artistët do të futen në grevë urie në këtë teatër .

“Mos guxoni të prekni këtë vend të fusni shkrepsen. Mos guxoni ti afroheni Teatrit Kombëtar. Harroheni flakën ky nuk merr flakë”, tha Derhemi. Bashkë me artistët e shoqërinë civile është bashkuar dhe Partia Demokratike. Arbër Cepani aktivist u fokusua në aspektin e trashëgimisë kulturore që ky teatër ka.

“Më pëlqen ky forum njerëzish të lirë që e thonë mendimin e tyre në mënyrë të lirë. Tirana është një qytet që po ndryshon me ritme të shpejta nga dita në ditë. Të gjithë ata që jetojnë jashtë e shohin këtë . Kjo nëse nuk mirëstudiohet mund të kthehet në një bumerang për qytetin. Ajo çfarë bëjmë ne si qytetarë është të shohim esencën e një qyteti. Nëse ne shkojmë në një qytet pa identitet nuk na ngelet asgjë në mëndje. E njëjta gjë është me Tiranën. Ky është teatri që ne kemi, kjo është tradita jonë ndaj duhet ta ruajmë për faktin që ka historinë e artit tonë” tha ai.

Sipas tij ka mijëra mënyra për ta rikonstruktuar e për ta ribërë nga e para, por duke ruajtur fasadën aktuale. Ndërsa producentja Sabina Kodra u shpreh se “është sfilitëse kjo histori, pasi këta njerëz punojnë e përpiqen të përcjellin një mesazh që është :kjo godinë nuk është thjesht godina e Teatrit Kombëtar por kështjella e rezistencës shqiptare. Unë besoj që ne shqiptarët të kthejmë një kauzë ta kthejmë këtë godinë në kështjellën e rezistencës”. Brisejda Gjikondi u shpreh se ndjehej e trishtuar duke parë arrogancën e kryeministrit kundrejt gjithë historisë së vendit.

Sheshi “Skënderbej” i Tiranës shpallet hapësira më e mirë publike në Evropë

Në Barcelonë ditën e sotme u nda çmimi Evropian për Hapësirën më të Mirë publike, i cili u fitua nga sheshi “Skënderbej” i Tiranës.

I pranishëm në Barcelonë ishte edhe kryetari i Tiranës, Erion Veliaj. Çmimi për sheshin “Skënderbej” u dha nga një juri ndërkombëtare, transmeton tch.

Ishin 280 projekte në konkurrim nga 32 shtete evropianedhe vendi i parë u fitua pikërisht nga sheshi “Skënderbej”.

Juria Ndërkombëtare e Çmimit Urban të Hapësirës Evropiane përzgjodhi 25 punime si finaliste në mesin e 279 projekteve nga 32 vende evropiane. Çmimi Evropian për Hapësirën Publike Urbane organizohet nga Qendra për Kulturë Bashkëkohore të Barcelonës (ÇCB) dhe me partnerët: Muzeu Gjerman i Arkitekturës (Frankfurt); Muzeu i Arkitekturës Finlandeze (Helsinki); Muzeu i Arkitekturës dhe Dizajnit (Lubjanë); Fondacioni i Arkitekturës (Londër); Qyteti i Arkitekturës dhe Trashëgimisë (Paris) dhe Qendra e Vjenës e Arkitekturës (Vjenë)

Vjeshtë 1990

FREDERIK RRESHPJA

Qan dreri në korije dhe lotët bëhen shi
Trishtohet era mbi shkëmb
Nuk ka më gjethe të gjelbra. Po bien
Ëndrrat e pyjeve një nga një

Ikin zogjtë nga shkretimi i drurëve:
Lamtumirë, o pyje të Ballkanit!
Veç nën një ferrë kaltëron ende
Vjollca e fundit e këngës së bilbilit

Ardhtë një vjeshtë pa shtegtim zogjsh!
Ardhtë një Zot, vëntë orë mbi stinët!

‘Sukseset e shqiptarëve në vende të tjera të botës, janë suksese individuale’

Milazim Krasniqi

Sukseset e shqiptarëve në vende të tjera të botës, janë suksese individuale të tyre dhe të shoqërive që kanë investuar në ta. Pra, jo të shoqërisë sonë e as të kombit tonë. Prejardhja në këtë rast nuk ka ndonjë rol për suksesin e tyre. A nuk mund të përdoren ata si fymëzim? Mbase edhe munden. Por kam frikë se funksionojnë edhe në drejtimin e kundërt, pra, frymëzojnë edhe të tjerë që të ikin si ata, nëse ëndërrojnë që të bëhen të suksesshëm. Prandaj, vetëm sukseset e atyre që jetojnë dhe kanë arritje këtu, mund të jenë frymëzuese tamam. Fjala vjen, Majlinda Kelmendi është frymëzuese më shumë se të gjithë të suksesshmit jashtë vendit. Pa e shikuar cështjen kështu, nuk do të kemi projekte për të rritur numrin e të suksessshme këtu. Do të vazhdojmë të llogarisim sukseset e të tjerëve si gjoja tona, e do të hidhërohemi si fëmijë tekanjozë, kur nuk na plotësohen tekat nga “tanët” që realisht nuk janë tanët.

Arta Dobroshi në shkollën e bombarduar, një mesazh për Ditën Botërore të Refugjatëve (VIDEO)

Aktorja Arta Dobroshi ka ndarë me ata që e pëlqejnë karrierën e saj, një video në të cilën ajo kujton kohën kur shkolla e mesme ku ajo mësonte u bombardua.

Dobroshi mesazhin e ka dhënë me anë të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, në Ditën Botërore të Refugjatëve.

Në vitin 1999, ajo u nis për në Maqedoni ku edhe u shndërrua në një refugjate që largohej nga lufta në Kosovë.

Në video ajo tregon më shumë se sa të ngjashëm jemi të gjithë, se çdo njeri në këtë botë ka të drejtën e arsimimit dhe lirisë.

Ajo thotë se gjithmonë duhet ndihmuar ata që largohen nga lufta, nga vendet ku ka konflikt dhe ku nuk mbretëron paqja, ndërsa ndan tregimin e saj personal si refugjate në kohën kur ndodhi lufta në Kosovë. / KultPlus.com

Burbuqe Berisha jep dorëheqje nga pozita në Teatrin Kombëtar të Kosovës

Burbuqe Berisha e ka parashtruar dorëheqjen e saj nga pozita që zë në Teatrin Kombëtar të Kosovës.

Për shkak të presionit nga Agjensioni Antikorrupsion, Burbuqe Berisha i ka shkruar Ministrit Kujtim Gashi duke treguar arsyet pse po largohet nga kjo pozitë, si kryetare e Bordit në Teatrin Kombëtar të Kosovës.

“Nuk po e shoh aspak të arsyeshme ku si një qytetare e ndërgjegjshme e Republikës së Kosovës dhe e ndershme njëkohësisht në veprimtarinë time duke i ikur çdo konflikti interesi, të më kërkohet një gjë e tillë. Unë asnjëherë nuk kam qenë përfituese e të mirave që ofron ky shtet” ka shkruar mes tjerash Burbuqe Berisha.

Ajo thotë se është kushtëzuar ta marrë një vendim të tillë, shkruan KultPlus.

“Çdoherë punën time artistike e kam punuar pothuajse vullnetarisht, por mund edhe ti ketë penguar dikujt fuqia ime artistike dhe profesionale. Gjithsesi dua ta respektoj deri në momentin e fundit ligjin dhe shtetin. Për momentin gjendja ime shëndetësore është e rëndë, prandaj nuk kam mundësi që këtë letër ta dorëzoj personalisht” shkruhet në letrën që i ka shkuar Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporteve nga Burbuqe Berisha.

Berisha ka qenë e angazhuar edhe si regjisore brenda Teatrit “Faruk Begolli” në Kolegjin AAB ndërsa më herët ka mbajtur poste të ndryshme vendimmarrëse në skenën kulturore dhe artistike në Kosovë, krahas punës si regjisore. / KultPlus.com

Visar Kuçi Trio, të shtunën performojnë në Lumbardhi

Visar Kuçi Trio do të performojë në Lumbardhi të shtunën me 23 qershor.

Visar Kuçi Trio u formua në 2013 dhe është i përbërë nga Visar Kuçi (Kitarë), Enver Muhamedi (Doublebass), Enes Bajramliqi (Bubnje). Ata morën pjesë në shumë evente të ndryshme dhe në festivale si Prishtina Jazz Fest në Prishtinë, Mirëdita/Dobardan në Beograd.

Pas koncertit promovues të albumit të tyre të parë “Modern Waves” në dhjetor të vitit 2017 Visar Kuçi Trio vjen për herë të parë në Prizren për një koncert autorial.

“Koncerti i parë në Prizren do të jetë njëherësh edhe i pari i një numri të koncerteve që do të organizohen gjatë muajve në vijim e që do të mbahen në Kosovë, Maqedoni, Turqi dhe Gjermani. Ky koncert promovon muzikën autoriale të trios nga studio albumi i tyre i parë

Modern Waves” i cili u publikua në dhjetor të vitit të kaluar.” U shpreh Visar Kuçi.

Repertori i tyre përfshinë komponime prej Jazz-it klasik deri te ai eksperimental dhe natyrisht komponimet e tyre origjinale.

Koncerti do të filloj në orën 21:00 dhe biletat do të shiten në Lumbardh me çmim prej 2 Euro. / KultPlus.com

Kuvendi i Maqedonisë miratoi Marrëveshjen për emrin

Me 69 vota për asnjë kundër asnjë e përmbajtur dhe pa prezencën e opozitën Kuvendi ratifikon marrëveshjen mes Maqedonisë dhe Greqisë për çështjen e emrit.

“Marrëveshja”, Zaev: Vendimi përfundimtar në duart e qytetarëve

Kryeministri Zoran Zaev në fjalimin e tij në seancën kuvendore për ratifikimin e marrëveshjes me Greqinë tha se qytetarët do ta sjellin vendimin përfundimtar për çështjen e emrit, raporton Alsat-M.

“Para tre ditëve nënshkruam dokument për t’i dhënë fund çështjes tre dekadëshe. Kemi nënshkruar fillimin e fundit të paqartësive. Zgjidhje e dinjitetshme për të dyja palët. Gjuha dhe identiteti nuk do të shkelen nga marrëveshja”, deklaroi Zoran Zaev, kryeministër.

Zaev kërkoi mbështetje nga deputetët duke thënë se kjo është një ditë e madhe për Maqedoninë.

“Kjo ditë e bën të qartë se do të marrim datë për fillimin e bisedimeve me BE-në”, deklaroi Zaevi.

Grubi: “Marrëveshja” hap rrugën euro-atlantike të vendit

Deputeti i BDI-së, Artan Grubi, para deputetëve ka folur se pse duhet të ratifikohet marrëveshja me Greqinë.

“Jeta të mëson se vendimet duhet t’i sjellësh në kohë të duhur, jo vonë, por në kohë të saktë. Sot është koha e vendimit më të vlefshëm për të ardhmen tonë të përbashkët. Vendimi i sotëm na sjell datë për negociata me BE-në dhe ftesë për anëtarësim në NATO”, deklaroi Grubi.

Para se të vish

Poezi e shkruar nga Alda Merini.

Para se të vish
Sillmë tre trëndafil të kuq
Para se të vish
Sillmë një Gishtëz të madh
Sepse duhet të qep zemrën
E më sill një qetësi të gjatë
Të madhe si një Telajo dashurie
Para se të vish
Jepi një shqelm murit përball
Sepse aty brenda është një spiun
Që ka parë në fytyrë dashurinë time
Para se të vish
Mbylle lehtë derën
Dhe nëse unë jam duke qarë
thërrit Violinat më të mira
Para se të vish
Thuamë që tashmë ke ikur
Sepse unë do të trembesha
Dhe para se të ikësh
rresht së përshëndeturi
Sepse unë shumë gjatë nuk do të jetoj….

Qosja: Gjergj Kastrioti Skënderbeu ishte fetarisht tolerant

Sot në Institutin Albanologjik në Prishtinë filloi hapja e edicionit të nëntë të “Javës së Albanologjisë”, shkruan KultPlus. Kjo Konferencë Shkencore, sivjet i kushtohet 550-vjetorit të vdekjes së heroit kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu. Dhjetëra studiues, shkrimtarë e figura të njohura kishin zënë vend në sallën e Institutit të Albanologjisë.

Gili Hoxhaj

Drejtori i Institutit të Albanologjisë, Hysen Matoshi në fjalën e tij theksoi simpoziumin shkencor që u mbajt para 50 vitesh në Prishtinë në 500 vjetorin e vdekjes së heroit kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu.

“Sot në një kontekst të ri gjeopolitik në 10 vjetorin e Pavarësisë së Kosovës ku ende përballemi me identitetin e kontekstuar të Kosovës si shtet që pret anëtarësimin në organizëm të ndryshëm ndërkombëtar, dua të them se Konferenca për Skënderbeun nuk e përmban atë klimë të entuziazmit të 68-es, duke lenë më shumë mundësi për qasje akademike, shkencore, për diskutime dhe argumentime të mbështetura në një bazë më të gjerë e më të verifikueshme studimore”, u shpreh Matoshi.
Ai tutje u shpreh se tradita shkrimore e nxjerrë Gjergj Kastrioti Skënderbeun si personalitetin më të trajtuar të historisë shqiptare.

“Ndonëse jemi të vetëdijshëm që përmasa e tij historike është rimodeluar me elemente që ndonjëherë shkojnë përtej prezantimit objektiv, Skënderbeu është burim frymëzimi që në kontekste të ndryshme historike që nga Rilindja Kombëtare e këtej ka luajtur rol të rëndësishëm për ndërgjegjësimin tonë kombëtar”, u shpreh tutje Matoshi.

Në emër të kryeministrit, Ramush Haradinaj, fjalën e mori Jahja Lluka, kryetari i Komisionit Qeveritar për shënimin e vitit të Gjergj Kastriotit. Lluka tha se janë shumë të interesuar t’ua japin fjalën shkencës që ta thotë fjalën për kryeheroin kombëtar.

“Ne kemi një bashkëpunim shumë të mirë më institutet Kosovë- Shqipëri, të cilat i falënderoj për të gjitha konferencat që janë mbajtur dhe për atë që do të mbahet më 16 tetor në Prishtinë, me pjesëmarrje të shumë shkencëtarëve nga të gjitha meridianët e botës. Më pas do ta vazhdojmë në Prizren me vurjen e kompozicionit të skulpturave të tre liderëve të lidhjes, të cilat me vendim të UNMIKU-t janë hekur për një kohë. Lidhja Shqiptare e Prizrenit e ka vendin e vet dhe duhet t’ua kujtojmë gjithë njerëzve që Lidhja është para gjithë neve”, tha Lluka në fjalën e tij.

Më pas fjalën e mori rektori i Akademisë së Studimeve Albanologjike të Tiranës, Marenglen Verli i cili pasi përshëndeti të pranishmit, u shpreh se kjo ceremoni shënon një rast të rrallë e solemn që në emër të Akademisë së Studimeve Albanologjike të Tiranës, të thotë disa fjalë për këtë konferencë dedikuar heroit kombëtar, Gjergj Kastriot Skënderbeun. Ai gjatë fjalimit të tij tha se Gjergj Kastrioti Skënderbeu, kampioni i madh e emblema e luftës ka shumë ngjashmëri me emblemën e paqes dhe mirësisë, Nënë Terezën.

“Pas qindra vitesh të bëmat e princit të Arbërit, ende përcjellin mesazhe me vlerë dhe joshin artistë, studiues e historian nga të gjitha fushat tjera nga e gjithë bota, që frymëzohen dhe duan të njohin për së afërmi epokën skënderbiane. Kudo që jetojnë shqiptarët, ky ka qenë vit i Gjergj Kastriot- Skënderbeut. Për të përkujtuar këtë veprimtari, ne jemi sot këtu por janë edhe veprimtari të tjera jo vetëm në botën shqiptare, ai përkujtohet edhe në vende të tjera gjatë këtij viti të Skënderbeut”, tha në fjalën e tij Verli.

Kurse akademiku Rexhep Qosja lexoi kumtesën e tij me titull “Gjegj Kastrioti- Skënderbeu dhe shqiptarët sot”, duke theksuar se edhe pse ky vit ka nxjerrë shumë njohuri për Gjergj Kastriotin Skënderbeun, prapë nuk dihen të gjitha që do duhej të diheshin, për jetën, fëmijërinë, pamjen, veshjen, armët, strategjinë ushtarake e politikën e tij.

“Skënderbeu është figura më e madhe e historisë shqiptare si organizues dhe si prirës ushtarak e luftëtar, kundër pushtimeve të Perandorisë Osmane. Ajo rëndësi historike Skënderbeut do ti njihet edhe nga vendet më të njohura të Evropës. Rëndësia e tij në botën shqiptare nuk është vetëm ushtarake por është shumë e gjerë, është rendësi edhe politike dhe shtetndërtuese, pikërisht qe ishte e tillë, madhore dhe historike, figura e tij kurrë nuk do të jetë e përvetësuar nga një shtet tjetër për shkaqe etnike të atij shekulli, apo prej ndonjë bashkësie fetare apo shteti për shkaqe fetare apo shkaqe ideologjike e politike apo për shkaqe pseudoshkencore”, u shpreh në fjalën e tij Qosja.

Qosja tha se dihet sa do duhej të dihej as për gjendjen shoqërore, ekonomike, shpirtërorë të shqiptarëve të asaj kohe. Ai më tutje tha edhe pse për pamjen e Skënderbeut kanë shkruar shumë historianë, shkrimtarë, e piktorë, portretin më të saktë e ka sjellë Marin Barleti në veprën e tij.
Qosja: Gjergj Kastrioti Skënderbeu ishte fetarisht tolerant

Qosja në kumtesën e tij lexoi edhe një pjesë lidhur me qëndrimin e Skënderbeut ndaj fesë. Ai tha se të dhënat e tij e nxjerrin si një shtetas tolerant fetarisht, madje në një kohë ku Evropa nuk ishte shumë tolerant fetarisht.

“Historianët dhe publicistët tanë kanë shkruar shumë për përkatësinë fetare të Skënderbeut, disa prej tyre thonë se ai i kishte provuar tri fe, katolike, ortodokse dhe myslimane. Disa të tjerë thonë se feja ortodokse ishte feja e besimit të tij, disa thonë se feja e tij ishte feja katolike e cila është e vërteta për qëndrimin e tij ndaj fesë, unë nuk mund ta them me bindje të krijuar prej të dhënave botërore se cilës fe ai i takonte shpirtërisht dhe zyrtarisht por unë me bindje të krijuar nga disa vepra që i kam lexuar për jetën, politikën dhe shtetin që kishte krijuar ai dhe sidomos me bindje të krijuar prej sjelljeve të tij si kryekomandues i luftës 25 vjeçare kundër osmane, si prirës politik e shtetëror i shqiptarëve të Arbërisë, mund të them se Gjergj Kastrioti Skënderbeu ishte politikan, krijues, kryekomandant dhe shtetar fetarisht tolerant”, tha Qosja në fjalën e tij.

Qosja më tutje u shpreh mbi çmitizimin e figurës së Gjergj Kastriotit- Skënderbeut, duke thënë se ai nuk është shndërruar në mit nga trajtimet zmadhuese që nuk kanë munguar por nga trajtimet realiste e objektive mbi karakterin e tij.

“Skënderbeu është figurë historike të cilën gojëdhënat, historiografia, letërsia dhe artet e kanë bërë figurë mitike, për këtë arsye disa historianë, studiues e shkrimtarë janë shprehur këtë vit se Skënderbeun duhet ta trajtojmë realisht dhe ta çmitizojmë. Jam kundër këtij qëndrimi ndaj figurës së Skënderbeut dhe jam kundër edhe sepse Skënderbeun nuk e kanë bërë mit trajtimet zmadhuese që nuk kanë munguar por në radhë të parë trajtimet realiste, objektive me të vërtetat për karakterin e tij, për natyrën e tij, politikën e tij dhe luftërat e udhëhequra prej tij dhe për luftëtaret madhore të udhëhequra prej tij. Nuk thuhet kot se nuk ka shoqëri pa mite dhe nuk thuhet se çështja e identiteteve është e ndërtuara edhe me mite dhe jo vetëm se ruhen por edhe ndërtohen mite të reja”, u shpreh Qosja në fjalën e tij.

Ai tha se miti i Skënderbeut ka filluar të ndërtohet në të gjallë të tij por përcaktues në zhvillimet e mëtejme e ka luajtur Rilindja Kombëtare Shqiptare, pasi që këto janë dy epokat më të mëdha në historinë shqiptare. Skënderbeu ka arritur të bëhet një faktor me rendësi të madhe evropiane në kohën në të cilën jetoj, për shumë arsye krijuesit e mëdhenj të Rilindjes Kombëtare do të bëhen shembulli madhështor mitik për ndërtimin shpirtëror dhe atdhetar shqiptar, andaj historia shqiptare nuk duhet të privohet nga miti i Skënderbeut.

“Ta privojmë historinë tonë prej këtij miti, ta privojmë kombin tonë prej këtij miti, jo…jo dhe jo sepse ashtu do të pajtoheshim me përpjekjen për ndryshim e vetëdijes dhe kujtesës kolektive të popullit shqiptar, sepse ashtu do të varfëronim identitin tonë kolektiv sepse ashtu do të dobësonim fuqinë e përbashkësisë së historisë tonë, sepse do të privoheshim prej një madhërie historike që ka filluar epokën e madhe të humanizmit e renesancës historike.

Miti i Gjergj Kastriotit të Skënderbeut është mit fuqidhënës edhe në politikën edhe kulturën, qytetërimin edhe në etiken e popullit shqiptar dhe përpjekjet për bashkimin kombëtar dhe bashkimin e Shqipërisë me Kosovën, sot dhe gjithmonë ”, u shpreh në fund Qosja.


Poashtu në hollin e Institutit u hap ekspozita për Gjergj Kastriotin Skënderbeun ndërsa u shpalosen gravura nga autorë e botime të ndryshme. Ndërsa poshtë xhamit ishin vendosur përplot botime, fragmente botimesh e poezi për Gjergj Kastriot- Skënderbeun. Kjo ekspozitë ishte hapur më parë në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani”, ndërsa sot erdhi si bashkëpunim mes këtyre dy institucioneve. Në sesionin e dytë të Konferencës, fjalën e mori, Alfred Moisiu.

Më pas fjalën e mori, ish-presidenti, Alfred Moisiu i cili tha se ia vlen të flitet për figurën e Skënderbeut andaj duhet të nxirren në dritë veçmas për brezin e ri, pasi që nëse nuk dihet se nga vijnë duhet të dimë se nga po shkojmë. “Gjergj Kastrioti ka qenë heroi ynë kombëtar dha emër kombi të arbrit. Ne jemi krenar që po e përkujtojmë figurën e tij madhështore. Për të janë shkruar disa libra të cilët flasin për forcën e tij udhëheqësi si drejtues e ushtarak dhe për kontributin e tij si mbrojtës i civilizimit evropian. Mendoj se studimi i artit luftarak e taktikës së Skënderbeut në atë kohë, është i nevojshëm, do me thënë se ka shumë fenomene interesante dhe konkluzione që vlejnë të njihen më mirë edhe nga studiuesit e sotëm ushtarak”, u shpreh Moisiu. “Java e Albanologjisë” do të zgjat deri më 21 qershor në Institutin Albanologjik të Kosovës./ KultPlus.com


Pesë ish-refugjatët e famshëm

20 qershori është Dita Botërore e Refugjatëve, dita kur OKB-ja njohu luftën dhe triumfin e njerëzve të zhvendosur në mbarë botën të cilët janë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre me dhunë, paragjykim apo persekutim.

Për të shënuar këtë ditë, në vijim po ju paraqesim pesë të famshmit të cilët filluan jetën si refugjatë:

Freddie Mercury

Frontmani legjendar i bendit “Queen” lindi si Farrokh Bulsara nga prindërit indianë të cilët jetonin në protektoratin britanik të Zanzibarit, tani pjesë e Tanzanisë.

Në vitin 1964, familja e tij u larguar për t’i shpëtuar dhunës së Revolucionit të Zanzibarit, në të cilin popullsia vendase afrikane u ngrit kundër pakicave të ishujve Arab dhe Indianë, shkruan revista britanike “The Weekday”.

Mercury, atëherë 17 vjeç, dhe familja e tij filluan jetën e re në Middlesex, transmeton Koha.net.. Gjashtë vjet më vonë, ai do të takohet me kitaristin Brian May dhe bateristin Roger Taylor – dhe pjesa tjetër është histori.

Mila Kunis

Aktorja e Hollywoodit, Kunis, është lindur në Ukrainë në vitin 1983 kur vendi i saj ishte pjesë e Bashkimit Sovjetik. Prindërit e saj, të shqetësuar nga liria e kufizuar politike dhe ekonomike në shtetin komunist, kërkuan strehim në Shtetet e Bashkuara në vitin 1991, kur aktorja ishte vetëm 7 vjeçe.

Më parë, Kunis pati folur rreth traumave të vitit të saj të parë në shkollë në New York, e paaftë për të folur anglisht. Ajo flet rrjedhshëm gjuhën ruse dhe shpesh jep intervista në gjuhën e saj amtare.

Andrew Sachs

Aktori, i cili është i njohur për portretizimin e një kamarieri të pafat spanjoll Manueli në “Fawlty Towers”, ka lindur në Berlin si Andreas Sachs, babai i të cilit ishte çifut ndërsa nëna katolike. Familja e tij është shpërngulur nga Gjermania në vitin 1938 për t’i shpëtuar rrezikut në rritje nga persekutimi nazist dhe është vendosur në veri të Londrës.

Rita Ora

Ora dhe familja e saj kanë ikur nga Kosova e shkatërruar nga lufta në vitin 1991, kur këngëtarja e famshme ishte vetëm 1 vjeç.

Në vitin 2013, Ora ka treguar se si ajo, motra e saj dhe prindërit e tyre kanë jetuar në një dhomë kur kanë arritur për herë të parë në Londër si refugjatë pa asnjë para, përcjell Koha.net. Megjithatë, ajo tha për London Evening Standard se vështirësitë e saj të fëmijërisë e bëri atë më të fortë.

“Ajo fjalë [refugjat] mban shumë paragjykime”, tha ajo. “Por, gjithashtu na bëri të vendosur për të mbijetuar”.

Henry Kissinger

Ish-sekretari i Shtetit Amerikan, Henry Kissinger, ka lindur në një familje hebreje-gjermane, e cila ka ikur nga regjimi nazist në vitin 1938, duke arritur në New York nëpërmjet Londrës kur ishte vetëm 15 vjeç.

Kissinger ka shërbyer në Korpusin e Kundërzbulimit të Ushtrisë Amerikane gjatë Luftës së Dytë Botërore, para se të hyjë në politikë.

Eksperti i politikës së jashtme, u bë këshilltari i sigurisë së Presidentit Nixon dhe mori çmimin Nobel për Paqe në vitin 1973 për rolin e tij në negociatat për përfundimin e Luftës së Vietnamit.

Kissinger nuk është i vetmi ish-refugjat që ka shërbyer si Sekretar i Shtetit. Madeleine Albright, femra e parë që është emëruar në zyre, iu dha azil në SHBA kur ishte 11 vjeçe pasi familja e saj iku nga persekutimi komunist në Çekosllovaki./ KultPlus.com

Në kërkim të produktit turistik konkurrues

Jugu i Shqipërisë nuk është vetëm det edhe diell, edhe pse këto janë të parat gjëra që na vijnë ndër mend kur flasim për mrekullitë e jugut. Jugu i Shqipërisë është shumë më tepër se kaq, dhe mjafton të thuash Berat, Gjirokastër, Përmet e Sarandë dhe tërheqja është e garantuar. Por, për të rritur interesin e turistëve të huaj, por edhe për të kënaqur sa më shumë pritshmëritë e vizitorëve shqiptarë nga treva të tjera, Qeveria shqiptare ka nisur projektin e zhvillimit të integruar urban dhe korridoreve turistike që do të krijojnë paketa të plota.

Berati, Gjirokastra, Përmeti dhe Saranda veç e veç kanë shumë për t’i ofruar një turisti. Por, imagjinoni çfarë ndodh po të lidhen bashkë, po të lidhen me bregdetin e mrekullueshëm të Jonit.

Disave mund t’u duket shumë e largët si mundësi.

Nuk është tamam kështu. Fondi Shqiptar i Zhvillimit prej më shumë se 1 viti është duke punuar intensivisht për të nxjerrë në pah të gjithë potencialin turistik të 4 bashkive të përmendura më sipër. Lidhja e tyre në një hapësirë të vetme turistike nëpërmjet një korridori që ofron surpriza në çdo kthesë të re mund t’i ofrojë turistit një eksperiencë që mbetet gjatë në mendje dhe në shqisa.

FSHZH po zbaton “Projektin për Zhvillimin e Integruar Urban dhe Turizmin” të financuar nga qeveria shqiptare dhe Banka Botërore. Krahas ndërhyrjeve për rehabilitimin urban, parashikohet zbatimi i një pakete investimi prej 500 mijë eurosh që ka për qëllim krijimin 10 pikave panoramike përgjatë korridorit të jugut.

Më tej, do të vazhdohet me ndërhyrje përmirësuese dhe rigjeneruese të 5 siteve turistike si: gadishulli i Porto Palermos, Ishulli i Zvërnecit dhe Laguna e Nartës, Qyteti Antik i Orikut, Syri i Kaltër dhe Ujërat Termale të Bënjës.

Nga FShZh konfirmojnë se po punohet paralelisht edhe me zhvillimin e produkteve turistike dhe me ndërhyrje rehabilituese në infrastrukturën e qendrave historike në qytetet Berat, Përmet, Gjirokastër dhe Sarandë. Qëllimi i këtij projekti kompleks është që të aktivizojë potencialin turistik aty ku deri tani ka mbetur ‘fjetur’ dhe të nxitet aty ku tashmë ka fluks turistik.

Në një rajon kaq të pasur në monumente natyrore, trashëgimi kulturore, art, kulturë dhe tradita do të identifikohen dhe zhvillohen 20 produkte turistike që më pas do të marketohen brenda dhe jashtë vendit. Impakti i menjëhershëm që pritet është rritja e flukseve turistike ndërkombëtare dhe për rrjedhojë rritja e të ardhurave dhe vendeve të reja të punës, për t’i dhënë hov më të madh dhe më të qëndrueshëm zhvillimit ekonomik rajonal dhe kombëtar./ KultPlus.com

“Ana dhe Zefi” me regji të Erson Zymberit, vjen për ata që ëndërrojnë dhe ata që vrasin ëndrrat

Gili Hoxhaj

Publikun e Prishtinës edhe pak ditë e ndajnë nga shfaqja “Ana dhe Zefi” me tekst të Ad de Bont dhe regji të Erson Zymberajt, shfaqje kjo e cila javën tjetër vjen premierë në Teatrin Kombëtar të Kosovë, shkruan KultPlus.

Kjo shfaqje bashkëdyzon dy vdekje të cilat marrin forma të ndryshme dhe përmes kësaj përplasje edhe zhvillohet ngjarja. Copëzat e ditarit të Anna Frank vijnë me historinë e një shqiptari që quhet Zef, e i cili është pre e gjakmarrjes. Që në fillim të shfaqjes publiku do të përballët me vrasjen e tij, për të kaluar në takimin e tij me Anna Frank në botën e përtejme. Kjo shfaqje me regji të Erson Zymberit e me tekst të autorit holandez, Ad de Bont ngre paralelen mes dy njerëzve të izoluar, të cilët përmes kujtimeve bashkojnë realitetet e tyre në një botë tjetër. Përmes tregimeve të tyre në skenë do të vijnë edhe dy personazhe të tjera, që janë prindërit e Zefit, e që vijnë si përforcues të ligjeve kanunore, duke krijuar këmisha që lypin gjak.

“Jashtë duhet të përballemi me vdekjen e brenda duhet vetëm të ëndërrojmë”, është njëra nga fjalitë që zbulon konceptin rreth së cilit regjisori Zymberi edhe e ka shtjelluar shfaqjen.

Erson Zymberi në një intervistë për KultPlus tha se koncepti i tij regjisorial është përpjekur që këto dy botë paralele t’i sjellë në një rrafsh, që në një anë pozicionohen ata që ëndërrojnë dhe ata që vrasin ëndrrat. Krejt procesin e punës, ai e cilëson si një punë laboratorike dhe hulumtuese mbi konceptin e tij regjisorial dhe përshtypjet e aktorëve.

“Unë këtë shfaqje e kam quajtur një shfaqje për ata që ëndërrojnë dhe ata që vrasin ëndrrat, kjo zbulon gjuhën simbolike të cilën unë si regjisor jam përpjekur ta përdor e që së bashku me ekipin do të mundohem ta shfaqim një realitet që fatkeqësisht edhe sot është prezent, sidomos në pjesën e veriut të Shqipërisë. Ne jemi munduar ta shtjellojmë një temë që çuditërisht vjen aq bukur prej një autori që nuk është shqiptar”, tha fillimisht ai.

Regjisori Erson Zymberi, rikthehet në Teatrin Kombëtar të Kosovës, pas plotë tri vitesh. Ai në vitin 2015-të, pati sjellë tekstin e Doruntina Bashës “Gishti”, premierë në TKK, ndërsa tani thotë se “Ana dhe Zefi”-n do ta sjellë poashtu shfaqje të tipit kamertale, aty ku personazhet rrinë shumë pranë publikut.

“Pas tri vitesh po kthehem përsëri me një shfaqje të tipit kamertal, ku publiku është i vendosur në skenë dhe janë bashkëpjesëmarrës të kësaj loje, të këtij procesi ku të gjithë mbajnë një qëndrim karshi rrethanave. Është kënaqësi të kthehesh dhe të punosh përsëri këtu, është kënaqësi ta kesh një staf kaq të mirë artistik”, tregoi Zymberi për KultPlus.

Edhe pse shfaqja fillon tragjikisht, me njolla gjaku, ajo nuk ecën drejt fundi të njëjtë. Shfaqja do të përfundojë me puthje e përqafime dhe kjo si mesazh që “Vetëm dashuria mund ta shpëtojë botën”. E gjithë shfaqja zhvillohet nga loja e aktorëve Irena Cahani, Ernest Zymberi, Kushtrim Qerimi dhe Verona Koxha.

Verona Koxha, është një aktore e re që në këtë shfaqje do ta jetësojë rolin e Anne Frank, e për të cilën regjisori Zymberi tha se sjellë freski brenda ekipit, ndërsa për aktorët e tjerë thotë se tashmë kanë një bagazh artistik dhe se ky nuk është bashkëpunimi i parë. Kjo është hera e parë që Verona Koxha ngjitet në skenën e Teatrit të Kosovës, për ta jetësuar një rol, ndërsa në këtë proces thotë se i ka ndihmuar shumë edhe komunikimi i drejtpërdrejtë nga regjisori.

“Kjo është një mundësi shumë e mirë për mua që ta dëshmoj veten, e kam marr me dëshirë dhe mendoj që edhe rezultati do të jetë i mirë. Fatmirësisht kam pasur fatin të punoj me një regjisor siç është Ersoni dhe një ekip shumë të mirë”, tregoi Koxha për KultPlus, duke shtuar se po e ndjen shumë rolin dhe ka gjetur shumë gjëra të përbashkëta me këtë rol.

Ernest Zymberi i cili vjen në rolin e Zefit thotë se vet tema e ka intriguar shumë që ta zhvillojë dhe të interesohet në personazhin e tij, i cili ballafaqohet me një mentalitet tjetër por me një viktimizim po ashtu të pafajshëm. Zymberi tha se kjo shfaqje do ta begatoj shumë CV-në e tij ndërsa shpreson që do të shfaqet edhe në vende të tjera, krahas Prishtinës.

“Ky është një tekst që më ka pëlqyer dhe që shtjellon një temë shumë të rëndësishme që duhet të pranohet dhe që për të huaj është shumë interesant. Larg lidhjeve familjare, Ersonin e çmoj shumë si regjisor dhe besoj që është më rëndësi bashkëpunimi me të sepse zhvillohem edhe unë me të”, u shpreh aktori Ernest Zymbeti për KultPlus.

Muzika e kësaj shfaqje vjen nga Trimor Dhomi kurse skenografia dhe kostumografia nga Bekim Korça. Kjo premierë vjen më 26 qershor në skenën e madhe të Teatrit Kombëtar të Kosovës, ndërsa repriza e parë vjen më 27 qershor./ KultPlus.com

Kosova ka 722 mijë ‘dembelë’

Agjencia e Statistikave thotë se numri i ‘dembelëve’ në Kosovë është rritur në tremujorin e parë të vitit 2018 krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2017. Kjo Agjenci në anketën e fuqisë punëtore i kategorizon si persona jo-aktivë të gjithë ata që gjatë periudhës referente nuk ishin as të punësuar dhe as të papunë.

Në këtë kategori hyjnë ata që nuk janë të punësuar dhe nuk kanë qenë aktivë në kërkim të punësimit gjatë katër javëve të kaluara dhe/ose nuk janë të gatshëm të fillojnë punë brenda dy javësh. “Nga popullsia në moshë pune, 60.8 % nuk janë ekonomikisht aktivë, që do të thotë se ata nuk janë të punësuar dhe nuk kanë qenë aktivë në kërkim të punësimit gjatë katër javëve të kaluara dhe/ose nuk janë të gatshëm të fillojnë punë brenda dy javësh”, thuhet në raportin e Agjencisë së Statistikave, shkruan “Kallxo”.

Nëse e kthejmë përqindjen në numra, i bie që në tremujorin e parë të këtij viti kanë qenë 722 mijë e 314 persona jo-aktivë. Prej tyre, 231 mijë e 70 persona ishin burra dhe 491 mijë e 244 persona ishin gra. Në tremujorin e parë të vitit 2017, shkalla e personave jo-aktive ishte 58.3 për qind.

Bebe Rexha flet për takimin e parë me Eminemin, shumë kohë pas bashkëpunimit

Më 2013 këngëtarja shqiptare Bebe Rexha kishte filluar të shkruante këngën e quajtur “Monster Under My Bed” që ishte e destinuar për albumin e saj debutues.

“‘The Monster’ ishte ankthi dhe depresioni im. Është një këngë për mua kur kam thënë, ‘kjo jam unë. Nuk po ndryshoj, dhe duhet ta pranoj”, është shprehur Bebe Rexha për BBC.

Demo origjinale e përfshinte edhe Florence + The Machine, por këngëtarja kishte ndjenjën se atyre rreshtave më së miri shpirt do iu jepte reperi i mirënjohur, Eminem, për çka thotë se kishte të drejtë.

Ai e shndërroi këngën në një hit botëror, duke arritur numrin një në top listat e 23 vendeve. Gjithashtu edhe Rihanna e kishte zëvendësuar atë në refren.

Dhe përkundër këtij bashkëpunimi, Bebe Rexha nuk e kishte takuar Eminemin, dhe këtë e kishte bërë pas një kohe të gjatë.

“Në intervistat e mia të mëparshme njerëzit më pyesnin ‘si është Eminemi? dhe unë iu ktheja ‘nuk e di, s’e kam takuar’”, shprehet ajo.

Kjo më në fund ndryshoi në muajin maj të këtij viti, kur Eminemi e kishte ftuar atë të performonte në festivalin Coachella këngën “The Monster”.

“Ishte aq bukur. E shikoja atë në prova dhe thosha, ‘oh Zot! Është kaq bukur me të taku. Ai më tha, ‘nuk është bukur të më takosh mua’, dhe ia ktheva, ‘po është’”, shprehet Bebe Rexha./ KultPlus.com

Robert Pichler sjellë ekspozitën personale në shtëpinë e Kadaresë

“Një arkivol që kalon përroin! Është bosh apo me trup të vdekuri brenda? Duhet të jetë bosh, pasi hapi i burrit që mban arkivolin, ndihet i lehtë dhe kaq preciz i ngulur mbi shkëmb, sikur të ishte një flutur e ndalur për të thithur furnizim mbi gojën e një luleje. Arkivoli duhet të jetë bosh por fotoja është shumë e ngarkuar me peshë sa ndihesh sikur ke gëlltitur një re të madhe gri”.

Ky është imazhi i vetëm një prej fotografive që Robert Pichler historian, antropolog dhe fotograf do të ekspozojë më 26 qershor në Muzeun “Shtëpia Kadare” në Gjirokastër nën kurimin e Edit Pulës. Ekspozita e Pichler është një kthim në kohë përmes fotove që duket sikur zëvendësojnë historinë.

“Udhëtimet e mia të para më çuan në malet e Shqipërisë së Veriut, Mirditës, Nikajt dhe maleve të Dukagjinit. Edhe atje, shoqëria po përjetonte një përmbysje dramatike. Mbijetesa me burimet e vendit nuk ishte më e mundur dhe për shumë njerëz perspektiva e vetme për përmirësimin e situatës ishte emigrimi. Vetëm familja dhe rrjetet e ngushta kishin mundësi të të garantonin njëfarë stabiliteti. Kam qenë dëshmitar i këtij solidariteti të ngushtë të familjes, u ftova në dasma, fejesa dhe funerale dhe pashë njerëz që përpiqeshin të rigjallëronin ligjin e vjetër zakonor (Kanunin) përballë mungesës së rendit dhe ligjit shtetëror”, tregon ai.

Në vitin 1996 ai u kthye në Shqipëri me një projekt të ri. Udhëtoi drejt Shqipërisë së Jugut, në malësitë e Kurveleshit dhe në Himarë për të hetuar marrëdhënien komplekse midis organizimit të punës, mjedisit dhe strukturave familjare. Ky hulumtim u prek përsëri nga shpërbërja e përsëritur e rendit të shtetit.

“Në vitin 1997, pas rënies së skemave kriminale, piramidale Shqipëria u mbyt në kaos dhe anarki. Deri në vitin 1998 nuk munda të vazhdoja studimet e mia. Teksa gjithkush vazhdonte rrugëtimin përpara, unë u zhyta në kërkime për të kaluarën, arsyet e historisë kaq të veçantë të këtij vendi, gjithashtu humnerën shoqërore, fatet e atyre që u lanë vetëm dhe të papërfillur. Takimet emocionuese, bashkë me respektin që gjeta te njerëzit, rritën interesimin tim për vendin dhe historinë e tij dhe kjo bëri që unë të kthehem rregullisht në këtë tokë prej asaj kohe” shprehet Robert Pichler.

Për kuratoren Edit Pula vitet 90-të janë vite të rëndësishme, si për historinë e Shqipërisë, ashtu sikurse shprehin edhe themelin në formimin e identitetit tonë individual në shoqërinë postdiktatoriale.

“Shumë prej nesh mund të kujtojnë aspekte të ndryshme të atyre viteve tranzicioni, e shumë prej nesh ende flasin për keq apo për mirë për ato kohë të trazuara. Por, shumë pak prej nesh mund të dëshmojnë vizualisht atë përvojë jetike, atë shkapetje sociale, atë kohë pa kohë, me të cilën u përballëm. Teksa ne vetëm i jetonim këto kohë e të pamundësuar me mjete, si aparatet fotografike, një student austriak vjen në Shqipëri dhe bën pikërisht këtë! Ai fotografon vazhdimësinë e jetës shqiptare. Ai na sheh dhe ne e lejojmë të na shohë e të shohë mizerjen dhe bukurinë e mbetur. Më prek jashtëzakonisht shumë autenticiteti i këtyre fotove, mënyra si e ka fiksuar realitetin Roberti e sa të dorëzuar me dinjitet dukemi, pavarësisht varfërisë që na rrethon”, thotë Pula.

Nga Malësitë e Dukagjinit tek ato të Kurveleshit, nga Curraj i poshtëm në Çorrajn e sipërm, nga Shkodra në Gjirokastër, nga Fterra në Tiranë, kudo njerëz e peizazhe të zhveshura nga çdo e paqenë, të dorëzuar miqësisht në objektivin e aparatit të Robertit.

“Ky dorëzim i sinqertë e i pazakontë shqiptar ndoshta ka të bëjë edhe me faktin se i gjithë vendi dukej i dorëzuar. Rrugë nacionale të derdhura në baltë, lumenj pa shtrat, luanë e luanesha të paushqyer, vitrina dyqanesh pa mall. Metaforikisht Shqipëria dukej në autopsi, me të gjitha organet shpalosur mbi tavolinën e kirurgut, i cili, i kapur gafil, s’di ç’të kapë për të fshehur më parë – “një zorrë a një balluke” nga pamja shqetësuese. “Shih e shkruaj” është një shprehje tipike shqiptare, e cila vjen si përgjigje ndaj pyetjes “Si je?” (për të mos e zgjatur përshkrimin, diçka që duhet të shihet qartë). Kjo është gjendja që më transmetojnë këto fotografi të Shqipërisë së viteve `90-të, asnjë lavdë e asnjë plagë më shumë se çka mbart brenda, bashkë me nuancën e saj komplekse, e vërteta njerëzore. Duke marrë parasysh rikthimin në kohë që evokojnë këto foto, gjithashtu ftesën për tu pozicionuar përkohshëm midis së tashmes dhe së dikurshmes, lindi ideja e krijimit të një ekspozite lëvizëse, paralelisht me ekspozitën e instaluar në ambientet e galerisë apo muzeut të qyteteve pritëse. Duke integruar disa nga autobusët e linjës urbane lokale si hapësirë ekspozimi, ne sjellim kujtesën e përbashkët në ambientet e përbashkëta, në hapësirën publike, me qëllim familjarizimin e marrëdhënies sonë me atë periudhë të historisë që është lënë pas dore dhe ka mungesë të vetëdijes së duhur”, thotë kuratorja.

Edit Pula (J) është artiste, kuratore, producente nga Tirana, e cila momentalisht punon edhe si Këshilltare Kulturore e Kryetarit të Bashkisë së Tiranës. Puna e saj artistike-kuratoriale është kryesisht e fokusuar tek trashëgimia shqiptare dhe mënyrat se si ajo mund të prezantohet dhe promovohet në formë bashkëkohore. Projektet e saj më të fundit janë instalacione specifike dhe projekte artistike, me qëllim ngritjen e urave të dialogut me të kaluarën në mbështetje të kujtesës së përbashkët.

Fushat kryesore të kërkimit të Robert Pichler janë, familja dhe marrëdhëniet farefisnore, migrimi dhe transnacionalizmi, si edhe historia politike e shek 19të dhe 20të në Europen Juglindore. Ai është studiues në departamentin e studimeve ballkanike në Akademinë e Shkencave në Vienë si edhe pedagog në Qëndrën e Studimeve të Europës Juglindore në Graz./ KultPlus.com

“55 shades of gay”, shfaqet në Çeki

Shfaqja “55 shades of gay – pranvera ballkanike e revolucionit seksual” e Qendrës Multimedia nga Prishtina, do të shfaqet të premten (22 qershor), në Festivalin Ndërkombëtar të Teatrit “Divadlo evropských regionů”, në Hradec Králove të Çekisë.

Në këtë edicion të këtij festivali, veç shfaqjes nga Kosova, marrin pjesë edhe trupa të tjera teatrore nga Çekia, Sllovakia, Gjermania e vende të tjera të Evropës.

Shfaqja “55 shades of gay” e autorit Jeton Neziraj, në regji të Blerta Nezirajt, ka pasur premierën këtë shtator 2017, në Teatrin Kombëtar të Kosovës. Në shfaqje luajnë aktorët: Tristan Halilaj, Bujar Ahmeti, Shengyl Ismaili, Semira Latifi, Alketa Sylaj, Luan Durmishi (vokal). Skenografia dhe kostumet: Sebastian Ellrich, muzika: Irena Popovic, koreografia: Florian Bilbao.

55 shades of gay është një rrëfim burleskë për politikat rreth LGBTI në Ballkan dhe Evropë. Politikanët lokalë të Ballkanit përpiqen të manipulojnë e mashtrojnë zyrtarët e BE-së, mercenarët humanitarë të NGO-ve ndërkombëtare shpesh shfrytëzojnë terrenin homofob për të vjelur fonde e për të realizuar projektet e tyre sociale e edukative [të tipit të punëtorive e seminareve për mënyrën e përdorimit të kondomëve, ndërsa që zyrtarë të BE–së, duke shfrytëzuar pozitën e tyre superiore financiare e politike, përpiqen t’i nënshtrojnë të gjithë.

Në shfaqje, një çift gay bën kërkesë për kurorëzim në një qytet provincial konservativ dhe thellësisht homofob. Kërkesa bëhet në kohën kur shoqata italiane Don Bosco ka nisur në qytet ndërtimin e një fabrike për prodhimin e prezervativëve, një projekt ky që është përkrahur financiarisht nga Bashkimi Evropian dhe që synon zvogëlimin e papunësisë në atë qytet ku papunësia shkon deri në 90%. Intelektualë, artistë, politikanë, përfaqësues të fesë e bombahedhës profesionistë angazhohen që kjo martesë të mos ndodhë, pavarësisht se martesa e çifteve të së njëjtës gjini lejohet me kushtetutën e vendit, të cilën kryeministri e ka nënshkruar simbasudhëzimeve të BE-së.

Kjo shfaqje është financuar nga The Olof Palme International Center dhe Goethe Institut. Qendra Multimedia financohet nga Zyra e Bashkimit Evropian në Prishtinë.
Menaxhere e skenës: Lendita Idrizi / Ass. e produksionit: Verona Koxha / Drejtor teknik: Denis Berisha / Ndriçimi: Mursel Bekteshi. / KultPlus.com

Revistat ndërkombëtare e vendosin Eleni Foureiran në një rend me Ritën, Duan, Beben e Erën

Këngëtarja shqiptare Eleni Foureira arriti t’i bëjë të gjithë shqiptarët krenarë me paraqitjen e saj këtë vit në “Eurovision 2018”.

Ajo i dha Qipros (shtet të cilin e përfaqësoi në këtë garë) rezultatin më të lartë ndonjëherë, duke e renditur në vendin e dytë.

Kënga “Fuego” e këngëtares Foureira u pëlqye shumë nga publiku, dhe renditet si një ndër këngët më të dëgjuara të “Eurovisionit” këtë vit.

Ky sukses i hapi duart asaj drejt një njohje ndërkombëtare, kjo pasi mediat e huaja kanë filluar ta nuhasin talentin e saj dhe të shkruajnë për të.

Tabloidi “Perzhilton” në Hollywood, i ka dedikuar një artikull artistes me prejardhje nga Fieri i Shqipërisë.

“Shumë prej këngëtareve tona të preferuara këto ditë, janë shqiptare” – kështu e nis shkrimin “Perzhilton” dedikuar Eleni Foureiras.

Ata kanë cituar artistet Dua Lipa, Rita Ora, Bebe Rexha, Era Istrefi, duke thënë se e radhës është Eleni Foureira.

E lumtur për këtë gjë, Foureira ka shkruar në InstaStory “Faleminderit” në shenj mirënjohje për tabloidin që i dedikoi këtë artikull. /Telegrafi/

Agron Peni sonte me koncert në Norvegji

Sonte në Drammen të Norvegjisë, kitaristi kosovar Agron Peni mbanë koncert bashkë me Lindita Otarsson, shkruan KultPlus.

Në këtë koncert Peni fillimisht do të prezantohet si solist me pesë vepra ndërsa pastaj do të bashkohet edhe Lindita Otarssonme të cilën do të promovojnë albumin “Udhë”, album ky i realizuar nga dyshja vitin e kaluar.

“I gjithë koncerti do të përmbajë vepra shqipe, një rast shumë i mirë ky për ta promovuar në mënyrë shumë profesionale muzikën shqipe te publiku norvegjez”, tha për KultPlus, Agron Peni.

Koncerti mbahet sonte më 20 qershor me fillim nga ora 19:00 dhe është mbështetur nga Komuna e Drammenit./ KultPlus.com

Familja Sharri merr dekoratën “Fisnik ndër Kombe” nga shteti i Izraelit

Të hënën në hapësirat e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës u mbajt ceremonia e ndarjes së dekoratës “Fisnik ndër Kombe” (Righteous Among the Nations) për Faik dhe Sabrije Sharrin.

Ambasadorja e Izraelit në Beograd, Alona Fisher-Kamm, dekoratën ia dorëzoi Bedia Sharri Mustafa e cila e pranoi medaljen dhe certifikatën me të cilin shteti i Izraelit vlerësoi veprën fisnike të strehimit dhe shpëtimit të një familje hebreje nga prindërit e saj, Faik dhe Sabrije Sharri, në Prizren, gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Me këtë rast zv. kryeministri, Enver Hoxhaj theksoi se është shumë i kënaqur të marrë pjesë në ceremoninë e nderimit të Faik dhe Sabrije Sharrit, shpëtimtarë të një familje hebreje në Kosovë, gjatë Luftës së Dytë Botërore duke besuar se raste të tilla do të ndikojnë në thellimin e bashkëpunimit midis dy shteteve tona, Izraelit dhe Kosovës.

Ambasadorja Fischer, theksoi se e gjithë familja Hara shpëtoi në sajë të kurajës së jashtëzakonshme të Faik Sharrit dhe gruas së tij Sabrijes.

Bija e familjes, Bedia Sharri Mustafa theksoi që ndihej e nderuar që sot pranon dekoratën dhe certifikatën në emër të prindërve të saj.

Në fjalën e saj tha se shumë familje shqiptare gjatë asaj periudhe kanë strehuar dhe shpëtuar familje hebreje, por që familja e saj është nga të paktët që patën fatin të kenë në posedim dokumentin origjinal si dëshmi. Gjithashtu tha se shpreson që kjo dekoratë do të shërbejë si urë lidhëse për dy popujt tanë në të ardhmen.

Çmimi “Fisnik ndër Kombe” është një titull zyrtar nderi të cilin e ndan Yad Vashem, Qendra Botërore e përkujtimit të Holokaustit, në emër të shtetit të Izraelit dhe popullit hebre, jo-hebrejve që rrezikuan jetën e tyre për të shpëtuar hebrenjtë gjatë Holokaustit. Titulli jepet nga një komision i posaçëm i kryesuar nga Gjykata Supreme e Drejtësisë në bazë kritereve dhe rregullave të përcaktuara mirë./ KultPlus.com