Shpallen projektet e subvencionuara nga Qendra Kinematografike e Kosovës

Qendra Kinematografike e Kosovës ka publikuar projektet filmike të cilat janë vlerësuar për miratim dhe subvencionim nga juria vlerësuese, shkruan KultPlus

Juria Vlerësuese e projekteve filmike të metrazhit të shkurtë, Animacion, Dokumentar, Postproduksion dhe Zhvillim Skenari në përbërje të: Ilir Bokshi-kryesues, Ilir Ajdini, Jahi Jahiu, Mentor Haliti, Visar Krusha, Visare Aliu, Arbenesha Grabovci Nixha-anëtarë, propozojnë për miratim e subvencionim projektet e listuara si më poshtë:

Në kategorinë e projekteve për filmit të metrazhit të gjatë-dokumentar:

1. Titulli i Projektit: “Thyeje Heshtjen“; Shtëpia Filmike: In My Country post production; Producenti: Kushtrim Sheremeti; Skenaristi: Ekrem Rrahmani; Regjisori: Ekrem Rrahmani.
2. Titulli i Projektit: “Skenderbeu edhe në Shkup“; Shtëpia Filmike: N.SH. Shkupi Film; Producentja: Venera Abdyli; Skenarist: Kastriot Abdyli; Regjisori: Kastriot Abdyli.

Në kategorinë e projekteve për Postproduksion:

1. Titulli i Projektit: “Diamanti”; Shtëpia Filmike: N.SH.P. A&G Production; Producenti: Besart Sllamniku; Skenaristi: Besart Sllamniku; Regjisori: Genc Berisha.

Në kategorinë e projekteve për Zhvillim Skenari:

1. Titulli i Projektit: “Hotline”; Shtëpia Filmike: N.SH. N’Art; Producenti: Bujar Kabashi; Skenaristi: Dren Zherka; Regjisori: Dren Zherka.
2. Titulli i Projektit: “Hunting Bears”; Shtëpia Filmike: N.SH. C M B; Producenti: Mentor Shala; Skenarsti: Edon Rizvanolli.
3. Titulli i Projektit: “The Tiny Walkers”; Shtëpia Filmike: In My Country Production Sh.p.k.; Producenti: Jeton Kulinxha; Skenaristi: Jeton Kulinxha.
4. Titulli i Projektit: ”Njeriu me valixhen vjollcë”; Shtëpia Filmike: Kandërr; Producenti: Edin Alija; Skenaristja: Ulpiana Maloku.

Në kategorinë e projekteve të filmit të metrazhit të shkurtë artistik:

1. Titulli i Projektit: Qaty a qitu; Shtëpia Filmike: Supercut Production; Producentja: Adea kelmendi; Skenaristja: Dina Morina; Regjisorja: Dina Morina
2. Titulli i Projektit: “Ombrella”; Shtëpia Filmike: OM; Producenti: Xhemajl Avdyli Skenaristi: Ag Apolloni; Regjisori: Ben Apolloni
3. Titulli i Projektit: Rruga “Fan Noli”; Shtëpia Filmike: Djemt e Abdullahit; Producenti: Milot Hoxha; Skenaristi: Milot Hoxha; Regjisorja: Jehona Berisha

Në kategorinë e projekteve të filmit të metrazhit të shkurtë të animuar:

1. Titulli i Projektit: “Melodia Kardiake”; Shtëpia Filmike: N.SH. Industriel; Producenti: Njomza Hadri; Skenaristi: Leopard Cana; Regjisori: Leopard Cana.
2. Titulli i Projektit: “Vija e Kuqe”; Shtëpia Filmike: “Contour Line” Sh.P.K.; Producenti: Vullnet Sanaja; Skenaristi: Rron Bajri; Regjisori: Rron Bajri.

Ndërsa, Juria Vlerësuese e projekteve filmike të metrazhit të gjatë artistik, koproduksion minorë dhe debutant në përbërje të: Florent Mehmeti – kryesues, Isa Qosja, Doruntina Basha, Blerta Zeqiri, Jozko Rutar, Giovanni Rabbiano, dhe Ilir Gjocaj – anëtarë, propozojnë për miratim e subvencionim projektet e listuara si më poshtë:

Në kategorinë e projekteve të filmit të metrazhit të gjatë artistik:

1. Titulli i Projektit: “Exil”; Shtëpia Filmike: N.P.SH. Ikone- Studio; Producenti: Yll Uka; Skenaristi: Visar Morina; Regjisori: Visar Morina.
2. Titulli i Projektit: “Në kërkim të Venerës”; Shtëpia Filmike: Circle Producstion SH.P.K.; Producenti: Besnik Krapi; Skenaristi: Norika Sefa; Regjisori: Norika Sefa.
3. Titulli i Projektit: “Rapsodia e Muzgut”; Shtëpia Filmike: A-S Film; Producenti: Besim Ugzmajli; Skenaristi: Zymber Kelmendi; Regjisori: Agim Sopi.

Në kategorinë e projekteve të filmit debutant:

1. Titulli i Projektit: “Galaktika e Andromedës”; Shtëpia Filmike: N.SH. Arena; Producenti: Synaj Raça; Skenaristja: More Raça; Regjisorja: More Raça.

Në kategorinë e projekteve të filmit – koproduksion minorë:

1. Titulli i Projektit: “Liqeni im”; Shtëpia Filmike: Added Value Films SH.P.K.; Producenti: Liridon Cahani; Skenaristi: Gjergj Xhuvani; Regjisori: Gjergj Xhuvani.
2. Titulli i Projektit: “Illyricvm”; Shtëpia Filmike: Buka sh.p.k.; Producenti: Fatmir Spahiu; Skenaristi: Simon Bogojevi Narath; Regjisori: Simon Bogojevi Narath.
3. Titulli i Projektit: “Homo”; Shtëpia Filmike: Trigger L.L.C. Producenti: Lumbardh Kukaj; Skenaristi: Igor Ivanov; Regjisori: Igor Ivanov./KultPlus.com

Anibar në edicioni e 9-të kërkon përfshirjen e grave në animacion

Në edicionin e 9-të Anibar ka vendosur të nxjerrë në pah pabarazinë gjinore duke kërkuar reprezentim të grave në animacion, shkruan KultPlus.

Popullariteti i animacionit vazhdon të rritet si në Kosovë dhe në të gjithë botën. Mirëpo, pjesëmarrja e grave në studime për animacion, animatore por edhe shikuese është rritur, por gjithashtu ka ekspozuar shumë pabarazi.

Sipas organizatës Woman in Animation, “Gratë përbëjnë 60% të studentëve të animacionit, por vetëm 20% e animatoreve janë gra.” Kjo ka bërë që gratë të jenë të nënpërfaqësuara në industrinë e animacionit veçanërisht si skenariste, regjisore dhe producente.

Prandaj, Anibar përmes edicionit të nëntë të festivalit do të bëjë një ndryshim duke inspiruar gratë dhe burrat në botën e animacionit për ti adresuar çështjet gjinore. Një proces më gjithëpërfshirës, kreativ dhe teknik, do të përmirësojë punën e burrave dhe të grave duke krijuar mundësi për ta shpërndarë filmin e animuar në të gjithë botën.

Duke theksuar pabarazinë gjinore në festivalin e këtij viti, Anibar do të jetë në gjendje të arrijë një audiencë më të gjerë përmes vizitorëve të saj vendas dhe ndërkombëtarë, si dhe anëtarëve të shumtë të medias që do të mbulojnë dhe ndjekin festivalin.

Anibar planifikon të përfshijë komunitetin në këtë proces duke inkurajuar njerëzit jashtë Anibar për të marrë rolin e tyre udhëheqës në promovimin e barazisë gjinore dhe fuqizimin e grave.

Anibar do të ti bashkohet lëvizjes së Women in Animation duke nënshkruar zotimin për reprezentim të grave në animacion për të arritur 50/50 deri në vitin 2025.

Ky mesazh inkurajimi do të kurohet nga një ekip kreativ që do të prodhojë art në hapësira publike, do të ndërtoj kinema të hapura, shfaqje filmash, organizim të koncerteve dhe instalim të kinemave të hapura në parqe dhe në qendra të qyteteve. /KultPlus.com

“Oh se dy sytë m’i kanë verbue, m’i kanë verbue moj kaçurrelat e tu”

Shumë nga ata që e kanë dëgjuar këngën “Kaçurrelat”, e kanë përcjellur me mall, nostalgji e madje dhe dhimbje, e cila vjen edhe më e fuqishme kur dihet se kjo këngë buron nga kompozitori shkodran Gac Çun e ka marrë rrjedhën e krijimit derisa ai po qëndronte në burg gjatë kohës së komunizmit, shkruan KultPlus.

Që nga lirimi nga burgimi i kompozitorit Gac Çuni, kënga nuk ka trevë shqiptare që nuk ka udhëtuar, duke e bërë të afërt me publikun e duke ngjallur emocione të forta që kanë zanafillën në një dashuri platonike, që shkon në përshkrimin e himnizimin e pamjes së personit më të dashur.

Një interpretim të rrallë të kësaj këngë e ka sjellë Frederik Ndoci me Alisa Barakun, duke e bërë mesazhin e këngës së tij lehtë të depërtueshëm me një saktësi muzikore mes dy zërave që vijnë si dialog./ KultPlus.com

Natyra t’fali, bardh – o si bora,
Unë permbas tejet, jeten e bora;
Oh! Se dy sytë m’i kanë verbue,
M’i kanë verbue moj kaçurrelat
Kaçurrelat e tu.
Aman kaçurrelat, kaçurrelat e tu!

M’i ke faqet, t’kuq – o si gjaku,
Se me ty vashë m’ka xan maraku;
Oh! Se marakun ma kanë shtue
Ma kanë shtue moj kaçurrelat,
Kaçurrelat e tu.
Aman kaçurrelat, kaçurrelat e tu.

Reagon Gashi: Me heqjen e flamurit, Spanja tentoi ta dëmtojë suksesin e sportistëve kosovarë

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, e ka quajtur veprim jo të mirë dhe ndërhyrje politike të Spanjës, heqjen e flamurit të Kosovës nga faqja zyrtare e Lojërave Olimpike Mesdhetare “Tarragona 2018” që po mbahen në shtetin spanjoll.

Tani për tani Kosova në sajt është e paraqitur me inicialet “KOS”, ndërsa Ministri i Kulturës, Kujtim Gashi në një prononcim për Ekonomia Online, ka reaguar për herë të parë lidhur me këtë veprim, i cili sipas tij, ka ardhur si pasojë e presionit të shtetit të Spanjës.

“Është një veprim jo i mirë i shtetit spanjoll sepse sporti nuk njeh kufi e as politikë. Nëse ka pasur kërkesë nga Qeveria, kjo tregon që në Spanjë ka ndërhyrje politike në aktivitete sportive dhe është për keqardhje. Me gjasë ditën e fundit ka pasur një presion politik atje nga shteti i Spanjës për të hequr flamurin nga ekranet”, është shprehu ai.

Mirëpo sipas tij ajo që është me rëndësi është fakti se Kosova ka marrë pjesë si shtet, me të gjitha simbolet e veta.

Ekonomia Online njofton se në fillim flamuri i Kosovës ka qenë prezent në faqen ku përfshihen ekipet pjesëmarrëse, por ai është larguar një ditë pasi xhudistet kosovare Nora Gjakova e Distria Krasniqi kishin fituar medaljet e arta.

Me këtë veprim sipas Gashit, Spanja ka dashur që të prishë rezultatet e arritura nga sportistët kosovarë, të cilët atë e kanë impresionuar me paraqitjet e tyre.

“Përndryshe, jam jashtëzakonisht i impresionuar me atë se si sportistët dhe shteti ynë është paraqitur në Spanjë me të gjitha simbolet dhe ndoshta kjo ka qenë arsyeja që ata kanë dashur ta prishin gjithë atë aktivitet të madh dhe gjithë ato rezultate që kanë sjellë sportistët tanë” tha ai.

Ministri i Kulturës ka qenë pjesë e delegacionit të Kosovës që po merr pjesë për herë të parë në këto lojëra. Ai ka theksuar se Kosova është trajtuar si shtet dhe është paraqitur me të gjitha simbolet e saj, derisa kur janë fituar medaljet është intonuar edhe himni shtetëror. Sipas tij, Komiteti dhe sportistët janë trajtuar jashtëzakonisht mirë.

“Por, ajo ndodh, është një incident i vogël që ka mundur të ndodhë me heqjen e flamurit nga ekranet ditën e fundit, është një gjest jo i mirë dhe një ndërhyrje politike e shtetit të Spanjës në zhvillimin e sportit”, tha ai.

Meqë Spanja vazhdon të mos e njohë Pavarësinë e Kosovës, ministri ka deklaruar se nuk kanë komunikim zyrtar me autoritetet atje për të kuptuar arsyen e heqjes së flamurit, raporton EO.
Por, ai ka shtuar se KOK-u ka kontaktuar me Komitetin Olimpik Ndërkombëtar dhe atë të Spanjës, dhe sipas tij së shpejti pritet të vijnë informacione rreth këtij veprimi./KultPlus.com

DokuFest përmes filmave tajvanez do të shpalosë çështjet e kombësisë dhe identitetit

DokuFest në këtë edicion do të prezantojë “Focus on Taiwan”, një retrospektivë të gjerë të filmave tajvanez që audiencën kosovare të njoftohet me çështjet shoqërore dhe politike të Tajvanit, shkruan KultPlus.

Kjo është hera e parë që një shtet aziatik prezantohet në festival me një retrospektivë gjithëpërfshirëse, ndërsa Wood Lin, drejtor i Festivalit Ndërkombëtar të Filmit Dokumentar të Tajvanit, është ftuar të kurojë programin i cili përmban 23 filma.

“Birth of a National Focus on Taiëan@DokuFest” është një shfaqje e filmbërjes tajvaneze që përfshin një periudhë prej pothuajse njëqind vitesh të historisë së Tajvanit, prej periudhës së kolonisë japoneze deri te lëvizja luledielli e udhëhequr nga studentët më 2014.

Programi përfshin filma nga mjeshtër të njohur ndërkombëtarisht të kinematografisë tajvaneze, si dhe vepra të regjisorëve të rinj, dhe mbulon të gjitha zhanret, nga dokumentari, videot eksperimentale, deri te filmat e gjatë.

Titulli provokativ i programit reflekton misionin e DokuFest-it në Kosovë që të inkurajojë debatet në lidhje me pavarësinë kombëtare, sovranitetin, të drejtat e njeriut, dhe lëvizjet shoqërore. Meqë pyetjet e kombësisë dhe njohjes ndërkombëtare janë çështje qenësore në të dyja shtetet, filmat për zhvillimet e fundit historike dhe politike të Tajvanit pritet të zgjojnë interesim të madh te ndjekësit e festivalit në Kosovë.

“Birth of a Nation: Focus on Taiëan” e njofton audiencën e Kosovës me pikat e referimit të zhvillimeve shoqërore dhe politike të Tajvanit duke e vënë popullin e Tajvanit në qendër të vëmendjes.

Filmat në pjesën e tij të parë, Portraits of a Nation, janë fotografi individësh që përfaqësojnë grupe shoqërore që i kanë dhënë formë shoqërisë së Tajvanit. E restauruar së fundi në formë digjitale Liu Pi Chia (1967) për një veteran lufte nga Kina qendrore, është një portretizim realistik dhe i fuqishëm i jetës së përditshme të kinezëve që janë vendosur në Tajvan pas luftës.

Një tjetër pjesë e programit, Memory of a Nation, paraqet shtatë filma që reflektojnë mbi të kaluarën përmes syve të protagonistëve të tyre. Një nga më kryesorët është filmi A Time To Live, A Time To Die (1985) e Hou Hsiao-hsien, një tregim në rritje në lidhje me konfliktet e brezave në atmosferën e mbytur të Tajvanit të pas luftës.

Pjesa e tretë, Paradox of a Nation, shfaq vrazhdësinë e një regjimi autoritativ që i shtyp qytetarët e vet në vend se t’i mbrojë ata. Ai përfshin një nga video-dokumentimet e Green Team të një numri lëvizjesh protestuese të viteve 1980 që po përgatisnin terrenin për demokratizimin e Tajvanit.

Në Time(s) of a Nation, ndjekësve të festivalit do t’u servohen disa nga filmat më të mirë të gjatë dhe dokumentarë të kinematografisë të Tajvanit.

Filmat, ku secili prej tyre janë më të gjatë se njëqind minuta, janë portrete të kohës së tyre që do të lejojnë audiencën të zhyten në botën tajvaneze.

Kryevepra e Edward Yang Yi Yi (A One and a Two) (2000) është një nga shumë gostitë e ofruara për kineastët e Kosovës në këtë vitrinë shfaqjesh të paprecedentë të kinematografisë tajvaneze.

Retrospektiva “Birth of a Nation: Focus on Taiëan @DokuFest” u organizua me mbështetjen e Institutit të Filmit të Tajvanit dhe Zyra e Përfaqësuesit të Taipeit në Budapest, Hungari./KultPlus.com

Elia Zaharia Zogu nënshkruan peticionin për Teatër të Ri Kombëtar

Mbretëresha shqiptare, Elia Zaharia Zogu, është një nga 65 firmëtarët e peticionit dërguar krerëve të shtetit për ndërtimin e një Teatri të Ri Kombëtar në truallin ku sot ngrihet godina e vjetër e TK-së.

65 artistë i kanë drejtuar letër të hapur krerëve më të lartë shtetit, për nevojat emergjente të ndërtimit të teatrit të ri. Në letrën e tyre artistët shprehin nevojën urgjente për një godinë të re të Teatrit Kombëtar.

Në mesin e tyre edhe aktorja Elia Zaharia Zogu ka firmosur për shembjen e teatrit aktual të ndërtuar në kohën e Mbreti Zog, shkruan Panorama./KultPlus.com

Shqipëria e viteve ’90 në objektivin e fotografit austriak (VIDEO)

Fotografi, antropologu, albanologu dhe studiuesi austriak Robert Pichler është rikthyer në Shqipëri me një ekspozitë të rrallë fotografie.

Në Gjirokastër, në muzeun Kadare, ai ndau me publikun imazhe të forta të jetës në fillimin e viteve në ‘90 kohë kur sapo ishte përmbysur regjimi komunist dhe tranzicioni reflektonte një kaos social gjithandej.

Gjirokastra, Kurveleshi, fshatrat e bregdetit, zona e Çorraj janë fiksuar në objektivin E Robertit që atëherë sapo kishte përfunduar studimet. Ai e vizitoi Shqipërinë për herë të parë në vitin 1989 kur ishte ende student e kur vendi jetonte momentet e fundit të diktaturës. Ai u rikthye në vitin 1992 e më pas në ’96 e ’97 dhe realizoi qindra fotografi.

Në Gjirokastër ekspozita përcolli surpriza dhe emocione të veçanta. Meafte Shehu gjeti në ekspozitë një fotografi të të atit që nuk jeton më.

Fushat kryesore të kërkimit të Pichler janë, familja dhe marrëdhëniet farefisnore, migrimi dhe transnacionalizmi, si edhe historia politike e shek 19të dhe 20të në Europen Juglindore./ top channel

Abdurrahman Shala dhe Faruk Begolli në skenat e filmit “Era dhe Lisi”

Në këtë fotografi shihen dy aktorët e mëdhenj Abdurrahman Shala si dhe Faruk Begolli në skenat e filmit “Era dhe Lisi”.

“Era dhe lisi” është një film shqiptar i realizuar nga Kosovafilmi në vitin 1979. Regjisor i këtij filmi ishte Besim Sahatçiu.

Abdurrahman Shala (25 tetor 1922 – 9 mars 1994) ishte aktor, producent, dhe skenarist filmi i gjeneratës së parë në kinematografinë kosovare. U lind në Vushtrri, ndërsa vdiq në Prishtinë. Abdurrahmani punoi si drejtor i parë i studios së parë filmike të Kosovës, të quajtur Kosovafilmi. Ai gjithashtu themeloj dhe udhëhiqi Unioni i Artistëve të Filmit të Kosovës – UAFK deri në vitin 1990.

Faruk Begolli lindi më 14 shkurt të vitit 1944 në Pejë dhe vdiq më 23 gusht të vitit 2007. Ai ishte një nga aktorët e mirënjohur në ish Jugosllavi duke arritur një famë shumë të madhe në mbarë Ballkanin dhe me gjerë.

Fotografitë në të cilën janë bërë së bashku dy aktorët është publikuar më parë e në Albanian Vintage Photography, people, city, culture and history./KultPlus.com

Kontributi dhe risitë që solli Konferenca Albanologjike për Skënderbeun

Konferenca Ndërkombëtare e Albanologjisë, kushtuar heroit tonë kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu, mbylli sesionin e parë, pas një maratone të gjatë leksionesh shkencore.

Tomi Frashëri, Kryetari i Sekretariatit teknik të Vitit Mbarëkombëtar të Gjergj Kastriotit Skënderbeut, tha për Agjencinë Telegrafike Shqiptare se, “me ligjëratën e profesor Ivano Cavallinit dedikuar ‘Skënderbeut dhe muzikës’, e patrajtuar më parë, mbylli sesionin e parë të Konferencës Albanologjike kushtuar heroit tonë kombëtar. Sesioni i parë pati një pjesëmarrje të gjerë profesorësh dhe studiuesish të specializuar në studimet mbi Skënderbeun dhe epokën ku jetoi e të gjurmëve që la pas”.

“Në këtë sesion të parë u referuan 14 ligjërat madhore, të cilat u zhvilluan nga muaji maj, deri në fund të qershorit. Gjithashtu kemi patur dhe një event ekstra kalendarit, i cili u mbajt nga profesorët Aurel Plasari dhe Lucia Nadin, në lidhje me zbulimin e një dorëshkrimi të Marin Barletit “Rrethimi i Shkodrës”, i cili u pasqyrua gjërësisht dhe në media”, – vijoi Frashëri.

Tomi Frashëri gjithashtu bëri të ditur që kjo konferencë ka rëndësi edhe për informimin e brezit të ri mbi figurën e heroit tonë.

“Këto ligjërata kanë sjellë një kontribut jo të vogël, i cili në ndryshim me vitet e mëparshme, kjo dhe për shkak të zhvillimit teknologjik, mund të ndiqet dhe në kohë reale jo vetëm nga publiku që e ndjek në ‘Pallatin e Kongreseve’, por dhe nga gjithë shqiptarët kudo që ndodhen nëpërmjet rrjeteve sociale. Kjo konferencë ka kontribute të reja përsa i përket perceptimit që ne kemi nga ana objektive mbi figurën e Skënderbeut. Gjithçka në sesionin e parë ka qenë në një nivel të lartë shkencor dhe kur këto akte të dalin të botuara në vitin 2019, do të kemi një produkt shkencor mjaft interesant, të cilin do ia lëmë trashëgimi brezave të rinj dhe që do të përdoret në vijim nga studiuesit si referencë”, – u shpreh Frashëri.

Ai gjithashtu shpjegoi dhe detaje e risi mbi sesionin e dytë të kësaj konference, e cila sjell një kontribut shkencor me arkiva dhe dokumentacione mjaft interesante si për studiuesit, ashtu dhe për publikun.

“Sesioni i dytë rimerr punimet duke filluar nga 10 shtatori me profesor Dhori Qirjazi, i cili vjen nga Greqia posaçërisht për këtë konferencë. Ligjëratat do të përfundojnë në fund të muajit tetor, ku do të jenë sërish një cikël ligjëratash shkencore, ku do marrin pjesë rreth 14 personalitete të cilët janë përzgjedhur nga komiteti shkencor”, – tha Frashëri.

Ai shtoi se, “finalizimi i kësaj konference madhore do të përmbyllet me një sesion kumtesash nga data 1-3 nëntor, e cila do t’i japë mundësi studiuesve të tjerë po aq të mirënjohur, të ligjërojnë mbi studimet e tyre rreth Skënderbeut. Konferenca Albanologjike mbyllet në muaj nëntor, i cili është muaj i madh i pavarësisë, por dhe muaji përmbyllës i Vitit Mbarëkombëtar të Skënderbeut”, – përfundoi Kryetari i Sekretariatit teknik të Vitit Mbarëkombëtar të Gjergj Kastriotit Skënderbeut, Tomi Frashëri./ ata

Regjisorja shqiptare Iris Elezi, anëtare e jurisë në Karlovy Vary International Film Festival

Karlovy Vary International Film Festival ka bërë të ditur se regjisorja shqiptare Iris Elezi është anëtare e jurisë në Karlovy Vary International Film Festival, shkruan KultPlus.

Regjisorja Iris Elezi është e njohur për filmin e saj “Botë”, film më të cilin në vitin 2014 pati fituar edhe çmimin “FEDEORA” pikërisht në këtë festival të filmit.

Filmi “Botë” në vitin 2016 ishte filmi përfaqësues i Shqipërisë edhe në garën prestigjiozë për OSCAR.

http://www.kviff.com/en/about-the-festival/juries/39

Festivali Ndërkombëtar i Filmit Karlovy Vary është një festival film i cili mbahet çdo vit në korrik, në Karlovy Vary (Carlsbad), në Çeki. Ai është një nga festivalet më të vjetrat në botë dhe është bërë një ndër ngjarjet kryesore të filmit në Evropën Qendrore dhe Lindore.

Kujtojmë se festivali ka disa kategori të jurisë varësisht prej çmimeve dhe vlerësimeve që do të bëhen. Kështu regjisorja Iris Elezi është pjesë e jurisë “East of the West”./KultPlus.com

Engjëjt mbrojtës të ‘Peja International Guitar Festival’

Rafet Rudi

Petriti…

Petrit Çeku përsëri në “Peja International Festival”! Ndoshta për dikë mund të ketë qenë thjeshtë një befasi (gjithsesi, e këndshme), por për mua, paraqitja e Petrit Çekut, kësaj radhe, kishte një sinjifikim, shumë më të thellë. Koncerti i tij i sërishëm e bën Petritin pjesë të pandashme të festivalit (fatmirësisht), dhe ai ngadalë po bëhet një lloj “engjëlli mbrojtës” i festivalit. Më duket se ky festival (bashkë me Garat e vlefshme e kitaristëve brenda tij), ka nevojë për përkrahje të emrave si Petriti, pa mëdyshje. Festivali është në fazën e konsolidimit organizativ, të promocionit mediatik, dhe është manifestim që po tërhjek (me arsye) vëmendjen e opinionit muzikor të vendit, të rajonit dhe në një të ardhme të afërt, ka gjasa të bëhet pikë e pashmangshme reference për instrumentistët e rinj që i përkushtohen këtij instrumenti aq të popullarizuar.

Programi i koncertit të mbrëmshëm ishte i qartë : ishin tre autorë, krejtësisht diferent, Bach, Schubert dhe Tárrega. Pa asnjë mëdyshje, Bahu ishte poenta e programit. Në këtë dëgjim të ri të Bahut të Petritit, s’mund të mos e shquajmë përshtypjen se ngadalë, Bahu, po bëhet një idiomë e artit të tij. Asgjë e re në këtë tendencë, do të thoshim, sepse kështu ka ndodhur gati te të gjithë interpretët e mëdhenj. Shumë artistë kulminant në botë, rritën e tyre artistike e masin me evoluimin e Bahut në universin e tyre interpretues. Për artistët me pretendime të mëdha, e rëndësishme është mënyra e përvetësimit të kësaj bote oqeanike të quajtur BACH. Lundrimi i suksesshëm, në krijimtarinë e këtij gjiganti, është determinues për karrierën e tyre.

Shumë herë i kam dëgjuar Suitat e Bahut në interpretim të Petritit, por në koncertin e mbrëmshëm, ‘Bahu i Petritit’, më dukej se kishte fituar konotacione të reja, të tjera nga ato interpretimet e tij të mëparshme. Çka ishte kaq e veçantë në këtë interpretim të ri? Nuk ishte, kurrsesi, fakti se dëgjuam një Bah të saktë në çdo aspekte, të stabilizuar, të pastër stilistikisht, meqë kjo, objektivisht, ishte të thuash e pritur nga ai, sidomos pas këtij dy vjetëshi të fundit, që ai merret intenzivisht me muzikën e tij, në radhë të parë për shkak angazhimit që ai ka pasur në botimin integral të gjashtë Suitave për një Shtëpi prestigjioze spanjolle…apo për shkak se ai për herë të parë, në këtë rajon ballkanik (si duket, edhe më gjerë) interpreton në mënyrë spektakulare i të gjitha suitate Bahut në një koncert të vetëm!!! Pra, nuk ishte kjo veçanti në këtë koncert. Kësaj radhe, mua më impresionoi përshtypja e fituar se Petriti është në fazë të kërkimit intenziv të asaj që mëshihet ‘pas notave’. Bile do të thosha se Petriti, tashmë i liruar nga çdo ‘presion’ teknik-interpretativ dhe memorik, atij, tashti kanë filluar “t’i pengojnë” notat dhe partitura e Bahut (!). Është një stad i ri i komunikimit të tij me muzikën e këtij gjeniu barokien! Është një evoluim ekzemplar i “Bahut të Petritit”. Thjeshtë, ai është duke synuar të nxjerrë në pah një dimension të rij, një dimension të veçantë bahovien, një dimension krejtësisht paralel, bile edhe të ndarë nga aspekti grafik (partitura) i veprës. Ky dimension, sado që është mistik, i largët dhe hyjnor, ai është, në esencë, thellësisht njerëzor! Nëse ka një produkt njerëzor në këtë botë (qoftë ai material apo shpirtëror), që nuk i nënshtrohet fuqisë gravituese të këtij planeti, atëherë ajo është muzika e Bahut, këtij hyu të pakontestueshme të mendjes njerëzore. Mbrëmë të dukej sikur Petriti thellohej pikërisht në këtë dimension. Sikur gjurmonte shenjat sekrete që Bahu i ka lënë njerëzimit, me qëllim dekriptimi të kësaj bote (jo gjithmonë të drejt dhe të njerëzishme – për më tepër, shpeshherë të vrazhdë dhe të frikshme). Ai lëvizte në një « realitet ëndërëje ».

(Ishte indikative që gjatë koncertit, në momente kur ne sallë, ndonjë “harestari” të pakujdesshëm i cingëronte telefoni, në atë moment Petriti, pa asnjë gestikulim, por në mënyrë rezolute e ndërpretë muzikën, dhe e vazhdonte të luan, në momentin që ndalej telefoni – ai thjeshtë, e ndërprente muzikën që të mos ndërpritet ëndërra!)

– Çdo depërtim të ri që ti bën në universin e pakufishëm të Bahut, për ne është hapje e një dritareje të re. Faleminderit Petrit për këtë!

Schuberti (6 Schubertian Songs – arr. J. Mertz for guitar) u luajt me një ndjeshmëri të theksuar, kongjeniale muzikës së mrekullueshme të këtij mjeshtri të lidit gjerman. Përkundër kësaj, edhe më tutje mendoj se jo e gjithë muzika klasike/romantike funksionon në këtë instrument, instrument që mban në vete konotacione eksplicite të muzikës së vjetër (renesansës dhe barokut). Për më tepër, kam përshtypjen se, edhe muzika bashkëkohore, tingëllon më natyrshëm në të.

Në vazhdim të koncertit, në program ishin miniaturat shumë të popullarizuara të kompozitorit spanjoll Francisco Tárrega. Ishte kënaqësi t’i dëgjoje këto margaritarë të Tárrega-s (Prelude, Recurdos de la Alhambra Marieta dhe Danza Mora), që aq shumë e kanë popullarizuar muzikën për kitarë. Në një interpretim të tillë, të relaksuar por edhe me qasje të përgjegjshme dhe shumë serioze, çfarë bënte Petriti, ato tingëllonin shumë të freskëta, me një sharmë të jashtëzakonshëm. Më gjasonin në interpretimet e kolosëve të pianos (Richter e Barenboim), kur luajnë sonatat e thjeshta të Mozartit (psh., Sonata facile).

Ehati…

Garat ndërkombëtare për kitarë klasike, që mbahet në kuadër të festivalit ‘Peja International Festival’, mban emrin e kitaristit tonë të famshëm, Ehat Musa. Për shumë arsye, organizatorët duhet përgëzuar që Garat i kanë emërtuar me emrin e një legjende të pakontestueshme të muzikës kitaristike po aq shqiptare/kosovare, sa françeze dhe ndërkombëtare . Ne që e njohim më për afër veprimtarinë kolosale të tij, ne që e përcjellim çdo hap të rëndësishëm artistik të bërë, në këto katë deceniet e fundit, thuajse nuk njohim një kitarist të këtyre anëve (të ish Jugosllavisë), që ka pasë një renome aq të lartë si Ehat Musa. Kosovarët, me të drejt kanë qenë krenar për këtë. Deri sa në fushën pianistike, violinistike etj., qendrat si Zagrebi, Ljubjana dhe Beogradi kanë pasur primatin e kuptueshëm, ne e kemi pasur në fushën kitareske Ehat Musën. Që nga edicioni parë, ai me përkushtim dhe dashuri mban ligjërata dhe Masterklas kitaristëve të rinj. Kjo është e vlefshme, por edhe të mos ishte ky kontribut direkt i tij, vet prezenca fizike e tij, është nder dhe poentë e rëndësishme e Festivalit. Ai është, do të thosha, ëmblema e Festivalit.

Pa asnjë mëdyshje, mendoj se Ehati do të vërej që në dyzetvjetëshin e fundit, ndryshimet (të cilat ai sigurisht i përcjellë nga afër), në botën kitaristike, janë shumë të mëdha. Kjo është e kuptueshme dhe logjike, kur dihet se në vitet e para të karrierës së tij, në tërë vendet ballkanike, dhe një pjesë të madhe të Evropës, nuk është mësuar kitara si instrument në Akademi artistike (!). Specialiteti i kitarës, në Akademitë muzikore ekzistuese, është futur relativisht vonë. Ka filluar në mesin e viteve ’70-ta, së pari në Zagreb, në Beograd dhe pastaj në qendrat tjera të rajonit, që sot të konkludojmë një ‘boom’ aritistik. Por është pikërisht Ehat Musa, personaliteti i tij artistik, pastaj Darko Petrinjak (profesori i Petrit Çekut dhe Xhevdet Sahatçiut), dhe Dushan Bogdanoviç (që të tretë emra europian, qoftë si interpret apo si pedagog), që arrijnë ta promovojnë kitarën si specialitet i shkollimit të lartë në Ballkan. Falë këtyre emrave veteranë, fillon edhe literatura bashkëkohore për kitarë (joekzistuese deri në atë kohë!), të shfaqet. Në dyzet vitet e fundit, pedagogjia kitaristike ka përparuar aq shumë, sidomos në aspektin e përparimit teknik-interpretues, sa që sot ajo është plotësisht në nivel të instrumenteve të tjera, të cilat kanë një rrugë të gjatë qindravjeçare. Derisa në koncertet e Ehatit, decenije më parë rrinin në publik, qindra adhurues të tij, sot, krahas tyre, rinë në sallë, qindra talent të ri. Për këtë, legjenda e kitarës klasike, Ehat Musa, duhet të jetë i lumtur dhe me arsye shumë krenar.

Është e pritur që me ndihmën e këtyre dy “engjujve mbrojtës” të festivalit, ideatori i festivalit, Profesori i çmueshëm i një brezi të tërë të kitaristëve të rinj, Xhevdet Sahatçiu, edhe më tutje do të llogarisë, së paku deri në arritjen e pikës së dëshiruar, që Garat e kitaristëve në kuadër të këtij festivali të bëhen vend prestigji për karrierën e tyre. /KultPlus.com

Sot bëhen 28 vjet nga Deklarata e 2 korrikut

Sot bëhen 28 vjet që kur delegatët e atëhershëm të Kuvendit të Kosovës, miratuan Deklaratën e pavarësisë së Kosovës, e njohur si Deklarata e 2 Korrikut.

Më 2 korrik 1990, Kuvendi i Kosovës solemnisht shpalli Deklaratën Kushtetuese mbi Kosovën si njësi të pavarur dhe të barabartë me republikat tjera në kuadër të Federatës së Jugosllavisë.

Deklaratën Kushtetuese mbi Kosovën si njësi të pavarur dhe të barabartë në kuadër të federatës apo konfederatës jugosllave e shpallën në Prishtinë 111 delegatët shqiptarë, po edhe të komuniteteve të tjera të Kuvendit të Kosovës. Deklarata Kushtetuese e 2 Korrikut shënon edhe pikënisjen për pavarësimin e Kosovës nga Serbia, duke synuar që të trajtohet si e barabartë me republikat e atëhershme socialiste në federatën jugosllave. Menjëherë pas 2 korrikut, më 7 shtator u miratua edhe Kushtetuta e Kosovës e njohur si Kushtetuta e Kaçanikut./ KultPlus.com

Mjetet e grumbulluara për shqiponjat e Xhakes dhe Shaqirit jepen donacion për shërimin e fëmijëve shqiptarë

Aksioni i realizuar në Shqipëri për mbledhjen e parave me qëllim të pagesës së dënimit të FIFA’s për “Shqiponjat” e Granit Xhakës dhe Xherdan Shaqirit ka përfunduar me sukses.

Falë solidaritetit të shqiptarëve shuma është mbledhur me shpejtësi. Mirëpo, futbollistët Granit Xhaka dhe Xherdan Shaqiri, përmes familjarëve të tyre kanë njoftuar se nuk do t’i pranojnë paratë e mbledhura, por dëshirojnë që ato t’i japin për qëllime humanitare.

Me kërkesë të tyre do të ketë ndarje proporcionale të shumës prej 25.000 franga zvicerane për shërimin e 3 fëmijëve (një në Shqipëri, një në Kosovë dhe një në Maqedoni) që kanë nevojë për intervenime të shpejta mjekësore. Prandaj, Klan Kosova njofton opinion se ka formuar një komision profesional mjekësor i cili do ta bëjë përzgjedhjen e rastit më urgjent për shërimin e NJË fëmije nga Kosova, të cilit do t’i dhurohen 8.300 franga zvicerane në emër të Granit Xhakës dhe Xherdan Shaqirit.

Të gjithë të interesuarit për t’u bërë përfitues potencial të këtij fondi humanitar duhet ta sjellin dokumentacionin përkatës shpjegues me dëshmitë zyrtare mjekësore deri të hënën, më 2 korrik 2018, në orën 15:00, në ndërtesën e Klan Kosovës, ish Fabrika e Amortizatorëve, në Prishtinë. Pastaj, komisioni profesional i mjekëve do ta bëjë përzgjedhjen dhe do ta kontaktojë familjen e fëmijës.

Babai i Xhakës i çuditur pse u dënuan “shqiponjat”, kontributi i shqiptarëve thotë ua ktheu gëzimin

“Shenja e shqiponjës është si një tatuazh i gëzimit të shqiptarëve në festa, në dasma, në koncerte, në ndeshje futbolli dhe nuk ka brenda asnjë urrejtje apo madje asnjë lidhje me të tjerët, po është thjesht një shenje dalluese që shqiptaret e njohin menjëherë e nuk kanë nevojë për shpjegime!” Kështu ka shkruar Ragip Xhaka, babai i futbollistit Granit Xhaka.

“Prandaj edhe jemi shumë të çuditur me reagimin e atyre që e përjetuan shenjën tonë si ofensive për ta apo atyre qe e trajtuan si gjest politik! Por nuk jemi aspak të çuditur me solidaritetin e shumë shqiptarëve që janë ndjerë keq nga keqinterpretimet e shenjës dhe kanë marrë pjesë në iniciativën e Edi Ramës për të kontribuar simbolikisht për gjobën e padrejtë qe na u vu!”, ka thënë Xhaka për Koha.net.

Tutje, ai ka thënë “I falënderojmë shumë jo për shumën, po për faktin që na kthyen 20 mijë fish gëzimin që u dhamë me shenjën e shqiponjës pas golave!”.

Doni të jeni më të lumtur? Bëjini vetes këtë pyetje çdo mëngjes

Kur zgjohei në mëngjes, çfarë ju shkrep në mendje?

A filloni duke menduar për gjithë punët që keni sot? Emailet që duhet të ëprgjigjeni, malin me shkresa mbi tryezë që duhet të përfundohen, apo punët e shtëpisë që duhet të bëni?

Apo…

A mendoni për gjërat që ju bëjnë të lumtur? Puthjen që vogëlushja apo vogëlushi juaj do ju japë para se të shkojë në shkollë, apo faktin që, edhe pse nuk keni gjithçka që dëshironi, gjithësesi jeni mjaft mirë?

Albert Einsteini dikur ka thënë: “Vendimi më i rëndësishëm që ne marrim, është nëse besojmë që jetojmë në një univers miqësor, apo armiqësor”.

A është bota ku jetoni armiqësore, apo miqësore? Si e shihni ju? Jeni ju që vendosni.

Çdo ditë e marrim këtë vendim.

Duhet të zgjohemi dhe të pyesim veten: “Jetoj në një botë të mirë, apo në një botë të keqe?”

Mënyra si e shihni botën, ka ndikim të fortë mbi qasjen tuaj ndaj ditës. Mos harroni, mendimi pozitiv sjell dritë në sy, më shumë energji dhe lumturi.

Ju bën më mirëkuptues, kur ndodhin gjëra që nuk i prisnit.

Dikush ju pret rrugën në trafik? Pa problem. Të paktën nuk ju goditën, duke ju detyruar të vonoheni për punë.

Dikush ju ka zënë rrugën sepse ecën ngadalë? Bëni durim! Shijoni kohën ekstra në rrugë.

Duke e nisur ditën me mendimin e vetëdijshëm se bota është e mirë, keni më pak gjasa të reagoni në mënyrë negative kur ndodhin gjëra që nuk i kishit në plan. Keni pak më shumë durim. Pak më shumë shpresë.

E mira sjell të mirën

Plus, mënyra si e shihni ditën tuaj që në mëngjes, ndikon gjithashtu që shumë gjëra të mira të ndodhin gjatë ditës.

Susan Reynolds, autore e “Mësoje trurin që të të bëjë të lumtur”, thotë se “të ndjerit e kënaqësisë është kaq stimuluese për trurin, saqë bën që të reagosh ndaj kënaqësisë në një mënyrë që e përforcon atë kënaqësi”.

Me fjalë të tjera, sa më shumë të mirë që kërkon në këtë botë, aq më shumë të mira do të marrësh në këmbim.

Kur zgjohesh dhe zgjedh të jetosh në një “botë të keqe”, dita shkon shumë ndryshe. Ndiheni të irrituar kur përfundoni prapa dikujt që po ecën ngadalë në trafik. Qëndrimi në radhë në një dyqan të duket si përjetësi dhe çdo gjë që bën duket dhjetë herë më e vështirë.

Asgjë nuk funksionon si duhet dhe vazhdimisht je në pritje që gjërat të shkojnë keq (që zakonisht do të shkojnë nëse mendoni kështu) – gjëra që “vërtetojnë” se bota është vend armiqësor.

Si ta nisni ditën tuaj më pozitivisht?

* Zgjidhni fjalë dhe deklarata që reflektojnë një qasje pozitive: “Do të kem një ditë të mirë”, ose “Sa mirë do të më shkojë dita sot”.

* Fokusohu në gjërat që të bëjnë të lumtur: “Mezi pres të shoh shfaqjen e shkollës së kalamajve sonte në mbrëmje”, ose “Mezi pres të shoh ku do të më shpjerë ky projekt në punë”.

* Vlerësoni gjërat e mira në botën tuaj: “Jam shumë mirënjohës për shëndetin, faktin që mundem të paguaj faturat, apo që kam një familje të mrekullueshme!”

* Kaloni më shumë kohë me njerëz pozitivë, sepse jua bën më të lehtë të ndiheni edhe vetë pozitivë!

Nuk do të jetë asnjëherë 100% por nëse fokusohuni pak më shumë tek e mira, se sa tek e keqja, po bëni shumë progres. Me hapa të vegjël, por të sigurt. / bota.al

Djaloshi 8 vjeçar e përfundon shkollën e mesme dhe regjistrohet në fakultet

Djaloshi tetëvjeçar nga Belgjika tashmë e ka marrë diplomën e shkollës së mesme, por jo vetëm kaq, ai së shpejti do ta ketë edhe indeksin e fakultetit.

BBC e sjellë tregimin e mrekullueshëm për djaloshin nga Belgjika i cila me vetëm tetë vjet e ka përfunduar shkollën e mesme dhe është regjistrua në fakultet.
Tetëvjeçari Laurent Simons, babai i të cilit është belg, kurse nëna holandeze, e ka koeficientin e inteligjencës 145.

Ai ka arritur ta përfundojë shkollën e mesme dhe ta marr diplomën. Shkollimi ishte paraparë gjashtë vjet për shkollë të mesme, por ai ka arritur ta përfundojë për një vit e gjysmë, transmeton lajmi.net.

Në një intervistë për radio stacionin RTBF, Laurent ka zbuluar se lënda e preferuar për të është matematika, “pasi që është e gjerë, ka statistika, gjeometri, algjebër”.

Ai planifikon që pas përfundimit të shkollës së mesme të pushojë dy muaj, e më pas të niset drejt fakultetit. Dëshira e tij është që të merret me kompjuterë, por e tërheqë edhe puna e kirurgut dhe astronautit.

“Nëse nesër ndërron mendje dhe vendos të bëhet zdrukthëtar, do ta mbështesim, e rëndësishme është që ai është i lumtur”, ka thënë babai i tij, dhe ka shtuar se Laurenti gjithmonë ka qenë fëmijë i veçantë, nuk ka dashur të luaj me fëmijët tjerë e as me lodra. / KultPlus.com

Pjetri dhe Armendi, të parët në Zvicër që bëjnë pica të zeza

PizzArgovia në Brugg, një piceri e vogël por me pica më të veçanta. Jo vetëm nga shija, por edhe nga forma që të shërbehet. Nëse shkoni aty, mos u çuditni nëse pica që do të konsumoni mund të ketë ngjyrë tjetër.

Pjetri dhe Armendi, nuk jetojnë në Itali, në vendin i cili njihet për pizza, por në Zvicër. Ata kanë bërë një kthesë në përgatitjen e këtij specialiteti, pasi që, nëpërmjet gatimit ata po bëjnë edhe vepra arti. Pjeter Perlepi dhe Armend Hajdaraj ka kohë që në picerinë e tyre kanë filluar të eksperimentojë me artin në pica, shkruan albinfo.ch.

Ndërkohë puna e tyre ka zgjuar interesimin e të tjerëve, të cilët për kuriozitet po shkojnë të shijojnë picat e tyre, edhe për shijen por sidomos edhe për ngjyrën. Pos picave tjera të shijshme, ata së fundi kanë vendosur të përgatisin pica me ngjyrë të zezë.

Pjeter Perlepi nga Komuna e Gjakovës ka 30 vjet që jeton në Zvicër. Ai ka mbaruar zanatin për të përgatitur ëmbëlsira në ëmbëltore. Pjetëri ishte rritur në furrë dhe e ka trashëguar profesionin nga babai i tij që tashmë është pensionuar dhe kishte furrën e tij në Zvicër.

Braktis zanatin e ëmbëltoristit, në kërkim të sfidave të reja
Por, ai vendosi të bëjë diçka tjetër dhe të merret me specialitetin e picave. “Doja një profesion të ri, pasi duke bërë torta dhe ëmbëlsira u bë monotone, dhe kam punuar edhe disa punë tjera. Edhe pse nuk isha i sigurt, ky zanat më hyri në qejf. Kam punuar 1 vjet e gjysmë aty dhe pastaj edhe në një piceri tjetër për rreth 3 vjet e gjysmë”, shprehet për albinfo.ch Pjeter Perlepi.

Më pas Pjetri dhe Armendi kanë vendosur që të kenë një piceri të tyre. Dhe kështu hapin picerinë “PizzArgovia”, që ka hapur dyert tashmë një vit në Brugg.

Po përse pica të zeza?
Disa të tilla i kishin shijuar në Itali, por ato ishin me ngjyra. “Na ka pëlqyer shumë ideja, dhe kemi vendosur që t`i bëjmë vet, por jo me ngjyrë. Kemi shikuar receta të ndryshme. Është më e shëndetshme, është më e shijshme. Kemi kërkuar diçka më të veçantë. E kemi nisur testimin, dhe e kemi provuar me familjarët tanë, të cilët ishin të befasuar.”

Pastaj një mendim për zbulimin e tyre e kanë marrë edhe nga miqtë e tyre.
Lajmi se në picerinë e tyre po bëhen pica të zeza ishte përhapur me shpejtësi. Tani mysafirët e tyre konsumojnë gjysma pica të zeza dhe gjysma pica tjera, të zakonshme.

“Ne nuk kemi pritur se do të kishte kaq shumë interesim. Kemi menduar mbase të kemi porosi për 10-20 pica në javë, por që na shkojnë më tepër nuk kemi besuar. Kemi pasur mysafirë të ndryshëm dhe special, vetëm për të ngrënë pica të zeza. Kjo të motivon për punë”, thotë Armendi për albinfo.ch, i cili prej disa vitesh ushtron profesionin e gastronomit në Zvicër.

Ja si “i nxijmë” picat

“Eshtë një preparat medicinal që është i lejueshëm dhe quhet “kohle aktiv” (karbon aktiv). Ne e kemi marrë vetëm atë produkt dhe e kemi kombinuar me miellin tonë, pastaj kemi shfrytëzuar edhe idetë e të tjerëve dhe kështu kemi bërë picën e zezë”, tregon për sekretin e kësaj pice Armend Hajdaraj nga Gjakova.
Ai thotë se nuk janë frikësuar që te eksperimentojnë për të bërë një picë të zezë. “Ne kemi dashur të japim diçka të re në Zvicër dhe me këtë ia kemi arritur. Një risi për konsumatorët. Ideja ka qenë që ne jemi të rinj dhe po ofrojmë diçka të re. Deri më tani jemi të vetmit në Zvicër me pica të zeza. Ka me ngjyra tjera, por jo me ngjyrë të zezë”, thonë Armendi dhe Pjetri. / KultPlus.com

Turistët: Shkodra është një mrekulli

Një e diel në Shkodër, për të vizituar disa nga vendet më historike të Kryeqendrës së veriut. Turistët që zgjedhin të vijnë janë të predispozuar të vizitojnë një variacion të gjerë zonash, ndërsa nuk mungojnë vizita nga vende si Finlanda e deri nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ajo që bie më shumë në sy është dashuria e tyre për ushqimin në Shkodër, restorantet, kafenetë dhe padiskutim
edhe për motin. Kjo të paktën për këta turistë finlandez, të cilët dashurojnë diellin e Shkodrës.

Një pjesë tjetër vijnë nga Shtetet e Bashkuara, ndërsa vrapi deri në zonën turistike të Shirokës është një ndër destinacionet e para që ka zgjedhur për të eksploruar në Shkodër.

Kalaja e Rozafës,muzetë e ndryshme të qytetit të Shkodrës dhe zonat muzelae si pedonalja janë pikat më strategjike.

Ndërsa peshku dhe pjatat tradicionale të Shkodrës janë ato që tërheqin më shumë vëmendjen në kulinari.

Pjesa më e madhe e turistëve e kanë Shkodrën si një qytet një apo dy ditor në kalim, ndërsa vijojnë më tej me turin e tyre në vende të tjera të Ballkanit. / KultPlus.com

Aktorja e mirënjohur shqiptare Esma Agolli

Më 1 korrik të vitit 1928 lindi Esma Agolli, një aktore e mirënjohur shqiptare e skenës dhe ekranit. Ajo ka luajtur në 60 role të ndryshme, duke filluar nga viti 1948.

Esma Agolli është një aktore e mirënjohur shqiptare. Ajo ka luajtur shumë role në teatër dhe kinematografi, por rolet që spikasin janë “Mysafiri” në vitin 1979, Zonja Neriman te film “Përtej mureve të gurta” në 1979, “Fëmijët e saj” në vitin 1957, etj.

Esma Agolli mban titullin “Artiste e Merituar”. Vdiq në Tiranë më 4 qershor 2010. / KultPlus.com

Skuadra arbëreshe në Itali, ka simbol shqiponjën dhe i këndojnë Skënderbeut (FOTO/VIDEO)

Klube futbolli shqiptare nuk ka vetëm në Shqipëri dhe Kosovë, por edhe në Europë.

San Giorgio Piana është një ndër to. Skuadra aktualisht është pjesë e Kategorisë së Dytë siciliane dhe përfaqëson komunitetin arbëresh të Piana degli Albanesi (Hora e Arbëreshvet), në Palermo.

San Giorgo është një ekip tipik shqiptar, teksa në logo të fanellave mban shqiponjën, ngjyrat i ka kuqezi, ndërsa ultrasit i këndojnë Heroit Kombëtar Skënderbeut.
Edhe pse larg origjinës, lojtarët nuk harrojnë të flasin shqip në ekip, por jo shqipen zyrtare, por atë të vjetrën, gjuhën e Skënderbeut.

Fakti që ekipi luan në ligat inferiore nuk i ndalon tifozët që të shkojnë në stadium, përkundrazi ata janë gjithmonë aty, në mbështetje të skuadrës, duke kënduar për ngjyrat kuqezi.

Newsport.al sjell disa nga fotot dhe videot e skuadrës dhe tifogrupit ”Ultras Curva West”. / KultPlus.com


Shqipërimet e panjohura të Nolit gjenden te shqiptarët në SHBA

Pesë botime të shqipëruara nga Fan Noli janë gjetur në Amerikë nga studiuesi i historisë Niko Kotherja.

Botimet e 5 pjesëve të “Don Kishotit të Mançës”, përkthimet brilante të Fan Nolit, botuar me 1932 në Boston janë gjetur mes shqiptarëve të Amerikës.

Studiuesi i historisë Niko Kotherja në Boston ka mundur te gjejë këto gjurmë të rëndësishme, me vlerë të pazakontë sa i takon periudhës kur janë botuar, por edhe si dëshmi e përpjekjeve për të ruajtur gjuhën shqipe. Pas një udhëtimi në Amerikë mes radhëve të shqiptarëve, Kotherja ka arritur që këto vëllime të rrugëtojnë në Korçë.

Botimet e hershme të Nolit janë dëshmi e përpjekjeve të tij për të njohur lexuesin shqiptar me autorët botërorë dhe veprat e njohura të kohës, ndërkohë që janë konservuat me kujdes nga shqiptarët e Amerikës, ku sipas Kotheres gjenden edhe shumë botime të tjera me vlerë. / KultPlus.com

Libri i shenjtë i Jusuf Gërvallës

Jusuf Gërvalla

Shpuzë e errët matanë qelqeve që avullojnë
mesnatës së ngjyer me tëmbëlin e detit
në oborr po fshihej një hije dhe qerrja e drunjtë
kuajt sonte askund s’do të marrin udhë
në mur ndrit dhe pipërrin kandili
e në letër mes dy vijash të zeza si përherë
druri i vetmuar më tutje ca hithër
ia djegin këmbët fëmijës që ëndërron
drita e praruar gjerdan me guaca
hën’ e verdhë atje lart në tavan – dhe teja
tok me djepin e vjetër që s’përkundet – e ha
nuk shihet atje rrëzë gardhi një vogëlush
që shiu i tetorit e qull ngadalë
në vatër u dogjën urët – s’ka mbetur më prush
frika nga trupi im në shtrat po më fton

mbi tryezë ora e vogël rrah e s’pushon.

BBC: Bunk’Art, vendi më i fshehtë në Europë

Shqipëria komuniste ishte kombi më i izoluar i Europës. Duke iu trembur një pushtimi, regjimi ndërtoi një bunker bërthamor të fshehtë. Sot ky bunker është një atraksion turistik.

Ai ishte i fshehur nga rruga. Një tunel i gjatë, i hapur përmes një kodre përballë, ishte e vetmja mënyrë për të hyrë. Ky nuk ishte një vend ku mund të shëtisje, ishte hyrja e një baze ushtarake.

Tuneli, i gjatë sa dyfishi i një fushe futbolli, është më i ftohtë se sa mjedisi përjashtë. Aty-këtu gjenden pellgje uji. Një kumbim harmonioz bëhet gjithnjë e më i fuqishëm ndërkohë që i afrohesh qendrës së tunelit. Pas, roja që qëndron në hyrje të tunelit duket sa një ushtar prej lodre.

Gjithsej, duhet të ecësh 198 metra për të arritur në një parking të panjohur që ndodhet në fund. Një godinë institucionale ngjyrë gri shfaqet përballë. Ky është “Bunk’Art 1” dhe një ecje prej pak minutash në rrugën që ndodhet pas të dërgon në një prej vendeve më të fshehta të Luftës së Ftohtë.

“Ky është vendi më i mirë për të qëndruar në Tiranë gjatë ditëve të verës kur termometri arrin 40 gradë Celsius”, thotë Artemisa Muço.

Muço punon si guidë në “Bunk’Art 1”. Vajza 24-vjeçare e diplomuar në histori kalon ditët e saj në një vend aq të fshehtë sa që njihej vetëm si “Godina 0774”, një emërtim i ftohtë për një strukturë që ishte ndërtuar për t’i mbijetuar fundit të botës, shkruan atsh.

Enver Hoxha ishte udhëheqësi i Shqipërisë për katër dekada. Nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore deri në mes të viteve 1980, ai udhëhoqi vendin sipas modelit stalinist të vetë-mjaftueshmërisë i ideuar për të kthyer Shqipërinë në një vend modern dhe të pavarur. Ishte një rrugë unike, zbatimi i tij plot zell i marksizëm-leninizmit lejonte shumë pak devijime. Shqipëria prishi marrëdhëniet me Jugosllavinë në vitin 1948, me Bashkimin Sovjetik në vitin 1961 dhe Kinën në vitin 1979, për shkak të braktisjes së detyrës socialiste nga këto vende.

Bashkë me këtë zell stalinist erdhi edhe paranoja. Hoxha, një ish partizan që kishte luftuar gjermanët në Luftën e Dytë Botërore, besonte se armiqtë nga Lindja dhe Perëndimi planifikonin të pushtonin këtë vend të vogël dhe malor. Ai urdhëroi zhvillimin e një programi gjigant të ndërtimit të bunkerëve, i cili do t’u mundësonte qytetarëve shqiptarë të luftonin një luftë guerrile nëpërmjet një rrjeti të gjerë bunkerësh. Dhe ndërkohë që zhvilloheshin luftimet, Hoxha, bashkë me pjesën tjetër të elitës drejtuese do të koordinonin rezistencën nga ky bunker.

“Godina 0774” është rezultati i paranojës unike të Hoxhës. E ndërtuar mes viteve 1972 dhe 1978, ajo ka më shumë se 300 dhoma të shpërndara në shtatë nivele nëntokësore, ku pjesa më e madhe ndodhet thellë brenda ultësirës së Malit të Dajtit. Është një kujtim klaustrofobik dhe pa dritare nga Lufta e Ftohtë në një prej cepave më të mbyllur.

Sikur perëndimi apo lindja të pushtonte, “Godina 0774” do të kishte qenë një vend aktiv. E gjithë mbrojtja e vendit do të organizohej nga këtu. Godina do të priste brenda deri në 300 persona, përfshirë edhe stafin e Shtabit të Përgjithshëm të vendit.

“Kishte mjaftueshëm ushqim, uji dhe karburant që të qëndronin të mbyllur për një vit”, thotë Muço.

Bunkeri u ndërtua nën një fshehtësi të plotë. Në një mur ndodhet një imazh i Hoxhës që e viziton ditën e inaugurimit, ku do të kalojë një prej pak netëve që i kishin mbetur para se të vdiste në vitin 1985. Pavarësisht kësaj, ai kishte apartamentin e tij, të kompletuar me një krevat luksoz, një zyrë sekretarie dhe një banjë të pajisur me një dush që funksiononte me motor me naftë. Dhomat private janë dekoruar me një material që ngjan si dru i zi.

“Është kompesatë. Ndërsa pjesa tjetër e dhomave, si ajo e kryeministrit, janë dekoruar me dru. Kjo është e vetmja dhomë që është punuar kështu”, thotë Muço.
Shqipëria kaloi nga qeverisja me një parti në zgjedhje parlamentare në vitin 1991, por pjesa tjetër e dekadave u shënuan nga kaosi. Në vitin 1997, qeveria e vendit ra pas dështimit të skemës së firmave piramidale, që goditën pjesën më të madhe të pasurisë së vendit. Rreth 2 000 persona u vranë dhe shumë baza ushtarake u bastisën për shkak të kaosit. “Godina 0774” ishte një prej tyre.

Kompleksi i bunkerëve u përdor për herë të fundit nga ushtria shqiptare për stërvitje në vitin 1999 dhe më pas u la pasdore. Vetëm në vitin 2014 u rihap falë përpjekjeve të gazetarit italian Carlo Bollino, i cili kërkonte të rikthente në dritë këtë relike të historisë së Shqipërisë së izoluar.
“Vendosa të hap Bunk’Art 1 në vitin 2014, kur ministria e kulturës nxori një njoftim për ide për të festuar 70-vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë”, thotë ai për “BBC Future”.

“Deri në atë kohë ende nuk kishte një vend ku një turist madje as edhe një shqiptar të mund të mësonte për sekretet e periudhës komuniste”, vazhdon Bollino.
Ai thotë se “pati një ndjenjë të fuqishme gjatë vizitës së parë. Ndjeva emocionin për të eksploruar një vend të errët, misterioz që përcjell një ndjenjë të historisë”.

Kur godina u hap në vitin 2014 për një muaji, shkaktoi një tronditje, rreth 70 000 shqiptarë e vizituan.

“Shqiptarët mësuan se këtu ndodhet ky bunker për të cilin nuk dinin asgjë prej kaq shumë vitesh. Sikurse mund të vihet re ka shtëpi këtu rrotull. Madje edhe banorët e zonës kur erdhën këtu u habitën. Ishte shumë mahnitëse për ata që të shihnin se brenda në mal ndodhej një godinë e tillë”, thotë Muço.

Bollino nuk u përpoq që të ndërtojë vetëm një muze që ruan strehën e regjimit sikur të ishte një kapsulë kohe, por për të shtuar diçka më shumë. Shumë prej dhomave janë kthyer në mjedise arti, secila prej tyre paraqet një aspekt të ndryshëm të së kaluarës komuniste, ose të bëjë godinën të oshëtijë.
Dhomat e rinovuara në kompleksin si labirinth janë mbushur me produkte dhe pajisje që i rezistojnë kohës. Ekipi tani ka mbaruar se rinovuari më shumë se 100 prej dhomave të bunkerit. Pjesa më e madhe e kompleksit ka mbetur e parinovuar, ose thjeshtë janë jashtë afateve. Një bazë funksionale e ushtrisë ndodhet aty pranë dhe zyrtarisht kjo godinë mbetet pjesë e Ministrisë së Mbrojtjes.

Bollino e pranon se “kjo është një sfidë e madhe. Kjo ishte e vështirë nga një këndvështrim logjistik, sepse vendi është shumë i lagësht dhe çdo objekt i ekspozuar brenda pak ditësh përfshihet nga myku”.

“Por vështirësia më e madhe ishte kulturore. Mbledhja e dokumenteve dhe objekteve nga e kaluara komuniste ishte e mundimshme, por edhe më e vështirë ishte përpjekja për të tejkaluar paragjykimin mbi një vend në të cilin dëshiroja të tregoja një periudhë të tmerrshme të historisë së këtij populli. U mundova shumë që ta bëja këtë të qartë se të kujtosh faktet e periudhës komuniste nuk do të thotë të kesh nostalgji për komunizmin”, thekson ai.

Ka prekje surreale. Ato që duken si kosha për letra të dekoruara me yje të kuq në fakt janë pastrues të ajrit, që lëshojnë oksigjen për të pastruar ajrin nga dioksidi i karbonit që krijohet brenda. Maskat e gazit të tipit sovjetik, lloji i maskave që u furnizua Shqipëria kur ishte miqësore me Moskën, që aredojnë korridoret, i kujtojnë vizitorëve ankthin në rritje që të sillte ky vend që mendohej të bëhej shtëpia e përkohshme e 300 personave.
Kompleksi është i kufizuar, por jo i vogël. Në zemër të tij ndodhet një sallë kuvendesh e madhe mjaftueshëm për të mbajtur 100 persona. Nga këtu, Hoxha dhe elita e regjimit do të lexonin fjalime për ata që ndodheshin të mbyllur brenda kësaj strehe rezistente ndaj sulmeve atomike. Tani është shndërruar në një teatër dhe vend koncertesh, kur hyn brenda ka një bar të vogël, ku luhen koncerte xhazi dhe roku. Këtu ka një ironi poetike, sepse të dyja janë zhanre muzikore që ishin ndaluar gjatë regjimit të Hoxhës.

Koncerte të tjera planifikohen të zhvillohen në këtë godinë, që shumë shpejtë është duke u shndërruar në një prej atraksioneve më turistike në Shqipëri. Bollino thotë se ka edhe plane të tjera.

“Porjekti im i radhës ka të bëjë me një nga koridorët jugorë të Bunk’Art 1, në të cilin dua të krijoj një ekzebicion fotografik me skena nga jeta e përditshme, gjithnjë duke iu referuar periudhës komuniste. Kjo do të jetë një mundësi për të prezantuar vizitorët me një pjesë tjetër të vendit që tani është zhdukur”, thotë Bollino.

“Në shtator do të provojë një lloji teatri përfshirës. Do të rikthej karaktere të së shkuarës në korridoret e Bunk’Art dhe vizitorët mund të takohen dhe ndërveprojnë me ta. Ky është një tjetër hap drejt një projekti edhe më ambicioz që ka të bëjë me instalimin e një bazamenti për realitet virtual”, shprehet gazetari italian.

Ndërkohë, Bunk’Art po bëhet një arsye për të vizituar Tiranën. Senada Murati, pjesë e ekipit që kujdeset për kompleksin, thotë se ka filluar të ketë gjithnjë e më
shumë interes nga vizitorët që vijnë nga Britania e Madhe dhe SHBA-ja madje edhe nga Zelanda e Re.

Muço thotë se Bunk’Art është përpjekur të qëndrojë sa më neutral të jetë e mundur politikisht, po u larguar nga faktet që lidhen me izolimin komunist të Shqipërisë. Gjatë udhëheqjes 40-vjeçare mendohet se janë ekzekutuar rreth 5 500 persona dhe burgosur rreth 25 000 të tjerë. Qytetarët shqiptarë mund të qëlloheshin menjëherë nëse kapeshin duke u përpjekur të kalonin barrierat që izolonin kufijtë e vendit.

“Mendoj se muzeu duhet të jetë shumë i ndjeshëm. Ne prezantojmë këtu dritën dhe errësirën e komunizmit, kështu që njerëzit mund të vendosin”, thotë ajo.
“Disa vizitorë, vazhdojnë të vijnë me fotografinë e Hoxhës në xhep”, tregon Murati.

(Përktheu Gent Sinani)