Besa-Besë

Poezi nga Andon Zako Çajupi.

Gjithë vendetë gëzojnë,
ti, Shqipëri, pse pushon?
Gjithë njerëzit këndojnë,
ti, shqiptar, pse rënkon?
Gjithë duanë lirinë
dhe pa të njeriu s’rron;

ti, shqipëtar, Shqipërinë
në zgjedhë si e duron?

Zgjohuni, o shqipëtarë,
erdhi dita për liri!
Zini luftë me barbarë,
përpiqi për Shqipëri!

Të krishter’ e myslimanë,
të tërë një sua kemi;
gegë, toskë, dibranë,
gjithë shqipëtarë jemi.

Mblidhuni te bëjmë benë,
të gjithë dorë për dorë:
Të duamë mëmëdhenë,
edhe malet me dëborë.

Që ditën që u shkeli
robëria dhe gjer sot
nukë bën më bar Dhëmbeli
dhe Tomori qan me lot.

Male me krye në qieli,
si duroni robërinë?
Ju që shihni drit’ e diell,
pse s’ndrini dhe Shqipërinë?

Ku janë vaftet e parë,
që kini dhënë yrnek?
Ku jini, o shqipëtarë,
pse s’dëgjohet një dyfek?

Apo humbi trimëria,
apo s’doni mëmëdhenë?
A u shua Shqipëria,
që ka pjellë Skënderbenë?

Pse rrini lidhur me lak?
Pse shpëtoni vënd’ tuaj?
apo s’u mbeti më gjak,
se e derdhtë për të huaj?

Mirri pushkëtë në duar
edhe bëni besa-besë:

Shqipëria do shpëtuar,
kokë turku të mos mbese! /KultPlus.com

A kryhet fakulteti me zor?

Këngë nga grupi i njohur 403.

Në duar mbaj indexin tim
si duket mbeta pa nënshkrim
Erdhi koha të mendoj
a do mësoj a të këndoj

Nuk kryhet shkolla me muzikë
Fjali e thjesht në fund me pikë
Tri pikat tjera më mungojnë
S’mund vendosi e ditët shkojnë

Më thoni shoku profesor
a kryhet fakulteti me zor
Mos duhet më tepër të mësoj
apo ndoshta profesionin ta ndërroj

Për fakultete nuk jam fare
duhet t’gjetur tjetër qare
Nga muzika s’mund t’jetoj
as për cigare s’mund fitoj

Prindërit me thonë nxeje karrigen
Të gjithave librave ua kam frikën
Rrugëdalje tjetër tani s’kam
me duhet t’jem ai qe s’jam

Më thoni shoku profesor
A kryhet fakulteti me zor
Mos duhet më tepër të mësoj
apo ndoshta profesionin ta ndërroj./ KultPlus.com

Rudina Xhunga këshillon nënat: Për vajzat, jo vetëm libra me princesha!

Moderatorja e njohur ka përdorur Instagramin për t`i përcjellë nënave një mesazh të vyer. Ajo është shprehur se bota e vajzave të vogla duhet të zgjerohet më shumë edhe me histori të tjera përveç atyre me princër e princesha.

Sipas saj vajzat nuk mund të privohen nga rrëfenja të njohura klasike si “Borëbardha”, “Hirushja”, apo “Bukuroshja e fjetur” mirëpo kësaj listë duhet t’i shtohen edhe libra të tjerë.

“Mama vajzash, mos iu blini të voglave tuaja, vetëm libra me princesha, se do t`i bëni punëtore Instagrami! Lexojini libra, si këto, që të njohin ca vajza të vogla rebele, që u bënë, shkrimtare, gazetare, shkencëtare, bilionere, aktiviste, politikane, avokate e astronaute; vajzat mund të bëhen çdo gjë që duan”, ka shkruar moderatorja duke e lehtësuar ca përzgjedhjen me një sugjerim: librin “Goodnight stories for rebel girls”./ KultPlus.com

Krijimtaria e Ismail Kadaresë e vjetruar për çmimin Nobel

Ilir Muharremi

Për një shkrimtarë të suksesshëm romani i tij duhet ta ketë rrallësinë, të prek më shumë fantazinë se sa historinë. Historitë janë rrëfime, tregime dhe jo romane. Çka janë romanet e mira? Ato që lindin nga shpirti i revoltës, bëhen personale, posedojnë plane estetike dhe po ashtu i referohen të njëjtës ambicie. Shpesh janë histori të rreme, të shndërruara në fjalë estetike, të përgjithësuara, nganjëherë kanë qëllime që edhe Zotit t’i bëjnë konkurrencë. Këtu romani veç arrin edhe kulmin e cilësisë.

Nëse romani shpreh unitetin e njeriut ose civilëve të thjeshtë kjo konkurrencë në raport me Zotin është më e dobët. Duhet t’i vejmë vetes imazhet e mëdha, të gjurmojmë në to. Nëse romani ndërtohet mbi faktet e vërteta, atëherë sipas Albert Camus nuk ka gjë të paevitueshme e as të nevojshme. Atëherë, nga kjo del se veprimet ekstreme, skenat ekstreme të çmendura të krijuara për kënaqësi të autorit dhe lexuesit, dhe gjithmonë pyes veten përse lexuesit gjejnë kënaqësi më shumë në ngjarje të rrejshme? Më shumë më duket tregim gënjeshtar i një ngjarje të madhe brenda. Por, prapë mbetet madhështia te trajtimi, zbërthimi, lidhja ndërmjet ngjarjes, befasia në fund.

Edhe pse temën e zgjedh autori, i zakonshëm mbetet nëse nuk e dërgon në konkurrencë me Zotin. Po kthehemi te shkrimtari jonë i madh shqiptar Ismail Kadare. Letërsia e tij sa është në konkurrencë me Zotin dhe pse çmimin Nobel nuk e fitoj asnjëherë? Letërsia e tij ka marr fund në vitet e ’90-ta. Letërsia e tij ndodhet ndërmjet logjikës socrealiste, veprat janë si katedrale të cunguara nga koha, të rëndomta, pak të ndara nga jeta, ose të shtrembëruara e të zbukuruara. Njeriu i sotëm nuk gjen ushtrim ikje nga kjo botë në romanet e Kadaresë. Ai kthehet prapa, nuk shkon ka e ardhmja. Realitetin gjykues të asaj kohe, e bëri shumë gjykues, në fakt me romanin iket nga realiteti gjykues. Shkrimtari Rexhep Qosja është kritik i zëshëm ndaj romaneve të Kadaresë. “E lexova romanin më të ri të Ismail Kadaresë, Dasma. Si të mos e kishte shkruar i njëjti shkrimtar që ka shkruar romanin Gjenerali i ushtrisë së vdekur. Dasma është roman shumë i dobët. Në të vërtetë, Dasma nuk është roman në kuptimin e mirëfilltë të kësaj fjale: është një reportazh i shkruar në trajtë e gjatësi romani. A mund të quhet roman – reportazh? Apo, ndoshta, reportazh – roman?Si merret vesh, Dasma ka zgjuar interesim të madh në Shqipëri. Ç’është e vërteta, Dasma po zgjon interesim, ta quaj të madh, edhe këtu, në Prishtinë.”, shkruan Qosja. Gjithmonë është interesim i madh për krijimtarinë e Kadaresë qoftë edhe e dobët ajo, por pak po kuptohet përse njerëzit shkruajnë në superlativ për të.

Jo veç ky roman, shumë romane të Kadaresë nuk mund të quhen romane, por reportazhe, e shumë pak të kohës. Edhe po të ndërtosh një kritikë për veprën e Kadaresë, gjithmonë ajo keqkuptohet. “Romani “Dasma” mund të ushtrojë ndikim të padëshiruar, të dëmshëm në letërsinë shqipe jo vetëm në Shqipërinë shtetërore, por edhe në Kosovë. Panegjirikët që po shqiptohen e po shkruhen për të e dëshmojnë pa dashje këtë ndikim të dëmshëm të “Dasmës” në letërsinë shqipe në përgjithësi.”, thotë Qosja. Sipas tij, Nuk ka dyshim se “Dasma” është prozë e shkruar me qëllim të mohimit, madje të zhvlerësimit të traditës kulturore kombëtare që në Kinë, sot, po quhet traditë borgjeze!Ismail Kadare në këtë vepër kritikon shkrimtarët bashkëkohorë shqiptarë, domethënë kolegët e vet, të cilët, si e thonë, po sjellin “shumë myk dhe vjetërsi në literaturë”. E myk dhe vjetërsi ai quan përkushtimin ndaj traditës, ndaj kulturës dhe ndaj zakoneve të popullit.

Por, vepra e Kadaresë “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, është shumë realiste, me shprehje të vjetruar, por që tema është interesante dhe kjo nxjerrë nga dobësia veprën. Romani a mund të shquhet për nga tema apo mënyra se si është shkruar tema? Temat i gjejmë në realitet, ndërsa shkrimin në estetik dhe fantazi. Atëherë shkon kjo shprehje e Friedrich Nietzsches: “Arti dhe vetëm arti, kemi artin për të mos vdekur nga e vërteta”. Jemi kërkues të harresës, por jo foshnjarak, por njerëz bashkëkohor. Më bukur dalin në vepër kur njeriu i ngulitë aventurat e tij se sa kur pretendon të bëhet historik, vendin gjithmonë ja zë tema. Ky roman i Kadaresë është mesatar. “Megjithatë, ky roman i shkruar në mënyrë të vjetruar, prandaj edhe me një vlerë artistike rreth mesatare, është pritur mirë, pas përkthimit, në Francë. E kuptueshme. Popujt e mëdhenj, zakonisht, janë të prirë të tregojnë disa konsiderata jashtëletrare për shkrimtarët e popujve të vegjël dhe të letërsive të vogla. Sigurisht kësi konsiderate kanë treguar francezët ndaj romanit “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”. Kritika e shkruar për këtë roman në Francë nuk mund të çmohet, prandaj, kritikë objektive sepse nuk është kritikë letrare e mbështetur në kriter estetik, po në kritere jashtëletrare. Të mëdhenjtë, kur nuk janë të pamëshirshëm, nuk ngurrojnë të jenë përkëdhelës ndaj të vegjëlve. Çka krejt nuk prodhojnë paragjykimet historike qoftë në politikë, qoftë në kulturë” tregon Qosja. Krahas pak romaneve të mira Shqiptare, ky mund të konsiderohet si romani më i mirë Shqiptar. Kadare më shumë është politikan se sa shkrimtar në krijimtari. Trajton koncepte socreliaste, ndërsa vepra e mirëfilltë ka kahe të kundërt. I mungon koncepti intelektual dhe ai humanist paqësor. Por, edhe këta shkrimtar që i kemi përpiqen të imitojnë, të përsëritin e të rikrijonë realitetin e tyre. “Ne gjithmonë marrim pamjen e të vërtetave tona”, shkruan Camus. Në fund edhe krijimi bëhet një lloj imitimi, por imitim i lartë.

Pse Shqiptarët Nobelin e shohin gjithmonë rreth Kadaresë?

Ne shqiptarët Nobelin e shohim të rëndësishëm vetëm rreth Kadaresë. Në këtë kohë Kadare nuk mund ta merr çmimin, ndoshta para ’90-tave mund ta merrte, e jo në ditët e sotme, ndonëse mesazhi i tij në këtë kohë nuk është më aktual. Pak kush e ka të qartë këtë dhe duhet ta pranojmë këtë realitet. Kadare harron se në botë po lindin problemet e reja, nuk ngjajnë njëra me tjetrën. Vitin e kaluar Nobelin për letërsi e morri shkrimtari anglez Kauzo Ishiguro. Krijimtari e tij ka forcë të madhe emocionale për të ardhmen. Sjellë një prurje të re për letërsinë botërore.
Cilat janë arsyet përse Kadare nuk e fiton çmimin Nobel për letërsi? Cila është veçantia e shkrimtarëve të tjerë krahas me Kadarenë. A ka ndonjë racizëm ndaj Shqiptarëve? Unë mendoj që jo, ngaqë po i paraqes disa motivacione nga disa shkrimtarë që kanë fituar çmimin Nobel e po ashtu janë nga Ballkani dhe Evropa: Ivo Andric si motivacion ju dha çmimi Nobel për forcën epike me të cilën ai kapi temat dhe pikturoj fatet njerëzore që i skicoj në historinë e Ballkanit. Dario Fo, pasqyroi klounët e mesjetës në fshikullimin e autoriteteve të asaj kohe dhe në përkrahjen që u jep dinjitetit të të nëpërkëmburve. Odysseus Elytis, për poezinë e cila përkundrejt traditës greke, pasqyrohet pastër lufta e njeriut modern. Czeslaw Milosz, tregoi përballjen e njeriut në botën e konflikteve të egra. Orhan Pamuk, zbuloi simbole të reja të qytetit të lindjes i paraqiti përplasjet dhe ndërthurjet e kulturave. Alice Munro u cilësua si mjeshtre e tregimit të shkurtër dhe bashkëkohor.

A do ta fitojë ndonjëherë Kadare Nobelin?

A do ta fitojë ndonjëherë Kadare Nobelin? Cili është ai motivacioni kundër tij? A i mungon talenti i mjaftueshëm? Për çka shkruan ky shkrimtar? Ai është i talentuar, por ka shkruar dhe lavdëruar Enver Hoxhën duke e ngritur në majat e pastërtisë, dhe ujin e turbullt të tij e pastronte Kadare. Kadare ka shkruar për të kaluarën dhe personazhe kryesore qenë pashallarët, bejlerët, veçoheshin vetëm pse kishin orgjinë shqiptare. Nuk mjafton vetëm kjo për të qenë na majat, vepra duhet të ketë shpjegim edhe pse shumë herë shpjegimi është i kot, po ndjesia mbetet dhe ajo universin e bën të pashtershëm. Këtu arti bën vendin e tij. Arti në një anën e bënë vdekjen e përvojës dhe shumimin e ndjesisë, sepse përvoja shpesh është monotone, kurse ndjesia gjithmonë e re. Nuk duhet të mërzitemi se vepra a propozon ndonjë zgjidhje për brengën e mendjes, përkundrazi nëse mendjen e vendos përballë të tjerëve, tregon saktësisht si më gisht rrugën pa dalje në të cilën futen shumë shkrimtar mediokër. Nuk është qëllimi të zbulojë, por të nxjerrë ndjenjën nga thellësia e cila shpjegohet, por vetëm duhet rreshtuar bukur fjalitë. Romanit ende nuk i ka humbur estetika e fjalisë, por më shumë po thellohet në konceptin.

Shtrohet pyetja se vepra reale dhe ajo e fantazisë a janë të mundura? Më shumë besojmë në veprën reale, mirëpo të dyja nëse i referohen artit janë të rreme. Mund të themi se të dyja kanë një klimë të veçantë e kjo është e vërtetë.

“Njerëz si Enveri lindin rrallë dhe i duhen vendit”

Kadare shkroi për kryengritësit shqiptar, legjendat shqiptare, por këto njëherë u shkruan nga të tjerët, Kadare vetëm i analizonte bënte reportazh për to, një lloj gazetaria e avancuar, por në strehim të artit shumë e ngathtë. Normal që përdorte stilin e tij të të shkruarit mbi mitologjinë shqiptaro-ilire. Nuk e përdori nevojën e ripërtëritjes siç përdor çdo shkrimtar bashkëkohor. Stili i tij i të shkruarit është shumë i vjetruar e i gabuar. Disi arti i tij më duket sikur i shkëputur nga krijuesi. Kadare nuk e di se arti kërkon gjithmonë ripërtëritje që të përkryhet. Shkrimtari i ngjanë pak mendimtarit sepse duhet ta ndryshoj vetveten në veprën e tij.

Kadare ishte drejtues i një nga organizatat më të mëdha të vendit në kohën e komunizmit nën/kryetar i Frontit Demokratik. Çfarë mesazhi mund të japë sot një shkrimtar i tillë? Është pak për keqardhje.

Për jetën e tij, shkruan në internet se ishte shkrimtar oborri thurte lavde diktatorit dhe sunduesve të tjerë komunistë, dhe me veprën e tij ai zgjati jetën diktaturës duke e gënjyer popullin dhe dashamirët e tij, me të gjitha ato që i përdorte në romanet. A kemi humanizëm këtu? Nobeli këtë e di. Madje, dikund shkruan se Kadare ka thënë: njerëz si Enveri lindin rrallë dhe i duhen vendit. Atëherë, shtrohet pyetja, për çfarë motivacioni duhet dhënë Kadaresë Nobelin? Vetëm për talentin e tij. Miliona të talentuar ka në botë shkrimtarë. Ai talentin e përdori për komunizmin, u bë shkrimtar servil. Ndoshta edhe gëzoi privilegje gjë të cilin e kanë në gjak shqiptarët. Emri i tij i takon të së kaluarës komuniste të hidhur, na dalka si shkrimtar lavdërues i sunduesve dhe mohues i së vërtetës pikante.

Gjuha shqipe e vogël për çmimin Nobel

Motoja sipas Kadaresë do të ishte: “Gënjeni, gënjeni sa të mundi popullin tuaj”. Atëherë Nobeli shërbren për shijet e mira estetika, edukative dhe humane. Lexuesi botëror është serioz kërkon mendim të kthjellët dhe krijimtaria e Kadaresë nuk duhet të shfaqet fare. Testamenti i Alfred Nobelit ishte se çmimi prestigjioz t’i jepet shkrimtarit që sjellë risitë dhe arritjet më të mira në fushën e letërsisë. Kishte edhe shumë emra të mëdhenj që nuk e morrin si: Lev Tolstoj, Anton Çehov, Virxhinia Vulf, Xhejms Xhojs, D.H. Lourens, etj.

Vlerësimet a janë tendencioze? Të gjithë fituesit kishin prurje të reja dhe rrallësinë e shkrimit. Ndoshta ka infiltrim politikash, por prapë letërsia e fituesve ka thelbin e fuqishëm. A i lexojnë me vëmendje veprat e pretendentëve? Natyrisht që po, sepse gjithmonë jepet arsyeja e dhënies së çmimit.

Njerëzit në Kosovë dhe Shqipëri mendojnë se Kadare po dështon për shkak se është krijuar rrjetë paragjykimesh, të ushqyera edhe nga letrat e liga denoncuese të qarqeve të ulëta shqiptare e antishqiptare, me alibinë se “një pjesë e veprës së Kadaresë ka qenë konformizëm me realizmin socialist”. Edhe pa u krijuar kjo, a nuk qe e vërtetë në të kaluarën e Kadaresë? Nuk mendoj që është skepticizmi i Nobelit për gjuhët e vogla siç është shqipja, sepse edhe gjuhët e vogla të tjera nga Ballkani gëzuan çmimin Nobel (Ivo Andric.) Bindja shkon në atë se pengesë për Kadarenë nuk qe gjuha por mendimet e tij për kohën e komunizmit. As kjo nuk mund të jetë e saktë. Kadaresë i mungon përshkrimi dhe thjeshtësia bashkëkohore e shkëlqyeshme. Kadare harron se shprehja fillon aty ku mbaron mendimi. P.sh Pablo Neruda poezitë ja kushtoi Stalinit dhe regjimit të Stalinit. Është ajo tjetra që e përmenda e cila e nxjerrë nga kriza këtë shkrimtar. Tjetra modelet socrealiste të Mihaill Shollohov. Pastaj vazhdon edhe Sartri ose Brehti me stilizimin dhe nuk u kërcënua asnjëherë me jetë, jetuan të lirë. Nuk qëndron fakti pse ata e morën e Kadare pothuajse i njëjti shërbyes i regjimit nuk po e gëzon. Jo. Kadare përdorë matematikë të vjetruar për kohën që kërkohet. Komisioni i Nobelit asgjë nuk ka kundër veprës së Kadaresë dhe letërsisë shqipe, por kërkon romane të moderuara të kohës së sotme. Tek e fundit nuk është shqetësuese gjuha në të cilën shkruhet romani, por thelbi çfarë trajton romani, si e trajton dhe sa ka prurje të reja ai roman. Shkrimtari duhet ta kuptoj kohën në të cilën jeton, e jo koha shkrimtarin. Nuk e besoj se komisioni i Nobelit krijon shkarje, pengesa, paragjykime ndaj Kadaresë.

Si duhet të jetë shkrimtari i madh?

Shkrimtari i madh i së ardhmes është njeri i dhënë shumë pas jetesës sepse të jetosh do të thotë të ndiesh edhe të mendosh. Andaj, krijimi i tij letrar mishëron një dramë mendore. Vepra bashkëkohore fillon të ilustrojë heqjen dorë nga patetika, historia, dhe ajo se nuk është vetëm mendja që e vë në veprim krijimin duke e mbuluar me figura pa arsye. “Nëse bota do të ishte e qartë arti nuk do të ishte”, thotë Camus. Ai nuk përkushtohet vetëm të artet e formës në të cilat mbret bëhet përshkrimi, por te shprehja e cila lë anash mendimin. Për mua të dyja bashkëveprojnë vetëm se më e thellë është ndjenja se sa mendimi.
Edhe Kadare duhet ta di se romani në të vërtetë është një univers ku veprimi e gjen formën e vet, aty ku prononcohen fjalët e fundit, personazhet u dorëzohen personazheve, dhe ngjarja, jetët e tyre marrin pamjen e fatit. “Bota romaneske është vetëm korrigjim i kësaj bote në funksion të dëshirës së thellë të njeriut”, klithë Camus. Ndonëse bëhet fjalë për të njëjtën botë.

Ky shkrim është opinion dhe nuk përmban qëndrime të redaksisë së KultPlus-it./ KultPlus.com

Nënë e mirë është ajo që bëhet e panevojshme

Annalisa Pintus

Dedikuar të gjithë nënave që vuajnë nga “sindroma e folesë bosh…” Për t’u lexuar tre herë në ditë. Nëna e mirë është ajo që bëhet e padobishme me kalimin e kohës.

Ka ardhur koha për të shtypur impulsin natyror të nënës që dëshiron të vendosë pëllumbin nën krahë, ta mbrojë nga të gjitha gabimet, trishtimi dhe rreziku. Është një betejë e vështirë, e pranoj. Kur filloj të dobësoj veten, në luftën për të kontrolluar super-nënën brenda meje, mbaj mend frazën: “Nënë e mirë është ajo që bëhet e padobishme …”

Nëse e kam bërë detyrën time si nënë me korrektësi, duhet të bëhem e padobishme. Dhe para se një nënë të më akuzojë për mungesë dashurie, po shpjegoj se çfarë do të thotë. Të jesh “e padobishme” është të mos lejosh që dashuria e pakushtëzuar e nënës, e cila gjithmonë do të ekzistojë, të shkaktojë varfëri dhe varësi tek fëmijët, sikur të ishte një drogë, në një masë të tillë, që ata të mos jenë në gjendje të jenë të pavarur. Ata duhet të jenë të gatshëm për të ndjekur rrugën e tyre, për të bërë zgjedhjet e tyre, për të kapërcyer zhgënjimet e tyre dhe për të bërë gabimet e tyre në çdo fazë të jetës. Një humbje e re është një qëllim i ri; për të dy palët: nënën dhe fëmijën.

Dashuria është një proces i çlirimit të përhershëm, dhe kjo lidhje vazhdon të transformohet në rrjedhën e jetës. Deri në ditën kur fëmijët bëhen të rritur, krijojnë familjen e tyre dhe fillojnë ciklin përsëri. Ajo që u nevojitet është të kenë siguri se do të jemi me ta, të forta, në dakordësi ose në divergjenca, në triumf ose në dështim, të gatshme dhe të pranishme, se do u japim një përqafim të fortë dhe rehati në momente të vështira. Prindërit dhe nënat, në thelb, rrisin fëmijët e tyre për të qenë të lirë dhe jo skllevër të frikës. Kjo është sfida më e madhe dhe misioni kryesor.

Atyre që do jepu:

– Krahë për të fluturuar
– Rrënjë për t’u kthyer
– Arsye për të qëndruar.

T’i bëjmë fëmijët të pavarur dhe të sigurt në vetvete, për të jetuar një jetë të plotë dhe të ndershme. “Kur një nënë i do vërtetë, i edukon fëmijët për të mësuar të fluturojnë”.
Ky shkrim është opinion dhe nuk përmban qëndrime të redaksisë së KultPlus-it./ KultPlus.com

Ndërron jetë instrumentist Skënder Kraja

Lajmin për vdekjen e artistit dhe mjeshtrit të madh të perkusionit, Skënder Kraja e kanë bërë të ditur miqtë e tij.

Ata i janë bashkuar hidhërimit të familjes së nderuar Kraja për humbjen e njeriut të tyre të dashur, instrumentistit, Skënder Kraja.

Varrimi i artistit dhe mjeshtrit të madh të perkusionit, bëhet më 01.09.2018, ora 13.00 në ambientet e agjencisë funerale Alba2000 në Rrugën e Dibrës (Tufine). / KultPlus.com

Falënderim

Poezi nga Wislawa Szymborska. Përkthyer nga Vlora Konushevci.

U kam shumë borxh
atyne që ma nuk i due.

Për kënaqësinë që ma kanë falë
Kur kanë vendos me i nejt ngatë dikuj tjetër.

Gëzimin që unë s’jam ma
ujku i kingjave të tyne.

Kjofshin të bekum, veç ashtu
unë jam e lirë,
e këta dashnia as mundet me na e dhanë,
as me na e marr.

Nuk i pres ma
sa te dera – te dritarja.
Jam e durueshme
gati si nji sahat diellor,
e kuptoj
ata që dashnia nuk e kupton,
e fali
ata që dashnia kurrë s’kish me e falë.

Prej takimit deri te letra
s’kalon nji përjetësi,
veç disa ditë a javë.

Udhëtimet me ta gjithë përfundojnë mirë,
koncertet dëgjohen deri n’fund,
vizitohen katedralet,
peisazhet shterohen.

E kur na ndajnë
shtatë palë male e lumenj,
janë veç male e lumenj
që i sheh gjithkund.

Falë tyne
unë jetoj në tri dimenzione,
në nji hapësinë jolirike dhe joretorike,
në nji horizont të lëvizshëm, të vërtetë.

Ata as vetë nuk e dijnë
çka bajnë në duart e tyne boshe.

“Borxh asgjë s’u kam”,
kish me thanë dashnia
për këtë çashtje të hapun./ KultPlus.com

Muzeu Historik Kombëtar solli shpirtin e arbëreshëve në veshje

“Shpirti Arbëresh në veshje”: ekspozitë e veçantë ku pasqyrohen shtatë shpërnguljet e shqiptarëve, sipas periudhave të caktuara, si edhe veshjet tradicionale të kësaj zone, ku akoma ruhen tradita, gjuha dhe identiteti kulturor i arbëreshëve.

Në kuadër të Vitit Mbarëkombëtar të Skënderbeut, Muzeu Historik Kombëtar çeli për publikun ekspozitën me titull “Shpirti Arbëresh në Veshje”. Veshjet e paraqitura përfshijnë historinë e Arbëreshëve të Italisë së Jugut duke përshkruar shpirtin e një populli që ka identitetin e vet kulturor. Drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, Dr. Dorian Koçi, në fjalën e tij tha se: “Kjo ekspozitë pasqyron shpirtin arbëresh, i cili dëshmon përkatësinë e vet etnike. Kjo ekspozitë të nxit dhe të shtyn në gjurmime të tjera historike e etnografike mbi bashkësitë arbëreshe, origjinën e veshjes, modifikimet që kanë ndodhur etj.”.

“Katundet arbëreshe në Itali filluan të formohen në shek. XV dhe formimi i tyre u plotësua në shek. XVIII. Kolonitë arbëreshe mbëritën në Itali në valë të ndryshme duke sjellë në mërgim, bashkë me gjuhën amtare edhe kostumet e traditat kulturore në kohën e mërgimit. Këtë pasuri shpirtërore arbëreshët e kanë ruajtur gjithmonë me këmbëngulje deri në ditët e sotme. Arbëreshët bashkë me emrin e tyre të vjetër etnik që e morën nga mëmëdheu, ruajtën edhe kultin e Heroit Gjergj Kastrioti-Skënderbeu.

Ekspozita pasqyron shtatë shpërnguljet e shqiptarëve, sipas periudhave të caktuara, duke filluar me shpërnguljen e parë (1416-1448) në krahinën e Katanxaros (Garafa, Karfici, Puhëriu, Shën Koli, Vina etj.); më pas vjen shpërngulja e dytë (1459-1462) në krahinën e Avelinos (Greçi e Picilia).
Shpërngulja e tretë (1468-1506) lidhet me krahinën e Kozencës (Ejanina, Falkunara, Farneta, Ferma, Frasnita, Kastërnexhi, Maqi, Marri, Mbuzati, Pllatani, Shën Japku, Shën Mitri, Shën Sofia, Shën Vasili, Ungra etj.). Stendat e radhës pasqyrojnë shpërnguljen e katërt (1532-1534) në krahinën e Palermos (Hora e Arbëreshëve, Sëndastina, Shën Pali etj.), si edhe shpërnguljen e pestë (1647-1664) në krahinën e Kampobasos (Këmarini, Munxhufuni, Posrtkanuni, Ruri etj.).

Duhet theksuar fakti se shpërnguljet e fundit të shqiptarëve, shpërngulja e gjashtë dhe e shtatë, zhvillohet pothuajse në pjesën më të madhe të katundeve të përmendura me lart. Kostumet janë një “status simbol” i ambientit shoqëror, ato i bashkojnë dhe i barazojnë njerëzit me njeri-tjetrin. Kukullat, modele në miniaturë, dëshmojnë kulturën arbëreshe. Të skematizuara dhe të thjeshtësuara në përpunimin e tyre, ato i ofrojnë etnologut një fushë hulumtimi mbi veshjen e lashtë të arbëreshëve.

Veshja e gruas ka paraqitur në historinë e popullit tonë një element të krenarisë gjatë momenteve më të errëta të historisë. Funksionet që bartin këto kostume janë të ndryshme dhe tregojnë rendin shoqëror, moshën, klasën, punën, zinë, përfaqësimin e besimit fetar si dhe faktin që një person është beqar apo i martuar. Kukullat me veshje arbëreshe sjellin një imazh të paqes dhe vëllazërimit, të dy popujve, brigjet e të cilëve lagen nga i njëjti det./ KultPlus.com

Anëtarët e Nobelit për Letërsinë mohojnë kthimin në juri

Ndërsa ngërçi në jurinë që përzgjedh çmimin Nobel në Letërsi po i afrohej zgjidhjes, sot lindi një problem tjetër teksa tre anëtarë hodhën poshtë lajmin se do ktheheshin në Akademinë Suedeze, transmeton atsh raportimin e DPA-së.

Sara Danius, gruaja e parë që kryeson akademinë që nga viti 1786, shkruan në Facebook me gërma të mëdha se ajo nuk kishte “asnjë plan për t’u kthyer”, shkruar kjo me shkronja të mëdha.

Ajo u largua në muajin prill së bashku me Peter Englund dhe Kjell Espmark pas një debati që ka përfshirë këtë institucion, që është tronditur nga akuzat për ngacmim seksual të ngritura nga 18 gra kundër bashkëshortit të një anëtareje tjetër të akademisë, poetes Katarina Frostenson, e cili është tërhequr për një periudhë kohe.

Englund shkruan në Instagram se ai nuk do të marrë pjesë në asnjë takim, por do dëshironte të luante një rol konstruktiv në ringritjen e institucionit, raporton koha.net.

Englund më vonë jep një deklaratë të përbashkët në emër të tre anëtarëve për Radion Suedeze ku thuhet se lajmet e publikuara në media për kthimin e tyre ishin të pabazuara.

“Ne ndoshta mund të marrim pjesë në votime më të rëndësishme,” thuhet në deklaratë.

E përditshmja ”Svenska Dagbladet” është një nga mediat që raportoi për kthimin e tyre të enjten.

Votat e tyre nevojiten për një kuorum prej 12 vetash për të zgjedhur anëtarë të rinj. Katër vende janë të lira pas dorëheqjeve. Vetëm nëntë nga 18 anëtarët e akademisë – të zgjedhur për jetë – janë paraqitur rregullisht përpara pushimeve verore.

Sesioni i vjeshtës i akademisë do të rifillojë më 6 shtator.

Për shkak të krizës, akademia në maj tha se do të shtyjë deri vitin e ardhshëm njoftimin për laureatin e Nobelit për 2018./ KultPlus.com

Ferizaj dhe MKRS vendosin për finalizimin e ndërtimit të Qendrës Rinore

Kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu ka takuar ministrin e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi me ç’rast u diskutua për financimin e projektit për ndërtimin e Qendrës Rinore, projekt ky që ka ndërprerë punimet për një kohë të gjatë për shkak të mungesës së buxhetit.

Gashi i konfirmoi Kryetarit të Ferizajt, Agim Aliu se Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit do të ndaj fonde shtesë për finalizimin e punimeve në këtë godinë, zotim ky që u konkretizua me nënshkrimin e aneks marrëveshjes së bashkëpunimit mes palëve për fonde shtesë për këtë projekt.

Aktualisht, në godinën e re të Qendrës Rinore janë përfunduar punimet e vrazhda dhe kjo marrëveshje e re do të financoj infrastrukturën përcjellëse në fazën e dytë të këtij projekti.

Në këtë takim u diskutuan edhe shumë tema të tjera të fushës së kulturës, rinisë dhe sportit, projekte të ndryshme që do të realizohen për herë të parë në Ferizaj dhe aktivitetet kulturore tradicionale në komunën tonë, për të cilat ministri Gashi shprehi mbështetjen e plotë të institucionit që drejton./ KultPlus.com

“Metamorphosis”, një reflektim mbi të kaluarën e mensës së punëtorëve të “Ramiz Sadikut”

Për tri ditë me radhë më shumë se 20 të rinj dhe të reja janë bërë pjesë e projektit “Metamorphosis” të organizuar nga fondacioni “Shtatëbëdhjetë”. Përmes një pune hulumtuese në terren, kanë arritur të mbledhin informata për memorien kolektive të banorëve të lagjes “Pejton” në Prishtinë, për objektin që njihet si mensa e punëtorëve të “Ramiz Sadikut”.

Këta të rinj dhe të reja kanë arritur që të gjejnë informata të ndryshme dhe interesante për objektin e braktisur, me qëllim që më pas përmes një ndërhyrje artistike ta shpalosin atë histori. Të ndarë në dy grupe, Konstruksion dhe Performancë, kanë reflektuar mbi të kaluarën e mensës së punëtorëve të një prej kompanive më të mëdha të ndërtimit në kohën e ish-Jugosllavisë, por edhe funksioneve tjera që ka pas ndër vite.

Rezultati i kësaj pune e cila u përcoll me energji pozitive, entuziazëm dhe përkushtim, do të shpaloset në performancë dhe ekspozitë të cilat do të zënë vend me datën 6 të muajit shtator, pikërisht në këtë objekt.
“Metamorphosis” është projekt i cili përkon me një prej qëllimeve kryesore që ka fondacioni “Shtatëmbëshjetë” e që është rivitalizimi i hapësirave të braktisura.

Një ekspozitë dhe performancë mulitmediale e cila sjell rrëfimin për objektin e braktisur, mëton që edhe një herë ta kthejë në kujtesë të kaluarën e tij të bujshme, duke intervenuar në të tashmen.
Performanca “On the loop” nëpërmjet “statujave lëvizëse” sjell disa karaktere që portretizojnë më së miri funksionin e këtij objekti. Në fundin e viteve ’40 dhe fillimin e viteve ’50 do të ndërtohej objekti i cili për gati 40 vjet do të shërbente si mensë e punëtorëve të një prej kompanive më të mëdha ndërtuese në ish-Jugosllavi: “Ramiz Sadiku”. Vizatime të gjendjes së tanishme të mensës, si rikujtim i të kaluarës dhe ndërhyrjes që i bëhet sot.

Pas vitit 1989 kur “Ramiz Sadiku” falimentoi si rezultat i tensioneve politike, mensa mori tjetër funksion. Do të bëhej një prej qendrave humanitare për refugjatët e luftës së fundit në Kosovë, e më pas edhe restorant. Ky objekt përveç se shërbeu si mensë për punëtorët e kompanisë e më pas edhe për studentë dhe persona me raste sociale, aty do të zinin vend edhe aktivitet të ndryshme kulturore, muzikore e argëtuese. Prandaj ritmet e muzikës repetitive do të përçojnë emocionet e bukura dhe të errëta që bartë në vete ky objekt për një përjetim krejt ndryshe. Krejt kjo do të përcillet me një instalacion arkitektonik dhe një rrëfim të detajuar të historisë së objektit, ashtu siç banorët e lagjes “Pejton” e kujtojnë.

“Metamorphosis” sjell memorien kolektive, rivitalizon objektin e braktisur për një ditë, duke kthyer vëmendjen tek rëndësia historike dhe ruajtja e saj.

Projekti “Metamorphosis” ka për qëllim të mundësoj një mjedis që forcon kapacitetet e rinisë nëpërmjet edukimit të artit dhe angazhimit qytetar në aktivitetet kulturore. Projekti do të hapet me ekspozitë dhe performancë më 6 shtator nga ora 19:00.

Ky projekt financohet nga BE, menaxhohet nga Zyra e BE-së në Kosovë dhe zbatohet nga Qendra Multimedia dhe Goethe-Institut.

Performancë “On the loop” : Nol Musa , Rita Zhubi, Jona Maliqi Trim Kuqi, Shkëlqim Shashivari, Albiona Hajrizi, Diellza Përvetica, Lekë Zeqiri, Lendi Mustafa. Preformancë Muzikore – Blerta Zeqiri, Linda Mustafa. Vizatim – Blend Bytyqi. Instalacion: Planimetria dhe Bazat e Ekzistuese të Objektit ish Menza “Ramiz Sadiku” -Zotika Maliqi, Rrona Pozhegu, Hana Zyberi. Audio – Albanoi Retkoceri. Konstruksion – Jona Maliqi Shkëlqim Shashivari, Nol Musa , Ditjon Fetahu,Ensar S. Shaqiri, Gresa Gashi , Trim Kuqi, Lendi Mustafa. /KultPlus.com

Ekspozita “Data: Mars” vë në pah kontributin e grave në vitet e 90-ta

Dje, në hapësirat e ekspozuese të Muzeut të Kosovës, është hapur Ekspozita “Data: mars”, e cila risjellë në kujtesë aktivizmin, organizimin dhe mobilizimin politik të grave në vitet e 90-ta, shkruan KultPlus.

Ekspozita përmban materiale e burime të ndryshme të paraqitjes së momenteve kyçe që shpërfaqin kontributin dhe përpjekjet e grave aktiviste në atë periudhë. Në atë dhjetëvjeçarë të vështirë, ndër segmentet e tjera të shoqërisë, gratë aktiviste kanë ditur më së miri të përçojnë mesazhe politike e civile në frymë, mjete e metoda qytetëruese.

Është e jashtëzakonshme fotografia që Kosova i kishte dërguar botës, ditën kur mijëra gra, simbolikisht, me nga një bukë në dorë, u nisën këmbë në Drenicë për të kundërshtuar dhunën dhe masakrat ndaj civilëve që kishin filluar atje. Gratë aktiviste me nga një bukë në dorë në njërën anë, dhe armët, tanket e blindat përballë tyre, në anën tjetër. Një e tillë heqje maske ndaj atij regjimi, nuk mund të ishte më kuptimplotë.

Akte dhe shembuj të tillë pozitiv që ka prodhuar shoqëria jonë në të kaluarën në kushte të rënda, për institucionet e trashëgimisë kulturore sot, janë obligim për t’i risjellë në kujtesë secila sipas mandatit, veprimtarisë dhe misionit të vet. Muzeu i Kosovës, ka mirëpritur ftesën për bashkëpunim në këtë ekspozitë e cila është realizuar falë Memorandumit tre palësh ndërmjet: Muzeut të Kosovës, Forumit ZFD – Programi në Kosovë dhe Programi për Studime dhe Hulumtime Gjinore në UP si dhe me mbështetjen e Ministrisë Federale për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik të Gjermanisë.

Ekspozita do të qëndrojë e hapur në Muzeun e Kosovës, deri më datë 28.09.2018./ KultPlus.com

Nga Skrapari, mysafir në paradën e arbëreshëve

Nga Sulo Gozhina
Kthehet në Vendlindje grupi popullor i Isopolifonisë, i cili mori pjesë në koncertin dhe Paradën e Kostumeve Arbëreshe 2018, në Vaccarizzo Albanese Itali.

Është kthyer në qytetin e Çorovodës ku dhe është pritur nga kryetari i bashkisë Skrapar, Nesim Spahiu, grupi popullor i Isopolifonisë “Riza Cerova”, i cili mori pjesë në koncertin dhe Paradën e Kostumeve Arbëreshe 2018, në Vaccarizzo Albanese Itali. Me këtë rast kryetari i bashkisë Spahiu falënderoj artistët që përfaqësuan një trevë sa mikpritëse e bujare, po edhe aq artdashësve, ndërsa falënderoj edhe miqtë arbëresh në Itali, për mikpritjen e grupit të artistëve, si dhe “Rai 3” që i kushtoi një rëndësi të veçantë eventit dhe kryesisht grupit të Skraparit që interpretoi mes dhjetëra grupeve në këtë event të rëndësishëm në Kalabri….. Në këtë kontekst kënga skraparase ka bërë jehon në mes të vëllezërve arbëresh. Le t’i urojmë suksese sot, Grupit Folklorik të Skraparit që ishte mes vëllezërve arbëreshë me këngën, traditën dhe krenarinë që na përfaqëson denjësisht në çdo event… Skrapari është një këngë që nuk mbaron ndër shekuj… le ta ruajmë së bashku traditën e bukur popullore.

Nënkryetarja e bashkisë e cila shoqëroj grupin në fjalë Rudina Llango tha për gazetën se ishte një performancë e shkëlqyer e grupit popullor të Isopolifonisë “Riza Cerova”, ku me interpretimin e tij, këngëve dhe valleve në një skenë madhështore e ngritur enkas për këtë event, grupi në fjalë, jo vetëm mori duartrokitjet e atij publiku artdashës e patriot, por me vallet e tij, grupi ngjiti në skenë qindra banorë arbëreshë, ku më e veçanta për publikun arbëresh që duket se ngriti peshë edhe zemrat e tyre, ishte kënga e vogëlushes Keilin Harizaj “Xhamadani Vija –Vija”. Krenar Xhaferri drejtori për turizmin dhe marrëdhëniet me jashtë në këtë bashki tha se pjesëmarrja në event e grupin nga treva Skraparit ishte një ftesë e ardhur në bashkinë Skrapar nga kryetarit të komunës Vaccarizzo Albanese, Antonio Pomilla. Në këtë event e veçanta ishte se veç këngëve dhe valleve popullore, grupi popullor i Isopolifonisë “Riza Cerova”, i bashkisë Skrapar, mori pjesë në Paradën e Kostumeve Arbëreshë 2018.

Vlen të përmendet se është hera e parë pas 25 vjetësh që një grup i këngëve dhe valleve popullore të trevës të Skraparit nga Shqipëria merr pjesë në një event të rëndësishëm në Kalabri dhe kjo u mundësua nëpërmjet kontributit të Ish-Ministrit të Turizmit Damiano Gualiardi si dhe mbështetjes së kryetarit të bashkisë Vaccarizzo Albanese, Antonio Pomilla.

Në këtë event merrnin pjesë grupe popullore nga komuna të shumta arbëreshe të veshura me kostume tradicionale popullore. Në këtë event madhështor të pikasur, jo vetëm nga përformancat e shkëlqyera të grupeve të ftuara që ishin veshur me kostumet tradicionale popullore, por dhe nga interpretimi i shkëlqyer në skenën e krijuara enkas që shkonin në harmoni me kostumet, këngët, vallet dhe traditat popullore të secilit grup. Skrapar përbëhej nga grupi i burrave i përbërë nga këngëtarët Nesim Meno, Sefedin Çela, Kastriot Aliohoxha, Nikola Meno dhe i grave i përbërë nga këngëtarët Dashuri Hysaj, Drita Qafoku, Djana Ymeri, Zhaklina Musabelliu, Isabela Kuçi, pjesë e grupit ishte dhe vogëlushja Keilin Harizaj. Parada e kostumeve arbëreshë 2018, filloi me manifestimin e grupeve të ftuara të cilat të veshura me kostume popullore, parakaluan në rrugët e qytetit të zbukuruara me pankarta.

Grupi i Iso-polifonisë i bashkisë Skrapar paraprinte paradën i veshur i gjithi me kostume popullore si dhe gjatë paradës valëviste flamurin e bashkisë dhe Flamurin Kombëtar. Ngjyrat e ndezura të kostumeve, ornamentet e tyre, ngjallën kuriozitetin e arbëreshëve të cilët nuk nguronin që të pozonin së bashku me grupin për të shtuar në arkivin e kujtimeve të tyre edhe foto nga grupi i Skraparit i veshur me kostume tradicionale . Gjatë paradës grupet e ftuara si dhe grupi i Skraparit performuan live këngë të ndryshme popullore të cilat krijuan një atmosferë festive . Në mbrëmje grupi popullor i Isopolifonise “Riza Cerova” dha e një Koncert festiv. Në fjalën e tij përshëndetëse kryetari i bashkisë Vaccarizzo Albanese, Antonio Pomilla vlerësoi shumë pjesëmarrjen e grupit “Riza Cerova” në event si dhe theksoi faktin që shqiptarët kudo që janë paraqesin vlera dinjitoze njerëzore dhe integruese duke u shndërruar në faktorë zhvillimi dhe shembulli më i mirë i këtyre vlerave ishte komuniteti i shqiptarëve që jetonin në këtë komunë të mirëintegruar që gëzonin vlerësimin dhe mirënjohjen e komunitetit.

Pas fjalës së kryetarit Antonio Pomilla, ishte radha e grupit për të performuar në skenë. Shfaqja e hap me këngën e kënduar nga këngëtarja Dashuri Hysaj, “djemtë e Skraparit” e cila menjëherë krijojë atmosferë veçanërisht tek komuniteti shqiptar të cilët u ngritën dhe kërcyen së bashku me grupin. Pas saj ishte radha e këngës popullore “O Skrapar mali me lule” e kënduar nga këngëtarët Nesim Meno dhe Sefedin Çela, bilbilave të Skraparit, pasardhësve të denjë të artistit të popullit Demir Zyko, te cilët me fuqinë e zërit, bënë për vete publikun duke marrë duartrokitje të shumta. Atmosfera festive vazhdoi me performancën e këngës “sevdaja mu shtua”, e kënduar nga këngëtarja Dashuri Hysaj e cila e menaxhon mjaft mirë skenën dhe krijon atmosferë. Kënga isopolifonike “Porositë e mia” e interpretuar nga këngëtaret Drita Qafoku dhe Djana Ymeri u prit me duartrokitje të shumta nga publiku . Mbyllja me interpretimin e vogëlushes Keilin Harizaj me këngën “Xhamadani Vija –Vija” e ngriti në këmbë publikun, i cili festoi së bashkë me grupin e Skraparit në skenë.

Grupi Isopolifonik i Skraparit krahas vlerësimeve kombëtare çmimeve të shumta të marrë në festivale, korri dhe një tjetër sukses të madh në skenat kalabreze duke marrë dhe ftesa për koncerte të tjerë. Vlen të përmendet se mes “ngjyrave” shekullore që flasin shqip, kostumeve, traditave, ritualeve dhe festës arbëreshe, në Vaccarizzo Albanese, Itali – këtë vit mori pjesë edhe grupi folklorik i Skraparit. Edhe rrjeti televiziv Rai 3, në edicionin rajonal foli për vëmendjen që tërhoqi ky event dhe për pjesëmarrjen e grupit tonë folklorik i kësaj bashkie./ KultPlus.com

“Skype” i Isa Qosjes mbështetet edhe nga Qendra e Filmit e Malit të Zi

“Skype”, filmi me regji të Isa Qosjes, tashmë ka marrë mbështetje edhe nga Qendra e Filmit të Malit të Zi, shkruan KultPlus.

Një gjë të tillë e ka bërë publike drejtori i QKK-së, Arben Zharku, i cili ka thënë se ky bashkëpunim, shënon njëherësh edhe bashkëprodhimin e parë mes dy shteteve.

“Qendra e Filmit e Malit te Zi e mbështetë projektin filmik te Isa Qosjes “Skype”. Ky edhe shenon bashkeprodhimin e pare ne mes te dy shteteve. Urime per te gjith ekipin!”, ka shkruar Zharku.

“Skype”, do të sjellë disa përralla për një vend dhe për njerëzit që jetojnë atje. Për Plavën dhe Gucinë…Por edhe për të gjithë ne. Në fakt regjisori ka folur me gjuhën dhe ndjenjat e njerëzve nga realiteti jetësor aty. Për hallet e tyre karshi shpërnguljes së pandalur në Amerikë. Në “Skype”, regjisori do të sjellë edhe shitblerjen e grave në të dy anët e kufirit dhe për tri gjenerata të humbura të femrës shqiptare, pikërisht si pasojë e emigrimit.

Kurse ky projekt është njëri nga filmat që ka mbledhë një kastë të aktorëve të shkëlqyer, duke përfshirë: Arta Dobroshi, Mirush Kabashi, Arben Bajraktaraj, Shkumbin Istrefi, Flonja Kodheli./ KultPlus.com

Zotni skulptor

Poezi nga Miranda Dobraj.

Zotni skulptor
po t’bajnë ftesë vitet e mia
që janë t’lulueme sa nji prandverë
e t’dërmueme sa nji dimën
në ditët dembele t’jetës
ka ardh koha tash me festue
për secilën vrimë a rrudhë
prej teje nji dëshirë kam
banem skulpturë…

Zotni skulptor
po t’bajnë ftesë rrudhat e mia
t’vendosuna në fytyrë si -21 vija
prej vitit t’parë t’lindjes ngushtueme
me mërzi e vaj t’krijueme…

Zotni skulptor
po t’bajnë ftesë dhe eshtrat e mia
t’vendosuna mrena meje si shtiza
t’mbulueme me nji cipë lkure
me vaj e kuje, mbetum thatim
po i fsheh n’skeletin tim…

Zotni skulptor
po t’baj ftesë t’më gdhendësh si statujë
ku t’mos kem ndjenja dhe t’emnohem gur
s’të them t’më murosësh si t’shenjtën Rozafë
që besnike iu qëndroi mureve t’kalasë
por t’më gdhendësh çdo gjë timen thellë
dhe t’shikosh se në mua gjindet nji humnerë
atëherë do kuptosh se kur dikush rron pajetë
nuk ka çka i ban as skulptor i shkretë..

Ema Andrea rikthen në Tepelenë kamionin e tmerrit

Ema Andrea aktorja e njohur, është përfshirë në projektin e njohjes së kujtesës.

Pas memove ku emra të njohur të artit u përfshinë në rrëfime mbi të shkuarën tragjike ajo ka rikthyer në kampin e Tepelenës kamionin që dikur lëvizte të internuarit, duke improvizuar rëndësinë e mos-harresës.

Kamioni i priti të ftuarit 2 kilometra pa arritur në kamp dhe i transportoi deri në hyrje të tij gjatë një ceremonie kujtese organizuar në këtë hapësirë.

Për vite me radhë, të internuarit, gra, fëmijë dhe pleq transportoheshin me kamionë të ngjashëm nga i gjithë vendi, për në kampin me tela me gjemba të Tepelenës. Gjatë rrugës dhe në mbërritje, Mariza Ikonomi interpretoi një këngë të kënduar në kamp asokohe, ardhur deri më sot nga dëshmia e Klora Merlikës, e mbijetuar e pranishme.

Sikur Mama… , projekt i ideuar dhe vënë në zbatim nga Ema Andrea, ilustroi në vetë të parë përvojën dramatike të mijëra familjeve, të jetuar ditë pas dite…/ KultPlus.com

Mesalha e sendeve (Letërsia shqipe dhe Kitsch-i)

Shkruajnë Anxhela Lepuri dhe Flutura Kamberi.

Qëllimi i këtij punimi është trajtimi i fenomenit të Kitsch-it në letërsinë shqipe. A është kitsch-i një nga elementët kyç të letërsisë sonë?

Çfarë përfaqëson ai në art e veçanërisht në letërsi?

Ky thellim do të bëhet nisur nga njohja paraprake e ideve të propozuara nga mendimtarë të ndryshëm, të cilët e kanë dalluar kitsch-in si një nga fenomenet më të zëshme të epokës sonë. Me një gjenezë të hershme, kitsch-i shfaqet si mediokriteti në sistemin e vlerave të artit.

Letërsia shqipe rezulton të jetë e tejshkuar prej kitsch-it. Pa një identitet letrar të mirëfilltë, letërsia shqipe është munduar të paraqitet me një dukje “të bukur”, që nuk është e saja – por e huajtur prej simotrave. Lexuesit të sotëm shqiptar, të kurthuar në çarkun e kitsch-it që prej fillesave “letrare”, i shtohet edhe një kitsch globalizues, i aftë për t’ia modifikuar e njëjtësuar shijet.

Forma e parë e leximit do të jetë kundrimi dhe ngazëllimi, ndjekur më pas nga një kërkesë e përhershme për të renë, të bukurën, të lehtën dhe argëtuesen. Në çdo version të ligjërimit, lexuesi i sotëm (veçanërisht ai shqiptar), do të marrë përfundimtaren, pra një dije të reduktuar, duke u kthyer kështu një konsumues i kitsch-it.

Fjalë çelës: Kitsch-i, art, letërsia shqipe, sistem vlerash, lexues, zvetënim, e bukura, shije, konsumues, identitet. Mesalha e sendeve (Albanian literature and kitsch)./ KultPlus.com

“Gardhi” shkon në CIFF, edhe një shancë drejt OSCAR-it

Me dy trofe tashmë, “Gardhi” i Kosovës vazhdon rrugëtimin nëpër festivale.

Pas suksesit në një prej festivaleve më prestigjioze të filmit të shkurtër në veri të ShBA-së, ”Palm Springs International Short Film Festival”, ku në qershor mori çmimin si filmi më i mirë i shkurtër duke fituar të drejtën për kualifikim për “Oscar”, triumfit në “DokuFest”, dhe në garë zyrtare në “New Orleans Film Festival” filmi i Lendita Zeqriajt tashmë është në garë zyrtare edhe në Camden International Film Festival, shkruan KultPlus.

CIFF, nis më 13 shtator dhe përfundon më 16 shtator, ndërsa “Gardhi” është në garë në kuadër të filmave të metrazhit të shkurtër.

“Gardhi” po vlerësohet ndërkombëtarisht ndërkohë që në Kosovë është filmi me më së paku buxhet, filmat e tjerë që kanë qenë në listë kanë marrë dy herë më shumë sesa ‘Gardhi’”, ka thënë Zeqiraj, për filmin e saj në të cilin luajnë Arti Lokaj, Ilire Vinca, Adriana Matoshi, Rozafa Çelaj, Melihate Qena, Xhejlane Godanci, Kumrije Hoxha, Arta Selimi, Alketa Sylaj, Edita Dula, Timur Urqan, Norik Xhemajli dhe qenushja Nina./ KultPlus.com

2.500 vizitorë për ekspozitën e Sisjel Xhafës që nxiti shumë reagime

Ekspozita personale e artistit Sislej Xhafa, “Të dua pa e ditur”, del të jetë më e vizituara së paku në dy vjetët e fundit.

Ani pse Galeria Kombëtare e Kosovës nuk shet bileta, sipas numërimit që u është bërë atyre që në dy muajt e fundit – sa ishte e hapur ekspozita e Xhafës – që kanë frekuentuar sallat e institucionit, është 2609. Sipas menaxhmentit të GKK-së, në krahasim me ekspozitat paraprake, “Të dua pa e ditur” – e cila nxiti edhe protesta – është trefish më e vizituar.

Për këtë radhiten disa arsye: nami botëror që gëzon artisti Xhafa, audienca që kohëve të fundit është rritur në ekspozitat e artit konceptual e provokimi me tetë lopë në një stallë të improvizuar ku zinte vend vepra “Dheu i thurur”.

“Mund të them se në dy vjetët e fundit është ekspozita më e vizituar. Është sa trefishi i ndonjë ekspozite tjetër. Mendoj se ka ndikuar emri i artistit, por edhe natyra e ekspozitës. Projekti me lopët ka bërë shumë bujë”, ka thënë drejtoresha e GKK-së, Arta Agani për Koha Ditore./ KultPlus.com

Skënderbeu “pushton” skenat e Venecias

Ministri i Shtetit për Diasporën Pandeli Majko sjell jehonën e Skënderbeut nga Venecia.

Skënderbeu do ngjitet në skenën e Venecias me 6 shtator, pasi opera “Skanderbeg”, e kompozuar nga Vivaldi shfaqet për publikun.

Ministri i Shtetit për Diasporën Majko shprehet se “Gjergj Kastriot Skëndërbeu “pushton” skenat e Venecias. Opera “Skanderbeg”, e kompozuar 300 vjet më parë nga Vivaldi, rishfaqet për publikun në datën 6 shtator”./ KultPlus.com

Rita ndezë fansat me fotografitë e fundit

Pas një performance energjike në një koncert në Manchester, Rita Ora ka vazhduar të mbajë fansat me të njëjtën energji kur pa pozuar e zhveshur për një postim në Instagram.

Krijuesja e hitit “Anywhere” nuk i ka lënë asgjë imagjinatës derisa në tri foto ka dalë e zhveshur dhe me flokë të lëshuar./ KultPlus.com

Chat to mi back…. wait what? 💭

A post shared by RITA ORA (@ritaora) on

Veton Surroi sonte në “Letërsia dhe qyteti”

Shkrimtari Veton Surroi është i ftuar sonte në “Letërsia dhe qyteti”, për të rrëfyer qytetin përmes letërsisë.

Në kafenenë “Sonder”, nga ora 19:00, Surroi do të jetë mysafir i dy gazetareve nga Tirana, Alda Bardhyli dhe Beti Njuma për të bashkëbiseduar për letërsinë dhe qytetin në një format ku të gjithë ata që janë të ulur në kafenenë “Sonder” mund ta dëgjojnë bisedën me Surroin dhe të bëjnë pyetje.

“Letërsia dhe qyteti” është një projekt takimesh letrare me shkrimtar, i nisur vitin e kaluar nga gazetaret Alda Bardhyli dhe Beti Njuma, të cilat këtë fundverë, e kanë sjellë atë edhe në Prishtinë./ KultPlus.com

Aktori i famshëm Depardieu akuzohet për përdhunim nga një 22-vjeçare

Akuzat për ngacmime seksuale ndaj aktorëve s’kanë fund dhe prèja e radhës është bërë aktori francez, Gérard Depardieu. Sipas disa burimeve gjyqësore, ai është akuzuar për përdhunim dhe agresion seksual nga një aktore e re në moshë.

Depardieu mohon kategorikisht të ketë bërë diçka të tillë, përmes avokatit të tij mbrojtës që ka folur për agjencinë e lajmeve “AFP”, transmeton tch.

Akuzat kundër 69-vjeçarit janë formalizuar përmes kallëzimit në polici nga një 22-vjeçare franceze gjatë së hënës, siç raportojnë mediet në Francë.

Depardieu është një nga aktorët më të shquar të Francës, teksa ka luajtur role në filma si “Cyrano de Bergerac” dhe “Jean de Florette”.

Shkeljet e pretenduara prej tij thuhet të kenë ndodhur këtë muaj, në një nga rezidencat e Depardieu në Paris. Aktorja, emri i së cilës nuk identifikohet, e dorëzoi kallëzimin në policinë e Lambescut, në jug të Francës, e pas kësaj çështja u kaloi prokurorëve në kryeqytet.

<> on April 22, 2017 in Rome, Italy.

Akuzuesja e Depardieu është aktore dhe autore e cila ka pasur njohje me aktorin në fjalë përpara se të ndodhnin ngacmimet e pretenduara. Ajo “është tronditur” nga sulmet në fjalë, është cituar të ketë thënë agjenti i saj për medien franceze “BFMTV”.

Avokati i Depardieu, Hervé Temime tha se është i bindur që klienti i tij do të shfajësohet në fund të hetimit.

“Kam pasur një takim të gjatë me Depardieu dhe jam tërësisht i bindur se pafajësia e tij do të vërtetohet”, tha ai për radion “France Info”. Edhe aktori, sipas avokatit, është “tronditur” nga akuzat, që shkojnë kundër gjithçkaje “që ai respekton”./ KultPlus.com

Marigona Qerkezi dhe Elbenita Kajtazi nuk arritën të futen në finalen e Operalias

Elbenita Kajtazi dhe Marigona Qerkezi ishin gjysmë-finaliste të garës së madhe operistike Operalia, shkruan KultPlus.

Ato mbrëmë ishin në garë bashkë me 24 artistë të tjerë për të hyrë në finale të kësaj gare.

Këtë të dyja kosovaret nuk e arritën mirëpo duartrokitjet dhe dashurinë e publikut e morën me vete.

“Te dashur miq e familjare, dua te ju falenderoj nga zemra per mbeshtetjen e perhershme qe me jepni pergjate rrugetimit tim artistik, pjese e te cilit ishte edhe Operalia.
Ju faleminderit shume”, ka shkruar në rrjetin social Facebook soprano Marigona Qerkezi.

Elbenita Kajtazi dhe Marigona Qerkezi, nuk janë shqiptaret e vetme që morën pjesë në këtë garë.

Në vitin 1993, këtë çmim e pati marrë Inva Mula ndërsa në vitin 2016-të njëri nga fituesit ishte tenori Ramë Lahaj.

OPERALIA është themeluar në vitin 1993 nga i madhi Placido Domingo për të promovuar dhe ndihmuar talentet e reja në botën e operës./ KultPlus.com