Në shenjë proteste, aktori Astrit Kabashi nuk do të luajë në shfaqjen ‘Bordel Ballkan’ me 15 shtator

Aktori Astrit Kabashi nuk do të jetë pjesë e shfaqjes “Bordel Ballkan” me datë 15 shtator.

Aktori Astrit Kabashi, një prej aktorëve më të mirë kosovarë dhe goxha aktiv në disa projekte teatrore, ka treguar për KultPlus se për shkak të moskryerjes së detyrimeve që ka Teatri Kombëtar i Kosovës ndaj tij dhe aktorëve tjerë, ai nuk do të luajë në këtë shfaqje, në këtë datë.

“Për shkak të moskryerjes së detyrimeve nga Teatri Kombëtar unë refuzoj të luaj shfaqjen “Bordel Ballkan” me datë 15 shtator dhe shpresoj që edhe aktorët tjerë të jashtëm ta bëjnë një gjë të tillë” tregon Kabashi.

Kabashi thotë se me gjithë grevën e cila së fundmi zuri vend në Teatër nga Ansambli Rezident, aktorët tjerë të jashtëm vazhdojnë të diskriminohen pasi nuk kanë një Sindikatë të organizuar.

“Në shenjë proteste nuk do të luaj në shfaqje. Ka 3 muaj e më shumë që Teatri nuk ka kryer obligimet ndaj meje dhe një pjese të ekipës që luajmë në këtë shfaqje. Nuk jemi vetëm ne, sa kam dëgjuar të gjitha institucionet kulturore janë në kolaps financiar dhe përgjigjja është që nuk do të ketë të holla deri në janar të vitit tjetër” tregon Kabashi për KultPlus.

“Bordel Balkan” prekë temën e luftës dhe pasluftës në Kosovë, ndërsa në natën e premierës në Prishtinë, në prillin e vitit të kaluar, edhe pse u lajmëruan kërcënime të ndryshme, shfaqja erdhi fuqishëm dhe pa ndonjë incident.
Shfaqja është menduar të jetë pjesë e Festivalit MESS në Sarajevë, festival ky prestigjioz i teatrove.

Kabashi thotë se në mes të këtij kaosi kulturor në Kosovë dhe faktit që askush nuk jep përgjegjësi, pjesëmarrja në Sarajevë po rrezikohet.
“Jemi ftuar në MESS në Sarajevë por shfaqja ëshë në rrezik të mos marrë pjesë në këtë festival. Por nuk e di pse të gjitha institucionet kulturore po e mbajnë të fshehtë faktin që janë në kolaps financiar, kjo ndoshta shkaku i presionit që bëhet nga Ministria e Kulturës” tregon Kabashi.

Autor i shfaqjes është Jeton Neziraj, ndërsa në të luajnë edhe Adrian Morina, May-Linda Kosumovic, Shengyl Ismajli, Ylber Bardhi, Arta Selimi e aktorë tjerë. / KultPlus.com

‘kurrë mos e fyeni ju një grua…’

Victor Hugo

Oh! kurrë mos e fyeni ju një grua që bie!
E di dot sa ka hequr? Sa ka vojtur urie?
Sa net si ferr ka gdhirë në ankth e drithërim?
Virtytin kur ua tund Mjerimi me tërbim,
E kush nga ne s’ka parë të tillë gra të mjera
Si rreken që të mbahen, me ngulm, me duar të ndera?
Sikundër buzë degës shohim varur tek ndrin
Një pikë shiu si lot, kur dielli vetëtin,
Q’e tundin tok me pemën e që dridhet, po mbahet,
Perlë, pa rënë akoma, dhe baltë, passi ndahet!

Fajin e kemi ne. Ti kamës! Ari yt!
Po uji i pastër gjindet dhe aty në llom të ndyt.
Dhe që kjo pikë loti të dalë nga ka rarë,
Të bëhet prapë perlë me atë shkëlqim’n e parë,
Mjafton – Ja kështu rihet e ngrihet, passi bie –
Një rreze djelli ose një rreze dashurie!

Përktheu: SOTIR CACI

Hapet dyqani i tretë i ‘Teshavesha’ në Ferizaj

Teshavesha është ndërmarrje sociale e themeluar nga ‘Aksioni për Nëna dhe Fëmijë’ në korrik të 2016-tës për të mbështetur programet shëndetësore për nëna dhe fëmijë.

Në “Teshavesha” qytetarët mund të dhurojnë dhe blejne rroba për gra e vajza, burra e djem, lodra, dekorime të vogla shtëpiake, aksesorë, e tjera me çmime shumë të lira për të ndihmuar kështu programet e Aksionit për Nëna dhe Fëmijë nga shitjet e dyqanit.

Dyqani Teshavesha do bëj hapjen e pikës së tretë tani edhe në Ferizaj falë mbështetjes financiare të partnerit Raiffeisen Bank Kosova.

Data: 18 Shtator 2018,
Koha: 12:00
Vendi: Rr. Ahmet Kaqiku, Ferizaj (Afër stacionit të autobusave)
Arsyeja: Hapet dyqani i tretë i Teshaveshës

Aksioni për Nëna dhe Fëmijë është fondacion humanitar që i përkushtohet shpëtimit të jetës së fëmijëve dhe nënave në Kosovë. Ky fondacion zhvillon programe shëndetësore në klinikat gjinekologjike/obstetrike (që përkujdesen për nënat), Njësitë e Kujdesit Intensiv Neonatal (që përkujdesen për foshnjet e lindura para kohe) dhe klinikat pediatrike (që përkujdesen për fëmijë të sëmurë nga leukemia, sëmundje të zemrës, astma dhe sëmundje të tjera) në Republikën e Kosovës. / KultPlus.com

Gjuha Shqipe dhe Letërsia ndahen në dy lëndë të veçanta

Viti i ri shkollor që nis të hënën në Shqipëri i jep një vëmendje të shtuar gjuhës shqipe, e cila për shumë vite u la jashtë vëmendjes së domosdoshme.

Kështu ka thënë kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, përmes një videoje ku paraqiten ndryshimet në kurrikulat mësimore në nisje të vitit të ri shkollor.

“Deri dje, ishin 1300 tekste alternative, kaos në përzgjedhje, gabime të panumërta, mbingarkesë e pajustifikueshme, 50 % e teksteve të refuzuara nga mësuesit. Por me tekstet e reja i është dhënë fund kaosit, gabimeve dhe mbingarkesës. Tekstet e reja janë jo vetëm nga emra prestigjiozë Cambridge/Oxford/Pearson, por ka edhe një vëmendje të shtuar në procesin e arsimimit. Tashmë jemi në vitin e tretë të ndryshimeve në kurrikulat mësimore dhe në gjimnaz, ndahet gjuha shqipe nga letërsia”, raporton atsh.

“Lënda e gjuhës shqipe dhe e letërsisë në gjimnaz është ndarë. Janë dy lëndë të veçanta”, thotë Oriana Osmani, mësuese e letërsisë dhe gjuhës shqipe në gjimnazin “Petro Nini Luarasi”.

Kjo ndarje nxit mendimin kritik, orienton drejt leximit, ndërkohë që rrit njohuritë gjuhësore tek nxënësit.

“Nxënësve u ofrohen tekste të cilat i aftësojnë ata, i bëjnë nxënësit më të prekshëm ndaj të menduarit kritik, por njëkohësisht i ofrojnë njohuri gjuhësore. Në lëndën e letërsisë nga analizë teksti, kemi kaluar në histori letërsie, që nxënësin ta shtyjmë drejt leximit jo vetëm të librave bashkëkohorë, por edhe atyre klasikë”, thotë mësuesja Osmani.

Ndërkohë, nxënësit do kenë mundësi edhe për orë mësimore të digjitalizuara.

“Digjitalizimi është një nga reformat më të suksesshme, e bën nxënësin të jetë më ndërveprues, të thotë lirshëm mendimin e tij. Ana vizive është shumë e rëndësishme për të mësuarit dhe kjo do të ndikojë në rritjen e performancës të arsimimit në Shqipëri”, thotë mësuesja Oriana Osmani. / KultPlus.com

Këngëtarja Joss Stone publikon videon me Shpat Dedën (VIDEO)

Joss Stone, soul këngëtarja britanike me famë botërore, ka publikuar në të gjitha kanalet e saja zyrtare (Instagram, Facebook dhe Youtube) video bashkëpunimin e saj me kantautorin prishtinas Shpat Deda.

Në këtë video, ata e performojnë këngën “N’shpirt m’ka Rritë” nga albumi i parë i Shpatit “Molla e Parë”, shoqëruar në kitarë edhe nga Art Lokaj. Video është realizuar në vitin 2016, kur Joss Stone pati vizituar Prishtinën për ta mbajtur aty një koncert si pjesë e turit të saj përreth botës me emrin “Total World Tour”.

Në mesin e artistëve nga e tërë bota, Joss kishte përzgjedhur edhe Shpatin për ta realizuar bashkëpunimin e veçantë. Në kanalin zyrtar në Facebook, krahas videos Joss shprehet:

“Mbrëmje e bukur në Kosovë në 2016-tën, u takuam me kantautorin Shpat Deda. Shumë prej këngëve të tij janë të bazuara në ndjenja dhe ngjarje të vërteta, dhe muzika si kjo është mjet i hatashëm për të shprehur emocion. Me zërin e tij karakteristik dhe harmonitë e këndshme, ishte moment perfekt për këtë pjesë të Total World Tour. Një bashkëpunim i këndshëm me një person të këndshëm. Shpresoj se do t’ju pëlqejë”. / KultPlus.com

Shqiptarja Xhevahire Balaj nominohet për çmimin e guximit në Zvicër

Shqiptarja Xhevahire Balaj është nominuar për të fituar çmimin Prix Courage, çmim ky i cili ndahet që nga viti 1997, shkruan KultPlus.

Çmimi ju ndahet njerëzve të cilët janë zviceranë apo jetojnë në Zvicër, e që konsiderohen të guximshëm dhe që kanë ndihmuar njerëzit në mënyra të ndryshme.

Xhevahire Balaj ndihmon viktimat e traumatizuar gjatë luftës. Lufta në Kosovë, në vitin 1990 ndryshoi gjithçka për Xhevahirën, ushtarët serb i vranë nënën e saj dhe prandaj ajo nuk do e harrojë kurrë këtë luftë.Ajo së bashku me vëllain e saj, e posadiplomuar migron për në Zvicër ku shpejt vendoset në Bernë dhe mëson gjermanishten. Por, mendimet e saj dhe zemra e saj mbesin në Kosovë me gratë dhe fëmijët të cilët, sikurse ajo kanë përjetuar zhvendosje , kanë humbur njerëz dhe kanë përjetuar dhunë gjatë luftës. Viktimat e luftës të cilët janë të stigmatizuar në një vend ku viktimat e dhunës seksuale janë stigmatizuar, shpesh të fshehur ose të refuzuar.

Në Zvicër, Balaj mësoi se ka shërim për njerëz si ajo. Në vitin 2001, ajo më në fund kthehet në Kosovë, në tokën e shkatërruar nga lufta. Gjatë studimeve të saj të psikologjisë ajo fillon të punojë me fëmijët dhe adoleshentët e traumatizuar. Çdo vit, psikologja, Xhevahire Balaj, kthehet në Zvicër për të ndjekur kampet e paqes dhe edukimin e mëtejshëm. Që nga viti 2012, 39-vjeçarja, ka themeluar qendrën e parë dhe të vetme për trajtimin e traumave në Kosovë.

Duhet guxim për të dëgjuar tregimet të cilat Xhevahire Balaj i dëgjon çdo ditë, histori të dhunimit, abortime të dhunshme e vdekje.
“Zvicra ka nevojë për njerëz të cilët veprojnë, përderisa të tjerët presin, njerëz të cilët flasin, atëherë kur heshtja fsheh padrejtësitë, njerëz të cilët janë të ndershëm në kohën kur gënjeshtrat janë të lehta”, shprehet kryeredaktori Andres Buchi për çmimin Prix Courage.

Çmimi zgjidhet në bazë të vendimit të jurisë por edhe votimeve online. Për të votuar shqiptaren Xhevahire Balaj mund të vizitoni faqen e votimeve./ KultPlus.com

Agolli: Për gruan dhe tokën lë kokën

“Toka është e bukur. Ajo pjell gjithmonë , ku një herë në vit e ku dy herë. Pjell bukën që të mban në këmbë , pjell rrushin që t’i lëkund këmbët. Ajo është plot me plantacione të begata.
Po pak plantacione të begata ka gruaja? Kodra, lugina, lule…
Edhe gruaja të deh e t’i lëkund këmbët. Lind si toka.
Toka dhe gruaja kërkojnë mbrojtje ndaj pushtuesit. Prandaj unë them në një poemë :”Për gruan dhe tokën lë kokën”/ Dritëro Agolli.

Eminemi publikon videoklipin e radhës (VIDEO)

Pas publikimit të videoklipit “Fall” ditë më parë, reperi i mirënjohur amerikan, Eminem ka sjellë me videoklip edhe një këngë nga albumi i ri.

“Lucky You” tani vjen edhe me videoklip. Këtë këngë ai e sjell në bashkëpunim me Joyner Lucas.

Kjo këngë është pjesë e albumit të tij të ri “Kamikaze” që ka shënuar një sukses të jashtëzakonshëm./KultPlus.com

Avni Behluli, artisti që përmes artit prodhon tinguj

Alberina Haxhijaj

Sot në Galerinë e Ministrisë së Kulturës u bë hapja e ekspozitës “Miti për Jetën” e autorit Avni Behluli. Kjo është ekspozita e 23-të e artistit e cila erdhi me 34 punime të ndara në dy vizatime dhe grafikë, shkruan KultPlus.

Më të hyrë në Galerinë e Ministrisë së Kulturës, vizitorët e ekspozitës “Miti për jetën”, fillimisht ndeshën me një luhatëse e cila ishte varur në murin e galerisë. Kjo luhatëse e vjetër të krijonte përshtypjen se ka dalë nga vizatimet e artistit që qëndronin afër saj. Zgjedhja e kësaj luhatëse, sipas artisti ka të bëjë me faktin se ai gjithmonë dëshiron që të lidhet me elemente të cilat janë autoktone –shqiptare.

“Dëshirojë që motivet dhe imazhet ti marrë nga burimet dhe jo të kopjoj apo të bazohem në imitime”, u shpreh artisti.

Por përderisa në njërën ballinë të murit zinin vende figurat abstrakte të njerëzve dhe elementi i luhatëses, ana tjetër veçohej për përdorim të notave muzikore dhe instrumenteve të ndryshme të cilat ishin gërshetuar brenda imazheve që kishte zgjedhur artisti.

“Të cikli ‘Simfonia e Artit”, kam nudot, figurën e njeriut, me një piano, një testaturë apo diçka që tregon se arti prodhon dhe është tingull, pra arti im. Unë bëjë lojë me ato notat me një ritëm poshtë-lartë dhe si e tëra është një simfoni. E kjo simfoni në artin pamor është e përbërë nga elementet shprehëse të artit pamor: vija, forma, ngjyra, formësimi i tërësishëm”, u shpreh artisti për KultPlus.

Përzgjedhja që në këtë ekspozitë artisti të vinte vetëm me vizatime dhe grafike, punime këto të cilat janë realizuar kryesisht gjatë viti 2018, për kuratorin Rexhep Ferri, ka qenë një sfidë e këndshme. Ai u shpreh se më të parë këto vizatime dhe grafika, e ndjeu një lloj detyrimi që njerëzit ta shihnin këtë punë të kolegut të tij, e që më parë e kishte pasur edhe student.

“Behluli më thirri që të shkoj në studion e tij në Gjilan që të shoh se çfarë ka punuar gjatë viteve që ne kishim humbur kontaktet dhe nuk ishim takuar. Nga ajo kohë kanë kaluar shumë vite dhe kur shkova në studion e tij hyra në një botë që nuk e prisja me aq shumë imazhe. Katin e parë të shtëpisë e kishte shndërruar në studio. Dhe kur bëra një shëtitje mes atyre cikleve të krijimtarisë së tij, pash shumë vite dhe shumë kohë, shumë histori të shkruara e të pashkruara… Pasi bëmë një shëtitje bukur të gjatë se kishte shumë vepra në katin e parë, më ftoi të dalim në oborr. Në oborr nën qiell të hapur ishte edhe një ekspozitë tjetër. Ishin disa skulptura të vendosura në tri anët e oborrit. Ai nuk ishte oborr, por galeri nën qiell të hapur. Aty mu duk se takova “Mbretin e Dardanisë”, “Mbretëreshën e Dardanisë”, mitet epike, historinë e pashkruar dhe të gjitha këto mu dukën se ishin një botë e cila asaj që kisha parë brenda i konkurronte”, ishte përshkrimi që Rexhep Ferri i bëri ritakimit me artistin.

Kjo ekspozitë personale e Behlulit, sipas piktorit Bislim Aliu, paraqet një kreativitet solid dhe të mbarështuar bukur, sa idilik, aq edhe sensitiv, sa kreativ aq edhe përmbajtjesor.
Sipas tij ai është mjeshtër i mirë i vizatimit. Sipas tij në këto vizatime të prezantuara me intimen më të lartë shpirtërore, vërehet qartas poetika rezonuese e kreativitetit. E pikërisht kreativiteti i tij seksual mund të vërehet edhe në grafikë të cilën ai e realizon më një kërshëri tejet të lartë individualiste dhe sensitive.

“Të gjitha grafikat janë të realizuara me teknikën gjilpërë e thatë, ku dendur vërehet edhe përkushtimi i lartë grafikor. Gjithsesi në këto vepra të ekspozuara dhe të realizuara bukur, Avni Behluli e tregoi artin e tij të mirëfilltë. Tregoi sipërfaqen e tij, të qartë dhe konkrete e cila gjendet në shpirtëroren e tij”, u shpreh ai.

Ekspozita “ Miti për jetën” e cila u hap sonte do të qëndrojë e hapur në Galerinë e Ministrisë së Kulturës deri më 27 shtator./ KultPlus.com

“Nëntor i Ftohtë” në konkurrencë ndërkombëtare në Zurich Film Festival

Filmi “Nëntor i Ftohtë”, me regji nga Ismet Sijarina dhe me producent Fatmir Spahiun do të jetë pjesë e konkurrencës ndërkombëtare në Zurich Film Festival, shkruan KultPlus.

Filmi në kuadër të festivalit do të shfaqet më datat 1,2,5 dhe 7 Tetor 2018, ku do të jenë prezent regjisori Ismet Sijarina dhe producenti Fatmir Spahiu. Për të siguruar biletat mund të vizitoni faqen e festivalit.

Filmi përcjellë Fadilin, i cili punon si arkivist në një ndërmarrje shtetërore, në Kosovën e fillim viteve ’90, dhe duhet të zgjedhë mes dy opsione të gabuara! Në këtë mënyrë ai, jashtë vullnetit dhe dëshirës së tij, “gëlltit” turpin, ballafaqohet me imazhin e keq dhe duron presionin nga të gjitha palët.

Projekti filmik “Nëntor i Ftohtë” është produksion i shtëpive filmike Thumbs Up dhe Buka në bashkëprodhim me Albasky Film, AUDIOHAUS dhe Ikone dhe është mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës dhe Qendra Kombëtare Kinematografike e Shqipërisë.

Në rolet kryesor paraqiten aktorët; Kushtrim Hoxha, Adriana Matoshi, Fatmir Spahiu Bufi, Emir Hadzihafizbegovic, Gordana Boban, May-Linda Kosumovic dhe Lum Veseli, ndërsa Skenari i shkruar nga: Arian Krasniqie Ismet Sijarina. Drejtor Fotografie Sevdije Kastrati, Montazher Vladimir Pavlovski, Muzika Jericho, Producent Fatmir Spahiu, Arian Krasniqi, Regjia Ismet Sijarina./KultPlus.com

Shfaqja “Gjashtë” vjen premierë në Teatrin “Hadi Shehu”

Teatri i Qytetit të Gjakovës “Hadi Shehu”, do të mirëpresë ditën e nesërme premierën e radhës, shkruan KultPlus.

Shfaqja titullohet “Gjashtë” dhe është shkruar nga autori Arian Krasniqi, ndërsa vjen nën regjinë e Valon Pallaskës.

Në këtë shfaqje luajnë aktorët Edi Kastrati dhe Elida Shasivari.

“Gjashtë” është një shfaqje që aktualizon dënimin me vdekje, që është i ligjshëm në shumë vende të botës.

Skena është përgatitur nga Petrit Bakalli.

Premierë e shfaqjes “Gjashtë” vjen nesër në ora 20:00 në Teatrin “Hadi Shehu” në Gjakovë.

Drama e Arian Krasniqit, është shfaqja e parë që e fillon sezonin vjeshtor të teatrit të Gjakovës. Teatri ka njoftuar që për shkak të numrit të limituar të publikut duhet ta siguroni biletën tuaj me kohë. / KultPlus.com

Kadare kundër rishikimit të kufijve Kosovë-Serbi: Do të cenonte stabilitetin në Ballkan

Shkrimtari i njohur Ismail Kadare është shprehur kundër rishikimit të kufijve mes Kosovës dhe Serbisë.

Ai, sipas gazetes KohaJone, thotë se një lëvizje e tillë do të cenonte stabilitetin në Ballkan.

“Gjithsesi duhet ruajtur integriteti territorial i shtetit të Republikës së Kosovës dhe çdo pretendim për lëvizje të kufijve apo copëtim të Kosovës nuk do të ishte në favor të paqes dhe stabilitetit në rajon. Shqiptarët dhe serbët, dialog e marrëveshje po në Bruksel, por asesi në dëm të sovranitetit të Kosovës!

Askush s’ka të drejtë, Serbia hiç e më hiç, të cenojë integritetin territorial të Republikës së Kosovës. Reciprocitet mes Veriut dhe Luginës së Preshevës meqë këta te fundit nuk janë rehat. Nisur nga historia, vuajtjet e popullit të Kosovës, sot nuk është duke u bërë aq sa duhet për këtë pjesë të Europës. Çdo angazhim për Kosovën nuk mjafton kurrë, sepse ajo e meriton shumë e më shumë….’

Më pas, duke komentuar situatën në Kosovë dhe Luginën e Preshevës, Kadare, thekson se, “situata në Luginën e Preshevës është e papranueshme, ku popullata e atjeshme, shqiptarët etnikë në trojet e tyre, ende në këtë shekull ballafaqohen me diskriminimin e të drejtave të tyre elementare. Prandaj, perspektiva e Luginës së Preshevës, sikur viset e tjera të Ballkanit, duhet të jetë drejt Europës, gjë kjo e cila mund të bëhet me një angazhim më të madh të përfaqësuesve të Luginës në bashkëpunim me faktorin ndërkombëtar. Prandaj, po e përsëris se për popullin shqiptar, si në Kosovë, ashtu në Luginën e Preshevës, me një të kaluar me vështirësi të mëdha e me sakrifica, mund të themi se nuk është duke u bërë mjaft e aq sa duhet për ta, pasi ata meritojnë edhe më shumë. Nuk është kurrë shumë të bësh për ta. Është gjithmonë pak…” – thekson shkrimtari i madh.

Ndërkaq, sa i përket vizitave të kreut të shtetit serb në Kosovë, Kadare thotë se, “ashtu si serbët e Kosovës që presin personalitetet e tyre të larta nga një vend fqinj, edhe shqiptarët e Luginës së Preshevës kanë të drejtë dhe dëshirë, bile së paku për të mos u harruar, që të vizitohen nga personalitetet tona nga Prishtina dhe Tirana”.

Ndërkaq, në këndvështrimin se si e sheh Shqipërinë, Kosovën dhe shqiptarët në Ballkan pas një shekulli të shtetit shqiptar vjet pas pavarësisë, Kadare thekson se ndihet i kënaqur, duke pohuar se “kombi ynë në përgjithësi ka arritur shumë suksese, sidomos dekadën e fundit, në çdo sferë, si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë dhe viset e tjera të Ballkanit, me përjashtim te Krahinës së Preshevës sipas të cilit trevat i kemi keq. Por, kjo nuk do të thotë të ndalemi këtu.

Me suksese Shqipëria dhe Kosova duhet të vazhdojë. Sepse shqiptarët sot gjenden në kulmin e zhvillimeve dhe ata janë në rrugë të mbarë”.

“Përfaqësuesit e popullit tonë, dhe jo vetëm këta, por të gjithë ne bashkërisht: shkrimtarë, intelektualë, rinia, meqë gjendemi para një sërë sfidash, na presin edhe shumë detyra dhe përgjegjësi të mëdha për të ardhmen e kombit tonë, ndaj nuk duhet ndalur së punuari, duhet vazhduar misioni ynë për zhvillimin e kombit tonë, për një të ardhme edhe më të mirë dhe të sigurt e orientuar drejt Europës”, ka thëne në fund Kadare, shkruan Koha Jonë./KultPlus.com

“Dashuria është veçse një mashtrim i madh, e shpikur për t’i mbyllur njerëzve gojën dhe për t’i ndryshuar drejtim”

“Një ditë ti dhe unë do bisedojmë pak për këtë gjënë që e quajnë dashuri. Ende s’e kam kuptuar për çfarë bëhet fjalë. Ma merr mendja se ajo – dashuria – është veçse një mashtrim i madh, e shpikur për t’i mbyllur njerëzve gojën dhe për t’i ndryshuar drejtim. Për dashurinë flasin të gjithë: priftërinjtë, reklamat, njerëzit e lëçitur dhe politikanët. Dhe duke folur mbi dashurinë dhe duke e ofruar atë si një zgjidhje, për çdo tragjedi, ata tradhtojnë dhe vrasin bashkërisht trupin dhe shpirtin.” – Oriana Fallaci / KultPlus.com

“Pse vetëm femnat duheshka me u mbulue dhe jo edhe mashkulli?”

Due të pyes se pse vetëm femnat duheshka me u mbulue dhe jo edhe mashkulli? Ky gjykim mos rrjedh nga ajo mendësi e kalbun që i quen femnat seks i bukur? Oh sikur t’a dijnë meshkujt se sa të shëmtueshme, të përçuduna dhe përbindësha ndodhen në mes t’onë! E këto krijesa të vorfëna nga bukuria vetëm syt t’ona munden me i njoftë e me i dallue, pse na, domosdo, nuk shofim njena tjetrën me syt e nji mashkulli të turbulluem prej pasioni.

Mbasandaj kush mund të pretendoj se nuk ka në mes të meshkujve djelm e burra të bukur? Mos kujton ndokush se nuk ka bukuri mashkullore? S’i kur të mundesh me folë femna, me atë liri gjuhe që kanë meshkujt, kush e di se sa poezi do të vargëzonte për me e përshkrue bukurin e shokut të vet.

Kush mundet me më sigurue se me mija femna që, tue kundrue mbas kafazit të dritares ase nëpërmjet peçes së hollë, nuk shprazin nga goja mija e mija tubza vjershash për ata që u kalojnë pranë pa dijtë se kanë plagosë randë disa zemra të strukuna mbrenda do krijesave të dënueme me burgim të përjetshëm ?

Oh sa e sa vashash, nga plasa te dyerve ase nga birat e kafazeve, ndjekin e përcjellin kalimtarë të rij me rrafje të forta të zemrave që s’kanë liri e të drejtë shfrimi e dashunimi, me gjith që natyra edhe ato, sikurse meshkujt dhe ndoshta më shum se ata, i ka pajue me ndjesit e dashunis.

Prandaj më takon të them se ne qoftë se duhet mshefë femna, lypset të mbulohet edhe mashkulli, pse edhe ai ka bukuri, pse edhe ai nxit lakmit e femnës edhe ai klikos dëshirën./KultPlus.com

Paragraf nga libri “Sikur të isha djalë”, Haki Stërmilli

Shpallen artistët që kanë aplikuar në konkursin për çmimin “Artistët e së nesërmes” 2018

Stacion – Qendra për Art Bashkëkohor në Prishtinë ka shpallur artistët e rinj që kanë aplikuar në Konkursin për çmimin “Artistët e së nesërmes” 2018.

Artistët që kanë aplikuar në Konkursin për çmimin “Artistët e së nesërmes” 2018 janë: Fidan Bejtullahu, Erona Berisha, Lumjetë Havolli Blakçori, Qëndresë Deda, Argenita Fetahu, Laureta Hajrullahu, Altin Krasniqi, Kushtrim Mehmeti, Butrint Morina, Dardan Murseli, Mirjeta Qehaja, Jetullah Sylejmani, Valdrin Thaqi, Dion Zeqiri, Kushtrim Zeqiri.

Çmimi “Artistët e së nesërmes” është një projekt unik që u ofron artistëve të arteve pamore nën moshën 35 vjeçare mundësinë të krijojnë vepra të reja, të jenë pjesë e një procesi specifik edukativ, të kenë takime dhe prezantime për një juri ndërkombëtare, mundësi që të marrin pjesë në ekspozitën e përbashkët me finalistët e tjerë në Stacion – Qendrën për Art Bashkëkohor Prishtinë, por edhe të udhëtojnë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe të përjetojnë dinamikën e skenës artistike të Nju Jork-ut, për dy muaj qëndrimi në Residency Unlimited, dhe pas kthimit nga SHBA të kenë ekspozitë personale në Stacion- Qendra për Art Bashkëkohor në Prishtinë.

Qëllimi i çmimit “Artistët e së nesërmes”, i organizuar në Kosovë nga Stacion – Qendra për Art Bashkëkohor Prishtinë, është që të ofrojë mbështetje artistëve të rinj dhe të lehtësoj vazhdimin e punës së tyre duke i zhvendosur ata nga një rol margjinal në një rol qendror në shoqëri.

Çmimi “Artistët e së nesërmes” është pjesë e programit të çmimeve për artistët e rinj pamor – YVAA (Young Visual Artists Awards) – që është një rrjet i dhjetë çmimeve të ngjashme nga Evropa Qendrore dhe Lindore, dhe i cili u themelua në vitin 1989 në Çekosllovaki nga Kryetari Vaclav Havel, Wendy Luers dhe artistët disidentë, që kishin për qëllim përkrahjen e ngritjes dhe zhvillimit të artit bashkëkohor dhe shoqërisë civile.

Finalistët e çmimit “Artistët e së nesërmes” 2018 do të përzgjedhen në bazë të shqyrtimit të portfolios së tyre artistike, arritjeve dhe ekspozitave të mëparshme dhe potencialit të demonstruar.

Finalistët e konkursit do të shpallen më së voni deri më 20 shtator 2018

Juria do të shpallë fituesin/ en në mbylljen e ekspozitës të tre finalistëve të Çmimit “Artistët e së nesërmes” 2018, që do të hapet me 5 Nëntor 2018, në Klubin e Boksit në Prishtinë. Anëtarët e Jurisë të Çmimit Artistët e së Nesërmes 2018 janë Charles Esche, Jelena Vesić, Adrian Deva, Erëmirë Krasniqi dhe Amanda Parmer.

Ky çmim i rëndësishëm i pavarur organizohet në bashkëpunim me Residency Unlimited (RU) në Nju Jork dhe mbështetet nga The Trust for Mutual Understanding në Nju Jork.

Mbështetësit kryesor të “Artistëve të së nesërmës” 2018 janë: Ambasada e SHBA-së në Prishtinë, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e Republikës së Kosovës dhe Friedrich-Ebert-Stiftung (FES) zyra në Prishtinë. Lista e plotë e donatorëve dhe partnerët bashkëpunues do të shpallet me kohë./KultPlus.com

Michelle Obama, gati librin e saj të parë

Edhe pse tashmë është larguar nga Shtëpia e Bardhë, ajo kujdeset që herë pas here të japë mesazhe mjaft frymëzuese dhe të ndihmojë njerëzit në nevojë.

Ajo bashkë me ish-presidentin Barack Obama dhe vajzat e saj nisën një jetë të re pas përfundimit të mandatit, jashtë vëmendjes së mediave dhe përgjegjësive politike. Por sigurisht ato nuk ndaluan me projektet e tyre dhe patën edhe një lloj reflektimi, gjë të cilën Michelle e ka pasqyruar në një projekt mjaft të madh, siç është publikimi i një libri i cili do t’i japë mundësi njerëzve ta takojnë atë.

Ka qenë vetë ajo që ka postuar në Instagram lajmin se tashmë ka përfunduar puna me librin e saj i cili do të publikohet më 13 nëntor. Ajo e ka konsideruar si një ditë mjaft të rëndësishme për të dhe është e lumtur që do të ndajë me botën periudhën jashtë Shtëpisë së Bardhë, ku ka pasur mundësi të mendojë për njerëzit, historitë dhe të gjitha eksperiencat që e bënë të jetë kjo që është sot./KultPlus.com

Rritjen e saj s’ia fal askujt!

Nga Donjeta Zejnullahu-Pllana, nana e Duas, ndjekëse e studimeve të doktoraturës në Marketing

Fëmija rritet shpejt. Shumë shpejt. Ma shpejt se ajo “shpejt” që ti e mendon. E ma e keqja/mira e kësaj pune është se fëmija rritet veç NJË herë.

Punën, shkollën, ndejat, shëtitjet, kafet, shoqërinë, krejt mundesh me i stopu për një kohë e me ju kthy prap. Krejt presin. Krejt munden me u jetu, e me u arritë në mënyrën ma të mirë të mundshme edhe pas disa muajve/viteve. POR, ama fëmija që e ke sjellë në jete, shkon veç njëherë këmba-doraz për herën e parë; veç një herë kapet e çohet në këmbë për herën e parë; veç një herë në jetë e ka “lugën e tij të parë”; veç një herë në jetë mundesh me i pa “hapat e tij të parë”; veç njëherë në krejt jetën tënde mundesh me ia dëgju për herën e parë “fjalën e parë”. E ma e rëndësishmja e krejt kësaj, për të mos thënë në mënyrë absolute, shumë nga ajo se çfare ai/ajo do jetë nesër, varet nga ajo periudha e jetës së fëmijës të cilës shumica i referohen me “hajt se i vogël, ça din ky…”.
E di, ka plot nana që nuk e kanë “luksin” me qëndru në shtëpi me pa fëmijën e vet tu u rritë. Jeta i nxjerr jashtë shtëpisë ato, dashtë e pa dashtë. Por, sa njoh të tilla, fatkeqësisht, ndoshta veç ma shumë kam njoftë nga ato që me kanë thanë “eh budallica, leja vjehrrës more, se fëmija rritet…”.

Rritet, e vërtetë që rritet. Ama, rritet veç një herë. E rritjen e saj nuk ia fali kërkujt. Nuk ia fali, as nuk e ndërroj me asigja të kësaj bote.

E di që gjithcka që synohet seriozisht në këtë jetë, arrihet. Ma ka dëshmu jeta, se në çdo devotshmëri ka shpërblim. Ama, për mua, çdo arritje tjetër është e pavlerë, nëse për atë që e solla në jetë me vetëdëshirë (pa lutjen/kërkesën e saj) kam dështuar të jem NJERIU që duhet të jem.

P.S. Rreshtat e mësipërm i kam ruajtur që t’ia lexoj vetes kur lodhem e bahem nervoz nga 15 dështimet e mia rradhazi për ta vënë atë në gjumin e natës. Ose edhe atëherë kur dështoj të mbush barkun e saj me llojin e tretë të ushqimit të përgatitur për të njejtin vakt. Ose, ose, atëherë kur ajo çohet në ora 3 të mëngjesit dhe e presim bashkë lindjen e diellit.

P.P.S. Sot më iku një afat! Një afat shumë i rëndësishëm! I ardhshmi është tek në dhjetor. Do ta kap atë, besoj. Dua kurrë më në jetën e saj nuk bëhet 15 muajshe./ supergratë/ KultPlus.com

Ky opinion nuk paraqet domosdoshmërisht qëndrimet e redaksisë së KultPlus-it.

“Sot fjala “shka” tregon shovinizmin tonë”

Nga Ag Apolloni

Historia mes shqiptarëve dhe serbëve nuk është model miqësie, përveç nëse flasim për shekullin e pesëmbëdhjetë, kur Gjorgj Brankoviqi e përkrahu, financiarisht, Gjergj Kastriotin. Por konfliktet e shumta ndërmjet dy popujve (serb dhe shqiptar), nuk duhet të na shërbejnë si arsyetim për përdorimin e gjuhës shoviniste. Kur Jeronim de Rada në shekullin e nëntëmbëdhjetë e përdorte termin “shka” (“hapa derën e shklavunit”, thotë te “Rapsodi e një poeme arbëreshe”, 1866) nuk e bënte për të ofenduar, por thjesht e shqiptarizonte trajtën italiane “schiavone”, që do të thotë “sllav”. Pra, deri në shekullin 19, fjala “shka” nuk kishte kuptim pezhorativ.

Ndërsa, pas Lidhjes së Prizrenit (1878), kur nacionalizmi arrin kulmin, sllavët dhe, veçmas, serbët, quhen “shka” (shumësi: shkije, apo shkje) me konotacione përçmuese. Sot, në gjuhësi, fjalët e tilla quhen “etnofaulizma” (sharje me bazë etnike).

Në momentin që serbit i drejtohemi me emrin “shka”, ne e kemi përjashtuar mundësinë e dialogut me të. Fatkeqësisht, letërsia shqipe e viteve të fundit të shekullit 19 dhe, sidomos, e gjysmës së parë të shekullit 20 është e mbushur me etnofaulizma, kurse “vulgu” ende e bluan këtë fjalë pa e menduar, edhe pse sot, kur bota e qytetëruar po i lufton me të madhe këto fjalë fyese, do të duhej të ishim më të kujdesshëm ndaj gjuhës shqipe. Duke i thënë tjetrit “shka”, në shprehim injorancën tonë mbi etnofaulizmat dhe qëndrimin tonë shovinist ndaj fqinjëve, me të cilët ndajmë një histori të gjatë bashkëjetese (herë miqësore, herë armiqësore).

E di që disa do të thonë “edhe ata na ofendonin neve kur na quanin shiptari, shiftari, allbanci, shiptarski gjubre”, por as kjo nuk është arsye për shovinizmin tonë gjuhësor. Dikush mund të thotë “pse nuk merresh me deklaratën e Vuçiqit për Millosheviqin, po me postimin e një ish-gazetareje që paska thënë: N’Gjakove e n’Drenice, kamb e shkaut me shkel jo”.

Me Vuçiqin duhet të merren serbët, sepse deklarata e tij shpreh shovinizimin millosheviqian, kurse mua më shqetëson shovinizmi ynë.
Po i afrohemi dekadës së tretë të shekullit 21 dhe nuk na lejohet mendësia e kohës së Lidhjes së Prizrenit./KultPlus.com

(Këndvështrimet e shprehura në rubrikën e opinioneve të gazetës online KultPlus, jo domosdoshmërisht paraqesin qëndrimet e redaksisë së KultPlus.com)

Lana Del Rey lanson videoklipin e ri dhe paralajmëron këngën e radhës (VIDEO)

Këngëtarja e njohur amerikane, Lana Del Rey, e ka lansuar këngën e re me titull, “Mariners Apartment Complex”.

Pa kaluar 24 orë nga publikimi, videoja muzikore ka arritur afro një milion shikime në YouTube.

Në ndërkohë, këngëtarja ka paralajmëruar se në javën e ardhshme do ta sjellë projektin e ri, “Venice Bitch”.

33-vjeçarja është në studion e producentit Jack Antonoff duke përgatitur materialet e reja muzikore.

Edhe pse albumi i ri nuk do të lansohet në vitin 2019, Lana një pjesë të projekteve të reja u sjellë fansave përmes këtyre dy këngëve.

“Mariners Apartment Complex” ishte lansuar si premierë në një emision në BBC Radio 1, kurse tash është publikuar me videoklip.

Në javën e ardhshme, saktësisht me 18 shtator, do të lansohet kënga e re me titull “Venice Bitch”.

Edhe kënga e ardhshme do të kompletohet nga ana vizuale, ndërsa për videoklipet Del Rey ka bashkëpunuar me motrën e saj, e cila njihet me nofkën Chuck. /KultPlus.com

Taste2 sjellë “Sa Thu” (VIDEO)

Reperi nga Prishtina Taste 2 ka publikuar projektin muzikor të radhës.

“Sa Thu” është kënga e tij më e re, që e sjell edhe me videoklip, transmeton Koha.net.

Taste 2, që njihet për kritikat e mëdha që i bën shoqërisë përmes muzikave të tij, edhe përmes “Sa Thu” bën të njëjtën gjë.

Teksti është shkruar nga vet reperi, kurse videoklipi është punuar nga produksioni “Djemt e Abdullahit”./KultPlus.com

Dy herë du me jetu

Poezi nga Nezir Kraki.

Dy herë du me jetu,
Se t’ parën herë s’ dita me dasht,
S’ dita as lotin me e vlerësu.

Dy herë du me jetu,
Se një jetë s’ më mjafton dot,
As sytë e saj me i lexu.

Dy herë du me jetu,
Me i shly gabimet që s’ falen,
e zhgënjim mos me prodhu.

Dy herë du me jetu,
Me i pa prindtë n’ rini,
Që bashkë me u gzu e me u idhnu.

Dy herë du me jetu,
Mos më ik më kurrë nga shpia,
Familjen me karrierë mos me e ndrru.

Dy herë du me jetu,
Se jeta e parë po shkon siç duhet,
Të dytën e dua ashtu siç du./ KultPlus.com

Disa thënie latine: Arti është i gjatë, jeta e shkurtër

Më poshtë ju sjellim disa thënie në gjuhën latine, të cilat janë përkthyer në gjuhën shqipe.

-Aquila non captat muscas – shqiponja nuk zë mushkonja

-Fortuna caeca est – fati është qorr

-Cogito, ergo sum – mendoj, pra ekzistoj

-Honores mutant mores – nderimet ndryshojnë sjelljet

-Finis coronat opus – mbarimi zbukuron veprën

-Ars longa, vita breris – arti është i gjatë, jeta e shkurtër

-Mangna pars artis imitatio est – një pjesë e madhe e artit është imitim

-Et optimum et pessimum in homone est lingua – gjëja më e mirë dhe më e keqe te njeriu është gjuha

– Amicus Plato, sed magis amira veritas – mik Platoni, por më mike e vërteta

-Dificillima est imitationes imitato – imitimi i imitimit është më i vështiri

-Summum ius summa iniuria – drejtësia më e madhe është padrejtësia më e madhe

-Barbam video, philosophum non video – mjekrën po e shoh, filozofin jo

-imperare sibi maximum imperium est – pushteti më i madh është të zotërosh veten

-carpite florem, qui, nisi carpitus erit, turpiter ipse cadet – këputeni lulen, nëse nuk e këputni, ajo do të bie turpshëm

-Pecare licet nemini – askujt nuk i lejohet të gaboj

-Scribe scribendo, discero dicendo disces – duke shkruar mëson të shkruash, duke folur mëson të flasësh

-Nihil es dictu facilius – asgjë nuk është më e lehtë se të thuhet

-Naturalia non sunt turpia – gjërat natyrale nuk janë të turpshme

-Quod differtur non aufertur – çka shtyhet nuk ndërprehet

-Libentur homines credunt quod volunt – njerëzit besojnë me ëndje atë që dëshirojnë

-Orator fit, poeta nascitur – oratori formohet, poeti lind

-Primo panem dein de philosophari – më parë buka pastaj filozofia

-Nemo de artificio potest iudeceve nisi artifex – askush nuk mund të gjykoj për një vepër artistike nëse nuk është artist

-Age, quod agais – ç të punosh, punoje
-Vis loqui? disce tacere pius – dëshiron të flasësh, më parë mëso të heshtësh

-Ut ameris, ama – duaj, të të duan. /KultPlus.com

Dua Lipa kishte dërguar listën e këngëve pesë muaj më parë Ministrisë së Kinës për të mbajtur koncertin

Për ta mbajtur koncertin e saj në Shangai, Dua Lipa është dashur që të raportoj në Ministrin e Kulturës së Kinës për këngët që do t’i interpretojë gjatë koncertit të saj.

Përpara se artistët e huaj të mund të interpretojnë atje, Ministria e Kulturës e Kinës zhvillon kontrolle mbi artistët dhe ekipin e tyre, shkruan BBC, raporton Insajderi.

Ata gjithashtu kanë qenë të njoftuar të kërkojnë listat e këngëve pesë muaj para koncertit për të miratuar se a do të mbahet koncerti apo jo.

Në vitin 2006 reperit amerikan nuk i është lejuar të këndojë për shkak të këngëve të tij “vullgare”, ndërsa Rolling Stones ju është ndaluar të këndojnë pesë këngë për shkak të tematikave seksuale.

Mirëpo në koncertin të ciline mbajti mbrëmë Dua Lipa në Shangai nuk shkoi edhe aq mirë pasi që disa fansa të saj u larguan zvarrë nga koncerti pasi kanë valvituar flamurin e komunitetit LGBTI dhe kanë vallëzua gjatë koncertit.

Dëshmitarët kanë thënë për Daily Mail se disa fansa janë tërhequr zvarrë pasi po kundërshtonin largimin nga koncerti.
https://www.instagram.com/p/Bnqo8sol7xp/?hl=en&taken-by=dualipa
E qetë në fytyrë, këngëtarja ka thënë se ishte e pikëlluar dhe menjëherë filloi të qante kur ngushëlloi fansat.

“Dua të krijoj ambient të sigurt për ne dhe të kënaqemi. Dua që të vallëzojmë. Dua që të gjithë të këndojmë. Dua që të gjithë të kalojmë mirë”, ka thënë Dua. /KultPlus.com

Detaje të reja mbi vdekjen e Mac Miller

Hetimi për vdekjen e Mac Miller, ka shënuar një kthesë të re.

Policia tani është përqendruar në ndejën që u bë në shtëpinë e Mac, një natë para se të vdiste, njoftoi TMZ.

Reperi 26 vjeçar vdiq të premten e kaluar nga një mbidozë e dukshme, trupi i tij u gjetë në një dhomë gjumi.

Sipas TMZ, një sasi e vogël e pluhur të bardhë u gjetë në shtëpinë e Mac, autoritetet kryesore besojnë se shtëpia ishte pastruar para se policia të arrinte të kontrollonte skenën.

Një mjek ka përfunduar autopsinë por shkaku i vdekjes nuk do të zbulohet derisa rezultatet e toksikologjisë të kthehen./KultPlus.com