Këto dy vajza kosovare i shpëtoi gazeta gjermane në vitin 1999, ja si duken sot

Në vitin 1999, lotët e tyre prekën gjithë planetin. Fotografia e tyre u bë një simbol i luftës së egër të Kosovës.

Njëzet vite më parë, Albenita (22) humbi prindërit e saj, babai i vrarë nga ushtarët serbë, ndërsa nëna e zhdukur.
Kur fotografia e vajzës që qante (atëbotë trevjeçare) nga fshati Bukosh i Kosovës u përhap në tërë botën, më 7 prill 1999, gazetarët e BILD-it shkuan në kërkim të saj, informon Albinfo.ch.

Dhe ata e gjetën fëmijën në Shqipëri vetëm pak kohë më vonë. Atje, Albenita kishte ikur me motrën Albiona (atëbotë njëvjeçare) dhe gjyshen e saj. Me mbështetjen e organizatës humanitare të BILD-it, “Një zemër për fëmijë”, të tretë u sollën në Gjermani, më 10 prill.

Në Hamburg, motrat u pranua nga një familje, të pajisura me rroba të reja dhe shpresën për një jetë të qetë. BILD-i gjithashtu e ndihmoi Albenitën me letra me vlerë.

“Më kujtohet vetëm pak, por e di se nuk kisha frikë më në Gjermani pasi ishim të mirëpritura ngrohtësisht. U ndjeva shumë mirë “, thotë Albenita sot, kur BILD-i e vizitoi atë në shtëpinë e saj të re në Itali.

Me gazetarët gjermanë, Albenita e shfletoi një album të vjetër me fotografi. Aty gjendeshin fotot e saj si një vogëlushe dhe fotot e dasmës së prindërve të saj. Madje edhe ftesën e manifestimit nga “Një zemër për fëmijë” të vitit 2001, Albenita e kishte ruajtur: “Unë ende nuk mund ta kuptoj se sa shumë kishin marr pjesë gjermanët gjatë transmetimit të rrëfimit tim. Pa ‘Një zemër për fëmijë’, ndoshta nuk do të kishim mbijetuar”.
lus.com/wp-content/uploads/2018/11/3-w-993-q-high-c-0-bild_1543612590-1762766-300×169.jpg” alt=”” width=”300″ height=”169″ class=”alignnone size-full wp-image-85313″ />
Ajo me motrën e saj, jeton pesëdhjetë kilometra në veri të Venedikut, tek halla e saj, informon Albinfo.ch. Vajzat u vendosën këtu në vitin 2003, pas vdekjes së gjyshes së tyre.

Jo vetëm historia e jashtëzakonshme e shpëtimit që e ndërlidhë rrëfimin me motrat. Albiona vuan nga një formë e rëndë e epilepsisë. Gjatë gjithë kohës, Albenita kujdeset për të: “Unë jam motra, nëna dhe shoqja e saj më e mirë, kështu edhe duhet të qëndrojë”. /KultPlus.com

Clean Bandit dhe Rita Ora publikojnë këngën “Nowhere” (VIDEO)

Këngëtarja shqiptare me famë botërore, Rita Ora, po vazhdon të shijojë suksesin e albumit të saj më të fundit “Phoenix”, të cilin e publikoi më 23 nëntor.

Plot këngë të reja u publikuan nga këngëtarja shqiptare – këngë këto të cilat menjëherë kanë rrëmbyer simpatinë e publikut.

Ndërkohë, Rita kishte konfirmuar vetëm pak javë më parë se do të publikonte edhe një bashkëpunim me DJ-n e njohur, Celan Bandit, dhe Kyle-n.

Dhe kjo këngë është gati, dhe sapo ka arritur në duart e fansave.

Treshja kanë publikuar këngën me titull “Nowhere”, në kanalin YouTube vetëm në versionin YouTube.

Që në orët e para të publikimit, kënga ka filluar të ketë sukses dhe komentet e fansave kanë qenë pozitive.

Rita është shprehur e lumtur për këtë bashkëpunim me Clean Bandit, të cilin e quan si një nga miqtë e saj më të mirë.

Clean Bandit përndryshe është i njohur për bashkëpunimet e tij të suksesshme si hiti “Rockabye” me Sean Paul dhe Anne Marie, dhe “Symphony” me Zara Larsson. /KultPlus.com

Macaulay Culkin: Ende i di përmendësh rreshtat e skenarit të filmit “Home Alone”

Macaulay Culkin “merr famë” më shumë gjatë sezonit të festave, sepse filmi në të cilin ai ka luajtur, “Home Alone” është bërë një klasik i Krishtlindjeve.

Dhe aktori pranoi se ende i di të gjitha rreshtat e komedisë së 1990-tës dhe shpesh i reciton ato për më të dashurit e tij.

Teksa ishte i ftuar në shfaqjen e Jimmy Fallon, 38-vjeçari tha: “Është sikur po kërkoni diçka të re në TV, dhe ju jeni duke shfletuar kanalet, teksa iu del “Home Alone”. Dhe reagimi juaj është: “Dua ta shoh atë”.

“Në pjesën më të madhe të kohës unë përsëris rreshtat e skenarit”, tha tutje ai, shkruan DailyMail, transmeton Telegrafi.

Edhe pse ai merr më shumë famë në këtë kohë të vitit, ai përpiqet të minimizojë atë sa më shumë që të jetë e mundur.

“Unë definitivisht nuk dal shumë, që të mos shihem” tha ai në ‘Show Ellen DeGeneres’ në prill.

‘Është sezoni im’. Është sezoni i Macaulay. Unë përpiqem të dal më pak në këtë kohë të vitit”, shpjegoi ai.

Filmi Origjinal u publikua në vitin 1990 dhe vazhdimi i tij në vitin 1992, por ekskluziviteti ka vazhduar pa atë. Ai gjithashtu nuk i shikon më filmat.

“Po, më duhej të punoja në orën 4 të mëngjesit si një 10-vjeçar”, tha ai. “Ishte e mrekullueshme. Ishte dita ime e preferuar si fëmijë:, ka përfunduar aktori i rolit kryesor në “Home Alone”. /KultPlus.com

Skulptura ‘Engjëlli prej thikash’ kundër krimit në Britaninë e Madhe (VIDEO)

Rreth 100,000 thika të konfiskuara nga policia britanike janë përdorur për të krijuar një skulpturë engjëllore prej tetë metrash në Liverpool të Anglisë.

Autori e ka punuar këtë vepër për të nxjerrë në pah krimin me thika në Britani të Madhe, shkruan Euronews, transmeton Klan Kosova.

“Engjëlli prej thikash” që është vendosur në katedralen e Liverpool-it, u bënë homazhe viktimave që kanë humbur jetën nga krimet me thikë të cilët shpesh herë janë shumë të rinj.

Kjo skulpturë e dizajnuar nga artisti, Alfie Bradley, peshon pesë ton dhe u deshën më shumë se një vit për ta ndërtuar.

“Unë kam përdorur të gjitha llojet e mjeteve të mprehta në këtë punim. Duke filluar nga thikat për prerjen e mishit, shpatave, thikave të zakonshme të kuzhinës etj. Është shumë trishtuese kur kuptohet se një thikë e zakonshme e kuzhinës është përdorur për të marrë një jetë”, ka thënë Bradley. /KultPlus.com

“Gratë janë të pabesueshme! Ti nuk thua asgjë, dhe ato kuptojnë gjithçka. Ato të thonë gjithçka, dhe ti nuk kupton asgjë”

Aktori, regjisori dhe producenti i filmit, George Timothy Clooney, jo rrallë herë në intervistat e tij apo fjalimet që ka mbajtur ka ditur të pikasë me shprehjet e tij.

Një shprehje të cilën të gjithë ja mbajnë mend ka të bëjë pikërisht më femrat, me këtë qenie që për meshkujt gjithmonë mbi të gjitha mbetet e vështirë, delikate dhe e pakuptueshme.

“Gratë janë të pabesueshme! Ti nuk thua asgjë, dhe ato kuptojnë gjithçka. Ato të thonë gjithçka, dhe ti nuk kupton asgjë”, kjo është shprehja me të cilën Clooney i cilëson femrat. /KultPlus.com

Të miturit e burgosur vizitojnë Muzeun e Kosovës

Gjatë ditës së sotme gjashtë të mitur të cilët janë të burgosur per vepra penale e të cilët qëndrojnë në burgun e Lipjanit, kanë vizituar Muzeun e Kosovës.

Shërbimi Korrektues i Kosovës, me ane të një njoftimi ka thënë se ky aktivitet është vazhdim një prej aktiviteteve të tjera të cilat i realizon SHKK.

“Në vazhdën e aktiviteteve të shumta për të miturit, kësaj radhe është realizuar edhe një aktivitet i rëndësishëm ku të miturit e Qendrës Edukativo- Korrektuese në Lipjan në shoqërimin e Zyrtares së Arsimit, Zyrtarit Social si dhe Zytarit Korrek​tues, vizituan Muzeun e Kosovës”, thuhet në njoftimin e SHKK-së.

Sipas njoftimit, gjashtë të miturit të cilët ishin pjesmarrës në këtë vizitë u shprehen të kënaqur me pamjet dhe informacionet e dhëna nga përfaqësuesit e Muzeut të Kosovës të cilët patën edhe pyetje të shumta në lidhje me Muzeun.

“Aktivitetet e shumta të ngjashme do të vazhdojnë edhe në të ardhmën për të miturit të cilat do të organizohen nga Shërbimi Korrektues i Kosovës përkatësisht Qendra Edukativo Korrektuese në Lipjan”, thuhet në njoftimin e SHKK-së./KultPlus.com

Lady Gaga nderohet me çmim, përlotet në skenë (VIDEO)

Lady Gaga ka marrë pjesë në ceremoninë e ‘American Cinematheque Award Presentation’, mbrëmjen që lamë pas dhe u vlerësua me një çmim për pjesëmarrjen në ‘A star is born’.

Gjatë fjalimit këngëtarja nuk mundi të ndalë lotët. Teksa fliste për punën me kolegun e saj Bradley Cooper, ajo e cilësoi si mrekulli gjithçka kishte përjetuar.Kujtojmë se emri i vërtetë i këngëtares është Stefani Germanotta, jo më kot lidhja e saj me filmin është shumë e fortë.

“I jam larguar Stefanisë për një kohë të gjatë. I vura vetes një ‘veshje superheroi’ të cilën e quajta Lady Gaga dhe u largova prej së vërtetës. Ti më sfidove të futem në skutat më të thella të vetes sime që kisha kohë pa i parë. Unë u bëra sërish ajo, Stefania”,-u shpreh këngëtarja teksa i drejtohej kolegut të saj.

Filmi që bashkoi Lady Gagën me Cooper ka marrë kritika pozitive dhe është vlerësuar me shumë çmime. /KultPlus.com

Përfundon restaurimi i Urës së Kordhocës në Gjirokastër

Pas disa muajsh punë kanë përfunduar ndërhyrjet përforcuese dhe restauruese në urën e Kordhocës, projekti i së cilës u hartuar nga specialistët e Institutit të Monumenteve të Kulturës.

Ura e Kordhocës, monument kulture i kategorisë së I-rë, ngrihet mbi lumin Drino, rreth 4 km në juglindje të Gjirokastrës. Ura ka një gjatësi prej 103 m dhe përbëhet nga pesë harqe të mëdhenj./KultPlus.com

E tërheq gjithçka që kam thënë

Poezi nga Nicanor Parra.

Para se të ndahem

Për një dëshirë të fundit kam të drejtë:

Lexues bujar

digje këtë libër

Nuk përfaqëson atë çka doja të thosha

Ndonëse është shkruar me gjak

Nuk përfaqëson atë çka doja të thosha.

Më keq se kaq gjendja ime s´ka si të jetë

U munda nga hija ime vetë:

Fjalët u hakmorën ndaj meje.

Më ndje lexues

I dashur lexues

Që s´mund të ndahem me ty

Me një përqafim miqsh:

Por ndahem me ty

me një buzëqeshje të zorshme të trishtë.

Mbase unë s´jam më shumë sesa kaq

por ma dëgjo fjalën e fundit:

E tërheq gjithçka kam thënë.

Me tërë hidhërimin e botës

E tërheq gjithçka kam thënë./KultPlus.com

‘Si ka mundësi që nuk e kuptojmë asnjëherë kur fillon dashuria, por gjithmonë e dimë kur mbaron’

“Ai që dëshiron të ndryshojë botën, fillimisht duhet të ndryshojë veten e tij”. – Sokrati

“Marrëzia: të bësh të njëjtën gjë përsëri dhe përsëri dhe të presësh rezultate të ndryshme”. – Albert Ajnshtajn

“Nuk vritet me zemëratë, por me qeshje”. – Fridrih Niçe

“Njeriu që nuk lexon libra të mirë nuk ka asnjë avantazh ndaj atij që s’mund t’i lexojë”. – Mark Tuein

“Paragjykimet janë ato që budallenjtë përdorin për arsye”. – Volteri

“S’duhet të luftoni shumë shpesh me një armik, përndryshe do t’jua mësojë të gjitha marifetet e luftës”. – Napoleon Bonaparti

“Të përmirësosh do të thotë të ndryshosh; të jesh i përsosur do të thotë të ndryshosh shpesh”. – Uinston Çurçill

“Si ka mundësi që nuk e kuptojmë asnjëherë kur fillon dashuria, por gjithmonë e dimë kur mbaron?” – Xhorxh Karlin

“Tragjedia e jetës është se plakemi shpejt dhe bëhemi të urtë shumë vonë”. – Benxhamin Franklin

“Fillimisht ki një objektiv të qartë. Së dyti, gjej mjetet për ta arritur. Së treti, përshtati mjetet”. – Aristoteli.bota.al/ KultPlus.com

Nxënësit nga Lezha sjellin një tjetër version të filmit “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” (VIDEO)

Dje u festua dita e 28 Nëntorit në mbarë shqiptarinë, në këtë ditë të shënuar nuk munguan edhe prurjet e reja artistike që lidheshin pikërisht me këtë festë. Këngë, piktura, skulptura e gjithçka tjetër që lidhej me artin u shpalosë në këtë ditë të madhe për shqiptarët, shkruan KultPlus.

Por, nxënësit e shkollës “Besëlidhja” nga Lezha kishin vendosur të sjellin një film mbi heroin tonë kombëtar, Gjergj Kastriot Skënderbeun.

Ky është një superproduksion i fëmijëve mbi Skënderbeun.

Filmin e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, këta fëmijë e kanë sjellë në një version tjetër.

Filmi është i metrazhit të shkurtër, i titulluar “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” dhe vjen nën regjinë e Alketa Bejtja, ndërsa kamera dhe montazhi nga Olsi Tetaj.

Në këtë film interpretojnë: Erjon Lleshi, Erlis Gjeka, Jerina Prendi, Erena Zefi, Xhilberto Gega, Deni Deda, Kevin Cali, Kristjan Marku, Henriko Thercaj, Galdino Frustaj etj.

Për të parë talentin dhe seriozitetin e këtyre fëmijëve në realizimin e këtij filmi, ne po ju sjellim videon më poshtë që të mund ta vlerësoni vetë. /KultPlus.com

Aktori shqiptar i “Taken” rrëfen pse e zgjodhi një rol “anti-shqiptar” në film

Mbrëmja e djeshme e Soirée nuk kishte si të ishte ndryshe veçse për patriotizmin duke qenë se përkoi edhe me 28 Nëntorin.

Të ftuar në mbrëmjen e kësaj të mërkure ishin Irini Qirjako, Marin Mema, Briken Fejzullai, Auron Tare dhe aktori i njohur shqiptar, Luran Ahmeti.

Ahmetin e keni pëlqyer në serialin turk, Sulejmani i Madhërishëm apo në filmin amerikan “Taken” dhe në një sërë produksionesh amerikane.

Në intervistën e tij të pare në Shqipëri, Ahmeti ka treguar se si nisi karriera e tij dhe lidhja me projektet hollywoodiane, shkruan noa.al.

I pyetur se si u gjend Ahmeti në një film si Taken ku shqiptarët e ballkanasit nuk ishin në kushte favorizuese, aktori ka rrëfyer “Unë kam pasur disa oferta nga filma ku më është ofruar roli negativ e unë nuk e kam pranuar dhe më pas ato filma janë bërë shumë të suksesshëm. E vërteta është se mua kjo më hante nga brenda, pse nuk u bëra pjesë e budallallëkut tim”.

“Të gjithë ne kemi momentet tona kur bëhemi pishman. Sidomos kur shohim persona të tjerë që bëjnë hapa më të mëdha dhe bëjnë kompromise të ndryshme”, ka rrëfyer Ahmeti.

“Dhe kemi dobësitë tona ku themi, do ta bëj këtë kompromis. Industria amerikane dhe hollywoodiane është e madhe, ne nuk mundemi apo t’i kundërvihemi. Tekkenin unë doja ta kisha një përvojë… prandaj dhe e pranova”, ka përfunduar aktori i famshëm shqiptar. /KultPlus.com

Jehona e zërit të Vasfije Krasniqit Goodman shtrohet si tryezë diskutimi

Në kuadër të 16 Ditëve të Aktivizmit, Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT), do të organizojë diskutimin “Jehona e zërit të saj: Ndikimi i paraqitjes publike të zonjës Vasfije Krasniqi Goodman, e mbijetuar e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë”.

Pjesë kryesore e ngjarjes është lansimi i video-mesazhit sensibilizues realizuar nga zonja Krasniqi Goodman ku ajo bën edhe një herë thirrje për një mbështetje më të fuqishme për të gjithë të mbijetuarit.

Në vazhdim, paneli i përbërë nga aktivistë të kësaj çështje do të paraqesin opinionet e tyre për ndikimin e rrëfimit të Vasfijes në fuqizimin e të mbijetuarve dhe më gjerë.

Diskutimi ka për qëllim sensibilizimin e vazhdueshëm të qytetarëve të Kosovës për të mbijetuarit, adresimin e diskriminimit, stigmës, si dhe kërkesën për qasje në drejtësi të të mbijetuarave të dhunës seksuale dhe integrim të barabartë në shoqëri.

Ky aktivitet zhvillohet në kuadër të kampanjës Bëhu zëri im, që implementohet nga QKRMT dhe Medika Gjakova. Aktiviteti fillon në ora 14:00 më 5 dhjetor 2018, në Kino Armata./ KultPlus.com

Aurela Gaçe bën një premtim ndaj publikut

Temperaturat nuk ishin favorizuese në kryeqytet, por diva e muzikës shqiptare Aurela Gaçe ndezi skenën në sheshin “Skënderbej” duke mbajtur me qindra qytetarë në shesh, siç thotë ajo, në ajër.

Këngëtarja nga Vlora, me energji gati të mbinatyrshme, bëri atë që di të bëjë më mirë, të elektrizojë publikun me muzikën, zërin dhe performancën e saj.

Nën atmosferën e festave të nëntorit, e veshur kuq e zi, Gaçe interpretoi këngët më të suksesshme të saj ndër vite.

Pjesë e shfaqes së saj herë pas here bëhej dhe publiku përmes komunikimit që vetëm ajo di ta bëjë, teksa lëshoi edhe një premtim për ta: “Në momentin që do vë CD për ju do të thotë se do të dorëzoj mikrofonin”. /KultPlus.com

“Arti i murit të thatë” pjesë e UNESCOS-s

UNESCO ka vendosur në listën e trashëgimisë njerëzore “artin e murit të thatë”, si dëshmi e marrëdhënies harmonike mes njeriut dhe natyrës.

Lajmi është konfirmuar pas një postimi të organizatës në llogarinë e saj në Tuiter, ku ka përgëzuar 8 vende të Europës, të cilat e kanë propozuar nismën për njohjen e traditës së gadishullit: Italia, Kroacia, Qipro, Franca, Greqia, Sllovenia, Spanja dhe Zvicra.

Në motivacionin e UNESCO-s thuhet se “Arti i murit të thatë mbledh të gjitha njohuritë mbi ndërtimin e strukturave të gurit që kanë të bëjnë me vendosjen e gurëve njëri mbi tjetrin, pa përdorur asnjë element tjetër.

Ky lloj muri përfaqëson një nga shembujt e parë të prodhimit njerëzor dhe është i pranishëm në shkallë të ndryshme në pothuajse të gjitha rajonet italiane, si për qëllime banimi, edhe për qëllime bujqësore, veçanërisht në zonat me të mbjella”.

“Strukturat e ngritura në të thatë janë gjithmonë në harmoni të përsosur me mjedisin dhe teknika ilustron një marrëdhënie harmonike mes njeriut dhe natyrës. Praktika kryesisht transmetohet nëpërmjet aplikimit praktik të përshtatur ndaj kushteve të veçanta të çdo vendi”, thuhet më tej.

Këto mure “luajnë një rol jetësor në parandalimin e ortekëve, përmbytjeve, në luftimin e erozionit të tokës, përmirësimin e biodiversitetit dhe krijimin e kushteve më të mira mikroklimatike për bujqësinë”./Tema TV/ KultPlus.com

“Mrizi i Zanave” simbol i shijeve magjepsëse shqiptare

Në Fishtë të Gjergjit, poezia ende jehon, megjithëse këtë herë jo përmes vargjeve, por përmes shijeve të ushqimit.

Altin e Anton Prenga më së miri kanë zbatuar konceptet e agroturizmit dhe të slow food, që të cilat mund të konsiderohen si lëvizje shoqërore me synim promovimin dhe shërbimin e ushqimeve lokale si dhe përgatitjen e tyre sipas traditës.

Një ditë e zakonshme për vëllezërit Prenga fillon në fermë, me ç’rast bëjnë grumbullimin e të mirave për furnizim ditor, raporton KTV.

Megjithëse kanë tetë hektarë të mbjellë si dhe një numër të madh të bagëtive e të shpezëve, Mrizi i Zanave, furnizohet nga rreth 400 familje vendase e të rrethinës me produkte të ndryshme. Kësisoj, ata jo vetëm se ofrojnë shije lokale, por promovojnë ato globalisht, njëherësh, ndihmojnë ekonomitë familjare të rrethinës.

Tutje pas furnizimit, pjesa e shijes, ajo që e veçon Mrizin e Zanave, është kuzhina, prej nga dalin recetat unike e që tërheqin turistët nga mbarë bota ta vizitojnë Fishtën poetike të Gjergjit dhe të Mrizit të Zanave.

Miti i Mrizit të Zanave, për tash e tetë vjet është realitet i gurmanëve të ushqimit, që nga anekënd bota, festojnë ushqimet tradicionale shqiptare, të cilat vijnë në trajtë bashkëkohore nga ferma në tavolinë, për të zgjuar shqisën tuaj të shijimit si rrallëherë. /KultPlus.com

Nexhmije Pagarusha, 500 euro çdo muaj nga Ministria e Kulturës

‘Shumë i lumtur që Ikona e muzikës shqipe, Nexhmije Pagarusha, nga ky muaj filloi të përfitoi shumën prej 500 euro në baza mujore nga Ministria e Kulturës.

Sot vizitova këngëtarën në banesën e saj, të cilës ia dorëzova Vendimin e Qeverisë për statusin e qytetares me merita të veçanta për shkak të kontributit të saj në promovimin e muzikës së mirëfilltë shqipe. Bilbili i këngës shqipe Nexhmije Pagarusha ka dhënë kontribut të madh në përçimin e vlerave dhe traditave të vendit tonë me pjesëmarrjen e saj në festivale e skena të njohura ndërkombëtare. KG’

Ky ka qenë statusi i Ministrit Kujtim Gashi sot me rastin e takimit me këngëtaren Nexhmije Pagarusha – Bilbilin e Këngës Shqipe.

Anne Frank takon një djalë shqiptar dhe bashkë vijnë në Gjakovë e Prishtinë

Opera ‘Anne & Zef’, e përkthyer në anglisht tregon historinë e Anne Frank që takon djalin 15-vjeçar shqiptar Zef Bunga në qiell.

Kur Zefi flet për kanunin, gjakmarrjen dhe vëllain e tij, Anne flet për kohën e saj në kampin Westerbork dhe kampin e përqendrimit Auschwitz. Ata ankohen për prindërit e tyre dhe ndajnë ëndrrat. Kjo bëhet baza për një lidhje shumë të veçantë mes dy adoleshentëve.

Anne Frank vdiq në kampin e përqendrimit Bergen-Belsen. Zef, një djalë shqiptar i ditëve tona, është viktimë e një hakmarrjeje. Ata takohen me njëri-tjetrin në parajsë ku zbulojnë se kanë shumë gjëra të përbashkëta me njëri-tjetrin, pavarësisht dallimeve kulturore. Anne është shkrimtare, Zefit i pëlqen të jetë aktor dhe të dy kanë probleme me prindërit e tyre. Pjesa e Annës luhet nga sopranoja shqiptare Anjeza Marku (2002), ndërsa baritoni Patrik Vjollca (1997) do të jetë në rolin e Zefit. Muzika do të luhet nga orkestra e përbërë nga muzikantë shqiptarë nën drejtimin e Huba Hölloköi-t. Libretisti Ad de Bont shkroi libretin për përshtatjen e veprës së tij të suksesshme Anne & Zef, e cila bazohet në ditarin e njohur me famë botërore të Anne Frankut. Muzika është krijuar nga Monique Krüs. Regjisorja e operës, Corina van Eijk bën të ditur: “Të dy fëmijët kanë jetuar të izoluar deri në vdekjen e tyre, megjithatë ata takohen me njëri-tjetrin në kontekstin e lirisë absolute; në jetën e përtejme. Me këtë opera, duam të tregojmë se shumë pak ka ndryshuar që nga koha e Anne Frankut.

Njerëzit janë ende të izoluar në vende për të cilat nuk dinë asgjë. Këta njerëz nuk shfaqen në lajme, megjithatë, historitë e tyre dalin në pah pas shumë kohësh pasi ato kanë ndodhur. Falë Anne Frankut, ne tani dimë shumë më tepër për jetën e për-ditshme gjatë Luftës së Dytë Botërore. Kjo nuk është një temë e thjeshtë, megjithatë, për shkak të muzikës prekëse, e cila është kompozuar posaçërisht për këta këngëtarë të rinj, opera premton të jetë një pjesë emocionuese dhe tepër prekëse. Opera është e përshtatshme për të rritur dhe fëmijë nga mosha 12 vjeçare. “Anne & Zef” është autorizuar nga Orkestra Filarmonike Holandeze.

Produksioni origjinal i orkestrës në dirigjimin e Corina van Eijk, me skenografi dhe video të animuara nga Jolanda Lanslots dhe ndriçim nga Henk Post do të prezantohet me një përkthim të ri në gjuhën angleze nga Jonathan Levi në bashkëpunim me Opera Spanga, Syrin Blu, ambasadat e Mbretërisë së Vendeve të Ulëta në Tiranë dhe Prishtinë, të mbështetur nga Bavaria Holland, VidiSquare, Neelevat, Fiege transport,”Fondi për Performancën e Arteve të Hollandës” dhe Ambasada e Izraelit në Tiranë.

Filloi sot në Prishtinë konferenca ‘Teatri, mes artit dhe politikës’

Alberina Haxhijaj

Në Institutin Albanologjikë sot është diskutuar për “Teatrin, mes artit dhe politikës”.
Ky diskutim është bërë në kuadër të konferencës e cila nisi dhe e cila në fokus të saj ka teatrin, ndikimin e politikës në kulturën teatrore nacionale dhe në identitetin e saj si dhe autonominë krijuese, estetikën teatrore dhe politikat administrative.
Të pranishmit në këtë konferencë patën rastin që të diskutojnë më shumë në lidhje me zhvillimet e teatrit por edhe të dëgjojnë kumtesat nga profesorët Mentor Zymberaj e Drita Begolli, kritiku dhe shkrimtari Reshat Sahitaj e të tjerë.

Drejtoresha e përgjithshme e konferencës, Elmaze Nura, regjisore teatri dhe profesoreshë e regjisë së teatrit në Fakultetin e Arteve- UP, u shpreh se të gjitha diskutimet brenda kësaj konference do të shërbejnë që të mblidhen sa më shumë konkluzione dhe rekomandime të cilat do t’i kontribuojnë Ministrisë së Kulturës për të hartuar dokumentacionet relevante në lidhje me teatrin.
“Kjo konferencë ka për qëllim që të shndërrohet në një mekanizëm të fortë lobues në favor të artistëve tanë”, theksoi Nura.

Ajo po ashtu tregoi se nga dy sesionet që do të mbahen sot do të dalin rekomandime të cilat do i adresohen Ministrisë së Kulturës për tu marrë në konsideratë në lëvizjet që bëhen për teatrin si në rrafshin administrativ ashtu edhe në atë buxhetor.

Dekani i Fakultetit të Arteve në Universitetin e Prishtinës, Agim Selimi, theksoi se teatri ekziston për artin dhe është vendi ku bëhet arti mirëpo sipas tij politika nuk mund të përjashtohet nga teatri. Për të politika mund të jetë pjesë e artit atëherë kur krijohen politika zhvillimore dhe jo atëherë kur arti krijon politikë.

“Shpeshherë jemi mësuar të themi se teatri është i politizuar. Unë mendoj se teatri kryesisht është i klanizuar dhe jo i politizuar. E them këtë sepse klanet e ndryshme mundohen që të gllabërojnë hapësirat e ndryshme krijuese. Mendoj se teatri nuk mund të bëhet vetëm në Teatrin Kombëtar dhe ky është një koncept i gabuar. Teatri duhet njëherë që të krijohet atje ku është burimi, nëpër qytete të ndryshme në mënyrë që ne në të ardhmen të krijojmë një Teatër Kombëtar të mirëfilltë”, përfundoi ai.

Përkrahje për teatrot e qyteteve dha edhe Ministria e Kulturës. Drejtori i departamentit ligjor, njëkohësisht ushtruesi i detyrës në departamentin e kulturës në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Feim Hoxha u shpreh se kjo konferencë ndihmon në hartimin e politikave më të mira në fushën e teatrit dhe në avancimin e kornizës ligjore.

“Ministria e Kulturës është shumë e përkushtuar që të rregullojë aspektin ligjor dhe konsideroj që edhe kjo konferencë do kontribuojë në këtë. Prandaj, pres nga të gjithë ju që të jepni mendimet e juaja në lidhje me avancimin e kornizës ligjore dhe ligjin për teatrot që në fund të kemi një ligj sa më të mirë dhe që do gjejë zbatim e që do ndikojë në ngritjen e kualitetit dhe performancës në Teatrin Kombëtar të Kosovës por edhe në teatrot e qyteteve tjera”, u shpreh ai.

Hoxha po ashtu tregoi se është duke u punuar në hartimin e Projektligjit për Teatër dhe të gjitha problematikat janë duke u shqyrtuar në mënyrë që të ketë një legjislacion sa më funksional. / KultPlus.com

Shfaqja ‘Gratë’ shënoi hapjen e Festivalit Ndërkombëtar të Teatrove në Teatrin AAB

Alberina Haxhijaj

Mbrëmë në Teatrin AAB “Faruk Begolli”, ka filluar edicioni i dytë i Festivalit Ndërkombëtar të Teatrove, shkruan KultPlus.

Në këtë edicion të “Prishtina International Theater Festival” në programin garues do të paraqiten shtatë shfaqje teatrore që vijnë nga Italia, Bullgaria, Kroacia, Maqedonia, Shqipëria e Kosova.

Sipas rektorit të Kolegjit AAB, Lulzim Tafa, PITF, një nismë krejtësisht vetanake, me përkrahje tejet modeste të partnerëve të Teatrit AAB “Faruk Begolli”, në edicionin e tij të parë të mbajtur në tetor të vitit 2017 solli në Kosovë aktorë e trupa artistike nga Irani, nga Bullgaria, Kroacia, Maqedonia, Shqipëria e Kosova dhe këtë e ka synim edhe sivjet.
“Motoja e këtij edicioni ka për qëllim që të thotë se edhe pse ne vazhdojmë që të mbetemi të izoluar të paktën të bëjmë diçka që bota ta ketë vëmendjen te ne”, tha ai.

Tutje ai tregoi se është sfiduese prurja e aktorëve dhe regjisorëve nga vende të ndryshme në Kosovë për të qenë pjesë e këtij festivali, festival i cili për mendimin e tij ka si qëllim që të afrojë skenën teatrore të Kosovës me ato të vendeve tjera në botë.
“Edicioni i dytë i këtij festivali synon që të na afrojë me botën, të promovojë vlerat tona dhe mbi të gjitha t’i mundësojë publikut kosovar të njihet me rrjedhat bashkëkohore në lëminë e artit, në këtë kohë kur vazhdojmë të mbetemi të izoluar”, u shpreh ai.

Në anën tjetër, zëvendësministrja e kulturës- Leonora Morina-Bunjaku u shpreh e lumtur që teatri i cili mban emrin e Faruk Begollit, po e vazhdon traditën e tij.
“Faruk Begolli la mbrapa shumë bashkëpunëtorë, artistë dhe studentë të cilët po i ndjekin gjurmët e tij dhe po i mundësojnë Kosovës që të njihet dhe të promovohet përmes vlerave anembanë vendit por dhe jashtë tij. Motoja e këtij festivali ngërthen qëllimin e tij, të na afrojë me botën dhe të promovojë vlerat tona” tregoi ajo.
Tutje ajo theksoi se shpreson që në një të ardhme të afërt kufijtë të mos jenë pengesë për promovimin e vlerave të artit në botë.
Festivali filloi me shfaqjen “Gratë” nga Maqedonia me regji të Qëndrim Rijanit dhe me tekst të skenaristit francez Rober Thomas. Në origjinal shfaqja “8 gratë” u bë e famshme në fund të viteve të 50-ta.
Gaby, dy vajzat e saj Suzana dhe Katerina, tezja tyre Agustina, gjyshja e tyre, halla e tyre Pierrette si dhe dy shërbëtoret e shtëpisë, janë tetë gratë, personazhe të dramës. Çdo gjë fillon kur Marcel, i vetmi burrë në shtëpi (bashkëshorti i Gabit) gjendet i vdekur në dhomën e tij të gjumit.

Gratë e kësaj shtëpie në përpjekje për të gjetur fajtorin gjejnë shumë më tepër, ndoshta më shumë sesa u pëlqen. Kjo nuk është vetëm një hetim kriminal, por kjo është edhe një histori për familjen, varësinë, dëshirat e paplotësuara dhe kërkimin për pranim dhe falje duke shtuar këtu edhe përbuzjet që iu bëhen grave, problemet dhe pabarazitë në të cilat hasin ato.
“Gjatë procesit jemi përpjekur që këtij teksti dhe kësaj historie ti veshim edhe përrallat dhe historitë e vërteta të grave të cilat jetojnë në vendet shqiptare. Ajo që është kryesore është se gruan si qenie e kemi trajtuar që nga fillimi deri në fund. Nuk kemi dashur që të paraqesim vetëm anën e mirë të grave apo që vetëm të sulmojmë burrat por që ti vëmë në pah temat të cilat kanë të bëjnë me gratë, por jo vetëm në Ballkan por edhe më tej”, tregoi regjisori Qëndrim Rijani për KultPlus.
Në shfaqje luajnë: Teuta Ajdini- Jegeni, Drita Kaba- Karaga, Amernis Jovanovska- Nokshiqi, Aida Alidemi, Zarije Jonuzi- Çeliku, Mirlinda Saiti, Aida Elezi.

Sonte në kuadër të festivalit në Teatrin AAB-së “Istref Begolli”, duke filluar nga ora 19:00 do të shfaqet “Nëna dhe Fëmija”. / KultPlus.com

Elton Deda: Kurrë s’do më duash siç të dua unë

Kantautori Elton Deda prezantohet në Fest’ 57 me “Qetësisht”, një këngë për jetën.

“Pas gjithë gjërave që kam kaluar në jetë, i them jetës që unë ty do të të kuptoj qetësisht, do të të marr qetësisht. Nuk përleshem dot me jetën.” – tregon kantautori për mesazhin e këngës në intervistën e tij për emisionin “Mirëmëngjes Shqipëri”. “Jeta më ka përballur me të papritura të çuditshme, më ka krijuar gjendje të çuditshme, më ka hedhur me një dorë e më ka pritur me tjetrën, më ka groposur, më ka ngritur. Të githa këto amplituda shumë të mëdha janë të rrezikshme për shëndetin e një njeriu. Ndaj i them jetës që dua të të kuptoj qetësisht.” – shpjegon më tej Deda duke zbuluar edhe një varg të këngës: “Kurrë s’do më duash siç të dua unë. Unë të dua më shumë, dua të jem i pavdekshëm.”

Përveçse konkurrues në festival, Eltoni është edhe drejtues i bendit muzikor. “Kam fatin e madh të drejtoj edhe bendin, një lidhje me Orkestrën që e dua dhe e çmoj jashtë mase. Më duket sikur eci në gjurmët e babait tim Ferdinand Deda.” Kantautori tregon se festivali është një sfidë dhe se vlerëson që gjithçka aty është live. “Festivali është një sfidë e madhe, një nga më të mëdhatë e vitit dhe e marr me shumë qejf. Gjithmonë do t’i qëndroj idesë, madje i kam premtuar vetes që festivali të jetë live në jetë të jetëve.” / KultPlus.com

“Nëntor i ftohtë” me 751 shikues zhgënjehet nga audienca në Kosovë

Vetëm 751 shikues e kanë parë “Nëntorin e ftohtë” për dy javë shfaqje në Prishtinë e pesë ditë në Prizren. Filmi nën regji të Ismet Sijarinës, përkrahur nga Qendra Kinematografike e Kosovës, që premierën botërore e pati në një festival të njohur botëror, është pritur zbehtë nga audienca vendore.

Jo më shumë se 658 bileta janë shitur në “Cineplexx Prishtina” nga data 17 deri më 29 nëntor kur ka qenë dashur të përmbyllej koha e shfaqjes. Por shfaqja e tij në kinemanë në periferi të kryeqytetit është zgjatur deri të mërkurën e javës që vjen. E në Prizren, në “DokuKino” filmi është parë nga 93 shikues, 30 prej të cilëve kanë qenë të ftuar dhe nuk kanë paguar biletë.

“Nëntor i ftohtë” është dramë për Kosovën e fillimviteve ‘90, shkruan Koha Ditore sot.

Në “Zurich Film Festival” muajin e kaluar mori çmimin e audiencës.

Produksioni i shtëpive filmike “Thumbs Up” dhe “Buka” në bashkëprodhim me “Albasky Film”, “Audiohaus” e “Ikone”, pos Hoxhës, në rolet kryesore ka edhe aktorët Adriana Matoshi, Fatmir Spahiu-Bufi, Emir Haxhihafizbegoviq, Gordana Boban, dhe Lum Veseli. Drejtor fotografie është Sevdije Kastrati, montazher Vladimir Pavlovski. Muzika e filmit është realizuar nga rock- grupi kosovar “Jericho”.

Sonte në Prishtinë, një punëtori me perkusionistin e STING

Sot në ora 19:00 në Qendrën LICEU në Prishtinë, Rhani Krija, perkusionisti super i famshëm botëror në botën e muzikës vjen me punëtori të specializuar. Punëtoria do të mbledhë bateristët e perkusionistët kosovarë që janë të interesuar të mësojnë dhe ndajnë përvojat me njërin prej perkusionistëve më të njohur në botën e muzikës.

Perkusionet janë instrumente tradicionale nga të cilët kanë dalur bateritë moderne, tashmë pjesë e shumë zhanreve muzikore botërore.

“Duke e vërejtur mungesën e punëtorive për instrumente muzikore kemi dashur t’ua ofrojmë mundësinë instrumentistëve kosovarë të njoftohen me njërin nga perkusionistët më të shquar në botë. Është tejet e rëndësishme që muzikantët kosovarë ta mbajnë një komunikim të përhershëm me skenat botërore”, deklaroi Art Lokaj, Dekani i LICEU-t, qendër e sapohapur prishtinase për edukim muzikor dhe shtoi: “Kosova është vend i vogël dhe për këtë arsye duhet të dalim nga të gjitha kufizimet – posaçërisht ato gjeografike. Muzika është shumë më e gjërë.”

Rhan Krija, i lindur në Essaouira të Marokut, është rritur duke dëgjuar dhe hulumtuar stile të ndryshme muzikore të Afrikës së Jugut, gjë e cila pati ndikim në zhvillimin e tij. Më vonë u bë pjesë e pandashme e menyrës se si ai luan në perkusione. Me bashkëpunimet e tij me disa nga muzicientët më të dalluar të skenës tradicionale të Marokut ai u njoh dhe luajti edhe zhanre tjera muzikore si Arabik, Andaluzian, Afrikan dhe Latino-Amerikan. I njohur për stilin e tij unik, Rhani ka performuar live dhe regjistruar në studio me artistë si Sting, Eda Zari, Housseine Kili, Djamel Laroussi, Omar Sosa, Momo Djender, Herbie Hancock, Chick Corea, Vinnie Colaiuta.
LICEU gjendet në Veternik, prapa SPRAY CLUB, rr. Konzenca

PUNËTORIA FILLON NË ORA 19:00

Krejt kanë nevojë për dashni…

Xhejlane Tërbunja

Krejt kanë nevojë për dashni…
Edhe ai që shëtitet natën nëpër shi i pa shpi.
Ajo që dritaren e len hapun kangën e fqiut me ndëgju karshi.
Macet që enden në rrugica, mbi pullazet e shtëpive të vjetra bishtin duke luhatur me qesendi.
Edhe ai plaku që e shërben verën n’lokalin e tij me shumë orendi.
Edhe ti që rrin vet në dhomën e një hoteli t’vogël të harruar e kafen turke të nxehtë lyp me e pi.
Krejt kanë nevojë për dashni, përkëdhelí, përqafim e ngrohtësi.
Edhe unë, njësoj si ti.
Vjeshtë,
Shi,
Unë, ti…
Dashni…

Xh.Tërbunja