Haradinaj i thotë Rifat Jasharit: A ia nisim me një këngë, se për festë kemi ardhur

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka bërë thirrje nga Skenderaj të mos harrohen sakrificat e popullit shqiptar, në mënyrë që të mos përsëritet e kaluara.

Me rastin e hapjes së Festivalit “Rapsodia shqiptare” 2018, kreu i Ekzekutivit u shpreh se ndihet i nderuar që në kuadër të festave të 28 Nëntorit pati rastin të marrë pjesë në këtë manifestim.

Ai tha se ideja e një festivali kushtuar një heroi dhe ruajtja e traditës nuk është e tashme ndër shqiptarë. Ndërsa iu drejtua me një fjalë rasti edhe Rifat Jasharit, vëllait të komandantit legjendar Adem Jashari.

“A ja nisim me një këngë baca Rifat, se për festë kemi ardhur…? Ideja e një festivali kushtuar një heroi dhe ruajtja e traditës nuk është e tashme ndër shqiptarë. Lahutarët tonë, e ciceronët tonë e kanë ruajtur të gjallë kujtesën e ngjarjeve të mëdha, e heronjve tonë. Me e ruajt të gjallë kujtesën për Hamëz Jasharin, nderohet edhe artisti por nderohem edhe të gjithë ne. Është me lehtë për ne me e mbajt gjallë atë që kemi kaluar. Është në nder tonë, është në dobinë tonë që si njerëz, qoftë si qytetarë të Kosovës, qoftë si evropian, qoftë si popull që dojmë me iu taku popujve tjerë, me e kultivuar të vërtetën, sakrificën tonë, dhembjen tonë, atë që i ka ndodhur popullit tonë, heroizmin tonë, dhe si kemi ardhur deri në liri”, u shpreh Haradinaj.

Ndërsa vëllai i komandantit legjendar Adem Jashari, Rifat Jashari, u uroi mirëseardhje të pranishmëve duke thënë se prezenca e kryeministrit Haradinaj në këtë ngjarje, i ka shtuar dritë asaj.

“Shfrytëzoj rastin t’ua uroj festat e 28 nëntorit, të gjitha që lidhen, juve dhe gjithë shqiptarisë. Inshalla gjithmonë jemi bashkë, të një qëndrimi, të një mendimi për të ardhmen e vendit tonë”, u shpreh Jashari.

Në emër të kryetarit të komunës, drejtori i Drejtorisë së Kulturës në komunën e Skenderajt, Ramiz Shala, tha se të rralla dhe të papërsëritshme janë personalitetet e mëdha historike si Adem Jashari e Hamëz Jashari, të cilët i kanë dhënë edhe më shumë ngjyrë 28 nëntorit.

Në natën e parë të hapjes të këtij festivali, kryetari i komunës së Skenderajt, Bekim Jashari ndau çmime post-mortum për ish-drejtorin e Arteve Beqir Beqirin, ish-drejtorin Feriz Zeqiri, dhe rapsodin Ibrahim Gashi.

Ndryshe, Festivali “Rapsodia Shqiptare” Skenderaj 2018, do të zgjasë tre net, ku të enjten, më 28 nëntor do të ndahen edhe çmimet në kuadër të natës finale. /kp/Telegrafi/ KultPlus.com

Janet Jackson do të performojë në MAMA 2018

Ikona e muzikës pop, Janet Jackson, do të shfaqet zyrtarisht në Mnet Asian Music Awards 2018, lajm i cili u bë i ditur përmes rrjeteve sociale.

“Ne jemi krenar të njoftojmë se artistja e veçantë vjen në MAMA 2018”, thuhet në një postim në Twitter të bërë nga organizatorët, transmeton Klan Kosova.

Ceremonia do të zhvillohet nga 10 dhjetori deri më 14 dhjetor në të gjithë Korenë e Jugut, Japoninë dhe Hong Kong./KultPlus.com

Feride Rushiti në Hagë, flet për dhunën seksuale gjatë luftës në Kosovë

Drejtoresha e Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT) Feride Rushiti, bashkë me drejtoreshën e QPDG-së, Kadire Tahiraj dhe Vasfije Krasniqi-Goodman, e mbijetuar e dhunës seksuale nga koha e luftës në Kosovë, po marrin pjesë në ngjarjen “From words to action: repairing the wounds of wartime sexual violence”, organizuar nga Denis Mukwage Foundation, në Hagë.

Rushiti do të flasë për dhunën seksuale si mjet lufte që është përdoruar masivisht nga forcat armike gjatë viteve 1998-1999; vështirësitë nëpër të cilat kanë kaluar dhe po kalojnë të mbijetuarit e dhunës seksuale; ballafaqimin me të kaluarën, stigmatizimin e kësaj kategorie të ndjeshme shoqërore, si dhe promovimin e qasjes gjithëpërfshirëse dhe trajtimin e dinjitetshëm për të mbijetuarit e dhunës seksuale; njohjen e statusit ligjor për të mbijetuarit e dhunës seksuale; pensionin personal i cili njeh vuajtjet dhe dhimbjet e tyre; si dhe vështirësitë që viktimat po hasin për qasjen në drejtësi.

“Sot ka ardhur koha, që përtej njohjes dhe mbështetjes institucionale, ne të bëhemi zë i fuqishëm edhe në arenën ndërkombëtare. Këtë zë më së miri është duke e përçuar vetë e mbijetuara znj. Vasfije Krasniqi-Goodman, e cila përmes rrëfimit të saj po përcjell vuajtjet dhe mesazhet e shumë të mbijetuarve tjerë nga koha e luftës, në mbarë globin”, thuhet në njoftim.

Denis Mukwage është fitues i Çmimit Nobel për Paqe 2018, i cili përmes fondacionit të tij, programeve të ndryshme dhe avokimit ndërkombëtarë, ka mbështetur të mbijetuarit e dhunës seksuale në betejën e tyre për njohje dhe pjesëmarrje aktive në zhvillimin e politikave nacionale dhe ndërkombëtare që kanë të bëjnë me drejtësinë, paqen dhe të drejtat e grave. /Telegrafi/KultPlus.com

Dëmtohet portreti me fishekë i Adem Jasharit

Mozaiku i ndërtuar nga 200 mijë fishekë ku është bërë portreti i komandantit legjendar Adem Jashari është zbuluar në Prekaz në 20 vjetorin e rënies së tij më 5 mars të këtij viti.

Mozaiku, është ndërtuar nga Besart Gashi, është 25 metra katror dhe është punuar nga 200 mijë gëzhoja fishekësh. Por ky mozaik tashmë është dëmtuar. KosovaPress ka marr pamje ku shihet dëmtimi i portretit.

Prekazi më 28 Nëntor pret vizitorë që vijnë për ta nderuar komandantin legjendar për festat e Nëntorit./KultPlus.com

“Mbreti Luan” rikthehet në pranverën e 2019-ës

“Mbreti Luan” pritet të dalë në version të dixhitalizuar në pranverën e 2019-ës. Versioni i ri i Mbretit Luan, i publikuar për herë të parë në vitin 1994 është një ripunim me teknologjinë e fundit të grafikës dhe animacionit.

I drejtuar nga Jon Favreau, filmi është realizuar me teknika kinematografike , për t’u dhënë një dimension të ri jete personazheve të famshëm të filmit. Klasiku i Disneyt është një ndër sukseset më të mëdha në historinë e filmave vizatimorë, me një fitim prej 968.8 milionë dollarësh.

Kur u shfaq për herë të parë në sallat e kinemasë, “Lion King” fitoi një çmim Oscar për këngën më të mirë origjinale, e cila titullohej “Can you feel the Love tonight”, kompozuar nga Elton John Dhe Tim Rice; dhe një për kolonën zanore më të mirë, të kompozuar nga Hans Zimmer.

Gjithashtu vlen të përmenden edhe dy Grammy Awards të fituar. Albumi i kolonës zanore ka shitur më shumë se 14 milionë kopje. Në vitin 1997 versioni teatral i “Mbretit Luan” u shfaq në Broadway duke fituar 6 çmime “Toni Awards”.

Mbreti Luan është vënë në skenë në të gjithë botën dhe është përkthyer në 8 gjuhë të huaja. Nga realizimi i fundit filmik priten ende shumë surpriza./A.T.Sh./ KultPlus.com

Në Suharekë hapet ekspozita për Gjergj Kastriotin – Skënderbeun

Dhjetëra vepra të artit pamorë do të ekspozohen sot, e hënë 26 nëntor 2018, duke filluar nga ora 17 në Galerinë “Shtëpia e Fellbahut” në Suharekë.

Ekspozita hapet me rastin e festës së 28 Nëntorit si dhe në përkujtim të 550 vjetorit të vdekjes së Skënderbeu, ndërkaq organizohet nga Komuna e Suharekës në bashkëpunim me Shoqatën për Art dhe Kulturë “Elena Gjika”.

Ekspozita i kushtohet lavdisë heroike të Skënderbeut, ndërsa marrin pjesë me krijues kosovarë me vepra të ndryshëm të artit pamor, si në pikturës, skulpturës, mozaikut dhe filigranit.

Kjo ekspozitë mbahet në kuadër të një sërë aktivitetesh që organizohen në këtë komunë për nder të 28 nëntorit, apo Ditës së Flamurit dhe do të qëndrojë e hapur deri me 10 dhjetor 2018.

Refki Gollopeni, koordinator këtyre aktiviteteve ka thënë në një prononcim për Kallxo.com se Drejtoria për Kulturë Rini Sport dhe Mërgatë e Komunës së Suharekës në bashkëpunim me Shoqatën për Art dhe Kulturë Elena Gjika, me rastin e kremtimit të 28 Nëntorit dhe përkujtimin e 550 vjetorit të vdekjes së Skënderbeu për tri ditë më rashë organizojnë aktivitete kulturore dhe Sportive.

“Aktivitetet fillojnë me Orën letrare poetike dhe muzikore ku do të lexojnë krijues nga Kosova dhe Shqipëria, ky eveniment do të shoqërohet me një program të mirë artistik muzikorë të muzikës popullore të përpunuar dhe recital kushtuar heroit Gjergj Kastrioti Skënderbeu”, ka pohuar Gollopeni.

Ndërsa nesër në kuadër të këtyre festimeve sipas Gollopeni, do të zhvillohet finalja e turneut në futboll të vogël, kurse më 28 nëntor do të bëhen homazhe për dëshmorët dhe heronjtë./Kallxo.com/ KultPlus.com

28 Nëntori festohet me pasion në Baden të Austrisë

Shkruan: Besim Xhelili

SHKA “17 Shkurti”, nga qyteti Baden i Austrisë, si begati kulturore e artistike e shqiptarëve në Austri dhe me një bagazh të theksuar atdhetarizmi, i cili bartet brez pas brezi nga anëtarët e saj, tashmë tradicionalisht për nder të dy festave kryesore kombëtare, asaj të 17 Shkurtit, shpalljes së pavarësisë së Kosovës dhe 28 Nëntorit, shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë, ofron për bashkatdhetarët tanë koncerte solemne falas, shoqëruar me valle, recitale, këngë burimore, epike e folklorike, pastaj në fund të programit ka edhe hapësirë për vallëzim të lirë, ku e gjithë salla i japin rrugë gëzimit, kënaqësisë dhe festës.

Edhe sivjet, të shtunën e kaluar, më 24 nëntor 2018, e stërmbushur ishte salla ku mbahej manifestimi i organizuar nga kjo shoqëri artistike, e cila tashmë qysh moti ka dëshmuar jo vetëm kapacitetet njerëzore dhe aftësitë organizative që ka, por edhe mënyrën e ruajtjes dhe zhvillimit të kulturës sonë këtu në mërgim, të bashkëpunimit e të përçuarjes tek brezat e rinj të thesarit të vlerave të mirëfillta njerëzore, atdhetare e shoqërore. Të ngelet lakmi kur sheh fëmijët e buzëqeshur, të aftë e plot ndjenja, që presin me pasion të ngjiten në skenë dhe të luajnë pjesët e parapara të programit, qofshin valle, recitime apo kërcime të tjera artistike.

Si gjithmonë moderimin e programit me shumë ngrohtësi prezantimi e udhëhoqi Kaltrina Durmishi, kurse një fjalë rasti tha kryetari i shoqatës Tahir Turkaj, i cili përshëndeti të pranishmit, bashkëpunëtorët, organet e qytetit dhe sponsorët, pa të cilët ky aktivitet vështirë do të realizohej. Me një fjalë përshëndetëse u paraqitën znj. Carmen Jettler Cincelli, deputete e parlamentit austriak dhe kryetare e grupit të Miqësisë Austri – Kosovë në parlamentin e Austrisë dhe deputeti dhe i dërguari i kryetarit të Badenit, z. Peter Rammberger.

Udhëheqës artistik i programit ishte Agron Nuredini, kurse me fëmijët e shkollës shqipe në Austri u paraqit mësuesi Ibrahim Hasanaj, për të vazhduar programi me vallet e zgjedhura dhe të luajtura me mjeshtëri e bukuri nga valltaret e valltarët e shoqatës. Për pjesën e lirë në fund të programit u përkujdesën këngëtarët Hamdi Hyseni, Nikollë Gjini, Bekim Zogaj, muzikanti Arben Bunjaku dhe DJ Xheni. Korreografe e valleve ishte Diellëza Turkaj. Të pranishëm ishin miqtë e shoqatës Ajet Shira, aktivist i dalluar dhe shkrimtari Besim Xhelili, si dhe një numër i madh i simpatizantëve dhe dashamirëve.

Një pikë e rëndësishme e programit ishte paraqitja e tre grupeve të etniteteve tjera, të cilat ishin ftuar për bashkëpunim nga nikoqirët edhe atë, grupi i austriakëve nga qyteti Pöttsching, grupi i turqve nga shoqata “Atib”, Vjenë dhe ai i boshnjakëve nga Sanxhaku të shoqatës “Iki”, Vjenë.

Në fund u shtruan disa pjata me ushqime të ndryshme tradicionale shqiptare, një bufe e pasur dhe pije freskuese. Ngel të përgëzojmë SHK “17 Shkurti” për një prezantim dinjitoz dhe gjithë anëtarëve të saj t’iu urojmë të vazhdojnë kështu me këtë dashuri ndaj artit, kulturës dhe traditës shqiptare që zhvillohet në mërgim. Gëzuar 28 Nëntorin, Ditën e Flamurit dhe mirë se shihemi në manifestimet e tjera./ KultPlus.com

Franca i rikthen Nigerisë 26 veprat e vjedhura të artit

Franca do ti rikthejë 26 vepra arti në Benin të Nigerisë, më shumë se një shekull pasi i mori ato nga kombi afrikan.

Presidenti francez Emmanuel Macron ra dakord të premten (25 nëntor) për të kthyer vepra arti sa më shpejt në Benin. Ai propozoi një takim me partnerët afrikanë dhe evropianë në Paris vitin e ardhshëm për të përcaktuar një kornizë për një “politikë shkëmbimi” për veprat e artit afrikan. Macron pranoi të kthente 26 statuja mbretërore nga pallatet e Abomey, dikur kryeqyteti i mbretërisë së Dahomey, që u morën nga ushtria franceze më 1892 dhe tani janë vendosur në muzeun e Quai Branly të Parisit.

Këtë javë do të publikohet një raport që përshkruan saktësisht se pse dhe si duhet të kthehen mijëra objekte të tepër të çmuara në Afrikë.

Në raportin që Macron mori të premten propozohej që të bëheshin ndryshime në ligjin francez për të kthyer mijëra vepra arti afrikane të marra gjatë periudhës koloniale, që ndodhen tani në muzeumet franceze, në kombet përkatëse.

Sipas raportit rikthimi i tyre duhet të bëhet nëpërmjet marrëveshjeve dypalëshe midis Francës dhe shteteve afrikane të prekura.

Deri tani, ligji francez refuzon të heqë dorë nga objektet në pronësi të qeverisë, edhe nëse kjo pasuri është fituar nëpërmjet plaçkitjes.

Ka rreth 90,000 vepra arti afrikane në muzetë franceze, shumica e të cilëve janë vendosur në Quai Branly, një muze etnografik që mburret me një koleksion të madh të artit aziatik.

Ai u krijua nga ish-presidenti Jacques Chirac, një koleksionist i pasur i artit afrikan dhe aziatik.

Ka pasur një thirrje në rritje nga udhëheqësit afrikanë, historianët dhe koleksionistët e artit për riatdhesimin e trashëgimisë artistike e kulturore të Afrikës.

Thirrja më e rëndësishme ishte ajo e presidentit të Benin, Patrice Talon, i cili i kërkoi drejtpërdrejt Macronit të kthente thesaret e Mbretërisë së Dahomej, që u pushtua nga trupat franceze në fund të shekullit të 19-të, përgatiti Express./ KultPlus.com

Do të vij

Poezi e shkruar nga Drita Çomo.

Do të jetë mëngjes dhe unë do të vij patjetër,
Pas avullit të xhamave ti më prit.
Do më ketë rënë pluhur mimozash në flokë,
Dhe pluhur dashurie në shpirt.

Do dalë dielli dhe do të jetë ngrohtë,
Avujt e ëndrrave do shkrijnë ngadalë.
Ne do të presim pranë tyre pa folur,
Gjersa të behen të qarta, të qarta si kristal.

Pastaj s’do ketë më as mëngjes, as botë,
Do jemi vetëm unë dhe ti.
Ti do më prekësh me gishta në flokë,
Në pluhur mimozash dhe dashurish.

Ledina Çelo rikthehet me një fotosesion artistik

Këngëtarja e njohur shqiptare Ledina Çelo e cila njihet për këngë të shndërruara shumë shpesh në hite, ajo njihet edhe për fotosesione të shumta, që vlerësohen lartë për shijen e hollë që paraqet, shkruan KultPlus.

Ajo së fundi ka postuar një fotografi ku tregon këngëtaren e njohur shqiptare, e cila që një kohë nuk është prezantuar me ndonjë këngë të re./KultPlus.com

Kadare përball sunduesve me një vepër brilante

Çerçiz Loloçi

“Kur sunduesit grinden” apo misteri i një bashkëbisedimi telefonik Stalin- Pasternak është libri më i fundit i Ismail Kadaresë, publikuar për herë të parë në panairin e librit në Tiranë, Nëntor 2018. Midis prozës romaneske dhe sprovës letrare, diçka e ndërmjeme, vepra është mbajtur gjatë prej autorit, ndoshta tri-katër vjet dhe së paku në pesë-gjashtë dorëshkrime, megjithëse fillesat e veta i gjen qysh në vitet studentore në Institutin Gorki në Moskë apo kur shkruante “Muzgu i perëndivë të stepës”.

Në kopertinën e parë të librit është një portret i perëndisë romake Janusi, rojë i portave kryesore, mbrojtës i fillimeve dhe përfundimeve, që shfaqej me fytyrë para dhe pas; njëheri është edhe Janari, muaji që tregonte fillimvitin dhe përkon me lindjen e autorit, 28.01.1936.

Ashtu si perëndia romake autori ecën në dy kohë, në atë të tashmen dhe të atëhershmen, sheh përpara e pas, për të zhbiruar atje ku nuk shkon një mendje e zakonshme dhe për të trajtuar një thelb universal, përballjen e njerëzve të pushtetshëm të politikës me ato të letrave. Konflikti tiran-krijues është po aq i hershëm sa vetë njerëzimi ku i pari sundon me të gjitha mjetet e mënyrat por tek e fundit shndërrohet në “një nga ata”, ndërsa i dyti arrin të kthehet në ndërgjegje botërore. “Për një mbret do të mjaftonte një çast i shkurtër, një goditje thike ose ca pika helmi, kurse për poetin edhe një mijë vite do ishin pak”.

Në kopertinën e fundit jepet një shpjegim për bisedën telefonike midis tiranit më të madh Stalinit dhe shkrimtarit po aq të madh Pasternakut, të fshehur në diktaturë dhe në demokraci, ndërkohë që shfaqet edhe një personazh i tretë, në radhën e sunduesve të letrave, Osip Mandelshtam, që zë gjithashtu vend të rëndësishëm.

Në këtë libër me tri pjesë janë gjithsej edhe trembëdhjetë versione të bisedës së famshme, që në mënyrë të përmbledhur vijnë si më poshtë:

Versioni i parë, sipas arkivave të KGB.

Telefonoi Proskebishevi, sekretari i Stalinit: Tani do të flasë me ju shoku Stalin. Stalini: Pak kohë më pare është arrestuar poeti Mandelshtam. Ç’mund të thoni për të, shoku Pasternak? Pasternaku: Unë pak e njoh atë. Ai është akmeist, kurse unë i përkas një rryme tjetër. Kështu që asgjë s’mund të them për Mandelshtamin. Stalini: Kurse unë mund të them se ju jeni një shok shumë i keq, shoku Pasternak.

Versioni i dytë, me dëshminë e shkrimtares Galina von Meck, mbesa e Çajkovskit, dashnore e dyshuar e Mandelshtamit. Stalini: Cili është mendimi juaj për Osip Mandelshtamin? Ç’të bëjmë me të? Pasternaku: Ju e dini më mirë, shoku Stalin. Stalini: Vetëm kaq mund të thoni? Kur miqtë tanë binin në fatkeqësi, ne dinim më mire të luftonim për ta.

Shkrimtarët Bobrov dhe Duvakin kanë versionin e tretë të tyre.

Stalini: Ç’mendim keni për Mandelshtamin? Pasternaku: Nuk e njoh mirë, po di që është arrestuar. Stalini: Ne shokët tanë nuk i linim në baltë.

Versioni i katërt, sipas shkrimtarit Boris Shkllovski.

Stalini: Ç’thuhet për arrestimin e Mandelshtamit? Pasternaku: Meqënëse më morët në telefon, le të bisedojmë për historinë, për poezinë. Stalini: Unë po ju pyes, çfarë thonë për arrestimin e Mandelshtamit? Pasternaku: Në qoftë se ju më pyesni për këtë, unë ndërkaq e kam vënë kokën nga këmbët.

Miku i vjetër i Pasternakut, Vilmonti ka një version të pestë rreth bisedës. Pasternakut i kërkohet t’i telefonojë Stalinit. Stalini: Stalini ju flet. Po shqetësoheni për mikun tuaj Mandleshtam? Pasternaku: Miqësi të vërtetë mes nesh s’ka pasur. Më tepër e kundërta. Gjykimet tona ndaheshin. Ndërkaq, të flas me ju, këtë e kam ëndërruar gjithmonë. Stalini: Ne bolshevikët e vjetër nuk i mohonim kurrë miqtë tanë…

Gruaja e Pasternakut, Zinaida, me prirje mirëkuptimi ndaj rendit sovjetik, ka versionin e vet të gjashtë të telefonatës. Sipas saj “Borja tha se ishte habitur nga arrestimi i Mandelshtamit dhe ndonëse midis tyre s’kishte patur kurrë miqësi, ai i çmonte veprat e tij si poet i klasit të parë dhe a njihte meritat. Ai iu lut Stalinit që brenda mundësive ta lehtësonte Mandelshtamin dhe, po të qe e mundur, ta lironte”.

Versioni i shtatë zbardhet nga Akhmatova, shkrimtarja më e mitizuar e kohës, me lidhje e njohje të shumëfishta me Pasternakun dhe Mandelshtamin. Në ditarin e saj, por edhe në rrëfimin e gruas së Mandelshtamit thuhej se “Nadia dërgoi një telegram në KQ. Stalini dha urdhër për t’u parë kjo çështje…Pastaj i telefonoi Pasternakut. Se ç’ndodhi më pas, është tepër e njohur…”. Akhmatova zbardh gjithashtu edhe bisedën tiran-poet. Stalini: Në qoftë se një mik i imi poet do të binte në burg, unë do të vija kokën nga këmbët për ta shpëtuar. Pasternaku: Nëse unë s’do të lëvizja, s’do ta merrje vesh kurrë këtë punë. Stalini: Po ai është miku juaj, po ai është mjeshtër. Apo jo? Pasternaku: Kjo s’ka shumë rëndësi. Pasternaku mendoi se Stalini dontë të merrte vesh nëse e dinte apo jo vjershën e ‘ndaluar’ Mandelshtamit. Pasternaku: Përse të flasim për Mandelshtamin, kur unë prej kohësh kam dashur të bisedoj me ju. Stalini: Për çfarë? Pasternaku: Për jetën, për vdekjen. Stalini kishte mbyllur telefonin./ KultPlus.com

Nënshkruhet marrëveshja për bashkëpunimin e të rinjve të Kosovës dhe Shqipërisë

Në kuadër të Mbledhjes së dy qeverive, të Republikës së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë, e cila po mbahet në qytetin e Pejës, në mesin e një sërë marrëveshjesh, u nënshkrua edhe marrëveshja për bashkëpunim në fushën e rinisë.

Në emër të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit së Republikës së Kosovës nënshkroi ministri Kujtim Gashi, ndërkaq në emër të Ministrisë së Arsimit, Rinisë dhe Sportit të Republikës së Shqipërisë nënshkroi ministrja Lindita Nikolla.

Në bazë të marrëveshjes që do të zgjasë tri vjet, palët synojnë bashkëpunim institucional të të dy vendeve në fushën e rinisë në mbështetje të politikave dhe programeve të përbashkëta si dhe të nismave rajonale dhe evropiane.

Inkurajimi i pjesëmarrjes aktive të të rinjve në vendimmarrje, nxitja e edukimit të rinisë me vlerat më të mira evropiane për bashkëjetesë, tolerancë dhe integrim, hartimi dhe zbatimi i projekteve për shkëmbimin e të rinjve, përmes trajnimeve dhe projekteve të përbashkëta, bashkëpunimi në fushën e rinisë në hartimin e programeve dhe aktiviteteve të përbashkëta, nxitja e pjesëmarrjes në konferenca e seminare rajonale e ndërkombëtare si dhe në aktivitete të tjera rinore, me synim forcimin e miqësisë ndërmjet të rinjve, janë fushat e bashkëpunimit që parasheh marrëveshja e nënshkruar.

Bashkëpunimi sipas marrëveshjes në fjalë do të realizohet për format e ndryshme sikurse organizimi i konferencave dhe aktiviteteve, zhvillimi i panairit të shoqatave/organizatave rinore, organizimi i sesioneve informuese, shkëmbimi i organizatave rinore, sportistëve të rinj, inkurajimi i sipërmarrjes, organizimi i kampeve të përbashkëta, krijimi i komiteteve të përbashkëta organizative, këshillave koordinuese si dhe angazhimi të rinjve në aktivitete vullnetare.

Marrëveshja parasheh edhe nxitjen e partneritetit mes organizatave rinore si dhe programin e përbashkët të aktiviteteve i cili dakordësohet gjatë muajit dhjetor të çdo viti.

Ministri Kujtim Gashi e ka vlerësuar të rëndësisë së veçantë nënshkrimin e marrëveshjes, ngase mundëson një bashkëpunim më të madh të të rinjve shqiptarë këndej dhe matanë kufirit.

“Duke qenë të bindur se të rinjtë mund të kontribuojnë në zhvillimin e mëtejshëm të frymës së mirëkuptimit, tolerancës, miqësisë dhe bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve, të vetëdijshëm se të rinjtë e të dy vendeve përballen me sfida të njëjta, të ndërgjegjshëm se rinia është forca më e gjallë që do të ndërtojë të ardhmen evropiane të rajonit tonë sot do të jetësohet kjo marrëveshje në fushën e rinisë”, tha ndër të tjera ministri Gashi.

Ndërkaq, homologia nga Shqipëria, ministrja Lindita Nikolla, tha se me nënshkrimin e marrëveshjes i hapet rrugë të rinjve që të angazhohen më tepër për interesat e tyre./ KultPlus.com

Limaj emërohet koordinator kombëtar i dy qeverive

Me propozim të kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, Zëvendësministri i Kosovës, Fatmir Limaj, është emëruar koordinator kombëtar i dy qeverive për mbikëqyrjen dhe zbatimin e marrëveshjeve të arritura mes dy vendeve.

Lideri i Nismas Socialdemokrate, Fatmir Limaj më herët është votuar në Qeverinë e Kosovës si koordinator për organizimin e mbledhjeve mes dy qeverive shqiptare./ KultPlus.com

“Provokacija”, kështu e quajnë mediet serbe fotografinë e Endrit Shalës dhe Edi Ramës (FOTO)

“Foto e bukur me Kryeministrin Rama. Foto dhe mbishkrimi 100%, e bërë vetë nga z. Rama”, ky është mbishkrimi i ministrit të Ministrisë së Tregtisë Endrit Shala me kryeministrin e Republikës së Shqipërisë Edi Rama, fotografi kjo që ka nxitë reagimin e medieve serbe, shkruan KultPlus.

Në këtë fotografi shihet fotografia e Endrit Shalës dhe Edi Ramës, me mbishkrimin 100%, mbishkrim që i referohet taksave të Kosovës ndaj Serbisë, dhe pikërisht këtë foto, gazeta Mondo nga Serbia e ka quajtur provokim, duke vendosë titullin: Provokacija, Salja objavio sliku sa Ramom./KultPlus.com

“What the Fuck” për qasjen e Serbisë ndaj Kosovës, thotë Edi Rama

Kryeministri i Republikës Shqipërisë Edi Rama, sot gjatë takimit të dy qeverive asaj të Kosovës dhe Shqipërisë, përgjatë fjalimit të tij, i është drejtuar në gjuhën angleze Serbisë me fjalën “What the fuck”, shkruan KultPlus.

Krejt kjo ka ardhë si rezultat i deklaratave të fundit rreth Kosovës nga Serbia.

Rama ka përmendur momentin kur një ministri kosovar i kërkohej që në një fjalim të tij, të hiqej fjala Republika e Kosovës.
“What the fuck do të thuhej në Bashkimin Evropian”, ka thënë Rama./ KultPlus.com

Lindita akuzon RTSH-në se nuk e pagoi për përfaqësimin e Shqipërisë në Eurovision

Këngëtarja kosovare Lindita Halimi, ka akuzuar televizionin shqiptar (RTSH), se ende i ka borxh.

Lindita përfaqësoj Shqipërinë në Eurovisionin në vitin 2017, me këngën “World” pas fitores në festivalin e RTSH-së.

Por pavarësisht çmimit të festivalit, Lindita ka akzuar RTSH-në se ende nuk e kanë paguar për këtë, transmeton Magazina.al

Në një pytje që i është bërë në Instagram se a do të kthehet në “Festivalin e Këngës” në RTSH, këngëtarja ka thënë se nuk e mendon një herë këtë gje, duke treguar se RTSH ende nuk e ka paguar për fitoren e vitit 2017 dhe nuk i beson më./ KultPlus.com

Edi Rama dhe Ramush Haradinaj ‘betohen’ mbi flamurin kombëtar

Një fotografi e publikuar pak çaste më parë nga kryeministri i Republikës së Kosovës Ramush Haradinaj, tregon një lloj betimi mbi flamurin kombëtar, bashkë me kryeministrin e Republikës së Shqipërisë Edi Rama, shkruan KultPlus.

Në flamur janë hedhur edhe nënshkrimet e dy kryeministrave shqiptarë, dhe shihen duart e tyre njëra mbi tjetrën.

Fotografi është shkrepur sot gjatë takimit të dy qeverive shqiptare në Pejë./ KultPlus.com

Këto janë nëntë marrëveshjet të firmosura nga Kosova dhe Shqipëria

Kosova dhe Shqipëria kanë firmosur nëntë marrëveshje pas mbledhjes së përbashkët të dy Qeverive.

Në Pejë, u nënshkrua Marrëveshja për heqjen e çmimeve të shërbimeve Roaming për rrjetet publike të komunikimeve të lëvizshme ndërmjet ministrive përgjegjëse për fushën e komunikimeve elektronike.

Atje u firmos edhe protokolli për kryerjen e veprimtarive të përbashkëta të kontrollit doganor në pikën e përbashkët të kalimit kufitar Morinë-Vërmicë në mes të Ministrisë së Financave të Kosovës dhe Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë të Shqipërisë.

Marrëveshje bashkëpunimi do të ketë edhe në fushën e borxhit publik, financimeve të huaja, dhe marrëdhëniet me institucionet financiare ndërkombëtare.

Ujdi u nënshkrua edhe ndërmjet Agjencisë për Pronësinë Industriale të Kosovës dhe Drejtorisë së Përgjithshme të pronësisë industriale të Shqipërisë.

Dy qeveritë kanë nënshkruar edhe Protokollin për ndërmjet Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural të Shqipërisë dhe Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural të Kosovës për njohjen bilaterale dhe unifikimin e modeleve të certifikatave shëndetësore, veterinare dhe fitosanitare që do të shoqërojnë ngarkesat e kafshëve të gjalla, produkteve me origjinë shtazore dhe produktet bimore gjatë importit, eksportit dhe transitit midis Shqipërisë dhe Kosovës.

Marrëveshje për bashkëpunim do të ketë edhe në fushën e rinisë si dhe për bashkëpunimin, nxitjen e biznesit dhe informimin e diasporës.

Ministria e Shëndetësisë së Kosovës dhe ajo e Shqipërisë po ashtu kanë nënshkruar Marrëveshjen e bashkëpunimit në fushën e shëndetësisë.

“Skënderbeu” arrin në Bruksel

Shqiptarët e Belgjikës përgatiten për festën e Pavarësisë. “Skënderbeu” ka ardhur në Bruksel mbi kalë dhe me flamurin kuqezi në dorë. Përballë simbolit futurist të Brukselit, Atomiumit, ky hero i rikujton Evropës se shqiptarët kanë mbrojtur vlerat dhe identitetin evropian të bashkuar.

Në këtë mënyrë e presin shqiptarët e Belgjikës këtë vit festën e Pavarësisë, falë grupit dhe shkollës “Vatra” me mbështetjen e deputetit shqiptar të Parlamentit të Brukselit, Ahmet Gjanaj.

“Është një moment i veçantë për komunitetin shqiptar në Belgjikë, por edhe shpresë, pasi siç ka thënë Skënderbeu dhe kjo është edhe moto e Belgjikës: “Bashkimi bën fuqinë”, tha Ahmet Gjanaj, deputet shqiptar i Brukselit.

Kryebashkiaku i Brukselit shpreson që Brukseli të bëhet edhe kryeqyteti i shqiptarëve, kur Shqipëria të bëhet anëtare e Bashkimit Evropian.

“Shpresoj që brenda disa vitesh, shqiptarët do të mund të thonë që Brukseli është edhe kryeqyteti i tyre, pasi atëherë Shqipëria do të jetë bërë pjesë e Bashkimit Evropian. Ne duhet të punojmë për këtë”, tha Philippe Close, kryetar i bashkisë së Brukselit, shkruan ata.

Në aktivitet morën pjesë edhe ambasadorja e Shqipërisë pranë BE-së dhe Beneluksit, Suela Janina dhe ai i Kosovës, Bernard Nikaj, së bashku me qindra shqiptarë të Belgjikës./ KultPlus.com

Thirrje publike për ofrimin e mbështetjes financiare publike për financimin e projekteve/programeve të OJQ-ve

Republika e Kosovës
Republika Kosova – Republic of Kosovo
Qeveria – Vlada – Government
Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit / Ministarstvo Kulture, Omladine i Sporta / Ministry of Culture, Youth and Sport

Prishtinë, 19.11.2018

Thirrje publike për ofrimin e mbështetjes financiare publike për financimin e projekteve/programeve të OJQ-ve lidhur me komponentën e Kultures,sportit dhe rekreacionit edhe Edukimit Shëndetsor bazuar në Strategjinë Kosovare për Rini dhe Planit të Veprimit Rinor.

1. Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sportit u bënë thirrje të gjitha organizatave jo-qeveritare të Regjistruara në Republikën e Kosovës, programi i punës i të cilave është i fokusuar në fushën e kultures,sportit dhe rekreacionit, promovimin dhe edukimin shendetsor të aplikojnë për mbështetje financiare për projektet që kontribuojnë në avancimin dhe afirmimin e të rinjve në Kosovë.

2. OJQ-të në përputhje me këtë thirrje publike mund të aplikojnë me projektet/programet e tyre për fushat prioritare në vijim:

a) Parandalimi i përhapjes së HIV/ AIDS
b) Mbështetja e grupeve te margjinalizuara për përfshirjen sociale dhe organizimi i ngjarjeve kulturore, promovuese dhe rekreative

3. Organizatat jo-qeveritare mund të aplikojnë me një projekt që kontribuojnë në avancimin dhe fuqizimin e sektorit të rinisë përmes aktiviteteve si më poshtë:

✓ Aktivitetet që kanë të bëjnë me parandalimin e HIV/AIDS
✓ Aktivitetet qe ndikojne ne zhvillimin dhe integrimin e grupeve te margjinalizuara;
✓ Zhvillimin e aktiviteteve specifike për të rinjët që ndikojnë drejt për së drejti në nxitjen e aktiviteteve ne kuader te komponentes kulturë,sport dhe rekreacion;

4. Vlera totale e planifikuar e thirrjes është 30.000,00euro.
Mjetet do te terhiqen nga kodi buxhetor 806

Shuma minimale e mbështetjes financiare që mund të alokohet për çdo projekt individual është 1.000,00euro, ndërsa shuma maksimale për një projekt është 5.000,00euro.

5. Afati i fundit për dorëzimin e propozimeve është 15 ditë pune dhe përfundon me datën 07.12.2018.

6. OJQ-të mund të aplikojnë me më së shumti një (1) projekt në kuadër të kësaj thirrje dhe vetëm në një (1)nga fushat prioritare sipas thirrjes. Periudha e zbatimit të projektit është për 3 muaj.

Të drejtë aplikimi me projektet e tyre kanë OJQ-të që janë të regjistruara në regjistrin e organizatave jo-Qeveritare në Republikën e Kosovës dhe të cilat veprojnë në Republikën e Kosovës para datës së publikimit të thirrjes publike. OJQ-të aplikuese duhet të dëshmojnë se programi i tyre i punës është i fokusuar në fushën e rinisë përkatësisht të komponentës se Kultures,sportit dhe rekreacionit. OJQ-të duhet po ashtu të kenë kryer transaksionet financiare në mënyrë transparente sipas legjislaconit për OJQ-të në Republikën e Kosovës dhe në përputhje me rregullat e kontabilitetit si dhe të kenë përmbushur detyrimet kontraktuale ndaj Ministrisë së Kulturës Rinisë dhe Sportit dhe të gjithë ofruesve tjerë të mbështetjes financiare publike.

Para nënshkrimit të kontratës, OJQ duhet të paraqesë prova se personi përgjegjës në OJQ dhe menaxheri i projektit nuk janë nën hetime për vepra penale, si dhe prova se OJQ-ja ka zgjidhur çdo çështje të hapur rreth pagesës së kontributeve dhe tatimeve të papaguara, nëse është e aplikueshme.

7. Propozimet do të dorëzohen vetëm në formularët e paraparë, të cilat së bashku me Udhëzimet për Aplikantët, janë në dispozicion në faqen e internetit të ofruesit të mbështetjes financiare (www.mkrs-ks.org).

Dokumentet e kompletuara duhet të dërgohen me postë ose personalisht, në adresën e mëposhtme:

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit
Ish-Ndërtesa e Partive Politike, Zyra e Arkivit nr 22,
Sheshi Nëna Terezë, Nr 35, 10000 Prishtinë

Procesi i pranimit, hapjes dhe shqyrtimit të aplikacioneve, vlerësimit të aplikacioneve, kontraktimi, dhënia e fondeve, koha dhe mënyra e parashtrimit të ankesave, trajtimi i dokumenteve dhe kalendarin tregues i zbatimit të thirrjes janë të detajuara në Udhëzimet për aplikuesit e thirrjes publike.

Do të konsiderohen për mbështetje financiare vetëm projektet që janë pranuar brenda afatit të paraparë me këtë thirrje publike, dhe të cilat i përmbushin plotësisht kushtet e përcaktuara të thirrjes publike.

8. Të gjitha çështjet që lidhen me thirrjen publike mund të sqarohen vetëm në mënyrë elektronike, duke dërguar e-mail në adresën: [email protected].

“Shqipëria e madhe nuk mund të krijohet pa dhunë”

Ministri serb i Mbrojtjes, Aleksandar Vulin, ka thënë sot se përfaqësuesit shqiptarë nuk e kanë braktisur asnjëherë projektin e Shqipërisë madhe.

Ai ka tërhequr vërejtjen se ky projekt nuk mund të realizohet pa dhunë dhe “pa dëbimin e të gjithë popujve tjerë” nga Kosova, transmeton Koha.net.

“Paramendojeni sikur kryeministri ynë të dilte me kryeministrin e Republikës Serbe [Bosnjës] dhe të thoshte po i heqim kufijtë dhe jemi vetëm një shtet. Menjëherë do të tubohej Këshilli i Sigurimit, ndërsa tash mbahet takimi i Kosovës dhe i Shqipërisë në të cilin thuhet se do të hiqen kufijtë… E si është mundur kjo?”, ka thënë Vulin për tv pink.

Ai ka shtuar se KFOR-i po e shkel mandatin e vet në Kosovë dhe se marrëdhëniet me të janë reduktuar në minimum, se nuk ka aktivitete të përbashkëta dhe as komunikim të ndërsjellë.

“KFOR-i e ka humbur kredibilitetin te Serbia dhe te serbët në Kosovë. Ne nuk do të bëjmë asgjë që do të rrezikonte serbët në Kosovë. Porse KFOR-i duhet të zbatojë mandatin e vet dhe kjo është vërejtje e përkujtesë për mbrojtjen e serbëve në Kosovë”, ka thënë Vulin.

Shkopeti dhe Ulza, ”përralla” turistike fare pranë Tiranës

Shkopeti dhe Ulza, të bashkuara nga liqeni i tyre i përbashkët, jo larg Tiranës, në krahun e djathtë të hyrjes së Rrugës së Kombit, në hyrje të rrugës për në Burrel, një vend piktoresk ku gërshetohet natyra, mjedisi ujor me plazhe të vegjël lumor që shfrytëzohen gjatë verës, por, tani në periudhën dimërore të ofron një mjedis të këndshëm çlodhjeje dhe të ofron një gastronomi tepër autoktone. Ky vend i bukur ka 5 vjet që është shpallur Park Natyrorë dhe vizitorët në drejtim të tij vazhdojnë të rriten.

Kreu i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi, në prill të këtij viti, në pjesëmarrjen e tij në ceremoninë e festimit të 5 vjetorit të shpalljes Park Natyrorë, u shpreh se “politika e qeverisë shqiptare është shndërrimi i Shqipërisë në një destinacion europian turistik”.

Dhe kjo, sipas tij, do të arrihet edhe duke zhvilluar të gjitha resurset për të ofruar alternativa turistike jo vetëm për vizitorët vendas por edhe të huaj. Shqipëria ka një magnet turistik dhe ne këtë detyrë kemi, që ne sot ta shndërrojmë Shqipëri në një destinacion turistik europian”.

Tashmë, Ulza Eco Park që mban në ekuilibër, mbrojtjen e mjedisit dhe zhvillimin e turizmit është kthyer në një model që duhet zhvilluar gjerësisht si turizmi i së ardhmes.

Eco Ulza Park është i pari model mbrojtje dhe zhvillimi, që e kthen këtë zonë nga një Park i thjeshtë Natyror në Eco Park në destinacion të ri turistik. Kjo zonë tashmë po frekuentohet edhe në stinët e tjera të vitit veç asaj të verës. Falë këtij projekti, përveç turizmit kulturor në këtë zonë po zhvillohen ecje në natyrë, sporte ujore, vozitje, kajake, intenerare biçikletash dhe në veçanti kulinaria dhe historia e zonës, shkruan ata.

Shkopeti dhe Ulza janë shumë afër për një piknik në fundjavë, me vlera natyrore dhe historike, por dhe ekonomike për aksesin e tyre infrastrukturor./ KultPlus.com