Kosova

Poezi nga Bilal Xhaferri.

Me ndarje dhe nënndarje gjeografike
Me ndarje dhe nënndarje historike
Kosova
Qe nga ujrat e kulluara të Ohrit
Deri në errësirën e minierave të Mitrovicës
Që nga brigjet e kaltra të Ulqinit
Deri në Qelekullen e në fushën e Nishit
Kosova
Fushë e begatshme me fruta e grunore
Që bie erë pranverës e tëra lule molle
Kosova me male kreshnike
Male të zhveshur me pisha e bredhishte
Që e rrahin qiellin me krahë shqipesh
Qe e dehin diellin me aromë rrëshire
Qe e ndezin qiellin me zbardhëllime dëbore
Kosova
Krahinë shqiptare që në fillim të saj
Tokë e Manastirit
E Prizrenit
E Plavës dhe e Gucisë
Tokë e legjendave legjendare të Gjergj Elez Alisë
Kosova
Legjendë e mbetur në rrugëkryq të historisë
Kosova
Gjithnjë ashtu si gjithnjë
Me dhëmbë të shtërnguar e me shpirt ndër dhëmbë
Kosova
Ku shqiptarët flasin një gjuhë dhe dëgjojnë dy gjuhë
Kosova gjithnjë ashtu./ KultPlus.com

“Ma keni shpifur me dhurata, hidhni sytë te njerëzit që janë pranë sofrës të pangrënë”



Aktori shqiptar Marko Caka, është i njohur për sukseset e tij në kinematografinë ndërkombëtare, shkruan KultPlus.

Ai është mjaft i njohur edhe nga personazhe të ndryshme në New York, teksa gëzon një respekt të madh prej tyre. Caka është bërë pjesë e filmave të shumtë në Hollivud dhe vazhdon të xhirojë me aktorë të mëdhenj botërorë, por ajo çka e karakterizon atë është thjeshtësia.

Këtë e vërteton edhe me postimin e bërë para pak minutash teksa ai shfaqet në një fotografi me një të moshuar i cili si duket është një i pastrehë e të cilit Caka i është afruar për të dërguar edhe një mesazh të fortë për festat e fundvitit.

“Unë dua ta festoj kështu… Kam vendosur ta bojkotoj Instagramin duke zvogëluar postimet e shpeshta sepse më është shpifur ai luksi i tepruar Instagramistave shqiptarë (gjoja VIP) ku përreth tyre jeton vetëm skamja. Mbrëmë ishte darka ime e parë pas kaq kohe ku isha i ftuar tek një mik i imi në New Jersey sepse sado që pagën e kam sa katërfishin e kryeministrit shqiptar, ju betohem se nuk gjej kohë të shplodhem, jo më të bredh pas darkave festive duke bërë dhurata të pafund si instagramistët shqiptarë.
Ma keni shpifur që nuk i hidhni sytë sadopak tek njerëzit përreth jush të mbledhur pranë sofrës të pangrënë. 🙏 
Merry Christmas!”, ka shkruar Marko Caka në Facebook. /KultPlus.com

Kur e di se do të vdesësh

Poezi nga Teodor Keko.

Kur e di se do të vdesësh,
pemët kanë më shumë lule dhe më
shumë yje qielli ka.

Më të mirë dhe më të çuditshëm
janë njerëzit,
që nuk e kuptojnë se hija e trupit
të tyre është vetë vdekja.

Kur e di se do të vdesësh,
toka është pjellore si grua
dhe qielli ta shuan përjetësisht
etjen me shirat e tij
dhe avionët nuk fluturojnë për t’u
rrëzuar
dhe njerëzit nuk lindin për t’u bërë
nesër të ligj.

Më mirë ta dish se do të vdesësh!

Lulet lule do të jenë dhe nuk do të
kundërmojnë më trishtim
dhe njerëzit do kthehen më shpesh
te distributori i harruar
të furnizohen falas me besim…/filozofia.al / KultPlus.com

13 vjeçarja bëhet nënë

Një vajzë e moshës 13 vjeçare ka lindur fëmijën e saj të parë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës ditën e hënë.

Ajo e ka sjellë në jetë fëmijën e gjinisë femër në javën e 33 të shtatzënisë, raporton Koha Ditore.

Në QKUK kanë thënë se ndonëse lindja ka qenë e parakohshme, edhe fëmija e edhe nëna janë në gjendje të mirë shëndetësore. 13 vjeçarja vajzën e saj e ka sjellë në jetë përmes lindjes normale.

Drejtori i Klinikës se Neontaologjisë, Xhevdet Gojnovci ka treguar se foshnja është duke u trajtuar në procedurë normale për shkak që ka lindur para kohës, por se gjendja shëndetësore është e mirë.

“Lindja është kryer me datën 24. Pesha e foshnjës është 1900 gramë ndërsa gjatësia 50 centimetra. Sipas dokumentacionit viti I lindjes se nënës është 2005”, ka thënë ai. /KultPlus.com

Restaurim kishave të rralla të Himarës

Kjo Krishtlindje i gjeti një pjesë të mirë të kishave të Himarës në proces restaurimi, si dhe me ndërtime kishash të reja.

Kryetari i bashkisë së Himarës, Jorgo Goro, shprehet se “nuk ka urim më të bukur për Himarën tonë këtë Krishtlindje ku kemi lajme të mira me ndërtime kishash të reja, restaurime të disa kishave të rralla, rrugëve dhe mureve rrethuese të kishave dhe manastireve”.

Sipas tij, kjo është dhurata më e bukur për ortodoksët e Himarës.

“Kishat të cilat i janë nënshtruar procesit të restaurimit në Himarë janë Kisha e Shën Thanasit nga Qeveria Shqiptare në Dhërmi, Kisha e Shën Spiridhonit, Kisha e Shën Sergjit dhe Bakut në Himarë-Fshat, Kisha e Shën Ilias në Dhërmi ndërtuar nga Komuniteti Dhërmias, Kisha e Shën Kozmait në Dhërmi, Kisha e Shën Spiridhonit në Vuno, si dhe rindërtimi i mureve rrethuese në Dhërmi”, bën të ditur Goro.

Kryetari Goro thekson se “këto foto nuk i postoj për të marrë merita apo lëvdata, por për të shpërndarë mirësi dhe urime me njëri-tjetrin që gëzime të tilla të kemi përherë mes nesh në Himarë”.

“Është kjo që po bëjmë të gjithë bashkë sot në Himarën tonë të dashur, me bekimin e Kryepeshkopit tonë Anastasi që me mesazhet e tij të vyera, na dha një gëzim të madh në vizitën e tij të fundit në Himarën tonë, teksa erdhi për të parë nga afër përpjekjet tona të të gjithëve bashkë, për të rindërtuar Himarën e së Nesërmes”, tha Goro.

Ai falënderon komunitetin ortodoks të Himarës që po ndërton dhe ndihmon Kishat e Himarës si dhe Qeverinë shqiptare për të gjithë mbështetjen e treguar me vendosmëri dhe largpamësi për projektin e Rindërtimit të bashkisë Himarës.

Himara është një nga zonat më të bukura në Shqipëri. Ajo është e mbushur plot me vizitorë dhe turistë, sidomos në sezonin e verës, pasi plazhet e saj janë nga më të veçantat në Shqipëri.

Por Himara nuk të ofron vetëm det. Tek ajo mund të bëni edhe një guidë turistike duke prekur disa pjesë të historisë së Shqipërisë.

Në këtë zonë, popullsia më e madhe i përket besimit ortodoks. Në Himarë mund të vizitosh kalanë e vjetër, por edhe dhjetëra kisha shekullore që datojmë prej shekullit XI apo edhe më herët./k.s/j.p/KultPlus.com

Krishtlindja e bardhë në Korçë (FOTO)

Një atmosferë magjike, si vetë festa e Krishtlindjes, ka përfshirë Korçën e mbuluar nga dëbora.

Pak para mesnate, teksa zhvillohej mesha me rastin e Krishtlindjeve në Korçë nisën edhe reshjet e para të dëborës, duke zbardhur fshatrat turistikë të saj dhe vetë qytetin juglindor.

Një pamje mahnitëse i ka dhënë qytetit të serenatave, të mbushur me vizitorë sot në Ditën e Lindjes së Krishtit edhe “Festivali i Dritave”, ku rrugët dhe sheshet e qyteti janë dekoruar nga dritat shumëngjyrëshe.

Dekori i veçantë i vendosur në Pazarin e Vjetër të Korçës, si dhe në të gjitha sheshet e rrugët e qytetit, që tërheq mijëra turistë në të katër stinët e vitit, i ka dhënë qytetit një bukuri për t’u admiruar./k.s/ KultPlus.com

Jehona e tunxhit vazhdon deri në fund të dhjetorit

“Prishtina Brass” do ta përmbyllë vitin 2018 me 3 koncerte të cilat do të mbahen në qytetin e Pejës dhe Prishtinës, shkruan KultPlus.

Me 26 dhjetor me fillim nga ora 18:00, ansambli i tunxhit Prishtina Brass dhe mezzo-sopranoja Fjolla Ratkoceri do të prezantohen para publikut të Pejës, në sallën e Fakultetit të Arteve në Pejë.

Me 27 dhjetor në ora 19:00, publiku i kryeqytetit do të ketë mundësi ta ndjek koncertin e “Prishtina Brass” në Kino Armata.

“Prishtina Brass”  që është ansambël tunxhi, i pari i tillë dhe i vetmi në Kosovë do të prezantohen edhe më 29 dhjetor në ora 20:00, në kuadër të aktiviteteve kulturore që mbahen në shesh me rastin e tregut të fundvitit, organizuar nga Komuna e Prishtinës.

Koncertet mundësohen me përkrahjen e Ministrisë së Kulturës dhe Komunës së Prishtinës.

Ansambli i tunxhit përbëhet nga instrumentistë profesionistë të cilët janë gjenerata e parë e tunxhit në Kosovë.  Të gjithë instrumentistët e ansamblit janë pjesë e Filharmonisë së Kosovës, ndërsa ansambli si i tillë funksionon edhe në kuadër të FSK-së (Forcës së Sigurisë së Kosovës) dhe është mjaft aktiv nëpër ceremoni të ndryshme ushtarake.

Ansambli Prishtina Brass ka një repertor mjaft të gjerë. Stili muzikor i Prishtina Brass është një kombinim i periudhave te ndryshme muzikore duke mos përjashtuar edhe veprat dhe këngët e ndryshme te ditëvë të sotme.

Ansambli rëndësi të veçant i kushton sidomos muzikës shqipe, duke mos përjashtuar edhe muzikën jazz. Prishtina Brass njihet si promotor i muzikes në hapsira publike. Për disa vite ka realizuar një numër të konsiderueshëm të koncerteve nëpër sheshet e qyteteve të ndryshme të Kosovës.

Ansambli që nga themelimi është mjaft aktiv si me koncerte, ashtu edhe me prezantime të ndryshme. Që nga viti 2012 kur ka filluar së funksionuari, ka realizuar një numër të konsiderueshëm koncertesh dhe prezantimesh të ndryshme në Kosovë dhe rajon. Ka realizuar për 5 vite radhazi turne koncertesh në shumicën e qyteteve të Kosovës si dhe në Tetovë, Tiranë, Bujanoc etj.

Është prezantuar në festivale të ndryshme të cilat janë bartëse të kultivimit dhe zhvillimit të muzikës serioze në Kosovë dhe Shqipëri si: Festivali ndërkombëtar i Prishtinës ReMusica, International Albanian Brass Festival, Netët e Prishtinës, Festivali HAPU, Kosova Brass Festival etj…

Ansambli është kuintet standart, mirëpo varësisht nga programi që luan, bashkëpunon dhe me instrumentistë tjerë si të tunxhit, perkusioneve, solokëngëtarë etj.

Instrumentistët e këtij ansambli janë:

Avni Krasniqi – Trumpetë I

Ardit Pira – Trumpetë II

Bledar Bujupi – Korno

Betim Krasniqi – Trombon

Meriton Ferati – Tubë

Aktorja amerikane Brette Taylor pozon para Fadil Berishës

 

Fadil Berisha padyshim është një ndër fotografët më mirë që ka pasur populli shqiptar.

Para aparatit të tij fotografik kanë pozuar shumë yje botërore të kinematografisë amerikane, këngëtare si dhe modele të famshme.

E tillë është edhe bukuroshja që ka pozuara para artistit tonë. Bëhet fjalë Brette Taylorin, e cila është aktore, këngëtare dhe kompozitore e muzikës ‘Country’.

Disa prej pozave joshëse bardhezi të artistes, Berisha i ka publikuar në llogarinë personale në Instagram.

Edhe vetë amerikania i ka publikuar disa prej imazheve duke mos dhënë shumë detaje se për çka bëhet fjalë.

“’Martha’ pas dyerve të mbyllura”, ka shkruar ndër të tjerash bukuroshja me rastin e zbulimit të disa imazheve.

Ndryshe, Fadili tash e sa vjet jeton dhe vepron në SHBA, përkatësisht ka studion filmike në qytetin e New Yorkut. /Telegrafi/ KultPlus.com

https://www.instagram.com/p/Brqnen_hsVF/?utm_source=ig_embed

Dy buzë

Poezi e shkruar nga Migjeni.

Dy buzë të kuqe,
dy dëshira të flakta,
që afshin ma thithën,
gëzimin ma fikën,
si fantazma hikën
ndër do bota të larta…

Dy buzë si të përgjakta,
dy dëshira të flakta,
që afshin ma thithën
në buzë kur mu njitën
andjet m’i trazuen,
zemrën ma tërbuen,
trurin ma helmuen
e në fund u mërguen…

Dy buzë të kuqe,
bukuri fatale,
të një gruaje stërzane
një pjesë zemre më nxorne,
një pranverë të tanë më morne
dhe gëzimin ma vodhne…

Ato dy buzë të kuqe
dhe dy lote të mija
qenë shenja të dhimbjes,
kur më vrau bukuria,
kur më zu dashunia
e më dogji rinia.

“Kosova” e Jusuf Buxhovit promovohet nesër në librarinë “Dukagjini”

Nesër në Prishtinë do të promovohet “KOSOVA” VI,VII dhe VIII nga autori Jusuf Buxhovi, shkruan KultPlus.

Promovimi i tre librave të fundit , me të cilën mbyllet projekti autoriale i “Kosovës” në tetë libra – që paraqesin certifikatën historike të shtetit të Kosovës, por edhe të rolit të Dardanisë në kompleksitetin e antikitetit, po vazhdon rrugëtimin e promovimit në vende dhe ambiente të ndryshme. Kësaj radhe “KOSOVA” do të promovohet në librarinë “Dukagjini” nesër në orën 18:00.

Përveç promovimit të tri vëllimeve të fundit të “KOSOVËS” VI,VII dhe VIII, me këtë rast do të bëhet edhe shitja e kompletit prej tre librash me zbritje 50% (nga 30 në 15 euro). / KultPlus.com

Në Washington mbahet meshë në shqip e festohet me valle shqiptare (VIDEO)

Dioqeza e Arlingtonit në zonën e Washingtonit ka kremtuar me një meshë në gjuhën shqipe Krishtlindjet, 550 vjetorin e vdekjes së Skënderbeut dhe 110 vjetorin e lindjes së Nënë Terezës.

Për të parë atmosferën e kësaj feste, ne po ju sjellim një video në vazhdim:

https://www.youtube.com/watch?v=8fT3K8FOg1Y

Action Bronson është paguar 60 mijë euro nga Komuna e Prishtinës (FOTO)

Action Bronson është paguar 60 mijë euro nga Komuna e Prishtinës.

Kjo është shuma që reperi shqiptare mori për performancën në festivalin “Sunny Hill” në Prishtinë në gusht të këtij viti.

Vendimi i Komunës së Prishtinës është nënshkruar nga kryetari Shpend Ahmeti, shkruan rtv21.

“Miratohet vendimi për mbështetje financiare për festivalin “Sunny Hill Festival” për pagesën e performances së artistit Action Bronson”.

“Shuma mjeteve financiare do të jetë 60.000 euro. Për zbatimin e këtij vendimi do të kujdeset Drejtoria e Financave e Komunës së Prishtinë. Ky vendim hynë në fuqi ditën e nënshkrimit të tij”, thuhet në vendimin e nënshkruar nga Shpend Ahmeti.

Ndryshe, në festival kanë performuar edhe këngëtarja tjetër shqiptare, Dua Lipa dhe shumë yje të tjerë. /KultPlus.com

Kjo është 6 vjeçarja shqiptare e zhdukur që 20 vite në Suedi

E ftuar këtë javë në emision “Përrallë me Tupan”, ishte zonja Florije Jasharaj, e lindur në Bajgorë dhe e martuar në Podujevë.

Ajo vjen posaqërisht për të rrëfyer fatin e hidhur që pati ajo dhe familja e saj.

Në vitin 1998, fëmija më i vogël i familjes, Jasmina 6 vjeçare, kishte dalur të luajë jashtë shtëpisë, por për të mos u kthyer më kurrë.

Rasti i saj është i hapur tash e njëzetë vite më parë në shtetin e Suedisë, duke pasur disa të dyshuar por duke mbetur i pazgjidhur.

Florija rrëfen tmerrin që pësoi kur nuk mund ta gjenin vajzën, së bashku me bashkëshortin e saj, tashmë të ndjerë Rexhepin.

Por Florija nuk rreshti asnjëherë së kërkuari Jasminën.

Për më shumë ndiqni emisionin në videon e mëposhtme:


Ozzy Osbourne do të vazhdojë me turne, pavarësisht koncerteve lamtumirës

Ozzy Osbourne nuk ka plane të pensionohet nga turnetë. Rokeri britanik, i cili së fundi i mbushi 70 vjet, i siguroi fansat e tij se nuk është duke ua dhënë lamtumirën ende koncerteve, pavarësisht se titulli i turneut të tij aktual është No More Tours II.

“Njerëzit e kanë keqkuptuar”, tha ai për Pasadena Star-News. “Turneu duhej të titullohej Ozzy Osbourne ‘Slowing Down Tour’. Unë nuk do të nisem në turne më 1 janar dhe të kthehem më 31 dhjetor. Do të vazhdoj me turne, por jo aq intensivisht siç kam bërë në 50 vitet e fundit”. 

Ozzy, i cili është duke u përgatitur për ta festuar sezonin festiv me familjen e tij, përfshirë edhe gruan Sharon Osbourne, është duke e marrë pushimin e shumë-nevojshëm nga performimi, pasi që u tall se do të “gjendej i vdekur në ndonjë dhomë hoteli” nëse vazhdon me orarin e tij ndëshkues. 

“Unë kam nipër e mbesa tani dhe jam 70 vjeç dhe nuk dua të më gjejnë të vdekur në ndonjë dhomë hoteli. Do ta bëj turneun në një ritëm më të lehtë dhe do t’i bëj disa koncerte në Vegas… por nuk do të ndalem kurrë”, shpjegoi ish-frontmeni i Black Sabbath. Muzikanti veteran gjithashtu do të vazhdojë të performojë për aq kohë sa fansat e duan këtë.

“I gjithë stili i jetesës që e kam jetuar, gjithçka bazohet në faktin se ka njerëz që duan të më dëgjojnë dhe për sa kohë që duan të më dëgjojnë, unë do të jem atje”, shtoi Ozzy. Ozzy planifikohet të performojë në Inglewood të Kalifornisë në prag të Vitit të Ri. /KultPlus.com

Mbyllet pas rreth 18 vitesh konkursi ndërkombëtar i artit pamor “Onufri”


Konkursi ndërkombëtar i arteve pamore Onufri, nuk do të jetë më. Galeria Kombëtare ka vendosur ta mbyllë në kuadër të rikonceptimit të rolit të galerisë.

“Në kuadër të dinamikave në të cilat zhvillohen shkëmbimet artistiko-kulturore ndërkombëtare sot, dhe si pasojë e problematikave që janë shfaqur ndër vite me Ekspozitën Ndërkombëtare të Arteve Pamore “Onufri”, aktivitet ky që ka patur mision primar realizimin e këtij shkëmbimi në Shqipëri, Galeria Kombëtare e Arteve ka vendosur në mbylljen e “Onufrit” dhe rikonceptimin e programit të saj të përgjithshëm artistik”, thuhet në deklaratën për shtyp të Galerisë.

“Onufri” u krijua në fund të viteve ‘90-të si një domosdoshmëri e kohës, që do të mundësonte shkëmbimet mes artistëve shqiptarë dhe atyre ndërkombëtarë, si dhe për të prezantuar artin e ri bashkëkohor të skenës vendase në kushtet e mungesës së plotë të institucioneve apo iniciativave të pavarura. Për këtë arsye, për vite me rradhë “Onufri” mbajti peshën kryesore të shkëmbimit kulturor ndërkombëtar në artet pamore, duke i dhënë kështu një shtysë edhe metodave të reja të punës dhe praktikave artistike. Me kalimin e viteve skena është pasuruar edhe me një numër në rritje iniciativash të pavarura që gjithmonë e më shumë kanë për qëllim shkëmbimin mes artistëve vendas dhe atyre ndërkombëtarë.

“Nga ana tjetër, shumë edicione të “Onufrit” nuk kanë pasur nivelin e duhur të organizimit për t’i prezantuar denjësisht artistët. Bashkëveprimi midis artistëve shqiptarë dhe të huaj në kuadër të këtyre edicioneve ka qenë pothuajse fiktiv, pasi shumë nga artistët e huaj pjesëmarrës të “Onufrit” nuk kanë qenë të pranishëm gjatë ditëve të organizimit të ekspozitës. Gjithashtu, në të shumtat e rasteve është aplikuar një qasje e padrejtë ndaj artistëve shqiptarë të cilët duhet të kalonin fazën e përzgjedhjes, kundrejt artistëve të huaj që ftoheshin direkt nga kuratori. Për rrjedhojë edhe interesi i publikut ndaj kësaj ekspozite si dhe vet vlera e këtij aktiviteti janë zbehur me kohë”, thuhet në deklaratë. Ky aktivitet që fillimisht lindi si një nevojë për të rritur ndërveprimin mes skenës vendase dhe asaj ndërkombëtare vlerësohet se tashmë e ka përmbushur misionin e tij.

Zhvillimi i situatës artistike në vendin tonë, por edhe zhvillimet më të fundit të artit bashkëkohor në përgjithësi, nuk përkojnë më me formën e organizimit dhe strukturën që “Onufri” ka ndjekur gjatë viteve. Anëtarët e Bordit Artistik dhe drejtori i GKA-së z. Erzen Shkololli kanë ndarë mendimin se GKA ka nevojë për një formatim dhe një qasje të re pune që do të jetë në hap me zhvillimet e reja në artin bashkëkohor dhe që reflektojnë ndryshimet thelbësore socio-politike në Shqipëri, rajon e më gjerë. GKA duhet të zhvilloj veprimtaritë e saj të rradhës të cilat prezantojnë sa më mirë artistët në ekspozita ndërkombëtare tematike e të kuruara, dhe që vijnë si rezultat i një pune të pasur kërkimore. Ky rikonceptim i programit artistik synon që ta kthejë Galerinë në një platformë të rëndësishme për shkëmbimin kulturor në nivel ndërkombëtar.

Bordi Artistik i Galerisë Kombëtare të Arteve përbëhet nga 7 anëtarë, si më poshtë vijon: Eleni Laperi (Kryetare), Edi Muka, Ornela Vorpsi, Zef Paci, Luçjan Bedeni, Sofjan Jaupaj, Xhoana Agolli. Anëtarët e këtij Bordi ranë dakort për mbylljen e “Onufrit” gjatë mbledhjes së tyre më datë 11.12.2018, me Vendim nr. 308/2. Ministria e Kulturës shprehu dakordësinë e saj mbi këtë vendim, në respektim të pavarësisë së gjykimit të Bordit Artistik të Galerisë Kombëtare e Arteve. /gazeta-Shqip.com / KultPlus.com

100 vjet nga Kongresi i Durrësit

Kongresi i Durrësit ishte mbledhje e përfaqësuesve të Shqipërisë e mbajtur në Durrës, për të siguruar pas mbarimit të Luftës së Parë Botërore pavarësinë, tërësinë territoriale dhe vazhdimësinë e shtetit shqiptar. Kongresi i zhvilloi punimet më 25-27 dhjetor 1918.

Morën pjesë mbi 50 delegatë. U zgjodh një qeveri e përkohshme me 14 anëtarë. Kongresi vendosi të formohej edhe një Pleqësi (senat), si organ këshillues i qeverisë. Delegatët e mbledhur në Kongresin e Durrësit u shprehën për ruajtjen e pavarësisë e të tërësisë territoriale të shtetit shqiptar, për rishikimin e kufijve të 1913-ës në favor të tij dhe për t’ia paraqitur këto kërkesa Konferencës së Paqes.

Lëvizjet për mbledhjen e krerëve shqiptarë ishin shfaqur që në fillim të tetorit. Por në organizimin e shqiptarëve në Itali ishin duke u përgatitur si Mehdi Frashëri, Mustafa Kruja, të cilët ishin të orientuar nga politika italiane, shkruan ksp.

Këta i kërkonin më 6 tetor 1918 “Vatrës” të dërgonin në Itali përfaqësuesit e tyre, për të përcaktuar atë platformë të përbashkët politike, me të cilën do të dilnin përpara Konferencës së Paqes. Ndërsa Mehmet Konica arriti në Romë më 19 nëntor, i pritur me ngrohtësi nga italianët. Ndërkaq, qeveria italiane kishte hequr dorë nga mendimi, që kishte në fillim, për të lejuar formimin e një qeverie shqiptare. Ndërkaq, shqiptarët që erdhën nga Roma për në Shqipëri ishin të këshilluar të formonin jo një qeveri, por një këshill ose komitet kombëtar.

Ky komitet nuk duhej të bënte një politikë të pavarur as brenda vendit as jashtë tij, por duhej të gjente një vegël në duart e politikës italiane. Në fund të nëntorit 1918 u aprovua formimi i këshillit kombëtar i ideuar nga Gaetano Manconi, duke porositur që këshilli të formohej sa më parë në Durrës me persona shqiptarë që të jenë njerëzit tanë dhe me autoritet në të gjithë Shqipërinë e pushtuar prej nesh me përjashtim të Vlorës dhe të hinterlandit të saj. Por në të dyja rastet, si një qeveri po edhe një këshill, për t’i formuar këto organe duhej të mblidhej kongresi kombëtar.

Ky kongres u hap në pasditen e 25 dhjetorit 1918 me pjesëmarrjen e 53 delegatëve. Ata vinin nga pjesa më e madhe e vendit, e cila ishte nën pushtimin e Italisë. Por në kongres nuk merrnin pjesë nga qyteti i Vlorës, sepse autoritetet italiane kishin marrë udhëzime nga Roma që të mos njiheshin delegatët e këtij qyteti. Në kongres mungonin edhe përfaqësuesit e krahinës që ishin nën pushtimin serb, Peshkopia e Lumës dhe as ata që ishin nën pushtimin francez, si qyteti i Korçës.

Këta kanë qenë faktorët të cilët bënin të mundur elektrizimin e zhvillimeve në Kongresin e Durrësit. Por në Durrës nuk kishin ardhur vetëm delegatët, por edhe shumë figura të tjera politike. Ja si e pasqyron gazeta “Agimi”, “Në kongres arritën të bënin propozime dhe të merrnin fjalën edhe njerëz të cilët nuk figuronin në listën e personave që kishin mandatin e të deleguarit”. Por përfaqësuesit e Durrësit, pa kaluar ende në diskutimin e rendit të ditës, shprehën shqetësimin edhe për mungesën e pjesëmarrjes së delegatëve e të gjitha krahinave të Shqipërisë. Delegatët, që në fillim të punës shfaqën besim ndaj fituesve të luftës, duke e shoqëruar me një përshëndetje e në mënyrë të veçantë Wilsonit, “i cili kishte shpallur parimet e vetëvendosjes së popujve”.

Kongresi hartoi një program politik të përgjithshëm. Aty shprehej ruajtja e pavarësisë, tërësia tokësore e shtetit shqiptar dhe për rishikimin e kufijve të vitit 1913. Për çështjen që lidhej me statusin juridik të këtij shteti dhe animi politik ndaj njërës apo tjetrës fuqi fituese, për të cilin kishte mosmarrëveshje, ata vepruan në mënyrë të heshtur dhe në kompromis me njëri-tjetrin. Ky program kishte në themel mbrojtjen e të drejtave në Konferencën e Paqes nga qeveria e Durrësit, kërkimin e kufijve etnikë të Shqipërisë, mbajtja e qetësisë brenda vendit. Programi përbënte një hap përpara në lëvizjen kombëtare shqiptare, por duhet vlerësuar në kushtet kur Shqipëria gjendej e pushtuar nga ushtritë e huaja dhe nën trysninë e copëtimit nga fqinjët e saj. Në këtë pikëpamje, studiuesit e kësaj periudhe, ndonëse e vlerësojnë pozitivisht Kongresin e Durrësit, nuk kishin bërë ndonjë koment ose vlerësim lidhur me programin e qeverisë. Mendimi i historisë shqiptare pas luftës ka mbajtur një qëndrim kritik kundër mbështetjes që i dha “Vatra” kompromisit me Italinë lidhur me formimin e qeverisë së Durrësit.

Por, duke bërë një studim të kujdesshëm të periudhës në të cilën u arrit kjo marrëveshje, duket se ky qëndrim është i drejtë. Ky konkluzion rrjedh si rezultat i ndryshimit të kushteve të Shqipërisë në përfundim të luftës, parë nëpërmjet disa faktorëve. Si prishja e ekuilibrave politikë në Ballkan, si rezultat i shpërbërje së Perandorisë Austro-Hungareze dhe humbjes së luftës. /KultPlus.com

Mbi 5,6 milionë turistë të huaj vizituan Shqipërinë në 2018

 Numri i shtetasve të huaj të hyrë në vendin tonë në 11-mujorin e vitit 2018 është 5 646 104 duke u rritur me 16,2 %, në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2017.

Sipas INSTAT, në nëntor 2018, ndër vendet që kanë hyrjet më të larta të shtetasve në Shqipëri, Anglia ka pasur rritjen më të madhe me 108,9%, ulje kanë pasur shtetasit nga Kosova me 26,6 %.

Në 11-mujorin e 2018, ndër vendet që kanë hyrjet më të larta të shtetasve në Shqipëri, Polonia ka pasur rritjen më të madhe 34,5%.

Numri i shtetasve shqiptarë dhe të huaj të hyrë në territorin shqiptar, në muajin nëntor 2018, është rritur me 2,9% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Sipas INSTAT, në nëntor 2018 rezulton se në vendin tonë kanë hyrë 646 826 shtetas shqiptarë dhe të huaj.

Nga këta, rezulton se 246 678 janë shtetas të huaj. Krahasuar me nëntor 2017, ky numër është ulur me 3,7 %.

Kartolinat e shqiptaro-amerikanes po shiten në 14 shtete

Është pragu i Krishlindjeve dhe shumë nga ju po bëni pazaret e fundit të dhuratave.

Një shqiptaro-amerikane që ka ardhur në Shtetet e Bashkuara në moshën 5 vjeçare, ka nisur biznesin e saj me dhuratën më pak të kushtueshme por më domethënësen – kartolinën.

Pasi mbaroi shkollën e lartë për shkenca politike, Xhensila Velencia kuptoi se nuk i pëlqente një punë e rëndomtë zyre që të mban mbërthyer në karrige për 8 orë dhe investoi në pasionin e saj të krijimit të kartolinave për të përçuar mesazhe që e marrin temën nga politika apo nga jeta e përditshme.

Kompania e saj e vogël Card Bureau shet produkte në 30 dyqane në Washington dhe në 13 shtete amerikane./VoA

Çezma me kupolë bëhet gati për restaurim

Specialistët e Institutit të Monumenteve të Kulturës realizuan një inspektim në “Çezmën me kupolë” në fshatin Selckë, Gjirokastër.

Inspektimi kishte për qëllim evidentimin e të gjitha problematikave prezente në monument.

Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Gjirokastër ka hartuar projektin e restaurimit për monumentit, raporton ATSH. Gjendja ekzistuese paraqet problematika për të cilat janë marrë masa nga DRTK Gjirokastër për të siguruar qëndrueshmërinë.

Çezma me kupolë është një monument unik për nga tipologjia dhe teknika e realizimit.

Ajo ka një volum kubik transparent me tre qemere anësore dhe mbulohet me një kupolë sferike guri.

Volumi që mbulon kroin – kupola (4,85 x 5 m) është punuar me mure me gurë gëlqeror, pak a shumë të gdhendur. Në brendësi të saj ka një koritë në të cilën derdhet ujë nga tri çezma.

Alfred Mirashi Milot në televizionin Rai Uno për Natën e Krishtlindjeve

Në orën 23 e 25, pas meshës së Atit  të Shenjtë, Papa  Francesco, në televisionin  RAI UNO, ndezën reflektorët përsëri mbi qytetin e  Cervinares, aty ku lindi historia e një prej skulptoreve më të mëdhenj në Evropë, Milotit, përcjell KultPlus.

Para 30 viteve, ai ishte një emigrant shqiptar i pritur nga një familje e Cervinares. Miloti ka studiuar ne Akademinë e Breres në Milano dhe sot i ka dhuruar qytetit te Cervinares një vepër monumentale, qe titullohet “çelësi i mikpritjes” e cila është vendosur në hyrje të qytetit.

Historia e artistit shqiptar, është konsideruar si shembull i shkëlqyer i mikpritjes qe mirëintegrohet ne mesazhin e Papa Francesco.

Ky emision prezantohet ne hapësirën e natës se Krishtlindjeve , mbi udhëtimin e kishës së Papà Francescos, nën drejtimin e Massimo Melone e Nikola Vicenti .

Artisti italo-shqiptar, Alfred Mirashi me emrin artistik Milot , i lindur në rrethin e Kurbinit , jeton me familjen e tij në Firenze. Nga viti 2017 është emëruar profesor në Universitetin “Art e Design” në Jinan , Shandong, Cina .

Veprat e tij sot ndodhen të ekspozuara në muzeun e artit modern “ARCOS” në Benevento./ KultPlus.com

Shqiptarët në Zvicër ndihmojnë familjet në nevojë për festat e fundvitit

Ari Shkodra dhe Iliriana Shkodra janë dy shqiptare nga Kosova të cilat kanë shprehur vullnetin që të ndihmojnë familjet në nevojë.

Dy gjilanaset të cilat jetojnë dhe veprojnë në Zvicër, kanë zgjedhur që në Kamnicë të bëhen pjesë e shpërndarjes së ushqimeve në familjet të cilat kanë nevojë për festat e fundvitit.

Me anë të një njoftimi, Kryqi i Kuq- Dega në Kamenicë, ka njoftuar se Ari dhe Iliriana kanë konribuar për të mbledhur të holla dhe ndihma me kolegët e tyre në Zvicër duke shitur ëmbëlsira, paratë e të cilave do të shkonin tek familjet në nevojë, shkruan Albinfo.ch.

“Dy motra, dy humaniste, dy vullnetare me pune në Zvicër me vendbanim në Gjilan me prejardhje nga Desivojca me mbiemër Shkodra, i dhanë vetit një obligim humanitar, qe te punojnë ëmbëlsira dhe ti shesin në treg e në restorante në Zvicër që të grumbullojnë mjete financiare për familjet me gjendje të rend sociale në vendlindje”, thuhet në njoftimin e Kryqit të Kuq.

Sipas njoftimit: “Ari dhe Iliriana Shkodra ja arritën qëllimit të tyre, grumbulluan mbi 11.000 mijë Euro i sollën ne vendlindje dhe gëzuan me dhjetëra familje me pako ushqimore, higjienike me rroba e lënde dejkëse. Mbesim me shpresë se edhe te tjerë do ta ndjekin rrugën e tyre qe sa ma shume familje ta kenë një vetëbesim dhe ta dojën vendlindjen e tyre”, thuhet në fund të njoftimit.

Tradhëtarët

Poezi e shkruar nga Naim Frashëri.

Shokë, kemi në mest tënë
Shum’ armik’ e trathëtorë!
Popo! mos u qoftë thënë!
Veç që s’kanë gjë në dorë.

Harruanë mëmëdhenë
Dh’ e lanë kombinë tënë
E një tjatërë na gjenë!
Popo! mos u qoftë thënë!

Lanë zonjën e lëvduar
E zunë një kurvë shtrigë,
Të ndyr’ e të mallëkuar,
Të fëlliqur e të ligë.

Lanë mëmën të xhveshur
Dhe mundohenë për botë,
Pa dhe bota duke qeshur
U thotë: mundohi kotë!

Qysh u bënë Efialtë
E nuk e njohin të mirën,
Uthullën pandehin mjaltë
Edhe dritë errësirën!

Buk’ e mëmëdheut zëntë
Tradhëtorët e pabesë!
Dhe Zoti dërrmën u dhëntë,
Kurrë mos paçinë pjesë!

Miqt’ armiq i kanë bërë,
Armikëtë miq i zunë,
Qysh janë fyell të tërë!
Ç’është kjo e madhe punë!

Fajn’ e math kur do ta njohin
Njerëzit e mallëkuar?
Dritënë pse nuk e shohin,
Apo janë të verbuar?
Janë së gjithash të marrë
Dhe të liq me të vërtetë,
Mëmëdheut bëjnë varrë,
Po do të bienë vetë,

Se mbretëron e vërteta,
S’del kurrë gënjeshtr’ e shkretë
T’ish ashtu, qe prishur jeta,
S’kish mbetur gjë e vërtetë.

Ata turpinë fitojnë,
Nder’ e tyre posht’ e hedhin
Dhe armikëtë gëzojnë
E në errësirët bredhin.

Nuk është kurrë haruar
Dh’e mira dh’e lig’ e shkretë,
Të gjitha janë paguar,
S’ka mbeturë gjë në jetë.

Lerini, pa do ta gjejnë,
Të vërtetën do ta njohin,
Se tani s’e dinë ç’bëjnë,
Janë të verbër e s’shohin.
O, popo ç’turp kanë marrë!
Janë bërë tradhëtorë
Dhe s’janë më shqipëtarë,
Se nga kombi hoqnë dorë.

Me të huajnë u bënë,
Me armikn’ e Shqipërisë,
S’duanë gjuhënë tënë
Armikët’ e Perëndisë!

Ndjej, o Zot, se nuk dinë
Se ç’bëjnë, janë mahnitur,
Rrahin të prishin shtëpinë
Pun’ e lig’ edh’ e mërzitur.

Të gjorët janë në gjumë,
Të vërtetënë s’e dinë,
Do të mundohenë shumë,
Pasdaj mënttë do t’u vinë.

Vëllazërin’ e harrojnë
Dhe kombin e mëmëdhenë,
Dhe armikëtë dëgjojnë
Edhe s’dinë se ku venë.

Hiqni dorë, hiqni dorë!
Mblithni mëntt’ e tupërohi,
Mos u bëni trathëtorë,
Se pasdaj do të pendohi.

Kosovari bëhet hero në Austri, shpëton jetën e një 14-vjeçari të ngujuar në oxhak

Muharrem Behrami nga Podujeva i cili punon dhe vepron në Linz të Austrisë, është bërë hero në këtë shtet. Krejt kjo, pasi që Behrami ka intervenuar për të shpëtuar një 14-vjeçar i cili kishte mbetur i mbyllur në një oxhak.

Behrami së bashku me zjarrfikësit dhe Policinë austriake, kanë shpëtuar 14-vjeçarin që kishte mbetur i ngujuar në një oxhak. Ishte kosovari ai i cili ka dëgjuar ulërimat e 14-vjeçarit i cili kërkonte ndihmë, më pastaj ka njoftuar forcat e rendit për intervenim. Ky rast ka marrë vëmendje në mediet austriake, e që një faqe e ka zënë edhe te gazeta “Land Leute”.

“Një nga banorët e lagjes, shoferi i kamionit, Muharrem Behrami, dëgjoi thirrjet për ndihmë nga 14-vjeçari në 01:30 të mëngjesit. Kosovari menjëherë lajmëroi policinë. Dy zyrtarë kontrolluan të gjitha apartamentet, por fillimisht nuk gjetën asgjë. U deshën gati dy orë që britmat më në fund të lokalizoheshin”, ka shkruar gazeta, transmeton faqja “Podujeva Vendlindja Ime”.

“Kur ishte e qartë se në cilën situatë ishte djali, departamenti i zjarrfikësve u alarmua në orën 03:30. Shpëtimi i djalit nuk ishte aq i lehtë. Nëpërmjet një ngushtice, forcat e punës mund të preknin krahët e Bibenit të dëshpëruar. Ai po merrte frymë, por i mbërthyer në oxhaqet e ngushta dhe plotësisht i pafuqishëm”, ka shkruar tutje gazeta.

Pas intervenimit, 14-vjeçari u largua nga vrima që gati sa e kishte mbytur.

“Në orën 04:30, djali u lirua më në fund nga oxhaku. Ai ishte plotësisht i lodhur dhe i çrregullt. Pas ndihmës së tij të parë nga ambulanca, ekipet mjekësore e çuan në spital”, thuhet tutje.

Muharrem Behrami, i cili ishte i pari që dëgjoi britmat e djalit dhe kishte paralajmëruar shërbimet emergjente në mes të natës, është shprehur i kënaqur. Ai nuk e konsideron veten një shpëtimtar.

“Unë vetëm e kam bërë detyrën time si dhe e kam marrë telefonin. Heronjtë e vërtetë të natës janë zjarrfikësit, policia dhe ekipet e shpëtimit”, ka thënë ai për media austriake.

Kryeministri Haradinaj uron besimtarët e krishterë

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, i ka uruar qytetarët e Kosovës, të besimit katolik, me rastin e Festës së Krishtlindjeve.

Në mesazhin e kryeministrit Haradinaj, thuhet :

“ I nderuari Ipeshkv i Kosovës, të nderuar besimtarë katolik, Ju uroj Ditën e Bardhë të Krishtlindjes, me lutjet që në familjet tuaja dhe te të gjithë qytetarëve të Republikës sonë si dhe të huajve që shërbejnë në Kosovë, në misione të ndryshme, të mbretërojë mirëqenia dashuria dhe paqja. Le të shërbejë kjo festë e faljes dhe solidaritetit, harmonisë dhe mirëkuptimit ndërmjet njerëzve për të na bërë bashkë si njerëz dhe si shqiptarë, të na jep forcën që t’u gjendemi pranë atyre që janë në vështirësi e të përkujdesemi për të gjithë. Në këtë ditë kujtojmë brezat që janë flijuar për një të sotme më të mirë, duke na bërë bashkë për ta ndërtuar një të nesërme me mirëqenie dhe progres për të gjithë qytetarët tanë”, njofton Zyra për Informim e Qeverisë së Kosovës përcjellë Klan Kosova.

Gëzuar!