Përjetoi sulm në zemër duke e admiruar pikturën

Një italian 72 vjeçar para disa ditësh ka përjetuar sulm në zemër pasi e kishin kapluar emocionet derisa e admironte kryeveprën e Botticellilt “Lindja e Afërditës” në galerinë e Firences Uffizi.

Portali Firenze Republica shkruan se si burri kishte pasur fat sepse në galeri, në atë moment kishin qëlluar katër mjekë, ndërsa në hapësirë ka pasur edhe defibrilator kështu që menjëherë i kanë ofruar ndihmë.

Adhuruesi i artit po shërohet me sukses në njërin nga spitalet e Firences, ndërsa drejtori i Uffizit Eike Schmidt thotë se si ky nuk është rasti i parë që dikush sëmuret derisa e admiron bukurinë e “Lindjes së Afërditës” apo të “Meduzës” së Caravaggios.

Ai ka treguar se si një vizitor duke e shikuar “Primaverën” e Bottcellit në vitin 2016 ka përjetuar sulm epileptik, ndërsa një tjetër, në fillim të këtij viti ishte alivanosur para “Meduzës” së Caravaggios.

Edhe pse shumica konsiderojnë se në shumicën e rasteve bëhet fjalë për turistët e lodhur, të cilët kur arrijnë në ndonjë qyet përplot me vepra arti, përpiqen që për sa më pak kohë të shohin sa më shumë, mjekësia këtë reagim e quan Sindroma e Stendhalit apo e Firences. Fenomeni ka marrë emrin sipas shkrimtarit francez Marie-Henri Beyle, i cili në shekullin e 19 ka shkruar me pseudonimin Stendhal.

Fjala është për sindromën e cili paraqitet te disa persona në momentin kur e shohin ndonjë vepër arti e cila posaçërisht i pëlqen. Për këtë mund të përjetojnë simptome psikike dhe fizike siç janë alivanosje, rrahje të shpeshta të zemrës, marramendje madje edhe halucinacione.

Kur Stendhal e kishte parë bukurinë e bazilikës së Firences Santa Croce, kështu e ka përshkruar ndjenjën: “Zemra më rrihte fortë, jeta doli nga unë, ecja dhe frikësohesha se do të rrëzohem”./Insajderi.com / KultPlus.com

Fillon ‘Java e Dizajnerëve’ në Teshavesha në Ferizaj

Lia Stublla, Albina Dyla, Minna Fashion, Kaonë Duriqi dhe Yllka Brada, janë kretatorët të cilët me anë të dhurimit të kreacioneve të tyre po bëjnë të mundur ‘Javën e Dizajnerëve’ këtë fundvit. 

Dyqani i bamirësisë ‘Teshavesha’, program në kuadër të fondacionit ‘Aksioni për Nëna dhe Fëmijë’, organizon ‘Javën e Dizajnerëve’ në Teshavesha në Ferizaj nga data 26 dhjetor deri më 29 dhjetor.

Për herë të pestë radhazi, dizajnerët Kosovarë mblidhen për të dhënë kontributin e tyre për përmirësimin e shëndetit të nënave dhe fëmijëve në vend përmes dhurimit të kreacioneve të tyre për ‘Javën e Dizajnerëve’. Pas ekspozimit të kreacioneve të dizajnerëve në Teshavesha në Ferizaj, këto donacione do të janë në shitje me çmime më të lira për klientët e interesuar.

Fondet nga shitjet e kreacioneve do të financojnë furnizimin e Klinikës së Gjinekologjisë dhe Pediatrisë me medikamente, do të ndihmojnë hapjen dhe zhvillimin e ‘Klasave për Nëna’, si dhe do të ndihmojnë në zhvillimin e transportit neonatal në vend.

Teshavesha është ndërmarrje shoqërore e themeluar nga fondacioni ‘Aksioni për Nëna dhe Fëmijë’ që nga qershori i 2016-ës, ku tashmë operon me dy dyqane në qytetin e Prishtinës dhe në një dyqan në Ferizaj, falë partnerëve dhe klientëve besnik. /KultPlus.com

‘Nata e Rumit’ mbahet sonte në Muzeun e Qytetit të Mitrovicës

Në përkujtim të përvjetorit të vdekjes së Xhelaludin Rumi (1207-1273), Muzeu i Qytetit të Mitrovicës organizon një natë poetike, për nder të fjalës së tij të shkruar. 

Xhelaludin Rumi njihet si udhërrëfyes shpirtëror, si dhe një ndër poetët më të mëdhenj të Lindjes, por edhe historisë së letërsisë botërore. Rumi ka thurur mbi 3200 gazale (poezi dashurie), dhe rreth 40 mijë dyvargëshe të përshkruar nga ndjesia e dehjes shpirtërore prej dashurisë ekstatike.

Poezitë të shqipëruara të Rumit do të lexohen nga Fisnik Istrefi dhe Mevlude Skuroshi, ndërsa për muzikën do të përkujdeset Anisa Suhodolli Mujka

Mbrëmja poetike do të mbahet sonte duke filluar nga ora 19:00 në Muzeun e Mitrovicës.

 Organizatorët ju ftojnë që të deheni nga dashuria e tij për dashurinë.

“Një jetë pa dashuri oshtë e pa vlerë
Dashnia o’ uji i jetës
Pije me zemër e me shpirt!
Rumi”

“Nuk festoj pa ty” (VIDEO)

Këngëtari Flori Mumajesi u është bashkuar urimeve për festat e fund-vitit teksa ka uruar të gjithë shqiptarët përmes një videoje në  ‘Instagram’.

“Nuk festoj pa ty” quhet kënga  ku janë shumë fëmijë të bërë bashkë, mes tyre edhe ata të Shtëpisë së Fëmijës “Zyber Hallulli” në Tiranë, e të cilët së bashku  kanë kënduar, festuar, e ndarë dhurata në këto Krishtlindje dhe prag  festës  së “Viti Ri”!

2018-ta mund të konsiderohet një vit i suksesshëm për kantautorin, i cili fitoi ‘Këngën Magjike’ me hitin ‘Plas’. /Insajderi/ KultPlus.com

https://www.instagram.com/p/Brzs4iyDeQj/

Në Greqi ka 4 milionë shqiptarë me origjinë të pastër arvanite dhe arbëreshe (VIDEO)

Në Greqi ka 4 milionë shqiptarë me origjinë të pastër arvanite dhe arbëreshe. Kjo është deklarata që bën gazetari Rafael Floqi në një material për Arvnitasit të shfqaur në televizionin e shqiptarëve të Amerikës, AlbTV USA.

Ai tregon historinë e asimilimit të shqiptarëve në Greqi duke iu referuar dokumenteve, librave dhe studimeve të shqyrtuara nga historiani Arben Llalla. Për të pasur një pasqyrë më të gjerë të shqiptarëve që njihen si grekë në Greqi ndiqni materialin e mëposhtëm. /KultPlus.com

Buletini i Muezut Kombëtar të Kosovës

Revistë e Muzeut Kombëtar të Kosovës

“Buletini i Muzeut Kombëtar të Kosovës” është revistë shkencore (peer reviewed) që u dedikohet të gjithë studiuesve e punonjësve shkencorë të shkencave të ndryshme sociale. Buletini nxitë një angazhim kritik me praktikat e muzeve dhe rolin e tyre në zhvillimin e shoqërisë. Ai synon të nxisë diskutime shkencore rreth marrëdhënies mes Muzeut e shkencave të tjera sociale.

THIRRJE E HAPUR PËR PUNIME

                                                 nga data 18 Dhjetor 2018 deri më 30 Janar 2019

Në emër të Bordit Editorial, ftoheni të aplikoni me punime në Revistën shkencore ”Buletini i Muzeut Kombëtar të Kosovës”, duke dërguar punimin deri me datë 30 janar 2019.

Temat e propozuara:

Temat e mëposhtme propozohen (por nuk kufizohen) si pika qendrore potenciale për hulumtim:

Definimi i rolit  edukativ dhe  komunikativ të muzeut;

Autenticiteti, dekontekstualizimi dhe rikontekstualizimi i objekteve;

Reprezentimi i trashëgimisë shpirtërore;

Arkeologjia shqiptare – zbulimet dhe hulumtimet;

Shkenca arkeologjike;

Etnologjia shqiptare;

Studimet Antropologjike;

Teoria dhe interpretimi në arkeologji, antropologji, histori;

Ruajtja, prezantimi dhe menaxhimi i trashëgimisë kulturore;

Teknologjia në muze;

Didaktika e ekspozimit: dinamika e të mësuarit të vizitorëve;

Praktikat kuratoriale;

Shkenca historike

Punimet dorëzohen me postë elektronike, në versionin Microsoft word, pasi të jenë lekturuar dhe korrektuar. Tekstet e pa lekturuara dhe të pa korrektuara nuk do të botohen dhe si të tilla refuzohen (dërgimi i versioneve ne PDF dhe forma të tjera nuk pranohet).

Rekomandimet e mëposhtme kanë të bëjnë me çështje teknike të punimit për botim në revistën “Buletini i Muzeut Kombëtar të Kosovës”.

Luten që autorët e teksteve t’i respektojnë plotësisht kërkesat për botim, sepse kështu do të përshpejtohet procesi i përgatitjes së revistës “Buletini i Muzeut Kombëtar të Kosovës” për shtyp.

Kriteret për dorëzim të punimit në revistën Buletini i Muzeut Kombëtar të Kosovës

Punimi duhet të përmbajë deri në 6 mijë fjalë;

Recensioni për libër të botuar apo raport i aktiviteteve duhet të jetë i gjatë deri në 3 mijë fjalë.

Secili dërgim në adresën e revistës duhet të përmbajë:

Biografinë e autorit 100-150 fjalë;

Titullin e punimit, emrin e autorit dhe institucionin ku punon dhe adresën elektronike;

Përmbledhjen e shkurtër ose abstraktin (200-250 fjale);

Fjalët çelës;

Tekstin e punimit me fusnota te sakta, (shih modelin e bashkangjitur)  i cili mund të jetë i shoqëruar me fotografi, skica, grafikone, tabela etj të kualitetit të lartë.

Bibliografinë.

Dorëzimi i punimit

Autori duhet të dorëzoj punimin në formë elektronike në adresën [email protected];

Për vërejtjet, sugjerimet, pranimin apo refuzimin e punimit të dërguar, autorët do të njoftohen nga redaksia deri në 20 ditë pas mbylljes së afatit për dërgim të punimeve;

Në rast të kërkimit të plotësimeve shtesë nga redaktorët përgjegjës, autorët kanë një afat shtesë prej 6 ditëve për t’i plotësuar ato.

Buletini i Muzeut të Kosovës nuk boton:

Artikuj të publikuar me parë në ndonjë revistë, kapitull apo pjesë të ndonjë libri, faqe interneti etj;

Artikuj të karakterit të përgjithshëm informative në të cilët autorët nuk paraqesin origjinalitet dhe të dhëna të reja apo interpretim të ri.

Autorët, artikujt e të cilëve do të publikohen në Buletinin e Muzeut Kombëtar të Kosovës do të përfitojnë:

Publikim efikas dhe të shpejtë;

Një kopje të revistës në formë elektronike;

Shpërndarje të gjerë dhe akses në artikuj.

Promovimin e çdo artikulli të botuar

Adresa:

Muzeu Kombëtar i Kosovës

Rr. Ibrahim Lutfiu, 10000, Prishtinë

Email: [email protected]

‘Gjysma ime treti rrugëve të këtij qyteti, shi bie në Tiranë’ (VIDEO)

Fitnete Tudën e kujtojmë me disa krijime muzikore.

Fitnetja, një emër i dashur për muzikën shqipe, ndër vite ka sjellë disa këngë që këndohen edhe sot dhe dëgjohën me ëndje, duke reflektuar gjithmonë për jetën, dashurinë, të kaluarën.

Një prej këngëve më të dashura padyshim mbetet “Shi bie në Tiranë”.

Fitnetja këngën e solli në skenën e Festivalit të Fundvitit në Radio Televizionin Shqiptar, bashkë me Vlera Kastratin. / KultPlus.com

https://www.youtube.com/watch?v=r5kE8uUy-Fo&fbclid=IwAR0hWJrsEBFa_L-nGdFtwEcIqMvw_BjU3nVeeafUo0M_PcHH82qiDgRfDDY

Rita Ora vallëzon ‘Valle Kosovare’ për festat e fundvitit (VIDEO)

Këngëtarja shqiptare me famë, Rita Ora, është shprehur gjithnjë krenare për rrënjët e saj.

Megjithëse nga angazhimet e tepërta, i bie rrallë që të vijë në Kosovë, asaj i pëlqen shumë kultura dhe traditat shqipe.

Këngëtarja shqiptare dukej mjaft atraktive ndërsa kërcente nën ritmet e këngës “Valle kosovare”, teksa mbante në dorë një shami të kuqe.

Se i pëlqen të vallëzojë me muzikë tradicionale, këtë ajo e ka vërtetuar edhe gjatë koncertit të 100 vjetorit të Pavarësisë, më 17 shkurt.

Së fundmi, ajo ka bërë të ditur se në shtëpinë e saj ka pasur festë, me rastin e festave të fundvitit.

Në një video të publikuar nga e ëma e saj, Vera, në InstaStory, Rita shfaqet duke vallëzuar plot ritëm me muzikë shqiptare.

Këngëtarja shqiptare dukej mjaft atraktive ndërsa kërcente nën ritmet e këngës “Valle kosovare”, teksa mbante në dorë një shami të kuqe.

Se i pëlqen të vallëzojë me muzikë tradicionale, këtë ajo e ka vërtetuar edhe gjatë koncertit më 17 shkurt.

Rita kishte përgatitur një koreografi befasi me valltarët e saj, ku kishte kërcyer “Vallen e Rugovës”, ndërsa kishte bërë një miksim mes kësaj kënge dhe këngës “Black Window”.

Përndryshe, këngëtarja Ora ka shënuar suksese të shumta këtë vit, ku njëra ndër to ishte nxjerrja në treg e albumit të saj të dytë në karrierë, “Phoenix”. 

Gjuha shqipe, lëndë zgjedhore në Turqi

Mësimdhënia e gjuhës shqipe si lëndë zgjedhore në shkollat 8 vjeçare në Turqi, përkrah kurseve intensive të pavarura të shqipes u konsiderua sot si një arritje e rëndësishme nga Ambasadori i Shqipërisë në Turqi, Genti Gazheli.

Në mesazhin drejtuar shqiptarëve me rastin e festave të fundvitit, Gazheli evidentoi të gjitha sfidat dhe arritjet gjatë vitit 2018.

“2018-a po mbledh rrezet e fundit dhe kjo ambasadë mendon se i ka përmbushur më së miri sfidat që u shfaqën. Sfidat tona në të shumtën e rasteve ishin dhe janë kurorëzim suksesesh. Viti që po lëmë, për nga ana e realizimit të objektivave, mund të thuhet se ka shumë pika për tu vënë në pah”, tha Gazheli.

Numri i individëve apo i bizneseve, që duan të vijnë në Turqi apo të shkojnë në Shqipëri, sipas ambasadorit, është gjithnjë në rritje, transmeton atsh.

“Natyrisht, marrëdhëniet strategjike me Turqinë janë të përsosura dhe ne vazhdojmë të punojmë për cilësi të lartë në këtë aspekt. Gjithësesi, krahas këtyre marrëdhënieve të mira politike, fusha ekonomike mbetet përparësi, ku duhet punuar më tepër për këtë qëllim. Në këtë pikë ndërhyrja e Turqisë është thelbësore”, tha Gazheli.

Përsa i përket gjeopolitikës, Gazheli vlerësoi se Turqia është një ndër partnerët besnik të Shqipërisë dhe të çështjes shqiptare kudo në botë, të cilën e ka vërtetuar me mbështetjen e fundit të kandidaturave tona në OSBE, në Këshillin e Bashkëpunimit Rajonal etj.

Përveç kësaj, Gazheli theksoi se ambasada shqiptare ka qenë aktive si në diplomacinë ekonomike me vizitat që ka bërë dhe në thithjen e investimeve. Po ashtu, ai nënvizoi asistencën e ofruar shqiptarëve apo rolin e ambasadës në ekuilibrin e marrëdhënieve me vendin pritës dhe vendin që mbulojmë.

Gjithashtu, Gazheli theksoi se shumë të sëmurë që zgjedhin të kurohen në Turqi falë marrëveshjes midis dy shteteve tona gjejnë mbështetje dhe zgjidhje këtu. /KultPlus.com

Këngë arbëreshe për Krishtlindjet

Ç’mrekulli është vallë kjo?

 ‘Ç’mrekulli kjo, që na gëzoi
Erdh pranvera, dimri shkoi.
Ljeu Krishti në një skutë,
Ljeu i varfër e i butë.
Ljeu aty, e s’ljeu në Horë,
Në një shpellë e nën dëborë,
Ljeu, e qielli u bë  dritë
Nata u shndërrua në ditë.
Jeta u mbush plot me gëzim,
pemët, me fletëza në bulim.
Na pru Zoti në këtë dhe
Gaz të madh, paqe e hare!

Ninulla në arbërishte:

Çë thavmasmë isht kjo?
Çë edhe nata ditë u bë.
të ghzon zemërën
dimri shkoi e s’ ishtë më
gjithë jeta bën hare
ljulje e peme për në dhe
Ljeu jashtë e jo në Horë
në një shpellë, në një gërromim
ljeu në tsin, ljeu në sborë
ljidhur klje te një skutin
mbet në kashtë e në sanùa
si i vapkëth për mua
E si ljeu n’ ata malje
n’ ata malje ashtu tutsè me ghzim
Parraisi u psaljë gazin
m’ i madh njeriut i qièlli
paqe, gaz, haré
yn’ Zot pru në ktë dhe

Kjo ninullë është shkëputur nga përmbledhjet “siculo-arbëreshe” të Lionardo Vigo (1805-1888). Ai ishte një poet, filolog e politikan Italian që në vitin 1857 botoi “La Raccolta di canti popolari siciliani”, në të cilën përfshiu dhe këngë popullore të arbëreshëve të Sicilisë. Vigo ishte një dishepull i Romantizmit, dhe besonte se këngët popullore dhe motivet folklorike gjithmonë ndjellin dhe shpirtin poetik të së shkuarës për të krijuar atë që Herderi e quan dhe Volksgeist-“shpirt i kombit” që u fal njerëzve impulsin krijues përsa i përket përforcimit të nacionalizmit të tyre kulturor. /KultPlus.com

Rikthehet “Piratët e Karaibeve”, por këtë herë pa Johnny Depp

Pas shumë zhurmash, është i njëjti, Sean Bailey, shef i produksionit kinematografik të Disney-it, i cili ka konfirmuar zyrtarisht që shtëpia kinematografike po punon për një ribërje të “Piratëve të Karaibeve”, sagës aventuriere me protagonistin historik Johnny Depp.

Mirëpo, sipas një lajmi të njoftuar nga Hollywood Reporter, Depp nuk do të jetë më pjesë e sagës, skenari i ri i së cilës do të shkruhet nga Rhett Reese dhe Paul Wernick.

Motivi i përjashtimit sipas producentit është sjellja e energjive të reja në vazhdimin e sagës, ndërsa ende nuk është zbuluar se kush do ta marrë rolin e Depp.

Zërat që qarkullojnë, thonë që të bëhet fjalë për një protagoniste femër me emrin Redd, e cila do të jetë gjithashtu një pirate. Që këto ditë, është vënë re prania e saj si personazh në ambientet zyrtare të Disneyland. /Koha.net /KultPlus.com

Me lojëra të fatit, Qeveria synon ta ulë papunësinë

Qeveria e ka gjetur formulën se si ta shembë papunësinë dhe shumë të këqija të tjera, me të cilat përballet vendi. Zgjidhjen e sheh te lojërat e fatit, shkruan sot “Koha Ditore”.

Në një koncept-dokument që e ka miratuar javën e shkuar, ekzekutivi e ka vajtuar këtë industri që varfëron qytetarët. Aty ka folur për shumë barriera që i janë vënë asaj dhe ka dhënë zotimin se të gjitha do t’i evitojë, nëpërmjet disa ndryshimeve ligjore.

Parashikimi i bërë thotë se, me këtë, jo veç se do të përfitojnë bizneset e lojërave të fatit, por vendi do ta rrisë mirëqenien e qytetarëve e do të krijojë shumë vende të reja pune, sikurse edhe do të godasë shumë dukuri negative, përfshirë kriminalitetin e vetëvrasjet.

Prandaj, Qeveria do që të bëjë shumë ndryshime në ligjin në fuqi që rregullon këtë fushë, e me të cilat synon ta ndryshojë edhe perceptimin e publikut për këto biznese. / KultPlus.com

Kërshëndella

Giuseppe Ungaretti

S’ma ka ënda
t’i hyj
një shuku
rrugësh

Kam kaq
mund
mbi supe

Lermëni siç jam
si një
send
vendosur
në qoshk
e i harruar

Këtu 
s’ndihet
veç
i ngrohti bubulak

Qëndroj
me katër
kaprollet
e tymit
të vatrës

26 dhjetor 1916

shqip: e.qesari

Universiteti i Prishtinës bëhet me seminar të antropologjisë

Universiteti i Prishtinës, rishtazi është bërë me seminar të antropologjisë. Kjo si rezultat i një nisme të Departamentit të Antropologjisë të Fakultetit Filozofik, për themelimin e një tradite ligjërimi universitar antropologjik në formatin e një seminari, transmeton KTV.

Ligjëratat e këtij seminari, hë për hë, do të jenë të përmuajshme, të enjten e fundit të çdo muaji, në ora 16:00, në Fakultetin Filozofik. Në kuadër të këtij seminari tashmë kanë nisur të ligjërojnë antropologë, arkeologë, historianë dhe studiues të fushave të përafërta nga Kosova, Shqipëria por edhe nga vende të ndryshme të botës, e sidomos nga Franca dhe Britania e Madhe. Ligjëratat mbahen kryesisht mbi tema nga fushat e antroplogjisë, arkeologjisë dhe historisë.

Ky seminar është i hapur për publikun dhe ligjëratat në kuadër të tij mund të ndiqen nga të gjithë të interesuarit. Për tu njoftuar mbi programin e këtij seminari dhe ligjëratat e tij, mund të shkoni te grupi publik në Facebook “Seminari i Antropologjisë – Departamenti i Antropologjisë / UP”.

Fëmijët e mi, nuk mund t’i gjej fjalët për ta përshkruar se çfarë ndjej për ju!

Sikur ta kishit ditur se, kur shtëpia është e errët dhe e qetë, unë hyj dhe ju shikoj si merrni frymë. Aty në heshtje, e pyes veten se a e dini sa shumë ju du. Mendoj për gjërat që do t’kisha mundur t’i bëj e them ndryshe, dhe e pyes veten nëse i harroni gabimet e mia, apo i grumbulloni në kujtesë. Shpresoj dhe lutem, aty në heshtje, se do ta dini sa thellë e gjërë ju dua.

M’keni parë në versionin më të mirë timin, edhe në më t’keqin. Sot n’mëngjes jemi përqafuar në krevat dhe koka jote u mbështet në gjoksin tim. I morra erë flokëve të tua dhe të pëshpërita se të dua. Edhe të mbatja ligjëratë se si duhet TË DËGJOSH dhe TË MOS NDËRPRESËSH, dhe isha shumë më terse se duhej. Më vonë, u shtriva në krevatin tënd dhe të kërkova falje.

Ju m’i keni parë të gjitha ngjyrat, dhe para jush nuk kam asnjë maskë. Jam veç një nanë e tollovitur që shpesh kërkoj falje dhe ju dua me çdo grimcë të qenies time.

Dua ta dini…

Nuk e di sakt se çfarë po bëj. Do të doja ta dija, por nuk e di. E bëj më të mirën që mundem dhe i besoj instiktit tim, por ndonjëherë bëj gabime. Ndonjëherë them gjëra që nuk duhet të thuhen. Ju lutem më tregoni kur ju lëndoj dhe do ta përmirësoj. Ne po mësojmë dhe rritemi bashk.

Ndonjëherë nuk mund t’i gjej fjalët për ta përshkruar se çfarë ndjej për ju. Dua, por nuk mundem.

Edhe pse ndonjëherë jam e stërngarkuar dhe e stresuar do të doja t’i jetoj këto ditë përgjithmonë.

Jam krenare me ju. Jua them këtë, por akoma nuk e kuptoj plotësisht çfarë do të thotë. Jam krenare me ju në një mënyrë që nuk varet nga sukseset apo dështimet tuaja. Jam krenare për atë se kush ju jeni, dhe çdoherë do të jem fansja juaj më e madhe, pavarësisht çdo gjëje.

Shpresoj që mospërkryerja ime ju lejon bën të kuptoni se është në rregull mos të jeni të përkryer. Shpresoj se çdoherë do të më lejoni t’i shoh gabimet tuaja dhe ta dini se jeni të sigurt me mua. Shpresoj asnjëherë të mos hamendeni të më tregoni kur të gaboni, sepse kjo nënë jo e përkryer do t’ju dojë pavarësisht gjithçkaje.

Dashuria ime do të mbështillet rreth jush, deshët apo s’deshët. Nuk ka diçka që mund ta bëni e që do t’më bënte të mos ju dua. Asnjëherë.

Ju dua. /supergrat.net/ KultPlus.com

Festa e Krishtlindjeve në botë përmes fotografive

Meshat për Krishtlindjen vecse kanë filluar në të gjithë botën.

Besimtarët katolik janë duke festuar në mënyra të ndryshme, njofton Klan Kosova.

Ne ju sjellim disa fotografi që tregojnë se si po festohen Krishtlindjet anë e mbanë botës.


Në Vatikan, Papa Francis kërkoi më shumë dhënie, duke denoncuar  lakminë e pashuar të konsumizmit modern.

Në Egjipt, kjo vajzë e vogël e dëgjoi me vëmendje meshën në një kishë në Kajro.

Festimet u mbajtën në këtë kishë në Fuyang, provincën lindore Anhui të Kinës.

Të krishterët indianë morën pjesë në lutjet në Kishën e Jezusit të Foshnjave në Bangalore.


Këta djem të altarit luajtën një rol kyç gjatë festimeve në Kinshasa, Republika Demokratike e Kongos.


Një djalë i ri, pjesë e një grupi emigrantësh që udhëtonin nga Amerika Qendrore në SHBA, festoi në një strehë në Tijuana të Meksikës

Një masë e madhe në prag të Krishtlindjes u mblodh në një stadium në Surabaya, qyteti i dytë më i madh i Indonezisë

Ndërkohë, ky çift dhuroi puthje nga një pemë e Krishtlindjeve në Stamboll, Turqi

Një bashkësi e krishterë mori pjesë në një meshë në Kishën e Santa Maria në Dubai, Emiratet e Bashkuara Arabe

Në Francë, të ashtuquajturat protesta “të veshura me të verdha” mbajtën një meshë në një rrethrrotullim në qytetin verior të Domainit./ KultPlus.com

Kur Flaka Krelani ishte afër të na përfaqësonte në Eurovizion

Në vitin 2007, në Festivalin e Këngës në RTSH morri pjesë edhe Flaka Krelani.

Një këngëtare më aktive në të kaluarën, Flaka Krelani do të bashkëpunonte me Doruntina Dishën për të sjellë në skenën e festivalit këngën “Jeta kërkon dashuri”.

Kënga u krijua nga Edmond Zhulali dhe Agim Doçi, dhe u performua në mënyrë të mrekullueshme nga të dy vajzat. Krelani si gjithmonë shkëlqeu me vokalin e saj të fuqishëm.

E asokohe, sikur edhe sot, fituesi i këtij festivali përfaqëson Shqipërinë në Eurovizion.

Asokohe, pati bërë rrëmujë gjithandej fakti se Alban Skenderaj dhe Rudina Maxhistari, dy anëtarët e jurisë, bënë që kjo dyshe të mos shkojë në Eurovizion, sado që ishte afër.

Skenderaj nuk i dha këngës asnjë pikë derisa Rudina i dha nëntë pikë. Kënga u radhit e dyta në festival, pas Olta Bokës e cila fitoi me këngën “Zemrën e lamë peng”.

Para pak ditësh, Jonida Maliqi e fitoi këtë edicion të Festivalit të TVSH-së me këngën “Ktheju tokës”, me të cilën do ta përfaësojë Shqipërinë dhe të gjithë shqiptarët në Eurovizionin e vitit 2019-të në Izrael. / KultPlus.com

Të mërkurën promovohet ‘Letërsia Lëvizëse’ dhe ‘Feminizmat në Kosovë’

Këtë të mërkurë, me datë 26 dhjetor, duke filluar prej orës 19:00 në Prishtinë do të promovohet përmbledhja “Letërsia Lëvizëse”.

Në hapësirën e Qendrës Multimedia, Alter Habitus organizon përmbylljen e vitit 2018 duke promovuar dy publikime – përmbledhjen me poezi nga edicioni i parë i festivalit Letërsia Lëvizëse, dhe vëllimin e parë të ‘Feminizmat në Kosovë’. 

Inspiruar nga përmbledhja e parë e poezive të Letërsisë Lëvizëse Alter Habitus ju fton në një panel diskutimi lidhur me letërsinë moderniste të viteve të 70-a dhe çështje tjera që kanë të bëjnë me letërsinë dhe feminizmin.

Alter Habitus ka nderin të ketë në panel diskutimi Resmije Kryeziun, Agim Vincën, Ag Apollonin dhe Zyrafete Shalën. 

Pas diskutimit, për me festu sukseset e 2018-ës kemi koktej të lezetshëm që po na e organizon Miqt Pub. / KultPlus.com

Një grua si Leze Qena, nëpër fotografi

Një prej atyre grave të cilat fytyra u është gjithmonë plot nur e buzëqeshje, Leze Qena i ka bërë ballë sfidave të jetës me pozitivitet.

Një aktore e njohur dhe një grua që vazhdon të lërë gjurmë në artin shqiptar, Leze Qena ndër vite është ngritur në profesion, njëjtë siç e ka ruajtur bukurinë dhe thjeshtësinë e saj.

Në këto fotografi, të cilat Lezja i ka ndarë me KultPlus para pak kohësh, e shohim atë të shoqëruar nga aktorët tjerë në rolet e ndryshme. Njëjtë janë edhe fotot e Lezes në etapa të ndryshme të jetës.

Derisa i shohim e i shijojmë këto fotografi, kujtojmë se Lezja ka lindur në Prizren ndërsa më pas erdhi në Prishtinë ku u fut në jetën kulturore, me fokus sidomos teatrin.

Rolet e saj mes tjerash janë te “Mahmutovitët dhe Rexhepovitët”, “Shkolla e Fshatit”, “I ikuri”, “Familja Moderne” dhe projekte tjera. / KultPlus.com

Heritage Space sjellë librin “Këngët e Dasmave”

Heritage Space do të bëjë promovimin e librit “Këngët e Dasmave” më 27 dhjetor duke filluar nga ora 18:00 në Institut Yunus Emre , në Prizren .

Libri “Këngët e Dasmave, Gora, Zhupa dhe Podgorë” ka dalë si rezultat i hulumtimit të disa tregimeve gojore me qëllim të mbledhjes, vizuelizimit dhe digjitalizimit të tyre. Këto tregime deri sot janë rrëfyer përmes këngëve të vjetra dasmore, të kënduara kryesisht nga gratë dhe vajzat e reja, për ta përcjellur çdo pjesë dhe akt të ceremonisë së martesës. Përmes këtij libri, kjo traditë e vjetër dhe ky thesar kulturor i komunitetit boshnjak të rajonit të Prizrenit, do të ruhet nga harresa. 

Pjesë e promovit do të jetë edhe një performancë e shkurtë e këtyre këngëve nga Hatime Emini, Seude Saciri dhe Ermine Abaji.

Edicioni i tretë i Heritage Space NDËRLIDHI trashëgiminë me kreativitetin në mënyrë që këto së bashku të krijojnë edhe njëherë. NDËRLIDHE TRASHËGIMINË këtë vit ka ofruar hapësirë për ri-jetësimin e ndërtesave historike, ri-krijimin e artefakte, ri-tregimin e tregimeve të harruara dhe ri-zbulimin e turizmit kulturor. Heritage Space është platformë e nisur nga CHwB Kosova që i krijon hapësirë individëve kreativ të përdorin trashëgiminë kulturore si burim frymëzimi për krijimin e punëve të reja, përmes përdorimit të mediumeve të ndryshme, për zhvillim ekonomik, social dhe kulturor në Kosovë. Kjo platformë krijon lidhje të reja në mes të krijuesve dhe shoqërisë me trashëgiminë./ KultPlus.com


Fëmijët e marrin inteligjencën nga nëna

Gjenetika e nënës përcakton se sa të zgjuar janë fëmijët e saj, sipas studiuesve. Femrat kanë më shumë gjasa të transmetojnë gjenet e inteligjencës tek fëmijët e tyre, sepse ato ndodhen në kromozomin X dhe gratë kanë dy prej tyre, ndërsa meshkujt kanë vetëm një.

Por përveç kësaj, shkencëtarët tani besojnë se gjenet për funksionet njohëse të avancuara të trashëguara nga babai mund të çaktivizohen automatikisht. Një kategori e gjeneve të njohura si “gjene të kushtëzuar” mendohen të punojnë vetëm nëse vijnë nga nëna në disa raste dhe babai në raste të tjera. Inteligjenca besohet të jetë midis gjeneve të kushtëzuar që duhet të vijnë nga nëna.

Studimet laboratorike duke përdorur minj gjenetikisht të modifikuar gjetën se ata me një dozë shtesë të gjeneve të nënës zhvilluan koka dhe tru më të madh, por kishin trupa të vegjël. Ata me një dozë shtesë të gjeneve atërore kishin trurin e vogël dhe trupat më të mëdhenj. Hulumtuesit identifikuan qelizat që përmbanin vetëm gjene të nënës ose atësisë në gjashtë pjesë të ndryshme të trurit të miut, të cilat kontrollonin funksione të ndryshme njohëse, shkruan Gazeta Shqipe.

Të shqetësuar se njerëzit nuk mund të jenë si minj, hulumtuesit në Glasgoë morën një qasje më njerëzore për të eksploruar inteligjencën. Ata gjetën se teoritë e realizuara nga studimet e minjve mbarten edhe në realitetin njerëzor. Studiuesit intervistuan 12,686 të rinj mes moshave 14 dhe 22 çdo vit nga viti 1994. Me gjithë marrjen parasysh të disa faktorëve, nga pjesëmarrësit në arsim në racën e tyre dhe gjendjen socio-ekonomike, ekipi doli në konkluzionin se IQ trashëgohej nga nëna.

Megjithatë, hulumtimet gjithashtu bëjnë të qartë se gjenetika nuk është përcaktimi i vetëm i inteligjencës – vetëm 40 deri 60 përqind e inteligjencës vlerësohet të jetë trashëguese sepse pjesa tjetër është e varur nga mjedisi. Por nënat gjithashtu luajnë një rol jashtëzakonisht të rëndësishëm në këtë pjesë jo gjenetike të inteligjencës, me disa studime që sugjerojnë një lidhje të sigurt midis nënës dhe fëmijës është e lidhur ngushtë me inteligjencën.
Hulumtuesit në Universitetin e Uashingtonit zbuluan se një lidhje e sigurt emocionale midis nënës dhe fëmijës është vendimtare për rritjen e disa pjesëve të trurit. Pas analizimit të një grupi të nënave që kishin lidhje me fëmijët e tyre për shtatë vjet, studiuesit gjetën se fëmijët që ishin mbështetur emocionalisht dhe kishin përmbushur nevojat intelektuale kishin një hippocampus më të madh prej 10 përqind në 13 t se fëmijët nënat e të cilëve ishin emocionalisht të largëta. Hippocampus është një zonë e trurit të lidhur me kujtesën, të mësuarit dhe reagimin ndaj stresit.

Një lidhje e fortë me nënën mendohet të japë një fëmijë një ndjenjë sigurie që u lejon atyre të eksplorojnë botën dhe besimin për të zgjidhur problemet. Përveç kësaj, nënat e devotshme dhe të vëmendshëm kanë tendencë t’i ndihmojnë fëmijët të zgjidhin problemet, duke i ndihmuar më tej ata për të arritur potencialin e tyre.

Natyrisht, nuk ka asnjë arsye pse baballarët nuk mund të luajnë një rol të madh si nënat. Dhe hulumtuesit tregojnë se një grup i tërë i gjeneve të tjera të përcaktuara – si intuita dhe emocionet – të cilat mund të trashëgohen nga babai janë gjithashtu çelësi për zhbllokimin e inteligjencës së mundshme./ insjaderi.com/ KultPlus.com

Burri i 13-të vjeçares e cila lindi sot mund të dënohet me burg

Kodi Penal sanksionon se kushdo që martohet me një të mitur mund të dënohet së paku 5 vjet burgim. Më së shumti me 20 vjet. 13 vjeçarja që ka lindur sot në QKUK, sipas mjekëve, ka qenë e martuar

13-vjeçarja e cila lindi foshnjën e saj të parë të hënën në Qendrën Klinike Universitare (QKUK) është e martuar. Insajderi merr vesh se burri i saj është nga Gjakova.

Foshnja ka lindur të hënën në orën 10 të mëngjesit, 33 ditë para kohës, shkruan Gazeta Insajderi.

Kodi Penal, neni 247, sanksionon se kushdo që martohet me të mitur dënohet nga 5 deri 20 vjet burg.

Xhevdet Gojnovci, Drejtor i Klinikës së Neontalogjisë ka treguar për Gazetën Insajderi se foshnja është duke u trajtuar në procedurë normale dhe gjendja shëndetësore e saj është e mirë.

Gojnovci ka treguar se nëna e foshnjës është shtetase e Shqipërisë nga qyteti i Elbasanit.

“Foshnja ka lind dje me datën 24.12.2018 në ora 10:05 minuta foshnja ka lind 1.900 gramë, gjatësia 50 centimetra është vajzë, është para kohe 33 javë dhe nëna është e lindur në vitin 2005 në Elbasan në Shqipëri jeton në Gjakovë”, ka treguar Gojonci.

Ai ka thënë se “sipas të gjitha gjasave është e martuar ndërsa sot e ka vizituar edhe burri i saj”. / KultPlus.com

Kënga më e vjetër e Krishtlindjeve mbush 200 vite

Kënga e famshme e krishtlindjeve, “Silent Night” (“Natë e Qetë”), kremton 200 vjetorin e saj. Për herë të parë, ajo u këndua në Austri, në fshatin e Oberndorfit, pranë Salzburgut, në vigjiljen e krishtlindjeve në vitin 1818.

Por cila është historia e saj dhe përse mbetet kaq popullore?! Për herë të parë, u interpretua me një kitarë nga Josef Mohr dhe kompozitori i melodisë, Franz Xaver Gruber, shkruan koha.net

Rrëfenja më e përhapur është se minjtë kishin shkatërruar organon e tyre pak ditë përpara festës, dhe për këtë arsye u përdor kitara.

Historianët mendojnë se ky është vetëm një mit, dhe se kënga ka qenë gjithmonë e destinuar për atë kitarë. Ishte instrumenti i njerëzve të thjeshtë; me të mund të lëvizje si të dojë e kjo mund të jetë një nga arsyet përse kënga u përhap shumë shpejt në Evropë, e më pas edhe në Shtetet Bashkuara.

Ajo u këndua nëpër llogoret e Luftës së Parë Botërore, dhe për shumë njerëz, kërshëndellat nuk do të ishin me njësoj pa “Silent Night”.

“Shumë pak njerëz ndoshta e dinë që origjina e saj është në Austri. Kjo këngë është përkthyer në më shumë se 300 gjuhë të botës, dhe u shkrua në një periudhë vështirësish të mëdha e trazirash pas luftërave të Napoleonit, dhe kjo në një farë mënyre reflektohet edhe tek teksti i këngës, dhe mesazhi i paqes përçohet shumë bukur përmes korit”, tha Michael Gigl, bordi austriak i turizmit.

Papa Françesko e ka shpallur “Silent Night”, si këngën e tij të preferuar, ndonëse nuk pati mundësi t’i përgjigjej pozitivisht ftesës së autoriteteve të Salzburgut për të marrë pjesë në kremtimet e këtij përvjetori./KultPlus.com