Mijëra e mijëra civilë, burra, gra e deri foshnja pak muajshe, u masakruan nga serbët në vitet 1998-99 në Kosovë, ndërsa shumë të tjerë rezultojnë ende të zhdukur.
Dëshmi rrëqethëse, histori të jashtëzakonshme, të dhëna tronditëse.
Ndiqni videon e plotë të dokumentarit të gazetarit Marin Mema, “Plagët e hapura të Kosovës”.
Në çdo rrugë që do të zgjedhim të ecim, një ditë do të kthehemi tek familja jonë. Sado larg të shkojmë, sado mirë të jemi, do të ketë gjithmonë një ndjenjë tërheqëse drejt saj. Është si një magnet familja; nëse e largojmë pak prej një metali, në momentin e lëshimit, metali ka për ta tërhequr më fort.
Familja është gjëja më e shtrenjtë që
kemi, por teksa shohim se si koncepti i saj ndryshon në vite, vërtet që na
dhemb të gjithëve. Nëse më parë problemet në familje do të thoshin mund
dhe sakrifica për t’ia dalë mbanë, sot ato përkthehen me divorce në rastin më
të mirë dhe vrasje në ato më ekstreme.
Problemet që çojnë në të tilla zgjedhje
janë nga më të shumëllojshmet. Dikush do të ngrihej e do të thoshte: “Fajin e
ka shteti”. Kjo është pjesërisht e vërtetë. E dimë se si rregull duhet të
kishim psikologë në çdo lagje, të cilët duhet të njiheshin nga afër me
problemet e familjeve. E dimë edhe që shteti duhet të marrë masa për të rritur
nivelin e punësimit, sepse sa më shumë të ardhura të kemi në familje, aq më i
lartë do të jetë niveli i jetesës dhe pak a shumë do të shmangeshin krimet
lidhur me varfërinë.
Por edhe duke e ditur se shteti ynë
çalon në shumë aspekte, ti, unë dhe të gjithë ne e dimë se faj kemi edhe vetë
ne si individë. Pse vallë, shumë vite më parë, gjyshërit tanë jetonin të
lumtur? Pse edhe pse të varfër ata jetonin në harmoni me njëri tjetrin?
Ata nuk kishin asgjë më shumë se ne.
Përkundrazi, kishin shumë më pak gjëra dhe arrinin t’i zgjidhnin gjithë
problemet bashkë. Ata ishin bashkë në të mirë e në nevojë, në lumturi e
fatkeqësi, pak a shumë ashtu siç e kërkon zakoni dhe siç i duam të gjithë që të
jenë martesat tona. Ndërkohë sot, në kohën kur teknologjia po e merr në
kontroll jetën tonë, është paksa e vështirë të gjejmë diçka me të cilën ta
mburrim familjen moderne.
Nëse vite më parë partnerët luftonin me
mish e me shpirt për ta çuar familjen përpara, sot me vështirësinë e parë që
shfaqet, zgjidhja mbetet divorci, sidomos tek çiftet e reja. Por të gjithë e
dimë se sa e thjeshtë është të prishësh dhe sa e vështirë është ta krijosh
diçka. Nëse të dy e keni kaluar fazën e vështirë ku fitohet besimi dhe respekti
i tjetrit dhe sot jeni të martuar, filloni të ndryshoni. Flisni me partnerin/en
tuaj. Shprehini mendimet tuaja ashtu siç i mendoni të arsyeshme dhe filloni t’i
zgjidhni bashkë problemet dhe sfidat që ju shfaqen. Bëhuni bashkë ashtu si
mishi me thoin duke mos pritur shumë nga shteti, i cili më shumë ka bërë rolin
e shurdhit dhe të verbrit përballë ngjarjeve të tilla.
Unë besoj se ne mund ta arrijmë një gjë
të tillë.
Çdo kush e çdo familje ka plot vështirësi, ka plot halle, që jo lehtë zgjidhen. Por me mirëkuptimin, me vullnetin që do e gjeni tek dashuria për partnerin tuaj, do ia dilni. Familja është gjithçka me vlerë që kemi në jetë, ndaj le të bëjmë maksimumin nga ana jonë për ta mbajtur atë sa më të bashkuar. / bota.al /KultPlus.com
Ava Max është emri i momentit në skenën
muzikore ndërkombëtare, krejt kjo për shkak të hitit të saj të fundit që
befasoi të gjithë “Sweet but Psycho”.
“Swet but
Psycho” është hit botëror, i cili katapultoi emrin e Ava Max në një prej emrave
premtues të së ardhmes.
Billboard ka
realizuar një intervistë, në të cilën Ava Max përshkruhet si vajzë e
imigrantëve shqiptarë. Këngëtarja sipas revistës së njohur qëndronte me orë të
tëra pas shkollës për të mësuar anglisht.
Këngëtarja
tregon për Billboard se si u zhvendos nga Virginia në Los Angeles pasi që nëna
e saj e ka kuptuar talentin e saj.
“Gjithmonë kam ëndërruar për këtë dhe po ndodh. Të gjithë po thonë, ‘kjo vajza e re që i ndodhi suksesi brenda natës. Por, ka pasur aq shumë vuajtje e sakrifica, momente që nuk dija se çka po bëj. Nuk ishte asgjë brenda natës”, u shpreh Ava për Billboard.
Në realitet,
i janë dashur tri vjet Ava Max që të shpërthejë në Los Angeles.
“Familja ime
e kishte ëndrrën që të takoja producentët e kompozitorët më të mirë dhe nuk
ndodhi ajo që besuam. Ishte vështirë”, tha Ava pa e ditur se fati i saj do të
ndryshonte në formë radikale, duke kontribuar në hite të yjeve më të mëdha.
Ajo sipas
Billboard suksesin ja dedikon prapavijës prej imigranteje dhe tejkalimit të
vështirësive.
“Ju mësoni që të jeni të fortë nga ajo që merrni dhe më pas largohet”, shtoi ajo duke thënë se vështirësia që kanë përjetuar femrat, kryesisht të shoqërisë së saj e inspirojnë drejt këngëve të reja.
Ava po bën
gati albumin e ri të saj dhe ka premtuar se do të publikojë një këngë me motive
shqiptare në kuadër të albumit debutues të saj.
Sa i përket
performancave, ajo këtë e ka testuar në debutimin në televizionin kombëtar
amerikan kur performoi hitin “Sweet but Psycho” në The Late Show with James
Corden.
“Njerëzit kanë nevojë për një përjetim. Këtë po provoj ta sjell”, përfundoi Ava për Billboard.
https://www.youtube.com/watch?v=LRhNObyvbPw
Kënga e
shqiptares ishte në krye të top listës britanike për të tretën javë rresht,
para se superylli Ariana Grand me këngën “7 Rings” ta rrëzojë në vendin e dytë
në atë që do të duhej të ishte java e katërt në majën e top listave britanike.
Tani projekti
është në vendin e 35-të të Billboard Hot 100 dhe në vendin e parë të këngëve të
zhanrit Dance Club.
Së fundmi ishte Bebe Rexha ajo që ftoi në kuartet shqiptaret Dua Lipa, Rita Ora dhe Ava Max. Kjo e fundit sigurisht se pranoi duke ju përgjigjur pozitivisht ftesës. /Telegrafi/ KultPlus.com
Ankime nga miqtë , ankime nga rruga
Ankime nga gruaja ime;
Veriu fshikullon, ngre pluhurin juga;
Ankime , ankime , ankime…
Ankime në letër , ankime në gjellë, Ankime në lopët në fushë U çmenda ! Do të iki të fshihem në shpellë Të fle pa ankime me një ujk a arushë. /KultPlus.com
“Hapësira negative” i Luljeta Lleshanakut i përkthyer nga Ani Gjika, dhe i botuar nga Shtëpia botuese New Directions në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në vitin 2018, nga i nominuar, tashmë është zgjedhur në pesë librat finalistë për Çmimin ‘PEN Amerika 2019’. Ky është libri i pestë i autores në gjuhën angleze.
Në këtë
përmbledhje përfshihen dy librat e botuar në origjinal nga shtëpia botuese
“OMBRA GVG”: “Pothuajse dje” (2012) dhe “Homo antarcticus” (2015), libra të
vlerësuar në Shqipëri me çmimet e “Panairit të Librit 2013”, “KULT 2013”, dhe
“Albanian PEN 2016”. Përkthimi i “Negative space” nga Ani Gjika, cilësohet nga
kritika si një përkthim brilant.
Ky është
konkurrimi i dytë, pasi për botimin në Angli të “Negative space” nga shtëpi
botuese ‘Bloodaxe’, Ani Gjika është vlerësuar më parë me çmimin ‘English PEN’
dhe me grant nga National Endowment for Arts në SHBA. “Negative space” tashmë
është një nga librat e rekomanduar nga Poetry Society në Angli, Poetry Society
në Amerikë, revista World Literature Today, etj.
“Lleshanaku ka një talent trullosës në kapjen e shenjave të rrënimit tonë”, shkruan Nick Ripatrazone për “The Millions”. /KultPlus.com
Monodrama “Dashuritë e virgjëreshës Madalenë” do të vijë nesër premierë në Teatrin Dodona, shkruan KultPlus.
Monodrama e shkruar nga Ridvan Dibra do të jetësohet në skenë nga regjisorit dhe në këtë rast edhe skenaristi, Ben Apolloni.
Në rolin e Madalenës do të vijë aktorja Arjola Demiri.
Regjisori Apolloni është deklaruar përmes një postimi në Facebook se gjithmonë i ka pëlqyer të merret me vepra të autorëve që ironinë e kanë figurë qendrore dhe gjithashtu ai pohon se në shfaqje janë disa skena e detaje që një pjesë të audiencës do ta bëjnë të ndihet në siklet.
“Gjithmonë më ka pëlqyer të merrem me vepra e autorë që ironinë e kanë figurë qendrore. E, Ridvan Dibra është mjeshtër i ironisë, prandaj edhe vepra e tij, në prozë e dramë, më pëlqen shumë. Shfaqja “Dashuritë e virgjëreshës Madalenë”, e ndërtuar mbi tekstin dramatik të Dibrës, është një shfaqje teatrore “rreth ushkurit”, një shfaqje që na provokon që në titull, duke na vënë përballë dashurive të një virgjëreshe, duke na vënë përballë figurës, për mua kryesore, të krijimtarisë letrare të autorit. Janë disa skena e detaje që një pjesë të audiencës do ta bëjnë të ndihet në siklet dhe shpresoj shumë që kjo të ndodhë, me sa më shumë prej atyre që do ta shohin shfaqjen! Arti, përveç të tjerash, më pëlqen të jetë edhe provokues, të na vëjë në siklet, të na prekë ku nuk guxojmë ta prekim veten”, shkruan Apolloni teksa tutje tregon që gjatë leximit të kësaj monodrame ai ka menduar edhe se sa shumë është ofenduar femra.
“Duke e lexuar monodramën e më pas duke e zbërthyer atë në skenë, shpesh kam menduar se sa shumë e kemi ofenduar femrën duke e vendosur moralin e saj, vlerën e saj, në një cipë të hollë, në një asgjë, “dy gishta larg anusit “. Zoti na e faltë! Në skenat e shfaqjes “Dashuritë e virgjëreshës Madalenë”, ka seks, ka të qeshura, ka lot e gjak. Shikim të këndshëm!”, shkruan tutje regjisori.
Shfaqja vjen premierë nesër, më datë 4 shkurt, në ora 19:30, ndërsa reprizë është më datë 5 shkurt. /KultPlus.com
Artisti i vlerave, ai i cili i qëndron besnik muzikës së mirëfilltë, Shpat Deda do të vijë me një koncert në Prishtinë, shkruan KultPlus.
Koncerti i titulluar “Herat
to heart” po organizohet për datën 14 shkurt, ditën e të dashuruarve. E kush
tjetër di t’i këndojë më bukur dashurisë se vetë Shpati!
Bashkë me Nesim
Maxhunin, Armend Xhaferin, Ilir Bjarin dhe Fatlind Feratin, Shpati do të
ngjitet në skenë në mbrëmjen e 14 shkurtit në Kino Armata për të kënduar këngët
e tij bashkë me publikun.
Hyrja është e lirë, ndërsa ky event është mundësuar nga Komuna e Prishtinës.
Sportistja shqiptare Klodiana Shala e nisi karrierën e saj që prej vitit 1994 dhe ia doli të korrte sukses ndonëse përballej me paragjykime. E ftuar në emisionin “Late Night Show”, ajo rrëfeu si i fshihej të atit për t’u stërvitur pasi ai nuk donte që e bija të bëhej atlete.
“Paragjykimin kryesor e kam pasur nga babai im. Kur e kam filluar sportin në 1994, 3 muaj me mamin bëja sikur shkoja tek tezja, por shkoja në stadium se babi thoshte: Goca ime s’do bëhet atlete se do dali me kilota në sy të njerëzve. Babi im ka qenë ai i pari. Kur i doli emri aty në gazetë, Klodiana Bashkim, tha: Goca ime kjo”, ka treguar Klodiana Shala në emision. / KultPlus.com
Tokësore janë të gjitha të mundshmet, e dëshirimeve të yshtura nga vërshimi uturitës i gjakut dhe përpushjet e prushta të plagës së epshit. Qiellore mbeten vetëm dashuritë, ata që jetojnë në ëndrrat tua, grua prej zjarri dhe ajri, grua prej mishi dhe fryme. Grua që dëshiron çfarë mundesh dhe do çfarë do të jetë gjithnjë jotja… afsh yjesh.
Ti grua që beson në ëndrra dhe në dashuri, dhe gatitesh t’i jepesh çdo sakrifice që hyji yt dorën nga ty shtrin… dhe i ofrohesh mish e shpirt, si asaj që e lartëson në idil kurmin tënd dhe e qëndis me yje mantelin e dritës që vesh, ndërsa shndërrohesh nga gjendje në frymë.
Ti grua, ti që di të dashurosh hyjshëm,
ti që mund t’i zbresësh qiejt e t’i mëkosh çastit sublim frutin më të ëmbël të
dalldisjes. Ti që dëshiron gjithçka dhe bën tënden përmes këtij kodi sekretesh
qiellore, çdo të mundshme, duke rrënjëzuar në yje thirrje epshi.
Ti… jeton në çdo thërrmijë të krijimit dhe pjesmerr në të gjitha trajtat e
shkrepëtimës së dritës.
Tek ti nuk ka gjak që vërshon në deje,
por magmë e gufimit të shkëmbit, vlim i kahmotshëm i thalbit të ngjizjes. Pulsi
yt rreh në çdo vetëtimë të syrit tënd, syrit që sheh epshëm e djeg potershëm.
Prek me petale lulesh e ndërsen tërbimin e të gjithë etjeve, që kanë përcëlluar
verën e dëshirimit të mishit që puprron nën rrëkenë e një zjarri që të kthen në
frymë.
Kridhesh në andje flijuese, si blatim i
një perëndie që të shndërron në altarin e besimit te mrekullitë e hireve
adhuruese që mbajnë pezull kurmin tënd… e ashtu prej ajri lëviz nëpër gishtat që
zgjaten, si re dhe derdhesh me rrebesh ku joshja përpush e prush.
Prehesh ashtu puhizshëm në tërbimin që
ngërthen. Buzët t’i nduk puthja si në një etje epike, e frymëmerr ne jehonën e
thellë ku sakrifikohen shpirtrat.
Kur hap sytë sheh një dritë verbuese që
të është derdhur mbi ty si një mantel, rrëzohesh mish mbi mish, për të mos u
zgjuar më, derikur drita të shuhet çdo hukam e të fiket çdo drithërimë… e terri
të të thërrasë në një gjumë letargjik, si në një sakrificë.
Ti, grua që dashuron hyjshëm, nëse do të
mësosh të urresh, s’pari duhet të mësosh të urresh vetveten që di të dashurojnë
me kaq forcë dhe të jepet me kaq përkushtim e përkorje si asaj epjeje që të
merr si send e të kthen në gjëndje.
Nëse unë të dua, të dua sepse nuk mund
të dëshiroj asgjë më shumë se atë çfarë në mishin tënd është qiellore, në
shpirtin tënd është e hyjshem. Dashuro siç di vetëm ti dhe gjithçka tjetër në
gjithësinë e gjërave dhe gjendjeve ka një emër, dashuri.
Ti grua që di të dashurosh kësisoj e të
jepesh flijuese, veten e ke bekur me shenjtëri dhe mua më ke shpërblyer me
besim në mrekullinë e shndërrimit; në çdo epje, në çdo prekje, në çdo puthje,
në çdo kopulim… qiell mbetsh në mua.
Ti, grua që dashuron hyjshëm… je një e pamundur cfilitëse, je si një lule dehëse në rrëpirën e një shkëmbi të thepisur… ai që guxon të meriton. Unë druej!/ KultPlus.com
Shqipëria tashmë është kthyer në një nga destinacionet më të lakuara nga revistat dhe portalet prestigjioze duke filluar nga britaniket “The Guardian” apo “The Sun” deri tek Australia e largët me “Lonely Planet”.
Këtë herë është portali multimedial IOL, nga Afrika e
Jugut, që i dedikon një reportazh të mrekullueshëm Shqipërisë turistike:
“Krejt papritur, filluam një ngjitje drejt malesh të
mbuluara nga retë, duke kaluar pranë bletarëve që shisnin mjaltë në anë të
rrugës. Më pas kaluam përmes reve të dendura të shiut dhe dalluam detin shumë
poshtë. U dehëm nga kjo pamje.
Motra ime dhe unë kemi kërkuar një destinacion
mesdhetar për të pushuar. Kriteri i vetëm? Jo pushime që të boshatisin
llogarinë bankare, por një aventure me plazhe dhe shumë kulturë.
Shqipëria qëndron në krye. Një drekë për dy persona në
Korfuzin fqinj, Greqi, kushton 60 dollarë, por në Shqipëri kushton vetëm 20
dollarë.
Për më tepër ka udhëtime në rrugë epike. Mësuam se
rruga e Llogorasë, nga ku admiruam peizazhin, është një prej rrugëve më të
larta të shtruara në Europë, një udhëtim emocionues nëpër klima të ndryshme.
Ndërsa poshtë dukeshin plazhet ikonike të detit Jon.
Shqipëria, vendi i shqiponjave, sundohet nga legjenda
shekullore dhe një grupim karakteresh të shumëllojshme përfshirë luftëtar trim
të shekullit XV që quhej Skënderbe, një mbret i shekullit XX me emrin Zog dhe
një diktator komunist, Enver Hoxha, i cili e izoloi vendin për 40 vite duke
ngritur bunkerë betoni në të gjithë vendin. Ndoshta nuk ishte edhe aq
paranojak, thuhet se Hoxha i ka mbijetuar më shumë se 50 përpjekjeve për
vrasje. Kur regjimi i tij komunist ra në 1990, qytetarët u larguan nga vendi në
turma të mëdha.
Sot, Shqipëria është një konservuese e kohës me një përzierje të traditave antike dhe ambicieve moderne.
Nga plazhi në Qeparo, u ngjitëm në kodrat që rrethojnë
bregdetin jonian. Dhe më pas u shfaq fshati i vjetër. Një bastion qindra vjeçar
prej gurësh që qëndrojnë në krye të kodrës, ndërsa deti shkëlqen nga poshtë.
Këtu, ndërsa endeshim nëpër rrugicat, të mbuluara nga vreshtat me rrush, hasëm
një grua të moshuar të veshur me rroba tradicionale të zeza. Qyteza e re
ndodhet pranë bregut shumë larg, por ky i vjetri, një fshat i harruar vazhdon
të ruajë gjithë lavdinë e tij antike.
Një parkim makinash është ngjyrosur si një flamur
gjigant i kuq, ndërsa krahët e shqiponjës së zezë shtrihen përgjatë makinave.
Sipas legjendës, gjenerali i madh Skënderbe mbante një flamur me shqiponjën dy
krenare në betejë kundër osmanëve në shekullin XV, një simbol i fortë i
krenarisë kombëtare sot.
Vendi është krejtësisht i pazakontë, gjuha shqiptare
nuk ka lidhje me ato sllave apo latine dhe ka degën e saj në familjen e gjuhëve
indo-europiane.
Më vonë, morëm një tjetër mësim historie, nga menaxheri i një restoranti në anë të detit. Restoranti “Barbarossa”, plot stil, shërben ushqime deti shumë të shijshme dhe gatime tradicionale, si spinaq i egër i skuqur me barëra të egra. Familja e tij u largua nga Shqipëria kur ra regjimi, në ishullin grek të Paros.
“A e dini që ka një lidhje mes Shqipërisë dhe Eneas?”,
pyeti ai.
Qyteti antik i Butrintit në jug u themelua nga
trojanët që u larguan nga Troja. Sikurse përshkruhet në veprën e Virgjilit,
Eneda, Butrinti u ndërtua që të ngjante me një Trojë të Vogël. Disa ditë më
vonë, e gjetëm veten duke shëtitur në rrënojat arkeologjike të Butrintit, të
shpallur Trashëgimi Botërore nga UNESCO në vitin 1992.
Më pas vizituam qytetin e Ksamilit, bregdeti i të
cilit është i mbushur me klube buzë detit. Një shëtitje nëpër librat e autorit
shqiptar, Ismail Kadare, i cili fitoi në vitin 2015 “Man Booker International
Prize”, një zhytje në folklor dhe tradita. Kadare i referohet shpesh Kanunit të
Lekë Dukagjinit, një kod antik i ligjeve shqiptare bazuar mbi nderin dhe
mikpritjen.
“Shtëpia jonë i përket Zotit dhe mikut”, thotë një
shprehje e vjetër.
Kjo mikpritje shfaqet në Berat, “qyteti i një mbi një
dritareve”, për trashëgimi e mrekullueshme e Perandorisë Osmane në qendër të
Shqipërisë. I njohur si Trashëgimi Botërore nga UNESCO, Berati është i famshëm
për shtëpitë e tij të bardha osmane që ngjiten në anë të kodrës që ndodhet buzë
lumit Osum. Qyteti u pushtua nga turqit osmanë në vitin 1450, por kështjella e
tij daton që në vitin 4 para e.s.; si rezultat përzierja kulturore është e
dukshme mes kishave bizantine dhe xhamive.
Qëndruam gjithashtu në qytetin e famshëm bregdetar të
Sarandës, që ndodhet në jug të vendit. Ky qytet port të dhuron emocione
fantastike. Në mbrëmje, një gumëzhimë e fortë na tërhoqi të dilnim në ballkon.
Në shëtitoren buzë ujit, gjyshërit, të vegjlit, adoleshentë të dashuruar, të
gjithë shëtisnin me ngadalë në anë të detit.
Në Shqipëri, xhiroja, ose shëtitja e pasdites, është një ritual i shenjtë dhe aktivitet krijues. Si të mos dashurohesh me një vend ku argëtimi kombëtar është një shëtitje mbrëmjeje?” /G.S/ KultPlus.com
Një dedikim për ty, gjyshi im dhe gjithë gjyshërve që tani kanë fluturuar lart në qiell, por megjithatë na ndjekin dhe ndriçojnë hapat tona përditë.
Unë jam e sigurt se ata janë të
pranishëm në çdo gjë që bëjmë gjatë ditës.
Ti më pe që të rritem, më more për dore
dhe më prive në këtë udhëtim të gjatë të quajtur JETË.
Dashuria është të jesh gjithnjë aty për
njerëzit, dhe të parët që na ndihmojnë ta kuptojmë janë gjyshërit, në fakt falë
teje mora vesh kuptimin e vërtetë të fjalës DASHURI.
Edhe pse tani je bërë engjëll, gjithmonë
të ndiej në krahun tim, tek më sheh dhe buzëqesh me mua, do të mbetesh
gjithmonë i gjallë në kujtimet e mia. Kurrë nuk do të të harroj.
Dhe të betohem se, atë ditë, po ta dija që do ishte hera e fundit që të shihja, do të të kisha përqafuar më fort.
Thuhet se kujtimet gradualisht zbehet,
por fytyra jote kaq e ëmbël ka mbetur përgjithmonë mu përpara syve të mi.
Vendi më i mirë ku të gjendesh kur je e
trishtuar, është në krahët e gjyshit.
Dhe për mua ke qenë, një udhërrëfyes
special. Gjithmonë e dija se në supin e kujt të qaja kur isha e mërzitur. Në
supin tënd!
Më mbroje gjithmonë, nga gjithçka dhe të
gjithë, mbi të gjitha nga mami dhe babi, dhe pikërisht aty kam kuptuar se si
gjyshërit i duan nipërit dhe mbesat, edhe më shumë se fëmijët e tyre.
Ishe një përzierje të qeshurash, aktesh
dhembshurie, rrëfenjash të mrekullueshme dhe shumë, shumë dashurie.
Do të të marr me vete në pjesën më të
bukur të zemrës sime.
Do të të dua gjithmonë… më mbro gjithmonë!/ bota.al / KultPlus.com
Rekordi për Mozaikun më të madh me fara tashmë i takon artistit Alkent Pozhegu. Ishte mozaiku i tij me fara me portretin e Rita Orës që bëri që Pozhegu të futet në Librin e Rekordeve Guinness, shkruan KultPlus.
Mozaiku i cili shfaq imazhin e Rita Orës është 300 m² dhe është arritur duke përdorur misër, grurë, farë luledielli dhe fasule.
Për Alkent Pozhegun, ky ishte rekordi i dytë në Guinnes pas atij në vitin 2014 ku ai punoj një tjetër mozaik nga drithërat. Ky mozaik sportiv kishte dimensionet 20×25 m, me një hapësire 500 metra katrorë. Për këtë punim ai ka përdorur 2500 kilogramë drithëra për të krijuar emrat e dy futbollistëve – Messi dhe Ronaldo. Në mozaik janë edhe simbolet e klubeve Real Madrid dhe Barcelona.
Por Alkenti nuk e ka ndërmend të ndalet. Ai tashmë ka realizuar portretet e dy figurave të shquara të muzikës shqiptare. Atë të Dua Lipës dhe Shkëlzen Dolit.
Materiali me të cilin janë punuar këto portrete janë: fasule, farë luledielli, grurë dhe oriz, por si duket këto portrete janë realizuar në dimensione më të vogla dhe pa pretendimin që të thyejnë ndonjë rekord. /KultPlus.com
U bënë 2 vite që kur ndërroi jetë shkrimtari shqiptar Dritëro Agolli.
3 shkurti i vitit 2017-të do të ishe ditë e kobshme për
letërsinë shqiptare, me ikjen e Agollit nga kjo botë.
Agolli lindi më 13 tetor 1931 në Menkulas të Rrethit të
Devollit afër Korçës.
Poezia shqipe nuk do të mund të ishte ajo që është sot pa
Agollin, njeriun e penës dhe studimit.
Agolli u bë poeti i tokës dhe i dashurisë, shkrimtari i
filozofisë dhe i dhimbjes njerëzore. Vepra letrare e Dritëro Agollit krijoi
traditën e re të letërsisë shqiptare.
Për nga gjinitë, krijimtaria e Dritëro Agollit është e
larmishme. Në vjershat dhe poemat e Dritëro Agollit gjejnë shprehje mendimet
dhe ndjenjat e njeriut të ri, patriotizmi dhe besnikëria ndaj idealeve
revolucionare, cilësitë e tij morale në jetë dhe në punë.
Në prozë bëri emër sidomos romani Komisari Memo (1969), në
të cilin pasqyrohet roli i madh edukues dhe drejtues në vitet e Luftës ANÇ. Nga
ngjarjet e kësaj periudhe e merr subjektin edhe romani Njeriu me top (1975), që
flet për ndikimin e luftës çlirimtare në mentalitetin e njerëzve. Dritëro Agolli
ka botuar edhe mjaft tregime e novela nga jeta e sotme. Ndër krijimet satirike
romani Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo (1973).
Në vitin 2011 Dritëro Agolli, është nderuar me titullin doktor Honoris Causa nga Universiteti Europian i Tiranës. / KultPlus.com
Pas lajmit për një turne në Kosovë ku unë do të marr pjesë, planifikoj të sjell prej andej shumë çamçakëz dhe – më ngazëlluese akoma – të blej një biçikletë si ajo që kam parë në faqet e zhubrosura të një katalogu italian: e kuqe dhe e shndritshme.
Bashkë me pesë muzikantë të rritur, paraqesim një lloj recitali të përzier, ku ndërthuren kanto, violonçel, violinë dhe piano. Pjesa e zezë e turneut është perspektiva e udhëtimeve të gjata me autobus, që më sëmurin gjithmonë. Për të ma lehtësuar kalvarin babai më shoqëron me motorin e tij afër kufirit maqedonas, ku marr autobusin.
Megjithëse më përzihet, kurioziteti për të parë kufirin, skaj mitik i përmendur aq shpesh në shkollë, është i madh. Në sajë të vigjilencës së kufitarëve tanë heroikë ai na mbron nga armiqtë e shumtë që ëndërrojnë ta shkelnin atë për të na pushtuar dhe shthurur. Simbolika është aq e fortë sa qentë ujq të racës së njohur gjermane që përdoren nga policitë e të gjithë botës te ne quhen “qen kufiri” dhe janë shokët e pandarë të kufitarëve tanë, me ndihmën e të cilëve ata përkujdesen për sigurinë tonë. Veç tyre, për t’i bërë ballë kërcënimit të çdokohshëm të pushtuesve të panumërt, është ngritur edhe një barrierë e elektrifikuar prej telash me gjemba, pothuaj e pakapërcyeshme.
Sepse kërcënimi është i dyfishtë. Jo vetëm shumë diversantë përpiqen të hyjnë në vendin tonë me çdo kusht, por, çka është edhe më keq, ca nga tanët përpiqen të ndahen nga ne për t’u bashkuar me trupat e armiqve tanë të betuar. Këta quhen “të arratisur”. Janë njerëz të degjeneruar, të korruptuar nga Perëndimi, gjarpërinj që flenë në gjirin e atdheut tonë të bukur, të ushqyer me qumështin e tij të shenjtë, dhe që – mosmirënjohësit! – ia shpërblejnë duke e kafshuar pabesisht. Si armiqtë e huaj, edhe ata meritojnë plumbin. Dhe për fat të mirë kufitarët dhe qentë e tyre besnikë e kanë syrin pishë. Të arratisurit dhe diversantët kapen gjithmonë dhe asgjësohen. Ky është fati i tyre. I pashmangshëm. Dhe mirë t’iu bëhet.
Nuk më paskan gënjyer: gardhi i lartë prej telash me gjemba duket sikur zgjatet pa fund në të dyja anët e kullës së vrojtimit dhe barrierës që zë rrugën. Një nga ushtarët tanë na sjell pasaportat e kuqe fringo të reja, që na janë dorëzuar me këtë rast disa ditë më parë. Në fakt ai nuk përkon saktësisht me imazhin e kufitarit krenar me dylbi dhe qenin e tij, për të cilin më kanë treguar në shkollë: në një uniformë te zbërdhulët dhe tepër të gjerë për trupin e tij, ai zvarrit këmbët me nge. Por sidoqoftë, automatikun e ka.
Autobusi ynë merr rrugën përsëri, kësaj here fare ngadalë. “No man’s land” thotë njëri nga muzikantët. Më shpjegojnë se kjo zonë nuk i përket as Shqipërisë e as Jugosllavisë. Ky “mosvend” duket goxha i madh dhe unë humbas në hamendësime: nëse “i askujt” do të thotë “i të dyve në të njëjtën kohë”, a ndodhemi tashmë jashtë vendit tonë? Dhe çfarë kombësie kanë gjarpërinjtë, ujqit dhe dhelprat që jetojnë aty? Shpejt mbërrijmë te posta kufitare e huaj. Dalloj uniforma të panjohura, me ngjyra më të errëta se të ushtarëve tanë, ndërkohë që fjalë në një gjuhë të pakuptueshme më kumbojnë në veshë.
Disa çaste më vonë përpiqem të zbuloj gjatë rrugës shenja që tregojnë se nuk jemi më në Shqipëri. Ato nuk vonojnë! Në muzgun që na rrethon kalojmë afër një katundi ku një djalosh anës rrugës mban veshur çizme të verdha: kurrë në jetën time nuk kam parë të tilla! Ndërsa për të me sa duket janë fare të zakonta duke gjykuar nga mënyra si i ka përbaltur.
Njëkohësisht me lodhjen që më kaplon, nata nuk vonon, duke përpirë peizazhet e panjohur, shtëpitë, njerëzit, zakonet e tyre të pakapshme, këto mijëra shembuj të sipëranisë së tyre ndaj nesh që edhe në mes të errësirës dalin befasisht në pah nëpërmjet tabelave të sinjalizimeve rrugore që me ngjyrat e tyre të ndezura, si dordolecë të çmendur, çajnë tek-tuk terrin me një vezullim të huaj.
Të nesërmen, në Prishtinë, kuptoj se do të më duhet të gjej një mënyrë mbrojtje prej dyndjes me informacione të reja dhe magjepsëse, për të shmangur mbingarkesën mendore. Ndërtesa të larta, ashensorë, vetura të të gjitha modeleve në numër të pakufizuar, televizorë me ngjyra, mokete, fruta të panjohura si ananase dhe banane, vitrina, xhinse, modele flokësh, syze dielli, grimime, vëmendja ime tërhiqet çdo çast. Koka më sillet rrotull dhe kam përshtypjen marramendëse sikur kam bërë një kapërcim në kohë – ndjesi e parehatshme ndërkohë që duhet t’i bëj ballë pa u dukur shumë i çoroditur. Në një bar shoqëruesit tanë më ofrojnë një pije me gaz me ngjyrë kafe, në shishe prej qelqi të trashë që duket si e brumosur me dorë.
Mahnitem nga shija e saj karakteristike të cilën më kot do të përpiqem t’ia përshkruaj Albanos kur të kthehem. Unike, përshtypja e Koka-Kolës së parë do të ruhet në një cep të kujtesës sime edhe më mirë se në shishen apo kanoçen e saj. Kurrë më në jetën time nuk do ta ripërjetoj shijen e fërgëllimës avulluese të asaj dite.
Ndërkohë, përditë na shoqërojnë në koncerte, na dëgjojnë, na festojnë. Shqetësimi im më i madh është përzierja e pashmangshme e stomakut shkaktuar nga makina. Besoj me gjithë mend se ky kalvar do të më shoqërojë gjatë gjithë ditëve të jetës sime dhe ngushëllohem duke menduar që për fat të mirë jetoj në një vend ku veturat private janë të ndaluara dhe nuk do të jem i detyruar të ulem shpesh në këto mjete të mallkuara.
Megjithatë bëhem i fortë: perspektiva e blerjes së biçikletës së kuqe më bën të duroj gjithçka, madje edhe të vjellat më të mundimshme. Ëndërroj, ëndërroj për të… Për fat të keq në ëndrrat e mia kam harruar një vogëlimë: çmimi i një biçiklete aq të mrekullueshme e tejkalon disa herë honorarin e pesë ose gjashtë koncerteve, edhe pse ai është jashtëzakonisht i lartë deri sa të lejon të blesh me qindra çamçakëzë. Zhgënjimi im është kaq i madh sa shoqëruesit tanë e vënë re, duket sikur po kërkojnë një ujdi, mund të ketë një zgjidhje mbase, shpresa ringjallet.
Një mëngjes, aeroplanë ushtarakë fluturojnë mbi qiellin e Prishtinës, fare pranë kokave tona, me një potere aq turfulluese sa të hyn deri në palcë dhe të bën të dridhesh si gjethe. Tanket patrullojnë poshtë hotelit, grupe të rinjsh vrapojnë nxitimthi në rrugë dhe gazi lotsjellës hyn deri në dhomat tona. Po atë ditë na hipin me urgjencë në autobus. Pasi kemi kaluar shumë postblloqe dhe u kemi treguar pasaportat ushtarëve që na vërejnë me përbuzje, drejtohemi me shpejtësi drejt kufirit. Pa biçikletën e kuqe.
Revolta e shqiptarëve të Kosovës dhe shtypja serbe kanë ndërprerë në mënyrë brutale turneun tonë dhe suksesin që prindërit e mi shpresonin prej tij. Pavarësisht ekzaltimit tim ndaj zbulimit të modernitetit përtej kufijve, ndihem i lehtësuar nga përfundimi i kësaj përvoje që në fund të fundit përngjante me një ëndërr të keqe. Pjergullat, agrumet, ulliri i kopshtit tonë, më duken shumë më ngushëllues. Aty njoh çdo trung, çdo cep muri, çdo hije të pronës time e cila pjesëtohet në krahina qartësisht të ndara nga njëra-tjetra në mendjen time. Në një skaj ndodhet vendi ku gjenden krimbat më të mëdhenj të tokës, prapa atij ku fshihen breshkat e sjella nga gjuetia, ngjitur me “wc-të e qenve” me jashtëqitjet e fosilizuara nën diell, përtej të cilit nis këndi i surprizave, gjatë murit, ku shpesh më ndodh të gjej, si të rënë nga qielli mbi gjethet e thara që mbulojnë tokën, portofola me dokumente identiteti, letra, fotografi ose kartolina. Unë i kontrolloj imtësisht dhe kundroj fytyrat e panjohura mbi fotografitë bardhë e zi.
Hidhësia dhe pikëllimi i fytyrave të tyre duken sikur reflektojnë enkas vjedhjen viktimë e së cilës kanë rënë. Një ditë i çoj babait një dokument të çuditshëm, me ngjyrë të kuqe flakë, vendosur në një këllëf të hollë lëkure me rrip të gjatë. Ai më thotë që është një “Triskë Partie”. Nuk arrij ta besoj, jam i trallisur që nuk m’i dogji duart. Mësuesja në shkollë na ka shpjeguar se për një komunist nuk ka në botë gjë më të çmuar se ky dokument dhe për ta ruajtur atë duhet sakrifikuar edhe jeta. Shkelja që përbën fakti i thjeshtë i të prekurit të tij më shkakton një marramendje dehëse.
Nga ana tjetër, babai duket më tepër i argëtuar se sa i befasuar nga gjetja ime dhe më këshillon t’i shkruaj një letër pronarit të saj, me një stil prej djaloshi shembullor, ashtu si na mësojnë në shkollë, duke e nënshkruar “Rroftë Partia! Fatos Tedi Papavrami”. E ndiej që ka një nuancë ironie në fjalët e tij, por gjithsesi i bindem. Disa ditë më pas i zoti do të vijë ta marrë sendin e çmuar, me fytyrë të ndriçuar nga mirënjohja. Ai më krijon përshtypjen e beftë sikur të jem shndërruar në një nga fëmijët sypatrembur dhe fisnikë me të cilët janë mbushur revistat që unë vazhdoj të shfletoj – me dëshpërimin e madh të babait – paralelisht me libra më të denjë për vlerësimin e tij. /KultPlus.com
I njohur për punën e tij si krijues në kompozicion, por edhe me korin e filarmonisë së Kosovës, mjeshtri Rafet Rudi vjen me koncertin premierë “Cresendo Musicale”.
Muzika shpirtërore, që mbledh kompozitorë shqiptarë e të huaj, që nga koha e bizantit e deri në ditët e sotme, kësaj here bën bashkë 45 artistë të Teatrit të Operas & Baletit (TKOB) të Shqipërisë, kalendari artistik i të cilit vijon me premiera radhazi.
“Muzikë që ndoshta më pak kultivohet këtu. Pjesa e parë e programit është ‘acapella’, me muzikë të mjeshtrave të vjetër, kurse në pjesë të dytë do të jetë ‘Mesha’ e Moxartit”, u shpreh kompozitori Rudi, raporton Tch.
Në pjesën e parë trupa e korit të TKOB interpretojnë “acapella” e më pas programi vijon me orkestrën e dhe solistët e vokalit.
“Tek ne kultivohet këndimi ‘acapella’, në mungesë natyrisht të Operas dhe kanë qenë të interesuar pikërisht, që këtë lloj muzike ne ta prezantojmë. Dhe programi që është bërë ka qenë nën një akordim të përbashkët, pikërisht për shkak që në kemi një përvojë më të madhe në këndimin ‘acapella’”, tha Rudi. /KultPlus.com
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli ka mbajtur një libër me Hasan Prishtinën para foltores së tij gjatë mbajtjes së seancës për projektligjin për buxhetin.
Libri është i autorit Fahri Buçinca, “Hasan Prishtina ndriçimi i jetës dhe i veprës”, shkruan Gazeta Insajderi.
Mirëpo si duket ky libër e ka irrituar nënkryetarin e Kuvendit, Xhavit Halitin. Ai e ka larguar atë nga foltorja e Veselit pas largimit të tij.
Seanca është duke vazhduar derisa të votohet projektligji për buxhetin. Kujtojmë se gjatë ditës së sotme janë votuar dy projektligje, ai për paga dhe projektligji për dialogun me Serbinë. /Insajderi.com/ KultPlus.com
Gurëzeza, qyteti ilir në Cakran të Fierit, aty ku historia e pasur takohet me natyrën është një nga destinacionet turistike më të veçanta.
I ndodhur në 17 km larg qytetit të Fierit arkeologët kanë vlerësuar se Gurëzeza, emri antik i së cilës mendohet të jetë Barbyli, është po aq e rëndësishme për trashëgiminë kulturore shqiptare sa Apolonia apo Bylysi.
Kryetari i bashkisë së Fierit, Armando Subashi në një video të publikuar prezanton historinë dhe bukurinë e natyrës në këtë qytet ilir.
“Natyrë e bukur dhe histori e pasur. Gurëzeza ka plazhe spektakolare , ballkone natyrore , kodra plot gjelbërim, , shtëpi karakteristike, fruta të egra, natyrë të bukur, aromë mali, ngjitje plot aventurë 520 m mbi nivelin e detit. Një destinacion i veçantë dhe i bukur turistik”, shprehet Subashi.
Qyteti antik gjendet i vendosur në pozicionin gjeografik, i ekspozuar në shpatin e fshatit Cakran. Muri rrethues është i gjatë 2100 m dhe sipërfaqja e përgjithshme brenda murit rrethues është 23 ha, pothuajse e barabartë me Bylysin.
Nga zbulimet e deritanishme, rezulton se gjurmët e neolitit të mesëm gjenden pranë shkollës. Gjatë gërmimeve sipërfaqësore janë siguruar objekte dhe gjetje në Varibop, që i takojnë shekulli XII para Krishtit. Gjithashtu në këtë zonë janë gjetur objekte që i takojnë VIII-VI para Krishtit.
Kulmi i zhvillimit të qytezës antike ka qenë shekulli IV para Krishtit. Gurëzeza ka shërbyer si një qendër shumë e rëndësishme ekonomike, politike e shoqërore.
Këtë e dëshmon gjetja aty e një thesari prej 3500 copë monedhash bronzi dhe argjendi. Në bazë të këtyre gjetjeve mendohet se Gurëzeza ka shërbyer si qëndra e Mbretit Ilir Monuni. Historia thekson se ky qytet mund të jetë shkatërruar gjatë luftës së tretë iliro-romake, diku në vitin 167 p.k. Gërmimet në Gurezezë datojnë në vitin 1916-1918, kur arkeologu austriak, Camillo Praschniker, kreu ekspeditën e parë.
Më pas, ato do të vijonin në vitin 1963, nga arkeologët shqiptare. Nga ky vit, vendbanimi antik iu nënshtrua disa ekspeditave me karakter informues dhe gërmues.
Gjetjet e neolitit të mesëm janë të shumta dhe përfaqësojnë një fazë më vete të zhvillimit kulturor të kësaj periudhe në vendin tonë./A.T.SH/ KultPlus.com
Aktori i njohur Bradley Cooper dhe këngëtarja e famshme Lady Gaga do të performojnë në ceremoninë e sivjetme të Oscarit. Këtë e ka konfirmuar Akademia (The Academy) përmes rrjeteve sociale.
Gjithashtu, Akademia ka konfirmuar se Jennifer Hudson do të performojë në ceremoni, si dhe Gillian Welch dhe David Rawlings, por ende nuk dihet nëse Kendrick Lamar dhe SZA do të performojnë këngën e tyre “All the Stars” nga filmi “Black Panther”. / KultPlus.com
Me gjasë n’Kosovë rroga është më e rendësishme se puna. Prandaj ligjin e punës s’e përmend kush.
Duhet të rishikohet ligji i punës dhe brenda tij të caktohet rroga minimale e autorizuar si në publik ashtu edhe në privat. Të mbrohet punëtori dhe kontratat të sqarohen.
Ne fakt, në vendet normale nuk ka ligj te rrogave sepse ato caktohen në shumë mënyra (regullore, dekrete, udhezime etj.). Me ligj caktohet kohezgjatja javore, ditore e punes, te drejtat e punëtorit (publik e privat), llojet e kontratave dhe gati të gjitha aspektet e jetës profesionale.
Nejse… Merrni rroga ju se puna dhe drejtësia presin./ KultPlus.com
Në Galerinë Kombëtare sot është mbajtur paneli i dytë diskutues “Arti feminist në Kosovës-tabutë dhe sfidat” në kuadër të ekspozitës “Perceptime: Burrneshat”. Ky panel u moderua nga Zana Hoxha ndërsa në të morën pjesë artistja Arbana Hajredinaj, artisti Lorik Sylejmani si dhe themeluesja e KultPlus-it, Ardianë Pajaziti.
Vepra
më e vjetër nga artistet kosovare e ekspozuar të “Burrneshat” është portreti
“INA” nga Alije Vokshi. Artisti Lorik Sylejmani i cili artisten Vokshi e ka
teze, solli për të pranishmit një histori të shkurtë të rrugëtimit të kësaj
artiste e cila për shkaqe shëndetësore nuk arriti që të ishte e pranishme.
Rrugëtimi i saj dëshmon rëndësinë që ka mbështetja e familjes, neglizhencën e
institucioneve ndaj kësaj artiste si edhe arsyet prapa mungesës së artisteve,
grave të përfaqësuara në art.
E lindur në një familje të shkolluar, Alije Vokshi njihet si artistja që merr rrugën për në Beograd për të përfunduar studimet, gruaja e parë që voziti makinë në Prishtinë, të cilën në protestat e 81-shit e vendosi para ushtrisë serbe si barrikadë për të mbrojtur studentët e saj dhe të tjerët që protestonin. “Një burrneshë e kohës së saj”, thekson Sylejmani. Një grua e cila nuk e kalonte kohën e mbyllur në atelienë e saj për të punuar, por që udhëtoi nëpër fshatra të Kosovës e veçanërisht në Dukagjin, për të portretizuar rrudhat dhe çdo pjesë të fizionomisë së shqiptarëve të asaj anë.
Sylejmani theksoi se artistja Alije Vokshi ka mbetur një emër i panjohur për shumë njerëz, pasi që ajo ka qenë e anatemume nga kolegët e saj në fakultet, por edhe jashtë këtij institucioni. E vetmja herë kur ajo ka pasur një përfaqësim të denjë ka qenë ekspozita me rastin e 50-të vjetorit të karrierës së saj, kuruar nga vet Sylejmani. Vokshi e cila ka pasur ekspozita jashtë vendit ku gëzoi respekt, e sidomos në Paris, në Kosovë ajo edhe në monografinë e parë nuk është paraqitur denjësisht, duke e shtuar pranë emrit të saj një fotografi bardh dhe zi.
Artistja Alije Vokshi
“Ajo zgjedhet studente e dalluar në Beograd,
ndërsa specializimin e përfundon në Paris. Kur kthehet në Kosovë fillon punën
si asistente në Fakultetin e Arteve dhe aty fillojnë peripecitë nga ana e kolegëve.
Ajo me gjithë atë bagazh dhe punë të cilën e ka pasur, anatemohet deri në
skajshmëri, pasi që kishte mendime të kundërta dhe për 16 vite e lënë si
asistente për shkak të bindjeve të saj. Ajo ka qenë edhe është një nga personat
që veçohet si person shumë i drejtë dhe kjo edhe i ka kushtuar. Në fakultet ka
punuar deri 5 vite më parë kur edhe ka dalë në pension”, tregoi Sylejmani duke
theksuar se artistja edhe pas pensionimit ka vazhduar punën e saj deri së fundi,
kur i është përkeqësuar gjendja shëndetësore.
I rritur në një familje të shkolluar ku gratë ishin të shkolluara dhe kishin studiuar në fusha të ndryshme, përmendim këtu se nëna e artistit ka studiuar për gjuhën angleze, Sylejmani thekson se nuk e ka ndjerë dallimin gjinor në familje të tij dhe kjo e ka bërë që edhe të mos bëjë ndarje të tilla as në shoqëri. Sipas tij, në esencë të gjithë i kanë problemet e njëjta si gratë ashtu edhe burrat, mirëpo janë disa ura të cilat duhet që ti kalojnë për të arritur deri të një qëllim. Ai u shpreh se disa mund ti konsiderojnë gratë si më të brishta, mirëpo, sipas tij ai ka takuar gra që janë më burra sesa vet burrat në kuptimin intelektual, qasjes edhe shtytjes profesionale. Mirëpo, sa i përket grave dhe punës së tyre në art ai është shprehur se në Kosovë nuk ka ekzistuar një lëvizje e artit feminst, mirëpo ka artistë të cilat përmes punëve të tyre kanë prekur këtë aspekt, duke përfshirë këtu edhe artistet pjesëmarrëse të ekspozitës “Burrneshat”.
Në mesin e tyre është artistja Arbana
Hajredinaj e cila ishte e pranishme në panel. Ajo përmes videos “30%” paraqet
pozitën e grave, përfaqësimin e tyre në politikë, mirëpo shkon edhe përtej
kësaj. Një punë që ka ardhur pas rastit në Parlamentin e Kosovës ku një deputet
e ofendon një deputete.
“Vizatimi i fytyrave të ndryshme është e lidhur edhe me aspektin psikologjik por edhe politik sepse fatkeqësisht ajo fyerja në Parlament ka ndikuar negativisht në aspektin psikologjik të unë. Që nga ai momente nuk i kam dëgjuar seancat parlamentare deri sot, ku është në pyetje buxheti për institucionin ku unë punoj”, tregoi ajo duke theksuar se arti i saj është i fokusuar në tema sociale dhe në aspektin psikologjik. E tillë ka qenë edhe piktura e saj e parë e cila prek temën e braktisjes së fëmijëve të lindur nga gratë e dhunuara të Kosovës gjatë luftës, pikturë e cila akoma ngjallë emocione dhe e prek shumë artistën sa herë që diskuton për të.
Galeria Kombëtare e Kosovës- 30% nga Arbana Hajredinaj
Në anën tjetër themeluesja e KultPlus-it, gazetës online për kulturë, Ardianë Pajaziti për të pranishmit tregoi se në fillim të punës së saj ajo ishte korrespondentja e vetme grua nga Gjilani, mirëpo kjo nuk e ka bërë që ta shoh këtë si pengesë, pasi që është bazuar çdo herë vetëm te puna. Madje, një ndarje të tillë ajo nuk e bënë edhe sot, duke theksuar se në KultPlus lexuesit do të gjejnë njerëz të suksesshëm dhe që japin shumë për artin, e të cilët nuk promovohen vetëm për shkak të gjinisë së tyre. Sipas saj, fakti që kultura zë vendin e fundit në lajme dhe vendoset në faqet e fundit të gazetave tregon më së miri për hapësirën që i jepet kulturës. “Konsiderojmë që KultPlus ka vendosë një standard të ri në mediet në Kosovë, pasi që profilizimi i KultPlus ka ndikuar në mënyrë direkte për një qasje tjetër ndaj artistëve dhe punës së tyre”, ka thënë ajo.
Pajaziti, duke iu referuar të kaluarës, atëherë kur edhe kishte pak gra nëpër medie, ka përmend faktin se tashti, për dallim prej atëherë, shumë prej medieve udhëhiqen nga gratë, por edhe numri i gazetareve nga vajzat dhe gratë është dukshëm i madh.
Në këtë panel është diskutuar edhe për mungesën e kritikës mbi artin, ku Pajaziti ka treguar edhe qasjen e saj mbi këtë cështje.
“Jemi
shumë të hapur për të pasur kritikë, mirëpo jo nga gazetarët, pasi që ata nuk mund të jetë kritik, përderisa nuk kanë një shkollim adekuat për këtë.
Kemi pasur herë pas herë interesim , mirëpo mungesa e financave e pamundëson
pagesën e kritikëve, për të cilët kemi shumë nevojë, pasi që kritika e bënë një
filtrim se çfarë është e mirë dhe çfarë jo. Ne jemi të hapur për të publikuar
kritika, mirëpo duhet të jenë emra kredibil e që e dëshmojnë punën, dhe jo për aso kritika që i përdorin vetëm për
inate personale e që sjellin konflikte, dhe të cilat nuk ndikojnë në të mirë të
kulturës. Mirëpo, pavarësisht faktit se në KultPlus nuk kemi të kontraktuar
ndodnjë kritik arti, vet promovimi i kulturës, prezantimi i emrave të
suksesshëm në art ka bërë diferencën,
dhe në të njëjtën kohë ka orientuar lexuesit rreth zhvillimeve në vend e
më gjerë” u shpreh Pajaziti.
Brenda gjashtë muajve pritet të nis konservimi i shtëpive të familjes Jashari, në kompleksin memorial “Adem Jashari” në Prekaz.
Drejtori i Agjencisë për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale, Bislim Zogaj, ka treguar për KTV-në se tashmë është formuar komiteti ndër-ministror, i cili do t’i përcaktojë kriteret dhe do ta përzgjedhë projektin.
Sipas tij, në muajin qershor pritet të nisë puna këtu.
Aktualisht, sipas Zogajt, janë ndarë rreth tre milionë euro për projektin, por ka shtuar se kanë premtimet e Qeverisë se, në bazë të nevojës, do të ndahet buxhet shtesë./ KultPlus.com
Krahnuerhâpun, duert nân ijë, tanë k’ta burra, njâ u prì. Tan’ nji hap, frymën ndalin, kâmbët përtokë, njiherësh rrahin, kryet çuemun, me dvetë qíll…
Hou-uu, ho!
N’emën thrresin, vikâmë qesin… Rrqethet lisi n’rrâje t’veta, gjeth’e lvore zí po kânë, qyqja e malit, ndâli kângën, kanë dâlë burrat me qít’ gjâmë!
Hooou-ho!
Brrám nji hap, nji hap brrám…! Duert prej íj’s rr’zojnë kadâlë, duert gjak, nélt i çojnë, gjith’ prej dhimtet, krahnùert zblojnë…
Hou-ho, ho-oou-ho…t’mjer’t ná për ty!
Brrám nji kâmbë… nji zanë kján… Brrám nji hap… dragoi ndalet… Brrám! E bjeshka duert ka n’gjí… Brrám! E kroni s’bzân, gjys’ngrí… Burrat l’shohen me bâll’ râmun,
Oooo, t’mjer’t ná për ty!
Brrám nji hap, hooou-ho! Brrám! Brrám! Hou-hoooo! Gjâmë po bâjnë, duert nán ijë, tân’ k’ta burra, njâ u prì!/ KultPlus.com