“Dielli”, gazeta shqipe më jetëgjatë

Gazeta Dielli, organi më i vjetër mediatik në gjuhën shqipe në ekzistencë të pandërprerë mbushi 110 vjet.

Faqet e gazetës që vazhdon të informojë komunitetin shqiptaro-amerikan kanë qenë një pasqyrë e furtunave historike nëpër të cilat ka kaluar kombi shqiptar, por edhe një forum për opinione e për debatin e hapur publik.

Në këtë përvjetor, Federata Panshqiptare Vatra mblodhi dje në Nju Jork studiues, historianë e aktivistë në një konferencë shkencore të cilën e ndoqi kolegia Ardita Dunellari.

Aktiviteti u organizua për të festuar ekzistencën e organit mediatik më të vjetër të shqiptarëve në ekzistencë të pandërprerë, për të reflektuar mbi rolin që ka luajtur ky publikim në pasqyrimin e sfidave të kohërave dhe problemeve të kombit si dhe në mobilizimin e shqiptarëve në përgjigje të tyre, por edhe si një thirrje për të garantuar vazhdimësinë e këtij botimi që është shndërruar në një institucion kulturor jo vetëm të shqiptarëve të Amerikës, por për mbarë kombin.

Përmes ligjëratave nga studiues e kujtimeve nga vetë aktivistë të komunitetit e pjesëtarë aktualë e të mëparshëm të stafit të gazetës, aktiviteti përcolli një udhëtim historik mbi ngjarjet madhore me të cilat janë përballur shqiptarët gjatë kësaj periudhe mbi 100 vjeçare dhe rolin që ka luajtur Dielli për të pasqyruar momentet më kritike, por edhe për t’i bërë jehonë ndërgjegjes kombëtare dhe për të nxitur mobilizim të shqiptarëve në përgjigje të nevojave në trojet e tyre.

Kryetari i Federatës Panshqiptare Vatra, Dritan Mishto e quan organizatën që ai drejton, si dhe gazetën e saj, Diellin, xhevahirë jo vetëm të komunitetit shqiptaro-amerikan, por të mbarë kombit shqiptar, një trashëgimi kombëtare që vazhdon të ketë edhe sot një rol të rëndësishëm për të luajtur:

“Sfidat që janë trajtuar nga gazeta Dielli që para 100 vjetësh, në një mënyrë më të formatuara me standardet euroatlantike, në një farë mënyre janë sërish sfida për shqiptarët. Ndaj mendoj që gazeta Dielli, si një autoritet moral i padiskutueshëm, si një shembull i asaj që për 110 vjet ka lënë pas të gjitha simotrat e tjera edhe të kombeve të tjera do të jetë sërish në ballë për të mbrojtur të vërtetën, por edhe për të ofruar alternativa, zgjidhje, platforma kudo që është e nevojshme për shqiptarët,” thotë zoti Mishto.

Redaktori i gazetës, zoti Dalip Greca thotë se interesat kombëtare do të mbeten ndër përparësitë kryesore të gazetës, ndërkohë që Dielli tani shikon drejt të ardhmes me ambicie të reja:

“Kombi ynë nuk i ka zgjidhur problemet e veta kombëtare. Ne vazhdojmë të përballemi me problemin e humbjes së territorit. Lexuesi i Diellit, veçanërisht ai konservatori, i vjetri e do që ta trajtosh këtë problem. Ne e ndjejmë detyrim dhe nuk do të heqim dorë nga këto lloj problemesh, pra do të kombinojmë të ardhmen – brezin e ri ta tërheqim në gazetë, por nuk do të heqim dorë nga historia jonë kombëtare,” thotë zoti Greca.

Për të tërhequr një numër më të madh lexuesish, por me një vëmendje të shtuar tek ata shqiptaro-amerikanë që e kanë vështirë të kuptojnë artikujt në shqip, gazeta ka shtuar shkrimet në anglisht.

Ish-gazetarja e ‘Zërit të Amerikës’, Rafaela Prifti, redaktore e seksionit anglisht të gazetës, thotë se që në fillimet e saj gazeta është konceptuar si një organ mediatik në dy gjuhë:

“Është në konceptimin e Diellit që t’i ketë të dyja gjuhët… Por mendoj se ajo që është një prurje e re janë shkrimet origjinale. Unë shkruaj për evenimentet, aktivitetet, pra ka shkrime origjinale në anglisht. Unë mendoj se është një mënyrë për të thithur brezin e ri, por edhe për t’i bërë jehonë komunitetit tonë,” thotë zonja Prifti.

Aktiviteti ofroi një analizë të rolit të Diellit dhe Vatrës nga kënde të ndryshme historike.

Profesor Nicholas Pano foli për rëndësinë e Diellit, që së bashku me hapjen e kishës ortodokse të shqiptarëve dhe të Federatës Panshqiptare Vatra, e shndërruan mërgatën e shqiptarëve në Shtetet e Bashkuara, në qendrën më të rëndësishme të shqiptarizmit jashtë trojeve kombëtare për dekadat e ngarkuara të fillimi të shekullit të XX.

Studiuesi Grant Harris, shef i divizionit evropian në Bibliotekën e Kongresit amerikan përmes krahasimeve me botimet e kohës, foli për një nivel të lartë sofistikimi e mobilizimi të komunitetit shqiptar të dëshmuar përmes botimeve si Dielli e publikimeve të tjera të diasporës shqiptare në Evropë, që u mungonte shumë komuniteteve të tjera etnike në emigracion.

Drejtori i Divizionit të Euroazisë në ‘Zërin e Amerikës’, Elez Biberaj, theksoi nevojën që organe mediatike të diasporës në Shtetet e Bashkuara të vazhdojnë të kontribuojnë në çështjen shqiptare, duke ofruar lajme e informacione të bazuara tek faktet, duke pasqyruar një larmi zërash e opiniones si forum për debatin publik. Zhvillimet e fundit politike në trojet shqiptare, u shpreh zoti Biberaj, dëshmojnë se duhet ende shumë punë për të forcuar institucionet demokratike dhe për të konsoliduar shtetin ligjor dhe se kërkohet një angazhim më i madh i diasporës për ta mbështetur këtë proces.

Konferenca shërbeu për të kujtuar kontributin e madh që ka dhënë komuniteti shqiptaro-amerikan përmes dekadave për çështjen shqiptare, pasqyruar në faqet e Diellit gjatë 110 vjetëve të fundit. Për rëndësinë historike, arkivore e kulturore, tani anëtarët e Vatrës e aktivistë e dashamirës po bëjnë thirrje për ruajtjen e arkivës e dixhitalimin e gjithë koleksionit të gazetës. Por mbi të gjitha ata theksojnë se puna e Diellit dhe e komunitetit mbetet ende aktuale sepse shumë sfida kombëtare të shqiptarëve ende mbeten të hapura. Për ‘Zërin e Amerikës’, Ardita Dunellari, New York. / KultPlus.com

Xharra: Ëndrra e Milosevicit po plotësohet, Kosova po zbrazet

Numri i të rinjve të interesuar për të lëshuar Kosovën është çdo ditë e në rritje. Kjo vërtetohet edhe nga rendet e gjata para ambasadave në Kosovë, shkruan KultPlus.

Gazetarja Jeta Xharra ka hasur sot dhe çdo ditë në këtë pamje që padyshim nuk është e pëlqyer për askënd.

Ajo është shprehur se në këtë mënyrë ëndrra e kriminelit serb, Slobodan Milosevic, po realizohet pasi që Kosova është duke u zbrazur.

Xharra ka publikuar një fotografi para ambasadës sllovene, ku shihet një numër i madh njerëzish, të cilët po presin për viza. Ajo është shprehur e mllefosur kur kujton që kjo ishte ëndrra e Millosheviqit, që Kosova të zbrazej prej shqiptarëve.

“Çdo ditë zgjohem me këtë pamje, rendi te ambasada sllovene, 50-100 veta. Ambasada m’ka thane qe i leshon diku 200 viza ne jave, familjeve te tana. E ne ate moment me vjen munim se m’kujtohet Millosheviqi qe shihke anderr me e shpraz Kosoven prej shqipaterve! (Heci prane ketyne njerezve tu shku ne pune pa i kqyr ne sy sepae po m’vjen inati qe po ja plotesojme deshiren qati njeri qe ka dek edhe pertej varrit po i plotesohet deshira.”, ka shkruar Xharra në Facebook. / KultPlus.com

“Chopin Piano Fest”, sonte nis edicionin e 10-të

Chopin Piano Fest Prishtina këtë vit shënon edicionin e tij të 10-të me artistët më të shquar nga të gjitha edicionet. Ndërsa kur filluan këtë festival e nisën për t’ia festuar ditëlindjen e Chopin, shkruan KultPlus.

Për 10 vjet, përkundër vështirësive festivali nuk u ndal. Ai u karakterizua gjithmonë me programin e pasur që ofronte, gjithashtu edhe publikun e cili ka dhënë duartrokitje dhe përkrahje në çdo edicion.

Numri i koncerteve është rritur jashtëzakonisht shumë me 16 koncerte në këtë jubilar, përpos aktiviteteve të tjera shtesë. Po ashtu vazhdon programi i nxënësve, studentëve, dhe gara për çmimin Special Chopin Piano Fest.

Sipas organizatorëve festivali e ka sjellë vërtet Prishtinë në qendër të vëmendjes së ngjarjeve kulturore të rëndësishme dhe shumë artistë, organizata, tashmë e njohin vlerën që ky festival ka krijuar.

Hapja e festivalit bëhet sonte me pianistin Giovanni Bellucci. Koncerti fillon në ora 20:00 në do Amfiteatrin e Bibliotekës Universitare, apo ndërtesa e ish-institutit të Historisë. Festivali do të vazhdojë me koncertet e radhës deri më datë 28 prill në po 5të njëjtin vend. Ndërsa koncerti me Filharmoninë do të mbahet në Sallën e Kuqe, ndërsa mastërklasat dhe garat për çmimin special të Chopin-it në Fakultetin e Arteve. / KultPlus.com

Shfaqja ‘Bryma e vdekjes’, sonte premierë në TKK

Pamja e eksodit të shqiptarëve drejt Bllacës, do të kthehet pas dy dekadash si manifestim artistik në skenën e madhe të Teatrit Kombëtar të Kosovës.

Shfaqja “Bryma e vdekjes”, me tekst të Milazim Krasniqit e regji të Burbuqe Berishës, përmes bashkimit të kastës së aktorëve të Teatrit Kombëtar të Kosovës me trupën e Baletit Kombëtarë të Kosovës,  tenton të prekë realitetin e asaj kohe. Duke sjellë në memorien e publikut pamjen e një katastrofe humanitare,  paraqet banorët e dëbuar nga shtëpitë e jeta e tyre e mëparshme teksa përfundojnë në një kamp famëkeq, ku jetesa e tyre përshkruhet si jetesë mes vuajtjes e vdekjes.

Regjisorja Berisha fton publikun për të parë shfaqjen, pasi sipas saj, ajo është një shfaqje e cila ballafaqon me të kaluarën dhe reflektimin me atë çfarë ka ndodhur 20 vjet më parë në Bllacë të Maqedonisë së Veriut.

Ndërsa autori i shfaqjes Milazim Krasniqi, thotë se duke qenë dramaturg edhe para kohës së luftës, situatën e Bllacës e kishte preukopuar në nivel personal dhe  në nivelin e një tragjedie të popullit, e veçmas si një shëmbëllim i përvojave të hidhura të kampeve të përqendrimit në Evropë. Krasniqi për KultPlus tregoi se duke e kujtuar në retrospektivë atë skenë, ajo i ngjante si një skenë teatri e një tragjedie antike greke, e cila nëse do të vazhdonte shumë lehtë do të mund të shndërrohej në një kamp të vdekjes, pasi që mungonin kushtet elementare të jetesës.

Sipas njoftimit të shfaqjes, shpërfytyrimi, tjetërsimi si dhe përulja e qëllimshme e popullatës shqiptare do të paraqiten nëpërmes personazheve të portretizuara me shumë origjinalitet sikur ai i Fitimit, Ademit dhe Havës, Mentorit, Dritës si dhe vajzës së tyre të vogël. Drama është realizuar në atë mënyrë që në fund, tenton të japë një mesazh pothuajse mitik, që të kthen në kohën e krijimit të njerëzve të parë, andaj dhe personazhet kryesore mbajnë emrin Adami dhe Hava, dhe për dramaturgun Krasniqi rikthimi në Kosovën e lirë, ka qenë një përngjasim i fillimit të njerëzimit, të cilët përkundër që kanë lënë mbrapa një realitet plot vuajtje, e  kanë gjetur forcën për  të përqafuar jetën në një realitet të ri. Përveç vuajtjes, shfaqja tenton të prekë edhe një mesazh tjetër, atë të solidaritetit.

Aktorët që do të luajnë në këtë shfaqje janë: Valmir Krasniqi, Albulena Kryeziu –Bokshi, Bujar Ahmeti, Teuta Krasniqi, Thana Deliu, Artiola Hamdija, Blerta Deliu, Afrim Muqa, Naim Berisha, Ismet Azemi, Shpetim Kastrati, Labinot Raci, Xhejlane Godaci dhe Adhurim Demi.

Kompozitor i muzikës do të jetë Florent Bishnjaku, Skenografia është e punuar nga Petrit Bakalli dhe kostumografia nga Albulena Borovci ndërsa koreografinë e shfaqjes e ka punuar Sinan Kajtazi.

“Bryma e vdekjes” vjen premierë sonte në ora 20:00 në skenën e madhe të Teatrit Kombëtar të Kosovës / KultPlus.com

New York Times i kushton artikull reperit shqiptar

Gazeta prestigjioze, New York Times, i ka kushtuar një artikull reperit shqiptar me famë ndërkombëtare, G4ashi.

Muzikanti e ka shpërndarë këtë artikull në profilet e tij në rrjetet sociale duke u shprehur krenar me arritjet e tij.

 “Babai im gjithmonë e lexonte New York Times dhe në të i binin në sy ngjarje të çmendura negative për ndonjë shqiptar… Në vitin 2019, në të është djali i tij dhe tregimi është pozitiv… Kemi lajme të mira”, ka shkruar G4shi në përshkrim.

https://www.instagram.com/p/Bv9iZ7_l1OR/

Vlen të theksohet se Labinot Gashi (emri i vërtetë i reperit) ka lindur në Libi nga prindër me origjinë nga Kosova, ndërsa karrierën e tij është duke e ndërtuar në SHBA.

Ai është pjesë e labelit të famshëm të Jay-Z, Roc Nation, që nga vera e vitit 2017, prandaj sukseset e tij nuk mund të mungojnë. /KultPlus.com

Agron Tufa publikon dokumentin: Spartak Braho ka dhënë dënime me vdekje

Prej disa ditësh ka nisur një debat publik mes deputetit socialist Spartak Braho dhe kreut të Institutit të Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit, shkrimtarit dhe pedagogut Agron Tufa.

Pas kërkesës së Brahos, i cili kërkonte largimin e shkrimtarit nga institicioni i cili drejton, ditën e djeshme Tufa ka publikuar një dokument në të cilin deputeti socialist akuzohet që ka dënuar njerëz me dënim me vdekje gjatë kohës së komunizmit.

Statusi i plotë i Agron Tufës:

Gjyqtari i Kolegjit Ushtarak të PPSH, sot deputeti Spartak Braho, që kanoset nga salla e Kuvendit pluralist për prerje kokash, ka dhënë dhe dënime kapitale me Vdekje. Në dokumentin e mëposhtëm, (një nga disa dënime me vdekje që ka dhënë deputeti Braho kur ushtronte drejtësinë Enveriste), shihet qartë se sa i politizuar bëhej akti i dënimit (jopolitik) me vdekje.

Referenca dhe pasqyra e llogarisë është Komiteti i Partisë së rrethit, ndërsa për të dënuarin me vdekje sajohen demonizime, sikur stërvitej për të vrarë kuadrot e ushtrisë. Kjo, si duket, akordohet në një linjë nxirjeje të të dënuarit me vdekje, i cili, si person, sipas Brahos:
a) nuk është i denjë për të jetuar, si i rrezikshëm;
b) nuk është i denjë për keqardhje e mëshirë, se vjen nga familje e deklasuar që ka “strehuar kriminelë” me 1948 dhe ka të dënuar politikë, dmth, familje antikomuniste. /
KultPlus.com

https://www.facebook.com/photo.php?fbid=10218754076994233&set=a.1233487648522&type=3&theater

Dita Ndërkombëtare e Romëve

Dita Ndërkombëtare e Romëve është një kremtim i historisë, traditave dhe kulturës rome, ashtu si edhe thirrje për përfshirje sociale.

Kjo ditë synon gjithashtu të rrisë ndërgjegjësimin mbi sfidat me të cilat përballen komunitetet Rome në të gjithë botën.

Kjo ditë është deklaruar zyrtarisht në vitin 1990 në Poloni gjatë Kongresit të katërt të Unionit Ndërkombëtar Rom, në nderim të takimit të parë ndërkombëtar të përfaqësuesve romë i mbajtur në prill të vitit 1971.

Romët kanë zhvilluar traditat e tyre në muzikë, poezi, kërcim dhe pikturë. Muzika tradicionale rome është ndoshta pjesa më e njohur e kulturës rome. Muzika e tyre ka influencuar kompozitorët e muzikës klasike të tillë si Franz Liszt dhe Johannes Brahams. Violina, kitara she klarineta janë instrumentet e preferuara të muzikantëve romë.

Kërcimi tradicional është një tjetër element i rëndësishëm i kulturës rome, ka ruajtur elemente nga India, ashtu siç edhe ka përfshirë elemente nga kultura e vendeve në të cilat romët kanë jetuar. Kërcimi Flamengo përfaqëson shembullin më të dukshëm të kontributit të romëve në stilin e përgjithshëm të kërcimeve.

Gjuha rome është ruajtur mirë dhe flitet në të gjithë botën në dialekte të ndryshme. Vitet e fundit shumë studiues kanë punuar për ta standardizuar gjuhën rome duke prodhuar abetare dhe fjalorë.

Analizat gjuhësore kanë treguar se ajo është shumë e ngjashme me gjuhët e folura në Indinë qendrore dhe veriore, dhe kjo lidhje gjuhësore besohet se dëshmon origjinën gjeografike të romëve.

Romët kanë shkëlqyer edhe në punimet artizanale si në punimin e metalit, qëndisjen dhe gdhendjen e bizhuterive. Shportat e kashtës të punuara me dorë janë një tjetër produkt tipik i romëve.

Veshjet tradicionale përdoren akoma gjerësisht në disa komunitete rome, ku gratë veshin fund të gjatë të lidhur në të majtë të belit, një bluzë dekolte, një jelek bolero, një përparëse dhe vathë me ngjyra.

Flamuri rom është flamuri ndërkombëtar i romëve. Ai është krijuar nga Unioni i Përgjithshëm i Romëve në Rumani në vitin 1933 dhe u miratua nga përfaqësuesit ndërkombëtar romë në vitin 1971.

Ngjyra blu simbolizon qiellin, ndërsa jeshilja përfaqëson tokën dhe të korrat. Flamuri mban gjithashtu një rrotë të kuqe (chakra) në kujtim të origjinës indiane të romëve, e cila simbolizon zjarrin, lëvizjen dhe progresin. 

Kjo ditë në Kosovë do të shënohet me disa aktivitete të paralajmëruara nga institucionet e vendit. / KultPlus.com

Gigi Hadid nderohet me çmimin “Power of Women”

Gigi Hadid u nderua me çmimin “Power of Women” (“Fuqia e Grave”) nga Variety.

Supermodelja 23-vjeçare është vlerësuar për punën e saj si bamirëse gjatë viteve të fundit si ambasadore e UNICEF-it.

Ylli i pasarelave shfrytëzoi famën e saj për të promovuar dhe frymëzuar për një botë më të mirë.

“Po, ne mund të bëjmë bamirësi. Ne mund ti ndihmojmë ata. Çdo donacion shpëton jetë dhe ndihmon njerëzit. Janë qenie njerëzore po ashtu si ne”, ka thënë Hadid.

“Bëhuni zë për dikë, mbështesni dikë, inkurajoni dikë, tregoni dikujt se si ata ju frymëzojnë”, ka shtuar ajo. / KultPlus.com

‘Nuk ekzistojnë zbulime të mëdha, deri sa mbi tokë të ekzistojë një fëmijë i palumtur’

Albert Einstein

Një nga thëniet e Albert Einstein është edhe kjo të cilën po ua sjellë KultPlus.

“Nuk ekzistojnë zbulime të mëdha, as progres real deri sa mbi tokë të ekzistojë një fëmijë i palumtur”.

Albert Einstein, (14 Mars 1879 – 18 Prill 1955) ishte një fizikant i cili llogaritet si një nga shkencëtarët më të rëndësishëm të shekullit XX. Ai përcaktoi teorinë e relativitetit dhe dha shumë kontribute në fushat e mekanikës kuantike, mekanikës statistikore dhe kozmologjisë. Në vitin 1921 fitoi çmimin Nobel për fizikë për shpjegimin e efektit fotoelektrik dhe për shërbimin në fushën e “fizikës teorike”./ KultPlus.com

Gratë

Mario Vargas Llosa. Përkthyer nga Orjela Apolloni.

Të gjitha gratë e bukura janë ato që unë i kam parë
ato që shkojnë rrugës me pardesy të gjata dhe me minifunde
ato që erëmojnë këndshëm dhe buzëqeshin kur i shikojnë.

Pa përmasa perfekte, pa taka të larta.
gratë më të bukura presin autobusin e lagjes sime,
ose blejnë çanta në tezgat e rrugës.
I lyejnë sytë si t’ua dojë qejfi
dhe buzët me karmin kinez.

Lule të shkretëtirës janë gratë
që kanë buzëqeshje në sy
që t’i ledhatojnë duart kur je i trishtuar
që i humbin çelësat në fund të palltos
ato që hanë pica në grup me miqtë
dhe qajnë vetëm me pak prej tyre
ato që i lajnë flokët dhe i lënë që t’i thajë era.

Bukuroshet e vërteta janë ato që pinë birrë
dhe nuk e masin sa patatina kanë ngrënë,
ato që ulen në stolat e parkut me qese me fara,
ato që ledhatojnë me ëmbëlsi qentë që afrohen për t’i nuhatur.
Damat e mrekullueshme me veshjet sportive të së dielës.
Ato që erëmojnë manaferrë dhe karamele.

Gratë e bukura nuk dalin në revista, ato i shikojmë te mjeku
dhe presin të dashurin të ngazëllyera me fustane me dredhëza
dhe qeshin të shkujdesura me shakatë e televizionit,
dhe e durojnë futbollin në këmbim të një puthjeje.

Gratë normale shpenzojnë bukuri, jo glamur,
konsumojnë buzëqeshjet duke parë në sy,
dhe kryqëzojnë këmbët e harkojnë shpatullat.
Dalin në fotografi të paretushuara, të rrethuara nga njerëz,
duke qeshur me zë të lartë dhe duke përqafuar
me lumturinë e grupeve të mëdha.

Gratë normale janë bukuritë autentike,
pa gomë dhe pa laps. Lulet e shkretëtirës janë ato që të rrinë në krah.
Ato që na duan dhe që i duam.
Vetëm se duhet të shohim përtej linjave, përtej syve të mëdhenj,
përtej këmbëve përmbi këmbë, përtej gjoksit marramendës.

Ornamente efemere, gjurmë të kohës, armike e formës dhe
armike e shpirtit. Marramendje divash dhe e qarë princeshash.
Bukuria e vërtetë gjendet në rrudhat e lumturisë. / KultPlus.com

Ka veç një problem kjo botë, njeriun

Flogerta Krypi

Berlin
Ka veç një problem kjo botë
Njeriun,
Atë që e njeh veç ti
Ato të këmbënyjtuarit
Që ngrenë rrjeta ku të përpijnë
Të kthejnë në vemje
E pasi të kanë ngrënë
Ashtu si krokodili qajnë
Por jo për ty
Po se kripa të djeg
Fytyrën ta gërryn
Derisa veten e vërtetë sheh.

Berlin
Kurrë se kam kuptuar
Pse njeriun?
Nga të gjithë
Pse me dasht njeriun?
Kur ata si myshqe a likene
Zënë vend nëpër gurë
E gurin thërromojnë
Pa lanë asnjë shenjë
Se aty ku sot shtrihen,
dikur,
Ka jetuar një thërrime gur.

Berlin
Kurrë nuk ma ke shpjegu
Pse njeriun?
Ai kurrë nuk të ka dasht
Kurrë nuk ka për të dasht
Ka për të vjedh
E besomë Berlin
Nuk ka qeli në këtë botë
Që maskat e njeriut mban
Që të vret vetë
Dhe po vetë të qan
E këtu besomë
Fajin krokodilat nuk e kanë.

Unë e di,
Berlin
Se dhe unë fatkeqësisht
Njeri jam lind.
Po tash më thuj Berlin
Pse njeriun?
Pse mu?
Unë desha thjesht një jetë
Pa u ndje vetëm
Pa qenë ngjyrë jeshile…
Pse njeriun Berlin?
A ia ka vlejt?

Berlin
mes rrëmujës gjendet fryma jote
çdo gjë shuhet nën shtëllunga
çdo varg është bërë i rëndomtë
kam ftohtë prej vitesh
dhe në shkretëtirë bie borë.

Berlin
kthetrat e natës më coptuan lëkurën
damarët rrjedhin qelb
buza më lëshon helm prej kohësh
po më vrasin nga pak
nuk ka shpëtim
largimi i hidhur po vjen.

Berlin
krahët janë qepur me kohë
pendët janë kthyer në mallkim
po unë do ngrihem fuqishëm
nëpër qiej
fatmirësisht, nga ikje të tilla ska kthim.

Berlin
sa keq që nuk u takuam dhe një herë
të qeshnin mes trishtimit në Invalden
mes rrënoja muresh
të ngrinim pasqyra për shiun
të fshijnë plagët që lamë ne.

Berlin
mos harro, në çdo ikje
me mua qesh/ KultPlus.com

Intervistë e rrallë e Faik Konicës, dhënë në vitin 1939 për radion amerikane NBC

Kjo është intervista e pa publikuar ndonjëherë e Faik Konicës, ministrit të plotfuqishëm të Shqipërisë në Uashington, dhënë radios amerikane NBC më 8 prill 1939, një ditë pas pushtimit të Shqipërisë nga Italia, shkruan KultPlus.

Pushtimi italian ishte një goditje e rëndë për ministrin Konica dhe për të tjerët që i besuan miqësisë së shtirur të Benito Musolinit. Në intervistë, Konica e quan agresionin e Italisë kundër Shqipërisë së pambrojtur “një thikë pas shpine”.

Në njërën nga pyetjet e parashturara nga i intervistuesi Hilmar Baukhage, se italianet i kishin marrë të gjitha krahinat dhe se ku do të jetë qeveria e Konicës. Ai i ishte përgjigjur se edhe po ta dinte nuk do të tregonte sepse sipas tij qeverinë nuk e bëjnë ndërtesat dhe se qeveria mund të shkatërrohet aq sa shkatërrohet shpirti i popullit të tij.

“Ne e ruajtëm pavarësinë për 2 mijë vjet kur vendet e huaja që sot s’u ka mbetur nishani, sunduan mbi ne ose të paktën kështu mendonin”, kishte thënë Konica për radion NBC.

Ai tutje kishte thënë se marrëdhëniet mes Italisë dhe Shqipërisë kishin qenë shumë miqësore në të gjitha fushat, madje studentët shqiptar për 20 vite më radhë kishin studiuar në Itali dhe se udhëheqësit italian i kishin thënë popullit të tyre se Shqipëri është mike, mirëpo sipas tij ajo papritur deklaroi se Shqipëria dhe shqiptarët janë armiq të tyre.

Intervistuesi Hilmar Baukhage, ishte komentator i njohur i asaj kohe. Disa orë përpara bisedës në radio, Baukhage e kishte vizituar Konicën në apartamentin e tij në Hotelin Mayflower të Uashingtonit, duke shprehur habi për librat e shumtë që rrethonin ministrin e Shqipërisë.

Ky është i vetmi zë i Konicës që njihet deri më sot. Kjo  intervistën është bërë publike nga Ilir Ikonomi me lejen e radios NBC në Nju Jork./ KultPlus.com

“Robi s’plaket kur vjen mosha, robi plaket kur don vet” (VIDEO)

KultPlus ju sjellë sonte një këngë të veçantë për shumë njerëz nga këngëtarit i njohur Ismet Peja.

Moshë e bukur kjo rinia

gjo ma t’ mirë bota se ka

mirëpo ja që vjen pleqëria

dhe ke borxhe për me la

Lule m’ lule tuj fluturue

tuj bo qef tuj bo dashni

robi kurrë se ka mendue

se vjen mbrapa ani pleqni

Namuzlie o sarëhosha

veç ni gjo more osht e vërtet

Robi s’plaket kur vjen mosha

robi plaket kur don vet

Ni nga ni vitet kalojnë

shkon ni vit vjen viti i ri

se sa vite do jetojmë

nuk e din asnjeri

O njeriu, njeriu i shkret

mos e lodh veten tuj mendu

për me le e për me vdek

Zoti datën ta ka shkru

Namuzlie o sarëhosha

veç ni gjo more osht e vërtet

Robi s’plaket kur vjen mosha

robi plaket kur don vet . /KultPlus.com

‘Ishte e marrë, por unë e kam dashtë si i çmendun’

Charles Bukowski. Përktheu Arjola Zadrima.

” E ke dashtë, apo jo ?
Ai mori frymë thellë,
“Si me tu përgjigjë? Ajo ishte e çmendun”.
Kaloi dorën ndër flokë.
“Një Zot e di sa e çmendun ishte, çdo ditë ishte grue tjetër.
Herë ishte iniciatore e herë zvarritëse, 
herë jepej e tana e tjera herë ishte e turpshme.
E pasigurtë dhe e vendosun.
E amël dhe arrogante.
Ishte njëmijë gra , por parfumi i saj ishte gjithmonë i njëjti, i pangatërrueshëm.
Ajo ishte e vjetmja siguri e jemja,
më buzëqeshte, e dite që ma hidhte me atë buzëqeshje.
kur më buzëqeshte nuk kuptoja ma asgja.
Nuk dija as me folë as me mendu ma,
asgja, zero.
Papritë ishte veç ajo.
Ishte e çmendun krejt e çmendun.
Nganjiherë qante.
Thonë se në ato çaste gratë duen veç një përqafim.
Ajo, jo.
Ajo nervozohej.
Nuk e di ku gjindet tash, por vë bast që asht ende në kërkim të andrrave.
Ishte e marrë, krejt e marrë.
Por unë e kam dashtë 
si i çmendun./ KultPlus.com

“Sikur kjo të ishte shfaqje” sonte shfaqet në Stuttgart të Gjermanisë

“Sikur kjo të ishte shfaqje” është e bazuar në dramën e Almir Imshireviq, me regji të Agon Myftarit. Shfaqja do të luhet sonte në orën 17:00 në Liderhale Mozartsaal të Gjermanisë dhe është organizim i “Away2nBack”, shkruan KultPlus.

Në këtë shfaqje janë të ftuar ambasadore të vendeve të ndryshme të Gjermanisë si edhe deputet të Bundestagut gjerman. Sipas organizatorëve biletat janë shitur paraprakisht dhe në salle do te jenë mbi 600 persona.

AWay2nBack është grup i komunitetit shqiptar në Stuttgart të cilët kanë përzgjedhur këtë shfaqje si shfaqjen e parë mysafire për të dërguar produksionet shqiptare më afër komunitetit shqiptar në Gjermani.

Kjo shfaqje trajton një këndvështrim të veçantë mbi jetën në përgjithësi. Kur një udhëtar në një mjet transporti gjatë kohës së luftës, viti 1998 (autobus) vritet nga plumbi i snajperit ku ndikohen jetët e të gjithë të pranishmëve, ashtu si ndikohet edhe vetë udhëtimi i tyre. Kjo ngjarje atëherë ritregohet nga gjithë udhëtarët, nga ata që kanë parë diçka e deri tek ata që mendojnë se kanë dëgjuar apo ata që kanë kaluar aty pranë. Ngjarja tregohet deri në pikën e absurdit duke treguar mbi vetë faktin e jetës, se si ajo vazhdon dhe se si shpeshherë ngjarjet e ndryshme nuk janë asgjë më tepër se një fakt banal në skemën e madhe që është vetë jeta.

Në këtë shfaqje luajnë aktorët : Rebeka Qena, Adrian Morina, Armend Ismajli dhe Besnik Krapi./ KultPlus.com

George Bush vlerëson shqiptarin e parë që hap shkollë të muzikës në Amerikë

Jeta Zymberi

Emri i Gezim Gashit po lartësohet çdo ditë e më shumë. Kjo falë punës së tij të madhe e cila po sjell çdo ditë e më shumë sukses, shkruan KultPlus.

Një ndër artistët më të njohur në Suedi, ai tashmë ka arritur që të jetë shumë i suksesshëm edhe në Amerikë. Gashi dy vitet e fundit ka zhvilluar edhe markën për shkolla dhe kompani të tjera në Suedi dhe Evropë të titulluat ‘By Gezim Gashi’ duke bashkëpunuar me shkollat më me nam në Amerikë dhe jo vetëm.

Gezim Gashi u bë shqiptari i parë që hap shkollë të muzikës në Los Angeles dhe Atlanta, por ai nuk e ka ndërmend të ndalet.

Mbrëmë në Los Angelos, është organizuar një event nga Oaks Christian School dhe Gezim Gashi  të cilët bashkë po e hapin shkollën Institute of Arts and Innovation në gusht të këtij viti. Ky event kishte një qëllim krejt të veçantë, krijimin e një fondi për të ju dal në ndihmë të gjithë atyre talenteve që nuk kanë mundësi të shkollohen. Gashi ka treguar për KultPlus se shuma e grumbulluar në këtë mbrëmje ishte 1 milion dollarë dhe ai u shpreh tejet i lumtur që këto mjete do të ju ndahen talentëve të rinj për shkollim.

Në këtë event ishin të pranishëm shumë artistë, biznesmen e figura të njohura të cilët dhanë kontributin e tyre për këta të rinj.

Ndër të pranishmit ishte edhe ish – Presidenti i SHBA-së George w. Bush dhe Laura Bush, ndër përkrahësit më të mëdhenj të Pavarësisë së Kosovës.

Gezim Gashi është vlerësuar në mënyrë të jashtëzakonshme nga George W. Bush, i cili e ka vlerësuar punën e tij që po e bënë me talentët e rinj.

Gjatë takimit të tyre, Bush dhe Gashi, ndër të tjera ata kanë folur edhe për Kosovën.

“Në momentin që i kam treguar George W. Bushit që unë vij nga Kosova dhe gjithë rrugëtimin tim dhe largimin nga lufta, ai ka reaguar me një ëoë dhe u shpreh shumë  i lumtur që kam arritur këtu ku jam. Më ka vlerësuar shumë për punën që po bëj, ndërsa për mua ka qenë një ndjenjë si në ëndërr momenti kur ai më ka dhënë dorën dhe vlerësimet që i kam dëgjuar nga ai, ishte një moment shumë domethënës për mua”, ka thënë Gashi për KultPlus.

https://www.instagram.com/p/Bv9My-lgqdw/?fbclid=IwAR3GFEkx49CzKx21eYmt2gLQPHFj5RaDnahZzorySVyDDjtR0g1J12_QaT8

Ai gjithashtu tregoi së sa falënderues i është shprehur ish-presidentit të SHBA-së për përkrahjen që i ka dhënë Kosovës.

“Bush ishte një njeri i mrekullueshëm, në momentin që e falënderova për ndihmën që i ka dhënë shtetit tonë ai u ndje shumë i mirë”, tregoi krejt për fund Gashi.

Gashi, është një sipërmarrës i përhershëm dhe student i Harvard Business, ka zhvilluar markë për shkollat ​​muzikore që po udhëheqin dhe për kompanitë e tjera në Suedi, Evropë dhe Shtetet e Bashkuara. Puna e tij inovative është njohur nga revista Forbes dhe Huffington Post. /KultPlus.com

Në Egjipt gjenden minj e zogj të balsamosur në varrin 2000-vjeçar

Minj të balsamosur janë gjetur mes artefakteve të zbuluara në një varr të dekoruar që është zbuluar së fundmi në qytetin egjiptian Sohag.

Minjtë dhe kafshët e tjera rrethonin dy trupa njerëzish, të balsamosur, dhe dhoma e varrimit mbante detaje të pikturuara të ceremonive të varrimit dhe njerëzve që punonin në fusha.

Ekspertët thonë se varri është më shumë se 2000-vjeçar dhe mendohet se i përket një zyrtari të lartë të quajtur Tutu dhe bashkëshortes së tij. Ai u zbulua në tetor, kur u kapën disa trafikantë që gërmonin ilegalisht për artefakte.

Mostafa Waziry, Sekretar i Përgjithshëm i Antikiteteve, tha: “Ky varr i mirë dekoruar është ende në gjendje perfekte edhe pse është më shumë se 2000-vjeçar. Kur ne filluam gërmimet gjetëm shumë fragmente, shumë objekte dhe më shumë se 50 kafshë dhe zogj të balsamosur”, transmeton Tch.

Ministria egjiptiane e Antikiteteve shpreson se zbulimi do të tërheqë vizitorë në qytetin e braktisur 390 km në jug të Kajros, afër lumit Nil. Që nga trazirat e vitit 2011, destabiliteti politik i vendit dhe pasiguria kanë goditur rëndë industrinë e turizmit. Dhe ministria shpreson që ky atraksion i ri të ndihmojë në kthimin e vizitorëve./ KultPlus.com

Shpend Doli fitues i çmimin special në Festivalin e Kitarës në Bullgari

Kitaristi nga Gjakova, Shpend Doli ishte pjesëmarrës në garat e XXIII-ta Ndërkombëtare të Kitarës Klasike në Kyustendill të Bullgarisë. Nga kjo garë Doli nuk u kthye duar thatë. Ai fitoi çmimin special (Gategoria IV-të 18+), shkruan KultPlus. 

Shend Doli është nxënës i shkollës së muzikës “Prenk Jakova” në Gjakovë i klasës së XXII-të në klasën e mësimdhënësit Gjulian Bytyqi të cilin ai e falënderon për punën dhe përkushtimin e treguar.

Kujtojmë që Doli, vitin e kaluar fitoi çmimin e II-të në kategorinë e IV, në festivalin e XIV Naissus Guitar Festival” në Nish. / KultPlus.com

“Para se të ma shkatërronin fëmijërinë”, Vasfije Krasniqi publikon fotografi kur ishte 16 vjeç

Vasfije Krasniqi – Goodman, e mbijetuara e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë ka rikujtuar kohën para se të përjetonte tmerrin nga paramilitarët serbë. Ajo në Facebook ka publikuar një fotografi kur ishte veç 16-vjeçe.

“Para se të ma shkatërronin fëmijërinë’’, ka shkruar Vasfija sipër fotografisë.

Në tetor të vitit të kaluar, për herë të parë, Vasfije Krasniqi kishte rrëfyer tmerrin e përjetuar gjatë luftës. Ajo me lot në sy kishte treguar për torturat që kishte përjetuar në luftë, e që në atë kohë ishte po ashtu 16-vjeçare.

Ajo tregon se gjatë kohës së luftës në Kosovë ishte përdhunuar nga dy serbë: njëri prej tyre polic i regjimit të Slobodan Millosheviqit dhe rasti kishte ndodhur në fshatin Babimovc të Vushtrrisë.

“Më 14 prill të vitit 1999 kam qenë në oborr dhe kam hyrë brenda dhe i kam thënë nënës me dalë dikush te dera me qelë derën. Dikush jashtë derës na tha ‘qelne derën’… edhe është dashtë me qelë… Ne nuk e dinim nëse kanë hy me na vra apo kanë hy me bastisë, mirëpo ai pyeti se ku e keni babën edhe vëllanë. Nana i tha që janë në Gjermani, e ai më tha: ‘Jo nuk janë në Gjermani, por kanë shku në luftë’”, tregon Vasfija, e cila aktualisht jeton në Teksas të Shteteve të Bashkuara.

“Ai hyri brenda dhe më pastaj më mori mua, më tha se do të shkojmë për të dhënë deklaratë në polici… Nuk doja të shkoja, por ai më kapi dhe më futi në një makinë 101-sh të kaltër”, rrëfen ajo.

“Ai nuk vazhdoi drejtë ku është stacioni i Policisë, por ka vazhduar në drejtim të Prishtinës. Unë e dija, por se kuptoja se çfarë do të ndodhë me mua sepse unë kam qenë fëmijë, 16-vjeç. Ka ardhur në fshatin Babimovc tek një kishë aty; fshati ka pasur shumë serb”, vijon rrëfimin 36-vjeçarja.

“Në atë moment unë vetëm doja të vdisja me një plumb edhe kurgjo tjetër. Veç me më vra”, shprehet Krasniqi.

Vasfija thoshte se polici serb i kishte thënë se nuk do ta vriste për një arsye të vetme: që të vuante më shumë.

“E ka ndal kerrin dhe më ka detyruar me dalë prej kerrit dhe aty kishte pasur kallamoq. Më ka gjuajtur aty dhe çfarë ka ndodhur pastaj nuk mundesh me marrë me mend. E ka pasur dorën e majtë të lidhun edhe thojke: ‘Nuk të vras sepse kështu hjekë më shumë”, shprehet ajo.

Por, tmerri i asaj dite për Vasfijën nuk ishte ndalur me kaq. Ajo shprehet se ishte dhunuar seksualisht edhe nga një tjetër person, që ishte veshur me rroba civile.

“Pastaj është kthyer në makinë dhe ka ardhur një tjetër; ai nuk ka qenë me rroba të policisë, por me rroba civile. Më ka dërguar në një shtëpi tjetër afër shitores së fshatit Babimovc. Kur është kthyer ky i vjetri prapë në makinë, ka kaluar një ushtar aty pranë. I kam thënë që unë dua vetëm të shkojë në shtëpi. Ai më ka thanë: ‘Mos trego ku je kanë, thuaju në shtëpi se ke qenë me dhënë deklaratë në polici’. Më ka thanë që nëse u tregon familjarëve ne kemi me të vra”, rrëfen Vasfije Krasniqi-Goodman.

Ndryshe, 36-vjeçarja, tanimë jeton në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe është nënë e dy fëmijëve. / KultPlus.com

Majk dhe Butrint Imeri vijnë me këngë të re (VIDEO)

Hip hop artisti, Majk, dhe këngëtari Butrint Imeri, kanë publikuar projektin e ri.

Bëhet fjalë për një këngë ritmike, e cila i sjell dy artistët bashkë në një këngë me potencial për hit.

Kënga është punuar ngaRzon Music kurse teksti nga vet artistët.

Ndërkaq, videoklip me pamje mjaft atraktive është punuar nga Entermedia.

Për Majk ky projekt ështëi pari pas këngës “Nuk dorëzohna”, kurse për Butrintin shërben si një paralajmërim për një verë të nxehtë. / KultPlus.com

Flaka Goranci, pjesë e ‘Ballos Vjeneze’

Pas suksesit të edicionit të parë, që solli eksperiencën mahnitëse të Valsit Vjenez, muzikës së mrekullueshme dhe performancat e shkëlqyera artistike, tashmë vjen edicioni i dytë i Ballos Vjeneze në Tiranë, shkruan KultPlus.

Ballo Vjeneze do të zhvillohet ditën e premte, më 12 prill, në Pallatin e Kongreseve, duke mbledhur bashkë miq Shqiptarë dhe Austriake, personalitete, njerëz të biznesit, artistë dhe çdo qytetar që ka pikë të dobët muzikën klasike dhe valsin vjenez. Nën kujdesin e Bashkisë së Vjenës dhe Bashkisë së Tiranës, ky edicion i Ballos Vjeneze në Tiranë do të konsolidojë këtë traditë të mrekullueshme, prezente në metropolet më të rëndësishme të botës.

Ndër të tjerë artistë të ftuar në këtë edicion, është edhe mezzo-sopranoja e njohur kosovare Flaka Goranci. Flaka ka performuar në shumë skena prestigjioze si: Theater an der Wien, Konzerthaus Vjenë, Gläserner Saal Musikverein, Stefaniensaal Graz, sallë MuTh, sallën e koncerteve Vatroslav Lisinski e shumë skena të tjera, ndërsa kësaj radhe ajo kthehet në Tiranë për një tjetër performancë.

“Jam shume e lumtur te kthehem ne atdheun tim te dyte, ne Tiranën e bukur e te interpretoj perkrah artisteve te medhenje ne Ballon Vjeneze te organizuar nga Iceberg Communication, Ambasada e Austrise, Bashkia e Tiranes etj…”, ka shkruar Goranci në Facebook.

Artistë të tjerë pjesëmarrës në këtë event janë: Uwe Theimer, Andreas Jankowitsch, Orkestra RTSH​, Enada Hoxha & Gerd Vaso, Debutantët e Shkollës së Baletit, Familja Qerimi, Laert Vasili.

Balloja Vjeneze daton si traditë që në shekullin e XIV-të dhe arriti majën e shkëlqimit gjatë Kongresit të Vjenës, kongresi në të cilën morën pjesë gjithë shtetet dhe fuqitë Evropiane në përpjekje për të arritur një marrëveshje për një rend të ri në kontinentin e vjetër. 

Sot më shumë se 400 ballo organizohen çdo vit në Vjenë me një numër vizitorësh më të madh se 500.000 vetash. Balloja Vjeneze është shndërruar në një eksport të suksesshëm kulturor dhe organizohet më shumë se 30 herë në vit në metropolet më të rëndësishme botërore: Athinë, Berlin, Bruksel, Londër, Madrid, Moskë, Nju Jork, Paris, Pekin, Pragë, Romë, Tokjo, Zyrih etj.

Përveç simbolikës kulturore, eventi është një manifestim i miqësisë Shqiptaro-Austriake dhe përbën një hap tjetër për të intensifikuar bashkëpunimin mes kombeve tona. / KultPlus.com

http://ballovjeneze.com/

Qytetet e Evropës të ri-imagjinuara nga duart e këtij artisti (FOTO)

Ndonëse njerëzit shumë shpesh vendosin të bëjnë foto pranë monumenteve ikonike arkitekturore, të qyteteve të Evropës, artisti Maxwell Tilse ka ndjekur një rrugë tjetër.

23 vjeçari që jeton në Londër ka realizuar skica impresionuese të vendeve të cilat i ka vizituar duke iu dhënë atyre një pamje shumë inovative e tërheqëse, të ndikuar nga udhëtimet e tij.

Më poshtë mund të shihni disa nga projektet artistike që tashmë janë bërë të famshme në rrjetet sociale./Ndërtimi.info/ KultPlus.com

Familja do të publikojë albumin e lënë përgjysmë të Aviicit

Në 20 prill të 2018, DJ me famë botërore, Avicii u nda nga jeta mënyrë të papritur. Ai la pas shumë punë të tij, të cilat së shpejti pritet të gjejnë dritën e publikimit.

“Daily Mail” shkruan se familja e DJ do të publikojë një album me këngë origjinale të Avicii-t, për rastin e 1-vjetorit të ndarjes nga jeta.

Përpara se të ndërronte jetë, ai ishte gati drejt kompletimit të albumit, por nuk arrite ta përfundonte punën e tij. Është mësuar se kjo vepër artistike do të quhet “Tim”, emri real i DJ. G

jatë karrierës së tij, Avicii punoi me disa nga personazhet më të njohur të muzikës dhe në një kohë fare të shkurtër fitoi zemrat e publikut me këngët e tij. Në 2016 ai vendosi të hiqte dorë nga performancat ‘live’, për shkak të problemeve të shumta me shëndetin, kryesisht mendor, si stresi dhe ankthi. Në një dokumentar të realizuar me histori të vërteta nga Avicii, thuhej se ai jetonte në një presion të vërtetë, sepse i duhej të jepte 320 performanca brenda një viti. / KultPlus.com