‘Ju nuk e doni vendin tuaj, sepse interesat personale, inatet dhe paraja ju kanë rrëmbyer edhe atë pak dashni’

Luan Durmishi – Tenor

Kur bota po mrekullohet çdo ditë e më shumë vetëm me artistët dhe sportistët kosovar, ju nuk e votoni ligjin për sponsorizim në kulturë dhe sport.

Ju nuk e votoni, sepse ju jeni turpi i këtij vendi. Ju kur ndodh diçka e bukur në artin dhe sportin kosovar, brenda e sidomos jashtë vendit, vraponi kush më shpejtë e kush më parë të bëj statuse mburrjeje për sukseset tona të merituara!

Ju kur ndodh diçka e bukur nga artistët dhe sportistët kosovar jashtë vendit, vraponi me shumicë për ti hipur aeroplanit ti merrni ato dreq meditje që paguhen nga taksat tona dhe për tu dukur të “kulturuar” kinse ne kuptojm nga arti dhe i suportojmë artistët dhe sportistët tanë!

Juve vetëm me art dhe sport ju ka mbetë të krenoheni dhe me asgjë t’jetër, sepse jeni bërë vetë turpi për botën, kurse ne suksesi dhe imazhi më i mirë !

Tash, kur erdhi momentumi jonë ta përfaqësojmë vendin më lehtë dhe dinjitetshëm brenda dhe jashtë, siq e kemi bërë deri tash, ju nuk i hapni rrugën artit dhe sportit për inatet dhe interesat e juaja personale.

Ju është e vërtet që jeni shumë më të fuqishëm se ne ekonomikisht dhe në vendime të tilla, sepse vetëm ju më së miri e dini këtë, se si keni mbërri deri aty, por e vërteta është se ju kurr nuk do të mund ta luftoni dhe bllokoni fuqinë që e kemi ne si artistë dhe sportist.

Ju nuk e doni vendin tuaj, sepse interesat personale, inatet dhe paraja ju kanë rrëmbyer edhe atë pak dashni nesë e keni pasur për vendin ndonjëherë ! Kurse ne për dallim nga ju, e duam dhe do ta dojmë gjithmonë vendin, madje do të vazhdojmë pa u ndal ta bëjmë sa më të bukur që mundemi me punën tonë./KultPlus.com

Në gjurmët e pazbuluara të motiveve shqiptare të skulptorit vjenez, Carl Maria Schwerdtner

Armand Plaka

Në Arkivën Shtetërore Fotografike të Austrisë, në fondin që lidhet me Luftën e Parë, e përkatësisht me frontin shqiptar, një foto shumë interesante që hasa para shumë kohëve më bëri t’i rikthehem sërish me këmbëngulje.

Më konkretisht, foto që po botoj në këtë postim, na dëshmon prezencën dhe interesin e njërit prej skulptorëve, dizenjatorëve e heraldëve më të famshëm vjenezë të kohës, Carl Maria Schwerdtner (1874-1916) në muajt e fundit të jetës, ndërsa po përmbush misionin e tij duke marrë për model një malësor shqiptar.

Nga skeda origjinale nuk ka bëhet e ditur saktësisht se ku është duke pozuar subjekti, i ndjekur me interes nga Prof. Schwerdtner dhe dishepujt e tij, por na bëhet i ditur qyteti, dmth Shkodra si dhe viti, 1916.

Pas indicieve që më dhanë një grup i vogël artëdashësish austriakë, të cilët pata rastin t’i shoqëroj pak kohë më parë, më rezulton se Profesor Schwerdtner, lindi në Vienë më 27.5.1874 ( ku edhe ndërroi jetë në vitin 1916) dhe në vitin 1892–97 ai ndoqi studimet në Akademinë e Arteve në Vienë, pas të cilave ndërmori një sërë udhëtimesh nëpër Europë për të njohur më mirë traditat dhe zakonet e popujve e krahinave të ndryshme.

Pas kthimit në atdhe ai punoi në atelienë Benk para se në vitin 1900 të shkonte sërish në Gjermani, Belgjikë Francë dhe Londër. Ndërsa kthehet sërish në vendlindje, në Vienë ai çel atlienë e tij ku spikatën skulpturat e tij të veçanta dhe arti heraldik në medalje e medalione. Ai punoi shumë edhe në gips, bronz, hekur, gurë e mermer.

I përfshirë në atë që njihej tashmë si “Lufta Patriotike” ( Lufta e Madhe dmth Lufta e Parë Botërore) ai ishte autor i shumë veprave në vitet 1914-1916 si dizenjator i medaljeve të luftës dhe u shfrytëza edhe nga shtypi ditor për hartimin e stampimin e skicave, gravurave e imazheve që lidheshin me luftën.

Në këtë kuadër, ai u dërgua përkohësisht edhe në Shqipëri, në Shkodër, ku ishte qendra e Komandës së Trupave Austro-Hungareze në Shqiëpri, ku ai ndër të tjera regjistroi edhe skulptura, portrete e figura malësorësh, të cilët duhet të përbëjnë tashmë një objekt të mirëfilltë kërkimor për të dokumentuar më mirë pjesën që lidhet.

Shkolla verore për fëmijë që rekomandohet më së shumti nga prindërit ne Kosovë


Anglia Summer School
 është programi më atraktivë veror në Kosovë për fëmijë të moshave 5-17 vjec. Qëllimi i #AngliaSummerSchool është gjuha angleze përmes aktiviteteve praktike dhe në lëvizje. 

Komunikimi bëhet vetëm në Gjuhën Angleze me profesorë ndërkombëtar.

Anglia Summer School organizohet në 7 qytete të Kosovës duke përfshirë Prishtinën, Prizrenin, Ferizajin, Gjakovën, Pejën, Gjilanin dhe Mitrovicën.


Përgjatë një edicioni të Anglia Summer School fëmijët do të jenë pjesë e shumë aktivitieteve si:

Eksperimente shkencore praktike ne kimi dhe fizike;

Klasa te Gatimit;

Climbing (Ngjitje profesionale)

Kayak dhe stand-Up Paddle

KAMPING – Mbijetesa në natyrë;

Klasë profesionale e notit;

Në përfundim të Shkollës Verore fëmijët do të pajisen me Certifikata Ndërkombëtare nga Anglia Network Europe.

Për më shumë #informata rreth Shkollës Verore 2019 ju lutem klikoni këtu: https://bit.ly/2JniFoM apo ne 044166173!/KultPlus.com

Një film kinez për Shqipërinë: ‘Balkan Blood’ po shfaqet në kinema në Tiranë

Dikur filmat tanë mrekullonin audiencën kineze. Sot një producent i ri kinez, i mahnitur nga historitë që babai i tij i rrëfente, për kinemanë shqiptare udhëtoi këtu dhe gjeti sheshxhirime, për filmin e tij të parë në bashkëpunim me aktorë shqiptarë.

“Balkan Blood”, e quajti ai filmin, që aktualisht po shfaqet në të gjithë kinematë e Tiranës. Ai dukshëm ka korrur sukses, megjithëse ngelet në kategorinë e filmave komercialë.

“Është hera e parë që unë sjell një film kinez këtu në Shqipëri. Por ashtu siç mund ta dini ne kemi një histori të gjatë mes dy vendeve. Kur babai im ishte i ri shihte shumë filma shqiptarë. Ata janë të emocionuar teksa më thanë: hej djalë çove një film kinez në Shqipëri” është shprehur producenti, Cui Wenchao.

Filmi ka si personazh kryesor ekspertin Kinez të Arteve Luftarake Qiao Lin, që përballet me bandën e gangsterëve Ballkanas. Pushteti që favorizon kriminelët është në qendër të subjektit të filmit, duke u përkthyer edhe si një atashim indirekt për realitetin ballkanik.

Filmi vjen nën regjinë e Shou Hao. Është xhiruar në disa destinacione në Shqipëri, si Petrelë, Durrës etj dhe sjell në role aktorët Yu Chong, Klodian Hoxha, Emi Canaj, Kamber Mici etj.

“Kam qenë në Durrës dhe Vlorë për të xhiruar këtë film. Bregdeti është i mrekullueshëm. Kjo ishte eksperienca ime e pare këtu, por Zoti më bekoi që të gjeja aktorë shumë të mire këtu.Ishte një experience shumë e bukur të bëja këtë punë këtu” ka shtuar producenti.

Balkan Blood që mbështjell ngjarjet nën zhanrin e aksionit dhe “thrillerit”. Aktualisht ai është në të gjitha kinematë e kryeqytetit.

Tenori kosovar këndon këngë popullore midis Moskës

Tenori i njohur shqiptar, Ramë Lahaj, ka publikuar pamje nga Moska duke kënduar muzikë popullore shqiptare. Ramë Lahaj, njihet për zërin e tij të veçantë, e këtë e ka dëshmuar disa herë.

Kësaj radhe, ai është paraqitur nga Moska, duke shkruar se kur i bie rreth e përqark dynjasë, duke e hequr make-upin, ia kris këngës së qejfit.

“Ai momenti kur e hapë dhe e mbyllë sezonin e 243-të, të teatrit gjigant, atë të Bolshoit, të Moskës e po ashtu i bie dynjasë rreth e përqark e duke e hequr make upin ia krisë këngës së qejfit. Zotit e njëri tjetrit i qofshim falë për gjitha të mirat që i gëzojmë. Gëzofshi të mira edhe ju o njerëz të mire” shkroi Lahaj. 

Të burgosurit shqiptarë që prodhojnë verë 75 euro shishja

Nga dënimi për vrasje, në histori suksesi brenda burgut.Kjo u ka ndodhur 3 shqiptarëve në Itali, dy 46 vjeçar të quajtur Andrea dhe Astrit si dhe Hasës, 43 vjeç, të cilët punojnë për prodhuesin vendas të verës, Federico Falossi.

Gjithçka ndodh në Gorgona, një ishull 34 km larg Livornos, me shumë pak banorë të mbetur, kryesisht të moshuar, ku ndodhen edhe 95 të burgosur, 24 oficerë burgu, drejtori dhe stafi i mirëmbajtjes. Falë një projekti ekologjik, burgu ka përfituar të drejtën e prodhimit të verës së bardhë në zonë, ku një shishe e saj kushton 75 euro dhe vetëm në vitin 2018 ata shitën 9 mijë të tilla.

“Il Giornale” ka pyetur Andrean, i dënuar për një vrasje në Milano, për të cilën ka vuajtur 11 vite burg në Volterra, para se të transferohej në punishte, 7 vjet më parë, transmeton Dita.

Për 3 vite, Astriti fiton lirinë, por lidhja me vreshtat duket se është e fortë. “Kur të dal, dua të punoj ende këtu, nëse do të më pranojnë”, thotë ai. Pronari i vreshtave shprehet se u kishte thënë të burgosurve që të mos binin në dashuri me këtë projekt, sipas të cilit, të burgosurit për krime të rënda, që janë pranë lirimit, sillen aty për t’u përshtatur më tepër me jetën jashtë hekurave.

Një dekadë pa Michael Jackson



Po bëhen 10 vjet nga vdekja e pop yllit Michael Jackson.

Në shëtitoren e famës në Hollywood, ylli i këngëtarit legjendar vazhdon të shndërrij fort, turistët admirojnë kërcimtarët e rrugës që nderojnë figurën e tij, ndërsa dyqanet e suvenireve shijojnë përfitime të mëdha, megjith zhgënjimin që ngjalli dokumentari “Leaving Neverland”, që dilte me pretendimin se Michael kishte abuzuar me fëmijë të mitur.

“Edhe pas transmetimit të dokumentarit nga HBO, unë pata po aq vëmendje nga njerëzit, për të mos thënë më shumë se përpara!!! Duket sikur e gjithë kjo solli efektin e kundërt, sikur ishte një lloj publiciteti. Nuk thonë kot: nuk ka publicitet te keq!”, tha Antoine Baynes, kërcimtar.

Ylli i popit ndërroi jetë 25 qershorin e vitit 2009 në Los Angeles.

Dy vjet me vonë, një Gjykatë e gjeti mjekun e tij, Conrad Murray fajtor për vrasje pasi i kishte dhënë këngëtarit një mbidozë ilaçi Propofol për t’a ndihmuar të flinte.

Kitarat Gibson, simbol i Rock ‘n’ Roll

Për dekada në skenën e rokenrollit dhe rokut kaluan artistë të mëdhenj të cilët jo vetëm që e ndryshuan muzikën por edhe shoqërinë.

Fillimisht, ishin të tillë si Chuck Berry dhe B.B. King, për t’iu hapur rrugë akteve si Elvis Presley, The Beatles dhe The Rolling Stones.

Të 70-tat u identifikuan me bende si Led Zeppelin dhe AC/DC, ndërkaq të tetëdhjetat me ato si U2 dhe Guns ‘N’Roses.

Të gjithë këta artistë të lartpërmendur kishin shumëçka të përbashkët, por ishte diç që iu dha platformë veprave dhe melodive të tyre. Në koncerte, në performanca televizive, në studio dhe në shtëpitë e tyre hasje në një kitarë të markës Gibson – markë kjo që kontribuoi në përkufizimin e tingullit të zhanrit që ushtoi dhe pushtoi pjesën dytë të shekullit të kaluar.

Në fotografitë më poshtë mund t’i shihni disa nga artistët me nam duke e mjeshtëruar zanatin e tyre me llojet e ndryshme të kitarave Gibson.

DokuFest prezanton temën për edicionin e sivjetmë

DokuFest ka shpallur sot temën për edicionin e sivjetmë, i cili do të mbahet prej datës 2 deri me 10 gusht në Prizren.

Duke zgjedhur TË VËRTETËN si temë të edicionit të 18 të festivalit, DokuFest i bashkohet diskutimit mbi atë se çfarë është e vërtetë dhe çfarë është e rreme dhe mënyrën se si kjo na ndikon të gjithëve. Në atë që premton të jetë një program i filmave radikalë, me një numër folësish që do të diskutojnë nocionin e së VËRTETËS, si në kinema ashtu edhe në botë dhe përmes një programi të ekspozitave të hapura, ligjëratave nga artistë të ndryshëm, punëtori bashkëpunuese si dhe performanca muzikore të larmishme, DokuFest ju fton t’i bashkoheni këtij udhëtimi shumëngjyrësh mes realitetit dhe fantazisë, gënjeshtrave subjektive dhe të vërtetave objektive – politikës në një botë të globalizuar dhe peizazhit dixhital të së post-vërtetës.

Programi garues i Dokufestit do të shpallet në të premten e 5 korrikut, 2019.  /KultPlus.com

EBU tregon se a do të votohet për pranimin e Kosovës në Eurovision këtë javë

Kosova është duke pritur tash e disa vite që të pranohet në garën e këngës evropiane “Eurovision Song Contest”.

Rrjeti i Transmetuesve Evropian (EBU), i cili organizon festivalin, këtë të enjte do ta mbaj Asamblenë e Përgjithshme, e cila mbahet dy herë në vit, ku edhe pritet të votohet për ndryshimin e statusit për shtetet të cilat duan të bëhen anëtare të EBU-së, shkruan Magazina.al

Në një përgjigje për Magazina.al, EBU ka konfirmuar se më 27 qershor do të votohet për kriteret e reja të anëtarësimit, ku në rast se këto ndryshime të statusit marrin votat e nevojshme, RTK-ja do të mund të aplikoj për anëtarësim dhe në Asamblenë e Përgjithshme të dhjetorit të votohet për pranimin e Kosovës në EBU.

“Një votim do të mbahet në Asamblenë tonë të Përgjithshme më vonë këtë javë mbi kushtet e reja për Anëtarësimin në EBU. Nëse Asambleja e Përgjishme  voton për të ndryshuar kriteret për anëtarësim, RTK-ja duhet të aplikojë zyrtarisht sipas rregullave të reja. Një vendim mbi Anëtarësimin është i mundur pastaj në Asamblenë e dhjetorit”, thuhet në përgjigjen e EBU-së për Magazina.al

Nga kjo kuptohet që Kosova do ta ketë të vështirë pjesëmarrjen në Eurovisionin e vitit të ardhshëm, i cili mbahet në Holandë, pasi sipas rregullave, EBU publikon listën e shteteve pjesëmarrëse në fund të dhjetorit dhe RTK veshtirë se do të kap afatet kohere edhe nëse votohet për anëtarësimin e saj në fund të këtij viti.

Por egziston edhe mundësia që në rast të pranimit të RTK-së në EBU në Asamblenë e dhjetorit, Kosova të ftohet më pas në Eurovision nga Holanda si shtetet organizator, pasi afati i fundit për zgjedhjen e këngëve pjesëmarrëse të Eurovisionit është 15 marsi.

Kujtojmë se statusi i tanishëm i EBU-së për anëtarësim, thotë se vetëm shtetet të cilat janë anëtare në ITU (Rrjeti I Ndërkombëtar i Telekomunikacionit) ose Këshillit të Evropës mund të bëhen anëtare në EBU dhe të marrin pjësë në Eurovision./Magazina.al/ KultPlus.com

Muzeu i Akropolit hap për vizitorë lagjen e kohës bizantine

Muzeu i Akropolit në Greqi ka hapur për vizitorë hapësirën ku po gërmohet nën ndërtesën e institucionit, duke lejuar vizitorët për herë të parë për të ecur nëpër një lagje të lashtë të Athinës, që ka mbijetuar nga epoka e kohës bizantine.

Muzeu, i cili është në këmbët e malit të Akropolit në Athinë, shpërfaq skulptura që janë kryevepër e antikitetit grek, duke përfshirë vepra nga Partenoni, një nga ndërtesat më me ndikim në qytetërimin perëndimor.

“Vizitorët mund të vijnë poshtë dhe të shohin rrënojat e lashta të qytetit të Athinës, sidomos në zonën në jug të Akropolit”, ka thënë drejtori i Muzeut të Akropolit, Dimitris Panter.

“Ne shpresojmë për të paraqitur në mënyrë sa më të mirë e të shpejtë gjithçka që fshihet poshtë, për të dhënë një pamje të jetës së përditshme të Athinës së lashtë”.

Poshtë bazës së Muzeut gjithandej në shtyllat e betonit, qëndron një lagje e shtëpive që janë gërmuar ku pos të tjerash ka edhe banjë, rrugë dhe llogore të kullimit, të cilat janë zbuluar gjatë punimeve për ndërtimin e Muzeut.

Duke ecur përmes laurave metalike, vizitorët mund të shohin banjë e pallate luksoze, ku në atë kohë përfshinin dhoma që mund të ngroheshin e po ashtu edhe pishina me ujë të nxehtë.

Një nga pikat kryesore është shtëpia e një të pasuri, që daton në shekullin VI pas Krishtit.

“Është interesante, një përvojë mahnitëse”, ka thënë Carl Hoover, 63-vjeçar, një vizitor nga Kolorado. Ai ka thënë se më së shumti është impresionuar nga dyshemeja e mozaikut dhe tubat e sofistikuara dhe sistemet e kullimit.

Projektuar nga arkitekti Bernard Tschumi, Muzeu i Akropolit ka tërhequr më shumë se 14 milionë vizitorë, që kur hapi dyert 10 vjet më parë.

Mermerët e Parthenonit momentalisht janë vendosur në Muzeun Kombëtar, që kohëve të fundit ka intensifikuar fushatën për kthimin e skulpturave/ Reuters. / KultPlus.com

Kërkohet që “fëmijët të rriten me dashni, jo me papuçe”

Me moton “Rrite me dashni”, një grup i fëmijëve, përfaqësuesve të organizatave dhe qytetarëve marshuan sot në sheshin e kryeqytetit në kuadër të fushatës “Papuçja është për t’u mbathë e jo për të goditë”, me qëllim të ndalimit të ndëshkimit trupor dhe dhunës ndaj fëmijëve.

Nën organizimin e organizatës Syri i Vizionit në partneritet me Save the Children zyra në Kosovë dhe në bashkëpunim me Komisionin për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, Persona të Pagjetur dhe Peticione, ata kanë ecur prej Kuvendit të Kosovës deri tek sheshi “Zahir Pajaziti”, ndërsa kanë kërkuar miratimin sa më të shpejtë të Ligjit për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve, transmeton Telegrafi.

Me këtë rast, deputetja Duda Balje, njëherësh kryetare e Komisionit për të Drejtat e Njeriut, tha se kanë bërë një punë të mirë me Ligjin për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve.

“Kemi përfunduar me punën. Ne kemi bërë një ligj shumë të mirë. Kemi ndarë ligjin në disa pjesë shumë të rëndësishme për fëmijët e Kosovës. Tash jemi veç duke pritur votimin e dytë brenda parlamentit. Unë jam e sigurt se ne brenda disa ditëve do të kryejmë këtë punë serioze. Kemi edhe një obligim tjetër me e prezantu ligjin tek ju, që ju me e ditë se cilat janë të drejtat tuaja. Sot, jemi këtu me fol për papuçen. Na e dimë se për papuçen mundemi me fol shumë, unë jam gati e sigurt se na jemi duke e përdorë papuçen veç për punë të mira”, tha Balje.

Deputetja Mexhide Mjaku-Topalli u shpreh se kjo fushatë është një kambanë që po bie për të gjithë, për t’i thënë jo dhunës dhe abuzimeve.

Mjaku-Topalli tha se fëmijët përbëjnë të tashmen dhe të ardhmen e vendit. Prandaj, shtoi ajo, secili nga ta duhet të gëzojë të drejtën të rritet në një mjedis të sigurt dhe të qetë sikurse në shkollë, familje apo komunitet.

“Shqetësimi ynë si institucione është se fëmijët tanë po ballafaqohen me situata të vështira, rreziqe, dhunë, kërcënime dhe vrasje. Rasti i fundit në Gjilan që tronditi gjithë opinionin, është një alarm për të gjithë ne dhe duhet t’i thërrasim ndërgjegjes tonë që masat parandaluese për sigurinë e fëmijëve duhet të merren në mënyrë emergjente. Ne së bashku, mundemi dhe duhet të krijojmë ambiente të sigurta, të sigurojmë rrugët, duke mbuluar vendbanimet me kamera, të vendosim ndriçim në mënyrë që fëmijëve t’iu sigurohet më shumë mbrojtje në rrugë dhe në vendet ku ata veprojnë”, u shpreh ajo.

Drejtori i Save the Children, Ahmet Kryeziu, tha se si organizatë janë krenarë që kanë pasur rastin të punojnë në ndërgjegjësimin e shoqërisë sa i përket dhunës në familje, në të gjitha hapësirat ku fëmijët veprojnë.

“Ftoj nga këtu, të gjithë përfaqësuesit e popullit, të gjithë përfaqësuesit e shoqërisë civile, prindërit, dhe të tjerët, që të angazhohemi së bashku, që fillimisht me aprovimin e ligjit për të drejtat e fëmijëve, të fillojmë të mendojmë më ndryshe”, tha ai.

Naser Lajqi nga Syri i Vizionit tha se të rriturit kanë përgjegjësi dhe obligim t’u ofrojnë dashuri dhe gjithë çfarë meritojnë fëmijët.

Ai uroi që më së largu në korrik të këtij viti të miratohet ligji për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve.

E në emër të fëmijëve foli Fleta Mujaj, e cila tha se papuçja e çfarëdo mënyre tjetër e ndëshkimit vetëm sa rrit pasojat që kanë me i përcjellë fëmijët gjatë gjithë jetës.

“Çdo formë tjetër e ndëshkimit nuk është mënyrë e disiplinimit të mirëfilltë të fëmijëve. Kemi dëgju me qindra herë që dhuna nuk është mënyrë e zgjidhjes së konfliktit dhe është shumë e vërtetë. Dhuna vetëm se rritë pasojat me efekte negative që kanë me i përcjellë fëmijët dhe vet prindërit gjatë gjithë jetës”, u shpreh ajo.

Qëllimi i kësaj fushate është rritja e vetëdijesimit të prindërve dhe të rriturve për pasojat që ka ndëshkimi trupor dhe përdorimi i dhunës, dhe ushtrimi i dhunës me papuçe, si një dukuri mjaftë e shprehur në ambientet familjare. /Telegrafi/ KultPlus.com

Nuk është biri yt…fli i qetë!

Nga Sergio Guttilla

Po të ishte biri yt
do ta mbushje detin me anije
të çdo lloj flamuri.

Do të dëshiroje që të
gjithë bashkë me miliona
të bënin urën që ai
të kalonte.

Po të ishte biri yt do të hidheshe në det,
do ta vrisje peshkatarin që nuk ta huazoi
barkën, do të ulërije për të kërkuar ndihmë,
do të trokisje në dyert e qeverive.

Por rri i qetë,
nuk është biri yt.
Mund të flesh i qetë
E sidomos i sigurt.
Nuk është biri yt.

Është vetëm biri i humanizmit të humbur,
i humanizmit të ndytë, që nuk bën zhurmë.

Nuk është biri yt.
Fli i qetë,
nuk është i yti.
Ende jo…/KultPlus.com

Nxënësit realizojnë gjashtë vepra arti për 20 vjetorin e Policisë së Kosovës

Për nder të 20 vjetorit të themelimit të Policisë së Kosovës është zhvilluar aktiviteti “20 vjet me Policinë e Kosovës”, ku në kuadër të këtij aktiviteti janë mbajtur punëtori disa ditore, ku pjesëmarrës kanë qenë nxënës të shkollave fillore dhe atyre të mesme, shkruan KultPlus.

Gjithashtu, në aktivitetin “20 vjet me Policinë e Kosovës” të ftuar kanë qenë fëmijët nga SOS Fshatrat e fëmijëve të Kosovës si dhe fëmijë nga Down Syndrome Kosova.

Gjatë punëtorisë është realizuar mozaiku me logon e Policisë së Kosovës, ku edhe në fund të realizimit mozaiku është vendosur në objektet e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Kosovës.

Pastaj, realizimi i flamurit të Policisë së Kosovës me dimensione 9mX3m, ku edhe është shfaqur në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, shoqëruar nga pjesëtarë të njësive të ndryshme me anë të të cilëve është realizuar numri 20.

Nxënësit pjesëmarrës kanë realizuar gjashtë vepra arti, me motive nga Policia e Kosovës. Krejt në fund të aktivitetit fëmijët kanë mbjellë rreth 200 lule duke krijuar numrin 20-simbolikë e 20 vjetorit të themelimit të Policisë së Kosovës. 

Ky aktivitet është organizuar nga OJQ “Culturat” në Prishtinë në bashkëpunim me Policinë e Kosovës.

Si janë realizuar këto aktiviteti dhe atmosferën e punës KultPlus ju sjell përmes një video të përmbledhur:

Banorë të Sylanit të Mitrovicës protestojnë kundër ndërtimit të xhamisë, duan shkollë dhe ambulancë

Banorët e lagjes Sylani të Mitrovicës sot kanë protestuar para komunës kundër ndërtimit të një xhamie në lagjen e tyre.

Këta protestues kanë thënë se po kërkojnë revokim të menjëhershëm të lejes së ndërtimit të xhamisë në lagjen e tyre, deri në arritjen e një marrëveshjes në mes palëve.

Disa nga organizatorët e kësaj proteste u takuan me nënkryetarin e komunës së Mitrovicës, Faruk Mujka dhe me pas të gjitha kërkesat e tyre i ndan me media përmes një shkrese, përcjell ksp.

Në këtë letër thuhet se banorët, nga komuna e Mitrovicës po kërkojnë që të gjejnë një zgjidhje për ndërtim të një ambulance dhe shkolle për nivelin e ulët arsimor.

Kjo protestë ka ardhur pasi që të premten banorët kanë parë që investitorët kanë filluar punimet për ndërtimin e xhamisë.

Sipas banorëve kanë ardhur disa individë dhe i kanë kërcënuar duke u thënë se askush nuk guxon tua ndërpres punimet.

Po këta banorë ndërtimin e xhamisë në lagjen Sylani e kanë kundërshtuar me peticion para dy viteve, dhe po në qershor të vitit 2017 kishin marr shkresën zyrtare nga Drejtoria e Urbanizimit në Mitrovicë se asnjë punë nuk do zhvillohet në atë zonë pa ujdi mes palëve.

Sipas banorëve aprovimin për ndërtim të kësaj xhamie e ka dhënë hoxha Gazmend Mehmeti, për të cilin kanë kërkuar që ti revokohet aprovimi nga Bashkësia Islame e Kosovës.

“Open Cinema”, me filma shqiptarë dhe të huaj në Belsh

“Open Cinema” sezonin e tretë e nisi në qytetin e Belshit, ku për shtatë net me radhë u shfaqën filma të ndryshëm.

Ky event i rëndësishëm edhe këtë sezon të tretë në Belsh solli në vëmendjen e publikut shqiptar projeksionet më të mira të kinemasë shqiptare dhe asaj të huaj. E veçanta në këtë vit ishin prodhimet e filmit të animuar shqiptar, të cilat u ndoqën nga moshat e vogla dhe jo vetëm.

I konceptuar si një show kinematografik “Open Cinema” mblodhi para ekranit të madh emra të njohur të kinemasë shqiptare si aktorë, regjisorë, kineastë etj.

Mbrëmjet magjike të filmit u shoqëruan edhe me këngëtare, që performuan muzikën e njohur shqiptare duke sjellë emocione të bukura për filmin.

Natën e parë kaluan në tapetin e kuq emra të njohur të kinemasë sonë si aktorët Birçe Hasko, Bujar Asqeriu, Suela Konjari, Gentian Hazizaj etj. /a.a/ /a.g/

U arratis tetë herë nga nazistët gjatë Luftës së Dytë Botërore, historia e tij rrëfehet pas 70 vjetësh

Historia e një heroi, i burgosur i luftës, i cili thuhet se u arratis tetë herë gjatë Luftës së Dytë Botërore, u zbulua për herë të parë.

Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, bëhet fjalë për Thomas Moreton i cili ishte kapur nga ushtarët gjermanë pranë Dunkirkut, në Francën veriore, disa ditë përpara evakuimit të aleatëve në 1940.

Siç thuhet tutje, 23-vjeçari, u dërgua në Stalag XXB në Prusinë Lindore. Por Thomas, nga Walthamstow, Londër, u arratis në mënyrë të përsëritur nga kampi.

Një nga arratisjet e tij thuhet të ketë ndodhur në vitin 1942, ai u ngjit mbi një gardh me tela për të gjetur një mjek civil për të ndihmuar një të burgosur tjetër, të sëmurë rëndë.

Ai u kthye me një mjek miqësor gjerman, por u kap menjëherë nga rojat e zemëruar.

Pas një tjetër arratisje, në vitin 1943, Thomas kaloi pesë muaj duke luftuar përkrah Rezistencës Polake. Ai u kap dhe u vendos para një skuadre pushkatimi, por nuk u qëllua, pasi Gestapo mendonte se mund të fliste.

Pjesa më e madhe e arratisjeve të tij kishin ndodhur kur ai kishe shmangur rojet, gjatë punës nëpër kampe.

Në prill të vitit 1945, Thomas u dërgua në një “marshim vdekjeje” prej 1,000 kilometrash për të shmangur pushtimin rus nga lindja.

Burrat duruan temperaturat prej minus 35°C dhe shumë prej tyre ngriheshin në vdekje, duke përfshirë disa nga rojet gjermane.

Ai u lirua nga forcat amerikane të udhëhequra nga Britania, por zgjodhi të qëndronte dhe të luftonte në vend që të shkonte në shtëpi. Thomas, i cili ishte një shofer tanku gjatë luftës, vdiq në moshën 82 vjeçare, në vitin 1999.

Djali i tij Chris, 68 vjeç, ka shkruar për vuajtjet e babait të tij. Historia e shquar ka dalë vetëm pasi Chris po shet medaljen e Thomas në ankand. /Telegrafi/ KultPlus.com

Lista e plotë e fituesve në ‘BET Awards 2019’

Të dielën mbrëma në Microsoft Theater të Los Angelesit është mbajtur ceremonia e sivjetme e BET Awards.

Beyonce edhe këtë vit ka rrëmbyer çmimin e artistes më të mirë R&B/pop, ndërsa Cardi B është zgjedhur hip-hop artistja më e mirë.

Çmimi për grupin më të mirë ka shkuar për “Migos”, kurse bashkëpunimi më i mirë është shpallur ai i Travis Scott dhe Drake, “Sicko Mode”.

Lista e plotë e fituesve:

Videoja e vitit: Childish Gambino, “This Is America”

Artistja më e mirë R&B/pop: Beyoncé

Artisti më i mirë R&B/pop: Bruno Mars

Artistja më e mirë femër e hip-hopit: Cardi B

Artisti më i mirë mashkull i hip-hopit: Nipsey Hussle

Artisti i ri më i mirë: Lil Baby

Grupi më i mirë: Migos

Bashkëpunimi më i mirë: Travis Scott featuring Drake, “Sicko Mode”

Çmimi Coca-Cola i shikuesve: Ella Mai “Trip”

Albumi i vitit: Cardi B, “Invasion of Privacy”

Aktorja më e mirë: Regina King

Aktori më i mirë: Michael B. Jordan

Filmi më i mirë: “Blackkklansman”

Sportistja e vitit: Serena Williams

Sportisti i vitit: Stephen Curry

Çmimi BET H.E.R.: “Hard Place”

Regjisori i videos më të mirë: Karena Evans

Aktori më i mirë ndërkombëtar: Burna Boy (Nigeria)

Aktori i ri më i mirë ndërkombëtar: Sho Madjozi (South Africa)

Aktorja e parë që nënshkroi kontratë në Hollywood

Aktorja Mary Pickford më 24 qershor të vitit 1916, bëhet ylli i parë femër që nënshkruan kontratë milionë dollarëshe në Hollywood.

Lindur në Toronto, Kanada më 1892, e pagëzuar si Gladys Mary Smith, ajo u bë aktore, regjisore dhe skenariste e njohur me emrin ‘e dashura e Amerikës’ në periudhën e filmit pa zë.

Vdiq më 1979, në Santa Monika, Kaliforni. / Insajderi / KultPlus.com

GKK sjell ekspozitën e edicionit të tretë të çmimit “Artistët e rinj”

Galeria Kombëtare e Kosovës do të hapë ekspozitën e finalistëve të edicionit të tretë të çmimit “Artistët e rinj”, përcjell KultPlus.

Kuruar nga Zeni Ballazhi, në këtë ekspozitë pjesëmarrësit e sivjetmë janë: Adea Pula,  Arbnor Karaliti, Brilant Milazimi,  Dion Zeqiri,  Fidan Bejtullahu dhe Valdrin Thaqi.

Ky edicion i AR është pjesë e aktiviteteve 20/20 me rastin e njëzetvjetorit të çlirimit të qytetit të Prishtinës.

Ekspozita hapet  të enjten më 27 qershor, në orën 20:00 në Galerinë Kombëtare të Kosovës./ KultPlus.com

Ministri Gashi reagon për dëmtimin e artefaktit

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe ministri Gashi shpreh shqetësimin e thellë për dëmtimin aksidental të një artefakti (Pitosi) në ambientet e Institutit të Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve.

Duke marrë shkas nga kjo ngjarje e rëndë që ka ndodhur, ministri Gashi ka kërkuar me urgjencë raport të detajuar nga i gjithë zinxhiri i hierarkisë në lidhje me këtë ngjarje të shëmtuar, pra dëmtimit nga pakujdesia e rëndë dhe e papranueshme e Pitosit, i cili ka qenë i ekspozuar në ambientet e IKMM-së.

Sipas Ligjit Nr. 02/L – 088 për Trashëgimi Kulturore dëmtimi dhe shkatërrimi i objekteve të luajtshme të trashëgimisë kulturore janë vepra të dënueshme dhe përbëjnë bazë për përgjegjësi në përputhje me legjislacionin penal dhe kundërvajtës, andaj sapo të pranohen raportet e të gjitha institucioneve dhe personave kompetentë në lidhje me këtë rast do të ndërmerren të gjitha veprimet konkrete në përputhje me legjislacionin në fuqi si dhe do të merren të gjitha masat ligjore për këtë rast.

MKRS-ja siguron opinionin publik dhe të gjithë mekanizmat institucionalë se në çdo rast të tillë ajo nuk do ta tejkalojë pa llogaridhënie, duke vepruar me vendosmëri drejt zbatimit të kuadrit ligjor, i cili e obligon atë në korniza të mandatit për të ruajtur dhe mbrojtur me rigorozitet vlerat e objekteve dhe aseteve të trashëgimisë sonë të përbashkët kulturore. / KultPlus.com


Calvin Harris vjen për herë të parë në Kosovë në festivalin “Sunny Hill”

Festivali “Sunny Hill” edhe këtë vit do t’i dhurojë tri net fantastike në datat 2, 3 dhe 4 gusht.

Tashmë veç janë konfirmuar disa nga emrat pjesëmarrës këtë vit, e në mesin e tyre është bërë e ditur se do jetë edhe këngëtari dhe producenti skocez, Calvin Harris.

Ka qenë këngëtarja shqiptare, Dua Lipa, ajo e cila e ka konfirmuar pjesëmarrjen e Harris përmes një videoje të publikuar në Instagramin e saj.

“Shumë e emocionuar të ju prezantoj Calvin Harris këtë vit në Prishtinë, Kosovë me 2,3 dhe 4 gusht. Ky vit është i çmendur dhe i jam shumë falënderuese për të gjithë miqtë e mi që po vijnë në Kosovë, që po e bëjnë këtë të mundur, duke na mbështetur neve dhe të rinjtë e Kosovës për një të ardhme të ndritur së bashku. Numëroni ditët që tani”, shkruan mes tjerash 23-vjeçarja.

Theksojmë që Calvin Harris është autor i shumë hiteve, përfshirë edhe atë me Dua Lipën, ‘One Kiss’, që ka mbledhur mbi 550 milionë shikime në YouTube. /Telegrafi/ KultPlus.com

Miss Kalifornia në SHBA vesh fustanin e disenjatores kosovare

Në një aktivitet artistik të organizuar në SHBA, ku mori pjesë edhe miss Kalifornia 2019, Erica Dann, u paraqit me një fustan të dizenjatores nga Kosova, Vjollca Llapashtica.

Lajmin e bën me dije vetë disejnatorja, që thotë se Erica Dann, ka publikuar disa foto në llogarinë e saj, duke e falënderuar për këtë kreacion.

“Ndër te tjerat e falënderoj disenjatoren Vjollcën që ma ka përgatitur fustanin perfekt”, citohet të ketë shkruar ajo.

Ndryshe, Vjollca Llapashtica, prej se ka filluar punën e saj, në vazhdimësi përkujdeset për artistet me famë botërore, të cilat marrin pjesë në aktivitete me rendësi nga jeta shoqërore.

Ruajtja dhe promovimi i traditës shqiptare të ushqimit

Një grup kuzhinierësh shqiptarë, në Shqipëri, Kosovë dhe jashtë saj, kanë krijuar një fondacion me anë të të cilit synojnë promovimin e traditës ushqimore shqiptare.

Ata po qëndrojnë këto ditë në Kosovë për t’u njohur nga afër me prodhimet dhe traditat vendore të ushqimit.

Kjo lëvizje e krijuar në New York të Shteteve të Bashkuara, ka për qëllim dokumentimin e traditave të kuzhinës shqiptare në Ballkanin Perëndimor dhe promovimin e saj në botë./VoA/KultPlus.com