Së shpejti fillon edicioni i 17-të i festivalit ndërkombëtar “Zgjimi me Art”

Më 22 qershor në Prizren, konkretisht në Hamamin “Gazi Mehmet Pasha” në ora 19:00, do të hapet për të 17-ën herë me radhë, Festivali Ndërkombëtar “Sanatla Uyanmak/Zgjimi me Art”.

Temat e kësaj edicioni janë “Krojet e Prizrenit” si një element i rëndësishëm e trashëgimisë kulturore në Prizren. Nga e kaluara e bujshme historike, qyteti i Prizrenit ka trashëguar një numër të madh objektesh kulturo –historike, ndër ta janë edhe krojet historiket të Prizrenit.

Përmes krojeve, organizatorët kanë planifikuar ta përkujtojnë rëndësinë e këtyre elementeve të mozaikut të trashëgimisë kulturore në Prizren, të cilët janë bërë pjesë e shumë tregimeve dhe legjendave në këtë qytet.

Hapja solemne e festivalit do të realizohet këtë të shtunë (22 qershor) në ora 19:00 në hapësirat e hamamit historik të Prizrenit.

Artistët vendas dhe të huaj nga Mali i Zi do të takohen me dashamirët  artit në aktivitetet që do të mbahen në Prizren, Prishtinë dhe Mamushë, si dhe në Akova të Malit të Zi.

Në një prononcim për Gazeta e Re, koordinatori i projektit, Onat Baymak tha se ky festival do të sjell artin origjinal të projektuar dhe krijuar nga artistët të talentuar që do të përfshihen shfaqje artistike, filma dokumentar dhe të shkurtër, lexime skenike, punëtori, ekspozita, performansë, promovim librash, diskutime, prezantime, dhe forma të tjera të artit të bëra nga artistët në Kosovë dhe në rajon. /Gazetaere.com/

Programin e plotë të Festivalit Ndërkombëtar “Zgjimi me Art” mund të gjeni në: https://bit.ly/2IuQBy8

Beteja e fundit e Lidhjes së Prizrenit për mbrojtjen e Ulqinit

Mbrojtja e Ulqinit ishte veprimi i tretë dhe i fundit që u bë nga Lidhja Shqiptare e Prizrenit kundër cenimit të tërësisë territoriale të Shqipërisë në dobi të Malit të Zi, dhe me pëlqimin e Portës së Lartë.

U përgatit dhe u organizua nga degët e Lidhjes Shqiptare të Ulqinit dhe Shkodrës. Morën pjesë vullnetarë shqiptarë nga sanxhaqe të Shqipërisë. Siç shkruan Dita, kundër forcave shqiptare që mbronin Ulqinin, të përbëra prej rreth 3000 vetash, u hodhën forcat e Malit të Zi dhe të Perandorisë Osmane, prej mbi 30.000 ushtarë e oficerë.

Luftime të rëndësishme u zhvilluan më 22 tetor para Klesnjës dhe Shkallës së Mushkut në lindje të Ulqinit.

Pas disa orë luftimesh, për shkak të epërsisë së armikut, vullnetarët shqiptarë u thyen dhe u detyruan të tërhiqen. Si rrjedhojë, më 23 tetor Ulqini ra në duart e forcave malazeze.

Sinan Kajtazi zgjedhet drejtori i ri i Baletit Kombëtar të Kosovës

Balerini Sinan Kajtazi është emëruar drejtor i Baletit Kombëtar të Kosovës i cili ketë pozitë do ta ushtroj për 3 vite me radhë.

Këshilli Drejtues i BKK-së i cili ishte përgjegjës për zgjedhjen e drejtuesit të insitutcionit përkatës në ditën e sotme e ka përmbyll konkursin duke e zgjedhur drejtor Kajtazin, si një nga konkuruesit më të suksesshem dhe më kompetent për të qenë në krye të Baletit të Kosovës.

Përveç Kajtazit në ketë konkurs kishin konkuruar edhe Sad Vuniqi dhe Luljeta Ademi ku të gjithë janë pjesëtarë të Baletit Kombëtar të Kosovës.

Sinan Kajtazi është një nga balerinet e suksesshëm i cili është pjesë e Baletit që nga vitet e pasluftës kur u riaktivizua dhe për disa vite ka qenë anëtar si dhe kryesues i Këshillit Drejtues të TKK-së ndërsa që nga fillimi i këtij viti është përzgjedhur edhe si ushtrues detyre i drejtorit i BKK-së.

Sipas ligjit për Filharmoninë, Operën dhe Baletin, Neni 46, pika 46.1. drejtori i Baletit zgjidhet në bazë të konkursit publik të shpallur nga Këshilli drejtues me propozim të Këshillit artistik.

“Për drejtor të Baletit zgjidhet personi me përgatitje profesionale në fushën e artit dhe të kulturës, si dhe me përvojë dhe aftësi udhëheqëse. Drejtori i Baletit zgjidhet me mandat dhe në kohëzgjatje prej 3 vjetësh. Personi i njëjtë mund të rizgjidhet. Drejtorin e Baletit e zgjedh dhe e shkarkon Këshilli drejtues sipas procedurës së caktuar me ligj”, thuhet në nenin 46 të ligjit për Filharmoninë, Operën dhe Baletin.

Arti, arma e domosdoshme në formimin e personalitetit të fëmijëve

Fjalë të mençura nga Philip Pullman, i cili fitoi çmimin Astrid Lindgren Memorial Award në vitin 2005.

Përktheu: Sarandë B. Rugova

Fëmijët kanë nevojë për art, tregime dhe poema si dhe për muzikë, aq sa kanë nevojë për dashuri, ushqim, ajër të pastër dhe lojëra. Nëse nuk i jep fëmijut ushqim, pasoja shpejt bëhet e  dukshme. Nëse nuk e lëjon fëmijën të merr ajër të pastër dhe të luaj, po ashtu pasoja vërehet, por jo aq shpejt. Nëse nuk i jepni fëmiut dashuri, pasoja nuk mund të jetë e dukshme për disa vite, por është e përhershme.

Por, nëse nuk i jepni fëmiut art, tregime, poema dhe muzikë, pasoja nuk është e lehtë të vërehet. Mëgjithatë, ajo është aty. Trupat e tyre janë mjaft të shëndetshëm; ata mund të vrapojnë, kërcejnë, notojnë, të ushqehen të uritur dhe të bëjnë shumë zhurmë, siç kanë bërë fëmijët gjithmonë, por diçka u mungon këtu.

Është e vërtetë që disa njerëz rritën duke mos pasur asnjë takim me ndonjë lloj të artit dhe janë jashtëzakonishtë të lumtur  duke jetuar një jetë të mirë dhe të çmuar. Pavarësisht se në shtëpitë e tyre nuk ka libra dhe nuk u intereson shumë për fotografi. Po ashtu nuk mund ta dallojnë qëllimin e muzikës dhe kjo është në rregull. Unë njoh të tillë. Ata janë fqinjë të mirë dhe qytetarë të dobishëm.

Por, kur të tjerët në një fazë të fëmijërisë së tyre ose të rinisë, ose ndoshta në moshën e tyre të pleqërisë,  takohen me diçka që nuk e kanë ëndërruar kurrë më parë atëherë kjo diçka është e panjohur për ta siç është ana e errët e hënes. Një ditë ata dëgjojnë në radio një zë duke lexuar një poemë ose ata kalojnë kah një shtëpi me dritare të hapur ku dikush është duke luajtur në piano, ose shohin një poster të një pikture të veçantë në murin e dikujt, kjo i godet ata fuqishëm por në mënyrë të butë që ata ndjehen të trullosur. Asgjë nuk i ka përgatitur për ketë. Paprimtas e kuptojnë që janë të  uritur për diçka çka nuk e kishin idenë më parë; për diçka të ëmbël dhe të shijshme  e cila pothuajse ua theu zemrën. I bëri pothuajse të qajnë, të ndjehen të mërzitur, të lumtur, të vetmuar por edhe të mirëpritur nga kjo përvojë plotësisht e re dhe e panjohur. Ata ndjehen të dëshpëruar kur dëgjojnë nga afër radion, qëndrojnë jashtë dritarës dhe nuk mund ti largojnë sytë nga posteri. Ata kanë dashur dhe kanë pasur nevojë për ketë, ashtu siç njeriu i uritur ka nevojë për ushqim por kurrë nuk e dinin as nuk kishin pasur ide rreth kësaj.

Kjo ndodhë te fëmijët të cilët kanë nevojë për muzikë, fotografi ose poezi me të cilën takohen rastësisht. Nëse nuk do të ishte një rast i tillë ata kurrë nuk do ta njihnin ketë lloj arti dhe do të kalonin  të gjithë jetën e tyre në një gjendje të urisë për kulturën, pa e njohur atë.

Efektet e urisë kulturore nuk janë dramatike dhe të atypëratyshme as nuk janë lehtë të dukshme.

Dhe siç them, disa njerëz, njerëz të mirë, miq të mirë dhe qytetarë të dobishëm kurrë nuk e përjetojnë kulturën dhe janë të përmbushur pa atë. Nëse të gjitha librat, muzikat dhe të gjitha pikturat në botë do të zhdukeshin brenda natës, nuk do të mund të ishte diçka më e keqe se kjo sepse ato as nuk do të dalloheshin fare.

Ajo uri ekziston te shumë fëmijë dhe shpesh nuk është e ngopur sepse asnjëherë nuk është zgjuar. Shumë fëmijë në çdo pjesë të botës janë të uritur për diçka që e ushqen dhe e përmbush shpirtin e tyre në atë mënyrë që asgjë nuk ka mundur ose nuk do të mund ta bënte.

Me korrektësi e themi se çdo fëmijë ka të drejtën për ushqim, strehim, për edukim, për trajtim mjekësor dhe kështu me radhë. Ne duhet të kuptojmë që çdo fëmijë ka të drejtën për të përjetuar përvojën e kulturës. Plotësisht duhet të besojmë që pa tregime, pa poema, pa fotografi dhe pa muzikë,  fëmijët do të vdesin nga uria./KultPlus.com

‘Jeta është e bukur…mes gjembave çelin edhe trëndafila’

Çajkovski rreth depresionit:

“Ja ku jam, ulur pranë dritares së hapur duke mbushur mushkëritë me ajrin e freskët të agut pranveror. Jeta është prapë e bukur; ia vlen vërtetë të jetosh në këtë mëngjes maji. E përsëris, jeta është e bukur pavarësisht gjithçkaje.

Gjithçkaja në këtë rast përfshin: 1. Sëmundjet; e kam tepruar ca me alkoolin këto kohë dhe nervat i kam copë. 2. Presioni nga Konservatori; çdo ditë e më shumë më mbushet mendja se nuk jam i përshtatshëm për të dhënë mësime të teorisë së muzikës. 3. Paratë; shumë, shumë keq në këtë sektor.

Me pak fjalë, ka shumë gjemba… por ka edhe trëndafila gjithashtu”.

Në vjeshtën  e vitit  1876, Çajkovski, për të cilin depresioni nuk ishte i panjohur, ngushëllonte  nipin në një moment dëshpërimi për të:  

“Pëllumbi im, mbase nuk ndiheshe mirë kur më shkrove. Nga rreshtat që kishe shkruar e kuptova menjëherë melankolinë që të ka pushtuar. E njoh shumë mirë atë ndjenjë, më është futur në lëkurë.

Ka ditë, orë, javë madje edhe muaj, kur çdo gjë më duket e zezë, kur vetëm mendimi se askush nuk do t’ia dijë për mua, se jeta ime nuk vlen dy lekë, më torturon; kur mendoj se edhe nëse zhdukem sot nga faqja e dheut, nuk do të ishte ndonjë humbje e madhe për muzikën ruse.

Unë jam egoist. Punoj vetëm për vete, kujdesem vetëm për veten. Pa dyshim kjo është komode, ashtu sikurse është e mërzitshme, e pajetë.  Por ti je i pazëvendësueshëm për kaq shumë njerëz.

Si mund të vësh në dyshim dashurinë e njerëzve që të rrethojnë? Se, ta dish, është e pamundur për dikë që mos të të dojë ty.  Ti, familja jote, vëllezërit e mi, jeni të rëndësishëm për mua. Ju dua të gjithëve, jo se na rrjedh i njëjti gjak në deje, por sepse ju jeni njerëzit më të mirë në botë”.

‘Rri me mua, po ta them për herë të fundit…’

Ka shpresë për këngët shqiptare. Sidomos për këngët moderne, të viteve të fundit, shumë prej tyre të krijuara bukur dhe me finesë.

Një prej tyre është edhe “Rri me mua”, kënduar nga Rosela Gjylbegu. Kënga u këndua në njërin prej edicioneve të festivalit ‘Kënga Magjike’.

Një tekst shumë i veçantë është puthur mirë me zërin e Roselës duke e sjellë një baladë të fuqishme me momentet e saja kulmuese.

Po e kujtojmë sot këtë këngë të Roselës dhe po e sjellim edhe tekstin e saj.

Rosela gjithmonë ka ditur të sjellë performance dhe këngë të fuqishme të cilat e karakterizojnë dhe e bëjnë unike në ndërtimin e një karriere fantastike muzikore. / KultPlus.com

Sikur te jesh me mua 
do te zgjoja me nje kafe 
Sikur te jesh me mua 
Do te trembej dhe fjala “Pse” 
Sikur te jesh me mua 
do besoje çdo gje tek une 
Do te te vija çdo nate ne gjume 
do te puthja edhe me shume 
Sikur te jesh me mua 
Une si hije nga pas do vija 
e… ne krahet e tu te rrija 
Do harroja merzite e mia 
Sikur, sikur te jesh me mua 
S’do pendoheshe asnjehere 
Do jetoja per ty 2 here 
se te dua dhe eshte e prere 

Ref 2X: 
Rri me mua! 
Po ta them per here te fundit 
Rri me mua! 
Pa ty jeten nuk e dua 
me ty diten e bej muaj 
Pa ty dielli eshte i huaj 
Rri me mua! 
Vetem une po te dua 
Rri me mua! 

Sikur te jesh me mua 
Une si hije nga pas do vija 
ne krahet e tu te rrija 
Do harroja merzite e mia 
Sikur te jesh me mua 
S’do pendoheshe asnjehere 
Do jetoja per ty 2 here 
se te dua dhe eshte e prere 
Rri me mua! 

REF: 
Po ta them per here te fundit 
Rri me mua! 
Pa ty jeten nuk e dua 
me ty diten e bej muaj, me ty 
Pa ty dielli eshte i huaj 
Rri me mua! 
Vetem unee po te dua 
Rri me mua! 
Rri me mua! 

Me ty diten e bej muaj 
Pa ty dielli eshte i huaj 
Rri me mua! Rri me mua! 
Vetem une po te dua 
Rri me mua!

Shfaqja ‘Ëndrra e një balerine’ shpalos ëndrrën e të gjitha vajzave të mitura

Kjo është shfaqja e baletit për fëmijë, koreografinë e së cilës e ka punuar Behie Murtezi. Premiera e shfaqjes do të jepet me 21 qershor.

E titulluar si ‘Ëndrra e një balerine’ është një metaforë reale ku secila vajzë në moshë të njom ëndërron të bëhet balerin dhe të përjetoj magjinë e skenës, shkruan KultPlus.

Në shfaqjen përkatëse është punuar një kohë të gjatë dhe të gjitha vajzat janë të një moshe të vogël.

Premiera e shfaqjes do të jepet të premten, me 21 qershor në ora 19:00, në teatrin ‘Faruk Begolli’./KultPlus.com

Vandalët që shkatërrojnë artin që e duan

Arti shkakton lot, te disa zemërim e te disa akte të pasionit. Këta janë njerëzit që dëmtojnë veprat e artit, shkruan kritiku William Park. Pjesë të shkrimit të tij. Shkatërrimi i artit shpesh është i motivuar politikisht – madje vet arti ndonjëherë mund të jetë i mbushur me urrejtje.

Arti duhet të prek njerëzit në aspektin emocional, por kur ky emocion është zemërimi, është e mundur të shohësh se si disa njerëz i drejtohen vandalizmit. Por, në Bienalen Ndërkombëtare të Sao Paulos, në vitin 1996, ndodhi diçka e pazakontë. Një pikturë u dëmtua jo nga zemërimi, por nga dashuria. Kjo tregon diçka të fuqishme rreth asaj se si e vlerësojmë artin.

Një punim i serisë “Torso” të vitit 1977 – realizuar nga pop-artisti Andy Warhol – ishte në Bienalen e atij viti. Seria përmban piktura dhe fotografi të akteve mashkullore dhe femërore.

“Një mëngjes marr një telefonatë që thotë: ‘Nuk do të besoni se çfarë ka ndodhur’”, thotë Ellen Baxter, konservatore në Muzeun “Carnegie”. “Një braziliane ishte aq e tronditur nga ndjenjat e saj për Andyn, saqë ‘nguliti’ puthjen në njërën nga pjesët e meshkujve”.

Një e përditshme braziliane ka shkruar se puthja ishte “në pjesën qendrore të torsos së parë – në penis”.

“Mona Liza” në disa raste ishte cak i vandalizmit, sepse arti i profilit të lart prezanton institucionin dhe shtetin ku ruhet

“Torsot janë me të vërtetë provokuese; janë imazhe private”, thotë Jessica Beck, kuratore në Muzeun “Andy Warhol”. “Është lehtë të kuptohet se pse dikush ka reagim të fortë dhe emocional”.

“Autorja” nuk u kap, e as nuk u identifikua. Buzëkuqi u hoq pa bujë. Baxter kujton se rojet e sigurisë dorëzuan video-incizimet, ku shihej një e moshuar, e veshur me elegancë, teksa puthte pikturën.

“Nuk mendoj se ka diçka politike në lidhje me këtë”, thotë Baxter.

Në vitin 1997, Muzeu “Andy Warhol” shënoi 75-vjetorin e parfumit “Chanel No 5”. Warhol e kishte përdorur një shishe të këtij parfumi të famshëm në disa prej shtypjeve të tij, të cilat më vonë u përdorën si vepra arti në një seri speciale të kutive të parfumit. Nuk i ra mend askujt se dikush mund të dehet, do të vë buzëkuq e do të lë një puthje te vaska e larjes.

“Mendimi im i parë ishte: ‘Sa budallallëk… pse dikush do të puthte një vaskë?’ Nuk them se duhet puthur Elvisin apo Marilynin, por kjo nuk ka fare kuptim”, thotë Baxter.

Fjala është për pikturën “Vaska”: një nga punimet e para të Warholit të bëra me dorë, në vitet
1961/62.

U deshën tetë orë për ta pastruar “Vaskën” nga puthja

“Kanavaca thith çdo lagështi, kështu që buzëkuqi ngjitet në sipërfaqe dhe, nëse nuk jeni të kujdesshëm, mund të bëni më shumë dëm duke u përpjekur që ta eliminoni”, thotë Baxter.

Ky akt i vandalizmit kërkonte trajtim special. Konservatori i mëparshëm kishte folur me dikë nga NASA, që përdorte oksigjenin atomik për të pastruar pllakat e nxehtësisë në satelitë. Me këtë teknikë u deshën tetë orë për të pastruar puthjen – fibër për fibër. Trajtimi gjithashtu hoqi ndotësit ajrorë që kishin errësuar kanavacën përgjatë viteve.

“Vaska” është shembull jo shumë i zakontë i vizatimit të lirë të Warholit. Ndaj, gjatë pastrimit mund të zhdukeshin dëshmitë.

“Ka shenjat të duarve të Warholit në fund të kanavacës”, thotë Beck që shton se teksa nuk ishte vepër tërheqëse për puthje, “Vaska” te dikush mund të nxis reagim intim: “Është interesante, se nuk është imazh i një personi. Është referencë për një trup pa trup. Vaska simbolizon një moment privat – larjen. Mund të jetë përvojë joshëse; një përvojë seksuale. Ndërsa torsot janë imazhe konvencionale erotike”.

Rindy Sam u dënua për të dëmtimin e kanavacës së bardhë të artistit Cy Twombly

Përsëri, keqbërësi u zhduk pa u zbuluar. Por, një vandale në Francë nuk ishte aq me fat: u arrestua dhe u gjobit se më 2007 puthi një kanavacë të piktorit Cy Twombly. Në gjyq, Rindy Sam tha: “Ishte akt dashurie. Kur e puthja, nuk mendoja. Thash se artisti e kupton”.

Afeksioni për artin mund të shfaqet ndryshe nga puthja. Shpesh audiencat qajnë, dhe kjo tregon diçka rreth asaj se si përjetohet arti. James Elkins flet për aspektin fetar. Shembull për këtë është ikonografia, ku ka plot raste që ato puthen. Por, edhe arti joreligjioz ndikon te shikuesi. Elkins jep shembullin e historianes së artit, Jane Dillenberger, që vizitoi Rothkon në studion e tij, për të parë disa piktura të papërfunduara. Pëlhurat ishin pothuajse 4.5m të larta dhe të errëta. Edhe studioja ishte e errët. Duke parë që kanavacat disi ngrihen nga errësira, kjo krijoi përvojë mbresëlënëse për të. Elkin thotë: “Ajo qante… Më ka thënë se ishte moment i ‘ndjenjave të çuditshme’, por mbi të gjitha çlirim, lehtësi e përsosur e paqes dhe gëzimit të pastër”.

Beck thotë se edhe ajo kishte momente të tilla, me “Hijet” e Warholit.

“Më duken emocionale”, thotë Beck. “Muzetë janë të rëndësishëm, sepse mund të keni këto reagime mbresëlënëse – pozitive dhe emocionale”.

Veprat e artit – si në rastin e historianes së artit Jane Dillenberger dhe artistit Mark Rothko – i bëjnë shikuesit të lotojnë

Por, çfarë do t’ju bënte Warholi, këtyre vandalëve?

Beck thotë se do ta pëlqente përzgjedhjen e buzëkuqit. Ato evokojnë buzët e kuqe të Marilynit nga shtypjet e viteve 1960. Akti i puthjes po ashtu mund të duket joshës. Warhol punoi me lëngje të trupit, sidomos me urinën në kanavacën “Pikturimi i shurrës” (1961) dhe spermën te “Derdhja” (1977-78). Kështu që, buzëkuqi nuk është larg punës që Warhol bënte.

Warhol ishte i interesuar edhe në spektakle, ndaj vetë ngjarja do ta kishte interesuar.

“I donte gostitë”, thotë Beck. “Do ta donte një fotografi nga ai momenti i puthjes… Do t’i ishte gëzuar kësaj përvoje sociale dhe do të intrigohej se si një mysafir gjeti një moment në gosti, që të jetë vetëm me pikturën”. Telegrafi/ KultPlus.com

‘Në kërkim të Venerës’ ftohet në ‘Works in Progress’ në Karlovy Vary


Filmi i gjatë artistik ‘Në kërkim të Venerës’ me skenar dhe regji të Norika Sefës dhe me producent Besnik Krapin, ftohet të marr pjesë në ‘Works in Progress’ në kuadër të Festivalit të Kalrovi Varit. 

Filmi përcjellë përjetimin e Venerës, një vajzë e re dhe e ndrojtur, e cila fillon një rrugëtim të ri në jetën e saj pasi takon shoqen e saj të re Dorinen.

Ky përjetim e bën atë të marr guximin dhe t’i revoltohet familjes saj tradicionale. 

“Në kërkim të Venerës” është subvencionuar nga Qendra Kinematografike e Kosovës dhe Qendra Kombëtare e Kinematografisë e Shqipërisë.

Filmi poashtu është mbështetur edhe nga Komuna e Kaçanikut.

Kolonizimi i dhunshëm serb i fshatrave të Runikut

Si i mashtronte pushteti i Serbisë, ata që i sillte në Kosovë? Për fat të zi, trevat shqiptare edhe gjatë pushtimit osman, edhe pas pushtimit serb, ishin viset më të prapambetura ku nuk ndërtohej asgjë. Të rrallë ishin ata kolonë që përfitonin diçka të mirë kur u vendosën në Kosovë. Fillimisht, ata e dinin se me shqiptarët do të jenë armiq për vdekje.

Në valën e dytë të kolonizimit, pushteti i Beogradit me propagandë mashtroi shumë serbë të mjerë, të varfër e të pa kulm mbi kokë. Ata i vendosnin kudo, mes shqiptarëve, ku nuk kishte as rrugë, as ujë e as gjërat më elementare. Dikujt i duket tallje, por në shumë raste këta serbë pushteti i Beogradit thjeshtë i la pa kulm mbi kokë. Ka dëshmi se si jetuan ata dhe se si ikën – në rastin e parë që patën mundësi.

Shihej hapur qëllimi për të futur elementin sllav mes shqiptarëve. Për shembull në Kostërc e në Leqinë, jo fort larg Runikut, kolonët u vendosën thjeshtë nëpër shkurre e përrenj, pa gjërat elementare për jetë, në një vend pa asnjë rrugë – as për gomar. Sa për kujdesin shëndetësor, zor që dikush do të ketë parë atë në ëndërr.

Gjithë këta kolonë pushteti kriminal i Beogradit i mashtronte me premtime të mëdha, të cilat u shuan shpejt. Kolonët jetonin zi e më zi, sikur shqiptarët e dëbuar nga trojet e tyre. Pushteti u premtoi ndërtimin e shtëpive, por ato nuk i panë kurrë as në fotografi. Iu premtoi ndihma ushqimore dhe ndërtimin e rrugëve, por ato nuk u shtruan kurrë.

Derisa kolonët merrnin tapitë për tokat që iu kishin ndarë, pakkush prej tyre do të ketë ndjerë gëzimin kur shihte turmën shqiptare të pezmatuar.

Pjesa dërmuese e kolonëve u la nëpër bërraka e në kasolle të improvizuara. Pati raste kur komisioni agrar i krajlit shumë kolonë i la në, male me premtimet se atje shpejt do t’ua ndërtojnë shtëpitë dhe rrugën. E, mund ta paramendoni se si ndërtohen shtëpitë atje ku nuk depërtohej as me gomar.

Ma kalimin e kohës, kolonët më nuk i vizitonte askush nga pushteti. Në anën tjetër, Xhandarmëria krijonte probleme, me plan, për të intervenuar dhe për të vrarë shqiptarët me pretekst të ngacmimit të kolonëve.

Raportet e kryexhandarit nga Runiku dëshmojnë për vrasjet e shqiptarëve. Ekipet e specializuara vëzhgonin çdo mënyrë të mbijetesës së shqiptarëve dhe, sipas këtyre hetimeve, zgjidhnin metodat e dhunës. Për këtë ai shkruante:

“Në ndërkohë kemi kuptuar se arnautët janë në gjendje që me pak vegla primitive të ndërtojnë gjëra të mrekullueshme që ne nuk i kemi parë kurrë më sy. Nga ato ara të vogla të cilat i punojnë mirë, nxjerrin bukën. Nuk hanë për t’u ngopur asnjëherë, por vetëm për të mbijetuar deri nesër. Ushqehen shumë herë me fruta pemësh të egra dhe shartojnë përditë pemë të reja nëpër mal. Kjo trevë në çdo pëllëmbë ka pemë të egra, të të gjitha llojeve. Ata grumbullojnë fruta te egra në kohën e duhur dhe me to ushqehen gjatë dimrit. Gjatë gjithë kohës ia dalin të mbijetojnë gati më mirë se kolonët serbë të cilëve ua kemi premtuar edhe ndërtimin e shtëpive, por kot”.

Jo pak herë raportet nuk ishin optimiste fare. Ndodhi që vet komandanti i Xhandarmërisë të kërkonte leje për bashkëpunim me shqiptarët vendas pasi, sipas tij, kështu do të vendosej me lehtë qetësia aq e nevojshme për kolonët. Këtë e dëshmon raporti tjetër:

“Po të bashkëpunojmë ma ta, do të fitonim shumë. Ata janë punëtorë të mirë dhe të fuqishëm. Kemi parë sesi dy burra, pasi nuk kishin kije për zgjedhë, po tërhiqnin vet parmendën dhe po lëvronin parcelën e tokës që kishin hapur rishtazi. Kemi parë ngjitur, në zgjedhë, një kalë dhe një njeri duke tërhequr plugun në arë, derisa tjetri mbante plugun. Kemi parë të tjerë që me një shat a lopatë bëjnë gati për mbjellje një arë të tërë. Po t’i marrim me të mirë, ata mund të punojnë arat që ua kemi kolonizuar. Ka shumë kolonë që nuk dinë të punojnë asgjë dhe vetëm presin ndihma. Iu kemi dhuruar armë të gjithë kolonëve por, ata, tinëz ua kanë shitur ato arnautëve. Këtë e kemi parë me sy tanë. Pasi njëfarë arnauti vrau dy xhandarë, arritëm ta vrasim atë, e kur e morëm armen e tij zbuluam se ajo ishte e një koloni të cilin e kemi vendosur këtu para pak kohësh. Thjeshtë e qartë, asgjë nuk po funksionon siç kemi planifikuar”.

Edhe kur askush nga shqiptarët nuk i ngacmonte kolonët, kjo shihej si rrezik më i madh. Pushteti serb ndjente frikë nga qetësia. Ditari i komandantit të Xhandarmërisë e dëshmon këtë! Ai shkruan:

“Ata asnjëherë nuk i ngacmojnë kolonët dhe kjo na brengosë edhe më shumë. Nëse një kolon kërkon diçka prej këtyre arnautëve, ata ia japin pa përtesë. Këto gjera atyre po iu ndihmojnë për të zbutur zemërimin tonë dhe po ia dalin të thyejnë planet tona për shfarosjen e tyre. Mund ta merrni me mend sesi jeton njëfarë arnauti invalid me të shoqen dhe shtatë fëmijë në një kasolle. Me kërraba lëvizë e punon gjithë ditën. Nuk kemi arritur ta kuptojmë kush po e furnizon me miell, pasi e dimë me siguri se ai nuk ka për të gatuar qoftë edhe një bukë për darkë. Ne po kujdesemi që të pengojmë edhe ndihmat mes tyre, por e kemi të pamundur. Ata nuk pushojnë as natën as ditën, as në dimër as në verë”.

Raporti tjetër nuk sjell asgjë të re nga zbatimi i planit për largimin e shqiptarëve! Posa vërehej që ndonjë shqiptarë ndërton diçka me vlerë, kolonët prisnin çastin për ta vrarë. Kështu, Ukë Ali Nimani, pasi ndërtoi me mund një kullë të vogël guri, u bë cak sulmi nga kolonët. Pakkush besonte se do ta godasin aq shpejt, pasi Uka akoma nuk e kishte meremetuar shtëpinë në të cilën shpresonte të jetonte. Atë ditë, kur e morën nga shtëpia Ukën dhe Brahimin, i panë të gjithë fqinjët. Bile, kolonët serbë, Ratku e Shuta, mashtruan Ukën dhe Brahimin kinse po i thërrasin në stacionin e Xhandarmërisë në Runik. Posa i larguan nga shtëpia, i pushkatuan.

Është më rëndësi edhe kronika e vrasjeve të njëpasnjëshme të shqiptarëve, pikërisht nga kolonët, të cilët vepronin në koordinim të plotë më Xhandarmërinë serbe. Në kronikë shkruan:

“Kolonët e vendosur në arat e Osman Ajet Halilit, Ratko e Shuta, vranë Ukën e Brahimin, ashtu siç i urdhëruam, por ata nuk guxuan të jetojnë më aty dhe ikën të nesërmen, para mëngjesit”.

”Kolonët, me plan sulmuan edhe familjen e Fekë Nimanit. Aty dërguan Stanojën për të përgatitur terrenin, por kolonët vranë gabimisht pikërisht Stanojën, pasi Feka nuk ua hapi derën e kasolles ashtu siç kishim paraparë për ta vrarë gjithë familjen”.

“Kemi arrestuar një rebel fare të ri në Qubrel. Xhandarmëria u tregua fare e pakujdesshme, dhe posa e sollën në stacion e lanë të lirë, pa pranga. Ai, pastaj, për një minutë rrëmbeu pushkën që ishte në tavolinë dhe vrau zëvendësin e komandantit të Xhandarmërisë, Nikollën. Rrustem Birinxhiku ia doli edhe të arratisët në mal”.

“Sinan Shala nga Leqina ka vrarë një paramilitar kolon. Pasi grupi i kolonëve të armatosur kishte tentuar të vriste arnautin në shtëpinë e tij, doli se ai kishte pasur armë dhe sulmi ynë përfundoi keq. Edhe Sinani u arratisë atë natë”.

“Numri i kaçakëve po shtohet përditë! kolonizimi nuk po ecë si duhet, sidomos në Padalishtë dhe Leçinë”.

“Arnautët e Padalishtës kanë shtëpitë pranë rrugës me të cilën kemi lidhjen Mitrovicë -Pejë. Sapo goditëm familjen e parë afër rrugës, rezistoi Sylë Loshi. Atë e arrestuam, por kur shkuam t’i largojmë të tjerët nga shtëpia, një vajzë e tyre vrau në derë një xhandar. Atë ditë Sylën e arrestuar, e dënuam me varje në litar, mu para syve të të burgosurve tjerë në Runik”.

Me kalimin e kohës, duke parë zhvillimet në terren, pushtuesi serb nisi të punësojë edhe ndonjë shqiptar në detyrë xhandari, për të kuptuar më mirë çdo lëvizje dhe furnizim solidar me fshatarëve, por kot. Kur prisnin që shqiptarët të vdisnin nga uria, në sytë e armikut shumoheshin edhe më tepër. Plani i shfarosjes, duke filluar nga vrasjet, torturat, dhe konfiskimi i çdo pasurie të tyre, nuk po jepte rezultat. Në raportet e Xhandarmërisë përditë e më shumë theksohej nevoja për bashkëpunim me shqiptarët vendas. Këtë e vërtetojnë njoftimet në vazhdim:

“Informatori ynë, ‘Plisi’, na njoftoi se në kasollen e Mujës, natën ka parë një dritë. Ai kishte vërejtur sesi gatuajnë natën bukë, para se të lindte dielli, për të mos i parë askush”.

“Ne, zotërinj nga Beogradi, nuk mund të bëjmë roje në çdo kasolle a shtëpi të arnautëve kur gatuajnë. Ato që ju i quani shtëpi janë vetëm kasolle, thuaja të lëvizshme, të ndërtuara me dru mali dhe dushk. Nëse i shohim sot në një vend të caktuar, pas pak ditësh shkojmë të përgatitur për të zbatuar planin tonë, por nuk i gjejmë aty. Posa diktojnë lëvizjet e Xhandarmerisë, largohen sikur t’i ketë përpirë dheu. Nuk gjejmë as gjurmë të tyre nga kanë shkuar. Ata ndërtojnë kasolle, lehtë dhe shpejtë. I mbulojnë me dushk, ashtu që nuk dallohen fare nga mali. Sipas nevojës, apo rrezikut, ato kasolle i shkatërrojnë apo i djegin vet dhe zhdukën diku tjetër. Ekspeditat tona vetëm sa i kanë forcuar”.

Komandanti i Xhandarmërisë njofton eprorin e tij për çdo gjë që bëjnë kolonët. Për këtë shkruan:

“Iu njoftojmë se ‘kmeti’ i katundit, Dika, të cilin e keni emëruar ju, po jeton mirë dhe sipas vëzhgimeve tona ai po bashkëpunon haptazi me arnaut”.

“Dika, të cilin e kemi vendosur në këtë fshat, po jeton më mirë se gjithë kolonët tjerë. Ai flet me arnautët dhe ata ia punojnë arat me kohë. Arnautët ia ndërtuan kullën dykatëshe nga guri, duke ia rrethuar edhe oborrin me avlli. Xhandarmeria nuk ka çka i thotë Dikës, dhe as nuk e pengon dot. Dika lëvizë me kalë kudo dhe nuk e ruan askush. Kemi fituar bindjen se ai bashkëpunon me këtë ‘Plisin’. Në hanin që e mban Zhivko në Runik, dje kemi parë të ketë hyrë vet ‘Plisi’. Nuk dihet a piu diçka, por dyshojmë mos ka marrë diku ndonjë dinar. Nuk zbuluam dot pse erdhi në hanin e një koloni serb, të cilin që të gjithë e njohin për vepra të këqija. Ne po ligemi çdo ditë. Asnjë dhunë e jonë nuk po jep rezultat”.

Pas shumë raporteve me shkrim, në të cilat përshkruheshin edhe detajet më të imta të zhvillimeve në terren, vet perfekti i Zveçanit shkarkoi komandantin e Xhandarmërisë në Runik! Perfekti emëroi komandantin tjetër që do të mbahet mend gjatë për dhunën që ushtroi mbi shqiptarë në shumë fshatra të kësaj ane.

Komandanti me emrin Millan, nisi detyrën me dhunë. Akuzoi shumë vendas për armëmbajtje pa leje. I mori një nga një në stacionin e Xhandarmërisë, por edhe pas torturave më të rënda nuk mposhti dot edhe një fshatar. Millani ka shkruar:

“Qetësia që mbretëron në rrugë na frikëson shumë. Nuk e dimë kurrë se çka do të ndodhë nesër. Pas vrasjeve që ndodhin çdo ditë, as kolonët nuk po guxojnë të dalin në ara, aq më pak në mal për dru”.

“Sipas planit, patëm arrestuar shumë kaçak, por këtu nuk kishim ndonjë burg të sigurt. Nga burgu i Runikut iku vet Azem Bejta e Mehmet Gradica. Kamer Loshin nuk arritëm ta burgosim. Ai jeton në mal. Asokohe nuk i vlerësuam si duhet dhe nuk dinim sa mund të jenë të rrezikshëm. Para tyre, nga burgu i Deviqit iku vet Shaqir Smaka nga Kostërci, i cili më vonë formoi edhe çetën e tij kryengritëse”.

Pas këtyre raporteve, eprori shkarkoi edhe Millanin. Raporti tjetër fillon me njoftimin për vrasjet tjera:

“Azem Bejta vrau Kostë Vojvodën. Ai Kosta, njeriu që punoi me direktivën tuaj, po bënte zullum të madh mbi arnautët. Nuk kam pasur urdhër ta kufizojë. Ai, edhe nga fshatari më i varfër arnaut, kërkonte dash të pjekur për drekë, që duhej ta shtronte vetëm për Kostën. Zullumin e ka shtuar edhe më tepër veprimi i lirë i Pop Guxhumit. Ai po futet në pikë të ditës nëpër kasollet e arnautëve. Nuk besoj se e ka larg vdekjen nga ndonjë arnaut”.

“Qëkur është arratisur nga burgu, nuk mund të kuptojmë kurrë se ku strehohet apo ushqehet Azem Bejta. Zor të gjendet një arnaut që tregon konakun tij. E dimë se ai nuk fle dy herë në të njëjtin konak. Me këtë taktikë, papritur likuidoi vet Kostë Vojvodën. Nuk bëri shumë bujë kjo vrasje, pasi edhe kolonët ishin lodhur nga dhuna që bënte Kosta, e cila i rrezikonte edhe ata. Sa më shumë dhunë që po bëjmë mbi arnautë, aq më shumë po shtohet pasiguria e kolonëve”.

Më gjithë këto raporte të zeza për Qeverinë serbe, plani i vrasjes së shqiptarëve po vazhdonte, krahas vendosjes së kolonëve.

“Në arat e Gan Halilit në Kostërc, vendosëm dy familje kolonësh. Ratko e Shuta kanë filluar menjëherë të punojnë. Në tokën e Hysenajve vendosëm Dikën, të cilin ju më parë e keni emëruar ‘Kmet’ për këtë fshat. Hysenajt nuk u përulen, por janë pezmatuar shumë. Nuk ka sulme, por lëvizjet dhe heshtja e arnautëve na brengosin. Komisioni për ndarjen e tokave po punon err e terr. Deri tash në këtë fshat nuk ka pasur rezistencë fizike. Në arat e Selman Kadrisë vendosëm tri familje. Po thonë se i zoti i shtëpisë ka dal në mal i armatosur. Në fshatin Kostërc dihet saktë edhe sot se cili kolon u vendos në tokën e cilit shqiptar”.

Raporti tjetër nga xhandarmëria, e dëshmon vendosjen e kolonëve me emra e mbiemra. Në këtë njoftim thuhet:

“Dika Jovanoviq, tash si ‘Kmet’ i Kostërcit, i vendosur në arat më të mira të Hysenjave në mes të fshatit, po ndihmon vendosjen e kolonëve tjerë. Në arat më të mira të Selman Kadri Spahiut vendosëm Jovanin, Milladinin, Jolin dhe Perën. Në arat e Bejtë Rrustemit vendosem Bozhën, ndërsa në arat e Asllan Hetemit, Millojën e Dragon. Gjurën e Rakiqin i vendosem në arat e Shaban Hetemit. Gjurës i kemi dhënë edhe dy hektarë ara të Selman Nimanit, pasi nuk i plotësohej kuota e duhur prej dhjetë hektarësh. Radenkon e kemi vendosur në anën tjetër të fshatit, në arat e Dervishajve. Në arat e lagjes Nimani, kemi vendosur Savën dhe dy familje tjera kolonësh, të cilëve ua kemi ndarë nga dhjetë hektarë tokë të punueshme. Edhe në pronën e Ejup Spahiut, i cili akoma jeton në fshatin Vitak, kemi vendosur tri familje kolonësh të sapo ardhur, të cilët thjeshtë i kemi lënë në mal, duke pritur ndihmën e shtetit të cilën ua kemi premtuar. Ata, nëse nuk i ndihmojmë, mund të vdesin urie. Njëfarë Millan Vukmirin e kemi vendosur mbi një kodër, në pronën e Jashar Spahiut, Nëse nuk e ndihmojmë, edhe ky do vdes nga uria”.

Shqiptarëve, komisioni agrar serb aso kohe ua linte në posedim më së shumti 25 ari tokë. Kishte familje shqiptare me njëzetë anëtarë dhe kjo gjendje ishte e pashpresë për ta. Me gjithë këto masa dhe këto vrasje, asgjë nuk po ecte sipas planit serb. Jo pak herë, në këto raporte shkruhej edhe për kushtet në të cilat po i vendosnin kolonët e mashtruar nga pushteti kriminal dhe i korruptuar i Beogradit. Çdo komandant xhandarmërie që dëshmohej fare pak i butë në zbatimin e planeve të dhunës mbi shqiptarë, largohej nga detyra menjëherë.

Me rënien e Aleksandër Rankoviqit, kolonët shitën shpejt pronat e tyre. Dëshmitarët shqiptarë, të cilët ia dolën t’u mbijetojnë këtyre vuajtjeve, pas shkarkimit të Rankoviqit i blenë tokat e tyre nga kolonët që iknin. /Telegrafi/

Burrat e shtetit

Nga Elidor Mëhilli

“Veproi si burrë shteti!” — dëgjohet në mejhanet mediatike (“portale”), tek editorialet e shkruajtura nxitimthi, tek akademikët me ambicie të vogla politike, tek statuset në Fejsbuk që vazhdojnë të mbajnë me buk edhe gazetarinë parazitare në shqip.

Nëpër studiot televizive mblidhet batalioni i juristëve, rradhët e të cilëve janë rritur në proporcion të zhdrejtë me zbatimin e ligjeve në vend. Diskutohet fort nëse do të mund të futet edhe këtë herë elefanti shqiptar në një vrimë të Kushtetutës. “Kushtetuta ësht’ Bibël mo burr’!” — dëgjohet zëri i një konstitucionalisti në vendin e ateistëve.

Si edhe herë të shkuara, edhe këtë herë editorialistët, juristët, dhe statusistët nxituan t’i bëjnë makiazh figurës burrërore të shtetit. Folën për ligje me numër, fraksion, dhe datë; për nene dhe nën-nene dhe nën-nën-nene; për paradigmën anglo-saksone; për konceptet politiko-teorike mbi ndarjen e pushteteve. Folën për punët e shtetit dhe për punët e ligjit: punë të mëdha burrash.

Si edhe herë të shkuara, kaloi pa u përmendur mundësia se janë edhe këta vetë—përpunues të ligjërimit dhe imagjinatës publike—që kanë ushqyer dhe vazhdojnë të ushqehen nga ky realitet i molepsur. Hiqen të paimplikuar tek shpjegojnë me bezdi se në sa copa mund të ndahen pazaret politike të vendit. Hiqen më të mençur se politikanët që analizojnë nga mëngjesi në mbrëmje, më kozmopolitë, më perëndimorë.

Por nuk janë vetëm vëzhgues të kllapisë. Janë nevojtarë ndaj këtij rituali krizash të njëpasnjëshme, sepse kriza si sistem të menduari ka dalë të jetë pjellore. Krizat politike i ushqejnë nga pak zërat publikë; krizat kanë prodhuar ekspertizë krizash alla shqiptarçe.

Prandaj edhe janë bërë të përhershme.

Krizat shpalosin edhe paradoksin në dukje të narrativës politike shqiptare: Nga njëra anë, zërat publikë vazhdojnë të flasin për burra shteti e sjellje prej burrash shteti. Nga ana tjetër, pothuaj me të njëjtën frymë, na thonë se shtet nuk ka patur dhe nuk ka. Çudi.

Burrat e shtetit i gjen kudo pas dhe përreth. Janë tek Fjalori i shqipes së sotme (1984) përveç se tek monografitë voluminoze për Gjergj Kastriotin, Ali Pashë Tepelenën, Qemalin, Nolin, Zogun, Enverin e deri tek ditët e sotme: tek deklaratat e ish-ambasadorit amerikan për Berishën; tek fjalët e Thaçit për Ramën; tek thirrjet brenda llojit për Ramën-Skënderbe; apo tek ngatërresa me dashje që i bëhet (aq rutinë, sa tashmë as nuk vihet re) zyrës së Presidencës me burrin që ka përkohësisht brenda.

“Një burrë shteti,” shpjegonte para pak kohësh ish-drejtuesi i Policisë së Shtetit, “nuk lëviz nga vendi”. Sa për perëndimorët, që vihen dhe vetë-vihen ritualisht në rolin e përgjegjësit, as këta nuk i kanë shpëtuar tundimit për ta kurorëzuar këtë apo atë figurë shqiptare “burrë shteti”.

Njëkohësisht, të njëjtët që magjepsen me burrërinë shtetërore të ditëve tona na premtojnë se do të “bëjnë shtet” pasi, siç duket, “nuk kemi shtet”. Në fakt, kur kanë thënë “po bëj shtet” kanë dashur të thonë “po bëj shtet si unë” ose mbase “do bëhem vetë shtet!” Shtet ka patur dhe ka. Shteti ka patur trajtën e një burri.

Kështu që edhe burrat e shtetit që kanë mbajtur e mbajnë peng partitë (majtas, djathtas, e bandash), qeveritë, presidencën, dhe gjykatat kanë kolonizuar jo vetëm këto, që s’janë pak. Kanë kolonizuar edhe hapësirën mendore dhe gjuhën me të cilën vazhdon të përcillet ky realitet, i cili riprodhon veten. /PF/KultPlus

(Elidor Mëhilli, mban gradën Asistent Profesor në historinë evropiane dhe ndërkombëtare në Hunter College, City University of New York. Ka mbaruar studimet e doktoraturës në Princeton University (2005-2011), studimet e larta në Cornell University (2000-2005), dhe ka mbaruar poste akademike të shkurtra në Columbia University (2011-2012) dhe University of Pennsylvania (2012-2013). Jeton në New York)

Regjisori Rijani sjellë “Xhelatët” në skenën e teatrit

Drama “Xhelatët”, e shkruar nga autori Martin McDonagh, është projekti i fundit që realizohet në skenën e teatrit të Maqedonisë nga regjisori Qëndrim Rijani. Rijani ka sjellë vepra teatrore të ndryshme, duke zhvilluar bashkëpunime me disa teatro. Këtë herë “Xhelatët”, produksion i Teatrit Kombëtar të Maqedonisë, do të vijë në skenë te “arTurbina”, duke sjellë ngjarjet e viteve 1965, njofton gazeta “Zeri”.

Në dramën “Xhelatët” regjisori vë në skenë rreth 15 personazhe, në rolet e tyre luajnë aktorët si Lulzim Zeqja, Fliorian Agalliu, Arben Derhemi dhe të tjerë artistë të njohur. Regjisori Rijani për medie ka theksuar se vepra teatrore “Xhelatët”, që është me përkthim në shqip nga Artur Lena, është nga më të njohurat dhe me vlerësime në skena të teatrove të ndryshme. Sipas tij, është një vepër tepër aktuale në raport me atë që trajton në ngjarjet e saj.

‘Xhelatët’, një vepër që përveç faktit se ka rrëmbyer çmime, është një vepër shumë e re, e cila shumë shpejt po bëhet pjesë e teatrove më të mira të botës. Është edhe tepër aktuale në raport me temën që trajton. Gjithashtu një ndër motivet është edhe lloji i teatrit që ofron si vepër”, shprehet për medie Rijani. Skenografe dhe kostumografe në vepër është Berina Kokona dhe kompozitor është Fatos Lumani.

Veprat e autorit Martin McDonagh janë shfaqur edhe më parë në skenat e teatrit, duke sjellë në role aktorë të ndryshëm. Drama “Xhelatët” është shkruar këto vitet e fundit dhe në vetvete sipas regjisorit Qëndrim Rijani përmban edhe një aktualitet me vendin tonë vite më parë në kohën e komunizmit

“Vepra teatrore ‘Xhelatët’ trajton temën e dënimit me varje. Përralla zhvillohet në Anglinë e viteve 1965. Temë e cila përkon me ndodhitë e po të njëjtave vite në Shqipëri”, thekson ai.

Në skenë regjisori ka zgjedhur aktorë të njohur, por për rolin e Shirlit në teatër janë zhvilluar edhe audicione. “Audicione kam zhvilluar vetëm për rolin e Shirlit. Rol i një vajze 15-vjeçare. Audicioni më ka lënë vërtet një shije shumë shpresëdhënëse për morinë e vajzave dhe aktoreve të reja, që po dalin në tregun tonë të teatrit. Ndërsa aktorët tjerë të veprës janë aktorë të teatrit dhe disa të jashtëm. Aktorë të cilët unë i kam parë në role të ndryshme në vitet e fundit”, shprehet ai.

Qëndrim Rijani vlerësohet se është mjaft aktiv në skenën e teatrit brenda Shqipërisë, por edhe jashtë saj. Në aktivitetin e tij me teatrin ai është vlerësuar me çmime të ndryshme në festivale. Në Tiranë dy vjet më parë ai solli në skenën e teatrit ‘Metropol” shfaqjen “39 hapat”. 

Ernest Hemingway: Francës i duhen ndërtuesit, jo luftëtarët

Toronto Star Weekly/18 shkurt 1922

Nuk ka asgjë më të vdekur se një tigër i ngordhur dhe Georges Clemenceau ishte një tigër i jashtëzakonshëm. Prandaj, është pak të thuhet se Georges Clemenceau është i vdekur.
Meqë po vija nga Kanadaja, ku një intervistë me Clemenceaun ende rrok ballinat e gazetave, ishte e habitshme ta gjesh Tigrin e dikurshëm të Francës, të vdekur politikisht, ish-liderin francez të cilit i doli nami i zi pasi doli në pizhame nga makina “Pullman”. Askush nuk e citon Clemenceaun, askush nuk kërkon mendimin e Clemenceaut. Kur ju thoni “Clemenceau”, njerëzit qeshen dhe, në fund të fundit, zoti Clemenceau është shtrënguar të hapë një gazetë të vogël që t’i shprehë mendimet para publikut, nëse ka publik që e lexon.
Nëse kërkoni një shpjegim për atrofinë e Clemenceaut si figurë politike, mund të shkoni në dy vende për ta marrë vesh më së miri. Mund të intervistoni politikanë të cilët flasin për Versajën, çështjen e reparacioneve, diplomacinë e hapur, Gjenovën, basenin Ruhr dhe kemalistët. Ose mund t’i mësyni kafenetë dhe ta merrni vesh të vërtetën. Asnjë politikan nuk do të mund të mbante një njeri larg syve të publikut nëse do ta donin njerëzit.
Në kafene francezët nuk kanë çka të humbin e të fitojnë teksa i thonë gjërat troç, kështu që lirisht i thonë gjërat që i besojnë. Afërmendsh, nëse kanë harruar se kur janë ulur në kafene, flasin edhe për gjëra që s’i besojnë as vetë. Por nëse ju bie puna të rrini me ndonjë francez që ka kaluar mjaftueshëm kohë në kafene sa të flasë pa dorëza, dhe para se të nisë t’i vlojë koka a t’i dalë tymi, pa dyshim se do ta merrni vesh se çka përnjëmend mendon për Clemenceaun dhe çfarëdo qoftë. Dhe nëse ju bie puna të rrini me disa francezë në pjesë të ndryshme të Francës, mund ta krijoni vetë opinionin kombëtar; opinionin e përnjëmendtë kombëtar, e jo hijen e opinionit kombëtar që reflektohet në zgjedhje e gazeta.
Gjërat që i thotë Clemenceau janë thartuar në gojën e njerëzve. Nuk kanë shijen e të vërtetave. Të vërteta mund të kenë qenë dikur, por s’e kanë shijen e të vërtetave tani”, më tha një francez“.
Por, a krejt keni harruar çfarë bëri ai në luftë?” – pyeta unë.
Lufta u kry dhe ai ishte alamet tigri në luftë, por deshi të bëhej tigër edhe pas luftës. Pas luftës, tigrat janë hendikep për një shtet. Ju duhen mushka dhe kuaj punëtorë, mbase, por jo tigra. Njerëzve u ka ardhur në majë të hundës Monsieur Clemenceau, dhe ai duhet të presë derisa të vdesë që të bëhet përsëri njeri i madh”.
Ky është rezultat i muhabetit me shumë francezë. Ky muhabet nuk lëshohet shumë në hollësi e nuk përmend rrethana, por Franca dëshiron një soj të ri burrështetasi dhe ai soj i duhet si kurrënjëherë. Francës i duhet një ndërtues në vend të një luftëtari dhe, meqë nuk do të ketë luftime, Franca me egërsinë e republikave i ka çuar duart prej Clemenceaut. Ai jetoi shumë gjatë pasi kishte kryer detyrën e vet dhe, sikurse tha një francez në kafene: “Ai duhet të presë derisa të vdesë që përsëri të bëhet i madh”.

(Marrë nga numri i pestë i revistës “Akademia”)/ KultPlus.com

Pllakë përkujtimore për gazetarët e pushkatuar të Radio Tiranës, Rama: Dy kokrriza rëre që çakërdisën gjithë ingranazhin

Dy gazetarët e Radio Tiranës, Fadil Kokomani dhe Vangjel Lezho, të pushkatuar 40 vite më parë, e deshën aq shumë këtë vend, profesionin e tyre, aq shumë besonin tek kultura e fjala, sa në fund fare mbetën thjesht një jehonë për të gjithë ata që kanë veshë për të dëgjuar një histori të jashtëzakonshme të dy dëshmorëve të fundit.

Kështu deklaroi sot Kryeministri Edi Rama në ceremoninë e organizuar në nderim të dy gazetarëve, varri i të cilëve nuk u gjend kurrë, por që sot kanë një shenjë të dedikuar kujtese në fushën e gjelbër të Kryeministrisë.

“Nëse shohim të gjithë historinë e tyre duket sikur prania e mungesës është ajo çka ata nuk mund të mos e linin pas. Padyshim që zhdukja e eshtrave të tyre është një zgjedhje barbare e vrasësve të tyre, por në fund të ditës duket se është pikërisht përmes pranisë së mungesës që ata janë më shumë se çdo të ishte sot një varr”, – theksoi Rama.

Prandaj, vijoi Kryeministri, mbase është gjëja e duhur në pamundësi të një varri ta celebrojmë praninë e mungesës së tyre në këtë hapësirë të gjelbër duke ua dedikuar pikërisht mungesës dhe duke i ofruar kujtimit të tyre një hapësirë që nuk e di për çfarë arsye, por ata vetë do ta kishin pëlqyer në raport me një varr.

“Jemi pothuajse tri javë nga përkujtimi i 40-vjetorit të pushkatimit të dy gazetarëve të Radio Tiranës, Fadil Kokomani dhe Vangjel Lezho. Shumica e të pranishmëve sot këtu panë ndoshta për herë të parë fytyrat e dy gazetarëve gjatë minutës së heshtjes dhe në vijim, një minutë heshtje nën shembullin e dhjetëra faqeve të mbrojtjes para gjyqit që Fadil Kokomani dhe Vangjel Lezho e kthyen në një nga akt akuzat më të fuqishme ndaj regjimit diktatorial, kur ky i fundit ishte aty i tëri dhe fuqiplotë”, – theksoi Rama.

Kryeministri u shpreh se “janë shëmbëlltyra të hijshme, por edhe të dhimbshme. Nëse shumë prej jush patë sot për herë të parë ç’ka mbetur nga këto shëmbëlltyra të dy burrave, pas vrasjes, mbi vrasjen, hakërrimit mbi kujtesën që ishte karakteristikë e një regjimi errësire askush prej nesh, as të afërmit, siç e dëshmoi sapo njëri prej familjarëve nuk ka parë ende që t’iu jetë falur një vend prehje, një banesë e fundit, një mbishkrim, një varr qoftë edhe kujtese. Fadil Kokomani dhe Vangjel Lezho shumë djalosharë në dënimin e parë u burrëruan, ashtu si vetëm Spaçi mund të burrëronte apo gjunjëzonte edhe karakteret më të skalitur”.

Për habi, vijoi ai, dhe për mrekullinë e një regjimi të kobshëm që u rrek t’i shpërbënte deri në grimcat e fundit të qenies, këta dy gazetarë u kthyen në dy kokrriza rëre që çakërdisën gjithë ingranazhin në dy grimca kripe që i japin shije dheut të asaj kohe, që i ngjan një shkretëtire dhe në forcën e një shembulli që si çmim dhe si shpërblim ka vetëm vetëdijen e lirisë.

Duke sjellë në vëmendje një libër pak të njohur të shkruar nga Ismail Kadare “4 përkthyesit”, ku shkrimtari i madh shkruan “Enver Hoxha i zgjidhte shpejt dilemat e vështira me joshjen dhe shkatërrimin”, Kryeministri Rama tha se “me Fadil Kokomanin dhe Vangjel Lezhon, nuk ia doli as duke performuar njërën dhe as duke kallur datën me tjetrën dhe cilët ishin këta dy djem dhe burra është e kotë që ta kërkosh nëpërmjet një rrjedhe biografike.

“Ma ha mendja se aq më pak mund të kuptohet vetëm nëpërmjet episodeve të arrestimit, vuajtjes në burg, të letrave të dërguara nga Spaçi, udhëheqësit kryesorë dhe udhëheqësve të nënrenditur, apo edhe ridënimit fatal. Brilantë ndonëse diskretë, krenarë, ndonëse pa asnjë fodullëk, me një mendje të hapur dhe të shenjuar nga pasioni sa për vatrat e tyre plagëhapura nga rrebeshi i diktaturës që e morën të tërin mbi trup, aq edhe për idetë që mishëronin dhe për atdheun që i dha mish e kocka gjithë utopisë së tyre”, – tha Rama.

Kryeministri Rama tha se “dy gazetarë të dashuruar marrëzisht me profesionin që u angazhuan për të promovuar një frymë lirie dhe cilësi emancipimi që për herë të parë dhe paradoksialisht Shqipërisë i frynte asokohe edhe nga Lindja, ndonëse përkohësisht”.

“Me shumë respekt dhe mirënjohje për thesarin që ata lanë në memorien e këtij kombi dhe me shumë nderim për familjarët do të doja që së bashku të vendosim një lule pranë një pllake modeste në homazh të dy gazetarëve”, – tha Rama. /Asht/KultPlus

Egjiptianët protestojnë: ‘Jam komunitet, por kam identitet’

Pjesëtarë të komunitetit egjiptian në Kosovë kanë protestuar sot para Qeverisë së Kosovës dhe Kuvendit, duke kërkuar të mos diskriminohen.

Me parulla “Meritojmë të jetojmë dinjitetshëm”, “Duam të jetojmë të barabartë stop diskriminimit”, “Ngjyra ime ka vlerë është dhuratë nga Zoti”, ata kanë kërkuar nga institucionet që t’i trajtojnë të barabartë me të gjithë.

Smajl Demaj, aktivist në këtë organizim, tha se gjatë një viti diskriminohen e më 24 qershor shënojnë ditën e tyre.

“Sa herë vjen qershori kujtojmë një festë përmes saj do të festojmë e pasi të shpërndahemi çka ndodh? Diskriminim gjatë një viti, përbuzje e maltretim, ndoshta sepse jam me ngjyrë dhe kërkojmë lëmoshë, ndoshta, sepse jemi të ndryshëm nga të tjerët në pamje. Ne duhet të integrohemi fillimisht me njeri-tjetrin. Kemi nevojë të solidarizohemi me njëri-tjetrin dhe ta pranojmë ashtu siç është. Jam komunitet, por kam identitet. Edhe sa duhet të tregojmë se djemtë dhe vajzat tona nuk janë vetëm djemtë dhe vajzat e kontejnerëve dhe semaforëve. Ne dimë të bëjmë edhe punë të tjera, por mundësia nuk na jepet”, tha ai.Koha.net/ KultPlus.com

“Një hap me refugjatë” është motoja që shënon ditën ndërkombëtare të refugjatëve

20 qershori, është dita ku i shtrihet besimi dhe i hapet dera një të huaji që të jetojë në vendin tënd, me fjalë tjera është tradicionalisht dita ndërkombëtare e refugjatëve, transmeton KultPlus.

Sot në të gjithë botën është shkruar parualle “një hap me refugjatë” në nder të kësaj dite.

Në ditën ndërkombëtare të refugjatëve e gjithë bota është ftuar në solidaritet ndaj refugjatëve të shumtë nga Siria, Egjipti e Sudani.

Liderë të shumtë botëror e vendorë kanë reaguar lidhur me ditën e refugjatëve, duke rikujtuar njëkohësisht edhe kohën kur kosovarët ishin refugjatë luftë në vendet evropiane./KultPlus/

Gazeta e famshme italiane “La Stampa” shkruan për Gëzim Myshketan, e quan “bariton të jashtëzankonshëm”

Këngëtari i njohur shqiptar Gëzim Myshketa, i cili ka korrur mjaft suksese dhe ka bashkëpunuar me emra të mëdhenj dirigjentësh si Bruno Aprea, Fasolis Diego, Daniel Oren, Dante Ferretti, e të tjerë, sot ka zënë vend në faqen e gazetës së famshme italiane “La Stampa” e cila i ka kushtuar artikull të veçantë Myshtekës, e veç tjerash atë e ka cilësuar si “bariton të jashtëzakonshëm” /KultPlus

Ky është filmi më i ri i Adam Sandler që po thyen të gjitha rekordet e Netflix

Filmi me titullin ‘Murder Mystery’ është shikuar nga 30.9 milionë përdorues të Netflix vetëm për 3 ditë.

Filmi më i fundit i Adam Sandler për Netflix, ‘Murder Mystery’ ka thyer një rekord të madh.

Aktori, i cili ka nënshkruar një marrëveshje katër-vjeçare me Netflix në vitin 2017, është bërë sërish bashkë me aktoren Jennifer Aniston, për një komedi që tregon historinë e një çifti nga New York të cilët rastësisht kapen në një aventurë nëpër një udhëtim në Evropë.

Megjithëse kritikët nuk është se po e vlerësojnë Sandler dhe filmat e tij, përdoruesit e Netflix duket se po e duan ende, përcjell Gazeta Express.

Në tri ditët e para që nga publikimi, raportimet tregojnë se filmi është shikuar nga gati 30.9 milionë përdorues, që është një nga hapjet më të mëdha për një film të realizuar nga Netflix.

‘Murder Mystery’ pritet të kalojë edhe filmin e rekordeve të Netflix, ‘Bird Box’, i cili është shikuar 80 milionë herë në muajin e parë të lansimit./Gazeta Express/KultPlus.com

Alban Skënderaj dhuron spektakël në Prishtinë: Faleminderit që ishit pjesë e kësaj ëndrre

Këngëtari i mirënjohur shqiptar, Alban Skënderaj, mbrëmë (e mërkurë) ka mbajtur koncertin solistik në sallën “1 tetori” në Prishtinë. Koncerti “Hapësira e një ëndrre”, me mbi 20 materiale muzikore të përgatitura enkas për publikun, ka mbledhur afro 3.000 fansa.

Gërshetimi midis rrymave të ndryshme të muzikës, përfshirë pop, RnB dhe i kombinuar me muzikën klasike – simfonike e me orkestër të mirëfilltë nga Kosova dhe Shqipëria, ka bërë që ky koncert të jetë akoma më i veçantë.

Recitali, i cili ka zgjatur mbi dy orë erdhi me disa elemente të reja, me këngë mjaft të veçanta e me një atmosferë të mrekullueshme.

“Jam super i emocionuar sonte, më shumë se kurrë, emocionet nuk mund t’i kontrolloj si asnjëherë tjetër. Jam shumë mirënjohës që sonte jam këtu. Është me të vërtetë realizimi i një ëndrre dhe faleminderit që jeni bërë pjesë e saj. Faleminderit për këto momente. Ne shqiptarët kemi nevojë për më shumë dashuri dhe po mundohem që me gjithë zemër t’ju ofroj dashuri. Arti nuk është luks, është një gjë esenciale, arti është ai që na emocionon, na bën të jemi më të mirët si në familje, si në punë dhe si në shoqëri. Arti është kudo”, nis koncertin këngëtari Skenderaj.

“Është një nga rekordet më të mëdha të jetës time, nuk është presion fare vetëm se po më dridhen pak këmbët”, thotë më tej Albani.

Këngëtari nis prezantimin e këngëve të tij dhe për secilin projekt jep një mesazh domethënës para performancës. Natyrisht, gjatë këtij koncerti nuk munguan as befasitë e artistit për fansat, derisa i përshëndeti, bisedoi me ta apo i solli edhe në skenë për të kënduar.

I njëjti solli edhe një moment të rëndësishëm gjatës natës së mbrëmshme, ku bashkë me këngën “Mirë se vjen në shpirtin tim”  në ekran u paraqit edhe klipi”Ti Barabartë unë”, projekt ky  i cili ka qëllim sensibilizimin e shoqërisë, integrimin e personave me aftësi të kufizuar si dhe socializimin e tyre.

Para performancës, ai ka dhënë një mesazh motivues për të gjithë ne: “Kjo video e sinkronizuar tregon se gjithmonë mund të gjesh një rrugë”.

37-vjeçari po ashtu gjatë kësaj mbrëmjeje ka zbuluar edhe një sekret për publikun, ndërkohë që në skenë u shfaq gruaja e tij këngëtarja, Miriam Cani

Çifti që u martuan muajin e kaluar, në momentin që po këndonin “Dhurata”, këngën e dedikuar vajzës së tyre, Amelia bënë të ditur se do bëhen prindër për herë të dytë.

Nga ana tjetër, përveç befasive të këngëtarit, në fund nuk munguan edhe ato nga fansat e tij, të cilët me pankarta në duar, e falënderuan kantautorin shqiptar.

“Prishtinë ju dua me zemër, faleminderit të gjithë juve që ishit të pranishëm”, janë fjalët që tha në fund Skenderaj.

“Hapësira e një ëndrre” e ka kompletuar karrierën e muzikantit dhe nuk ka dyshim se kjo përmbledhje përkon me të arriturat e shumta në muzikë. Albani jo vetëm që realizoi ëndrrën e tij, por edhe të mijëra fansave me spektaklin që dhuroi në Prishtinë. /Telegrafi/

Oksfordi revolucionarizon dijen

Një nga universitetet më prestigjioze të botës, ai i Oksfordit njoftoi synimin për të revolucionarizuar procesin e dijes, pas një dhurate prej 190 milionë dollarësh nga filantropi amerikan, Stephen Schwarzman, kreu i kompanisë investuese ”Blackstone”.

”Dhurata e Schwarzman do të financojë një investim të transformimit të mënyrës se si Oksfordi përcjell dijen”, tha universiteti me anë të një deklarate.

Ai tha se ky veprim është dhurata më e madhe për universitetin që nga epoka e Rilindjes dhe do të përdoret për të krijuar edhe qendrën ”Schwarzman” si një qendër dinamike kushtuar shkencave humane.

”Qendra do të strehojë një institut për etikën në inteligjencën artificiale duke zgjeruar pozitën e lidershipit të universitetit në studimin e implikimeve etike të inteligjencës artificiale dhe teknologjive të reja informatike”, shtoi ai.

Louise Richardson, zëvendësdekan i universitetit, tha se dhurimi i Scharzman-it “shënon një mbështetje të rëndësishme për vlerën e shkencave humane në shekullin XXI dhe për Universitetin e Oksfordit si një udhëheqës botëror në këtë fushë”.“Për rreth 1 000 vjet Oksfordi ka qenë qendra e civilizimit dhe dijes botërore”, tha nga ana e tij, Schwarzman.

Dokumentari “Prokurorët” me guximin në betejën kundër dhunës seksuale

“Prokurorët”, dokumentari i fitueses së çmimit “Emmy”, Leslie Thomas, ka bërë bashkë të mërkurën në “Kino Armata”, në Prishtinë, ambasadorë e aktivistë në thirrjen e përbashkët kundër dhunës seksuale dhe fuqizimin e zërit të të mbijetuarave.

Kjo ka qenë njëra prej formave për ta shënuar Ditën Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës Seksuale në Konflikt, shkruan sot Koha Ditore.

Shfaqja e dokumentarit ka kthyer vëmendjen jo vetëm tek viktimat e dhunës seksuale në Kosovë, mirëpo edhe tek ajo se çfarë duhet bërë më shumë si shoqëri, e veçanërisht çfarë mund të bëjë sistemi gjyqësor dhe prokurorët.

Që të bëhet më shumë në këtë drejtim edhe në Kosovë, në evenimentin e organizuar nga Zyra në Kosovë e “UN Women” dhe Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë janë ftuar edhe prokurorë, anëtarë të shoqërisë civile, drejtues të institucioneve të Kosovës dhe përfaqësues të ndërkombëtarëve.

“Prokurorët” shpalos historinë e tre juristëve të përkushtuar, të cilët luftojnë për të siguruar që dhuna seksuale në konflikt të mos mbetet e pandëshkuar. I xhiruar në tri kontinente, i merr shikuesit në një udhëtim në Republikën Demokratike të Kongos në Bosnjë-Hercegovinë, si dhe në Kolumbi. Rrëfimi sjell historitë e viktimave të dhunës seksuale gjatë luftërave apo konflikteve, guximin e tyre për të raportuar dhe dëshmuar. Një luftë e përbashkët për drejtësi e viktimave, por edhe e prokurorëve.

Vlora Nushi, udhëheqëse e Zyrës së “UN Women” në Kosovë, ka thënë se dokumentari është tregim dhe kërkim për drejtësi.

Premiera “The Last Breath” e kompozitorit Trimor Dhomi do të shfaqet në Vjenë

Në KammerOper në Vjenë më 22 qershor nga ora 19:00 do të jepet premiera “The Last Breath” e kompozitorit Trimor Dhomi.
Vepra e kompozitorit Dhomi do të shfaqet në kuadër të Vienna Summer Music Festival, transmeton albinfo.ch.

Opera është krijuar për hir të 20-vjetorit të mbarimit të luftës në Kosovë dhe periudhës së dëbimit masiv dhe të dhunshëm të kosovarëve nga shtëpitë e tyre. Ajo është fituese e garës mbarëbotërore për krijim të operës së re origjinale në Vienna Summer Music Festival – Opera Creation.

Vepra përçon tri histori rrëqethëse nëpërmjet tri personazheve, nga të cilët dy janë kosovare dhe një sirian. Opera përhap porosinë për një ndër ndjenjat me të ulëta të përvojës së ‘mospranimit’ të një populli, i cili me dhunë dëbohet nga vendi e shtëpitë e tyre.
Ambasada e Kosovës në Austri fton të gjithë bashkatdhetarët të marrin pjesë në premierë.

Martin Scorsese dhe rrëfimi për Bob Dylanin

“Jeta nuk do të thotë ta gjesh veten apo të gjesh çfarëdo tjetër”, thotë Bob Dylan, “Bëhet fjalë për krijimin e vetes”. Në moshën 78-vjeçare, muzikanti kalon në një fazë të re të vetë-krijimit me filmin intrigues, magjepsës, hutues e ndonjëherë ekzaltues – “Rolling Thunder Revue: A Bob Dylan Story by Martin Scorsese review” të regjisorit Martin Scorsese. Kjo do të thotë se Scorsese ka mbikëqyrur edhe editimin e arkivit filmik dhe se bashkëpunoi me Dylanin në një akt tjetër artistik të vetë-riformimit, shkruan kritiku i filmit Peter Bradshaw.

Filmi flet për turneun e koncerteve të quajtur “Rolling Thunder Revue”, që u mbajt në SHBA dhe në Kanada në vitin 1975 – turneu 57-ditësh ku trubaduri u shfaq me grim të bardhë në fytyrë e me një listë të jashtëzakonshme të akteve mbështetëse, ku përfshiheshin Joan Baez, Joni Mitchell, Roger McGuinn, Ronee Blakley, “Ramblin” Jack Elliott, Bob Neuwirth dhe violinistja Scarlet Rivera. Vendet ku luanin nuk ishin arena masive; ishin salla dhe hapësira të vogla, me publicitet ndonjëherë të kufizuar në fletushka të shpërndara gjatë ditës tek banorët e qyteteve të vogla, në të cilat autobusi i turneut i stilit të Ken Keseyt do të kalonte me Dylanin e buzëqeshur në timon. Mundohuni të paramendoni se po ndodh tani.

Çfarë nënkuptonte për Dylanin, që të udhëheq këtë ngjarje në një si thashetheme muzikore që gjarpëronte nëpër Amerikën që po e merrte veten nga turpi i skandalit Watergate dhe që po bëhej gati për festimin e 200-vjetorit të pavarësisë?

“Ishte aq moti sa që nuk kisha lindur”, thotë sot Dylani ironik, duke ngritur supet. Të gjitha paraqitjet e tij në intervista janë shumë qesharake, me zë të thatë si bari i prerisë.

Filmi nuk mëton të na tregojë qartazi se për çfarë bëhet fjalë. Ka diçka të çuditshme dhe djallëzore aty. Pamjet e koncerteve dhe të prapaskenave duket se janë marrë nga i njëjti arkiv i materialeve që formoi bazën e filmit të gjatë dhe të dështuar të vitit 1978 – për këtë turne, “Renaldo and Clara” – të cilin ai shkroi me të ndjerin Sam Shepard (i cili është intervistuar në dokumentar). Ashtu si ai film, “Rolling Thunder Revue” ka disa karaktere që nuk mund të jenë bash faktikë. Xhirimet i atribuohen filmbërësit dispeptik i cili në fakt është artisti i performancave dhe komediani Martin Von Haselberg, bashkëshorti i aktores dhe këngëtares Bette Midler. Një politikan i caktuar është intervistuar dhe ju mund të thoni: “Prit, ai djalë duket si aktori Michael Murphy”! Dhe është aktori Michael Murphy. Mund të jetë kjo një komedi moderne dell’arte në të cilën, me ndihmën diskrete të Scorseses, Dylan po tërhiqet prapa maskave që mund ta lejojnë të tregojë një të vërtetë më të madhe?

Mbase po. Scorsese hedh më shumë aludime me copëzat nga filmat që në një mënyrë kanë të bëjnë me performancat skenike: “The Vanishing Lady” (1893) nga Georges Melies, “Children of Paradise” (1945) nga Marcel Carnes dhe “Latcho Drom” (1993) nga Tony Gatlif. Ndonjëherë gjysmë-kujtimi kreativ është pak i errët dhe ka raste kur unë do ta kisha bërë më shumë si një realizëm të drejtpërdrejtë dokumentar. Por, nuk bën të ankohem kur gjithë kjo është aq e mahnitshme, si një kapsulë kohore dhe si një shfaqje unike me Dylanin dhe me paraqitje të lavdishme nga Baez, Mitchell dhe gjithashtu Patti Smith – e cila në fakt nuk ishte anëtare i turneut “Rolling Thunder”.

Allen Ginsberg, një tjetër figurë me rëndësi e viteve 1970, shfaqet në turne, sa egoist aq edhe i nënshtruar nga rëndësia e Dylanit. Është një intervistë e mirë me aktoren Sharon Stone, e cila si e re duket se ka qenë pak në turneun me “Rolling Thunder”. Ajo është intervistuar për përvojat e saj – përfshirë shpërthimin në lot kur zbuloi se kënga e Dylanit, “Just Like a Woman”, përkundër fjalëve që ai i kishte thënë, nuk i dedikohej asaj!? A mund të ndodhte kjo meqë ishte e vetmja femër e re, në udhëtim tek e cila Bob mund ta përdorte atë varg?

Pjesa më emocionale e filmit është kënga e Dylanit, “Hurricane”, për boksierin Rubin “Hurricane” Carter i cili u burgos gabimisht për një vrasje. Kjo këngë dhe turneu “Rolling Thunder” ishin pjesë e rëndësishme e momentumit që e përmbysi dënimin për Carterin – megjithëse nuk do të lirohej edhe për 10 vjet.

Për fund, kjo është një përvojë e mrekullueshme, që të zhyt përsëri në vitet 1970. Ka pasion aty. E, pa marrë parasysh se sa kaotike apo të zymta bëhen gjërat, askush nuk ka dyshime se muzika ka rëndësi. /B.M./KultPlus