Ali Podrimja në Tomorr

Nga: Zylyftar Hoxha

Ka qenë gushti i vitit 1994, vitit të tretë, kur Shqipëria kishte ndryshuar sistem dhe ishte hapur më shumë se sa për ne që ende kaptonim malet dhe detet për të shkuar jashtë, për të huajt dhe shqiptarët e Kosovës, sidomos për këta të fundit, të cilët të etur dhe të malluar vërshuan në këtë kohë nëpër rrugët e Tiranës dhe të gjithë Shqipërisë.

Të parët që erdhën në Shqipëri ishin, domosdo tregtarët, por edhe shkrimtarët dhe shkencëtarët kosovarë, të cilët i kishte djegur malli për kolegët e tyre të Tiranës, me shumicën e të cilëve njiheshin në distancë, nga letërkëmbimet apo nga ato që kishin lexuar për njeri-tjetrin, por jo për fytyrë.

Një grup intelektualësh kosovarë si: Ali Podrimja, Shkëlzen Maliqi dhe Agë Batusha, ekonomist në atë kohë, më duket në Belgjikë, pasi kishin bujtur për disa ditë në shtëpinë e Dritëro Agollit dhe Xhevahir Spahiut në Tiranë, vijnë bashkë me Xhevon në Skrapar.

Kur u kishte thënë Xhevua se do t’i çonte në vendlindjen e tij, në Skrapar, dhe jo vetëm në qytet, por edhe në mal të Tomorrit, në festën e përvitshme të bektashinjve, ata ishin lumturuar. Ishte një rast fatlum, që rrallë do ta kishte kosovar tjetër në ato vite për të hyrë thellë në Shqipëri, në Jug të saj, por edhe për të shkelur në malin e shenjtë.

Në një mbasdite vonë më bie telefoni i shtëpisë, nuk kishte celular atëherë: “Xhevua jam, jemi në Skrapar, të flas nga 500 metra larg. Kam ardhur me disa shokë kosovarë dhe jemi te shtëpia e Iliazit (Kapxhiut), por Iljazi nuk qenka këtu, ka ikur në Tomorr”.

“Erdha”, i thashë.

Kur shkova unë miqtë kishin dalë në bahçen e shtëpisë së Iliazit, ishin ulur shesh në disa batanije që u kishte shtruar Ferruzeja, e shoqja e Iliazit.

Pasi u përshëndetëm, i them Xhevos, me qenë se s’ishte Iliazi, të shkonim nga shtëpia ime.

Ferruzeja që e dëgjoi këtë, u hodh dhe tha: “S’është Iliazi, por Iliazi nuk e ka marrë shtëpinë me vete, e ka lënë këtu! S’është Iljazi, ini ju zot shtëpie”.

“Burrneshë grua”, s’e mbajti dot veten Agë Batusha dhe nxori bllokun ku diçka shënoi, “por Iliazi nuk e ka marrë shtëpinë me vete, e ka lënë këtu! S’është Iljazi, ini ju zot shtëpie”.

Në darkë unë sipas zakonit mora gotën i pari dhe urova: “Gëzuar, u thashë, mirë se keni ardhur”! Dhe duke patur ndërmend fjalët e Ferruzesë, u thashë me të qeshur: “Edhe një herë gëzuar, dhe ta dini, se unë jam Iliazi”! Dmth, i zoti i shtëpisë… Qeshëm të gjithë, ndërsa Aga diçka shënoi përsëri në bllok.

Të nesërmen me një makinë që na i dhanë ata të komitetit (ende nuk ishin bërë emërtimet e reja) shkuam në Kulmak. Ishte dita e dytë e festës, kulmi saj. Në teqe kishte radhë për të hyrë, por kur na panë ne, na hapën udhë.

Pas një bashkëbisedimi të shkurtër me të ndjerin Haxhi Baba Reshat Bardhi, dolëm nga tyrbet. Edhe këtu, njerëzit mbanin radhë, sipas ritit hidhnin lekë që kishin taksur.

“Ç’është kjo?”, thotë kurioz Aliu (Podrimja) .

Xhevua i shpjegoi ritin bektashi, sipas të cilit në vendet e shenjta hidhen lekë.

Atëherë Aliu nxori nga xhepi një tufë lekësh dhe bëri gati t’i hidhte.

“Dale, dale, i thotë Xhevua, jo të gjitha se na duhen, pastaj na duhen edhe për atje lartë në majë. Se atje është Abaz Aliu!…

Në këto e sipër një vajzë nga Gjerbësi, që dukej se kishte ecur me shpejtë, duke gulçuar tha: “Më në fund u gjeta, sa jam lodhur”!

Ishte mësuese filloreje, një adhuruese e Ali Podrimjes që ia njihte të gjithë krijimtarinë. Dhe jo vetëm i dinte titujt, por dinte edhe shumë vjersha përmendësh.

Aliu mbushi sytë me lot kur ajo recitoi:

Qaj, rrafshi im i dashur, qaj!
Diellin tënd verbuar e kanë tytat
e vatrat shkimbur deri në një,
Zogun në qiell vrarë ta kanë.
Me duar të mia të çara
me rrashtat tona t’shpura mbuluar të kanë.
Pragje thyer e konaqe mbyllur…
Për gjithkë e për askë vrarëjemi…
Qaj, rrafshi im i dashur, qaj!
Plepi im qiellin do ta shpojë,
plepi im i kallur –
qiellin e humbur majë një shpate.

“S’ma merrte mendja kurrë se do të dëgjoja këngët e mia në këtë mal kaq të lartë dhe të largët”, tha i prekur Aliu.

Aliu ka ardhur edhe dy herë të tjera në Skrapar bashkë me Xhevahir Spahiun.

Besiana Mehmedi, kthehet pas një dekade në Opera

Në kuadër të “Verës kulturore tetovare” me datë 28 korrik me fillim në ora20:00 mezzosopranoja Besiana Mehmedi për herë të parë shfaqet para publikut tetovar me shfaqje dhe rol operistik.

Nga viti 2002-2003 kur kishte pasur eksperience në Teatrin e Operës në Tiranë dhe më 2008 kur ka luajtur për herë të fundit në Verën e Ohrit, ështê shfaqur me koncerte por jo me role operistike.

Sigurisht që është sfiduese për të ky kthim pas një dekade në një shfaqje impenjative “Orfeo dhe Euridika” të Gluck.

Përveç Besiana Mehmedit që luan rolin e Orfeut, në rolet tjera do të jetë Slavica Galic që luan Euridiken dhe Nita Ismaili që luan Amoren.Regjia është bërë nga Trajko Jordanovski kurse korepetitor eshte Andrej Naunov.

Shfaqja ipet me datë 28 korrik në ora 20:00 në Qendrën për Kulturë në Tetovë.

Gima, këngëtari i stilit të veçantë me performancë live në Prishtinë


Këngëtari Agim Llapashtica i njohur si Gima nesër do të performoj live disa nga këngët e tij të shpirtit, shkruan KultPlus.

I lindur nё Prishtinё, me 1991 lёshon Prishtinёn shkaku i fillimit tё luftёs nё ish-Jugosllavi.
Muzika e pёrcjellё gjatё gjithё kohёs. Gima asht kantautor qё shkruan kangё me kompozime t’veta, ka bёrё edhe rikomponime tё kёngёve tё bendeve dhe artistёve tanё, Telex, Violeta Rexhepagiqit e tё Gjurmёve. Albumi i Gimёs titullohet Zbardhi Dita.
Kёnga me emrin e njejtё asht ndёr t’parat, pasi qё Gima vendosi ti rikthehet Muzikёs pas nji shkёputje prej 8 vjetёsh.
Zbardhi dita ёshtё njё kёngё qё ka fillu nё mesin e viteve tё 90ta.
Dashnia ndaj vendlindjes, nёnёs … deshira qё njё ditё tё zgjohet nё gjirin familjar…
Pastaj kalimi i kohёs, ngjarjet e luftёs, paslufta, humbja e mё tё dashurёs (nanёs), koha e pavarёsisё, ёndёrrat mё tё mira qё thurrnim pёr vendin tonё dhe zhgenjimi qё dhemb e dhemb e nuk ndalet pёrderisa i shef njёrzit pёrreth qё janё zhytё nё agoni prej tё ciles nuk dalin dot.
…”çu sa s’kom flejt edhe une se kur t’flej une, nuk muna me’t çu ty jo, çu “…

Kёnga Shpirt, ka tё bёj me kthimin e artistit nё punёn e vet. Teksti i dedikohet Shpirtit tё tij.
Kenga Perёndi i dedikohet vajzёs sё tij.
Kjo kёngё lindi gjatё kohёs sa ishin nё pritje tё lindjёs sё Fionёs, pёr tu pёrfunduar verёn e kaluar.
Kёnga Veni jem ka pasё jehonё mё tё madhe.
Dёshira pёr me pa vendin tu’j marr frymё, shlirё…
Asht’ nji kёnge qё hyn thellё nё historinё tonё, vuajtjet, shkresat, gjurmёt gjatё historisё, religjionet, qendrimi ynё historik.
Kёngёt qё gjinden nё album, kantautori dёshiron t’i len t’pazbuluara deri nё naten e performancёs live nё Soma, Prishtinё me 25.07.2019.

‘Për Teatrin Kombëtar, sot’

Entela Kasi

Ky është një krim ndaj identitetit, ndaj trashëgimisë kulturore të shqiptarëve, që kryhet paturpësisht sot!

Shekspir ku je? Bash mes Tiranës në shekullin XXI- një tjetër dramë në skenë po luhet si një kumt i zi, krejt si në kryeveprat e letërsisë botërore!

…por pyetja që sot kam, nuk është – ku është opozita, e ku janë artistët?

Pyetja që shtrohet sot është – Ku janë artistët veshur me imunitet deputetësh të Kuvendit të Shqipërisë?

– Ku janë të gjithë ata, arkitektët, por edhe albanologët, të cilët brenda institucionit të Qeverisë, lejuan të arrijmë në këtë situatë të tillë, absurde të Shqipërisë sot?

– Ku janë të gjithë ata intelektualë të Bashkisë Tiranë, e po ashtu edhe ata këshilltarë të këtij Institucioni?

– Ku është Ministria e Kulturës si institucion në këtë ditë?

– Ku janë reaktorët e suplementeve të kulturës në mediat e shkruara dhe audiovizive të Shqipërisë?

Se ku është opozita, dihet!
Se si po merren zvarrë ata që po e mbrojnë këtë çështje, këtë ne po e shohim me sy!

Çështja është: ku është pushteti? Shteti!

Shekspir, ku jemi?

Entela Kasi, Presidente e Qendrës PEN të Shqipërisë /GazetaLetrare.com

Shyqyri Sako: Një jetë, duke pikturuar filmin, sot s’ka më filma shqiptarë

Piktori i parë profesionist i filmit shqiptar Shyqyri Sako ka çelur ekspozitën “Duke pikturuar filmin” në Qendrën për hapje edhe Dialog. Teksa artisti rrëfen nëpërmjet pllakateve historinë e kinematografisë shqiptare  të para viteve ’90, ndalet edhe tek situata ku gjendet sot filmi shqiptar.

Pllakate origjinale, vizatime, portrete edhe piktura të “Artistit të Merituar”, Shyqyri Sakos, i cili i ka realizuar gjatë 50 viteve krijimtari artistike në ish-Kinostudion “Shqipëria e Re”, janë ekspozuar për publikun në Qendrën për hapje edhe Dialog. Rreth 90 pllakate të filmave (posterat), prodhime origjinale, por edhe vizatimet dhe pikturat, që janë frymëzime nga filmat ekspozohen, si reflektime nostalgjike që risjellin me shumë kujdes dhe durim momente interesante nga disa filma. Piktori Shyqyri Sako teksa kujton takimet e para me artin, studimet në Moskë, ndalet edhe tek krijimtaria e tij artistike në kinematografinë shqiptare.

“Kthimi nga Moska për mua ishte një armë, sepse atë që unë mësova atje do ta jepja në Kinostudio për ata që nuk kishin fatin tim, që të mësonin teknikën e filmit edhe artin e kinematografisë. Piktori më i madh rus, ai që ka pikturuar filmin “Skënderbeu’, Shpineli ka qenw pedagogu im nw Moskw. Ai thoshte, që kisha talent, prandaj duhet qw tw punoja se do të bënte piktor të madh. Por kur u prishën marrëdhëniet, unë u ktheva këtu. Mësimet e tij më vlejtën shumw. Ndërsa, për herë të parë në ish- Kinostudio më ftoi Kristaq Dhamo që të bëja kostumet në filmin “Detyrë e Posaçme”, rrwfen piktori Shyqyri Sako.

“Njësiti Gueril” (1969), “Kapedani” (1972), “Rrugë të bardha” (1974), “Dimri i fundit” (1976), “Tomka dhe shokët e tij” (1977), “Mësonjëtorja” (1979), “Fundi i një gjakmarrjeje” (1983), “Shpella e piratëve” (1990), “Përdhunuesit” (1994) etj., janë disa nga posterat, që rrëfejnë punën e palodhur të Sakos. Por, që sot sipas tij, jo vetëm piktorë filmi, që nuk ka më, por nuk ka as prodhime cilësore kinematografike shqiptare.

Mbrëmja me Erza Muqollin do të mbahet në Bibliotekën Universitare në Prishtinë

Me datë 30 korrik, e keni mundësinë ta përjetoni një natë të veçantë me vajzën simpatike shqiptare që na bëri krenarë dhe vazhdon të na bëjë krenarë në Francë.

Erza Muqolli, me ftesë nga KultPlus, po vjen me një koncert në Prishtinë.

Ngjarja do të mbahet në ora 20:00, me 30 korrik, në Bibliotekën Universitare në Prishtinë. Kujtojmë se Biblioteka Universitare gjendet pas Bibliotekës Kombëtare.

Lokacioni ku do të mbahet koncerti është ky:

Ngjarja është pjesë e ciklit ‘Ta zbardhi ftyrën’. Hyrja është pa ftesa, pra e lirë për të gjithë adhuruesit e Erzës.

‘Edhe vetë Gabriel Garsia Markez do mbetej pa fjalë këtu në Shqipëri’

Burim Myftiu

Një pasdite të ngrohtë vere në Shkodër, gati se rastësisht u ndala të fotografoj ca pamje rruge në lagjen e Romëve matanë liqenit. Pasi kuadrova ca njerëz dhe një kolltuk të vjetër në mes te rruges, nga rrugica afër u degjuan zëra të fëmijëve.

 Vendosa t’i përcjellë zërat dhe arrita në mes të një lagjeje të pasistemuar ose më mirë të them të improvizuar buzë liqenit. Rreth e rrotull një rëmujë, përplot shtëpiza të vogla të vetëndërtuara, më shumë si kasolle, me gjysmë çati ose të mbuluara me llamarina. Një skamje e paparë…Çdokush ishte në rrugë ose para shtëpisë. Ca punonin, ca flenin derisa një duet ushtronte klarinet në fund të lagjes.

Fëmijët ishin përqëndruar në lojën e tyre. Në mes të asaj skamje dhe kaosi megjithate dominonte gëzimi, lumturia e çastit dhe e një rritëm spontan e optimist. Edhe vetë Gabriel Garsia Markez do mbetej pa fjalë këtu. Nuk kaloi shumë kohë, në atë parajsë të inspirimit, i zbulova kupidët e lagjes, engjëjt e vegjël. / KultPlus.com



Linditë Ramushi Dushku vjen me librin ‘Asht Gusht’

Vjen për lexuesin vëllimi poetik “ÂSHT GUSHT”, i autores Linditë Ramushi Dushku.

Ky është vëllimi i saj i tretë me poezi.

Autorja shprehet se “Asht Gusht” sjellë në formë vlimi çdo emocion që vargjet brenda këtij teksti flasin, gushti simbolizon vlimin dhe energjinë e vrullshme.

Redaktore e këtij vëllimi poetik është Ilire Zajmi Rugova, e cila me një koment të shpejtë shprehet se, “ata që e duan poezinë e mirë le ta lexojnë vëllimin poetik Asht gusht. Viva la poesia!”

Ky botim pëmbledhë dyzetë poezi të shkruajtura në dialektin geg, dhe vjen si botim nga shtëpia botuese dhe shtypshkronja Lena Grafik, Prishtinë, dhe me katalogim në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës. / KultPlus.com

Ramë Lahaj rikthehet me një koncert në Prishtinë

Ramë Lahaj ka dhënë lajmin e mirë për të gjithë adhuruesit e muzikës së tij.

Ai përmes rrjeteve sociale ka njoftuar se shumë shpejt do të rikthehet me një koncert në kryeqytetin tonë, Prishtinë, shkruan Indeksonline. “Së shpejti koncert në Prishtinë…”, ka shkruar tenori kosovar me famë botërore.

Kujtojmë që sukseset dhe fama e Lahaj ka depërtuar përtej kufijve shqiptarë.

Duhet të jesh i dehur gjithnjë, zgjidhje tjetër s’ka

|Charles Baudelaire|

Duhet të jesh i dehur gjithnjë. Kjo është e gjitha; zgjidhje tjetër s’ka. Që të mos ndjesh barrën e tmerrshme të kohës që shpinën ta thyen dhe përtokë të lëshon, duhet te jesh i dehur vazhdimisht.

Me se? Me verë, poezi, a virtyt, a ç’të duash. Vetëm dehu.

Dhe nëse ndonjëherë, në shkallët e pallatit zgjohesh, në barin e gjelbër, ndanë një pusete, në vetminë pikëlluese të dhomës tënde, pija të ka dalë, e dehja të ka lënë, pyet erën, valën, yllin, zogun, orën, çdo gjë që fluturon, çdo gjë që rënkon, çdo gjë që rrotullohet, çdo gjë që këndon, çdo gjë që flet…

pyet ç’orë është; dhe era, vala, ylli, zogu, ora, do të përgjigjet: është koha për t’u dehur! Mos u bëj skllav martir i kohës, dehu, dehu papushim! Me verë, poezi, virtyt, a ç’të duash!

1953 në Beograd, shqiptarët e mjeruar e izoluar

Se dikur në Ballkan shqiptarët kanë jetuar mjerueshëm dhe janë shtypur prej regjimit jugosllav dhe shpesh veçmas serb, e tregon edhe historia dhe dokumentet.

Në këtë fotografi në Beogradin e vitit 1953, shihet qartë gjendja e mjerushme e veshjes së Dardan-it, veshjes shqiptare dhe dinjitetit shqiptar.

Shumë Dardanë, shqiptarë me gjak kuq e zi, gjatë kësaj periudhe për shkak të izolimit të Dardanisë dhe gjithçkaje shqiptare nga shteti jugosllav punonin, punë të rëndomta në Beograd për të mbijetuar.

‘Në Tiranë po shembet Shqipëria, jo teatri’

Nezir H. Kraki

Pa asnjë gram politikë, shembja e teatrit në Tiranë është sinonim i shembjes së shtetit shqiptar që kurrë s’u ngrit në lartesinë e dinjitetshme të vendit të shqiponjave.

Sot nuk bëhët fjalë për teater por për një truall ultra strategjik për ata që e sollën Ramen në pushtet dhe që e izoluan Shqipërinë kur ajo ishte në prag të daljes nga kafazi. Shqipërinë dhe teatrin i shembin ata që janë më të fortë se shteti. Teatri i Tiranës është thjesht çështje biznesi milionesh me pronat, pallatet, lokalet dhe banimet që do dalin nga ky projekt. Këtu ka çdo lloj halli por jo hall artistik.

Miq të dashur, Tirana i ka 1001 halle bazike me të cilat përballen qytetarët e saj. Tirana nuk ka as hyrje as dalje të denja për një kryeqender. Tirana nuk ka ujë as drita si duhet. Nuk ka as kanalizime si duhet. Nuk ka as parkingje si duhet. Thjesht, Tiranës i mungojnë të gjitha infrastrukturat qe jetën e bëjnë normale. Është qytet i asfiksuar nga ndërtimet e mbindërtimet. Qytet i çrregullt në çdo element të tij.

Me fjalë tjera, Tirana nuk është fare qytet. Është zonë gjeografike e pakufizuar, me popullsi të panumëruar, me banime të paregjistruara, me rrugë të pasigurta, me adresa të panjohura… veç Kinshasa dhe Tumbuktu i afrohen Tiranes për nga çrregulli.

E tash, nëse kjo është Tirana dhe këto janë hallet e qytetarëve të saj, si mundet mendja e shëndoshë ta kuptojë idenë apo nevojen e shembjës së teatrit?!

Çka i sjell konkretisht kjo Tiranës? A krejt janë rregulluar deri te teatri? 
A do kalojë aty ndonjë metro moderne apo kjo prishje është pjese e nje plani strategjik global për Tiranën e denjë?!
JO! Është thjesht plan banditesk lokal që bosht strategjik ka parcelen e tokës në zemër të Tiranës. Ndryshe nuk kuptohet kjo urgjencë për shembje.

Fatkeqesisht, shteti bandit dhe autoritar rrëzon edhe shtepi e spitale, edhe kisha e xhamia, por asnjëherë nuk do ta rrëzojë përpjekjen tonë për dinjitetin e dhunuar të vendit të shqiponjave.

Prandaj, miq t’dashur, lini anash partitë dhe bandat, mendoni një minutë për të nesërmen. Kush do shkojë në Teatrin e ri pallat dhe cilin spektakël do ta shikojnë fëmijët tuaj?

Me këtë cikël të poshtër, i vetmi spektakël që do shikohet aty, do jetë ai i një populli të pashpresë të dhunuar deri në dinjitet nga matrapazë politikë që kurrë s’u ngopen.

Pa politikë, të gjithë kundër shembjes së Shqipërisë. / KultPlus.com

‘Kosova ka nevojë për liderë që e braktisin kullën’

Sibel Halimi

Kosova është vend i ditëve të jashtëzakonshme, mbase edhe kështu po mbijetojmë, kushedi! Të gjithë të ekzaltuar i dalim në ballë situatave a ngjarjeve dhe më pas i tejkalojmë duke mos e kthyer kokën më.

Kosova ka nevojë për liderë që e duan vendin e tyre jo vetëm deklarativisht, por që mendojnë për qeverisjen e mirë, luftojnë korrupsionin e nepotizmin. Mendojnë për të rinjtë, gratë e burrat, fati i të cilëve nuk manipulohet e instrumentalizohet vetëm në kohë fushatash, e sigurisht ky do të ishte patriotizmi i vërtetë i tyre.

Kosova ka nevojë për liderë që e braktisin kullën, mentalitetin farefisnor e frikësimin e çdoditshëm të qytetarëve të saj me idenë e armikut të jashtëm, duke na kujtuar çdo ditë përkatësinë e jo qytetarinë.

Kosovës i duhen liderë që udhëheqin vendin e i gëzohen qeshjes së vajzave e grave kudo që janë ato!

“Njeriu ka nevojë për dashuri: të dojë dhe të duhet”

Mid’hat bej Frashëri ka qenë diplomat, shkrimtar dhe politikan shqiptar. Mes të tjerësh, ai ka qenë ndër etërit e nacionalizmit shqiptar.

Nisi të merrej me krijimtari letrare që prej vitit 1897 dhe filloi të botonte “Kalendarin kombiar”, të cilin e botoi pa ndërprerje deri në vitin 1928. Në shkrimet publicistike ai përdori pseudonimet Lumo Skëndo dhe Mali Kokojka, ndërsa në botimet e ndryshme përdori pseudonimin Ismail Malosmani.

Më 1901 ka shkruar jetëshkrimin për Naim Frashërin, përmbledhjen “Hi dhe shpuzë ”, studimin mbi shqiptarët dhe të ardhmen e tyre të pagëzuar si “Pritmi i Shqipërisë”, ese socio-politike dhe etnike “Plagët tona” (1924) etj. Mit’hat Frashëri ka botuar edhe disa vepra në frëngjisht: “L’affaire de l’Epire (1915), “La population de l’Epire” (1915), “Albanais et Slaves” (1919) e të tjera.

Si njëri nga mendjendriturit shqiptar, Mid’hat beu njihet edhe për shumë thënie me interes për shqiptarët, disa prej të cilave i kemi përzgjedhur më poshtë.

“Themelin e diturisë dhe të atdhetarisë e përbën gjuha shqipe”.

“Nuk mund të punojmë për vendin tonë, po nuk patëm një dashuri për çdo cep të Shqipërisë”.

“Liria është që të mos të trazojë njeri ty dhe ti të mos të trazosh të tjerët”.

“Cili duhet të jetë ideali ynë? Duhet të jetë madhëria dhe nderi i shqiptarit, njësia dhe bashkimi i kombit, lumturia dhe përparimi i përgjithshëm”.

“Shqiptarët, megjithëse në pjesën më të madhe myslimanë, nuk e kanë konsideruar veten kurrë turq. Në të kundërtën, ata kishin një nocion të qartë për individualitetin e tyre dhe një hendek i thellë i pengonte ata të ngatërroheshin me racën e pushtuesve”.

“Kur merr një detyrë, ki disiplinë e durim. Shqiptarin e ka prishur mungesa e disiplinës dhe zjarri i padurimit”.

“Shqiptarin e ka prishur mosbindja dhe jo bindja. Nis ti më parë të japësh shembullin e bindjes jo të verbër”.

“Mos u hidhëro po të shkojë tjetri para, edhe pse nuk ndenj dot në krye. Zilia na ka lënë të panderuar”.

“Është i lumtur ai që di dhe mund të punojë, që di dhe mund të bëjë edhe të tjerët të punojnë”.

“Që ta zgjojmë frymën e iniciativës, duhet të pushojmë së shpresuari gjë prej qeverisë”.

“Shpëtimi i Shqipërisë do të vijë me anë të vetes tonë”.

“Gjithë vlefta, gjithë fuqia, gjithë virtyti në këtë botë është, puna”.

“Shqiptari ikën jashtë Atdheut me lehtësi, jo se ai emigron, po ai shkon të kërkojë fatin gjetiu dhe është mbase ky eksod që pengon vendlindjen e tij që të kultivohet më mirë”. /KultPlus.com

Mid’hat bej Frashëri

Anthony Çako: Jam njëqind për qind francez, por Shqipërinë e dua

Anthony Çako, prej kohësh i është përkushtuar muzikës, por tashmë sapo ka realizuar dhe albumin e tij të parë të titulluar “Enigma”, i cili përmban 6 këngë.

Edhe pse është lindur dhe rritur në Paris, ai 3-4 herë në vit vjen në Shqipëri, por këtë herë ardhja e tij lidhet dhe me anën profesionale pasi është i ftuar në “Mik Festival” në Korçë, ku sopranoja e njohur Inva Mula është dhe organizatorja e festivalit.

Veç kësaj Anthony është i ftuar dhe në Sunny Hill Festival në Prishtinë që do të mbahet në fillim të muajit gusht. /KultPlus.com

Artisti shqiptar Helidon Xhixha, me instalacion alarmues në Venecia

“Të shpëtojmë detet e botës nga plastika”. Artisti italiano-shqiptar, Helidon Xhixha, me një instalacion shumë domethënës, prezantohet këto ditë në Venecia, në këtë periudhë kur është dhe Bienalja e Artit ku vijnë vizitorë nga e gjithë bota.

Kjo ka qenë detyra e dy artistëve të cilët nëpërmjet dy shisheve gjigande në çelik që rrinë pezull mbi Canal Grande në Venecia, duan të transmetojnë këtë mesazh.

Skulptori shqiptar Helidon Xhixha dhe fotografi zviceran Giacomo Braglia, nisin nga qyteti i Venecias, këtë mesazh themelor njerëzor, aktual, për shpëtimin e ujërave të oqeaneve kundër plastikës. Projekti “Twin bottles: mesazh në shishe, është i përkrahur nga Fondacioni Braglia, që organizon ekspozita dhe që prej shumë kohësh merret me temat ekologjike. S

hishja e parë e gjatë 4 metra është vepër e skulptorit Xhixha, 49 vjeç, nga qyteti i Durrësit i cili prej shumë vitesh punon çelikun inoksidabel. E dyta shishe, më e vogël dhe e mbledhur shuk si një mbeturinë plastike është e veshur nga Jack Braglia, 22 vjeç nga Lugano, i cili me fotografitë e tij të bëra nëpër botë, denoncon problemet e ndotjes.

“Është e drejtë që mesazhi të fillojë nga Venecia. Një ulërimë alarmuese e thënë me mjete artistike”, janë shprehur artistët. “Duhet ta shpëtojmë të ardhmen tonë!”

Artisti Xhixha, në këtë moment ka dy ekspozita në skulpturat e tij monumentale, një në Lugano, Zvicër dhe tjetrën në Forte dei Marmi, në Toscana të Italisë. Me këtë sensibilitet për problemet e mëdha që sot i ka bota kapitaliste duke përdorur plastikën si problem shumë të madh që i krijohet deteve.

Xhixha përpara disa viteve në Bienalen e Venecias, mori pjesë duke prezantuar asbejgurin e madh në Ujërat e Venecias, për nxjerrjen e rruzullit tokësor ku po shkrihen akujt. Një problem internacional që artisti ngre zërin e tij me këtë formë artistike.

 Alfred Mirashi , Firenze. / KultPlus.com

“Madhështia e njeriut nuk bazohet në pasuri dhe forcë, por në karakter dhe mirësi”

Thëniet më të bukura të Anne Frank.

  • Vërtetë është për tu habitur se si nuk kam hequr dorë nga të gjitha idealet e mia sepse duken shumë absurd dhe të pamundur për ti realizuar. Megjithatë nuk tërhiqem nga ato, përkundër të gjithave edhe më tutje besoj se njerëzit janë të mirë.
  • Njerëzit mund të të thonë mbylle gojën, por kjo nuk të ndalon e as nuk të pengon që të kesh mendimin tënd.
  • Sa mirë është ajo kur askush nuk duhet pritur asnjë çast për ta bërë botën më të mirë.
  • Në shtigje të gjata, arma më e mprehtë nga të gjitha është shpirtmirësia dhe ndjeshmëria.
  • Kujto të gjitha bukuritë rreth teje dhe bëhu i lumtur.
Ditëlinda e 10-të e Anne Frank. E dyta nga e majta.

  • Fati meritohet duke bërë vepra të mira dhe duke punuar, duke mos spekuluar dhe duke mos qenë i mërzitshëm e i bezdisshëm.
  • Madhështia e njeriut nuk bazohet në pasuri dhe forcë, por në karakter dhe mirësi. Njerëzit janë vetëm njerëz dhe të gjithë njerëzit kanë mangësi dhe veti, por të gjithë ne lindim të mirë.
  • Mund të jesh i vetmuar madje edhe atëherë kur shumë njerëz të duan, nëse për askënd nuk je një dhe i vetëm.
  • Të gjithë jetojmë me dëshirë që të jemi fatlum dhe të lumtur. Jetët tona janë të ndryshme, por përsëri të njëjta.
  • Thellë në vetvete, të rinjtë janë më të vetmuar se të moshuarit.
  • Pse disa njerëz duhet të durojnë urie, përderisa ne viset tjera të botës ka tepricë? Oh, pse njerëzit janë ashtu të çmendur.
  • Nuk dua të jetoj kot, si shumica e njerëzve. Dua të jem e dobishme dhe t’u sjellë kënaqësi të gjithë njerëzve, madje edhe atyre të cilët kurrë nuk i kam njohur. Dua të vazhdoj të jetoj edhe pas vdekjes.
Dhoma e gjumit e Anne Frank

  • Kam kuptuar se bukuria gjithmonë diku ekziston-në natyrë, në rrezet e Diellit, në liri, në ty; e gjithë kjo mund të të ndihmojë.
  • Prindërit mund të japin këshillë të mirë ose ta orientojnë fëmijën në rrugë të drejtë, por përfundimisht formimi i karakterit të ndokujt qëndron në duart e tij.
  • Është vetëm një rregull që duhet mbajtur në mend: qeshu për gjithçka dhe harro të gjitha të tjerat! Tingëllon shumë egoiste, por ky është ilaçi i vetëm kundër vetëkeqardhjes (dëshpërimit).
  • Megjithëse jam 14 vjeçe, e di mjaft mirë se çfarë dua, e di çfarë është e drejta dhe çfarë është e gabuara.
  • Kam opinionet e mia, idetë e mia dhe parimet e mia, dhe megjithëse mund të duket çmenduri për një adoleshente, ndihem më shumë person se sa fëmijë, ndihem më e pavarur se çdokush.
  • Secili që është i lumtur do ti bëjë edhe të tjerët të lumtur.
  • Pavarësisht gjithçkaje unë besoj akoma që njerëzit kanë një zemër të mirë.
  • Nuk e mendoj kurrë mjerimin, por bukurinë që ka ngelur ende.

Bunkerët shqiptarë në syrin e fotografit britanik

Deri në 750,000 bunkerë ushtarakë janë ndërtuar në Shqipëri gjatë periudhës së regjimin komunist. Ata u ngritën nga diktatori Enver Hoxha, i cili pas Luftës së Dytë Botërore besonte se armiqtë mund t’i shpallnin luftë, por që vendi nuk u sulmua kurrë.

Por çfarë po ndodh sot me “mburojat e luftës”?

Fotograf britanik Robert Hackman ka fotografuar plot 250 bunkerë gjatë udhëtimit të tij nëpër Shqipëri. Ai ka botuar një libër për bunkerët dhe e përshkruan si “dokumenti i triumfit të popullit mbi shtypjen”.

“Doja të bëja një shënim për këtë kapitull kalimtar të historisë shqiptare, për të bërë të njohur jo vetëm bunkerët, por edhe popullin shqiptar dhe vendin e tyre”, thotë ai.

Gjatë udhëtimit të tij në Shqipëri ai vuri re se disa bunkerë pas rënien së komunizmit janë shkatërruar, disa të tjerë janë zhvendosur nga pronarët e tokave, ndërsa disa shfrytëzohen për stalla e shumë pak për turizëm.

Por ndryshe nga shumica e shqiptarëve që nuk dua ta kujtojnë atë periudhë të vështirë, fotografi britanik ka një mendim tjetër. Ai në librin e tij shkruan se bunkerët duhej të ishin ruajtur pasi mund të ishin një potencial i madh për turizmin nëse shfrytëzoheshin në mënyrën e duhur. /KultPlus.com

Rama i vendosur për shembjen e Teatrit: Një minorancë aktorësh s’mund të na pengojë

Kryeministri Edi Rama ka reaguar para pak çastesh për përplasjen e punonjësve të policisë me artistët protestues te Teatri kombëtar.

Në reagimin e tij Rama shprehet i vendosur për vendimin e shembjes së Teatrit Kombëtar dhe rindërtimin e tij sipas planit.

“Asnjë minorancë nuk mund të marrë peng asgjë e askënd në këtë vend.Megjithë respektin për një minorancë aktorësh teatri dhe politikanësh që s’kanë hyrë kurrë në teatër, po janë mësuar të bëjnë teatër me çdo gjë,Teatri i ri Kombëtar do të ndërtohet si plan e përgjegjësi qeverisëse.

Teatrin e ri Kombëtar e kërkon kryeqyteti, vendi, kombi e shumica e komunitetit të artistëve të skenës. Njësoj si Stadiumi i Ri kombëtar ai do të jetë një gur kilometrik në rrugën e Shqipërisë që duam.Kush s’është dakord është i respektuar,po s’ka as mandat as të drejtë të pengojë”, shkruan kryeministri Rama në Twitter. /KultPlus.com

Kim Mehmeti: ‘Rilindja’ duhet t’ua kthejë Shqipërinë shqiptarëve e teatrin aktorëve

Shkruan: Kim Mehmeti

E ëndërronim si ‘çadër’ kombëtare që do e mbrojë mbarë shqiptarinë, e Shqipëria u bë vend ku vjedhësi i 50 eurove shkon në burg, e ai i 50 milion eurove bëhet mik i kryeministrit dhe burrështetas.

Ne dëshironim një Shqipëri me të cilën do krenoheshim dhe që do i mbronte vlerat tona kombëtare si edhe ato të shtetit ligjorë, e Shqipëria u bo vend që mbron vetëm brekushet dhe prapanicën cullak të piktorit Kryeministër dhe e cila shkon drejtë NATO-s e BE-së duke mos parë se s’ka kë të çojë atje, se e tërë rinia i është shpërndarë nëpër botë dhe se, është bërë vend ku ngjarje kulturore janë dasmat e ‘VIP-ave’, e ditë festive ato kur mbahen mitingjet partiake, ku votuesit u duartrokasin politikanëve që para syve i gënjejnë dhe e plaçkitin popullin.

Pra ne donim një Shqipëri që do jetë strumbullarë, rreth të cilit do bashkoheshin gjitha vlerat dhe forcat tona kombëtare, e ajo u bë përbashkuese e hajdutëve dhe kriminelëve politikë mbarëshqiptarë, me çka në botën shqiptare, çdo gjë mbeti e copëzuar, përpos krimit dhe nëntokës politike.

Ne donim një Shqipëri të fortë, me shqiptarë të kënaqur në të, e jo një ‘Rilindje’ të fortë me politikanë milionerë që na mësuan si mbrohet partia dhe pushtetarët, por jo edhe atdheu, që vendin e bënë pronë të veten, duke i kthyer shqiptarët atje ku ishin në kohën e mbretit: popull të cilin, o e dëbojnë nga vendlindja, o ai vetë e braktisë atë, popull të cilit, o ia grabisin tokën e detin, o pushtetarët e tij i shesin dhe i dhurojnë ato, vetëm për të mbetur në pushtet.

Donim një Shqipëri që do ishte lokomotivë e kulturës, artit dhe ekonomisë kombëtarë, e ajo u bë vend ku policia e ‘mbron’ teatrin nga aktorët dhe ku rrënohet mbëmendja e popullit, me qëllim që kalendari i vlerave tona artistike të nisë nga dita kur në pushtet erdhi qeveria e ‘Rilindjes’ dhe të fillojë me shkarravinat e piktorit të dështuar.

Ne shqiptarët jashtë mëmëdheut besuam se do kemi një Shqipëri që do na bëjë të krenohemi me të, e ajo u bë vend që rrezikon të mbetet pa shqiptarë, sepse nga rreth dy milionë emigrantë shqiptarë sa e kanë braktisur vendin, 390 mijë prej tyre kanë marrë shtetësi të huaj.

Dhe sa e dhimbshme është ta pranosh, se nga e gjithë ajo që ëndërronim e shpresonim se do bëhet Shqipëria jonë, neve shqiptarëve jashtë mëmëdheu ajo na dhuroi vetëm dëshpërim, zhgënjim…dhe turpin.

Gjithsesi, ne shqiptarët jashtë mëmëdheut, jo se Shqipërinë e duam më shumë se vëllezërit tanë që jetojnë në të, por nuk duhet harruar se ajo u bë shtet sepse ishte ëndërr dhe vullnet mbarëshqiptarë, andaj edhe kemi të drejtë të themi: duhet mbrojtur Shqipërinë nga destruktiviteti politikë sepse, jo vetëm për shtetasit e saj ata, por edhe për ne jashtë mëmëdheut, për shumëçka, ajo është më e shtrenjta që kemi. Dhe shqiptarët e atjeshëm, mbrojtjen e saj nga politikanët kriminelë, nuk ia kanë borxh vetëm vetvetes, por edhe neve ëndërrimtarëve që mbase ‘mbrapshtë’ kemi ëndërruar.

Siç kemi të drejtë t’i themi piktorit të ‘Rilindjes’: kthejua Shqipërinë shqiptarëve e teatrin aktorëve! Edhe pse e dimë se të kërkosh një gjë të tillë nga Kryeministri i sotëm i Shqipërisë, është njësoj si të kërkosh ndërgjegje nga ai që nuk ka turp dhe i cili gjitha vlerësimet dhe kritikat ndaj tij, i komenton me thënien se karvani do të shkojë përpara, sado të lehin qentë dhe që, vetveten e ndjen si kalorës, popullin si deve e kritikët e tij si qenë, ai që assesi ta kuptojë se nuk quhet karvan tufa e hienave, që e gllabëron popullin. / KultPlus.com

Arjeta Dhima,ventrilokuistja e parë shqiptare befason SHBA-të

Ajo është ventrilokuistja e parë në Shqipëri. Në fakt, në të gjithë globin janë shumë pak ventrilokë që kanë aftësinë të ushtrojnë këtë art, që është po aq i lashtë sa dhe Greqia Antike.

Artistja që e do fort punën e saj është jo vetëm profesioniste në atë që bën, por dhe mjaft e zonja të kryejë njëherazi një sërë aktivitetesh. Kur flitet për ventrilokuizmin shumica e njerëzve thonë me bindje se aftësia për ta praktikuar atë është e lindur. Në fakt, Arjeta është shembulli që tregon se gjithçka arrihet me vullnet e duke punuar natyrisht. Për ata që nuk e dinë çfarë është arti që Dhima zotëron më së miri po shpjegojmë termin. “Ventrilokuizëm” do të thotë të flasësh me bark, pa lëvizur aspak buzët, dhe fjalët të jenë të qarta si një e folur normale. Suksesi i Arjetës i ka kaluar kufijtë, për t’u spikatur dhe vlerësuar në Amerikë. Ajo ka qenë e ftuar në konferencën e përvitshme që u zhvilluar në Kentucky në SHBA me ventrilokët e gjithë botës, ku dhe ka performuar me tre kukullat e saj. Risitë kanë qenë të mëdha e në tërësi Dhima gjithçka e quan të mrekullueshme, mirëpo ne do të veçojmë performancën e saj në anglisht, ku Xha Teli mesa duket e ka pasur më të vështirë nga të gjithë. Ai dinte të thoshte vetëm një fjali. Arjeta Dhima tregon përjetimet e performancës e konferencës në tërësi, se çfarë do presim kur të kthehet në Shqipëri e detaje të tjera. Mesa duket shumë shpejtë artistja ka përgatitur një surprizë për të gjithë.

-Çfarë aktiviteti është ky?

Është konferenca e vetme e ventrilokuistëve të të gjithë botës, e cila zhvillohet çdo vit në Kentucky, USA. Pjesëmarrja është fantastike, sepse mëson nga profesionistët me nga 45 vite karrierë në ventrilokuizëm. Ishte fat që unë dhe kukullat e mia të dashura Sindi dhe Xha Teli të ishim pjesë e një eventi të tillë.

-Si u ndjeve atje?

Ndjenjat nuk përshkruhen lehtë, por mund të them se ishte një emocion i veçantë, pasi duhet të performoja dhe mbi të gjitha performoja në ventrilokuizëm në anglisht.

Më të vështirë e pati Xha Teli, i cili dinte të thoshte vetëm një fjali.

-Risitë që sjell aktiviteti?

Në konferenca të tilla ti duhet të shkosh me pritshmëri, të cilat mund t’i zhvillosh pasi të kthehesh. E para mëson nga njerëz që kanë një jetë që zhvillojnë dhe praktikojnë këtë art. Ke mundësi të ndash eksperiencat dhe vështirësitë e ventrilokuizmit. Të shikosh mundësinë se si të shtosh vlerë tek vetja dhe tek të tjerët Për mua e gjitha ishte një risi e mrekullueshme. Unë dhe kukullat takuam miq dhe mikesha të reja nga vende të ndryshme të botës.

-Çfarë do presim kur të kthehesh në Shqipëri?

Kjo është pyetje 100000$. (qesh)

Është herët për të ekspozuar dhe bërë publike planet. (Le të shpresojmë që do te kemi shumë gallatë së shpejti)

-Disa nga personalitetet më në zë të ventrilokuizmit?

Aaaa janë pafund. Amerika e ka shumë të zhvilluar ventrilokuizmin. Një nga talentet e momentit është Darcy Lin. Më tej përmend: Darcy Lynne, Jeff Dunham, Paul Zerdin, Nina Conti, Tarry Fator etj. /KultPlus.com

Tirana s`ka nevojë për Kulla, pseudo trotuar biçikletash dhe kuti të nëndheshme parkingesh!

Në rradhën e reagimeve të shumta për mos shembjen e Teatrit Kombëtar është bashkuar edhe artistja shqiptare Eda Zari.

Në reagimin e saj ajo shprehet se nëse planet për shembjen e Teatrit do të zbatohen, ky do të ishte një hap masiv prapa jo vetëm në kulturën shqiptare por edhe në rënien sociale.

“Tirana s`ka nevoje per Kulla, pseudo trotuar biçikletash dhe kuti te nendheshme parkingesh!”– shkruhet më tej në reagim.

Postimi i plotë:

“Une kerkoj nga Bashkia: energji elektrike, ujin dhe kanalizime te cilat funksionojne – sa i perket kultures, une tashme e zoteroj ate.” Me kete citim sarkastik nga Karl Kraus mund ta linim edhe me kaq. Por eshte e rendesishme te ndalohet nje zhvillim shkaterrimtar – jo vetem ne Tirane – por ne veçanti – Teatri Kombetar, kjo kulture e gjalle, ka dhe do te gjalleroj tensione pro luftes kunder prapambetjes kulturore qytetare, sikunder e ka kryer nder breza. Nese planet per Teatrin do te zbatohen (e kane thene mbrojtesit, aktivistet, artistet gjate gjithe fushates se solidarizimit per mbrojtjen e Teatrit), kjo do te nenkuptonte nje hap masiv prapa jo vetem per kulturen ne Tirane, por per kulturen e shoqerise sone ne vetvete. Nuk duhet injoruar publiku dhe dashamiresit qe vizitojne shfaqet. Teatri i nje kryeqyteti eshte ai qe zbut renien sociale dhe kulturore te shoqerise.

Tirana s`ka nevoje per Kulla, pseudo trotuar biçikletash dhe kuti te nendheshme parkingesh!

Edhe femijet luajne me bukur ne teatrin e jetes, se sa i rrituri NERO! #mosmaprekteatrin. (Foto by Eda Derhemi)”

Fatlum Meholli, artisti që shkëlqen në punimin e portreteve

Artisti i ri mitrovicas Fatlum Meholli ka arritur që përmes punimeve të tij artistike, ta gëzojë pëlqimin e masës.

Pasioni dhe dëshira e madhe që ka për artin figurativ, e ka shtyrë atë të punojë në mënyrë të vazhdueshme, duke arritur të përmirësohet gjithnjë e më shumë.

Përveç tjerash, punimi i portreteve mbetet zhanri i tij i preferuar. Kryesisht, ato i punon me thëngjill, lapsa grafik, si dhe me materiale të tjera në fleta të madhësive të ndryshme. Edhe pse ende i ri në moshë, portretet që i punon ai kanë arritur një nivel të lartë. Artisti 20-vjeçar ka marrë pjesë në disa ekspozita kolektive, ndërsa në plan e ka që pas një kohe ta realizojë ndonjë ekspozitë personale.

Përveç vizatimit të portreteve, ky artist ka prirje të mëdha edhe në pikturë dhe dizajn grafik, prej të cilave ka një numër të konsiderueshëm punimesh.

Meholli punon vizatime me porosi, ndërsa për audiencën herë pas herë shpërndanë portrete të figurave të ndryshme publike.

Mënyra më e mirë e ekspozimit të tyre mbeten rrjetet sociale, posaçërisht Instagrami dhe Facebooku.

KultPlus jua sjellë disa portrete të realizuara nga Fatlum Meholli. /KultPlus.com

“Rihanna”
“Paul McCartney”
“Leonardo DiCaprio”
“Megi”
“Mohamed Salah”
“Bradley Cooper”
“Audrey Hepburn”
“Jim Morrison”
” Jelena Noura “Gigi” Hadid”

Bebe Rexha promovon ushqimin tradicional shqiptar, e thotë në shqip: Speca me gjizë

Bebe Rexha pas videos ku shihet duke vallëzuar për mrekulli me “Vallen e Rugovës”, ajo vendos të tregoj një pjesë tjetër të shqiptarëve. Kësaj radhe ajo ndanë me ndjekësit e saj në Instagram një video teksa promovon ushqimin tradicional shqiptar ‘speca me gjizë’, shkruan KultPlus.

Këngëtarja tregon që ky ushqim është i preferuari i saj dhe përveç në gjuhën angleze, ajo e thotë edhe në atë shqipe: speca me gjizë.

“Ok, ju mund të thoni se çfarë është ky? Ky është një ushqim shqiptar, që quhet speca me gjizë ose speca me djathë si të doni. Shërbehet me bukë të freskët dhe më besoni, është nga ushqimet më të mira që mund t’i shijoni në jetën tuaj”, thotë Bebe teksa shfaq në videon ushqimin.

Dashuria për vendin e origjinës tek Bebe është e madhe dhe shpesh ajo mundohet ta shfaqë atë në forma të ndryshme .

Më pas ajo ka ndarë me gjithë ndjekësit e saj edhe recenten se si gatuhet ky ushqim shqiptar. /KultPlus.com

https://www.instagram.com/stories/beberexha/