Veliaj u përgjigjet kritikave për memorialin tek Liqeni: Ti lëmë të vdekurit të qetë, Tirana ka zemër për të gjithë

Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj i është përgjigjur kritikave të shumta në lidhje me memorialin e vendosur tek Liqeni Artificial në nder të viktimave të grushtit të shtetit në Turqi.

Veliaj shprehet se kryeqyteti është me zemër të madhe dhe ka vend për të gjithë. Kreu i Bashkisë shprehet se shumica e atyre që ankohen e kanë lënë vendin të mbushet me ferra.

“Le ti lëmë të vdekurt të qetë. Unë nuk i prish punë ansjë njeriu. Është në cepin e liqenit që shumica e atyre që ankohen nuk i ka ra mendja se ka qenë mbuluar me ferra. Lart në kat të dytë lashë duke u përqafuar drejtuesin e të krishterëve me atë të myslimanëve. Ti lëmë të vdekurit të qetë dhe kushdo ti respektojë. Tirana është zemër e madhe, ka vend për të gjithë”, përfundoi Veliaj.

Naim Frashëri

Poezi nga Andon Z. Cajupi

Vdiq Naimi, vdiq Naimi,
moj e mjera Shqipëri!
Mendjelarti, zemërtrimi,
vjershëtori si ai!

Vdiq Naimi, po vajtoni
shqipëtarka, shqipëtarë!
Naimnë kur ta kujtoni,
mos pushoni duke qarë!
…………………………….

Vdiq Naimi, gjithë thonë,
qani turq, qani kaurë!
Bilbil’ i gjuhësë tonë
s’do të dëgjohet më kurrë!

Vdiq Naimi, që këndoi
trimërinë, Skënderbenë,
vdiq Naimi, që lëvdoi
dhe nderoi memëdhenë!

Vdiq Naimi, po ç’të gjeti,
o moj Shqipëri e mjerë!
Vdiq Naimi, po kush mbeti?
Si Naimi s’ka të tjerë.

Vdiq Naimi! Vdekj’ e shkretë,
pse more të tillë burrë?
I ndritë shpirti për jetë,
mos i vdektë nami kurrë!

‘I kemi shtatoret e shëmtuara në të gjitha qendrat e Kosovës shkaku se familja vendos’

Përzgjedhja e punimit të shtatores së veprimtarit të çështjes kombëtare Adem Demaçi, ka zgjuar shumë reagime në opinionin publik, por edhe nga vetë familjarët e tij.


Lidhur me këtë çështje, në një prononcim për “Kosova Sot Online”, kritiku i artit Ilir Muharremi, është shprehur: “Ne si komision kemi qenë të pavarur dhe shumë objektiv. I kemi dhënë dy propozime më të mira krahas atyre bucetave aty. Sipas ligjit familja nuk ka drejtë të japë vendim. Mundet mendim ose pëlqim e jo vendim ose ndikim. Andaj i kemi shtatoret e shëmtuara në të gjitha qendrat e Kosovës shkaku se familja vendos.


E mira është që të respektohet mendimi profesional i komisionit. E dyta biznesi mendoj i pengon skulptoret të aplikojnë. Talentët të cilët punojnë me skulpturë, e nuk kanë kushte të prezantohen. Duhet të hiqet kjo rregullore.
Kosova ende vuan nga kitchi i skulpturave, shkaku ishte pa konkurs janë pranuar duke respektuar vetëm mendimet e familjareve. Familja e njeh si person njeri por jo si veper arti”.


Tutje, sipas Muharremit “Është për të ardhur keq pse te ne në Kosove masa e rendomtë më shume i vlerësojnë skulpturat kukulla te ilustruara, të lyera e hekurosura sikur ato kukulla që blihen ne treg me një çmim të lirë ato të plastikes.Një realizem bajat kitch e shund.

Ndërsa hidhet poshtë vlerësimi profesional i komisionit i cili matë vlerën artistike të mirëfilltë dhe kërkon të ketë pakë edhe liri artistike të shtatores. Sido që të jetë kjo jemi ne, shoqëri e kitchit që na pëlqejnë kukullat e zbukuruara. Me respekt le të fitoje më i miri, ka deklaruar Ilir Muharremi për gazetën “Kosova Sot Online”.

Image

Vepra e historigrafit francez botuar në Paris më 1665 për Skenderbeun

Nga Aurenc Bebja*, Francë –  5 Mars 2019

Në veprën me titull “Abrégé de l’histoire des Turcs, contenant tout ce qui s’est passé de plus remarquable sous le règne de vingt-trois empereurs,… par le sieur Du Verdier,…Tome 1”, të historiografit francez, Gilbert Saulnier Du Verdier, botuar në Paris në 1665, gjejmë një shkrim të rrallë dhe një portret dedikuar heroit tonë kombëtar, të cilët, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, i ka sjellë për publikun shqiptar :

Gjergj Kastrioti ose Skënderbeu, Mbret i Shqipërisë

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France
Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

E bëra turkun të dridhej në mesin e gjithë xhandarëve të tij,

Ai dyshoi krahun tim dhe u frikësua nga fuqia e tij,

Dhe për aq kohë sa ai mundi të mbante armë,

Unë isha për të krishterët mbrojtësi i shquar.

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France
Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Skënderbeu, mbrojtësi i shquar i krishtërimit, ishte një njeri aq i madh dhe aq i denjë në kujtesën e të gjithë njerëzve, saqë do të ishte e paarsyeshme ta privonim atë nga një lavdi që i kemi dhënë një princi tjetër më të madh, por jo një kapiten më i shkathët apo më i mirë se ai.

Ne e shtuam pikturën e Tamerlanit të madh me atë të të gjithë mbretërve osmanë, sepse ai ishte njeriu i shekullit, dhe se kishte turpëruar princin më krenar në botë ;

Por edhe ky (e ka fjalën për Skënderbeun) nuk ka qenë më pak i shquar ; madje, ai ka bërë diçka më të madhe se tjetri kundër këtyre sovranëve të frikshëm tokësorë ;

Prandaj i detyrohemi të njëjtin nder, dhe pa bërë ndonjë mëkat ndaj drejtësisë, ne nuk mund të anashkalonim portretin e tij për brezat e ardhshëm, ashtu siç i bëjmë fjalimin e aksioneve të bukura të jetës së tij, në shenjë nderimi ndaj vlerës dhe virtytit të tij.

Filmi “Zgjedhe një emër”, është shpërblyer me çmimin “Filmi më i mirë” në kategorinë kombëtare nga Dokufesti

Filmi “Zgjedhe një emër”, mbrëmë është shpërblyer me çmimin “Filmi më i mirë” në kategorinë kombëtare nga Dokufesti.

Juria për ndarjen e këtijçmimi ka qenë Ilir Hasanaj, Lala Meredith-Vula, Enrico Vannuci

“Për shkak të rrëfimit të fortë, që adreson çështje moderne të imigrantëve kosovarë jashtë vendit, aktrimit të mirë, dhe skenave që në mënyrë të vetëdijshme përdorin fuqinë e kinematografisë, ne juria e kategorisë kombëtare zgjedhim si fitues të këtij viti ‘Zgjedhe një emër’ nga Dritëro Mehmetaj”, është shkruar në deklaratën e DokuFest. / KultPlus.com

Disa nga skulpturat më befasuese

Skulptura moderne është më shumë sesa arti i mishërimit të objekteve në gur, metal, ose materiale të tjera.

Është një gjuhë metaforike që i ndihmon artistët të flasin me audiencën për gjithçka, nga ndjenjat dhe marrëdhëniet, deri te filozofia dhe ndryshimi i klimës.

Shihni këto foto…

Ekspozita fotografike “Mbro & Promovo”, si sensibilizim për trashëgiminë kulturore

Ekspozita fotografike “Mbro & Promovo” u hap në Tiranë, qëllimi sensibilizimi dhe mbrojtja e trashëgimisë kulture.

Fotot e ekspozitës shëtitëse janë prezantuar për publikun në kangjellat e presidencës në Tiranë. Ekspozita do të qëndrojë e hapur për publikun gjithë muajin gusht dhe më pas do të udhëtojë në qytetet e Shkodrës, Gjirokastrës dhe Beratit. Janë këto qytete që presin këtë ekspozitë, që vjen në edicionin e saj të tretë. Sipas organizatorëve, “Mbro & Promovo” është sllogani i kërkimit fotografik, që shpreh dhe komunikon identitetin shqiptar përmes perceptimit artistik të trashëgimisë kulturore nga të rinjtë, të cilët nëpërmjet fokusit të aparatit të tyre sjellin artistikisht në vëmendjen e publikut problematikat e ndryshme, që shoqërojnë identitetin tonë kulturor.

Fotografitë prezantohen për publikun pas një konkursi, që është zhvilluar më parë. Kurator arti, Andi Tepelena shprehet se ekspozita ka rëndësi sepse prezantohet para publikut në një moment kur po harrohen vlerat dhe po promovohen antivlerat kulturore. “Kjo ekspozitë vjen në një moment kur në këtë vend po promovohen kultura kitch, antivlerat kulturore, dhe kjo ekspozitë shërben si antipod”, shprehet Tepelena në fjalën e tij. Sipas kursorit të artit, Andi Tepelena, me pjesëmarrjen edhe të të rinjve kjo ekspozitë merr më shumë vlerë për trashëgiminë kulturore. “Përfshirja e të rinjve, premton vazhdimësinë e mbrojtjes dhe promovimit të trashëgimisë kulturore shqiptare nga brezat e sotëm dhe të ardhshëm. Duke shikuar nga e kaluara, të rinjtë do të ndërtojnë të ardhmen bazuar në vlerat shpirtërore kulturore, që kanë prodhuar shqiptarët ndër shekuj”, vijon Tepelena. Por përballë problemeve të shumta që ka sot trashëgimia jonë kulturore në vend, sipas kuratorit Andi Tepelena qëllimi është dhe nxitja e institucioneve për të bërë punën në mbrojtje të monumenteve të kulturës. “Sy dyti, rëndësi ka dhe tërheqja vëmendjes të këtyre monumenteve te vizitorët vendas dhe të huaj, nxit institucionet të bëjnë më mirë punën e tyre në një kohë, që ndeshemi me probleme të mëdha të ruajtjes, mirëmbajtjes dhe rijetëzimit të tyre”, shprehet Andi Tepelena, kurator arti.

Konkursi me fotografi

Konkursi “Mbro & Promovo” ka një karakter të veçantë artistik dhe ndërgjegjësues kryesisht tek të rinjtë, fokusimi i vëmendjes së tyre tek trashëgimia kulturore dhe natyrore e Shqipërisë, evidentimi i problematikave të ndryshme, promovimit dhe mbrojtjes së saj. “10 fotot finaliste të përzgjedhura nga juria janë pjesë e kësaj ekspozite shëtitëse nëpër Shqipëri, në hapësira publike të destinuara për publikun e gjerë, që ai të sensibilizohet më shumë me vlerat dhe bukuritë e Shqipërisë”, thuhet në materialin e ekspozitës. Fotot konkurruese në edicionin e tretë të “Mbro & Promovo” u seleksionuan dhe vlerësuan nga një juri profesionistësh e përbërë prej fotografes franceze Françine Carpon, Lejla Hadiç, drejtoreshë e Cultural Heritage Without Borders- Shqipëri, historiani Mesut Tufan ish drejtor i “SIPA Press” në New York dhe Paris, Ardian Isufi dekan i Arteve Figurative në Universitetin e Arteve Tiranë, Eliza Hoxha arkitekte, Arbër Kadia kurator, Blerina Berberi drejtoreshë e Ekphrasis Studio, Romain Bijard, Patrimoine sans Frontieres, arkitektja Irsida Bejo, si dhe Andi Tepelena drejtori i “Art Kontakt”. Konkursi dhe ekspozita “Mbro & Promovo” është një iniciativë e revistës “Art & Trashëgimi” dhe CHwB Shqipëri. Fotoja fituese e këtij edicioni i shkon studentit polak në arkeologji Michal Pisz: Sarda mesjetare shqiptare, ishulli i Shurdhahut, Vaut të Dejës. Michal Pisz, në kuadër të misionit arkeologjik franko-shqiptar në luginën e Drinit ka fotografuar gjurmë mesjetare në ishullin e Shurdhahut, është një ishull në lumin Drin, ku ndodhet qyteti mesjetar i Sardës, në liqenin artificial të Vaut të Dejës./Sot.com.al

Çfarë ka ndodhur më 11 gusht?

106 – Pjesa jug-perëndimore e Dakias (sot Rumani) bëhet provincë romake: Dakët janë përmendur së pari në shkrimet e Herodotit (484–425 pes) dhe Tukididit (460 – 395 pes). Në gjeografinë e lashtë, Dakia banohej nga dakët, (të quajtur edhe Getae), të cilët zinin territoret të Trakës veriore. Ndër udhëheqës të njohur të fiseve dake ishte edhe Burebista, i cili jetoi mes viteve 82 pes dhe 44 pes.

Gjatë mbretërimit të tij, kufijtë e mbretërisë dake u shtrinë si kurrë më parë a më pas. Burëbista udhëhoqi bastisje e pushtime në gjithë Evropën Qendrore dhe Juglindore, duke nënshtruar shumë fise fqinje – ushtria e tij shpesh do të kalotnte Danubin për të kryer plaçkitje në qytete romake në Thrakë, Maqedoni dhe Iliri (Straboni).

Në 48 pes, Burëbista mbajti anën e Pompeut kundër Jul Cezarit në luftën civile romake. Pasi doli fitimtar, Cezari planifikoi dërgimin e legjioneve për të ndëshkuar Burebistën, por nuk arriti – Cezari u vra në Senat më 15 mars, 44. Një hipotezë trako-ilire qarkulloi në fillim të shekullit XX, sipas së cilës gjuhët trako-dake dhe gjuha ilire përbënin një degë të veçantë të familjes së gjuhëve indo-evropiane. Por pas viteve 1960 kjo ide u vu seriozisht në dyshim, pasi studime të reja argumentuan se nuk ka dëshmi të forta për ekzistencën e lidhjes trako-ilire dhe se të dy zonat gjuhësore tregojnë më shumë dallime sesa ngjashmëri midis tyre. (Vladimir Georgiev, Ivan Duridanov, Eric Hamp, etj.).

1956 – Vdiq piktori abstrakt Jackson Pollock në një aksident automobilistik. Në vitet 1960, vetëm një dekadë pasi me të ishin tallur, Jackson Pollock filloi të shihej si një nga figurat më të rëndësishme në botën e artit, dhe një nga novatorët e stileve në pikturë (ai pikturonte me spërkatje a hedhje të bojës në kanavacëmduke krijuar imazhe tepër abstrakte.)

Në fakt, Pollock është konsideruar si figura më e rëndësishme në botën e artit në SHBA gjatë shekullit XX. Ashtu si shumë figura të tjera të famshme, Jackson Pollock vuajti në jetën personale, me probleme si alkoolizmi, përçmime – ndërsa vdekja e parakohshme, i dha atij statusin ‘superstar”, duke e bërë artist legjendar. Më 1950, duke shfletuar një revistë periodike, Xhakson Pollok u shtang para një fotografie tepër të pazakontë, ku rivali i tij evropian, piktor i së njëjtës rrymë, kishte dalë gjysmë lakuriq.

Kjo sikur e kënaqi me keqdashje, por ajo që e bëri të shfrynte nga zemërimi ishte se fotografia e tregonte rivalin duke pikturuar me një mjet të paparë ndonjëherë: “I mallkuair, i bërë të gjitha zbulimet, nuk la gjë për mua”, citohet të ketë thënë Pollok. Por çfarë fotografie ishte ajo që Pollok pa në revistë më 1949? Kush ishte piktori evropian? E, mbi të gjitha, kush ishte autori i fotografisë?

Fotografia e botuar në revistën amerikane Time mbante diçiturën: “Një Centaur i pikturuar me dritë”. Piktori në fotografi ishte Pablo Pikaso, i rrymës së kubizmit dhe ekspresionizmit abstrakt. Sa për autorsinë e fotografisë, ajo ishte nëshkruar thjeshtë: “Photo by Gjon Mili”.

1984 – Presidenti amerikan Ronald Reagan tha “Unë kam nënshkruar legjislacionin për eleminimin e Rusisë (Bashkimi Sovjetik); bombardimi fillon brenda 5 minutave”. . – Fjala ra si bombë, edhe pse presidenti e tha me shaka ndërsa po përgatitej për të mbajtur fjalimin e tij javor në radion publike – mikrofoni i tij ishte lënë gabimisht hapur – lajmi nuk u mor seriozisht.

Vëshguesit e shohin si të çutishëm faktin që kjo t’i ndodhte Ronald Reaganit, njeri me përvojë në fushën e transmetimeve a komunikimeve; Reagan kishte punuar në radio, televizion e kinematografi, para se të bëhej guvernator i Kalifornisë dhe president i SHBA-së. A ishte ky një mesazh i paramenduar, e largpamës?, sepse pas pak vitesh Bashkimi Sovjetik vërtetë do të shpërbëhej.

Kanka e të zgjuarit

Poezi nga Jul Variboba

Zgjou,bir,jo më gjumë,
ngjou,se mi fjëjte shumë.
Jeta ime,xha m’u zgjo,
zgjou se bëre nino.
Vjen një legë pekurar’
pruçesion ti vizitar.
Gjegj si loznjin,si këndonjin,
dhenë e detin e gjëmonjin,
Karramunxa e fishkarole,
surdullina e rusinjole,
mirë bukur e ngular, –
o çi vjersh! Ti rikriar.
Gjegji,bir,e iu gëzo,
me kto duars i beko.
Ruaj rigale çi ti sualltin,
gjithë mandrën e rëzuatin. 
Nga me dorë ti kit qengje,
çi ësht’ e bardh’ si nji skamëngje.
Çi ësht’ e tener këjo gjiz’!
Ruaj e suall ki kaçiapriz.
E kaciqin me kit dhi
e suall ki buzëzi.
E gastratin pjot lesh
e suall ki këmbëlesh.
Ç’ësht’ i ëmbël ki huall!
Erdh Nikolla e t’e suall.
Nji manure pratunere
e njo zok si kaçjulere
e nji t’egërith pëllumb
e suall Ngjisku me nji tumb
Via,bir,zgjou,pravoi,
pekurarët bekoi.
Erdh edhe nji leg’ divote
tue kënduar parambote.
Ruaji,bir,e i gëzo,
zgjou se bëre nino.
Vjen Xhudita me nji gjel,
zunë fill ajo kangjel.
Suall Malita nji kapua,
e e motra nji pagua.
Pesë bracë xagarele
suall e ve Rutiçele.
Suall e bija ca këstanja,
kirgorina edhe milanja.
Suall Rakelea nji brez
se t’e ngjeshinj nd’atë mes.
Me nji fash rikamatë
erdh Suzana çi me natë.
Lia suall dica skutina,
e ca ve Carafina,
e Dilusha,çi u martua,
suall nji kez’,m’e suall mua.
Ruaji gjith’ e i beko,
zgjou se bëre nino.

KultPlus.com

A jeni gati për Hardh Fest, publikohet promoja zyrtare e festivalit

Më 16, 17 e 18 gusht yjet botërore e rajonale do të zbarkojnë në skenën e Konakut, aty ku mbahet festivali Hardh Fest, në Rahovec.

Nën moton “Një got për mot” në Rahovec sivjet mbahet jubileu i 5 vjetorit të ribrendimit të Hardh Festit, që tashmë mbledh qindra persona për tre ditë rresht, transmeton Koha.net.

Edicioni i sivjetmë i festivalit do të mbahet më 16, 17 dhe 18 gusht, me shumë yje të muzikës që do të jenë pjesë e tij.

Se çfarë do të përmbajë ky edicion mund ta mësoni në promon zyrtare të Hardh Festit.

Kthimi i ligjit për Akademinë e Shkencave, Gjinushi: Metës i jepet nderi të dekretojë e jo të bllokojë për arsye klienteliste

Kryetari i Akademisë së Shkencave, Skënder Gjinushi ka reaguar në një lidhje telefonike në një studio televizive lidhur me vendimin e presidentit Ilir Meta për të kthyer në Kuvend ligjin për Akademinë e Shkencave me argumentet se i cenon kompetencat.

Gjinushi tha se Meta është bërë pjesë e segmenteve politikë për të sabotuar Reformën në Akademi e cila tashmë është përshëndetur edhe nga Akademive Europiane.

Ai tha se Akademia nuk mund të sjellë përplasje kompetencash, pasi duhet të jesh injorant në fushën e jurisprudencës që të kesh përplasje.

Gjinushi komentoi edhe vendimin e Metës për të kthyer në Kuvend emërimin tij në krye të Akademisë së Shkencave. Ai tha se në këtë rast presidentit i jepet nderi vetëm të dekretojë dhe jo të bllokojë për arsye klienteliste.

“Tani mesa duket kanë viktimizuar Ilir Metën duke e bërë pjesë të këtyre segmenteve politikë për të sabotuar reformën në akademi. Reforma është ajo që është përshëndetur edhe nga Bashkimi i Akademive Europiane. Argumentet që e sulmojnë nuk kanë lidhje fare. Akademia ka një mision për kërkimin shkencor dhe përpiqet ta ushtrojë këtë mision fisnik dhe nuk mund të sjellë përplasje kompetencash. Duhet të jesh injorant në fushën e jurisprudencës që të kesh përplasje”, tha Gjinushi.

Gjinushi vijoi se, “Meta nuk zgjodhi rrugën e bashkëpunimit, as në rastin e emërimit. Ai duhet t’i ketë cilësitë për ta ushtruar këtë nder. Si mundet që një president të shqetësohet se ligji parashikon zhbllokim, Të shqetësohesh për këtë do të thotë se Meta si specialist i bllokimeve është i shqetësuar për zhbllokimet. Dekreti i tij i para një muaji është anti- kushtetues”.

“Ka bërë një autogol. Kushtetutën në 98 e kemi bërë se bashku. Meqë do të dijë pse është shkruar kështu ky nen, le të lexojë. Nuk marr përsipër t’ia shpjegoj. Vetëm në kërkim shkencor nuk ka status më të lartë apo më të ulët. Kjo është një pengesë 2-3 javore dhe këto lloj argumentesh janë shteruar. Nuk dua të bëj leksione jurisprudence por qëllimi i institucioneve është i përbashkët. Në shkencë më lart dhe më poshtë të vënë rezultatet, sepse këtë e ka në dorë formimi jo ligji. E ardhmja është e qartë. Nuk lejohet asnjë lloj ndërhyrje nga politika në emërime të tilla. Atij i jepet nderi vetëm të dekretojë. Këtu është lapsusi i parë injorant. Ligji dhe vetëm ligji e shpjegon. Meqë klanet politike për arsye klienteliste shkon deri këtu ligji parashikon edhe një zhbllokim”u shpreh Gjinushi.

Kreu i shtetit ktheu dje në Kuvend për rishqyrtim ligjin për Akademinë e Shkencave. Katër janë arsyet që renditi Meta për kthimin e ligjit; bie ndesh me parashikimet e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, cenon autonominë e institucioneve të arsimit të lartë, cenon kompetencat e Presidentit të Republikës dhe nuk është në harmoni me kuadrin ligjor ekzistues në Republikën e Shqipërisë.

Ligji i miratuar në Kuvend detyron Presidentin që brenda 10 ditëve të kryejë emërimin e kryetarit të Akademisë së Shkencave që i është propozuar. Për Metën kjo është antikushtetuese, pasi Kushtetuta nuk ka vendosur një afat të përcaktuar, brenda të cilit Presidenti i Republikës duhet të shprehet.

Ura Mirabo

Poezi nga Guillaume Apollinaire

Poshtë urës Mirabo lumi Senë shkon
pse m’u kujtua vallë
dashuria jonëpas hidhërimit gaz kishim gjithmonë

Le të bjerë nata ora të kumbojë
ditët seç po ikin, unë këtu qëndroj

Kapur dorë për dore le të rrimë përballë
ndërsa poshtë
urës së krahëve tanë
e lodhur vështrimesh, vala para çan

Le të bjerë nata ora të kumbojë
ditët seç po ikin, unë këtu qëndroj

Ikën dashuria si ky ujë që rrjedh
ikën dashuria si kjo jetë e qetë
dhe si shpresa që është kaq e sertë

Le të bjerë nata ora të kumbojë
ditët seç po ikin, unë këtu qëndroj

Treten ditët, edhe javët treten
as kohë e kaluar
as dashuritë s’kthehen
poshtë urës Mirabo shkon lumi i Senës

Le të bjerë nata ora të kumbojë
ditët seç po ikin, unë këtu qëndroj.

KultPlus.com

”Armiqtë e Shqipërisë janë shqiptarët”

Armiqtë e Shqipërisë janë shqiptarët, jo të tjerë. Shqiptarët kanë shkruar me gjakun e tyre më tepër se një faqe në histori të Evropës.

Nga më të voglat trazira gjer në luftërat më të gjakta, shqiptari ka hequr hark, vërvitur kordhë a zbrazur pushkë. A ka gjë më të turpshme, më të ulët se historia e këtij kombi që, për pak të qelbur ergjent [të holla], shet mish njeriu në çdo luftë, edhe kujt s’i erdhi dëshirim nga aq qindra vjet që e shkelin dhe e kurvërojnë të huajt, s’i erdhi dëshirim të japë dy pika gjak për lirinë e vetvetes?

Të donin shqiptarët lirinë e Shqipërisë lehtazi e bëjnë; por rrinë të patundur dhe kështu dëftojnë që s’e duan Shqipërinë, dëftojnë që janë armiqtë e saj.

(Albania 1, vëllim A, 1897)./KultPlus.com

Traditat shqiptare në Prizren, po tjetërsohen në turke

Traditat kombëtare -shqiptare në Prizren, po tjetërsohen nga turqizmi.

Etnologu, Nexhat Çoçaj, tha se qyteti i Prizrenit, ka dal nga shtrati i traditave të veta.

“Në Prizren kemi tjetërsim të identitetit, pasi që shumë tradita shqiptare janë shndërruar në ato turke”, tha Çoçaj, në debatin e organizuar nga Qendra për Promovim Demokratizim dhe Integrim në Prizren.

Çoçaj, ka përmendur fenomenin e dasmës, fejesës, shënimit të Ditës së Verës etj.

“I kam në dorë disa punime të studiuesve turq, ku shihet se si ata tentojnë t’i tjetërsojnë traditat shqiptare të Prizrenit, në ato turke”.

“Populli duhet t’i rishikojë devijimet e traditës shqiptare”, tha ai.

Sipas tij, ndarja ekziston edhe mes qytetarëve dhe “katundarëve”.

Ndërkaq, Xheladin Kastrati, muzikolog, në këtë debat ka folur për traditën muzikore të Prizrenit.

Ai, tha se Prizreni është fidanishtja e muzikës në Kosovë.

“Muzika rrënjët i ka në Prizren”, tha Kastrati.

Sipas tij, SHKA “Agimi” mban meritat e ruajtjes së muzikës, në këtë qytet.

“Këngëtarët më eminent kanë dal nga “Agimi”.

Sipas tij, muzika e mirëfilltë, që është ruajtur në kohërat më të vështira, tash ka filluar të çalojë në Prizren.

Poeti Salajdin Krasniqi , ka kujtuar personalitetet e qytetit të Prizrenit.

Ai, numëroi disa figura, të cilat kanë dhënë kontribut në ruajtjen e traditave në këtë qytet./PrizrenPress.com/

Thënie të Balzakut për jetën, artin, dashurinë, pushtetin

• Kur zhytemi në thellësitë e kënaqësisë, ne nxjerrim lart më shumë llum, sesa perla!

• Kritika është një furçë që nuk mund të përdoret mbi stofra të buta, ku mund të rrënojë gjithçka!

• Martesa është një betejë deri në vdekje, para së cilës bashkëshortët ia kërkojnë qiellit bekimin e tij!

• Besojini gjithçka që dëgjoni të flitet për të tjerët, asgjë nuk është aq e shëmtuar sa të jetë e pamundur.

• Lavdia është një helm që duhet marrë me doza të vogla!

• Ligjet janë rrjeta ku mizat e mëdha kalojnë lehtësisht, ndërsa mizat e vogla ngelin të mbërthyera!

• Lumturia e një nëne është si një rreze drite, ajo ndriçon të ardhmen, por reflektohet gjithashtu në të kaluarën, në formën e kujtimeve të bukura!

• Kur gratë na dashurojnë, ato na falin për gjithçka, edhe për krimet tona; kur nuk na dashurojnë, nuk na njohin meritën për asgjë, as edhe për virtytet tona!

• Dashuria është poezia e shqisave!

• Ndoshta virtyti nuk është asgjë më shumë, se sa mirësjellja e shpirtit!

• Kur ligji bëhet despotik, morali dobësohet, dhe anasjelltas!

• Pasioni është humaniteti universal. Pa të, feja, historia, romanca, arti do të ishin të kotë!

• Një burrë është një krijesë e gjorë, krahasuar me një grua!

• Lumturia është poezia e gruas!

• Vetmia është e mirë, por gjithsesi të duhet dikush, që të të thotë se vetmia është e mirë!

• Mençuria është kuptimi i atyre gjërave hyjnore, tek të cilat shpirti ngjitet përmes dashurisë!

• Të pakuptuarit përfshihen në dy kategori: femrat dhe shkrimtarët!

• Fama tepër e dëshiruar është pothuaj gjithmonë një prostitutë e pashpallur!

Zemra e një nëne është një humnerë e thellë, në fundin e të cilës do të gjesh faljen!

• Një grua e njeh fytyrën e njeriut që dashuron, ashtu si marinari njeh detin e hapur!

• Një bashkëshort i mirë nuk shkon kurrë të bjerë për të fjetur i pari natën dhe nuk zgjohet kurrë i fundit në mëngjes!

• Në atë kohë, vetëvrasja ishte në modë në Paris: e çfarë çelësi më të përshtatshëm mund të kishte, për të zbërthyer misterin për një shoqëri skeptike?!

• Armiqtë tanë më të mëdhenj janë të afërmit tanë. Mbretërit nuk kanë vëllezër, nuk kanë bij, nuk kanë nëna!

• Sa më shumë dikush gjykon, aq më pak ai dashuron!

Honore de Balzac, romancier francez dhe dramaturg./KultPlus.com

Me 14 gusht, mbrëmje poetike për Burbuqe Rushitin

Para pak ditësh u nda nga jeta gazetarja dhe poetja Burbuqe Rushiti.

Të mërkurën, me datë 14 gusht, po e kujtojmë punën e Burbuqe Rushitit me anë të një nate poetike ku do të lexohen pjesë nga krijimtaria e saj dhe do të kujtohen momentet më të mira të jetës së Burbuqes.

Ilire Zajmi – shkrimtare, Anisa Ismajli – aktore, Shukrije Gashi – shkrimtare dhe Sibel Halimi – sociologe dhe poete do të lexojnë disa prej pjesëve më të mira letrare të Burbuqe Rushitit.

Të gjithë ata që e njohën dhe e çmuan punën e Burbuqe Rushitit janë të ftuar ta kujtojnë këtë grua plot botë, në formën e tyre.
Burbuqja ka punuar disa vjet në ish Radio Televizionin e Prishtinës, në Redaksinë e Kulturës, ndërsa më pas ishte korrespodente e disa mediave në Turqi përfshirë edhe televizionin NTV. Burbuqja është marrë edhe me përkthime në prozë dhe në poezi, si dhe me kritikë letrare.

Mbrëmja do të fillojë në ora 20:00 në KultPlus Caffe Gallery (Rruga Isa Boletini, Soliteri 3/2-1, te Fontana në Ulpianë, Prishtinë).

Nëse keni problem ta gjeni lokacionin, na telefononi në 049 119600 dhe 049 137250

Restaurim i murit romak në parkun arkeologjik të Finiqit

Qyteti i lashtë i Finiqit, përbën një vlerë të madhe historike dhe arkeologjike, pjesë e pandarë e trashëgimisë tonë kulturore.

Instituti i Monumenteve të Kulturës në bashkëpunim me Drejtorinë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore Vlorë ka hartuar projektin “Konsolidimi i murit romak në banesën me dy peristile në parkun arkeologjik të Finiqit.”

Projekti i miratuar në Këshillin Kombëtar të Restaurimeve parashikon ndërhyrje konservuese-restauruese në monument.

Parku Arkeologjik i Finiqit ndodhet në një kodër 283 m të lartë mbi nivelin e detit, 9 km në lindje të qytetit të Sarandës. Mund të vini në park me çdo mjet transporti, duke ndjekur rrugën kombëtare Sarandë-Gjirokastër dhe duke u kthyer në fshatin e Finiqit.

Në qendër të fshatit, do të gjeni një rrugë të asfaltuar e cila do t’ju çojë në kodrën ku ndodhet parku.

Krahas monumenteve në brendësi të mureve fortifikuese, kodra e Finiqit ofron për vizitorët një eksperiencë të jashtëzakonshme, falë pozicionit gjeografik nga ku mund të kundrohet ultësira e Bistricës, liqeni i Butrintit dhe gjithë pellgu i Delvinës. 

Kush është Zef Kurti, djali i vetëm i aktores Tinka Kurti

Zef Kurti ishte djali i vetëm i aktores së mirënjohur Tinka Kurti. Për arsye që nuk dihen, ai ka mbajtur një profil të ulët publik pas vitit 1990, ndërsa më herët është aktivizuar edhe në disa shfaqje të teatrit “Migjeni” të Shkodrës. Zefi ka provuar pak edhe aktrimin, më shumë me role episodike. Një nga filmat është ai i “Udhëtim në pranverë” ku luan rolin e Lekës, në një dialog të shkurtër para teatrit “Migjeni” në Shkodër, film i vitit 1978.

Duke qënë se mbase nuk mund të ndiqte gjurmët e nënës së tij, Zefi nuk përqendrohej shumë tek arti skenik. Ndoshta edhe për këtë arsye, por edhe për mundësi më të mëdha për familjen, Zefi vendos të emigrojë në Kanada ku ndërtoi jetën e tij. Ata që e njohin nga afër Tinkën, e njohin mallin që ajo kishte për djalin e saj të vetëm, i cili u nda nga kjo jetë. Zef Kurti ndërroi jetë si pasojë e nje goditjeje fatale në zemër në moshën 65-  vjeçare./aktoretshqiptare.info/

https://youtu.be/-bgFozaCK1k

Inva Mula, Dëshira Ahmeti dhe Olen Cesari sonte me një koncert historik në Dibër

Në sheshin Skënderbe sonte pritet të mbahet një koncert historik për gjithë artdashësit.

Dibra si qytet i kulturës, traditës dhe mençurisë sonte do të dëgjojë zërin engjëllor të artistes më të madhe shqiptare të të gjitha kohërave sopranon Inva Mula me perlat më të bukura shqiptare që i këndohen atdheut tonë.

Ylli i skenave botërore për herë të parë do të prezantohet përpara artdashesve dibran bashkë me pianistin virtuoz Genc Tukiçi të shoqëruar nga Orkestra Simfonike “Ibrahim Madhi” nën drejtimin e maestro Isak Shehu.

Gjithashtu në këtë koncert do të prezantohen edhe Dëshira Ahmeti dhe Olen Çesari.

Për këtë koncert ka njoftuar edhe artistja Inva Mula përmes një statusi në Facebook. / KultPlus.com

Merre këtë lule të vockël

Poezi nga Edmund Spenser

Shkrova nje dite, emrin e saj ne rere,
por erdhen tallazet dhe e fshine.
E shkrova serish, me doren tjeter
por erdhi batica dhe e vodhi mundin tim.

“Njeri mendjelehte – tha ajo – pse lodhesh kot
t’besh te pavdekshme nje gje te vdekshme,
pasi dhe une vete do pesoj te njejtin fund,
madje edhe emri im ashtu do fshihet.”

“Jo – u pergjigja une – ler qe te jene gjerat mjerane
te vdesin e te kthehen ne pluhur, kurse ti do jetosh ne lavdi:
vargjet e mia do ameshojne virtytet e tua te rralla
e do shkruajne ne qiej emrin tend te lavdishem.
E ne qiej, ndersa vdekja do rrezoje boten mbare,
do jetoje dashuria jone, duke rinuar nje tjeter jete.”

Revista amerikane: Riviera shqiptare, pamje panoramike që të lënë pa frymë

“Në krahasim me pjesën tjetër të Mesdheut, riviera shqiptare është relativisht e pazbuluar”, shkruan në një artikull të publikuar në revistën amerikane “The Zoee report”, Katie Stepek, shefe për menaxhimin e fluturimeve të lira “Scott’ Cheap Flights”.

Stepek e rendit Shqipërinë bashkë me vende si Kroacia, Greqia, Malta, Turqia, ku mund të bësh pushime më të lira mesdhetare, që janë larg klisheve.

“Ka pamje panoramike që të lë pa frymë, plazhe të ngjashme me ato në Malin e Zi dhe Kroaci fqinje dhe shumë rrënoja dhe parqe historike. Edhe në sezonin e pikut, është e mundur të gjesh disa nga plazhet plotësisht bosh dhe fshati i afërt i Ksamilit ka gjasë disa nga plazhet më të bukura përgjatë Mesdheut. Autobusi për në Ksamil kushton më pak se 1 dollarë dhe ngrënia jashtë është dukshëm më e lirë në Shqipëri sesa praktikisht kudo tjetër përgjatë Mesdheut”, shprehet ajo.

Më tej, Stepek thekson se “pasi të jeni shplodhur dhe jeni gati për aventura, atje janë parqe të shumta të Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s; qyteti antik i Butrintit, i cili u pushtua nga kultura të shumta gjatë historisë është 10 minuta larg me makinë dhe përmban një amfiteatër, manastir dhe një fortesë, si dhe shumë qytete mjaft të bukura malore apo bregdetare. Gjirokastra, një qytet i epokës otomane, ka një qytet të vjetër fantastik, një kështjellë të shekullit të 12-të dhe praktikisht nuk ka turistë”. / atsh

Manol Jovani nga Shqipëria që bën shkencë në Universitetin e Harvardit

Manol Jovani është shkencëtari nga Shqipëria që ka dhënë kontribut të madh në kërkime shkencore, në kuadër të Universitetit të Harvardit, shkruan KultPus.

Ai së fundi ka përfunduar një kërkim shkencor në fushën e mjekësisë në Spitalin e Përgjithshëm të Massachusetts në Boston edhe kjo pjesë e Universitetit të Harvardit. Në një intervistë të dhënë në Shqipëri, ai deklaron të jetë falënderues ndaj bazave të edukimit në Shqipëri, të cilat i kanë mundësuar atij të rritet profesionalisht.

 Jovani ka qenë pjesë e kërkimeve shkencore që janë bërë në spitalin më të mirë në Itali dhe në Evropë,”Humanitas Research Hospital”, ku ka potencuar se aty ka marrë edhe përvojën më të mirë sa i përket shkencës. / KultPlus.com

Pal Ndrecaj: Gjakova e madhe nuk i ka nderuar kurrë dy kolosët e vet, Din Mehmetin e Xajë Nurën

Shkrimtari dhe gazetari kosovar Pal Ndrecaj përmes një statusi në Facebook ka reaguar në lidhje me mos nderimin që i është bërë Din Mehmetit dhe Xajë Nurës nga qyteti i Gjakovës, shkruan KultPlus.

“Pos shtrirjes gjeografike e numrit të popullsisë, një qytet e bëjnë të madh edhe ata që e udhëheqin. Rahoveci i vogël paska nderuar poetin e vet, Xhevdet Bajraj, për veprën e tij letrare dhe për angazhimin qytetar. Nder i merituar! Gjakova e madhe nuk i ka nderuar kurrë dy kolosët e vet: Din Mehmetin e Xajë Nurën. Ky i dyti, pos veprës letrare, ka qenë i angazhuar qytetarisht deri në vdekje. Din dhe Xaje, në emrin e qytetarit Pal Ndrecaj, unë Ju kërkoj falje!”, ka shkruar Ndrecaj.

Pal Ndrecaj është shkrimtar dhe gazetar kosovar. Ai lindi më 1960 në Moglicë (Gjakovë). Studioi letërsi shqiptare në Universitetin e Prishtinës. Ka punuar mësimdhënës i gjuhës dhe i letërsisë shqiptare dhe gazetar në të përditshmet kosovare “Koha ditore” dhe “Zëri”. Prej vitit 2004 jeton dhe punon në Nju Jork. Merret me poezi dhe prozë. Librat e tij poetikë janë: “Lule mbi plage” (1993), “Akti i krijimit” (1998) dhe “Gdhendja e përmasave”, 2015. Ka botuar roman me titull “Lista e zezë”. / KultPlus.com