Zbulohen në Turqi mbishkrime që datojnë 883 vite më parë



Gjatë kërkimeve në një kështjellë të lashtë në lindje të Turqisë, studentët turq kanë zbuluar mbishkrime që datojnë nga një periudhë gati 900 vjet më parë.

Mbishkrimet e lashta, si dhe disa qeramika të vjetra 5.000 vjeçare u zbuluan gjatë gërmimeve të kryera nga një grup arkeologësh.

Gërmimet filluan në korrik në rrethin Ahlat, i njohur gjithashtu si “Kubbetul-Islam”, që gjendet në provincën lindore Bitlis.

Sundimtarët turkmenë Shah-Armen ose Ahlatshah, me vendbanim në bregun veriperëndimor të Llqenit Van sunduan në këtë zonë mes shekujve XI dhe XII. / KultPlus.com

Është një fjalë

Poezi nga Emily Dickinson

Është një fjalë
Që mbanë ngjeshur një shpatë
Mund të shpojë një njeri të armatosur —
Vërtitë rrokjet e saja xhembore
Dhe sërish është memece —
Mirëpo ku të ketë rënë ajo
Të shpëtuarit do të tregojnë
Në ditën patriotike,
Një Vëlla me spaleta
Hoqi dorë nga frymëmarrja.

Kudo të lind dielli frymëndalës —
Kudo të lind dita bredhacake
Aty është mësyemja e pazhurmë e saj —
Aty është fitorja e saj!
Spikatë shenjëtari më symprehët!
Gjuajtja më e arritur
Caku më madhështor i Kohës
Është shpirti “harruar!”

KultPlus.com

Ti n’daç m’thuej pijanec

Liridon Mulaj

Une sonte do pi,
e ti n’daç m’thuej pijanec
N’daç thujem i mjerë
Çka zemra të dojë , thuema me urrejtje,
veç dije se unë do pi, 
deri sa mos t’muej ma

Tash ti nisja e
m’shaj,
m’truej
m’padit
m’përbuz
m’duej
a m’braktis

Se sonte mrenda meje
bota asht veç mllef,
mërzi e përulje
e rrazë kësaj rrokopuje ,
zani yt asht veç nji zukatje
Prandaj sonte, unë do pi
e ti m’picko
veç dije se
ke me vdek n’mue
si bleta pa thumb…/KultPlus.com

Bleona Hasani vjen me këngë të re

“Good Vibes” titullohet projekti i saj i ri Bleona Hasani, këngëtarja kosovare e cila jeton në Suedi po vazhdon sukseset e saj në industrinë e muzikës. Bleona kësaj here erdhi në bashkëpunim me DJ e njohur suedez, Primo & Janousek të cilët publikuan projektin më të ri, të titulluar “Good Vibes”

14 vjeçarja nga Mitrovica, jeton në Suedi dhe po hyn në tregun muzikor suedez duke korrur suksese të njëpasnjëshme. Këngëtarja shqiptare mjaft e talentuar në janar të këtij viti kishte publikuar këngën “No one like you” e cila rezultoi e sukseshme

Thënie shkodrane: Zoti të dhashtë bereqet n’tru!

• Prej fmijës dhe budallës mësohet e vërteta.

• Fukaraja ma mirë mos leftë.

• Aj mend xixi mend, as për vedi as për kënd.

• Lype – s’ta japin; merre – s’t’thojnë gja.

• Kur s’ke pula mos ban “ish”.

• Ka thanë frati shko te shtrati n’mos t’marrtë gjumi t’pushon shtati.

• Grueja asht si gjarpni nën jastek.

• Deka me nder asht kapak florini.

• Ç’ka del prej mice gjun për mij…

• A ke pa me fjetë?

• Kryet thi e menden fmi.

• Zoti të dhashtë bereqet n’tru

• T’bana bir, me hjekë mirë; m’dole dreq me hjekë keq.

• Mendja e madhe e zeza e t’zot.

• Inatin e mramjes, lene për nadje…

• Gungaçit vetëm vorri ia drejton samarin…

• E han marren me bukë.

• Bane t’mirën e hidhe n’det, n’mos ta dit’t peshku, ta din Zoti vetë.

• I buti – si muti.

• Kur s’ka njeri mend ka kamë.

• Kmisha me arrna e trupi me barna s’mbahen.

• Zemra m’don – betha s’ma mban.

• Vesha – kopilesha.

• Malli i mirë shitet afër.

• Kush ka mik ka çiflik.

/Telegrafi/

‘Dua të bëj dashuri deri në moshën 85 vjeçare’

Ernest Hemingueji njihej për jetën aventuroze dhe dashurinë e madhe që kishte për alkoolin. Sipas tij, mënyra më e mirë për të shpenzuar paratë ishte shampanja, shkruan insajderi.

Edhe shëndetligu Xhejms Xhojs mahnitej nga mënyra e jetesës së shkrimtarit amerikan. Në një profil të “New Yorker” për Ernest Heminguejin flitet mes të tjerash për miqësinë e tij të çuditshme me Xhejms Xhojsin. Ky i fundit grindej me njerëz nëpër bare dhe pastaj fuste Heminguejin për t’i rrahur.

“Xhojs futej në sherr, pastaj as nuk e shihte personin që kishte përballë, por kthehej nga unë dhe thoshte: Merru me të!”.

Në profilin e shkruar në “New Yorker” ka një përshkrim të Heminguejit se si do të donte ta kalonte pleqërinë: “Kur të plakem, dua të jem një burrë i ditur dhe jo i mërzitshëm. Dua të shoh luftëtarë të rinj, kuaj, çiklistë, piktorë, avionë, restorante, kurva dhe bijtë e tyre dhe të mos shkruaj asnjë rresht për ta. Do të doja t’u shkruaja letra miqve dhe ata të m’i kthenin ato. Do të doja të bëja dashuri deri në moshën 85-vjeçare… “.

Nisi Dokufest, do të prezantohen 280 filma

Edicioni i tetëmbëdhjetë i Festivalit Ndërkombëtar të Filmit dokumentar dhe atij artistik, në mbrëmjen e së premtes ka hapur portën për artdashësit, shkruan KultPlus.

Me një hapje ndryshe, pa fjalime as të organizatorëve, por as të politikanëve, Dokufest këtë edicion e nisi me thënie të ndryshme, që kishin përfshirë situatën politike, atë gjinore, duke përfshirë thënie shumë thumbuese që tashmë shoqëria kosovare shumicën prej tyre i ka shumë të njohura, për të vazhduar më pas me prezantim të filmave.

280 filma dhe 16 programe janë përfshirë në programin e këtij edicioni, që do të zhvillojë paralelisht edhe debate, panele, por edhe aktivitete të tjera që janë në kuadër të këtij festivali.

Organizatorët e këtij festivali kanë bërë të ditur se ka me pasë edhe shumë filma që do të jenë premiera, duke potencuar edhe pjesëmarrjen e Petrit Halilajt dhe të shumë artistëve të tjerë.

Ky edicion i DokuFest-it na sjell një mori ngjarjesh për të gjitha moshat. Përveç programit të pasur me filma të cilët do të shfaqen në kinematë tashmë tradicionale të festivalit, ju do të bëheni një me performancat muzikore të cilat gjithashtu tashmë i kanë krijuar skena e veta. Muzikë elektronike, eksperimentale e deri te iso-polifonia do të ju shoqërojnë përgjatë 9 netëve të magjishme që po priten me shumë entuziazëm nga adhuruesit e festivalit më të mirë në vend. Ekspozita, punëtorit e masterklasa të ndryshme do të shpalosen për ju gjatë këtyre ditëve që aq sa po i prisni ju, edhe ato po ju presin juve./KultPlus.com

Haradinaj: Përmes festivaleve ndërkombëtare si “Sunny Hill” dhe DokuFest, Kosova po dëshmon vlera të mëdha në kulturë

Kryeministri në dorëheqje, Ramush Haradinaj, ka lavdëruar dy organizimet e festivaleve ndërkombëtare “Sunny Hill” dhe Doku Fest.

Haradinaj me këtë rast thekson se nëpërmjet këtyre dy festivaleve po dëshmon vlera të mëdha në kulturë dhe aftësi në organizime me peshë globale.

Përmes festivaleve ndërkombëtare, si “Sunny Hill” dhe DokuFest, Kosova po dëshmon vlera të mëdha në kulturë dhe aftësi në organizime me peshë globale. Mbresëlënës fakti se angazhimi i pandalshëm i krijuesve të këtyre festivaleve, po mbledh rreth vetës turistë të shumtë, adhurues dhe njerëz të njohur të botës së filmit e të muzikës dhe e rëndit Kosovën në hartën e ngjarjeve të mëdha globale. Përgëzoj këngëtaren tonë me famë botërore Dua Lipa dhe organizatorët e DokuFest, që po iu ofrojnë qytetarëve të këtij vendi një atmosferë të gjallë e përplot entuziazëm. Falemnderit të gjithë atyre që na bëjnë krenarë me veprat e tyre.

RH./KultPlus.com

Kadare ka thënë: Nënë Tereza e thirri Clintonin, i tha bëj diçka për shqiptarët e mi të Kosovës (VIDEO)

“Nënë Tereza ka marrë në telefon Bill Clintonin dhe i ka thënë: Biri im bëj diçka për shqiptarët e mi”, ka thënë më parë shkrimtari i madh shqiptar, Ismail Kadare!

“Duke ja thënë kjo Nënë e Kishës, Clintonit, ai çlirohet nga ç´do skrupull moral, sepse atij po i thotë një njeri i shenjtë. Ajo theu ligjin e fesë për popullin e saj, theu rregullin e fesë për shqiptarët e saj. Me këtë ajo i ka larë të gjitha. E turpi ynë i përbashkët është për sharjet ndaj Nënë Terezës”, u shpreh Kadare në gjykimin e tij për Nënë Terezën. 

Mos i prisni kryetarët, bëjini gjërat vetë

“Të duash do të thotë të bësh gjëra të vogla me dashuri të madhe.”

“Mos i prisni kryetarët. Bëjini gjërat vetë, njëri për tjetrin.”

“Fjalët e mira mund të jenë të shkurtra dhe të lehta për t’u thënë, por jehona e tyre është vërtetë pa fund.”

“Vuajtja është dhuratë e madhe e Zotit.”

“Duhet të flasim më pak. Një vend për t’u lutur nuk është vend për thashetheme.”

“Unë nuk lutem për sukses. Kërkoj plotësinë e fesë.”

“Nëse i gjykoni njerëzit, nuk keni kohë t’i doni ata.”

“Folu butësisht njerëzve! Tregoje mirësinë në fytyrë, në sy, në buzëqeshjen tënde, në ngrohtësinë e buzëqeshjes tënde, gjithnjë të kesh buzëqeshje gazmore! Jep jo vetëm kujdesin, por edhe zemrën!”

“Ne s’mund të bëjmë dot gjëra të mëdha, vetëm gjëra të vogla me dashuri të madhe.”

“Nuk ka rëndësi sa shumë jemi të angazhuar të bëjmë, por sa shumë dashuri vendosim në të.”

“Po prisja të isha e lirë, por Zoti ka planet e Tij.”

“Çfarë mund të bësh për të promovuar paqen në botë? Shko në shtëpi dhe duaje familjen.”

“Ne nuk kemi nevojë për armë dhe bomba që të sjellim paqe në botë. Kemi nevojë për dashuri dhe dhembshuri.”

“Disa njerëz vijnë në jetë si bekim. Disa të tjerë vijnë si mësim.”

“Nëse jeni të dekurajuar, kjo është një shenjë e krenarisë, sepse kjo tregon se keni besim në fuqitë tuaja.”

“Gjithmonë kur takohemi me njëri-tjetrin le të buzëqeshim, buzëqeshja është fillimi i çdo dashurie.”

“Jo të gjithë ne mund të bëjmë gjëra të mëdha. Por ne të gjithë mund të bëjmë gjëra të vogla me dashuri të madhe.”

“Në qoftë se ne të vërtetë duam të na duan, duhet të mësojmë se si të falim.”

“Dashuria fillon duke u kujdesur për më të afërmit.”

“Varfëria më e tmerrshme është vetmia dhe ndjenja e të qenit pa dashuri”

Baladë

Poezi nga Agron Tufa

Baladat jane te gjata, te trishta
Pothuajse mbarojne me nga nje varr nen bli:

Do ta humbas per pak kohe vdekjen
Serish per te vdekur mohuar nga ty.

Asnje cep te botes ku vertitem si hije
S’me le pa dhimbjen tende te lashte.

Si shira te shkermoqur – tinguj sharkie
Mbjellshin pa pra krymba ne rrashte.

A heret as vone s’ka qene per varret
Nderkoha e pengut qe tret nje vdektar.

Vdekja eshte rroba jote qe kallet
Qysh nuk mbarove se qeni gjalle?

E zjarret terbohen, shkrumbohen nder vete
E zogu i hirit rritet n’ajri.

Universi fle ne sarkofagun e mallit
Baladat mbarojne me nga nje varr nen bli

Muzika jote s’ka asnjë vlerë – Zvicra nuk i jep leje për të kënduar këngëtares nga Kosova

Këngëtares nga Kosova i është ndaluar hyrja në Zvicër për shkak se shteti helvetik ka kërkuar që muzikantët nga vendet e treta duhet të garantojnë “një performancë me vlerë muzikore në një nivel të lartë”.

Bëhet fjalë për këngëtaren e zhanrit tallava, Xh. B. Asaj ju ndalua hyrja me pretekstin se këngëtarja në fjalë  “s’është shumë të kualifikuar”, shkruan Indeksonline.

Këngëtarja e folklorit nga Kosova Xh. B kishte bërë kërkesën të hynte në Zvicër midis shtatorit 2018 dhe prillit 2019. Por ajo u privua nga leja e qëndrimit afatshkurtër nga Zyra e Migracionit në Cyrih.

Zyra e Migracionit u ndesh me tre video muzikore B. e cila ishte shikuar vetëm 3500 dhe 31,000 herë në Youtube. Kjo nuk është e mjaftueshme që Zyra të jepte vizën të hynte në territorin e Zvicrës kësaj këngëtare me tallava çka Drejtoria e Sigurisë në Cyrih i ka kundërshtuar ankesën.

“Ngarendje” nga autori Bardhyl Oseku do të promovohet në Gjakovë

Libri me poezi “Ngarendje” nga poeti Bardhyl Oseku do të promovohet javën tjetër në Gjakovë, shkruan KultPlus.

Ky vëllim poezish përmban dhjetëra poezi me dhjetëra tematika të ndryshme, për dashurinë, për lumin, për miq e për familje.
Promvimi i librit është mbështetur nga Komuna e Gjakovës, kurse libri është botuar nga revista “Drita” në Suedi, si dhe redaktore dhe recensente e librit ka qenë Enela Tabaku

Autori i librit zotri Bardhyl Oseku ka treguar për KultPlus se ky është libri i tijj i parë.
“Ky është libri im i parë. Libri është i ndarë në pesë cilke: thirrje, peizazh, meditim, dfëshirë, shtëpi” ka thënë Oseku./KultPlus.com

“E mjerueshme ngrehina e godinës, domosdoshmëri një teatër i ri”

Artisti i përndjekur nga regjimi komunist, Ardian Cerga mbështet shembjen e ngrehinës ekzistuese dhe ndërtimin e Teatrit të ri Kombëtar.

“Domosdoshmëria e një teatri të ri është evidente! Po njësoj është evident fakti i gjendjes dhe strukturës së mjerueshme të ngrehinës së teatrit, e cila për fat të keq nuk afron më asgjë përveç një lloj nostalgjie paksa naive, meqë në skenën e këtij teatri kanë interpretuar kollosët e artit skenik. Kjo më sjell në mendje polemikën e një viti më parë për ndalimin e filmit shqiptar, ku shumë pak u prononcuan në mbrojtje të figurave të shquara të ekranit, të cilat sot po trajtohen sikur do të humbasin vlerën e tyre po të shemben muret e ngrehinës teatër… Qesharake!”, shprehet ai.

“Si qytetar dhe si aktor shqiptar, e shikoj të domosdoshëm ndërtimin e një teatri të ri me të gjithë parametrat që koha kërkon; gjithmonë në vendin ekzistues dhe në territorin e tij natyrisht! Ndërsa për respekt të figurave të shquara mund të krijohet brenda ambientit të teatrit të ri një hapësirë muzeale, ku të nderohen siç duhet dhe jo kështu si sot, që vetëm përdoren si alibi kundër teatrit të ri! Një teatër i ri do të thotë edhe një mentalitet i ri…”, deklaron artisti Cerga.

Duke sjell në vëmendje opinionin e artistit Cerga, kryeministri Edi Rama shprehet se “Ardian Cerga u shfaq në vëmendjen e publikut, si një profil i ri dhe jashtë kornizës së asaj kohe, kur pati fajin se i ngjante më shumë gansterëve që interpretonte Alen Deloni, se sa partizanëve apo ballistëve të Realizmit Socialist. E trajtuan si një artist të degjeneruar dhe e degdisën në Shtëpinë e Kulturës së Beratit, pa të drejtë aktrimi!”.

Po ashtu, kryeministri thekson se “edhe Ardian Cerga e ka një opinion për çështjen e teatrit dhe si të gjithë ata që duan teatrin përpara politikës dhe nuk kapen pas politikës për të bërë teatër, ai mbështet shembjen e ngrehinës ekzistuese dhe ndërtimin e Teatrit të Ri Kombëtar, ne të njëjtin territor”.Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

Filozofi shqiptar mik i burrështetasve, filozofëve dhe shkrimtarëve

Isuf Luzaj ligjëroi në universitete në Amerikë por njihet fare pak nga shqiptarët.

Kush është Isuf Luzaj? Ai është emër i madh i kombit shqiptar, intelektuali akademiku profesori, filozofi me renome botërore, mund ta themi me krenari. Atdhetari i orëve të para që luftoi për liri, antifashisti, antikomunisti numër 1 në Shqipëri.

Shqipëria ka fatin ta ketë një personalitet boteror si ai, por edhe fatkeqësinë e mosnjohjes së tij si duhet, sa duhet, nga rrethet zyrtare intelektuale, akademike, filozofike historike në vend.

Isuf Luzaj eshte nje nga njerëzit e shquar me influencë të shekullit 20, profesor i universiteteve më prestigjoze në Itali, Argjentinë, SHBA, filozof antikomunist që udhiqej nga filozofia euro-amerikane.

Drejtues i bibliotekes së Vatikanit gjate viteve 1945-1948, bashkëpunëtor i Nënë Terezes në Kalkuta, mik i Alcide De Gasperi, mik i presidentit francez Charles De Gaulles, dhe presidentit italian Sandro Pertini. I vlerësuar nga Joan Domingo Peron, Eugeniu Aramburo, Arturo Fondizi, tre ish presidentë të Argjentinës, i nderuar nga Parlamenti Argjentinës dhe Universiteti Nacional. Përfaqësues i Argjentinës në kongreset botërore të filozofisë. Hartues i programeve akademike ne universitete. Mik i Jorge Luis Borges, i Jean Paul Sartre, i Pablo Nerudës, i Gabriela Mistralit, i Alfonsina Stronit e shume personaliteteve të shquara të kulturës e politikës botërore të kohës kur ai jetoi e punoi.

Politikisht e ideologjikisht atë e kërkonte ta shtinte në dorë Stalini. Presidenti amerikan Ronald Reagan e ka dekoruar “Profesor i Amerikës” dhe ia pat dorëzuar vetë ai. Isuf Luzaj ka marrë titullin “Professor emeritus” në SHBA, pasi ka dhënë mësim në universitetet amerikane: Harvard, Columbia, Vox Hampshire, Indiana, Illinois, etj. Në vitin 1990 Universiteti i Illinois-it i dorëzon medaljen “Për shërbime të jashtëzakonshme akademike”. Ai ka mbetur mik i presidentit Georg H Bush dhe i presidentit Bill Clinton.

Në qarqet shqiptare prof. dr Isuf Luzaj ka qenë mik i Eqrem Bej Vlorës, Gjergj Fishtës, Fanolit, Mit’hat Frashërit Kol Bibë Mirakës. Për prof Luzajn fliste me konsideratë Ernest Koliqi, Maliq Beg Bushati e të tjerë.

Profesori Luzaj ka kontribuuar për zgjidhjen e cështjes shqiptare dhe të Kosovës. Ai është takuar në fillim vitet 90 me presidentin Ibrahim Rugova, të cilin e quante flokëgjati i Kosovës. Prof. Luzaj ka ndërruar jetë në vitin  2000 në Chicago dhe, sipas amanetit që la, u varros në fshatin e lindjes në Shqipëri. Duke qenë ortoped i fjalës, ai ia la amanet të bijës së tij Elizabeta Luzaj që kur të pavarësohet Kosova, të vijë te varri dhe t’ia jep këtë kumt të gjakuar. Profesor Isuf Luzaj për pasardhës ka lënë tre djem dhe një vajzë.  Rrugën e tij të letërsisë e ka vazhduar i biri i tij Dalan Luzaj.

Ai ishte një personalitet shumë dimensional, dhe këtë yll të kombit shqiptar pritet ta njohim në vitet e ardhshme duke ia lexuar veprat nga fusha e filozofisë dhe e letërsisë.

Veprat e botuara:

“Rrefimet” v. 1938, libri me vargjet lirike konfiskohet dhe ai dënohet me 94 ditë burgim;

Bashkëpunon me revistën “Përpjekja shqiptare” të Branko Merxhanit;

 “Ideologjia Falimentuese si interpretim materialist i historisë”, botuar nga Universiteti Gregorian në Romë,1946;

Ka qenë bashkëpunëtor i revistave “Mbrojtja Kombëtarë” dhe “Besa”, të cilat botoheshin në Kosovë.

Novela politike-shoqërore filozofike kundër komunizmit “Lumejt derdhen të kuq” në spanjisht (titulli origjinal Los Rios Bajan Rojos), shtëpia botuese Ultramar, 1954;

“Metodologjia për studimet e filozofisë” për shkollat e mesme, 1965;

Ndër vitet 1963-1990 boton artikuj pothuajse në të gjitha gazetat e Amerikës mbi filozofinë e Historisë së Markzizmit në teori dhe praktikë.

“Gloria e çmendjes”, Tiranë, 1995;

“Lamtumira e yjeve”, Tiranë 2001, Tiranë

 “Rindertimi i Fuqive Shpirterore:, Tirane, 2005;

Tragjedi me tri akte “Princesha Rugina”, Tiranë, 2015

 “Kujdesjet e Bletës”, essais ekzistencialistë, I, II, Tiranë, 2017;./KultPlus.com

Me zërin e tij madhështor, Ramë Lahaj mblodhi Prishtinën në një vend

Ramë Lahaj mbrëmë mbushi Prishtinën me ngjyrat artistike të zërit të tij të veçantë. I titulluar ‘’Ramë Lahaj ëith Friends’’ ky koncert u mbajt mbrëmë në sheshin Skënderbeu. Shfaqja filloi me disa video-incizime, që për bazë kishin performancat e Lahaj-t ndër vite. Kur skenës iu bashkua Lahaj, dhe duartrokitjet e publikut pushuan për t’i dhënë rastin të marrë fjalën, ai filloj me një fjalim të shkurtë, duke falënderuar Komunën e Prishtinës, dhe duke u shprehur se një koncert të tillë ua ka borxh qytetarëve të Kosovës dhe se ky lloj i eventit do të organizohet edhe vitin tjetër, shkruan KultPlus.

’’Është një ndjenjë e jashtëzakonshme të jem në mesin e juaj’’, u shpreh ai. Falënderoj orkestrën, miqtë e tij që do të ishin performues në koncert, si dhe publikun e madh që me padurim prisnin të dëgjonin zërin e tij të veçantë. Duke qenë një artist me famë botërore, ai bëri që sheshi i Prishtinës të mbushej plot me dashamirë të artit dhe të punës së tij.

Sheshi kumbonte nga turma, e nga brohoritjet drejtuar Ramë Lahajt. I emocionuar nga pritja madhështore që i bënë publiku kosovarë, ai filloj me performancën e tij, që më pasë do të përcillej edhe nga baritoni bullgar, Kiril Manolov, baritoni Kosovar Adhurim Grazda dhe sopranoja Besa Llugiqi, të cilët publiku i priti me shumë entuziazëm e duartokitje.

Dirigjues i orkestrës ishte italiani, David Crescenzi, për të cilin Lahaj tregoi një storie interesante, ai tha: “Storia e lezetshme në këtë mes është me Davidin, kur para një periudhe performuam në operë në Duseldorf, në muhabet e sipër më thotë: Si është Prishtina pas 20 vjetësh? I thashë që është mirë”. “Por mua më habiti si e dinte Prishtinën se ndonjëherë kur udhëtoj në kontinentet e tjera nuk e kanë shumë idenë se ku i bie Prishtina dhe Kosova – edhe po e pyes kah kjo lidhje e jotja me Prishtinën, ai ma kthen se ka qenë carabinier në luftë dhe se është kurioz me pa Prishtinën 20 vjet pas luftës”.

Pika kryesore e këtij koncerti, ishte kur Ramë Lahaj performoi këngën e famshmë “O moj bukuroshe”, këngë kjo e cila te publiku ngjalli një emocion më ndryshe, duke i dhënë shpirt publikut, dhe në një mënyrë indirekte duke e bërë edhe atë pjesë të koncertit.

Kurse mbrëmjen e përfundoi me këngën ‘’Rrjedh në këngë e ligjërime’’, këngë kjo që dikur është kënduar nga Vace Zela. Ndërsa sot Ramë Lahaj përmes një statusi në facebook, ka shprehur ndjenjat e tij rreth koncertit të mbrëmshëm dhe ndjenjat personale atdhetare. ‘’Mundesh me qenë me fat, me i ra tanë dynjasë rreth e përqark, po dashninë si në tokën nanë s’e gjen askund! Aty ku t’a shijojnë e dëgjojnë çdo frymëmarrje, sikur të ishte e fundit. Aty ku vuajtja e gëzimi na rrëmbejnë njëkohësisht, sepse kemi vuajt shumë që m’u mbledhë kështu… pa frikën nga pushtuesi, e për të k’nue gjithçka që na do zemra në tokën që sakrifikuam aq shumë për të. Nga sheshi i të madhit Skënderbe, e me hovin e trokut të tij, sh’iptarët do t’i biejnë botës anë e mbanë, për me tregue që jemi diamanti i Evropës, jo ai qe ju është e shtremnue ndër shekuj! Ju dua, qysh e do nana fëmijën, ohh sh’iptarët e mi të dashur! E ju premtoj se cdo vit kam me ju dhanë një koncert të këtillë, për çdo vit kemi me i këndue bashkë dashnisë e lirisë. Një falënderim i madh për komunën e Prishtinës, orkestrës mbarëkombëtare dhe kolegëve të mi nga vendi e ndërkombëtarë’’, ka shkruara Rama.

Ky concert u organizua nga Ministria e Diasporës dhe Investimeve Strategjike. / KultPlus.com

Letra e kandidates për studente të mjekësisë: M’fal Kosovë që mezi po pres me ikë prej teje

Gresa Berisha një kandidate për studente në Fakultetin e Mjekësisë përmes një letre të publikuar në llogarinë e saj në facebook ka shfaqur dëshpërimin për mospranimin në këtë faklutet.

Ajo ka përmendur zhgënjimin që i kanë shkaktuar institucionet kosovare kur premtuan për rritjen e numrit të studentëve në këtë njësi akademike.

Gresa mes tjerash konsideron si mundësi edhe largimin nga Kosova.

Më poshtë letra e saj e plotë postuar në Facebook:

Po shkruaj tu e përfaqesu mllefin e 75 studentëve, që presin, qe morën premtime, të mjekësisë së përgjithshme, e që spo bahën dot të tillë. Të mos na kishit premtu që kjo punë ka me u ba, bahet, u ba, mllefi prapë kish qenë ekzistues, se 900 studenta që konkurrojnë për 125 vende janë shumë, po të paktën na kishit kursy prej stresit, tutës, dhunës psikologjike që na keni ba tash e dy javë, tu e ba refresh n’ethe çdo minutë, faqen tuaj me pa nëse keni fillu me zbatu premtimin. Nëse ka mbet edhe nji pikë shprese për ne. Po shkruj, para së gjithash, tu e përfaqësu nji t’ ri kosovar, që kurrë andërr të madhe nuk e ka pas “me dalë në Gjermani”. Për ma keq, inati ja kam marrë kujtdo që më ka thanë “ik prej këtij vendi, këtu send s’ka”. Nji i ri, kosovar, që kurrë s’ka pas dyshime se ku e don të ardhmen, s’kam dyshu kurrë në Kosovën ku kam lindë e këtu du me vdekë. Të kam kushtu shumë vargje Kosova jem. Shumë herë e kam recitu me krenari të madhe Poemën e Kosovarit, saherë ka buçu skena prej ”Jam shqiptar, e kosovar, zot e krenar” që kurrë s’kam mujtë me përfundu pa e qitë nji pikë lot. Kush ka fole keq për jetën në ty, kam thanë që asht dembel e s’ja ka andja me punu, prandaj e fajson sistemin e shtetin. Vargu mu ka zbehë, zani u venitë. 18 vjecare sot, asht shumë herët me u ftofë unë prej jetës në ty. Asht shumë herët me i qu duart prej teje. Unë ty të duhem Kosovë. T’duhen këta 75 studenta. Na të dojna Kosovë. Ti s’po na do neve. Nesër kismet, po shkoj m’i tërheqë dokumentat. Po i përkthej 5-shet e tri viteve shkollë të mesme, po i përkthej 166 pike të provimit të maturës, vlerësimit ma të rremë, vlerësimit ma të poshtër ekzistues, në lista përfundimtare të dështimit po i la 30 pikë të provimit pranues (prej 40 sa janë gjithsej), e po aplikoj për infermiere në Gjermani. Marrëveshjet i keni nënshkru, s’besoj që m’del problem me ikë. Kurrë andërr kaq të cekët s’kam pas. Toka jote më ka degju, Kosova jeme, në parashkollorë kur më ka pyet edukatorja “çka do me u ba kur të rritesh?” që i kam thanë ”doktorreshë”. S’e kam ditë atëherë që toka jote ka me mi shkel andrrat. Edhe kam mësu, natë e ditë. S’ka qene problem, se rrugët e vështira prapë mbesin ma tërheqëse. Po vështirësitë që m’i ke qitë ti janë ba t ‘pakalueshme. M ‘fal Kosovë. M’fal që menzi po pres me ikë prej teje. M’fal shumë që s’po i du ma dështimet n’ty, s’du ma dështime që nuk i meritoj! Po kur krejt të ikin Kosovë.

Hapet për vizitorë “Meeting Point” i Autostrada Biennale

Vendtakimi dhe hapësira kreative e Autostrada Biennale – Meeting Point është e hapur për vizitorë.

Autostrada Biennale në edicionin e saj të dytë ka krijuar një instalacion artistik në kejin pranë lumit Lumbardhi.

Ishujt e gjelbër në shtratin e Lumbardhit janë pikë takimi për vizitorët në edicionin e dytë të Autostrada Biennale. E inspiruar nga logoja e “Autsostrada Biennale”, e cila pasqyron 4 urat e Prizrenit të cilat shihen nga kalaja, vizitorët në këtë hapësirë po informohen më shumë për rrjedhën e këtij edicioni.

“Sikur urat që lidhin dhe bashkojnë njerëzit edhe kjo hapësira kreative ka këtë qëllim. Çdo ditë vizitorët mund ta përjetojnë nga afër lumin dhe hapësirat natyrale të gjelbërimit”, thuhet në komunikatën për media të “Autostrada Biennale”.

Meeting Point është pikë informuese ku vizitorët mund të njoftohen me programin dhe hartën e sivjetme dhe gjithashtu është pikë shitëse për produktet e Autostrada Biennale.

“Mëngjeset me kafe që shërbehen këtu, ulur buzë lumit, është motivimi i duhur për ditën e gjatë para. E, mbrëmja e freskët në këto ditë të nxehta, e shoqëruar me muzikë mirë të zgjedhur është përmbyllja më e mirë e ditës. Gjatë tërë kohës, nga ora 10:00 e mëngjesit, deri në ora 00:00, stafi i biennales bën pritjen e mysafirëve me hartat dhe biletat e ekspozitës ndërkombëtare të artit bashkëkohor”, ka theksuar komunikata.

Ekspozita e sivjetme e kuruar nga kuratori i njohur italian Giacinto Di Pietrantonio është hapur me 21 korrik dhe do të vazhdojë deri më 21 shtator. / KultPlus.com

Woody Allen pëson disfatë në padinë 68 milionë dollarësh kundër Amazonit

Padia 68 milionë dollarëshe e Woody Allen për shkelje kontrate kundër shefave të Amazon Studios është hedhur poshtë pjesërisht.

Regjisori e ngriti rastin për ta kontestuar ndërprerjen e një marrëveshjeje shumëprojektëshe që ai e kishte bërë me drejtuesit e studios, pasi këta të fundit e ndërprenë bashkëpunimin me të, duke i akuzuar ata se po tërhiqeshin nga marrëveshja e vitit 2017 për shkak të akuzave të abuzimit seksual të bëra kundër tij nga vajza e tij e distancuar, Dylan Farrow.

Udhëheqësit e Amazonit këmbëngulën se ata e pushuan Woodyn për shkak të komenteve që ai i bëri në lidhje me mogulin e turpëruar të filmit Harvey Weinstein dhe lëvizjen #MeToo – dhe anulimi i kontratës me të nuk kishte asnjë lidhje me skandalin e tij të abuzimit seksual.

Të mërkurën gjyqtarja që i mbikëqyri procedurat ia dha një “goditje” rastit të regjisorit dhe aktorit duke i hedhur poshtë katër nga shtatë mocionet që ai i paraqiti, duke e kufizuar kështu shumën e fondeve që ai mund t’i kërkonte dhe kë mund të padisë, shkruan KOHA Ditore.

“Mocioni i pjesshëm i Amazonit nga 3 prilli 2019 është miratuar,” shkroi gjykatësja e Gjykatës amerikane të Qarkut, Denise Cote. “Shkaqet pesë, gjashtë, shtatë dhe tetë të paditësve anulohen, duke e përfshirë pretendimin e vetëm kundër Amazon Studios.”

Gjykatësja gjithashtu i hodhi poshtë pretendimet e Allen se ai ishte dëmtuar financiarisht si rezultat i largimit të tij nga Amazoni dhe se ai nuk është më i autorizuar të kërkojë kompensim ligjor nga studio.

Allen fillimisht pretendoi se drejtuesit e Amazonit u tërhoqën nga marrëveshja qershorin e kaluar, dhe nuk pranuan ta shpërndajnë filmin e tij “A Rainy Day in New York”, në të cilin luajnë: Jude Law, Selena Gomez dhe Elle Fanning.

T’pavdekshmit

Denis Galushi

Jo, ata nuk vdesin! 
Ata janë gjallë, n’parajsë na presin.
Mos ishin ata, sot nuk do të ishim ne.
Ata sakrifikuan vetën që, 
T’themi sot lirshem mirëdita apo ‘’laqho dive’’.

I përvëluan dhe i dogjen për së gjalli,
Por, nuk e dorëzuan bajrakun ngjyrë qielli dhe bari.
Rrota në mes bëri histori
E, ne sot e kultivojmë romanipen me shumë dashuri.

Disa male e kodra janë shkrirë, 
Nga gjenocidi që përjetuan burra, gra, pleqë e femijë.
Valët e detit nga ajo ditë,
I kaploi katrani dhe gjaku i zi.

Bota heshti e pa turpëruar,
Por, oqeanet e malet janë betuar,
Që lapsi një ditë ka me dëshmuar, 
Holokaustin romët që e kanë përjetuar.

Ah, të vdekurit tanë, nuk vdesin!
Ata dhanë emer e mbiemër këtij identitetit. 
E, ne duhet t’a ruajmë e përqafojmë,
Dhe t’i tregojmë botës që jemi tridhjetë million romë./KultPlus.com

Miley Cyrus ndanë 25 mijë euro për bamirësi në Kosovë

Në një konferencë të mbajtur sot në Prishtinë, Dua Lipa ndër të tjera ka shpalosur edhe shumën që këngëtarja e njohur botërore Miley Cyrusi ka ndarë për festivalin Sunny Hill Festival, shkruan KultPlus.

Miley Cyrus ka ndarë 25 mijë dollarë për fondacionin që do të shkojnë për bamirësi.

Gjithashtu Dua ka pohur se mes tyre mund të ndodhë edhe një bashkëpunim në muzikë.

Ndryshe, Miley Cyrus, Calvin Harris, Gashi si dhe shumë artistë të tjerë vendor dhe ndërkombëtar do perfomojnë në parkun e Gërmisë. /KultPlus.com

Paul McCartney ka problem me memorizimin e disa prej hiteve të “Beatles”

Paul McCartney duhet të kujtohet se si t’i interpretojë hitet e tij të vjetra me “The Beatles”, sepse ato “janë jashtëzakonisht shumë” për t’u mbajtur mend.

Duke folur për gazetën britanike “Daily Mirror”, 77-vjeçari reflektoi për katalogun e tij të gjerë, ku përfshihet karriera gjashtëdekadëshe e kantautorit, shkruan KOHA Ditore. Dhe duke folur për mënyrën se si ai ballafaqohet me memorizimin e këngëve për koncertet e tij, krijuesi i hitit Let It Be rrëfeu se ai mbështetet në anëtarët e bendit të tij për ta ndihmuar atë që ta ringjallin kujtesën e tij.

“Më duhet të rimësoj gjithçka. Unë kam kompozuar shumë, nuk mund t’i mbash mend të gjitha”, tha ai. “Shkojmë në prova dhe unë them ‘Oh po, kështu shkon.””

Kur u pyet nëse ai beson se këngët janë “mjaft të mira”, ylli i hitit Hey Jude u përgjigj: “Besoj, vërtet besoj. Për disa nga këngët e vjetra do të thoshit: “Oh, kjo është e zgjuar, nuk do ta kisha bërë atë.”

“Është emocionuese të mendosh që kjo ende funksionon. Ne ishim një bend i vogël rock and rolli nga Liverpooli, dhe ky bend thjesht vazhdoi”, buzëqeshi ai. / KultPlus.com

Dua Lipa tregon se a do të performojë me Calvin Harrisin në Prishtinë

Dua Lipa ka mbajtur një konferencë për shtyp para mediave të shumta të mbledhura në Prishtinë.

Këngëtarja shqiptare ka folur rreth festivalit “Sunny Hill Festival”, duke dhënë detaje edhe rreth fondacionit bamirës.

Ajo është pyetur nëse do të performojë në këtë edicion së bashku me këngëtarin Calvin Harris, ku kanë një këngë të përbashkët “One Kiss”.

“Nuk e di. Do të mbetet befasi”, ka thënë shkurt Lipa gjersa ka folur edhe për këngët e reja, “Po mundohem të vijë me disa këngë të reja. Pak ma ndryshe se albumi i parë. Jam e lumtur për këtë”, tha Lipa.

Dua ndër të tjerash ka zbuluar se Miley Cyrus ka ndarë 25 mijë dollarë për fondacionin që do të shkojnë për bamirësi gjersa dyshja mund të sjellin një këngë të përbashkët.

Ndryshe, Miley Cyrus, Calvin Harris, Gashi si dhe shumë artistë të tjerë vendor dhe ndërkombëtar do perfomojnë në parkun e Gërmisë. /Telegrafi/

Dua Lipa nënshkroi marrëveshjen për krijimin e Sunny Hill Academy në Prishtinë

Xhemile Hysenaj

Dua Lipa, Dukagjin Lipa, Shpend Ahmeti dhe Gëzim Gashi, ishin sot të pranishëm në konferencën e përbashkët të Sunny Hill Foundation dhe Sunny Hill Festival, ku u prezantua projekti “Sunny Hill Foundation Music & Art Center” dhe detaje tjera rreth festivalit, shkruan KultPlus.

Dua Lipa u shpreh se, kjo ka qenë një ëndërr e madhe e saj, të ketë një vend apo një qendër ku të rinjt mund të shprehin talentin e tyre, dhe tash që kjo ëndërr po bëhet realitet, une ndihem shumë krenare pasiqë është një projekt shumë i madh për të cilin unë jam e apasionuar ‘’We dream big’’, deklaroj ajo.

Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti falenderoi Duan dhe Dukagjin Lipen, duke e cilësuar Duan si ambasadoren më të mirë të Prishtinës dhe të Kosovës. ‘’Shumë njerëz për shkak të festivalit, po pyesin se ku është Prishtina, vendi që po vizitohet nga shumë yje botërore dhe merita kryesore për këtë gjë i shkon organizatorëve të festivalit, që për disa ditë, e bënë Prishtinën një qendër për kulturë’’, deklaroi Shpend Ahmeti.

Poashtu, Shpend Ahmeti u shpreh tejet i kënaqur për nënshkrimin e marrëveshjes me Sunny Hill Foundation. Kryetari i komunes deklaroi se nje pjese te objektit te ish ASK-ës do ta japin në shfrytëzim për shkollën e muzikës Prenk Jakova, dhe nje pjese te objektit per Sunny Hill Academy.

Dukagjin Lipa, potencoi se më në fund, përmes këtij projekti, Prishtinës do t’i kthejmë shpirtin e muzikës. Duke falenderuar shqiptarët që jetojnë dhe veprojnë në diasporë, me të cilët Dukagjin Lipa deklaroi se është i kënaqur me bashkëpunimin në mes tyre, ‘’kjo tregon se diaspora është duke përparuar në mënyre individuale, në shumë nivele’’ u shpreh ai.

Për një lajm tjetër të rëndësishëm, u ftua edhe Gëzim Gashi, i cili deklaroi se Sunny Hill Foundation ka ndarë fondin prej 150 mijë eurosh për të jetësuar Qendrën Kulturore e cila do të funksionalizohet gjatë vitit tjetër. Ky është bashkëpunimi i parë në mes të Sunny Hill Foundation dhe Oaks Christian School dhe Institute of Arts and Innovation përfaqësues nga Gëzim Gashi. Tre të rinj nga Kosova do të kenë mundësi që gjatë vitit 2020 të udhëtojnë për Amerikë, si pjesë e Quincy Jones Production dhe Institute of Arts and Innovation. /KultPlus.com