Nesër më 19 shtator nga ora 12:00 në objektin e Kolegjit Universum në Gjakovë do të mbahet testi vlerësues për BURSA të plota dhe PUNËSIM në Albina Dyla Company.
Bursat vlejnë për studime në programin Bachelor dhe Master. Aplikimet vazhdojnë https://bit.ly/2HuFzbg
Studentët do të përfitojnë FINANCIM të plotë të studimeve dhe PUNËSIM në “Albina Dyla Company” në Menaxhim të Shitjes, Menaxhim të Prodhimit, Menaxhim të Rrjeteve Sociale, Menaxhim të Burimeve Njerëzore dhe IT. Projekt ky i Kolegji Universum në bashkëpunim me Albina Dyla Company për ndërlidhje të Akademisë dhe Industrisë. Regjistrohu këtu https://bit.ly/2HuFzbg për pjesëmarrje në test vlerësues. Fito BURSË të plotë studimi dhe PUNËSIM 100% të garantuar‼️. Pas testit do të organizohen intervistat për vlerësim të studentëve për bursa dhe punësim.
Shkrimtari Ismail Kadare është përzgjedhur fitues i Çmimit Pak Kyongni 2019.
Në njoftimin e bërë nga Kim Uchang, kryetar i komisionit përzgjedhës, thuhet se “…punimet e Ismail Kadaresë i bëjnë lexuesit të mendojnë dhe të ndjejnë fort marrëdhënien e tyre me ngjarje të caktuara të historisë”.
Ceremonia për dhënien e këtij çmimi do të mbahet më 26 tetor 2019, në Qendrën Kulturore Toji të Koresë së Jugut.
Ky çmim shoqërohet edhe me një shpërblim financiar prej rreth 84 mijë dollarësh. Përzgjedhja e fituesit bëhet pasi shqyrtohen rreth 350 autorë nga mbarë bota, të cilët përmbushin kriteret e përcaktuara. Që nga muaji korrik, komisioni përzgjedhës kishte përpiluar listën e 5 autorëve më të mirë, nga të cilët fitoi shkrimtari i njohur shqiptar.
Çmimi u krijua në vitin 2011 nga Fondacioni Kulturor Toji, për të nderuar shkrimtaren e ndjerë koreane Pak Kyongni. Çmimi nderon çdo vit një shkrimtar të letërsisë botërore për ndikimin në fushën e letërsisë. Në vitin 2018, me këtë çmim u nderua amerikani Richard Ford, ndërsa në vitin 2017 çmimi iu dha britanikut Antonio Byatt. Fitues të mëparshëm kanë qenë Ngugi wa Thiong’o (Kenia, 2016), Amos Oz (Izrael, 2015), Bernhard Schlink (Gjermani, 2014), Marilynne Robinson (SHBA, 2013), Ludmila Ulitskaya (Rusi, 2012) dhe Choi In-hun (Kore, 2011). / KultPlus.com
Skulptori nga Peja, Mal Myrtaj, i cili jetoi, punoi dhe krijoi në Zvicër dhe Gjermani tani është kthyer në vendlindje duke organizuar ekspozitë personale, shkruan KultPlus.com
Hapja e ekspozitës bëhet me datë 20 shtator, në ora:18:00 në Hamamin e Gazi Mehmed Pashës-Prizren.
Kjo ekspozitë do të jetë e hapur për vizitorët dhjetë ditë. / KultPlus.com
Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi ka pritur në takim fituesit e medaljeve të Taekwandos të cilët e përfaqësuan Kosovën në kampionatin ballkanik “Samokov 2019” të Bullgarisë, ku prej atje Kosova është kthyer me 9 medalje me grupmosha të ndryshme, përcjellë KultPlus.
Me këtë rast, ministri Gashi
fillimisht i uroi sportistët për marrjen e çmimeve dhe tha se “ky rezultat i
jashtëzakonshëm të cilin e keni treguar në Kampionatin Ballkanik dhe këto nëntë
medalje që ia keni sjellë Kosovës vjen si rezultat i punës dhe angazhimit tuaj
prandaj zotohem se do ta keni mbështetjen e ministrisë së sportit pavarësisht
se ku jeni të kategorizuar”.
Tutje ministri Gashi tha se me
rregulloret e ministrisë dhe me anë të ligjit për sponsorisime, sportistët do
të kenë mbështetje të fuqishme ngase rruga ligjore është hapur për këtë gjë.
“Ne do të fillojmë ndryshimet e
rregulloreve në mënyrë që t’i japim mundësi edhe garave të ndryshme ballkanike.
Kemi pasur sportistë që kanë sjellë medalje por që rregulloret, komunat dhe
ministritë e kaluara nuk i kanë mbështetë dhe ky do jetë një zotim i yni që të
reflektojmë në aspektin ligjor dhe atë financiar pavarësisht se ku janë të
kategorizuar në sport dhe të gjitha këto medalje të përfshihen edhe në
shpërblimet shtetërore”, tha ministri Gashi.
“Ne jemi të vetëdijshëm për të
gjitha sfidat që i kaloni, në ditët në vazhdim do të zgjidhen këto probleme dhe
ju do të keni përkrahje të veçantë pasi një sport si ky që avancon më rezultate
te shkëlqyera meriton përkrahje”, shtoi ministri.
Ndërkaq kryetari i Federatës së
Taekwandos e Kosovës, Gani Krasniqi, falënderoi ministrin Gashi për
përkushtimin dhe kërkoi nga ai dhe ministria që udhëheq mbështetje dhe
përkrahje më të madhe financiare.
“Pa punën e juaj dhe përkushtimin e juaj nuk ish arrite ky rezultat por ne kërkojmë të kemi mbështetje edhe në anën financiare”, tha Krasniqi. / KultPlus.com
“Arba Kokalari zgjidhet Zëvendës Presidente e Parlamentit Europian për Partitë Popullore. Në profilin e saj publik në rrjetet sociale ajo ka njoftuar se do të jetë gjithashtu raportuesja përgjegjëse që do të udhëheqë punën e BE-së për Stambollin”, ka shkruar Majko në Facebook.
Arba Kokalari, 32 vjeç nën programin e partisë “Moderata”, arriti të hynte në PE, duke u bërë e para shqiptare që ulet në këtë parlament.
Ajo ka lindur në Tiranë më 27 nëntor 1986, dhe më pas bashkë me prindërit, motrën dhe vëllain emigruan drejt Suedisë. Kokalari, nën programin e partisë “Moderata”, arriti të hynte në PE, duke u bërë e para shqiptare që ulet në këtë parlament.
Alba është mbesa e Musine Kokalarit, vajzës së bukur me beretë të bardhë, jeta e të cilës u shkatërrua nga sistemi komunistë.
Musine Kokalari, është ndër disidentet e para gra ndaj sistemit komunist që në vitin 46. Ajo botoi librin e saj të parë “Seç më thotë nëna plakë” në vitin 1939. Më pas në ’43-shin ajo botoi gazetën “Zëri i Lirisë”. Më 23 janar të vitit 1946, ajo u arrestua nga forcat e Mbrojtjes së Popullit e gjyqi e dënoi me 20 vjet burg.
Në vitin 1961, e nxjerrin nga burgu dhe e internuan në Rrëshen për 22 vite të tjera, ku dhe doli në pension me gjysmë page. Në vitin 1981, u sëmur me kancer, dhe dy vjet më vonë u largua përgjithmonë nga jeta. Asaj nuk ju dha as mundësia për tu kuruar në spitalin onkologjik. / KultPlus.com
Kishin harrue se ishte vonë. Në qiell të mbramjes s’mbette ma as ma i lehti kujtim i tingujve të kumbonve prendimore. Nata me hije të bruzta kish nisun të mbulojë, larg, qytetin pikalasun me drita xhixhilluese e, afër, kodrat e Tepes të heshtuna. Ata ecshin në breg të Drinit, me nji lodhje t’ambël në shpirt e në trup.
Kur, qe, mbas nji shelqje ujit të lumit, në breg t’andejshëm, u kujtuen se kish dalë nji hanë e madhe, e verdhë me do danga të kuqe.
Ai u ndal. Ndieu ajo ndoshta si nji të përqethun tue rrëshqitë nëpër shtat të tij?
Pyeti, plot kujdes:
– Shka ke? Pse u trëmbe?
– S’u tremba, u ndala me shikue hanën…
Ajo soditi rrotllen e zjarrtë viganore, qi mashtronte syt tue u dukë jo ma nalt se tridhetë kutë sipër Vukatanit.
– Hana si gjithmonë…
– Jo, – murmuroi ai me nji za si të tretun, – shif dangat e kuge… S’asht si hana e zakonshme…
Ajo ishte e mëndshme edh’e arsimueme, por plot bestytni si shumica e gravet. U dridh e u shtrëngue ma fort për krah të tij:
– Ugurzezë, thue?
– Kushedi ! Por janë marrina…
Heshtën të dy për do kohë tue ecë mbi ranë të bregut, ku hapat s’bajshin zhurmë. E para e tyne, hana eci me ta, mbasi doli prej gëmbave të shelqes në qiell të hapun tue u ngjitë përherë ma nalt.
Por befas e kaploi vajzën nji frigë e paspjegueshme. Ndoshta friga e asaj heshtjeje tepër të gjatë mbas fjalve të nxehta qi deri atëherë ai i kish folun.
Bani:
– Pse m’ a prishe ket paq nate me friksime kote. Shetitet mirë nën kët hanë të bukur e asht e para herë qi rrijmë bashkë, kaq vonë, jashta qytetit…
Ajo suell ambëlsisht fytyrën prej tij tue ia kërkue syt, por ai kish humbun në nji mendim të vetin, qi s’e lënte me ndjekë fjalët e saja. Vajza u sticue e u ankue:
– A ndëgjove shka të thashë? Ku je me mënd? Pse s’ u vën vesh fjalve qi të tham?
Ai shkundi mendimet e përgjegji:
– Kurrgja: nji kujtim i vjetër…
– Cili? Due m’e dijtë!
– S’ke shka me dijtë… Kur ishëm fmij, pash nji hanë si këtë e tashti m’u kuj tue…
– Ku?
Ai, në vend qi me kallzue, tha:
– Të këthejmë; asht vonë; tash po të bërtasin në shtëpi.
I suellën shpinën hanës edhe ujit të Drinit; u drejtuen nëpër zall kah rruga e Qafë Hardhis qi çon në qytet. Nuk çilën gojë për shum kohë. Ajo digjej në kureshtë me diktue rrymën e mendimeve qi ia barshin larg mënden shokut të saj, por dronte me përsëritë pyetjen. Ishte aq i gatshëm ai ndër përgjegje ironike qi, pa zblue kurrgja të ndiesive të mbrëndshme, mbyllin pa apel bisedën! Pritte me paduresë kallximin e vetvetshëm të tij. Por ai ecte mendueshëm tue heshtë.
Ajo s’u durue gjatë. Sa duelën prej ograjave në rrugë, iu suell:
– Elë? Ku e pe herën tjetër nji hanë ksisoji?
Ai këthei kryet me shikue prap hanën qi tashti ndiqte ecjen e tyne për mbrapa, n’e djathët. Pa ndalue ejcen, tregoi:
– Punë boshe. Nji herë në fmijni udhtova prej Podgoricet në Nikshiq të Malit të Zi. Atëherë udhtohej me omnibus. Në nji ndalje pash nji hanë të kuqe si këtë. Kurrgja tjetër.
Asaj i kërcyen dreqnit, por e ndaloi veten. S’kishte si me qënë aq e thjeshtë ajo ngjarje qi e mbylli papritmas në heshtje atje në breg të Drinit. Shoku ia këputte shkurt, pse s’donte me ia diftue përshtypjet e holla me të cilat sigurisht ajo ngjarje rrinte e rrethueme në kujtim të tij. Ajo e njifte mirfilli zilin e shokut për çdo ndiesi shkaktue nga kujtimet e fëmijnis, të cilat ai i ruente mbrënda vetes si nji visar të paçmueshëm larg kureshtës së kujdohit, edhe të saj. Mbante për veti shijen e përmallëshme qi falin kujtimet e brishta e t’avullshme të kalesës.
Fytyrën e vërtetë të shpirtit të vet, atë ma të mirën, ai ia mshifte edhe asaj. Kjo gja, qi ajo qartas kuptonte, e mbushte me pezëm. Ajo deshironte qi dashunija e tyne të kishte për themel besimin ma të plotë ndër këshille. Asnji skaj i botës së mbrëndshme të tyne s’do t’i mbetej i panjoftun as njanit as tjetrit. Pse mshifej ai mbas asaj heshtjeje? Ajo, me kryeneçsin e dashunoreve, dau me dijtë. Bani, me za fare të qetë:
– Vetëm kaq?
– Kaq.
– Sa vjetsh ishe ti?
– Qe me 1911, prandej un ishëm dhetë vjetsh.
– Si e mban mend me kaq përpikni vjetin?
– Pse shi n’at vjet në Podgoricë ndëgjova krismën e pushkëve ndër male të Hotit, ku luftojshin Malsorët t’onë për liri.
Prap ecën në heshtje. Ajo rishtas pyeti me za t’ulët:
– Pse të bani aq përshtypje ajo hanë e atëhershme?
– S’e dij. Në menden e njomë të fëmis lanë mbresë disa sende qi s’kanë randësi a nemose s’kanë aqë sa me mbetun të pashlyeshme për të tanë jetën. Në paç kujtime fëmijnije, mund të vëj sh roe në to se ma të dashunat e ma të çuditshmet janë shi njato qi, me i kallzue, duken asgja.
Në zanin e tij, ma të nxehtë e ma të gjallë, ajo ndieu ngadhnimin e vet. Kishte zgjue në të nevojën e këshillimit. Priti, pa ia prë fjalën, vazhdimin.
– Ti s’ e njef ambëlsin e dridhun qi më rrëshqet në zëmër kur prirëm plot habi kah stina misterjoze e fëmijnis së kalueme. Ti çmon vetëm kohën e tashme, edhe je e përkulun me të gjitha deshiret të tuja kah koha e ardhëshme…
– …pse koha e tashme edhe ajo e ardhëshmja, për mue, je ti!
– Nejse. Un s’jam ende plak me moshë, por e ndiej veten të plakun në shpirt. Jeta e ime qe aqë e ndryshme, edhe aqë e dendun me ngjarje të pamendueme, sa qi më duket si me pasë në shpinë jo aqë vjet sa vërtë kam, por edhe nji herë aqë. Jam plot kujtime si t’ishëm gjashtëdhetë vjetsh.
Vajza ia priti:
– Kjo prirje e jote shpirtnore me dashunue kalesën në shfagjet e saja.të largta e të zbêta, e m’u ndry mbrënda teje në nji adhurim vetmitar, asht nji verigë qi të pengon në zhdrivillim të cilsive të tuja. Këtë e kam vu roe mirë. E më fal qi po të flas çiltërisht. Kur të ndryhesh tepër shpesh si në nji mareshtë, ndër kujtime të kalesës, don me thanë se nuk beson n’ardhëmeni…
– Nejse – ia këthei shoku, – shkon gjatë me të kundrështue. Këtë s’dija e ke vu roe. Në zgjim të tyne të papritun, shkaktue nga sëndi ma i vogël e i kotë, kujtimet e harrueme të fëmijnis na paraqitën të rrethueme në tisa të lylyvertë andrrue. Shka kishin syt t’onë n’at moshë për me na u dukun bota e ngjyrat e saja ma të gjalla; shum ma të gjalla se sot? Vëndi ku u ndal omnibusi, ishte në breg të Moraçës… Ujnat e këtij lumi të rrëmbyeshëm rridhshin në fund të nji gryke të ngushtë. Valët e tija të furishme na s’i shifshim sepse, atje në fund të shtratit të tyne, i mbulonte terri, po ndëgjojshim zhaurrimën e poterëshme të tyne. Si tash e mbaj mend. Rreth e rrotull nesh rrijshin pezull shkambije kërcnuese. M’u dukshin ato male si me pasë qënë shtangue dora e Perendis në rrotullim e në rrëxim. Edhe në breg të lumit, në maje të nji curri qi lëshohej pingul në greminë ku shungullojshin valët e tërbueme, mbaj qartas mend se pash nji landë sa gazepi, rritë shtrëmbët, qi kish dukjen e nji vigani të deshpëruem,
n’e matun m’u hjedhë në humnerë për me i ikë mjerimit të vet.
– Romantik! Salvator Rosa!
– Më qesh sa të duesh. Edhe pse s’dij m’e kallxue, e kam gjithënji gjallë në kujtim at mbramje të shqetë në breg të Moraçës.
– Po hana?
– Ishte në qiellin përtej Moraçës, n’e djathët t’asaj lande me trup të shtrëmbët si vigà garravaç. E ngjyeme në nji të kuq të murrmë si m’u pasë çue njatëherë prej nji kënete gjaku. E, në dritë të saj, mbi nji stom bri rrugës s’onë, u ngreh pa pritë pa kujtue nji plakë e dërmueme prej moshe, flokë-shprishun, e thatë në fytyrë e në shtat, malazeze banuese n’at vis. Çoi dorën kah hana e vikati me za të shkyem: “Kuku për Malin e Zi! Kuku për gjithë botën qi ka m’u mbytë në gjak! Pushkët e Malsorve të Hotit kanë me ndezë nji zjarm qi, kuku, vonë e vonë do të shuhet!” Ajo foli e foli gjat, por un s’mbaj mend fjalë tjera.
– Me 1911 thae?
– Po. Sa herë në kohën e luftës i kam mendue ato fjalë të plakës.
– Çudi: paska pasun vërtë ndiesi profetike!
– S’e besoj. Popullsit e atyne krahinave thonë se hana me danga të kuqe bjen luftë. Plaka flitte mbas gojëdhanës. Rasa deshti qi të flitte shi në prakun e ngjarjeve të përgjakshme qi ndoqen at prendverë epopeje arbnore. Lufta e Tarabulluzit, dy luftat ballkanike, lufta botnore…
Mbas nji heshtjeje sa grima ajo pyeti, tue u sjellun mbrapa mendueshëm me shikue rrotllen ari të hanës qi gjithënji kish do shêje të kuqlimta kah fundi:
– Vetëm luftë paralajmon hana e kuqe apo edhe të zeza tjera?
– S’e dij. Mue më përkujtohet figura e asaj plake në breg të Moraçës sa herë qi del kështu.
– A dron? – pyeti prap ajo tue u rrasë për të si me gjetë mproje në krah të tij.
– Atëherë dreshta. Fjalët e parafolses pa dhambë në gojë m’a mbushën shpirtin e njomë me nji efsh të pamasë. Por tash, mjerisht, nuk drue ma.
– Pse thue mjerisht? Ma mirë mos me drashtë.
– Pse tashti shof se kam humbë krejt gjallnin e përshtypjeve.
Nji hanë kuqalake pash në fmijni e më ka mbetë e pashlyeme në mbamendje e prap edhe sot m’ep, tue e kujtue, nji të dridhun misterjoz. Tashti shofim shpesh herë ngjarje me shum randësi dhe të nesërmen i harrojmë krejt. Nuk na ngacmon ma kureshta hyjnore e moshës ari para sëndeve të thjeshta por plot msheftësi të botës; tashti s’kemi ma në shpirt tronditje të thella e s’dijmë as me gzue as m’u pikllue, as m’u trëmbë para nji hane gjaku… Kishin arrijtur te Xhamija e Kuqe. Vajza, tue e ngrehun kryet kah shoku qi ishte ma i gjatë e tue ia afrue buzët te veshi, pëshpëriti me za t’ambël ku tingllonte nji kujdes i mshefun: – Po me më dashtë mue a din? Ai i a lëshoi krahun e s’foli ma. / Filozofia.al / KultPlus.com
Drejtoria e Kulturës, Komuna e Prishtinës, në bazë të rregullores për ndarjen e subvencioneve nga Komuna e Prishtinës ka hapur thirrje publike për mbështetje të projekteve kulturore për këtë vit.
Thirrja është
e hapur për të gjithë individët, bizneset, organizatat joqeveritare të
regjistruara në Republikën e Kosovës, programi i punës i të cilave është i
fokusuar në fushën e kulturës.
OJQ-të,
individët dhe bizneset, në përputhje me këtë thirrje publike, mund të aplikojnë
me projektpropozimet për organizimin e aktiviteteve kulturore si më
poshtë:
Art vizual –
figurativ: krijim i veprës së re, fuqizim i artistëve të rinj, ekspozitë,
hulumtim kuratorial, instalime në hapësira publike, mbështetje të personave me
nevoja të veçanta dhe inovacion teknolgjik;
Botime: për
fëmijë, për të rinj, romane, tregime, përkthime, mbështetje të personave me
nevoja të veçanta dhe hulumtime kulturore;
Festival: art
figurativ, art në hapësira publike, arkitekturë, ekologji, film, letrar, shumë
disiplinor, muzikë, folklore, teatër, teknologji informative, vallëzim etj.;
Kinematografi: film
dokumentar, filmi i shkurtër, film i animuar, fuqizimi i kinematografëve të
rinj, titrim dhe zhvillim skenari;
Manifestime: shënimi
i datave historike, shënimi i festave kombëtare dhe ndërkombëtare dhe shënimi i
datave të tjera me rëndësi në Komunën e Prishtinës;
Mbështetje
të aktiviteteve vjetore të organizatave dhe operatorëve kulturorë: aktivitete
mujore, fuqizim i krijuesve të rinj, rezidencë artistike, debate, ligjërata dhe
hulumtime;
Muzikë: kompozim
i veprës së re, audio-incizim, koncert, fuqizimi i muzikantëve të rinj,
mbështetje të personave me nevoja të veçanta dhe inovacion teknologjik;
Shoqëri
kulturoro artistike: mbështetje të aktiviteteve vjetore, blerja e
kostumeve, blerja e instrumenteve dhe pjesëmarrje në festivale;
Teatër: prodhimi
i shfaqjes, promovim dhe pjesëmarrje e shfaqjes në festivale kombëtare dhe
ndërkombëtare, mbështetje të personave me nevoja të veçanta dhe inovacion
teknologjik;
Trashëgimi
kulturore: fushata vetëdijesimi, pjesëmarrje në aktivitete për mbrojtjen e
trashëgimisë kulturore, hulumtim, promovim i diversitetit kulturor, turizëm
kulturor, platforma informative;
Vlera
e përgjithshme e planifikuar e thirrjes është 85,000€ (Euro).
Shuma
minimale e mbështetjes financiare që mund të alokohet për çdo
projekt individual është 500€ (Euro), ndërsa shuma
maksimale për një projekt është 11,560€ (euro).
Thirrja për mbështetje të projekteve kulturore nga Komuna e Prishtinës mbetet e hapur deri më 8 tetor 2019./ KultPlus.com
Ambasada e SHBA-së në Shqipëri në bashkëpunim me Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Tiranë do të organizojë shfaqjen e dokumentarëve të filmave amerikan, shkruan KultPlus.com
“Ambasada e Shteteve të Bashkuara ju fton të merrni pjesë në Javën e Filmit Amerikan! Në bashkëpunim me Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Tiranë, Ambasada do të organizojë shfaqjen e dokumentarëve të ndryshëm amerikanë, të cilët do të vijojnë me folës të ftuar dhe panele diskutimi mbi temat e tyre nga data 24 deri në 27 shtator. Na ndiqni në faqen tonë për më shumë informacion mbi aktivitetet, folësit e ftuar dhe shumë të tjera”, thuhet në postimin e tyre në Facebook.
Të gjitha vendet anëtare të BE-së kanë një afat deri në prill të vitit tjetër për të vendosur qoftë për të qëndruar përgjithmonë në zonën e kohës verore apo në zonën e dimrit.
Ora nuk do të ndryshojë sërish dy herë në vit dhe kjo do të nisë nga tetori i këtij viti.
Bashkimi Evropian, përmes Komisioneres Evropiane për Transportin, Violeta Bulc ka njoftuar se mosndryshimi i orës dy herë në vit në të gjithë kontinentin do të fillojë nga tetori i vitit 2019.
Kjo praktikë u përdor si një mjet për të ruajtur energjinë gjatë luftërave botërore, si dhe krizave të naftës të viteve 1970 dhe u bë ligj në të gjithë bllokun në 1996.
Të gjitha vendet anëtare të BE-së kanë afat deri në prill të vitit tjetër për të vendosur që të qëndrojnë përgjithmonë në zonën e kohës verore apo në zonën e dimrit.
Postimi i Bulcit:
Në Evropë, siç dihet shtetet i ndryshojnë skemat e tyre 60 minuta para të dielës së fundit të marsit, ndërsa në tetor ata i kthejnë akrepat 60 minuta pas.
Sipas njoftimit të BE-së, të gjitha shtetet anëtare duhet të kenë të njëjtën zonë kohore dhe t’i japin zgjidhje praktikës së ndryshimit. Komisionerja Evropiane për Transportin deklaroi se duhet të gjendet një konsensus midis shteteve anëtare të Parlamentit Evropian. / KultPlus.com
Në Teatrin Kombëtar të Kosovës po bëhen përgatitjet për premierën e shfaqjes “Pesë stinët e armikut të popullit” e dramaturgut Jeton Neziraj, përcjellë KultPlus.
Shfaqja
përshkruan Prishtinën e pasluftës e cila dita-ditës po kërcënohej e ngulfatej
nga ndërtuesit e fuqishëm ilegalë të cilët, në kundërshtim me të gjitha
rregullat urbanistike, po ndërtonin brutalisht në çdo cep të saj. Në anën
tjetër, “Pesë stinët…” e përfshijnë edhe misionin e Kombeve të Bashkuara në
Kosovë, që në emër të politikave neoliberale të tregut, po e toleronte dhe po i
krijonte terren të favorshëm këtij shkatërrimi.
Në këtë
proces kanë qenë të inkuadruar edhe shumë prodhues të materialeve ndërtimore
nga vendet tjera të Evropës, të cilët kishin interes nga ky “rekonstruktim i
shpejtë”.
Duke e parë
këtë situatë alarmante, arkitekti e planifikuesi hapësinor Rexhep Luci po
përpiqej të vinte kontroll urbanistik. Për kompanitë e ndërtimit e ato të
prodhimit, për kastat e korruptuara politike, për mediet oportuniste, për
komandantët e luftës, për zyrtarët e UN-it e për shumëkënd tjetër, ai ishte
“armiku”. Rexhep Luci ishte kërcënuar me jetë disa here dhe pastaj edhe ishte
vrarë në hyrje të banesës së tij në Prishtinë.
Prishtina,
qyteti që ka fituar luftën por e ka humbur paqen, është sot qyteti me ajrin më
të ndotur në Evropë, ku kompanitë e ndërtimit vazhdojnë të abuzojnë me dhjetëra
mijëra punëtorë të angazhuar në sektorin e ndërtimtarisë, të cilët paguhen keq,
punojnë në kushte ekstreme të pasigurisë fizike dhe pa sigurim shëndetësor.
Gjatë një
viti në Kosovë, në vendin e tyre të punës, vdesin apo pësojnë aksident qindra
punëtorë të këtij sektori. Familjet e tyre nuk kompensohen kurrë.
“Pesë
stinët…” është një rrëfim për “heroin që komprometohet nga shumica” dhe për
“përgjegjësinë e shumicës, si armike e të vërtetës dhe lirisë” (Ibsen, përmes
Stockmann). Por kjo shfaqje na flet edhe për hipokrizinë e misioneve të paqes
të UN-it, të cilat, në emër të stabilitetit politik, në emër të paqes,
zhvillimit e të rikonstruktimit, mbyllin sytë përballë dr. Stokmanëve, dhe
rrjedhimisht, bëhen pjesëmarrës në vrasjen e tyre.
Muzicientë:
Drin Tashi, Tomor Kuçi, Arbër Salihu, skenografia dhe kostumet: M. Nurullah
Tuncer, muzika: Irena Popoviq- Dragoviq dhe koreografia nga Gjergj Prevazi.
Shfaqja vjen premierë më datë 24 shtator në ora 20:00 në Teatrin Kombëtar të Kosovës. / KultPlus.com
Aktori i njohur, Fatmir Spahiu përmes një postimi në Facebook, ka treguar se ai do të marrë pjesë në “Eastern Neighbours Film Festival” në muajin nëntor.
Aktori e ka bërë të ditur në mënyrë qesharake duke thënë se ai është ftuar në Hagë.
“Miq, dua te ju njoftoj qe keto dite jam ftuar per ne Hage. Festivali ne te cilin do te marim pjese eshte i nje rendesie te veçant. Eastern Neighbours Film Festival Cold November / Nëntor i ftohtë do te shfaqet ne mes datave 6-10 Nentor 2019 ne njeren prej sallave me te veçanta te Hages! Per daten e sakt ju njoftoj me kohe“, ka shkruar ai në Facebook.
Kujtojmë që ky film e kishe rrëmbyer cmimin e audiencës në Zurich Film Festival, shkruan albinfo.ch. / KultPlus.com
Lidhja e Shkrimtarëve të Kosovës njofton se nesër, në ambientet e Institutit Albanologjik në Prishtinë, do të mbajë një akademi me të cilën përkujton shkrimtarin e shquar, Rexhep Hoxha, i cili kohë më parë u nda nga jeta.
Kjo akademi do të nisë në orën 12:00.
Për jetën dhe veprimtarinë e këtij shkrimtari e pedagogu të njohur do të flasin studiues e kolegë të tij, kurse në kuadër të këtij aktiviteti do tëdeklamohen edhe krijime nga vepra letrare e Rexhep Hoxhës, ndërsa do të lexohen edhe krijime letrare nga anëtarët e LSHK-së, thekson njoftimi. / KultPlus.com
BBC ka realizuar një dokumentar të shkurtër rreth Kosovës, me fokus të veçantë marrëdhëniet ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve pas luftës.
Në këtë dokumentar flitet rreth ndarjes që vazhdon të jetë në mes të shqiptarëve dhe serbëve, duke thënë se “edhe pse lufta në mes të Kosovës dhe Serbisë ka mbaruar 20 vite më parë, konflikti asnjëherë nuk është zgjidhur në mënyrë të duhur”, transmeton koha.net.
Në disa pjesë të Kosovës, njerëzit nga të dyja anët e konfliktit ende nuk bashkëpunojnë, thuhet në këtë dokumentar.
“A mundet gjenerata e lindur pas luftës të gjejë një mënyrë që të jetojë së bashku?”, pyet BBC.
Ata kanë takuar një shqiptar 20 vjeçar nga Mitrovica, i cili asnjëherë në jetën e tij nuk ka takuar një serb, e të cilin e kanë bindur që të takohet me Selenan, një 16 vjeçare serbe, nga Mitrovica e veriut në urën e qytetit të ndarë.
Numri i 23-të i revistës shkencore “Filologji” të cilën e boton Fakulteti i Filologjisë i Universitetit të Prishtinës vjen me materiale shumë interesante për lexuesit shqiptarë, shkruan KultPlus.
Nën drejtimin e kryeredaktorit Prof. dr. Sali Bashota, revista ka në përbërjen e saj personalitete të shquara nga bota albanologjike si: Prof. dr. Aurel Plasari (Tiranë), Prof. dr. Osman Gashi, Prof. dr. Françesko Altimari (Kozencë), Prof. asoc. Dr. Muhamet Hamiti, Dr. John Hodgson (Londër), Prof. asoc. dr. Nysret Krasniqi, Prof. dr. Russana Hristova Beyleri (Sofje), dhe Prof. asoc. dr. Rrahman Paçarizi.
Në
këtë numër, akademikja Floresha Dado vjen me studimin “Skënderbeu midis
historisë, mitit historik dhe mitit letrar – një çështje debati shkencor” kurse
Prof. dr. Kujtim Shala sjell trajtesën “Zef Pllumi: Librat e kujtimeve”.
Nga Prof. ass. dr. Naim Kryeziu prezantohet me “Analizë krahasuese e dy versioneve të përkthimit të poezisë së Hajnrih Hajnes “Lorelaja”.
Prof.
asoc. dr. Bavjola Shatro paraqet shkrimin autobiografik të Musine Kokalarit
“Jeta ime universitare” – “Hyrje në Prozën natyrale të jetës së përditshme”.
Profesori
Besim Rexhaj për numrin e 23-të revistës sjell “Aspekte të kategorisë së
vdekjes në tragjeditë e Shekspirit”, ndërsa profesor Xhavit Beqiri prezantohet
me “Sinonimia e Romanit ‘Oh’ të Anton Pashkut”
Për
këtë numër kanë kontribuar edhe studiues të tjerë që prezantohen me materiale
me interes për lexuesit shqiptarë.
Klod Pishoa dhe Andre Ruse prezantohen me “Historia e përgjithshme e letërsisë”, Ilir Breca me “Identiteti letrar i letërsisë së vjetër shqipe”, Edona Jahiu me “Disa kontribute të Kolec Topallit në fushën e fonetikës” dhe Halil Asllani me “Anglicizmat dhe të kuptuarit e tyre në gjuhën shqipe”.
Revista shkencore “Filologji” e Fakultetit të Filologjisë do të botohet dy herë brenda vitit dhe si synim kryesor ka afirmimin e vlerave shkencore albanologjike brenda dhe jashtë vendit. /KultPlus.com
Nicole Scherzinger fitoi famë si liderja e grupi të vajzave Pussycat Dolls duke shitur 15 milionë albume dhe 40 milionë këngë në të gjithë botën.
Mbi një dekadë Pussycat Dolls është ndarë.
Daily Mail shkruan se 41-vjeçarja, Nicole, nënshkroi marrëveshjen miliona dollarëshe për tu bashkuar me vajzat në një turne të madh në të gjithë botën.
Gjithashtu raportohet se ato kanë biseduar për të sjellë këngë të reja.
Pussycat Dolls përbëhet nga Nicole, Carmit Bachar, Ashley Roberts, Jessica Sutta, Melody Thornton dhe Kimberly Ëyatt.
Grupi u formua në vitin 2003, por u nda në 2009 mes spekulimeve mbi mosmarrëveshje mes vajzave për ‘sundimin’ e Scherzinger në grup.
Por duket se vajzat i kanë lënë mënjanë dallimet mes tyre dhe raportohet se do të rikthehen fuqishëm.
Raportohet se grupi do të njoftojë turneun e tyre në muajt e ardhshëm dhe pritet të fillojë në vitin 2020. / KultPlus.com
Të falenderoj për mesazhin që më dërgove me rastin e Vitit të Ri. Ai është i trishtueshëm e dëshpërues dhe e kuptoj atë mjaft mirë. Megjithatë, ka aty një frazë ku ti thua se të është ngulitur në mendje ideja se një kuptim dhe një mision kanë qenë caktuar për ty dhe për jetës tënde dhe se ti vuan nga moszbulimi i këtij kuptimi dhe nga mospërmbushja e këtij misioni.
Pavarësisht, kjo më duket inkurajuese, sepse është e vërtetë në kuptimin e mirëfilltë të fjalës, dhe të lutem që t’i kujtosh e t’i meditosh herë pas here shënimet që do të shkruaj në lidhje me këtë subjekt. Këto reflektime nuk janë të miat, ato janë po aq të vjetra sa bota dhe bëjnë pjesë në atë që njerzit kanë shprehur si më pozitive për veten dhe misionin e tyre. Atë që ti bën në jetë, dua të them, jo vetëm si artist, por gjithashtu dhe si njeri, burrë e baba, mik, komshi, etj., pra, e gjitha kjo vlerësohet në funksion të “kuptimit” të përjetshëm të botës dhe sipas kritereve të drejtësisë së përjetëshme, jo duke iu referuar disa matjeve të vendosura njëherë e përgjithmonë, por duke i aplikuar veprimeve të tua, aftësinë tënde, të veçantë e personale. Kur Zoti do të gjykojë, ai nuk do të pyesi : “A ke qenë një Hodler, një Picasso, një Pestalozzi, një Gotthelf ? Përkundrazi ai do të pyes : “A ke qenë dhe a je në të vërtetë J. K.-ja për të cilin ti ke trashëguar disa predispozita ? I pyetur në këtë mënyrë, askush nuk do mundet që t’i flasë për egzistencën dhe gabimet e veta pa ndjerë tmerr e turp ; pak a shumë ai mund të përgjigjet : “Jo, s’kam qenë ky njeri, por të paktën jam përpjekur që të bëhem i tillë brenda mundësive të mia.” Po t’i thotë ato me sinqeritet, ai do të jetë i justifikuar e do të dalë i fituar nga prova.
Nëqoftëse ti shqetësohesh nga imazhe të tilla si “Zoti” apo “gjykatësi i përjetshëm”, lëri ato qetësisht menjanë, sepse ato s’kanë shumë rëndësi. E vetmja gjë që ia vlen është fakti që secili prej nesh është depozitues i një trashëgimie dhe mbajtësi i një misioni ; secili nga ne ka trashëguar nga nëna dhe babai, nga stërgjyshërit e tij të shumtë, nga populli i tij, nga gjuha e tij, disa veçanti të mira apo të këqia, të këndshme apo të pakëndshme, disa talente dhe disa difekte, dhe të gjitha këto të mbledhura sëbashku na bëjnë të jemi këto që jemi, ky realitet i përveçëm që quhet J.K., në rastin tënd. Kështu pra, këtë realitet të përveçëm, secili nga ne duhet ta vërë në pah, ta jetojë deri në fund, ta çojë deri në pjekuri, dhe më sëfundi, ta perfeksionojë sa të jetë e mundur. Në lidhje më këtë mund të citojmë shembuj mjaft mbresëlënës e që i gjejmë me bollëk në historinë universale dhe historinë e artit. Ashtu siç shohim që në shumë përralla ka shpesh një perzonazh që është idioti i familjes, i paafti, dhe ndodh që atij t’i jepet roli kryesor. Është pikërisht besnikëria në vetë natyrën e tij që i bën individët e tjerë, më të zgjuar se ai, e të favorizuar nga suksesi, të duken mediokër. Kështu, në fillim të shekullit të kaluar jetonte në Frankfort familja Brentano, e pasur me individualitete mjaft të zotë. Nga njëzet fëmijët që kishte në atë kohë, dy prej tyre sot janë të shquar : poetët Klement dhe Betina Brentano. E pra, këto vëllezër e motra të shumtë qenë të gjithë të zgjuar, interesantë më tepër se mesatarja, mendje të ndritura, talente të klasit të parë. Vetëm i madhi i fëmijëve ishte dhe ashtu mbeti, i leshtë dhe gjithë jetën e tij e kalojë në shtëpinë e prindërve, një shpirt i qetë i vatrës familjare për të cilin nuk kishte ndonjë rrugëzgjidhje ; katolik, ai respektonte të gjitha detyrat e besimtarit ; si djalë dhe si vëlla tregohej i matur e babaxhan, dhe në mes të bandës së lumtur e mëndjemprehtë të vëllezërve e motrave, ku shpesh shpërthente ekstravaganca, ai bëhet gjithnjë e më shumë qendra e heshtur dhe e qetë e familjes, një lloj guri i çmuar familiar që rrezatonte paqe e mirësi. Vëllezërit dhe motrat e tij flasin për këtë leshko, për këtë qenie foshjore, me një respekt, një dhëmshuri të tillë, si për asnjë tjetër. Pra, dhe atij gjithashtu, këtij budallai, këtij idioti, i kishte qenë caktuar një kuptim dhe një mision dhe ai i kishte përmbushur ato më mirë se të gjithë vëllezërit e motrat e tij të ndritur.
Shkurt, kur dikush ndjen nevojën për të justifikuar jetën e tij, nuk është niveli i përgjithshëm i aksionit të tij, parë nga pikëpamja objektive, që ka rëndësi, por më shumë fakti që vetë natyra e tij, ajo që i ka qenë dhënë, të shprehet sa më sinqerisht që të jetë e mundur në egzistencën dhe në aktivitetin e tij. Tentativa të panumërta na kthejnë vazhdimisht nga kjo rrugë ; më e forta prej tyre është ajo që në brendësi të vetes sonë na bën të besojmë se mund të ishim dikush krejt tjetër nga ai që jemi në realitet dhe kështu fillojmë të imitojmë modele dhe të ndjekim ideale që jo vetëm nuk duhen, por as që mundemi t’i arrijmë. Kjo tentativë është veçanërisht e fortë tek personat e pajisur me aftësi superiore, tek ata, ajo paraqet shumë më tepër rrezik se një egoizëm i thjeshtë me rreziqet e tij vulgare, sepse ajo shfaqet me pamjet e një fisnikërie shpirtërore e morale. Në një moment të jetës, çdo djalë i ri ka ëndërruar të drejtojë një karrocë me kuaj apo një lokomotivë, të bëhet gjuetar apo gjeneral, dhe më vonë, të bëhet një Gëte apo Don Zhuan ; kjo është një tentative e natyrshme, e pashmangshme në zhvillimin normal të individit dhe një mënyrë për t’u vetë-edukuar : imagjinata, si të thuajsh, duke kërkuar në të errët, merr kontakt me mundësitë e së ardhmes. Por jeta nuk i plotëson këto dëshira dhe idealet e fëmijërisë e të rinisë vdesin vetvetiu. Megjithatë, ne vazhdojmë përherë me dëshirën për të bërë gjëra për të cilat nuk jemi bërë dhe përpiqemi t’i imponojmë natyrës sonë kërkesa që e dhunojnë atë. Të gjithë ne reagojmë në këtë mënyrë. Por në të njejtën kohë, në momentet e një vetëdije të mbrendshme e ndjejmë gjithnjë e më shumë se nuk ka rrugë që do të na çojnë jasht vetes sonë, drejt diçkaje tjetër, se duhet ta përshkojmë jetën me aftësitë e dobësitë që janë tonat e thjesht personale dhe ndodh që disa herë të bëjmë përparime, të realizojmë diçka që deri mëparë nuk ishim të zotët ta bënim, dhe për një çast, pa hezituar, e aprovojmë dhe kënaqemi me veten. Sigurisht që kjo kënaqësi nuk ka asgjë të qëndrueshme ; megjithatë, pas kësaj, pjesa më intime e vetes sonë s’tenton gjë tjetër veçse të ndjehet e rritur dhe e pjekur në mënyrë të natyrshme. Vetëm në këtë mënyrë mund të jemi në harmoni me botën dhe nëqoftëse arrijmë që ta njohim këtë gjendje, eksperienca që mund të bëjmë do të jetë akoma më e thellë.
Kur them se misioni që i besohet çdo individi është i ndryshëm për secilin prej tyre, nuk kam aspak parasysh atë që diletantët e artit, të vjetër e të rinj, quajnë mbrojtja dhe afirmimi i individualitetit e origjinalitetit të tyre. Kuptohet vetvetiu se kur një artist e bën artin profesion dhe qëllim të jetës së tij, i duhet të fillojë nga mësimi i gjithshkaje që i shërben mjeshtrisë ; ai s’duhet të mendojë se do t’i duhet që ta shmangë këtë nxënie me qëllim që të ruaj origjinalitetin dhe personalitetin e tij të vyer. Shembujt të tillë nuk mungojnë. Përpjekja personale për të asimiluar atë që kemi mësuar është një detyrë fillestare, si në fushën e artit, ashtu dhe në atë të jetës së përditëshme. Duhet që fëmija të mësojë të hajë, të jetë i pastër, i duhet mësuar shkrimi e këndimi. Studimi i gjithshkaje që duket se ia vlen të mësohet nuk bëhet pengesë në zhvillimin e individualitetit, përkundrazi e favorizon dhe e pasuron atë. Më vjen turp që të shkruaj të zezë mbi të bardhë gjëra të tilla kaq të qarta, por kemi mbrritur në atë pikë ku askush nuk duket se ka instiktin e të reaguarit sipas rregullave natyrale dhe e zëvëndëson këtë instikt me një kult primitif të së jashtëzakonshmes dhe absurdes. Në art, nuk jam aspak armik i së resë, përkundrazi, dhe ti e di mirë, por në fushën e moralit, domethënë kur është fjala për sjelljen e njeriut në lidhje me detyrën që i bie të kryej, modat dhe shpikjet e reja më duken të dyshimta dhe jam krejt mosbesues kur dëgjoj njerëz të arsyeshëm të flasin për morale të reja, etika të reja, sikur të flisnin për moda apo stile në art.
Në botën aktuale i kërkojnë njeriut akoma tjetër gjë, dhe kjo kërkesë është e përhapur nga partitë politike, nga vende apo profesorë të moralit universal. I kërkojnë njeriut që ai të heqë dorë njëherë e përgjithmonë nga vetevetja dhe nga ideja që nëpërmjet tij, diçka personale dhe e veçantë mund të ketë kuptim ; e bëjnë të kuptojë se ai duhet që t’i adaptohet një lloj humanizmi normal apo ideal që do të jetë ai i së ardhmes, që duhet të transformohet në një nga ingranazhet e makinerisë, në një nga gurët e ndërtesës, mes miliona gurëve të tjerëve, po aq të ngjashëm. Nuk do të doja që të shprehesha mbi vlerën morale të kësaj kërkese : ajo ka anën heroike e madhështore të saj. Por nuk besoj në atë. Vënia në rresht e individëve, me gjithë dëshirën e mirë, është në kundërshtim me natyrën dhe nuk të çon në paqe e në gjakftohtësi, por në fanatizëm dhe në luftë. Në fund të fundit, flitet për një kërkesë prej murgu dhe ajo është legjitime kur bëhet fjalë për murgjit, për njerëz që kanë hyrë të lirë nën urdhrat fetare. Megjithatë, nuk besoj që kjo kërkesë, që është e lidhur me modën, do mund të paraqesë një rrezik serioz për ty.
Shoh që letra është kthyer pothuajse në një disertacion. Do të bëj disa kopje dhe kur të më jepet rasti do t’ia lexoj gjithashtu dhe personave të tjerë. Mendoj se nuk do të kesh ndonjë kundërshtim. Përktheu YD / KultPlus.com
Edicioni i fundit i gazetës amerikane ‘Express’ do të botohet të enjten.
Menaxhimi i gazetës përmendi humbje financiare kur
shpjegoi vendimin e saj për të mbyllur gazetën 16-vjeçare, e cila kryesisht
kishte në shënjestër udhëtarët e Metro.
Ndërsa ata nuk pranuan të sigurojnë numra specifikë,
stafi menaxhues tha që gazeta e shtypur kohët e fundit kishte filluar të
humbiste para.
Express ishte shpërndarë falas çdo mëngjes nga
tregtarët dhe ishte hedhur edhe në kazanë në ndalesat e Metro-ve.
Redaktori Ekzekutiv i Expressit Dan Caccavaro i tha
Postit se u shpërnda në rreth 190,000 njerëz në ditë në kulmin e tij në 2007.
Kjo shifër ra në mënyrë të konsiderueshme vitet e
fundit pjesërisht për shkak të rënies së lexuesve të Metro-ve dhe falë
përdorimit të WiFi në trena duke lejuar pasagjerët të lexojnë lajme në
telefonat e mençur.
Caccavaro vuri në dukje këtë ndryshim në një kolonë
lamtumire që do të botohet në Express të enjten.
“Këtë të hënë në mëngjes, ndërsa hipa trenin për të
punuar … tre njerëz në trenin tim të mbushur me njerëz Blue Line po lexonin
Express (faleminderit!)”, Shkroi ai. «Një burrë e kishte hundën në një libër të
modës së vjetër. Pothuajse të gjithë të tjerët shikonin një telefon”.
Express punësoi 20 gazetarë. Ata do të pushohen nga puna si rezultat i mbylljes së gazetës. / KultPlus.com
Me duartrokitje që zgjasnin me minuta të tëra dhe me një paraqitje pothuajse teatrale të violonçelisti rus, Denis Shapovalov, është hapur edicioni i 20-të i Kosova Kamerfest 2019 me koncertin e titulluar “KamerFest Fishekzjarrët”, shkruan KultPlus.
Para një numri të madh të të pranishmëve,
Sihana Badivuku, ka folur në mënyrë të përgjithshme për këtë edicion të “KamerFest”
dhe për karakteristikat që i ka ky edicion.
“Shpresoj që
KamerFest 2019 do ta gjallëroj Prishtinën. Kemi katërmbëdhjetë koncerte që i kemi
planifikuar në muajt shtator, tetor dhe nëntor. Karakteristikë e këtij
edicionin janë datat e shpërndara për koncertet”.
Ajo ka thënë
se pjesë e këtij edicioni do të jenë emra eminent nga brenda dhe jashtë
Kosovës.
“Kemi
siguruar emra të mëdhenj të skenës botërore por në kombinim edhe me artistët
shqiptar që t’i hapin dyert e festivalit dhe po ashtu pjesëmarrëse do të jenë
edhe talent të ndryshëm”. Tutje, Badivuku, ka falënderuar të gjithë
mbështetësit financiar të këtij organizimi që realizohet që njëzet vite radhazi.
“Çdo edicion
mbështetës financiar e kemi Ministrinë e Kulturës Rinisë dhe Sportit por këtë
vit një falënderim të posaçëm shkon për Ambasadën e SHBA-së , Austrisë dhe
Francës”.
Në koncertin
e mbrëmjes së parë të Festivalit, të titulluar “KamerFest Fishekzjarrët” fitues
i Çmimit të parë në konkursin prestigjioz “Tchaikovsky”, Denis Shapovalov, me
Orkestrën harkore të festivalit kanë performuar veprat e Vivaldit, Rossini,
Shapovalov.
Koncerti u
mbajt në Amfiteatrin e Bibliotekës Universitare-Prishtinë duke filluar nga ora
20:00.
Sivjet në këtë edicion jubilar do të performojnë rreth 40 artistë botëror si dhe mbarë shqiptar dhe ansamble harkore, pianistike e frymore. 13 Koncerte do të realizohen në Amfiteatrin e Bibliotekës Qendrore të UP-së përpos koncertit të mbrëmjes përmbyllëse i cili do të realizohet në Pallatin e Rinisë-salla e kuqe. / KultPlus.com
Një vit para se të vdiste Franz Kafka pati një eksperience të pazakontë. Duke shëtitur në parkun Steglitz në Berlin takon një vajzë të vogël me emrin Elsi që qante e dëshpëruar sepse i kishte humbur kukulla e saj Brigida.
Kukulla Brigida ishtë një lodër shumë e dashur për vajzën sepse ishte dhurata e parë që kishte marrë nga mamaja e saj kur kishte lindur.
Kafka i prekur nga ngashërimi i vajzës së vogël i premtoi që do ta ndihmonte të gjente kukullën dhe i la takim të nesërmen në të njëjtin vend.
I pazoti të gjente kukullën ,
Kafka shkruajti një letër nga ana e kukullës për vajzën dhe e solli me vete kur
u takuan.
… ”Të lutem mos qaj, unë jam nisur në një udhëtim për të parë botën dhe do të
shkruaj për aventurat e mia…” – kështu fillonte letra.
Kur Kafka dhe vajza e vogël u
takuan, ai i lexoi letrën në të cilën përshkruheshin me shumë hollësi aventurat
imagjinare të kukullës së saj të dashur. Vajza u ndje e lehtësuar dhe kur
takimet e tyre mbërritën në fund, Kafka i dhuroi një kukull tjetër.
Ajo , sigurisht që ishte krejt ndryshe nga kukulla që kishte pasur por, vajza
gjeti një copë letër të fshehur ku shkruhej:
“udhëtimet më kanë ndryshuar”…
Shumë vite më pas , vajza tashmë e rritur gjeti një tjetër letër të fshehur brenda kukullës që i kishte dhuruar Kafka. Aty shkruhej: “Çdo gjë që ti do, një ditë do ta humbasësh, por në fund dashuria për të do të të kthehet në një tjetër formë”. / KultPlus.com
18 shtatori shënon Ditën e Respektit. Kjo ditë është themeluar me qëllim që t’i shtyjë njerëzit që të përqendrohen më shumë në mënyrën se si ata mund të respektojnë të tjerët.
Kjo do të thotë që t’u kushtoni më shumë vëmendje të dashurve tuaj, mirëpo në përgjithësi merret si një arsye shtesë që t’i trajtoni njerëzit me mënyra më të sjellshme.
Nuk ka ndonjë rregull mbi të cilin kjo ditë shënohet, kjo gjë varet nga ju, rrethi dhe nevojat tuaja.
Mund të vizitoni ndonjë të afërm tuajin, apo ta nxirrni partnerin për darkë, përcjell KsP.
Natyrisht, respekti është diçka që duhet të na shoqërojë gjithë vitin, por kjo ditë duhet t‘ju frymëzojë që të mendoni më shumë se si silleni me njerëzit rreth jush. / KultPlus.com
Ozzy Osbourne muajin e kaluar tha se i kishte regjistruar disa këngë gjatë rikuperimit të tij nga një rrëzim që e pësoi në fillim të këtij viti. Ai tani deklaron se materiali i ri është puna më e mirë që e ka bërë ndonjëherë, dhe gjithashtu thotë se ai e ka ndihmuar atë në shërim.
“Albumi përfundoi i gjithi brenda katër javësh”, tha ai për tabloidin britanik “The Sun”. “I thashë [bashkëshortes dhe menaxheres] Sharon se nuk ndihem sikur kam bërë album, sepse nuk i kemi bërtitur njëri-tjetrit”.
Njëra prej këngëve thuhet se quhet “Ordinary Man”, ndërsa i gjithë projekti u zhvillua nga bashkëpunimi i fundit i Osbourne me reperin Post Malone.
“Asnjëherë nuk kisha dëgjuar për këtë djalosh”, tha Osbourne. “Ai donte që unë të këndoja në këngën e tij ‘Take What You Want’, kështu që këndova, dhe pastaj gjërat rrodhën dhe u bë. Fillova ta regjistroja një album të ri me producentin e Post Malone, Andrew Watt. Janë vetëm nëntë këngë, por ishte një katalizator për të më çuar atje ku jam sot”.
Osbourne shpjegoi se ndihej “sikur nuk ishte aq në rrjedha” me industrinë, pasi e kishte kaluar pothuajse një dekadë që nga solo albumi i tij, Scream, nga viti 2010, shkruan KOHA Ditore. Ai e pranon se kishte menduar që Spotify ishte “çrregullim i lëkurës, ku zgjohesh i njollëzuar (nga ang. spotify)”.
Por ai tha se përqendrimi në punë ia tërhoqi vëmendjen nga problemet e tij shëndetësore, duke kujtuar se ai “në pozitë të shtrirë ndiente keqardhje për veten për muaj të tërë”. “Nëse nuk do ta bëja këtë album, përsëri do të isha i tërhequr, duke menduar,‘Do të rri i shtrirë këtu përgjithmonë’”, tha ai. “Më mungonte shumë muzika. Adhuruesit e mi janë shumë besnikë dhe shumë të mirë. Derisa e bëra albumin, mendova se po vdisja. Por kjo më bëri të jem më produktiv… Ky është albumi më i mirë që kam bërë”. / Koha.net / KultPlus.com
Këngëtarja shqiptare Bebe Rexha është përzgjedhur për të kënduar kolonën zanore të filmit të dytë “Maleficient”.
Lajmi është bërë i ditur nga vetë këngëtarja që ka treguar se kënga “You Cant Stop The Girl” do të publikohet të premten.
“Maleficient: Mistress of Evil”, me aktoren Angelina Jolie që ka rolin kryesor por që është edhe producente e filmit, do të debutojë në muajin tetor. /KultPlus.com
Taylor Swift po kthehet në garën televizive amerikane të talenteve “The Voice” si Mega Mentore e shout për sezonin e 17-të.
Këngëtarja do t’u bashkohet trajnerëve Kelly Clarkson, John Legend, Blake Shelton dhe Gwen Stefani muajin e ardhshëm.
Swift ishte Mega Mentore 10 sezone më parë dhe ajo performoi edhe hit singlin e saj “Me!” me Brendon Urie në finalen e sezonit 16.
Ndërkohë, Norman, Usher, Will.i.am dhe Darius Rucker do të shërbejnë si mentorë personalë në sezonin e ri të “The Voice”, i cili e ka premierën në Amerikë më 23 Shtator. /KultPlus.com
Një misionar i krishterë në shekullin XVII, diku në Afrikë a në Zelandën e Re (vendi në të vërtetë nuk saktësohet përfundimisht) shkoi midis fiseve të egra. Pamja e tij e habiti të egrit e paepur, gati lakuriq, që mbanin gjerdanë prej dhëmbë krokodili dhe vertebra gjarpri.
S’e shpjegonin dot praninë e njeriut të bardhë.
S’e ngacmuan nga ndrojtja e tyre (ndoshta e shenjtë.) Të egrit qenë kanibalë. Hanin kërmij, tru të gjallë majmunësh, ndonjëherë peshq, por më shpesh kundërshtarët luftëtarë. Gjallimi i tyre qe përleshja rituale.
E pabesueshme: prifti misionar e mësoi gjuhën e tyre primitive, ku foljet “jetoj” dhe “ha” ishin e njëjta gjë, kurse koncepti për vdekjen nuk ekzistonte.
Të egrit nuk e kuptonin se ç’ishte vdekja as për të tjerët as për veten e tyre.
Prijësi i të egërve, që mbante në veshët e shpuar një kthetër jaguari dhe një kthetër shqiponje shprehte simpati (gjeste mirëkuptimi) me priftin e bardhë.
U bë e zakonshme të bënin biseda lakonike, të çuditshme. Me kuptimshmëri të pamjaftueshme.
Prifti i foli (aq sa mundej) për ungjijtë, PËR Krishtin. I egri i lemeritshëm, por dhe madhështor përpiqej të mësonte diçka (pavarësisht se qytetërimi s’perceptohej prej tij si botë tjetër më vete).
I bardhi synonte t’i shpjegonte ç’është vdekja. Qe absolutisht që i egri ta kuptonte vdekjen. Jetën po. Vdekja s’kishte asnjë kuptim. Aherë misionari e bëri një lloj shpjegimi, fatkeqësisht teologjike. Ai tha qeniet e gjalla vdesin sepse kështu do Zoti i madh dhe i vetëm.
I egri duke mos e kuptuar (ditur) vdekjen, s’arrinte dot dhe tek ideja universale për Zotin. Ahere misionari i mëshirshëm i foli për ringjalljen, njerëzit që e donin Zotin, çmoheshin nga Zoti dhe mbas vdekjes i ringjallte për të jetuar një jetë të re, më të mirë, më të ndritshme.
I egri e dëgjoi këtë me kërshëri. E pyeti disa herë për ringjalljen. Koncepti i ringjalljes ju duk më i afërt, shumë më i kuptueshëm. Kjo bisedë u bë në muzg buzë një lumi me krokodilë, nën një palmë shekullore.
I egri e pyeti sërish për ringjalljen. I bardhi buzëqeshi. I tha se ai ishte njeri i Zotit, gjithçka që shpjegonte qe tërësisht e vërtetë. U duk disku i madh i Hënës. Mbaroi dita, që s’ngjante me të tjerat. I egri u duk sikur po ngazëllohej. I pëlqente shumë ky njeri i bardhë, i pafuqishëm, por që atij po i mësonte diçka. Kjo iu duk shumë miqësore. Gati një zbulim për trurin e tij brenda natyrës, por shumë pak të aftë për çdo gjë jashtë natyrës.
I egri ngriti dhe uli krahët disa herë, shenja e një ekstaze.
Mëngjesin e nesërm i egri e hëngri të bardhin pikërisht se besoi tek ringjallja që ia mësoi i bardhi. Qe një formë naive dhe fillestare e besimtarisë. E hëngri që ta kishte brenda trupit të tij, tërë trupin e misionarit i cili me siguri do të ringjallej nga Zoti i tij. Me këtë mënyrë të sigurt, të padyshimtë, do të ringjallej dhe ai vetë, pra do të kishte dy ringjallje! Pohim i dyfishtë për Zotin e vetëm dhe largpamës.
Claude Levi-Strauss subjektin e parabolës e sheh në rrafshin e antropologjisë strukturaliste, gjakftohtë, pa rënë në mëkatin e komenteve shterpe, ku ngatërrohen tërë letrarët, por sidomos filozofët, e njëjta racë me teologët. Komentet e abstrahojnë (e artificializojnë) natyroren. Akti i prijësit të të egërve (tashmë të zhdukur dhe të paverifikueshëm në xhunglat afrikane) ishte në harmoni me natyrën. Lëviz, s’humbet së bashku me natyrën. Përjetësisht. /KultPlus.com