Warner Bros. do të fillojë ta përdorë inteligjencën artificiale (AI) për të parashikuar se sa të suksesshëm mund të jenë filmat e tyre në arkat kinematografike. Platforma do t’i mundësojë që t’i testojë rezultatet e profitabilitetit në varësi të faktorëve të ndryshëm, përfshirë distribuimin dhe datën e lansimit.
Warner Bros. Pictures International, kompani kjo e cila përfshihet në “big six” të Hollywoodit, ka nënshkruar kontratë me start-up kompaninë “Cinelytic” nga Los Angeles për përdorimin e sistemit të tyre të menaxhimit të projekteve, raporton “Hollywood Reporter”.
Kjo vegël parashikimi u prezantua vitin e kaluar dhe ofron një pasqyrë gjithëpërfshirëse në industrinë e filmit, shkruan KOHA Ditore. Ata pretendojnë se platforma është në gjendje të parashikojë me saktësi se sa para do t’i fitojnë nga shitjet e biletave duke përdorur të dhëna të ndryshme.
Një prej funksioneve ua mundëson producentëve të shohin se si përfshirja e aktorëve të caktuar do të ndikonte në profitabilitetin e filmit. Gjithashtu, rezulton se sistemi i rendit aktorët për nga ndikimi i tyre ekonomik në industrinë e filmit, përfshirë sipas llojit të mediave, zhanrit dhe “territoreve kyç”.
Për testimin e skenarëve mund të reprodukohen edhe skenarët e ndryshëm të distributorëve dhe publikimeve, raporton “Sky News”. / KultPlus.com
Ta kesh shtëpinë bri lumit domethënë të rrish zgjuar në rrugën Stamboll-Berlin domethënë t’i hipësh valës kaluar për rrugë të gjatë t’i hipësh valës kaluar për rrugë të gjatë domethënë ta kalosh për tri ditë rrugën Prizren-Berlin ta kalosh tri ditë Prizren-Berlin domethënë të dashurohesh në Prizren domethënë të dashurohesh në lumë
Kur një restorant, hotel, rrugë, qytezë apo qytet bëhet i famshëm në Instagram, duket se nuk duhet shumë kohë që ai vend të ‘pushtohet’ nga turistët.
Fshati alpin Halltatt, i ngritur në malet Salzkammergut të
Austrisë, e di këtë dhe e di shumë mirë: një digë ndërtesash si kuti çokollate,
rrethuar nga male të mbuluara nga dëbora dhe me këmbët në ujë të kristaltë,
vjen taman si një përrallë.
Popullsia e këtij vendi të mbrojtur nga UNESCO është vetëm
780 banorë, por numri i turistëve që mbërrijnë çdo ditë e kapërcen disafish:
thuajse 10 mijë vizitorë në ditë.
Përtej mundësive të pafundme që ka, Hallstatt është i
famshëm tani si frymëzimi i Arendelle, mjedisi i fantazuar ku zhvillohet seria
e famshme e filmit “Frozen” të Disney.
Ai është mjaft i popullarizuar sidomos ndërmjet turistëve
aziatikë, e nxitur kjo pjesërisht nga fakti se ekziston një kopje kineze e
fshatit, e ndërtuar në provincën Guangdong në vitin 2011.
Tani, ky fshat i famshëm po përpiqet se si të menaxhojë fluksin e madhe të vizitorëve. Michelle Knoll, menaxhere për bordin e turizmit të Hallstatt, tha për CNN se këtu do të fokusohen tek një turizëm cilësor në të ardhmen. /syri.net / KultPlus.com
Në moshën gjashtë vjeç doja të bëhesha kuzhinier. Në moshën shtatë vjeç, Napoleon. Edhe më vonë dëshirat e mia shtoheshin jo më pak sesa synimi për t’u ngjitur sa më lart drejt madhështisë.
Në ditarin e Stendalit përmenden fjalët e njëfarë markeze italiane, e cila, në një mbrëmje vere me vapë përvëluese, kishte provuar akulloren: “Sa keq që kjo nuk është një kënaqësi mëkatare!”. Kështu pra, kur unë isha gjashtë vjeç, ishte mëkat i madh të haje bukë në kuzhinë. E kisha të ndaluar nga prindërit të hyja në atë pjesë të shtëpisë. Mbaj mend që, duke kapërdirë jargët, gjeja rastin të depërtoja në sancta sanctorum (vendin e shenjtë), domethënë në vendin e kënaqësive të papërfytyrueshme. Megjithatë, ndonjëherë arrija të hyja atje, i ndjekur nga britmat e shërbyeseve… Dhe, ndonëse më kërcënonte ndonjë shuplakë e mirë, me shpirt ndër dhëmbë, rrëmbeja ose ndonjë copë mishi, ose ndonjë kërpudhë të skuqur dhe, në kulmin e ngazëllimit, dilja me vrap, gjë që e rëndonte edhe më tepër fajin.
Çdo gjë tjetër më lejohej. Ndërsa të hyja në kuzhinë, në asnjë mënyrë. Deri në moshën tetë vjeç shkruaja duke ndenjur shtrirë në shtrat, vetëm e vetëm sepse ashtu më pëlqente. Në shtëpi isha unë që mbretëroja e jepja urdhra. Për mua nuk kishte asgjë të pamundur. Babai dhe nëna vetëm që nuk faleshin përpara meje. Ditën e Infantës, midis dhuratave të shumta, mora edhe një kostum të mrekullueshëm mbretëror, një pelerinë të qëndisur me lëkurë të vërtetë kunadheje dhe një kurorë prej ari me gurë të çmuar. E kam ruajtur për një kohë shumë të gjatë atë vërtetim të shkëlqyer (ndonëse si në maskaradë) të të qenit i zgjedhuri i familjes. Mbaj mend se shërbëtoret ruanin syçelë që gjëja e ndaluar për mua të mos shkelej në asnjë mënyrë, kështu që, sa më pikasnin, më zbonin… Dhe ja, unë po rrija si i ngurosur në gjysmerrësirën e korridorit, i veshur me rrobat mbretërore, në njërën dorë mbaja skeptrin, ndërsa në tjetrën, që më dridhej vazhdimisht, një kamxhik: isha gati t’i fshikulloja ato kafshë në mënyrë që ta merrnin vesh se me mua nuk mund të talleshin!
Skena të tilla luheshin zakonisht afër mesditës, në atë orë sfilitëse të verës, kur në ajrin që nuk të mjafton për të mbushur mushkëritë, fillojnë e lindin vegime. Fshihem pas derës gjysmë të hapur të kuzhinës dhe dëgjoj se si vrapojnë, me sa kanë fuqi prapa meje, ato gra-kafshë me duar të kuqërremta, shoh trupat e tyre të fuqishëm dhe jelet e shpupuritura. Në vapën e mesditës, midis zhurmës së shurdhët të përgatitjeve të drekës, arrin deri tek unë duhma e thartë e djersës së grave, e kokrrave të rrushit, e vajit të nxehtë, e qimeve të hequra nga lëkura e lepujve të butë, e veshkave dhe e majonezës, që e mbulojnë aromën e gjellëve, dhe të gjitha këto bashkohen e bëhen njësh duke më krijuar ndjesinë e erës së kalit. E bardha e rrahur e vezës, që shkëlqen si rreze dielli, shpërthen nëpërmjet shtëllungave të tymit dhe resë së mizave duke ndriçuar pikërisht si shkuma që u del kuajve, të cilët, pas një vrapimi të gjatë nëpër rrugën e pluhurosur, fshikullohen deri në përgjakje. Siç edhe e thashë, unë kam qenë fëmijë i llastuar e i mbrapshtë…
Vëllai im vdiq tre vjet përpara se të lindja unë, në moshën shtatëvjeçare, nga meningjiti. Babai dhe mamaja ime e ngushëlluan dëshpërimin e tyre me ardhjen time në jetë. Unë me tim vëlla ngjanim si dy pika uji: po ato fillesa gjenialiteti (më vonë, në vitin 1929, mua m’u shfaq vetëdija e prerë e gjenialitetit dhe, ndonëse u përforcua shumë brenda meje, nuk më shkaktoi asnjë shenjë nga ajo që quhet mani e madhështisë) dhe po ajo shprehje e shqetësimeve të kota. Ne dallonim vetëm në disa tipare psikologjike. Jo vetëm kaq, por edhe vështrimin ai e kishte pasur të ndryshëm, si të mbështjellë nga melankolia, nga një meditim “i pakapërcyeshëm”. Unë nuk isha dhe aq i mençur dhe, si për ta plotësuar këtë, më ishte dhënë aftësia të reflektoja për gjithçka. U bëra reflektues i shkallës më të lartë për shkak të “polimorfizmit tim të shtrembëruar”, si dhe i prapambetjes fenomenale në zhvillim. Meqenëse më ishin ngulitur në tru disa kujtime të turbullta nga parajsa me prejardhje erotike të fëmijës së gjirit, me një kryeneçësi prej egoisti, kapesha fort pas kënaqësive. Në këtë fushë nuk hasja në kundërshtime, prandaj edhe bëhesha i rrezikshëm. Një mbrëmje, sesi i gërvishta me gjilpërë faqen tajës sime, vetëm e vetëm sepse shitorja ku ajo më çonte për të blerë ëmbëlsirat e mia të dashura ishte e mbyllur. Kështu pra, nuk kishte dyshim që unë isha një fëmijë plot gjallëri. Vëllai im ishte vetëm prova e parë e vetes sime, që ishte ngjizur tek unë me tepricë absolute.
Tani ne e kemi të qartë që forma është rezultat i dhunës prej inkuizitori mbi materien. Hapësira e shtyp atë nga të gjitha anët, kështu që materies i duhet të mbrohet dhe të tendoset, të arrijë deri në kufijtë e mundësive të saj. Kushedi sa herë, materia e frymëzuar nga vrulli i tepricës absolute, vdes, zhduket? Edhe materia më e aftë për t’u përshtatur, që është shumë më e thjeshtë në kërkesat e saj, i kundërvihet tiranisë së hapësirës, duke u rrekur t’i përmbahet thelbit të formës së saj origjinale. A ka gjë më të lehtë, më të lirë dhe më me fantazi se ngjyrimet e kristaleve minerale? Por edhe ato janë prodhim i “mjedisit koloidal” të përqendruar, i cili, duke i munduar, i mbërthen dhe i përmbledh në një strukturë të ngurtë.
Degëzimet më të përkryera dhe më ajrore janë vetëm e vetëm një grafik i agonisë, i vuajtjeve të dëshpëruara, i frymëmarrjeve të fundit të materies, e cila vdes, por nuk dorëzohet, është ngjyrimi i fundit i botës së mineraleve. Por, edhe për trëndafilin, ligji është po ai! Çdo lule bulëzon nën trysni. Liria është pa formë. Morfologjia (lavdi Gëtes që e ka shpikur këtë fjalë i ngazëllyer nga pafundësia krijuese e Leonardos), pra morfologjia na zbulon se krahas mbretërisë fitimtare të hierarkisë së ngurtë të formave, ka edhe prirje më anarkike dhe më të ndryshme në lloje, të cilat gërryhen nga kundërshtitë. Në këtë mënyrë mendjet e ngushta e të kufizuara u dogjën nga zjarret e Inkuizicionit të Shenjtë, shpirtrat heterogjenë dhe anarkikë mbartën mbi vete pasqyrimin e zjarrit të madhërishëm të morfologjisë së tyre shpirtërore.
Siç e përmenda, vëllai im kishte pasur aftësi meditimi të një vetie të veçantë, të papërballueshme, e paaftë të ndryshonte pamje dhe që ndrydhte vetveten. Ndërsa unë, si e kundërta e tij, isha një shthurje polimorfe, e gjallë dhe anarkike. Të gjitha veprimet e mia të vetëdijshme shpreheshin në makutërinë time, dhe e gjithë makutëria bëhej një veprim i vetëdijshëm. Gjithçka ma ndryshonte pamjen dhe asgjë nuk ma ndryshoi thelbin. Unë kam qenë i plogët, frikacak dhe kundërthënës. Në ashpërsinë e mendimit spanjoll, natyra ime kërkonte shfaqjen më të madhërishme të kristaleve të gjalla, të përsosura dhe trillane të gjenialitetit tim të papërsëritshëm.
Prindërit më pagëzuan Salvador, ashtu si tim vëlla. Dhe, nga kuptimi i emrit, mua më ishte paracaktuar, as më shumë e as më pak, por të shpëtoja Pikturën nga paqenësitë e modernizmit dhe kjo do të ndodhte në epokën e katastrofave, në atë gjithësi mekanike e të zakonshme, në të cilën ne, për fat të mirë dhe për fat të keq, jetojmë. Sikur të kisha mundësi të gjendesha në të Kaluarën, Rafaeli dhe të ngjashmit me të do të më dukeshin perëndi të vërteta. Ka të ngjarë që unë të jem i vetmi njeri që e kam kuptuar se pse sot është e pamundur t’u afrohemi formave rafaeliane. Krijimtaria ime, mua vetë më duket një fatkeqësi e madhe. Si mund të jetoja unë në epokën time, kur nuk do të kisha mundësi të shpëtoja dot asgjë! Por, duke u kthyer tek e Tanishmja e quaj ogur të mirë që shumë mjeshtra i kam vlerësuar më tepër se veten, por, megjithatë, nuk do të doja të ndërroja vendin me asnjërin nga ata që sot janë gjallë.
Ta arrish dhe ta shprehësh kuptimin e jetës i vetmuar do të thotë të krahasohesh me titanët e mëdhenj të Rilindjes. E tillë është gruaja ime Gala (Elena Dmitrievna Djakonova, me prejardhje ruse), e cila qe lumturi për mua. Lëvizjet e saj fluturake, gjestet dhe aftësia për t’u shprehur, i ngjajnë Simfonisë së Dytë: shfaq tiparet arkitektonike të shpirtit të përkryer, që kristalizohet në begatinë e vetë trupit, në aromën e lëkurës, në shkumën detare të shndritshme të jetës së saj. Duke shprehur frymëmarrjen e stërholluar të frymëmarrjes së ndjenjave, plastika dhe aftësia e të shprehurit materializohen në arkitekturën e patëmetë prej mishi e gjaku.
Kur Gala pushon, mund të them se i ngjan kishëzës Tempieto di Bramanti, që ndodhet në afërsi të Shën Pjetrit Montozio në Romë. Dhe, ashtu si Stendali në Vatikan, unë, më vonë, dhe pavarësisht prej tij, mund të vë në një rrafsh krenarinë e saj, kolonat e bukura, parmakët e butë e të qëndrueshëm, me pamjen fëmijërore të saj, shkallët hyjnore me buzëqeshjen e saj. Orë të tëra përpara këmbalecit të piktorit, duke e admiruar vjedhurazi, në kohën kur ajo nuk e vinte re këtë, unë i thosha vetes se ajo është një tablo po aq e bukur sa punimet e Vermejerit dhe të Rafaelit. Në një kohë që të tjerët, ata që na rrethojnë, na duken të vizatuar aq dobët, të skalitur aq dobët, saqë ngjajnë më tepër me karikatura të pështira, të laparosura në ngut e sipër nga ndonjë piktor i uritur në tarracën e ndonjë kafeneje.
Në moshën shtatëvjeçare unë doja të bëhesha si Napoleoni… Ja se si ndodhi. Në katin e dytë të shtëpisë sonë banonin argjentinasit Mammas. Njëra nga vajzat e asaj familjeje, me një bukuri përrallore, Ursula Mammas, sipas zërave që u dëgjuan, u bë katalanasja e vitit 1900. Flitej gjithashtu se Eugjenio d’Ors, në librin e vet “La Ben Plantada” (“Shtathedhura”), pamjen e kata-lanases e kishte pikturuar duke u nisur nga fytyra e saj. Në vitin tim të shtatë më kaploi joshja seksualo-aristokratike ndaj katit të dytë. Gjatë buzëmbrëmjeve të ngrohta, unë rrija për orë të tëra në tarracë, derisa fëshfërima sipër, që me zor ndihej, më tregonte se mbi mua po hapej dera e ballkonit. Në katin e dytë më donin aq sa edhe në shtëpinë time. Rreth orës gjashtë të mbrëmjes, përreth tavolinës monumentale në sallon, mbi të cilën qëndronte varur një i balsamosur lejlek, mblidheshin për të pirë mate disa zonja të mahnitshme, me flokët të fryrë dhe që flisnin me theks argjentinas. Mate-në e shërbenin në një enë të madhe argjendi, e cila kalonte nga njëra buzë te tjetra. Ajo afërsi e ngushtë buzësh më emociononte dhe më lindte në shpirt një qerthull i tërë pasionesh, në të cilin fillonin të shndrisnin majat e mprehta të xhelozisë.
Kur më vinte radha, edhe unë e gjerbja lëngun e ëmbël, që për shijen time ishte më i ëmbël se mjalti, ndërsa mjalti, më i ëmbël se gjaku. Sepse ime më, gjaku im, ishte gjithmonë po aty. Në këtë mënyrë, fillesa ime aristokratike ishte një marshim triumfal nga buzët në buzë, nga goja në gojë, kështu që unë doja të pija kupën e Napoleonit, pasi Perandori ndodhej gjithashtu në sallonin e katit të dytë, ndonëse jo personalisht, gjithsesi, aty ndodhej përfytyrimi i tij në faqen e një fuçie të vogël druri, në të cilën ruhej mate-ja. Ai Napoleon me rëndësi olimpike, me barkun e bardhë e të ngopur, me faqet e tij perandorake të trëndafilta, me kapelë të zezë, i përgjigjej pikë për pikë përfytyrimit tim të asaj se çfarë monarku mund të isha unë vetë.
Në atë kohë ishte në modë kënga: “Napoleon en el final / De un ramillet colossal”.
Paraqitja e Napoleonit në faqen e fuçisë e kishte përpirë përfytyrimin tim, po aq të egër sa edhe e bardha e vezës në pjatë (apo ndoshta pa pjatë). Dhe i ndikuar nga Napoleoni i pijshëm, nëpërmjet mate-së ndodhi një kërcim i fortë i joshjeve të mia, nga kuzhinieri deri tek perandori. Pikërisht në këtë mënyrë, ndjesitë e mia erotike të grave-kuaj, që ecnin me galop nëpër kuzhinën tonë, u nxorën jashtë fushës sime të pamjes nga përfytyrimi i shndritshëm i Ursula Mammasit, i bukuroshes të llojit të vitit 1900. Më vonë do t’i përshkruaj me hollësitë e “makinës që mendon” zbulimet e mia. Njëra prej tyre, të paktën, është e bazuar në idenë e Napoleonit të pijshëm, në të cilin u mishëruan dy fantazmat e fëmijërisë sime të hershme. Jermi i buzëve (gojëve) dhe imperializmi i verbër shpirtëror. Kjo e shpjegon se pse pesëdhjetë kupa me qumësht të ngrohtë, të vendosura mbi një karrige të lëkundshme, ishin për mua njëlloj si kofshët buçkane të Napoleonit. Për ta përfytyruar një gjë të tillë, nuk duhet të jesh i çmendur! Kjo shprehej edhe në sende të tjera, që, të para në dritën e këtij libri, nuk janë më pak të çuditshme dhe më të pakundërshtueshme. Gjithsesi është e vërtetë: gjithçka, absolutisht gjithçka që them këtu, është tërësisht mëkati im, mëkati im i vetëm. /KultPlus.com
Sopranoja kosovare Elbenita Kajtazi në një postim në rrjetin social “Facebook”, ka bërë të ditur se do të marrë pjesë në festivalin Glyndebourne Opera 2020, i cili do të mbahet në pjesën e dytë të majit.
“Nën dirigjimin e Enrique Mazzola me orkestrën London Philharmonic Orchestra do kem rastin të këndoj rolin tim të dashur Adina nga opera e mirënjohur L’elisir d’amore kompozuar nga Donizetti. Në të njëjtën kohë që unë do kem kënaqësinë të këndoj në Glyndebourne Opera House, motra ime Ermonela Jaho do ketë shfaqjet e Madama Butterfly në Royal Opera House në Londër”, ka bërë të ditur sopranoja. / KultPlus.com
Akademia amerikane e filmit ka njoftuar që filmi dokumentar “Toka e përmjaltur” është nominuar për çmimin prestigjioz “Oskar”, edhe atë në dy kategori- për film më të mirë dokumentar dhe për film më të mirë të huaj. Bëhet fjalë për sukses historik sepse për herë të parë një film nga Maqedonia do të garojë për “Oskar” në dy kategori.
Në kategorinë dokumentar më i mirë, janë kualifikuar 159 filma nga mbarë bota. “Toka e përmjaltur” është në mesin e 15 më të mirëve ndërsa prej sot, në mesin e pesë filmave që kanë mundësi që të fitojnë “Oskarin”. Në garën për filmin më të mirë të huaj janë paraqitur 91 filma dhe “Toka e përmjaltur” arriti të nominohet për çmimin e madh të filmit.
Dokumentari
“Tokа e përmjaltur” tregon historinë e Atixhes, gruaja e fundit që kultivon
bletë të egra në Evropë dhe jeton vetëm me nënën e saj në Maqedoninë qendrore.
Ideja është të tregohet lidhja e njeriut me natyrën dhe prishja e ekuilibrit
natyror. Regjisorë janë Ljubomir Stefanov dhe Tamara Kotevska, produksioni dhe
montazhi janë nga Atanas Georgiev ndërsa kameraman janë Samir Luma dhe Fejmi
Dauti.
“Toka e
përmjaltur”
Jemi të
lumtur që kritikët botërorë dhe anëtarët e Akademisë e kanë dëgjuar britmën e
planetit, e cila bën jehonë mes kornizave të filmit. Kjo është hera e parë në
historinë e Oskareve një film dokumentar të nominohet në dy kategori, që do të
thotë se kjo nuk është vetëm një sukses në përmasa historike, por gjithashtu
konfirmon se gjuha dokumentare po hyn në epokën e vlerësimit të vërtetë. Filmi
bën thirrje për modesti, dhe kur shohim dashuri në sytë e shikuesve, besojmë
fuqishëm se mesazhi njihet dhe që modestia është epoka e re, përmes së cilës do
të ecim me fat përpara”.
Ceremonia e ndarjes së çmimit më prestigjioz të filmit do të mbahet në Los Anxheles. Nëse “Toka e përmjaltur” do të fitojë Oscar do të dihet më 10 shkurt. / KultPlus.com
Muzika shqiptare, gjegjësisht zhanri rok dhe funky s’ka sesi të kishte shkëlqimin e saj sikur mos të ishte grupi “Telex”, shkruan KultPlus.
“Telex” u formuan në Shkup në vitin 1983, me anëtarët e formacionit të parë: Shpend Ahmeti, Sejat Jakupi, Enver Bunjaku, dhe Ismet Shaini.
Prirjet e tyre shkonin më shumë kah ritmet funky, duke pasur
si parabazë këngëtarin e famshëm Stevie Wonder, zëri i të cili ngjason me atë të
Sejat Jakupit.
Ata përmes teksteve të bukura dhe unike, të gërshetuara me ritmet moderne evropiane arritën të futen dhe të mbesin me vite të dëgjuar dhe të kërkuar nga të gjitha gjeneratat.
Janë shumë gjenerata që u rritën me këngët e tyre, e sot nuk
ka kujt që s’i kujtohen këngët legjendare si “Ta gjen mami një sheik”, “Vetëm për
ty”, “Vetëm ti e din”, “Qeshu”, e shumë të tjera…
“Qeshu” merret si kënga e tyre më e famshme, me një tekst të
bukur dhe melodi që të mbetet në mendje. Këtë këngë e kënduan dhe rikënduan
edhe shumë artistë tjerë të rinj.
Sot po e rikujtojmë këtë këngë duke ia bashkangjitur edhe
tekstin më poshtë:
Qeshu të lutem, mos pyet përse, e nesërmja, shpejt do t’vjen.
Qeshu të lutem, mos kërko kuptim, se çka mendoj, ti e din.
Ato dit’, që ne, i kalojmë’ së bashku, shumë’ shpejt’, harrohen, shumë’ shpejt’, harrohen, kur në buzët e tua, nuk ka qeshje.
Qeshu, qeshu, qeshu se do t’jetë vonë’, qeshu, qeshu, qeshu se do t’jetë vonë’ /KultPlus.com
Dioqeza Prishtinë-Prizren ka bërë të ditur se me 18 janar do të mbajë një Akademi Solemne në nderim të kontributit të Shqipërisë për kosovarët e strehuar atje më 1999.
“Ishte momenti kur Shqipëria hapi kufijtë, angazhoi institucionet dhe vuri tërë kapacitetin shtetëror, por edhe shqiptarët në tërësi hapen zemrat, shtëpitë e tyre dhe ndihmuan në shumë forma tjera, me të cilat e shprehën dashurinë, bujarinë dhe mikpritjen për bashkëkombësit e tyre nga Kosova, të cilët dëboheshin dhunshëm nga shtëpitë e tyre”, thuhet në njoftimin e Dioqezës. / KultPlus.com
Në muzeun arkeologjik të Durrësit kohët e fundit është restauruar një enë me përmasa të mëdha krejtësisht e veçantë për transportin detar të verës.
Bashkë me rëndësinë historike të trashëgimisë kulturore “dolium”, siç emërtohet ena në latinisht, dëshmon për herë të parë se në portin e Durrësit 1800 vjet më parë përpunoheshin anije për tregtinë e verës së hapur, që lundronin në itinerarin mes Durrësit dhe porteve të tjerë në Francë, Spanjë dhe Itali.
Grupi i restauratorëve nën drejtimin e arkeologut nënujor Adrian Anastasi, i cili zbuloi reliktin e anijes së mbytur jo shumë larg brigjeve të qytetit, punoi më shumë se një vit, fillimisht për shkripëzimin dhe më pas për konsolidimin e 296 pjesëve të enës, që u gjet e copëtuar nën det.
Anijet e specializuara të këtij lloji për transportin e verës së hapur janë quajtur edhe “anije çisterna” – tha Dr. Adrian Anastasi për Autoritetin Portual Durrës. Në pjesën qendrore të hambareve të tyre ato kishin të sistemuara enë të përmasave të mëdha, “doli”, me një kapacitet mbajtës prej 2.000 litra secila. Bashkë me to, në pjesët e lira të hambarit, kryesisht në kiç dhe në bash sistemoheshin edhe amfora të zakonshme. Këto tipologji anijesh kërkonin edhe porte të specializuar për ngarkimin dhe shkarkimin e tyre.
“Relikti i zbuluar dëshmon që porti i Dyrrahut i kishte këto struktura përpunuese, pra ishte në kuptimin e plotë një port i rëndësishëm”, -thekson dr. Adrian Anastasi, punonjës shkencor në Institutin e Arkeologjisë. /KultPlus.com
Me filmin ‘Kushtetuta’ mbrëmë në kryeqytet, në Kino Armata, është hapur Festivali i Filmit Evropian, prezantuar nga Bashkimi Evropian në Kosovë.
Filmi me regji nga kroati Rajko Grlic konsiston edhe me
Kroacinë e cila momentalisht e ka kryesimin e presidencës së Këshillit të BE-së.
Ambasadorja e BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova, mbrëmë
gjatë fjalimit të hapjes tregoi se një festival i tillë është i nevojshëm në
Kosovë dhe se ky është projekt i financuar nga Bashkimi Evropian.
“Sonte festivalin po e nisim me filmin ‘Kushtetuta’ i cili vjen nga Kroacia, e cila edhe e ka kryesimin e Këshillit të BE-së. Së fundmi, kemi hapur edhe një thirrje për mbështetje të projekteve kulturore në Ballkanin Perëndimor, duke treguar kështu sa ka rëndësi kultura dhe arti, fusha në të cilat ne gjithmonë mbështesim dhe përkushtohemi” tha Apostolova.
Ambasadorja e Kroacisë në Kosovë, Danijela Barisic, uroi fillimin e festivalit duke treguar se presidenca kroate do të mbrojë bashkëpunimin rajonal dhe zhvillimin e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë dhe një politikë të besueshme dhe efektive të zgjerimit, shkruan KultPlus.
“Filmi që do ta shihni sonte ka fituar mbi 30 çmime në mbarë botën, prandaj shijojeni” tha Barisic.
“Kushtetuta” flet për katër njerëz që jetojnë në një ndërtesë
në Zagreb por nuk flasin mes vete meqë shohin se kanë dallime të mëdha mes
vete.
Festivali i Filmit Evropian sonte vazhdon me filmin ‘Ray and
Liz’, në Kino Armata, prej orës 20:00. / KultPlus.com
Dashuria për artin për 21 vjeçaren Eli Selmani nuk është e kufizuar. Përveç këngës, ajo në vete ka edhe dashurinë për pikturën, madje kjo e ka shtyrë që edhe studimet ti vazhdojë për arkitekturë, shkruan KultPlus.
Eli filloj të
këndoj qysh në moshë të re, por tani talentin e saj ajo do ta shpalos edhe para
të tjerëve.
Për të
njoftuar publikun me zërin e saj, Eli ka sjell një cover të këngës “A colors
show” të artistes Mahalia – Sober, duke bashkëpunuar me “Analog studios”.
Coveri i saj ka filluar të pëlqehet, madje zëri i saj po krahasohet me atë të Dua Lipës. Kjo e ka shtyrë Elin të premtojë që do të sjell të tjera këngë në vazhdim, por nuk e përjashton mundësinë që shumë shpejt të startojë me një këngë origjinale të sajën. / KultPlus.com
Vepra “Agnus Dei” e Memli Kelmendi është interpretuar kohë më parë në Jakarta, te njëri nga koret më në zë në Indonezi, shkruan KultPlus.
Tani vepra e Kelmendit do të interpretohet nga “Ensemble
Sottovoce” më datën 18 janar në Eglise Saint-Thibalut të Francës.
“Silentium Est Pax” e Kelmendit i është dedikuar pikërisht këtij
formacioni vokal dhe e njëjta është botuar edhe në CD-në e këtij ansambli.
Kujtojmë se “Agnus Dei” deri më tani është interpretuar mbi 30 herë jashtë vendit, si në: Argjentinë, Kili, Kaliforni, Filipine, Itali, Indonezi, Kroaci, Turqi, Bosnje, etj. /KultPlus.com
Shoqata e Artistëve dhe Intelektualëve “Art Club” dhe PEN Qendra e Kosovës do të shënojnë 60-vjetorin e lindjes së poetit dhe studiuesit të letërsisë Prof. Dr. Basri Çapriqi (1960-2018) me një veprimtari shkencore-letrare, e cila do të mbahet në Ulqin, më 17-18 janar.
Në këtë kuadër do të mbahet Sesioni shkencor “Poeti i detit”, në të cilin do të marrin pjesë njohësit dhe studiuesit më të mirë të veprës së Çapriqit, nga Mali i Zi, Kosova dhe Shqipëria. Me këtë rast do të mbahet edhe Ora letrare “Dritaren lëre hapur”, ku do të lexohen vargje nga krijimtaria e Çapriqit
kushtuar atij nga aktorë, poetë, miq dhe kolegë të tij.Gjatë këtij viti po ashtu planifikohet të realizohet një film dokumentar për këtë autor dhe personalitet të shquar të letërsisë, kulturës dhe shkencës shqiptare, si dhe të botohet libri (përmbledhja) me kumtesa nga sesioni shkencor.
Prof. Dr. Basri Çapriqi ishte profesor i rregullt në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, njëri ndër themeluesit e SHAI “Art Club”, kryetar i PEN Qendrës së Kosovës dhe anëtar i Akademisë Shqiptare të Arteve dhe Shkencave. Çapriqi ka lënë trashëgim një numër të madh të veprave, ku përfshihen disa përmbledhje me poezi, libra nga teoria e letërsisë, studime letrare, publicistikë etj. Ai u nda nga jeta më 14 janar 2018. / KultPlus.com
Studiuesja e gjuhësisë dhe deputetja e PS-së në Parlamentin e Shqipërisë, Ledi Shamku, në një postim në rrjetin social “Facebook”, në lidhje me propozimin për një ligj për mbrojtjen e gjuhës ka thënë se ligji propozon të “mbrojë” gjuhën nga përdoruesit e saj.
“Pra nga
bashkësia shqipfolëse e cila në mënyrë të natyrshme, sociale e demokratike, si
çdo bashkësi e kësaj bote, nderon shqipen përditë e përjetë. Ligji kërkon të
jetë purteka e thantë e kësaj bashkësie. Thuajani këtë cilitdo gjuhëtar
profesionist në Europë, dhe do mënjanohet me kujdes për t’i telefonuar
urgjencës”, ka shkruar Shamku.
Sipas saj,
shqipja sot ka probleme të ndarjes së regjistrave, të ndarjes së situatava, të
të kuptuarit se cili është regjistri i lartë e kur përdoret.
“Shqipes sot ende nuk ia pranojnë regjistrat e mesëm. Shqipja sot ka probleme serioze të Kulturës së Gjuhës. Dhe më thoni si rrinë bashkë Shkopi i Ligjit dhe Kultura Gjuhësore, përveçse në mendjet e shkoparëve që vijnë nga Koha e Shkopit. Shqipja sot kërkon një Shkollë të Re se është pa shkollë! A doni me e kuptu që Shqipja është pa shkollë tash sa dekada? Shkolla e Shkopit ka vdekë dhe Shkolla e Kulturës nuk po bëhet e gjallë. Kaq”, ka deklaruar Shamku. / KultPlus.com
Grupi i njohur kosovar ”Fisnikët”, u formua në vitin 1980, gjatë kohës kur në Kosovë mbretëronte një atmosferë e zhvillimit të rock-ut, shkruan KultPlus.
”Fisnikët” ndër vite u vlerësuan me shumë çmime, duke hyrë kështu në historinë e muzikës shqipe të viteve të 78′.
Reportazhi i tyre numëron shumë këngë që këndohen nga shumë këngëtarë e dëgjohen nga adhuruesit e grupit edhe sot e kësaj dite. Ndër më të njohurat janë: ‘Ujku plak’, ‘Do të shkrihem’, ‘Kur të vjen pleqëria’, ‘Shiu’, ‘Zotëria juaj’, etj.
Sonte KultPlus ju sjell këngën ‘Zotëria juaj’, këngë kjo që ka pothuajse 30 vite prej kur është realizuar, e që vazhdon të dëgjohet edhe sot e kësaj dite.
Bashkangjitur gjeni videon dhe tekstin e këngës
https://www.youtube.com/watch?v=JUnptW1Isk8
Zotëria juaj
Pse po më qortoni zotria juaj vajzën tuaj e dua dhe për të vuaj. Pse s’po na lejon, të lutem më thuaj dhe kur ajo më don zotria juaj.
Me quajtët huligan dhe shkatrraq, dhe shkatrraq the s’je për vajzën time ore rrugaq, ore rrugaq. Kur thërras në telefon shanë e bërtet, shanë e bërtet vajzën tuaj s’e lëshoni në qytet, në qytet
(refreni) Pse po më qortoni zotria juaj vajzën tuaj e dua dhe për të vuaj. Pse s’po na lejon, të lutem më thuaj dhe kur ajo më don zotria juaj.
Më quajtët të sëmurë dhe të marrë, dhe të marrë the ti s’ke shtëpi more qyqar, more qyqar. Por une kam zemër të çiltër e shpirt fisnik, shpirt fisnik nuk jam si ti i egër dhe pasanik, dhe pasanik.
(refreni) Pse po më qortoni zotria juaj vajzën tuaj e dua dhe për të vuaj. Pse s’po na lejon, të lutem më thuaj dhe kur ajo më don zotria juaj. / KultPlus.com
KultPlus ju sjell disa nga thëniet më të fuqishme të Charlie Chaplin-it.
-Kam falur gabime gati të pafalshme, kam provuar të zëvendësoj persona gati të pazëvendësueshëm dhe kam harruar persona të paharrueshëm. Kam vepruar sipas momentit. Jam zhgënjyer nga njerëz që nuk mendoja kurrë që mund të zhgënjehesha… por edhe unë kam zhgënjyer. Kam mbajtur dikë mes krahëve të mi për ta mbrojtur; jam bërë mik përjetë. Kamqeshur kur nuk ka qenë e nevojshme.
-Kam dashuruar, më kanë dashuruar, por edhe më kanë refuzuar. Më kanë dashuruar dhe unë nuk kam ditur si tua kthej dashurinë. Kam bërtitur dhe jam hedhur përpjetë për kaq shumë gëzime. Kam jetuar për dashurinë dhe kam bërë premtime në emër të saj. Kam qarë duke dëgjuar muzikë e duke parë fotografi të mbushura me kujtime.
-Kam telefonuar thjesht për të dëgjuar një zë. Jam dashuruar vetëm me një buzëqeshje. Kam pasur frikë se mos humbisja një person shumë të veçantë, të cilin gjithsesi e kam humbur, por kam mbijetuar dhe jetoj akoma! E rëndësishme është të luftosh me vendosmëri, ta përqafosh jetën me pasion dhe ta jetosh atë.
-Humbi betejat me klas, por guxo të fitosh, sepse bota u përket atyre që guxojnë të jetojnë! Jeta është shumë e shkurtër për të qenë e parëndësishme. / KultPlus.com
Regjisori austriak Andreas Pronegg ka vendosur që mbështetjen ndaj artistëve shqiptarë në mbrojtje të godinës së Teatrit Kombëtar ta tregojë përmes shfaqjes së tij pikërisht në skenën e këtij teatrit, i cili kërkohet të shembet nga Bashkia e Tiranës, transmeton KultPlus.
Në një kohë që bashkia e Tiranës kërkon të shembë godinën e Teatrit Kombëtar, ai është vlerësuar edhe nga Austria.
Këtë të hënë në skenën e Teatrit Kombëtar, regjisori austriak Andreas Pronegg solli shfaqjen “Kuartet’ luajtur nga aktorë shqiptarë dhe të huaj.
”Është hera e parë që unë ndodhen në Shqipëri dhe jam shumë i lumtur. Unë jetoj në Vjenë dhe kur dëgjova për situatën e teatrit në Shqipëri besova se duhet të vija dhe t’i mbështesja aktivistët. Në këto momente që flasim ky është një ndër teatrot më të rëndësishëm në Evropë. Kjo është arsyeja që jam këtu për të treguar solidaritet në mbrojtje të teatrit”, deklaroi regjisroi për OraNews.
Drama Kuartet është shkruar më 1980 dhe zhvillohet në një sallon borgjez para revolucionit francez si dhe në një bunker para luftës së tretë botërore. Po ashtu kjo dramë përmban pika humori të theksuara, të cilat plotësojnë dramën me elemente komedie.
Koncerti në mbrojtje të teatrit do të ngjitet në skenë për 3 ditë me radhë, ndoshta edhe më shumë, duke kërkuar me forcë kthimin e vendimit për shembjen e teatrit./ KultPlus.com
“Hapni sytë e shikoni realitetin me sy, shihni se jemi vendi ma i mbrapambetun i Europës e konkurojmë edhe për botën.
Pse?… Mjerisht duket se tash shumë kohë ne nuk na punon logjika si tjerëve: i thurim lavde vedit për mbrapambetjen tonë, turpet i quejmë ‘virtyte të larta të kombit’. Jemi verbue shpirtnisht pse na mungon mendja e kthjelltë e inteligjenca për me pa se ku jemi; na mungojnë vullneti e trimnia për me thanë të vërtetën ..
Shka na mungon ne që mos të jemi si europjanët tjerë? Toka, jo; dielli e deti, jo. Na mungon mendja e mentaliteti e, mbi të gjitha dashunia. Nuk na sjell lavdi lashtësia, në qoftë se nuk jemi të qytetnuem.
Nuk na sjell lavdi origjina, në qoftë se jemi të përçamë dhe mendojmë si t’i bajmë vorrin vëllaut.”
Zef Pllumi (Bogë, 1924 – Romë, 2007) qe frat françeskan, publicist e shkrimtar. Me prirje përgatitore për kah historia para se të ndërmerrte kalvarin, me të arritur lirinë merr ndër duar frerët kulturorë të trashëgimisë françeskane. / KultPlus.com
Koha është të duhemi, të kesh besim në mua kur të them: Trime, të kem besim në ty kur më thua: Trim. Për kokën time kryeneçe shumë kurthe ngrite, shumë e pushkët mbushi babai yt, fisi yt, një mijë e një të zeza kurdise ku do t’ma zije pritën.
E nën një kulm banonim, nga frëngjia me ditë më peshove, me ditë lexoja Shekspirin në hijen e Kullës, se mos do të takoj te kroni i shpresave.
Ma ruaj syrin, dashuria ime, ma ruaj shpinën nga dielli, nga acari! Kam frikë se ma therin syrin cubat e territ, kam frikë se më vrasin pas shpine të pabesët.
Dashuria ime, ma zgjat dorën ta kapërcejmë këtë ujë të madh, i huaj s’jam as vij nga tokë e vdekshme. Në fund të livadhit të kositur a po sheh: ai kali i bardhë është yni tash e përgjithmonë. Më shikon drejt në sy, lëri zënkat, fjalët, sharjet.
Unë do të sjell Lulen nga zemra e bjeshkës, do ta ndez llambën në kullë, do ta hedh farën në tokën e re. Kur të desha, çoje dashuri pas shtatë katundeve e të rënat të forta i kishe. Kur më deshe, çoja dashuri me një grua të marrë e mëhalla jehonte nga shpifjet.
Na iku jeta, trime, si s’menduam pak edhe për vete. Koha është të duhemi. /KultPlus.com
Një memuar monumental, një mauzole që krekoset madhështore me hijeshinë e vet që sfidon. Një dedikim-elegji që kaplon përmasat e epërme të admirimit dhe dashurisë, dhe njiherash një nderim dhe respekt që udhëton nëpër kohë si njësi matëse e shpirtit ngadhnjyes dhe forcës për ta ngritur adhurimin e gruas në altar.
Bota moderne do ta ketë zili një dedikim të tillë, i cili e ka shndërruar zemrën e një gruaje dhe dashurinë e një burri në monument, në një vend të shenjtë, në një sprovë dhe sfidë që njeriu bashkëkohor rreket ta jetësojë emocionalisht, sot e përgjithmonë. Mijërat e vizitorëve që e sodisin këtë “elegji prej mermeri” i shtang sa arkitektura dhe veçoritë dalluese të kësaj vepre të jashtëzakonshme, aq dhe thelbësorja që frymon në çdo cep të kësaj panorame ngjethëse, në çdo pjesëz të kësaj harmonie rreptësisht delikate.
Taxh Mahali njihet si një nga Shtatë mrekullitë e botës së re 1630 i ndërtuar nga shqiptari Mehmet Isai dhe disa historianë perëndimorë kanë vënë në dukje që arkitektura e tij e bukur asnjëherë nuk është kaluar. Taxhi është monumenti më i bukur i ndërtuar prej Mogulëve, muslimanët e Indisë. Taxh Mahali është ndërtuar tërësisht prej mermeri të bardhë. Arkitektura e tij e bukur i kalon kufijtë e përshkrimit adekuat, veçanërisht gjatë lindjes dhe perëndimit të diellit. Taxhi duket sikur digjet nën dritën e hënës së plotë. Në një mëngjes me mjegull, vizitorët provojnë Taxhin sikur qëndron pezull nëse vrojtohet nëpërmjet lumit Jamuna.’
Historia e ndërtimit
Taxh Mahali u ndërtua prej një muslimani, perandori Shah Xhahan (i cili ndërroi jetë në vitin 1666 e.r.), në përkujtim të nuses dhe mbretereshës së tij, Mumtaz Mahalit, ne Agra, Indi. Ështe një “elegji prej mermeri” ose siç shprehen disa te tjerë, shprehja e një “ëndrre”. Taxh Mahali (që do të thote Pallati i Kurorës) është një mauzole i cili përmban varrin e mbretereshes Mumtaz Mahalit në dhomën e poshtme. Më vonë këtij mauzoleumi iu shtua edhe varri i Shah-ut. Emri i vertete i mbretereshes ishte Arxhumand Banu. Arkitekti ndërtues sipas Ramadan Sokolit në veprën studimore “16 Shekuj” është shqiptari Mehmet Isai nga Opari i Korçës.
Periudha e ndërtimit
Taxh Mahali u ndërtua për një periudhë kohore prej 22 vjetësh, duke punësuar 22,000 punëtorë nga arkitekti Mehmet Isai student i arkitektit Mimar Sinani, ndihmësi i tij Ahmeti nga Opari i Korçës dhe kopshti nga Nuhiu. Ndërtimi i kësaj vepre mbaroi ne vitin 1648 e.r. dhe kushtoi nje shumë prej 32 milionë rupish. Dokumentet e ndërtimit tregojnë që mjeshtri i saj ishte Ustad ‘Isa, arkitekti me famë gjatë kohës së tij. Dokumentet përmbajnë emrat e atyre qe u punësuan dhe shpikja e materialit të ndërtimit dhe origjinës se tyre. Mjeshtra me përvojë nga Delhi, Kanaixh, Lahore dhe Multan u punësuan në ndërtimin e kësaj vepre. Për më tepër, shumë mjeshtër muslimanë me famë të madhe nga Bagdadi, Shirazi, dhe Bukara punuan në shumë detyra të ndryshme.
Forma e arkitektures
Taxhi qëndron në një platformë katrore të ngritur me katër qoshet të këputura duke formuar kështu një oktagon të pabarabartë. Forma e arkitekturës perdor konceptin e ndërthurjes së arabeskave, në të cilën cdo element qëndron mbi veten e vet dhe njëkohësisht ndërthuret me ndërtesen qëndrore. Për ndërtimin e kesaj ndërtese janë përdorur parimet e gjeometrisë vete replikuese dhe një simetrikë e elementeve arkitekturore.
Pamja dhe përmasat
Kupola e tij qëndrore është 58 këmbë në diametër dhe ngrihet në një lartësi prej 213 këmbësh. Kjo kupolë është rrethuar prej 4 kupolash të tjera. Katër minaret madhështore janë ta larta 162.5 këmbë. I gjithë mauzoleumi (brenda dhe jashtë) është i zbukuruar me vizatime lulesh dhe kaligrafi duke përdorur gurë të çmuar të llojeve të ndryshme. Qemeret kryesore të daltuara me paragrafë nga Kur’ani dhe punime lulesh të llojeve të ndryshme i japin një bukuri mahnitëse këtij monumenti. Dhoma qendrore në formë kupole dhe katër dhomat e tjera përfshijnë shumë mure dhe panele të zbukurimit islamik.
Objektet përcjellëse
Mauzoleumi është pjesë e një kompleksi të madh që përfshin një portë të madhe, një kopësht shumë të bukur, një xhami ne krah të majtë, një dhomë pritjeje në krah të djathtë dhe disa ndërtesa të tjera madhështore. Taxhi ndodhet në skajin më të largët të këtij kompleksi dhe lumi Jamuna gjendet mbrapa kësaj ndërtese. Kopshti i madh përmban katër pishina reflektuese që e ndajnë ate në qendër. Çdonjëra prej këtyre pjesëve është më tej e ndarë në 4 pjesë të tjera dhe përsëri çdonjëra prej këtyre pjesëve është përsëri në 4 pjesë të tjera. Ashtu si Taxhi, edhe elementet e kopshtit shërbejnë si një arabeskë, duke qëndruar mbi veten e tyre dhe gjithashtu duke përberë të gjithë veprën. / KultPlus.com
“Once Upon A Time In Hollywood” i Quentin Tarantino ishte zgjedhja më e mirë në “Critics’ Choice Awards” të dielën (12 janar) kur u kurorëzua si filmi më i mirë.
Filmi në të cilin luajnë disa yje gjithashtu i fitoi çmimet “Best Original Screenplay” dhe “Best Supporting Actor” për Brad Pitt në ceremoninë e Santa Monica, Kaliforni, të mbajtur në prag të shpalljes së kandidimeve për “Oscar”.
Joaquin Phoenix dhe Renee Zellweger vazhduan t’i shtojnë trofetë e tyre, duke i fituar çmimet “Best Actor” për “Joker” dhe “Best Actress” për “Judy”, ndërsa Laura Dern nga “Marriage Story” e fitoi çmimin “Best Supporting Actress”.
Për çmimin e regjisorit më të mirë ishte barazim midis Sam Mendes për filmin “1917” dhe Bong Joon-ho për “Parasite”, ndërsa Greta Gerwig e fitoi çmimin “Best Adapted Screenplay” për “Little Women”.
Ndërkohë, në kategoritë televizive, “Fleabag” ishte fitues i trefishtë, duke e fituar çmimin “Best Comedy Series”, “Best Acress in a Comedy Series” për krijuesin dhe yllin Phoebe Waller-Bridge, dhe “Best Supporting Actor in a Comedy Series” për Andrew Scott, dhe kishte çmime të dyfishta për Watchmen, When They See Us, dhe Succession./koha.net/ KultPlus.com
Teknologjia po ecën me ritëm shumë të shpejt dhe ekspozimi i hershëm i fëmijëve ndaj teknologjisë mund ti përgatisë ata për karrierat e ardhshme në fusha të lidhura me teknologjinë, ose vende pune që kërkojnë zotërim të teknologjisë si çelës kryesor për sukses.
Për këtë kohën që ata po e shpenzojnë në përdorimin e paisjeve teknologjike ta shëndrrojmë në një kohë efektive ku fëmijët fillojnë ti krijojnë lojërat që ata i imagjinojnë, të zhvillojnë mendimin kritik, logjik, të shprehin idetë dhe kreativitetin e tyre në mënyrë unike.
Universum Digital Academy në qytetin e Ferizajit ofron kurse 1 vjeçare të programimit, animacionit dhe robotikes për fëmijë të moshës 7-18 vjeç. Gjatë kurseve fëmijët mësojnë të krijojnë lojëra kompjuterike, aplikacione mobile dhe webfaqe. Përfito 20% ZBRITJE për regjistrime deri me 3 Shkurt. Regjistrohu këtu http://tiny.cc/8bfe7y
Këto kurse janë përvojë e mirë për fëmijët duke iu jap mundësinë të fitojnë aftësi në menaxhim të teknologjisë që do të ju shërbej atyre në të ardhmen pa marrë parasysh profesionin të cilin do ta zgjedhin.
Përveq kësaj fëmijet do të nxiten të krijojnë platforma të lojërave të cilat lidhen me lëndë mësimore që ata i mësojnë në shkolla, në mënyrë që të iu bëhet më atraktiv procesi i mësimnxënies. Poashtu prindërit do të njoftohen për progresin e fëmijëve gjatë gjithë kohës.
Këngëtarja Flaka Krelani, pritet të lansojë këngën ”Playa”, të cilën e ka realizuar në bashkëpunim me reperin e njohur amerikan, shkruan KultPlus.
Bëhet fjalë për Young Noble, pjesëtar i grupit të njohur amerikan ”Outlaw”.
Lajmin e bëri të ditur vetë këngëtarja përmes një postimi në llogarinë e saj personale në Instagram.
“Jam rritur duke dëgjuar 2Pacun, Outlaw-in dhe kjo është një ëndërr e bërë realitet”, ka shkruar këngëtarja në mbishkrimin e videos së postuar. / KultPlus.com
Ashtu si kudo në vendin tonë edhe në krahinën e Çamërisë u bënë përpjekje të shumta për përhapjen e mësimit shqip dhe për çeljen e shkollave në gjuhën amtare.
Kështu, në vitet e fundit të shekullit të 19-të, atdhetari Rexhep Demi bashkërendoi punën me Sabri Prevezën (1862-1929), me synimin kryesor përhapjen e shkrimit të gjuhës shqipe në të gjithë Çamërinë.
Kështu, u dendësua edhe puna për shpërndarjen e librave dhe të gazetave shqipe, si në Çamëri dhe në Shqipërinë e Jugut. Vetëm në Prevezë, Sabriu u kishte mësuar shkrimin e leximin shqip disa bashkatdhetarëve. Më 1899, ai i shkruante shoqërisë “Dituria” të Bukureshtit, me të cilën mbante lidhje të vazhdueshme:
“Duhet të zgjojmë ata mëmdhetarë, që gjenden në gjumë e të mos i trembemi Fizanit dhe Bosforit, se posa u trembëm këtyre…s’ fitojmë gjëkafshë, andaj duhet të kemi guxim e shpejtim në shërbesë të mëmëdhesë, sa që të fitojmë qëllimin.
Këtu në Prevezë, tashti…zunë të mësojnë shqipen, pa na duhen abetare të mëdha dhe të vogla. Se, sa herë që i flasim ndonjë shqiptari për nevojën e shqipes, na kërkon abetare. E, kur s’ kemi t’i apim, helmohemi”.
Sabri Preveza, si shumë atdhetarë të tjerë të penës e të pushkës, u përfshi nga vala e kryengritjeve të mëdha antiosmane të viteve 1910-1912, që çuan në shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë, më 28 Nëntor 1912. (Më 1925, i ndjekur nga shovinistët grekë, ai u vendos në Sarandë, ku dhe vdiq).
Po tërë kjo veprimtari atdhetare e arsimore tërhoqi vëmendjen e qarqeve shoviniste dhe iu kundërvunë përhapësve të shqipes. Ashtu si në krahinat e tjera të Shqipërisë, ata u vërsulën me ashpërsi edhe ndaj atdhetarëve në Çamëri. Më në fund, në vitin 1900 e arrestuan Rexhp Demin, në Filat dhe e dërguan në Janinë, qendra e vilajetit.
I kontrolluan shtëpinë, sidomos për të gjetur libra shqipe, gjë që për shovinistët përbënte faj të rëndë. Librat e gazetat shqipe, që iu gjetën, ia morën të gjitha. Për “krimin”, që kishte bërë, ky atdhetar u mbajt dy vjet në burgjet e mykura të Janinës.
Por edhe aty ai nuk u tërhoq nga puna e tij e frytshme për mësimin e shqipes. Në bashkëpunim me nxënësin e tij, Qamil Çami, themeluan një shoqëri të fshehtë, në të cilën bënin pjesë me dhjetëra nxënës. Ajo mori emrin simbolik “Vëllazëria”.
Ndër synimet kryesore të anëtarëve të kësaj Shoqërie, ishte mësimi i gjuhës amtare shqipe. Kështu, pas përgatitjeve të duhura, u arrit që më 7 shtator 1908, në Filat, të çeleshin dyert e një shkolle fillore në gjuhën shqipe. Në një telegram, të dërguar nga Musa Demi, thuhej:
“Me gaz të madh u japim një sihariq se sot çelmë këtu, me shumë lavdëri, një shkollë shqip dhe bëmë disa fjalë mëmëdhetarisht“.(Gaz. “Lirija”, Selanik, 14.09.1908, faqe 2). Afërsisht, po në atë kohë u hap një shkollë tjetër shqipe në Luros të Çamërisë. Mësuesit e parë të shkollës së Filatit ishin: Qamil Izet Çami, drejtor e mësues dhe Hamit Demi, mësues. Shpejt ata morëm masa dhe për kurse mbrëmjeje, ku të rriturit mësonin shkrim e këndim shqip.
Reaksioni i armiqve ishte i madh, ndërsa vendosmëria e mësuesve dhe e prindërve ishin për ta vazhduar me çdo çmim punën e nisur. Për këtë gjë, mësues Qamili shkroi edhe disa vargje, në të cilat shprehej me entusiazëm: “E hapën e u gëzuan (shqiptarët, shkollën),/ grekët e djallit u helmuan,/ çami, bir’ i astritit/ i dha dërrmën moraitit”. Vështirësitë për libra e mjete mësimore ishin të shumta.
Por vetë mësuesi Izet Çami punoi për përkthimin e materialeve të duhura nga gjuha frënge. (Ibrahim D. Hoxha, gaz. “Çamëria”, 18.04.1991, faqe 6)
Veprimtarinë e tij, në shërbim të arsimit kombëtar, Qamil Çami e vijoi më tej, duke bërë të mundur ngritjen e një shkolle të mesme shqipe, po me qendër në Filat. Ndër të tjera, aty do të përgatiteshin mësuesit e rinj për të hapur shkolla shqipe, kryesisht në Jug të Shqipërisë.
Gjatë kësaj periudhe, ai bashkëpunoi me shtypin e kohës, sidomos me gazetën “Zgjimi i Shqipërisë”, që dilte në Janinë dhe shkroi vjersha me temë atdhetare. Tërë kjo veprimtari i egërsoi shovinistët, të cilët e vlerësuan “njeri të rrezikshëm”, e pushuan nga puna dhe e internuan në një fshat, afër Edirnesë.
Megjithatë, nuk iu bind urdhërit, por rroku armët, doli në mal dhe u bashkua me çetat kryengritëse. Pas shpalljes së Pavarësisë, u vu me të gjitha dijet e aftësitë e tij në shërbim të arsimit kombëtar.
Mori pjesë aktive në Revolucionin e Qershorit 1924 dhe e caktuan drejtor shkolle në Konispol. Më pas, e transferuan mësues në fshatra të Beratit dhe më 1930 në konviktin “Çamëria”-Sarandë. Por, pas tre vjetësh, kur Qamili kishte dhënë aq shumë për Atdheun e arsimin në gjuhën shqipe, vdiq në Tiranë, në moshën 48-vjeçare.
Në vazhdim të punës së bërë, në pranverën e vitit 1910 funksiononin disa shkolla shqipe, përveç asaj të Filatit e Mallakastrës së Çamërisë. Të tilla ishin shkollat në: Konispol, Ninat, Koskë, Janjar, Konicë e Mazarek.
Në shkollën Mesare të Leskovikut ishte mësues Haki Glina, intelektual “mjaft i njohur midis atdhetarëve”. Detyrën e mësuesit shëtitës për fëmijët çamë e kryen disa intelektualë atdhetare, ndër të cilët u dallua Hamza Tatzati e të tjerë.
E njohur është dhe ndihmesa, që dha atdhetari Dervish Hima në verën e vitit 1911. Ai grumbulloi “të holla për të themeluar shkollë shqipe në Filat të Çamërisë”, për të cilën shkruante se:
“Kjo shkollë do të jetë shumë e dobishme për ne dhe unë po përdor gjithë vullnetin tim dhe gjithë energjinë time për të arritur suksesin e saj”. Përpjekje u bënë dhe për hapjen e shkollës së Janjarit. Për shkollat shqipe në Filat u caktua si përgjegjës Qamil Efendiu, por në punën e tij i dolën shumë pengesa nga autoritetet qeveritare.
Në Prevezë u kërkua me ngulm që mësimi i shqipes të futej, përveç idadijes, edhe në shkollat fillore turke. Të papërtuar në përhapjen vullnetarisht të mësimit të gjuhës amtare te fëmijët e të rriturit u treguan intelektualët atdhetarë Qamil Çami, Musa Demi e të tjerë. Atdhetarët shqiptarë shtruan detyrë përgatitjen e mësuesve të shqipes në shkollat pedagogjike, që u menduan të hapen në Margëlliç e Janinë. (Dr. Apostol Pango, Sarandë, 28.02.1999).
Pra, gjatë viteve 1908-1912, ashtu si në krahinat e tjera, mësimi i shqipes në Çamëri mori përhapje edhe jashtë dyerve të shkollave shqipe. Sali Filati (Çeka) shkruante kështu: “Çamëria sot mori një lëvizje përparimi. Ky çip i vjetër i Shqipërisë ngreh gjerdhet nga kopështrat e diturisë dhe sheh bilbilët, lulet, fatbardhësinë e qytetërimit”.(Gaz. “Korça”, nr. 9, 20.05.1910).
Në vitet e mëvonshme, mësimi në gjuhën amtare shqipe në krahinën e Çamërisë u përball me rrethanat e vështira historike, që u krijuan si pasojë e shpërguljeve masive të atyre banorëve, larg trojeve të tyre të stërlashta shqiptare. Megjithatë, kudo që i çuan valët e jetës, në zemrat e tyre mbeti kurdoherë e gjallë dhe pashuar dashuria për shkronjat dhe fjalën e ëmbël shqipe.