‘Përqafimi i fatit’, dokumentari që lartëson ndihmën e shqiptarëve për popullin hebre

Njëra ndër tragjeditë më të mëdha që ka njohur historia e njerëzimit, është ajo e Luftës së Dytë Botërore, ku mbi 6 milion hebrenj humbën jetën, në mënyrën më tragjike të mundshme, shkruan KultPlus.

Ditën e djeshme u shënua Dita Ndërkombëtare e Holokaustit dhe sigurisht se edhe në Kosovë u mbajtën aktivitete të ndryshme për të rritur vetëdijesimin rreth Holokaustit dhe sigurisht edhe rreth racizmit që vazhdon të jetë i pranishëm edhe këto ditë.

Ndërkaq, mbrëmë në sallën e Teatrit Kombëtar, u shfaq premiera e filmit dokumentar ”Përqafimi i fatit”, dokumentar ky që ishte realizuar nën regjinë e Jakov Sedlar.

Para se të fillonte dokumentari, fjalën e mori regjisori i filmit i cili falënderonte të pranishmit për ardhjen e tyre duke ju dërguar përshëndetjet më të ngrohta nga populli kroat. Ai shprehej shumë i kënaqur për faktin se populli shqiptar u kishte hapur dyert popullit hebrenj në periudhën më të vështirë të tyre.

”Jam shumë i lumtur që në këtë ditë ndodhem këtu në Prishtinë. Jam shumë krenar që sonte do të shpalosim raportin që shqiptarët kanë pasur me hebrenjtë, jo vetëm shqiptarët e Shqipërisë por edhe ata të Kosovës. Ajo çka populli shqiptar ka bërë për hebrenjtë para dhe pas luftës së dytë botërore, me të vërtetë ka qenë e mahnitshme dhe e paharrueshme”, deklaroi Jakov Sedlar.

Pas regjisorit, fjalën e mori Amit Roz, një regjisor ky i cili kishte dhënë një ndihmë të madhe në realizimin e këtij dokumentari. Ndihmë kjo që nuk ishte e rastësishme, pasiqë Roz, djali i dy prindërve polakë të cilët e kishin përjetuar Luftën e Dytë Botërore, ishte thellësisht i prekur nga akti i shqiptarëve.

Amit Roz shprehej se e njihte mjaft mirë ”Besën” dhe ”Kanunin” e popullit shqiptar dhe se kjo gjë e mahniste atë, duke u bërë kështu një ndër të parët regjisor që ka trajtuar këto dy cilësi të popullit shqiptar në raport me hebrenjtë e Jerusalemit.

Roz, ndër të tjerash tregoi se ka pasur dëshirë qysh moti të falënderonte shqiptarët për ndihmën e dhënë, mirëpo kjo gjë iu pamundësua si pasojë e regjimit komunist të asaj kohe.

”Mahnitem se si asnjë hebrej nuk u vra në Shqipëri dhe ky është i vetmi vend në kontinentin e Evropës që nuk ka lejuar të ndodhë një gjë e tillë”, deklaroi ai.

Pas këtyre dy fjalimeve të shkurtra që u përcjellën me duartrokitje të mëdha nga publiku i pranishëm, filloi dokumentari i shumëpritur.

”Përqafimi i fatit”, shpaloste shumë informacione si raportet në mes shqiptarëve dhe hebrenjve jo vetëm gjatë Luftës së Dytë Botërore, por qysh në fillet e para të vendosjes së hebrenjve në tokat shqiptare, trajtimin e hebrenjve nga shqiptarët, punët që ata bënin, mbrojtjen që e morën saherë që ishte e nevojshme nga shqiptarët etj.

Kryesisht ky dokumentar shfaqte vazhdimisht kontributin e madh që shqiptarët kanë dhënë ndaj popullit hebre, si pasojë e Besës dhe Kanunit që konsiderohen të jenë virtytet më të mëdha të popullit tonë.

Pjesëmarrës në këtë dokumentar ishin edhe shumë fytyra të njohura për publikun shqiptarë, si Edi Rama, Princi Leka II, Votim Demiri etj.

”Përqafimi i fatit” i fali shumë emocione publikut, duke iu rikujtuar edhe njëherë se populli shqiptar ka qenë dhe do të jetë gjithmonë një popull me zemër të madhe. / KultPlus.com

Interesim i jashtëzakonshëm i fëmijëve për kuizin e teknologjisë, testo njohuritë dhe fito bursë për robotikë, animacion dhe kodim


A dëshironi që fëmija juaj të testoj njohuritë e tij në fushën e teknologjisë dhe të shpërblehet me bursë për të ndjekur kurset më atraktive të programimit, animacionit dhe robotikës?

Universum Digital Academy ka lansuar kuizin online për të gjithë fëmijët që dëshirojnë të testojnë njohuritë e tyre në teknologjisë dhe të hyjnë në garë për përfitim të BURSAVE deri në 50%, për pjesëmarrje në Kurset e Universum Digital Academy.

FITO 50% BURSE, BËHU PJESË E KURSEVE MË ATRAKTIVE TË UNIVERSUM DIGITAL ACADEMY. Linku i kuizit https://bit.ly/2GrkRYK

E rëndësishme është që përfitues do jenë të gjithë pjesëmarrësit! Përqindja e bursës që do fitoni varet nga përgjigjet e sakta që do jepni poashtu ju fitoni 10 pikë bonus për çdo shok/shoqe që e referoni të jetë pjesë e kuizit.

Universum Digital Academy ofron kurse 1 vjeçare të programimit, animacionit dhe robotikes për fëmijë të moshës 6-18 vjeç.Ndërsa mësojnë, fëmijët ndërtojnë mini-lojëra, zgjidhin enigma, krijojnë projekte kodimi dhe kompletojnë misione, kreativiteti është një nga aftësitë më të rëndësishme që ata zhvillojnë. Plotëso kuizin tani https://bit.ly/2GrkRYK

PROGRAMI I AKADEMISË MBËSHTETET NË PROJECT-BASED LEARNING (PBL)

Për më shumë informata rreth kuizit dhe kurseve nga Universum Digital Academy kontakto [email protected] apo +383 45 652 166;

(Shkrim i sponsorizuar nga Kolegji Universum)

Fshati i bukur kosovar që po merr pamje sikurse fshatrat zvicerane

Po të hysh në rrugën në të cilën lidhet fshati i bukur Uglarë, që gjendet në komunën e Gjilanit, vërehet një natyrë magjepsëse me bukuritë e saj, ajër të pastër, vend karakteristik me male, shtëpi të bukura, pastërti dhe të gjitha këto ofrojnë një pamje të larmishme dhe të jashtëzakonshme.

Fshati Uglarë është i pasur me komplekse të bukura malore, atraktive dhe me natyrë magjepsëse për syrin e njeriut, e ngjashme sikurse fshatrat zvicerane.

Me të hyrë në këtë fshat, natyra e saj e pastër dhe kulturat bujqësore të ofro kanë pamje mahnitëse, ndërsa malet për rreth saj i shtojnë hijeshinë e këtij fshati që çdoherë e më shumë po shquhet si nga ana e kulturës, ashtu edhe për nga pastërtia që mbahet nga vetë banorët.

Uglarë është një vendbanim në komunën e Gjilanit. Pas vitit 1999 fshati është i njohur edhe me emrin Margesh dhe gjendet 5 kilometra larg qendrës komunale të Gjilanit.

Ky vend i bukur është vendosur në dy anë e lumit Morava e Binçës, që i’a shtojnë hijeshinë për nga pamja dhe shtrihet në skajin jug-lindor të Fushës së Gjilanit. Thuhet se fshati Uglarë ka 250 shtëpi të banueshme dhe ka dikun rreth 1500 banorë, ku 100% e tyre janë shqiptar dhe ka disa lagje, ndërsa një përqindje e madhe e këtij fshati jeton në mërgim.

Duket se ky fshat ka një ekonomi të zhvilluar. Banorët kryesisht merren me bujqësi dhe blegtori. Gjithashtu fshati Uglarë ka shkollën fillore “Vehbi Ibrahimi”, me rreth 250-300 nxënës.

Kush ka kohë dhe mundësi, nuk ka pse të mos i vizitojë dhe t’i shijojë, sepse në vete bart kulturë dhe natyrë magjepse. / albinfo.ch / KultPlus.com

Grupi “Marigona” së shpejti me këngë të re (VIDEO)

“Marigona” është padyshim njëri nga grupet më të njohura në muzikën shqiptare, që për vite të tëra kanë përcjellë shumë gjenerata me këngët e tyre, shkruan KultPlus.

Grupi është formuar në Mitrovicë në vitin 1991 me formacionin e parë: Vullnet Sefaja, Edon Ramadani, Teoman Ukça, Labinot Krasniqi.

Stili i “Marigonës” është i veçantë. Gërshetimi i teksteve kuptimplota me vokalin unik të Vullnet Sefasë, ka bërë që ndër vite ata të sjellin shumë hite që edhe sot e kësaj dite këndohen e rikëndohen.

Disa nga këngët e tyre më të njohura janë: “Sonte”, “Pa ty”, “Mitrovcia”, “Ajshe”, “Dea”, “Tash shko”, “Fundi vjen”, etj…

Së fundmi, për të gjithë adhuruesit e këtij grupi ka zbardhur një lajm i mirëpritur, sepse “Marigona” së shpejti do të sjell një këngë të re.

Kohë më parë ata patën sjellë këngën “Ku je” e cila është pritur me entuziazëm nga publiku.

Kënga e re është inçizuar në studion e Armend Xhaferit, ndërsa detajet e tjera rreth këngës do të zbardhin në ditët në vazhdim. /KultPlus.com

Dashuria

Poezi nga Ismail Kadare

Kanë frikë prej teje. O, sa kanë frikë.
Pleq me fytyra plot rrudha, që s’i trembi as bisha, as plumbi,
burra me borsalina dhe çanta, që thirren shpesh nëpër mbledhje,
gra shamizeza, që përballuan trimërisht vdekjet; kanë frikë prej teje.

Ç’i tremb, mos vallë mjegulla jote e bardhë spërkatur aënve me reflekse të çuditshme?
Ngrenë kundër teje
pushkën, shkopin, mallëkimin. Duan të të shtypin
me sënduqet e pajave, të të marrin frymën
me dyshekët e jastëkët e qëndisura.
Hedhin baltën e zezë të shpifjeve mbi rrobën tënde të bardhë.

Pastaj fillojnë sulmin e fjalëve pa fund.
Dashuria? Ah, dashuria, kush ia pa asaj hairin,
pardje u zunë dy fqinjët, i dëgjuat?
(Janë marrë me dashuri)
Tezja jote zvariset gjyqeve. (Ku shkoi dashuria?)
Para tri javësh një vajzë u hodh nga kati i gjashtë.
E dëgjove, ja, këto bën dashuria.

Aherë, si vjellin çdo gjë, ashtu si artileria,
që vjell breshëritë e zjarrit mbi fushën e luftës,
hedhin kundër teje, në sulm të dëshpëruar,
regjimentet e zes të shkesëve.
Por ti,
duke shkundur nga supet baltën
e shpifjeve dhe thashethemeve, duke shkundur
puplat e jastëkëve, naftalinën e sënduqeve,
ngrihesh para tyre edhe më e bukur
nga shenjat e kaltra të goditjeve.

1968

Akademia e Shkencave ripropozon Kadarenë për çmimin “Nobel”


Gjeniu i letrave shqipe, Ismail Kadare, feston sot 84-vjetorin e lindjes.

Ai është nominuar disa herë për çmimin “Nobel” në letërsi, ndërsa edhe në këtë përvjetor Akademia e Shkencave e ka ripropozuar për këtë çmim.

Emri i tij është ripropozuar këtë të martë në tryezën “Kadare dhe letrat shqipe”, me rastin e 84-vjetorit të tij të lindjes.

Kreu i ASH-së, Skënder Gjinushi i ka dërguar një letër Akademisë Suedeze, në të cilën shkruan se pena e Kadaresë ka lënë gjurmë në kulturën e vendit.

Gjeniu i letrave shqipe ka qenë disa herë kandidat për çmimin “Nobel” në letërsi dhe së fundmi ka marrë dekoratën më të lartë franceze, si “Komandant i Legjionit të Nderit”.

Po ashtu, Kadare u nderua vitin e kaluar me çmimin ndërkombëtar “Nonino”, i cili iu ndahet personazheve të mëdhenj të kulturës. / KultPlus.com

Branka Bogavac: Si e intervistova Kadarenë, tre muaj pasi kishte mërguar në Francë

Në jetë ka rastësi fantastike, edhe të tilla pothuaj magjike, të cilat shkaktojnë çudira. Unë sikur jam e abonuar për mrekulli të ndryshme, prandaj të tillat edhe më ndodhin shpeshherë. Pse është kështu, nuk do të dija t’i shpjegoja. Të moçmit do të thoshin: “Çfarë të mbjellësh, atë edhe do ta korrësh.” Por thonë po ashtu se edhe shumë gjëra që i dëshirojmë, ndodhin, veçse ato duhen merituar.

Dikur para fundit të vitit 1990 më ka cingëruar telefoni. Më thirri gazetari nga Shkupi, redaktori i revistës letrare Mlad Borec, Sinisha Stankoviq: “Zonjusha Bogavac, kemi një lutje të madhe për Ju. Në Francë ka mërguar shkrimtari shqiptar Ismail Kadare, i cili na intereson shumë, dhe Ju lutemi që ta zhvilloni një intervistë me të, që do të ishte me shumë rëndësi për redaksinë tonë.”

Vërtet, në tetor të vitit 1990 në mediumet franceze jehoi si një shpërthim bombe lajmi se shkrimtari më i njohur shqiptar ka ikur nga vendi i tij, duke kërkuar strehim në Francë. Këtë e kam përcjellë relativisht e përmbajtur, sepse për mua autori ishte i panjohur, si edhe vendi i tij i ndryrë për shumë dekada, për dallim nga koha kur disidentët rusë kishin arritur këtu në Francë. Ata i kisha përcjellë me vëmendje të madhe, aq më tepër se në Sorbonë kisha studiuar letërsinë ruse. Shqipëria, për shkaqe politike dhe të regjimit komunist, për shumicën e europianëve, sidomos për jugosllavët, ishte një vend plotësisht i paqasshëm.

Nuk është për t’u befasuar që Stankoviqit i jam përgjigjur: “Ç’Kadare? Ai ka kërkuar azil, atë e fshehin, e ruan policia dhe nuk ka asnjë gjasë e mundësi, as shpresë, që të ndodhë diçka e tillë.” Për herë të parë isha e shtrënguar që ta bind dikë se nuk është e mundshme biseda, intervista. “Ne, megjithatë, mendojmë se, po qe se dikush do të kishte sukses ta bëjë këtë, do të ishit pikërisht Ju”, – insistonte ai.

Kjo thirrje telefonike, megjithatë, nuk më la indiferente, pa marrë parasysh se realizimi ishte pothuaj i pamundshëm. Përkundrazi, nga një anë ai ma imponoi detyrën, kurse nga ana tjetër tek unë e zgjoi kërshërinë, atë gazetareske, së cilës i ofrohet rasti që ta njohë veprën e shkrimtarit shqiptar, për të cilin gjerësisht kishte shkruar shtypi francez dhe për të cilin para kësaj kohe aq bindshëm dhe me zjarrmi më kishte folur Zoran Mushiqi, piktori i njohur  slloveno-francez, teksa kisha zhvilluar intervistë me të.

Kështu filloi interesimi dhe marrja ime me njërin nga shkrimtarët më të rëndësishëm ballkanikë dhe nga vendi i panjohur për ne, përkundër kufijve të përbashkët. Fillova që të thellohem në veprën e tij si në ndonjë oqean në të cilin, duke mos qenë notuese, kam mundur edhe të fundosem. E kam zbuluar botën e panjohur nga faraonët egjiptianë dhe lashtësia greke, përmes Mbretërisë Otomane, të ngritjes e të rënies së saj, e deri te Bashkimi Sovjetik, Kina, Europa e Mesme dhe Perëndimore. Por po ashtu, njëkohësisht, kam filluar që ta zbuloj atë që është më e çuditshmja dhe më e pabesueshmja, si kjo vepër letrare autentike është lindur dhe është krijuar në diktaturën e përgjakshme komuniste dhe si ky shkrimtar ka arritur që ta krijojë e ta ruajë, nganjëherë i rrethuar nga rreziku i eliminimit. Më tragjik është fakti se lavdia e pabazuar, e dalë nga fakti se ai, megjithatë, ka krijuar diçka që absolutisht ka rënë ndesh me regjimin në të cilin ka jetuar dhe ka mbetur gjallë. Së këndejmi armiqtë e tij, me qëllim që ta nënçmojnë, e numërojnë në mesin e të dashurve të Enver Hoxhës. Mirëpo, jeta e tij realisht ka qenë ferr i njëmendtë në Shqipëri.

Pasioni i krijuesit gjithmonë është në përpjesëtim me talentin e tij. Pa dyshim se Kadareja e ka poseduar talentin, që e ka ndihmuar të rezistojë, por kushtet në të cilat ka botuar ishin më shumë sesa të ferrta. Do të thuhej se ky njeri, duke shkruar dhe duke krijuar, në pajtim me konditat të cilat e rrethonin, ka gjetur rrugët kah të kalojë i pahetuar; e kishte ideuar, e kishte konceptuar sistemin e mbrojtjes, varësisht nga rreziqet të cilat e kërcënonin. Dhe kështu me decenie. Nga  të gjitha këto beteja, luftëra, kanë dalë dyzet romane dhe renomeja e shkrimtarit botëror, si dhe vlerësimi i kurorëzuar me shpërblimet prestigjioze letrare.

Nga thirrja prej Shkupi kaluan tre muaj e një ditë. Duke dalë nga metroja në lagjen në të cilën jetoj, e njoha Kadarenë. Ashtu para meje ngjiste shkallët. Çfarë të bëj tash? T’i ofrohem? Ai është me azil politik, fshihet, këtu pothuaj është inkognito, e unë nga ana tjetër jugosllave – dhe ky mund të ishte problem akoma më i madh. Pos kësaj, Shqipëria dhe Jugosllavia nuk e dija se a kishin marrëdhënie diplomatike. Ai vetëm, unë vetëm. Mendoja, shkrimtari, megjithatë, është personalitet publik dhe çdo qytetar ka të drejtë t’i drejtohet. Vallë, ta humbas këtë rast për çka po përgatitem tre muaj?! Instinkti i gazetarit është akoma më i madh për aq sa shkrimtari është më i madh dhe në çastet vendimtare asgjë nuk mund ta ndalë në këtë rrugë. Është më i madh sesa konsideratat e cekura. Në favorin tim ishte edhe fakti se librat e tij tashmë më kishin bërë për vete, më kishin pushtuar (edhe unë ato), gjë që më jepte forcë dhe arsye për një gjest të tillë. Nuk do t’i qasem ashtu formalisht nga fakti se është shkrimtar i famshëm, ndaj të flasim, për shembull, për motin e mirë. Kam mbështetje – e njoh veprën e tij. Ende kisha dilema, mëdyshje… A kishte kuptim ta ndaloja njeriun? Nëpër kokë më silleshin mendimet për marrëdhëniet e komplikuara shqiptaro-jugosllave dhe çfarë do të mendonte ai. Mos isha ndonjë provokatore? Mëdyshjet dhe pyetjet vazhduan disa sekonda dhe për përsiatje filozofike nuk kisha kohë. E kuptova se ishte rasti unik dhe vendosa t’i ofrohem. Kurse ai, krejtësisht i qetë, nuk u çudit. Aspak. E as që mori qëndrim dyshimi. Sikur kishte pritur pikërisht një gjë të tillë, një takim të tillë. Këtë herë rasti im deshi që pikërisht Kadareja të shkonte në drejtimin tim. Kështu pas njohjes vazhduam së bashku. Pasi rasti ishte këmbëngulës, na shpinte drejt shtëpisë sime. E ne ballkanasit nuk do të ishim ballkanas po qe se nuk e manifestojmë mikpritjen – shenjëtarinë tonë. Në këtë eufori që e kisha takuar shkrimtarin të cilin me muaj nënvetëdijshëm e kërkoja (e bindur se ishte punë e kotë, e pamundur), njëherazi edhe e shtangur, e pyeta se a do të dëshironte të vinte tek unë. Ai, po ashtu si ballkanasit, i vetëdijshëm se kjo nuk refuzohej, krejt natyrshëm e aprovoi: “Po shkoj deri në shtëpi që të merrem vesh me gruan time. Do t’ju tregoj pas gjysmë ore se a do të vijmë apo jo.”

E kam të qartë se propozime të tilla dhe dialogë me njerëz të panjohur në rrugë mund të bëhen në botën e bardhë vetëm në mes të ballkanasve dhe s’ka si të mos jenë të jashtëzakonshme. Nuk mendoja se ai ishte shqiptar, kurse unë jugosllave, dy popuj mes të cilëve veçse nuk kanë vringëlluar shpatat, për ta thirrur në shtëpi armikun dhe ai duhej që të vendoste të futej në shtëpinë e armikut. Këtë mund ta bëjë vetëm dikush që paksa ka shkalluar dhe dikush që kaherë është ndarë nga të gjitha konventat tokësore dhe të robit, dikush që është mbi gjepurat, intrigat e mbijetuara, i cili shikon dhe sheh vetëm vlerat njerëzore, prej ngado që vijnë. Kurse ai kushedi se çfarë mendoi. Çfarëdo ka mundur të hamendësojë në gjendjen e tillë dhe të pyesë se mos është fjala për ndonjë kurth. Një diplomat yni nuk më ka folur më, pasi lëvdohesha nga fakti se kisha takuar Kadarenë.

Megjithatë…

Mendoj se disa gjëra bëhen në një gjendje të veçantë, që do t’i quaja të larta (etat second), atëherë kur në vendin tonë vendos diçka tjetër, jo arsyeja, por ngazëllimi, intuita, zjarri i cili na kaplon, diçka që është mbi gjithçka që pengon dhe përkufizon. Sigurisht, edhe shkrimtarët, artistët dhe shkencëtarët e mëdhenj i kanë krijuar veprat e veta në gjendje të tillë të jashtëzakonshme, të veçantë dhe të lartësuar, kur të gjitha ndjenjat i kanë drejtuar në një kah, të trazuar dhe të tendosur që t’u përgjigjen kërkesave të atyre çasteve kur prej tyre shpërthen vërshimi artistik. Mua, gjithsesi, më ka bartur elani i tillë, jo që diç të krijoj, por të vendos për  një sjellje të tillë, hap të tillë, në Paris, në Perëndim, dhe nuk më vjen keq për këtë. Pas gjysmë ore Kadareja më thirri në telefon duke më thënë se do të vinte me bashkëshorten e tij. Për mua kjo do të thoshte se nuk kisha gabuar. Ngazëllimi më paralajmëronte diçka të bukur, që u dëshmua dhe më gëzoi.

Nuk është e lehtë t’i presësh të ftuarit, mysafirë të panjohur. Që nga rruga kisha parë se Kadareja ishte njeri i përmbajtur, i qetë, aspak demonstrativ, çfarë janë ballkanasit. Nuk është për t’u çuditur për dikë i cili ka sajuar aq libra në atmosferën ku ka jetuar duke pëshpëritur dhe i cili i ka mbijetuar diktaturës komuniste. Por, sapo kanë hyrë te ne Kadareja dhe bashkëshortja e tij, Helena, u vendos afria pikërisht në saje të ne të dyjave.

Nga çasti i parë ndodhi diçka që më vonë, me rastin e secilit takim, vetëm është thelluar dhe është pasuruar, kështu që ne të dyja jemi si dy motra. Helena, po ashtu shkrimtare pranë një konkurrenti të tillë, është e pranuar në Shqipëri.

Në Paris është botuar romani i saj Gruaja nga Tirana  (i cili ka shumë vjet që është përkthyer në Beograd, por pret momentin e përshtatshëm). Botuesi i njohur francez Fajar i ka botuar kujtimet e saj. (Në Shqipëri ka fituar çmimin si libri më i mirë i vitit.)

Krahas gostisë së zakonshme për raste të tilla, u shtruam në një bisedë të gjallë e cila në fillim, respektivisht gjatë njohjes, ishte për jetën e përditshme, për familjen, ku morëm vesh se kishin dy vajza, më e rritura studionte për gjenetikë, kurse më e reja ndiqte gjimnazin. Pastaj, natyrisht, kaluam në atë që më së shumti na interesonte, në temën kryesore – letërsinë dhe kulturën, – duke konkluduar se kishim interesime të njëjta apo shumë të ngjashme. Në fund edhe për atë që është e paevitueshme – politikën. Kuptuam se, në të vërtetë,  mes nesh nuk ekziston kurrfarë armiqësie e veçantë, se kishte shumë më tepër gjëra të cilat na përbashkonin sesa sosh që na ndanin, se lidhjet tona janë letërsia e kultura dhe se mundemi të komunikojmë pa kurrfarë mendimesh e qëllimesh të fundit. Arritëm që edhe të talleshim me disa barsoleta të bashkëshortit tim Zhan, i cili kishte ndjesi në atë fushë. U ndamë si të njohur të mirë të cilët mund të kenë besim te njëri-tjetri. Meqë ishim fqinjë, u morëm vesh që Kadareja të vinte në shtëpinë tonë për intervistë, për shkak të kushteve të volitshme për bisedë serioze, meqë kafenetë zakonisht janë të zhurmshme.

Kadareja erdhi së bashku me Helenën në kohën e caktuar. Ajo menjëherë më luti që të përgatisja çaj, meqë nuk e ndiente veten aq mirë. Pastaj Kadareja dhe unë u ulëm pranë tryezës së madhe përplot me libra të tijtë dhe filluam punën. Biseda zgjati dy orë. Kadareja ishte në formë të shkëlqyer dhe unë merrja përgjigje dinjitoze nga një shkrimtar i tillë. Helena tërë kohën dëgjonte me vëmendje dhe askush nuk tha asnjë fjalë. Kur biseda u krye, ajo tha: “Branka, për herë të parë dëgjova pyetje të duhura, bisedë të njëmendtë letrare, që më bëri qejfin, që më pëlqeu dhe tani jam shumë më mirë. Një pjesë të mirë të ditës e kam kaluar te botuesi ynë Fajar, duke dëgjuar gazetarët të cilët i shtronin pyetje Kadaresë, nga të cilat më vinte neveri. Nganjëherë të pavenda, provokuese, tregonin mosnjohjen e gjendjes reale. Në të vërtetë, shihej se edhe nuk ishin të përgatitur që të bisedonin për veprën e tij. Prandaj kërkova edhe çaj, që të këndellesha.”

E unë, pas të gjithave, i isha shumë mirënjohëse redaktorit maqedonas të Mlad borec që për shkak të insistimit të tij dashamirës njoha një shkrimtar të tillë. Takimin e përjetova si një dhuratë të madhe shpirtërore. Sikur të mos ekzistonte insistimi i tyre, sigurisht që do të mbetesha më e varfër për një vepër të madhe letrare, që më ka futur në një botë të panjohur për mua. Me një fjalë, redaktorët e mëdhenj janë ata të cilët dinë të gjejnë edhe tema edhe njerëz të aftë që t’i përpunojnë. Atë bisedë së pari e dërgova në revistën maqedonase dhe pas botimit, doli edhe në Knjizhevne novine të Sarajevës, të cilën e redaktoi një djalosh shumë i talentuar, me mbiemrin  Aznavur,  i cili kishte arritur të kalonte në Pançevë dhe aty i humbet çdo gjurmë. Ai ka botuar shumë biseda të miat me shkrimtarë rusë.

Duke u përgatitur për intervistë, kuptova për golgotën përmes së cilës është dashur të kalosh në atë diktaturë të zezë dhe nga çfarë dredhish është dashur të përvidhesh për të ruajtur veprën. Mirëpo, pasi intervista qe botuar në Knjizhevne novine në Sarajevë, Miodrag Perishiq, atëherë kryeredaktor i Knjizhevne novine të Beogradit, në revistën e vet e shkroi edhe këtë: “Me veçantinë e tij shoqërore në diktaturën e Hoxhës (shkrimtar oborri), praktikisht ka qenë njeri nga shtyllat e sistemit.” Përfundim sigurisht i gabuar, kur merret parasysh se nëpër çfarë ka kaluar Kadareja. E të mos flitet për përgjimet, drojën nga bastisjet policore. (Helena në besim më ka treguar se biseda të rëndësishme është dashur t’i zhvillonin në tarracë, sepse e tërë shtëpia (apartamenti) ishte e stolisur me mikrofona përgjimi.) Nga apartamenti i është rrëmbyer dorëshkrimi i poemës Pashallarët e kuq, e humbur përgjithmonë në arkivat policore. Janë ruajtur vetëm disa vargje, të cilat i kishte mbajtur mend:

Mjaft me këtë qeshje dashamirëse

Burokratët janë tjetër gjë.

Jo me bojë pelikan përjargur,

Si tuhafëkëndshëmho, ho, ho,

Por të kobshëm

me duar të përgjakura.

Është interesante se edhe studentët tanë në vitin 1968 në Beograd, kur kishin kuptuar se kush e çfarë ishin komunistët dhe u revoltuan duke krijuar liri më të mëdha, pushtetmbajtësit i quanin princër të kuq. Edhe studentët tanë, si edhe Kadareja, e paguan atë trimëri semantike në mënyra të ndryshme, madje edhe me gjak.

Romani i tij Pallati i ëndrrave, gjithsesi, është ndër romanet më të rëndësishme të kohës sonë për totalitarizmin. Tregimi më i trishtë për atë epidemi dhe preokupimin kryesor – frikën nga komploti. Kohë të gjatë kam dëshiruar ta rrëfej tregimin për botën e cila përjashton çfarëdo logjike. Në gjysmën e librit kam kuptuar se kjo ishte si në ferrin e njëmendtë, ku është fjala për ëndrrat –në atë ferr dikujt i kishte rënë ndër mend që t’i rrëmbente edhe ëndrrat njerëzore, që t’i kontrollonte edhe gjatë ëndërrimeve, pikërisht ashtu siç bëjnë burokratët në realitet. Është ky libri për ankthin, mërzinë, vuajtjet në diktaturë. Sigurisht që nuk do ta shkruaja kurrë sikur mos të jetoja në një vend të tillë. Nuk jam nisur nga asfarë analogjie, nuk e bëj letërsinë me analogji, por kur kisha përparuar dukshëm në shtrimin dhe shkrimin e librit, qartazi shfaqej diktatura bashkëkohore, terrori dhe ajo fajnia e cila na ishte qepur, e duke mos ditur as vetë pse jemi fajtorë, pse na përcjellin, pse mund të na burgosin ose pse mund të na lirojnë, pse duan të na zhdukin. Ngjarja zhvillohet gjoja në të kaluarën e largët, mbretëritë e vendeve lindore. Në të vërtetë, kjo ishte jeta jonë e përditshme nën sundimin e Hoxhës ose nën komunizëm.

Kur u njohëm edhe më shumë, Kadareja më ka dhënë edhe disa intervista, varësisht nga ngjarjet. Ashtu, në të njëjtin çast kur u dogjën kishat në Kosovë, ai reagoi dhe ashpër e gjykoi atë vandalizëm. Dy-tri intervista me të i kam botuar edhe në NIN, atëherë kur intelektualëve serbë para ngjarjeve në Kosovë u kishte ofruar dorën që të përpiqej t’i afronte popujt, por atë dorë të shtrirë askush nuk e kishte pranuar. Bisedat pastaj janë botuar në VijestiNasha Borba, sa më kujtohet edhe në Monitor. Një bisedë është botuar në Knjizhevne novine kur Perishiqi nuk ishte më redaktor, në mars 1992, me titullin “Jam i gatshëm që të udhëheq dialogun”.

Një bisedë shumë interesante me bashkëshorten e tij, Helenën, është botuar në Pobjeda, madje në shtatë vazhdime. Miqësia me atë është thelluar aq shumë, saqë vizitat e rregullta për ne të dyja janë shumë të rëndësishme.

Por edhe si çift bashkëshortor ata janë të mrekullueshëm. Helena është e lindur në familje ortodokse dhe është besimtare e madhe, në dhomën e vet mban ikona të vjetra, ndërsa Ismaili, i lindur në familje myslimane, nuk është fare i ngarkuar me religjionin. Asnjëherë nga ata nuk kam dëgjuar për ndarje në myslimanë e ortodoksë në këta 25 vjet që kur njihemi dhe ndarje të tillë nuk ka as në librat e tyre. Në kujtimet e saj religjioni nuk përmendet dhe as që bëhet fjalë për ardhjen, pas martesës, në shtëpinë myslimane.

Nuk mundem pa përmendur në fund edhe rrëfimin për miqësinë e Danilo Kishit me Kadarenë, të cilën ky i fundit ma rrëfeu: “Danilo Kishin për herë të parë e kam njohur në takimet ndërkombëtare të shkrimtarëve në Athinë, më 1984. Vetëm sa kisha mbërritur në hotel me një shkrimtar shqiptar me prejardhje greke, kur dikush m’u drejtua: ‘Mirëdita, unë jam Danilo Kish, jugosllav. E di se ju jeni Kadare. A doni që të bisedojmë pak, nëse nuk keni paragjykime?’ Me shumë kënaqësi, i jam përgjigjur, se në raport me shkrimtarët jugosllavë nuk kam kurrfarë paragjykimesh. Ashtu kemi drekuar në një atmosferë të shkëlqyeshme. Më tha se e kishte lexuar librin Varreza për Boris Davidoviqin dhe disa të tjerë. Gjatë shëtitjes me anije Danilo dhe unë pothuaj tërë ditën e kaluam duke u shoqëruar, derisa shkrimtarët e tjerë, duke i njohur relacionet mes Jugosllavisë e Shqipërisë, sidomos shkrimtarët francezë, na thumbonin:  ‘Si armiq deri në vdekje e të jenë të pandashëm?’ Ndaj kësaj vërejtjeje vetëm kemi qeshur. Përndryshe, ai ishte përfaqësuesi i vetëm i Jugosllavisë. Nuk e mënjanuam asnjë temë, as atë të Kosovës, as urrejtjen serbo-shqiptare, kur më tha me besim se, ‘për fat të keq, me miqtë e mëdhenj jam prishur për shkak të Kosovës, atëherë kur ua tërhiqja vërejtjen që për ta (shqiptarët) të mos flitet keq në shtëpinë time’. Kurse ata nuk e kuptonin se çfarë ndodhte vërtet. Danilo ishte njeri shumë i emancipuar dhe i arsimuar, me botëkuptime e vizione të gjera për botën. Ma dha numrin e telefonit të tij të Parisit dhe sapo mbërrina, iu lajmërova. U çudita nga ndryshimi i zërit të tij, zë i njeriut në hall. Danilo, a je mirë?  ‘Jo, jam shumë keq’. Më çuditën fjalët e tij dhe kuptova se ishte fjala për diçka serioze. Mos po tallesh?  ‘Jo, kam kancer dhe pikërisht jam operuar’. Në të njëjtën mbrëmje erdhi Paskali në hotelin tim, kurse unë isha me gruan time, Helenën. Më ka treguar, ndërsa ka qëndruar në SHBA, se i ishte drejtuar mjekut duke supozuar se bëhej fjalë për ndonjë grip dhe kur ai e kishte pyetur se sa kohë thithte duhan, menjëherë e kishte kuptuar gjendjen reale. Në dëshpërimin e tij u përpoqa që ta inkurajoja. Atëherë ma tha një gjë të trishtë: ‘Kur e kam filluar librin Enciklopedia e të vdekurve, kam pasur parandjenjë se vdekja do të më hakmerret. Asgjë askujt nuk i kam thënë, vetëm kam vazhduar me shkrimin. Por sapo mjeku më kishte kumtuar se kisha kancerin e mushkërive, mendimi i parë i cili më kaloi nëpër mendje ishte se Libri më është hakmarrë.’ Kam thënë se të gjithë kemi parandjenja të tilla, por ato të tijat fatkeqësisht janë dëshmuar të vërteta. U ndamë. Shkova për në Shqipëri. Sërish ishim bashkë në Lisbonë, kur edhe zëri i tij krejtësisht kishte ndryshuar. Më kujtohet, kurdo që jemi shoqëruar, tallej gjithnjë dhe ishte me humor të mirë. Herën e dytë kur kam ardhur në Francë dhe e thirra në telefon natën vonë, askush nuk u përgjigj. Gjatë ditës e kam kërkuar edhe disa herë, po ashtu pa përgjigje. E çuditshme! Bëja pyetje: Çfarë do të thotë kjo? Të nesërmen dëgjova në radio ‘Ka vdekur Danilo Kish’. Ishte i lajm trishtuar. Ishte shumë i rëndësishëm për mua, kam ndër kujtimet më të mira e më të paharruara me të. Sharmant dhe i gëzuar, e donte jetën. Në bisedat tona  për çdo gjë  flisnim, prandaj të pashmangshme ishin edhe temat për gratë, temë me të cilën ka ditur të bënte shaka. Ishim miq të mëdhenj. Menjëherë kam shkruar tekstin për shtypin shqiptar, tekstin e parë te ne i botuar për ndonjë shkrimtar jugosllav. Danilo vdiq pikërisht kur ishte më i nevojshëm për Gadishullin Ballkanik.”

Ajo që tani më imponohet, është njohuria se unë dhe Danilo kishim të drejtë që i ishim drejtuar Kadaresë edhe si një shkrimtari të rëndësishëm ballkanas dhe si fqinjit. Ndoshta do të jetonim në një paqe shumë më stabile kur do të viheshin marrëdhënie me fqinjët tanë dhe dialog pa paragjykime. E tërë kjo që u tha dëshmon pikërisht atë se është e mundshme miqësia mes nesh. /ExLibris /KultPlus.com

Nisin xhirimet e dokumentarit për jetën dhe veprën e Bekim Fehmiut

Bekim Fehmiu, aktori i parë shqiptar i filmit dhe i teatrit i cili ka luajtur me sukses në filmat dhe skenat e gjithë hapësirës së ish-Jugosllavisë, një nga personalitetet që ka lënë gjurmë në kinematografinë ballkanike, mbetet ndër figurat më të dalluara të kinematografisë shqiptare, shkruan KultPlus.

Përpjekja për të realizuar një dokumentar për jetën dhe karrierën e Bekim Fehmiut, ndonëse nuk u mbështet nga Komisioni vlerësues i Qendrës Kinematografike të Kosovës (QKK), ajo nuk pranoi të mbetej në sirtar. Regjisori Valmir Tertini vazhdoi përpjekjet për të arritur deri të realizimi i këtij dokumentari me metrazh të gjatë të titulluar “Bekim Fehmiu”.

Mbështetur nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë e Shqipërisë, tashmë kanë nisur xhirimet e këtij filmi dokumentar kushtuar jetës dhe veprës së aktorit shqiptar, film ky që për qëllim ka shfaqjen e premierës në 10 vjetorin e vdekjes së aktorit.

Me një ekip të përthekuar mirë, filmi ka nisur xhirimet në Beograd dhe Sarajevë e për të vazhduar tutje në Zagreb.

Me skenar të gazetarit Fahri Musliu dhe nën regjinë e Valmir Tertinit, ky film do të shpalos në 60 minuta intervista nga personazhet më me ndikim në jetën e Bekimit, familjarë e bashkëpunëtorë të afërt.

Për KultPlus regjisori Tertini ka treguar se xhirimet do të zhvillohen edhe në vende të tjera.

“Xhirimet nisën në Beograd, Sarajevë për të vazhduar në Zagreb, Kosovë, Shqipëri, Itali, Francë dhe Amerikë. Dokumentari ka një trajtim opservativ, pa narracion, me intervista nga personazhet më me ndikim në jetën e tij”.

Ai tutje e ka quajtur skandaloze faktin se si një dokumentar i tillë si ky për Bekim Fehmiun nuk është mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës.

“Mosmbështetja nga ana e tyre është skandaloze, përgjegjës është drejtori dhe juria”, ka pohuar Tertini.

Përmes një fotografie, regjisori ka lajmëruar që në dokumentar do të përfshihet edhe bashkëshortja e Fehmiut, aktorja Branka Petriq e cila do të sjellë një rrëfim ekskluziv për aktorin.

Skenaristi i dokumentarit, Fahri Musliu, ka njoftuar se filmi do të realizohet në tri gjuhë dhe premiera pritet të shfaqet më 15 qershor 2020, në ditën e shuarjes së aktorit, në Prizren, Tiranë dhe Beograd, kurse në ditët në vazhdim edhe në qytetet tjera të Kosovës, Shqipërisë, Maqedonisë, Serbisë, Bosnjë e Hercegovinës, Kroacisë dhe Malit të Zi.

“Filmi ka nisur rrugëtimin e vet pas përgatitjeve të gjata, me vullnet të mirë dhe vendosmëri të realizuesve të tij, por pa mjete të duhura financiare. Prandaj, për realizimin e suksesshëm dhe me kohë të këtij projekti filmik me vlerë dhe karakter mbarëkombëtar, bukur të vështirë e të komplikuar, ju drejtohemi me lutje, institucioneve qendrore e lokale të pushtetit në Kosovë, organizatave e fondacioneve të ndryshme vendore e ndërkombëtare, ndërmarrjeve publike e private, grupeve të ndryshme, individëve dhe qytetarëve të vullnetit të mirë dhe dashamir e simpatizant të figurës dhe veprës së Bekimit, si dhe përfaqësive diplomatike në Kosovë, që sipas mundësive, të japin ndihmë financiare”, ka kërkuar mbështetje në këtë mënyrë Musliu. / KultPlus.com

Vasfije Krasniqi-Goodman dërgon dhimbjen e grave të dhunuara në Cosmpolitan Club

E mbijetuara e dhunës seksuale Vasfije Krasniqi-Goodman do të marrë pjesë në një debat në Nju-Jork për dhunën seksuale.

Konsullja kosovare në Nju-Jork Teuta Sahatqija, ka bërë të ditur se do të organizohet një debat me theks të veçantë te dhuna seksuale në vendet në konflikt, shkruan KultPlus.

Mesazhi kryesor i këtij takimi është që dhuna seksuale në zonat e konfliktit të mos mbetet nën hije në sigurinë ndërkombëtare.

Dhuna seksuale në vendet konfliktuoze kërkon vëmendjen e të gjithë politikbërësve globalë, andaj përmes këtij organizimi mëtohet bashkimi me Komitetin Kombëtar dhe Konsullatën e Përgjithshme të Republikës së Kosovës në Nju-Jork për t’i dëgjuar të mbijetuarat e kësaj dhune dhe për t’i mbështetur ato.

Përveç Vasfije Krasniqi-Goodmanit dhe Teuta Sahatqiut, në panel do të jenë edhe Pramila Patten përfaqësuese speciale e Kombeve të Bashkuara për luftimin e dhunës seksuale dhe moderatorja Susan Elliott.

Ngjarja do të mbahet të martën me datën 28 janar, në Cosmopolitan Club të Nju-Jorkut. /KultPlus.com

316-vjetori i miratimit të dokumenteve të Kuvendit të Arbërit

Më 28 janar të vitit 1704, Kongregata e atëhershme e Vatikanit, “Propaganda Fide” (Propaganda e Fesë), sot Kongregata për Ungjillëzimin e Popujve, miratonte botimin e dokumenteve të Koncilit të I kishtar të Arbërit, apo Asamblesë së Parë të klerit katolik shqiptar, që u mbajt në fshatin Mërçi të qytetit të Lezhës.

Kuvendi apo Koncili kishtar i Arbërit, që u mbajt në Kishën e Shën Gjonit të Merçisë, tri kilometra në veri të Lezhës, nën drejtimin e Imzot Vinçenc Zmajeviqit, ishte me rëndësi të jashtëzakonshme për fatet e Kishës katolike në trojet shqiptare e të gjuhës shqipe. Ishte data 14 janar e Kuvendi do të vijonte edhe më 15 e 16 janar 1703. Ndërsa më 28 janar 1704, Kongregata e Vatikanit për Ungjillëzimin e Popujve, që njihej me emërtimin latin “Propaganda Fide”, miratonte botimin e dokumenteve të këtij Koncili kishtar.

Asokohe në fronin e Shën Pjetrit ishte ulur Papa shqiptar, Klementi XI, i cili i pati kërkuar Imzot Vinçenc Zmajeviqit, kryeipeshkëv i Tivarit, në cilësinë e vizitatorit apostolik, të kryente vizitën kanonike në të gjitha dioqezat, mundësisht edhe kishat e qendrat katolike të Shqipërisë. Pas kësaj vizite apostolike, që e kreu brenda tre muajve, në dhjetor të vitit 1703, kryeipeshkvi Imzot Zmajeviq mblodhi në Koncil apo Kuvend kishtar: 7 ipeshkvij dhe tre misionarë, nën kryesinë e tij, si kryeipeshkëv i Tivarit, vizitator apostolik e primat i Serbisë.

Në përfundim të punimeve, dekretet e Koncilit të Arbrit, shkruar në shqip e latinisht nga vetë Imzot Zmajeviqi, iu paraqitën për shqyrtim Papës dhe, pas miratimit, më 28 janar 1704, u botuan nga kongragata e Vatikanit Propaganda Fide, nën titullin “Kuvendi i Arbnit o Koncili Provinciall i mbledhun Vjetit mijë shtaqind e tre ndenë Shqiptarin Klementin XI papë Pretëmadhin“./drita.info/ KultPlus.com

Dita Ndërkombëtare e Privatësisë

28 janari shënon Ditën Evropiane të Mbrojtjes së të Dhënave Personale, njohur si Dita Ndërkombëtare e Privatësisë.

Kjo ditë është pjesë e së drejtës në privatësi, si një nga të drejtat dhe liritë elementare të njeriut.

28 janar 1981 është data e nënshkrimit të Konventës për mbrojtjen e individëve në lidhje me përpunimin automatik të të dhënave personale.

25 vjet më vonë, në vitin 2006, kjo datë në mënyrë simbolike është zgjedhur Dita Evropiane e Mbrojtjes së të Dhënave Personale.

Të dhënat personale përpunohen në shume aspekte të jetës së përditshme, si shembull, hapja e një llogarie bankare, rezervimi online i një bilete, udhëtimi, blerja e një SIM kartele etj.

Mbrojtja e të drejtës në privatësi është e garantuar me Konventën Evropiane për të Drejtat të Njeriut. / KultPlus.com

Ismail Kadare sot mbush 84-vjet

Më 28 janar të vitit 1936, 84 vjet më parë, lindi poeti dhe shkrimtari i shquar shqiptar, Ismail Kadare.

Kadare lindi në Gjirokastër, ku përfundoi edhe arsimin e mesëm. Kadare është një nga shkrimtarët më gjenialë bashkëkohorë, disa herë i nominuar për çmimin “Nobel” në letërsi. Ai shquhet për novela, romane, por ka botuar edhe vëllime me poezi.

Në vitin 1958 mbaroi degën e Gjuhës e të Letërsisë në Universitetin e Tiranës, për të vazhduar më pas në Moskë me studime për dy vjet në Institutin e Letërsisë Botërore “Maksim Gorki” (1958-1960). Kadare është një nga shkrimtarët më të mëdhenj të letërsisë shqipe dhe gjithashtu një nga shkrimtarët më të mëdhenj të letërsisë botërore bashkëkohore.

Me veprën e tij, që ka shënuar një numër rekord të përkthimeve (në mbi 45 gjuhë të huaja) ai e ka bërë të njohur Shqipërinë në botë, me historinë dhe me kulturën e saj shekullore.

Rrugën e krijimtarisë letrare e nisi si poet që në vitet e gjimnazit Frymëzimet djaloshare, 1954, “Ëndërrimet”, (1957), por u bë i njohur sidomos me vëllimin Shekulli im (1961), që u pasua nga vëllimet e tjera poetike, si: Përse mendohen këto male (1964), Motive me diell (1968) dhe Koha (1976). Vepra poetike e Ismail Kadaresë shquhet për idetë e thella dhe për figuracionin e pasur e origjinal; rol me rëndësi për pasurimin e poezisë shqiptare.

Në fushën e prozës, Ismail Kadare ka lëvruar tregimin, novelën dhe romanin. Vepra e parë e rëndësishme e Ismail Kadaresë në prozë është romani “Qyteti pa reklama”, që nuk u lejua të botohej i plotë deri në vitin 2003. Prozën e tij e karakterizojnë përgjithësimet e gjëra historiko-filozofike, subjekti i ngjeshur dhe mendimi i thellë i shprehur shpesh me anë të parabolës, mbi bazën e asociacionit apo të analogjive historike.

Ideja e romanit Gjenerali i ushtrisë së vdekur (1964) është shpirti liridashës i popullit shqiptar. Temën e shpirtit të pamposhtur të shqiptarëve nëpër shekuj autori e trajtoi edhe në romanin Kështjella (1975). Në romanin Kronikë në gur (1970) Kadare kritikoi psikologjinë provinciale dhe traditat prapanike.

Probleme të rëndësishme të historisë janë trajtuar edhe në përmbledhjet me tregime e novela Emblema e dikurshme (1977), Ura me tri harqe (1978) dhe Gjakftohtësia (1980). E veçanta e talentit të Ismail Kadaresë shfaqet sidomos në trajtimin, nga një këndvështrim i ri, i temës historike dhe në tingëllimin e mprehtë aktual që është i aftë t’i japë asaj.

Një nga krijimet më të shquara të Ismail Kadaresë dhe të të gjithë letërsisë së re shqiptare është romani Pallati i ëndrrave (1981). Shumica e veprave të Ismail Kadaresë janë përkthyer e botuar në mbi 45 gjuhë të botës dhe janë pritur shumë mirë nga publiku lexues. Ai është shkrimtari shqiptar më i njohur në botë.

Në vjeshtën e viti 1990 Ismail Kadare vendosi të largohet nga Shqipëria dhe të qëndrojë në Paris. Shkrimtari në atë kohë e përligji këtë largim me “mungesën e ndryshimeve demokratike”.

Autoritetet e kohës e dënuan largimin e Ismail Kadaresë, por krijimtaria e tij nuk u ndalua. Në vitin 1990 e më pas vepra e tij bëhet shprehja më e fuqishme e vlerave gjuhësore dhe artistike të shqipes letrare. Letërsia e Ismail Kadaresë pas vitit 1990 bart të njëjtat tipare thelbësore të asaj të mëparshme: frymën etnografike dhe shpërfaqjen e identitetit shqiptar.

Ismail Kadare është laureat i shumë çmimeve letrare kombëtare dhe ndërkombëtare. Që nga viti 1994, Kadare është anëtar korrespondent i Akademisë së Shkencave Morale dhe Politike të Francës dhe anëtar i jashtëm i ASHAK.

Ka qenë delegat në Kongresin e Drejtshkrimit (1972).

Në vitin 2005 fitoi çmimin “The Booker Prize Man”.Ismail Kadare është dekoruar nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë me Urdhrin “Nderi i Kombit” dhe nga shteti francez me urdhrat “Kryqi i Legjionit të Nderit” e “Oficer i Legjionit të Nderit”.

Ismail Kadare më 23.06.2012 u nderua me Çmimin e madh spanjoll, “Princi i Asturias për Letërsi”, një nga çmimet me prestigjioze letrare në botë. Ai doli fitues mes 31 kandidateve nga 25 vende të ndryshme të botës ku dallohet emri i Milan Kunderas apo italiani Antonio Cabucchi. Ismail Kadare shkroi edhe veprën e njohur “Gënjeshtër nga dashuria e Galdimi ndaj Arife-s”. / KultPlus.com

Edhe dashuria mund të vdesë

Poezi nga Federico García Lorca 

Sa të rënda janë ditët.
Në asnjë zjarr nuk mund të ngrohem,
nuk më qesh asnjë diell
çdo gjë është bosh

çdo gjë është e akullt e pa mëshirë
madje edhe të shtrenjtt yje të qarta
më shikojnë pa ngushëllim,
qysh kur kam kuptuar në zemrën time,
që edhe dashuria mund të vdesë. / KultPlus.com

‘U ndamë në errësirë se jeta ndarje ka, por zemra lamtumirë zemrës nuk i tha’

”Në bankat shkollore moj mike”, është një këngë që i këndon dashurisë së parë, asaj që fillon në moshën e adoloshencës, shkruan KultPlus.

Kjo këngë për herë të parë u këndua nga këngëtarja e mirënjohur shqiptare, Anita Take, për të mos u harruar më kurrë.

”Në bankat shkollore moj mike”, vazhdon të dëgjohet edhe sot e kësaj dite, duke përcjellur çdoherë emocione të mëdha tek dëgjuesit.

Sonte, KultPlus ju sjell këtë këngë të kënduar nga grupi ”Korona”.

Bashkangjitur gjeni videon dhe tekstin e këngës.

Në bankat shkollore moj mike
Dy zemra u deshën dikur
As vet nuk e di si më ike
Dhe zemrës i vure një gurë (2X)

U ndamë në erësirë, jeta ndarje ka
Porse zemra lamtumirë zemrës nuk i tha (2X)

Dashuria e parë nuk harrohet
Dëgjoje këtë fjalë që t´trondit
Se mali me mal nuk bashkohet
Por njerëzit takohen një ditë (2X)

U ndamë në erësirë, jeta ndarje ka
Porse zemra lamtumirë zemrës nuk i tha (2X)

U ndamë nga shkolla, mbaj mend
Por neve s’u ndamë për jetë
Askush nuk e zu vendin tënd
Dashuria e jonë ka mbetë (2X)

U ndamë në erësirë, jeta ndarje ka
Porse zemra lamtumirë zemrës nuk i tha (2X) / KultPlus.com

E frikshme, para disa vitesh një serial vizatimor parashikoi vdekjen tragjike të Kobe Bryant

Vdekja shokuese e Kobe Bryant në një aksident me helikopter është parashikuar 4 vite më parë në një episod të serialit vizatimor “Legends of Chamberlain Heights”.

Komedia tregon bëmat e disa shokëve gjimnazi që janë rezerva në skuadrën e basketbollit të shkollës, por që duan me të gjitha mënyrat që të bëhen të famshëm.

Në këtë episod, që është hequr nga faqja e internetit Comedy Central, tregohet ish-basketbollisti që përplaset me helikopter. Me Bryant që shtrëngon trofetë e kampionit në duar, helikopteri shpërthen në flakë.

Episodi quhet “End of Days” dhe është shpërndarë nga tifozët pas lajmit të hidhur të vdekjes së legjendës së Los Angeles Lakers.

Comedy Central njoftoi në Twitter se do ta fshijë episodin nga faqja.

“Në shenjë respekti për Kobe Bryant dhe familjen e tij, do të heqim klipin e tij dhe ju kërkojmë që të mos e shpërndani”, thuhet në komunikatë.


Moikom Zeqo sjell për herë të parë në shqip ‘Traktatin’ e Da Vinçit

Vjen për herë të parë në shqip “Traktati i pikturës”, së Leonardo da Vinçit, nga shkrimtari Moikom Zeqo. Studiuesi rrëfen përse vendosi ta botojë në këtë 500-vjetor të vdekjes së tij, Traktatin, por dhe përsiatjet estetike të Paul Valery-së.

Ndonëse i konsideruar një nga burimet më të rëndësishme për letërsinë e artit italian, ideja e gjeniut të madh, e shkruar në vitet 1498, mbi pikturën, vjen e botuar edhe në shqip, nga studiuesi Moikom Zeqo.

Në këtë 500-vjetor të ndarjes së tij nga jeta, shkrimtari na rrëfen, sesi ka ndikuar “Traktati i pikturës” në krijimtarinë e tij, krahas rëndësisë që ka ky libër, për artistët shqiptarë.

“Ndoshta, Shqipëria është i vetmi vend në botë, që s’e ka të përkthyer Traktatin. Unë e kam botuar në vitin 1992 në një revistë, edhe shumë ide prej tij i kam shtjelluar në formë eseistike edhe tek “Kështu foli Mona Liza”, por, artistët e Shqipërisë duhet ta kishin në mënyrë autonome”.

Traktati ishte konceptuar nga Da Vinçi, në dy pjesë. Në të parën, trajton parimet ideologjike edhe filozofike të pikturës, ndërsa në të dytën, gjeniu i artit sugjeron disa rregulla. Ndërsa, studiuesi shpreh disa nga arsyet se, përse tablotë e Da Vinçit, vazhdojnë të diskutohen edhe sot.

“Rëndësia e imazhit është që nuk ka kohë për ta shijuar. Muzikën, orkestra duhet ta nisë nga fillimi, ndërsa piktura shikohet dhe kuptohet me një të dhjetën e sekondës. Përparësia e pikturës, sipas Da Vinçit, është që nuk ka nevojë për përkthim. Shijohet në mënyrë të drejtpërdrejtë. Pjesa e dytë, në këtë libër ka të bëjë me analizën e Paul Valery-së, rreth tij. Ndërsa, dy tablotë e tij më të diskutuara, sipas meje, janë “Darka e fundit” dhe “Gjon Pagëzori”.

Studiuesi rrëfen sesi “Traktati” i Da Vinçit, ka ndikuar në vëzhgimet, por edhe në konceptimin e tij, në mënyrë shkencore mbi sekretet e natyrës dhe perceptimet e tij vizuale.

“Mendoj, se ka ndikuar shumë. Kulturalisht, kam pasur një prirje që ka qenë e stimuluar prej tij, “ç’është shkenca edhe ç’është piktura, etj.”, ndoshta jam i vetmuar, në kuptimin që askush s’ka lexuar kaq shumë libra për subjektin e Da Vinçit, për ta lidhur me studimet shqiptare”.

Pas vdekjes së Leonardo da Vinçit, materiali iu besua Francesco Mlezit, ndërsa, në shqip libri mban si kopertinë një nga tablotë më të diskutuara në botë, portretin “Salvatore Mundi” dhe analizën nga Paul Valery, mbi Traktatin. /konica.al/ KultPlus.com

‘Madhështia e njeriut nuk bazohet në pasuri dhe forcë, por në karakter dhe mirësi’

Anna Frank është vajza që vdiq në vitin 1945 në kampin e përqendrimit Bergen-Belsen, në Gjermani. Ajo u bë e famshme kur ditari i saj iu publikua pas vdekjes, në përfundim të Luftës së Dytë Botërore, shkruan KultPlus.

Sot, në Ditën Ndërkombëtare të Holokaustit, KultPlus ju sjell disa nga thëniet më të fuqishme të kësj vajze që tashmë konsiderohet si zëri i të gjitha viktimave të Luftës së Dytë Botërore.

-Madhështia e njeriut nuk bazohet në pasuri dhe forcë, por në karakter dhe mirësi.

-Njerëzit mund të të thonë mbylle gojën, por kjo nuk të ndalon e as nuk të pengon që të kesh mendimin tënd.

-Mund të jesh i vetmuar madje edhe atëherë kur shumë njerëz të duan, nëse për askënd nuk je një dhe i vetëm.

-Pse disa njerëz duhet të durojnë urie, përderisa ne viset tjera të botës ka tepricë? Oh, pse njerëzit janë ashtu të çmendur.

-Prindërit mund të japin këshillë të mirë ose ta orientojnë fëmijën në rrugë të drejtë, por përfundimisht formimi i karakterit të ndokujt qëndron në duart e tij.

-Megjithëse jam 14 vjeçe, e di mjaft mirë se çfarë dua, e di çfarë është e drejta dhe çfarë është e gabuara.

-Kam opinionet e mia, idetë e mia dhe pariemt e mia, dhe megjithëse mund të duket çmenduri për një adoleshente, ndihem më shumë përson se sa fëmijë, ndihem më e pavarur se çdokush.

-Pavarësisht gjithçkaje unë besoj akoma që njerëzit kanë një zemër të mirë.

-Unë nuk mendoj për gjërat e trishta, por për gjithë gjërat e bukura që kanë mbetur ende.

-Kush do ta besonte se gjithë këto vuajtje i kaloi një vajzë e vogël?

-Çdokush ka brenda vetes diçka të mirë. Gjëja e mirë është se ti nuk e di se sa i madh mund të jesh, sa shumë mund të duash, çfarë mund të arrish dhe cili është potenciali yt.

-Çfarë është bërë nuk mund të zhbëhet më, por mund të parandalohet që të ndodhë sërish./ KultPlus.com

Shkrimtari Gani Mehmetaj kërcënohet me armë zjarri

Gani Mehmetaj, shkrimtari dhe publicisti i njohur shqiptar, është kërcënuar me armë zjarri në shtëpinë e tij, shkruan KultPlus.

Këtë e ka bërë të ditur vetë shkrimtari përmes një postimi në llogarinë e tij personale në Facebook, ku ka shprehur shqetësimin e tij rreth këtij kërcënimi.

Mehmetaj ndër të tjerash është shprehur i pakënaqur edhe me policinë, pasiqë këta të fundit kanë qenë vetëm një herë në shtëpinë e Mehmetajt për hetime dhe më nuk kanë reaguar rreth kësaj çështjeje.

”Paralajmërimin (kërcënues) e mora!

Miq e dashamirë. Javën e kaluar me gjuajtën me armë zjarri në shtëpinë time, në dhomën e fjetjes. Predha e theu qelqin e parë, por u ndal në parvazin e dritares, në pjesën e aluminit, që ia ndryshoi drejtimin.
Erdhi policia, erdhën edhe hetuesit, maten e çmatën dhe shkuan. E morën predhën e armës që ta analizojnë në laborator. Policia shikimin e bënë të shtunën, por që nga ajo ditë nuk u dukën më.
Paralajmërimin kërcënues e mora, por tekstet që u nuk i pëlqeu dikush nuk i tërheq dot, sepse i pushtuan portalet shqipe si asnjëherë më parë.
Përmes miqve e lajmërova Ambasadën amerikane. Miqtë tjerë më lajmëruan me telefon se e kanë takuar e lajmëruar edhe OSBE e institucionet e Kosovës. ”, thuhet në postimin e Mehmetajt. / KultPlus.com

Arilena Ara e konfirmon pjesëmarrjen në Eurovision in Concert

Është konfirmuar pjesëmarrja e Arilena Arës në Eurovision in Concert.

Përfaqësuesja shqiptare në Eurovizionin e vitit 2020 do të jetë pjesë edhe e Eurovision in Concert, spektaklit që mbahet para Eurovizionit por shërben si ngjarje promovuese e këngëve.

Në Amsterdam, me 4 prill, Arilena Ara do të performojë edhe këngën “Shaj”, me të cilën e fitoi Festivalin e Këngës në TVSH dhe me të cilën do ta përfaqësojë Shqipërinë dhe shqiptarët kudo në Eurovizion.

Kjo do të jetë një mundësi e mirë për të parë performancën e parë të Arilenës para fansave evropianë, pasi fitoi në TVSH.

Deri në muajin prill do të dihen gati shumica e këngëve pjesëmarrëse në Eurovizion dhe garat pritet si zakonisht të jetë e fortë, shkruan KultPlus. Arilena megjithatë është vokal i fuqishëm dhe pritjet e shqiptarëve janë të mëdhaja.

Eurovizioni i 65-të me radhë do të mbahet me 12,14 dhe 16 maj të këtij viti në Roterdam të Holandës.

Arilena Ara do të jetë përfaqësimi i 17-të me radhë i Shqipërisë në Eurovizion. Shqipëria ka debutuar në Festivalin Evropian të Këngës në vitin 2004.  / KultPlus.com

‘Ju lëntë në vend sëmundja, pjella e juaj jua marrtë fytyrën’

(Në qoftë ky njeri –
Primo Levi, përkthyer nga Arbër Zaimi).
Primo Levi ishte shkrimtar i madh, i shpëtuar nga Holokausti. Sot bota kujton më shumë se kurrë Holokaustin – gjenocidin e madh dhe krimin e madh ndaj hebrenjve.

“Ju që jetoni të sigurtë
Në shtëpitë tuaja të ngrohta
Ju që kur ktheheni në mbrëmje gjeni
Gjellë të nxehtë e fytyra të dashura
Mendohuni pak, a është vallë burrë ky
Që punon në baltë,
Që kurrë s’njeh prehje,
Që lufton për gjysmë cope bukë,
Që vdes për një po a për një jo.

Konsideroni a është vallë grua kjo
Pa flokë e pa emër,
Pa forcë për të mbajtur mend,
Të zbrazët sytë, të ftohtë mitrën
Si një zhabë gjatë dimrit.

Mendohuni mirë pra, sepse këto kanë ndodhur:
Jua urdhëroj këto fjalë
T’i skalitni në zemrat tuaja
Kur jeni në shtëpi apo kur ecni nëpër rrugë
Duke u shtrirë apo duke u çuar;
Përsëritjani bijve tuaj.
E nëse s’e bëni, ju rrënoftë shtëpia,
Ju lëntë në vend sëmundja,
Pjella e juaj jua marrtë fytyrën.”

‘Nuk kam nevojë për makina e shtëpi luksoze, çdo muaj dërgoj në shtetin tim para për njerëzit e mi’

Futbollisti senegalez Sadio Mane u përqesh nga disa fansa të tij por edhe të tjerë, për faktin se u fotografua me një telefon me xham të plasaritur.

Meqë shoqëria nuk e duron faktin që një i famshëm të ketë diçka të shkatërruar apo të rëndomtë, dukuri kjo e tmerrshme, Mane e pati një përgjigjje për këto ‘sulme’ ndaj tij.

“Pse makina luksoze, orë diamanti apo aeroplanë? Çfarë do të bëjnë këto objekte për mua dhe botën? Isha i uritur dhe duhej të punoja. I mbijetova kohëve të vështira. Kam luajtur futboll zbathur. Nuk kisha edukim. Me atë që fitoj falë futbollit, mund t’i ndihmoj njerëzit e mi. Unë ndërtova shkolla dhe një stadium. Ne ofrojmë rroba, këpucë dhe ushqim. Në rajonin tim të origjinës në Senegal, dërgoj një pagë shtesë prej 70 euro në muaj për të gjithë ata që kontribuojnë në familjen e tyre. Nuk kam nevojë të ekspozoj makina luksoze, shtëpi luksoze, udhëtim madje me aeroplanë. Preferoj që njerëzit e mi të marrin disa nga ato që mua më ka dhënë jeta.

Kësisoj u përgjigj kritikave 27 vjeçari nga Sedhiou i Senegalit, i cili thuhet se ka një pasuri prej 18 milion dollarësh, shkruan KultPlus.

Ai momentalisht luan për Liverpool dhe për kombëtaren e Senegalit. Padyshim ai është një ndër futbollistët më të mirë në botë. / KultPlus.com

Shkolla gjermane e artit që zgjati vetëm 14 vjet, por ndikoi në gjithë botën

”Nazistët nuk e mbyllën shkollën Bauhaus sepse ishte moderne apo se nuk i pëlqente produktet e saj, por sepse nuk e pranonin ekzistencën e lirë të mendjeve të pavarura”, kështu tha arkitekti Arbër Sadiki gjatë një leksioni të mbajtur në Shkodër në kuadër 100-vjetorit të Bauhaus.

Ai u ndal gjithashtu edhe te fati i arkitekturës në sistemin totalitar të Shqipërisë para viteve 1990, një fat sipas tij krejtësisht i ndryshëm me arkitekturën në Kosovë dhe ish-Jugosllavi.

Leksioni i arkitektit të njohur nga Prishtina ishte pjesë e një serie aktivitetesh që e futën Shkodrën në listën e qendrave botërore të cilat shënuan 100 vjetorin e themelimit të Shkollës së famshme të artit, dizajnit dhe arkitekturës – Bauhaus.

Aktiviteti Bauhaus Shkodra, i organizuar nga Ambasada Gjermane në Tiranë dhe Organizata GO2, u mbajt në shkollën e mesme jopublike Atë Pjetër Meshkalla, një kompleks ndërtesash moderne e frymëzuar nga stili i pastër dhe funksional Bauhaus.

Me këtë rast, atasheu kulturor gjerman, Enrique Guenther, shprehu kënaqësinë për organizimin e këtij aktiviteti në Shkodër, ndërsa Drejtorja ekzekutive e Organizatës GO2, planifikuesja urbane Eltjana Shkreli u shpreh optimiste për ripërtëritjen e arkitekturës shqiptare.

Të pranishmit ndoqën filmin dokumentar “Shpirti i Bauhaus: 100 vjet Bauhaus” (“Vom Bauen der Zukunft 100 Jahre Bauhaus”), prodhim i vititi 2018, me regji të Niels Bolbrinker dhe Thomas Tielsch.

Në fund, ata patën rastin të kundrojnë nga afër ekspozitën e fotografit berlinez Jean Molitor, me titull “Bau1haus – a phoho trip around the world”, në të cilën u paraqitën fotografi nga disa prej vepave më domethënëse të arkitekturës së frymëzuar nga Bauhaus në Gjermani, Europë dhe në mbarë botën.

Bauhaus ishte një shkollë idesh dhe një fushë për eksperimentimin në artet e lira dhe artet e aplikuara, dizajn, arkitekturë dhe metoda edukimi. Kjo shkollë arti u hap nga Walter Gropius nga 1919 deri më 1933 dhe kombinoi artizanatin me artet e bukura./syri.net/ KultPlus.com

Faton Bislimi prezanton librin e tij mbi shpëtimin e hebrenjve nga shqiptarët, në Universitetin e Harvardit

Faton Bislimi, autori dhe filantropisti shqiptar, ka prezantuar në Universitetin e Harvardit, librin e tij që trajton rrëfime të ndryshme mbi shpëtimin e hebrenjve nga shqiptarët e Shteteve të Bashkuara, gjatë holokaustit, shkruan KultPlus.

Gjatë qëndrimit dhe studimeve të tij në Shtete të Bashkuara, Faton Bislimi njihet edhe si kontribues i madh, për ndihmën që u ka bërë studentëve shqiptarë që kanë ndjekur studimet e tyre në Amerikë dhe Kanada.

Ndërsa, lajmin për prezantimin e librit të tij në Universitetin e Harvardit e bëri vetë Bislimi, përmes një statusi në llogarinë e tij personale në Facebook, duke u shprehur tejet krenar me kontributin heroik që populli ynë ka dhënë në një periudhë mjaft të rëndë të historisë moderne evropiane.

”Sot, pta nderin e veçantë që në bibliotekën e ‘John F.Kennedy School of Government Harvard University’ (Shkollës Postdiplomike të Qeverisjes, Universiteti i Harvardit), së bashku me miqë të mirë, të dorëzojë librin tim mbi rrëfimin e shpëtimit të hebrenjve nga shqiptarët gjatë Holokaustit! Ky rrëfim, që në këtë libër vjen si kontribut i punës së jashtëzakonshme akademike dhe hulumtuese të znj.Shirley Cloyes DioGuardi, Kongresistit DioGuardi, z.Lekë Rezniqi nga Shoqata e Miqësisë Kosovë-Izrael dhe z.Agim Alickaj, tash e tutje do të jetë në dorën e hulumtuesëve të Harvardit. Krenar me ”besën”, si vyrtytin e traditën tonë që ka qenë bazament i karakterit shqiptar, e që sot na duhet më shumë se kurrë!”, thuhet në statusin e Bislimit. / KultPlus.com

Kalendari Albanian Excellence-Zonjat që bëjnë Shqiptarinë 2020 do të promovohet në KultPlus Caffe Gallery

Kalendari Albanian Excellence-Zonjat që bëjnë Shqiptarinë 2020, do të promovohet në mbrëmjën e 31 janarit në ambientet e KultPlus Caffe Gallery në Prishtinë, në praninë e zonjave që morën këtë titull, gjatë një mbrëmjë Gala të zhvilluar në Tiranë në dhjetor të vitit të kaluar, sipas një ideje dhe realizimi të Qendrës Albanian Excellence, një qendër e cila promovon prej tetë vitesh suksesin shqiptar kudo është.

Ky kalendar i cili botohet për herë të parë me këtë ide, do të promovohet për herë të parë në ambientet e KultPlus Caffe Gallery, një institucion i cili prej disa kohësh është kthyer në një tribunë të promovimit të vlerave më të mira të kulturës shqiptare dhe të shqiptarëve në botë.

Do të jetë një mbrëmje miqësore dhe po ashtu edhe maratonë e historive të suksesit të këtyre zonjave, pjesë e këtij kalendari , të cilat do të tregojnë se cili ka qenë celësi i suksesit të tyre, si dhe i prezantimit të iniciativave të përbashkëta që ato do të mund të organizojnë gjatë vitit 2020. Ideja për të bërë një kalendar me Zonjat që bëjnë Shqiptarinë, lindi në vijim të punës që Albanian Excellence vijon të zhvillojë në vazhdën e aktivitetit të saj shumë dimensional në përvijimin e suksesit të zonjave shqiptare kudo janë.

Kalendari që bën bashkë këto zonja suksesi, është një hap ndaj më të mirës së kombit tonë, vlerave të pakushtëzuara që këto zonja kanë nga fusha dhe mendime të ndryshme dhe që u bënë së bashku në një natë dhjetori të vitit të kaluar për të marrë jo vetëm vlerë nderi, por për të qenë së bashku edhe në ide, aktivitete, që së bashku do të organizojnë gjatë vitit 2020. Dhe ku më mirë se në një kalendar të një viti ato do të mund të ishin së bashku muaj pas muaji, ditë pas dite, orë pas ore … !!! Veshur me kostumet e krijuara mbi një stil unik mbi kostumet popullore te juglindjes së Shqipërisë, të Bela Macit, por dhe me kostume popullore autentike që vijnë nga treva të ndryshme të Shqiptarisë, disa nga Zonjat që bëjnë Shqiptarinë, pozuan natyrshëm përpara aparatit të fotografit zyrtar të Albanian Excellence, Olsi Beci , përpara Arbërie Etehemi përtej Atlantikut, por dikush dhe përpara njerëzve të dashur. Pozuan në muret antike të amfiteatrit me vlera të papërsëritshmë në Durrës, në një koncert, në një kulm shtëpie,buzë një liqeni që është si në përrallë , për të qënë bashkë në vitin 2020, në 12 muaj e në 360 ditë. Albanian Excellence, një qendër modeste , ka si objeksion të sajin evidentimin e vlerave më të mira të kombit tonë të stërlashtë por të brejtur nga hakërima dhe brenga të shumta. Në tetë vitet e jetës së saj deri më tani më 10 botime, ajo ka ditur të tregojë se është në udhë të mbarë në evidentimin dhe fuqinë e madhe që ka vlera shqiptare kudo është. I ka treguar thjesht sic është vlera dhe fuqia që di të japë ajo . Ashtu si edhe ky kalendar që fton të jemi së bashku në aureolën e dinjitetit dhe të vlerës që dinë të japin Zonjat shqiptare kudo që ato janë . Mbrëmja me zonjat do të mbahet më 31 janar, në KultPlus Caffe Gallery, në ora 19:00./KultPlus.com