Ndërron jetë aktori i njohur hollivudian Kevin Conway

Kevin Conway është ndarë nga jeta. Lajmin për ikjen e dha menaxheri i tij.

Ai është shprehur se vdekja erdhi e papritur, pasi Kevin nuk vuante nga ndonjë sëmundje. Conway ndërroi jetë në moshën 77-vjeçare dhe për publikun është bërë i njohur nëpërmjet disa roleve.

Kulmi i karrierës së tij ka qenë në dramën “Oz”, në të cilën Kevin luante rolin e Seamus O’Reilly. Ai gjithashtu është i njohur për publikun edhe si aktori që bëri zërin e Mark Twain. /KultPlus.com

Malisheva ndezi qirinj në shenjë nderimi për Nexhmije Pagarushën

Në shenjë nderimi për bilbilin e muzikës dhe kulturës shqiptare, Nexhmije Pagarusha, sonte në Malishevë, pranë muzeut të qytetit, qytetarë të shumtë kanë ndezur qirinj.

Komuna e Malishevës, përmes një njoftimi për media, tha se ceremonia e ndezjes së qirinjve është shoqëruar me këngët e Bilbilit të Kosovës, Nexhmije Pagarusha, të kënduara ndër vite.

Në këtë aktivitet morën pjesë familjarë të Nexhmije Pagarushës, kryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj, i shoqëruar nga drejtorët e drejtorive komunale, përfaqësues të subjekteve politike që janë të përfaqësuar në Kuvendin e Komunës, si dhe qytetarë të tjerë, të të gjitha moshave.

Kujtojmë se Nexhmije Pagarusha, bilbili i Kosovës, ka vdekur dje në moshën 86 vjeçare.

Nexhmija u lind më 7 maj 1933 në fshatin Pagarushë të Malishevës. /KultPlus.com

Poezia që Din Mehmeti ia kushtoi Nexhmije Pagarushës

Kjo është një poezi të cilën Din Mehmeti e ka shkruar për Nexhmije Pagarushën. Edhe pse ka botuar disa proza, kritika letrare dhe një dramë, Din Mehmeti njihet kryesisht për poezinë e tij figurative, e cila është botuar që nga viti 1961 deri në vitin 1999 në 16 vëllime. Poezinë e parë e botoi në vitin 1949 në revistën letrare Jeta e Re.

Këngës i dolën flatrat

Këndoi e këndoi
Derisa u shndërrua në këngë.

Dashuria për jetë
Ia mori zërin

Këndoi e këndoi
Derisa shkundi shkrumbin
E shpirtit të vet
Derisa bulëzuan pranverat
Në zemrat e njerëzve

Këngës i dolën flatrat
Ajo tash fluturon
Mbi të gjitha fatkeqësitë
E vdekja s’ka ç’t’i bëjë.

Distria Krasniqi e artë në Paris

Xhudistja Distria Krasniqi, është fituese e Grand Slam-it të Parisit në kategorinë -52 kilogramë.

Ajo përballë kishte italianen Giuffrida Odetta.

Krasniqi e fitoi me anë të një “Wassari”, duke e rrëzuar kundërshtarën.

Po ashtu gjatë ndeshjes italianja mori edhe dy vërejtje nga gjyqtari.

Distria Krasniqi merr medaljen e parë të artë në Grand Slam. /KultPlus.com

“Krahët kur m’i zgjat ti unë të përqafoj, mbaju zemër se tani dua për ty të rroj”

Haki Misini vokalisti i grupit “Mak” të formuar në Mitrovicë më 1973, vazhdon të mbetet figura kryesore që solli një frymë të re në historinë e muzikës rok në Kosovë, shkruan KultPlus.

Haki Misini është vrarë nga forcat serbe gjatë vitit 1999, tri orë para se të nënshkruhej marrëveshja për ardhjen e forcave të NATO-së në Kosovë, duke e lënë një zbrazëti të madhe në familjen e tij dhe në artin kosovar.

Këngët e tij më të njohura janë: ‘Fuqia e dashurisë’, ‘Në syrin tënd pashë një lot’, ‘Dashuri e humbur’, ‘Moj e mira te pojata’ etj. Këngë këto që dëgjohen edhe sot e kësaj dite që kanë kaluar më shumë se 20 vite prej publikimit të tyre,

KultPlus ju sjell njërën këngën “Fuqia e dashurisë”, një lirikë e ndjerë që hyn në plejadën e këngëve shqipe, dhe padyshim është njëra nga këngët më të pëlqyera të Haki Misinit. /KultPlus.com

Kur Nexhmije Pagarusha mbulohej me lule në Shkodër

Shkruan: Isa Alibali

Personaliteti i parë artistik nga Kosova, që erdhi në Shqipëri në vitet ‘70, ishte Nexhmije Pagarusha, zëri brilant i së cilës dhe emri i saj i madh qarkullonin gojë më gojë.

Ishte prilli i vitit 1971

Ardhjen e saj në Shkodër e pritëm si një ngjarje me rëndësi. Jo vetëm thjeshtë se emri dhe kënga e saj ishin kthyer në simbol, por edhe pse vinte nga Kosova jonë. Në repertorin e saj të pasur, një vend të rëndësishëm zinin këngët që ishin krijuar ose krijoheshin e këndoheshin në Shqipëri.

Ylli i këngës shqiptare, Nexhmije Pagarusha (Nexhmije domethënë yll),është lindur në vitin 1933, në Pagarushë të Malishevës. Që në fëmijëri dhe më vonë u vu re një talent i jashtëzakonshëm dhe tërhoqi vëmendjen e të gjithëve, nga zëri i bukur i saj.

“A thua lindi një yll i këngës” pëshpëritnin njerëzit kur e dëgjonin duke kënduar. Dhe i admironin bukurinë e pamjes, të shpirtit dhe të zërit. E lindur artiste, në fillim u mor edhe me teatër dhe është ndër femrat e para në Kosovë në këtë gjini të artit,

krahas Meribane Shalës dhe Katerina Josipit, të dyja aktore të shquara kosovare. Por ndryshe prej tyre, ajo kishte edhe një aftësi tjetër: kishte zërin e mrekullueshëm. Kishte lindur për t’u bërë këngëtare dhe iu kushtua këngës, që ta këndonte e ta interpretonte atë me mjeshtri. Vetëm 15 vjeçe, me ndrojtje dhe e pasigurt në vetvete, ajo u fut në studion e Radio-Prishtinës.

Hyri në atë sallë të mbyllur e të vogël për t’u bërë e madhe, për të mbetur përjetësisht besnike e këngës. Me zërin e saj të ëmbël, të çiltër dhe kumbues, shpejt i bëri për vete të gjithë admiruesit e këngës shqiptare.

-Nuk kam parë shkëlqim më të bukur që del nga shpirti i njeriut, se sa tek ajo.

-Ka zë të artë e të kristaltë…

-Kur këndon Nexhmija, heshtin edhe zogjtë këngëtarë.

Kjo jehonë e zërit të saj të veçantë bëri që të quhet me meritë “Bilbili i Kosovës”

Kënga e saj

Kënga e saj jehoi nëpër botë, në Izrael, SHBA, Gjermani, Austri, Itali, Bullgari, Tunizi, Francë, Çekosllovaki dhe, vonë, shumë vonë edhe në Shqipëri. U bë shpejt ambasadore e miqësisë midis popujve, ambasadore e këngës shqipe. Kudo sillte mallin e vendlindjes. Shqiptarët e Kosovës i përtërinte, i mallëngjente, i mbushte me jetë.

…Në hollin e Shtëpisë së Kulturës dhe të Krijimtarisë Popullore të Shkodrës, atë mbasdreke të prillit 1971, ishin mbledhur shumë artistë, për të pritur këngëtaren e madhe.

Nexhmije Pagarusha hyri qetë – qetë në tempullin e kulturës shkodrane, në atë institucion ku prej dekadash kishte ushtuar zëri i qindra artistëve të talentuar, aty ku ishin përgatitur dhe kishin ecur në hapat e tyre të para shumë nga artistët më të shquar të artit tonë kombëtar.

Gjatë përshëndetjes shihej në fytyrën e saj një buzëqeshje e ngrohtë, e çiltër, me lëvizje plot finesë, që shoqërohej me një zë të ëmbël. Edhe kur fliste, sikur këndonte. Ndoshta na dukej ne kështu, nga që e shikonim me adhurim dhe me kënaqësi të veçantë.

Ajo u ndal te secili në veçanti, duke i thënë nga ndonjë fjalë të ngrohtë e të ëmbël. Kaluan vetëm pak çaste dhe ajo na u bë më e afërt, sikur të kishte qenë prej kohësh mes nesh.

Atë natë të ardhjes së Nexhmije Pagarushës në Shkodër të gjithë përjetonim një gjendje të veçantë kënaqësie. Ajo fliste qetë, bukur, këndshëm, hareshëm. Dhe buzëqeshte. Ndiente kënaqësi edhe ajo se ndodhej mes artistëve shkodranë. Na foli, na tregoi shumë gjëra, për veten, por edhe për të tjerët.

– Mbeta jetime nga nëna që në moshën katër vjeçe. Babai im ishte ndër mësuesit e parë të zonës. Kishte dëshirë që edhe unë të bëhesha shembulli i femrës së shkolluar shqiptare…

Kënga e bukur kosovare, shqiptare dhe, në këtë vështrim edhe ajo shkodrane, vulosi fatin tim…. Në vitin 1950 shkova në Beograd, ku këndova këngën “Dashnor t’u bana”, këngën e bukur shkodrane. Kalova me sukses konkursin dhe hyra në rrugën e afirmimit.

Këndoja vetëm shqip, vetëm këngë shqiptare, ashtu si: Marije Kraja e Tefta Tashko Koço, ashtu si Vaçe Zela, Luçije Miloti, Naile Hoxha e Drita Papajani e sa e sa të tjera, ashtu si Bik Ndoja e Xhevdet Hafizi, që i dëgjonim me ëndje e me kënaqësi të veçantë.

Bëri një pauzë, hodhi një vështrim drejt nesh, me sa dukej për të verifikuar në se kishte tërhequr si duhej vëmendjen tonë. Në fakt ne ishim përqendruar aq shumë në fjalët e saj, sa që i përpinim ato me një ndjenjë ngazëllimi. Ajo vazhdoi:

– Dëgjoja këngën e bilbilit. Dëshiroja të bëhesha bilbil… Dëgjoja gurgullimën e përroit, zemrën dëshiroja ta gdhend për atë shushurimë, që vetëm natyra di të na dhurojë…Kur dëgjova zërin tim, nxënëse e gjimnazit, u befasova, u frikësova, këndova edhe një herë, edhe dhjetë herë.

Frika më pështillte, mos vallë është një burim i rastit, do të shteret shpejt? Dhe nisa të këndoj para shoqeve e shokëve, në shkollë e jashtë saj. Njerëzit pas këngës sime duartrokisnin dhe kërkonin të këndoja edhe më!…

Jam munduar ndonjëherë ta fikë atë zjarr vetë, në momente të vështira, që t’i ikë këngës, por thonë se kur e mëson bilbili këngën e tij, të vetmen, nuk i ndahet gjer në vde.kje, e njeriu di aq shumë këngë, të dashura, secila si kënga e bilbilit, si mund të ndahet prej këngëve, si?!… Këndoja sikur kisha në fyt dhjetë, një mijë bilbila…

Fjalë zemre

Ishin fjalë zemre, prandaj ne duartrokitëm fort, gjatë. Ishte një krahasim shumë i gjetur, që na pëlqeu e na bëri përshtypje të madhe.

– Kënga ime është e imja, deri sa gjendet në mua, në zemrën time. Kur niset në udhëtim, ajo është e secilit njeri. Unë humbas e ata fitojnë…Jam e kënaqur kur më falin një lule të vogël dhe një buzëqeshje të madhe. Jam e kënaqur kur dy e tri herë rresht sillet disku me këngën time.

Më pëlqen kur dëgjoj atë fjalën magjike: “Bis, bis, bis” dhe këndoj edhe aq sa nuk mundem. Kënga edhe më lodh edhe është pushim për mua. Kur është e bukur kënga, kur pështillet në zëmrën time, kur ma ndez fytin, dua një minutë e më parë ta hedh prej kraharorit, si një flakë që s’fiket dot, si zjarr e llavë vullkani.

E t’i ndez zemrat e njerëzve, sepse melhem është kënga.( Shih për më gjatë intervistën e bërë nga Maksut Shehu, botuar në Prishtinë në gazetën “RILINDJA”, 14.6.1970) Fliste me emocion, por bukur, qartë dhe kuptueshëm. Fjala e saj e këndshme dhe e ngrohtë të bindte se talenti nuk mësohet, ai është i lindur.

– Kështu ecëm ne, kështu u rritëm, me ju në zemër e në shpirt dhe u bëmë këta që jemi, së bashku me krijuesit tanë që sapo filluan të kompozonin. Ju keni mundësi të shprehni kënaqësinë tuaj, unë…jo, – dhe një lëmsh emocioni e pushtoi në grykë, kurse në sytë e saj të bukur u duken lot. Pastaj, duke e marrë disi veten, shtoi: – Bilbili duhet të këndojë i lirë, s’e duron kafazin…

Nënkuptimi ishte i qartë. Por ende nuk e njihte sa duhet mirë realitetin tonë.

– E ëndërroja ardhjen në Shqipëri. Dhe ja, erdha, së bashku me mikun tim Zef Tupeci. Jam e nderuar që më shoqëron në Shkodër artisti i madh Avni Mula, tek i cili edhe ne, shqiptarët e Kosovës kemi pjesën tonë…

Dhe qeshi, Ne duartrokitëm me entuziazëm.

-Kur isha në Tiranë, më ftuan në koncertin e Ansamblit Shtetëror të Këngëve dhe Valleve Popullore, në një koncert të mrekullueshëm, ku e ndjeva veten të lumturuar. Këndova “Bareshën” time të preferuar për mua dhe dëgjuesit e shumtë të saj.

Kur këndova këngën “Unë ty, moj, të kam dashtë”, këngë e mirëfilltë dashurie, më dukej sikur shprehja dashurinë e madhe që kam për Shqipërinë tonë amë, të cilën e kemi të gjithë në mendje e në zemër. /KultPlus.com

Gjithçka gati për ceremoninë e “Oscars 2020”

Gjithçka është gati ose pothuajse gati në Los Angeles për natën e madhe të filmit. Ceremonia për edicionin e 92-të të ”Oskar”, mbrëmjen e së dielës, është vetëm kulminacioni i një seri festimesh dhe ngjarjeve në të cilat marrin pjesë VIP-a dhe të famshëm dhe që e bëjnë qytetin e engjëjve vendin e kultit për momentin.

Filmi më i mirë

Sipas parashikimeve më të besueshme, ‘Viti 1917’ do të jetë fitues i statujës së lakmuar për ‘filmin më të mirë’.

Aktori më i mirë

Duket se Joaquin Phoenix është i destinuar të fitojë Oskar për interpretimin e tij në filmin ‘Joker’.

Aktorja më e mirë

Edhe aktorja më e mirë duket se tashmë është në duart e Renee Zellweger, interpretuesja kryesore e filmit ‘Judy’ me regji nga Rupert Goold.

Nata e Çmimeve të mëdha nuk është vetëm e Oskar-it. Ethet e statuetave tashmë janë të larta sidomos edhe në kuzhinë ku imagjinata dhe krijimtaria shkojnë krah për krah me temën kryesore që mbetet statuja e Oskar. Për 500 të ftuarit është gati një ushtri prej 200 personash në kuzhinë për të përgatitur një menu që është 70% me bazë bimore. /KultPlus.com

Duartrokitjet në Shqipëri

Nga: Ibrahim Kadriu

Një paradoks: nuk mund të kuptohej kush kë e çmonte më shumë, këngëtarët e Kosovës kolegët dhe koleget e tyre në Shqipëri, apo e kundërta.

Vajtja e ansamblit “Shota”, me këngë dhe valle të “kombeve dhe kombësive” në Shqipëri, dhe paraqitja e këtij ansambli me koncerte në shumicën e qyteteve, ishte një, si i thoshin atje, surprizë, që në përkthim në gjuhën e thjeshtë tonën do të thotë – befasi. Ajo befasi, mbase, ishte e dyanshme: opinioni shqiptar bënte “hyxhym” drejt sallave të koncerteve ku do të paraqiteshin këngëtarët nga Kosova, bile në raste ai “hyxhym” nxiste edhe sjellje më të vrazhdë të policisë, sikur në Korçë, për shembull.

Ishte përmallja, apo vërtet pëlqeheshin këngët e interpretuara nga mysafirët e ardhur nga Kosova, nuk mund të kuptohej, por entuziazmi i publikut ishte tej mase, sidomos kur në skenë ishte Nexhmije Pagarusha. Edhe pa atë entuziazëm të tyre, Nexhmija ishte e pushtuar nga një ndjenjë malli për atë tokë shqiptare, për njerëzit e atjeshëm, për qytetet… prandaj, falë asaj ndjenje, Nexhmija krijonte afërsinë duke iu hedhur aderuesve në përqafim, herë-herë edhe duke qarë… por gjithnjë me këngën në prani të tyre, qoftë edhe jashtë skene, domethënë në ambient hoteli ku shtroheshin darkat, drekat… si në Berat, për shembull: në orët e mbrëmjes të asaj dite pranvere, që Berati e ka sharmin e veçantë, ndodhemi në hotel “Turizmi”, shkruan sot Koha Ditore.

Është mbrëmje për relaksim shpirtëror, për “muhabet” me Nexhmije Pagarushën në ballë. Ajo i dha vetes të drejtë të furnizohet me emocione edhe duke i ngre disa gota, për të qenë në elementin e saj, jo vetëm si këngëtare, por edhe si aktore. Këndim dhe aktrim, njëherësh: këndim i këngës “Hava Nagila”, që për mesin shqiptar ishte diçka e rrallë, për çka ata ndiheshin jashtëzakonisht të lumtur që iu kishte rastisur të gjendeshin në atë ambient ku Nexhmija ia thoshte asaj kënge me një përjetim të rrallë.

Shtytje ishte edhe mjeshtëria e Ferdinand Dedës, duke e përcjellë me harmonikën e tij, duke i dhënë shkas këngëtares të shprehej në mënyrën më të përshtatshme …Ishte kënaqësi e dyanshme, për opinionin shqiptar që e shihnin drejtpërdrejt Nexhmije Pagarushën për të cilën kishin dëgjuar aq shumë, por edhe për ne, si mysafirë, tek përballeshim me prezantimin mjeshtëror të Ferdinand Dedës për të cilin mësuam, me atë rast, se kishte studiuar në konservatorin e muzikës në Pragë (në vitin 1961) dhe se ishte i detyruar të ndërpriste atje, për të vazhduar në Tiranë dhe se, që kur kishte qenë student, kishte udhëhequr orkestrën e RTSH-së dhe, nga ajo kohë e tutje, kishte udhëhequr sa e sa koncerte jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Itali, Turqi, Greqi… Atë mjeshtër muzike e kishim para vete, derisa i ndihmonte Nexhmijes ta bënte mbrëmjen aq të këndshme. /KultPlus.com

‘Ani mori nuse’ nga zëri hyjnor i Nexhmije Pagarushës (VIDEO)

Nexhmije Pagarusha me këngët e saj do të mbetet ikonë e papërsëritshme e muzikës shqiptare.

Këngët dhe muzika e saj ndër vite i kanë rezistuar kohës, për shkak të veçantisë së interpretimit të saj e përjetimit të rrallë artistik. Ajo ishte dhe do të jetë Bilbil, dhe nuk ka epitet tjetër më të denjë për të.

“Ani mori nuse” është një këngë që pothuajse çdokush e ka dëgjuar dhe e di tekstin e saj pasi që është interpretuar në organizime të ndryshme gazmore e nga interpretues të ndryshëm.

Kur flitet për këngë të njohura në kulturën tonë, kush mund t’i sjellë më mirë se ajo që identifikohet me titullin “Bilbili i Kosovës”.

Sot KultPlus e sjellë këtë këngë me tekst dhe me interpretim nga Nexhmije Pagarausha. / KultPlus.com

‘Unë kam kënduar nga shpirti, kurrë s’kam menduar as si po dukem e as ç’kam veshur’

Fragment i shkëputur nga libri “Ecje nëpër kujtesë” – bashkëbisedim mes Sanije Gashit dhe Bilbilit të Këngës Shqipe – Nexhmije Pagarushës.

“Çil njat zemër plot kujtime… Aaaaa, atë këngë e dua shumë, shumë! – ma kthen.
Jo jo nuk kam ndonjë kujtim të veçantë, por e dua, se më është përshtatur, e kam kënduar me shumë emocion! Në cilat vite? Eeh, unë datat nuk i mbaj mend, se kurrë nuk kam menduar që datat do t`më vyejnë, nuk kam menduar kurrë se unë paskam bërë një punë shumë të madhe, kjo është arsyeja e vetme, pse, vërtet nuk i mbaj mend. Për punën që kam bërë, Zoti ma ka dhënë zërin.

Kam dalë në skenë, kam kënduar dhe jam kthyer në shtëpi. Këto kanë qenë të vetmet momente të jetës sime kur kam menduar në këngën, jo ta interpretoj, se ndryshe është kur ti del para publikut dhe do ti tregosh – ja si këndoj unë, por unë kam kënduar nga shpirti, kurrë skam menduar as si po dukem, as ç’kam veshur. Gjithmonë kam pasur emocione të mëdha, tremë, porse kurrë nuk kam bërë ndonjë ‘kiks’.

Veçse një gjë e them, kur kam dalë në skenë unë kam pasur një fuqi mbinjerëzore! Si e tek, as vetë nuk e di…. / KultPlus.com

Në Teatrin Kombëtar të Kosovës po mbahen homazhet për Nexhmije Pagarushën (FOTO)

Sot në orën 08:00 të mëngjesit kanë filluar homazhet në hollin e Teatrit Kombëtar të Kosovës, të cilat pritet të vazhdojnë deri në orën 17:00, shkruan KultPlus.

Ndërkaq të nesërmen siç ka njoftuar Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sportit, nga ora 09:00 do të fillojë edhe ceremonia mortore, duke vazhduar më pasë edhe me akademinë përkujtimore kushtuar ikonës së muzikës shqipe, Nexhmije Pagarusha. / KultPlus.com

Media serbe: U shua Diva e muzikës shqiptare

Media serbe i ka kushtuar një vëmendje të veçantë humbjes së jetës së këngëtares së famshme të trojeve shqiptare, e njohur ndryshe si ‘Bilbili i Kosovës’. Nexhmije Pagarusha.

Artikulli titullohet ‘ Diva e muzikës shqiptare- Një artiste që pati një karrierë të pasur u shua në moshën 87 vjeçare’

Më poshtë mund të lexoni artikullin e plotë të përkthyer në gjuhën shqipe.

‘Ish artistja jugosllave dhe shqiptare Nexhmije Pagarusha ka ndërruar jetë në moshën 87 vjeçare, njoftoi familja e saj në Facebook.

Ajo mbaroi shkollën fillore në Malishevë dhe më pas ndoqi karrierën solo duke kënduar në Shkollën e Muzikës në Beograd për tre vjet. Pagarusha filloi karrierën e saj muzikore si soliste në Radio Prishtina në vitin 1948.

Në të njëjtën kohë u përfshi në dramën shqiptare të Teatrit Kombëtar Provincial të atëhershëm. Për mbi 40 vjet, ajo këndoi këngë popullore shqiptare, si dhe arie të famshme të operës.

Nexhmije Pagarusha ishte soliste me Radio Prishtinën dhe në ansamblin popullor Shota. Ajo kishte rreth 150 interpretime solo, ku vetëm një numër i vogël prej tyre u ruajtën.

Pagarusha regjistroi rekordet e para për PGP RT Beograd. Me interpretimet e saj ajo fitoi popullaritet të madh në Jugosllavi, Shqipëri dhe Bullgari të asaj kohe.

Kënga e saj më e njohur është “Baresha”, e kompozuar nga Rexho Mulliqi, sipas poetit Rifat Kukaj. Në karrierën e saj të pasur, ajo ka luajtur në 11 filma jugosllavë dhe shqiptarë.’-shkruan Kurir.rs. / KultPlus.com

https://www.kurir.rs/zabava/pop-kultura/3407311/preminula-diva-albanske-muzike-umetnica-koja-je-imala-bogatu-karijeru-preminula-u-87-godini

Inva Mula: Në vitet e 70-ta, gra elegante kemi parë vetëm nga ekrani, Nexhmije Pagarusha ishte e tillë

Ardianë Pajaziti

Sopranoja e njohur shqiptare Inva Mula është e trishtuar me vdekjen e artistes së madhe shqiptare Nexhmije Pagarusha, e cila ishte e njohur si “Bilbili i Kosovës”.

Sopranoja e njohur shqiptare Inva Mula është e trishtuar me vdekjen e artistes së madhe shqiptare Nexhmije Pagarusha, e cila ishte e njohur si “Bilbili i Kosovës”.

Inva Mula do të niset në Prishtinë për ti dhënë lamtumirën e fundit mikes së saj, mikes së familjes Mula, dhe ajo tregon se në heshtje do ti thotë gjithë dashurinë që ka për figurën e madhe Nexhmije Pagarusha.

Në intervistën e dhënë për KultPlus, Inva Mula tregon për takimin e parë me Nexhmije Pagarushën, dhe aura e kësaj gruaje e ka përcjellë pothuajse gjatë gjithë jetës.

“Isha e vogël, në vitet e 70-ta kishte ardhur Nexhmije Pagarusha në Shqipëri, dhe ajo në atë kohë u shoqërua nga dy prindërit e mi”, tregon Inva Mula, e cila këtë takim e shpjegon sikur të ishte një përrallë, pasi që, përpos që e shijoi performancën e saj në skenë, po në atë kohë qëndroi afër asaj gruaje që ishte plot bukuri dhe elegancë.

Bukurinë, elegancën, interpretimin dhe aurën e Zonjës Pagarusha i shpjegon me shumë emocion, që sipas saj, atë emocion nuk e ka përjetuar nga asnjë grua tjetër.

“Erdhi në vitet e 70-ta në Shqipëri, dhe e shoqëruar edhe nga prindërit e mi shkuam në një shfaqje baleti, mbaj në mend se Nexhmije Pagarusha u ul në të njëjtin rresht ku isha unë, nuk e harroj kurrë atë emocion, u ul afër meje një grua e bukur, një grua elegante, dhe më befasoi shumë në atë Shqipëri të zymtë të viteve të 70-ta, ne jo që kishim parë një grua të tillë, por një elegancë si të Nexhmijes e kishim parë vetëm nga ekrani”, tregon Inva Mula për praninë e Nexhmije Pagarushës.

“Kjo ishte Nexhmija, gruaja që më dha goditjen me elegancën e saj, që nuk më ka ndodhur me asnjë grua tjetër”, tregon Inva Mula.

Por eleganca dhe bukuria e Nexhmije Pagarushës do të forcohej një mbrëmje më vonë, pas asaj të shfaqjes së baletit. Kishte ardhur koha që në mbrëmjen e radhës, Nexhmije Pagarusha të ngjitej në skenë dhe të paraqitej me një koncert recital.

“E mbaj në mend atë koncert, jo zëri, jo interpretimi, po aura, aura e saj më mbërtheu. Unë shoh Nexhmijen të dubluar nga një rreze që kishte përgjatë gjithë koncertit, unë i shikoja gjithë rrezet që i lëshonte, pra trupi i saj, qenia e saj ishte e mbushur dhe e rrethuar  me këtë aurë, që e kanë shumë pak artistë, dhe kjo është një ndër kujtimet më të bukura që kam për Nexhmijen”, ka kujtuar Inva Mula.

Artistja shqiptare Inva Mula, Nexhmije Pagarushën e vlerëson figurë artistike që do të mbetet në histori, njësoj si figurat historike. “Nexhmija do të jetë në piedestal të këtyre figurave, sepse tek ajo u grumbulluan elemente, të cilat vështirë mblidhen tok së bashku vetëm në një personalitet të fortë.

Duke e vlerësuar edhe vokalin dhe shtrirjen e saj, Inva Mula ka vlerësuar këngën “Baresha”, dhe duke iu referuar potencialit të saj artistik, Mula ka thënë se Nexhmije Pagarusha për kohën dhe rrethanat që veproi u bë ikonë.

“Ishte një figurë e kompletuar, me gjithë kompleksitetin që kishte, duhet kohë dhe studim për figurën e Nexhmije Pagarushës”, ka thënë Inva Mula, e cila vdekjen e saj e ka përjetuar me një trishtim të madh, sepse, ajo thotë se ka humbur miken, një shoqe të mirë të prindërve të saj, dhe një pjesë të jetës. Nexhmije Pagarusha ka vdekur më 7 shkurt në Prishtinë, dhe varrimi i artistes së madhe do të bëhet në një ceremoni të ngushtë familjare më 9 shkurt, në fshatin Pagarushë/KultPlus.com

Sopranoja e njohur shqiptare Inva Mula është e trishtuar me vdekjen e artistes së madhe shqiptare Nexhmije Pagarusha, e cila ishte e njohur si “Bilbili i Kosovës”.

Inva Mula do të niset në Prishtinë për ti dhënë lamtumirën e fundit mikes së saj, mikes së familjes Mula, dhe ajo tregon se në heshtje do ti thotë gjithë dashurinë që ka për figurën e madhe Nexhmije Pagarusha.

Në intervistën e dhënë për KultPlus, Inva Mula tregon për takimin e parë me Nexhmije Pagarushën, dhe aura e kësaj gruaje e ka përcjellë pothuajse gjatë gjithë jetës.

“Isha e vogël, në vitet e 70-ta kishte ardhur Nexhmije Pagarusha në Shqipëri, dhe ajo në atë kohë u shoqërua nga dy prindërit e mi”, tregon Inva Mula, e cila këtë takim e shpjegon sikur të ishte një përrallë, pasi qw, pwrpos qw e shijoi performancën e saj në skenë, po në atë kohë qëndroi afër asaj gruaje që ishte plot bukuri dhe elegancë.

Bukurinë, elegancën, interpretimin dhe aurën e Zonjës Pagarusha i shpjegon me shumë emocion, që sipas saj, atë emocion nuk e ka përjetuar nga asnjë grua tjetër.

“Erdhi në vitet e 70-ta në Shqipëri, dhe e shoqëruar edhe nga prindërit e mi shkuam në një shfaqje baleti, mbaj në mend se Nexhmije Pagarusha u ul në të njëjtin rresht ku isha unë, nuk e harroj kurrë atë emocion, u ul afër meje një grua e bukur, një grua elegante, dhe më befasoi shumë në atë Shqipëri të zymtë të viteve të 70-ta, ne jo që kishim parë një grua të tillë, por një elegancë si të Nexhmijes e kishim parë vetëm nga ekrani”, tregon Inva Mula për praninë e Nexhmije Pagarushës.

“Kjo ishte Nexhmija, gruaja që më dha goditjen me elegancën e saj, që nuk më ka ndodhur me asnjë grua tjetër”, tregon Inva Mula.

Por eleganca dhe bukuria e Nexhmije Pagarushës do të forcohej një mbrëmje më vonë, pas asaj të shfaqjes së baletit. Kishte ardhur koha që në mbrëmjen e radhës, Nexhmije Pagarusha të ngjitej në skenë dhe të paraqitej me një koncert recital.

“E mbaj në mend atë koncert, jo zëri, jo interpretimi, po aura, aura e saj më mbërtheu. Unë shoh Nexhmijen të dubluar nga një rreze që kishte përgjatë gjithë koncertit, unë i shikoja gjithë rrezet që i lëshonte, pra trupi i saj, qenia e saj ishte e mbushur dhe e rrethuar  me këtë aurë, që e kanë shumë pak artistë, dhe kjo është një ndër kujtimet më të bukura që kam për Nexhmijen”, ka kujtuar Inva Mula.

Artistja shqiptare Inva Mula, Nexhmije Pagarushën e vlerëson figurë artistike që do të mbetet në histori, njësoj si figurat historike. “Nexhmija do të jetë në piedestal të këtyre figurave, sepse tek ajo u grumbulluan elemente, të cilat vështirë mblidhen tok së bashku vetëm në një personalitet të fortë.

Duke e vlerësuar edhe vokalin dhe shtrirjen e saj, Inva Mula ka vlerësuar këngën “Baresha”, dhe duke iu referuar potencialit të saj artistik, Mula ka thënë se Nexhmije Pagarusha për kohën dhe rrethanat që veproi u bë ikonë.

“Ishte një figurë e kompletuar, me gjithë kompleksitetin që kishte, duhet kohë dhe studim për figurën e Nexhmije Pagarushës”, ka thënë Inva Mula, e cila vdekjen e saj e ka përjetuar me një trishtim të madh, sepse, ajo thotë se ka humbur miken, një shoqe të mirë të prindërve të saj, dhe një pjesë të jetës. Nexhmije Pagarusha ka vdekur më 7 shkurt në Prishtinë, dhe varrimi i artistes së madhe do të bëhet në një ceremoni të ngushtë familjare më 9 shkurt, në fshatin Pagarushë/KultPlus.com

Nesër në Prishtinë organizohet ceremonia mortore për Nexhmije Pagarushën

Nesër në Prishtinë do të organizohet ceremonia mortore për Bilbilin e këngës shqipe, Nexhmije Pagarusha, shkruan KultPlus.

Ceremonia pritet të fillojë në oren 09:00 deri në orën 11:00, ku do të mbahen homazhet për nder të figurës së saj në Teatrin Kombëtar të Kosovës.

Më pas nga më pas nga 11:00-11:30 do të mbahet akademi përkujtimore në Teatrin Kombëtar.

Në 11:30 – 12:00 do të bëhet nisja e kortezhit nga Teatri Kombëtar duke parakaluar përgjatë sheshit “Nëna Terezë” dhe “Zahir Pajaziti” deri tek Hotel Grand.

‘Njoftojmë se të gjithë qytetarët mund të marrin pjesë në parakalimin e kortezhit, pastaj ceremonia e varrimit do të jetë private/familjare, thuhet në komunikatën e lëshuar për media nga Ministria e Arsimit Kulturës Rinisë dhe Sportit’. / KultPlus.com

Dua Lipa përkujton ikonën e muzikës shqiptare

Shumë personalitete të shquara kanë shprehur ngushëllime e keqardhjen e tyre për humbjen e ikonës së muzikës shqipe, shkruan KultPlus.

Pagarushën e ka përkujtuar edhe këngëtarja shqiptare me famë botërore, Dua Lipa.

Ajo ka postuar një fotografi të Nexhmije Pagarushës në llogarinë e saj personale në InstaStory. / KultPlus.com

Nesër ditë zie në Kosovë në nderim të Nexhmije Pagarushës

Hashim Thaqi, presidenti i Republikës së Kosovës, e ka shpallur ditë zie 9 shkurtin për të nderuar figurën e mbretëreshës së muzikës shqiptare, Nexhmije Pagarusha, shkruan KulPlus.

Bëhet e ditur se Thaqi këtë vendime e ka marrë në shenjë respekti shtetëror dhe qytetar për këngëtaren e mirënjohur e cila ndërroi jetë dje në moshën 86-vjeçare.

Sipas asaj që njofton Presidenca, në pajtim me legjislacionin në fuqi, në ditën e zisë flamuri shtetëror do të ngrihet në gjysmështizë në të gjitha objektet shtetërore të Republikës së Kosovës.

Ndërkaq edhe varrimi i të ndjerës bëhet neser në Pagarushë të Malishevës. / KultPlus.com

Kur Nexhmije Pagarusha dhe Liliana Çavolli i këndonin perëndeshës së bukurisë (VIDEO)

Një figurë si ajo e Nexhmijes kurrë nuk është tepër të kujtohet, të dëgjohet e të përjetohet, shkruan KultPlus.

KultPlus ju sjell serenatën korçare ”Perëndeshë e bukurisë”, nën interpretimin e dy zërave të fuqishëm të muzikës shqiptare, Nexhmije Pagarusha dhe Liliana Çavolli.

Bashkangjitur gjeni videon dhe tekstin e këngës.

Perëndeshë e bukurisë je
un për tynë do t’pëlcas
dashurinë që kam shtënë për ty
u bu bu si do t’ia bëj

Se në ëndërr të shikoj
… e kurr stë’harroj
mos me mundo
o yll o xhan o zemër o

Jak o xhan e jak o shpirt
jak o zemra ime
eja të rrojmë që të dy
në këtë botë

Jak o ylli me shkëlqim
Fytyrë e dashurisë
me zënë e ëmbël ti që ke
më bëre të vdes

Ilaçet nuk më bëjnë gjë
s’më shërojnë plagëtë
përveçse syri yt i zi
që më dogji zemrënë

Dhe në ëndërr të shikoj
… e kurr stë’harroj
mos me mundo
o yll o xhan o zemër o

Jak o xhan e jak o shpirt
mjaft o zemra ime
eja të rrojmë që të dy
në këtë botë

Jak o ylli me shkëlqim
Fytyrë e dashurisë
me zënë e ëmbël ti që ke
më bërë të vdes. / KultPlus.com

Promovohet libri për Jugosllavinë socialiste, tenton të hedh dritë mbi trashëgimitë kulturore

Xhemile Hysenaj

Mbrëmë në Bibliotekën Kombëtare u promovua libri ‘Consumer Culture Landscapes in Socialist Yugoslavia’- Peisazhet e Kulturës së Konsumatorit në Jugosllavinë Socialiste

Libri u prezantua nga dy redaktorët Nataša Bodrožić dhe Saša Šimpraga si dhe nga Eliza Hoxha e cila është njëra nga autoret e këtij libri, shkruan KultPlus.

Prishtina ishte njëra nga ndalesat e radhës të këtij libri që pritet të promovohet edhe në qytetet tjera të regjionit të Ballkanit, duke tentuar kështu të rritet vetëdijësimi në raport me monumentet kulturore.

Promovimi filloi me një fjalim të shkurtër nga Eliza Hoxha e cila falenderonte të pranishmit për ardhjen e tyre, duke shpalosur në pika të shkurta se cfarë do të diskutohet më tutje rreth librit. Ajo poashtu shprehej e kënaqur që ky promovim po bëhej edhe në Prishtinë.

‘Për mua është kënaqësi që Nataša Bodrožić dhe Saša Šimpraga gjenden këtu në biblioteken kombëtare’, deklaroi ajo.

Tema e këtij libri fokusohet në qendrën sportive dhe tregtare ‘Koteks Gripe’ e cila gjendet në Split të Kroacisë, poashtu edhe në komplekse arkitekturore të ngjashme që ndodhen në Sarajeve, Novisad e Prishtinë që janë të dizajnuara nga arkitekti i famshëm Živorad Janković dhe bashkëpunëtorë të tjerë.

Saša Šimpraga, njëri nga redaktorët, shprehej tejet i kënaqur që librin po e promovonin në ambientet e Bibliotekës Kombëtare, një bibliotekë kjo që ishte e dizajnuar nga një arkitekt kroat, me të cilin Saša tregonte se kishin bashkëpunuar më parë.

Ai për të pranishmit tregoi se ky projekt kishte filluar në vitin 2013 kur ishin mbledhur para objektit të ‘Motel Trogir” i cili gjendet në Kroaci, një objekt ky që tashmë është i braktisur dhe se në kohën kur kishin filluar me këtë projekt, fotografi të objekteve të tilla nuk gjendeshin në Google, gjë që tashmë ka ndryshuar, pasiqë fotografitë e këtyre objekteve tashmë gjenden shumë lehtë.

‘Projekti është i fokusuar në tri pika kyqe të cilat janë: Aktivizmi dhe mbrojtja e këtyre monumenteve, Produksioni i artit që përdoret për të ndjekur kampnajën dhe e treta kërkimet shkencore’, tregoi tutje ai për të pranishmit.

‘Shumë institucione në Kosovë dhe në vende tjera nuk i njohin këto objekte si trashëgimi sepse në fakt këto monumente së pari duhet të shpalosen para qeverisë, pastaj të ngritet vetëdijësimi tek popullata. Në kohën që po jetojmë, ekziston një luftë e madhe për të ndaluar modernizimin në gjithë Evropën.’ u shpreh Nataša Bodrožić.

Autorët tjerë të kësaj libre janë: Lidija Butković Mićin, Saša Šimpraga, Tvrtko Jakovina, Igor Duda, Ana Grgić Sanja, Matijević Barčot, Branislav Dimitrijević, Dragan Markovina, Darovan Tušek, Jurica Pavičić, Diana Magdić, Mariana Bucat, Robert Plejić, Filip Kobzinek, Mejrema Zatrić, Mirza Mehaković, Aleksandar Bede, Eliza Hoxha + Ana Dana Beroš, Nikola Bojić, Luka Skansi, Brian Shipman, Borka Bobovec, Ivana Prijatelj Pavičić, Christian Maijstre dhe Nataša Bodrožić. / KultPlus.com

Rita Ora për median kolumbiane: Jam shumë krenare për origjinën time

Rita Ora është një nga të ftuarat për të performuar në festivalin “Estéreo Picnic 2020”, në Kolumbi.

Së fundmi ajo ka dhënë një intervistë për median e njohur amerikano-jugore, “SHOCK’.

Ajo ka rrëfyer shumë nga jeta dhe karriera e saj, ndërsa nuk ka hezituar të flasë me krenari edhe për Kosovën, duke e cituar si krenarinë më të madhe të saj, transmeton KultPlus.

Kjo gazetë i ka dedikuar një shkrim të gjatë historisë së Kosovës, një vend që njihet shumë pak në Amerikën e Jugut.

Rita Ora njihet si interpretuese e shumë hiteve, që e kanë ngjitur atë në majat e top listave të Mbretërisë së Bashkuar dhe jo vetëm.

Kur Rita ishte fëmijë, në vitin 1991, familja e saj la Kosovën e tyre amtare në kuadër të Luftës Ballkanike.

Në atë kohë, Kosova ishte subjekt i autoritetit serb. Në vitin 1998, shpërtheu konflikti midis forcave serbe dhe shqiptarëve.

Pas një lufte që la më shumë se 13mijë të vdekur, vendi arriti pavarësinë në vitin 2008. Me një popullsi prej 1.8 milionë njerëz, Kosova ka PBB-në më të ulët për frymë në Evropë”, thotë media e njohur kolumbiane.

Për të arritur këtu duhej një udhëtim i gjatë. Por unë mendoj se është vetëm fillimi i një udhëtimi të jashtëzakonshëm për vendin tonë”, është shprehur Rita për median kolumbiane.

Në një nga pyetjet e intervistës, Ora foli rreth albumit të saj “Phoenix”, i cili erdhi gjashtë vite pas publikimit të albumit të parë, kjo për shkak të një beteje të gjatë ligjore.

Ndihej si fundi i një kapitulli dhe fillimi i një kapitulli të ri dhe emocionues. Një nga ndjenjat më çliruese për mua është të këndosh dhe të krijosh muzikë.

Ky album ishte një punë me dashuri dhe ishte e rëndësishme ta bëja atë në mënyrën time. Vlerësoj dashurinë dhe mbështetjen e atyre që kanë punuar me mua në album dhe më lejuan të krijoj diçka që më bën krenare.

Ata më dhanë hapësirë dhe liri për të krijuar diçka nga zemra. Ndonjëherë ishte disi sfiduese dhe euforike. Jam krenare dhe mirënjohëse për udhëtimin që shijova me këtë album”, tregoi ajo.

Përveç muzikës, moda është një nga pasionet e saj. Këngëtarja shqiptare tregoi se si ka arritur që ta krijojë dhe mbajë gjatë gjithë këtyre viteve stilin e saj të veçantë.

Mesa e mbaj mend, moda ka qenë një pjesë e rëndësishme e jetës sime dhe mendoj se gjithmonë do të jetë kështu. Duke u rritur, unë nuk kam pasur qasje në kaq shumë stilistë të mahnitshëm, kështu që krijova pamjen time duke kombinuar stilin tim. Këtu lindi dashuria për të eksperimentuar me stilin tim. Për mua, moda është liri dhe një mënyrë për të shprehur veten. Nuk ka rregulla, që më duken shumë të fuqishme”, tha këngëtarja shqiptare.

Teksa pyetet se sa i rëndësishëm është aktivizmi në vendin e saj, Rita këtu kujtoi vizitën e fundit që realizoi në Kosovë me UNICEF-in vitin e kaluar.

“Është gjëja më e rëndësishme për mua. Jam ndjerë më shumë se e nderuar që jam zgjedhur për të përfaqësuar UNICEF-in. Në udhëtimin tim të fundit në Kosovë pashë nga dora e parë punën e madhe që UNICEF bën në vendin tim dhe unë jam më e vendosur se kurrë që të përdor pozicionin tim për të mbështetur fushatat në vendin tim”, ka treguar Rita.

Gjithashtu Rita është shprehur se nëna e saj, Vera Sahatçiu-Ora, është modeli i saj, ku ajo frymëzohet gjithmonë.

“Nëna ime është personi më frymëzues dhe mahnitës që njoh. Familja ka qenë gjithmonë dhe do të jetë gjëja më e rëndësishme në jetën time. Ne kemi qenë gjithmonë afër dhe mbështetemi shumë tek njëri-tjetri”, ka thënë Rita.

Në pyetjen e fundit të kësaj interviste, Rita Ora ka theksuar edhe njëherë se çfarë do të thotë për të vendi i origjinës.

Jam shumë krenare për origjinën time dhe nuk do ta harroj kurrë se nga vij. Do të thotë gjithçka për mua”, ka përfunduar rrëfimin e saj për SHOCK”,ka thënë gjithë krenari Rita. / KultPlus.com

‘Te varri im kur të vish mos qaj, nuk jam aty, unë gjumë nuk mbajë’

Poezi nga Mary Elizabeth Frye

Te varri im kur të vish mos qaj,
Nuk jam aty,
Unë gjumë nuk mbajë
Unë jam në puhitë që fërfëllojnë,
Jam në diamantet e fluskave të dëborës që verbojnë.
Më gjenë në shkëlqimin e artë të grurit,
Jam në piklat e shiut të shtatorit,

Kur mengjeset i nisë me nxitim,
Më gjen në vrapin që këndshëm përfshinë,
Zogjtë që melodinë e cicërrojnë,
Jam në qarqafin e yjeve që natën të mbulojnë
Te varri im vajit pse i je rrekur.
Unë nuk jam aty.
Unë nuk kam vdekur. / KultPlus.com

‘Ti moj bukuroshe, falma dashurinë, trashëgim prej të parëve e ke bujarinë’

Nexhmije Pagarusha la një bagazh të madh të këngëve të saj, këngë këto që i këndonin dashurisë, bukurisë e mallit, shkruan KultPlus.

Sot, figurën e këngëtares së madhe shqiptare, e kujtojmë më këngën ”Kosovarja e bukur”.

Bashkangjitur gjeni videon dhe tekstin e këngës.

Si shkelqimi i hanës
Fytyra e saj ndriçon
Kosovarja e bukur
Djeg e përvëlon

Ref…x2
Ti moj bukuroshe
Falma dashurinë
Trashegim prej të parëve
E ke dhe bujarinë

Vasha kosovare
Plot gëzim lumni
Knaqet tuj punue
Në katundin e ri

Ref…x2
Ti moj bukuroshe
Falma dashurinë
Trashëgim prej të parëve
E ke dhe bujarinë

Me kreshni bujare
Buza në gaz i shkon
Emri i saj i bukur
Ditë për ditë lulëzon

Ref…x2
Ti moj bukuroshe
Falma dashurinë
Trashëgim prej të parëve
E ke dhe bujarinë. / KultPlus.com

89 vjet nga lindja e aktorit të madh amerikan, James Dean

James Dean, aktori amerikan i viteve ’50, tragjedia dhe vdekja e të cilit tronditi gjithë kinematografinë amerikane, sot shënon 89 vjetorin e lindjes, shkruan KultPlus.

James Dean u bë aktori i parë në historinë e kinëmase që nominohet për një çmim pas vdekjes. Fillimisht do të nomionhej për East of Eden (1955) dhe më pas, pas vdekjes për filmin Giant (1956).

Studioi dramë në universitetin e Kalifornisë në Los Angeles dhe u muarr me teatër, kinema dhe televizion. Shfaqja e tij e parë në televizion ishte për një reklamë për Pepsin në 3 dhjetor të 1950. Më vonë do ta ndiqnin seri dhe vepra në teatër.

Me një karakter introvert, i ashpër, melankolik, moskokëçarës dhe i apasionuar në raporte të njëjta, James Dean kishte veti të mira interpretative dhe që i sollën sukses te publiku më i ri në moshë. Duke e shndërruar në ikonë të rinisë amerikane të viteve ’50. Në vitin 1955 do të mbërrinte një nga filmat e tij më të mëdhenj; “Rebel ëithout a Cause” që do ta afirmonte atë përfundimisht si një nga idhujt kryesorë të rinisë amerikane. Tek “Gjigandi” do të interpretonte së bashku me Elizabeth Taylor dhe Rock Hudson e që do të ishte një tjetër vepër e madhe e tij.

Dean përveç pjesës së kinematografisë , kishte pasion edhe garat me makina, ku ishte hobi i tij, një pasion që do e ndiqte krejt jetën e tij, dhe e veçanta e kësaj Dean përveç pasionit për makina, ishte ikonë e stilit për veshjet e tij, ku si ndikim do e përcjellë botën e modës edhe sot, si një inspirm.

Një aktor, ku jashtë skenës së filmit ishte njeri me pak fjalë, një simbol seksi dhe një ikonë stilesh, ku e rrëthonte një misticizëm në lidhje me atë që e gjejmë të dashur kaq shumë vite më vonë. Megjithëse më i njohur për stilin e tij Causal, ai kishte disa pjesë më formale në repertorin e stilit të tij, si xhaketë të errët me jakë, bluzë e këpucë cowboy.

Stili i tij ishte paaftësi. Ai nuk u shqetësua me copa të tepërta. Pamjet e tij ishin kryesisht minimaliste. Për shembull, ai nuk kishte qasje me një kravatë. Ai nuk ishte një ndjekës i përkushtuar i modës. Ai ka shkuar shpesh me tendencën e 50-tave të Jeans-av të kthyer apo atë që ne e quajmë dukje me pantallona të gjata. / KultPlus.com

Në të gjitha lokalet e kryeqytetit sot do të jehojë kënga e Nexhmije Pagarushës

Sot në të gjitha lokalet e Prishtinës, do të dëgjohet këngët e ikonës së muzikës shqiptare, Nexhmije Pagarusha, shkruan KultPlus.

Kjo marrëveshje u bë në mes të koordinimit të shoqatës së Gasttronomëve dhe ministres së Kulturës, Vlora Dumoshi, në mënyrqë të nderohet figura e bilbilit të Kosovës.

“Diva origjinale e trevave tona nesër do dëgjohet, në sinkron, në të gjitha lokalet e Prishtinës, në të njëjtën kohë, për të prodhuar një kontrast që bashkëvepron. Zëri i saj do shkrijë mërzinë tonë dhe në anën tjetër do ta ngrijë kujtimin për të në mendjet tona’, thuhet në njoftim e shoqatës së Gastronomëve.

Njoftimi i plotë i shoqatës së Gastronomëve

‘Shoqata e Gastronomve të Prishtinës, në kordinim me Ministrën e Kulturës, Rinisë dhe Sportit znj.Vlora Dumoshi, janë dakorduar që të vendosin një vepër simbolike për ndër të vdekjës së ikonës shqiptare.

Përherë, do të jehojë zëri i saj në kujtimët e bukura që la tek ne.
Shprehim konsideratë të veçantë për Ministrën e Kulturës, Rinisë dhe Sportit znj Dumoshi, për iniciativën e qëlluar.

Artistët jetojnë për të krijuar dhe madhështia e veprave të tyre matet përmes rrezes që përqon arti që ata i dedikojnë jetën. Prandaj amshimi i artistëve nuk është vdekje, meqë krijimtaria ua siguron përjetësinë tokësor që mundësohet nga kultivimi i përhershëm i artit të tyre.

Nexhmie Pagarusha është një krijuese e kësaj përmase dhe konsumimi i vazhdueshëm i artit të saj do ia sigurojë përjetësinë.

Diva origjinale e trevave tona nesër do dëgjohet, në sinkron, në të gjitha lokalet e Prishtinës, në të njejtën kohë, për të prodhuar një kontrast që bashkëvepron. Zëri i saj do shkrijë mërzinë tonë dhe në anën tjetër do ta ngrijë kujtimin për të në mendjet tona.

Me rrespekt,
Petrit Kllokoqi – Kryetar i Gastronomëve të Prishtinës.
LAVDI! / KultPlus.com

Kur mbretëresha e këngës shqiptare u dekorua nga presidenti Trump

Më 7 Maj të vitit 2018, presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, dekoroi me medaljen e ”Mirënjohjes”, ikonën e muzikës shqiptare, Nexhmije Pagarusha, shkruan KultPlus.

Çmimi i mirënjohjes iu akordua këngëtares Pagarusha përmes propozimit të një Akademie në Florida, i cili është çmim periodik vjetor që firmoset nga Presidenti amerikan për Personalitete që kanë impakt mbi njerëzit dhe shoqëritë e tyre, konkretisht në fushën e artit.

Ky çmim iu nda Pagarushës në ditëlindjen e saj të vitit 2018 si një ndër çmimet më të rëndësishme në karrieren e saj.

Në ceremoninë e organizuar për 85-vjetorin e artistes së madhe shqiptare në Akademinë e Arteve në Tiranë, nga Shoqata RessEgnatia dhe Unioni i Gazetarëve Shqiptarë, ishin të pranishëm Presidenti Ilir Meta, personalitete të fushave të ndryshme nga Shqipëria dhe Kosova, familjarë, miq, artistë dhe artdashës.

“Mirë se ju gjeta. Kurrë s’kam menduar që do të vijë ky moment kaq i rëndësishëm për mua, kaq i dashur, kaq e lumtur jam. Nuk di kush është më i kënaqur, unë që jam me ju, apo ju me mua”, ishte shprehur artistja e madhe. / KultPlus.com