Biblioteka më e bukur nē botë gjendet në Pragë

Mbi 20.000 libra gjenden në këtë biblotekë Biblioteka Klementium, shembull i jashtëzakonshëm i arkitekturës Barok, për herë të parë u hap në vitin 1722, në kuadër të Universitetit Jezuit.

Në këtë bibliotekë gjenden mbi 20.000 libra. Lexuesit e “Bored Panda” e kanë shpallur këtë bibliotekë si njërën nga më të bukurat dhe më madhështoret në botë. / KultPlus.com

Drita shumëngjyrëshe në Kopenhagë

Kopenhaga në Danimarkë ka nisur festivalin 23 ditësh, duke i sjellë dritën e nevojshme kryeqytetit të errësuar dhe dimëror.

Muaji shkurt është më i errëti në vit.

Dielli lind në orën tetë dhe perëndon në orën 17 teksa temperaturat vazhdimisht janë nën zero.

Një laser me ngjyrë të gjelbër i shtrirë në katër kilometra distancë, do të qëndrojë i ndezur gjatë tërë festivalit, për t’u bërë thirrje njerëzve që të dalin nga shtëpitë e ngrohta dhe të vizitojnë shfaqje të ndryshme nëpër qytet, transmeton KTV.

Ky është edicioni i tretë i Festivalit, për të cilin janë përdorur 60 instalacione nëpër tërë Kopenhagën.

Rrugët ujore të qytetit gjithashtu luajnë një rol të rëndësishëm në festival.

Ka shumë udhëtime me anije për të parë instalacionet e dritave.

Shtëpi muze në vendlindjen e Sterio Spases

Gollomboçi, fshati i pasur nga veprimtaria letrare e Sterio Spases do të ketë tashmë edhe një shtëpi muze në nder të veprimtarisë së këtij shkrimitari. Sterio Spase lindi në Gollomboç, një nga fshatrat maqedonisht-folës, në bashkinë e Pustecit.

Shkolla ku Sterio Spase ka marrë mësimet e para do të jetë së shpejti një shtëpi muze nga ku vizitorët do të shohin më shumë rreth jetës dhe veprës së tij.

Veprimtaria e tij, sidomos ajo letrare zë fill që nga vitet tridhjetë të shekullit të kaluar. Kjo ishte një periudhë në të cilën Sterio Spase u dallua me krijimet e veta, sidomos në fushën e tregimit dhe atë të romanit.

I pyetur nga Report Tv, drejtori  i marrëdhënieve me publikun pranë bashkisë Pustec, Eftim Mitrevski shpjegon se si do të shndërrohet shkolla e cila tashmë është pothuajse se e shkatërruar.

“Në fund të muajit mars në shkollën ku Sterio Spase ka marrë mësimet e para do të nisin punimet. Shkollës do i bëhet një rikonstruksion total ku do të mbetën vetëm muret,do rinovohet çatia komplet,do të bëhet brenda një dhomë speciale ku ka qenë klasa e Sterio Spases”, tha Eftim Mitrevski.

Nga ana tjetër edhe Drejtori i Drejtorisë rajonale i trashëgimisë kulturore, Gjergji Koki, pohon se ky projekt do të jetë gati për 2 vitet e ardhshme duke e kthyer dhe një ndër pikat turistike këtë fshat. Ai shton se vlera e këtij projekti do të jetë rreth 200 mijë euro.

“Do të kemi një banesë ku do të jetë një vend pelegrinazhi, në nderim të kujtesës historike por edhe të vendit ku është rritur Sterio Spase si një ndër njerëzit më të shquar që ka pasur zona e Pustecit. Kjo do të jetë një risi dhe destinacion turistik për vizitorët e Pustecit. Vlera e projektit që përllogaritet është 200 mijë euro”, tha Gjergji Koki.

Pritet që ky projekt do ta kthejë fshatin Gollomboc ndër më të frekuentuarit në në bashkinë e Pustecit. /Shqiptarja.com / KultPlus.com

Pa Besën kemi mbetur të pabesë

Nga: Dritan Kiçi

Gjithnjë kam dashur të kuptoj konceptin prapa institucionit të “Besës”. Dikur, për mungesë informacioni dhe mitizim të konceptit nga shteti komunist, kjo ishte e pamundur, sepse Besa siç na e përshkruanin librat nuk kishte më funksionin e saj natyral dhe kish mbetur thjesht një legjendë. Në lëndinat e Dragobisë Enver Hoxha i kërkonte Besën malësorëve dhe mjaftonte një foto për të dyllosur gjithçka. Besa, dikur Besa e Zotit, u transformua në Besën e Burrit apo të Shqiptarit. Ato pak parime mbi të cilat mbështetej u zhveshën nga trupi i konceptit dhe pa shumë mundim u krijua një legjendë romantike, e mbështetur mbi parimin themelor të materializmit: E reja mohon të vjetrën duke marrë prej saj më të mirat!
Besa u largua nga individi dhe mund të jepej apo të kërkohej edhe nga entitete abstrakte, siç ishte Partia, shkolla, ushtria, apo deri edhe shtetet. Boshllëku i krijuar nga zbrazja e konceptit u mbush pak nga pak me diktaturën e ligjit, i cili ishte i pandjeshëm ndaj efektit moral, psikologjik dhe fizik, sepse nuk mund të jepte apo të kërkonte Besë. Për pasojë shohim paradoksin ku Enver Hoxha mund t’i kërkonte Besën apo t’ia jepte një malësori, por kjo nuk garantonte paprekshmërinë e atij individi, sepse ligji nuk mund të jepte apo merrte besë dhe për pasojë mund të shkelte mbi çdo marrëveshje që dikush kish bërë me dikë, qoftë ky dhe vetë ligjbërësi.
Ky parim i hoqi Besës të drejtën për kundërveprim të sanksionuar nga e Drejta Kanunore. Thyerja e zinxhirit logjik që e kish mbajtur gjallë institucionin e Besës për shekuj solli dhe devijimin e saj në diçka naive, thuajse fëminore, që pas ndalimit të klerit në Shqipëri, humbi çdo bazë mbështetëse zakonore në përgjithësi.
Pastaj erdhën poetët që e mitizuan në ekstrem konceptin, duke e kthyer pak nga pak në një legjendë që nuk kishte më asnjë vlerë përdorimi. Besa u kthye në një fjalë që merrej për bazë vetëm kur thuhej nga goja e personazhit pozitiv, e heroit. Koncepti devijoji deri në atë pikë sa që një malësor akuzohej për diçka shpesh etiketohej me: Ka thyer besën e Partisë.
Në të kundërt të kësaj dolën figura mitike si Besniku i Partisë (Hysni Kapo). Zbulimi i kësaj metodologjie psikopërpunuese u përdor gjerësisht në frontet e vështira të punëve dhe sidomos në ruajtjen e kufirit. Emri Besnik u përhap shumë, sepse në sytë e drejtuesve partiakë nënkuptonte “besnik ndaj Partisë”.
“Të jap Besën” devijoi deri në një zëvendësim banal për “të jap fjalën”. Pa krismat e pushkës dhe pellgjet e gjakut Besa nuk kish më asnjë vlerë.
Një institucion i mbi 500-vjeçar u katandis në një shprehje fletërrufesh për më pak se 30 vjet.
Besa vdiq!
Por çfarë është, apo më mirë të themi ishte, Besa? Në Kanunin e Lekë Dukagjinit thuhet:
“Besa âsht nji vade lirije e sigurimi, qi shpija e të vramit i ep dorërasit e shpijarvet të tij, tuj
mos i ndjekë per gjak perkohsîsht e mjé në vade të caktueme”.
“Besa është një kohë lirie e sigurimi (për të mos vrarë), që shtëpia e të vrarit ja jep dorërasit (vrasësit) dhe pjesëtarëve të familjes së tij, duke mos i ndjekur për gjakmarrje përkohësisht, deri në një kohë (datë) të caktuar”.
Ky është përcaktimi kanunor i Besës. Detajet e tjera janë teknikalitete relative që kanë të bëjnë me kohën hapësirën, të drejtat dhe detyrimet. Thelbi i Besës është pezullimi i përkohshëm i vdekjes.
Nuk dua të futem në shpjegime të tjera se si merret apo jepet Besa, sepse kjo që po shkruaj nuk është një ese mbi ligjin dhe të drejtën, por një tentativë për të zbuluar një të vërtetë mbi ne si popull. Mbi psikologjinë dhe traditën, mbi tempullin tonë shpirtëror.
Si fillim buhet thënë se Besa nuk ka asnjë mbështetje tek e drejta Biblike, ku mbështetet krishterimi, të cilin historianët tanë përpiqen ta proklamojnë si fenë e vërtetë të shqiptarëve, përkundrazi është një karshillëk i plotë ndaj tij. Paganizmi i Besës bie në sy që nga vetë struktura e saj. Paraqitet si materializim i shërbëtorit të një perëndie të përgjakshme, që gjakun e lan me gjak! Një rreth vicioz që mban gjallë vetveten duke kërkuar sakrifica njerëzore në mënyrë sistematike, të përhershme, të padiskutueshme dhe të pashmangshme.
Shtrohet pyetja pse u ndërtua institucioni i Besës. Sigurisht që nuk doli nga hiçi.
Si çdo ligj tjetër në botë është shkruar për të kontrolluar shkeljen e vetvetes. Duke u mbështetur në parimin se “ligji është shkelur para se të shkruhet”, është e logjikshme të kërkojmë të imagjinojmë se si mund të ketë qenë situata para se shqiptarët t’i impononin vetes Besën.
Për të imagjinuar se si mund të kemi qenë para se të ngrihej me urtësi institucioni i Besës dua të sjell një shembull jashtë Shqipërisë, te një popull i lavdishëm për historinë e tij, te gjermanët.
Një popull që ka mundur të krijojë kryeveprat më të mëdha në art, letërsi, arkitekturë, industri e kudo kanë punuar, është gjithashtu përgjegjës për Hollokaustin dhe për shumicën e 72 milion të vdekurve gjatë luftës së dytë botërore. Është thuajse e paimagjinueshme që një gjerman mund të ishte i aftë të vriste pa diskriminim gjithkënd që do i dilte para. Pse i ndodhi kjo një populli kaq të madh? Ndodhi sepse nazistët thyen institucionet më të rëndësishme të popullit gjerman. Këto institucione ishin Përpikëria dhe Rregullit, Zbatimi i Ligjit dhe Respektimi i të Drejtës, Vlerësimi i Vlerës së Krijuar dhe jo i Krijuesit per se. Mungesa e këtyre institucioneve zbuluan anën më të errët të një populli të madh, që pa rregullat e tij mundi të kthehej në një përbindësh po aq të madh. Kjo çmenduri kolektive e bëri popullin më të lavdishëm të botës të paaftë për të korrigjuar vetveten. Aq tronditës është ky fakt për gjermanët edhe sot, saqë edhe bisedat për LIIB janë akoma të bezdisshme.
Kjo strukturë e frikshme është e aplikueshme dhe në rastin e shqiptarëve, por në një aspekt tjetër.
Nuk dua të shkoj në lashtësi për të gjetur se pse krijuam Besën shekuj më parë. Po qëndroj në këto 20 vitet e fundit, kur dhe gjakmarrja është rizgjuar me një fuqi të tmerrshme e të pakontrollueshme.
Nuk di të them se sa janë viktimat e gjakmarrjes të këtyre 18 viteve të fundit por me siguri do të jenë disafish i epokave më të errëta të kombit tonë.
Pse u kthye gjakmarrja dhe pse nuk po ruan të njëjtin ritual të mëparshëm? Thjesht, nuk është më institucion, është kasaphanë, barbari. Vrasja dikur ishte një ritual i mbështetur mbi rregulla kanunore të padiskutueshme, thyerja e të cilave kishte pasoja të rënda jo vetëm për vrasësin por dhe familjen e tij. Tani është thjesht vrasje, një barbari për të kënaqur mllefin dhe kërkesat psiko-sociologjike të personit që e kryen. Është një pasqyrim i asaj që kemi qenë para se të vendosnim me mençuri institucionin e Besës, pa të cilin nuk arrijmë të vetëkorrigjohemi.
Mund të shtrohet pyetja: pse bashkë me gjakmarrjen nuk u kthye dhe Besa në përdorim? Arsyeja është e thjeshtë. Karakteri i nxehtë i shqiptarin dhe tiparet e tij luftarake nuk janë gjëra të reja, por aftësi gjenetike të projektuara dhe inkorporuara te secili nga ne dhe që me përmbushjen e kushteve të caktuara ambientale e sociologjike, nxjerrin në pah prirjet dhe tendencat. Besa nga ana tjetër ishte një institucion i vendosur për të kontrolluar këtë karakter. Jemi të gjithë vrasës që në lindje atëherë? Sigurisht që jo, por me një shqiptar mund të vritesh më lehtë se me një grek apo italian. Të paktën këtë na ka treguar historia.
Megjithatë, kjo nuk mund të justifikojë atë që ka ndodhur në këto vite.
Sigurisht që jo, por nëse marrim parasysh apriori këtë tipar gjenetik agresiv e individualist, të vërtetuar plotësisht nga historia jonë dhe e përziejmë me një kulturë pagane, ku e mira dhe e keqja janë relative, vendosur në një ambient dhe kohë ku mungon ligji, konkluzioni është i qartë.
Kaos!
Siç e thashë, i vetmi instrument që në shekuj rregullonte mënyrën se si shqiptarët vrisnin njëri-tjetrin dhe mbante nën kontroll gjakun tonë të nxehtë nuk është më.
Sistemi komunist u përpoq të fshinte këto tipare gjenetike nga trupi i kombit duke proklamuar njeriun e ri, por vetëm sa i ndrydhi, nuk mund t’i zhdukte. Përpjekja nuk ishte një gabim në vetvete, sepse të gjithë duam që një mëngjes mos ketë më gjakmarrje, por shkatërrimi i institucioneve që na kishin mbajtur në vetëkontroll për shekuj, është gabimi më i pafajshëm që mund të bëhej.
“Vrasja” apo shkatërrimi i Besës, na la të Pabesë.
“Vrasja” apo shkatërrimi i Zotit na la pa një shtyllë morale të qartë.
Kur njeriu nuk dallon dot më të mirën nga e keqja, ka bërë hapa prapa në evolucionin e tij shpirtëror dhe pa parime, qartësi logjike, rregulla dhe frikë, nuk është gjë tjetër veçse një përbindësh inteligjent që askush nuk e do pranë.
Pas gjithë këtyre mendimeve, nëse dikush do më pyeste nëse preferoj më mirë gjakmarrjen apo ligjin, do i përgjigjesha se sot nuk kemi më gjakmarrje por gjakderdhje pa diskriminim. Sa për ligj, pa mbështetje morale çdo ligj i shkruar dhe nga parlamenti më i mirë i botës nuk ka asnjë vlerë.
Ajo që ne nuk arrijmë të kuptojmë sot është se Besa arrinte të na kontrollonte jo sepse ishte ligj, por sepse ishte parim moral. Pa të nuk jemi veçse…
“Me çue gjind per besë âsht kanû, me dhânë besë âsht detyrë e burrni.”
“Të çosh dikë për të kërkuar Besë është ligj, ta japësh është detyrë dhe burrëri.”
Ligj, Detyrë dhe Burrëri! Sa larg tingëllojnë këto fjalë sot! /KultPlus.com

“Nëse ke shumë fal prej pasurisë tënde, nëse ke pak dhuro prej zemrës”

Ndonëse rruga s’merr kurrë fund, bëj një hap përpara dhe vazhdo të ecësh, mos u tut nga largësia. Në këtë rrugëtim, lëre zemrën të jetë udhërrëfyesja jote kur trupi ngurron dhe është mbytur nga frika.

Ti erdhe papritur dhe vodhe prej meje tri gjëra. Durimin nga zemra, ngjyrën nga fytyra dhe gjumin nga sytë.

Jo vetëm ata që flasin të njëjtën gjuhë, por edhe ata që ndajnë të njëjtat ndjenja e kuptojnë njëri-tjetrin.

I thashë natës, “Nëse je e dashuruar me hënën, kjo sepse kurrë s’qëndron gjatë”. Nata u kthye dhe më tha, “Nuk është faji im. Kurrë nuk e shoh diellin, nga ta di që dashuria është e pafund?”

Ji i çmendur dhe i dehur me dashuri, nëse je shumë i kujdesshëm, dashuria nuk do të të gjejë.

Duhet të vazhdosh ta thyesh zemrën derisa të hapet.

Lerë heshtjen të të çojë në bërthamën e jetës.

Duhet të hesht. Të hesht. Dhe ta lë dashurinë të përshkruajë vetveten: nën një përshkrim të lumtur, të gëzuar që s’merr
fund kurrë.

Kurrë mos e humb shpresën, zemra ime, mrekullitë burojnë nga e padukshmja.

Mjaft me fjalë! Hap dritaren në qendër të kraharorit… Lëri shpirtrat të hyjnë dhe të dalin.

Mund të mësosh të dashurosh vetëm duke dashuruar.

Nëse fjalët dalin nga zemra, ato do të hyjnë në zemër.

Duke bërë si më thanë të tjerët, u verbova. Duke shkuar kur të tjerët më kërkonin, humba. Më pas u largova prej të gjithëve, edhe prej vetes. Kështu i gjeta të gjithë, edhe veten.

Unë nuk jam këto flokë, nuk jam kjo lëkurë, jam shpirti që jeton brenda tyre.

Nëse ke shumë, fal prej pasurisë tënde. Nëse ke pak, dhuro prej zemrës.

Bëhu si lulja që ia jep aromën edhe dorës që e këput.

Detyra jote nuk është të kërkosh dashuri, por të kërkosh dhe të gjesh të gjitha pengesat që vetja jote ka ndërtuar kundër dashurisë.

Nuk kam fe. Feja ime është dashuria. Çdo zemër është tempulli im.

Unë buzëqesh si një lule, jo vetëm me buzë, por me tërë qenien.

Mos u gënje nga bukuria ime, drita që më sheh në fytyrë vjen nga qiriu i shpirtit tim.

Kur bota të gjunjëzon, je në pozicionin e duhur për t’u lutur.

Përse po troket në çdo derë? Jepi, trokit në derën e zemrës tënde!

Ai që vë intelektin mbi dëshirat është më i lartësuar se engjëjt, ai që vë dëshirat mbi intelektin, është më pak se një kafshë. /KultPlus.com

Padi nga zemra

Nga: Edgar Allan Poe

E pranoj! – nervoz – tmerrësisht shumë nervoz kam qenë dhe jam; po pse ngulni këmbë se jam i çmendur? Sëmundja m’i kishte mprehur shqisat – jo shkatërruar – as topitur. Sidomos, dëgjimin. Unë dëgjoja gjithçka në qiell e në tokë. Dëgjoja shumë dhe në ferr. Atëherë, si qenkam i çmendur? Mbai vesh! E shikoni në ç’mënyrë të shëndetshme e të qetë mund t’jua tregoj të gjithë historinë?
            Është e pamundur t’ju them se si më lindi kjo ide; por me t’u krijuar, s’më linte të qetë ditë e natë. Qëllim s’kishte as edhe një. Pasion, aspak. Unë e doja plakun. Kurrë s’më kishte bërë keq. Asnjëherë s’më kishte fyer. Për arin e tij s’doja t’ia dija. Më duket se ishte syri i tij. Po, kjo ishte! Njëri nga sytë e tij i ngjante atij të një hute – një sy mblu i shpëlarë, mbuluar me një cipë të hollë. Sa herë më shikonte, më ngrinte gjaku; dhe kështu, pak e nga pak – shumë ngadalë – e ndava mendjen që ta vrisja plakun, e në këtë mënyrë ta hiqja qafe syrin përgjithmonë.
            Tani, kjo është çështja. Ju më kujtoni të çmendur. Të çmendurit s’dinë kurrgjë. Por, ama, duhet të më kishit parë mua. Duhet të kishit parë me sa maturi veprova – me ç’largpamësi – me ç’tinëzi shkoja në punë! Kurrë më parë s’kisha qenë kaq i dashur me plakun, se gjatë tërë javës para se ta vrisja. Çdo natë, rreth mesnatës, unë ulja rezen dhe hapja derën e tij – oh, kaq ngadalë. Dhe pasi kisha krijuar një hapësirë të mjaftueshme për kokën, futja një fener të maskuar, i gjithi i mbyllur, në mënyrë që asnjë rreze drite të mos dilte dhe atëherë rrasja kokën brenda. Oh, ju do të kishit qeshur po ta kishit parë me ç’dinakëri e futja brenda! E lëvizja ngadalë – shumë, shumë ngadalë që të mos i prishja gjumin plakut. Më duhej një orë për të vendosur gjithë kokën në atë hapësirë, derisa të mund ta shihja tek shtrihej në krevat. Ha! – ha! – ka të çmendur kaq të matur? Dhe atëherë, kur koka ime ishte brenda një herë e mirë, unë zbuloja me kujdes fenerin – oh, me kaq kujdes – me kujdes (pasi mentesha krikëllonte) – e zbuloja aq sa vetëm një rreze e hollë binte mbi syrin e hutës. Dhe këtë e bëra për shtatë netë të gjata me rradhë – çdo natë, tamam në mesnatë – por e gjeja syrin gjithmonë të mbyllur; kështu që ishte e pamundur ta kryeja punën; pasi nuk ishte plaku që më mundonte, por Syri i Lig. Dhe çdo mëngjes, në të zbardhur, i shkoja paturpësisht në dhomë, i flisja plot kurajë, duke i thirruar përzemërsisht në emër dhe duke e pyetur si e kishte kaluar natën. Pra, e kuptoni që atij i duhej të ishte, me të vërtetë, një plak i thellë për të dyshuar që çdo natë, fiks në orën 12, i bëja një vizitë të shkurtër, ndërkohë që ai flinte.
            Nga nata e tetë isha më tepër i kujdesshëm se zakonisht në hapjen e derës. Akrepi i minutave lëviz më shpejt se ç’lëvizi dora ime. Kurrë më parë se atë natë s’e kisha ndjerë shtrirjen e fuqive të mia – të mendjemprehtësisë sime. Me zor i përmbaja ndjenjat e ngadhënjimit. Të mendosh që ja tek isha, duke hapur derën, pak e nga pak, dhe atij as që i shkonin në mendje mendimet apo veprimet e mia të fshehta. Shkrihesha gazit kur e mendoja; dhe, ndoshta, ai më dëgjoi; pasi, papritur, u rrotullua në krevat, si i trembur. Tani, ju mund të mendoni se u tërhoqa – por jo. Dhoma e tij ishte e errët, pus (pasi kanatet ishin të mbyllura nga frika e hajdutëve) dhe kështu e dija që ai nuk mund të shihte hapjen e derës, ndërkohë që unë vazhdoja ta shtyja edhe më, edhe më.
            Kisha futur kokën dhe isha gati të ndizja fenerin kur gishti i madh më rrëshqiti tek mbërthecka prej kallaji dhe plaku brofi në këmbë duke britur: “Kush është?”
            Nuk lëviza e s’bëra zë. Për një orë të tërë qëndrova si i ngrirë, dhe, ndërkaq, s’e dëgjova të shtrihej. Ende po rrinte në krevat ndenjur duke mbajtur vesh – pikërisht siç kisha bërë unë, natë pas nate, duke dëgjuar kërkëritjen e krimbave të drurit.
            Pas pak dëgjova një rënkim të lehtë dhe e kuptova se ishe rënkim nga tmerri i vdekjes. Nuk ishte rënkim dhimbjeje apo brenge – oh, jo! – ishte zëri i mbytur që vjen nga fundi i shpirtit të pushtuar nga frika. E njihja mirë atë zë. Shpeshherë, natën, tamam në mesnatë, kur e tërë bota flinte, më gufohej nga vetë kraharori im, duke thelluar, me jehonën e tij të frikshme, tmerret që më mundonin. Po them që e njihja mirë. E dija ç’ndiente plaku dhe më vinte keq për të, megjithëse gëzohesha përbrenda. E dija që ai po rrinte zgjuar që nga zhurma e parë, kur kishte lëvizur në krevat. Që atëherë, frika po i shtohej gjithnjë e më tepër. Ishte përpjekur t’a pandehte të rastësishme, por s’mundte. I kishte thënë vetes: “S’është gjë tjetër, veçse era në oxhak – është vetëm një mi që kalon dyshemenë”, ose: “Është thjesht cingërima e një bulkthi”. Po, ishte përpjekur ta qetësonte veten me këto hamendje; por gjithçka i kishte shkuar kot. Gjithçka kot; pasi vdekja, në afrim e sipër, kishte mbërritur vjedhurazi me hijen e saj para tij dhe e kishte mbuluar viktimën. Ishte ndikimi i zymtë i hijes së pavënëre që e bënte të ndiente – edhe pse ai as shihte, as dëgjonte – të ndiente praninë e kokës sime në dhomë.
            Pasi kisha pritur për një kohë të gjatë, me shumë durim, pa e dëgjuar të shtrihej, vendosa të hapja një të çarë të vogël – shumë, shumë të vogël në fener. Kështu e hapa – ju s’mund ta imagjinoni sa vjedhurazi, vjedhurazi – derisa, më në fund, një rreze e dobët dhe e hollë si filli i merimangës, u lëshua nga e çara dhe ra mbi syrin e hutës.
            Ishte hapur – hapur e i çakërryer – dhe unë vetë u tërbova kur e pashë. E pashë fort qartë – një blu pa jetë, mbuluar me një tis të neveritshëm që më shtinte frikën deri në palcë; por nuk mund të shihja asgjë nga fytyra apo trupi i plakut: pasi e kisha drejtuar rrezen, gjoja vetvetiu, pikërisht në vendin e mallkuar.
            Dhe tani, a s’ju kam thënë se ajo që ju e merrni për çmenduri, s’është gjë tjetër veçse mprehtësi e jashtëzakonshme e shqisave? – tani, po ju them, më erdhi në vesh një zhurmë e dobët, e mbytur, e shpejtë, si ajo që bën ora kur mbështillet me pambuk. Edhe atë zhurmë e njihja mirë. Ishin rrahjet e zemrës së plakut. Ato ma shtuan tërbimin ashtu si rënia e daulles i jep kurajë ushtarit.
            Por, përsëri e përmbajta dhe nuk lëviza nga vendi. Zor se merrja frymë. E mbaja fenerin pa lëvizur. Doja të dija sa gjatë mund ta mbaja dritën tek syri. Ndërkohë, rrahjet djallëzore të zemrës u shtuan. Çdo çast ato bëheshin gjithnjë e më të shpejta, gjithnjë e më të forta. Tmerri i plakut duhet të ketë qenë ekstrem. Bëheshin më të forta po ju them, çdo çast më të forta – më dëgjuat mirë? Ju kam thënë që jam nervoz: i tillë jam. Dhe tani, në orën e fundit të natës, mes heshtjes së frikshme të asaj shtëpie të vjetër, një zhurmë e çuditshme si kjo më zgjonte një tmerr të pakontrollueshëm. Përsëri, edhe për disa minuta, u përmbajta dhe nuk lëviza vendit. Por, rrahjet u bënë më të forta, më të forta! Thashë se zemra do më shpërthente. Dhe tani më zuri një ankth tjetër – zhurma mund të dëgjohej nga ndonjë fqinj! Ora e plakut kishte ardhur! Me një të britur të fortë, flaka tutje fenerin dhe u sula brenda. Ai klithi një herë – vetëm një herë. Në çast e zvarrita përdhé dhe vura mbi të krevatin e rëndë. Atëherë u gajasa duke parë që puna u bë. Por, edhe për ca minuta të tjera, zemra vazhdoi të rrihte me një zhurmë të rrëmbyer. Megjithatë, kjo s’më bezdiste; nuk mund të dëgjohej përtej murit. Më në fund, pushoi. Plaku vdiq. Largova krevatin dhe kontrollova trupin. Po, ai ishte akull. I vura dorën mbi zemër dhe e mbajta për disa minuta. S’kishte pulsim. Ishte i vdekur, kallkan. Syri i tij nuk do të më mundonte më.
            Nëse ende më merrni për të çmendur, do të ndryshoni mendim kur t’ju përshkruaj me ç’maturi veprova mbi fshehjen e trupit. Nata po mbaronte dhe unë punoja me ngut, por në heshtje. Së pari, copëtova kufomën. I preva kokën, krahët dhe këmbët.
            Shkula tri dërrasa nga dyshemeja e dhomës dhe lëshova gjithçka mes trarëve. Më pas i rivendosa me kaq mjeshtëri e zgjuarsi, sa asnjë sy njerëzor – as i tiji – s’mund të dallonte gjë. S’kishte asgjë për t’u pastruar – asnjë lloj njolle – asnjë pikë gjaku. U tregova i kujdesshëm për këtë. Gropa kishte gjithçka – ha! ha!
            Pasi u kisha dhënë fund këtyre punëve, ishte ore katër – po aq e errët sa dhe mesnata. Ndërsa zilja njoftonte orën, një trokitje u dëgjua nga dera e jashtme. Shkova ta hapja me zemër të lehtë – nga se duhet të kisha frikë, tashmë? Brenda hynë tre burra, që u paraqitën, plot dashamirësi, si oficerë policie. Një klithmë ishte dëgjuar nga një fqinj gjatë natës; ishte dyshuar për një pabesi; informacioni i ishte paraqitur zyrës së policisë dhe ata, policët, ishin të detyruar të bënin një kontroll në vendngjarje.
            Unë buzëqesha – nga se të kisha frikë? Iu urova zotërinjve mirëseardhjen. Klithma, u thashë, ishte e imja gjatë një ëndërre. Plaku, shtova, ishte jashët vendit. I çova vizitorët e mi rreth e përqark shtëpisë. I porosita të kontrollonin, të kontrollonin mirë. U drejtova, më në fund, tek dhoma e tij. U tregova thesaret, të sigurta, të patrazuara. Nën entuziazmin e vetëbesimit, solla karrige në dhomë dhe i ftova të qëndronin e të shlodheshin, ndërsa unë, për veten time, me paturpësinë e shfrenuar të triumfit të plotë, e vendosa karrigen time mu në vendin poshtë të cilit prehej kufoma e viktimës.
            Policët mbetën të kënaqur. Sjellja ime i kishte bindur. Unë isha, veçanërish, rehat. Ata u ulën dhe, për sa kohë unë iu përgjigjesha me buzën në gaz, ata flisnin për gjëra të zakonshme. Por, pa kaluar shumë kohë, e ndjeva veten të zbehej dhe doja që ata të largoheshin. Koka po më dhimbte e më bëhej sikur veshët më kumbonin; por, ata ende rrinin ulur e vazhdonin të bisedonin. Kumbimi u bë më i qartë – nuk pushonte e bëhej më i qartë: fola më lirisht, në mënyrë që të hiqja qafe atë ndjenjë: por, ajo nuk pushonte e bëhej më e qartë – derisa, më në fund, kuptova që zhurma nuk ishe në veshët e mi.
Padyshim që u zbeha tej mase – por flisja më rrjedhshëm dhe me zë të lartë. Përsëri zhurma shtohej – e çfarë mund të bëja? Ishte një zhurmë e dobët, e mbytur, e shpejtë – si ajo që bën ora kur mbështillet në pambuk. Po më merrej fryma dhe përsëri policët nuk e dëgjonin. Flisja më shpejt – më me vrull – por, zhurma shtohej vazhdimisht. U ngrita dhe diskutova për çikërrima, me ton të lartë e me gjeste të ashpra, por zhurma shtohej vazhdimisht. Përse nuk iknin? I rashë dyshemesë kryq e tërthor me hapa të rëndë, gjoja i tërbuar nga vërejtjet e burrave – por, zhurma shtohej vazhdimisht. O zot! Çfarë mund të bëja? Shkumëzoja – kllapuritja – mallkoja! Vërtita karrigen mbi të cilën isha ulur dhe e kërcita mbi dërrasa, por zhurma ngrihej mbi gjithçka e shtohej vazhdimisht. Ajo bëhej më e fortë – më e fortë – më e fortë! Dhe, përsëri burrat bisedonin me endje e buzëqeshnin. A ishte e mundur që të mos e dëgjonin? Zot i plotfuqishëm! Jo, jo! Ata dëgjonin! – ata dyshonin! – ata e dinin! – ata po talleshin me tmerrin tim! Këtë mendova dhe këtë mendoj. Por, çdo gjë ishte më e mirë se kjo agoni! Çdo gjë ishte më e durueshme se kjo lojë! S’mund t’i duroja më gjatë ato buzëqeshje hipokrite! Ndjeva që o duhej të bërtisja, o të vdisja! – dhe tani – përsëri! – dëgjoni! më fort! më fort! më fort! më fort!
“Maskarenj, – klitha, – mos u shtirni më kot! E pranoj fajin! Shkulni dërrasat! – këtu, këtu! – janë rrahjet e zemrës së urryer!”

Përktheu nga origjinali:
EDLIRA KETA /RevistaLetrare /KultPlus.com

75-vjetori i Konferencës së Jaltës, rendi i ri i paqes pas Luftës së Dytë Botërore

Kur Gjermania naziste ndodhej para kapitullimit fuqitë e ardhshme fituese të Luftës së Dytë Botërore morën vendime historike në Jaltë para 75 vitesh. Me këtë ata i hapën rrugën organizatës më të rëndësishme globale sot.

Jalta Konferenz 1945 (picture-alliance/dpa)

Churchill, Roosevelt dhe Stalini u takuan në Jaltë nga 4-11 shkurt 1945, për të marrë masa për fundin e Luftës së Dytë Botërore. Pamje nga arkivi

Fotoja përshkoi botën para 75 vitesh: Krah për krah janë të ulur kryeministri britanik Winston Churchill, presidenti amerikan, Franklin D. Roosevelt dhe diktatori sovjetik, Josef Stalin. Të zhytur në palltot dimrërore, që duken si mburoja, ata i kanë drejtuar sytë me seriozitet nga kamera. Një skenë, që duhet të demonstronte unitet mes fuqive botërore. Dhe shpresë për paqe të vazhdueshme pas Luftës së Dytë Botërore që ndezi Gjermania naziste. Kjo foto është bërë gjatë zhvillimit të Konferencës së Jaltës, të thirrur nga Bashkimi Sovjetik. Në Pallatin Livadija të qytetit turistik në Krime, në Detin e Zi të ashtuquajturit, “Tre të Mëdhenjtë” negociojnë më 4 shkurt 1945 për fazën e fundit të Luftës së Dytë Botërore. Sepse “perandoria mijëvjeçare e proklamuar nga Hitleri ndodhej para shkatërrimit.

Propozimet për ndarjen e Gjermanisë

Në Perëndim dhe Jug të Europës amerikanët dhe britanikët po përparonin megjithë rezistencën e fortë të Wehrmachtit gjerman. Nga Lindja trupat sovjetike gjatë ofensivës së dimrit ishin duke ardhur deri 100 kilometra larg kryeqytetit gjerman. Më 30 prill Hitleri bëri vetëvrasje në “bunkerin e fyhrerit”. Më 8 maj Gjermania naziste kapitulloi. Nga fundi i luftës llogariteshin përafërsisht 60 milionë të vdekur.

Në Jaltë, ku dikur cari dhe aristokracia ruse kalonin pushimet, duhej që pas bisedimeve të para në Teheran, po me ftesën e Bashkimit Sovjetik, të përcaktoheshin vijat kryesore të rendit të ri të paqes dhe denazistifikimi i Gjermanisë. Të tre krerët kryesorë duhet edhe të përcaktonin bazat e ndarjes së pushtetit të fuqive. Këtu bënte pjesë edhe projekti i organizatës më të rëndësishme globale, Kombeve të Bashkuara.

Jalta Konferenz 1945 (Imago/Leemage)

Konferenca e Jaltës, 1945

Fuqitë fituese shpresojnë për bashkëpunim afatgjatë

Konferenca ndodhet para detyrës së vështirë të pajtojë interesat e ndryshme të fuqive fituese të luftës. Ajo që e bashkon Stalinin komunist me kapitalistët Roosevelt dhe Churchill është armiku i përbashkët: Gjermania. Ende nuk ka shenja, se nga aleatët e koalicionit kundër Stalinit me fillimin e Luftës së Ftohtë në vitin 1947 do të krijohen kundërshtarë. “Churchill dhe Roosevelt kanë komunikuar gjatë gjithë viteve të luftës dhe janë takuar. Me Stalinin ata ishin takuar vetëm njëherë në Teheran në vitin 1943. Ata ishin të mendimit, se bashkëpunimi edhe pas luftës do të zgjaste me vite, në mos me dekada dhe ishin për këtë të gatshëm për kompromise”, thotë historiani i Universitetit të Kölnit, Jost Dülffer në bisedë me DW.

Si Churcilli edhe Roosevelt nuk janë dakord me vendin e konferencës. Presidenti amerikan i sëmurë rëndë duhet të përshkojë 11.000 kilometra rrugë me anije dhe avion. Kurse nga Churchilli janë ruajtur fjalët se “nuk gjendej vend më i keq, se Jalta edhe sikur të kërkoje dhjetë vite.” Kurse për strategun e pushtetit, Stalin është shumë e rëndësishme që takimi zhvillohet në tokën sovjetike, me qëllim që si mikpritës ai t’i ketë frenat në dorë. Ai kujdeset që të instalohen telefona dhe telegrafë. Për të përgjuar delegacionit ai vendos mikrofonë përgjues madje edhe në shkurret para Pallatit Livadija. Për rast emergjence është afër një bunker i sigurtë nga bombat. Kamarierë nga Moska servirin ushqimet më të mira, një kontrast i thellë me vendin që vuante nga uria. Synimi ishte krijimi i një atmosfere të çliruar.

Jalta Konferenz 1945 (Imago/Leemage)

Konferenca e Jaltës, 1945

Krerët perëndimorë nuk kanë iluzione

“Nga ana tjetër Roosevelt dhe Churchill e dinin, se me kë kishin të bënin. Që kjo diktaturë brutale sovjetike donte shtrirjen e influencës në Europë. Për këtë ata nuk kishin iluzione”, thotë eksperti i Europës Lindore, Wilfried Loth nga Universiteti Duisburg-Essen. Por plani i Stalinit funksionon. “Atmosfera ishte në përgjithësi e mirë. Herë pas here dikush ngrihej, zemërohej, donte të mos pranonte diçka, por në tërësi bëhej fjalë për kooperimin”, thotë historiani Dülffer. Deri më 11 shkurt 1945 të tre krerët e shteteve skiconin të ardhmen. Rezultatet: Churchilli ia doli të fusë edhe Francën si fuqi tjetër pushtuese në Gjermaninë që po mundej. Roosevelt mori miratimin e Stalinit për futjen e Bashkimit Sovjetik në Kombet e Bashkuara që planifikoheshin dhe futjen në luftë kundër Japonisë. Stalini arriti që territoret, ku trupat e tij ishin në marshim të mbeteshin nën Bashkimin Sovjetik.

Gjermania nuk duhej të rrezikonte kurrë më paqen botërore

Përveç kësaj kreu i Kremlinit përfitoi territore në kurriz të Japonisë dhe Kinës si edhe një të drejtë vetojë në Këshillin e ardhshëm të Sigurimit. Vendosjen e kufirit të Polonisë partnerët në negociata e shtyjnë për më vonë pas kapitullimit të Rajhut të Tretë. Në dokumentin përfundimtar të konferencës thuhet: “Vullneti ynë i patundur është që të shkatërrojmë militarizmin gjeman dhe nacionalsocializmin dhe të kujdesemi që Gjermania kurrë më të mos jetë në gjendje të rrezikojë paqen botërore. (…)Qëllimi ynë nuk është të shfarosim popullin gjerman, por vetëm kur të shkatërrohet nacionalsocializmi për gjermanët do të ketë shpresë për një jetë në dinjitet dhe një vend në bashkësinë e popujve.” Sipas historianit, Dülfer, secili arriti diçka. “Çështjet e vështira territoriale Stalini i vendosi për vete. Perspektivën për një kuadër të paqes e fituan fuqitë perëndimore.” Kurse historiani Loth gjykon se “për rezultatin e konferencës që të tre thanë, po është një rezultat i mirë, mbi bazën e të cilit mund të veprohet më tej .”

Pjesëmarrësit e konferencës ishin të mendimit, se pas lufte do të jenë ata që do të marrin vendimet në Europë. Në këtë kuptim Jalta ishte një konferencë që projektoi të ardhmen. “Por në realitet me konferencën e Jaltës nuk ishte fituar asnjë lloj paqeje afatgjatë”, thotë historiani Wilfried Loth. Edhe konferenca pasuese në Potsdam në Berlin më 17 korrik 1945 nuk i sqaroi të gjitha paqartësitë. Terreni për luftën e ftohtë pasuese u përgatit.

Flash-Galerie Großkundgebung der Heimatvertriebenen 1950 (picture-alliance/dpa)

Rreth 50.000 të dëbuar gjermanë protestojnë kundër vendimeve të Jaltës dhe Potsdamit, gusht 1950.

Konferencë e re e superfuqive për të tashmen

Por cili ishte rezultati më i rëndësishëm i Jaltës? Krahas ujdisë së Bashkimit Sovjetik të bëhej pjesë e Kombeve të Bashkuara, historiani Loth përmendi edhe një dakordim bazë që të mbahet përgjegjësi e përbashkët për të ardhmen e Gjermanisë. Përveç kësaj konferenca e Jaltës në Gadishullin e Krimesë krijoi një vetëdije për rëndësinë dhe nevojën e diplomacisë së nivelit të lartë. “Negociatat për rendin e pasluftës në Jaltë ishin në dorë të shefit, që tregonte, se kur krerët takoheshin ishin në gjendje të gjenin kompromise dhe të krijonin besimin”, thotë Loth. Kjo përvojë ishte udhërrëfyese për krizat e ardhshme. Dhe e kundërta: “Sa herë që mungonte diplomacia e nivelit të lartë ka pasur probleme.” Ashpërsimet gjatë Luftës së Ftohtë mund të shpjegohen edhe me atë se besimi i krijuar u shkri shumë shpejt, pikërisht sepse nuk pati më përpjekje për ta ruajtur atë.”

Sipas historianit Dülffer për shkak të gjendjes së rënduar nga krizat në botë aktualisht do të ishte me rëndësi një Konferencë e re e Jaltës nën një petk të ri. “Një konferencë e re e superfuqive do të kishte kuptim.” Bëhet fjalë për krjimin e një vetëdijeje të përbashkët, “që një rend i paqeje mund të krijohet, e që në Jaltë ishte ende e pranishme. Kjo vetëdije na duhet edhe sot.” /KultPlus.com

‘Nuit des Idées’, me 5 shkurt në Prishtinë

Aleanca Franceze dhe Ambasada e Francës në Kosovë, ju ftojnë që të merrni pjesë në edicionin e parë të “Nuit des Idées” në Kosovë, më 5 shkurt në Aleancën Franceze në Prishtinë.

Vjen i ftuar profesor Roch Domerego, bletar dhe specialist i apiterapisë.

Programi: Një konferencë-debat në orën 18:00, me z. Roch Domerego dhe profesor Fadil Milaku, rektor i universitetit “Haxhi Zeka” të Pejës, biolog dhe specialist i biodiversitetit në Ballkan, në temën “Bletët, gardianë të jetës”.
Konferenca, e hapur për të gjithë, do të mbahet në frëngjisht dhe shqip me përkthim similtan.

Kjo ngjarje e Institutit Francez të Parisit organizohet në mbarë botën për t’u njohur me aktualitetin e njohurive dhe për të shkëmbyer lidhur me sfidat e mëdha të kohës sonë. / KultPlus.com

Ç’të bëj me ty?!

Nga Arli Minga.

Ç’të bëj me ty?!
A do ta gjej dritëzën e vogël,
Shenjën a thirrjen e zbrazët,
Apo do mbetem i mbërthyer në nyjen e ashpër,
Nyjen e lashtë të dashurive të Algjerit të largët?!
Ç’të bëj me ty, më thuaj..
Ç’të bëj që rastësisht mu ngatërrove këmbëve,
Mu përplase furishëm brigjeve shkëmborë të mendjes sime,
Për të lënë aty thërrmuar, ca copëza me kujtime..
Ç’të bëj me ty..
Të marr ndonjë armë?!..
T’i kundërvihem kësaj të mallkuare toke,
Të ngre si i çakërdisur me rrënojat e saj,
Vegimet e një tjetër bote?!
Por s’mundem dreqi e marrtë!
S’mundem,
Se përrallat e aveturave të rreme,
Janë dalldi të padurimit, çmenduri të përkohshme.
Ç’të bëj me ty..
Që të shijoj dhe theksin kur i vë fjalëve,
Shikimin kur e mbështet në dritare,
Gishtat tek ja rrotullon filxhanit të kafes,
Buzëqeshjen e hidhur që të bie lehtë fytyrës,
Pas ndonjë shakaje të pastër?!..
S’e di! Nuk e di ç’të bëj me ty..
As me parfumin që nuk e duroj dot kur e marr me vete,
Që e dua aq shumë kur depërton mes kaçurrelave bojëkafe.
As me dëshirën për adhuruar të metat e qenies tënde,
Shkulmin e urrejtjes se nuk arrij dot epshet e mia djallëzore.
Ç’të bëj me ty, më thuaj!..
Të arratisem?!
Të bëhem endacak me ndërgjegje të këputur,
A të qëndroj?!
Të kthehem ngadalë në sarkazmën më të bukur..
Ç’të bëj me ty?!..
Nuk kam më as gjumë,
Ç’të bëj..?!
Nuk e di..
Se ti.. as që nuk e di…!

Ylfete Humolli, 16 vjeçarja e cila nuk e gëzoi kurrë rininë

Në kujtim të Ylfete Humollit

Ylfetja është dëshmija e gjallë e atyre që asnjëherë nuk e kanë gëzu fëmijërinë e tyre.

Ylfetja, me 1 shkurt 1990, fiks para 30 vitesh kur ishte 16 vjeçare, ajo u vra nga forcat serbe gjatë një proteste kundër regjimit të Serbisë në Kosovë. Bashkë me Ylfeten ishte dhe vëllau i saj Mentori (13), i cili do të binte heroikisht me 21 mars 1999 duke luftuar të njëjtin agresor në kufirin mes Kosovës dhe Shqipërisë.

Ylfete Humolli u lind më 15 shkurt 1973, në Lupç të Poshtëm të Podujevës, në një familje atdhetare.

Ylfetja ishte e bija e Isës dhe Sevdijes, të cilët kishin edhe tetë fëmijët të tjerë, Mentorin (dëshmor), Sahdeten (kishte vdekur nga leukemia në vitin 1993), Lulen, Serbezen, Vlorën, Muhametin, Jetonin dhe Arianitin.

Shkollën fillore e kreu në vendlindje, për të vazhduar atë të mesme në Prishtinë, në Shkollën Ekonomike.

Në shkollë ishte e shkëlqyeshme, e përkrah mësimit merrej edhe me aktivitete të lire në kuadër të shkollës, ku ka luajtur edhe dramën “Halili e Hajria”.

Ajo lexonte shumë libra dhe prej librave që lexonte nxirrte fjalë të urta dhe përmblidhte në fletore.

*

Ylfetja ishte në vitin e tretë të shkollës së mesme kur Kosovës ju mor autonomia më 1989-90 dhe ajo shumë mirë e kuptonte situatën e rëndë që mbretëronte në Kosovë, ku e gjithë Kosova tanimë ishte në këmbë.

Në Prishtinë ajo ishte prezente në këto protesta, të cilat vazhduan edhe nëpër fshatra, ku në fshatin Lupç të Poshtëm për tri ditë më radhë pati protesta.

Kështu, më 1 shkurt 1990, ajo së bashku me shoqe dhe shokë kishin dalë buzë rrugës Podujevë- Prishtinë, për të protestuar në mënyrë të qetë kundër kolonës së motorizuar e të armatosur deri në dhëmbë, e cila vinte nga Serbia në tokat tona. Për këtë, kolona ishte egërsuar dhe shtiu për disa minuta me armë automatike.

Protestuesit dhe marshimin e forcave ushtarake policore e përcillte ekipi i Radiotelevizionit të Sarajevës.

Ylfetja vritet duke kërkuar liri dhe barazi ende pa i mbushur 17 vite jetë, më 1 shkurt 1990, shkruan AlbFem.

Njerëzit që ishin afruar për t’i dhënë ndihmë tregonin se ajo kishte pyetur se a kishte shpëtuar Mentori, i cili mbahej si djalë i vetëm e që atë kohë ishte vetëm 14-vjeç. Por, rruga e lirisë ishte shumë e gjatë dhe Mentori e kishte vazhduar këtë rrugë duke rënë dëshmor 9 vite më vonë në Koshare me emblemën Ushtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Varrimi i Ylfetes ishte masovik dhe në të morën pjesë qindra mijëra shqiptarë, të cilët nderuan guximin, veprën dhe atdhedashurinë e saj, ku varrimi i saj edhe u bë një formë demonstrate tjetër, ku njerëzit duke ngritur dy gishtërinj përcillnin amanetin e Ylfetes, për të kërkuar liri e barazi.

Dy librat e rinj të Adriatik Kelmendit, me mendime e kritika për realitetin kosovar në dy dekada

Së fundmi kanë dalë nga shtypi dy libra të Adriatik Kelmendit, gazetar e kolumnist i gazetës “Koha Ditore” dhe autor i emisionit “Rubikon” në KTV. Në dy librat e rinj, është përmbledhur pak a shumë historia e zhvillimeve të pasluftës së shikuar nga një prizëm gazetari e i një kritiku të pavarur.

Në Express Intervistën në KTV, Kelmendi ka dhënë detaje të tjera për librat që vijnë nën titujt “Smells Like Teen Spirit” dhe “Si mund të jetojmë diku tjetër kur në botë ekziston Parisi?”

Kelmendi ka bërë të ditur se titulli i librit të parë është simbolikë e fillimit të tij në Grupin Koha.

“‘Smells Like Teen Spirit’ është hiti i grupit Nirvana. Është titull simbolik. Fillimisht lidhet me fillimin tim në Koha. Kurt Cobain, frontmeni i grupit, që unë e kisha idhull, kishte bërë vetëvrasje. Gjithë bota po raportonte. Atëkohë s’kishte media shumë. Ishte Koha Javore para se të dilte Koha e përditshme. Vendosa pse të mos e shënojmë edhe ne. E shkrova një shkrim. E gjeta një faks të komshiut që kishte zyrë afaristi. E faksova. Ishte një shkrim për vetëvrasjen, krijimtarinë e natyrisht kënga më e popullarizuar, një hiti gjeneratës. Ishte një situatë okupimi edhe këtu. E dërgova shkrimin dhe e pash të mërkurën kur dilte Koha Javore se u botua. E bleva gjithë tirazhin e ia dërgova të gjithëve. E përdora në rast të shumtë si simbolikë për bashkëpunimin me Kohën. Fillova me shkrimin pastaj për muzikën e nuk e prita se do ta vazhdoja deri sot. Ishte viti 1994 atëkohë”, ka thënë ai fillimisht.

*

Në të dy përmbledhjet që botohen nga Botimet Koha, Kelmendi ka thënë se vazhdimisht është munduar të ketë shkrime “kontra rrymës” e të jetë origjinal.

“Roli i ‘intelektualit’ dhe gazetarit apo opinionistit e analistit është që të flasë, ta bëjë kritikën ndaj atyre në pushtet. Në çdo shoqëri kërkohet të ketë balance e jo rastësisht medias i thonë pushteti i katërt. Kushdo që të jetë duhet të jetë media kritike. Duhet të shohim nga ana kritike, por natyrisht jo vetëm nga negativizmi. Ka edhe të arritura”, ka shtuar ai.

Kelmendi ka kujtuar se në përmbledhje është edhe një kolumne e vitit 2000 kur kishte kërkuar lirimin e Albin Kurtit, që sot mori postin e kryeministrit.

“Kam shkruar atë kolumne më 2000 kur filluan të lirohen disa nga ato që quheshin pengje. Filluan disa të liroheshin e jo Kurti. Bëra apel duke përmendur edhe ish shokët e tij që s’po bëjmë as si shoqëri as si institucione që të lirohet Kurti të cilin e kam quajtur hero të gjeneratës. Tash po flasim për një kohë që pati rrugëtime ndër më interesantet dhe sot e kemi kryeministër. Realitet i ri e nëse do të flasim edhe për këtë qeveri që u bë besoj se ka ndodh tranzicioni më i mirë i mundshëm. Jo vetëm që opozita e deritashme erdhi në pushtet, por edhe se erdhi dikush që deri sot ka qenë në politikë por s’ka pasur pushtetin qendror e që ndoshta sjell ide e frymë të re. Të rinj, entuziastë e të shkolluar e bashkë me ta paralel është partia më e vjetër. Po besoj se duke pasur këtë bashkim të LDK-së së sotme me VV-në është momentum i ri që duhet dhënë shansin e të shohim çka i sjell Kosovës”, ka përfunduar Kelmendi.

Aktorja Ermira Hysaj shkëlqen në dramën “Hedda Gabler” të Ibsenit

“Hedda Gabler” e Henrik Ibsenit po shfaqet këto ditë në Tiranë në Teatrin Eksperimental dhe me shumë gjasë, titulli nuk ju thotë asgjë. Ibseni mbase ju kujton nga shkolla “Shtëpi kukulle” apo “Armiku i popullit”, por Heda Gabler asgjë.

Me dy fjalë, është historia e vajzës së sërës Heda Gabler, bijë gjenerali, e cila sapo është martuar me Jorgen Tesmanin, një akademik, kërkues i devotshëm, por jo i talentuar. Heda nuk e do Tesmanin, madje në gjashtë muajt e mjaltit është mërzitur për vdekje me të. Tesmani ka bërë gjithçka që të plotësojë tekat luksoze të Hedës, por tani gjendet në vështirësi financiare, prej nga do ta nxirrte emërimi si profesor.

Për këtë, Tesmanin po e ndihmon edhe gjykatësi Brag, i cili duket sheshit që i vjen vërdallë Hedës. Befas në lojë hyn Tea Elvsted, dikur shoqe shkolle me Hedën, por edhe e njohur e Jorgen Tesmanit. Ajo i njofton se Eilert Lëvborgu, akademik i talentuar dhe konkurrent i Tesmanit ka ardhur në qytet, sepse ka botuar një libër. Kjo e bën Tesmanin të dyshojë se do t’i marrë vendin e profesorit. Pjesën tjetër do ta zbuloni në teatër…

Për ta ngjeshur veprimin dramaturgjik, regjisori rumun Botond Nagy me dramaturgen Kali Agnes e kanë shkurtuar pjesën, duke mbajtur vetëm skenat kryesore. Në këtë proces kanë humbur disa prej shtysave, që justifikojnë proceset e personazheve.

Kështu, nëse nuk e di, nuk e kupton qartë që Heda mund të jetë shtatzënë, që Tesmani është në vështirësi financiare apo që Eilerti ka qenë vartës i alkoolit. Shfaqjes nuk mund t’ia marrësh plotësisht shijen, as nëse nuk njeh sadopak atmosferën e muzikës elektronike gjermane, me elemente të akullta industriale, po edhe të pista, të vrazhda, tipare të Gjermanisë underground të viteve ’80, një botë e panjohur për shqiptarët e izoluar të atyre viteve.

Për çfarë po flas? Për atmosferë si në filmin “Biondja bërthamore” (Atomic Blonde), që ju këshilloj ta shihni para shfaqjes për të kuptuar atmosferën.

Kur hyn në sallë, një personazh i veshur me rroba në ngjyrë të florinjtë, shpërndan tym në sallë, ndërsa në sfond dëgjohet në anglisht një zë, që njofton se duhet të lidhni mirë rripat për të parë këtë shfaqje, nën efektin pamor të një drite të kuqe vërtitëse, si ato të makinave të policisë. Një përpjekje për të krijuar një gjendje hipnotike, e cila i rri më së miri qasjes psikanaliste të regjisorit.

Ky i fundit kishte zgjedhur një lojë në dukje formale të aktorëve, të ftohtë, pa u parë në sy me njëri-tjetrin, me elemente teknike si mikrofonat, me një tension industrial mes njerëzve, por çuditërisht, edhe në këtë mungesë marrëdhëniesh klasike, përcillej përmbajtje dhe emocion.

Aktorët dukej sikur i përdornin fjalët si pretekst për të nxjerrë në pah të pandërgjegjshmet e tyre. Veçanërisht kjo ndihej te nervi dhe ritmi i ngjeshur që përshkonte bisedat intime. Vulën e vinte babai i vdekur aty pas kokës së Hedës, që shtynte edhe konkretisht veprimet e saj në skenë. Monologu i babait, shtuar nga dramaturgia Kali Agnes, i shërbente shumë mirë konceptit.

Nëse ka një gjë që nuk i rri mirë kësaj shfaqjeje është futja e Deas së Butrintit, të cilën me sa duket, publiku duhet ta perceptonte si perëndi dhe ta njëjësonte me Hedën. Mirëpo Dea e Butrintit nuk perceptohet si e tillë nga shqiptarët dhe kjo e rrëzon analogjinë, duke e bërë përdorimin e Deas si një shqiptarizim me përdhunë.

Ajo që mbetet një tipar shumë interesant i shfaqjes është ngacmimi i vazhdueshëm i publikut me elemente që nuk e lënë të rehatohet: tym duhani, tym zjarri, tinguj të fortë, nxehtësi në sallë, zhurmë plastike, përplasje, mikrofona, jehonë, krisma pistolete: kur dilje nga salla, ashtu si pa kuptuar, Hedda Gabler të kishte ndyer edhe ty, ashtu si kishte ndyer nga pak gjithë personazhet e tjerë. Vetë Hedda Gabler, me një interpretim të shkëlqyer të Ermira Hysajt, dukej sikur kishte lënë kitarën dhe kishte dalë drejt e nga videoklipi i “Addicted to love” të Robert Palmerit: e ftohtë akull, po me një vullkan brenda saj.

Nëse doni një shfaqje të fortë klasike, me atmosferë tekno-industriale, me aktorë që luajnë me mjeshtëri mes të ndërgjegjshmes e pandërgjegjshmes, ngrihuni dhe prisni biletën për të parë “Hedda Gablerin”.

HEDA GABLER

Autori : Henrik Ibsen

Përktheu : Afrim Koçi

Regjia : Botond Nagy

As/Regjisor : Stela Doka

Skenografia : Irina Moscu

Kostumografia : Sofi Kara

Dramaturgjia : Kali Agnes

Lëvizja skenike : Mateo Dervishaj

Interpretojnë: Ermira Hysaj, Romir Zalla, Mateo Dervishaj, Adriana Tolka, Alfred Trebicka, Alert Çeloaliaj. /Koha Jonë /KultPlus.com

Kohët po ndryshojnë

Nga: Bob Dilan

Shqipëroi: Bujar Meholli

Njerëz ejani dhe mblidhuni
kudo që jeni anembanë,
shihni se rreth jush ujërat
po pluskojnë
e kur së shpejti do të shpërthejnë
gjer në kocka do të lageni.
Për kohën tuaj duhet të luftoni
që ta shpëtoni
përndryshe do të fundoseni
porsi një gur
nëse nuk mësoni not
sepse kohët po ndryshojnë.

Shkrimtarë dhe kritikë
që me pendë bëni profeci
këtu ejani,
bëni sytë katër
sepse erdhi shansi juaj,
fjalët që thoni matni mirë
a nuk e shihni që
bota po vërtitet
dhe nuk dihet se në emrin
e kujt do të ndalojë
ai që ka humbur sot
nesër do të fitojë
sepse kohët po ndryshojnë?

Senatorë dhe kongresmenë
ju lus që ta dëgjoni këtë thirrje
aty tek dera mos qëndroni
kalimin tutje mos e bllokoni,
ai që sot lëndohet
nuk do të mund të shërohet,
atje jashtë seç ka një luftë
nga dridhjet dritaret do t’ua shkund
edhe muret do t’jua plasaritë
sepse siç e shihni
kohët po ndryshojnë.

E pra, nëna dhe baballarë
brenda vendit kudo që të jeni
ju lus që mos të kritikoni
atë që dot s’mund ta kuptoni,
siç e shihni bijtë dhe bijat tuaja
më nuk mund t’i komandoni
idetë tuaja të vjetra
ndjeshëm po dalin nga moda,
ju lus që këtë rrugë të re ta merrni
dhe të reflektoni
sepse kohët po ndryshojnë.

Perdja ka rënë tashmë
mallkimi ka dalë
ai që sot është i shpejtë
nesër do të shkojë fare ngadalë,
e tashmja do të shkrihet të thërmohet
të nesërmen veçse e shkuar do të bëhet,
kjo hierarki po rrënohet
e po shembet shpejtazi,
ai që sot është i pari
nesër krejt i fundit do të jetë
sepse kohët, po,
kohët po ndryshojnë… /KultPlus.com

“Kohët po ndryshojnë” është një prej këngëve më të njohura të Dilanit, kantautorit amerikan që fitoi Çmimin “Nobel” në Letërsi. Kënga u bë sidomos e famshme viteve të fundit, prej Steve Jobs, i cili në biografinë e tij e përmend si një prej frymëzimeve më të mëdha.

Së shpejti del në shitje rubikoni i Mona Lizës

Një prej portreteve më të famshme në botën e artit, por i realizuar me kube rubikoni, pritet të dalë në ankand në Paris.

Vepra e artistit urban Invader, e përbërë nga 330 blloqe të rubikonit, do të shitet në muajin shkurt për një çmim fillestar prej 150 mijë eurove.

Buzëqeshja e Lisa Gherardinit, e njohur si Mona Liza, është krejt ndryshe prej ngjyrave që janë përdorur në portretin origjinal që ruhet në Paris.

“Nuk keni nevojë të shihni detajet. E njihni Mona Lizën vetëm nga pozita e saj. Për këtë shkak, është magjike”, ka thënë Arnaud Oliveux, nga shtëpia e ankandeve “Articurial”, transmeton KTV.

Kjo është hera e parë që një vepër e artistit shitet përmes një ankandi.

Ai u bë i njohur për versionet e artit të rrugëve që vinin të ngjashme me videolojën “Space Invaders”.

Shitja e veprës urbane do të bëhet për nder të 500-vjetorit të vdekjes së Leonardo da Vincit, krijuesit të veprës së njohur. /KultPlus.com

“Në shoqërinë shqiptare gruaja jo vetëm që keqtrajtohej por ishte edhe makinë pune”

Ese nga Edit Cena

Një grua është botë që meriton vendin e saj në shoqërinë njerëzore, duhet të ketë not të lartë për zhvillim të historisë njerëzore“ (Imam Arbër Berisha). Nocioni grua do të thotë shtyllë e familjes , fillesa e një krijimi të ri, po ashtu lindje e një shoqërie.

Një grua është nënë, një grua është femra më e fuqishme e planetit tokë, është krijimi i vet jetës.
Mendimet për një grua janë të shumta dhe në aspekte të ndryshme. Por sa është vlerësuar mbetet në gjendjen e ndërgjegjes së secilit individ.
Në shoqëri gruaja ka qenë e shtypur nga ana fetare po ashtu nga ajo shoqërore. Të drejtat e saj nuk llogariteshin.

Në keq interpretimin e fesë islame gruaja ishte trajtuar si robe në shtëpi të saj, në shoqëri bashkëkohore zëri i femrës nuk dëgjohej për to njerëzit ishin të shurdhër, në shoqëri shqiptare gruaja jo vetëm që keqtrajtohej, por edhe ishte makinë pune.
Këto probleme edhe pse jo të asimiluara, janë evituar në masë të madhe.
Të drejtat e gruas në shoqëri u dëgjuan kur marshuan 15000 gra në rrugët e Nju-Jorkut më 8 Mars 1908, kurse në islam u dëgjuan pas shpalljes së islamizmit në Arabi.

Pozita e saj më së tepërmi varet nga evoluimi i njeriut por më tepër nga zhvillimi i shpirtit human, i cili evoluon dhe vazhdon të zhvillohet çdo ditë e më tepër .
Tani të drejtat e grave ndoshta janë dokumentuar në të drejtat e njeriut por sa zbatohet në praktikë varet nga vendi ku jeton gruaja .
Prezenca dhe pjesëmarrja e gruas në shoqëri kosovare shikohet qartë lëvizja dhe integrimi i saj por ka ende shumë vende të Kosovës që nuk vlerësohen për ato që janë.
Për këtë problem duhet si grua të ngritesh dhe të kërkosh të drejtat e tua . Duhet të ngritesh në këmbë, të luftosh për vendin tënd. Një grua nuk është qenie e dobët . Një grua sjell ndryshim. Ajo nuk ngre zërin të bërtas apo të ankohet vetëm ngre zërin të dëgjojnë edhe ata që janë shurdhër.
“Bëhu gruaja që të thonë ajo ishte grua dhe askush nuk mund të matej me të”
“Ajo theu akullin dhe u ngrit në këmbë për të gjitha ne “. (Paulo Cohelho) 

Kjo ese ishte në mesin e dhjetë eseve në kuadër të punëtorisë “Pen For Culture” organizuar nga OJQ “ProPlus” dhe mbështetur nga Amasada Amerikane në Kosovë. /KultPlus.com

Përkujtohet në Lushnje 100-vjetori i Tiranës kryeqytet

Nga Lushnja, aty ku 100 vjet më parë mbajti punimet Kongresi i Lushnjës, u përkujtua sot shpallja e Tiranës Kryeqytet i Shqipërisë dhe i shqiptarëve, çka shënoi edhe çeljen e aktiviteteve festive që do të na shoqërojnë përgjatë gjithë vitit.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, Zv. Kryeministri Erjon Braçe, kryetari i Bashkisë së Lushnjës, Fatos Tushe, deputetë të zonës dhe drejtues vendorë, nderuan dhe vlerësuan familjet që, në ato vite jo të lehta për vendin, dhanë kontributin e tyre që Tirana të jetë sot qyteti që përfaqëson shqiptarët. Në fjalën përshëndetëse, kryebashkiaku Veliaj tha se vendimet e rëndësishme që u morën në Kongresin e Lushnjës përcaktuan fatet e vendit.

“Ishin ditë, orë, pse jo edhe minuta, që vunë në provë ata baballarë të kombit tonë, që morën një vendim jo në një sallë moderne me poltrona, por në kushte jashtëzakonisht të vështira betejash, në dallim nga vendimet që do të duhet të marrim sot, ku shpesh herë pengesat ia bëjmë vetë njëri-tjetrit. Ishte shpirti i atyre burrave dhe dashuria për Shqipërinë për t’i dhënë zgjidhje një problemi kardinal për vendin. Në fakt, Tirana kryeqytet ishte një ide e vjetër që nga Rilindja. Në këtë karvan, që përbëhej nga rreth 100 burra me qeverinë, Këshillin e Lartë dhe Këshillin Kombëtar, bashkë me ata që e shoqëronin, një forcë madhore i çoi në Tiranë atë ditë shkurti, që morën udhë pikërisht nga Lushnja e madhe e atyre ditëve. Sot, pas një shekulli, ne si Tiranë i jemi pa fund mirënjohës Lushnjës dhe Kongresit të saj, të cilët na dhanë kryeqytetin që sot mbush 100 vjeç”, deklaroi Veliaj.

Ai shtoi se Tirana në këtë 100-vjetor është gati të ketë një ligj të sajin, si çdo kryeqytet i rëndësishëm.

“Jemi duke përgatitur një ligj për Tiranën, si çdo kryeqytet i rëndësishëm që ka një ligj të tillë. Ndaj, mezi pres që deputetët e asaj zone, që e bënë Tiranën kryeqytet, do të jenë edhe përkrahësit e Tiranës me një ligj për kryeqytetin. Një ligj që bëhet për herë të parë në histori e që për koinçidencë merr udhë pas 100 vjetësh nga shpallja kryeqytet. Ky do jetë një ligj që do ta bëjë Tiranën më të mirë, më europiane, më moderne, ashtu si Londra e Parisi, që e kanë një ligj të ngjashëm. Mezi pres gjithashtu që ta kthejmë këtë vit në një moment historik, për të treguar se nuk kemi ardhur nga hiçi, për të treguar ku i kemi rrënjët dhe për të kuptuar sesa të lidhura i kemi fatet me njëri-tjetrin”, deklaroi Veliaj.

Kryebashkiaku theksoi se ky 100-vjetor është edhe një moment për të reflektuar, pasi koha ka treguar se kur shqiptarët bëhen bashkë, mund të marrin vendime shumë të rëndësishme.

“Tërmeti i fundit na tregoi se ka më shumë gjëra që na bashkojmë sesa na ndajnë. Na tregoi se kur jemi të bashkuar mund të marrim vendime shumë të rëndësishme. Sot jemi ende peng i vendimmarrjeve të vonuara. Ky 100-vjetor është një moment për të reflektuar. A mund të punojmë më shpejt në 100 vitet që vijnë? A mund të duhemi më shumë në 100 vitet që vijnë? A mund të jemi më bashkëpunues? A mund të themi më shumë: “Bravo të qoftë, jam krenar për ty”, sesa stërkëmbësha e thika pas shpine në 100 vitet që vijnë?”, tha ai, duke nënvizuar se është koha për të treguar se përtej dallimeve politike, është Shqipëria. “A mund të kuptojmë se përtej PS-së dhe PD-së, përtej bindjeve tona, është Shqipëria, është vendi, është familja jonë, kjo tokë ku kemi hedhur rrënjët dhe ku duam të shohim të ardhmen. A mundet që në 100 vitet e tjera të rikuperojmë kohën e humbur në këto 100 vite?”, nënvizoi Veliaj.

Zv. Kryeministri Erjon Braçe tha se mesazhet e Kongresit të Lushnjës janë aktuale edhe sot. Duke vlerësuar organizimin e kësaj ceremonie festive nga ana e Bashkisë së Tiranës, Braçe theksoi se në këtë vit jubilar Shqipëria meriton hapjen e negociatave me BE-në.

“Mesazhi që erdhi nga Lushnja është mesazhi i bashkimit. Në atë Kongres u hodhën bazat e demokracisë, të zgjedhjeve, të Parlamentit të dalë prej tyre. Këto ia vlen të kujtohen si një reflektim i thellë për të gjithë ne që merremi me politikë, për të gjithë ne që kemi para përgjegjësinë e fortë të korrigjimit edhe të vendimeve të gabuara, por dhe të bashkimit të gjithnjë e më tepër të popullit shqiptar, një Shqipëri të fortë. Meritojmë të na kthehet pas borxhi i 100 viteve të shkuara, të na jepet statusi i vendit kandidat, të hapen negociatat dhe Shqipëria të shkojë përpara drejt BE-së. Jam shumë i kënaqur dhe shumë i nderuar që kryetari i Bashkisë së Tiranës vendosi të jetë këtu në Lushnjë për të përkujtuar jo thjesht shpalljen e Tiranës kryeqytet 100 vite më parë, por për t’i dhënë nderin dhe respektin që meriton Lushnja”, theksoi Braçe.

Deputeti i Lushnjës, Bashkim Fino, gjatë fjalës së tij, tha se është i krenar për udhëtimin drejt datës 11 shkurt, që është 100-vjetori i Tiranës kryeqytet.

“Duhet të jemi krenarë, sikur edhe ne vetë jemi pjesë e kryeqytetit. Prandaj, jam shumë i gëzuar që të gjithë bashkë fillojmë rrugëtimin e ardhjes deri në 11 shkurt, të ditës simbolike të kryeqytetit tonë, të Tiranës”, u shpreh Fino. Kryebashkiaku i Lushnjës, Fatos Tushe tha se falë atij vendimi të rëndësishëm të marrë një shekull më parë, sot vendi ynë është i bashkuar dhe Lushnja dhe Tirana celebrojnë bashkë këtë përvjetor.

Në shenjë mirënjohje për kontributin e luajtur në ato vite të vështira për fatin e kombit tonë, kryebashkiaku Veliaj shpërndau medalje dhe certifikata mirënjohje pasardhësve të familjeve që kontribuan në shpalljen e Tiranës kryeqytet. / Shqiptarja.com / KultPlus.com

Nesër do të bëhet pranim-dorëzimi i detyrës së ministrit/es të MKRS-së

Kryesia e Lidhjes Demokratike të Kosovës, ka përzgjedhur Vlora Dumoshin për pozitën e ministres në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, shkruan KultPlus.

Vlora Dumoshi, e cila më parë ka qenë në postin e Drejtoreshës në Drejtorinë për Kulturë në Komunën e Prishtinës, nesër do të pranojë detyrën e re.

Në orën 13:30, do të bëhet pranim-dorëzimi i detyrës së pozitës së ministrit në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Republikës së Kosovës.

Ish-ministri Kujtim Gashi do t’i dorëzojë detyrën ministres së re Vlora Dumoshi për të udhëhequr MKRS-në në këtë mandat qeverisës.

Ceremonia do të ndodh në kabinetin e ministrit në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. / KultPlus.com

Festivali Ndërkombëtar i Teatrove – PITF, shpall thirrjen për edicionin 2020

Festivali Ndërkombëtar i Teatrove “Prishtina International Theater Festival – PITF” dhe Teatri AAB “Faruk Begolli” nga Prishtina, ftojnë të gjitha palët e interesuara (teatrot profesionale, kompanitë teatrore, kompanitë e pavarura teatrore dhe format e tjera të prodhimeve teatrore) të aplikojnë për pjesëmarrje në edicionin e katërt të Festivalit PITF 2020, i cili do të mbahet nga 26-31 maj 2020, në Kolegjin AAB në Prishtinë, përcjellë KultPlus.

Festivali ka karakter garues, me një juri profesionale si dhe dy juri të veçanta të studentëve dhe të medias. Festivali shpërblen aktorin/aktoren më të mirë si dhe ndan çmimin për shfaqjen më të mirë, ndërsa nuk ka kufizim të zhanrit.

Qëllimi i festivalit është të prezantojë projektet teatrore me cilësi të lartë nga e gjithë bota dhe të shkëmbejë mendime, ide, plane dhe përvoja, si dhe bashkëpunimet e ardhshme në shkëmbimin e projekteve.

Aplikimet mund të dorëzohen deri më 30 prill 2020.

Përzgjedhja përfundimtare do të dihet në fillim të muajit maj 2020.

Kushtet e festivalit: udhëtimi, transporti i skenografisë, akomodimi (me mëngjes), dreka, koktej pas çdo shfaqje, biletat për të gjitha shfaqjet e tjera në festival. / KultPlus.com

Hapet ekspozita “Shqipëria dhe shpëtimi i hebrenjve nga persekutimi dhe Holokausti”

Në kuadër të Konferencës të nivelit të lartë “Mbi Luftën kundër Antisemitizmit në rajonin e OSBE-së”, e cila shënon aktivitetin e parë të këtij lloji të Kryesisë Shqiptare, u inagurua edhe ekspozita “Shqipëria dhe shpëtimi i hebrenjve nga persekutimi dhe Holokausti” me pjesëmarrjen e Ministrit në Detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj, delegacioneve zyrtare nga vendet pjesëmarrëse të OSBE-së, përfaqësuesve të organizatave ndërkombëtare dhe shoqërisë civile, etj.

Në fjalën e tij përshëndetëse, Ministri në Detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj shprehu se kjo konferencë do të shërbejë për të konfirmuar zotimet tona për angazhimin e pakompromis kundër të gjitha trajtave të antisemitizmit, punën e pakursyer kundër gjuhës së urrejtjes e përpjekjen e pandalur për të forcuar shoqëritë demokratike nëpërmes edukimit cilësor.

Gjithashtu ai theksoi se edhe pas 75 vjet nga çlirimi i Aushvicit, antisemitizmi mbetet prezent në mënyra të ndryshme dhe forma të fshehura në të gjithë Evropën. Ndaj liderët botërorë duhet të dënojnë fuqishëm çdo akt të antisemitizmit dhe krimeve të urrejtjes.

Kryediplomati Cakaj u ndal në kontributin shqiptar pёr shpëtimin e hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore, duke ju referuar vlerës së patjetërsueshme të shoqërisë shqiptare, tolerancës dhe bashkëjetesës së shkëlqyer fetare. Në mbyllje, Cakaj falënderoi kontribuesit që bënë të mundur realizimin e kësaj ekspozite. / KultPlus.com

“Znj. Ministre, çliroji mësuesit, ata nuk ndihen mirë si trup elektoral”

Rrahman Paçarizi

E dashur ministre e arsimit znj. Bajrami

Ky tekst,në kohën kur u shkrua (në shtator 2017) e kishte titullin “I dashur minister i arsimit, cilido që je”, meqë asokohe ende nuk dihej se cili do të ishte ministri i arsimit. Fatmirësisht tani e dimë kush është ministri. Mua më vjen mirë që jeni Ju, për sëpaku tri arsye: 1. Jeni mësimdhënëse në Universitetin e Prishtinës; 2. Keni përvojë të menaxhimit të së paku një ministrie; 3. Mbaj mend kohën kur kam raportuar në emër të Bordit të RTK-së, te Ju kam gjetur kritikuesen e ashpër, por profesioniste dhe të paanshme.

Tani, me lejoni, t’jua përsëris letrën (me ca ndryshime referencash), të cilën ministri i shkuar mund të mos e ketë lexuar fare:

Besoj që në momentin që e ke pranuar postin e ministrit, e di se në ç’gjendje është arsimi në Republikën e Kosovës. E di që ke ekspertizë në këtë fushë, por kjo s’ka shumë rëndësi në një qeveri ku postet duket të jenë krejt politike. Tekefundit, edhe disa nga paraardhësit tu kanë qenë me ekspertizë të mjaftueshme dhe profesorë universiteti, por ja që gjendja është kjo. Në një situatë të tillë, shpresoj që të jesh e fuqishme dhe të mos lejosh që rreth vetes të kesh informatorë të kryetarit të partisë sate, të shefit tënd zyrtar ose jozyrtar – kjo i ka fundosur ministrat e deritashëm të arsimit.

E dashur ministre,

Suksesi yt varet nga dashuria që ke për arsimin. Suksesi yt varet nga guximi yt. Suksesi yt varet nga vendosmëria jote. Suksesi yt varet nga ekipi që do ta kesh rreth vetes (përjashto zëvendësministrin që mund të jetë pjesë e pazarit për qeverinë). Duhet ta duash arsimin dhe t’i kesh fëmijët duke u shkolluar në Kosovë dhe gjithçka ta masësh me brengën tënde prindore (standardi i dashurisë ndaj atdheut tashmë është shndërruar në një idealizëm të rrallë për të cilin të përqeshin). Duhet të kesh guxim për të ndërmarrë veprime, të cilat mund t’i humbin vota partisë sate, por është çmim që do paguar. Mund të të mos zgjedhin kurrë më ministre, por më mirë një herë ministre e mirë, sesa ministre e recikluar dhjetëra herë. Shpërbërja e mbeturinave në sistemin e arsimit zgjat me shekuj, zonja ministre, ndaj kujdesuni që të mos na ndotet edhe më ky ambient. Vendosmëria jote është vendimtare për suksesin. Është vrapim në shtigje të gjata që kërkon mund, por gjithashtu është vrapim me pengesa e ato janë të shumta – militantët e partisë që duhet t’i punësosh e nuk duhet t’i punësosh; sindikatat që kujdesen për mirëqenien e mësimdhënësve e ti duhet të kujdesesh për cilësinë përpara mirëqenies së tyre dhe vota e partisë do të të sillen si gogolë kahdo që sillesh, pasi secili veprim yti idealist do t’i humbë vota partisë. Duhet të heqësh dorë nga mirënjohja ndaj partisë që të solli në këtë post, zonja ministre, pasi në dorën tënde janë rreth 300 mijë nxënës e studentë që ta kanë nevojën, pa çka se shumica dërrmuese e tyre janë fëmijë të prindërve që nuk të kanë votuar. Dhe, në fund, zonja ministre, suksesi yt varet nga ekipi yt, nga njerëzit që do të kesh rreth vetes. Qofsh a jo ekspert i arsimit (unë e që je) njerëzit rreth vetes merri njohës të fushës, njerëz që janë pjesë e arsimit, njerëz me dije e integritet që t’i trembin e largojnë militantët e partive, pasi vetëm ashtu mund të punosh. Sigurisht që këto ditë publikisht e jopublikisht do të të shkruajnë plot njerëz për të të dhanë “ekspertizën” e tyre. Harroji ata emra (edhe timin sigurisht) dhe merri idetë që t’i japin.

E dashur minister Bajrami,

Shkolla fillore në Kosovë e ka tashmë damkën e PISA-s. Pararendësi yt nuk i mori këshillat dhe gjendja e PISA-s vetëm sa u përkeqësua. Me llum partiak nuk fshihet ajo njollë. Më beso kur të them se as me floskula patriotike si abeterja e përbashkët, s’do të bësh gjë (nuk po them se Abetarja ka faj). E vërteta është se rezultatet e PISA-s nuk përmirësohen brenda një viti, por reforma e ka një afat fillimi dhe pastaj është e përhershme. Mësuesit janë konsideruar deri më tash trup elektoral. Të lutëm, mos i shih të tillë. Çliroji!

Shkolla e mesme është gati-gati hajgarellëk, ndërsa universiteti është vetëm gjithëpërfshirës. Universiteti si gjithëpërfshirje i konvenon politikës, por nuk është cilësor. Kosova që ka telashe ta ketë një UP-në cilësore, vështirë se mund të ketë kuadro të mjaftueshme (jo aso emergjente, se të tillë ka sa të duash) për t’i mbajtur shtatë universitete publike. Universitetet jopublike e kanë pasur shansin e tyre. U duhet dhënë shansi vetëm atyre që janë cilësorë. E di që është vështirë, se janë të fuqishëm financiarisht, por duhet të futen në sistemin e cilësisë, jo vetëm të kësaj formale, por edhe substanciale. Universitetet dhe shkollat jopublike janë rregullator i rëndësishëm i fushës së arsimit, por nuk duhet të jenë vetëm biznese. Ato që janë vetëm biznese e kanë kryer misionin e tyre – të tjerat kanë kontribuuar dhe duhet të vazhdojnë të kontribuojnë. Tekefundit shkolla jopublike ekziston vetëm për shkak të cilësisë – gjithëpërfshirja është veti e shkollës publike, zakonisht.

Fatmirësisht, mund të kesh në dispozicion disa organizata joqeveritare, të cilat për arsimin tashmë kanë bërë më shumë sesa vetë institucionet e shtetit. Mirëpo, sado të kenë vullnet, kapacitetet e tyre janë të kufizuara në regjistrimin e gjendjes, por kjo për ty është e mjaftueshme. Mos i largo dhe mbaji pranë vetes. Më beso, ashtu siç të kanë besuar qytetarët që të kanë votuar tash e sa mandate, zonja Bajrami.

E di që ke punë të vështirë. Zoti të ndihmoftë, nëse nuk e do ndihmën tonë!/KultPlus.com

“Më fal”

Në muajin shkurt të vitit 2018, këngëtarja Elvana Gjata lansoi  një album të tërë në YouTube, ku me secilën këngë ajo goditi fort, shkruan KultPlus.

Këngët u shndërruan në hit menjëherë dhe vazhdojnë të dëgjohen edhe sot.

Në bashkëpunim me Pirro Çakon dhe Darko Dimitrov, Elvana përmes këtij albumi dëshmoi edhe njëherë se është një artiste e kompletuar. Ky album ka emocionuar të gjithë me këngë të dhimbshme e të thella, me tekste kuptimplota që publikut do i mbesin për shumë gjatë në mendje.

Në ndër këngët e preferuara të këtij albumi është “Më fal”. Një tekst i këndshëm, i qartë, i dhimbshëm, i përjetuar. Elvana Gjata me shumë pak instrumente pas saj, dëgjohet tek e vuan këngën dhe përvojën. Këtë këngë e ka shkruar ajo vetë, ndërsa duket se mbetet kënga më e mirë në albumin e saj. / KultPlus.com

Osmani pasi hoqi fotografinë e Thaçit: E njoh ligjin, Rugova është ai që më inspiron

Kryeparlamentarja Vjosa Osmani pas vizitës në repartin e Neonatologjisë ka komentuar para mediave se pse e ka hequr nga zyra fotografinë e presidentit Hashim Thaçi.

Osmani ka thënë se ka arsye për këtë, e që sipas ligjit shton se fotografia e presidentit është në Kuvend. Kryeparlamentarja ka deklaruar se do të mbajë në zyrë një person që e inspiron.

“Natyrisht që ka arsye. Unë e njohë ligjin dhe në përputhje të plotë me ligjin fotografia e presidentit është në Kuvend.  Unë kam dashur qe në ballë të zyrës ta kem dikë që më inspiron. Ligji për simbolet nuk e përcakton se në cilin cep të ndodhet fotografia e presidentit”, tha Osmani.

Në shoqërimin e drejtorit të Klinikës së Neonatologjisë, Xhevdet Gojnovcit, kryetarja e Kuvendit ka falënderuar stafin e kësaj klinike për punën.

 “I falënderoj doktorët për punën e jashtëzakonshme qe e bëjnë. Si kryetare e Kuvendit vizitën time të parë e kamë nisë me simbolikë aty ku fillon jeta. Dhe e tyra të tregojë që ne si Kuvend i Republikës së Kosovës do ta bëjmë të pamundurën që shëndetësia të jetë prioritet i Qeverisë së Kosovës. Ky shtet do të bëhet kur ne e vendosim si prioritet jetën e foshnjave’, ka deklaruar Osmani.

Ndërkohë, drejtori i Neonatologjisë, Xhevdet Gojnovci  ka falënderuar Osmanin për vizitën.

‘Ishte kënaqësi sot qe ta kemi në vizitë kryetaren e Kuvendit. Ajo ka ardhë aty ku fillon jeta. I falënderohem përzemërsisht’, ka thënë ai./GazetaExpress/ KultPlus.com

Abbotti uron Osmanin si gruan e parë në krye të Kuvendit, e quan “moment historik”

Ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Nicholas Abbott, e ka uruar kryeparlamentaren Vjosa Osmani.

Abbotti, ka theksuar edhe faktin se ajo është gruaja e parë që mban këtë post në Kuvendin e Kosovës.

Duke e quajtur “moment historik”, Abotti thotë se ky është përparim drejt barazisë gjinore.

“Përgëzoj Vjosa Osmanin për zgjedhjen e saj si kryetare e Kuvendit të Kosovës, një rol kryesor në shtetin e Kosovës dhe demokracinë e saj. Vjosa është kryetarja e parë grua në Kosovë, një moment historik në përparim drejt barazisë gjinore. Detyra të rëndësishme e presin Kuvendin e ri: I uroj Vjosës dhe kolegëve të saj suksese në punën e tyre”, shkruan Abbott, transmeton Koha.net. / KultPlus.com

“Fukarait askush s’i jep bukë, të gjithë i japin këshilla”

Kolonizatorë dhe sundues të Altlantikut, portugezët kanë trashëguar në breza urtësi që lidhen fuqishëm me tematika si peshkimi, paraja, premtimet, shpenzimet, respekti e këshillat.

Ne jemi të bindur se diçka mund të mësojmë prej tyre, ndaj kemi përzgjedhur perlat e mençurisë portugeze për lexuesit tanë.

Fukarait askush s’i jep bukë. Të gjithë i japin këshilla.

Mos i jep asnjëherë këshilla atij që të kërkon vetëm lekë.

Askush nuk vlen më shumë se tjetri nëse nuk prodhon më shumë se tjetri.

Dembelia nuk ka rritur kurrë fëmijë të mirë.

Ilaçi i nesërm nuk do ta shërojë sëmundjen e sotme.

I sigurti vdiq, i kujdesshmi i shkon në mort.

Kush ka katër dhe shpenzon pesë, nuk ka nevojë për kuletë.

Kush nuk ka bukë, të mos mbajë qen.

Ligji punon ashtu siç dëshiron paraja.

Më së shumti premtojnë ata të cilët s’kanë ç’ka të japin.

Mëso duke qarë dhe do të fitosh duke qeshur.

Më shumë të hidhëron premtimi mashtrues, sesa një refuzim mohues.

Mos i zër besë një dere me shumë çelësa.

Ndershmëria dhe interesi i përfitimit nuk hyjnë në një thes.

Fjala e thënë, rasti i humbur dhe koha e ikur në jetë nuk ndodh t’i kthehen pronarit.

Pasurimi i pamerituar sjell djallin në shtëpi.

Qeni leh keq, kur leh nga frika.

Ta kesh mjekun e keq, është më keq se vetë sëmundja.

A do të jetë hija e drejtë në qoftë se druri është i shtrembër?

Ankimi i varfanjakut arrin deri në kupë të qiellit, por jo edhe në veshë të njerëzve.

Ji pluhur aty ku shkel nëna jote, parajsa ndodhet nën këmbët e saj.

Këshilla që jepet para botës është sharje.

Këshilloje të marrin dhe do të të llogarisë si armikun e tij.

Kush s’di dhe nuk e di që s’di, është budalla: mos iu afro; kush nuk di dhe e di që s’di, është i paditur: mësoje; kush di dhe nuk di që di, është i fjetur: zgjoje; kush di dhe e di që di, është i mençur: dëgjoje.

Më parë mendo daljen, pastaj hyrjen.

Në dashuri s’ka këshilltar.

Nëna e një të vrari edhe fle, por nuk fle nëna e vrasësit.

Nëse më mashtron një herë, atëherë ti je fajtor, por nëse më mashtron edhe për herë të dytë, atëherë vetë jam fajtor.

Njeriu i ngjan pemës, njerëzit e rrethojnë sa është e mbuluar me fruta, por, posa t’i bien frutat, njerëzit shpërndahen të gjejnë një pemë më të mirë.

Njeriu që nuk interesohet të mësojë prejardhjen e prindërve dhe të farefisit të vet, i përngjan një majmuni të humbur në xhungël.

Njeriu që nuk ka qenë kurrë i sëmurë, nuk mund të jetë mjek i mirë.

Proverbi për të folurit është si kripa për gjellën.

Pushimin shtyje për nesër, jo punën.

Bëj sikur je i ditur, por mëso edhe si të dukesh injorant.

Kam me tepri mollë e dardha, por zemra më lakmon ftoin.

Ka fjalë të cilat edhe me shumë mjaltë, nuk mund t’i përpish.

Kërkon gomarin dhe është mbi të i hipur.

Më mirë të humbasësh një sy se emrin e mirë.

Pasuria zbulon cilësitë e këqija që fsheh varfëria.

Peshqit zihen me grep, ndërsa njerëzit me fjalë.

Po të ishte dituria në mjekër, të gjithë cjepërit do të ishin profetë.

S’fillohet agjërimi me bakllava në dorë. / KultPlus.com