Ministrja në detyrë e Arsimit, Hykmete Bajrami, përmes një postimi të bërë në faqen zyrtare Facebook, ka thënë se MASHT-i është në funksion të luftës kundër COVID19.
“Falë punës ekipore dhe vullnetarëve të shumtë, të cilët po punojnë pa kursyer asgjë, MAShTI ka arritur që 234 mijë nxënësve t’ua dërgojë shkollën në shtëpi. Janë mbi 200 mësimdhënës, vullnetarë dhe zyrtarë të Ministrisë, të cilët po punojnë vikendeve e festave që kjo të bëhet e mundur. Janë këta që po rrezikojnë jetët e tyre që ju të mësoni nga shtëpia. Andaj ju bëjmë thirrje mësoni nga shtëpia, rrini në shtëpi!
Të nderuar nxënës, mësimdhënës, prindër,
Të nderuar qytetarë të Republikës së Kosovës,
Po kalojmë në një situatë të rënduar të emergjencës shëndetësore. Numri i rasteve të të prekurve me virusin corona është rritur. Sipas rekomandimeve të institucioneve shëndetësore, ne duhet ta rrisim kujdesin maksimalisht, të respektojmë masat parandaluese dhe së bashku të kontribuojmë në luftimin e pandemisë. Sa më shumë që të rrisim kujdesin për veten dhe familjet tona duke qëndruar në shtëpi, aq më shpejt do ta tejkalojmë këtë situatë dhe t’i kthehemi normalitetit”.
Ministrja tutje thotë se që nga data 12 mars 2020, ne jemi detyruar t’i mbyllim shkollat për të gjitha institucionet edukative-arsimore në vendin tonë. Në këtë mënyrë ne kemi ndërprerë mësimin konvencional por assesi nuk e kemi ndërprerë procesin mësimor, sepse menjëherë kemi filluar me organizimin e mësimit në distancë.
“Organizimi i mësimit në distancë ishte një sfidë e madhe, sepse për një kohë të shkurtër duhej përgatitur program voluminoz me përmbajtje mësimore për nxënësit nga klasa 1 deri në 9, në përputhje më kurrikulat e Kosovës. Këtë kemi arritur ta bëjmë me sukses deri tani, dhe po vazhdojmë tutje përkundër sfidave që po na shkakton situata pandemisë. Kemi arritur t’ua dërgojmë në shtëpi përmbajtjet mësimore mbi 234 000 nxënësve të arsimit fillor dhe atij të mesëm të ulët. Të gjithë këta fëmijë po kanë mundësi të mësojnë, të aktivizohen, të komunikojnë me mësuesit e tyre dhe kësisoj të kontribuojnë në luftimin e pandemisë.
Poashtu po ndihmojmë edhe realizimin e mësimit në distancë për mbi 77 900 nxënës të arsimit të mesëm të lartë, të cilët përmes platformave të ndryshme digjitale dhe me përkushtim maksimal të mësimdhënësve po arrijnë ta zhvillojnë suksesshëm mësimin në distancë”.
Gjithashtu ajo njofton se edhe universitet publike dhe ato private po zhvillojnë ligjëratat online me përfshirje shumë të madhe të mësimdhënëseve dhe studentëve
“Ky mobilizim i të gjithë neve është tregues i qartë se kur kemi vendosmëri, nuk ka asnjë sfidë që na ndalon. Prandaj ne ju themi me mburrje, se pas pandemisë, sistemi i arsimit në vendin tonë do të dalë edhe më i fuqishëm. Rrini në shtëpi dhe mësoni nga shtëpia”, përfundon ministrja
Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit njofton të gjithë nxënësit dhe mësimdhënësit se ditën e hënë më 13 prill, me rastin e festës së Pashkëve Katolike, nuk e kanë të domosdoshme përcjelljen e video-ligjëratave.
MASHTI njofton se këto video-ligjërata të mësimit në distancë do të transmetohen në Radio Televizionit të Kosovës gjatë ditës së hënë dhe do të ritransmetohen të shtunën, më 18 prill.
Aktori britanik Tim Brooke ka humbur betejën me COVID-19.
Aktori dhe komediani i njohur Tim Brooke ka ndërruar jetë në mëngjesin e sotëm ka njoftuar menaxheri i tij, shkruan DailyMail.
“Me dhimbje të thellë ju njoftojmë që Tim ka vdekur sot në mëngjes prej COVID-19. Ai ishte një klient i jashtëzakonshëm dhe një kënaqësi e madhe për të përfaqësuar atë. Ne jemi mirënjohës që kemi kaq shumë punë të tij për të parë, lexuar dhe dëgjuar. Ai kishte, natyrisht, shumë fansa të cilët gjithmonë i trajtonte me gëzim edhe pas provave dhe incizimeve të gjata” thotë menaxheri i tij.
Lajmi i hidhur vie në mëngjesin e sotëm pas konfirmimit se Britania e Madhe ka kaluar shifrën e 10 mijë të vdekurve si pasojë e COVID-19.
Legjendari britanik i garave motorike, Sir Stirling Moss, ka ndërruar jetë në moshën 90 vjeçare.
Moss i cili ka vuajtur gjatë nga një sëmundje e rëndë, është vlerësuar si një nga shoferët më të mëdhenj të Formula 1, pavarësisht asaj se nuk e ka fituar Kampionatin Botëror, shkruan BBC, transmeton Klan Kosova.
Ai u tërhoq nga jeta publike në Janar të vitit 2018 për shkak të problemeve të vazhdueshme shëndetësore.
Moss ka fituar 16 nga 66 garat në F1 nga viti 1951 deri në 1961. / KultPlus.com
Ka vdekur nga koronavoirusi në moshën 79 vjeçare komediani britanik Tim Brooke-Taylor, ka konfirmuar agjenti i tij për BBC.
Ylli britanik, i njohur për “The Goodies”, dhe “I’m Sorry I Haven’t A Clue”, ka vdekur të dielën, transmeton KultPlus.
Brooke-Taylor, ka qenë pjesë e skenës për gjashtë dekada, që nga viti 1960.
Në një deklaratë agjenti i tij ka thënë, “me trishtim të madh ju njoftojmë se ka vdekur Tim nga Covid-19. Ai ishte një klient i jashtëzakonshëm dhe ishte kënaqësi ta përfaqësoja. Jemi mirënjohës së kemi aq shumë punë të tij që t’i shfaqim, lexojmë apo dëgjojmë” / KultPlus.com
Përderisa janë në vetizolim shumë persona po gjejnë mënyra kreative për të kaluar kohën.
Së fundmi është rikrijuar performanca e famshme e Freddie Mercurit, të cilët kanë improvizuar këtë performancë të tij.
Duke përdorur një shkop në vend të mikrofonit derisa i bëjnë lëvizjet e sinkronizuara sikurse ylli britanik, ata kanë performuar në çatitë e shtëpive të tyre.
Rok grupi Queen kishte dhënë një ndër performancat më të mira në vitin 1985 në “Live Aid”. /koha/ KultPlus.com
Galeria e Ministrisë së Kulturës është institucioni i parë vartës i MKRS-së që ka filluar të jetë më afër artistëve dhe publikut gjatë kohës sa Galeria është e mbyllur për vizitorë për shkak të pandemisë së krijuar nga virusi Covid-19.
Fillimisht me anë të ciklit “Retrospektivë” filluar më 17 mars 2020, GKK ka sjelur për publikun artdashës disa nga projektet kulturore (ekspozitat) më të spikatura që janë hapur në dhjetë vjetëshin e fundit në GMK.
‘Kemi nisur me ekspozitën e vitit 2013, “Imazhi gjuhësor i piktorëve tradicional të viseve tona” përmes së cilës u patën ekspozuar veprat e 24 artistëve më të shquar shqiptarë të fillim shek. XX, veprat e të cilëve vazhdojnë të mbesin udhërrëfyes dhe objekt studimi si për artistët e rinj ashtu edhe për kritikët e artit.Për cdo ditë në faqen e Galerisë në rrjetin social Facebook, ne postojmë nga një foto të cdo punimi që ishte i ekspozuar në kuadër të kësaj ekspozite. Gjithashtu kemi postuar edhe katalogun e plotë në formatin “pdf.”, thuhet në komunikatën për media
Nga fondi i veprave të Galerisë Kombëtare të Arteve në Tiranë janë zgjedhur krijimtaritë e piktorëve si: Kolë Idromeno, Andrea Kushi, Zef Kolombi, Abdurrahim Buza, Androniqi Zengo Antoniu, Nexhmedin Zaimi, Kel Kodheli, Sofia Zengo Papadhimitri, Vladimir Jani dhe Foto Stamo. Ndërkaq, nga fondi i veprave të Galerisë Kombëtare të Kosovës janë zgjedhur krijimtaritë e piktorëve si: Ëngjëll Berisha, Vllado Radovic, Svetozar Kamenoviq, Nustret Salihamixhiqi, Agush Beqiri, Hilmija Qatoviq, Gjelosh Gjokaj, Muslim Mulliqi, Xhevdet Xhafa, Rrexhep Ferri, Tahir Emra dhe Kadrush Rama.
Më pastaj, në faqen e Galerisë në Facebook, është postuar në formatin “pdf” katalogu i plotë i ekspozitës aktuale të autores Argenita Fetahu, e titulluar “Përtej.” Ndërkaq nga e hëna, 13 prill 2020, të gjithë të interesuarit këtë ekspozitë do të mund ta vizitojnë edhe virtualisht në formatin 3D.
Në vijim në komunikatën për media, GMK njofton se për publikun do të sjellin edhe materiale nga ekspzoitat e tjera në kuadër të ciklit ‘Retrospektivë’ / KultPlus.com
Një shprehje e Homerit shqiptar, kolosit të letrave Gjergj Fishta gjen vend dhe sot ndër shqiptarë.
“Vërtetë ne kemi Bajram e Pashkë, por Shqiptarinë e kemi bashkë”, kjo thënie e poetit të madh ka treguar se ndër shekuj shqiptarët e kanë pasur bashkëjetesën fetare një shembull për të gjithë duke e përcjellë brez pas brezi. /KultPlus.com
Sot besimtarët katolikë kremtojnë Pashkën. Kur i referohemi traditave në lidhje me Pashkën në mendje na vjen veza e kuqe. Ajo është një veçori karakteristike e kësaj feste. Veza simbolizon jetën, që është e mbyllur dhe e përgjumur brenda lëvozhgës së saj, ndërsa ngjyra e kuqe e vezëve simbolizon sakrificën dhe në rastin konkret, sakrificën e Krishtit, simbolikë e fitores, gëzimit dhe jetës.
Ngjyra e kuqe paraqet forcën dhe fuqinë e perëndisë dhe njëkohësisht simbolizon edhe gjakun e Krishtit, i cili u derdh në kryq për shpëtimin e të gjithë njerëzve në botë. Kështu ngjyra e kuqe rikujton gjakun e Krishtit dhe shpëtimin.
Veza e Pashkëve është e vjetër, aq sa edhe vetë Krishtërimi dhe kisha e ka pranuar në traditën dhe në praktikën e saj si simbol i Ringjalljes së Krishtit. Krishterët e parë dhe bashkëkohës së apostujve filluan të ngjyrosin vezë dhe t’i dhurojnë për Pashkë, duke përshëndetur gëzueshëm ‘Krishti u Ngjall’! Përgjigja është: ‘Vërtet u Ngjall’!
Pjesë tjetër e traditës së Pashkëve është buka e pashkës ku vendoset veza e kuqe në mes, e cila duke qenë e ëmbël shpreh kuptimin e ëmbëlsisë dhe lumturisë, të cilat i përmbajnë fjalët e Zotit dhe lutjet e besimtarëve.
Fjala Pashkë shoqërohet me fjalën e ndritshme, duke treguar ose simbolizuar dritën, që del nga varri i Krishtit. Madje për të përforcuar ndritshmërinë e Pashkës besimtarët marrin me anë të llambave të zbukuruara dritën, të cilën klerikët e marrin nga flaka e kandilit të pashuar të Tryezës së Shenjtë, e cila simbolizon varrin e Krishtit të ngjallur dhe e çojnë në shtëpitë e tyre, duke bërë kryqin në pragun e shtëpisë dhe duke e mbajtur këtë flakë të pashuar për 40 ditë.
Padyshim që pjesë e tryezës së festimit të Pashkës është mishi i qingjit, duke simbolizuar Krishtin, i cili si qingj erdhi në therore, duke u sakrifikuar për mëkatet e njerëzve (Ungjilli sipas Joanit 1:29, Letra I-rë e Petrit, Zbulesa 5:6)./ shqiptarja/ KultPlus.com
Bota është përballur gjithmonë me situata të vështira dhe momente që zor se mund të harrohen.
Emigracioni, shpërthimet bërthamore, sulmet, epidemitë kanë qenë shkaktarët kryesorë të humbjeve të jetëve në masë. Por, vendet e varfra janë përballur edhe me urinë e tejskajshme, e cila ka shkaktuar shumë viktima.
Më poshtë po ju sjellim disa nga fotot që kanë lënë gjurmë në histori dhe kurrë nuk do të harrohen. / KultPlus.com
Pak kohë më parë këngëtarja shqiptare, Rita Ora, ka publikuar këngës e saj më të re ‘How to be lonely’, shkruan KultPlus.
Mirëpo, këngëtares nuk i ka mjaftuar vetëm lansimi i këngës dhe videoklipit, ajo së fundi ka lansuar edhe versionin live të këngës.
Vlen të ceket se Këngëtarja 29-vjeçare, Rita Ora dhe motra e saj, Elena, janë në mesin e personave që janë angazhuar si vullnetarë pranë Shërbimit Kombëtar Shëndetësor në Britani të Madhe. / KultPlus.com
Këngëtari Bob Dylan ka thyer rekord të ri duke u renditur numër një në Shtetet e Bashkuara të Amerikës me këngën “Murder Most Foul”.
E publikuar më 27 mars, kënga 17 minutëshe adreson vrasjen e vitit 1963 të presidentit amerikan, John F. Kennedy, shkruan Mirror.
Kënga është shkarkuar për t’u dëgjuar rreth 10 mijë herë nga dëgjuesit duke e renditur kështu në këngën më të dëgjuar në “Billboard’s Rock Digital Song Sales”.
Kur lëshoi këngën, ai tha: “Përshëndetje fansave dhe ndjekësve të mi me mirënjohje për të gjithë mbështetjen dhe besnikërinë e tyre ndër vite. Kjo është një këngë e pahapur që kemi regjistruar kohë më parë që mund të duket interesante. Qëndroni të sigurt, rrini zgjuar dhe Zoti do t’ju shoqërojë”.
Billboard vuri në dukje se këngët e Dylan, të interpretuara nga të tjerët, kishin arritur në krye të listave të saj. /Telegrafi/ KultPlus.com
Kishim dikur Aleksandrin e Madh, pastaj Pirro Molosin, Konstadinin e Madh, Justinianin e deri te Gjergj Kastrioti-Skenderbeun!
Kishim dikur Shkupin si qender ushtarake po edhe politike te kryengritjes shqiptare te vitit 1912.
Mos ta harrojme edhe alfabetin e gjuhes shqipe ne Manastir 1908.
Por konferenca e Londres 1913, ndodhi njohja e Shqiperise se pergjysmuar, Maqedonia mbet nen pushtimin serb.
Memorandumi i Vasa Cubrilloviqit dhe kisha ortodokse Shkupin e kthyen ne qender te islamizmit, ndersa Manastirin ne qender te identitetit ortodoks.
Nisen shpernguljet e dhunshme te shqiptareve per ne Turqi dhe kolonizimin e trojeve shqiptare me popullate serbe dhe malaziase.
Nisen mohimin e gjuhes shqipe, mohimin e identitetit kombetar si dhe zevendesimi i tij me fetar ”mysliman” te shoqeruar me kombesine ”turke”.
Beogradi hapi shkollat fetare islamike ne gjitha qytetet, hapi medresen e madhe ne Shkup si dhe themeloi Shoqaten e Myslimaneve te Serbise ”Xhemjeti”.
Ketij asimilimi te plote iu nenshtruan edhe shqiptaret ortodokse, te cilet u shpallen ”serbe”. Te njejtit ne kohen e Titos, u shpallen maqedonas.
Shpalljes se shtetit maqedon ne vitin 1991 mbi parimin shtet-komb i vetem maqedoneve, shqiptaret iu pergjigjen nepermes nje referendumi ne vitin 1992 me shpalljen e republikes autonome te Ilirides.
Por sapo Kosova te futet nen protektoratin nderkombetar ne qershor 1999, shqiptaret e diskriminuar nga ”demokracia parlamentare maqedone”, filluan nje kryengritje e cila filloi nga Tanusha e deri te hyrja e ”Ushtrise Kombetare Clirimtare” ne Shkup.
Shqiptaret fituan disa te drejta por perfundoi pa ndonje sukses te madh politik. Andaj, si e tille, kjo lufte mbetet e paperfunduar. / KultPlus.com
Gazeta franceze, « Journal des débats politiques et littéraires – Paris », ka botuar, të mërkurën e 16 majit 1883,në faqen n°2, një shkrim në lidhje me emërimin e Pashko Vasës guvernator të Libanit.
Lideri shqiptar njihej në mjediset politiko–diplomatike osmane dhe perëndimore si një njeri i talentuar për të drejtuar poste me përgjegjësi të lartë.
Shkrimi në vijim, sjellë në shqip nga Aurenc Bebja – Blogu « Dars (Klos), Mat – Albania » – dëshmon qartësisht se sa i vlerësuar ka qenë atdhetari shqiptar tek të huajt :
Na shkruajnë nga Konstandinopoja, 8 maj :
« Sot, supozojmë të marrë fund, dhe seriozisht kësaj here, çështja e Libanit. Nga mbledhja e organizuar më parë, diçka do të dalë në dritë, dhe Vasa Efendi me shumë mundësi do të marrë në mënyrë unanime votat e ambasadorëve, sepse ai është kandidati i propozuar.
Të shtunën, Arif Pasha, Ministër i Punëve të Jashtme, thirri në një takim të jashtëzakonshëm në Portën e Lartë krerët e misioneve dhe i njoftoi se kandidati i propozuar ishte Vasa Efendiu.
Përfaqësuesit e Francës, Austrisë, Italisë dhe Gjermanisë pranuan, pa hezitim, e pa u vonuar, këtë kandidaturë. Vetëm, ambasadori i Rusisë dhe i ngarkuari me punë i Anglisë dëshironin një ‘ad referendum’ (mendimin e qeverive të tyre) ; Por besojmë se udhëzimet që ata do të marrin do të jenë të favorshme për këtë emërim ; Pra, Vasa Efendiu do të jetë pasardhësi i Rustem Pashës.
Vasa Efendiu është shqiptar. Këshilltar i vilajetit të Adrianopojës, prej disa vitesh, ai ka fituar simpatinë e të gjithë qytetarëve të saj, si myslimanë dhe të krishterë. Autor i dalluar dhe madje poet në gjuhën shqipe, Vasa Efendiu është gjithashtu një administrator i ndershëm, i zgjuar, plot meritë, vendosmëri dhe energji, dhe me padyshim, ai do t’i përmbushë detyrat e tij të reja për të mirën e të gjithëve ; Ai është, ashtu siç thonë anglezët : « The right man in the right place » (Njeriu i duhur në vendin e duhur). Kjo zgjedhje është më e mira nga çdo këndvështrim ; Shqiptarët ishin krenarë dhe të lumtur që sulltani zgjodhi njërin prej tyre për të përmbushur këto funksione të rëndësishme. Mënjanimi i Bib Dodës i pati zhgënjyer disi. Vasa është ende njëri prej tyre, dhe ata vetëm se mund të krenohen për këtë zgjedhje. Pra, incidenti libanez mori fund, Rustemi u zëvendësua, kandidati i sulltanit u pranua dhe shqiptarët janë të kënaqur ; Secili prej tyre është i kënaqur : vetëm anglezëve u vjen keq për Rustemin ; Ata kanë shumë kënaqësi të tjera si kompensim. » / KultPus.com
Shprehjet e urta shqiptare, aq shumë i përdorim, saqë ndonjëherë i marrim si të mirëqena dhe jo frazeologji.
Në fakt, janë shumë praktike dhe domethënëse, përgjigjiet më të bukura dhe të shpejta që mund t’i jepen ndokujt, në rast se nuk doni ta fyeni apo t’i “bini shumë gjatë”…
Në vijim, kemi përmbledhur më të spikaturat fjalë të urta popullore shqiptare, që kanë të bëjnë më së shumti me “shëndetin dhe mençurinë dhe diturinë”… Për Shëndetin
Botën e komandon mbreti, mbretin e komandon shëndeti.
Më mirë shëndet, se mbret.
Mos t’u bëftë njëra dorë për tjetrën.
Nuk të thonë qysh ke qenë, por qysh je.
Gabimet e mjekëve i mbulon dheu.
Buka e mëngjesit është kali i ditës.
Darka e lehtë, gjumi i qetë. Mençuria, Dituria
Dy burra mund ta prishin kuvendin: njëri që di dhe nuk flet dhe tjetri që s’di dhe flet.
Nuk sheh syri, por mendja.
Thesi i zbrazët nuk qëndron më këmbë.
Kush njeh vetveten, njeh Perëndinë.
S’është marre të mos dish, por të mos duash të dish.
Shtatin pyell e mendjen fyell.
Dijet e mëdha janë në fjalë të shkurtra.
E mirë dhe fuqia, po ca më e mirë urtia.
I mençuri rrihet me fjalë dhe budalli me dru.
I zoti ia gjen kërthizën pleshtit.
Kokën të kesh, pa kapele ka sa të duash.
Kur mendtë shkojnë te maja e flokëve, punët zbresin te maja e këmbëve.
Kur u ndanë, aq i ranë.
Mos bëj petulla me ujë.
Nga leshi i qenit s’bëhen çorape.
Ngordhi një dhi në Velabisht, mbeti Berati pa dhallë.
S’të pyesin ç’bëre në kurbet, po ç’solle.
Kush pyet, s’humbet.
Libri është arma e të mençurit.
Shit kalin e mëso djalin.
Të zotit, s’ia ha qeni shkopin.
Ai është i tredhur, ti e pyet “sa fëmijë ke”?
Është me të dhënë, s’është me të thënë.
Sa të rrosh, do mësosh.
Stolia më e bukur për njeriun është dituria.
Mendja sheh, mendja dëgjon.
Dituria në rini bëhet flori në pleqëri.
Do mosha moshën, do mendja mendjen.
Mendja bën hata, mendja bën kala.
Mendo ngadalë e vepro shpejt.
I dituri të kupton sa të hapësh gojën.
Kur je mëdyshas, mos bëj asgjë!
Kur lodhet trupi, çlodhet mendja.
Atij që të kupton, foli shkurt.
Kur zihen dy vetë, fiton i treti.
Kur e dija unë këtë, ti i bije maces me lugë.
Shite diturinë me pakicë, blije me shumicë.
Kush pranon këshilla është më i mençur se ai që i jep.
Libri është fara dhe njeriu është ara.
Kush nuk di e të mëson, të dëmton.
Kush nuk lexon, edhe atë ç’ka di, e harron.
Ç’ke në xhep, t’i marrin hop; ç’ke në tru, s’ti marrin dot.
Më mirë të dish, sesa të kesh; po më mirë hem të dish, hem të kesh.
Nuk dinte lopa ç’ishte bishti, po e mësoi kur ia prenë.
Fjalën ta marrë i pari i madhi, ujin ta pijë i pari i vogli.
I thanë kovaçit “të bëjmë mbret”, po tha: “Dua edhe kudhrën”.
Kush qortohet i vogël, lavdërohet i madh./KultPlus.com
Teksa të gjithë njerëzit janë të detyruar të qëndrojnë në shtëpitë e tyre, për shkak të koronavirusit, muzeumet më të famshme në botë ofrojnë vizita virtuale.
Delegacioni i Bashkimit Europian në Tiranë fton të gjithë qytetarët shqiptarë të vizitojnë virtualisht në këto ditë në karantine muzeun e jashtëzakonshëm të Louvre në Paris.
“Një tjetër muze që mund të vizitoni virtualisht në këto ditë në karantinë është edhe i jashtëzakonshmi Louvre në Paris. Seksioni i vizitave virtuale online shpalos një pjesë mjaft të madhe të thesarit të tij”, thekson zyra e BE në Tiranë.
“Ju gjithashtu mund të gjeni materiale të tjera interesante, të gjitha në lidhje me disa nga veprat më të rëndësishme të artit në botë”, përfundon zyra e BE në Tiranë.
Zyra e BE publikon edhe linkun ku mund të vizitohet virutalisht muze i Louvre në Paris./konica/ KultPlus.com
MSH-ja përmes një njoftimi për media, thotë se nga 94 mostra të testuara sot në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK, për SARS-Cov-2, 20 prej tyre kanë rezultuar pozitive në Prishtinë. Rastet e tjera nuk janë sqaruar se ku kanë rezultuar pozitive.
“Pas konfirmimit nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të 27 rasteve të reja pozitive sot në Kosovë me SARS-Cov-2, prej të cilave 20 në Prishtinë, Ministri i Shëndetësisë Arben Vitia, në konsultim me kryetarin e Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, nxori vendimin për shpalljen e Prishtinës si zonë karantinë”, thuhet në njoftim.
Me këtë vendim, ndalohen hyrje dhe daljet në komunën e Prishtinës.
Edhe kryetari Shpend Ahmeti ka njoftuar për këtë.
“Ditë jo e mirë për Prishtinën. Nga 25 kontaktet e personit të infektuar ditë më herët, 20 janë testuar pozitiv sot. Lajmi i mirë është që të gjitha janë kontakte të personit të infektuar. Lajmi i keq është se tani duhet të shtojmë masat resktriktive në Prishtinë. Të gjithë personat ishin pa simptome. Pas konsultimeve me Ministrin Vitia, Prishtina prej sonte hyn në karantinë. Hyrje/daljet do të jenë të kontrolluara, si dhe do të kemi masa të shtuara policiore në lagjen Mati 1. Policia nuk do të lejojë grumbullimin e më shumë se dy personave dhe po ashtu do të ketë kontrolla më të mëdha. Tri lokacione, një kompleks banesor dhe dy shtëpi shkojnë në mbikqyrje 24 orëshe nga policia. Ditëve në vijim do të ashpërsohen masat. Me ditë të tëra kemi bërë thirrje për mosrelaksim. Po hyjmë në një fazë kritike. Në qoftë se ndonjëherë në jetë më keni dëgjuar për diçka po ju lus me qëndru në shpi”, ka shkruar ai.
Në njoftimin për media theksohet se obligohen të gjithë qytetarët që të respektojnë masat sipas udhëzimeve të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike.
Këtë vendim, MSh e ndërmerr me qëllim të parandalimit të përhapjes së mëtejme të pandemisë Covid -19 në Republikën e Kosovës.
“Një vendim të ngjashëm, sot Ministri Vitia për shpalljen zonë karantinë e ka marrë edhe për Komunën e Ferizajt, pasi që banorët e kësaj komune dyshohet se kanë pasur kontakt të drejtpërdrejt me personin e infektuar me Koronavirusin Covid-19”, thuhet në njoftim.
Për rastet e tjera përveç Prishtinës, IKSHPK-ja thotë se do të njoftojë sonte pas testimit të të gjitha mostrave të sotme.
“Nesër, më datë 12 prill 2020, do të mbahet një konferencë e jashtëzakonshme për media ku do të prezantohen masat e reja rigoroze që do të ndërmerren për ndalimin e përhapjes së mëtejme të Covid-19 në Kosovë”, thuhet në njoftim. / KultPlus.com
Habia ndaj lirisë sonë, më tutje habia e hapjes së shoqërisë sonë që krijon liria – të qenit ballë për ballë homoseksuales lakuriq dhe në natyrën e saj – dhe me këtë dallimi i ndërnjerëzores, përtej jetës së jetuar në kolektiv me mision, në luftë të përhershme, në stoicizëm të mbrojtjes së nderit, sakrificës dhe brishtësisë sonë, është i paikshëm. Filmi “Martesa” i regjisores Blerta Zeqiri më nuk zhbëhet. Dhe as nuk shtypet nën ideologjitë, të gjitha.
Është e ditur, narracioni permes filmit, në të gjitha mundësitë e tij: në përhapjen, besueshmërinë, politizimin, ideologjinë, pushtetin dhe nënshtrimin e masave, as nuk kishte perspektivë femre dhe as nuk do t’i lejohej asaj po i njëjti. Mirëpo, në anën tjetër, projektimi/ përfytyrimi femëror, sidomos në krijimtarinë kinematografike, është tejet i brishtë dhe thellësia e tij kërkonte dhe kërkon guxim përballë patriarkales në njerëzim, thënë thjeshtë – guximin për të shprehur.
Në filmin “Martesa” të regjisores Blerta Zeqiri, në tërë – habinë e lirisë, jemi përballë po kësaj shprehjeje, po këtij përfytyrimi/projektimi. Në të vërtetë jemi përballë përfytyrimit feminin të një realiteti bashkëkohor kosovar të vetë bashkëkohësisë sonë.
Pavarësisht nëse filmi është industria tanimë e vetme e rrëfimit dhe narrativit në njerëzim, dhe me këtë: pavarësisht nëse regjia në filmin “Martesa” është bërë nga një femër; pavarësisht nëse ky film gjykohet i pamoralshëm, i depersonalizuar, që rrezikon idiomën shqiptare, apo edhe si i prishur; apo qoftë edhe nëse ka vlerësim pozitiv, etj, pavarësisht, ky film, ky projektim, ky përfytyrim kinematografik është pamohueshëm fenomen i ri në shoqërinë shqiptare. Fenomen i cili bartë tri shtresa krejtësisht të reja, të pa-eksploruara dhe të pa-ekspozuara të shoqërisë sonë: perspektivën femërore në projektim/përfytyrim serioz; realen e ndërnjerëzores në shoqërinë tonë; dhe së treti raportin biseksual/homoseksual në shoqërinë tonë.
Në të vërtetë çdo përfytyrim, e edhe ai krijues, duke qenë tërësisht i brendshëm, ka skemën e vet: premtimin (kastrimin, për këtë më vonë) dhe udhërrëfimin e përfytyrimit. Dhe premtimi i regjisores Blerta Zeqiri, premtim femëror dhe aq më shumë e guximshme, është i gjakftohtë, real dhe i pamëshirshëm, deri në fund të udhërrëfimit të tij.
Filmi Martesa, në këtë, si premtim prezanton ftohtësinë e reales së jetës, pandjeshmërinë e rrjedhës dhe të fatit të saj, pavarësisht tragjedisë, gëzimit, të kaluarës sonë. Është premtim që gjakftohtë shmang, dhe shthurë “madhërimin”, “glorifikimin”, dhe “shenjtërimin” e jetës, apo thënë ndryshe shenjtërimin e tragjedisë. Qysh në hyrjen e filmit “Martesa”, në skenën e kthimit të qiftit protagonist, që po përgatiten për t’u martuar, Anitës (Ardiana Matoshi) dhe Bekimit (Alban Ukaj), pasi që Anita ka pritur për të identifikuar mbetjet e trupave të prindërve të saj të zhdukur gjatë luftës, ajo duke e – jetuar – këtë tragjedi, në tërë thjeshtësinë dhe me këtë ftohtësinë e reales, ankohet për motrën e saj që merret vetëm me punët e saj, dhe më pas shikon fotot e dizajnit të kuzhinës, në përgatitje për një jetë të re, për martesë, për vazhdim të jetës.
Premtimi i regjisores, – femër, Blerta Zeqiri të filmit “Martesa” është i udhërrëfyer deri në fund të filmit, si ndërthurje e tragjedisë me realitetin, kudo, në tërë kompleksitetin e jetës. Është ndërthurje e thellë e pandjeshmërisë së fatit me përpjekjen e njeriut për të jetuar, për të mirën.
Udhërrëfimi, shtjellimi, narrativi apo ndërthurja e tij në filmin “Martesa” është ankth për të ndjekur realen deri në fenomenin më të huaj, më të kundërshtuar dhe më të pakuptuar në shoqërinë tonë.
Në këtë udhërrëfimi, pas premtimit (teorik dhe krijues) të këtij filmi është vetë gjuha. Gjuha e folur, gjuha e përfytyrimit në sekan dhe përvojë, gjuha e ndjeshmërisë artistike, gjuha e konotacionit, gjuha e po të njëtës të huaj dhe të pakuptueshme të homoseksuales nëshoqërinë tonë, gjë që së bashku hapin tutje jetën duke ndodhur. Në të vërtetë ajo që mendohet këtu – filmi është vetë gjuha, është – habia e lirisë. Gjuha e të resë, urëzimi i të resë me, së paku, tragjedinë e luftës, por gjithnjë në rrafshin e reales.
Ajo që e bën fenomen krejtësisht të pashmangshëm filmin “Martesa” të Blerta Zeqirit, deshëm apo nuk deshëm ne, është gjuha e re, lindja e një gjuhe të re, shtjellimi i të resë në shoqërinë tonë. Gjuhë e përfytyrimit e cila narrativin e përfytyrimit tonë ndërnjerëzor kosovar e realizon në lindjen e saj, derisa ajo është duke lindur, derisa është duke u bërë e vetëdijshme. Filmi “Martesa” është film i guximshëm, jo vetëm në këto tri shtresat e të krijuarit të tij, por sidomos në të qenit krejtësisht direkt në raport me bashkëkohësinë tonë. “Martesa” është i menduar edhe si përfytyrim i realitetit bashkëkohor shqiptar, edhe si kompleks i ndërnjerëzores kosovare, por edhe si reflektim ndërlidhës me rrymat për njohje të kompleksit të dashurisë me sekse të njëjta.
Ky kompleks është edhe më i thellë në këtë film derisa përfshinë edhe femrën në këtë raport të kësaj shoqërie të margjinalizuar, por jo edhe të evitueshme. Gjuha e filmit, ajo e folur, është gjuhë e cila ndërthuret në bashkëkohësinë tonë, është gjuhë e cila bartë realitetin dhe problemin e filmit. Në dy raste personazhi Bekimi, i luajtur shkëlqyeshëm nga aktori Alban Uka, i duhet të thotë – qe, e thash -. Një herë para gruas me të cilën do të martohet, kur edhe kërkon falje ndaj saj. Dhe në rastin tjetër, në rastin kur i thotë “të dua” Nolit (Genc Salihu). Është pikërisht në këto dy momente, kur lind problemi i gjuhës (edhepse jo vetëm në bashkëkohësinë e filmit dhe të skenarit të këtij filmi), problemi i gjuhës e cila është duke ndodhur, e cila është duke u krijuar, e cila nuk ka ekzistuar më parë, së paku në përfytyrim publik dhe krijues dhe të narrativit kosovar, aq më shumë të atij femëror.
Gjuha në “Martesa” të regjisores Blerta Zeqiri është e vetmja lidhje ndërtimi të realitetit bashkëkohor, është problemi i të qenit pararojë e ndërnjerëzores në përfytyrim, dhe krijimit të përfytyrimit i cili shtjellohet tutje në shoqërinë tonë, pavarësisht si i paragjykuar apo edhe si vlerë.
Në të vërtetë këtu ndërlidhen skenat e guximshme seksuale, dhe atë, natyrisht, ato homoseksuale, me gjuhën. Përjetimi, apo të shikuarit (the gaze; le regard; sipas teorisë bashkëkohore) e tyre është i pashmangshëm në mjeshtërinë regjisoriale të regjisë së Zeqirit, apo thënë ndryshe tej ‘primordiales’ së paragjykimit dhe kompleksit konservativ. Kjo në të vërtetë është edhe e kalueshme, apo e kapshme dhe e shmangshme; por momentet si në skenën e mëngjesit të aktorëve Alban Uka dhe Genc Salihut, derisa e çmojnë njëri tjetrin në gjuhë të folur – homoseksuale, është një gjuhë e re, jo në fjalë apo përmbajtje, por në latencën e saj, e që është natyrshmëria e tyre që e bën paragjykimin dhe kompleksin ndaj homoseksuales, së paku të dyshueshëm.
Tërë ndërnjerëzorja në filmin “Martesa” është ndërthurje e një të reje e cila ende as nuk është trajtuar dhe as nuk arrin të perceptohet në një masë më të gjerë të shoqërisë sonë. Në të vërtetë ka krijuar një konflikt tejet të rrezikshëm në shoqërinë tonë. Ndërnjerëzorja në trekëndëshin ndërmjet personazhes Anita (Adriana Matoshi), Bekimi (Alban Ukaj) partneri/burri i saj, dhe Noli (Genc Salihu) është fat i panjohur, fat i paparë, fat i përjetuar dhe i rënë mbi ta, në të cilin as nuk mund të gjejnë një rrugëdalje, të pranojnë veten apo edhe të pranojnë atë që po u ndodh. Aq më shumë të kuptojnë atë që po u ndodh. Në të vërtetë latenca, intuita e konfliktit dhe të çuditshmes përreth këtij trekëndëshi ndërnjerëzoreje, në skenën kur Anita (Ardiana Matoshi) i thotë burrit të saj Bekimit (Alban Ukaj) se dyshon që Noli (Genc Salihu) mund të jetë dashnori i motrës së Bekimit, është filli i të puditshmes, panjohurës, të resë ndërmjet tyre. Dhe në të njëjtën kohë intuita e femrës si para-njohje e kësaj.
Në një moment në filmin “Martesa” të Blerta Zeqirit, derisa aktori Alban Ukaj dhe Genc Salihu janë duke luajtur në video lojë, të mbyllur brenda shtëpisë me muaj nga gjendja e luftës në Kosovë, syri i regjisë lirohet nga dialogu, dhe përmbajtja e skenarit, dhe rri gati se pezull, apo kalon në një ndërmjetësi. Në të vërtetë xhirimi fokusohet në hapësirën ndërmjet dy të dashuruarve në kohë lufte, biseksual dhe homoseksual, dhe krijohet ndjeshmëria estetike që sheh tutje prej realitetit, përbrenda universit të skenarit, dhe të parashikueshmes. Krijohet ndjeshmëria e njerëzores, ndërnjerëzores, dhe aurës ndërnjerëzore.
Regjisorja Blerta Zeqiri, në këtë krijon bashkëndjesinë dhe vëzhgimin, të shikuarit dhe përfytyrimin e thellë dhe sensitiv, të syrit dhe shikimit të saj/tonë, që në teori njihet si – gaze. Si të shikuar; si të shikuar në të cilin shikohemi.
Si mund të ikim nga fakti që tërë krijimtaria është përfytyrim. Ëndërrim. Projeksion, në të vërtetë tërë kinematografia dhe filmi janë të lidhura ngushtë me fjalën – projektim. Në këtë shoqëria kosovare ka qenë gjithnjë e harruar dhe paqeniesuar në krijimtari në raportin e saj real ndërnjerëzor. Ka qenë e adaptuar nën misionin e saj patriotik, e që më thellë është misioni për mbijetesë, e më tutje në misionin për vazhdim të llojit të vet, në jetën e saj nën kërcënim të kolektivit të saj. Dhe në anën tjetër e paqeniesuar në mungesë të përfytyrimit dhe projektimit, qoftë në letërsi apo film apo diku tjetër, si raport i reales së ndërnjerëzores, si fenomen jete dhe si hapje e ndër-njerëzores në ne.
Por përfytyrimi në teoritë bashkëkohore është në të vërtetë ajo që njihet si – gaze – (fr. Le regard), apo në shqip – të shikuarit. Në të vërtetë – gaze sipas teorisë së filmit dhe në përgjithësi, është jo vetëm të shikuarit, por të qenit i vetëdijshëm se derisa shikojmë ne jemi të shikuarit. Se gjithherë derisa shikojmë jemi të shikuar nga tjetri. Dhe në fund se të shikuarit është shikim vetëm nëse jemi të vetëdijshëm që të shikuarit tonë vërtetohet nga të qenit i shikuar, në atë që po shikojmë.
Por pavarësisht asaj që u tha, përfytyrimi/projeksioni krijues/artistik është ndjesia dhe hapja më e thellë e mundshme e njeriut, është vetë dëshira e tij/saj lakuriqe në latencën e saj. Në këtë derisa krijuesi e hap veten, deklaron shpirtin e tij/saj ai edhe bëhet kastrues i projektimit të përfytyrimit të tij për ata që e përjetojnë këtë. (Në të vërtetë regjisori/krijuesi si kastrues lindur në teorinë e psikanalizës, vazhdohet e shtjellohet edhe më gjerë, etj). Kjo thënë thjeshtë është dallimi ndërmjet dy skenave të para të secilit film: derisa në skenën e parë/hapjen e filmit (apo edhe më vonë gjatë filmit) përjetojmë një përfytyrim dhe edhe marrim kënaqësinë e përjetimit, kalimi arbitrar i rrjedhës së filmit në skenën e dytë, tanimë kastron shijimin, kënaqësinë dhe përjetimin tonë nga skena e parë, duke na bartur arbitrarisht/individualisht në skenën e dytë. Në të vërtetë krijuesi na premton një gjë në skenën e parë, dhe pa vullnetin tonë e rrëfen filmin si përfytyrim i tij, si ideologji, si pushtet dhe si kastrues.
Ky përfytyrim, i parë kështu, pra si kastrim, apo edhe si pushtet i një ideologjie, në krijimtarinë kosovare shqiptare gjithherë ka pasur vetëm një skemë: atë të burrit. Atë të legjendës. Atë të stoikut. Gjë që ka qenë mision i patriotizmit dhe solidarizimit në dhembje dhe përpjekje për të mbijetuar. Ky është saktësisht problemi i krijimtarisë kosovare, mungesës së përfytyrimit kosovar real dhe paqeniesimit të tij ndonjëherë. Problemi se derisa shikojmë/përfytyrojmë/ëndërrojmë/krijomë ne jemi të shikuar, apo për të folur në terme të teorisë së vazhdimit të llojit: hapemi si kolektiv ndaj tjetrit.
Në hapjen e filmit “Martesa” të Blerta Zeqirit, përballemi me pritjen në rend për identifikim të mbetjeve të trupave të zhdukur gjatë luftës nga familjarët e mbetur gjallë. Në këtë hapje të filmit “Martesa” tërë ky ritual është i ftohtë, i thjeshtë dhe pjesë e jetës (sigurisht brenda tragjedisë kosovare).
Derisa po i njëjti ritual, i dhembshëm i shoqërisë kosovare, është i trajtuar në realitet, i deklaruar në realitet, dhe i përfolur në realitet si “fatalitet” pa mundësi realeje. Gjë që është mision bashkëndjesi, solidarizim, por jo edhe realitet. Në të vërtetë është qëllim misioni, është luftë dhe është motivim për shoqërinë “të ruaj llojin e saj”. Gjë që pikërisht e imiton krijimtarinë paraprake kosovare të ideologjisë së burrit dhe stoicizmit, dhe kjo e fundit mitin kosovar të përjetuar në shoqërinë tonë. Derisa narrativi ynë imiton legjendën dhe mitin, edhe shoqëria jonë imiton narrativin tonë.
Mirëpo, teoria pas përkufizimit të – the gaze (shikimit, regard) shtjellon tutje çkondenzimin e komplekseve njerëzore, dhe sidomos atyre burrë – grua, apo perspektivës mashkullore dhe perspektivës feminine në të shikuarit (the gaze). Gjë që është tejet e rëndësishme në kinematografi. Në të vërtetë prej këtu dallohet ideologjia patriarkale e narrativit, në të cilin personazhi mashkullor është – bartës i – the gaze, dhe femra mbetet gjithherë si objekt. Në këtë lind perspektiva, – the gaze, feminine.
Edhepse në botë ka përpjekje, rryma dhe narrativ krejtësisht të fuqishëm mbi shoqëritë e margjinalizuara, në fuqizim të të gjithë të margjinalizuarve, prej rolit të femrës si objekt, e deri tek minoritetet (sidomos në qytete metropolitane) e deri tek komuniteti LGBT, në të vërtetë konflikti psikologjik dhe sociologjik ende vazhdon. Filmi “Blue is the Warmest Colour” i shpërblyer në festivalin e Kanës para disa vitesh, që trajtonte dashurinë, dramën dhe konfliktin e dy femrave lezbike, kishte krijuar debat global dhe gjithëpërfshirës. Derisa filmi vlerësohej për projektim/përfytyrim të suksesshëm të kësaj shoqërie, anëtaret e këtij komuniteti ankoheshin për perspektiva të çoroditura të mënyrës së jetës së tyre dhe theksonin se ishte perspektivë mashkullore mbi këtë raport të këtij komuniteti filmi në fjalë.
Por në të vërtetë, kjo është kompleks i pazgjidhshëm. Teoria bashkëkohore ka përkufizuar (jo edhe pa komplekse të radhës) se gjuha, në të vërtetë, të gjitha gjuhët e botës, janë gjuhë të burrit. Gjuha është e lindur, zbuluar dhe e trajtuar prej përbrenda mashkullit, dhe femra është e huaj në atë. Në të vërtetë sipas teorisë bashkëkohore femra ende nuk ka mësuar, apo ende nuk e ka një gjuhë për të shprehur veten. Gjë që krijon këtë problem të – the gaze.
Në këtë lind dilema e trajtimit të vetë gjuhës përbrenda filmit “Martesa”, jo vetëm asaj të folur, por asaj që na ka ‘premtuar’ regjisorja, udhërrëfimin e këtij premtimi, – the gaze, dhe në të vërtetën gjuhën e një femre/regjisore. Gjuha në filmin Martesa” është në të vërtetë gjuhë në lindje, në përpunim, në shtjellë dhe shumë më shumë në intuitë. Aq më shumë – the gaze e syrit tanë përmes regjisores Blerta Zeqiri brenda këtij filmi është jo e prerë, apo as e përkufizuar në femininen e bartjes së shikimit tonë. Në të vërtetë, kjo ndërthurje e – the gaze brenda këtij filmi është gjë në lindje e sipër. Por nëse marrim guximin të penetrojmë tutje në latencën e – the gaze që ofron ky film dhe kjo regji, atëherë shohim ndjeshmërinë regjisoriale e cila flet më shumë se vetë skenari. Ajo që është semiotikë, gjuhë e brendshme e këtij shikimi.
Skena e kulminacionit të filmit, ajo e martesës së personazhit Bekimi dhe Anitës, është ajo që është më evidentja në – the gaze të tij, përbrenda gjuhës, që u tha se njihet si gjuhë e mashkullit. Ajo është shthurje e vargut të tërë të tragjedive në atmosferën e, shenjtërisë, së martesës për shoqërinë tonë. Në të vërtetë skena e pritjes në rend për identifikim të mbetjeve të familjarëve dhe skena e martesës në të vërtetë e zbresin “glorifikimin” e shoqërisë sonë ndaj tyre, në nivel intim dhe të drejtpërdrejtë, gjë që e bën dhembjen të qartë dhe të prekshme. Jemi në afërsinë më të madhe të kësaj dhembje, dhe shenjtërie (të martesës) dhe me gjithë shthurjet e tragjedive. Blerta Zeqiri në regjinë e saj krijon ndjeshmërinë e perspektivës së njeriut i cili i vuan ato dhe syri i saj, syri i jonë, që – shikon gjendet përbrenda intimitetit të kësaj/këtyre dhembjeve që nuk mund t’u ikim përmes madhështimit të tyre.
Ankthi i autores Zeqiri (dhe bashkë-skenaristit Kreshnik Keka Berisha) për të dalë jashtë ideologjisë së narrativit krijues shqiptar – të stoikes, të qëndresës, dhe madhështisë, në njërën anë, dhe në anën tjetër për të çmitizuar “uniken”, apo thënë më saktë tëhuajsimin tonë nga narrativi bashkëkohor global, megjithëse shoqëria jonë është e hapur në totalitetin e saj ndaj fenomeneve globale, dhe është e përfshirë në të gjitha këto, e bën Zeqirin të krijoj gjuhën e narrativit me ndjeshmërinë e saj krijuese, dhe në këtë në të qenit direkte dhe përballë çfarëdo shikimi, – the gaze, që e vërteton vetë – the gaze të saj dhe tonën me këtë derisa e përjetojmë filmin e saj “Martesa”. Thënë thjeshtë përfytyrim që nuk i trembet asnjë përballjeje.
Në të vërtetë, me sa u tha për gjuhën dhe problemin e perspektivave, mashkullore dhe femërore, gjuha e Blerta Zeqirit është gjuhë e cila në të gjitha ndërthurjet e saj arrin të bëj të vetëdijshme realen tonë. Shtjellimin e reales sonë. Ajo e bën të parë dhe thënëshme që po lind. Në skenën ku personazhi Bekimi dhe Noli janë të shtrirë në izolimin gjatë luftës në Kosovë, biseda e tyre është shtresa e cila krijon – the gaze, e bartë shikuesin të shoh brenda një intimiteti krejtësisht të huaj dhe të gjykuar në shoqërinë tonë. Por ajo që nuk flitet dhe as nuk jepet direkt, e që është pritja premtuese; kimia e aktorëve; poetika e thënies së personazhit Noli se: nuk dua asgjë (në kohë të luftës), i kam të gjitha; dhe më tutje natyrshmëria e skenës; që të gjitha së bashku përbëjnë gjuhën e Blerta Zeqirit në këtë film e që është ndjeshmëria krijuese, e përmbushin të pathënshmen, dhe e vetëdijësojnë jetën, hapur qoftë në vetëdijen kosovare.
Më përafërt në këtë është përfytyrimi/projektimi i trekëndëshit të personazheve protagoniste të filmit: regjisorja Zeqiri arrin të thyej aurën e ‘mashkullores’ së patjetërsueshme në lojën fantastike të Genc Salihut, duke e sjellë të natyrshme natyrën homoseksuale përmes tij. Në personazhin që luhet nga Alban Ukaj, në të vërtetë – the gaze e narrativit kalon në ‘çmuarje’ të mashkullores, jo vetëm në pamje apo në sjellje, por edhe në gjuhën e të brendshmes.
Më tutje në personazhin e Anitës, që e aktron shumë me kujdes Ardiana Matoshi, – the gaze, apo gjuha e shikimit tonë të udhërrëfyer, kapë edhe intuitën e femrës së pa shprehur deri në fund; edhe dyshimin e saj femëror brenda – një gjuhe të huaj -; edhe vetëdijen e saj që e përballë me tërë pandjeshmërinë e reales së fatit, apo thënë më mirë pandjeshmërinë e fatit. Gjuha, në lindje dhe e pathënëshme ende, ndjehet në pasionin e regjisë.
Në të vërtetë, si në këto tri portretizime, si në tërë filmin e Blertës, – the gaze është shumë e brishtë, si në mungesë të narrativit kosovar dhe shqiptar, dhe më gjerë të ndërnjerëzores reale, si në guximin e saj, si në njohjen e saj të brumit të këtij filmi, si në të qenit fenomen pararojë edhe global.
Kjo brishtësi është e vetëdijshme dhe në këtë e ndërthurë atë që po lind në – habinë e lirisë së shoqërisë kosovare, si në lindjen e të resë (pas hapjes), dhe si në urëzimin e reales kosovare me realen globale. Kjo gjuhë e ndërthurur me brishtësinë, pasionin krijues të Blertës, dhe ndjeshmërinë e saj si ideore, narrative dhe shtresuese, është diçka e rrallë dhe e çmueshme që është edhe e kurthuar në aktualen, apo respektin e saj ndaj trajtimit më të thellë të reales së ndërnjerëzores, apo, paradoksalisht, derisa trajton “ekscentriken”, kujdesin autorial ndaj asaj që po ndodh në – habinë ndaj lirisë sonë.
Në të vërtetë, të gjitha ndërtimet e ndërnjerëzores që ajo krijon në mjeshtëri tejet të ndjeshme, të kënduarit, party-ing të femrave (gjë që është rocket science për meshkujt në Kosovë), dhe ndejat dhe vetë dasma, janë krijim që rrallë harrohet. Në të cilat Blerta flet, e brishtë ndaj pandjeshmërisë së fatit, apo reales. / KultPlus.com
Në këto ditë karantine, kur virusi Covid-19 është përhapur anembanë botës, qëndrimi brenda shtëpisë është mundësi e mirë për t’u rikthyer te leximi. Dhe kalimi i kohës duke lexuar libra është gjithmonë zgjedhje e mirë.
KultPlus-i vazhdon me rekomandimet për të gjithë juve që jeni të interesuar t’i rrekeni leximit dhe ta shfrytëzoni këtë kohë për t’i zgjeruar njohuritë tuaja.
Ndërkaq, sonte KultPlus ju rekomandon një vepër të letërsisë turke, ‘Flokëkuqja’ të shkrimtarit të njohur Orhan Pamuk, vepër kjo që brenda vetes ngërthen shumë gjëra që ndikojnë direkt në mendjen e lexuesit.
Fituesi i çmimit Nobel, Orhan Pamuk, autor i shumë romaneve i njohur kryesisht në mbarë botën me “Unë jam e kuqja” dhe “Bora”, është gjithashtu autor i një numri të madh librash jo-letrarë dhe me esse për atdheun e tij, Turqinë, që shpeshherë publikohen në New Yorker.
Pamuku është kritikuar dhe përndjekur nga qeveria turke për shkak se flet për lirinë e shprehjes dhe sepse ka sjellë në vëmendjen e botës genocidin armen dhe trajtimin e çështjes kurde nga Turqia.
Tek ‘Flokëkuqja’ secili gjen veten, herë në ndonjë personazh e herë në ndonjë situatë të brenda ngjarjes së romanit. Ajo që ka Pamuku ka bërë me Mitin e Edipit është për të gjitha lavdatat, ka shndërruar dhe ndërruar komplet atë që zakonisht jemi mësuar të lexojmë kur bëhet fjalë për Kompleksin e Edipit.
Ngjarja e romanit zë vend në Stambollin e viteve 80′. Xhemi, një gjimnazist i etur për libra, i duhet të fitojë vetë paratë e mjaftueshme për në universitet, ngaqë i ati, një aktivist i majtë, zhduket shpesh ga jeta e tyre familjare. Xhemi do të ndjekë pas usta Mahmutin, një mjeshtër i hapjes së puseve me teknikave të vjetra, diku në një provincë jo larg prej aty e që pak vite më vonë do të jetë thjesht një lagje informale e qytetit. Por djaloshi ëndërrimtar, i magjepsur nga rrëfimet e vjetra, nga librat dhe ëndrrat që i sheh nën yje në fushë të hapur ku punon, do të trazohet kur të takojë Flokëkuqen e Ongorenit, një grua gati dyfishi i moshës së tij, pa e ditur se dikur ajo vetë ia kishte rrëmbyer zemrën të atij në ato trazime politike që ndoqën historinë turke pas grushtit të shtetit. Sikur të mos mjaftojë kjo, ai do ta braktisë në pus ustain e tij të dashur dhe do të jetojë më pas tridhjetë vjet me ndjesinë se e ka vrarë.
Duke luajtur me mitet themelore të Lindjes dhe Perëndimit, atë të Edipit të Sofokliut (atëvrasjes) dhe Rustemit e Syhrabit (djalëvrasjes), duke vendosur në qendër një grua flokëkuqe që vërtit botën e vogël të rrëfimit të tij, Orhan Pamuk ngre një histori të mrekullueshme të dashurisë së përbotshme babë-e-bir, duke përfshirë në të shndërrimin e Stambollit dhe të vetë kësaj bote të madhe.”
‘Flokëkuqja’ është njëri ndër ato romane që duhet lexuar të paktën njëherë në jetë, një roman që të ngërthen mbas vetes që nga fjalia e parë e deri në përfundim. / KultPlus.com
Ndërkohë që i gjithë planeti, pa e patur haberin për atë që e pret, feston vitin e ri, në Wuhan të Kinës janë duke filluar njëqind ditët që tronditën botën: në prag të Vitit të Ri, autoritetet kineze informojnë OBSH se në atë qytet ka raste polmoniti, me origjinë të panjohur.
Në atë moment, jeta jonë ndryshun siç nuk do ta kishim imagjinuar kurrë. Sot, në ditën e 100 të emergjencës, numërojmë një milion e gjysmë të infektuar, 90 mijë të vdekur dhe gjysmën e popullsisë së botës të mbyllur në shtëpi.
Kur pamë fotografitë e para “ekzotike” të kinezëve me maska, menduam: nuk do të vijë kurrë tek ne. Sot shkojmë në supermarket të mbrojtur si në një superluftë bakteriologjike, dhe pothuaj nuk na bën më përshtypje. Tani edhe takimi me bërryla, një alternativë e parë kjo ndaj shtrëngimit të duarve dhe përqafimit, është shndërruar me shpejtësi në tabu për shkak se shkel atë barrierë të padukshme që na rrethon në një perimetër prej një metër.
Rikthimi në normalitet është një mirazh i largët, të paktën aq i largët sa edhe një vaksinë efikase kundër koronavirusit, domethënë jo më herët se një vit. Në ndërkohë, na thonë ekspertët, duhet të heqim dorë nga vendet e populluar, stadiume, koncerte, kongrese, kinema. Do të rikthehemi të udhëtojmë, por do të duhet të shohim se si kompanitë ajrore dhe hekurudhore do ia dalin që të sigurojnë të ardhurat, duke garantuar distancat në bord (domethënë dy të tretat e pasagjerëve më pak). Smart working, videokonferencat dhe leksionet në distancë do të jenë normë.
Një tjetër botë, pas vetëm 100 ditëve. Kurrë në historinë e njerëzimit, një ndryshim kaq radikal nuk ka ardhur në mënyrë kaq të beftë. E dimë arsyen: Në të kaluarën, viruset udhëtonin me karvanë, anije apo maksimumi trena, sot udhëtojnë në klasin e biznesit. Brenda pak javësh, Covid19 nga Kina kërceu në Korenë e Jugut dhe më pas në Iran dhe në Evropë, deri sa mbërriti në Shtetet e Bashkuara, që sot janë vendi më i goditur me më shumë se 451 mijë të infektuar.
Kudo është përsëritur i njëjti mekanizëm: nënvlerësim i asaj që kishte ndodhur në vendet e prekura pak javë më herët, deklaratat e politikanëve se kishin situatën nën kontroll dhe në fund, një garë e ethshme drejt po atyre masave të emergjencës, që kishin adoptuar të tjerët. Pamjet e izolimit dhe spitaleve të ndërtuar brenda pak ditësh në Wuhan, u përsëritën pothuaj identike, kudo.
Por 100 ditët që tronditën botën patën një periudhë inkubimi më të gjatë se sa ajo e koronavirusit. Dekada të tëra gjatë të cilave qeniet njerëzore shkatërruan habitate dhe prishën ekuilibrat e natyrës, pa e vrarë mendjen për pasojat. Menjëherë pas alarmit zyrar kinez, në 1 janar 2020 u mbyll tregu i peshkut në Wuhan: është vendi që tregohet si pikënisja e epidemisë. Në javët që pasuan do të vinin konfirmime dhe përgënjeshtrime, por një gjë është e sigurt: koronavirusi kaloi nga një kafshë e egër, tek njeriu. Ishte parashikuar që mund të ndodhte, nga studiues dhe shkencëtarë si amerikani David Quammen i cili për kalimin e virusit nga një specie tek tjetra, kishte shkruar një bestseller ndërkombëtar në vitin 2012.
Këto 100 ditë që do të mbeten në histori mbyllen me kryeministrin britanik, Boris Johnson në terapi intensive. Sepse koronavirusi nuk bën dallime: godet të pushtetshmit dhe ata që nuk janë, mbi të gjitha nëse injorohen këshillat e dhëna nga ekspertët. Johnson, që mburrej se vazhdonte të shtrëngonte duar, e nxorri mësimin në kurriz të vet. Dy ditë më parë, në 8 prill, u rihap më në fund Wuhani, pas 76 ditësh bllokim. Na mëson që edhe mund të dilet. Me durim, metodikë dhe maturi, por dilet. / La Repubblica / KultPlus.com
Sontë në orën 20:00, në formatin Livestream në faqen zyrtare të Teatrit Kombëtar në Facebook, shfaqet drama ‘Eshtrat që vijnë vonë’, shkruan KultPlus.
Me tekst të Teki Dervishit “Eshtrat që vijnë vonë” është realizuar me regji të regjisorit Martin Kocovski.
Fituese e shumë çmimeve ndërkombëtare, ndër to edhe çmimin GRAND PRIX ne Festivalin Ndërkombëtar të Teatrove në Rumani.
Kasta e aktorëve për këtë shfaqje përbëhet nga: Astrit Kabashi, Bajrush Mjaku, Adrian Morina, Shkelzen Veseli, Lumnie Sopi, Arta Selimi, Albulena Kryeziu, Armend Baloku dhe Bujar Ahmeti. Skenografia dhe kostumet do të përgatiten nga Juliana Voykova, ndërsa muzika nga Oliver Josifovski. Drama e Teki Dervishit “Eshtrat që vijnë vonë” trajton fatin e individit me identitet të humbur. Raportet mes njeriut i cili për pushtet ka humbur identitetin dhe atij që përpiqet ta ruaj duke e sfiduar presionin dhe realitetin Orwellian në të cilin është futur domosdoshmërisht. / KultPlus.com
Studentët e Kolegjit AAB, dega e Dizajnit Grafik dhe Arteve Vizuese, të vitit të parë dhe të dytë nën përkujdesjen e profesor Besim Mikullovcit, kanë realizuar një ekspozitë virtuale, shkruan KultPlus.
Kjo ekspozitë njëherit është edhe ekspozita e parë virtuale e studentëve të arteve në vendin tonë. Ekspozita mban titullin ”Can’t quarantine art” dhe ëshë realizuar gjatë këtyre ditëve të karantinës.
Kjo mënyrë e ekspozimit të artit vizual po ndodhë për herë të parë në Kosovë.
Studentët e Fakultetit të Musikologjisë, antarë të Korit të Studentëve të Kolegjit AAB, kanë sjellur një orë të ushtrimeve korale nga distanca. Duke sjellur kështu këngën legjendare të ikonës së muzikës shqipe, Nexhmije Pagarusha, nën udhëheqjen e profesorit Adhurim Rasimi. Kjo këngë është shndërruar në këngë korale për kor të përzier.
Ekspozita është e vendosur në një Galeri Virtuale Ndëkrombëtare dhe të gjithë të interesuarit mund ta vizitojnë në linkun e bashkangjitur më poshtë. / KultPlus.com