Shkencëtarët: Nëse nuk ndalet shkatërrimi i natyrës, na presin pandemi edhe më të rënda

Disa prej ekspertëve më të njohur të biodiversitetit në botë kanë paralajmëruar se bota ka gjasa të përballet me përhapje të sëmundjeve edhe më shkatërruese se koronavirusi, nëse njerëzimi nuk tërhiqet nga shkatërrimi i natyrës.

“Vetëm një specie është përgjegjëse për pandeminë Covid-19 – ne, njerëzit. Pandemitë e fundit janë pasojë e drejtpërdrejtë e aktivitetit njerëzor, veçanërisht e sistemeve tona financiare dhe ekonomike, që e synojnë rritjen ekonomike me çfarëdo çmimi”, thuhet në letrën e shkencëtarëve.

“Shpyllëzimi masiv, zgjerimi i pakontrolluar i bujqësisë, minierat dhe zhvillimi i infrastrukturës si dhe shfrytëzimi i specieve të egra e kanë krijuar një stuhi të përkryer për përhapjen e sëmundjeve”, theksohet më tej, shkruan “The Guardian”, transmeton Gazeta Express.

Profesorët Josef Settele, Sandra Diaz dhe Eduardo Brondizio e kanë udhëhequr hulumtimin më gjithëpërfshirës të planetit, i cili u publikua nga Platforma Ndërqeveritare për Biodiversitetin dhe Shërbimet e Ekosistemeve. Aty arrihet në përfundim se shoqëria njerëzore është në rrezik nga përshpejtimi i dobësimit të sistemeve natyrale të Tokës.

Ata thanë se aktivitetet e njerëzve shkaktojnë pandemi për shkak të rritjes së kontaktit me kafshët, sepse 70 për qind e sëmundjeve njerëzore e kanë prejardhjen nga to. Sipas tyre, urbanizimi dhe zgjerimi i madh i transportit ajror ndikuan që një virus i parrezikshëm i lakuriqëve u shkaktoi shumë vuajtje njerëzve në tërë botën dhe se Covid-19 mund të jetë vetëm fillimi i tyre.

“Pandemitë e së ardhmes kanë gjasa të ndodhin më shpesh, të përhapen më shpejt, të kenë ndikim më të madh ekonomik dhe të vrasin më shumë njerëz, nëse ne nuk jemi tepër të kujdesshëm për ndikimin e mundshëm të zgjedhjeve që i bëjmë sot”, thanë shkencëtarët. / KultPlus.com

21 vite në pritje

Fotografitë: Artan Korenica

Në Ditën Kombëtare të Personave të Pagjetur nga lufta e fundit në Kosovë, fotografi Artan Korenica na sjellë fotografitë e njerëzve që tash e 21 vite janë “Në Pritje”, shkruan KultPlus.

Këto fotografi paraqesin shumë familjarë të cilët ende janë në pritje të më të dashurve të tyre, që nga dita kur forcat paramilitare serbe i morën ata për të mos i kthyer kurrë më në familjet e tyre.

Edhe 1641 persona janë të zhdukur nga lufta e fundit në Kosovë. / KultPlus.com

Muzetë amerikanë përballë vështirësive financiare

Drejtuesit e Muzeut Metropolitan të Artit në Manhattan janë duke u përgatitur për një rënie ekonomike për shkak të pandemisë së koronavirusit, që mund të jetë më e rëndë sesa u parashikua fillimisht.

Përballja me një mungesë të mundshme për vitin e ardhshëm fiskal që mund të shkojë deri në 150 milionë dollarë – 50 për qind më shumë se ajo që ishte parashikuar në mars – bëri që muzeu të njoftojë për largime nga puna më shumë se 80 punonjës dhe ekzekutime të shkurtimeve të pagave për 20 për qind në një letër për stafin.

“Ani pse ne nuk jemi imunë nga ndikimi i kësaj pandemie, jemi një institucion i fortë dhe i qëndrueshëm dhe do të mbetemi të tillë”, ka thënë Daniel Weiss, president dhe shef ekzekutiv i muzeut, në një deklaratë, shkruan KOHA.

“Dy objektivat tona kryesore po vazhdojnë të bëjnë gjithçka që munden për të siguruar shëndetin dhe sigurinë e komunitetit tonë dhe për të mbrojtur gjendjen financiare të muzeut”.

Një zëdhënës i muzeut tha se do të arrijnë deri në një ulje prej 26 për qind të stafit në të gjitha shërbimet e vizitorëve dhe departamentet e shitjes me pakicë, për shkak të një rënie të pritshme të pjesëmarrjes për një periudhë të qëndrueshme kohore.

Anëtarët e stafit të ndikuar do të paguhen gjatë javës së parë të qershorit. Muzeu kishte planifikuar më parë të rihapej në korrik, por tani po shikon më larg në të ardhmen, pasi u detyrua ta anulojë festimin e 150-vjetorit të tij për këtë verë. Përballë perspektivës së errët të një rikuperimi të shpejtë nga pandemia, shumë muze tani po ndryshojnë ngjarjet në kalendarët e tyre për vjeshtën dhe po parashikojnë mbyllje më afatgjata.

Të martën, muzeu “Isabella Stewart Gardner Museum” në Boston anuloi të gjitha aktivitet deri në mes të shtatorit, për shkak të COVID-19. “Situata aktuale na ka detyruar të bëjmë një vështrim realist”, ka thënë drejtoresha e muzeut, Peggy Fogelman, në një komunikatë. “Ky ishte një vendim i dhimbshëm, por e dimë që është në interesin më të mirë dhe sigurinë e vizitorëve tanë”. / KultPlus.com

‘Për ata që (s)’janë’

Në Kosovë ende nuk janë gjetur edhe 1641 persona të zhdukur në luftën e fundit. Sot, kur edhe shënohet Dita Kombëtare e Personave të Pagjetur nga lufta e fundit në Kosovë, familjarët e tyre ende përballen me ankthin që i ka ngulfatur tash e 21 vite, duke kërkuar një pikë drite në tunelin 21 vjeçar, shkruan KultPlus.

Duke reflektuar për këtë çështje, Eliza Hoxha solli këngën “Për ata që (s)’janë” përmes secilës ajo shpalos dhimbjen e familjarëve të personave të zhdukur. Me një tekst tejet prekës dhe nën tinguj rrëqethës, kjo këngë është si një lloj himni për personat e pagjetur.

Ndërsa, Koperativa projektoi dhe prodhoi videoklipin muzikor të kësaj kënge, duke paraqitur tregime të shkurtra e nostalgjike, kujtime të të zhdukurve dhe vetmisë. Kjo video trajton çështjen në një mënyrë mjaft poetike, duke e vendosur shikuesin në një gjendje emocionale dhe ndërgjegjësim për çështjen e personave të zhdukur.

Teksti i plotë i këngës:

Sa letra shkrova pa adresë ku t’i dërgoj
sa shume ditë kaluan sa shumë mall dhe lot që s’pushojnë
i gjallë a i vdekur asgjë më unë nuk di
por brenda meje ti, ende frymon çdo ditë

Rrëfen një nënë, rrëfen dhe një grua e një fëmijë
o sa shumë po lutem edhe unë po lutem tani
për ata që s’janë të humbur diku në pafund
rrëfen edhe kjo këngë
pa forcë që të bëj më shumë

Asgjë nuk kërkoj ky ankth t’më lëshoj
jam lodhur në pritje por s’mund të heq dorë
veç vendin ta di se ku prehesh ti
kurrë dhembje nuk do t’më pushoj
në fund dhe unë do t’ndjehem e lirë

Asgjë s’ka kuptim as kjo pritje që më shkatërrojë
dhembjen se ndalojnë as këto vargje që i këndoj
gjithnjë refuzoj të mendoj se ti më nuk je
e si unë të besoj kur peng i kësaj ndjenje kam mbet
të gjitha mi more, nga vetja ime ti
e un tani pres, të paktën veç diçka nga ti
e humbur në jetë me shpresën se do vish
bashkë me shumë të tjerë unë ende besoj vërtetë

Asgjë nuk kërkoj ky ankth t’më lëshoj
jam lodhur në pritje por s’mund të heq dorë
veç vendin ta di se ku prehesh ti
kurrë dhembje nuk do t’më pushoj

Asgjë nuk kërkoj ky ankth t’më lëshoj
veç vendin ta di se ku prehesh ti (x2)

Të gjithëve sa shumë na mungojnë

Asgjë nuk kërkoj ky ankth t’më lëshoj
jam lodhur në pritje por s’mund të heq dorë
veç vendin ta di se ku prehesh ti
kurrë dhembje nuk do t’më pushoj
në fund dhe unë do ndjehem e lirë

Asgjë nuk kërkoj ky ankth t’më lëshoj
veç vendin ta di se ku prehesh ti. / KultPlus.com

Simetria e “fajit” dhe linçimi…

Nga Jusuf Buxhovi

Skicë ironike

SIMETRIA E “FAJIT” DHE LINÇIMI…

Në realitetin e “Fermës së kafshëve”, ku blegërima paraqet “shprehjen e lirë”, ndalohet çfarëdo blegërime jashtë tufës. Monotonia sanksionon edhe shkeljet mbi kriteret “e çakordimit” dhe të “dakordimit” të tonaliteteve. Kështu, “çakordimet”, me arsyetimin se prishet harmonia, konsiderohen shkelje të rënda dhe sanksionohen me linçim publik. Ndërsa “dakordimet” trajtohen pjesë e “tonaliteteve” për brenda konceptit të monotonisë. Që i bie se ato mund të jenë edhe të dirigjuara nga Dirigjenti dhe shfaqen sipas nevojës.
Nuk ka këtu asgjë të jashtëzakonshme nëse kihet parasysh se simetria “e fajit” e ka burimin te fryma e Kushtetutës së “Fermës së kafshëve” dhe interpretimi i saj nga Sovrani (Kryederri), sipas të cilës “të gjitha kafshët janë të barabarta, por disa kafshë janë më të barabarta se të tjerat!”… / KultPlus.com

“Kur do t’pushoj kjo këngë”

Sot shënohet Dita Kombëtare e Personave të Pagjetur nga lufta e fundit në Kosovë, shkruan KultPlus.

Në Kosovë ende nuk janë gjetur edhe 1641 persona të zhdukur në luftën e fundit.

KultPlus sot ju sjell këngën e njohur “Kur do t’pushoj kjo këngë” nga rock-grupi kosovar Jericho e cila ju kushtohet viktimave të pagjetura të luftës së fundit.

Teksti i këngës:

Kur do të pushoj ma kjo kangë
Mërzinë kjo bukuri dot nuk e thanë

2x
Sytë mu kan ronu
Zemër rri me mu

Në vena gjaku i djallit po më lëviz
Duart i hap e muret po i grithë

2x
Syte mu kane ronu
Zemer ri me mu

na na na na na. / KultPlus.com

Filloristët norvegjezë kthehen në shkolla pas 6 javësh të mësimit nga shtëpia

Norvegjia të hënën e filloi rihapjen e shkollave fillore pasi qeveria e këtij vendi vlerësoi se përhapja e koronavirusit është vënë nën kontroll.

Një javë pas çerdheve, në shtetin skandinav u hapën edhe shkollat për fëmijët e moshës gjashtë deri në 10-vjeçare. Ata ishin duke mësuar nga shtëpia për gjashtë javë. Megjithatë, numri maksimal i nxënësve në një klasë do të jetë 15.

Norvegjia ka filluar që në mënyrë progresive t’i largojë masat e vendosura më 12 mars kundër përhapjes së koronavirusit të ri.

Përpos shkollave, edhe sallonet e floktarëve dhe ordinancat stomatologjike morën leje për ta rifilluar punën e tyre, shkruan “The Guardian”, transmeton Gazeta Express.

Sidoqoftë, shumë masa të tjera do të vazhdojnë të mbeten në fuqi, përfshirë ndalimin e ngjarjeve sportive dhe kulturore dhe rregullat për distancim fizik.

Deri të dielën, Norvegjia i ka regjistruar 7,505 raste të koronavirusit dhe 193 të vdekur, ndërsa numri i pacientëve të shtrirë në spitale ka rënë në masë të konsiderueshme javëve të fundit. / KultPlus.com

Dita e të Pagjeturve në Kosovë shënohet sonte me fikjen e dritave për 2 minuta

Sonte, në ora 20:00 ftohen të gjithë qytetarët e Kosovës t’i ndalin dritat nëpër shtëpitë e tyre për 2 minuta, për të shënuar ditën kombëtare të personave të pagjetur nga lufta e fundit në Kosovë.

‘Me 2 minuta errësirë në familjet tonat, ne do të mund të bashkëndjejmë sado pak me dhimbjen dhe terrin në të cilën ndodhen familjarët e 1.644 personave ende te pagjetur për tash e 20 vjet’, thuhet në komunikatën për media nga Integra.

Që 20 vjet familjarët kërkojnë e shpresojnë në zbardhjen e fatit të më të dashurve të tyre. Që 20 vjet ata presin në ankth për të ditur të vërtetën por edhe për drejtësi për krimet që janë bërë ndaj familjarëve të tyre.

Që 20 vjet familjarët dhe shoqëria kosovare përballen me neglizhencë institucionale për zbardhjen e çështjes së personave të pagjetur. Prandaj, edhe në këtë ditë, si çdo ditë tjetër, ne nuk do t’i harrojmë.
Do të vazhdojmë t’i kujtojmë personat e pagjetur, sepse ata janë pjesë e jona.

Qeverisë së Kosovës do të vazhdojmë t’i kërkojmë përgjegjësinë ligjore dhe morale që ka për të zgjidhur çështjen e personave të pagjetur, ndërsa shoqërisë kosovare përgjegjësinë kolektive që ka për të mos harruar asnjëherë.

Kjo ngjarje organizohet nga Integra, Missing Persons Resource Center, YIHR, Humanitarian Laë Center Kosovo dhe forumZFD – Kosovo Program / KultPlus.com

‘Le Soir’ për ‘Bardha e Temalit’ më 1889: Studim i sinqertë dhe i detajuar i zakoneve të Shqipërisë

Nga Aurenc Bebja  

“Le Soir” ka botuar, të martën e 10 dhjetorit 1889, në faqen n°3, një shkrim në lidhje me promovimin asokohe të romanit në gjuhën frënge të Pashko Vasës, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar : 

Librat e rinj

 “Bardha e Temalit, nga Albanus Albano, vol. 1 in-18 jesus, tek Albert Savine : 3.5 franga

 — Studim shumë i sinqertë dhe gjithashtu shumë i detajuar i zakoneve të Shqipërisë. Dashuritë e fuqishme, urrejtjet e forta të këtyre fiseve luftëtare janë vënë në pah në një mënyrë shumë interesante dhe mbi të gjitha të përjetuara nga autori.

 Ne i urojmë, veçanërisht në këtë kohë ku ekzotika është në modë, një mirëseardhje të merituar këtij romani të shkruar në mënyrë të kujdesshme.

 Pseudonimi i “Albanus Albano” fsheh, nëse nuk gabojmë, personalitetin simpatik të një shqiptari që qëndroi në vendin e tij, duke qenë njëkohësisht francez në zemër dhe parizian në shpirt.”

https://www.darsiani.com/la-gazette/le-soir-1889-i-urojme-mireseardhjen-romanit-bardha-e-temalit-te-albanus-albano-s-pashko-vases-francezit-ne-zemer-dhe-parizianit-ne-shpirt/

Dua Lipa vlerësohet si një ndër interpretueset më të mira të rrymës pop

Dua Lipa, këngëtarja e suksesshme shqiptare, është vlerësuar si një ndër interpretueset më të mira të rrymës pop. Artistja është bërë tashmë faktor në industrinë muzikore dhe me këto ritme suksesi pritet të rivalizojë këngëtaren angleze Adele.

Sipas mediave botërore thuhet se këtë e vërtetojnë dhe shifrat marramendëse të arritura nga biznesi i saj, të cilat arrijnë në 28 milionë euro.

Krijuesja e hitit “One Kiss”, që e nisi interpretimin në projektin bamirës “Children in Need”, e ka bërë pasurinë e saj dyfish nga viti i kaluar, nga 11.8 milionë funta (13 milionë euro), shkruan The Sun. Ajo gjithashtu posedon 17.3 milionë funta (19 milionë euro) në bankë, sipas shifrave të Dua Lipa Live LLP, të paraqitura në “Companies House”.

“Dua ka ecur ngadalë në biznesin e saj, dhe tani është një nga interpretueset më të suksesshme të popit”, ka thënë një burim i industrisë për 24-vjeçaren.

“Llogaritë e fundit tregojnë se ajo është duke shkuar hapave të Ed Sheeran. Duke pasur parasysh që ajo është pesë vjet më e re dhe nëse ajo vazhdon në këtë trajektore, së shpejti do të rivalizojë edhe Adele”, vazhdon më tej burimi.

Muajin e kaluar, Dua publikoi albumin e saj të dytë “Future Nostalgia”, i cili ka arritur të renditet një ndër albumet më të suksesshme në botë. /Albinfo.ch / KultPlus.com

Kur Muzeu Kombëtar shërbente si kazermë ushtarake (FOTO)

Muzeu i Kosovës është themeluar në vitin 1949, ndërkaq ndërtesa me arkitekturë Austro-hungareze daton që nga viti 1885/6. Muzeu ka për qëllim ruajtjen, mbrojtjen dhe prezantimin e Trashëgimisë Kulturore të Kosovës.

Mirëpo, pak e dijnë se dikur objekti i Muzeut ka shërbyer si kazermë ushtarake e Komanës së Divizionit të Kosovës, në viteet 1930-32.

Muzeu i Kosovës përfshin një koleksion, me më shumë se 50 mijë eksponate të profileve të ndryshme, prej pavijonit të arkeologjisë, teknologjisë, historisë, natyrës, ento-kulturës, folklorit, trashëgimisë etj. / KultPlus.com

(Fotot marrë nga ‘Foto dhe dokumente të vjetra historike’)

Malësorja, fisnikëria dhe bukuria e traditës

Delikatesë, ndrojtje, hir dhe një shprehje që platitet në ëndjen që e përshkon.

Ajo vështron përmes një padurimi për të reshtur së ngulituri sytë, atje ku drithërima e ngjeth dhe ndjenja e turpit e përlan të gjithën. Ajo është një grua, e cila më shumë se sakrifikimin e një çasti pozimi, ajo i kushtohet një solemniteti që dëshmon veshja e saj, stolitë që krijojnë një ansambël mahnitës të nuses malcore.

Përtej këtij momenti të fokusuar është një grua e cila dëshmon veç nusërimit, dritshmërinë e atij komunikimi shprehës që ajo ofron në këtë përjetësim fotografik. /albertvataj/ KultPlus.com

Për gruan e cila…

Nga Brittany Latham

Për gruan burri i së cilës zhduket çdo ditë pas orarit të punës..

Për gruan e cila po e vuan dështimin e një shtatzënie për të cilën nuk e diti askush..

Për gruan e cila vazhdon të jetë e para, edhe pse është e humbur brenda..

Për gruan e cila u largua nga puna sepse u vonua për të katërtën herë, dhe ka qenë zgjuar tërë javën për t’u kujdesur për fëmjën e sëmurë..

Për nënën vetëushqyese e cila nuk e di a do t’ia dalë në fund të këtij muaji..

Për gruan e cila ka kaluar në dy In Vitro fertilizime, ka provuar për pesë vite të ketë fëmijë dhe prapë është aty kur shoqet e saj kanë festat e fëmijëve të tyre..

Për gruan e cila ende e fajëson veten për abortin e para 20 vitesh..

Për gruan të cilën e gjykojnë sytë e të tjerëve derisa numëron monedhat e saj dhe lë diçka anash në supermarket..

Për gruan e cila hap derën dhe kupton se ia kanë vrarë burrin tri javë para se ai të vinte në shtëpi..

Për gruan e cila jeton me ankth sepse të tjerët nuk e dijnë për çka ajo është e stresuar..

Për gruan e cila i jep gjithçka familjes, dhe ka nevojë për pushim..

Për gruan e cila i buzëqesh secilit të huaj, por  çdo natë vajton në dhomën e saj të vetmisë..

Për gruan e cila dëshiron që gjithçka të marrë fund, por prap gjen forcë të vazhdojë..

Për gruan që sot dëgjoi thashethëme rreth saj..

Për gruan e cila fle afër një të panjohuri çdo natë..

Për gruan e cila asnjëherë nuk do të duket si ajo në ballinën e një reviste..

Për gruan e cila duron lidhjet e dështuara një pas një, sepse nuk pati një baba t’i mësonte çfarë është dashuria..

Për gruan që po e rritë një vajzë pa baba, dhe për lutjen e saj që historia të mos përsëritet..

Për gruan që dashuron me krejt forcën e saj, e cila dëshpërueshëm do të jetë e dashuruar..

Për secilën grua që vajton derisa pastrohet, që askush të mos e vërejë. Sepse nëse ajo nuk është e fortë – askush nuk është.

Vetëm sepse uji i largon lotët, kjo nuk do të thotë që nuk duhet të qash. Vetëm sepse qan, nuk do të thotë se nuk je e fortë të përballosh.

Unë jam ti. Unë të shoh. Unë jam me ty. Unë qaj me ty. Unë të dua./supergrate/ KultPlus.com

Kurti: Familjet e 1641 personave të zhdukur vazhdojnë të jetojnë në ankthin e pritjes

Kryeministri në detyrë i Qeverisë së Kosovës, Albin Kurti, ka përkujtuat Masakrën e Mejës si dhe gjithë të zhdukurit në luftën e Kosovës, shkruan KultPlus.

“Koha vetëm sa vjen e thellon plagët, venit shpresën dhe rëndon dhimbjen për këta familjarë”, ka shkruar ndër të tjera Kurti në Facebook.

Këtu keni postimin e plotë:

“27 prilli i vitit 1999 ishte i kobshëm për gjithë Kosovën.

Në këtë datë koinçidon edhe masakra e Mejës.

Përvjetori i Masakrës së Mejës ku u vranë e zhdukën 376 shqiptarë, por edhe Dita për Persona të Zhdukur, e shpallur në nderim të viktimave të masakrës së Mejës dhe gjithë të zhdukurve si pasojë e Luftës në Kosovë, na përkujton se kemi edhe shumë plagë të hapura.

Aktualisht, janë edhe 1641 persona të zhdukur. Janë familjet e 1641 personave që vazhdojnë të jetojnë në ankthin e pritjes, 1641 familje vuajtja e të cilave është stërzgjatë për më shumë se dy dekada. Fëmijë, tani të rritur bashkë me pritjen për një përgjigje. Pleq që nuk kanë njohuri për fatin dhe vendndodhjen e trashëgimtarëve të tyre.

Thuhet se koha shëron plagë, por kjo thënie dështon te familjet e të zhdukurve. Koha vetëm sa vjen e thellon plagët, venit shpresën dhe rëndon dhimbjen për këta familjarë.

Nuk është e mundshme të ndërtohet e ardhmja, pa u mbyllur si duhet e kaluara. Kemi obligim që të bëjmë gjithë sa mundemi që t’i prejmë rrugën kësaj drejtësie të munguar, duke e bërë çështjen e të zhdukurve si çështje të parë në dialogun e ardhshëm Kosovë – Serbi.

Nuk ka amnisti – por vetëm drejtësi.

Sepse… të gjithëve na mungojnë!”

Pezullohet zgjedhja e stafit akademik të Universitetit të Prishtinës për shkak të koronavirusit

Derisa nuk përmirësohet situata me pandeminë Covid-19, Senati i Universitetit të Prishtinës nuk pritet të vazhdojë me marrjen e vendimeve për zgjedhjen e personelit akademik, sipas konkursit të fundit të hapur muaj më parë.

Sipas përfaqësuesve të UP-së, trajtimi i propozimeve të fakulteteve për zgjedhjen dhe avancimin e stafit akademik është vështirë të realizohet online, raporton KOHA.

Për këtë arsye, sipas prorektorit për kërkime shkencore, Faton Berisha, nuk kanë planifikuar të mbajnë mbledhje online për trajtimin e këtyre kërkesave.

E me këtë ide nuk po pajtohen të gjithë anëtarët e Senatit. Dekani i Fakultetit Filozofik, Bujar Dugolli, ka deklaruar se nuk ka asnjë pengesë që mbledhjet e Senatit të vazhdohen online. Ai ka treguar se tashmë e ka bërë një kërkesë të tillë, por nuk ka marrë ende përgjigje nga menaxhmenti i UP-së.

Ndërkaq, dekani i Fakultetit të Arteve, Agim Selimi, ka treguar se për shkak të situatës së krijuar me pandeminë, mund të ketë vonesa në procesin e konkursit, por shton se shqyrtimi i kandidatëve që kanë aplikuar nuk do të duhej të realizohej në distancë.

Senati, që është përgjegjës për shqyrtimin e propozimeve për zgjedhjen dhe avancimin e stafit akademik, përbëhet nga 42 anëtarë prej tyre rektori, prorektorët, sekretari i përgjithshëm i UP-së, anëtarë të stafit akademik e administrativ dhe anëtarë nga parlamenti i studentëve.

“Koha” ka kërkuar të dhëna nga Rektorati për numrin e kandidatëve për staf akademik që janë në pritje të zgjedhjes ose avancimit sipas konkursit të fundit, mirëpo nuk ka marrë përgjigje tash e disa ditë. Koha.net / KultPlus.com

Shpat Deda lanson këngën e re “S’ka kurrgjo” (VIDEO)

Këngëtari nga Kosova, Shpat Deda, sonte ka lasnuar këngën “S’ka kurgjo”, shkruan KultPlus.

“Video është realizuar në Prishtinë në prill 2020 gjatë vizitave të regjisorëve Nita Deda, Leart Rama dhe Rina Meta”, thuhet në njoftim.

“Shpat Deda ka lansuar këngën e re S’KA KURRGJO me video drejtuar nga kolektivi Andrrat Moderne dhe regjisori Leart Rama. Kënga është pjesë e albumit të ardhshëm të Dedës, titulluar ‘Rrugës’.

Video është realizuar në Prishtinë në prill 2020 gjatë vizitave të regjisorëve Nita Deda, Leart Rama dhe Rina Meta në hapësira personale për autorët, si dhe në oborret dhe hapësirat tjera familjare që shihen nga distanca si koment për realitetin e COVID 19. Video e S’KA KURRGJO tenton të sjellë për publikun hapësira intime dhe momente të shoqërimit që në video tregohen si kujtime. Të gjitha pamjet i bashkon një gjuhë vizuele e krijuar me dritë të fortë blici që zbutet nga ndjenjat dominuese të mallit dhe nostalgjisë.

Kënga S’KA KURGJO është shkruajtur nga Shpat Deda, dhe i këndon pikërisht momenteve intime dhe kohës së kaluar në shoqëri, realitet i munguar në kohën kur ajo tregohet për publikun. Kënga interpretohet nga Deda dhe Blerta Ismaili si zë përcjellës. Kjo këngë si dhe i tërë albumi i ri është inçizuar dhe miksuar në Studio C me Dritëro Nikqin në Prishtinë. Video S’KA KURRGJO është produksion i Katarzë Films”.

‘Libri i Karantinës’, rekomandimi nga KultPlus: Ditari i Anna Frankut

Në këto ditë karantine, kur virusi Covid-19 është përhapur anembanë botës, qëndrimi brenda shtëpisë është mundësi e mirë për t’u rikthyer te leximi. Dhe kalimi i kohës duke lexuar libra është gjithmonë zgjedhje e mirë.

KultPlus-i vazhdon me rekomandimet për të gjithë juve që jeni të interesuar t’i rrekeni leximit dhe ta shfrytëzoni këtë kohë për t’i zgjeruar njohuritë tuaja.

Sonte KultPlus ju rekomandon një vepër mjaft të njohur, mirëpo që kurrë nuk është vonë për ta lexuar e rilexuar. Bëhet fjalë për ‘Ditarin e Anna Frank’, një ditar me plot emocione e dhimbje, një rrëfim për jetën e një vogëlusheje e cila vdiq shumë e re për t’u përjetësuar kështu gjithmonë përmes asaj që ajo la pas.

Anneliese Marie Frank lindi më 12 qershor 1929 në Frankfurt am Main; vdiq në fillim të muajit mars të vitit 1945 në KZ Bergen-Belsen. Ishte një vajzë gjermane-hebreje, që ishte fshehur me familjen e saj në Amsterdam gjatë periudhës së Luftës së Dytë Botërore, por që nuk arriti t’i shpëtonte vdekjes, ajo u vra para mbarimit të luftës.

Anna Frank ditarin e saj e ka shkruar gjatë dy viteve të fshehjes së saj nga nazistët në Holandë. Libri është i shkruar në formë të letrave që Anna ia dërgon një mikes imagjinare dhe ku përshkruan ditët e vetmisë së saj dhe të mendimeve të shumta për gjendjen në të cilën ndodhet. Edhe pse nuk e mbijetoi luftën, Ana i dha botës një nga ditarët më tronditës të shkruar ndonjëherë. “Përkundër gjitha të këqijave, ende besoj se njerëzit vërtetë kanë një zemër të mire’, kishte shkruar në ditarin e saj Anna.

Sot ky libër konsiderohet si një ndër veprat më kryesore të shekullit XX.

Ditari i Ana Frankut u bë një ndër librat më të lexuar në botë dhe u përkthye në dhjetëra gjuhë. Shtëpia ku ishte fshehur familja Frank në Amsterdam, sot është e hapur për vizitorët. Aty gjendet edhe ditari që shkroi Ana, i cili ka vlerën e një dokumenti unik njerëzor.

Kur rrëfehet nga një pozicion i sinqertë, aq i sinqertë sa mund të jetë një fëmijë, nuk ka si mos të jetë e dhimbshme me shumë emocionale ajo se çfarë do të lexojmë.

Ky ditari është prej atyre rrëfimeve që nuk duhet humbur në asnjë mënyrë. Anna Frank pa qëllim pas vetes la diçka që do të mbijetoj sa të mbijetojë mbarë njerëzimi. / KultPlus.com

Kur Simona i shkruante dashurisë! Letrat që ajo i dërgonte të dashurit në Çikago

Në vitin 1947, Jean-Paul Sartre ndryshoi planet e tij dhe për rrjedhojë, Simone de Beauvoir e zgjati qëndrimin e saj në Amerikë, ku ajo kishte përfunduar së fundmi një turne leksionesh, turne që ishte mjaftueshëm i gjatë për të nisur një histori dashurie me Nelson Algren, histori që u dokumentua në letrat që ajo i dërgoi atij dhe që u botuan në librin “Një Dashuri Transatlantike.” Libri i komentuar kaq shumë nga kritika botërore, ka ardhur në shqip nën përkthimin e Alda Bardhylit. Më shumë se 600 letra dashurie, rrëfejnë historinë e jashtëzakonshme të një dashurie që përshkrohej nga oqeani.

Marrëdhënia Algren-Beauvoir, e cila vijoi në një formë apo një tjetër për gati dy dekada, filloi disintegrimin e vet të gjatë dhe episodik afro një vit pasi filloi. Ndoshta i keqkuptuar nga mënyra se si ajo i drejtohej atij, psh: “burri im i dashur” apo mënyra se si përshkruante ajo veten “gruaja jote që të do” dhe në një rast, “gruaja jote lakuriq që po ofshan”), Algren i kërkoi Beavoir që të martohej me të. Dhe megjithëse është shumë e ndershme të vëresh se ai nuk ishte aq shumë i gatshëm që të zhvendosej për në Paris, e akoma më pak, të mësonte frëngjisht, dhe po gjithashtu ajo nuk ishte e gatshme të zhvendosej në Çikago, është gjithashtu e qartë se megjithëse ajo teknikisht ishte ajo që refuzoi, në fakt dukej se ajo dëshironte t’i vinin rrotull ndërsa ai po kërkonte martesë.

Në një mënyrë, sjellja e Beauvoir dhe shpjegimi që ajo dha për refuzimin e propozimit të Algren, imiton (dhe përbën po aq pak sens logjik) sa edhe justifikimet e një burri të martuar ndaj dashnores së tij: Shpirt, të dua më shumë se çdo gjë, por angazhimet e mija aktuale e bëjnë të pamundur që ne të jemi bashkë; gjithsesi, ti je gjëja më e rëndësishme në jetën time (me përjashtim të Sartrit). Pasi Beauvoir kaloi një vit duke shkruar gjëra të tilla si: “kur mendoj se do të të shoh, se do të të ndjej, mua më merren mendtë… fyti më ngushtohet dhe më thahet goja. Unë do të bëhen reale, në më pak se një muaj,” ajo sërish ndryshoi planet e saj në minutën e fundit për shkak se Sartri ndryshoi planet e tij. Rrjedhimisht koha që ajo planifikoi të kalonte me Algren u ul nga tre në dy muaj.

Marrëdhënia e Beauvoir me Algren mund të thuhet se ka ekzistuar diku në një pikë të caktuar mes të qenit dhe të mosqenit: ata i shkruan njëri-tjetrit nga viti 1863 deri në vitin 1947, por kaluan sëbashku në totak më pak se një vit e gjysmë, më së shumti në periudha pushimesh, të cilat shpesh ishin – sipas përshkrimit të vetë Beauvoir në shkrime të tjera autobiografike – të mbushura me ankth, frustrim dhe pakënaqësi të vogla.

Simone de Beauvoir shkroi gjerësisht jetën e saj në librat Forca e Rrethanës, Kujtimet e një vajze të mirë, apo Les Manderins, në të cilin përshkroi në mënyrë të hapur eksperiencat seksuale me Algren duke e zemëruar shumë këtë të fundit. Megjithatë, letrat e saj private për Algren, të cilat u publikuan fillimisht në frëngjisht por u shkruan të gjitha drejtpërsëdrejti në anglisht, hapin një dritare të plotë dhe veçanërisht të sinqertë në botën e Simonës, gruas më shumë se sa de Beauvoir, shkrimtares.

Në fund të fundit, këto janë letra dashurie, por kushdo që mendon se janë thjeshtë letra dashurie gabohet rëndë. Në këto 560 faqe me format të madh mund të ndiqet jeta, ndjenjat dhe mendimet e një prej shkrimtareve më vendimtare të shekullit të njëzetë siç ato rrodhën ditë pas dite, përfshirë aventurat e udhëtimeve anekënd botës.

“Ata habiten që një grua ekzistencialiste nuk është tepër e shëmtuar,” shkruan de Beauvoir më 31 Janar 1948. “Kudo thonë, se unë dhe Sartri jemi të martuar; e dinë që s’është e vërtetë, por bëjnë sikur besojnë që jemi, sepse po të mos ishim do të ishte e pamoralshme të na ftonin,” shton ajo.

“Trazirat në Indokinë po krijojnë një situatë po aq të frikshme sa historia me linçime dikur në Amerikë. Njerëzit me lëkurë të verdhë nuk guxojnë më të dalin natën rrugëve, sepse mund të rrihen për vdekje. Ky është Parisi,” shkruan ajo më 17 Mars 1949, ndërsa Franca luftonte në Vietnam një nga luftërat e fundit dhe më të përgjakshmet në historinë e saj si perandori kolonialiste.

Dhe pastaj disa detaje jo shumë të këndshme mbi kostot personale që ka të angazhuarit në politikë publike edhe në një vend të supozuar demokratik si Franca:

“I shkreti Sartër tani merr njëzet letra çdo ditë, të cilat thonë se ai duhet rrahur për vdekje,” shkroi de Beauvoir në tetor ’47. “Të enjten dy duzina oficerësh të rinj që do të shkonin në Indokinë të nesërmen, e kërkuan në të gjitha klubet e natës të Saint–Germain–des–Pres, duke dashur t’i jepnin atij një dru të mirë”.

Dhe pastaj detaje jo shumë të këndshme mbi marrëdhëniet e një prej feministeve më të mëdha të shekullit të njëzetë me burrat. Ajo informon Algren se Sartri nuk ishte i mirë në shtrat ndërsa ai e kishte ngritur “dëshirën dhe lumturinë e saj seksuale.”

Dhe më tutje ajo këshillon Algren se si ai duhet të shohë këtë marrëdhënie në distancë, e cila nuk mund të bëhej dot kurrë martesë sepse Algren nuk pëlqente të jetonte në Francë ndërsa de Beauvoir dëshironte të “shkruante libra të mirë për ta bërë botën pak më të mirë”.

“Dua të them, i dashur, që herën tjetër kur të joshesh nga një grua, bëj si të duash. Merre edhe në Uabansia nëse të pëlqen,” i shkruan ajo Algrenit. “Po flas seriozisht. Nuk ke pse druhesh se mund të më lëndosh. Thjesht uroj që kur të vij unë, ajo të jetë tepër larg dhe kurrë thellë brenda zemrës tënde. Për këtë gjë, çështja kryesore është: të kujdesesh që vajza të jetë sërish e lumtur edhe pasi ta braktisësh. Mos e shpërfill!”

Libri “Një dashuri transatlantike” tashmë është në librari nga ‘Shtëpia e librit’. Simone de Beauvoir njihet mes të tjerash për traktatin e saj me dy vëllime ‘Seksi i dytë’, i sjellë në shqip nga Nasi Lera, si dhe librat ‘Një vdekje shumë e ëmbël’, sjellë në shqip nga Edmond Tupja, romanin ‘Mikesha’, sjellë në shqip nga Diana Çuli dhe ‘Gruaja e thyer’, sjellë në shqip nga Amantia Kapo.

“I dashuri im,

Askujt në botë nuk i kam treguar, që ti, nuk u solle mirë me mua. Kurrë nuk e mendova, kurrë nuk thashë ashtu. Meqënëse kjo ishte arsyeja që më shkruajte, atëherë e pranoj gënjeshtrën. Po prisja Krishtlindjet, duke i thënë vetes: “Nëse ai, nuk më shkruan tani, nëse nuk më nis të paktën një kartolinë Krishtlindjeje, do të thotë se më mban mëri”. Kjo do të më pikëllonte shumë. Por ti më dërgove letër, madje dhe kartolinë. Megjithatë, në njëfarë mënyre, më trishtuan, sepse dukej që po mbaje mëri me veten tënde! E di, që po gabon: dritëza brenda teje nuk mund të shuhet, kurrë nuk do shuhet; nga këtu, e shoh me sytë e mi, përmes tokës dhe detit, kaq shumë larg. Ti nuk je tipi jakëkollarisur, edhe këtë e shoh. Gjatë viteve të fundit kalove mundime të mëdha dhe për pasojë, nuk e sheh dritëzën brenda teje, por ajo është aty. Një ditë, kur gjërat të rregullohen, kur mundimet të largohen, ti do ta rigjesh veten. Një ditë, do shkruash një libër të ri, sepse ke shumë për të thënë dhe do që t’i thuash, ka për të dalë një libër shumë i bukur dhe ke për t’u ndjerë sërish i lumtur. Nuk e them thjesht të të ngushëlloj, por sepse në të vërtetë, jam shumë e sigurt për të. Miqtë e tu, në Paris, do gjejnë tek ty të njëjtin person dhe do jenë të lumtur të të takojnë. Edhe unë. Ende shpresoj se do të takohemi përsëri. Kam ndryshuar. Isha mesogrua tërheqëse, por tani jo më, jam mplakur. Do të çuditesh pak kur të më shohësh. Zemër, u bënë gati dhjetë vjet që nga takimi ynë i parë në Çikago. Shumë, shumë kohë më parë. Prapëseprapë s’mund të jetë e largët nga zemra ime.

Librin për Kinën e mbarova’ nuk është aq i bukur. Sidoqoftë, nuk është se u përpoqa aq shumë. Po filloj diçka krejt ndryshe: kujtime të fëmijërisë dhe rinisë sime, duke u përpjekur jo vetëm të rrëfej një histori, por shpjegoj kush isha, si u bëra kjo që jam, në lidhje me mënyrën si ishte dhe është bota ku jetoja. Është interesante të orvatesh për këtë punë, edhe po të mos gjesh mënyrën për ta arrirë[1].

U tronditëm të gjithë nga ajo që ndodhi në Rusi dhe Hungari. Shpresoj të shkoj në Poloni, por kjo është një tjetër histori e gjatë.

Shkruaj ndonjëherë! Olga, Bosti, Sartri, të dërgojnë nga thellësia e zemrës urimet më të përzemërta për “amerikanin e mirë”. Ti e di se çfarë uroj për ty: qofsh i lumtur përsëri. Të puth me shumë ëmbëlsi, “gëzuar vitin e ri”.

Simona jote”

*Algreni shkruajti vetëm njëherë, në dhjetor 1957, ende nostalgjik dhe zemërlëshuar për magjinë e shtëoisë së vjetër në Wabansia, për jetën dhe udhëtimet e tyre të përbashkëta./ Tiranapost.al. / KultPlus.com

“Tageszeitung” e Berlinit lavdëron ministrin Arben Vitia: transparent, i hapur, gjithëpërfshirës

Gazeta gjermane “Tageszeitung” e quan Arben Vitinë politikanin më të popullarizuar në Kosovë.

Si ministër i qeverisë së Kosovës mjeku Arben Vitia po përpiqet të ndalë përhapjen e koronavirusit në Kosovë, shkruan “Tageszeitung”. Kjo, sipas gazetës, nuk është punë e lehtë në një vend të varfër, në të cilin si pasojë e luftës gjendja e sistemit shëndetësor është e keqe. Vitia madje po përpiqet që t’i tejkalojë edhe konfliktet etnike mes serbëve dhe shqiptarëve gjatë pandemisë. Në të vërtetë, shkruan “Tageszeitung”, qeveria e kryeministrit Albin Kurti është shkarkuar para disa ditësh pas ikjes së LDK-së nga koalicioni, por Vitia mund të vazhdojë punën ai anëtar i kabinetit të shkarkuar.

Gazeta thekson se që në fillim Vitia ka urdhëruar kufizimin e lëvizjes së qytetarëve dhe kjo për banorët e Prishtinës është pothuaj traumatike sepse mund të lëvizin në qytet vetëm 90 minuta. Çka e shquan ministrin e Shëndetësisë është “politika transparente e informimit”. “Njerëzit nuk janë mësuar kështu, sepse qeveritë e kaluara konfliktet i kanë mbajtur të pazgjidhura duke i fshehur. Duke e ditur gjendjen e sistemit shëndetësor qeveria dëshiron të veprojë me vendosmëri, por në mënyrë transparente”, shkruan “Tageszeitung”. Ndoshta kjo politike, supozon gazeta, ka ndikuar që gjendja me koronavirisun në Kosovë të mos jetë aq dramatike. Çfarë kanë arritur Vitia dhe qeveria e Albin Kurtit është që në strategjinë e përgjithshme të përfshijnë edhe pakicën serbe dhe pakica të tjera, në një vend të banuar me shumicë shqiptare.

Kurti dhe Vitia që nga fillimi kanë deklaruar se do t’i trajtojnë barabartë të gjithë qytetarët. Kurti, i cili është akuzuar se është nacionalist (i majtë), tha se serbët kanë të drejtat e njëjta si qytetarët e tjerë. “Serbia me gjasë ka besuar se qeveria e Vetëvendosjes nuk do t’i testonte serbët e Kosovës. Por Serbia ishte e habitur kur e pa se ne nuk i ndajmë qytetarët sipas përkatësisë etnike”, deklaroi Kurti së fundi. Fakti që qeveria e Kurtit ka arritur të shtendosë raportin mes shqiptarëve të Kosovës dhe serbëve të Kosovës është pothuaj e padurueshme për përfaqësuesit e qeverisë së mëparshme. Serbët e Kosovës lavdërojnë punën e Kurtit dhe ministrit të tij të Shëndetësisë. Edhe një pjesë e madhe e popullit shqiptar të Kosovës e mbështet këtë politikë. Vëzhgues të shoqërisë civile vlerësojnë se Kurti në zgjedhjet e reja mund të marrë edhe më shumë mbështetje.

Mjeku shqiptar nga Frankfurti: Pas dy vitesh do të qeshim me frikën tonë nga COVID-19

Erion Dasho, Drejtor i Shëndetit dhe Inovacionit në Franfkfurt, nënvizon se me përvojën tonë kundër epidemive, përkushtimin e mjekëve, zbatimin e praktikave të suksesshme të vendeve të tjera dhe zbatimin rigoroz të masave kundër pandemisë, do të kontrollojmë plotësisht përhapjen e CovidEPA/ZOLTAN BALOGH HUNGARY OUT

Mjeku shqiptar nga Frankfurti i Gjermanisë, Erion Dasho, tregon se Covid-19 nuk është hata, por sëmundje, pas dy vitesh do të qeshim me frikën tonë sot, transmeton albinfo.ch.

Mjeku Erion Dasho është drejtor i Shëndetit dhe Inovacionit në Franfkfurt, nënvizon se me përvojën tonë kundër epidemive, përkushtimin e mjekëve, zbatimin e praktikave të suksesshme të vendeve të tjera dhe zbatimin rigoroz të masave kundër pandemisë, do të kontrollojmë plotësisht përhapjen e Covid-19.

„Covid-19 nuk është një hata sic e kanë bërë shumë prej personave duke ngjallur panik, por thjesht një sëmundje“.

Mjeku shqiptar ka theksuar se ne nuk duhet të mendojmë se nuk do të mund ta kotrollojmë koronavirusin, kur nuk e ka kontrolluar Italia apo Spanja, dy vende të fuqishme.

Ai ka treguar se duhet të mësojmë të mos bëjmë gabimet e Spanjës dhe Italisë, por të bëjmë atë që bëjnë mirë Suedia dhe Gjermania si për shembull të lëmë të moshuarit të dalin me fasha orare 6 me 8, pasi kjo masë nuk do ndonjë shkencë për t’u zbatuar.

Postimi i plotë i Erion Dashos:

Një shembull për ne

Ne shqiptarët, me sa duket duam të mbetemi unikë dhe as COVID nuk po na ndryshon dot. Kur jap në facebook shembuj të vendeve të suksesshme që kanë kontrolluar COVID marr shpesh komente mosbesuese. Kur dhashë dje shembullin se ata pak mjekë dhe infermierë që kishte Shqipëria në 1950-ën arritën të kontrollonin malarjen, përsëri nuk mjaftoi të bindte shumë nga miqtë se 3,000 mjekë dhe 12,000 infermierë sot mund të kontrollojnë COVID-in.

Logjika më e çuditshme e këtyre ditëve ka qënë: Kur dështoi Italia dhe Spanja, si do ta kontrollojmë ne? Po mirë, Gjermania dhe Suedia po e kontrollojnë me masa minimale… – Pse Suedia dhe Gjermania jemi ne?! Na është mbushur mendja se “nuk duhet të bëhemi si Italia dhe Spanja, por as nuk jemi si Gjermania dhe Suedia”. Në se nuk jemi as Shqipëria e 1950, as Suedia e 2020, çfarë jemi??!! Duke qënë se shpikësit ka kohë që kanë ikur nga vendi ynë, shpikje nuk bëjmë dot më. Gjëja më me mend që mund të bëjmë sot është të marrim shembujt e botës, apo shembujt tanë kur kontrolluam malarjen, sifilizin, kolerën, fruthin, gripin e derrit, etj. dhe t’i zbatojmë.

Nga Europa të mësojmë të mos bëjmë gabimet e Spanjës dhe Italisë, por të bëjmë atë që bëjnë mirë Suedia dhe Gjermania. P.sh. të lëmë të moshuarit të dalin me fasha orare 6 me 8. Kjo masë nuk do ndonjë shkencë për t’u zbatuar…  MASA INTELIGJENTE për sot është “Të mësojmë nga bota dhe ta trajtojmë COVID si një sëmundje dhe jo si një hata”. Pas 2 vjetësh COVID do të jetë një “ftohje” dhe ne do të qeshim me frikën tonë sot…

Bogujevci: Isha vetëm 13 vjeç kur kam humbur familjen dhe jam plagosur si fëmijë, për këtë shtet

Edhe Saranda Bogujevci ka reaguar lidhur me lajmin se po diskutohet amnistia e krimeve të luftës shkruan KultPlus

Bogujevci e cila personalisht ka humbur familjen si dhe është plagosur ka shprehur qendrimin e saj kundër faljes së krimeve.

“Para disa javësh vajza e Nekibe Kelmendit tha se “unë nuk e fal gjakun e familjarëve të mi”, as unë dhe familja ime nuk e falim gjakun e familjarëve tanë” ka shkruar ndër të tjera Bogujevci në Facebook.

“Isha vetëm 13 vjeç kur kam humbur familjen dhe jam plagosur si fëmijë, për këtë shtet! Sot, gati si 35 vjeçare ende jetoj me pasojat e asaj kohe. Ende më duhet përkujdesje mjekësore për plagët që i kam marrë në trup, e kujtesa e asaj kohe jeton me mua për çdo ditë.
Kështu jeton çdo qytetar i Republikës së Kosovës që ka përjetuar atë luftë.

Sot kemi shtetin se kemi dhënë shumë për të, secili person e familje, në një formë apo tjetër.

Para disa javësh vajza e Nekibe Kelmendit tha se “unë nuk e fal gjakun e familjarëve të mi”, as unë dhe familja ime nuk e falim gjakun e familjarëve tanë dhe ju garantoj që as edhe një familje nuk e fal gjakun e familjarëve të vet pa sjellur para drejtësisë fajtorët e atyre krimeve.

Nuk arrijë ta kuptoj se si individ e grupe të caktuara marrin të drejtën të flasin në emrin tonë se a dojmë drejtësi e pajtim.
Nuk e ka atë të drejtë ekskluzive askush të flas në emrin tonë pa e thënë ne fjalën e fundit për këtë çështje. Nuk i takon as Baton Haxhiut të na tregoj se a duhet të ketë amnesti për krimet që janë kryer ndaj familjarëve tanë nga pushteti serb. Edhe po të kalojnë 100 vite ne dhe brezat pas neve nuk do të ndalemi së kërkuari drejtësi për ato krime. Nuk i japim të drejtë askujt të vendos në emrin tonë.

Fatkeqësisht, gjerë tani nuk është se këto familje e këta qytetarë të prekur nga lufta në Kosovë kanë pasur përkrahjen e shtetit. Por, për një gjë të jeni të bindur të gjithë se edhe pa asnjë përkrahje nga instuticionet tona ne nuk do të ndalemi se kërkuari drejtësi për familjarët tanë të humbur e edhe për ne të mbijetuarit e asaj lufte.

Është e drejtë e jona, e askujt tjetër”.

Xeni nuk e ndal koncertin, vazhdon të performojë në restorantin e tij

Para disa orëve është lajmëruar për ndërprerjen e koncertit të Xenit.

Komua e Gjakovës dhe Xeni sot kishin planifikuar që gjatë ditës të dhurojnë spektakël në lagjet e Gjakovës

Por një gjë e tillë u pamundësua me fillim të koncertit, për shkak të ndërhyrjes së policisë, këngëtari ndaloi për disa orë performancën.

Por ai gjeti një zgjidhje ta mbajë premtimin drejtuar qytetarëve, Xeni është duke vazhduar performancen në restorantin e tij tani, dhe mund ta ndiqni live në Facebook.

Dalja e parakohshme nga izolimi “do të ishte e rrezikshme”

Muhammad Munir, virolog në Universitetin Lancaster të Mbretërisë së Bashkuar, thotë se qeveritë dhe zyrtarët e shëndetit publik kanë nevojë për shumë më tepër të dhëna për koronavirusin, përpara se të vendosin për lehtësimin e masave të izolimit. Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, ai thotë se valë e dytë e infektimeve mund të ketë një ndikim edhe më të keq se e para.

Radio Evropa e Lirë: A janë gati disa vende t’i heqin masat e izolimit kundër koronavirusit?

Muhammad Munir: Nëse shohim përhapjen e përgjithshme të këtij infeksioni, ajo ka një intensitet të ndryshëm. Disa vende janë shumë më përpara, si për shembull Italia, Spanja dhe Franca, ndërsa të tjerat si Danimarka, Holanda dhe Suedia janë relativisht më prapa. Për shkak të intensitetit të ndryshëm të shpërthimit, edhe masat e kontrollit janë vënë varësisht prej situatave respektive. Tani, numri i të infektuarve ka nisur të bie në Itali dhe Spanjë dhe ato kanë nisur t’i heqin disa kufizime. Por, unë mendoj se është vërtet herët që të hiqet ndonjë kufizim i madh, sepse ne nuk dimë shumë për këtë virus. Ai është rreth nesh që tre muaj e gjysmë. Ai duhet të hulumtohet shumë më shumë, përpara se të jemi të sigurt se e kemi mposhtur dhe se nuk kthehet sërish. Nëse kthehet sërish, do të ishte një situatë më e tmerrshme, sepse njerëzit do të ishin të lodhur, ashtu si edhe ekonomitë, dhe kthimi i kontrollit do të ishte shumë më i vështirë. Andaj, heqja e masave të kontrollit duhet të bëhet me shumë kujdes.

Radio Evropa e Lirë: Kur është një vend i gatshëm për të lehtësuar masat parandaluese?

Muhammad Munir: Strategjia e daljes nga izolimi duhet të përcaktohet në nivel vendi, ose së paku në nivelin kontinental. Ekzistojnë disa kritere që përcaktojnë se kur duhet të zbatohet strategjia e daljes nga izolimi. Kushti i parë ka të bëjë me rënien e ndjeshme të rasteve të reja me koronavirus për 14 ditë më radhë. Kjo është koha kur mund të nisni të mendoni për lehtësimin e masave të kufizimit. Kushti i dytë i rëndësishëm është që sistemi shëndetësor i vendit të mund të garantojë se çdo person i infektuar, mund të mjekohet. Dhe, kushti i tretë është kapaciteti i mjaftueshëm për të identifikuar çdo person, qoftë pozitiv ose negativ, përmes testimit. Pastaj, ju mund t’i izoloni ata që janë pozitivë me koronavirus, ndërsa ata që janë negativë mund t’i testoni për të parë nëse kanë anti-trupa kundër koronavirusit. Pra, nuk është një strategji e lehtë e daljes nga izolimi, por këto janë tri kushtet kryesore për të përcaktuar kohën e daljes.

Radio Evropa e Lirë: Cilat janë rreziqet e heqjes së kufizimeve shumë herët?

Muhammad Munir: Nëse masat kufizuese hiqen para kohe, njerëzit do të ishin sërish në kontakt me njëri-tjetrin dhe virusi do të përhapej midis atyre që nuk kanë qenë të infektuar. Edhe për njerëzit që kanë qenë të infektuar më parë dhe kanë krijuar imunitet, ne nuk e dimë ende se sa mund të zgjasë ky imunitet. Ata po ashtu mund të riinfektohen, andaj numri i rasteve mund të rritet ndjeshëm. Kjo do të ishte vërtet problematike, sepse vënia e masave të kontrollit për herë të parë është më e lehtë sesa herën e dytë. Dhe, kjo nuk është shumë befasuese: praktikisht në çdo pandemi që kemi parë, vala e dytë ka qenë e pashmangshme. Prandaj, këtë herë, unë mendoj se paralajmërimet duhet të merren shumë seriozisht dhe duhet të sigurohemi që [virusi] të mos kthehet përsëri.

Radio Evropa e Lirë: Pse një valë e dytë mund të ishte edhe më vdekjeprurëse se e para?

Muhammed Munir: Një nga arsyet përse vala e dytë është gjithmonë vdekjeprurëse, është se njerëzit që kanë qenë të izoluar, le të themi, për gjashtë ose shtatë javë, ata janë lodhur. Kështu që, ata do të nisin t’i kthehen jetës normale. Dhe, nëse masat e izolimit rivendosen, njerëzit do të binden më vështirë. Problemi tjetër është se njerëzit që nuk janë imunë, që nuk janë infektuar herën e parë, do të goditen nga virusi, sepse nuk janë ekspozuar kurrë. Nuk kanë pasur imunitet. Por, ana plus e kësaj është se, për shembull, nëse në valën e parë kemi pasur 20 deri në 30 për qind të njerëzve të infektuar, kjo do të thotë se ata do të kenë imunitet dhe do ta ngadalësonin përhapjen e virusit brenda grupeve të vogla. Por, grupet që nuk kanë qenë të ekspozuara më parë, do të goditeshin rëndë. Në fazën e dytë, edhe qeveritë do të ngurronin të vinin kufizime, për shkak të ekonomisë. Qeveritë nuk do të donin të kishin edhe një raund vendimesh të vështira.

Radio Evropa e Lirë: A mund ta ndjekin vendet e tjera shembullin e Kinës?

Muhammed Munir: Kina është izoluar në mënyrë të paparë. Asnjëherë në histori nuk ka pasur një shkallë të tillë izolimi. Kjo ka lënë një përshtypje mjaft të mirë, sepse e ka rrafshuar lakoren e rasteve mjaft shpejt. Kjo edhe i ka nxitur vendet e tjera që të zbatojnë masa të njëjta të izolimit. Por, tani që ka dalë nga izolimi, edhe vendet tjera do të përpiqen ta ndjekin shembullin e saj. Megjithatë, janë disa mesazhe të rëndësishme që dalin prej atje. Për shembull, në Vuhan [të Kinës], izolimi është hequr në mënyrë relativisht simbolike, sepse lëvizja e njerëzve është ende e kufizuar. Vetëm njerëzit që kanë kodin e gjelbër QR [në telefonat e tyre mobilë] janë lejuar të dalin jashtë, sepse këta janë njerëz që kanë mjaft antitrupa në gjakun e tyre, andaj edhe janë të mbrojtur. Po ashtu njerëzit që bëjnë punë thelbësore, si prodhimi i pajisjeve mjekësore, lejohen të dalin. Pra, kemi mjaft për të mësuar nga skenari i Vuhanit./rel/

Tunelet e fshehura 400 vjeçare të Turqisë do të bëhen destinacion turistik

Tunelet e fshehura 400 vjeçare që ndodhen në distriktin e Safranbolus, krahina Karabük në rrethin verior të Turqisë, të njohura për arkitekturën e tyre Osmano-Turke janë planifikuar të bëhen destinacion turistik.

Këto tunele që nga viti 1994 janë të radhitura në Listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s. Tri tunelet e ndara e mirë të konzervuara kanë gjatësi të ndryshme dhe janë të ndërtuara nga gurët e gdhendur dhe harqet. Ata gjenden në distriktin historik, që është vatër e shtëpive, banjove, xhamive, fontanave dhe urave osmane, por, poashtu edhe të shtëpive tradicionale të ndërtuara në mes të shekujve XVIII dhe XX.

Këto tunele që janë ndërtuar për të kryer funksionin e furnizuesve me ujë të pijshëm, janë ndërtuar me harqe në rrjedhën e Akçasu shekuj më parë për të përfituar tokat bujqësore. Ato kalojnë nën tregun e farkëtarëve, Xhamisë së Mehmet Pashës dhe Cinci Inn-it, shkruajnë mediat turke, transmeton Ndërtimi.info.

Şefik Yılmaz Dizdar, shefi i Fondacionit të Kulturës dhe Turizmit në Safranbolu, ka thënë se ata janë përpjekur që të ruajnë dhe konzervojnë pasurinë kulturore të distriktit dhe kanë përgatitur projekte në bashkëpunim me Qeverinë, komunën, qeverinë lokale dhe drejtorinë për kulturë dhe turizëm.

“Ne përgatisim projekte dhe bëjmë restaurime të objekteve historike në distriktin tonë në mënyrë që të mbijetojnë”, ka thënë ai.

Ai ka shtuar se kanë përgatitur projektin për të restauruar tunelet dhe për t’i prezantuar ata më pastaj si pika turistike.

“Projekti është pranuar. Ka vetëm edhe pak punë në dokumente. Kur këto të përfundohen, ne do të fillojmë punën dhe do t’i hapim këta tunele spektakulare për turistët” potencoi ai.

Dizdar ka thënë se arkitektura e tuneleve mund të merret si objekt studimi i ndonjë lënde.

“Këto tunele, që janë ndërtuar me mundësitë e kohës së shekujve më parë, kanë qenë të aftë të mbajnë struktura të mëdha. Çdokush duhet ta shohë se si u krijua ujëvara nën tokë, megjithë kufizimet e asaj kohe dhe se si uji kullon në sistemet e ujërave të zeza të cilat janë krijuar një nga në” ka shuar Dizdar.

Dizdar shtoi më tutje se dstrikti mirëpret afër 1.5 milionë turistë lokalë e të huaj në vit, që me hapjen e tuneleve ata do të jenë në gjendje të vizitojnë këto hapësira dhe të dëshmojnë mrekullitë e fshehura arkitekturore.