Çdo çmim është një rrezik për ta. E keqja më e madhe që mund t’i ndodhë një njeriu që nuk ka ndjeshmëri për suksesin në letërsi, dhe për më shumë kur ai jeton në një kontinent të pamësuar me suksesin, është të botojë një roman që shitet si salsiçet.
Ky është rasti im. Unë nuk kam dashur kurrë të shndërrohem në një spektakël, urrej televizionin, kongreset e letërsisë, konferencat dhe jetën intelektuale”.
Ndër të tjera, këtë kumtoi Gabriel García Márquez në fjalimin e shkurtër që mbajti kur i dorëzuan çmimin prestigjioz “Rómulo Gallego”, për veprën e tij “Njëqind vjet vetmi”. /KultPlus.com
Gratë kanë qenë ato që gjatë gjithë kohës u është dashur të luftojnë për të drejtat e tyre. Të luftojnë për atë që do të duhej ta kishin e të konsiderohej asgjë më pak e as më shumë se normale.
Feminizmi si frymë ka ekzistuar qysh moti, sepse njeriu është i lindur dhe i prirur të kërkojë e të mbrojë lirinë e vet, kur ajo mirret apo tenton të mirret nga të tjerët pa të drejt, shkruan KultPlus.
Në vijim, KultPlus ju sjell një histori të shkurtër rreth zhvillimit të feminizmit ndër vite.
Charles Fourier, një socialist utopik dhe filozof francez, i njihet merita se ka shpikur fjalën “féminisme” në vitin 1837 [5]. Fjalët “féminisme” (“feminizëm”) dhe “féminist” (“feminist”) për herë të parë u paraqitën në Francë dhe Hollandë në vitin 1872[6], Në Britani të Madhe në vitet 1890ta, dhe në Shtetet e Bashkuara në vitin 1910[7][8], dhe Fjalori Anglisht i Oksfordit e liston vitin 1852 si viti kur për herë të parë u paraqit fjala “feminist”[9] ndërsa vitin 1895 për fjalën “feminizëm” [10].
Varësisht nga momenti historik, kultura dhe vendi, feministet në mbarë botën kanë pasur shkaqe dhe qëllime të ndryshme. Shumica e historianëve feministë nga perëndimi pohojnë se të gjitha lëvizjet që punojnë për të marrë të drejtat e grave duhet të konsiderohen si lëvizje feministe. /KultPlus.com
Mbylli sytë, kyçe derën, mendjen fare mos e vrit, sonte yti do të jem.
Abazhurin shuaje, dritë të mos ketë, dhe krejt ta lëshosh veten se sonte i tëri yti do të jem.
Atë zogun që vërdallë fluturon e kemi harruar për fare, sipër nesh hëna e plotë farfurin, por ne as që ia hedhim sytë dhe ti për asgjë s’bëhesh pishman.
Hiq këpucët, hidhi tutje, mos u druaj asnjë grimë a s’po ma afron atë shishe tapën t’ia heq? Se sonte yti do të jem…
Këngëtarja shqiptare me famë botërore Rita Ora, përmes rrjetit të saj social Instagram ka uruar babain në Ditën e Baballarëve që festohet sot, shkruan KultPlus.
Rita Ora, e njohur anembanë botës me këngët e saj, artistja që gjithmonë e ka bërë krenarë popullin shqiptar, ka bërë një dedikim special për babain e saj, Besnik Sahatçiun, duke e shoqëruar me një fotografi, ku Rita e vogël qëndron në krahët e të atit.
“Gëzuar ditën e babait, për babain tim të mrekullueshëm. Jam shumë e lumtur që je babai im dhe të falënderoj për gjithçka që ke bërë dhe bën për mua”, ka shkruar ajo përbri fotos. /KultPlus.com
-Atë që dikur, nëpër faza të ndryshme kohore e kanë bërë Tafë Kusuri, Mixha Ramë, Qeshë e ngjesh , Jemi etj., nëpërmjet tipeve të ndryshme të komikës, për të përballuar sa më lehtë realitetin tonë sa të rëndë po aq të vrazhdë politik, gjatë pandemisë e ka bërë Agon Myftari me video- clipet e tija kararakteristike të tipizuara nëpërmjet shumë karaktereve.
Qershor 2020- Pandemia COVID-19, solli një mbyllje të rëndë në rrethana e izolim të detyrueshëm. E gjithë ajo, që deri dje ishte përditëshmëri normale u tretë dhe u kthye në mungesë të padurueshme. Komunikimi njërëzor u cenua deri në përmasat e një vetmie globale dhe distanca sociale u kthye në një normë befasisht ‘normale”. Krijuesit, dita- ditës të gjetur në një kurthë të tillë filluan të ndjejnë si obligim të sjellin artin e tyre për publikun si një terapi e veçantë për të kapërcyer stresin, i cili filloi të godas psikologjinë e të menduarit të njerëzve. Dikush me poezi, dikush me këngë, ndonjë tjetër me karikaturë shprehnin jo vetëm solidaritetin njerëzor, por jepnin shembullin e kurajës qytetare se do të ngadhnjejmë mbi këtë zezonë. Teatri Kombëtar, në bashkëpunim me teatrot e qyteteve filluan të jepnin shfaqjet në rrjetet sociale. Teatri klasik mori dimensionin e teatrit elektronik. Përditshmëria nga rruga, u bartë tek rrjetet sociale. Gjithëçka I nënshtrohej një ridemensionimi! Atëherë kur rëndohej komunikimi kulturor, kurse rrjedhat politike rënduan mbi pandeminë, filluan edhe vido-clipe familjare si dhe mesazhe të njerëzve publik apo të zakonshëm të bëjnë thirrje dhe të përcjellin mesazhe solidariteti. Mirëpo si qershia mbi tortë në këtë shkretëtirë kulturore u shfaq arti multimedial i Agon Myftarit, nëpërmjet video-clipeve specifike të disa karaktereve tipike që të nxjerr athëtinë e kohës, nëpërmjet një zhanri komik të fjalës. Në një formë krejt të re dhe të panjohur për artin tonë multimedial, regjisori Myftaraj , vendosi personalitetin e tij në rolin e disa karaktereve të “huazuara” nga rajonet tona, për të përfolur me një gjuhë artistike mentalitetin e njerëzve tanë të situatave aktuale si dhe ato të historisë së afërt.
Atë që dikur, nëpër faza të ndryshme kohore e kanë bërë Tafë Kusuri, Mixha Ramë, Qeshë e ngjesh , Jemi etj., nëpërmjet zhanreve të ndryshme komikës, për të përballuar sa më lehtë realitetin tonë sa të rëndë po aq të vrazhdë politik, gjatë pandemisë e bëri Agon Myftari me video- clipet e tija kararakteristike të tipizuara nëpërmjet këtyre karaktereve të retushuara nëpërmjet filterëve të snapchat-it. Protagonistët e Agonit, krijojnë komikën sa nga gjestikulacioni i fytyrës së përpunuar në “pasqyrat konkave dhe konvekse” sa nga fjalët që identifikojnë njeriun tonë margjinal, të frustruar, stresant , nostalgjik apo të harruar. Nëprëmjet rrëfimeve plot imagjinatë që luhatet nga arkaizmi, infantiliteti apo edhe nga snobizmi , personazhet “alla” Agon, shpërthejnë shtresat monotone të pandemisë dhe reflektojnë një art të ndjenjës së çliruar nga rrethanat, ku ka ra individi. Siç është shpreh Simon Critchley, “humori është një formë e antropologjisë kritike shoqërore, që e bën të njohurën të panjohur, e bën demitizimin ekzotik dhe ia kthen botën, mendjes se shëndoshë”. Andaj Përparimi- Perpi, nostalgjiku mitrovicas, e kthen situatën kur gjërat janë dukur normale nga këndvështrimi i një të riu apo atëherë kur miti për Trepçën ka thurrë krenarinë tonë. Kurse Astriti- emri tipik gjakovar, ruan stereotipin për gjakovarin e “mençur”, vizionar. Duke ditur se komedia e kakrakterit thekson mbistresin , shpërqëndrimin e personit, ndërsa komedia e situatës shpreh mbistresin, shpërqëndrimin e rrethanave, atëherë komedia e fjalëve përfshinë komedinë që shprehet me gjuhë dhe që krijohet nga gjuha. Tek videot-clipet e Agonit këto tipe të komedisë sikur bashkëdyzohen dhe i kemi në një vend, atë të karakterit dhe të fjalës të ndërlidhura më atë të situatës.
Personazhi i Besit nga Vranjevci, sa i traumatizuar dhe i margjinalizuar shpërfaqë arsenalin e fjalëve gjithashtu të harruara të një të folme arkaike si Qpllau, trumhaz, zding zding, fiiiing,. dumka dumka, shkoklu, ngërzhatë,zhagitje etj. Kurse Sinani ferizajas, sikur nxirret nga nëntoka për të projektuar strategjitë konspirative. Motoja e tij “ Be m;boni njani, rren nuk kie” dhe shpalimi i dyshimeve të formës “, shtate kat nëntokë në Bondsteell bojnë eksperimente te uraniumit”, tipizon naivitetin e njeriut tonë dhe viktimizimin e tij injorues nga përfoljet së koti, mbi të cilat shpesh krijohet një diksurs konspirativ i cili prekë edhe analistët e studiove. Në këtë konteskt është i çmueshëm mendimi i Henri Bergsonit, kur ai flet për humorin që realizohet në gjuhën që krijohet komedia. “Në rast se gjuha është ajo që është komike, atëherë struktura dhe format e gjuhës që krijon komikën janë baza për realizimin e komedisë. Gjuha që krijon komiken është krijuar brenda kulturës së vet dhe shpesh është shumë e vështirë të tingëllon si qesharake jashtë saj, për apo në kulturat tjera”. Vërtetë nuk e di se si këto video-chlipe të Agonit do të tingëllonin në gjuhë të tjera, apo duhet të tërheqim paralelet se as komedia e zezë angleze shpesh nuk ngjallë të qeshurat tek ne. Dmth duhet kuptuar dhe pranuar se ekziston një humor etnik, i cili shtrihet në kuadër të hapësirë të caktuar kulturore.
Kështu që personazhi I Avdylit, sjell proverbat e Nastradinit, nëpërmjet simbolikave, të caktuara të ndërlidhuar me realitetin aktual politik, apo Blerimi pejan paradokset e sjelljes së politikaneve, interesat e ulta i sjell si një humor të mbështetur në përfoljet urbane. Noli i Prishtinë mund të kundrohet si një snobist i rritur në Prishtinë, apo i dalur nga një TV studio, ku analistët krijojnë kakofoninë “ A u bo mirë që ra Qeveria. Jo nuk u bo mirë hiç, nashta edhe u bo”?!, Pastaj t’kallxon ç’ka osht Metropoli,politika e përditshme, mini-Shengeni etj.
Sipas Agon Myftarit këto video-klipe, kanë lindur rastësisht, si një art i mungesës, falë ndihmës së filterave në snapchat, dhe në fillim ka qenë synimi të jetë arti i një grupi të caktuar të miqëve të tij , por më vonë ka zgjeruar idenë. Agoni artin e tij e ka pa si art të terapisë, për kapërciminin e karantinës ku janë shpreh problemet ekonomike, sociale e politike. “Janë si filter i politikës, si batuta, barcoleta spontane, jeta e personazheve si frymezim krijimi”, është shpreh, për media, regjisori, skenaristi dhe aktori Agon Myftaraj. Është me peshë mendimi Critchley, kur thotë se “humori është, pra, ajo që na rikthen në vendin tonë, në një etos unik që kryesisht identifikohet me njerëz të caktuar me zakone dhe karakteristika të zakonshme. Sipas tij ” Kjo është arsyeja pse humori merret si një nga mënyrat e identifikimit me njerëzit tanë, por dhe me mënyrat e të dalluarit”.
Gjithsesi humori nuk është vetëm për të qeshur, ai kapërcen situatat e argëtimit dhe krijon reflektim më të thellë. Gjuha brenda humorit shpreh fuqinë e saj të të rrëfyerit. Personazhet e Agonit, prej etosit deri tek etnosi, na kanë sjelllë liri të veçantë gjatë kohës së pandemisë, por edhe preokupim kush jemi ne dhe si sillemi ne. Është e njohur që në kohë pandemie William Shakespeare prodhoi disa nga veprat e tij më të mira, po ashtu Njutoni zbuloi gravitetin si dhe shkrimtari Giovanni Boccaccio shkroi dhe Decameron etj. Për fatin tonë Agon Myftari, në këtë kohë pandemie solli ciklin e krijimeve të video-clipeve me disa karaktere duke sjellë vlera në humorin tonë shpesh të kontestuar për nga cilësia. /KultPlus.com
Sa me endje e ndiqja dikur! S’di pse kishte një ndjesi si prej një bote të huaj një ballë i gjerë, sy të mëdhenj dhe buzëqeshje delikate sa herë aktronte. Një portret mbushur me finesë dhe elegancë prej të cilit shpërfaqej dukshëm doza e një bote tjetër.
Anissa Markarian, një aktore shqiptare që studioi për mjekësi nuk i mjaftoi të trajtonte me përkushtim vetëm këto dhunti. Papritmas elaboroi një dimension tjetër talenti sic është të shkruarit. Sa keq që i humbëm këto personazhe gjatë këtyre dekadave, ndaj me dëshirë e frymë të lirë i sjell në rubrikën “Vitrina e Librit” në faqen zyrtare të top-channel.tv. Më poshtë është dhe nënshkrimi i një introduksioni të saj të cilin nuk mund ta botoja pa aprovimin e saj.
Monika, përpara se t’u përgjigjem pyetjeve të tua, të falenderoj nga zemra për idenë e kësaj bisede që më zhyti në kujtime të hershme. M’u ringjallën emocionet e leximeve të dikurshme e bashkë me to, pashmangshmërisht, edhe përsiatjet fëminore e rinore mbi botën dhe natyrën njerëzore që letërsia di t’i ngacmojë e t’i ushqejë aq bukur. Takimi me një libër është një përvojë njerëzore dhe artistike e përveçme. Nuk shfletohet naivisht e as këndohet mospërfillshëm. I përngjan paksa një ekspedite kërkimore. Po mendove se do të gjesh ekzaktësisht çfarë kërkon, i heq vetes kënaqësinë e befasimit por edhe të drejtën e zhgënjimit. Ka libra argëtues e libra formues;ka libra që të shkundullojnë e libra që të ledhatojnë; ka libra që lexohen me një frymë e libra për të cilët këshillohet një përtypje e ngadalshme, përndryshe nuk do ta tretësh dot kurrë. Vendimtare është “të shkosh në takim” mendjehapur.
Po kush është Anissa Markarian?
Bijë e një nëne shqiptare dhe e një babai armen që u mbijetoi masakrave të gjenocidit otoman dhe zgjodhi Shqipërinë për atdhe të dytë, Anisa Markarian lindi në Tiranë, më 4 korrik 1962. Me gjithë prirjet për artin, sidomos për letërsinë e kinematografinë, studjoi për mjekësi dhe punoi si mjeke anesteziste-reanimatore pranë Spitalit Nr 2 të kryeqytetit deri në vitin 1991, kur emigroi në Francë.
E përzgjedhur në moshën 16-vjeçare për rolin e Dhuratës në filmin “Vajzat me kordele të kuqe”, dy vjet më vonë fiton kupën e Festivalit të 4-t të Filmit Artistik Shqiptar si interpretuesja më e mirë për rolin e Zanës në filmin “Në çdo stinë”. Në dy filmat që pasuan, “Pranvera s’erdhi vetëm” (1988) dhe “Ngjyrat e moshës” (1990), është skenariste dhe interpretuese e personazhit kryesor.
Gjatë viteve që jetoi në Shqipëri ka botuar poezi, tregime e përkthime letrare; ka shkruar skenarë për spektakle artistike dhe emisione televizive për shëndetin.
Tregimet e saj të para janë përfshirë në vëllimet “Stina e gonxheve” (prozë nga autorë të rinj) dhe “Jetë tjetër” (antologji me krijime nga autorë mjekë). Ka botuar dy libra: përmbledhjen me tregime “Sënduku i kujtimeve” dhe romanin “15 ditë prilli”.
Anisa Markarian jeton e punon në Francë si mjeke urgjentiste dhe lektore në dietetikë-nutricion. Artistikisht, shprehet vetëm në gjuhën e saj amtare, në shqip.
M.S. A e mban mend se cili është libri më i hershëm që ke lexuar?
Anissa Markarian: Mbaj mend me saktësi cili është filmi i parë që kam parë në kinema por, përsa i përket librit të parë, kujtimet i kam paksa të mjegullta. Shumë libra të moshës parashkollore i kisha mësuar përmendësh që kur isha 4-5 vjeç, sepse m’i lexonin në shtëpi ose në kopësht. Ndër ta, veçoj sidomos dy libra: “Xhepi i madh” i shkrimtarit rus S. Marshak, përkthyer nga Adelina Mamaqi, dhe “Xhaxha Stefi” i S. V. Mihalkov, përkthyer nga Bedri Dedja.
Personazhi i djalit të vogël që kishte maninë të fuste në xhepin e përparëses gjithçka i zinte dora dhe personazhi i xha Stefanit që ishte aq i gjatë sa s’e nxinte asnjë krevat, m’u bënë shumë të dashur falë edhe ilustrimeve fantastike që shoqëronin vargjet e tekstit. Ndër librat e parë që kam lexuar, pa mundur të vë gishtin mbi të parin ndër të gjithë, mund të numëroj: “Pupagjeli dhe shokët e tij” i Gj. Zhejit, “Piciruku dhe Karlsoni, njeriu që banonte mbi çati” i suedezes A. Lindgren, “Eranda” nga F. Reshpja, “Aventurat e Tonino të Padukshmit” i italianit G. Rodari, “Aventurat e Dinpakut dhe shokëve të tij” të N. Nosov, “Aventurat e Gozhdës” nga Parka e Arxhili, “Xinxifilua dhe përralla të tjera” e “Tregimetë moçme shqiptare” të M. Kutelit, “Pinoku” të Kolodit, “Aventurat e Tom Sojerit” të M. Tuein,“Djemtë e rrugës Pal” të hungarezit F. Molnar, “Kompania e katërt” e S. Drinit, etj.
M. S. Përveç se i lexoje, ç’marrëdhënie tjetër kishe me librat?
Anissa Markarian: Përpara se t’i lexoj, librat i kam nuhatur e përkëdhelur. Dhoma ku ndodhej biblioteka familjare kishte një aromë të veçantë që ndihej sapo hapje derën. Ia jepnin librat e vjetër të stivosur në raftet e saj. Kishte tituj të viteve ’30 –‘40 ose edhe më të hershëm, të blerë nga prindërit përpara se të martoheshin. Librat e tim eti ishin kryesisht me karakter shkencor e në gjuhën frënge. Prurja e mamit ishte në shqip e italisht: romane, librete operash, partitura e pjesë teatri. Librat më të çmuar të bibliotekës ishin 6 volumet e enciklopedisë “Larousse du XXè Siècle” të lidhura me lëkurë të kuqe dhe tre volumet e veprës “I Promessi Sposi” të A. Manzonit, të lidhura me lëkurë të zezë. Kopertinat i kishin me germa të arta e të gdhendura në reliev. Në pamundësi për t’i lexuar sepse isha ende e vogël, më pëlqente të shëtisja gishtat nëpër hullitë dhe ledhet e motiveve për të prekur nga afër punën e mjeshtrit libralidhës.
M.S. Cilët janë librat që ndikuan në personalitetin tënd?
Anissa Markarian: Kjo pyetje tingëllon paksa si: “më thuaj çfarë ke lexuar që të të them çfarë njeriu je”. Mendoj se përtej trashëgimisë së gjakut, personaliteti i çdokujt mbruhet edhe falë përvojave jetësore. Në këto të fundit hyjnë marrëdhëniet me njerëzit, ndodhitë personale e kolektive dhe takimet me letërsinë dhe artin në përgjithësi. Ndër librat formues mund të përmend veprat e Balzakut, të Hygosë dhe Cvajgut, leximin e Kafkës dhe librat me piktura që kishim në shtëpi. Më ndihmuan të zhvilloj anën më të ndjeshme e më shprehëse të personalitetit tim.
M.S. Cili është libri që të ndryshoi jetën?
Anissa Markarian: Librat më kanë shoqëruar në çdo etapë të jetës sime. Më kanë ngushëlluar, frymëzuar e argëtuar. Por s’mund të veçoj një libër që më ka ndryshuar jetën. Më saktë, s’ma ka ndryshuar hovshëm dhe në mënyrë të prerë siç më ndodhi kur mërgova apo kur u bëra nënë. Ndryshimet që sjellin librat janë të një natyre të brendshme e të pabujë. Shtrihen në disa dhjetëvjeçarë dhe më të shumtën e herëve pothuajse nuk i vëmë re. E kuptojmë shumë më vonë. Po të citoj disa libra, leximi i të cilëve, në kahun pozitiv a negativ, farkëtoi opinionin tim mbi botën dhe natyrën njerëzore: “Lufta dhe Paqja”, “Pirati bëhet papë”, “1984”, “Harku i Triumfit”, “E kuqja dhe e zeza”, “Amok”, “100 vjet vetmi”, “Proçesi”, “Pavijoni i kancerozëve”…
M. S. Po libri apo librat që të ndikuan më shumë për të shkruar?
Anissa Markarian: Dhuntinë dhe kënaqësinë e të treguarit e kam, pa dyshim, të lindur dhe të ushqyer nga rrethi familjar. Në fisin tonë kishte rrëfyes të mrekullueshëm. E përballë tyre, dëgjues po aq të mrekullueshëm. Më kujtohen mbrëmjet në bahçen e shtëpisë së gjyshes ose në plazh. Dëgjoja të rriturit që tregonin librat e lexuar, filmat e parë në kinema apo pjesët e teatrit të dëgjuara në radio dhe miqtë që përshkruanin udhëtimet e bëra, ndodhitë e pabesueshme të jetës së tyre, ëndrrat… Besoj se libri që më dha shtysën për të shkruar ka qenë “Kronikë në gurë” e Kadaresë. E kam lexuar kur isha 11 a 12 vjeç. Ndërsa stilin tim them se e gjeta kur lexova Markezin dhe Buxatin – realizmi magjik në shtjellimin epror!
M. S. Ç’libër po lexon aktualisht?
Anissa Markarian: Kam në dorë librin “Vashëza dhe nata” (La jeune fille et la nuit) të G. Myso. Më tërhoqi intriga për shumë arsye. Ngjarjet zhvillohen në dy kohë. Në vitin 1992, në një gjimnaz të krahinës ku jetoj, zhduket një nxënëse e shkëlqyer. Autorët e krimit janë 3 miqtë e saj më të ngushtë që ritakohen 25 vjet më vonë, në vigjilje të shembjes së ndërtesës së ish-gjimnazit të tyre ku kanë murosur trupin e viktimës… S’them asnjë fjalë më tepër.
M.S. Sipas teje, cili është libri më padrejtësisht i mbivlerësuar?
Anissa Markarian: Do të thoja “Kodi da Vinçi”. Jo vetëm libri por edhe filmi i bazuar mbi të. Zhgënjyes, që të dy.
M. S. Libri i fundit që të ka bërë të qeshësh?
Anissa Markarian: Të qeshura me lot? “Don Kishoti i Mançes” dhe “Ushtari i mirë Shvejk”. Dje, sot e përgjithnjë!
M. S. Libri që s’ke arritur ta përfundosh?
Anissa Markarian: Për të qenë plotësisht e sinqertë, do të saktësoja: përfunduar me shumë vështirësi. Janë të paktën 3 libra. “Uliksi” i Xhoijsit (më i vështiri), “Lavjerrësi i Fukoit” nga Umberto Eko dhe “Xhaz” i Toni Morrison. Librin e Ekos m’u desh ta lë 2-3 muaj mënjanë për t’u dokumentuar mbi mitologjinë Celte, sepse s’po arrija ta kuptoja e ta shijoja siç duhej.
M. S.: Libri që të vjen shumë turp që s’e ke lexuar ende?
Anissa Markarian: Asfare! As turp e as pendim. Ndoshta një farë keqardhjeje që jeta s’është aq e gjatë sa të mund të lexonim e të shkruanim të gjithë librat që do të dëshironim. Aktualisht, lista e librave që presin t’i marr në dorë së shpejti është zgjatur paksa. Përgjegjësitë dhe detyrimet profesionale të periudhës që kaluam nuk më lejuan të shkruaj e të lexoj si zakonisht. S’ishte çështje kohe por gjendjeje mendore, fizike e shpirtërore. Kur kthehesha në shtëpi pas një dite apo nate të vështirë pune ndihesha si e mpirë dhe e trullosur. Ja përse lista e kënaqësive është paksa më e gjatë kësaj here. Dhe aq më mirë! Kam sjellënga Shqipëria rreth 20 libra miqsh e mikeshash shkrimtare dhe mendoj se këtë verë do të lexoj vetëm prozë e poezi shqipe.
M. S. Librin që dhuronmë shpesh?
Anissa Markarian: Më shpesh nga të gjithë dhuroj albume e libra mbi historinë, kulturën dhe modën italiane ose vepra të autorëve italianë si Moravia, Pazolini, Falaçi, Montale, Fo, Ferrante, Kamileri… Jam e dashuruar pas Italisë! Mundohem me çdo kusht të shtoj radhët e adhuruesve të këtij vendi e populli të mrekullueshëm. /KultPlus.com
E lindur në një familje përrallisht të pasur me intriga, tradhëti e konflikte të vazhdueshme, Mary Trump nuk e kërkoi asnjëherë qendrën e vëmendjes. Ajo u diplomua në master për letërsi në Universitetin e Columbias dhe bëri doktoraturë për Psikologji në Universitetin Adelphi.
Studimet duket se e kanë përgatitur atë të kuptojë dhe të zbulojë të vërtetat e fshehura që në një farë mënyre që do t’i bënte mashtruesit e familjes të frikësohen. Dhe mund të thuhet lirisht se tani po dridhen.
Në fund të korrikut, Mary Trump do të publikojë një libër, me gjasa titulli do të jetë “Shumë por kurrë mjaftueshëm: Si familja ime krijoi njeriun më të rrezikshëm në botë” (“Too Much and Never Enough: Hoë My Family Created the Ëorld’s Most Dangerous Man.”). Kuptohet qartë se për kë bëhet fjalë, për xhaxhain e saj Presidentin amerikan Donald Trump.
Përgjatë gjithë periudhës së Trump si President, shumë është përfolur për personalitetin e tij të ashpër e kaotik. Por Mary Trump do të na sjellë perspektivën e saj të veçantë mbi incidente dhe informacione të zbuluara kurrë më parë.
E përkushtuar në studimin për vite me radhë të klanit Trump, Mary, e bija e vëllait të madh të Donald, Fred Trump, e sheh këtë libër si një hakmarrje ndaj bulizmit që babai i saj ka marrë nga vetë Presidenti.
Ajo na njeh me detaje se si Donald, është sjellë në mënyrë të tmerrshme me të vëllain kur vuante nga Alzheimer.
“Donald bënte gjithçka për të qenë i preferuari i babait Fred, dhe që të gjitha mësimet e biznesit e sidomos kur binte fjala për pasuritë e patundshme t’i merrte ai,” shkruan CNN.
“Donald gjithnjë e ka ngacmuar të vëllain Fred Jr, qoftë edhe kur ai u bë pilot avioni. Çfarë ndryshimi ke ti nga një shofer autobusi, i thoshte. Dhe kur i vëllai vdiq 42 vjeç nga alkooli, këtë Donald e përdori si mësim për veten duke hequr dorë nga alkoli apo duhani.
Megjithatë mizoritë e Donald Trump nuk mbaruan me vdekjen e të vëllait. Ai ka futur duart edhe në testamentin që i ati kishte lënë për Fred Jr. Por si duket këto janë vetëm nje pjesë e vogël, pasi thuhet se autorja do të rrëfejë histori tronditëse nga mostra e Presidentit, Maryanne Barry. /KultPlus.com
Zhan Pol Sartri lindi më 21 qershor të vitit 1905. Ai ishte filozof francez dhe autor, një nga figurat kryesore të filozofisë së ekzistencializmit, dhe filozofisë në përgjithësi, përfshi atë marksiste të shekullit XX.
Jean-Paul Sartre u lind dhe u rrit në Paris nga Jean-Baptiste Sartre, një oficer i Marinës Franceze, dhe Anne-Marie Schweitzer. Kur Sartri mbushi 15 muaj, babai i tij vdiq nga një sëmundje.
Mamaja e vet e rriti atë me ndihmën e babait të saj, Charles Schweitzer, një profesor gjimanzi i Gjermanishtes, i cili ia mësoi Sartrit metematikën dhe ia prezantoi atij literaturën klasike në një moshë shumë të re. Si adoleshent në vitet 1920, Sartri u interesua për filozofi pasi lexoi libra nga Henri Bergson.
Ai studio dhe u diplomua në filozofi në Paris në elitën École Normale Supérieure, një institucion i edukimit të lartë që kishte nxjerrë disa mendimtarë dhe intelektualë të rëndësishëm Francezë.
Sartri i ndikua nga shumë aspekte të Filozofisë perëndimore, duke marrë ide nga Kanti, Hegeli, Husserli dhe Heideggeri, ndër të tjerë. Sartri kreu shërbimin ushtarak në Ushtrinë Franceze nga viti 1929 deri më 1931. Më 1939 ai ishte në ushtrinë franceze, ku shërbente si meteorolog.
Ai u kap nga forcat gjermane më 1940 në Padoux, dhe kaloi nëntë muaj si i burgosur lufte. Sartri u lirua në prill 1941. Pasi iu dha statusi i civilit, ai rifilloi punën si mësues në Lycée Pasteur afër Parisit, i vendosur në Hotel Mistral afër Montparnasse tek Paris dhe iu dha një pozicion i ri tek Lycée Condorcet, duke zëvendësuar një mësues hebre të cilit i ishte ndaluar mësimdhënia nga i ashtuquajturi Vichy law apo Statuti mbi Hebrenjtë.
Pasi u kthye në Paris në maj 1941, mori pjesë në themelimin e grupit nëntokësor Socialisme et Liberté me shkrimtarët e tjerë Simone de Beauvoir, Merleau-Ponty, Jean-Toussaint, Dominique Desanti, Jean Kanapa, dhe studentët e École Normale. Sartri gjate jetës së vet mori pjesë edhe në politikë.
Sartri ndikoi edhe në sociologji, kritikë, studime letrare, dhe vazhdon të ndikojë. Ai mbeti i angazhuar deri në fund të jetës së tij (viti 1980). Në verë të vitit 1968 gjatë protestave në Paris Sartri u arrestua për mosbindje civile. Presidenti Charles de Gaulle ndërhyri dhe e liroi.
Në vitin 1964, Jean-Paul Sartre nderohet me Çmimin Nobel në letërsi, “për punën e tij plot ide të mbushur me frymën e lirisë në kërkim të së vërtetës, duke ushtruar ndikim shumë të gjerë në epokën tonë”.
Shumë njerëz u çuditën, kur Sartri e refuzoi çmimin, duke thënë se ai gjithmonë i ka mohuar nderimet zyrtare dhe se “një shkrimtar nuk duhet ta lejojë veten që të shndërrohet në institucion”.
I urryer, i nderuar, dhe duke dërguar njerëzit në një shqetësim të madh ekzistencial që nga viti 1940, vepra e Zhan Pol Sartrit mbetet tepër e rëndësishme.
Me qëllim “sfidimin e çdo ideje dhe çdo personi”, pohimet e Sartrit kërkojnë që ne të pranojmë përgjegjësinë për zgjedhjet tona dhe botën tonë, duke përqafuar të panjohurën e pakonceptueshme. Filozofia e tij shkatërruese për qenien dhe asgjënë vazhdojnë të zhysin njerëzit në krizat e tyre më të thella ekzistenciale.
Satri vdiq më 15 prill 1980 në Paris nga një sëmundje në mushkëri. Ai prehet në Cimetière de Montparnassenë Paris. Shumë njerëz morën pjesë në varrimin e tij, numri i tyre gjatë marshimit dy-orësh vlerësohet të ketë qenë nga 15 000 deri te 50 000.
Disa nga aforizmat më të famshme të Sartrit janë: – Jeta nuk ka kuptim në momentin që ju humbisni iluzionin e të qënit të përjetshëm. – Çdo gjë, çdo gjë do të ishte më mirë se agonia e mendjes, kjo dhimbje që të gërryen, por që nuk dhemb kurrë mjaftueshëm. – Ferri janë njerëzit e tjerë. – Ne nuk dimë çfarë duam dhe përsëri jemi përgjegjës për atë që jemi. – Çdo gjë është zbuluar përveç faktit se si jetojmë. – Çdo gjë që ekziston është lindur pa arsye, përzgjatet në gjendje të dobët dhe vdes rastësisht. -Ne duhet të zbulojmë pasionin tonë përpara se ta ndjejmë atë. – Zoti është mungesa. Zoti është vetmia e njeriut. – Njeriu është një pasion i kotë. – Njeriu është i dënuar për të qenë i lirë, sepse sapo hidhet në botë, ai është përgjegjës për çdo gjë bën. – Fjalët janë pistoleta të mbushura. /konica.al/KultPlus.com
“Dita e Verës” është shumë e lashtë për nga koha dhe mënyra e kremtimit. Është festë pagane, jo fetare, që rrjedh nga lashtësia, atëherë kur njerëzit besonin tek Dielli, Hana, tek Planetët etj. dhe atyre i faleshin e i luteshin, që të sillnin shiun për të mbjellat, diellin që të piqeshin gruri, misri frutat e tj.
Ja si shkruante me stilin e vet elegant, gati 100 vjet më parë, Faik Konica.
“Ç’është Dita e Verës? Është dita në të cilën stërgjyshit tanë, kur s’kish lindur edhe krishtërimi, kremtonin bashkë me romakët dhe me grekët e vjetër, perënditë e lulevet, të shelgjevet.
Kur shkrin dimri, kur qaset vera buzëqeshur, e hollë dhe e gjatë si në pikturë të Boticelit, zemra e njeriut shkarkohet nga një barrë, shijon një qetësi, një lumtëri të ëmbël. Në këtë gëzim, stërgjyshërit tanë ndienin një detyrë t’u falen perëndivet që sjellin këto mirësira. Dhe ashtu leu festa hiroshe që e quajnë Dita e Verës.
Në pakë ditë në Shqipëri, besnikët e fundmë të paganizmit, besnikët pa dashur dhe pa ditur, do të rrethojnë me verore degët e thanave, të dëllinjavet, të dafinavet, të gjitha shelgjevet të nderuara. Do të këputin degë të gjelbëra dhe do t’i vënë përmbi kryet e shtëpivet.
Të mos i lëmë të humbasin këto festa të vjetra të racës sonë. Nuk i bëjnë dëm njeriut. Sjellin një gëzim të kulluar në shtëpi. Një vend ku jeta e të vegjëlvet është aq e trishtuar, djelmuria dhe vajzat kanë një rasë të rrallë për të dëfryer. Për të mëdhenjtë, Dita e Verës ka një shije poetike të hollë e të rrallë “. /KultPlus.com
Nikolo Makiaveli ishte një politikan, diplomat, filozof, historian dhe poet nga Firenca. Së bashku me Leonardo da Vinçin mendohet si një shembull tipik i njeriut të rilindjes. Ky përcaktim – sipas shumë njerëzve – veçorizon në mënyrë më të kryer qoftë njeriun ashtu edhe letrarin dhe jo emërtimin makiavelizëm, që ka hyrë për tjetër gjë në gjuhën e tanishme për të treguar një mençuri dhe një mprehtësi të mendimit kurdoherë të hollë e kulmor.
Pas një kohe studimesh të tendosura, në vitin 1498 hyri në jetën politike si sekretar i republikës . Është autori i veprës së famshme Il Principe (“Princi”).
Gjatë viteve të jetës së tij politike (1498 – 1512) pati mundësi të njihte ambasadorë, politikanë, princa dhe të studiojë me themel zhvillimin e ngjarjeve.
Jetëshkrimi
Nikolo lindi në Firence më 3 maj 1469. Ai ishte djali i një juristi. Për rininë dhe formimin e tij dihen shumë pak gjëra. Por është e qartë se ishte familjarizuar me poetët kryesorë, filozofët dhe historianët grekë dhe latinë. Zotërimi i shkencave politike dhe njohja e thellë e intrigave të kohës së vet, të dukshme në veprën e tij, të shtyjnë të hamendësosh se Makiaveli u përzie që shumë i ri në jetën politike të qytetit. Më 1498 u bë sekretar i Këshillit të të Dhjetëve, organizëm i ngarkuar me politikën e jashtme dhe ushtarake të Senjorisë. Në vitet që pasuan, shumë ambasada e çuan në qendrat e mëdha të pushtetit, si në Itali ashtu edhe jashtë. Më 1512, kur ra Republika, Makiaveli humbi detyrat e tij për arsye të pjesëmarrjes së hamendësuar në një përbetim kundër Mediçëve të ardhur në pushtet. I arrestuar dhe i torturuar, u shtrëngua të tërhiqej në pronën e tij në San Kashiano, jo larg Firences. Po atë vit shkroi veprën e tij më të njohur Il Principe (Princi, që u botua vetëm më 1532), dhe punoi për veprën Fjalë për dekaden e parë të Tit Livit, botuar më 1531. Makiaveli, gjatë këtyre gjashtë viteve, shkroi pjesën më të madhe të shkrimeve të tjera, midis të cilave poema didaktike mbi modelin antik dhe një komedi, Mandragora, botuar më 1524. Më 1518, ai u bashkua me rrethin politiko-letrar të “Orti Oriçelari” në Firence dhe lexoi aty pjesë të zgjedhura nga vepra e vet. Me ndërmjetësinë e lidhjeve të reja, u fut në punë pranë Mediçëve, nderet e të cilëve kishte kohë që i kërkonte me ngulm. Duke filluar nga viti 1519, zotërit e Firences i besuan detyra të shumta, pa ndonjë rëndësi të veçantë, dhe sidomos pa ndonjë lidhje me politikën. Për llogari të kardinalit Xhulio de Mediçis, ai krijoi të famshmen Histori të Firences, botuar më 1523. Makiavelit iu kthye më në fund qytetaria e tij prej borgjezi të Firences, që e lejoi të zgjidhej në të gjitha detyrat e Senjorisë. Më 1526, atëherë kur trupat e Karlit V kërcënonin qytetin, u emërua, me urdhër të papa Klementit VII (një Mediçi), kancelar i shërbimit mbrojtës.
Pas marrjes dhe plaçkitjes së Romës nga Karli V më 1527, Mediçët u detyruan të linin pushtetin në Firencë dhe Makiaveli i humbi përsëri të gjitha funksionet e tij. Vdiq më 22 korrik të po atij viti, në moshën pesëdhjetetetëvjeçare dhe u varros në kishën e Santa Kroçes, kisha më e madhe françeskane e Italisë, një panteon i vërtetë i lavdive fiorentinase.
Lëvizja europiane e humanizmit filloi nga zbulimi i shkrimeve të Antikitetit në Itali, në fillimet e skekullit XV; ai njohu kulmin e tij me veprën e Erazmit të Roterdamit, që bëri një përkthim të ri kritik të Biblës, sipas teksteve origjinale në hebraisht dke në greqisht. Filologjia moderne kishte lindur, me diskutimin kritik dhe me verifikimin e burimeve për shkrimet e përcjella nga tradita, ndërsa përsosuria e shtypshkronjës nga Gutenbergu siguroi një shpërndarje të gjerë të këtyre punimeve. Shpirti kritik dhe i vetëdijshëm i humanizmit u kap pas teksteve të shenjtëruara nga dogma dhe tradita, duke çuar në një komentar “laik”, përballje e vërtetë midis individit dhe Shkrimeve të Shenjta, që eci me shpejtësi në një hap me Reformën. Reforma e Martin Luterit, e Ulrish Zvinglit dhe e Kalvinit, që filloi në Europën e Veriut rreth njëzet vjet pas ekzekutimit të Savonarolës, kishte elemente të përbashkëta me protestën fetare të dominikanit fiorentinas: një kundërshti ndaj ideve tepër laike dhe vetëkënaqësisë krenare të njerëzve të Rilindjes dhe nënshtrim ndaj besimtarisë absolute, ndaj “nderit” të vendimeve hyjnore. Reformatorët patën megjithatë më shumë sukses, sepse ishin më pak radikalë dhe fanatikë se kryemurgu i San Markos të Firences dhe sepse një numër i madh intelektualësh dhe princash u rreshtuan në krah të tyre. Thënja “Qëllimi i përligj mjetet” i atribuohet Injacio de Lojolës (1491-1556), themelues i urdhrit të jezuitëve, qëllim i fundit i të cilit ishte t’u shërbente gjithmonë interesave të Papës. Fetarët duhet t’i binden atij perinde ac cadaver (“si një kufomë”) dhe të përpiqen me të gjitha forcat të përcjellin vullnetin e tij me bëma, në përputhje me shpirtin makiavelik. Jezuitët u bënë arma kryesore e Papatit për të organizuar Kundërreformën dhe modeli i aparateve burokratike mbi të cilat u themeluan shtetet absolutiste duke filluar nga skekulli XIV.
Nikola Makiaveli (Nicolas Machiavel), ka qenë mendimtari i parë që hartoi teorinë e racionalizmit praktik, duke i kthyer kështu shpinën mendimit mesjetar, për të cilin qëllimi i çdo veprimi tokësor ishte dhënë që më përpara: vullneti hyjnor, frymëzimi platonik i shpirtit në unitet me Zotin e nderit, ose energjia vepruese dhe e dobishme aristoteliane (kërkimi i formave të zhvillimit superior, si për gjërat, ashtu edhe për qeniet e gjalla). Atëherë kur mendimi mesjetar i linte pak vend lirisë së vendimit të individit, që madje nuk kishte të drejtë të vendoste kundër urdhrit të Krijimit, pra kundër shpëtimit të tij, njeriu i Rilindjes është thellësisht i pushtuar nga ndjenja e jetës: ai mund dhe duhet të vendosë vetë, si individ, për atë që është e mirë dhe e drejtë për të.
Në gjysmën e parë të shekullit XV, një fiorentinas i ri me kulturë nuk e vriste shumë mendjen nëse i ishte ruajtur ndonjë vend i vogël nën diell; ai e përmblidhte energjikisht veten (zbatimi i virtu) dhe nuk linte t’i shpëtonin nga duart të gjitha rastet që i paraqiteshin (si pasojë e fortuna).Një varg i tërë përvojash të reja e kishin nxitur në Firence shfaqjen e kësaj vetëdije krenare për veten. Familjet e mëdha fiorentinase, me në krye Mediçët, kishin grumbulluar pasuri të jashtëzakonshme, falë industrisë dhe tregtisë së pëlhurave dhe kishin tërhequr rreth tyre artistë dhe intelektualë që shërbenin për vlerësimin e pasurisë dhe lavdisë së tyre, si në qytet ashtu edhe jashtë tij. Falë punimeve të Filipo Bruneleskit, që kishte ndërtuar kupolën gjigante të katedrales, fiorentinasit e shihnin veten në gjendje të realizonin të njëjtat suksese teknike si të parët; konsili i mbledhur në qytet më 1439, që duhej të çonte në pajtimin (në dukje) të kishave të Lindjes dhe të Perëndimit, ndihmoi gjithashtu në mënyrë vendimtare për të përhapur diturinë e Greqisë antike.
Kozmo de Mediçi, burri më i fuqishëm i Republikës fiorentinase, themeloi më 1459 Akademinë e qytetit të tij. E prirë për të ripërtërirë filozofinë antike në një perspektivë platonike, ajo lindi në fakt një fe filozofike të afërt me neoplatonizmin e Plotinit, të pajtueshme me doktrinën e krishterë dhe krejt të kënaqshme në rrafshin intelektual. Zbulimi i natyrës zinte shumë vend te neoplatonizmi, synimet e të cilit ishin krejtësisht praktike. Të nxitur nga teoria e Nikolas Krebsit mbi ngjashmëritë midis “mikrokozmosit” dhe “makrokozmosit”, filozofët e Rilindjes kërkonin gjithashtu ta bënin të dobishme “simpatinë” e tokësores dhe të qiellores nëpërmjet praktikash magjiko-alkimike, duke synuar të arrinin shndërrimin e materies – për shembull për të prodhuar ar. Spekulime të tilla përmbanin rrezikun e besimit te fati astrologjik, kundër të cilit u ngrit Xhovani Piko dela Mirandola (1463-1494), përfaqësuesi më i rëndësishëm i Akademisë fiorentinase dhe zëdhënësi i saj; ai u nis nga ideja se çdo njeri duhet të arrijë të përcaktojë lirisht fatin e vet. Vetëdija e re e njeriut të Rilindjes nuk kishte një themel botërisht të shëndoshë; sidomos në shtresat e thjeshta të popullsisë, një numër individësh kishin një ndjenjë të thellë se ishin vetëm, të brishtë dhe blasfemues. Një murg dominikan që shihte vegime, Xhirolamo Savonarola, arriti të përfitonte nga gjendja kritike në të cilën ndodhej Firenca – e kërcënuar nga jashtë nga spanjollët dhe e privuar nga Mediçët, që ishin dëbuar nga francezët – për të vendosur përkohësisht një Republikë të krishterë fondamentaliste, një shtet të vërtetë teokratik e të ashpër. Në këtë kohë janë karakteristike trazirat shpirtërore dhe Sandro Botiçeli, që i kishte marrë nga mitologjia pagane subjektet e tablove të tij të frymëzuara nga Akademia fiorentinase, i dogji vetë veprat që zotëronte ende, në “turrën e famshme të kotësive”, të organizuar nga Savonaroia. Më 1498 ai vendosi rregull në sjelljet e papëlqyeshme të këtij fanatiku duke e arrestuar, gjykuar dhe ekzekutuar; kolektivizmi i tij përfshirës kërcënonte individualizmin e kulturës që po rilindte, po aq sa sundimi i princave!
Ndërsa vetëdija e re e vetvetes, karakteristikë e njeriut të Rilindjes, po shtrihej deri në kozmologji dhe rreziku i rënies në rrëmujat socialpolitike dhe në përmbysjen e gjendjes ishte i pranishëm, burri i shtetit, Makiaveli, që ishte dëbuar nga Mediçët, përfitoi nga kjo gjendje. Të gjithë këta faktorë përcaktuan planin e dytë të filozofisë politike të autorit të veprës Princi, vepër çuditërisht “moderne”, shkruar më 1513. Modeli i princit ishte Cezar Borxhia, djali jo i ligjshëm i papa Aleksandrit VI; forca e tij e veprimit (pasojë e virtu-s së tij), aftësia për të përfituar nga rastet e përshtatshme (pasojë e fortuna-s së tij) dhe shmangia e zgjuar e të pashmangshmes, i kishin dhënë mundësinë të fitonte sovranitetin mbi provincën italiane të Romanjës dhe të mbahej aty fuqishëm.
Makiavelit nuk i interesonte aspak që një sundimtar absolut si Borxhia kishte qenë një uzurpator; përligjja e një drejtuesi përmes nderit të Zotit nuk i interesonte shumë, sepse nuk njihte asnjë lidhje midis teologjisë dhe politikës. Makiaveli, sekretar i Senjorisë republikane, do të kishte parapëlqyer drejtimin e zgjuar të një administratori të mirë të Republikës sesa sundimin arrogant të një princi të vetëshpallur, por kjo nuk përbënte për të ndonjë ndryshim në ushtrimin e pushtetit. Shteti, qoftë republikë apo principatë autokratike, ka vetëm një qëllim: ruajtjen e tij dhe mbajtjen e pushtetit me ta vendosur atë. Dhe ky qëllim është i natyrshëm, sepse njerëzit janë të këqij nga natyra, duke dashur secili më shumë sesa ajo që merr. Pra, nuk duhen lejuar të gjithë individët, të aftë për të vendosur lirisht, të ndjekin qëllimet e tyre egoiste njëri kundër tjetrit. T’i pengosh për këtë nëpërmjet përforcimit të shtrëngesës shtetërore, ky është një qëllim që përligj edhe dhunën, gënjeshtrën dhe tradhtinë. Politika nuk ka të bëjë fare me moralin. Liria e sapofituar nga njerëzit e Rilindjes u përvetësua vetëm në dobi të atij që mori pushtetin. Megjithatë kjo liri është e kuptueshme: virtytet themelore të trashëguara nga Platoni dhe të lidhura nga Ciceroni tek etika stoike – zgjuarsi, guxim dhe përmbajtje – u zhveshën nga Makiaveli prej çdo përmbajtjeje metafizike apo etike. Ato janë tani vetëm mjete për të fituar pushtetin dhe për ta mbajtur atë.
Në mendimin politik, idetë e Makiavelit çuan në përcaktimin nga francezi Zhan Bodën (1530-1596), të nocionit të sovranit si mishërim i vullnetit të shtetit, përherë në bazë të teorisë moderne dhe në konceptin e “arsyes së shtetit”, që daton nga Shekulli i Dritave. Makiaveli, mendimtari i parë i Kohëve Moderne, në historinë e filozofisë zgjeroi një fushë të shkencave praktike, politikën, duke e shkëputur nga lidhjet e saj me teologjinë dhe metafizikën. Natyralistët do të ndiqnin rrugën e tij. Veprat kryesore: Shqyrtime për dekaden e parë të Tit Livit (1502); II Principe (1532); Sundimtari, përkth. shqip (1977).
Thënie
“Ku është njeriu, aty dyshohet më tepër”.
“Të qeverisësh do të thotë të bësh të besojnë”. (“Princi”)
“Qëllimi arësyeton mjetin”
Kureshti nga jeta e filozofit
Në misione të ndryshme diplomatike dhe në shërbime publike të vendlindjes së tij Firencës Nikolla Makiaveli e filloi karrierën e vet letrare duke kompozuar kancone, këngë kamevalesh dhe sonete. Në vitin 1513 shkroi veprën e tij më të rëndësishme juridike-politike Sundimtari. Duke i vështruar realisht ngjarjet politike të kohës së tij, Makiaveli u nis nga premisa se nuk ka dobi nga përshkrimi i ndonjë tipi ideal të sundimtarit për të cilin rrëfejnë religjionet, flasin filozofët utopistë dhe reformatorët shoqërorë. Tiparin e vet ai përpiqet ta karakterizojë në mënyrë që të mund të qëndrojë në periudhën kur fjala e nderit e një diplomati dhe e një politikani nuk vlen kurrgjë, kur bashkimet shkelen në mënyrë të paskrupullt dhe vetëm njerëzit dorëfortë dhe dinakë ngelin në këtë lojë të vazhdueshme plot mashtrimesh dhe vrasjesh. Prandaj. Sundimtari i tij është vetëm një apoteozë iluzore e tiranit të vrazhdë dhe kodeks i rregullave për krime. Duke pasur një synim të vazhdueshëm për çlirimin dhe bashkimin nacional të Italisë, ai u nis nga njëmendësia faktike (verita effetuale) për të gjetur rragëdaljet dhe mundësitë reale për realizimin e koncepcioneve të veta politike. Në luftërat e ashpra që sundonin në Itali, Makaveli mendonte se vërtet mund t’u kundërvihet vetëm me forcë, kështu që, pavarësisht nga mjetet, të arrihet çlirimi i vendit.
Nikolla Makiaveli pohon se tiraninë i krijon ose populli ose aristokrati, varësisht nga rasti që paraqitet. Ndërkaq, megjithatë ka ndryshim qenësor ndërmjet synimeve të popullit dhe këtyre aristokratëve: «Synimet e popullit janë shumë më të ndershme se synimet e aristokratëve, sepse këta duan të shtypin, popullin që të mos shtypet». Në këtë mënyrë, duke hequr maskën e gënjeshtarit të moralit dhe të fariseizmit, themeloi teorinë e parë civile të bazuar gjerësisht të shtetit dhe, në të vërtetë, ndau etikën nga politika.
Në komeditë e tij brilante (sidomos në «Mandragolen») mjeshtër i të qeshurit dhe i moralit i cili i kundërvihet drejtpërdrejt hipokrizisë priftërore dhe çdo hipokrizie «të madhërishme», Makiaveli në aspektin teorik është i afërm me hedonizmin dhe mbron të drejtën e argëtimit dhe të qeshurit të popullit, i cili është i kundërt me «fjalimin solemn dhe rigoroz» të moralistëve dhe të asketëve.
Nikola Makiaveli e liroi mendimin politik nga çdo lidhje me konceptimin metafiziko-fetar të shoqërisë, për ta bërë një sistem qëllimesh shkencërisht të arsyeshme. Ai hapi kështu rrugën e mendimit natyralist.
“Makiavelizmi” është sot sinonim i një politike force, të paskrupullt dhe pa moral, në dobi të së cilës të gjitha mjetet janë të mira. Hipoteza bazë e kësaj teorie është se çdo njeri e di çfarë do dhe se, sipas kritereve të arsyeshme, zgjedh mjetet që i shërbejnë më mirë realizimit të synimeve të tij.
Nuk është rangu që zë në zinxhirin e Qenies ai që përcakton veprimin e njeriut, por janë veprimet dhe realizimet ato që e bëjnë atë të jetë ai që është.
Shteti, qoftë republikë apo principatë autokratike, ka vetëm një qëllim: ruajtjen e tij dhe mbajtjen e pushtetit me ta vendosur atë.
«Konsideroj se është i lumtur ai që në veprimet e tij udhëhiqet nga fryma e kohës, pra, së këtejmi i palumtur është ai veprimet e të cilit nuk përputhen me kohën». /KultPlus.com
“Një nga meloditë më lirike, ndonjëherë!”, thotë “DJ Levels”, pasi që transmetohet “Real Badman” nga Vybz Kartel. “Kjo përfaqëson Xhamajkën – kjo përfaqëson muzikën e vërtetë!”
“Unë jam nga Nigeria”, thotë rivali i tij sa i përket përzgjedhjes dhe buzëqesh. Si kundërpërgjigje vjen “No Lele” nga ylli nigerian i tingujve afrikanë, Wizkid. “Ne jemi njerëzit e mëdhenj”.
Kjo është “NS10v10”, një betejë e zhurmshme në mes të DJ-ve, që është bërë emisioni kryesor në “No Signal”, radiostacioni online britanik, që është një nga historitë e pakta të suksesit në mesin e vështirësive gjatë izolimit pandemik. Duke e etiketuar veten si “#blackradio”, ata luajnë muzikë afrikane të diasporës që sillet rreth spektrit të larmishëm të identitetit, komunitetit afrikan në Britani, dhe kanë realizuar një hapësirë kreative, si dhe një lehtësim për britanikët me ngjyrë në një moment traumatik, por edhe historikisht shokues, transmeton KOHA.
“Qoftë muzikë R&B, soca, drill apo dancehall”, thotë Joseph, i njohur po ashtu si “VI”, e që është drejtuesi i programit, “ne dëshirojmë që të përfaqësojmë diasporën britanike si një tërësi. Kjo është ajo që ne dëgjojmë në shtëpi apo jashtë në klube”.
“No Signal” në origjinal është konceptuar dhe aranzhuar nga vëllezërit Jojo dhe David Sonubi si një degë e “Recess” dhe seritë e netëve në klube dhe festave gjatë ditës që janë kthyer në një strehë për komunitetin afrikan në jetën e natës në Londër. Kur pandemia i pezulloi aktivitetet, ata i risollën ato.
“E kuptova që do të kemi më shumë hapësirë për të marrë vëmendje”, thotë Jojo. “Javën kur u bë izolimi për shkak të pandemisë ne ishim duke planifikuar një festë të madhe të ‘Recess’ në ‘Village Underground’, kështu që bëmë një transmetim live dhe 300 veta morën pjesë”.
Që atëherë, një listë me emra të ndryshëm të DJ-ve të “No Signal”, producentë, përzgjedhës të muzikës dhe njohës të saj, kanë mbajtur radio-spektakle në ueb-faqen e radiostacionit, duke kapërcyer nëpër zhanre të muzikës së realizuar nga njerëzit me ngjyrë ashtu siç një atlet ndryshon disiplinat. Ata kanë lëshuar gjithçka që nga këngët për festat e së shtunës në zhanrin “dancehall”, këngë në stilin “hiplife” nga Gana, regge dhe jazz afrikan të viteve ‘70, dhe e kanë bërë të mundshme qasjen në stacionin e tyre për 99 shtete. /Koha.net /KultPlus.com
Manuali i publikuar nga Ministria e Shëndetësisë për mbrojtje nga përhapja e sëmundjes Covid-19, që shkakton koronavirus, nuk po gjen zbatim te qytetarët.
Ky manual është 153 faqe dhe gjendet vetëm online në ueb-faqen e Ministrisë së Shëndetësisë..
Përpilimi i këtij dokumenti u bë si masë për parandalimin e përhapjes së pandemisë, pas rritjes së numrit të rasteve me sëmundjen Covid-19 në Kosovë.
Mirëpo ky dokument, nuk po gjen zbatim te qytetarët. Disa prej atyre me të cilët biseduam në Prishtinë, nuk e kanë lexuar manualin që ka 153 faqe.
Ata që e kanë lexuar kanë vërejtjet e tyre, duke e cilësuar si shumë voluminoz.
Gramoz Bajqinca e Bukurije Shala, thonë për Radion Evropa e Lirë se nuk kanë dëgjuar të ketë një manual nga ministria.
“Nuk e kam parë, nuk e di. E kam parë vendimin e fundit të ministrit për lokalet, por nuk më prek mua, i prek lokalet. Nuk e kam lexuar manualin. Nuk e kam ditur që ka manual”, thotë Gramoz Buqinca.
Ndonëse nuk e ka lexuar, Bukurije Shala nga Prishtina, nuk ka fare shpresë që ky manual të jetë i dobishëm.
“Jo nuk e kam parë, për besë nuk e kam parë. Por, edhe pse nuk e kam parë po e di që nuk bën”, thotë ajo.
Abaz Makolli punon në Komunën e Prishtinës dhe thotë se manuali i Ministrisë së Shëndetësisë i ka ardhur në email, bashkë me një shkresë që leximi dhe zbatimi i tij është i obligueshëm.
Mirëpo ai thotë se ky manual është dashur të jetë më i thjeshtë.
“Mund të jetë shumë më i shkurtë sepse është shumë i gjatë. Njerëzit kur e shohin gjatë nuk e lexojnë, mirëpo me pak rreshta ndoshta duhet të jetë më i thjeshtë”, thotë Makolli.
Të njëjtin mendim e ka edhe Nevruz Zogu nga Gjakova.
“Për qytetarët e thjeshtë është pak voluminoz. Mendoj se ka mundur të bëhet një skript. Ato srkiptat e partive që i bëjnë, i bëjnë më të thjeshta se këto për shëndetësi. Këto duhet të mund të lexohen edhe nga një fëmijë 7-vjeçar dhe një plak 80 ose 90 vjeç”, thotë Zogu.
Manuali u kritikua edhe në Komisionin Parlamentar për Shëndetësi
Të premten ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka raportuar para Komisionit Parlamentar për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale.
Kryetarja e këtij komisioni, Albena Reshitaj, ka ndarë shqetësimin e njëjtë me qytetarët.
Sipas saj, manuali për mbrojtje nga përhapja e Covid-19 duhet të jetë më i shkurtë, në mënyrë që qytetarët ta kenë qasjen më të lehtë.
“Ne e kemi manualin dhe mendojmë që është një material bukur voluminoz për periudhën në të cilën ne jemi duke kaluar dhe qytetarëve të vendit iu nevojitet një broshurë më e shkurtër, me informata të sakta, të shkurta dhe mundësi të shfrytëzimit praktik”, tha Reshitaj.
Ministri Zemaj tha në komision se manuali paraqet një përmbledhje të udhëzuesve të ndryshëm nga fusha të ndryshme dhe se do të përditësohet në vazhdimësi.
“Ky manual specifikon detajet për mënyrën e organizimit të punës në veprimtaritë e lejuara, bizneset private, gastronomi, ndërmarrjet publike, institucionet publike dhe çdo veprimtari tjetër”, tha Zemaj para anëtarëve të këtij komisioni.
Çka përmban ky manual?
Manuali për mbrojtje nga përhapja e Covid-19, i publikuar në ueb-faqen e Ministrisë së Shëndetësisë, ka 153 faqe.
Në këtë manual, përveç të dhënave se çfarë është Covid-19, si përhapet dhe cilat janë masat për parandalimin e tij, jepen edhe rregullat se si të bëhet zvogëlimi i përhapjes së Covid-19 në vendet e punës.
“Nëse një punonjës është konfirmuar të jetë i infektuar me Covid-19, punonjësit duhet të informojnë punonjësit tjerë për mundësinë e ekspozimit të tyre në Covid-19 në vendin e punës, por duhet të ruajnë konfidencialitetin sipas rregullave etike. Punëdhënësit duhet të udhëzojnë punonjësit se si të vazhdojnë punën duke u bazuar në udhëzimet e këtij udhëzuesi”, thuhet në këtë manual.
Po ashtu, aty është vendosur edhe për rregullat e lokaleve ndal klientëve gjatë kohës së pandemisë, ku thuhet se numri maksimal i lejuar i klientëve është 1 person në 8 metër katrorë.
Pronarët e lokaleve janë të obliguara të publikojnë numrin maksimal të lejuar të personave para hyrjes së lokaleve.
Manuali është publikuar edhe në gjuhën serbe dhe angleze.
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, të gjitha Institucionet respektive obligohen të zbatojnë masat e përcaktuara në këtë manual, varësisht nga specifikat e tyre.
Lehtësimi i masave në fillim të muajit qershor dhe moskujdesi i qytetarëve, sipas institucioneve të shëndetësisë, ka bërë që të rritet numri i të prekurve me Covid-19.
Që nga konfirmimi i rasteve të para e deri më tani, në Kosovë janë regjistruar 2,073 persona të prekur me sëmundje Covid-19, që shkakton koronavirusi i ri.
Prej tyre, 1,018 persona janë shëruar, derisa 36 pacientë kanë vdekur. /KultPlus.com
Errësirën e natës e trazon vetëm hëna E heshtjen e fjalës e zgjon vetëm fjala Mbi gjoks përpëlitet zhurma e saj Jeta si fjalëkryq shëtit me enigmën Mendimet përqafohen e thyhen me dritën Me mijëra pjesë e përmasa pasqyrohen Hartë e fshehtë shpirti nën vulën e sakramentitit Rrezet bien mbi lignum vitae e loti e njomë gjethet Për çudi i kap rrezet i mbledh në pëllëmbë të dorës E fjala e zemrës le të digjet me lindjen e diellit
E vë dorën mbi gjoks të qetësoj puhizën e mendimeve E zgjodha për ta shijuar zjarrin e Neuronit Vegimet humbasin e mbesin nëpër errësirë Ardhja i puth gjurmët e pafundme të vargut Vargjet shëtisin nëpër labirintet e kokës Ndoshta diku do tretën me erën e fjalës Vargu si epsh i adhurimit si dhuratë i bëhet dhimbjes E zgjon qetësinë brenda shpirtit me aromën e harresës Fjala e ka syrin e rreptë e i zgjon shekujt e fikur…
Jean-Paul Charles Aymard Sartre (21 qershor 1905 – 15 prill 1980), i njohur si Jean-Paul Sartre (lexo: Zhan-Pol Sartri), ishte filozof francez ekzistencialist, dramaturg, romancier, skenarist, aktivist politik, biograf, dhe kritik letrar. Ai ishte ndër figurat më të rëndësishme të Filozofisë franceze të shekullit XX, shkruan KultPlus.
Biografia Jeta e hershme dhe mendimi
Jean-Paul Sartre u lind dhe u rrit në Paris nga Jean-Baptiste Sartre, një oficer i Marinës Franceze, dhe Anne-Marie Schweitzer. Nëna e tij ishte me origjinë Alsasiane, dhe kushërirja e parë e laureatit të Çmimit Nobel Albert Schweitzer. (Babai i saj, Charles Schweitzer, 1844-1935, ishte vëllai i madh i babait të Albert Schweitzerit, Louis Théophile, 1846-1925).
Kur Sartri mbushi 15 muaj, babai i tij vdiq nga një sëmundje. Anne-Marie e rriti atë me ndihmën e babait të saj, Charles Schweitzer, një profesor gjimanzi i Gjermanishtës, i cili ia mësoi Sartrit metematikën dhe ia prezantoi atij literaturën klasike në një moshë shumë të re.
Si adoleshent në vitet 1920ta, Sartri u interesua për filozofi pasi lexoi Essay on the Immediate Data of Consciousness nga Henri Bergson. Ai studio dhe doktoroi në filozofi në Paris në elitën École Normale Supérieure, një institucion i edukimit të lartë që ishte alma mater për disa mendimtarë dhe intelektualë të rëndësishëm Francezë. Sartri i ndikua nga shumë aspekte të Filozofisë perëndimore, duke marrë ide nga Kanti, Hegeli, Husserli dhe Heideggeri, ndër të tjerë. Më 1929 tek École Normale, ai takoi Simone de Beauvoir, e cila studionte Sorbonne-nën dhe më vonë u bë filozofe, shkrimtare, dhe feministe e njohur. Të dy u bënë të pandashëm dhe partnerë jete, duke filluar një marrëdhënie romantike,[5] megjithëse nuk ishin monogamikë. Sartri krey shërbimin ushtarak në Ushtrinë Franceze nga viti 1929 deri më 1931 dhe më vonë më 1959 tha se secili person francez ishte përgjegjës për krimet kolektive gjatë Luftës algjeriane për pavarësi.
Sartri dhe Lufta e Dytë Botërore
Më 1939 Sartri ishte në ushtrinë franceze, ku shërbente si meteorolog. Ai u kap nga forcat gjermane më 1940 në Padoux, dhe kaloi nëntë muaj si i burgosur lufte— në Nancy dhe më vonë në Stalag 12D, Trier, ku shkroi pjesën e parë teatrale, Barionà, fils du tonnerre, një dramë lidhur me Krishtlindjet. Gjatë kësaj periudhe ngujimi Sartri lexoi Sein und Zeit nga Heidegger, që më vonë bëhet ndikim kryesor në esenë e tij mbi Ontologjinë fenomenologjike. Për shkak të shëndetit të dobët (ai pretendonte se shikimi i dobët ia ndikonte ekuilibrin) Sartri u lirua në prill 1941. Pasi iu dha statusi i civilit, ai rifilloi punën si mësues në Lycée Pasteur afër Parisit, i vendosur në Hotel Mistral afër Montparnasse tek Paris dhe iu dha një pozicion i ri tek Lycée Condorcet, duke zëvendësuar një mësues hebre të cilit i ishte ndaluar mësimdhënia nga i ashtuquajturi Vichy law apo Statuti mbi Hebrenjtë.
Pasi u kthye në Paris në maj 1941, mori pjesë në themelimin e grupit nëntokësor Socialisme et Liberté me shkrimtarët e tjerë Simone de Beauvoir, Merleau-Ponty, Jean-Toussaint, Dominique Desanti, Jean Kanapa, dhe studentët e École Normale. Në gusht, Sartri dhe Beauvoir shkuan në Rivierën franceze për të kërkuar përkrahjen e André Gide dhe André Malraux. Sidoqoftë, si Gide ashtu edhe Malraux ishin të pavendosur, dhe ky mund të kishte qenë shkaku i zhgënjimit dhe humbjës së kurajës së Sartrit. Socialisme et liberté më vonë u shpërbë dhe Sartri vendosi të shkruajë, në vend që të përfshihej në rezistencën aktive. Ai shkruajti Qenia dhe Hiçi, Mizat dhe S’ka Dalje, asnjë nga të cilat nuk u cenzuruan nga gjermantë, dhe kontribuoi gjithashtu në revistat letrare legale dhe ilegale.
Pas gushtit 1944 dhe Çlirimit të Parisit, ai shkroi Anti-Semite and Jew (Anti-Semit dhe Hebre). Në këtë libër përpiqet të shpjegojë etiologjinë e urrejtjes duke analizuar urrejtjen ani-semite. Sartri ishte kontribues aktiv te Combat, një gazetë e krijuar gjatë periudhës klandestine nga Albert Camus, një filozof dhe autor i cili kishte besime të ngjajshme. Sartri dhe Beauvoir mbajtën shoqërinë me Camusin derisa ai u largua nga komunizmi, një “schism” që eventualisht i ndau më 1951, pas publikimit të Rebelit. Më vonë, ndërsa Sartri konsiderohej nga disa autorë si pjesë e rezistencëz, filozofi francez, gjithashtu pjesë e rezistencës, Vladimir Jankelevitch kritikoi mospërfshirjen e Sartrit në politikë gjatë okupimit gjerman, dhe interpretoi mundimet e tij të mëvonshme për liri si një përpjekje për ta shfajësuar vetveten. Sipas Camusit, Sartri ishte shkrimtar që rezistonte, jo rezistant që shkruante.
Kur lufta përfundoi Sartri themeloi Les Temps Modernes (Kohët Moderne), një analizë mujore letrare dhe politike, dhe filloi të shkruajë vazhdimisht si dhe të vazhdojë aktivizmin e tij politik. Ai përdori përvojat e tija nga lufta për novelat e tij të famshme, Les Chemins de la Liberté (Rrugët e Lirisë) (1945–1949).
Politika
Periudha e parë e karierës së Sartrit, e përshkruar kryesisht nga Being and Nothingness (1943), i hapi rrugë një periudhe të dytë si aktivist i angazhuar politik dhe intelektual. Punimi i tij i vitit 1948 Les Mains Sales (Duar të Pista) veçanërisht eksploroi problemin e të qenit intelektual dhe “i angazhuar” politikisht në të njëjtën kohë. Ai përkrahu komunizmin, mohoi spastrimet e Stalinit, pati marrëdhënie me një agjent të KGB-së[10] dhe mbrojti ekzistencialicmin, megjithëse asnjëherë nuk iu bashkua Partisë Komuniste, dhe mori një rol publik në lëvizjen kundër Sundimit Francez në Algjeri. Ai ishte ndoshta përkrahësi më i dalluar i Frontit Nacional Çlirimtar Algjerian në Luftën Algjeriane dhe ishte një nga nënshkruesit e Manifeste des 121. Përveç kësaj, ai kishte një dashnore algjeriane, Arlette Elkaïm, e cila u bë vajza e tij e adoptuar më 1965. Ai kundërshtonte Luftën e Vietnamit dhe, së bashku me Bertrand Russell dhe të tjerë, organizoi një gjyq, me qëllim të zbulonte krimet e luftës të SHBAve, i cili u bë i njohur si Tribunali Russell më 1967. Efekti i të cilit ishte i limituar.
Si simpatizant, Sartri kaloi pjesën më të madhe të jetë së mbetur duke provuar të lidhte idetë e tij ekzistencialiste rreth vullnetit të lirë me principet komuniste, që thoshnin se forcat social-ekonomike përtej kontrrollit tonë individual të menjëhershëm luajnë një rol kritikt në jetën tonë. Punimi kryesor i tij në këtë periudhë, Critique de la raison dialectique (Kritikë ndaj Arsyes Dialektike) u shfaq më 1960. Në Critique, Sartri donte ti jepte Marksizmit një mbrojte më vigoroze intelektuale se që kishte pasur deri atëherë; ai përfundoi duke thënë se nocioni i Marksit i “klasave” si një entitet objektiv ishte i rremë. Theksimi i vlerave humaniste në punimet e hershme të Marksit nga ana e Sartrit çuan te një mosmarrëveshje me intelektualin komunist kryesor në Francë në vitet 1960, Louis Althusser, i cili pretendonte se idetë e Marksit të ri ishin tejkaluar vendosmërisht nga sistemi “shkencor” i Marksit të moshuar.
Sartri shkoi në Kubë në vitet e 60ta për të takuar Fidel Castron dhe foli me Ernesto “Che” Guevaran. Pas vdekjes së Guevarës, Sartri e shpalli atë “jo vetëm intelektual por edhe personin më të plotë të kohës sonë” dhe “njeriun më të përkryer të epokës.” Sartri gjithashtu komplimentoi Che Guevarën duke thënë se “ai jetoi fjalët e tij, foli veprimet e veta dhe historia e tij dhe historia e botës ecën pararelisht.”
Duke pasuar masakrën e Mynihut në të cilë humbë jetën njëmbëdhjetë izraelitë të Olimpiadës për shkak të organizatës palestine shtatori i Zi në Mynih më 1972, Sartri tha se terrorizmi “është një armë e tmershme por të varfërit e shtypur nuk kanë tjetër.” Sartri gjithashtu e konsideronte “skandaloz faktin që sulmi i Mynihut duhet të vlerësohej nga shtypi dhe një pjesë e opinionit publik si një skandal i patolerueshëm.”Sidoqoftë, Sartri ishte në përgjithësi përkrahës i Izraelit dhe Zionizmit.
Gjatë një greve urie kolektive më 1974, Sartri vizitoi udhëheqësin e grupimit të Ushtrisë së Kuqe Andreas Baaderin në Burgun Stammheim dhe kritikoi kushtet e rënda të burgimit.[16] Jeta e vonshme dhe vdekja[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]
Më 1964, Sartri hoqi dorë nga literatura me një përmbledhje të mençur të dhjetë viteve të para të jetës së tij, Les mots (Fjalë). Libri në fjalë është një kundërvënie ironike ndaj Marcel Proust, reputacioni i të cilit kishte mbuluar papritur atë të André Gide (i cili kishte ofruar modelin e littérature engagée për gjeneratën e Sartrit). Literatura, përfundon Sartri, funksiononte ultimatikisht si zëvendësim borgjez për përkushtimin e vërtetë në botë. Ai ishte Laureati i parë që refuzoi Çmimin Nobel, dhe më parë kishte refuzuar çmimin Légion d’honneur, më 1945. Çmimi u shpall më 1964 22 tetor; më 14 tetor, Sartri i kishte shkruar një letër Institutit Nobel, duke kërkuar që të hiqej nga lista e të nominuarve, dhe duke shtuar se nuk do ta pranonte çmimin edhe po ta fitonte, por kjo letër nuk u lexua; më 23 tetor, Le Figaro publikoi një deklaratë nga Sartri ku shpjegohej refuzimi i tij.
Sidoqoftë, Lars Gyllensten, anëtar i hershëm i Komitetit Nobel ka pretenduar në autobiografinë e tij se Sartri kishte provuar më vonë të merrte paratë e çmimit, por kjo nuk i ishte lejuar. Gjoja se filozofi francez i kishte shkruar një letër Komitetit Nobel më 1975 duke i thënë se kishte ndrruar mendje për çmimin, të paktën sa i përket parave. Thuhet se në këtë pikë komiteti e kishte refuzuar kërkesën, duke deklaruar se paratë ishin ri-investuar në Institutin Nobel.
Megjithëse emri i tij u bë i famshëm (si “ekzistencializmi” gjatë viteve 1960), Sartri mbeti njeri i thjeshtë me pasuri të vogël, i përkushtuar aktivisht në çështje globale deri në fundin e jetës së tij, siç ishin grevat revolucionare studentore në Paris gjatë verës së vitit 1968, gjatë të cilave ai u arrestua për mosbindje civile. Presidenti Charles de Gaulle intervenoi dhe e liroi atë, duke thënë se “nuk mund ta arrestosh Volterin.”
Më 1975, kur u pyet se në ç’mënyrë do të dëshironte të mbahej mend, Sartri u përgjigj:
“Do të doja që [populli] të kujtonte Nausea, S’ka Dalje dhe Djalli dhe Zoti i Mirë, dhe pastaj dy punimet e mija filozofike, veçanërisht të dytën, Kritikë ndaj Arsyes Dialektike. Pastaj esenë time mbi Genetin, Shën Geneti…Nëse këto kujtohen, do të ishte një arritje e lartë, dhe nuk kërkoj më tepër. Si njeri, nëse një Jean-Paul Sartre kujtohet, do të doja që njerëzit të kujtonin edhe rrethanat e situatës historike në të cilën jetova,…si jetova në të, nga aspekti i të gjitha aspiratave që u përpoqa t’i mbledh brenda vetes.”
Gjendja fizike e Sartrit u përkeqësua, pjesërisht për shkak të ritmit të pamëshirshëm me të cilin punonte (dhe përdorimit të drogës për këtë arsye, p.sh, amfetamina) gjatë shkrimit të Critique dhe një biografie analitike masive të Gustave Flaubert (Idioti Familjar). Asnjëra nuk u përfundua.
Ai vdiq më 15 prill 1980 në Paris nga një sëmundje në mushkëri.
Sartri prehet në Cimetière de Montparnasse në Paris. Shumë njerëz morën pjesë në varrimin e tij, numri i tyre gjatë Marshit dy-orësh vlerësohet të ketë qenë nga 15 000 deri te 50 000. /KultPlus.com
Sezoni turistik në Shqipëri ka nisur prej tre javësh, por janë ende fundjavat ato që mbushin plazhet.
Në Ksamil mbërritën grupet e para të shqiptarëve të Kosovës, ndërsa në plazhet publike të qytetit mbizotërojnë vendasit.
”Turistët që vijnë po, ata mbajnë shezlogë, çadra.”
Për herë të parë në plazhet publike nuk paguhet, ndërsa koronavirusi i mbërritur tashmë edhe në jug, ka ndikuar në ndërgjegjesimin për masat e sigurisë.
”Ka e gjithë bota, mos të kemi ne?”
Në Vlorë, operatorët turistikë kanë ulur çmimet deri në 30%, por prenotimet thonë se mbeten në kuotat minimale në krahasim me vitin e kaluar.
”Presim të jenë më shumë nga Shqipëria, apo nga trevat Kosova. Maqedonia. Normalisht kemi bërë oferta më tunduese për këtë klientelë.”
Të vetmet njësi hoteliere të cilat e shohin me shpresë situatën, janë ato të cilat e kanë mbështetur çdo vit turizmin me vendet e Europës Lindore.
”Një fluks shumë i madh rezervimi nga partnerët tanë për Shqipërinë.”
Për shkak të pandemisë numri i pushuesve mbetet i ulët edhe në Shëngjin.
Atje edhe bizneset janë prapa me përgatitjet.
Pjesa më e madhe e bizneseve në këtë zonë turistike ende nuk i kanë ngritur stacionet e plazhit.
Thonë se burokracitë në marrjen e lejes për shfytëzimin e rërës për plazh kanë sjellë këto vonesa.
Dritan Kondakçiu, operator turistik: ”Unë kam 12 ditë që kam aplikuar për të vënë çadrat dhe akoma nuk kemi një përgjigje.”
Ben Lekaj, operator turistik: ”Si puna e rradhës së qumështit. I marrim me rradhë. Nuk ma merr mendja se janë 500 veta që do i shqyrtojnë këto gjëra.”
Veç vonesës që shkaktoi në çeljen e sezonit, turizmi në Shqipëri duket se ende mbetet peng i situatës së krijuar nga pandemia e koronavirusit. /oranews.tv /KultPlus.com
Gotfrid Vilhelm Lajbnici (Gottfried Wilhelm Leibniz, 21 qershor/ 1 korrik 1646 – 14 nëntor 1716), ishte filozof, shkencëtar, matematikan, diplomat dhe jurist gjerman. i cili kryesisht shkruante në gjuhën latine dhe frënge.
Lajbnici konstruktoi makinën e parë llogaritëse që ishte e aftë të kryejë shumëzimin dhe pjesëtimin. Ai gjithashtu futi në përdorim sistemin e numrave binar që sot përdoret në sistemet kompjuterike. Pavarësisht nga Isak Njutoni ai, “zbuloi” ,,njehsimin diferencial,, dhe futi në përdorim simbolet për integralin, derivatin dhe diferencialin të cilat edhe sot janë në përdorim për dallim nga simbolet e Njutonit të cilat ishin më konfuze , për integralet zgjodhi germën latine (S germa e parë e fjalës suma), të cilën e zgjati pak dhe për simbol të derivatit respektivisht të diferencialit germën D (germa e parë e fjalës latine diferentia). Lajbnici mendonte që simbolet janë shumë të rëndësishme për t’i kuptuar gjërat. Ai gjithashtu provoi të formojë një alfabet për mendimet njerëzore, në të cilin do t’i pasqyroje të gjitha konceptet bazike të përdorimit të simboleve dhe kombinimet e tyre për të pasqyruar mendime më komplekse. Lajbnici asnjëherë nuk e përfundoi këtë. Kontributi i tij filozofik për matematikën është bazë e Monadologjisë, në të cilën fut Monadat si “formë substanciale e qenies”, të cilat janë të ngjashme me atomet shpirtërore, i përjetshëm, i patretur, individual, të ndjekur nga vet ligji i tij, pa bashkëveprim (“xham dritareje”) por që nuk reflektonin Universin si tërësi. Në këtë rrugë skema e mësipërme si nocion që tret monadën në problemin e bashkëveprimit të mendjes dhe dukjes së lëndës. Ai bashkë me Rene Descartes, dhe Baruch Spinoza është njëra nga tre figurat më të rëndësishme të racionalizmit të shekullit XVII. Ai zë një pjesë të madhe në historinë e filozofisë dhe në historinë e matematikës. Është i njohur konstatimi i tij se universi ynë është më i miri i mundshmi me fjalë tjera as Zoti vetë nk do të mund të krijonte një më të mirë. Lajbnici dha kontribute të çmueshme edhe në Fizikë, teknologji, biologji, mjekësi, gjeologji, psikologji, linguistikë. Ai gjithashtu shkroi edhe për tema nga politika, Jurisprudenca,Etika, Teologjia, historia, dhe Filologjia.
Lajbnici, njëherit, ka bërë studimin e parë ndër gjermanët dhe evropianët për prejardhjen e gjuhës shqipe e të shqiptarëve. Lajbnici me tri “letrat shqiptare[1] që ai i ka dërguar bibliotekarit mbretëror në Berlin, së bashku me albanologun Erik Hemp, “një dijetar të hershëm të vërtetë të gjuhës shqipe”[2] paraqesin të parët teorin “ilire” të prejardhjes së gjuhës shqipe.
Biografia[
Gotfrid Vilhelm Lajbnici lindi më 5 korrik 1646 në Leipzig, babai i vdiq kur ai kishte 6 vjet kështu që mësimet e para nga feja dhe morali i mori nga nëna e tij. Këto mësime zgjuan tek ai një nxitje për tu marrë me filozofi. Në moshën madhore prezantohej si “von Leibniz”. Babai i tij ishte profesor i filozofisë së moralit në Universitetin Leipzigut i la një bibliotekë personale mjaft të pasur në të cilën Lajbnici filloi të studionte libra që në moshën 7 vjeçare. Kur i mbushi 12 vjet pa problem e zotëronte gjuhën latine e cila në atë kohë ishte gjuha e shkencës. Pastaj filloi të interesohej për gjuhën greke. Në moshën 14 vjeçare i filloi studimet në Univerzitetin ku punoi babai i tij të cilin pas 4 vjetësh e mbaroi në degën e jurisprudencës aty ai gjithashtu mori leksione nga logjika dhe filozofia skolastike. Edukimi i tij matematik ishte në nivelet si në Francë dhe Britani. Në vitin 1666 (ai e publikoi librin e tij të parë si temë diplome Mbi artin e Kombinatorikës.
Letrat shqiptare
Janë të njohura tri letra, si duket letërkërkesa të Lajbnicit dërguar një bibliotekisti në Berlin. Në letrën e parë të datës 24 janar të vitit 1705, Lajbnici shprehte mendimin se shqipja duhej të ishte një gjuhë sllave, kurse gjuha e ilirëve të lashtë mund të ekzistonte diku në Epir.
Letrën e dytë ai e shkroi pothuajse pesë vjetë më vonë, më 10 dhjetor 1709, pasi kishte shtënë në dorë një libër dhe një fjalor të gjuhës shqipe, që ishte identifikuar (nga Erik Hemp), përkatësisht Fjalorin latinisht-shqip të frang Bardhit (Dictioarium latinoepiroticum, Romë 1635 ) dhe veprën e Pjetër Budit.
Duke hedhur poshtë mendimin e shprehur në letrën e parë se “gjuha e ilirëve të lashtë ishte një gjuhë krejt e ndryshme nga shqipja”, në këtë letër të dytë ai arriti në përfundim se: “… kjo ishte gjuha e ilirëve të lashtë”.[1]
Filozofia e Leibniz
Laibnici ishte i pakënaqur nga mënyra se si Dekarti dhe Spinoza kishin përshkruar natyrën e substancës, sepse ai e ndiente që ata i kishin shtrëmbëruar idenë tonë për natyrën njerëzore, lirinë dhe Zotin. Të thuash, siç thoshte Dekarti, që mendimi dhe shtrirja janë dy substanca të pavarura, do të thotë të krijosh një dilemë të fortë për shpjegimin e ndërveprimit mendje-trup, si tek njeriu ashtu edhe tek Zoti. Spinoza u përpoq ta zgjidhte këtë dilemë duke thënë se egziston vetëm një lloj substance me dy lloj atribute të ndryshme, që janë mendimi dhe shtrirja. Por të reduktosh të gjithë realitetin në një substancë të vetme, do të thotë të humbësh dallimin midis elementeve të ndryshëm natyror. Megjithse Spinoza u përpoq të na e jepte botën e përbërë nga shumë mënyra, të krijuara nga format e ndryshme që merrte mendimi dhe shtrirja, përsëri monizmi i tij ishte një panteizëm ku Zoti ishte gjithçka dhe çdo gjë ishte pjesë e diçkaje tjetër. Për Laibnicin konceptimi i tyre për substoncën ishte i përshtatshëm, sepse ai turbullonte dallimin midis Zotit, njeriut dhe natyrës, të cilat Laibnici donte t’i veçonte. Në mënytë paradoksale, Laibnici pranoi teorinë e Spinozës për një substancë të vetme dhe modelin e tij mekanik të universit; por ai e paraqiti në një mënyrë kaq unike teorinë e një substonce, sa që ishte në gjendje të fliste për individualitetin njerëzor, transhendencën e Zotit, si dhe për realitetin e përbërë nga liria dhe qëllimet universale.
Laibnici ishte ai që ndryshoi supozimin bazë, mbi të cilin Dekarti dhe Spinoza kishin ndërtuar teorinë e tyre të substancës, dhe pikërisht atë që shtrirja merr përmasa dhe formë të caktuar. Dekarti supozonte se shtrirja i referohet një substance materiale, që shtrihet njësoj në hapsirë dhe nuk është e ndashme në diçka më parësore. Spinoza, nga ana tjetër, e konsideronte shtrirjen të reduktuar vetëm në vetitë e Zotit apo Natyrës. Laibnici nuk pojtohej me asnjë nga idetë e mësipërme. Duke vërejtur me anë të shqisave tona, se të gjithë trupat apo objektet janë të ndarë në pjesë më të vogla, atëherë, pyeste Laibnici, pse ne nuk mundemi të supozojmë se të gjitha gjërat janë agregate ose të përbëra? “Duhet të ketë substanca të thjeshta, – thoshte ai, “përderisa ka substanca të përbëra; përderisa një përbërje nuk është gjë tjetër veçse bashkim apo agregat i substancave të thjeshta”.
Megjithatë, në thënien se çdo gjë përbëhet nga substanca më të vogla, nuk ka asgjë të re sepse, që në kohën e Demokritit dhe Epikurit është diskutuar që substancat përbëhen nga atome. Por Lajbnici ishte ai që e hodhi poshtë nocionin e atomit, sepse Demokriti e kishte përshkruar atë si trup në shtrirje, si një pjesëz të reduktuar të materies. Këto pjesëza të vogla konsidëroheshin pa jetë ose interne dhe të cilat duhet ta merrnin lëvizjen nga diçka që ndodhej jashtë tyre. Duke hedhur poshtë idenë e materies si primare, Lajbnici argumentonte se substancat vërtet të thjeshta janë monadat, të cilat “janë atomet e vërteta të natyrës…elementet e gjithçkaje”. Monadat ndryshojnë nga atomet, pasi këto të fundit deri tani ishin parë si trupa në shtrirje. Ndërsa Lajbnici i përshkruante monadat si forcë ose energji. Ai, më tej, thoshte se materia nuk është element primar i sendeve, por monadat, me elementin e tyre forcë, përbënin substancat bazë të sendeve.
Lajbnici donte të vinte në dukje se substanca përmban jetë ose forcë dinamike. Ndërkohë që atomi material i Demokritit duhej të ndikohej nga jashtë, me qëllim që të lëvizte apo të bëhej pjesë e tufës së madhe të atomeve, Lajbnici thoshte, se substanca e thjeshtë, monada është, “e aftë për të vepruar”. Fjala monadë rrjedh nga fjala greke monas, e cila do të thotë bashkim, prandaj ai shtonte se “substancat e përbëra janë një bashkim monadash. Kështu pra, substancat e thjeshta, jetët, shpirtërat janë njësi. Rrjedhimisht e gjithë natyra është plot me jetë”.
Sipas Lajbnicit, monadat janë elemente pa shtrirje, ato nuk kanë formë apo përmasa. Një monadë është një pikë, e cila nuk nënkupton as pikë fizike dhe as atë matematike, por një pikë metafizike ekzistence. Çdo monadë është e ndarë nga tjetra dhe ato nuk kanë ndonjë lidhje të rastit me njëra-tjetrën. Megjithëse ishte e vështirë të imagjinoje një pikë pa përmasa dhe formë, Lajbnici donte ta theksonte këtë me qëllim që të bënte diferencimin nga atomi material i Demokritit. Mendimi i tij në këtë fazë është i ngjashëm me nocionet e shekullit XX, ku thuhet se pjesëzat e vogla fizike janë forma të veçanta të energjisë. Kryesisht, Lajbnici thoshte se monadat janë logjikisht parësore ndaj çdo lloj forme tjetër trupore. Atëherë, vazhdonte ai, substanca e vërtetë janë monadat, të cilat i quante substanca shpirtërore, për të theksuar natyrën e tyre jomateriale. Çdo monadë është e ndryshme nga të tjerat dhe zotëronte forcën dhe parimet e saj të veprimit, dhe, thoshte Lajbnici, “ato kanë një siguri të mjaftueshme, që shërben si burim i lëvizjeve të tyre të brendshme. Ato, gjithashtu, përmbajnë brenda vetes burimin e veprimeve të tyre”. Përveç kësaj, për të theksuar se gjithë pjesa tjetër e universit nuk mund të ndikonte në sjelljen e tyre, Lajbnici thoshte se monadat janë krejt të mbyllura (pa dritare) ndaj tij. Por duhet të jenë lidhjet midis monadave ato që i japin universit shpjegimet për veprimet e tyre të rregullt. Këto shpjegime, Lajbnici i gjeti në idenë e tij të harmonisë së paravendosur.
Çdo monadë vepron në përputhje me qëllimin e saj. Monadat e mbyllura, të cilat ndjekin qëllimet e tyre formojnë një bashkim apo univers të rregullt. Megjithëse secila prej tyre është e ndarë nga tjetra, qëllimet e tyre të veçuar formojnë një harmoni të një shkalle të lartë. Kjo është njësoj sikur një shumicë sahatesh të ndryshëm të bien të gjithë në të njëjtën orë, pasi secili e llogarit kohën mjaft saktë. Lajbnici i krahasonte të gjitha këto monada me një numër koresh dhe bandash muzikantësh të cilët luanin secili pjesët e tyre të ndara, që as mos e dëgjonin apo shikonin njëri-tjetrin, por, megjithatë, shkonin së bashku në mënyrë të përsosur secili duke ndjekur notat e tij, sa dikush, që i dëgjonte nga jashtë, gjente tek to hormoninë e mrekullueshme dhe habinë për mos ekzistencën e asnjë lloj lidhjeje midis tyre”. Pra, sipas kësaj, çdo monadë ishte një botë më vete, por secila prej tyre vepronte në harmoni me të tjerat. Kështu mund të thuhet se çdo monadë pasqyronte universin (por sipas një prespektive unike) në mënyrë të tillë që sikur një gjë “të ndryshonte apo të largohej prej tij, të gjitha të tjerat do të ndryshonin”. Një harmoni nuk mund të jetë pasojë e një krijimi të rastësishëm monadash, por, thoshte Lajbnici, duhet të jetë si rezultat i veprimtarisë së Zotit; pra, kjo lloj harmonie është e paravendosur.
Harmonia, që ekziston tashmë në botë, e bëri Lajbnicin të argumentonte se Zoti jo vetëm i kishte paravendosur gjërat në botë, por, gjithashtu, ai kishte krijuar më të mirën e mundëshme të gjithë botëve. Megjithëse kjo është më e mira e botëve ose qoftë vetëm e mirë, gjithmonë mbetet e hapur pyetja për arsyen e rrëmujës dhe të këqijave të saj. Në të vërtetë, Shopenhaueri mendonte se, me gjithë këtë të keqe që mbizotëron në të, kjo është më e keqja e të gjithë botëve; kështu ne nuk jemi të bindur, nëse Zoti ekziston apo ai Zot që e ka krijuar atë ka qënë një Zot i mirë. Lajbnici ishte i ndërgjegjshëm për rrëmujën dhe të keqen që ekziston, por ai e konsideronte këtë të pajtueshme me konceptin e një krijuesi me vullnet të mirë. Në njohjen e tij të përsosur, Zoti merr parasysh të gjithë llojet e botëve që ai mund të krijojë; por zgjedhja e tij duhet të jetë në përputhje me kërkesat morale që një botë duhet të përbëhet nga e mira, sa më shumë që të mundet. Por, botë të tilla nuk mund të jenë të përsosura. Përkundrazi, një botë e krijuar konsiston në kufizime dhe papërsosmëri të sendeve, “pasi Zoti nuk mund t’i japë krijesës së tij gjithçka të përsosur, pa e bërë atë gjithashtu Zot, prandaj gjithçka në botë ka kufizime të çforëdo lloji”. Burimi i së keqes nuk është Zoti, por natyra jo e përsosur dhe e kufizuar e sendeve që Ai ka krijuar. Akoma më tej, e keqja nuk është thelbësore, por thjesht një mungesë përsosje, apo privim. Prandaj Lajbnici thotë se “Zoti dëshiron të paraprijë e mira dhe rrjedhimisht më e mira.” Përfundimisht, Lajbnici mendon se ne nuk mund të bëjmë një vlerësim të drejtë të së keqes, në qoftë se do ta shikojmë atë, vetëm nëpërmjet objekteve apo ngjarjeve të veçanta. Shumë gjëra, të cilat në vetvete duken se janë të këqia, shndërrohen në paraprirëse të së mirës; si për shembull, “ëmbëlsirat bëhen të mërzitshme, në qoftë se ne hamë vetëm ato; por po t’i kombinonim me diçka të thartë, të athët apo qoftë dhe pak të hidhur, atëherë do të stimulonim shumë shijen tonë”. Akoma më tej, ngjarjet e humbin prespektivën e tyre të vërtetë. Lajbnici pyet: “Në qoftë se shikoni një pikturë të mrekullueshme, pasi kemi mbuluar një pjesë fare të vogël të saj, çfarë tjetër do të shikoni prej saj, pamvarësisht nga analiza e kujdesshme, që mund t’i bëni, veçse një masë ngjyrash pa zgjedhje dhe pa art? Por në qoftë se do të hiqni mbulesën dhe do të shikoni të gjithë pikturën prej një këndvështrimi të duhur, do të kuptoni se ajo, çfarë ju duk si një shkarravinë e pakujdesshme, është në të vërtetë një punë e bërë prej piktori me shumë art”.
Si mund të ketë liri, vazhdon Lajbnici, në një botë të krijuar prej Zotit, ku ai përcakton një rregull sistematik, duke futur qëllime specifike brenda çdo monade? Secila monadë është e përfshirë në zhvillimin e qëllimeve të saj dhe “çdo gjëndje e një substance të thjeshtë është rrjedhim i një gjëndje paraprirëse”. Çdo person, identiteti i të cilit përqëndrohet rreth një monade mbisunduese, mund të paraqesë, në këtë pamje mekanike, një shpalosje të jetës së tij që prej fillimit. Më tej, përderisa natyra bazë e këtij përsoni është mendimi, sipas tij, zhvillimi jetësor konsiston në mposhtjen e mendimeve konfuze dhe arritjen e ideve të vërteta, të cilat ndodhen të gjitha brenda nesh në formën e potencialeve të errëta, që kërkojnë të marrin përmasa aktuale.
Kur këto potenciale bëhen aktuale, atëherë ne i shohim gjërat siç janë dhe kjo, thotë Lajbnici, do të thotë të jesh i lirë. Me këtë të fundit nuk kuptohet vullneti i lirë, apo fuqia e zgjedhjes, por një vetëzhvillim i brendshëm, që tregon se pamvarësisht nga përcaktimi që secili të veprojë sipas drejtimeve specifike, është natyra e tij e brendshme ajo që përcakton veprimet dhe jo forcat e jashtme. Sipas këtij kuptimi, liria nënkupton aftësitë e dikujt për t’u bërë pa kufizime, çfarë ai është përcaktuar të jetë që më parë dhe kjo, njëkohësisht, nënkupton një ekzistencë cilësore, pamvarësisht se njohja e tij ka kaluar nga konfuzja tek më e qarta. Njeriu i lirë është ai që e di pse dhe për çfarë e bën diçka. Kjo ishte rruga që Lajbnici zgjodhi për të pajtuar pikëpamjet e tij të determinizmit në natyrë me konceptin e lirisë.
Se si Lajbnici arriti në pajtimin e botës së monadave me nocionin e lirisë, është e dyshimtë. Gjithashtu ishte ai që fliste për lirinë si një “zgjidhje e vullnetit të lirë” dhe shtonte se “liria dhe vullneti i lirë nënkuptojnë të njëjtën gjë”. Akoma, këtu, duket se ai e vë theksin, më shumë se kudo, mbi idenë e determinimit, mbi nocionin e universit mekanik dhe makinës shpirtërore. Në këtë kohë Lajbnici nuk përdori modelin e tij mekanik për shpjegimin e universit, sepse, në qoftë se do ta bënte, ai do të thoshte se pjesë të ndryshme të universit ndikojnë mbi njëra-tjetrën në mënyrë të tillë siç ndikojnë pjesët e orës në lëvizjen e njëra-tjetrës. Në njëfarë mënyrë shpjegimi i tij ishte shumë më rigoroz në pikëpamjen determinuese, se sa si sugjerim i modelit mekanik. Monadat e tij ishin krejt të pavarura dhe nuk ndikoheshin nga njëra-tjetra, por vepronin në përputhje më qëllimin e tyre, të cilin i kishin që prej momentit të krijimit nga Zoti. Ky lloj determinizmi është më rigoroz, sepse nuk varet nga shkaqet e jashtme, por nga natyra e brendshme, e përhershme dhe e fiksuar e çdo monade.
Shpjegimi përfundimtar i botës, thotë Lojbnici, është se “disa gjëra ekzistojnë më shumë se disa të tjera, posi kjo është përcaktuar nga fjala e shenjtë…”. Gjërat janë kështu, siç janë, pasi Zoti i donte ato të tilla. Duke dëshiruar që disa gjëra të jenë kështu, siç janë, ai kufizoi numrin e mundësive të tjera dhe përcaktoi se cilat ngjarje mund të jenë të bashkemundshme. Zoti mund të ketë dëshiruar universe dhe bashkime të tjera të mundësive, por dëshira për këtë lloj universi bëri që tani të ekzistojnë këto lloj lidhje të domosdoshme midis sendeve. Gjithashtu, nga prespektiva e arsyetimit njerëzor, thëniet në lidhje me botën e fakteve janë sintetike ose i referohen përvojës apo verifikimit, në qoftë se do të kërkojmë të vërtetën e tyre, duhet të dimë që janë thënie analitike të përcaktuaro ngo Zoti. Vetëm Ai mund të arrijë në të vërtetën e të gjithë substancave. Dhe është vetëm injoranca, ajo që na pengon të shikojmë, në persona të veçantë, të gjitha të vërtetat që janë lidhur me to. Së fundi, të vërtetat e faktit, sipas Lajbnicit, janë po ashtu analitike. Kështu një njeri i përmban brenda tij të gjitha të vërtetat për veten dhe, në qoftë se do të arrijmë ta njohim atë, sipas një nocioni të plotë, atëherë do të arrijmë në zbulimin e asaj që është e vërtetë prej tij, si për shembull, “çfarë përfaqëson mbreti Aleksandri i Madh…”. Zoti duke njohur nocionin individual të Aleksandrit, e shihte atë, në të njëjtën kohë, si krijuesin dhe shkakun e të gjitha të vërtetave, të cilat i atribuoheshin vërtetë atij. Për shembull, ai dinte nëse do të mposhtëte Darius-in dhe Porus-in; nëse ai vdiq në mënyrë natyrale apo i helmuar, të vërteta këto të cilat ai i dinte a priori [jo nga përvoja], ndryshe nga ne [me intelektin tonë të kufizuor njerëzor], që i njohim këto vetëm nga historia”.
Pra për Lajbnicin, logjika ishte çelësi i metafizikës. Nga gramatika e thënieve, ai arriti në konkluzionin e botës reale. Së fundi, ai hodhi idenë se të gjitho thëniet e vërteta janë analitike. Si rrjedhim, si substancat ashtu dhe njerëzit, për Lajbnicin janë të njëjta me kryefjalët e një thënie analitike, të cilat përfshijnë kollëzuesit (pohimet, të vërtetat) brenda tyre. Ai, gjithashtu, zbatoi ligjin e tij të vazhdimësisë tek ideja e tij e substancës, me qëllim që të vërtetonte teorinë e tij, që çdo substancë i shpalos të vërtetat e saj sipas një renditje dhe parashikimi të përcaktuar nga Zoti. Ligji i vazhdimësisë hedh idenë se “natyra nuk bën shmangie”. Në botën e krijuar prej Zotit çdo pozicion është i zënë; kështu të gjitha ndryshimet janë në vazhdimësi. Pra monadat e mbyllura, mbajnë brenda tyre gjithë reagimet për të ardhmen. Dhe ashtu siç është e vërtetë për monadat, po oshtu është e vërtetë se të gjitha kombinacionet dhe mundësitë e ndryshme të ngjarjeve mbajnë brenda tyre gjithë të ardhmen e botës dhe arsyeja e mjaftueshme për këtë rregull është “shkaku suprem, i cili e bën gjithçka në mënyrën më të përsosur”. Gjithashtu, pamvarësisht se mendja njerëzore përmban shumë ide të lidhura dhe të vërteta, ajo nuk mund të njohë realitetin ashtu siç e njeh Zoti. Një fëmijë nuk mund të njohë gjithshka menjëherë, por duhet të presë derisa të rritet dhe derisa raste të veçoantë të përvojës së përditshme, t’ia vërtetojnë ato. Pikërisht fakti që këto ide bëhen të njohura vetëm në raste të tillë, i bën ato tepër të natyrshme. Megjithatë doktrina e idesë së lindur, shoqëruar me realitetin, pasqyroi vlerësimin e tij optimist, për aftësinë e arsyes në njohjen e realitetit dhe besimin e tij që nga të vërtetat e brendshme të natyrshme mund të burojnë dije, pothuajse të plota, të botës reale.
Veprat
1666. De Arte Combinatoria
1671. Hypothesis Physica Nova
1673. Confessio Philosophi
1684. Nova methodus pro maximis et minimis
1686. Discours de metaphysique
1705. Explication de l’Arithmetique Binarie
1710. Theodicee
1714. Monadologie
Burimi i të dhënave[
^ ab M. Reiter, Leinizen’s Albanerbriefe, Zeitschrift feur Alkanologie. Jg. XVI, 1980, fq.82-93. nxjerr nga Avni K. Këpuska, “QENËSIA E TERRITORIT DHE E KUFIJVE ETNIKË AUTOKTONË TË KOSOVËS”, fq.43, botimi i tretë, Prishtinë 2004
^ E.P. Hamp. On Leibniz’s Third Albanian Letter. Zeitschrift feur Balkanologie nxjerr nga Avni K. Këpuska, “QENËSIA E TERRITORIT DHE E KUFIJVE ETNIKË AUTOKTONË TË KOSOVËS”, fq.43, botimi i tretë, Prishtinë 2004 /KultPlus.com
Pas Luftës së Dytë Botërore, në Shqipëri ashtu si në vende të tjera është aplikuar një politikë shtetërore pro-lindshmërisë.
Pjesë e kësaj politike, ndër të tjera, ishte edhe ai që njihej si tatimi i beqarëve. Tatimi merrej nga personat me moshë mbi 20 vjeç gjer 50 vjeç për meshkujt dhe mbi 20 vjeç deri në 40 vjeç përfemrat, e kanë aplikuar më herët vendet perëndimore, si p.sh Italia.
Propozimi për të ndërmarrë një politikë të tillë në Shqipëri është propozuar në një analizë të plotë te “Minerva” në numrin e 10 shkurtit të vitit 1933, shkruan Scan.
Por çfarë propozonte autori me pseudonimin “Borealis”?
“Në disa nga shtetet e kontinentit europian është duke u zbatuar një ligj që takson 20 vjeçarët e pamartuar. Një gjë e tillë mund të bëjmë edhe ne që kemi nevojë të shtohemi, fjala vjen metepër se Italia, çdo beqar taksohet sipas gjendjes së tij ekonomike. Katundari i varfër me 20 franga ari në vit, i pasuri me 400. Italia nxjerr plot 110 milion lireta në vit nga zbatimi i këtij ligji.
Tërë kjo shumë përdoret për rritjen e jetimëve. Prapë me anë të këtij ligji caktohen çmime dhe dhurata për prindërit që rrisin një numër të madh fëmijësh. Ka një tok mënyrash për propagandë dhe inkurajim në punën e shtimit të popullsisë” shkruhet në analizë.
Kush qendronte pas pseudonimit“Borealis”?
Me pseudonimin “Borealis” shkruante Ismet Toto. Ai lindi në vitin 1908 në Progonat të Kurveleshit dhe u nda nga jeta në vitin 1937. Ai do të ekzekutohej me varje në burgun e Gjirokastrës. Kreu në Tiranë shkollën e mesme teknike amerikane dhe më pas studioi për statistikë në Universitetin e Romës.
Shkrimtari Nasho Jorgaqi, një analizë të figurës së Totos e përshkruan atë si një “njeri me karakter të fortë e të paepur, antikomformist dhe i vendosur e në të njëjtën kohë intelektual i një stature të re, në kërkim të vazhdueshëm të burimeve të dijes dhe të ideve.
E në fakt, Toto do të ishte shumë aktiv në shtypin e kohës e madje do të guxonte të përfshihej në polemika të forta për kohën. /360grade/ KultPlus.com
“La Quotidienne” ka botuar, të shtunën e 29 nëntorit 1817,në faqen n°4, shkrimin biografik të “The litterary Gazette” për Ali Pashë Tepelenën (Janinën), të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :
Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France
“Gazeta e njohur “The litterary Gazette” boton një shkrim biografik për të famshmin Ali Pasha, zot i Epirit, Thesalisë dhe një pjese të vendeve bashkangjitur. Ky pasha nuk ka reshtur kurrë t’i paguajë Portës së Lartë, pjesët e të ardhurave publike që, sipas zakoneve të vjetra, i takojnë në pashallikun e tij, por njëkohësisht ai ka ditur të rrisë të ardhurat e tij personale, në atë pikë sa kanë vajtur në 15 milion ‘livres tournois’ (monedhë e vjetër franceze).
Një pjesë e madhe e këtyre të ardhurave vjen nga pronat e tij publike dhe nga kopetë e deleve të cilat arrijnë deri në 50.000 kokë. Thesarin (pasurinë) e tij e ruan vetëm një arkëtar i thjeshtë që i thotë saktësisht se çfarë përmban kasaforta. Ali Pasha, i talentuar për një kujtesë të jashtëzakonshme, i njeh përmendësh të gjitha të ardhurat dhe shpenzimet e tij.Kjo mënyrë e mbajtjes së librave (llogarive) të tij shpesh i mundëson që të rrisë papritmas të ardhurat e tij.
Një ditë, ai thirri një hebre, përgjegjës i pronave të tij, dhe i tha me një ton të rreptë : “Kam llogaritur në kokën time që për njëzet vjet ju më keni vjedhur rreth 5.000 piastra në vit;më sillni 100.000 piastrat menjëherë, përndryshe !” — Një gjest me dorë që shoqëroi këtë fjalim, i mësoi hebreut fatin që e priste nëse ai do të guxonte të debatonte për saktësinë e këtij buxheti të veçantë.Ai u përul dhe solli disa minuta më vonë shumën e kërkuar.
Ali Pasha mund të mbledhë deri në 40.000 trupa, por forca e ushtrisë së tij përbëhet nga 6.000 arnautë ose shqiptarë, të cilët i mban në trojet e tij, dhe që qëndrojnë me të për jetë a vdekje. Një oficer francez organizoi fonderinë e topave, nga e cila tashmë ai prodhon mortaja po aq të mira sa ato të çdo artilerie evropiane.Ali Pasha negocioi me radhë me tre fuqi kryesore evropiane për të marrë në zotërim ishujt jonianë; marrje të cilën ai me të drejtë e konsideron të nevojshme për të realizuar planin e tij për krijimin e një mbretërie të pavarur;por meqë u mashtrua disa herë mbi shpresat e tij për këtë temë, ai u kthye sërish pranë Portës osmane.
Ali Pasha nuk e di se cilit nga tre djemve të tij do t’i lë tashgimninë e “mbretërisë – pashallikut” që ka formuar.Më i rrituri, Muktar Pasha ndërthur guximin dhe veprimtarinë e babait të tij me një karakter më bujar dhe sjellje më të buta;ai është i ndjeshëm ndaj dashurisë dhe miqësisë. Një bukuroshe greke, e lindur në një familje të shquar, e quajtur Eufrozine (Euphrosyne), i kishte rrëmbyer zemrën të riut Muktar; Tek ajo, ai merrte pjesë në mbrëmje ku gjendeshin individët më të dashur të të dyja gjinive, dhe ku zakonet orientale ishin të dëbuara. Një natë Ali Pasha urdhëroi që Eufrozina dhe pesëmbëdhjetë mikeshat e saj të kapeshin dhe të mbyteshin në liqenin afër Janinës. Askush nuk guxoi ta prekte me dorë Eufrozinën, nga frika që kishin ndaj reagimit të Muktarit, kështu Pashai shkoi vetë ta tërhiqte zvarrë këtë të pafat.
Veli Pasha, djali i tij i dytë, është një njeri me shpirt të tretur, bujar dhe pa ndonjë talent të fortë.Ai përçmon publikisht zakonet, gjuhën dhe fenë e turqve;zakonisht, ai flet vetëm italishten dhe greqishten moderne;një ditë pyeti një udhëtar italian, duke i treguar atij xhaminë e madhe të Janinës;A mendoni se kjo ndërtesë është e mjaftueshme për të ndërtuar një opera si ajo në Itali ?Ai arriti të urrehej dhe të përçmohej nga shqiptarët dhe turqit, pa arritur të fitojë dashurinë e grekëve që kanë frikë nga mashtrimet e tij.Ali Pasha druhet nga veset e Veliut aq sa edhe nga virtytet e Muktarit.Ai do të dëshironte t’i lë trashëgiminë djalit të tij të tretë, Sali beut, i cili është ende vetëm një fëmijë.
Pallatet e Ali Pashës, ashtu si karakteri i tij, paraqesin një përzierje të gjithçkaje që është e madhe dhe gjithçka që është e tmerrshme dhe e përçmueshme. Përmes pasazheve (kalimeve) të errëta dhe të ngushta mbërrijmë në dhoma të mrekullueshme, ku qilimat janë prej kadifeje dhe perdet të qëndisura dhe me dantella;por syri tronditet papritur nga një afrim i çuditshëm; një perde prej kanavace është zbukuruar me copëza ari, ku një tapiceri e Goblinëve, që shërben si derë, është varur nga litarë të mëdhenj.
Më tej, në disa magazina të vogla, pashai grumbullon kuriozitete të të gjitha llojeve, orë, vathë, shallë, enë kuzhine, pra, të gjitha llojet e objekteve, fryt i plaçkitjeve dhe ekstraktimeve të tij. Bëhet fjalë për një shpellë hajdutësh por me përmasa më të mëdha.Haremet ose serajet e pashait përmbajnë deri në pesëqind gra, megjithatë seksi i bukur nuk tërheq kapriçot e tij të tmerrshme, dhe mbetet plotësisht i përjashtuar në besimin e tij.
Pasazhet nëntokësore të disa pallateve të tij përmbajnë burgje ku ai mban në pranga armiqtë e tij që i kanë rënë në duar, ose ato të subjekteve të tij, të cilët pasuria dhe ambicia e tyre i kanë bërë fajtor në sytë e tij.Këta njerëz të pafat zakonisht dalin prej aty vetëm për të vdekur.
Disa grekë e krahasuan Ali Pashën me Pirron, dhe e ftuan këtë mbret të ri të Epirit të çlironte Greqinë dhe të shpallte veten monark;por nëse Aliu i urren turqit, ai nuk i vlerëson grekët dhe, ndërsa përdor talentet e tyre, ai sfidon njëkohësisht karakterin e tyre.Asnjë post i rëndësishëm në ushtri nuk i jepet një greku. Sidoqoftë, pashai e di se skllevërit e shkolluar dhe të zellshëm paguajnë më shumë taksa sesa skllevërit injorantë dhe dembelë :kështu që ai favorizoi krijimin e shkollave greke dhe një universitet në Janinë.
Vetëm shqiptarët gëzojnë besimin e bashkatdhetarit të tyre të frikshëm :me ta, në momentet e tij të lira, ai është i gëzuar, komunikues dhe familjar;por, kur ai vesh petkun e komandantit, shqiptarë, grekë, myslimanë, gjithçka dridhet para tij, veçanërisht kur ai përdor këtë shprehje : “Bë atë që po të them, ose gjarpri i zi do të të hajë sytë.” Është një kërcënim pas të cilit vijon tortura, në rast mosbindjeje.”— M. B. / KultPlus.com
Turistët dhe vizitorët të dielave vizitojnë falas, muzetë dhe parqet arkeologjike në të gjithë vendin tonë.
Mnistrja e Kulturës Elva Margariti, fton vitorët vendas dhe të huaj të mos e humbasin rastin këtë të dielë, për të vizituar muzetë dhe parqet arkeologjike, pa biletë.
Në kushtet e situtës së Covid-19, Ministria e Kulturës ka marrë disa masa lehtësuese, që synojnë të nxisin turizmin, një ndër të cilat është dhe hyrja falas çdo të dielë në muzetë dhe parqet arkeologjike.
Vizitat kryyhen gjithnjë duke respektuar protokollet e mbrojtjes kundër përhapjes së Covid-19. / KultPlus.com
Ashtu si secili nga ne, me kalimin e kohës, aktorët e famshëm të Hollywood-it duhet të përballen me ndryshimet e tyre në pamje.
Sidoqoftë, në krye të kësaj, në filmat e tyre mund të dëshmojmë edhe se si janë rritur si aktorë dhe si karriera e tyre ka evoluar për t’u bërë yjet që janë sot
Bright Side bëri një përmbledhje të të famshmëve në filmat e tyre të parë dhe më të fundit për të treguar se koha nuk ka kaluar më kot pasi shumica e tyre në të vërtetë kanë arritur të punojnë në projekte mjaft interesante.
Muzika mund të jetë vajtuese, e qetë, agresive, por mbi të gjitha ajo duhet dëgjuar me zë të lartë. Mendoni për koncertin më të mirë që ju keni marrë pjesë ndonjëherë. Muzika është melodioze dhe të bën për vete, por kur ktheheni në shtëpi, ju vëreni zukatje në veshë nga tingujt e fortë të melodisë.
Tani, imagjinoni muzikantët, që veshët e tyre kanë më shumë ekspozim, shumë më të shpeshtë me tingujt. Rasti më i veçantë i kësaj liste është ai Ludwig van Beethoven. Viti 1802 është një vit shumë i vështirë për të pasi e dashura e tij Xhulieta Guiciardi të cilës i kishte kushtua “Sonata nën Dritën e Hënës” e lë dhe bashkë me të edhe dëgjimi i tij, i cili kishte filluar t’i shfaqë probleme që prej vitit 1796.
Trishtimi i tij ishte aq i madh sa që kompozon “Testamenti i Hailingestatit” dhe ua dërgon dy vëllezërve të tij me lutjen që të lexohet dhe të kryhet pas vdekjes së tij. Fillon duke thënë: “O njerëz që më konsideroni dhe më gjykoni te ligë dhe gjysmënjeriu sa shumë padrejtësi më bëni. Zemra ime që kur isha fëmijë ishte e dhënë pas Mirësisë. Ndihesha gati të realizoja gjëra të mëdha. Por mendoni se këtu dhe gjashtë vite më ka goditur një fatkeqësi e pakorrigjueshme… Kisha vendosur të jepja një fund. Vetëm arti më përmbajti. Më dukej e pamundur të braktisja botën pa përfunduar çfarë isha destinuar të japë”. Megjithatë, këta muzikantë kanë arritur të krijojnë muzikë që do ta kujtoni për tërë jetën.
Neil Young
Neil Young (lindur më 12 nëntor, 1945), është një kantautor kanadez, i cili është konsideruar si një nga muzikantët më me influencë të gjeneratës së tij. Ai ka lënë gjurmë të pashlyeshme në botën e muzikës dhe zë një vend të veçantë në muzeun e “The Rock and Roll Hall of Fame and Museum”, që ndodhet në Ohio, USA. Në këtë muze shpaloset historia e disa artistëve, producentëve më me influencë që kanë kontribuar në industrinë e muzikës dhe veçanërisht të zhanrit të muzikës Rock and Roll. Young ka qenë nderuar nga muzeu “Hall of Fame” si solo artist në vitin 1995 dhe si anëtari i bandës “Buffalo Springfiled”, grup amerikan i muzikës rok. Këngët më të bukura janë baladat “Heart of Gold” dhe kryevepra e “hard rock” është “Cowgirl in the Sand”, e cila ka pasur një kritikë të suksesshme dhe popullaritet të pabesueshëm.
Nëpërmjet të gjithave, ai ka vuajtur nga “tinnitus” – “zukatje në veshë”, shqetësim i përbashkët për muzikantët e muzikës rok and roll, e cila konsiston në një tringëllimë të vazhdueshëm në vesh. Young ka krijuar mbi 30 albume unike.
Ozzy Osbourne
John Michael “Ozzy” Osbourne (lindur më 3 dhjetor, 1948) është një kantautor anglez, karriera e të cilit shtrihet më shumë se 40 vjet. Osbourne konsiderohet si një nga pionierët e parë të bandës “Black Sabbath” të muzikës “heavy metal” dhe mbetet një nga muzikantët më të suksesshëm i të gjitha kohërave. Gjithashtu, ai është edhe organizuesi i “Ozzfest”, festival që zhvillohet çdo vit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e cila mirëpret grupe të ndryshme të muzikës “heavy metal”. Pavarësisht nga sukseset e tij, Osbourne vuan nga humbja e dëgjimit.
Në dhjetor të vitit 2010, Osburne shiti më shumë se 100 milionë disqe në të gjithë botën. Po në vitin 2010, fitoi “Literary Achievement”, çmim i dhënë nga Sony Pictures Studio, Kaliforni.
Phil Collins
Philip David “Phil” Collins (lindur më 30 janar të vitit 1951) është një kantautor, pianist, aktor. Këngëtari britanik u bë i famshëm si si vokalist dhe baterist me grupin e rrokut “Genesis”. Këngët e tij kanë qenë në vendet e para të hitparedeve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në Britaninë e Madhe në periudhën midis 1978 dhe 1994. Mbas dyzet vitesh suksesi, muzikanti legjendar ka bërë të ditur se ai po vuan nga një sërë problemesh me shëndetin vitet e fundit. Dëgjimi i tij është dëmtuar nga të luajturit live dhe ka pasur shqetësime me shtyllën kurrizore, gjë e cila bën të pamundur uljen e tij sërish në bateri.
George Martin
George Martin (3 janar, 1926) është një producent, kompozitor dhe muzikant anglez. Shpesh herë ai është referuar si “the Fifth Beatle” – “Bitellësi i Pestë”, titull që i është vënë falë punës së tij si producent i albumeve origjinale të grupit të famshëm “The Beatles”. Gjithashtu, ai është konsideruar si një nga producentët më të mëdhenj i të gjitha kohërave, ku 30 herë radhazi ka qenë në krye të hitparedit anglez dhe 23 herë në hitparedin amerikan. Martin ka kompozuar edhe kolonat zanore të filmave “Yellow Submarine” 1968, dhe “Live and Let Die” 1973.
Ai ka marrë shumë çmime nderi ndër to më i fundit është “Doctor of Music” nderuar nga Universiteti i Oxford-it më 29 qershor të këtij viti. Si Collin ai është i detyruar të tërhiqet nga muzika për shkak se dëgjimi i tij është i dëmtuar.
Will.i.am
William James Admas, Jr (15 mars, 1975), njohur më shumë si will.i.am është kënge autor, aktor, producent dhe raper amerikan. Ai u bë më shumë i njohur si themeluesi i grupit të muzikës pop dhe hip hop “The Black Eyed Peas” së bashku me këngëtaren e muzikës pop apl.de.ap dhe “Taboo”, më vonë njohur si këngëtarja Fergie. will.i.am ka realizuar disa albume të suksesshme si “Monkey Business and Elephunk” 2003. Si producent muzike ai ka bashkëpunuar me artistë të njohur të muzikës si Britney Spears, U2, Rihanna, Justin Timberlake, Juanes dhe shumë të tjerë.
Çmimi i fundit ka qenë në 2010 si “Best Pop Performance by a duo or Group” me këngën “I Gotta Feeling”. Sipas will.i.am, çdo heshtje është e ndërprerë nga një tingëllim i dhimbshëm, e cila e frymëzon atë për të krijuar muzikë në të gjitha orët e ditës.
Brian Wilson
Brian Douglas Wilson (lindur më 20 qershor, 1942) është një muzikant amerikan, i famshëm si kantautori i grupit “The Beach Boys”. Wilson si shumë të tjerë muzikantë ka pasur probleme me dëgjimin. Bob Dylan një tjetër muzikant i famshëm ka thënë për shqetësimin e Wilson-it: “ Jezus, shiko atë vesh.
Ai duhet t’ia dhurojë atë Smithsonian”. Smithsonian USA, është kompleksi më i gjerë kërkimor në botë ku përfshihen 19 muze, 9 qendra kërkimore dhe është binjakëzuar me më shumë se 140 muze në botë. Edhe pse me shumë probleme shëndetësore, ai orkestroi një nga albumet më të shkëlqyer i të gjitha kohërave “Pet Sounds”, 1966. Përveç çmimeve të tjera marra gjatë karrierës së tij, më 20 maj 2011, Wilson u nderua me çmimin “George and Ira Gershwin Award” nga Universiteti i Kalifornisë në Los Angelo-s.
Jeff Beck
Geoffrey Arnold “Jeff” Beck (lindur më 24 qershor, 1944) është një kitarist anglez. Karriera e tij filloi duke lozur me “The Yardbirds”, grup muzikor roku formuar në vitet ’60. Në të njëjtin grup kanë qenë edhe kitaristi i shquar Eric Clapton dhe Jimmy Page. Gjithashtu, Beck formoi edhe dy grupe të tjera muzikore “The Jeff Beck Group” dhe “Beck, Bogert&Appice”. Ai është renditur i 14 në listën e “Rolling Stone” (revistë muzikore amerikane) si një nga kitaristët më me influencë të muzikës rok. Kanali amerikan MSNBC e ka cilësuar si “kitaristi i kitaristëve”.
Shumica e këngëve të tij janë instrumentale. Stili muzikor i këngëve të tij janë jazz fusion, blues-rok dhe heavy metal. Në 4 Prill, 2009 ai u fut në “Rock and Roll Hall of Fame of Museum” si anëtari i grupit “The Yardbirds” në vitin 1992 dhe si solo artist në vitin 2009.
Eric Clapton
Eric Patrick Clapton ( lindur më 30 mars, 1945) është një kitarist, këngëtar dhe kompozitor anglez. Kitaristi legjendar ka qenë pjesëtar i grupeve rok “Cream” dhe “The Yardbirds”, në këtë grup ka qenë edhe Jeff Beck. Karriera e tij njihet më shumë si solist. Stili i muzikës që ai loz është blues dhe rok. Vitin që shkoi, nxori një album “antik”, ku përzgjodhi rreth 20 këngë të shkruara mes viteve ’30 dhe ’50.
Clapton thekson se ky album është si një lloj autobiografie. Në këto këngë të zgjedhura ka bluz dhe xhaz. Këngët e tij të famshëm janë “Layla”, “Wonderful Tonight”, “My Father’s Eyes”, ” Rock’ N ‘Roll Heart” ,”Crossroads”, “White Room” etj.
Pete Townshend
Peter Denis Blandford “Pete” Townshend (lindur më 19 maj, 1945), është një kitarist roku, vokalist, kantautor dhe është i njohur si kitaristi i grupit rok “The Who”. Karriera e tij në këtë grup vazhdoi për më shumë se 40 vjet, dhe ky grup është konsideruar si një nga grupet më me influencë në vitet ‘60 dhe ’70 dhe sipas Eddi Vedder (muzikant amerikan), ndoshta grupi më i suksesshëm që këndon live. Këngët më të suksesshëm janë “My Generation”, “Won’t Get Fooled Again” dhe “Pinball Wizard. Muzika me volum të lartë, pajisjet piroteknike kanë shkaktuar efekte të mëdha negative për humbjen e dëgjimit të muzikantit të famshëm. Pavarësisht nga kjo vështirësi, ai, si çdo anëtar tjetër i kësaj liste, vazhdon të luajë nëpër koncerte ekstravagante live.
Ludwig van Beethoven
Ludwig van Beethoven, lindi më 16 dhjetor, 1770 në Bon, Gjermani dhe vdiq më 26 mars të vitit 1827 në Vjenë, Austri. Beethoven ka qenë një kompozitor dhe pianist midis periudhave të Klasicizmit dhe Romantizmit në artin e muzikës perëndimore. Ai do të mbetet një nga kompozitorët më të shquar i të gjithë kompozitorëve i të gjitha kohërave. Aty nga viti 1800 filloi të humbiste dëgjimin.
Ai vuajti nga dëmtime të brendshme që i ja vështirësuan atij dëgjimin e muzikës. Mendohet se njëri nga shkaktarët ishte uji i ftohtë, në të cilin ai e vendoste kokën për të mos e zërë gjumi gjatë punës. Edhe humbja e dëgjimit të tij mbetet mister, muzika e tij do të jetojë përgjithmonë, dëgjuar dhe pëlqyer nga gjeneratat e reja. /albertvataj/ KultPlus.com
Mendova se do të filloja fjalimin tim duke tu drejtuar si familja “e re” e vajzës sime, por unë mendoj se do të ishte e papërshtatshme sepse tani që ajo është e martuar me ty, ti je “familja” për të. Më beso, unë nuk e kam problem një gjë të tillë. Unë, në të vërtetë, dëshiroj që vajza ime të të ketë “ty” si përparësinë e saj tani.
Është koha që ne të spostohemi në një karrige më larg në jetën e saj. Ne si prindër do ta pranojmë me kënaqësi, por me siguri do të kërkojmë një gjë:
Të lutemi ta bësh gjithnjë të lumtur!
Unë jam më se i sigurt se ti do ta bësh atë shumë të lumtur. Ajo ndoshta do të jetë më e lumtur sesa dikur ishte këtu me ne, por si të gjithë baballarët, më mundon lumturia e vajzës sime, prandaj të them pa pushim – bëje atë të lumtur!
Ajo kurrë nuk ka qenë dhe nuk do të jetë kurrë një barrë për mua. Ajo është në fakt arsyeja pse frymëzohem dhe buzëqesh. Unë jam duke e martuar, sepse kjo është ajo që kërkon ligji i natyrës. Unë jam i pafuqishëm mbi ligjet e natyrës dhe për këtë arsye po e dërgoj atë në shtëpinë tënde. Ajo ishte lumturia e shtëpisë sime dhe tani do të ndriçojë shtëpinë tënde.
Unë po ta jap gjithë botën time. Të lutem sigurohu që ajo të mbetet e bukur.
Unë po të dorëzoj princeshën time! Të lutem sigurohu që ajo të mbetet si një mbretëreshë. Unë e kam rritur atë me djersën dhe gjakun tim dhe tani ajo është mrekullisht e përsosur.
Për të gjithë kujdesin, dashurinë, bukurinë dhe ngrohtësinë që vajza ime do të sjellë në jetën tënde, dua vetëm që lumturia e saj të kthehet – të lutem ta mbash të lumtur! Nëse herë pas here ndihet e sëmurë, kujdesu me dashuri për të! Është ilaçi që funksionon më së miri për të.
Nuk ka problem nëse nuk e shoh për muaj të tërë. Nuk më intereson nëse nuk mund të flas me të ditë për ditë. Motivi im i vetëm në jetë ka qenë lumturia e vajzës sime që tani është në duart e tua.
Të lutem, bëje të lumtur!
I nderuar dhëndër, këto fjalë mund të mos kenë shumë rëndësi për ty tani, por nëse do të jesh me fat e të bëhesh baba i një vajze një ditë, do t’i vlerësosh më mirë kur do të dallosh që çdo rrahje e zemrës tënde, ulëret e thotë – “të lutem bëje e mbaje vajzën time të lumtur”! / bota.al / KultPlus.com
Pak ditë më parë, tenori i njohur shqiptar, Rame Lahaj, ka publikuar këngën ‘Khtehu rini’, një këngë kjo tejet emocionuese që vjen si dedikim për të rinjt e vendit, si një thirrje për të mos lënë vendin, shkruan KultPlus.
Videos së postuar në rrjetin social Facebook, Lamaj i ka bashkangjitur edhe një mbishkrim ku ka shtjelluar më gjerë arsyet që e kanë shtyrë drejt publikimit të kësaj këngë.
Ndërkaq, ajo çfarë ka marrë vëmendje në videon e publikuar të tenorit, ka qenë komenti i sopranos së mirënjohur serbe, Olivera Topaloviç, e cila ka shprehur lavdatat më të mëdha për Lahajn.
“Nga fundi i zemrës sime serbe, e dua atë, BRAVO Lahaj Ramë! Është aq e bukur dhe në këtë muzikë këndimi juaj është i plotë sepse këndoni me shpirtin tuaj – nuk ka politikë të marrë dhe aq shumë urrejtje midis neve dy njerëzve në muzikë. Uroj kaq shumë që bukuria dhe dashuria të fitojnë! Urime kjo është e mrekullueshme.”, ka komentuar sopranoja. / KultPlus.com
Një kitarë e Kurt Cobain u shit për 6 010 000 dollarë, ka njoftuar sot shtëpia e ankandeve ”Julien’s California”, transmeton KultPlus.
Kitara akustike-elektrike ”Martin D-18E” është një rekord i ri botëror shitjeje.
Kobain luajti instrumentin gjatë një paraqitjeje në “MTV Unplugged” në Nju Jork, në 1993, në atë që konsiderohet performanca më ikonike e grupit ”Nirvana”.
Performanca u regjistrua para një publiku ”live”, pesë muaj para vdekjes së Cobain.
Cobain dekoroi qafën e kitarës me një fletë pentagrami nga albumi i grupit rock të ”Poison Idea” / KultPlus.com