Diversiteti në “Oscar”, akademia nxjerr rregulla të reja pas kritikave për pabarazi racore

Hollivudi është duke reflektuar për mungesën e diversitetit dhe portretizimin e racizmit në ekran pas protestave për vdekjen e George Floyd. Së fundi Akademia e çmimeve “Oscar” ka vendosur se filmat konkurrues do të duhet të plotësojnë kriteret e diversitetit.

Filmat që synojnë të fitojnë çmimet “Oskar” në të ardhmen do të duhet të plotësojnë kriteret e diversitetit. Vendimi i Akademisë së Arteve filmike dhe Shkencave vjen pas kritikave të shumta për pabarazi racore në industrinë e filmit, pasi njërëzit me ngjyrë janë më pak të vlerësuarit.

Ndaj për 5 vitet e ardhshme është vendosur të ngrihet një grup. I posaçëm që do të nxjerrë udhëzimet dhe kriteret e diversitetit për filmat konkurrues.

Nëpërmjet një deklarate, theksohet se grupi do të bashkëpunojë me “Guild Producers”në SHBA, për të zhvilluar “standarde përfaqësimi dhe përfshirjeje” dhe “do të inkurajojnë praktikat e barabarta të marrjes në punë brenda dhe jashtë ekranit”. Por, rregullat e reja nuk do të zbatohen për filmat që konkurrojnë për Oskar në ceremoninë tjetër në 2021.

Kritikat ndaj akademisë së filmit u intensifikua në vitin 2015 me hashtagun #OscarsSoWhite, një reagim kundër një fushate gjithëpërfshirëse të pretenduesve të aktrimit.

Akademia u përgjigj pjesërisht duke dyfishuar numrin e njerëzve me ngjyre nëradhët e saj.

Megjithatë, deri në vitin 2019 vetëm 316% e afërsisht 8,000 anëtarëve të saj ishin njerëz me ngjyrë. /KultPlus.com

Sokrati: Mos harro se vepra dhe fjala të bëjnë dhe të zhbëjnë njëlloj

Sokrati ishte një filozof i lashtë grek, i cili konsiderohet themeluesi i filozofisë perëndimore. Burimi më i rëndësishëm i informacionit për Sokratin është Platoni.

Dialogët e Planonit e portretizojnë Sokratin si një mësues që mohon të ketë dishepuj, si një njeri i arsyes, i cili i bindet zërit hyjnor në kokën e tij, si një besimtar që ka përmbushur detyrimet qytetare të vendit të tij.
Ai besonte se filozofia duhet të arrijë rezultate praktike në mirëqenien më të madhe të shoqërisë. Ai besonte gjithashtu se zgjedhja e njeriut është e motivuar nga dëshira për lumturi, dhe se kjo mund të arrihet vetëm me njohuri të drejtë të vetes – kjo është më shumë mundësi për të bërë zgjedhje që do të na sjellin lumturi të përjetshme që ne e dëshirojmë.
Dënimi me vdekje
Në vitin 399 para erës sonë, Sokrati dënohet me vdekje nga qeveria e Athinës nën akuzat se mohonte perënditë dhe kishte korruptuar të rinjtë me mësimet e tij.
Trupi gjykues i ofroi Sokratit dy zgjedhje; 1) të hiqte dorë nga bindjet e tij; 2) të vdiste duke pirë helm – filozofi zgjodhi të dytën.
Nxënësi i tij, Platoni, ishte i pranishëm në vdekjen e Sokratit dhe e përshkroi ngjarjen: “Pasi piu kupën me helm, Sokrati filloi të ecte nëpër dhomë për të ndihmuar përhapjen e helmit në organizëm, derisa këmbët iu mpinë. Mpirja iu përhap më lart, arriti në zemër, rrahjet e saj u ndalën dhe Sokrati vdiq”.
Sokrati ishte 70 vjeç. Në shekullin XVIII, artisti francez Jacques Louis-David realizoi një pikturë nga kjo skenë duke u mbështetur në përshkrimet e Platonit dhe të një sërë autorësh të periudhës klasike.

Piktura ndodhet e ekspozuar në Muzeun e Artit Metropolitan të Nju Jorkut.
Njih vetveten: Jeta e pashqyrtuar është më mirë të mos jetohet
Besimi i Sokratit se duhet të reflektojmë për jetën që jetojmë, është jetojmë është frymëzuar pjesërisht nga shprehja e famshme e gdhendur në vendin e shenjtë të orakullit në Delfi, “Njih vetveten”.
Sekreti i vlerës në profecitë e orakullit është vetë-njohuria, dhe jo unaza e deshifrimit. Sokrati ishte kaq pasionant për vlerën e vetë-hetimit, sa e shqyrtoi imtësisht jo vetëm jetën dhe besimet e tij, por dhe ato të të tjerëve. Përmes pyetjeve të shumta, ai i detyroi njerëzit të hetonin besimet personale.
Ai i pa banorët e Athinës së tij të dashur të ecnin përgjumësh përmes jetës, të jetonin vetëm për para, pushtet dhe famë, kështu që u bë i famshëm në përpjekjen e tij për t’i ndihmuar.
THËNIET MË TË BUKUA NGA SOKRATI (Përzgjedhur nga Tirana Observer)
1- Urtësia fillon në mrekulli.
2- Jam më i dituri ndër të gjallët, se e di një gjë, e di se nuk di asgjë.
3- Ka vetëm një të mirë: dituria. Dhe vetëm një të keqe: padituria.
4- Mos u ngut të zësh miq, por, kur t’i zësh, mos i braktis
5- Ai që dëshiron ta ndryshoje botën, fillimisht duhet të ndryshojë veten e tij.
6- Për ta gjetur vetveten, mendoni për vetveten.
7- Nuk jam as athinas, as grek, jam qytetar i botës.
8- Ruaje emrin si thesarin tënd më të shtrenjtë, sepse besueshmëria është si zjarri; po ta kesh ndezur, e ke të lehtë ta ruash, por, po ta shuash, të bie barra e rëndë ta ndezësh prapë.
9- Fitimi i emrit përkthehet në përpjekjet për të qenë çka dëshiron.
10- Gjithë shpirtrat e njerëzve janë të pavdekshëm, por shpirtrat e të drejtëve janë edhe të pavdekshëm, edhe hyjnorë.
11- Lëviz vetë, përpara se të lëvizësh botën.
12- Për sa i përket martesës ose beqarisë, vendos vetë, o njeri, por ta dish mirë se ke për t’u penduar.
13- Martohu, patjetër. Por të ra gruaja e mirë, do të jesh i lumtur; po të ra e keqe, do të bëhesh filozof.
14- Arrita në përfundimin se nuk ishte mençuria ajo që u dha mundësi poetëve të shkruanin poezi, por një lloj instinkti apo frymëzimi, si ai që hasim tek orakujt dhe profetët, të cilët i përcjellin mesazhet e tyre të larta pa e ditur fare kuptimin e tyre.
15- Ruaju nga shterpësia e jetës së ngarkuar me punë.
16 -Kur përfundon rrahja e mendimeve, shpifja bëhet vegël në duart e humbësit.
17- Mos harro se vepra dhe fjala të bëjnë dhe të zhbëjnë njëlloj.
18- Kush lëndohet nuk duhet të hakmerret duke lënduar, sepse kurrë nuk është e drejtë të bësh padrejtësi; dhe nuk është e drejtë të hakmerresh duke lënduar, as t’i bësh keq tjetrit, sado të të ketë munduar.
19- Të këqijtë jetojnë për të ngrënë dhe për të pirë, ndërsa të mirët hanë dhe pinë për të jetuar.
20- Mos i quaj besnikë ata që të lëvdojnë fjalët dhe veprat, por ata që me përzemërsi të qortojnë për gabimet.
21- I ndershmi mbetet gjithmonë fëmijë.
22- Sot fëmijët janë tiranë. Ata kundërshtojnë prindërit, luajnë me bukën e gojës dhe u marrin shpirtin mësuesve të tyre.
23- Lehtë mund të falim një fëmijë që ka frikë nga errësira. Tragjedia e vërtetë e jetës është kur njerëzit kanë frikë nga drita.
24- Shikoni, sekreti i lumturisë nuk mund të gjenden në të kërkuarit shumë e më shumë por në zhvillimin e kapaciteteve për t’u kënaqur më pak.
25- Vërtetë, isha aq i ndershëm, sa nuk pranova të bëhesha politikan dhe të jetoja njëherësh.
26- Mençuria fillon nga habia.
27- Nuk është me rëndësi vetëm të jetuarit, por edhe rregullat se si jeton.
28- Mos harro se asgjë nuk është e qëndrueshme në marrëdhëniet njerëzore; prandaj shmang ngazëllimin e pavend që vjen nga begatia, ose brengën e pavend që vjen nga mjerimi.
29- Mos i zër miqtë me lajka, por duke u dhënë dhurata të prekshme dashurie.
30- Kur njerëzit mashtrohen dhe mbrujnë mendime që e tejkalojnë të vërtetën, atëherë kuptohet se gabimi ka hyrë në kokën e tyre përmes një lënde të ngjashme me të vërtetën.
31- Ora e ndarjes arriti, secili nga ne duhet të ndjekë udhën e vet – unë duhet të vdes, kurse ju duhet të jetoni. Vetëm Zoti e di cila nga këto udhë është më e mira.
32- Nëse njeriu krenohet me pasurinë e tij, nuk duhet të lëvdohet, deri sa të merret vesh se si e shfrytëzon atë.
33- Vdekja mund të jetë bekimi më i madhërishëm njerëzor. /KultPlus.com

Ornela Durmishaj: Akt vandalist, këtë javë nisim restaurimin

Drejtoresha e parkut në Apolloni, Ornela Durmishaj ka deklaruar se dëmtimi i kolonave në Apolloni është një akt vandalist. Ajo ka theksuar se ngjarja ka ndodhur gjatë periudhës së karantinës dhe tashmë kjo çështje ka kaluar në Prokurori.

“Është dëmtuar një monument  gjatë mbylljes totale. Në momentin që konstatuam dëmtimin gjatë fundjavës kemi bërë denoncimin në polici e cila ka ardhur pikërisht në atë ditë ka bërë verifikimet në terren dhe çështja është kaluar në prokurori. Nga ana jonë është bërë dokumenti përkatës dhe është realizuar projekti i ndërhyrjes për ta rikthyer në gjendjen që ishte. Ky raport iu dërgua  Ministrisë së Kulturës dhe Insitutit të monumenteve,  ku u kalua ky projekt u miratua dhe presim që këtë javë të fillojmë punën në këtë monument. Është dëmtuar monumenti i Nimfeut, i cili është një çezmë monumentale që ndodhet në periferi të qytetit antik të Apolonisë, është i distancuar”, shprehet drejtoresha. / KultPlus.com

Shaqe Marie Çoba, gruaja e parë shqiptare që priu gruan në luftën për liri

Historia e Shqipërisë ka një panoramë të larmishme mbi rolin e gruas në kontributin e dhënë prej tyre në luftën për liri, identitet dhe të drejta. Përkundër përfoljeve gojëkëqija dhe anatemimit, shpërdorimit të rolit të saj përtej bashkëshortes dhe nënës, ajo ka shkrepëtirë në faqet e historisë si një shpërthim i fuqishëm drite, duke i lartësuar veprat e tyre në kufinjtë e legjendës.

Lista e këtyre grave dhe vajzave që kontribuan dhe sakrifikuan është e gjatë dhe njëra prej tyre është Shaqe Marie Çoba.

Shaqe Marie Çoba është ndoshta e para grua shqiptare që ndoqi universitetin për “Shkenca Politike” . Ajo ishte gruaja e parë intelektuale shqiptare që u përpoq për çështjen e ngritjes së grave të klasës së lartë. Sigurisht që ishte dhe mbeti e para grua shqiptare që udhëpriu lëvizjen feministe shqiptare që në vitin 1918, duke krijuar komitetin “Gruaja Shqiptare”, një grupim grash dhe vajzash të zëshmë në mbrojtje të lirive dhe të drejtave të grave, me anëtare të përkatësive të ndryshme fetare.

Ky organizëm kishte për qëllim të ndihmonte luftëtarët shqiptarë që po përballeshin me forcat sllave që përpiqeshin të pushtonin Shkodrën.
Po cila është Shaqe Marie Çoba, për të cilën shkruhet në “Fjalori Biografik i Lëvizjeve dhe Feminizmit të Grave në Evropën Qendrore, Lindore dhe Jug-Lindore: Shekujt XIX dhe XX”?

Shaqe Marie Çoba lindi në familjen e shquar Shiroka në Shkodër, Shqipëri. Filloren e mbaron në Shkodër për të vijuar më pas studimet në Zagreb, në një institut austriak, ku mëson gjuhët italiane, gjermane dhe serbokroate. Pastaj në 1904 zhvendoset dhe përfundon studimet në Venecia. Pasi mbaroi arsimin, ajo u martua me intelektualin dhe nacionalistin shqiptar Ndoç Çoba, në familjen e të cilit idetë e saj atdhetare dhe feministe u inkurajuan dhe lulëzuan.

Më 3 gusht të vitit 1920 ajo themeloi komitetin “Gruaja Shqiptare”, me kryetare nderi, Habibe Bekteshin, sekretare, Paulina Lekën dhe llogaritare, Albina Ashikun. Komiteti pati si qëllim fillestar mbledhjen e fondeve në ndihmë të Ushtrisë Shqiptare që po përballej me mësymjet serbe në Koplik.

Në vitin 1920 ajo themeloi Gruaja Shqiptare (“Gruaja Shqiptare”), një organizatë për klasën e sipërme shkodrane të interesuar për çështje të emancipimit të femrës, me qëllim kryesor mbledhjen dhe shpërndarjen e fondeve për llogari të Ushtrisë Kombëtare në luftën e Koplikut të vitit 1920 (kundër Jugosllavisë forcat që bëjnë presion për aneksimin e territoreve shqiptare).

Për të bërë publik punën e Gruaja Shqiptare, organizata gjithashtu drejtoi një revistë me të njëjtin emër, duke informuar lexuesit për dhurimet, si dhe duke botuar artikuj në lidhje me çështjet e grave, duke debatuar për të drejtat dhe detyrat e grave në shoqërinë shqiptare, promovimin e arsimit të vajzave dhe duke inkurajuar njerëzit të heqin dorë nga traditat e vjetra dhe të dëmshme.

Për herë të parë në historinë shqiptare, mendimet e grave për të drejtat e tyre, arsimin dhe kulturën kishin fituar një forum publik; për herë të parë mund të dëgjoheshin mendimet e tyre mbi një vetëdije të re morale dhe një kuptim të ri të gruas moderne shqiptare.

Gjatë Luftëa së Koplikut (1920) ajo aktivizoi mjaft gra e vajza ,që me shirita të bardhë në krahë, me inicialet e kuqe “G.SH”, punonin në frontin e luftës, duke mjekuar plagët e luftëtarëve, duke i tërhequr ato nga fronti dhe i dërguar në spitalet e Shkodrës. Ato shërbenin në këto spitale, u ndanin ndihma financiare e materiale familjeve të luftëtarëve në beteja, si dhe familjeve të varfra. Aktiviteti i këtij komiteti është pasqyruar në një dokumentacion të rregullt i cili ruhet akoma nga familja Çoba.

Nga nëntori e deri në korrik të vitit 1921, doli në shtyp revista “Gruaja Shqiptare”, si mjeti i parë ku gratë mund të shprehnin mendimet mbi të drejtat dhe detyrat e tyre. Në faqet e saj kishte shkrime që trajtonin problemet shqetësuese të gruas shqiptare, duke paraqitur dhe rrugët e daljes nga kjo gjendje.

Problematika e revistës lidhej me rolin e gruas në zhvillimin dhe përparimin e familjes e të shoqërisë në ndërtimin e shtetit. Ajo duhej të luftonte për të zënë vendin që i takonte në familje, për respektimin e të drejtave e lirive të saj, të kujdesej për edukimin e arsimimin e fëmijëve, sidomos vajzave.

“Vetëm kur të arrihet të mbushen mësonjëtoret me vajza ashtu si me djem, vendi ynë do të rradhitej në vendet e qytetëruara”, shkruhej në një shkrim të revistës. Për herë të parë në historinë shqiptare, mendimet e grave për të drejtat e tyre, arsimin dhe kulturën kishin fituar një forum publik; për herë të parë mund të dëgjoheshin mendimet e tyre mbi një vetëdije të re morale dhe një kuptim të ri të gruas moderne shqiptare.

Revista trajtonte edhe probleme të amviseve dhe i bënte apel grave t’i edukonin fëmijët me idealin kombëtar, ndërsa u bënte thirrje që të jenë shembuj virtyti e mirësie para fëmijëve, me moralin e veprat e tyre.

Shaqe Çoba, më 10 nëntor të vitit 1937 bën një riplanifikim të shoqatave të grave në nivel kombëtar me pjesmarrjen e 150 grave, me objektiv luftën kundër zakoneve të vjetra, analfabetizmit, përmirësimin e jetës dhe veshjeve të grave, mbrojtjen e shëndetit të tyre, etj.

Shaqe Marie Çoba vdiq në dhjetor të vitit 1954, në Shkodër. Në nëntor 2002, me rastin e 90 vjetorit të pavarësisë shqiptare, presidenti Alfred Moisiu, i dha asaj pas vdekjes “Urdhrin Naim Frashëri” për pjesëmarrjen e saj në lëvizjen e pavarësisë së viteve 1920 si një luftëtar “kundër ndarja e Shqipërisë dhe për emancipimin e gruas shqiptare ”.

“Ne duhet ta bindim veten se gruaja është […] fryma e shoqërisë njerëzore dhe qendra e familjes.” Shkruhet në “Gruaja Shqiptare, Nr.6”

Roli dhe kontributi i kësaj gruaje është një shembull i jashtëzakonshëm që u parapri dhe u pasua nga dhjetëra e dhjetëra vajza e gra, të cilat mbetën në histori edhe pse kujtesa i rimishëron fare pak me atë frymë mirënjohje dhe respekti që meritojnë. Ata nuk ishin vetëm bashkëshorte dhe nëna, ata qenë gra që luftuan, u përpoqën dhe krijuan veprën e tyre të lavdishme.

Shkodranja, Shaqe Marie Çoba ishte njëra prej tyre, ajo që përfaqësoi gruan në një kohë që femra shqiptare lëngonte nën barrën e pamundësisë për të qenë më shumë se sa e përulur dhe nënshtruar, jetëlindëse po jo ëmëlartësuese. Obskurantizmi i kohës u rrek të eklipsonte gruan përmes mjetesh diskriminuese dhe kodeve zakonore, shpesh të keqpërdorura, por pa mundur ta ndalojë atë të ishte e përfaqësuar dhe e mbrojtur nga një Zhan D’ark shqiptare, siç ishte Shaqe Marie Çoba./albertvataj/ KultPlus.com

AGK shpreh ngushëllime për vdekjen e gazetarit Llukman Halili

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) ka ngushëlluar për ndarjen nga jeta të gazetarit Llukman Halili.

“Halili pati një karrierë shumëvjeçare në gazetarinë politike, si dhe ka qenë korrespodenti i parë i Radio Televizionit të Prishtinës nga Palestina. Ai ka dhënë kontribut në fushën e gazetarisë dhe informimit për ngjarjet që kanë ndodhur në vend. I ndjeri para luftës ka punuar si gazetar në Radio Zagreb, në gazetën “Bota Sot”, ndërsa së fundi ishte profesor në Universitetin e Varshavës”, shkruan AGK.

“AGK, u shpreh ngushëllime familjarëve, miqve dhe kolegëve të gazetarit Llukman Halili”.

Halili me prejardhje ishte nga Tërnoci i Bujanocit. / KultPlus.com

Për herë të parë dy kadetë nga Kosova diplomojnë në Akademinë më prestigjioze ushtarake në SHBA

Arelena Shala dhe Yll Dalladaku janë dy kosovarë të cilët sot do të shkruajnë historinë si dy kosovarët që për herë të parë diplomojnë në Akademinë më prestigjioze ushtarake në Amerikë, West Point, shkruan KultPlus.

Lajmin e ka bërë të ditur ish ambasadroja e Kosovës në Amerikë, Vlora Çitaku, përmes një postimi në llogarinë e saj personale në Facebook.

Arelena Shala dhe Yll Dalladaku, gjatë katër viteve të studimeve në West Point, treguan sukese të larta dhe u shpërblyen vazhdimisht për ekselencën e dëshmuar.

‘Arelena dhe Ylli janë heronjtë e rinjë të Republikës sonë. Ata janë dëshmija më e mirë se me punë, ndershmëri dhe përkushtim, nuk ka ëndërr të parealizueshme.Krenare pafundësisht!’, thuhet ndër të tjera në postimin e Çitakut.

Ceremonia mund të ndjeket online sot nga ora 15:30 përmes linkut të mëposhtëm. / KultPlus.com

https://www.youtube.com/user/TheWestPointChannel?fbclid=IwAR2so2S2amGHa80_XyIbNlcK5dBTBPYHjZRZLv58Bv-W5W0T5OnkGekuJSI

“Hello” nga Adele, një nga kryeveprat e muzikës bashkëkohore (VIDEO)

Adele është njëra nga këngëtaret më të njohura në botë, shkruan KultPlus.

E lindur në Totenham të Anglisë, Adele, arriti majat e famës me këngët si “Rolling in the deep”, “Someone like you”, “Hello” e të tjera.

Me zërin unik dhe tekstet e bukura që flasin për dashurinë, trishtin, jetën, ajo është bërë e dashur për publikun dhe qëndron në vendet e para të toplistave.

Më poshtë kënga e njohur botërisht “Hello”. /KultPlus.com

Shkencëtarët bëjnë thirrje: Hapni shkollat për adoleshentët sa më parë

Neuroshkencëtarët në Britani thonë se reduktimi i kontaktit mes adoleshentëve dhe miqve të tyre gjatë pandemisë mund të ketë pasoja të dëmshme afatgjata.

Në një kohë të vështirë, zhvillimi i trurit, sjellja dhe shëndeti i tyre mendor mund të jetë në rrezik. Përdorimi i rrjeteve sociale mund të përbëjë disa efekte negative të distancës sociale.
Ekspertët bëjnë thirrje që shkollat të rihapen për të rinjtë dhe të sigurohen sa më shpejt.

Adoleshenca e përcaktuar nga shkencëtarët midis moshës 10 dhe 24 vjeç është një fazë e çuditshme kur të rinjtë duan të kalojnë më shumë kohë me miqtë sesa familjen e tyre.
E kombinuar me ndryshime të mëdha hormonale dhe biologjike, është një kohë kyçe për zhvillimin e trurit.

Është gjithashtu periudha kur ka më shumë gjasa të kenë probleme me shëndetin mendor.

“Por koha e koronavirusit ka ndikuar shumë në shëndetin e tyre mendor, pasi izolimi nuk funksionon për askënd” thotë Prof Sarah-Jayne Blakemore, nga departamenti i psikologjisë në Universitetin e Kembrixhit.

Psikologja thotë se për shkak të ndikimit të pandemisë Covid-19, shumë të rinj në të gjithë botën aktualisht kanë më pak mundësi për të bashkëvepruar ballë për ballë me bashkëmoshatarët dhe kjo është thelbësore për zhvillimin e tyre.

Artikullinnë revistën “Viewpoint”, i shkruar nga Amy Orben, studiuese në Kembrixh dhe Livia Tomova, nga Instituti i Teknologjisë në Masaçusets, bën thirrje që të bëhen më shumë hulumtime për të kuptuar efektet e “privimit social” tek adoleshentët.

Disa studime kanë treguar që përdorimi aktiv i mediave sociale, siç është mesazhet ose postimet direkte në profilin e një personi tjetër, rrit mirëqenien dhe ndihmon në mirëmbajtjen e marrëdhënieve personale. Sidoqoftë, është treguar që përdorimet pasive të rrjeteve sociale, ndikojnë negativisht në mirëqenien. /bbc/ KultPlus.com

Kur Avni Rrustemi shpjegonte në gjyqin e tij arsyen e vrasjes së Esat Pashës

Nga Aurenc Bebja, Francë – 20 Janar 2017

Më 13 qershor të 1920, në kryeqytetin francez, Esat Pasha po dilte nga hotel « Continental », i shoqëruar nga një mik dhe një mikeshë, për të shkuar në drejtim të automjetit të tij, i parkuar në rrugën « Castiglione ». Avni Rustemi, i cili po priste mbi trotuar, qëllon dy herë mbi të duke e lënë të vdekur në vend.

Si rrjedhim, gazeta franceze, « Le Matin », ka botuar, në faqen e parë të saj, më datë 30 nëntor 1920, një artikull mbi proçesin gjyqësor të kësaj vrasje të bujshme. Ajo ka botuar shkëmbimet e ndryshme në sallën e gjyqit, ku bie veçanërisht në sy gjakftohtësia e Avni Rustemit.

Më 20 qershor 1920, Avni Rustemi shfaqet para Gjykatës së Krimeve të Rënda të « Seine-s ». Gazeta e përshkruan autorin 27 vjeçar, si të dobët fizikisht, që dukej sikur të ishte 20 vjeçar, me një pamje të mprehtë, i cili ishte i sigurtë kur shprehej, me një kokëfortësi që haset tek të gjithë vrasësit politikë. Dhe si ata, ai dinte të përdorte lehtësisht « klishetë ».

Në vijim, seanca gjyqësore e rrëfyer në gazetën franceze : 

« Seanca është udhëhequr nga kryetari i gjykatës, këshilltari Z. Drioux.

Avokati i Përgjithshëm Bloch – Laroque mbështet akuzën.

E veja e Esat Pashës përfaqësohet , si palë civile, nga avokatët Freyssanges et Lyon – Caen.

Avokati De Monzie (Anatole) mbron të akuzuarin.

Pas formaliteteve, fillon marrja në pyetje e Avni Rustemit.

I akuzuari, i lindur në një familje me prona përreth Janinës, është shkolluar në Konstandinopojë, Gjenevë dhe Romë. Ai i ishte destinuar mësimdhënies. Në vitin 1913, u bashkohet Shqiptarëve që luftonin kundra Greqisë me qëllim « lirimin e Epirit ».

***

Z. Drioux : Në atë moment të caktuar, ju nuk e njihnit Esat Pashën ?

Avni Rustemi : Oh, kanë folur shumë për të !

Z. Drioux : Po ju paralajmëroj se do të jem tepër i kujdesshëm në këtë terren. Unë pranoj se jam i paditur në çështjet e historisë dhe politikës shqiptare. Mbi këtë bazë, unë do të ju lejoj të thoni atë që ju dëshironi.

***

Rustemi përfiton nga leja për të afirmuar se në Shqipëri kishte vetëm një qeveri legjitime, ajo e cila luftoi Esat Pashën.

…Në maj të vitit 1920, partizani i ri kthehet në Shqipëri, ku takon « një zyrtar të lartë, i cili i shpjegon situatën » dhe kuptohet se është kundra « Esatiste ». Në vijim niset për në Paris.

***

Z. Drioux : Çfarë burimesh financiare keni ?

Avni Rustemi : Pak më shumë se 6000 lireta.

Z. Drioux : Nga vijnë këto para ?

Avni Rustemi : Nga vëllai im.

Avokati i Rustemit, De Monzie : Kjo dëshmon se Rustemi nuk është vrasës me pagesë.

***

Rustemi e përgjonte Esatin nga hoteli i rrugës « Saint – Hyacinthe », komshi me hotelin « Continental », ku jetonte Esati. Iu desht vetëm një « hap » për ta gjetur. Më 13 qershor u takua papritmas me pashain në trotuarin e rrugës « Castiglione » dhe aty ndodhi gjithçka.

***

Avni Rustemi : Kur pashë këtë njeri u turbullova dhe nuk u kontrollova dot.

Z. Drioux : Dhe pastaj, ju qëlluat ?

Avni Rustemi : Ishte një gjest ashtu si marrja e Bastijës !

Z. Drioux : Ju u bëni aluzion, pa i njohur mirë, disa fakteve të historisë sonë. Shumë të huaj shprehen kështu. Në një tekst të shkruar nga pala juaj mbrojtëse, miqtë tuaj e kanë krahasuar viktimën me Luigjin e XVI ! Ju paralajmërova se mund të thoni gjithçka në lidhje me politikën shqiptare. Ne, francezët, ne nuk mund të harrojmë se Esati ishte miku ynë, që u detyrua të largohej prej austriakëve, që ka punuar në shpëtimin e ushtrisë serbe, dhe për arsye të këtyre fakteve, ai u dekorua me Kryqin e Madh të Legjionit të Nderit.

Avokati i Rustemit, De Monzie : Franca ka besuar disa herë gabimisht.

***

Proçesi gjyqësor mbyllet me këto fjalë të akuzuarit :

Avni Rustemi : Unë nuk e kam paramenduar vrasjen. Unë kam qenë gjithmonë i shtyrë nga ndjenjat e pastra.

***

Nga ky moment, mbaron proçesi i Avni Rustemit dhe fillon i Esatit.

***

Dëshmitarët e parë, doktori Paul, eksperti i armëve Flobert, roja (gjuetari) Cavet që ndaloi vrasësin u dëgjuan me shpejtësi.

Avokati i Rustemit, De Monzie, me aftësinë e madhe për të mbrojtur klientin e tij, do të tërheqë vëmendjen e sallës në vijim.

***

Avokati i Rustemit, De Monzie : Një patriot shqiptar, si Rustemi, a ka pasur ndaj Esatit ankesa të bazuara (të mjaftueshme) për të eliminuar tiranin dhe tradhtarin ?

***

Sipas gazetës, dhjetë dëshmitarë mbrojnë të vrarin.

Gjenerali Gouraud i ka shkruajtur Z. Drioux për të vërtetuar bujarinë e Esatit. Z. Edouard Julia e konsideron Esatin si një mik të Francës.

***

Z. Julia : Figura e tij ushtarake ishte ajo e një heroi. Ishte ai që mundësoi dialogun me mbretin Konstandin. Personaliteti i tij politik nuk ishte më pak i shquar. Ai ka kontribuar shumë në fitoren e aleatëve. Pa atë, asnjë serb nuk do t’i kishte shpëtuar fatkeqësisë, asnjëri prej tyre nuk do të arrinte në Korfuz. Unë nuk jam këtu për të shkatërruar një njeri të ndriçuar nga pasioni i tij politik, por do t’i them të akuzuarit, se duke vrarë Esatin, ai ka sakrifikuar fatin e fundit për bashkim dhe pavarësi që i kishte mbetur shtetit të tij.

Avokati i Rustemit, De Monzie : Esati, a nuk e dorëzoj Shkodrën në 1913 armiqëve të shtetit të tij ? Dëshmitarë të tjerë do të vijnë të tregojnë. »

***

Ekspertë të tjerë kanë vazhduar të flasin në gjyq si për shembull gjenerali Sarrail, ish-shefi i byrosë së ushtrisë Orientale, Z. Ancel, apo Z. Auguste Gauvain, Z. Gaston Richard, koloneli Lamouche dhe konsulli francez në Selanik, Z. Graillet.

Të gjithë këta zotërinj nuk kanë rënë dakord me pohimet e njëri – tjetrit.

Gjatë kësaj seance gjyqësore nuk është marrë një vendim i menjëhershëm për Avni Rustemin. / KultPlus.com

https://www.darsiani.com/la-gazette/gazeta-franceze-le-matin-1920-kur-avni-rustemi-shpjegonte-ne-gjyqin-e-tij-arsyen-e-vrasjes-se-esat-pashes/?fbclid=IwAR0qyRzYoA0-C9YdMscPqFbn0PK5228q1IAk-p6rH0wnJbcxisl3-7c6Gqk

‘Do enden shqiptarët në kët’ jetë zvarrë dhe do ken’ për njëri-tjetrin armiqësi’

Henrik Ibsen- Lufta për fronin

Fjalët e Peshkop Nikolasit drejtuar Mbretit Skuleja përshtatur për shqiptarët

Do enden shqiptarët në kët’ jetë zvarrë,
pa qëllim e pa vullnet; në zemër do të ken’ shpirtvogëlsi dhe për njëri-tjetrin armiqësi.
Veç që të gjith’ një gjë do ken’ dëshirë:
gjithçka q’është e madhe, q’është e mirë,
me gur e baltë ngutas ta mbulojnë;
turpin porsi nder do ta shikojnë dhe për flamur do mbajnë lecka pa vlerë….

Përktheu Afrim Koç

100 vjetori i dy krismave në Paris, krismat që bën kthesë në histori

Sot shënohet 100 vjetori i vdekjes së Esat pashë Toptanit, i cili më 13 qershor 1920 u vra në Paris nga Avni Rrustemi, u vra për të mbetur gjithmonë sinonim i tradhëtisë, shkruan KultPlus.

Esat pashë Toptani ka qenë ushtarak i Ushtrisë Osmane, deputet shqiptar në Mexhlisin osman, drejtues i Rrethimit të Shkodrës dhe kryeministër shqiptar.

Më poshtë KultPlus ju sjell një fragment të shkurtë se si ndodhi vrasja e Esat pashë Toptanit.

Tek e kishte lënë të hante me nipin e tij, Xhemil bej Vlorën dhe mikneshën e vet Elizën, Esati u vra në rr. Castiglione në Paris më 13 qershor, 1920 nga Avni Rustemi në kushtet e konkurrencës politike në Tiranë. Ky kishte qëndruar i fshehur pas njërës prej shtyllave të hyrjes së hotelit Continental në pritje të pashës. Avniu i kishte shkuar nga mbrapa dhe e kishte qëlluar prej njëfarë distance me një revolver Smith & ëesson, që e mbante me vete. Plumbi i kishte depërtuar në qafë pranë shtyllës kurrizore dhe kur ishte rrotulluar me duart lart për t’u mbrojtur, Avniu qëlloi përsëri, në anën e majtë të kraharorit në lartësinë e sqetullës.

Mbas një gjyqi të gjatë Avni Rustemi do të lirohej duke u shpallur i pafajshëm nga gjykatat e Shtetit Francez, me një mbrojtje të ngritur prej Anatole de Monzie mbi tezën e krimit të pasionit dhe “me paramendimin e një populli të tërë”.

Pas vdekjes trupi u dërgua nga familja në një depo mortore të Parisit për t’u mbajtur derisa të merrej një vendim se ku do të varrosej përfundimisht. Njëra nga të bijat u interesua pranë autoriteteve franceze nëse trupi i të atit mund të transportohej në Shqipëri. Arka prej plumbi nr. 17 vazhdoi të qëndrojë në depon e rr. D’Aubervilliers të paktën deri në tetor 1921. Më vonë, eshtrat e Esatit u varrosën në mënyrë thuajse të fshehtë në një lagje të varfër të Parisit. / KultPlus.com

Agim Sulaj kandidat për çmimin prestigjoz në ‘European Press Prize 2020’

Agim Sulaj është piktor dhe karikaturist shqiptar që jeton e punon në Itali. Piktori shqiptar i cili numëron dhjetëra cmime ndërkombëtare, është përzgjedhur me një punim të tijin për çmim bashkë me 15 karikaturistë europianë në programin e ekselencës “European Press Prize 2020”.

Vepra me të cilën u prezantua artisti shqiptar, titullohej “ Plastika po shqyen botën”!

Në lidhje me karikaturat, Gjykatësi i “European Cartoon Award” Janet H. Anderson u shpreh:

“Karikaturat editoriale janë një lloj i veçantë i komenteve; ata kanë kaq shumë gjëra që duhet të shënojnë në tregimin vizual, lidhjen me ngjarjet aktuale dhe përcjelljen e një mesazhi të qartë. Ajo që shkëlqeu, ishin kritikat e tyre të mprehta, shpesh shumë qesharake, për punët aktuale. Të gjithë duam të inkurajojmë më shumë karikaturistë në të gjithë Evropën që të hyjnë në këtë çmim përrallor në vitet në vazhdim “, ka treguar ai.

“European Press Prize 2020” ku Sulaj është ndër 16 artistë e nominuar për cmimin e madh, do të jepet në Bruksel në tetor të vitit 2020.

Agim Sulaj në moshën 19-vjeçare fiton çmimin e tij të parë në një konkurs satire dhe humorizmi të organizuar nga “Hosteni”. Në vitin 1985 diplomohet në Universitetin e Arteve në Tiranë, dhe gjatë shkollës e më pas, punon në revistën “Hosteni , e vetmja revistë satirike e kohës.

Trajton gjithnjë tema shoqërore, subjektet e para trajtojnë servilizmin, thashethemet etj.

Në vitin 1990 në Ankara të Turqisë me veprën e tij “Valixhja e emigrantit” punim i vitit 1989,  fiton çmimin special në “Aydin Dogan International Cartoon Competition”. Në vitin 1992 hap një ekspozitë në Rimini e në vitin 1993 një tjetër në provincën e Brindisit. / KultPlus.com

Karantina e Lasgushit

Nga Bardhyl Londo

Pas vitit 1944 Lasgushi pothuajse nuk shkroi asgjë të rëndësishme me përjashtim të “Kamadevës” e cila për mua është e dyshimtë të jetë shkruar pas 44-ës. Në rast se po, përse nuk e botoi por pa dritën e botimit aq vonë? Po të ketë ndodhur kështu është dhe më domethënëse: poeti s’ ka dashur t’i japë asaj kohe një poeme aq të bukur ose ka pasur frikë ta botojë.

Të vetmet vargje që ka shkruar Lasgushi në atë kohë janë një tallje dhe ironi e hapur. Kështu e doni poezinë ju? Ua jap unë: Republika Popullore/ mori Shqipërinë për dore/ dhe e çoi në fitore. Është proverbiale pyetja që i drejton Lasgushi Kadaresë duke pirë kafe në Turizmin e Pogradecit: në ç’sistem jetojmë z.Ismail?

Karantina e Lasgushit ishte aq e thellë sa atë pothuajse për vite te tëra nuk e kishte parë kush. Në vitin 1986 Aurel Plasari me gazetarë të Dritës shkoi ta intervistonte pas kaq vitesh tek shtëpia në Tiranë sepse ai gjysmën e vitit e jetonte në Tiranë, gjysmën në Pogradec. Pasi i la rreth gjysmë ore të prisnin se çelsin e kishte e shoqja dhe kishte shkuar në pazar, (e shoqja kishte nja njëzet vjet që kishte vdekur) porta më në fund u hap dhe filluan pyetjet.

Pergjigjet ishin të gjitha njëlloj. Kush është poeti më i madh i shqipes. Po këtë e dinë të gjithë. Po kush? Po këtë e di dhe Çuçi, qeni im. Po kush? Lasgushi bre. Po pas tij? Rituali fillonte nga e para. E dinin te gjithë, e dinte dhe qeni i tij se nuk kishte tjetër. Po i njëjti format edhe për përkthyesin. E dinte dhe Çuçi që Lasgushi ishte më i miri dhe pas tij nuk kishte tjetër.

Pak kohë para vdekjes në Lidhjen e Shkrimtarëve u vendos të festohej pervjetori i Lasgushit për herë të parë. Interesim i jashtzakonshëm deri në oborr. Në orën 10 ai që mungonte ishte Lasgushi. Pas rreth dy orësh më në fund e gjejnë. Lasgushi hyri, me kostum të zi, me barsolinë, mbështetur mbi bastun, i zbehtë sikur sapo ishte ngritur nga varri (hollësisht e përshkruaj tek libri im “Jeta që na dhanë). Gjatë gjithë kohës që flitej për të ai shikonte vetëm tavanin.

Në fund kur i thanë se sipas zakonit të athershëm duhej të falenderonte Partinë dhe organizatorët, ai goditi me bastun dyshemenë dhe tha vetem dy-tre fjalë: dëgjoni këtu, poeti është Zot, është mbi gjithçka.
Kjo ishte hera e parë dhe e fundit që e pamë Lasgushin. Pas vitit 1944 ai refuzoi të shkruante dhe te jetonte siç ia kerkonin të tjerët. Prandaj u mbyll, ose më saktë e detyruan të mbyllet në një karantinë që vazhdoi gati gjysmë shekulli. / KultPlus.com

Grupi ‘Lady Antebellum’ ndryshon emrin shkaku i racizmit

Pop-grupi i njohur amerikan “Lady Antebellum” ka ndryshuar emrin në “Lady A”, pasi “Antebellum” ka përmbajtje të periudhës së skllavërisë.

Treshja nga Nashville fitoi pesë çmime Grammy dhe dhjetë herë ka prirë në top-listat amerikane. Fjala “antebellum” është përdorur për të treguar periudhën dhe arkitekturën në jugun amerikan, para Luftës Civile.

Ata janë arsyetuar se fjala është përdorur nga stili arkitekturor, por kanë kërkuar falje për dhimbjen që mund ta kenë shkaktuar nga përdorimi i fjalës në emrin e grupit. Në një reagim në Twitter, grupi “Lady A” ka thënë se protestat kundër racizmit ua kanë hapur sytë. “Padrejtësitë, pabarazia, fyerjet ndaj afro-amerikane na hapën sytë”, thuhej në komunikatën e grupit.

“Ishin disa tema që nuk e kemi ditur se ekzistojnë”, thuhej më tej. Fotografia e shkrepur para 14 vjetësh përballë një shtëpie me stil u bë shkas për emrin e grupit, transmeton KultPlus.

“Si muzikantë, na përkujton krejt muzikën që ka lindur në Jug, e që ka pasur ndikim te ne”, ka thënë grupi. Ata kanë shprehur keqardhje që nuk u ka rënë ndërmend më herët për kuptimin që mund të marrë fjala “antebellum” në aspektin racor.

“Na vjen keq për secilin që e kemi lënduar dhe është ndier i shqetësuar shkaku ynë. Shkaktimi i dhimbjes kurrë nuk është qëllimi ynë, por në fakt edhe e kemi bërë”, ka thënë grupi. “Lady A” është njohur më së miri për hitin “Need You Now”, që në vitin 2010 korri sukses të madh në toplistat amerikane dhe britanike. Grupi, vendimin e ka marrë pas reflektimeve personale, diskutimeve dhe bisedave të sinqerta me miqtë afro-amerikanë.

“Nuk na falet që këtë problem e kemi kuptuar shumë vonë. Tani mund të mësojmë dhe të veprojmë në këtë çështje”, ka thënë grupi. Vendimi për ndërrimin e emrit erdhi pasi studioja “One Little Indian”, që ka realizuar këngë për Bjorkun, Sigur Rosin dhe Paul MacCartneyn, ka ndërruar emrin në “One Little Independent”. Themeluesi i studios, Derek Birkett, ka thënë se vendimi u bë kur një fans ia sqaroi se përse emri ishte fyes.

“Javët e kaluara kanë shërbyer për të mësuar. Një fans na ka treguar me saktësi se logoja dhe emri i studios ishin fyes dhe të dhunshëm për historinë e terminologjisë. I jam mirënjohës që më bën të kuptoj se çfarë duhet ndryshuar”, ka thënë Birkett. Ai ka sqaruar se emri i studios së krijuar në fund të viteve ’70 u frymëzua nga filozofitë e njerëzve indogjenë në Amerikë. “Atë kohë isha shumë naiv, por mendoj se logoja dhe emri ishin reflektim i respektit tim dhe mirënjohjes ndaj kulturës së tyre”, ka thënë Birkett.

“Tani e di se kontributi kundër racizmit është dashur të adresohej shumë kohë më parë”, ka sqaruar ai. Riemërimi në industrinë e muzikës po bëhet për të adresuar historinë e komplikuar të racës pak javë pas protestave kundër racizmit që nisën me vdekjen e George Floydit në duart e policisë. Termi “muzikë urbane” është hequr prej përdorimit nga studioja muzikore “Republic Records”, që menaxhon yjet si Drake dhe Ariana Grande.

“Grammy” gjithashtu ka njoftuar se do të ndalojë përdorimin e fjalës “urban” për të përshkruar muzikën me origjinë afro-amerikane në kategoritë e tyre. /koha/ KultPlus.com

Deputetja shqiptare sërish kandidate në Kuvendin e Republikës së Kroacisë

Komuniteti shqiptar në Kroaci mbështet kandidaturën e Ermina Lekaj Prlaskaj në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Znj. Prlaskaj, aktualisht deputete shqiptare në Parlamentin e Kroacisë, ka dëshmuar përkushtim dhe angazhim të vazhdueshëm për përfaqësimin e interesave të komunitetit shqiptar në këtë shtet.

Zgjedhjet e datës 5 korrik për Parlamentin e Kroacisë janë një mundësi dhe shans i mirë jo vetëm për të dëshmuar dhe konfirmuar vullnetin e të gjithë qytetarëve të Kroacisë për më shumë prosperitet në të gjitha fushat, por për të artikuluar njëkohësisht edhe zërin e komuniteteve të tjera që jetojnë në Kroaci.

Në mandatin e fundit në Kuvendin e Republikës së Kroacisë për herë të parë zëri i komunitetit shqiptar që jetojnë ne Kroaci në historine e vet është përfaqësuar me integritet, dinjitet të plotë, profesionalizëm të pashoq nga zonja, Ermina Lekaj Përlaskaj, e cila gjatë gjithë kësaj kohe ka dëshmuar përkushtimin dhe angazhimin maksimal për të përfaqësuar denjësisht interesat e komunitetit shqiptar në Kroaci.

Mbështetja për zonjën Përlaskaj është më se e nevojshme për të fuqizuar komunitetin shqiptar dhe qytetarinë aktive të shqiptarëve në Kroaci, duke e bërë komunitetin shqiptar edhe më aktiv dhe më pjesëmarrës në përfaqësim dhe vendimmarrje në Republikën e Kroacisë. /albinfo/ KultPlus.com

‘Nëna është udhërrëfyese, vendstrehim dhe dashuri e pafundme’

Kemi mësuar prej tyre të dëshirojmë mbi të gjitha, më të mirën për fëmijët e tyre dhe se gëzimi, e qeshura dhe fitorja e fëmijës janë gjithashtu të tyret. Mamaja është sinonim me mbrojtjen, dashurinë.

Kur jemi në rrezik, në vështirësi, personi i parë për të cilin mendojmë dhe me të cilin dëshirojmë të jemi pranë është nëna jonë. Afër ose larg, jemi të sigurt se do të na udhëheqë në dyshimet dhe frikën tonë, dhe do të jetë gjithmonë pranë nesh.

Dashuria e saj e pakushtëzuar është më sublimja nga të gjitha ndjenjat. Ju mund të shkoni në veri, jug, lindje ose perëndim por nuk do të gjeni askund përkushtim të pafund ose të gjeni një dashuri të ngjashme. Eshtë vërtet e pakrahasueshme.

Nëna riparon, inkurajon, ndihmon, shëron plagët me puthje, jep përqafime shëruese.

Misioni i saj është shumë më i madh, për t’u siguruar që kjo qenie, fëmija i saj, të ecë me këmbët e veta në jetë. Mamaja është dashuri, është dashuri e pafund.

Dhe për nënat që nuk janë më me ne, një falënderim i thjeshtë, një mendim për shumë dritë dhe dashuri për to, sepse aty ku janë, sigurisht që po vibrojnë nga dashuria e tyre, e cila nuk ka kufij, shkon përtej jetës. Falënderime plot dashuri, dhe një rrezatim drite. /meb.al/ KultPlus.com

“Gladiatori” mund t’i kthehet arenës vdekjeprurëse

Regjisoi veteran Sir Ridley Scott është duke punuar në vazhdimin e filmit të famshëm “Gladiator”.

Këtë e ka bërë të ditur një producent i filmit ikonë të vitit 2000. Doug Wick ka thënë se regjisori është duke tentuar të bëjë vazhdimin, por është para vështirësive pasi askush nuk dëshiron të bëjë një film vetëm për hatër të pjesës së parë që shënoi sukses.

“Ridleyt do t’i pëlqente ta bënte. Por, problemi mbetet që gjithçka të jetë në letër”, ka thënë producenti Wick. “Të gjithë ata që janë përfshirë në pjesën e parë do të donin ta realizonin të dytën, mirëpo është sfidë sepse askush nuk dëshiron të bëjë film hije të të parit”, ka shtuar producenti. “Puna në skenar është problem kreativiteti. Ridley është duke punuar, por bëhet fjalë për një projekt që duhet të jetë i duhur. Krejt kjo punë është sfiduese”, ka thënë Wick, transmeton KOHA.

Plani për vazhdim është duke u realizuar, ani pse personazhi kryesor i filmit, Maximus Decimus Meridius, të cilin e luan aktori i njohur Russell Crowe, ka vdekur. Vitin e kaluar, producentët Walter F. Parkes dhe Laurie Mac-Donald kanë thënë se vazhdimi duhet të jetë 25 ose 30 vjet pas asaj që ndodh në filmin e parë.

“Ne jemi duke punuar me regjisorin Scott. Është një punë që nuk do ta realizonim nëse nuk do të ndjenim se është momenti i duhur. Gjithashtu jemi duke punuar me një skenarist të mrekullueshëm, siç është Peter Criag”, ka thënë Laurie MacDonald. Bashkëshorti i saj ka konfirmuar se rrëfimi do të jetë 25 ose 30 vjet pas asaj që ndodh me Gladiatorin e parë. Më parë është spekuluar se filmi i ri do të rrëfejë për Lucius, djalin e Lucillas dhe nipin e Commodusit, të cilin e luan aktori i njohur Joaquin Phoenix.

Periudha e shtjellimit ka dhënë sinjale se do të jetë për Luciusin, por nuk dihet nëse aktori Spencer Treat Clark do të kthehet për të përsëritur rolin. Walter dhe Laurise kanë punuar si producentë ekzekutivë në filmin e parë, që u realizua në vitin 2000. Atëkohë filmi tuboi hiq më pak se 11 nominime për Oscar dhe fitoi pesë sosh. Crowe u shpërblye me çmimin për Aktorin më të Mirë, ndërsa filmi u shpall më i miri i atij viti. Aktori së fundmi ka treguar se gati sa nuk kishte refuzuar rolin e Gladiatorit. Mendjen ia kishte mbushur producenti Walter Parkes, që i kishte thënë se regjisori veteran do të jetë në krye të filmit.

“E kam lexuar skenarin dhe mendova se nuk ishte as film. Por, Parkes më tha se do të jetë film për vitin 184 para Krishtit, se do të jem një gjeneral romak dhe se do të kem përkrah regjisorin Ridley Scott. Kjo më mjaftoi që të pranoja rolin”, ka thënë Crowe.

Esat Pasha- korrespondentit të Messaggeros: Do të ishte më mirë që Evropa të lejonte Shqipërinë t’i rregullojë vetë punët e saj të brendshme

Nga Aurenc Bebja

“Le Figaro” ka botuar, të shtunën e 24 majit 1913, në faqen n°3, një shkrim në lidhje me intervistën e Esat Pashë Toptanit me korrespondentin e Messaggeros në Tiranë, të cilën, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

Një intervistë e Esat Pashës

Romë, 23 maj.

Korrespondenti i Messaggero-s në Tiranë intervistoi Esat Pashën, të cilit i tha në thelb këtë :

Ndërhyrja e vazhdueshme e Evropës është fatale për Shqipërinë, do të ishte më mirë që Evropa të lejonte Shqipërinë t’i rregullojë vetë punët e saj të brendshme.

Esat Pasha di të jetë i fortë, nëse Evropa i jep atij rolin e princit ose të guvernatorit, për të rivendosur rendin kudo në një muaj, duke organizuar Shqipërinë nën sovranitetin e lartë të Sulltanit. Ai i druhet idesë së zgjedhjes së një princi evropian; ai është i gatshëm – thotë ai – të punojë për Shqipërinë, por jo për një princ të huaj.

Lidhur me largimin e trupave turke dhe largimin e tij, Esat Pasha deklaron se do t’u bindet urdhrave të Kostandinopojës.

https://www.darsiani.com/la-gazette/esat-pasha-korrespondentit-te-messaggeros-1913-do-te-ishte-me-mire-qe-evropa-te-lejonte-shqiperine-t-i-rregulloje-vete-punet-e-saj-te-brendshme/

Napolitano: Nëse Rugova do të kishte qenë amerikan, do të kishte pushtuar botën me diplomaci

Ish Presidenti italian, Giorgio Napolitano gjatë kohës sa ishte në pozitën e presidentit, bëhet e ditur se gëzonte respekt shumë të madh për presidentin historik të Kosovës, Ibrahim Rugova.

Nëse Ibrahim Rugova dhe Arbën Xhaferi,
do kishin qenë amerikanë, gjermanë apo francezë,
ata do ta kishin pushtuar botën me diplomaci,
por për fat të keq këto dy figura
i përkasin një popullit shumë të vogël…
”, ishte shprehur Napolitano. / KultPlus.com

Ritet e lashta të ceremonisë së fejesës në kulturën arbëreshe

Ndër traditat që kanë ruajtur arbëreshët janë edhe ato të fazave të krijimit të familjeve, ndër të cilat me rëndësi të madhe është edhe fejesa.

Në kohët e hershme, siç përshkruhet në shkrimin e Italo Elmos fejesa bëhej nga familjet e të rinjve, pa e marrë parasysh qenësinë apo jo të ndjenjave të tyre. Sapo djali e gjente nusen, nëpërmjet një të afërmit të tij bënte kërkesën tek familja e vajzës, e cili e ftonte ndërmjetësin në shtëpi si “ambasator” apo “mbasbaturi” me termin që përdorin arbëreshët. Kërkesa për martesë mund të refuzohej dhe kjo ndodhte përgjithësisht, ose pse prindërit e vajzës nuk e pëlqenin djalin, ose sepse nuk kishte mjaftueshëm cilësi morale, ose sepse nuk kishte shumë dëshirë të punonte.

Herë të tjera ishte vetë vajza që e kundërshtonte fejesën, duke qenë e dashuruar me një tjetër pretendent sekret. Mbas refuzimesh të tilla, i riu shfaqej poshtë dritares së vajzës dhe recitonte vjersha tradicionale, të njohura si “vjersh di sdegno” në arbërisht, me synimin për ta ndikuar që të rimendonte dhe një herë në lidhje me defektet e tij reale apo të fantazuara.

Në rastin e një përgjigjeje pohuese, i riu fillonte ta vizitonte shpesh shtëpinë e të fejuarës dhe pas një periudhe të caktuar e merrte atë në shtëpinë e prindërve të tij, për të përmbyllur ceremoninë e fejesës. Ndërsa nusja nga dita fejesës e deri në të martesës i përkushtohej përgatitjeve të dasmës dhe punimeve të dorës. /dsh/ KultPlus.com

Vdes gazetari Llukman Halili

Sot ka ndërruar jetë gazetari i njohur Llukman Halili.

Ai pati një karrierë shumëvjeçare në gazetarinë politike, ndërsa ishte korrespodenti i parë i RTP-së nga Palestina.

Llukman Halili ishte nga Tërnoci i Bujanocit dhe ka mbrojtur Doktoraturën në Shkencat Humane në Universitetin e Zarës në Kroaci.

Ai është edhe bashkëautor me Blerim Shalën i librit “Unë, Ramiz Alia dëshmoj për historinë” botuar nga Zëri në vitin 1993. / KultPlus.com

Shkatërrohet monumenti në Apoloni, Meta: Akt barbar dhe anti-kombëtar

Presidenti Meta dënon me forcë aktin e shkatërrimit të një prej monumenteve përbërëse nga më të rëndësishmit e Parkut Arkeologjik të Apolonisë.

Meta e ka cilësuar si taleban dhe anti-kombëtar, dhe ka kërkuar nisjen e një hetimi të menjëhershëm.

‘Dënoj me forcë aktin barbar, taleban dhe anti-kombëtar të shkatërrimit të një prej monumenteve të Parkut Arkeologjik Kombëtar të Apolonisë, pjesë jashtëzakonisht e rëndësishme e fondit të vyer të trashëgimisë kulturore kombëtare.

Thellësisht i tronditur nga kjo ngjarje tepër e rëndë, apeloj me forcë nisjen e një hetimi të menjëhershëm dhe vënien para përgjegjësive ligjore të autorëve dhe frymëzuesve të tyre, të cilët duhet të marrin një dënim shembullor.

Çdo sulm ndaj trashëgimisë dhe vlerave tona kombëtare, sikundër ndodhi edhe me shembjen e Teatrit Kombëtar, është sulm i drejtpërdrejt ndaj identitetit tonë kombëtar.

Bëj thirrje për nisjen pa zvarritje të projektit të restaurimit dhe forcimin e masave për mbrojtjen e monumenteve të kulturës në të gjithë vendin, që rastet e fundit dëshmojnë se po rrezikohen nga akte barbare që as pushtuesit nuk kanë guxuar t’i bëjnë.

Barbaria dhe talebanizmi nuk kanë vend në shoqërinë tonë!’ / KultPlus.com

Premiera “Zgjimi i pranverës” u shfaq mbrëmë pa publik, sfidoi normat morale

Qendrim Badalli

Asgjë s’ishte e zakonshme. Në hyrjen e Teatrit Kombëtar të Kosovës po shpërndanin maska. As sprej dezinfektues për duar nuk po mungonte. Kur hyrje në sallë, përgjegjës të teatrit, u kujdesën që ata të ftuarit që ishin ose anëtar të Këshillit Drejtues të Teatrit apo anëtar të komunitetit artistik, të uleshin me nga dy karrike hapësirë. Rregullat të imponuara nga pandemia po zbatoheshin në përpikmëri.

Asgjë s’ishte e zakonshme. Sepse në një situatë të zakonshme, premierat në Kosovë mbushin sallat plotë me publik. Edhe pse nën rrethana të jashtëzakonshme, duke respektuar distancën fizike salla u mbush plotë. Perdja u ngirt dhe shfaqja filloi.

Dashuria e seksualiteti si dhe mbi të gjitha ngarkesat morale për ta  të rrënjosura në çdo institucion shoqëror, nga familja deri tek shkolla, ishte tema e shtjelluar në këtë shfaqje që për gati dy orë mbajti frymën e publikut në sallë.

Të rijnë që nuk guxonin të flisnin lirshëm për seksin dhe dashurinë, pavarësisht se në një moshë që imponon këto tema.  Të reja që flisinin si për ideale të qenurit e lirë për të zgjedhur veshjet e tyre, apo për të prerë flokët si donin ata. Të rinjë që ndëshkoheshin dhunshëm për shtatëzani para martesore apo të rijnë që përjashtoheshin nga shkolla për shkak të vizatimeve ilustrative ‘ të cenzuruara’ nga familja e shkolla. Të rijnë që i nënshtroheshin skajshmërisht autoritetit brutal të mësuesit në shkollë apo të prindit në shtëpi për çështje seksualiteti. Ja, këto janë disa nga pjesët e shfaqjes që u dhanë plotë emocion nga aktorët: Hajat Toçilla, Valmir Krasniqi, Arta Muçaj, Shkelzen Veseli, Labinot Raci, Qëndresa Loki, Verona Koxha, Flamur Ahmeti, Armend Ballazhi. Shfaqje kjo që iu dedikuar të gjithë adoleshentëve të rënë në luftë, pa dallime identitare.


Në një intervistë për KultPlus, Koreografi i shfaqjes, Robert Nuha, e vlerësoi lartë shfaqjen teksa e quajti si një ‘rifillim’ pas pauzës shkaku i pandemisë.

“Shfaqja ke në një nivel shumë të lartë, ke prej kalimeve më të mira që kanë bërë aktorët ndonjëherë. Mungesa e audiencës për një kohë të gjatë e pat ndikimin e vetë dhe natyrisht edhe për aktorët ishte si një rifillim dhe ata ishin edhe më emocional se herave të tjera”.

Ai, pati vlerësim specifikisht edhe për aktorët dhe regjisoren Zana Hoxha.

“Pritshmërit e mija kanë qenë më të vogla krahasuar me këtë çfarë pamë. Unë besoj shumë se aktorët kosovar dhe regjisoret si Zana Hoxha janë e ardhmja e këtij vendi, në kulturë, në art dhe sidomos në teatër”.

Nuha, duke folur për motivin  e dhënies së një premiere pa publik tha se ‘dëshira dhe dashuria’ bëri gjithçka të mundur.

“Kjo ke situatë e jashtëzakonshme gjithkah dhe kjo situatë na preku edhe neve. Kjo ka qenë hera e parë që ne e kemi ditur se do të jemi pa publik por dëshira dhe dashuria për këtë shfaqje, për njëri-tjetrin na ka shtyrë që të vazhdojmë përpara”.

Në një intervistë për KultPlus, regjisorja e shfaqjes, Zana Hoxha, u shpreh e lumtur për shfaqjen teksa tregoi se kujt iu dedikua.

“Jam jashtëzakonisht e lumtur. Se kemi pritur një numër të publikut që kanë ardhur sonte, jam e lumtur që u pritë mirë nga kolegët nga publiku, po ndihem e emocionuar po ashtu sepse është 12 qershori, Dita e Çlirimit të Kosovës. Siç e patë në fund, shfaqja u dedikohet të gjithë adoleshentëve të rënë në luftë pa dallim gjinie, race e nacionalitetit”.

Pavarësisht se shfaqja ishte e mbyllur për publikun e gjerë, Hoxha tha se ajo ndihet e bekuar me ata që ishin.

“Jam shumë e emocionuar, shfaqja qe e mbyllur për shkak të pandemisë por sërisht ne e mbushëm një pjesë të mirë të sallës dhe me këtë publik kaq të mirë që ishte sonte, unë ndihem e bekuar” Në fund, Hoxha shprehu bindjen se ata ia kishin arritur qëllimit për trajtimin e temave që kishin planifikuar.

“Mendoj se nuk ka pasur mënyrë tjetër përpos kësaj çfarë pamë për t’i trajtuar ato tema. Jam shumë e kënaqur dhe mendoj se ia kemi arritur qëllimit”.  

Mbrëmja u mbyll me diskutimet e zakonshme të publikut në hollin e Teatrit Kombëtar ku regjisores Hoxha po i shprehnin përgëzimet e po i dhuronin buqeta lulesh. / KultPlus.com

Fragment nga novela “Natë fantastike”, Stefan Zweig

Shkruan: Stefan Zweig

“Njerëzit më braktisnin, gratë vinin dhe shkonin, nuk ndihesha aspak ndryshe, nga ai që rri në dhomë dhe e sheh shiun në xhama, mes meje dhe ngjarjeve të papritura gjendej diku një mur i çelqtë, të cilin nuk kisha forcë ta shembja me vullnet.

Megjithëse e ndjeva qartë këtë tani, kjo njohje nuk më solli asnjë shqetësim, meqenëse, e thashë pra, që unë dhe gjërat që më përkisnin i merrja me indiferencë. As për të vuajtuar nuk më kishin mbetur më ndjenja.

Me mjaftonte që ky defekt shpirtëror ishte shumë pak i dukshëm jashtë, pak a shumë si impotenca fizike e një mashkulli që kuptohet vetëm në çastet intime, dhe unë qëndroja shpesh në shoqëri duke e demostruar admirimin përmes një pasioni artificial, përmes ekzagjërimeve spontane të mallëngjimit për të fshehur, se sa i thatë dhe sa mospjesmarrës isha përbrenda.

Ne dukje jetoja përsëri jetën time të vjetër, të këndëshme, të shpenguar, pa e ndryshuar drejtimin e saj; javë, muaj, shkisnin lehtë dhe ktheheshin ngadalë në vite pa e kuptuar.”

– Stefan Zweig“Natë fantastike”