Seksizmi është një dukuri e shoqërisë që paragjykon, stereotipizon dhe diskriminon gratë. Kjo dukuri është pjesë e sferave të ndryshme publike, duke filluar nga sjelljet tona e deri te tekstet e këngëve. Stereotipizimin dhe diskriminimin gjinor e ka ndihmuar shumë edhe përmbajtja e këngëve sepse ato kontribuojnë dukshëm në krijimin e (pa)vetëdijshëm të modeleve gjinore.Gjuha seksiste në këngë është nënprodukt i kulturës shqiptare, ku mendimi se gratë janë thjesht objekte seksi, se ato i përkasin veç punëve të shtëpisë, është i forcuar thellë në mentalitetin tonë.
Këngët janë pjesë e përditshmërisë e çdo njërit prej nesh, sepse u ekspozohemi vazhdimisht, kudo që shkojmë, andaj nëse nuk reagojmë ndaj teksteve seksiste, kjo i bie që ne i pranojmë si normale. Duke filluar nga këngët popullore e deri tek ato rep (si më të dëgjuara nga rinia) përmbajnë ofendime të ndryshme ndaj gruas. Ka shumë studime lidhur me tekstet seksiste nëpër këngë kudo në botë, por në Kosovë kjo çështje ka mbetur e lënë anash , sepse nuk ka asnjë studim rreth kësaj teme.
Joshua West dhe P.Cougar Hall, profesorë nga Universiteti i Brighamit, në vitin 2012 analizuan 100 këngët më të mira të viteve 1959, 1969, 1979, 1989, 1999 dhe 2009 dhe si përfundim ata zbuluan se sekzismi nëpër këngë u rrit në mënyrë dramatike gjatë viteve 1999 dhe 2004, atëherë kur repi filloi të dëgjohet më shumë.
Në Kosovë edhe pse nuk ka studime rreth seksizmit si dukuri nëpër këngë, ekziston një bindje që seksizmi nuk ka lindur bashkë me zhanrin hip-hop e rep. Si shoqëri e cila në të kaluarën është mbështetur në Kanunin e Lekë Dukagjinit, seksizmi nëpër këngë gjithmonë ka qenë i shprehur, por në mënyrë pak më të fshehur. Në këngët patriotike edhe nëse gruas i janë referuar si e fortë, gjithmonë e kanë quajtur “burrneshë” sepse në mentalitetin tonë, vetëm burrat shihen si të fortë. Një këngë e dedikuar heroinës Shote Galicës përmban tekst si “Kjo Kosovë ka dhanë shumë trima, që s’harrohen kurrë, heroinë Shote Galica, që luftoi si burrë”.
Ndërsa në këngë të dasmave dëgjon vargje si “Duhet nusja me punu se thojnë nana se ka msu kohë e vjetër, kohë e re gëzohet vjehrra ka marr re” ku qartë përcjellet një mesazh i cili veç sa e përforcon mentalitetin shtypës, sepse ngjall ndjenjën detyruese ndaj gruas, se ato duhet të bëjnë patjetër punë shtëpie, “hyzmet”, të plotësojë gjithë kërkesat e burrit e të mos ketë detyrime të tjera përpos familjes.
Për shumë njerëz, muzika është thjesht muzikë, që ka vetëm qëllim argëtimi e që nuk mund të ketë efekte serioze, mirëpo të kundërtën e kësaj e thotë studiuesi i sjelljeve Steven C. Martino. Në studimin e tij të titulluar “Ekspozimi ndaj teksteve degraduse kundrejt teksteve jo-degraduese dhe sjelljet seksuale mes të rinjve” ku kanë qenë të gjurmuar një grup adoleshentësh për rreth 3 vite rradhazi, për të vlerësuar lidhjen mes muzikës që dëgjuan dhe sjelljen e tyre. Tekstet degraduese në këtë studim u përcaktuan ato tekste që portretizuan gjininë femërore si objekt seksi. Nga ky studim ata zbuluan se tekstet seksiste krijojne shkallë më të lartë të aktivitetit seksual tek të rinjtë, në aspektin degradues. Ndërsa si përfundim ata kishin theksuar se “vargjet muzikore bëjnë më shumë se sa që hyjnë dhe dalin nga veshi I njeriut, sepse muzika nxit sjellje”.
Po ashtu në vitin 2013, Anne Rogers (profesoreshe e sociologjisë në Universitetin e Georgia-s) bëri një studim të quajtur “ Sexism in Unexpected Places: An analysis of country music lyrics” (Seksizmi në fusha të pamenduara: Analizë e teksteve të muzikës popullore) ku rëndësia e përmbajtjes lirike të një kënge është po aq e rëndësishme sa përgjigjja ndaj këngës sepse vetë teksti mund të ndikojë drejtpërdrejt ose indirekt në përgjigje. Sipas Rogers, janë 7 mënyra të përhapjes së seksizmit në tekste, ku mund të bëjmë ndërlidhje të mënyrave, me disa prej teksteve shqip:
1) Përshkrimi i grave në role tradicionale gjinore – një pjesë teksti e këngës së titulluar “gruja e mirë e gruja e keqe:
“një gru e keqe me të ra në hise
Nuk të vyen gja as për bisht fshise
Ta bën shpinë lomsh e tojë
Besa mundet me t’ba hore” ndërsa vazhdon
“gruja e mire kqyr familjen e burrin e vet
Punt e fshise e magjatoren, asnje nuk e len o mbas dore”
2. Përdorimi i fjalëve që portretizojnë gruan si inferiore (mos lëndo një femër se ajo është motra e vllaut, e fat i një djali)
3. Përdorim I fjalëve që nënkuptojnë se vlera e një gruaje përcaktohet nga pamja e jashtme ( u nala e kqyra mirë, shumë e keqe ish kon, ftyrën llom e pa dhom, kesh I pit ajt se bon)
4. Fjali që sugjerojnë se një grua është objekt e vecanërisht seksual (hiq une s’e du, jena **, kurgjo ma shumë, shpinë pa e pastru nuk guxon kërku me shku)
5. Duke i’u referuar grave si strippers ose si ndonjë punëtore e seksit( s’kena kontakt po e gjojna naj mnyrë, jom ardh me ** e jo veç me kqyr)
6. Duke i’u referuar dhunës (në forma të ndryshme) ndaj grave në mënyrë pozitive ( nuk po di, a me i sha a me i pshty..)
7. Duke i’u referuar detyrimit të akteve seksuale ndaj një gruaje (e nese nuk e ki, lype lype,
femnen ma t’mire, hype hype). Tekste të tilla u mësojnë shoqërisë (sidomos të rinjve) se objektivizimi i grave është i pranueshëm si dhe e normalizojnë këtë aspekt.
Një këngë që nuk respekton gruan, është e papranueshme sepse paraqesin një imazh jo real të gruas dhe ushqejnë mentalitete të gabuara. Ka edhe shumë këngë shqipe që barazojnë gruan me një perëndeshë, mirëpo ky fakt asnjëherë nuk merret si justifikim për tekstet tjera degraduese.
Këngëtarët shqiptarë kanë në bagazhin e tyre muzikor(ndoshta edhe pa vetëdijen e tyre) tekste që paraqesin gruan si asgjë më shumë se sa një objekt seksi (në rep) dhe shërbyese në shtëpinë e burrit (në këngë popullore) ndërsa në zhanre tjera shpeshherë shfaqin gruan si inferiore.
Seksizmi si një dukuri në këngë duhet të mbetet prapa në histori, sepse muzika seksiste potencialisht shkakton që dëgjuesit të mbështesin ideologji të tilla. Djemtë dhe vajzat, idenë fillestare për rolet dhe karakteristikat e caktuara gjinore e marrin nga ato që shohin dhe dëgjojnë më shpesh. Hapi i parë për të luftuar seksizmin në shoqëri, është aspekti kritikues i këtyre këngëve. Nëse përpiqemi të analizojmë dhe kritikojmë diçka që na servohet, përcaktojmë që nuk duam t’i normalizojmë në shoqërinë tonë.
Fakti pse njerëzit pranojnë këto lloj tekste mund të jetë e lidhur me shoqërinë patriarkale të zhvilluar ndër vite ku tradicionalisht i ka nënshtruar dhe shtypur gratë. Këngët shqipe mbështeten fort në këtë mentalitet, por ky përforcim mentaliteti nuk mund të shihet i drejtë, në asnjë mënyrë.Në momentin që populli nuk po e sheh si diçka shqetësuese diskriminimin dhe ofendimin daj grave, do të vazhdojmë me mentalitetin tradicional shtypës ndaj grave si dhe do të vijmë në një pikë ku kjo do të duket normale dhe aspak shqetësuese. /KultPlus.com
Giuseppe Garibaldi lindi në Nice më 4 korrik 1807. Një personazh i shqetësuar dhe i etur për aventura, që në një moshë shumë të re ai u nis si detar për të ndërmarrë jetën në det.
Më 1832, gati njëzet e pesë vjeç, ai ishte kapiten i një anijeje tregtare dhe në të njëjtën periudhë ai filloi të afrohej në lëvizjet patriotike evropiane dhe italiane (siç është, për shembull, lëvizja Mazziniane “Giovine Italia”), dhe të përqafojë idealet e tyre të lirisë dhe pavarësisë.
Më 1836 ai zbarkoi në Rio de Janeiro dhe nga këtu filloi periudha, e cila zgjati deri më 1848, në të cilën ai u angazhua në ndërmarrje të ndryshme të luftës në Amerikën Latine.
Ai lufton në Brazil dhe Uruguaj dhe grumbullon një përvojë të madhe në taktikat guerile bazuar në lëvizje dhe veprime surprizë. Kjo përvojë do të ketë vlerë të madhe për stërvitjen e Giuseppe Garibaldit si si një drejtues luftimesh, ashtu edhe si një takticien i paparashikueshëm.
Më 1848 u kthye në Itali ku shpërtheu lëvizjen e pavarësisë, me Pesë ditët e famshme të Milanos. Më 1849 ai mori pjesë në mbrojtjen e Republikës Romake së bashku me Mazzini, Pisacane, Mameli dhe Manara, dhe ishte shpirti i forcave republikane gjatë luftimeve kundër aleatëve francezë të Papës Pius IX. Fatkeqësisht, republikanët detyrohen të pranojnë epërsinë e forcave të armikut dhe Garibaldi detyrohet të braktisë Romën më 2 korrik 1849.
Nga këtu, duke kaluar mënyra shumë të rrezikshme përgjatë të cilave ai humbet shumë shokë besnikë, ndër të cilët gruan e dashur Anita, ai mundi të arrijë në territorin e Mbretërisë së Sardenjës.
Pastaj fillon një periudhë e endjes nëpër botë, kryesisht në dete, e cila më në fund e çon atë në Caprera më 1857.
Garibaldi megjithatë nuk braktis idealet për bashkimin e Itailisë dhe më 1858-1859 ai takohet me Cavour dhe Vittorio Emanuele, të cilët e autorizojnë atë për të formuar një organ të vullnetarëve, një organ që quhej “Cacciatori delle Alpi” dhe në komandën e të cilit u vendos vetë Garibaldi.
Merr pjesë në Luftën e Dytë të Pavarësisë duke arritur suksese të ndryshme, por armëpushimi i Villafranca ndërpret operacionet dhe Gjuetarët e tij.
Më 1860 Giuseppe Garibaldi ishte promovues dhe drejtues i ekspeditës së Një Mijëve; ngre spirancën nga Quarto (Gjenovë) më 6 maj 1860 dhe zbarkon në Marsala pesë ditë më vonë. Nga Marsala fillon marshimi i tij triumfal; mund Bourbonët në Calatafimi, arrin në Milazzo, merr Palermon, Messinan, Siracusen dhe çliron plotësisht Siçilinë.
Më 19 gusht ai zbarkon në Kalabri dhe, duke lëvizur shumë shpejt, bën kërdi në linjat e Bourbonëve, pushton Reggion, Cosenzan, Salernon; më 7 shtator hyn në Napolin e braktisur nga Mbreti Francesco II dhe më në fund mposht Bourbonët në Volturno.
Më 26 tetor Garibaldi u takua në Vairano me Vittorio Emanuele II dhe vuri territoret e pushtuara në duart e tij: ai pastaj u tërhoq përsëri në Caprera, gjithmonë i gatshëm për të luftuar për idealet kombëtare.
Më 1862 ai u vu në krye të një ekspedite të vullnetarëve në mënyrë që të çlironte Romën nga qeveria papale, por ndërmarrja u kundërshtua nga Piemonte, kështu që u ndalua më 29 gusht 1862 në Aspromonte.
I burgosur dhe më pas i liruar në Caprera, ai mbeti në kontakt me lëvizjet atdhetare që veprojnë në Evropë.
Më 1866 ai mori pjesë në Luftën e Tretë të Pavarësisë nën komandën e Departamenteve Vullnetare. Ai vepron në Trentino dhe këtu arrin fitoren e Bezzecca (21 korrik 1866), por, përkundër situatës së favorshme në të cilën nodhej kundër austriakëve, Garibaldi duhet të pastrojë territorin e Trentinos me urdhër të piemontasve, të cilëve iu përgjigjet me “Obbedisco” – “Unë bindem “, që mbeti e famshme.
Më 1867 ai drejtoi përsëri një ekspeditë që synonte çlirimin e Romës, por përpjekja dështoi me humbjen e forcave garibaldine në Mentana përballë forca Franko-Papale.
Në vitin 1871 ai mori pjesë në ndërmarrjen e tij të fundit të luftës përkrah francezëve në luftën Franko-Prusiane, ku, megjithëse ai mundi të arrijë disa suksese, asgjë nuk mund të shmangte humbjen përfundimtare të Francës.
Më në fund u kthye në Caprera, ku kaloi vitet e fundit dhe ku vdiq më 2 qershor 1882. /Voal /KultPlus.com
Një nga presidentët më të pëlqyer nga amerikanët, Franklin Delano Roosevelt, njohur ndryshme edhe si FDR (shkronjat e pra të emrit të tij), drejtoi SHBA-në me sukses gjatë Depresionit të Madh dhe Luftës së Dytë Botërore. Programi i tij qeverisës (New Deal) Marrëveshja e Re krijoi vende pune, lejoi hapësira për sindikatat, reformoi vendin me anë të rregullimit të Wall Street dhe sistemit bankar kombëtar, dhe siguroi një rritje ekonomike të qëndrueshme. Disa nga programet e realizuara prej tij si Siguria Sociale dhe Korporata e Sigurimit të Depozitave Federale, janë shumë të rëndësishme ende.
Edhe pse ai u përpoq të mbante Amerikën neutrale gjatë Luftës së Dytë Botërore, duke mbështetur gjithnjë aleatët, por pas sulmeve në Pearl Harbor, Roosevelt e çoi Amerikën në luftë të drejtpërdrejtë. Udhëheqja e tij rezultoi një strategji efikase në luftë pasi mundësoi shkatërrimin përfundimtar të nazistëve dhe fuqive të Boshtit. Shumë historianë mendojnë se hyrja e SHBA-së në luftë ishte një pikë kthese, e pikërisht kjo e bëri Rooseveltin një president të njohur. Franklin kujtohet si një politikan i madh, nga modeli qeverisës i të cilit mund të përfitohet mjaft. Franklin D. Roosevelt udhëhoqi popullin amerikan gjatë një momenti shumë të rëndësishëm të historisë së SHBA-së. Në prag të një lufte të madhe botërore, kur vendi ishte ekonomikisht i shkatërruar, u desh një njeri i fortë, si Franklin, që t’i trajtonte në mënyrë strategjike këto kriza. Presidenca e Roosevelt la një trashëgimi, që e bën atë një emër të madh të familjes së tij. Gjatë viteve ka ndodhur të harrohen disa prej presidentëve të SHBA-së, por me Franklin Roosevelt, që drejtoi dymbëdhjetë vjet, vështirë të ndodhë kjo. Reformat e ndërmarra nga Roosevelt e radhisin atë në krye të listës së presidentëve. Franklin Roosevelt ishte presidenti me moshë të re, që e solli Amerikën në epokën moderne të shekullit XX. Njeriu i fortë, i cili mposhti sëmundjen dhe paaftësinë për të udhëhequr një komb në luftë, mbetet një figurë historike që do të vlerësohet dhe respektohet edhe nga brezat e ardhshëm.
Si u formua personaliteti i Franklin Roosevelt
Franklin, edhe pse një president i lavdishëm, nuk ka qenë asnjëherë një nxënës dhe student i shkëlqyer. Ai deri në moshën 14-vjeçare mësoi në çifligun familjar Springwood. Më vonë u dërgua në shkollën përgatitore në Groton, ku shkonin fëmijët e familjeve të pasura, dhe më tej ndoqi studimet në Harvard. Ai mori nota mesatare në të gjithë shkollën dhe madje edhe gjatë shkollës së drejtësisë. Ai u diplomua në Harvard për histori, dhe më vonë ndoqi studimet për drejtësi në Universitetin e Columbias, por i ndërpreu ato pasi dha provimin e avokatisë. Edhe pse pa një diplomë në drejtësi, ai u përpoq të fillonte karrierën si avokat deri sa vendosi të hynte në shërbimin publik. Ashtu siç ndodh te shumë njerëz të suksesshëm, shkollimi i tij në fillim nuk ishte një tregues i vërtetë i asaj që Franklin Roosevelt do të ishte në gjendje të realizonte më vonë në jetë. Përkundër atij suksesi të madh që arriti si një udhëheqës i fuqishëm, Franklin nuk kishte një edukim shumë të fortë formal. Sot do të ishte shumë e vështirë që dikush të bëhet president pa një arsimim të fuqishëm, dhe sidomos pa një prapavijë të fortë ligjore. Edhe pse nuk shkëlqeu në shkollë, Franklin Delano Roosevelt mësoi shumë nga përvoja e jetës. Kjo e ndikoi atë në marrjen e vendimeve shumë të zgjuara gjatë karrierës së tij presidenciale. Franklin ishte kushëriri i pestë i Theodore Roosevelt, Presidentit të 26-të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ai erdhi nga një familje shumë e privilegjuar, e cila kishte shumë të afërm me ndikim të madh në politikë dhe fusha të tjera. Krenar për prejardhjen e familjes së tij, Franklin pohonte se kishte lidhje me njëmbëdhjetë Presidentë të SHBA-së, si edhe njerëz të famshëm si Robert E. Lee, Jefferson Davis, Mbretëresha Elizabeth dhe Winston S. Churchill. Kjo tregon se aftësitë udhëheqëse të Franklin ishin në linjën e gjakut të tij.Franklin lidhi martesë me Eleanor Roosevelt, mbesën e Theodore Roosevelt. Eleanor ishte grua e zgjuar dhe e mirëarsimuar për kohën e saj. Ajo ndikoi shumë në “New Deal” (Marrëveshjen e Re), si dhe ndihmoi Franklinin në reformat e nevojshme gjatë Depresionit të Madh.
Një Roosevelt ndryshe në politikë
Edhe pse Franklin erdhi nga një linjë e gjatë politikanësh, ai ishte i pari demokrat në familjen e tij. Të gjithë Rooseveltët përfshirë dhe Theodorin, ishin republikanë. Në fakt, vendimi i tij për të qenë një demokrat e ndihmoi të fillonte karrierën politike. Në zgjedhjet për Senatin e Shtetit të Nju Jorkut, në vitin 1910, edhe pse kandidonte me siglën e demokratëve, ai u votua kryesisht për shkak të emrit të familjes së tij. Vetëm një demokrat kishte mundur të fitonte në Kontenë e Dutchess, zona ku kandidonte Franklin, që nga viti 1856. Atë kohë, shumë njerëz ende kujtonin me respekt të madh Theodore Rooseveltin, ndaj dhe Partia Demokratike vendosi të kandidonte atje një Roosevelt demokrat. Franklin fitoi me diferencë votash dhe kjo shënoi nisjen e karrierës së tij politike. Roosevelt kishte një karrierë premtuese sepse më herët ai kishte shërbyer si senator i shtetit dhe Ndihmës Sekretar i Marinës. Në vitin 1920, ai konkurroi për një biletë në Shtëpinë e Bardhë, për zëvendëspresident, teksa guvernatori i Ohios, James Cox ishte kandidat për Presidentit. Ata humbën në betejën elektorale me Warren G. Harding dhe Calvin Coolidge. Kjo nuk e pengoi Franklin të vazhdojë shërbimin në poste publike.
Presidenti në karrigen me rrota
Franklin Roosevelt u paralizua pas një goditjeje nga poliomieliti në vitin 1921. Ai nuk e la paaftësinë fizike ta ndalonte për t’u marrë me politikë. Roosevelt u përpoq pareshtur të gjente një kurë për sëmundjen e tij. Për një kohë, ai u tërhoq për shkak të sëmundjes, por bashkëshortja Eleanor dhe Louis Howe e inkurajuan të vazhdonte më tej. Roosevelt punoi shumë në përmirësimin e imazhit fizik dhe politik. Ai mësoi të ecte vetë në distanca të shkurtra. Franklin kujdesej të mos shfaqej në publik duke përdorur karrigen me rrota. Asnjëherë nuk deshi të mësohej nga publiku aftësia e tij e kufizuar. Roosevelt i mbajti larg mediat nga ky problem, ndaj ekzistojnë vetëm tre foto që e tregojnë atë në karrigen me rrota. Paraliza e Franklin e solli poliomielitin në vëmendje publike. Mijëra jetë janë kursyer nga çrrënjosja e kësaj sëmundjeje. Për zbulimin e vaksinës kundër poliomielitit ka meritë edhe Roosevelt, pasi nxiti hulumtuesit. Pas disa mosmarrëveshjeve me persona me ndikim në Partinë Demokratike të Nju Jorkut, Roosevelt u shfaq në paqe me ta në Konventat Kombëtare të vitit 1924 dhe 1928 për të emëruar guvernatorin e Nju Jork, Al Smith si kandidat për president. Kjo e rriti ekspozimin e tij kombëtar, ndaj dhe Al Smith i kërkoi të kandidonte për guvernator i Nju Jorkut, në vitin 1928. Roosevelt fitoi me rezultat të ngushtë, por ky triumf i dha besimin të kuptonte se ylli i tij politik ishte në ngjitje. Si guvernator, ai besonte në një qeveri progresive që krijonte programe të reja sociale. Në vitin 1930, republikanët u fajësuan për Depresionin e Madh dhe Franklin Roosevelt ndjeu se kishte ardhur koha e triumfit. Ai filloi përgatitjen për një kandidim në zgjedhjet presidenciale. Shpesh bënte thirrje publike për ndërhyrjen e qeverisë në ekonomi, që të siguronte lehtësi, shërim përmes reformave. Qasja e tij optimiste, pozitive dhe përvoja personale e ndihmuan të fitonte ndaj kandidatit republikan Herbert Hoover, për president, në nëntor të viti 1932. Kur Roosevelt mori detyrën, në mars të vitit 1933, Amerika numëronte 13 milionë të papunë dhe qindra banka ishin mbyllur. Roosevelt u përball me krizën më të madhe në historinë e SHBA-së që nga Lufta Civile. Në 100 ditët e para si presidenti Franklin Roosevelt propozoi reformë të thellë ekonomike materializuar në programin “Marrëveshja e Re”. Ai urdhëroi mbylljen e përkohshme të bankave për të ndaluar tërheqjen e depozitave. Ai formoi një “Task Forcë” me ekspertë ekonomikë, të cilët projektuan agjencitë për të mbështetur fermerët, punësuar të rinjtë, rregulluar pagat e çmimet, siguruar depozitat bankare, rregulluar tregun e aksioneve, subvencionimin e kolateralëve etj. Që nga viti 1936, ekonomia tregoi shenja përmirësimi. Produkti i Brendshëm Bruto u rrit me 34 për qind, dhe papunësia ra nga 25 për qind në 14 për qind. Por, Franklin Roosevelt u përball me kritika për rritjen e shpenzimeve qeveritare, buxhet të çekuilibruar, dhe se e kishte çuar vendin drejt socializmit. Disa akte të Marrëveshjes së Re u deklaruan jo kushtetuese nga Gjykata e Lartë e SHBA-së. Në vitin 1938, opinioni jo pozitiv për qeverisjen, rritja e ngadaltë ekonomike dhe fitoret e republikanëve në zgjedhjet e ndërmjetme, nuk i dha mundësinë Rooseveltit të kalonte legjislacionin e reformës.
Lavdia e një udhëheqësi të madh
Që nga fundi i Luftës së Parë Botërore, Amerika kishte adoptuar një politikë izolacioniste në politikën e jashtme. Në fillim të viteve 30-të, Kongresi miratoi aktet e neutralitetit të SHBA-së, duke parandaluar ndërhyrjen e saj në konfliktet e huaja. Në vitin 1933, Franklin D. Roosevelt largoi vendin nga parimi i njëanshëm i Doktrinës Monroe dhe themeloi politika të fqinjësisë së mirë me Amerikën Latine. Megjithatë, me lindjen e konflikteve ushtarake në Azi dhe Evropë, Roosevelt ka kërkuar mënyra për të ndihmuar Kinën në luftën me Japoninë dhe deklaruar se Franca dhe Britania e Madhe ishin “Vija e parë e mbrojtjes” së Amerikës nga Gjermania naziste. Në vitin 1940, Roosevelt nuk ishte shprehur publikisht se do të kandidonte për një mandat të tretë presidencial. Por duke parë fitoret e Gjermanisë në Evropë dhe dominimin në rritje të Japonisë në Azi, ndjeu se vetëm ai kishte përvojën dhe aftësitë për të udhëhequr Amerikën në situata të tilla. Në Konventën Kombëtare të Partisë Demokratike në Çikago, Roosevelt i sfidoi të gjithë kundërshtarët dhe doli kandidat për president i demokratëve. Në nëntor 1940 ai fitoi zgjedhjet presidenciale kundër republikanit Wendell Willkie. Gjatë vitit 1941, Franklin Roosevelt inkurajoi fabrikat e SHBA-së të bëhen një “arsenali i demokracisë” për aleatët – Francën, Britaninë dhe Rusinë. Mizoritë e luftës i detyruan amerikanët të ishin më pak izolacionistë. Roosevelti shfrytëzoi qëndrimin e patundur kundër Fuqive të Boshtit si Gjermania, Italia dhe Japonia për të marrë mbështetjen dypartiake në Kongres për rritjen e numrit të ushtarëve që merrnin pjesë në furnizimin e Aleatëve. Shpresat për të mbajtur SHBA-në larg luftës përfunduan me sulmin japonez në Pearl Harbor, më 7 dhjetor të vitit 1941. Gjatë Luftës II Botërore, Komandanti i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura, Franklin Roosevelt, ndihmoi në realizimin e një strategjie efikase për të fituar mbi Gjermaninë në Evropë dhe Japoninë në Azi e Paqësorin Lindor. Gjatë kësaj kohe, Roosevelt promovoi formimin e Kombeve të Bashkuara. Në shkurt të vitit 1945, ai mori pjesë në Konferencën e Jaltës së bashku me kryeministrin britanik, Winston Churchill dhe sekretarin e përgjithshëm sovjetik, Josif Stalin, për të diskutuar riorganizimin e pasluftës. Pas Konferencës së Jaltës ai u kthye në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por shëndeti jo i mirë e dha goditjen. Pasditen e 12 prillit të vitit 1945, Roosevelt pësoi hemorragji cerebrale dhe u shua. Vdekja e Franklin Roosevelt tronditi publikun amerikan.
Një lider i sprovuar
Franklin D. Roosevelt ishte udhëheqësi më i rëndësishëm i shekullit të 20-të. Ai shpëtoi demokracinë amerikane nga Depresioni i Madh, udhëhoqi aleatët në fitoren mbi diktatorët, dhe triumfoi në katër palë zgjedhje të njëpasnjëshme. Fitorja e tij merr edhe më shumë vlera pasi dihet se vuante paaftësinë fizike, pas prekjes nga Poliomieliti në vitin 1921. Drejtimi që Franklin i bëri SHBA-së tregon efektivitetin e dukshëm të qeverisjes, një shembull i mirë për politikën e sotme. Roosevelt ishte një udhëheqës i ndërlikuar, i diskutueshëm, por çdo kombinim i ADN-së dhe përvojës e bëri atë të ishte jashtëzakonisht efektiv, sidomos në mandatin e tij të parë dhe të tretë, dhe pasardhësit e kanë parë vazhdimisht atë si një nga udhëheqësit më të fuqishme në historinë e SHBA. Një nga parimet e drejtimit të tij ishte; “Qëllimet mbaji të sigurta, mjetet për ti arritur ato fleksibël”. Fakt është se në vitet 1939-1941, Roosevelt e transformoi Amerikën nga një fuqi e mesme e ndarë dhe në mëdyshje në një udhëheqëse globale. Ai e shtyu izolimin në skajet e jetës kombëtare dhe e tërhoqi vendin në luftë, një veprim ky i kryer me kujdes dhe finesë. Franklin i ndryshonte vazhdimisht taktikat, por pas tyre gjithnjë dallohej synimi i qartë dhe i palëkundur. Për të realizuar synimet e tij, Roosevelt e ktheu qeverinë në një anije me vela, që ecte e fiksuar vetëm drejt progresit, edhe pse ndonjëherë lëkundej, por më në fund e ankoronte atë në portin e zgjedhur prej tij. Suksesi i udhëheqjes së Roosevelt ishte bashkëpunimi; “Ju jeni më të fortë kur punoni me të tjerët”, shprehej FDR. Për shkak të paralizës, pasojë e poliomielitit, Roosevelt u detyrua të mbështetet për arritjen suksesit politik dhe mbijetesën e tij, te familja, miqtë dhe bashkëpunëtorët. Në rrethanat që paraprinë Pearl Harborin, ai caktoi pesë burra të jashtëzakonshëm – diplomatin e mirëshkolluar, Sumner Welles, aventurierin dhe drejtuesin e ardhshëm të aktiviteteve të fshehta të inteligjencës (OSS- Zyra e Shërbimeve Strategjike) Republikanin “Wild Bill” Donovan, punonjësin social dhe influent, Harry Hopkins, kandidatin presidencial të Partisë Republikane (GOP-Grand Old Party) Wendell Willkie, dhe biznesmenin e diplomatin Averell Harriman. Roosevelt i dërgoi ata në misione të veçanta në Europë, që ishin vendimtare për luftën dhe Amerikën e shekullit XX. Pesë të dërguarit ishin frymëzimi dhe instrumentet e politikës së jashtme të Franklin D. Roosevelt. Përvoja e Roosevelt na mëson se: “Të jesh në dijeni të veprimeve të kundërshtarit”, është domosdoshmëri për jetëgjatësinë politike të një lideri. Filozofi dhe diplomat i kohës së luftës Isaiah Berlin ka vërejtur se Franklin Roosevelt besonte në “fleksibilitet, improvizim, trajtimin e personave dhe shfrytëzimin e burimeve të shumëllojshme në mënyra të reja dhe të papritura”. I vendosur për ta neutralizuar krahun izolacionist të Partisë Republikane, ngriti në nivele ndërkombëtare republikanin, Wendell Willkie. Ndokush mendonte se nuk do të ishte e mundur që një ish-rival presidencial t’i shërbente qëllimeve të Rooseveltit, por gaboi. Në të vërtetë, ai zotëronte një shkallë të tillë të lartë të besimit në vete, se koncepti i tij i udhëheqjes së presidencës krejtësisht pa vështirësi apo shqetësim është në thelb shëmbëlltyrë e vetë personalitetit të tij. Besimi i Roosevelt mundësoi mospajtimin e presidentit me këshilltarët kur duhet të merreshin vendime të rëndësishme, mbështetja e tij e hershme për Britanisë në fillim të Luftës së Dytë Botërore shushati shumica e tyre. Zëvendëspresident, guvernator në Nju Jork, dhe më në fund president, ai pothuajse ia ka kushtuar të gjithë jetën e tij shërbimit publik. “Kurioziteti është një gjë e mirë”. Kjo zinte vend të rëndësishëm në metodat e qeverisjes së Roosevelt. Ai liroi zinxhirët komandues. La mënjanë protokollet dhe krijoi perandorinë ndërthurëse administrative. Shpesh ai ua ndante një detyrë të vetme shumë njerëzve. Kjo ishte metoda e duhur për këtë çmenduri administrative. Duke kërkuar inteligjencës kudo, ai shmangu kapjen pas një burimi të vetëm. Me vendosjen e këshilltarëve të tij kundër njëri-tjetrit, ai testoi fuqinë e argumenteve të tyre. Duke shkrirë autoritetin, ai mbante kontrollin mbi çdo gjë. Roosevelt shquhej për Guximin dhe karakteri i fortë. Ai nuk e lejoi asnjëherë paaftësinë të pushtonte shpirtin e tij. Kjo duket në mënyrën se si ai është marrë me poliomielitin që i shkaktoi paaftësinë fizike kur ishte vetëm 39 vjeç. Të gjithë të njohurit e tij ranë dakord: ai u përball me pafuqinë me kurajë, këmbëngulje, dhe shpresë. Këto tipare të karakterit u shfaqën kur, si udhëheqës dhe komandant i përgjithshëm, ai inkurajoi një komb duke luftuar kundër Depresionit të Madh dhe fuqive të Boshtit në Luftën II Botërore. Studiuesi David Kennedy e quan atë një burrë të provuar në jetën politike dhe madje edhe një pasuri kombëtare. Roosevelt ishte një udhëheqës i përgjegjshëm ndaj detyrës. Ndjenja e shërbimit ndaj vendit i ishte rrënjosur nga prindërit, familja e tij e zgjeruar dhe mësuesit në Groton. Ai kurrë nuk kishte parashikuar ndonjë karrierë tjetër veç asaj të shërbyesit publik. I mprehtë dhe mendjehollë, si kushëri i Theodore, Franklin u ngjit në hierarki nga senator i Shtetit të Nju Jorkut e ndihmës sekretar i Marinës, kandidat presidencial. Shumica e njerëzve pranojnë se ai ishte një lider efektiv. Shkrimtarë të shumtë janë përpjekur të gjejnë cilësitë që e bënë atë tërheqës për ndjekësit e tij. Më mirë se kushdo tjetër historiani David Kennedy ka përshkruar disa nga karakteristikat e Roosevelt. “Presidenti i 32 i SHBA-së, ishte njohës i mirë i situatave, karizmatik, vetëbesues, i angazhuar në shërbimin publik, me karakter të fortë, vizion të qartë për të ardhmen e kombit dhe rolin e SHBA-së në botë, zotëronte aftësi politike për të realizuar një fazë përgatitore perfekt përpara marrjes së një vendimi, etj. Ai zotëronte një kureshtje të madhe, një oreks të pakufi për dije që kombinoheshin me kapacitetin e tij për të absorbuar një gamë të habitshme të fakteve përmes bisedës. Bashkëbisedimi ishte mënyra e tij e preferuar e të mësuarit, ai donte t’i flisnin gjerësisht për çdo gjë”, shkruan David Kennedy.
Presidenti i katër mandateve u shua në krye të detyrës
Para Frankin D. Roosevelt, disa presidentë u përpoqën të kërkonin më shumë se dy mandate, por të tjerë e kanë konsideruar të mjaftueshëm drejtimin e vendit në vetëm dy të tillë. Mund të përmendim këtu Ulysses S. Grant, i cili ka bërë përpjekje për një mandat të tretë, por nuk u pa si kandidat i mundshëm nga partia e tij. I ndryshëm ishte rasti i George Washington, i cili u bë i famshëm për mospranimin e një mandati të tretë, dhe shumë ia atribuojnë pikërisht atij amendamentin që u krijua më pas për të krijuar një qeverisje vetëm në dy presidenca. Franklin Roosevelt është i vetmi që u zgjodh të drejtonte vendin në katër mandate. Pasi këtij shërbimi presidencial të Franklin Roosevelt, u propozua dhe më pas u ratifikuara një amendament, ku përcaktohej një afat për presidencën deri në dy mandate. Njerëzit mendonin se të pasurit e një presidenti që shërbente në kaq shumë mandate mund të çonte në korrupsion politik, pushtet të pakufizuar, për shkak të kohës së gjatë të qeverisjes nga një person. Ka pasur disa tentativa për shfuqizimin e këtij amendamenti, por asnjëra prej tyre nuk ka qenë e suksesshme. Franklin Roosevelt do të mbetet i vetmi që ka shërbyer më shumë se dy mandate në krye të SHBA-së. Ai shërbeu si president për dymbëdhjetë vjet, dhe madje u shua pas vitit të parë të mandatit të tij të katërt, pak para shpalljes së fitores ndaj Japonisë, nga një hemorragji cerebrale më 12 prill, 1945. Nga 44 presidentë të Shteteve të Bashkuara, vetëm tetë prej tyre humbën jetën në mandatin e tyre presidencial. Franklin ishte një nga të paktët që u shua nga shkaqe natyrore. Presidentët; Lincoln, Kennedy, Garfield dhe McKinley, u vranë teksa udhëhiqnin SHBA-në. William Harrison, Presidenti i 9-të i SHBA-së, vdiq në vitin 1841 nga pneumonia, Zachary Taylor, Presidenti i 12-të i SHBA-së, vdiq në vitin 1850 pasi vuante nga disa sëmundje, ndërsa Warren G. Harding, presidenti i 29-të, vdiq nën dyshimin për helm, ndërsa mjekët e tij shkak përcaktuan komplikacionet në zemër. /KultPlus.com
Edhe pse në një situatë aspak të zakonshme për shkak të pandemisë prej COVID-19, mijëra të rinj dhe të reja kurorëzuan suksesshëm rrugëtimin e gjatë në udhën e dijes, që do të jetë vendimtare për të ardhmen e tyre.
Përmes një videomesazhi, kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ka përgëzuar maturantët për këtë arritje dhe këtë gur të rëndësishëm kilometrik në jetën e tyre. “Duhet të jeni shumë krenarë për veten tuaj, sepse diplomimi është ndoshta një nga shpagimet më të rëndësishme, por edhe më të bukura të jetës. Jua them sepse dikur, shumë vite më përpara, kam qenë edhe unë në vendin tuaj. Matura është ndoshta guri më i rëndësishëm kilometrik i jetës tuaj deri më tani! Edhe unë e di, që nuk ka qenë aspak e lehtë! Prandaj, nga thellësia e zemrës sime, por edhe në emër të skuadrës së Bashkisë së Tiranës, ju them, bravo ju qoftë”, theksoi Veliaj.
Veliaj u bëri apel të rinjve se pavarësisht situatës së vështirë që kaloi vendi prej tërmeteve dhe pandemisë, ajo nuk duhet të humbë magjinë e maturës dhe dy arritjet madhore, sikurse përvetësimi i dijes dhe marrja plotësisht në kontroll e drejtimin të jetës. “Edhe pse këtë vit nuk do të mund të blini kostumin apo fustanin e preferuar për ceremoninë e bukur të diplomimit, ashtu siç e do tradita, apo të kaloni natën duke festuar me shoqërinë fundin e shumë viteve djersë dhe mund, mos lejoni që kjo situatë e pazakontë të humbë magjinë e maturës dhe të mos gëzoni për dy arritje madhore të jetës suaj: E para, për përvetësimin e njohurive dhe mësimeve që ju kanë ndihmuar të kuptoni më mirë botën, por edhe veten tuaj. Dhe e dyta, për kapërcimin e kufirit të moshës madhore. Matura është ai çast i jetës ku ju merrni plotësisht në kontroll drejtimin e jetës suaj; do t’i merrni vetë vendimet, nga tani e tutje! Dhe e dini çfarë? Do të merrni vendimin më të rëndësishëm të jetës suaj: Atë se çfarë do të bëheni nga sot e tutje”, tha ai.
Ai u kërkoi atyre që të jenë të fokusuar tek objektivat dhe të punojnë shumë, duke parë gjithmonë drejt së ardhmes, pavarësisht minorancave të zhurmshme. “Me shumë mundësi, pandemitë dhe tërmetet do të ndikojnë në jetën tuaj, duke iu shtyrë që të merrni vendime të bazuara në kompromise jo të lehta. Ashtu si në Bashkinë e Tiranës, ku çdo vendim është një kompromis mes një pakice që shpesh bën zhurmë, që jeton me të shkuarën, por edhe një shumice të heshtur që sheh drejt së ardhmes. Dhe që aspiron më shumë punë, edhe më shumë arritje. Këto jua them edhe nga përvoja sepse këtu në Bashki na është dashur të marrim vendime aspak të lehta. Ndonjëherë, pakicat e zhurmshme të pengojnë për një moment ose për një kohë të caktuar, u shpreh Veliaj.
Si tregues konkret, Veliaj solli disa nga investimet e Bashkisë së Tiranës të cilat në fillim u përballën me kritika nga një pakicë e zhurmshme, por që në fund rezultuan nisma të suksesshme. “Pandemia provoi se shumë vendime të vështira, siç mund të ishte shtimi i korsive të biçikletave apo hapja e parqeve të reja, na shpërblyen me ruajtjen e distancës sociale, me një lëvizje të sigurtë në korsitë e reja kur makinat u ndaluan, me një cilësi të ajrit që u përmirësua, dhe mbi të gjitha, në ruajtjen e shëndetit fizik dhe atij mendor, që është jo më pak i rëndësishëm gjatë gjithë kësaj periudhe të rihapjes së ekonomisë dhe shoqërisë. Mbi të gjitha, tërmetet dhe pandemia na mësuan se paraja nuk blen dhe nuk zgjidh gjithçka në jetë. Bileta e vetme për të ardhmen është dija dhe aftësia që ne kemi për të bashkëpunuar me njëri-tjetrin, për të parë se si gjërat mund të bëhen më mirë”, deklaroi kryetari i Bashkisë.
Veliaj theksoi se ky moment duhet parë jo si vështirësi, por si një mundësi e jashtëzakonshme për të reflektuar se si mund t’i përmirësojmë gjërat. Ndaj ai kërkoi një aktivizim më të madh të të rinjve dhe të rejave nëvendimmarrje. “Bëhuni pjesë e demokracisë, zhvillojeni atë duke marrë pjesë aktive në vendimmarrje, në konsultimet publike. Mund të jenë ato në pallatin tuaj, me administratorët, në lagjen tuaj, me njësitë administrative, në qytetin tuaj, apo në të gjithë vendin. Mbi të gjitha votoni! Vota është e drejta juaj! Dhe, tani që keni një moshë të maturuar, mbas provimeve të maturës, e keni detyrë, por e keni dhe të drejtë që të jepni edhe ju mendimin tuaj, të lidhni edhe ju një kontratë. Nuk ka rëndësi për kë votoni, por është shumë e rëndësishme që vota juaj të hidhet, të numërohet dhe ju të jeni pjesë e aksionerëve të vendimeve që merren për Tiranën, edhe për gjithë Shqipërinë”, theksoi Veliaj.
Ai i siguroi ata se Bashkia e Tiranës është fansja e tyre më e madhe, dhe shumë prej investimeve synojnë pikërisht që ata të rriten më të shëndetshëm fizikisht, më energjikë, më të mirë arsimuar, e që nesër të jenë të gatshëm të marrin stafetën e transformimit të Tiranës në një qytet të qëndrueshëm për 100 vitet e ardhshme. “Këtë vit Tirana feston 100 vjetorin si kryeqytet i Shqipërisë dhe unë jam shumë krenar që si Bashki po investojmë si kurrë më përpara në infrastrukturën arsimore, me ndërtimin e kampusit të ri studentor, 17 shkolla të reja 9-vjeçare dhe të mesme, një rikonstruksion total i çerdheve dhe i kopshteve, dhe me projekte madhore, siç është projekti i “Piramidës”, ku shumë të rinj edhe mosha juaj, do të mësojnë teknologjinë e informacionit dhe do të kenë aftësi të reja për shekullin e dytë të Tiranës kryeqytet. Ambicia ime është t’u lemë të rinjve një qytet ku të rriten më të shëndetshëm fizikisht, më energjikë, më të mirë arsimuar, që nesër të jenë të gatshëm të marrin stafetën e transformimit të Tiranës në një qytet të qëndrueshëm për 100 vitet e ardhshme”, deklaroi Veliaj.
Për realizimin me sukses të provimeve të Maturës, bashkia e Tiranës bëri dezinfektimin e të gjitha shkollave dhe mori masa duke vendosur në dispozicion mjedise shtesë për të respektuar kriteret e distancimit fizik. /KultPlus.com
Diplomati, misionari dhe shkrimtari Charles Telforf Erickson, lindi në vitin 1867 në Ilinois, shkruan KultPlus.
Ai më vonë do t’i kalojë plot 30 vjet në Shqipëri, ku do të bëhet Drejtor i Bordit Amerikan të Misioneve të Huaja në Tiranë dhe Elbasan.
Në vitin 1931 ai dekorohet me titullin “Kalorës i Medaljes së Artë të Skënderbeut” nga Mbreti Zog.
Erickson shkruan vazhdimisht letra dhe artikuj për Shqipërinë të cilat ia drejton Departamentit të Shtetit dhe Presidentëve të SHBA-ve, ndërsa ka lënë edhe disa vepra të pabotuara si:
Shqiptarët, enigma e Ballkanit, ky bëjnë pjesë:
Mbretëria e Vogël, po më tej? Njeriu i vogël dhe kozmosi Unë protestoj e Përse Shqipëria duhet të vendoset nën një mandat amerikan? Ky mik i shqiptarëve njihet edhe për këtë thënie të cilën po e japim më poshtë: “Nuk ka popull më shpirtmirë e më të sjellshëm (gjentil) në Evropë se shqiptarët. Ata, përbëjnë një element të fuqishëm burrërie. Janë besnikë ndaj atdheut dhe japin jetën për fjalën e dhënë”. /KultPlus.com
Galeria “Uffizi” në Firence të Italisë është duke planifikuar të zgjedhë nëntë nga kryeveprat e saj për një projekt që do të nënvizojë rolin që kanë luajtur afro-amerikanët gjatë Renesancës.
Nën nismën “Black Presence”, imazhe të veprave – përfshirë “Portrait of the King of Abyssinia” e Cristofano dell’ Altissimos – do të afishohen online gjatë kësaj fundjave për një varg diskutimesh dhe ngjarjesh të tjera.
“Ideja është që të ofrojmë ushqim për mendje në debatin mbi çështjet racore, që po zënë tash ballinat dhe vendin qendror në skenën e debatit politik”, është shkruar në deklaratën e Galerisë.
Ngjarjet e hapjes përfshijnë një koncert përballë veprës së Piero di Cosimos, “Perseus Freeing Andromeda”, që ka në ballë një muzikant afro-amerikan duke luajtur, transmeton KOHA.
Stafi ka bërë me dije se një seri prej tetë diskutimesh në video do të afishohen në “Facebook” çdo javë gjatë kësaj vere.
“Kryeveprat (e Uffizit) flasin një gjuhë universale që na ndihmojnë jo vetëm të kuptojmë më mirë kohën e tyre, por edhe të kuptojmë të ardhmen që ata donin ta ndërtonin”, ka thënë drejtori i “Uffizit”, Eike Schmidt.
Piktura të tjera përfshijnë edhe “Adoration of the Magi” të Albrecht Dürerit. /KultPlus.com
John Adams (30 tetor 1735 – 4 korrik 1826) ishte jurist, autor, burrë shteti dhe diplomat amerikan. Ai shërbeu si Presidenti i dytë i Shteteve të Bashkuara (1797-1801), Zëvendëspresident i parë (1789-97), dhe si një nga Baballarët Themelues ishte një udhëheqës i pavarësisë amerikane nga Britania e Madhe. Adams ishte një teoricien politik në epokën e Iluminizmit që promovoi republikanizmin dhe një qeveri të fortë qendrore. Idetë e tij krijuese janë botuar shpesh. Ai ishte gjithashtu një mbajtës ditari dhe korrespondent i përkushtuar, veçanërisht me gruan dhe këshilltaren e tij kryesore Abigail, shkruan KultPlus.
Ai bashkëpunoi me kushëririn e tij, udhëheqësin revolucionar Samuel Adams, por ai krijoi rëndësinë e tij para Revolucionit Amerikan. Pas masakrës së Bostonit, pavarësisht ndjenjave të ashpëra lokale anti-britanike, ai i bëri një mbrojtje të suksesshme ligjore edhe pse jo popullore, ushtarëve të akuzuar britanikë, i shtyrë nga përkushtimi i tij për të drejtën për avokat dhe “mbrojtjen e pafajësisë”. Si një delegat nga Massachusetts në Kongresin Kontinental, Adams luajti një rol kryesor në bindjen e Kongresit për të shpallur pavarësinë. Ai ndihmoi Tomas Xheferson në hartimin e Deklaratës së Pavarësisë në vitin 1776, dhe ishte shtytësi kryesor i saj në Kongres. Si diplomat në Evropë, ai ndihmoi të negociojë marrëveshjen eventuale paqësore me Britaninë e Madhe, dhe mori kredi vitale qeveritare nga bankierët në Amsterdam. Adams ishte autori kryesor i Kushtetutës së Massachusetts në vitin 1780, e cila ndikoi teorinë politike amerikane, ashtu si edhe punimi i tij i mëparshëm “Mendime mbi qeverisjen” (1776).
Gjatë shumë letërkëmbimeve Adams ka lënë një sërë thëniesh me shumë vlerë. Sot po e sjellim njërën nga to e cila është gjithmonë e vlefshme:
“Detyrimet ndaj atdheut nuk mbarojnë gjatë gjithë jetës tonë. Duhet të bëjmë gjithçka mundemi”. /KultPlus.com
Flores Rogatierni ishte një shkrimtar francez i shek. XV, i cili shkroi dramën “Skënderbeu, Heroi shqiptar”, dhe e vendos ngjarjen në vitin 1440. Skënderbeu në këtë skenë paraqitet i shkathët, i bukur dhe i zgjuar saqë arrin të mësojë greqishten, turqishten, arabishten qysh në moshën e adoleshencës.
E krahason Skënderbeun me Herkulin e lashtësisë, pasi mposhti skithin gjigand dhe dy fisnikë rusë, vret luanin e uritur dhe fiton simpatinë e pallatit dhe të ushtarëve.
Këto e bëjnë ziliqar edhe vetë Sulltan Muratin, që e ka halë në sy dhe bëri çmos që ta zhdukë.
Fuqia dhe hija e rëndë e Skënderbeut del në pah edhe në monologun e Muratit:
“Një njeri i vetëm gjendet para meje e më ka zënë sytë më ndjek natë e ditë…Ky njeri që nxiu fatin tim, makar të ish dhe nga gjaku, po është i huaj dhe gjaku i tij është gjak shqiptari”. /KultPlus.com
“Ti mund të thuash se jam një ëndërrimtar, por unë nuk jam i vetmi. Shpresoj se një ditë do të na bashkohesh. Dhe bota do të jetojë pastaj si një e vetme.”
“Llogarite kohën tënde përmes miqve që i ke dhe jo përmes viteve. Llogarite jetën përmes qeshjeve dhe jo përmes lotëve.”
“Janë dy forca bazike motivuese: dashuria dhe frika. Kur kemi frikë, ne tërhiqemi nga jeta. Kur jemi të dashuruar, me pasion, ngazëllim dhe miratim hapemi përballë gjithçkaje që na e ofron jeta. Kemi nevojë që fillimisht të mësojm ta duam veten, me të gjithë lavdinë dhe papërsosmërinë tonë. Nëse nuk mund ta duam veten, nuk mund të hapemi plotësisht ndaj aftësisë sonë për t’i dashur të tjerët ose ndaj potencialit tonë për të krijuar. Evolucioni dhe të gjitha shpresat për një botë më të mirë, qëndrojnë mbi guximin dhe vizionin zemër-hapur të njerëzve që e përqafojnë jetën.”
“Kur isha 5 vjeçar, nëna gjithmonë më thoshte se lumturia është çelësi i jetës. Kur shkova në shkollë, ata më pyetën se çfarë dëshiroja të bëhesha kur të rritesha. Unë e shkrova: “I lumtur”. Ata më thanë se nuk e kisha kuptuar detyrën dhe unë ju tregova se ata nuk e kuptonin jetën.”
“Një ëndërr që e ëndërroni i vetëm, është thjeshtë një ëndërr. Një ëndërr që e ëndërroni bashkë me të tjerët është realitet.”
“Jeta është e lehtë, kur e jeton me sy të mbyllur.”
“Në fund gjithçka do të jetë në rregull. Nëse nuk është në rregull, atëherë nuk është fundi.”
“Kur bëni diçka fisnike dhe të bukur dhe askush nuk e vë re, mos u mërzit. Edhe dielli çdo mëngjes e ofron një spektakël të bukur mirëpo prap pjesa më e madhe e audiencë është në gjumë.”
“Zoti është një koncept përmes së cilit ne e masim dhimbjen tonë.”
“Dashuria është një lule që duhet ta lësh të rritet.”
“Jetojmë në një botë në të cilën për të bërë dashuri duhet të fshihemi, përderisa dhuna manifestohet përgjatë gjithë ditës.”
“Ndershmëria ndoshta nuk do të u’a sjell miqt më të mirë, po gjithmonë do t’i sjell ata të duhurit.”
“Nuk ka rëndësi se kë e dashuron, ku e dashuron, pse e dashuron, kur apo si e dashuron. Rëndësi ka që dashuron.”
“Roli im në shoqëri, apo roli i artistit apo poetit në shoqëri është të provojë ta shpreh atë që ne të gjithë e ndjejm. Jo për tu treguar njerëzve se çfarë të ndjejn. Jo si një predikues, jo si një lider, por si një reflektim i gjithë neve.”
“Nëse e dëshiron paqe, nuk do ta marrësh atë me dhunë.”
Rruga e qumështit është çatia e udhëtimeve tona, – më tha dhe u ngrit me vrull duke hedhur përreth kokrrizat e vogla të rërës. Hoqi fundin e verdhë me pala nga ku poshtë tij zbuloi vithet e rrumbullakta në ngjyrë bronxi, nxirë nga dielli i lëbyrët i Qershorit dhe u nis drejt detit duke hequr reçipetat të cilat i hodhi në prag ku bashkohet toka me ujin, bash aty ku dallgët lëpijnë buzët e ngurta të bregut. E vështroja Lindë n që zhytej ngadalë në ujë,nga ku herë pas here kthente kokën nga unë, dhe me sytë e saj të zjarrtë si dy yje të shkëputura nga qielli më vështronte me një shikim ndjellës.
Lëvizte krahët lart e poshtë dhe më thërriste t’i bashkohesha, pa pyetur për shtangien time dhe ndiesitë e mia të turbullta kundrejt saj. Ishte natë e freskët, nga ato netë ku ende stinët nuk janë ndarë nga njëra tjetra dhe era e ngrohtë e verës mbështillet me freskinë e pranverës dhe bashkë, gënjejnë lëkurën që herë shtriqet e hap poret e saj e herë mbushet me morrnica. Nuk arrija ta kuptoja në fakt nëse shkaku i morrnicave ishte vetëm era e freskët apo diçka tjetër. Linda lahej në detin e errët të natës, dhe unë herë pas herë i buzëqeshja asaj, gjithmonë duke nënkuptuar se në atë largësi, ajo do e shquante mimikën time.
E kisha njohur prej pothuajse pesë vitesh Lindën, në një galeri arti ku të rinj nga fusha të ndryshme të artit mblidheshin dhe lexonin poezi nën dritat e ethshme të një projektori të vjetër. Atë natë që takova Lindën, nuk e mbaj mend se çfarë i thashë përveçse një lëmshi fjalësh të pashpjegueshme në formë komplimenti dhe përgjigjen e saj pothuajse identike me lëmshin tim. Të dehur, ne qeshëm njësoj dhe pas disa bisedave shkel e shko me belbëzime dhe klithma kënaqësie e gjetëm veten të shembur në një kolltuk me krahë prej druri dhe të përqafuar si dy dashnorë të moçëm. Linda ishte e gjatë, e imët me flokë te verdha si të lyera me një lloj lëngu shkëlqyes. Dhe në tërë shtatin e saj, këmbët kishte pikën më të fortë.
Fliste pak me droje por kjo mënyrë të foluri nuk ishte aspak një drojë e zakonshme prej një femre që kishte turp, por të flisje pak dhe me zë të ulët për Lindën ishte si të haje pa u mbllaçitur apo të urinoje brenda vrimës së bidesë pa lagur anash pllakat, pra ishte pjesa themelore e sjelljes së saj të cilën ajo e quante herë pas here etikë e domosdoshme e qenies njerëzore. Dhe ajo drojë kaq origjinale i jepte portretit saj prej bronxi të larë në shkëlqim, një pamje fisnike. Të ngjallte respekt teksa filste dhe më vështronte në sy dhe për çdo fjalë apo temë fare pa rëndësi ajo përtypej dhe nën gushë i shquhej një si një dallgë e fshehur që lundronte brenda gurmazit. Fliste ngadalë deri sa lodhej dhe më pas, mes gishtash mbërthente gotën e konjakut dhe e pinte me epsh burrëror. Mandej rehatohej, ndizte cigaren dhe m’i ngulte sytë e zjarrtë si egërsirë, këmbët e gjata i hidhte njëra mbi tjetrën, largonte paksa baluket si fije ari dhe teksa të gjitha këto i aktivizonte si pjesët e një ingranazhi, ia riniste bisedës me po atë qetësi dhe drojë të beftë, të sajën, vetëm të sajën.
Nuk e doja ose më saktë nuk e dashuroja Lindën ose saktë fare e doja shumë por jo siç mund të duhet një femër e zakonshme. Në të vërtetë nuk ka femër të zakonshme pasi të gjitha janë të jashtëzakonshme por Linda, përtej kësaj ishte një krijesë krejt e rrallë. Ose së paku kështu e shikoja unë. Ne kishim udhëtuar kaq herë bashkë. Në male, dete, me çadrën e kampingun mbi shpinë dhe me çantat tona të rrobave. Linda përherë merrte me vete dy bluza, ndërkohë unë merrja tre dhe sapo rehatoheshim në vendet tona të fushimit, ajo rrëmonte brenda çantës sime, dhe merrte një nga trikot e mija për ta veshur. E çuditshme vërtetë por unë përherë merrja një rrobë më shumë se ajo dhe ajo gjithmonë përfundonte duke veshur rrobën time, si në një marrëveshje të fshehtë, të pazakontë.
Pra kjo ishte ajo çka e bënte Lindën mbi-femërore si një qenie metafizike ku mes saj dhe meje ekzistonte vetëm një lidhje e largët transhendentale përmes një filli të padukshëm që rrinte gjithnjë i tendosur dhe ruante saktësisht mes nesh distancën e nevojshme që shndërronte Lindën në një muzë, dhe mua në një jo-dashnor. Ishte ky fill i padukshëm që ngërthente në të si pas një trungu këtë lojë veprimesh të koordinuara saktësisht nga telepatia jonë, nga një parandjenjë e kthyer në zakon apo si një bashkëveprim i mirëkordinuar jo nga ne të dy, jo teknikisht por nga forca e mbinatyrshme e cila qëndronte pezull dhe e padukshme mbi Lindën dhe që efekti i saj mbërrinte der tek unë. Ajo forcë që nuk donte t’ia dinte për joshjet, për lidhjet dhe dashuritë e rralla dhe të lodhshme. Që më kthente mua në një krijesë mizore dhe stoike, që s’pyeste për lëkurën e saj të bronxtë, këmbët e gjata e të lëmuara dhe se përtej të qenit joshëse e egër dhe krejtësisht e rrallë, ajo ishte muza e përjetshme e lidhur me shpirtin dhe ekzistencën time dhe jo me epshet e mija të rëndomta.
Ajo po kridhej në detin e errët dhe hera herës kthehej dhe më thërriste t’i bashkohesha asaj duke përplasur duart mbi kokë. Nata ishte e thellë, me ca yje të zbehura tej e tej dhe vetëm në mesin e qiellit mbi kokën time, udha e qumështit ndrinte si një autostradë ajrore mbushur me automjete të cilat qëndronin në vënd. Toka më ngjante e kthyer së prapthi dhe mendoja se ishim ne që vështronim qiellin nga lart, si në një përmbysje të imagjinuar. Dhe vërtetë Linda nuk gënjente. Në të gjitha udhëtimet tona pothuajse, qielli kishte qënë i kthjellët dhe udha e qumështit e mbërthyer në qendër të tij si një harnë gjigande, ia shtonte hijeshinë atij qielli të zymtë . Edhe atë natë kur me Lindën përfunduam duke fjetur në stolat e lulishtes para shtëpisë muze të një shkrimtari të madh.
Ishte dita e ekzspozitës sime. Kisha këmbëngulur prej kohësh që ekspozita të mos mbahej në Galerinë e Arteve siç ndodhte rëndom por në një ambient më të ngrohtë dhe paksa kontemporan dhe në fund ramë dakord me kuratorin tim që ta mbanim në një shtëpi të vjetër dy katëshe të pabanuar prej kohësh. Po vishesha në studion time. Kur po tentoja të lidhja kravatën, hyri Linda. Në dorë mbante një shishe verë të kuqe. Flokët e kapura bisht i jepnin një pamje prej çupeline, pamje të cilën e përforconte herë pas here me çamçakizin që e frynte dhe e plaste duke shkaktuar një poterë aspak të këndshme. Më puthi në faqe dhe pasi u hodh në kolltuk si e rënë nga qielli, më tha se kishte ardhur të festonte me mua ekspozitën e parë. I thashë që s’kishte asnjë shans sepse për pak në vendin ku do mbahej ekspozita do ia behnin ministri i kulturës dhe drejtori i Galerisë, por ajo duke më parë vengër, shtrembëroi paksa buzët dhe pasi hoqi shikimin nga unë duke e ngulur në parketin e ngjyrosur me pikla boje, ia plasi të qarës si fëmijë. Më kot u mundova ta qetësoj.
E mora pranë vetes dhe e mbërtheva fort siç mbërthen një ushtar në luftë mikun e tij të plagosur dhe pasi ndenjëm ashtu për disa minuta, ajo u tërhoq mënjanë dhe duke fshirë lotët, me një zë të përvajshëm më kërkoi t’i bëja një pikture nudo, ashtu dhe aty ku ishte, në atë kolltuk të pistë dhe të shpëlare nga dielli i kushedi sa viteve që derdhej në studio nga dritaret e mëdha të tavanit. Linda u ngrit dhe me lëvizje të shkathëta prej maceje, hoqi rrobat duke zbuluar para meje gjinjtë e saj me majë në formë dardhe. Hoqi mbathjet dhe me njërën dorë mbuloi pubisin ndërkohë me tjetrën përdridhte ca fije flokësh të bëra shtëllungë anë faqes. Zuri vend në kolltuk në një pozicion si e vdekur, duke zbuluar para meje gjithë trupin e saj të mrekullueshëm.
Pikturova tërë pasditen ndërkohë të dy pinim verën e kuqe që kishte sjellë me vete nën tingujt cingërues të ziles së telefonit që binte pa ndërprerë. Në djall ekspozita thashë me vete. Linda është muza ime dhe vetëm në sajë të Lindës unë mund të pikturoj sërish, dhe në të vërtetë ajo ishte ekspozita dhe piktura ime më e shtrenjtë e cila nuk mbërthehej në asnjë telajo dhe kornizë. Ishte shpirti i gjallë i artit të cilin kërkoja të zbuloja dhe të aplikoja pa reshtur përgjatë gjithë jetës sime. Vetëm unë dhe qënia e saj, të veçuar nga bota. Të dehur në atë marrëdhënie aq sublime dhe të paqartë. Të mbetur përjetësisht peng të njëri tjetrit, pa njëri tjetrin plotësisht. Ajo më shërbente mua dhe muzës sime ndërkohë unë, isha rishtar i shpirtit të saj të cilin ditë pas dite, si në një jetë që rifillonte çdo ditë nga e para, rrekesha ta zbuloja dhe ta dashuroja pa e përvetësuar, pa e lënduar. Të dy si Lysieni dhe Esteri të Balzakut të cilët krejt pa dëshirë zgjodhën të mos ishin bashkë po dhe të mos ndaheshin kurrë, duke i shërbyer dashurisë dhe asaj ndjenje të zjarrtë që i tundonte e njëkohësisht i ndante. Pimë shishen e verës dhe pas saj një gjysëm shishe raki të mbetur prej kohësh në raftin e studios. Qeshëm atë ditë si të marrë, me atë që bëmë, me mesazhet dhe sharjet që pareshtur e tërbonin telefonin tim.
Qeshëm me lotët e saj dhe me gjithçka atje përjashtë që kërkonte të gjymtonte qenien dhe ta shkatërronte pa reshtur magjinë që krijonte filli i padukshëm mes një muze si Linda dhe një piktori si unë. Në djall ekspzozita, dhe drejtori, madje dhe ministri. Dolëm në ajrin e fresëkt të natës të dy , duke u mbajtur pas njëri tjetrit dhe përfunduam të shtrirë në stolat pranë shtëpisë së shkrimtarit. Dhe atë natë udha e qumështit rrinte varur mbi kokat tona dhe vishte me magji shtresat e bardha të atmosferës që shtriheshin si kuvertë mbi botë.
Gjatë kohës që Linda po lahej, ndeza një zjarr pranë çadrës, dhe pasi ndjeva zjarrin tek brambullinte, u shtriva sërish në rërë dhe hodha shikimin atje në pikën e errët të detit ku lahej Linda. S’kishim pak që kishim mbërritur në këtë skaj të humbur të botës dhe Linda nuk kishte duruar pa u zhytur në det. Nxora një peshqir nga çanta ime dhe i vara në një litar të shkurtër brenda çadrës të dyja çantat. Peshqirin e vendosa ndanë zjarrit dhe po e ngrohja. S’doja që Linda te ftohej. Pashë që po vinte drejt bregut dhe teksa trupi i zbulohej ngadalë, pas ajo linte si kufomë gjigante atë det të errët dhe të paanë që kutërbonte aromë kripe.
E kundrova trupin e saj që kullonte ujë dhe befas m’u zgjua dëshira ta shtrëngoja në gji deri sa të humbiste brenda meje dhe ashtu e tretur brënda organeve të mija, të mos dilte më prej aty. Të mbetej përjetësisht brënda shpirtit tim, siç mbeten ngjarjet e pakta dhe të rralla që i japin kuptim jetës sonë dhe që të fshehura nga bota me dhimbje dhe xhelozi, i marrim me vete në botën e përtejme. Ashtu i kredhur në mendime, më zgjoi nga kllapia zëri i Lindës, e cila po dilte nga çadra me trikon time mbi supe. Si dhjetëra herë të tjera, me zërin e saj druajtës, më tha: – Hej, ta mora pak këtë trikon, – dhe unë si dhjetëra herë sërish i buzëqesha asaj, muzës sime me lumturinë e përkohshme të njeriut jo-dashnor.
Hoxhë Hasan Tahsini u lind në fshatin e Ninatit, pranë Konispolit. Studimet e para i ndoqi në Stamboll.
Kur ishte ende i ri u caktua si mësues pranë shkollës osmane në Paris, ku gjatë kësaj kohe ndoqi edhe studimet për matematikë dhe shkenca natyrore pranë Universitetit të Parisit.
Më 1870 u emërua rektori i parë i të porsathemeluarit Universitet të Stambollit ku dha leksione fizike, astronomie dhe psikologjie. Tahsini shkruajti të parin traktat psikologjie në osmanisht të titulluar Psikologjia ose Shkenca e Shpirtit, një vepër e frymëzuar nga modernizmi. Shkruajti gjithashtu të parin libër për astronominë moderne, duke qenë edhe libri i parë i shkencës popullore në osmanisht.
Përveç themelimit dhe emërimit në krye të Universitetit të Stambollit, themeloi edhe “Xhemijet-i Ilmijje-i Arnavudijjê” (Shoqëria e Dijetarëve Shqiptarë apo Kuvendi Shkencor Shqiptar). Së bashku me Sami Frashërin, ai hartoi edhe një alfabet të veçantë për gjuhën shqipe. Tahsini punoi për alfabetin shqip duke shpikur edhe një alfabet të vetin, si dhe punoi në Komitetin qendror për mbrojtjen e të drejtave të kombësisë shqiptare. / KultPlus.com
Regjistrimi ne Unesco nga Irani i një instrumenti muzikor që njihet si dotar dhe ka ngjashmëri me çiftelinë, ka ngritur shqetësimin mes studiuesve se pas lahutës, trashëgimia kulturore jomateriale shqiptare po humb një tjetër intrument.
Nëse krahasimet mes dy instrumenteve deri tani ky mund të ishte një debat studiuesish, me regjistrimin si pasuri e Iranit, ai bëhet më i prekshëm.
“E kishin Turqia e Irani, por jane ndryshe. Prej 500 vitesh eshte instrument i joni. Pas lahutës humbim çiftelinë, ç’na mbetet ne?” – ngre shqetësimin kompozitori Mark Luli.
Shqetësimev të specialistëve iu përgjigjet nje zë zyrtar, muzikologia Meri Kumbe, që tashmë mban detyrën e zëvendës minsitres së Kulturës.
Regjistrimi ne Unesco nga Irani i një instrumenti muzikor që njihet si dotar dhe ka ngjashmëri me çiftelinë, ka ngritur shqetësimin mes studiuesve se pas lahutës, trashëgimia kulturore jomateriale shqiptare po humb një tjetër intrument. Nëse krahasimet mes dy instrumenteve deri tani ky mund të ishte një debat studiuesish, me regjistrimin si pasuri e Iranit, ai bëhet më i prekshëm.
“E kishin Turqia e Irani, por jane ndryshe. Prej 500 vitesh eshte instrument i joni. Pas lahutës humbim çiftelinë, ç’na mbetet ne?” – ngre shqetësimin kompozitori Mark Luli.
Shqetësimev të specialistëve iu përgjigjet nje zë zyrtar, muzikologia Meri Kumbe, që tashmë mban detyrën e zëvendës minsitres së Kulturës.
”Nuk është regjistruar çifteli, por dotari. Ka studime për dy instrumentet. Ngjashmëritëmes dotarit e çiftelisë ekzistojnë”- tha zv. ministrja e Kulturës.
Pyetjes nese regjistrimi i Dotarit na pengon ajo i pergjigjet
“Nuk e pengon ciftelinë që nga emërtimi i dosjes. Nuk pengojmë as ne Iranin, as Irani ne”
Eposi i Kreshnikeve ka mbetur peng prej 10 vitesh, ndërsa Ministria e Kultures po ndjek katër propozime për trashegiminë jomateriale, mes të cilave përmend Vallen e Tropojës. /bw/ KultPlus.com
Sot shënohet 86 vjetori i vdekjes së gruas së parë që ka marrë dy çmime Nobel, shkruan KultPlus.
Tashmë e shndërruar në figurë mitike, simboli i përfshirjes së femrave në lëmin e shkencës, madje gruaja e të gjitha rekordeve. Nobelistja Mari Kyri (Marie Sklodowska-Curie) është gruaja e parë që fitoi doktoraturë në fizikë, e para grua që ka marrë dy çmime “Nobel” (një e ndarë me burrin e saj Pier Kyri dhe Henri Bekërel), profesoresha e parë në Sorbonë dhe e para që u fut në Panteon më 20 prill 1995.
Jetën e saj Mari Kyri e jetoi përkrah shkencëtarëve më eminentë të fillimshekullit XX. E njohur nga të gjithë, u vlerësua ndërkombëtarisht për t’u kthyer në mit. Kokëfortë, pa dyshim e talentuar dhe inteligjente, ajo ishte e para në shumë fusha: e para në agregatin e fizikës, gruaja e parë doktore e shkencave, femra e parë fituese e medaljes “Davy”, gruaja e parë dy herë nobeliste.
Vajza polake, e lindur më 7 nëntor 1867 në Varshavë, u vendos në Paris në 1891. Pasi përfundoit studimet për shkencë, ajo u bë specialiste e substancave radioaktive, së bashku me bashkëshortin Pier Kyri. Jo rrallëherë nobelistja është etiketuar edhe si feministe. Puna e saj mbi polonium dhe radiumin bëri histori dhe përfundoi duke ua mbyllur gojën atyre që e kishin sulmuar pandershmërisht.
Ajnshtajni shprehej se ajo ishte shkencëtari më i madh (në gjininë mashkullore) që ai njihte. Kryesorja, është ende e vetmja grua, hiri i së cilës prehet në Panteon për arsye larg të qenit “gruaja e”. Me të shoqin u njoh në kohën që po kërkonte një laborator për të studiuar vetitë magnetike të çeliqeve. “Ndodhi një alkimi e menjëhershme.
Ishte takimi i dy qenieve që kishin diçka absolute, shumë të kërkuar nga të tjerët dhe nga vetvetja, mbi të gjitha ndanë një pasion të përbashkët për shkencën. Shkëmbimi i korrespondencës së tyre dhe kujtimet e Mari Kyri dëshmojnë për një marrëdhënie tejet të thellë midis dy shpirtrave binjakë”. Nëse shumë gra duhej të zgjedhin midis martesës dhe karrierës, në rastin e shkrimtares ishte pikërisht i shoqi që e mbështeti gruan, financiarisht dhe moralisht. Maria solli në jete 2 vajza: Irenën (1897) dhe Evën (1904).
Në vitin 1898, duke studiuar rrezatimin e uraniumit, i cituar pak kohë më parë nga Henri Bekërel, si dhe substanca të tjera, Mari Kyri vuri theksin në atë që e quajti “radioaktivitet”. Disa muaj më vonë, çifti njoftoi se kishin identifikuar dy elementë të rinj: poloniumin dhe radiumin. Në vitin 1903, së bashku me Bekërelin morën çmimin “Nobel” në fizikë, për zbulimin e radioaktivitetit.
Pas luftës, shembulli i saj do të jetë një ndihmë e vlefshme në luftërat e ndryshme për kauzën e barazisë femërore, veçanërisht natyrisht në fushën e shkencës. Ajo do të bëhet një figurë mediatike në Shtetet e Bashkuara, ku do të bëjë fushatë për të mbledhur fonde për kërkime shkencore me radium. Fatkeqësisht, orët e gjata të ekspozimit ndaj substancave radioaktive çuan në përkeqësimin e shëndetit të saj.
E gjithë ekzistenca e Mari Kyrisë zhvillohet nën simbolin e drejtësisë, humanizmit dhe punës. Jeta e saj është një përrallë sa e bukur, aq edhe e trishtuar, më saktë e mrekullueshme. Jo se ato çfarë rrëfehen nuk janë të vërteta apo janë të zbukuruara nga historia, përkundrazi kemi të bëjmë me një ndërthurje lavdish e shoqëruar me një seri fatkeqësish që të imponon respekt. Motra e madhe i vdes nga tifoja, më pas e ëma nga tuberkulozi. Punimet në “rrezet e uraniumit” të Henri Bekërel çojnë në zbulimin e poloniumit dhe radiumit, pastaj në përcaktimin e masës atomike të radiumit (226 dhe pluhurave). Vdekja e tmerrshme aksidentale e Pier Kyrisë. Skandali i jashtëzakonshëm i lidhjes së saj me Paul Langevin (Poli i pashëm është i martuar, ajo është e ve). Angazhimi i saj për radiografimin e ushtarëve të plagosur gjatë Luftës së Parë Botërore. Dy çmimet “Nobel” dhe për ta mbyllur me Panteonin.
Pas luftës, Mari Kyri ngriti “Institut du Radium” – Institutin e ardhshëm Curie – e themeluar në vitin 1909. Virtytet terapeutike të radiumit për të vrarë tumoret malinje janë të njohura, por mbetet ende shumë për të bërë për të kontrolluar përdorimin e tij. Ajo do ta bëjë atë deri në vdekjen e saj në 1934. Vdiq në korrik 1934 në moshën 66 vjeç. Vdekja e saj nuk u shoqërua me ndonjë ceremoni zyrtare. Mirëpo, në vitin 1995, presidenti Fransua Miteran e solli në Panteon, së bashku me të shoqin. / KultPlus.com
Shoqata Miqtë e Amerikës, ka vazhduar aksionin e përjetshëm në nderim të 4 korrikut – Ditës së Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Për dallim nga vitet tjera, këtë vit ngritja e flamurit amerikan është bërë nga punëtorët shëndetësorë si shenjë nderimi për kontributin që kanë dhënë dhe po japin për luftën kundër pandemisë Covid-19. / KultPlus.com
Një nga format më të bukura, po të harruara të komunikimit njerëzor vjen në një mënyrë krejt origjinale nga teatri “Aleksandër Moisiu”.
Një projekt që nuk mbetet vetëm tek aktorët profesionistë, por angazhon dhe dashamirësit e teatrit në botën magjike të interpretimit. Ideatoren dhe regjisoren e teatrit Driada Dervishin e gjejmë teksa nxiton drejt laboratorit të Multimedias në universitetin e Durrësit. Aty e pret Uendi për të montuar “Letrën e Mbrëmjes”.
“Për të mos e humbur komunikimin iu rikthyem komunikimit më të hershëm njerëzor, që është letra. Këtu lindi ideja e letrave të mbrëmjes që vendosa të ishte një takim i përnatshëm me publikun ku aktorët e teatrit, po jo vetëm ata, janë bashkuar përmes letrave të personazheve të ndryshëm, vendas e të huaj, që na tregojnë anë që publiku nuk i njeh, të realiteteve dhe kohëve të ndryshme. Është një nismë që po tërheq mjaft vëmendje pasi siç thuhet kur një realitet nuk na pëlqen ne mund ta krijojmë atë”.
Xhelal Tafaj, Adelina Muça, Aishe Stari, Besmir Bitraku, Gjergj Doçi etj. janë disa prej protagonistëve të mbrëmjes në rrjetet sociale. Por “Letra e mbrëmjes” nuk mbetet vetëm te aktorët. Ajo është zgjeruar dhe me nismën “Lexo edhe ti një letërduke bërë pjesë të saj edhe njerëz të profesioneve të ndryshme, dashamirës të magjisë së artit.
“Shumë artdashës që e duan teatrin, po nuk e kanë ndjekur dot pasionin e tyre, janë bërë pjesë e leximit të letrave të mbrëmjes dhe unë ju ftoj që nëse keni një letër të bukur të bëheni pjesë dhe të na shkruani në faqen zyrtare të teatrit.”
Pandemia dhe nismat e teatrit të Durrësit, që nisëm me audiotregimet e Çehovit për të vijuar me letrat e mbrëmjes, kanë nxjerrë në pah dhe dëshirën e shumë njerëzve për artin dhe të bukurën.
“Në këto muaj kemi parë se sa krijues janë njerëzit. Besoj te e bukura dhe e mira që ndodhet brenda çdokujt dhe veçanërisht në këtë periudhë kemi shumë nevojë për t’u drejtuar nga e bukura dhe arti. Jo vetëm për të pasuruar mendjen dhe shpirtin, por edhe të përditshmen.” Top Channel / KultPlus.com
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, Philip Kosnett, ka uruar 244-vjetorin e pavarësisë së Amerikës.
Ai tha se SHBA-ja dhe Kosova ndajnë vlera dhe atribute, duke shtuar se SHBA-ja ka qëndruar pranë Kosovën për ta bërë të pavarur dhe sot vazhdojnë të qëndrojnë së bashku në luftën kundër terrorizmit dhe pandemisë së koronavirusit.
“Populli i SHBA-së dhe i Kosovës ndajnë shumë vlera dhe atribute. Populli ynë është i fortë dhe i mençur, kreativ, i dhembshur dhe i shkathët. Si miq, partnerë, ne i jemi përgjigjur njëri-tjetrit kur kemi pasur nevojë. Ne qëndruam së bashku për ta bërë Kosovën të pavarur, qëndruam së bashku pas sulmeve të 11 shtatorit dhe në luftën kundër terrorizmit global. Ne qëndrojmë së bashku edhe në përballjen me pandeminë globale”, tha Kosnett.
Po ashtu, mbasadori Kosnett tha se duhet angazhim qytetar që një shtet të ketë demokraci. Ai tha se në kohën kur SHBA-ja po përballet me trazira, ku protestuesit po kundërshtojnë racizmin dhe pabarazinë, ka shpresë se do të ndodhin ndryshime pozitive.
“Në Amerikë, si në çdo vend, demokracia nuk është sport spektatorësh. Demokracia kërkon angazhim dhe këmbëngulje aktive të qytetarëve. Po ashtu kërkon ndershmëri dhe përulësi për të adresuar dobësitë tona dhe për të mësuar nga dështimet tona. Kjo është kohë e trazirave dhe ankthit në Amerikë – por gjithashtu e shpresës. Ka shpresë se ndryshimet pozitive mund të vijnë vetëm përmes angazhimit qytetar. Dhe e njëjta mund të thuhet edhe për Kosovën”, tha ambasadori Kosnett.
Ambasadori amerikan në Prishtinë në adresimin e tij për Ditën e Pavarësisë, theksoi përkushtimin e SHBA-së për të ndërtuar një shoqëri dhe një të ardhme për brezat që do të vijnë.
“Në këtë Ditë të Pavarësisë së SHBA-së, le të zotohemi se do të bëjmë përpjekje për të ndërtuar shoqëri –për të ndërtuar një të ardhme të përbashkët – duke reflektuar mbi ëndërrat e themeluesve të shtetit amerikan dhe për të përmbushur detyrimet tona, për brezat që do të vijnë”, tha Kosnett. / KultPlus.com
Sot është përvjetori i Pavarësisë së ShBA-së dhe në këtë ditë ia vlen të përmendim edhe historinë e Muhamed Kukës, shkruan KultPlus.com
Muhamed Kuka është një ish-ushtar i UÇK’së, dhe është fytyra më e njohur që nga mbarimi i luftës, që tash e 21 vjet asnjëherë nuk mungon në tubimet që lidhen me luftën.
Kuka është nga qyteti i Ferizajt dhe ka jetuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës kur në Kosovë nisi lufta, dhe pa hezituar fare iu bashkua Ushtrisë Çlimrimtare të Kosovës, duke mos u ndarë kurrë më emocionlisht me të.
Rrobat e ushtrisë të Muhamed Kukës nuk vjetërohen kurrë për të. Në çdo përvjetor të ndonjë dëshmori, në protesat për të mbrojtur luftën e pastër të UÇK’së ai i vesh përsëri ato dhe me flamurin në dorë niset për Prishtinë, dhe në secili qytet të Republikës së Kosovës, shkruan Gazeta Metro.
Kuka ka qenë pjesë e batalionit ‘Atlantiku’, dhe në shenjë nderimi dhe mirënjohje nuk lë cep të Kosovës pa shkelur, e krejt këtë e bën për t’i nderuar dëshmorët dhe familjet e tyre.
Sot veterani ka 70 vjet dhe ka qëndruar 24 vjet në Amerikë, para se të kthehet në Kosovë, dhe arsyeja pse është kthyer, ai thotë se është masakra e Reçakut, të cilën e ka parë në lajme në televizionet në Amerikë, dhe pas tyre menjëherë është nisur për Kosovë.
Kuka, aktualisht jeton në Ferizaj, dhe fatkeqësisht nuk gëzon një jetë të mirë ekonomike, duke mos marrur përkrahje nga shteti. Ai disa herë ka kërkuar ndihmë për vajzën e tij me probleme shëndetësore.
Ndërsa, kujtojmë që Kuka është një njeri shumë i dashur dhe i respektuar në qytetin e tij në Ferizaj, ku s’ka qytetar atje që nuk e nderon dhe ndan respekt të veçantë ndaj tij.
Gjatë miqësisë së tyre, Eisenstaedt i ka bërë fotografi të panumërta aktores fituese të çmimit Oskar, shumica e të cilave nuk ishin të destinuara për publikim. “Eisie duhet të më ketë bërë mijëra foto, të cilat askush nuk i ka parë , ka thënë Loren për revistën LIFE, e cila ka publikuar një seri të portreteve më të mira të Loren të shkrepura nga Eisenstaedt, në periudhën më të bukur të famës së saj botërore.
“Kur kam takuar Eisie”, Loren kujton, “ishte me të vërtetë një dashuri me shikim të parë. Ai u bë hija ime. Por ai kurrë nuk u përpoq të ndërhyjë në jetën time. Jo, ai vetëm vazhdoi të shkrepë dhe të qeshë, dhe ishte i lumtur vetëm të ishte me mua – ashtu si dhe unë që isha me të! Më mungon.
Unë nuk mendoj se Sofia Loren merr kredi të mjaftueshme si një ikonë e ekranit të shekullit XX. Suksesi, bukuria dhe fama mund të rivalizoheshin me legjendat Marilyn Monroe dhe Brigitte Bardot. Ndërsa talenti i Monroe & Bardo ishin të diskutueshme, Sofia Loren ka fituar 50 çmime gjatë karrierës së saj, duke përfshirë një Oskar për aktoren më të mirë grua, një çmim Golden Globe, Grammy Award, BAFTA dhe Laurel Award. Ndryshe nga kolegët e saj, aktoret simbol seksi të ditës që shkuan nga një Playboy në një tjetër, Sofia Loren i’u dha jetës bashkëshortore nga mosha 22 vjeç, producentin e famshëm italian të filmit, Carlo Ponti, jo pak, por deri në vdekjen e tij 50 vjet më vonë. Kur u pyetën nëse ajo do të martohej përsëri, si një romantike e vërtetë ajo u përgjigj: “Jo, kurrë përsëri. Do ta kem të pamundur të dua dikën tjetër “.
Fotot e publikuara janë realizuar në verën e vitit 1964 nga fotografi i revistës LIFE, Alfred Eisenstaedt, i cili ka vizituar Sofia Loren në shtëpinë e saj mahnitëse në periferi të Romë, ku ajo jetonte me bashkëshortin.
Kampanja e titulluar “Srebrenica 25: Së bashku kundër virusit të mohimit”, fillon javën e ardhshme, me rastin e 25-vjetorit të gjenocidit në Srebrenicë.
Qendra SENSE për drejtësi tranzitore në bashkëpunim me Shoqatën e viktimave dhe dëshmitarëve të gjenocidit, kanë mbledhur pesëmbëdhjetë organizata të shoqërisë civile nga Kroacia, Bosnjë-Hercegovina, Serbia, Mali i Zi dhe Kosova për të nisur fushatën.
Më 7 korrik në ora 17:00 kampanja fillon zyrtarisht me hapjen e ekspozitës multimediale në Qendrën SENSE në Pula. Ajo do të vazhdojë deri më 11 korrik, datën në të cilën në vitin 1995 ra Srebrenica, ka njoftuar Al Jazeera.
Kampanja do të zhvillohet në të njëjtën kohë në internet, në rrjete sociale dhe portale, dhe në hapësirat e ekspozitës sipas programit. I gjithë materiali do të shfaqet “online” nga organizatat e përfshira.
“Kjo deri më tani është kampanja më e madhe regjionale e shoqërisë civile me synim për të parandaluar mohimin e krimeve të luftës të kryera në vitet nëntëdhjeta në hapësirën e ish-Jugosllavisë”, thuhet në njoftim të organizatorëve.
Më shumë se 8000 boshnjakë janë vrarë nga kriminelët serbë gjatë masakrës së Srebrenicës. / KultPlus.com
Sot në 244 vjetorin e Pavarësisë së Amerikës, KultPlus ju sjell disa thënie mbi politikën nga politikanë të njohur botëror
1- “Politika përbëhet nga dy fjalë, ‘poli’, e cila është fjalë greke dhe do të thotë ‘shumë’ dhe ‘tik’, një lloj insekti gjakpirës” Gore Vidal”. /Xhon Adams
2- “Një politikan profesional është një njeri i çnderuar profesionalisht. Për të kapur një post sa më të lartë, atij i duhet të bëjë aq shumë kompromise dhe të pësojë aq shumë poshtërime, saqë në fund nuk ka ndonjë ndryshim të madh me një prostitutë”/H.L. Mencken
3- “Nëse ju, zotëri, duke hyrë në këtë shtëpi (Shtëpia e Bardhë), jeni po aq i lumtur sa unë që po dal, atëherë ju jeni njeriu më i lumtur në botë”. /Xhejms Buhanan-Abraham Linkolnit
4- “Një nga gjërat që politika më ka mësuar mua është se burrat nuk janë të një seksi të arsyetuar apo të arsyeshëm”./Margaret Theçër
5- “Brenda pak muajve të parë të presidencës unë zbulova se, të jesh president, është si të shkosh kaluar mbi një tigër. Njeriu që e nget, duhet ta vazhdojë ta ngasë, ose ndryshe gëlltitet”. /Harri S. Truman
6- “Mënyra më e mirë për ta mbajtur fjalën është të mos e japësh atë”/Napoleoni
7- “Politikani është ai person me politikën e të cilit nuk jeni dakord; nëse jeni dakord me të, ai është burrë shteti”. /Dejvid Llojd Xhorxh
8- “Politikanët janë gjithandej të njëjtë. Ata premtojnë të ndërtojnë një urë edhe aty ku nuk ka lumë”. /Nikita Hrushov
9- Nuk ka më komunist se ish-komunisti që lufton komunizmin./Valsav Havel
10- Çdo qeveri degjeneron kur iu besohet vetëm sundimtarëve të popullit. Populli është i vetmi rrëzues i tyre./ Tomas Xhefërson
11- “Nëse tani nuk mund t’u japim fund ndryshimeve tona, të paktën mund të ndihmojmë ta bëjmë botën më të sigurt për diversitet”. /Xhon F. Kenedi
12- “Konservatori është ai që i zë rrugën historisë duke i bërtitur “Ndal!”./Uilliam F. Baklej, i riu
13- “Nëse jemi të fortë, forca jonë do të flasë vetë. Nëse jemi të dobët, fjalët nuk të ndihmojnë dot”. /Xhon F. Kenedi
14- “Unë kurrë nuk do të kërkoj, kurrë nuk do të refuzoj, madje kurrë nuk do të jap dorëheqjen nga një post”. /Xhorxh Uashington
15- “Një nga lukset e jetës së një politikani është se e shikon veten, ashtu siç e shikojnë atë të tjerët”./Xho Klark
16- “Liberali është ai që është aq tolerant, sa mund të mos mbajë as anën e tij në një grindje”./ Robert Frost
17- “Politikani e ndan njerëzimin në dy klasa: Në vegla dhe në armiq”./Fridih Niçe
18- “Arti i të qenit burrë shteti është të parashikojë të pashmangshmen dhe të përshpejtojë shfaqjen e saj”./Talejrand
19- “Përderisa një politikan nuk e beson kurrë atë që thotë, ai befasohet kur të tjerët e befasojnë”. /Sharl de Gol
20- Rreziku i luftës lind atëherë kur një komb bëhet pafundësisht më i fuqishëm se konkurruesi i mundshëm i tij/Richard Nikson
21- Terrori i vërtetë është sikur të zgjohesh në mëngjes dhe të gjesh që kombi yt drejtohet nga klasa tënde e shkollës së mesme./ Neli MakKlung
22- “Kurrë mos u tërhiq, kurrë mos jep shpjegime, kurrë mos kërko ndjesë: Çoji gjërat deri në fund dhe lëri ata të bërtasin vetë“. /Neli MakKlung
23- “Çdo grua, që kupton problemet e drejtimit të një shtëpie, do ta ketë më të lehtë të kuptojë problemet e drejtimit të një shteti”./Margaret Theçër
24- “I pavaruri është ai që kërkon të nxjerrë politikën jashtë politikës”./Adlai Stivenson
25- “Në politikë është e nevojshme të tradhtosh ose vendin, ose elektoratin tënd. Unë parapëlqej të tradhtoj elektoratin“./Shark de Gol
26- “Supozohet se politika është profesioni i dytë më i vjetër pas prostitucionit. Unë kam kuptuar që ai ka shumë ngjashmëri me profesionin e parë më të vjetër”./Ronald Regan
27- “Shtetet e mëdhenj kanë vepruar gjithnjë si gangsterë, ndërsa shtetet e vogla si prostituta”./Stenlej Kabrik
28- “Ndëshkimi më i rëndë për të vendosur të angazhohesh në politikë, është të urdhërohesh nga dikush, që është inferiori juaj”./ Platoni
29- Në politikë nuk ka miqësi të përjetshme, por interesa të përjetshme./Sharl De Gol
30- “Bota është një vend i rrezikshëm për të jetuar, jo për shkak të njerëzve që veprojnë si djalli, por për shkak të njerëzve që nuk bëjnë asgjë për këtë”. /Albert Ajnshtajn
31- “Nuk mund të ketë ndonjë krizë javën që vjen. Kalendari im është mbushur plot”. /Henri Kisinger./ KultPlus.com
Së fundmi, kritikët e filmit të BBC Culture, Nicholas Barber dhe Caryn James, zgjodhin 10 nga filmat kryesorë të këtij viti, shkruan BBC. Secili film në vete përmban tema interesante, edhe pse në kohë pandemie, relaizimi i tyre është përfunduar me shumë sukses.
Da 5 Bloods
Filmi i fundit i Spike Lee është një epikë pasionante, kinetike, gjithëpërfshirëse, duke ndërthurur një dramë intensive me zgjuarsi. Ndërsa katër veteranë amerikanë me ngjyrë kthehen në Vietnam për të rikuperuar trupin e mikut të tyre të humbur, si dhe një arkë prej ari, Lee paraqet pamje të gjatë, historike të SHBA–së dhe racizmit. Da 5 Bloods është një nga më të mirët e Spike Lee, që do të thotë shumë.
The Personal History of David Copperfield (Historia personale e David Copperfield)
Një nga padrejtësitë më të këqija të kinemasë është se Historia personale e David Copperfield, i cili u rrëzua në Baftas këtë shkurt. Edhe sipas standardeve të shkrimtarit-regjisorit të saj, Armando Iannucci, ky film i gëzuar dhe pafundësisht inovativ është një arritje vezulluese që ngrit nivelin për shkrimtarët e tjerë, kur vie puna për adaptimin në skenarë të librave të Charles Dickens.
Never Rarely Sometimes Always (Kurrë, rrallë, nganjëherë, gjithmonë)
Kjo dramë e thellë qetësisht tregon historinë e 17-vjeçares, Autumn(Sidney Flanigan), shtatzënë në një qytet të vogël në Pensilvani, ku aborti është i kufizuar, pasi ajo dhe kushërira e saj fshehurazi marrin një autobus në qytetin e afërt në New York për të kryer abortin. Larg një filmi me mesazhe, filmi i shkrimtarit dhe regjisorit Eliza Hittman është një histori inteligjente, elokuente, për zgjedhjet, sekretet dhe vendimet e trishtuara, të dëshpëruara, që gratë e reja ndonjëherë i marrin për të shpëtuar të ardhmen e tyre. Kamera në heshtje kap trishtimin në fytyrën e Autumn, si dhe strukturën e mërzitshme të qytetit të saj dhe realitetin e ndritshëm, dërrmues të Nju-Jorkut.
The Hunt (Gjuetia)
Një triler komedi në lidhje me një bandë të liberalëve të privilegjuar (përfshirë Hilary Swank) që rrëmben disa persona të krahut të djathtë (përfshirë Betty Gilpin) dhe i gjuan për qejf, publikimi i filmit u shty vitin e kaluar pas dy gjuajtjeve masive në Amerikë, dhe ajo u dënua nga presidenti amerikan Donald Trump në Twitter. Por kur doli më në fund këtë pranverë, pak para mbylljes së kinemave, filmi i Craig Zobel dhe Damon Lindelof doli të ishte një udhëtim emocionues që ju bën të hamendësoni se kush është në anën e kujt dhe kush duhet vrarë.
Bacurau
Një nga filmat më të çuditshëm, më shpikës të vitit është kjo perlë e mprehtë braziliane, e vendosur në një fshat të varfër dhe të izoluar të quajtur Bacurau. Komuniteti i ngathët, duke përfshirë Sônia Braga si mjekun e saj shpesh të dehur, është i shtypur nga një politikan i korruptuar dhe i hutuar se pse Bacurau është zhdukur papritmas nga çdo hartë, e shtypur apo në internet. Kur fshati pushtohet nga mercenarë, filmi shndërrohet në një homazh të përgjakur për perëndimorët. Ju mund të analizoni nëntekstin e filmit në lidhje me politikën braziliane ose thjesht të shijoni guximin e tij tërheqës, zhanër-lakues. Regjisorët Kleber Mendonça Filho dhe Juliano Dornelles fituan çmimin e jurisë në Kanë vitin e kaluar.
The Assistant (Asistentja)
Drama e mprehtë, e kontrolluar fort nga Kitty Green është vendosur në zyrat e rrëmujshme të Nju Jorkut të një manjati grabitqar të filmit. E strukturuar si një ditë e zakonshme në jetë, Asistentja me Julia Garner si punonjëse me përvojë të paktë që mundohet nga para agimit deri pas muzgut, duke iu përgjigjur telefonave, duke shtypur skriptet, duke shpërndarë shishe me ujë dhe duke i rregulluar të gjitha provat e lidhjeve të shefit të saj. Një drejtor si famëkeqi Winstein -njëlloj mund të jetë antagonisti i filmit, por filmi sheh përtej një burri për t’u përqëndruar në një kulturë më të gjerë korporative të seksizmit, kondensimit dhe bashkëfajësimit të heshtur.Nuk ka fjalime të mëdha apo konfrontime shpërthyese, por ka tension përgjatë gjithë kohës ndërsa presim që asistentja të rebelohet kundër shefit të saj… ose të pranojmë që ajo do të vazhdojë të punojë për të, sidoqoftë.
Emma
A kishte nevojë bota për një tjetër skenar të përshtatur nga librat Jane Austen? Në të vërtetë jo, por ky version tërheqës, i gjallë është një shtesë shumë e mirëpritur. Regjisori Autumn de Wilde nuk e rikrijon zhanrin e periudhës; ajo mbështetet në tërheqjen e saj të rehatshme dhe të modës së vjetër. Ndërsa Ema, Anya Taylor-Joy kap zemrën dhe ngrohtësinë e heroinës së tronditur të Austen-it dhe Bill Nighy vjedh me lavdi çdo skenë si babai komik tepër protektiv i Emës.
The Vast of night (Pafundësia e natës)
A po na shikojnë alienët? A po fluturonin ata në qiellin e New Mexico në vitin 1950? Ky mister fantastiko shkencor i qytetit të vogël i shtron ato pyetje, por u përgjigjet atyre me aq shumë entuziazëm dhe origjinalitet saqë duken krejt të reja. Gjatë një mbrëmje, The Vast Of Night paraqet DJ-in e një radio lokale (Jake Horowitz) dhe një operator telefonik (Sierra McCormick) ndërsa ata hetojnë zhurmat e frikshme që po transmetohen nga diku afër. Filmi përfshin një komentim të mprehtë për margjinalizimin e grupeve të caktuara shoqërore, por është bravura e qartë teknike që e bën debutimin e Andrew Patterson shumë të këndshme. Ndërsa kamera paraqet të gjithë qytetin në kohë të gjata, të pandërprera dhe aktorët rrëmbehen përmes dialogut qesharak dhe idiosinkratik, ju e dini që po shihni shfaqjen e një talenti të ri jashtëzakonisht emocionues.
The Painter and the Thief (Piktori dhe hajduti)
Ky dokumentar i çuditshëm e bindës fillon kur Barbora Kysilkova, një artiste çeke në Oslo, ka dy piktura të vjedhura nga një galeri. Pasi hajduti, Karl Bertil-Nordland, është arrestuar, Barbora e kërkon atë dhe i kërkon të pikturojë portretin e tij. Ajo po përvetëson imazhin e tij ashtu si ai vodhi artin e saj, por ky është vetëm fillimi i një miqësie të vërtetë, nganjëherë pikante, pasi historia zgjerohet të përfshijë lidhjen e Barbora-s me të dashurin e saj dhe varësinë e drogës së Karl-it. Regjisori Benjamin Ree ndoqi subjektet e tij për vite me radhë për të krijuar këtë kronikë të pasur me shtresa, frymëzim, faj dhe rikrijimi.
True History of The Kelly Gang (Histori e vërtetë e Kelly Gang)
Biografia e Justin Kurzel nga Ned Kelly, burri famëkeq i Shekullit XIX, është vite dritë larg nga drama mesatare. Përshtatur nga romani i Peter Carey, ka një prekje nga punk-rock – një pamje tërheqëse e peizazheve të shkatërruara të Australisë në epokën koloniale, korrupsionit endemik, seksit dekadent dhe dhunës së përgjakshme. Vetë Kelly (George MacKay) mësohet të mbijetojë në këtë terren të egër nga nëna e tij brutale (Essie Davis), një bandit rrokullisës (Russell Crowe), një polic shfrytëzues (Charlie Hunnam) dhe një zyrtar anglez (Nicholas Hoult). Nën ndikimin e tyre, është pothuajse e pashmangshme që ai të bëhet udhëheqësi i një bande revolucionare. Kurzel dhe ekipi i tij e bëjnë Kelly-n më të egër dhe më të frikshme se kurrë, por edhe më simpatike. /Albinfo.ch / KultPlus.com
Kur e pa se si kufoma e Kolonelit të vrarë, e nënçmuar tmerrësisht gjatë parakalimit nga lapidari në lapidar nga pankartat “Tradhtar” dhe me to do të hudhej në atë gropën ku bagëlonin bagëtija gjatë mrizimit, Vlera e çmendur, u shkëput nga funerali dhe iu drejtue Sukës, me ulërimëm: “Oh, Ametikë!… Amerikë!…”
Syri i Kaltër në Shqipëri është një nga ato peizazhe tepër të rralla natyrore, që duhet parë për ta besuar që ekziston, sepse duket kaq shumë si nga një botë tjetër, si një skenë e shkëputur nga ”Avatar”, shkruan Shelley, blogere në faqen e njohur turistike travel-stained.com.
Syri i Kaltër në Shqipëri është një burim i pafund ujërash të ëmbla të bruzta, që duket pikërisht si një sy njerëzor i shndritshëm. Ngjyra është kaq verbuese dhe e ndritshme, saqë është e vështirë të besohet se është një fenomen krejt natyror.
Ai është një burim karstik vertikal, të paktën 50 metra i thellë, sepse vetëm aq është thellësia më e madhe deri ku kanë shkuar zhytësit. Nuk ka arritur kurrë njeri deri në fund.
Vendasit dhe turistët dynden te Syri i Kaltër në korrik dhe gusht për të shijuar ujin e ftohtë dhe për t’u kënaqur me gjelbërimin e shelgjeve dhe lisave që rrethojnë burimin.
Gjatë verës së nxehtë shqiptare, ky burim mistik është jashtëzakonisht ripërtëritës, pasi temperatura në sipërfaqe qëndron në 10 gradë Celcius, edhe në temperaturat më të larta.
Gjithashtu, aty mund të gjeni edhe një platformë panoramike, që bie drejtpërdrejt mbi Syrin e Kaltër.
Ai është edhe vendi nga ku hidhen më trimat, për t’u zhytur në qendër të Syrit të Kaltër.
Syri i Kaltër ndodhet pranë fshatit Muzinë, në jug të Shqipërisë.
Këtë vend të mrekullueshëm është më e lehtë ta vizitosh gjatë një udhëtimi ditor nga qyteti veror i Sarandës ose nga qyteti i listuar në UNESCO, Gjirokastra. /atsh/ KultPlus.com