Dua Lipa përthekon vitin si vajza më e suksesshme në historinë shqiptare

Suada Qorraj

Me gjithë të këqijat që bota këtë vit i përjetoi, ishte Dua Lipa ajo që e përvetësoi me sukseset e saj të njëpasnjëshme. Ky vit pa asnjë mëdyshje mund të quhet ‘’Viti i Dua Lipës’. Ajo përgjatë këtyre 12-muajëve solli shumë projekte të reja, mori pjesë në ngjarje të rëndësishme e u bë figura kryesore e shumë revistave të njohura botërore, ndërsa në anën tjetër çmimet që ajo fitoi ishin të shumëta, shkruan KultPlus

Janari i viti 2020 e gjeti Dua Lipën si një nga këngëtaret e para shqiptare që arriti t’i ketë 2 miliardë klikime vetëm me një video në Youtube. Ishte kënga e saj ‘New Rules’, që arriti të bëhej pjesë e kësaj liste të ngushtë të këngëve që kanë mbi 2 miliardë klikime në YouTube.

Por, ky muaj nuk përfundoi këtu për këngëtaren sepse ajo publikoi këngën e saj të parë të parë për këtë vit “Physical”,  pjesë të albumit ‘Future Nostalgia’.

Lipa muajin shkurt e filloi duke marrë pjesë në Festivalin e famshëm “Sanremo”, në Itali. E përcjellur edhe nga valltarë, Dua Lipa ka shkëlqyer me performancën e saj, e ky festival tashmë nuk është një ëndërr e parealizuar për shqiptarët.

Këngëtarja shqiptare këtë muaj e vazhdoi me realizimin e një klipi së bashku me ‘Vogue Magazine’, ku prezantoi disa prej koleksioneve të ‘Javës së Modës’ në New  York. Përmes këtij klipi Dua ka synuar të tregojë se si është një ditë e një artisti.

Dua bashkëpunimet e saja nuk i ka ndalur as në muajin mars, ku për markën e njohur të veshjeve ‘Pepe Jeans’, ajo ka paralajmëruar edhe lansimin e koleksionit të ri ‘pranverë/verë 2020’.

Lipa përgjatë këtij viti pati edhe një numër të madh të triumfeve. Ajo u nderua me çmimin “Best Britisht Act”, në edicionin e sivjetmë të ndarjes së shpërblimeve “Global Awards” e cila u mbajt në Londër. Në vetëm dhjetë ditët e para të muajit mars këngëtarja shqiptare arriti që për herë të parë në karrierën e saj muzikore të pozicionohet në vendin e tretë top listës “Billboard” të 100 këngëve më të mira në Amerikë. Dua Lipa e ka arritur këtë sukses me hitin “Don’t Start Now”, që është pjesë e albumit të saj “Future Nostalgia”.

Muajin mars, Lipa e përmbylli me publikimin e këngës ‘Break my heart’, këngë kjo që ka gëzuar një sukses të madh që nga koha e publikimit. Marsi ishte pikërish muaji kur Dua publikoi albumin e saj të dytë, Future Nostalgia, i cili po del të jetë shumë i suksesshëm që nga koha kur edhe është lasnuar, me anë të së cilit ka kryesuar listat më të njohura.

Ishte kënga “Don’t start now” e cila bëri bujë të madhe dhe gjithçka filloi me këmbë të mbarë për Duan, ndërsa në listën e publikuar nga ‘Spotify’ në muajin prill, Lipa ka kryesuar në listën e këngëtareve vajza, ku dhe ka lënë pas artistet si Billie Elish e Taylor Swift.

25 vjeçarja përgjatë këtij viti ka thyer edhe rekorde të shumta, kënga e saj ‘IDGAF’, e cila është  publikuar vite më parë ka arritur shifrën e 1 miliardë dëgjimeve në platformën digjitale ‘Spotify’, çfarë e ka bërë atë femrën e parë që ka arrirë këtë sukses.

Në mars të vitit 2020, këngëtarja lansoi albumin e saj “Future Nostalgjia”, i cili ka bërë namin në tregun muzikor. Në vetëm 4 muaj, albumi ishte shitur rreth 1 milion herë nëpër botë dhe është bërë albumi i parë më i shitur për 2020-ën nga një artiste femër.

Këngëtarja nuk i la anash projektet muzikore as në muajt e ngrohtë të verës, pikërisht në muajin korrik ajo solli këngën me titull “Halucinate”, videoklipi i së cilës ishte realizuar në formatin animacion, ku dhe ilustronte temën e këngës.

Dua Lipa në këtë vit u bë edhe këngëtarja e parë shqiptare që u nominua për të garuar për çmimin “Mercury Prize” të vitit 2020, përalbumin e saj të vlerësuar dhe të renditur në vendin e parë për javë me rresht në Mbretërinë e Bashkuar, “Future Nostalgia”.

Lipa në korrik lansoi edhe një këngë tjetër të albumit Future Nostalgia,  “Un Dia (One Day)”, pjesë e të cilit është edhe aktorja e njohur nga seriali ‘La Casa de Papel’, Tokyo.

Lipa në këtë vit solli edhe një nga bashkëpunime e shumëpritura, atë me yllin botërorë Madona dhe Missy Eliot. Këtë projekt muzikor që titullohet ‘Levitating’, Lipa e ka konsideruar një ëndërr të bërë realitet.  “Gjithmonë ka qenë një ëndërr e imja që të punoj me Madonna dhe Missy Elliott dhe të sjellim një këngë bashkë. Kjo më duket se pabesueshme,” ka thënë Lipa gjatë një paraqitjeje në ‘Ash London Live’.

Dua Lipa arriti që të rrëmbej një çmim edhe në “MTV Video Music Award 2020”, ku u nderua në kategorinë “Kënga më efektet më të mira vizuale”, për hitin e saj të padiskutueshëm “Physical”.

25 vjeçarja përgjatë këtij viti ka bashkëpunuar edhe me artistë nga vende të ndryshme, një ndër to është edhe artistja belge Angele, me të cilën kanë sjellë hitin e padiskutueshëm ‘Fever’.

Bukuroshja me prejardhje kosovare, Dua Lipa, ishte nominuar në dy kategori të “American Music Awards”, por arriti të triumfojë në njërën prej tyre. Ajo e fitoi çmimin “Kënga më e mirë pop/rock” për hitin e saj të padiskutueshëm, “Don’t Start Now”.

Lipa një dominim të jashtëzakonshëm e ka pasur edhe në ndarjen e çmimeve Grammy, ku ka rrëmbyer 6 prej tyre; “Regjistrimi muzikor më i mirë i vitit”, “Kënga më e mirë e vitit”, “Albumi më i mirë i vitit”, “Performanca më e mirë POP”dhe “Albumi më i mirë POP”.

Këngëtarja në nëntor të këtij viti mbajti edhe performancen e saj të drejtpërdrejtë ‘Studio 2054’, ku dhe ju bashkëngjiten një numër i madh i të ftuarve, si Miley Cyrus, Kylie Minogue e shumë të tjerë.

“Future Nostalgia”, “Levitating”, “Break my Heart”, “Phycial”, “Neë Rules”, “Don’t start now” ishin disa prej këngëve që zëri i magjishëm i Lipës i jetësoi në koncertin e saj ‘Studio 2054’, duke i bërë artdashësit e saj të kenë momente të paharrueshme.

Këngëtarja e famshme shqiptare sukseset e saja për këtë vit nuk i ndali me kaq, ajo arriti që të rrëmbej çmimin “Artistja ndërkombëtare femër” në NRJ Music Awards.

“Faleminderit shumë NRJHITMUSICONLY Faleminderit për çmimin artistja ndërkombëtare femër!! Momente surreale që kurrë nuk do t’i harroj! Faleminderit për gjithë dashurinë dhe mbështetjen!! Shpresoj që jeni kënaqur me performancat tona!!”, kishte shkruar Lipa në Instagram pas marrjes së këtij çmimi.

Dua u shfaq e magjishme edhe në ngjarjen e rëndësishme muzikore, Biboaed Women 2020, ku krahas një performance të jashtëzakonshme të këngës “Boy will, be boys”, ajo arriti të fitoj çmimin “Women In Music for the Powerhouse”, e që padyshim përbën edhe një sukses tjetër të saj.

Shqiptarja për gjatë këtij viti ka qëndruar me javë të tëra në top listat botërore. Madje edhe në këtë fundvit ajo ka kryesuar në listën e ‘Bilboard’. Këngëtarja u radhit numër 1 në ‘Top Artist’, si dhe numër 1 ‘Dance/Mix Shoë Airplay Artist”.

Ky vit, padyshim mund të quhet edhe viti i këngëtares shqiptare Dua Lipa dhe sukseseve të saj të njëpasnjëshme që dëshmuan se ajo posedon një zë të jashtëzakonshëm, por dhe një talent të madh.

Lidhja e ngushtë e Duas me Kosovën

Dua Lipa pavarësisht sukseseve të mëdha që arritur, ajo asnjëherë nuk harron Kosovën e shqiptarët, vendin nga ajo vjen e ku ka lindur. Madje ajo shpesh herë këtë e bënë duke kujtuar edhe disa figurat më të rëndësishme të artit e muzikës në vendin tonë.

Lipa, si shumë personalitete të shquara, pas vdekjes së ikonës së muzikës shqiptare Nexhmije Pagarusha kishte shprehur ngushëllimet e saja. 25 vjeçarja në atë kohë kishte postuar fotografinë e bylbylit të këngës shqipe në rrjetin social Instagram.

Këngëtarja që përherë na bënë krenar nuk harron as datat e rëndësishme të vendit. Me rastin e festës së pavarësisë në profilin e saj kishte zënë vend një foto që paraqiste flamurin shqiptar dhe atë të Republikës së Kosovës.

“12 YEARS INDEPENDENCE 💙 #njikombnjiflamur”, kishte shkruar ajo.

Posted by Dua Lipa on Monday, February 17, 2020

Lipa në maj të këtij viti kishte zhvilluar një bisedë virtuale me kryetarin e Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti ku dhe kishte premtuar se do të rinovojë amfiteatrin e Prishtinës, ku më vonë do të përdoret nga të gjithë qytetarët e Prishtinës, sidomos për aktivitetet të kulturës, që do të ndodhin në Prishtinë.

Zhurma e madhe që u bë në kohën kur kërkohej që edhe Kosova të vendosej në hartën e Apple, bëri që edhe Dua Lipa të nënshkruaj peticionin ‘Put Kosovo on The Map’.

Ajo krahas nënshkrimit të këtij peticioni, e kishte ndarë atë edhe me 48 milionë ndjekësit e saj në Instagram, ku dhe kishte shfrytëzuar edhe një herë zërin dhe famën e saj për ta ndihmuar Kosovën. E jo shumë pas kësaj Dua Lipa kishte suprizuar më një postim që ngjalli reagime të shumta. Ajo kishte publikuar fotografinë e njohur të flamurit që kohë më parë ishte valëvitur mbi stadiumin e Beogradit.

Por këngëtarja nuk e ndal me kaq ajo kishte reaguar për herë të dytë duke sqaruar se postimi i saj nuk ngjallte urrejtje, por si çdo herë tjetër ajo po përkrahte vendin prej nga vinte.

“Kurdoherë që postoj për Kosovën, qoftë për muzikë apo ushqim, kam parë një rezistencë të ashpër ndaj idesë së kulturës autentike kosovare. Ne meritojmë të jemi krenarë për etninë tonë. Unë thjesht dua që vendi im të përfaqësohet në një hartë, gjithashtu dua të flas me krenari për rrënjët e mia shqiptare. I inkurajoj të gjithë që ta dëgjojmë dhe të mësojmë nga njëri-tjetri”, kishte reaguar 25 vjeçarja.

20 qershori shënoi ditën ndërkombëtare të refugjatëve. Personazhe të famshme nga e gjithë bota kishin përkujtuar në rrjetet e tyre sociale se ata që vuajnë më së shumti në mungesë të kushteve elementare, janë refugjatët në vende të huaja.

Edhe artistja shqiptare me famë botërore, Dua Lipa, është një nga yjet e famshëm të tregut ndërkombëtar, e cila rrjedh nga një familje refugjate. Familja e saj u shpërngul në Mbretërinë e Bashkuar nga Kosova, në vitet ‘90.

Ka qenë babai i këngëtares, Dukagjin Lipa, ai i cili në një sërë fotografish prekëse të publikuara në rrjetin social, ku shfaqen refugjatët nga lufta e fundit në Kosovë dhe ata sirianë që Dua vizitoi një vit më parë në Liban, kishte  shkruar disa fjalë për refugjatët.

“Dje ne kujtuam kohën kur para 21 vitesh mbi 1 milion shqiptarë të Kosovës u nxorën nga shtëpitë dhe u larguan nga vendi i tyre, si shkak i fushatës brutale të spastrimit etnik nga forcat serbe në Kosovë. Në të gjitha “Ditët Botërore të Refugjatëve”, dhe në çdo ditë tjetër ne do të jemi pranë refugjatëve dhe njerëzve të shtypur në vuajtjen e tyre. Shpërndani dashuri, jo luftë.”

Ky postim është shpërndarë më pas nga Dua Lipa, e cila u ka treguar mbi 47 milionë njerëzve që e ndjekin në Instagram, situatën e tmerrshme në të cilën ndodhej vendi i saj dikur dhe padyshim peripecitë e saj si emigrante.

Dua Lipa çdo herë ka folur me krenari për vendin dhe prejardhjen e saj. Këngëtarja ka promovuar shumë shpesh vlerat më të bukura të Kosovës dhe nuk ka hezituar të tregoj për historinë e këtij vendi. Ylli botëror përfaqëson dijnitetshëm Kosovën në secilën hapësirë ku ajo shkel. Edhe këtë vit, si në çdo vit tjetër, Dua na bëri krenarë për dymbëdhjetë muaj rresht./ KultPlus.com

Mark Dedvukaj, 20 vite pune për shqiptarët dhe një jetë të tërë për shkencën

Xhemile Hysenaj

Me dy prindër shqiptarë, njëri nga Shkodra dhe tjetri nga Mali i Zi, Mark Jagg Dedvukaj është një histori suksesi që nuk duhet humbur. Ka 50-të vite që jeton në Kanada ku tashmë edhe ka dëshmuar suksesin e tij në shkencë dhe jo vetëm. Ka qenë vetëm 9 vjeç kur ai dhe familja e tij janë shpërngulur në Kanada dhe qysh atëherë ai ka filluar të shfaqë interesim në fizikë, kimi, histori e matematikë. Ai është tejet krenar më rrënjët e tij shqiptare dhe gjatë gjithë jetës së tij ka ndihmuar emigrantët shqiptarë në Kanada. Mark Jagg Dedvukaj, për herë të parë për KultPlus rrëfen mbi jetën e tij si një shqiptar i suksesshëm në Kanada.

KultPlus: Kush është Mark Jagg?

Kam 50-të vite që jetoj dhe veproj në Kanada. Kam lidhje familjare me heroin kombëtar shqiptar Ded Gjon Luli Dedvukaj. Babi im ka jetuar në Shkodër ndërkaq nëna ime në Mal të Zi. Në vitin 1969 familja ime emigori në Kanada, në atë kohë unë isha vetëm 9 vjeç

Pasioni, kurioziteti dhe edukimi im mbi shkencën filluan në moshë shumë të hershme. Me kalimin e viteve, studimet e mia përfshinin fusha të ndryshme si ato në histori, filozofi, fiizkë, matematikë, inxhinieri mekanike dhe politikë. Deri tash kam botuar, ndërtuar dhe prezantuar shpike të ndryshme shkencore të mbështetura nga aplikacione matematikore. Kjo gjë ka bërë që pastaj të fitoj njohje brenda komunitetit të shkencës ku shpesh herë kam qenë i ftuar edhe si folës në forumet e tyre.

KultPlus: Na flisni më shumë rreth shërbimeve tuaja në komunitetin shqiptar të Kanadasë?

Kam qenë shumë i vogël kur jam shpërngulur në Kanada dhe kam pasur vështirësi me gjuhën shqipe, kështu fillova të mësoj në vitin 1997 në kohën kur edhe fillova të ndihmoj emigrantët shqiptarë me rregullimin e dokumenteve dhe gjërave të tjera që ndihmon në lejeqëndrimin e tyre në Kanada. Në fillimet e mija, 14-të raste u fituan menjëherë me ndërhyrjen time. Shërbimi im ka qenë vetëm prej vullnetit të mirë, pasi shërbimet e mija nuk i bëja me përfitime financiare.

KultPlus: Ju keni qenë për më shumë se 15-të vite vullnetar në Parlamentin Kanadez. Si ka qenë përvoja juaj atje dhe cila saktësisht ka qenë detyra juaj si vullnetar në atë parlament?

Në vitin 1999, jam ftuar nga ministri i Multi-Kulturalizmit, Toni Ruprecht, i cili më kërkoi të isha vullnetar në Parlamentin Kanadez dhe kështu kam vazhduar deri në vitin 2015. Përgjatë kësaj periudhe kam qenë i angazhuar në agjenda të ndryshme politike të cilat kryesisht kanë rezultuar mjaft të suksesshme. Gjatë viteve që punoja në Parlamentin Kanadez, më saktësisht në vitin 2007, kam krijuar një organizatë që kishte për qëllim mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve, ‘SaveOurChildren’.

KultPlus: Keni qenë nismëtar i ngritjes së flamurit shqiptar në Parlamentin Kanadez. Si keni arritur të realizoni një gjë të tillë?

Në vitin 2007, unë prezantova Ceremoninë e Ngritjes së Flamurit Shqiptar për Komunitetin Shqiptar në Ontario, Kanada. Nga ajo ditë e tutje në çdo 28-të Nëntor flamuri shqiptar ngrihet përpara Parlamentit Kanadez. Ne krenohemi shumë për identifikimin e trashëgimisë dhe origjinës së kulturës sonë shqiptare. Gjithmonë u kujtoj shqiptarëve se: Ku do që jemi ne në botë, patriotizmi asht’ bashkëkohor, nuk ka rëndësi se nga cila pjesë e Shqipërisë jemi, një flamur, Kuq e Zi na bashkon të gjithëve. Sepse, feja jonë asht’ shqiptaria dhe çdo gjë tjetër vjen pas kësaj.

KultPlus: Na tregoni më shumë për lidhjen tuaj me komunitetin shqiptar?

Shumë shqiptarë në Kanada tashmë kanë krijuar identitetin e tyre në karrierë si profesionistë dhe pronarë biznesi, mjekë, avokatë, stomatologë, Inxhinierë, e shumë të tjera. Mirëpo, traditat e familjes shqiptare vazhdojnë të jenë primare në edukimin e fëmijëve të tyrë. Kanada është një vend i madh me shumë kultura të ndryshme dhe një vend që siguron barazi e tolerancë për çdo kulturë. Kjo gjë ka bërë që ruajtja e kulturës dhe vlerave shqiptare të jetojë edhe përtej Tokës së Shqiponjave.

KultPlus: Kur keni filluar rrugëtimin tuaj në botën e shkencës?

Edhe pse me përkushtim të madh punoja në Parlamentin Kanadez, unë kurrë nuk e harrova pasionin tim, pasi vazhdoja me kërkimet shkencore. Në moshën 19 vjeçare, vendosa të ndërtoja copë për copë një makinë të diskutueshme që miratonin ligjet shkencore. Kam kaluar 19 vjet me kohë të pjesshme duke zhvilluar një makinë të mrekullisë për të demonstruar ligjet e energjisë së ftohtë, duke përdorur forcën e Gravitetit dhe Elektromagnetizmit. Shkurtimisht, shkenca ishte e gabuar. Zbulimi arriti në përfundimin se çdo forcë më e lagur e nxehtë dhe e ftohtë duhet të konsiderohet nga Ligjet e Natyrës si një forcë për të bërë punë.

KultPlus: Keni qenë fitues i një çmimi tejet të rëndësishëm. Na tregoni më detajisht rreth zbulimit tuaj që ‘rrëmbeu’ atë çmim?

Termit ‘Evolucion’ i kishte munguar përfaqësimi matematikor. Në Dhjetor 2019, botova 2 artikuj shkencorë, në Mars 2020, mora një çmimin ‘Certificate and Merit award for Publication With Journal of American Academic Research JAAR’. A bëri shkenca gabime me ligjet e vëzhgimit dhe simetrikën e teorisë së kohës, e cila shpjegon se si koha dhe evolucioni bashkëjetojnë së bashku dhe ndajnë dimensionin e 4-të – ky vëzhgim i ri ishte vëzhguar nga komuniteti i shkencës për 240 vjet.

Formulimi i ri Ev / T = 1D paraqet algoritme matematikore, të cilët deklarojnë kështu: Koha regjistron të gjitha ngjarjet dhe evolucioni lë gjurmë kimike në provat fizike. Kjo na lejon të gjurmojmë historinë e elementeve dhe bën që Koha & Evolucioni të jenë dëshmitarë pri-mordial të çdo ngjarjeje në Univers. Kjo ide e re ishte një mjet revolucionar për zbatimin matematikor në shkencë. Një shembull i thjeshtë shpjegon: Si përfaqëson koncepti i ri historinë e marrëdhënieve matematikore.

Këtu është një shembull i thjeshtë: 1) Mendoni për datën tuaj të lindjes – kjo bëhet ekuacioni juaj i lindjes. 2) tani kthehu nëntë muaj më parë – kjo krijon ekuacionin tënd të evolucionit njerëzor. 3) vendos evolucionin me kalimin e kohës (Ev / T = 1D) midis këtyre dy ekuacioneve njerëzore.
Koncepti na tregon një histori të mahnitshme që kap një moment pasionant në harkun kohor të saktë të prindërve, i cili gradualisht ju krijon 9-muaj më vonë. Ky shembull i thjeshtë ndihmon ekuacionet e kimisë në mënyra më komplekse. Ai gjithashtu paraqet aplikacione të reja për ilaçet alternative të valëve elektro nga telefoni juaj celular: të tilla si Aspirina, Morfina ose vitaminat.

KultPlus: Cili është mesazhi juaj për të gjithë ata që ëndërrojnë një karrierë të suksesshme, qoftë në shkencë apo në ndonjë fushë tjetër?

Përvoja ime përgjatë jetës më ka mësuar se atje ku ka pasion, do të ketë arritje, dhe nëse beson te vetja, do të kesh sukses. Ngritja e të gjitha kombeve vjen me edukim intelektual. Prandaj, e ardhmja është në duart e të rinjve, atyre që ne u mësojmë – dituria është fitorja. / KultPlus.com

Alketa Xhafa: Në Kosovë artistët mbesin jashtëzakonisht të izoluar nga politikat e regjimit me viza

Suada Qorraj

E rritur në një ambient ku arti ishte pjesë e përditshmërisë së saj, Alketa Xhafa – Mripa sot ka arritur të jetë një nga artistet që po përfaqëson në mënyrën më dijnitoze Kosovën jashtë kufijve. Ajo është bërë zëri i tregimeve të shumta që tregojnë jetën e grave, përjetimet e tyre gjatë luftës, por edhe dhunën që sot është ende pjesë e shoqërisë tonë.

Në një intervistë për KultPlus, Alketa Xhafa – Mirpa ka shpalosur rrugëtimin e saj në art që në fillet e para, arsyet se pse pikërisht në artin e saj trajton tema me rëndësi shoqërore, por pa lënë anash edhe sukseset e shumta që ka pasur në këtë vit.

KultPlus: Tash e një kohë arti dhe ju jeni bërë një, a mund të na rrëfeni më tepër rreth filleve tuaja në art? Si ishte rrugëtimi që nga fillimi e deri sot?

Alketa Xhafa – Mripa: Gjatë fëmijërisë e jetës në një sistem tjetër nga sot, jam rritur poashtu përballë një arti ndryshe që frymonte në shtëpinë time. Krahasuar me format tradicionale që shoqëria i njihte dhe praktikonte, të tilla si piktura, skulptura ose vizatimi, babi im, piktor, përdorte gjithçka në veprat e tij, nga rrobat e përditshme, lojërat/ kukullat e mia  e deri tek enët e kuzhinës.

Figurën e tij e përjetoja si revolucion, për një kohë e shoqëri të kontrolluar nga shteti. Çka ai bënte ishte tërësisht e tija. Puna dhe vepra e tij ma krijuan e zhvilluan dashurin për artin, por edhe rëndësinë e të qenit ndryshe në një kohë kur konformiteti vlerësohej më shumë, e madje edhe imponohej. Për shkak të rrethanave socio-ekonomike të kohës ai po dilte me diçka të re, një medium të ri, që ishte misterioz. Më kujtohet si e vogël më thoshte se gjëja më e fortë dhe më e rëndësishme që askush nuk mund të ta marrë është krijimtaria/origjinaliteti, mendimet dhe idetë e tua brenda mendjes. Mendja është unike. Askush nuk mund të përfaqësojë të njëjtën ide në të njëjtën mënyrë! Origjinaliteti ishte mënyra e tij për ta ndrequr realitetin.

Rrugëtimi im nuk ka qenë i lehtë, pavarësisht ekspozimit tim ndaj artit dhe rritjes në një ambient familjar ku arti ka pasur rëndësi primare, ai ka qenë edhe revoltë, pakënaqësi ndaj sistemit, padrejtësive. Gjenerata ime në përgjithësi jemi rritur e edukuar përballë një opresioni që na ka mundësuar t’i shohim gjërat nga një këndvështrim i qëndrueshëm, por edhe rebel. Nga ky rrugëtim arti është transformuar në një gjuhë të cilën kam zgjedhur ta flas, nevojë për t’i bërë të dukshme gjërat që fjalët nuk kanë fuqi t’i thonë. Rrugëtimi dhe rritja ime artistike më kanë orientuar vazhdimisht në motivin e veprës time e cila vazhdimisht synon t’i vë në pah të vërtetën, të humburën, dhe të harruarën.

KultPlus: Arti juaj gjithmonë ka prekur tema si emigracioni, refugjatët e dhunimet e bëra gjatë luftës. Pse pikërisht jeni fokusuar në këto tema, cila ka qenë arsyeja që ju ka shtyrë t’i vendosni në qendrën e artit tuaj?

Alketa Xhafa – Mripa: Frymëzimi im për të trajtuar tema që më prekin nga një sens individual e kolektiv vije çdo herë nga jeta e përditshme: gjëra që më nxisin, që më ngacmojnë, tema që nuk fliten e rikrijojnë padrejtësi ndaj komuniteteve të ndryshme, shpesh të margjinalizuara e të heshtura nga politikat shoqërore. Arsyeja çdo herë mbetet e njëjtë, për t’i zbuluar konfliktet e brendshme e të përjetuara në shoqëri, për ta transformuar me fuqinë e artit një element të heshtur e të padukshëm të cilin arti e bën më së miri, e zhvendos në një nivel të ri dhe kontribuon në pjesëmarrje, vetëdije e qasje kolektive ndaj trajtimit të problemit. Unë e kam kuptuar dhe përjetuar si artiste por edhe si qytetare aktive, rëndësinë që arti dhe artistët kanë për t’i luftuar e triumfuar padrejtësitë.

KultPlus: Përgjatë këtij viti instalacioni juaj “Thinking of You” ka udhëtuar në shumë vende të botës duke paraqitur kështu historinë e dhunimeve të grave në luftën e fundit në Kosovë. A mund të na tregoni se sa e rëndësishme ishte për ty kjo vepër dhe udhëtimi i saj në vende të ndryshme?

Alketa Xhafa – Mripa: Rëndësia e veprës “Thinking of You” mbetet e përjetshme dhe pesha e saj në artin tim çdo herë e më shumë bëhet më fuqishme, sepse forma përmes së cilës është realizuar fillimisht në Kosovë po reflektohet më shumë e më shumë ndërkombëtarisht, duke i dhënë kështu vëmendje neglizhimit e padrejtësive që ky komunitet fatkeqësisht edhe sot përjeton. Komunitete të tjera në botë që punojnë në zbardhjen dhe luftimin e padrejtësive të ngjashme kanë mirëpritur këtë instalacion duke i dhënë hapësirë realizmit në kontekst lokal, gjë që për mua është një arritje komplete e artit si mision sepse përtej mediumit artistik ka udhëtuar bashkë me të edhe tregimi për gratë e dhunuara dhe krimet e kryera nga forcat serbe në Kosovë.

KultPlus: Ky vit për ju ka qenë i mbushur me aktivitete të shumta e njëra ndër to ishte edhe instalacioni me titull “Kurrë s’je e re për me pri e me pru drejtësi”. Fillimisht a mund të tregoni se si ju lindi ideja që të krijoni një instalacion të tillë?

Alketa Xhafa – Mripa: Synimi çdo herë në një projekt të tillë mbetet të shfaqet potenciali i grave dhe vajzave të reja përmes artit publik si mekanizëm fuqizues, ku merr vëmendje edhe fuqia e aktivizmit për të përshpejtuar ndryshimet shoqërore përmes përfshirjes së grave dhe vajzave.

Me këtë projekt amplifikohen zërat e grave dhe vajzave të reja në udhëheqjen dhe nxitjen e një bote që është e rëndësishme për to dhe brezat e ardhshëm. Në këtë aktivitet janë ftuar gra e vajza të reja të ngrisin zërin për të drejtat e tyre dhe të thyejnë kufijtë e ndërtuar nga stereotipet dhe paragjykimet. Falë aktiviteteve të tilla ku arti shërben si hapësirë dhe platformë e sigurtë, zërat e vajzave dhe grave jehojnë përtej parashikimeve e planifikimeve të shoqërisë e patriarkatit.

KultPlus: Sipas jush ku dallon arti në Londër me artin që zhvillohet në Kosovë?

Alketa Xhafa – Mripa: Dallimet janë të dukshme nganjëherë krahasimi mund të jetë banal sepse në Kosovë mungon shumë mbështetja institucionale për artistët por edhe hapësirat ku arti gjen më shumë rrugë e kanale për t’u zhvilluar. Njëkohësisht artistët në Kosovë mbesin jashtëzakonisht të izoluar nga politikat e regjimit me viza, qasja në programe e fonde ndërkombëtare pothuajse nuk ekziston. Por kjo nuk ka pamundësuar që arti që zhvillohet në Kosovë të mos ketë dimensione të artit që zhvillohet në Londër.

KultPlus: Cili është roli i artistëve në shoqëri sipas jush?

Alketa Xhafa – Mripa: Artistët janë vizionarë dhe aktivistë, ata luajnë një rol të jashtëzakonshëm, veçanërisht në kohëra të vështira. Por roli i tyre është çdo herë më i zbehur e i pamundur pa përkrahjen e shoqërisë dhe komunitetit, e institucioneve përkatëse.

KultPlus: A mendoni se shoqëria jonë ka punuar mjaftueshëm për të mundësuar sjelljen e drejtësisë ndaj grave të dhunuara në luftën e fundit në Kosovë?

Alketa Xhafa – Mripa: Shoqëria dhe njerëzit në Kosovë, duke përfshirë aktivistë, komunitetin artistik e shoqërinë civile kanë treguar solidaritetin e duhur dhe gatishmërinë për ta përkrahur komunitetin e grave të dhunuara gjatë luftës por kjo përkrahje nuk mjafton asnjëherë krahas përjetimeve të tyre gjatë luftës, dhe përgjatë njëzet viteve të fundit. Mbështetja duhet të zgjerohet në mekanizma institucional dhe të merr më shumë vëmendje në trajtimin juridik të krimeve të luftës, sidomos për ata që ende mbesin të lirë dhe të padënuar për krimet e kryera. Vëmendja shoqërore duhet të jetë e përbashkët me institucionet dhe fuqinë politike në vend, në mënyrë që padrejtësitë të trajtohen në mënyrën e duhur. Përkrahja për gratë e dhunuara duhet të mbetet e përjetshme dhe fryma e njëjtë e përkrahjes të përcillet ndër breza.

KultPlus: Sipas jush a ka shënuar shoqëria kosovare progres në aspektin e emancipimit të gruas?

Alketa Xhafa – Mripa: Po, por jo dhe i burrave për gratë. Shoqëria kosovare ka nevojë të edukojë sa më shpesh e më shumë burrat qysh në fëmijëri të hershme mbi të drejtat e grave dhe barazinë gjinore.

KultPlus: Cilat janë planet e juaja në të ardhmen, çka do të presim nga Alketa?

Alketa Xhafa – Mripa: Momentalisht jam duke punuar në një libër shumë të veçantë e për të cilin jam dedikuar plotësisht. Libri përfshin tregimet mbi gratë shqiptare në Kosovë, pionere të profesioneve të ndryshme të cilat kanë ndërtuar themelet e shoqërisë sonë dhe i kanë hapur rrugë emancipimit të gruas. Qëllimi i këtij libri artistik s’është vetëm informativ, por do të realizohet në nder të kontributit të grave të cilat kanë thyer paragjykimet dhe pritshmëritë e një shoqërie që vazhdimisht i kufizonte ato në role tradicionale dhe brenda familjes. Ky projekt shpresoj do të shërbejë  në edukimin e gjeneratave të reja mbi historinë dhe vlerat e shoqërisë sonë falë kontributit të grave./ KultPlus.com

Mariposa Fa, fotografja e autoportreteve që përjetëson figurën e gruas përmes dhimbjes, trishtimit e nostalgjisë

Xhemile Hysenaj

Autoportrete, korba, lule e portrete, janë këto personazhet e fotografisë së Mariposës. Mjafton një shkrepje përmes së cilës fotografja përjetëson dhimbjen, lumturinë, nostalgjinë e trishtimin. Ajo tash e pesë vite ka krijuar një lidhje tejet të ngushtë me artin e fotografisë që tashmë është bërë një me të. Ngjyrat, imazhet e mesazhet që ajo shfaq në fotografinë e saj shkojnë përtej gjithçkaje. Një artiste e rrallë dhe tejet e veçantë në fushën e fotografisë. Ajo për herë të parë për KultPlus, ka rrëfyer për raportin e saj me artin, fotografinë, artistin në përgjithësi dhe figurën e gruas në artin e saj.

KultPlus: Na tregoni fillimisht për fillet e juaja në artin e fotografisë, kur e keni kuptuar se është fotografi ajo përmes së cilës ju do të shfaqnit artin tuaj?

Ka pesë vite tashmë që shkrepi fotografi në cilësinë e një autodidakteje. Kam kaluar nëpër një periudhë shumë të vështirë shëndetësore dhe ideja t’i ngrijë ato emocione, ishte pikërisht ajo çfarë më duhej në ato momente. Prandaj fotografia për mua mbi të gjitha mbetet terapia më efikase e shpirtit.

KultPlus: Na flisni për një ditë tuajën të zakonshme, cila është rutina juaj si fotografe?

Si fotografe për fat të mirë nuk kam rutinë fare, për shkak se fotot i bëj instiktivisht. Një ditë e zakonshme mundet me pasë një dritë shumë të mirë, prandaj e kam të pamundur të mos e përjetësoj atë dritë-hije të momentit. Poashtu e dua shumë vizatimin, pikturën, reciklimin e rrobave, dhe sinqerisht çdo ditë kam diçka të re për të krijuar.

KultPlus: Çfarë saktësisht i frymëzon shkrepjet e juaja?

Çdo gjë që më jep një ndjesi interesante më frymëzon, mirëpo burimi kryesor i frymezimit tim ka të bëj me gruan dhe pozitën e saj në shoqëri . Për mua kjo temë mbetet më e rëndësishmja në të gjitha aspektet.

KultPlus: Në fotografitë tuaja, ngjyrat që dominojnë janë kryesisht ato të errëta, na flisni ma shumë për lidhshmërinë tuaj si artiste me këto ngjyra?

Unë mendoj se nuk janë ngjyrat ato që janë të errëta mirpo shpesh herë zhanri i imazhit të cilin e paraqes në publik. Fotografitë që i bëj nuk kanë frikë ta shfaqin nostalgjinë, trishtimin, dhimbjen apo edhe përditshmërinë e një gruaje të zakonshme, e pse jo edhe në intimetetin e saj. Ndoshta është e kaluara ime që flet më shumë në atë që krijoj, mirpo jam shumë e lumtur që janë pranuar mirë nga publiku ashtu siç janë.

KultPlus: Ajo çfarë ju bënë më të veçantë juve si fotografe, është fakti se ju vetë jeni protagoniste e fotografive tuaja. Na tregoni pse pikërisht autoportrete dhe sa është e vështirë një realizim aq profesional i tyre?

Autoportreti më jep përgjegjësi të madhe për mesazhet që dua ti përçoj. Është një fije shumë e hollë në mes asaj se çfarë fotografoj dhe asaj çfarë jetoj në përditshmëri. Fillimi ka qenë shumë më i vështirë sepse paragjykimet ishin shumë prezente. Ka pasur momente që ky presion më ka bërë të dyshoj në punën që bëja. Falë përkrahjes dhe shtytjes që më kanë dhënë shumë fotografë, sot, më e vendosur se kurrë më parë, vazhdoj të jem pranishme në botën e artit të shkrepjes.

Pastaj është edhe nga ana shpirtërore që autoportreti më ka mësuar ta jetoj një lloj ‘Autoportreti’, ma dhuron lirinë të cilën e jetoj duke u shfaqur ashtu si jam. Njëkohësisht i zhveshi edhe ata që percjellin punën time duke i pranuar ashtu siç janë. Për mua kjo është magjia e fotografisë!

KultPlus: Përpos autoportreteve, çfarë preferoni më shumë të fotografoni?

Fotografoj çdo gjë që ma ngacmon syrin, apo më mirë të them, e ngacmon mënyrën se si i shoh unë gjërat. Për shembull i dua shumë korbat, portretet apo lulet. Çdo gjë që ekziston në rrethin ku jemi, mund ta kete formën e duhur për të mbetur në një imazh.

KultPlus: Ky vit ka bërë që shumë artistë të inspirohen nga situata aktuale, duke e kthyer këtë inspirim në krijimtari. Si po e përjetoni ju si artiste këtë periudhë dhe sa ka ndikuar situata pandemike në artin tuaj?

Sigurisht që ky vit ishte i rëndë për të gjithë, mirpo inspirimi për të bërë foto nuk ka munguar. Në gusht u hap ekspozita ime e parë personale ” NGA PLANETI GRUA” në Galerinë ODA në Shkodër, ku kuratore dhe nikoqire ishte fotografja e njohur Rozafa Shpuza. U prit shumë mirë nga publiku dhe kisha shumë kritika pozitive sa i përket punës. Në të vërtete nuk e kam pritur se do të ketë aq shumë visiztorë, për shkak të pandemise. Ishte një befasi shumë e këndshme. Shpresoj që viti i ardhshëm të sjellë një situate më të qetë dhe sigurisht që do të ketë evente tjera.

KultPlus: Arti konsiderohet të jetë mjeti më i mirë për të shpalosur brendësinë e një artisti. Çfarë saktësisht tentoni të përçoni ju përmes fotografisë?

Mundohem të zbuloj para publikut dicka të sinqertë e të thjeshtë. Besoj që është mënyra më e lehtë që dikush ta shoh vetën në këto fotografi dhe të identifikohet në to. Mundohem të jem gjithmonë autentike, dhe shpresoj të jem në atë rrugë. Ska gjë më të bukur sesa kur të njihet puna nga njerëzit që kanë përvojë të gjatë në këtë drejtim. Dhe ska gjë më të çmuar kur merr mesazhe nga njerëzit që kalojnë momente të vështira dhe më falënderojnë që nga një imazh imi, kuptojnë që nuk janë vetëm.

-Një grua më shkroi një ditë, pasi që kishte pa një foto timen, dhe me tha: Kam imputim në dy këmbët, dhe duke pa këtë foto, më bëri të mos ndihem aq e vetme, të faleminderit shumë. Ky mesazh më ka prekur shumë.

KultPlus: Cili mendoni se është roli i artistit në shoqëri?

Artistët dhe krijimtarët e çdo fushe, e kanë rolin kryesor në shoqëri. Vetëm përkushtimi dhe puna e tyre e mirëfilltë, arrijnë ta hapin mendësinë e një populli.

KultPlus: Si e shihni figurën e gruas në art, e kryesisht në artin e fotografisë?

Gruaja jo vetëm që është inspirimi kryesorë për kryeveprat e mëdha në historinë e artit, por është edhe krijuese po aq e rëndësishme në të gjitha sferat e jetës. Mendoj që shumë fotografe kanë lënë gjurmë dhe vazhdojnë me plot kreativitet dhe cilësi ta pasurojnë artin e tetë. / KultPlus.com

Rrugëtimi i Mikit, shqiptarit sipërmarrës në Japoni, historia e të cilit shkon përtej frymëzimit

Suada Qorraj

I lindur në Pejë në verën e vitit 1964, Mithat Haxhiislami më i vogli fëmijë i familjes, që të tjerët e quanin edhe Miki, arriti që përgjatë jetës së tij të udhëtoj në shumë vende, e të bëhet edhe sipërmarrës në  Japoni.

Në një intervistë për KultPlus Haxhiislami ka rrëfyer rrugëtimin e tij, që nga 1989 e deri më sot, arsyes së migrimit jashtë atdheut, martesës së tij, por edhe për sukseset të cilat sot, më shumë se kurrë janë bërë pjesë e pandashme e jetës së tij.

KultPlus: Ju jetoni tash e 18 vite në Japoni, për gjithë këto vite keni mësuar e madje edhe jetuar së bashku me këtë kulturë. A mund të na tregoni disa nga specifikat e kësaj kulture që ty të kanë bërë përshtypje që herën e parë kur keni shkuar në Japoni?

Micky Haxhiislami: Saktësisht, më 19 janar 2021 bëhen plot 18 vite që nga shpërngulja ime me familje nga Londra për në kryeqytetin japonez, Tokion. Fal 14 viteve të kaluara në Londër më parë, si një qytet tjetër i madh metropolitan, dhe fal suksesit tim profesional aty, nuk e kam pasur fare vështirë të kyçem shpejt në jetën japoneze, edhe pse prap se prap, ky shtet është i veçantë dhe i vetmi si i tillë në këtë planet.

Specifikat kryesore të kësaj kulture që më kanë lënë mua shumë përshtypje janë: respekti ndaj njëri tjetrin, sidomos ndaj seniorëve; respekti ndaj punëdhënësit dhe kolegëve; vlerësimi i kohës maksimalisht; shërbimet e nivelit më të lartë në botë; cilësia e çfarëdo produkti qe e blen, dhe vetëdijesimi i qytetarëve për mbrojtjen e ambientit dhe pastërtisë të qyteteve/vendbanimeve të tyre.

Tokyo, 15 Tetor 2013. Fotografia: Micky Haxhiislami

KultPlus: Sa ka qenë e vështirë për ju që të familjarizoheni me Japoninë dhe kulturën e këtij vendi?

Micky Haxhiislami: Për mua nuk ka qenë vështirë aspak të adaptohem në këtë kulturë, pasi që vite më parë e kam vizituar rregullisht Tokion çdo vit, dhe jam familjarizuar mjaft mirë me jetën atje. Gjithashtu edhe personaliteti im, kujdesi i madh ndaj çdo detaji dhe vlerësimi i kohës maskimalisht, dy shprehi tipike kryesore japoneze, më ka ndihmuar jashtëzakonisht shumë që ta përballoj lehtë kulturën e këtij vendi unik.

KultPlus: Por kush ishte Micky Haxhiislami para se të shkonte në Japoni? Cilat janë rrugët profesionale e personale që ai ndoqi në atdheun e vet dhe cila është arsyeja që ju emigruat jashtë vendit?

Micky Haxhiislami: Mithat Haxhiislami, i quajtur MIKI qysh nga fëmijëria edhe i lindur në Pejë më 7 qershor 1964. Fëmiu më i vogël nga 5 fëmijët e çiftit bashkëshortor Islam Haxhiislami dhe Nanije (Lleshi) Haxhiislami (dytë të ndjerë).

Shkollën fillore e kam kryer në vendlindje kurse të mesmen në Prishtinë -shkolla e mesme e mjekësisë -drejtimi ‘teknik i dhëmbëve’. Pas shërbimit të detyruar ushtarak u regjistrova pranë fakultetit te mjekësisë-dega e stomatologjisë.

Pas përkeqësimit të situatës në Kosovë – në vitin 1989 iu vërsula rrugës së kurbetit. Shtegu i kësaj rruge filloi me Kroaci, Zvicër, Gjermani, Holandë dhe pastaj në fund të po këtij viti ndalova në Londër,  ku edhe jetova dhe punova deri në janar të vitit 2003. Aty kisha një periudhë të suksesshme dhe isha mjaft mirë i sistemuar me punë dhe banim.

Fillimisht si edhe shumica e shqiptarëve në migrim, pasi që kualifikimet e mia nuk pranoheshin, dhe në pamundësi të vazhdimit të studimeve shkaku i kostos jashtëzakonisht të lartë për shtetasit jugosllav, kam punuar në restorante dhe bare. Më pas, në vitin 1992 fillova ti mbikëqyri disa apartmane të cilat ishin në pronë të një familje të pasur angleze. Pas një viti, mora përsipër menaxhimin dhe lëshimin me qira të gjitha apartmaneve që ishin në pronë të kësaj familje dhe miqve të tyre. Ishin gjithsej 170 apartmane nën menaxhimin tim në fillim. Ky numër u ngrit përmbi 1700, në janar të vitit 2003, kur edhe u largova nga Londra. Në vitin 1995 ndodhi një gëzim i madh  për mua, pasi që arrita ta rregulloj statusin tim britanez, e cila ma mundësoi menjëherë edhe blerjen e banesës së parë, pastaj edhe të shtëpisë në Wimbledon, pjesë e Londrës te cilën unë e adhuroj.

KultPlus: Ju jeni i martuar dhe keni krijuar familje me një grua japoneze. A mund të na rrëfeni pak më shumë rreth njohjes tuaj, takimit të parë e deri tek momenti që vendosët të jetonit së bashku?

Micky Haxhiislami: Gjatë vitit 1996 pata fat të njihem me një vajzë japoneze shumë të këndshme dhe inteligjente, e quajtur Kasumi, fëmijë/vajzë e hasretit, me të cilën u martova dhe s’bashku kemi një fëmijë të mrekullueshëm-çun, tani 22 vjeçar, me emrin Len, i cili tani është student i vitit të katërt pranë Keio University, universiteti më i vjetër privat në Japoni, i themeluar në vitin 1858, ku edhe studion Letërsinë Franceze.

Kasumi faktikisht ka qenë një ndër disa qindra qiraxhinjë japonez, që kanë jetuar në ndërtesat nën menaxhimin tim. Unë gjate viteve ‘90 isha specializuar ne gjetjen e klientëve japonez, pasi që ata janë thesar për çdo pronar: të pastër, qiranë e paguajnë gjithherë me kohë dhe janë kryesisht pa ankesa. Ndërsa Kasumi për më shumë, shpesh edhe më ndihmonte kur kisha klient tjerë nga Japonia të interesuar ne banesat tona, kjo ju shpjegonte atyre për cilësinë e banesave tona si dhe shërbimet dhe kujdesin që ne iu ofrojmë klientëve tanë. Kjo më pat bërë shumë përshtypje, dhe si falënderim unë e ftova Kasumin për darkë një natë, dhe ja kështu filloi edhe lidhja jonë në vitin 1996. Vitin tjetër do bëhet plot një çerek shekulli prej që ne jemi bashkë.

Micky dhe gruaja e tij Kasumi. Fotografia: Micky Haxhiislami
Micky, gruaja Kasumi dhe djali Len. Fotografia: Micky Haxhiislami

KultPlus: Ju tash e një kohë administroni grupin e Facebook-ut “Albanian Vintage Photography, people, cities, culture and history”, a mund të na tregoni se si ju lindi ideja që të krijoni një grup të tillë ku promovohet kultura dhe historia shqiptare?

Micky Haxhiislami: Faktikisht, ideja lindi nga miku im nga fëmijëria, Merkur Beqiri, në prill të vitit 2011, dhe që nga atëherë ne së bashku e administrojmë faqen në fjalë në Facebook, tani më mjaft të mirënjohur me emrin “Albanian Vintage Photography, people, cities, culture and history”, e cila merret kryesisht me postime të fotove të vjetra nga gjitha trojet shqiptare. Kjo faqe tani mbledhë më shumë se 35 mijë anëtarë dhe qindra mijëra përcjellës çdo ditë nga të gjitha anët e botës, jo vetëm nga shqiptarët, por edhe nga shumë nacionalitete tjera që janë kureshtar të mësojnë për të kaluarën shumë të pasur të kombit tonë. Sot në këtë faqe kemi arrite ta krijojmë një arkivë të pasur me më shumë se 100,000 foto të vjetra nga gjitha trojet shqiptare. I lus lexuesit e juaj që të bëhen pjesë e këtij komuniteti të madh dhe s’bashku t’vazhdojmë të mësojmë për të kaluarën. Mos harroni se pa e njohur të kaluarën në mënyrë të mirëfilltë, ne nuk mund ta ndërtojmë të ardhmen tonë në mënyrë prosperitive dhe të qëndrueshme.

KultPlus: Sa e vështirë është për ju menaxhimi i këtij grupi, por njëkohësisht edhe sigurimi i informacioneve që botoni çdo ditë?

Micky Haxhiislami: Kjo tani vetëm se mu ka bë rutinë, dhe nuk ballafaqohem fare me vështirësi në menaxhimin e saj si dhe mbledhjen e fotove dhe informacioneve përkatëse, pasi që edhe ma ushqen shpirtin thellësisht, mirëpo sa i përket kohës, të cilën unë e vlerësoj jashtëzakonisht shumë, mi mera çdo ditë s’paku 1 orë. Por këtë investim të kohës time unë e cilësoj si diçka tepër të vlefshme, pasi që kemi bë një lloj revolucioni në edukimin e gjitha gjeneratave në lidhje me historinë e të kaluarës tonë shumë të pasur përmes fotove të përcjella me informacione të shkurta, për te cilat ne shumë pak kemi ditur më parë.

Ura e Prizrenit, shtator 1863, nga fotografi Josef Szekely/ Albanian Vintage Photography, people, cities, culture and history. Fotografia siguruar nga Micky Haxhiislami

KultPlus: Ju tashmë keni edhe një biznes tuajin në Japoni, na shpjegoni rrugëtimin tuaj se si erdhi deri tek hapja e këtij biznesi e deri në ditët e sotme?

Micky Haxhiislami: Siç e ceka edhe më lartë ne janar te vitit 2003 unë vendosa të marr një hap tjetër të madh sfidues në jetën time, iu vërsula lindjes së largët vendlindjes së zonjës sime Kasumit, kryeqytetit japonez, Tokios, ku menjëherë e themelova kompaninë time private, e cila merret kryesisht me shitjen e produkteve innovative japoneze, për kujdes shëndetësor. Më pas, në shkurt të vitit 2004 morra një ofertë nga drejtori gjeneral i kompanisë medicinale Japan Medical Co Ltd., si menaxher i departamentit të tyre ndërkombëtar. Kjo ma mundësoi që t’mësoj thellësisht mënyrën e punës në një kompani puro private japoneze.

Fabrika në Kinë. Fotografia: Micky Haxhiislami

KultPlus: Si quhet biznesi që ju tashmë e keni në Japoni?

Micky Haxhiislami: Më 1 shtator të vitit 2010, departamentin në fjalë e shndërrova në kompani të pavarur me emrin Intermedico Japan Co., Ltd., të cilën e udhëheqë edhe sot. Kjo kompani është e specializuar kryesisht në prodhimin dhe shitjen e produkteve medicinale, kujdes shëndetësor dhe atyre kozmetike. Qëllimi ynë kryesor është që të zbulojmë, prezantojmë dhe shesim me sukses ne tregun ndërkombëtar produktet e reja dhe unike japoneze të cilat e mbrojnë dhe rrisin cilësinë e jetës. Thjeshtë, mirremi me punën më të vështir, ndërtimin e kulturës së marrjes së barnave, nga ajo orale në atë transdermale.

Që nga viti 2004 kemi ndërtuar një partneritet të shkëlqyeshëm me fabrikat tona, të cilat ndodhen në Japoni, Kinë, Tajlandë dhe Korenë Jugore. Për momentin prodhimet tona ndodhen në shitje në më shumë se 40 shtete te ndryshme të botës.

KultPlus: Një nga produktet/brendet e juaja quhen “FRECOPAD, iREST & iFACE” te cilat tani gjinden ne shitje ne shume vende te botes, i keni sjelle edhe në Kosovë, Shqipëri dhe Maqedoni Veriore. Si po pranohen këto brende/produkte në trojet shqiptare?

Micky Haxhiislami: Produkti jonë me i suksesshëm është “kompresa freskuese”, apo siç quhet në anglisht ‘cooling gel sheet’ apo ‘cooling patch’, nën brendin tonë privat ‘FRESCOPAD’, që shitet tani me miliona copë për çdo vit anë e mbanë botës. Ky produkt vendoset në ballë dhe është totalisht pa asnjë efekt anësor dhe plotësisht efektiv kundër temperaturave të larta, etheve, kokëdhimbjes, migrenës, dhimbjes së dhëmbit, lëndimeve sportive, si dhe për largimin e sikletit nga ngrohja gjatë ditëve dhe netëve të nxehta të verës.

Kemi gjithashtu edhe shumë produkte/brenda tjera innovative siç janë maska kozmetike me akullxhel për fytyrë (iFACE), nën sy (iREST), sy (iKOOL), mjekër (CHINUP PATCH), thembra (HEELCARE), etj., të cilat poashtu janë shumë efektive dhe pa asnjë efekt anësor, si dhe ato për terapi me ngrohje siç janë WARMEX që vendosen përmbi të brendshmet, si dhe ato THERMALPAD të cilat vendosen direkt në lëkurë, ne burimin e dhimbjes.

Këtë vit e themeluam kompaninë tonë edhe në Prishtinë, me emrin “Intermedico Japan Europe LLC”, me qëllim që ta mbulojmë tregun Evropian nga Kosova me produktet tona të dëshmuara në shumë shtete të botës. Fillimisht kemi startuar me 3 produktet/brendet tona më të suksesshme: FRESCOPAD, iREST dhe iFACE. Edhe pse menjëherë u ballafaquam me pandemi, kohën më të vështirë në histori të njerëzimit, prap se prap shitja e produkteve dalëngadalë po ngritët, dhe ne ndjehemi mjaft te lumtur për këtë gjë, sidomos duke e pasur parasysh se në shumicën e rasteve kemi blerje të përsëritshme nga klientët e njëjtë, kjo do të thotë shumë. Sigurisht që kemi nevojë për më shumë shitje, mirëpo pasi që e nënshkruam edhe kontratën me “Posta e Kosovës”, blerja e produkteve tona për nevoja personale tani është mundësuar në më shumë se 37 shtete të botës, diçka qe ne kurrë më parë nuk e kemi bë, pasi që si prodhues kemi punuar vetëm me distributor të mëdhenj, dhe nuk jemi marë fare me shitje me pakicë.

Për më shumë informata në lidhje me produktet tona, i lusim lexuesit e juaj ta vizitojnë faqen tone www.intermedicojp-eu.com ku mund të bëhen më familjarë me beneficionet e tyre, si në gjuhën shqipe ashtu edhe në atë angleze./ KultPlus.com

Me partnerët në Kinë./ Fotografia: Micky Haxhiislami

Pula Petrovci: Dera jonë në Beograd ishte e hapur për shumë shqiptarë

Ardianë Pajaziti

Ishte vetëm 9 vjeçe. Motra e saj e kishte marr përdore dhe po e dërgonte në drejtim të Shkollës së Muzikës, dhe nuk e kishte kuptuar se hapat drejt atij objekti do të jenë hapa vendimtarë të profesionit të saj jetësor.

Valbona Pula Petrovci, sot një mjeshtre e pianos, profesoreshë në Fakultetin e Muzikës, udhëheqëse dhe themeluese e Shkollës së Muzikës “Amadeus” (Shkolla e parë private e muzikës e themeluar në Kosovë që nga vitit 2002) dhe ligjëruese në AAB, tregon për KultPlus për këtë rrugëtim jetësor i cili kishte shumë sakrificë e mund.

“Motra ime kishte një shoqe që shkonte për piano, dhe asaj i kishte mbete shumë peng që nuk ishte regjistruar vet, dhe duke e vuajtur këtë ‘gabim’, ajo vendosi të më dërgonte mua”, tregon Pula për hapat e parë drejt këtij instrumenti, që vazhdon të mbetet prehje, lumturi e ngushëllim për çdo moment të jetës së saj.

Pula Petrovci kujton se as ajo dhe as familja e saj nuk e kishin menduar se loja në një piano do të shndërrohej në një profesion jetësor, dhe së dëshira e nënës së saj që të shihte Valbonën me mantel të bardhë, mund të zëvendësohej me lojën në tingujt e një pianoje. 

Valbona Pula Petrovci kujton angazhimin e saj të madh për të ndjekë paralelisht edhe Shkollën Fillore por edhe atë të Muzikës, njësoj për të vazhduar edhe në shkollën e mesme, ku Pula ka përfunduar edhe gjimnazin dhe shkollën e mesme të muzikës, në drejtimin e pianos.

Dhe brenda kësaj periudhe, ajo pos që shkollohej, në të njëjtën kohë po provonte magjinë e skenës, kohë në të cilën, sipas Valbona Pula Petrovcit, këto paraqitje vulosnin dita ditës se shkollimi i saj në këtë instrument nuk ishte hap i gabueshëm dhe se mund të shërbejë edhe për hapjen e portave të reja.

Dhe një portë e tillë duhej të hapej. Valbona Pula Petrovci kishte ardhë në fazën e studimeve, porse Fakulteti i Muzikës nuk kishte drejtim të pianos.

Se Shkolla e Muzikës nuk kishte drejtim të pianos, dhe se një vajzë e re prishtinase dëshironte të studionte pikërisht në piano, ishin fakte të vitit 1976, por që me vendim të Pajazit Nushit, atëherë ministër i Ministrisë së Arsimit dhe me angazhimin e profesorëve si Engjëll Berisha, Vincenc Gjini e Mark Kaçinari , ishte marr vendimi që drejtimi i pianos të hapej edhe në Prishtinë.

“Drejtimi i pianos është hapur me mua, isha studentja e parë dhe e vetme në këtë instrument, por jam mirënjohëse për vizionin e Pajazit Nushit, i cili bëri këtë hap që t’iu jepte kurajo edhe gjeneratave të ardhshme”, ka thënë Pula Petrovci, e cila shpjegon se duke qenë studentja e parë dhe e vetme e një drejtimi sfidues, shpesh e ka detyruar të punoj shumë më shumë, në mënyrë që të argumentonte se një drejtim i tillë ishte i domosdoshëm për të rinjtë e Kosovës. 

Duke qene studentja e parë që hapi drejtimin e pianos, Valbona Pula Petrovci bartë mbi supe edhe një titull tjetër, e diplomuara e parë në këtë instrument po në Universitetin e Prishtinës.

Dhe përvoja e saj gjatë studimeve vlerësohet të jetë briliante, për shkak se për pedagog kishte një pianist rus, një ndër më të mirët e asaj kohe, dhe Pula Petrovci shpjegon se krejt boshllëkun e shkollimit të saj në këtë instrument përgjatë fillores dhe shkollës së mesme, e plotësoi me përkushtimin e madh të Evgeni Koroliov.

“Por këtë profesor e pata vetëm në vitin e parë, pastaj, ai konkurroi në një konkurs ndërkombëtar dhe zuri vendin e parë, konkurs që i dha mundësinë të pranohej si profesor në Universitetin e Hamburgut. Duke vlerësuar angazhimin tim si pianiste, bashkë me gruan e tij më ofruan që të shkoj bashkë me ta në Gjermani, por unë e refuzova. Në rrethanat që ishim, mu duk e pamundur të shkoj e të studioj jashtë, dhe vendosa ti vazhdoj studimet këtu”, tregon Pula Petrovci, e cila vazhdon rrëfimin se edhe më pas ka pas fat me profesorë të tjerë të huaj, prej të cilëve mori mjeshtërinë e një pianisteje.

Dhe përderisa gjatë studimeve ajo përjetoi shumë paraqitje skenike në gjithë Jugosllavinë, ndoqi shumë shkolla verore në shtete evropiane, Pula Petrovci në shtatorin e vitit 1980 diplomohet në Fakultetin e Muzikës, drejtimi i pianos, dhe po në tetor të atij viti punësohet në Shkollën e Mesme të Muzikës. Akoma pa kaluar një vit i plotë nga punësimi i saj në Shkollën e Mesme të Muzikës, Valbona Pula Petrovci punësohet në Fakultetin e Muzikës, e cila vazhdon të jetë aktive edhe në ditët e sotme, si profesoreshë e rregullt e instrumentit të pianos.

Por përderisa stabilizohet edhe në mësimdhënie, situata politike e asaj kohe ka ndikuar në zbehjen e aktiviteteve koncertale, dhe sipas Pula Petrovcit, gjenerata e saj, mu në kulmin e veprimtarisë ballafaqohet me këtë situatë që stopon shkëlqimin e tyre në skena prestigjioze.

Njohja me Enver Petrovcin më ndryshoi krejt jetën

Përderisa po vazhdonte punën e saj si profesoreshë dhe po prezantohej herë pas here edhe me koncerte solistike por edhe me koncerte të tjera të shumta, në të njëjtën kohë, një djalë nga Kosova po bënte karrierën prej një aktori të madh, por jo në Kosovë, por në Beograd.

Enver Petrovci e kishte shok vëllain e Valbona Pula Petrovcit, përderisa kjo e fundit e njihte vetëm si aktor të suksesshëm.

“Enveri kishte një rol të një pianisti në një shfaqje në Beograd, dhe për të mos qëndruar në Beograd që ta mësojë lojën e pianos, ai kishte vendosë që të vinte në Prishtinë për ta ushtruar këtë pjesë pianistike,  dhe në të njëjtën kohë të qëndronte edhe me familjen e tij. Me këtë rast e kishte pyet vëllain tim se nëse mund ti ofroja disa orë të pianos, në mënyrë që të ushtronte atë pjesë për shfaqje, unë pranova”, tregon Pula Petrovci për këtë takim, i cili nuk ngeli takim me vetëm disa orë të pianos, por vazhdoi edhe me shumë takime të tjera.

“U takuam, më kujtohet që kur luajta pak për të në piano, i erdhi keq, sepse më tha që është fillestar dhe nëse është e drejtë që një profesioniste si Pula të shpenzojë kohën me të. Por natyrisht që nuk e refuzova. Por ajo që më pengoi, ishte vetëbesimi i tepruar, se kur e pyeta se nëse ka njohuri për pianon, më tha pa hezitim ‘jo, por mësoj”. Më provokoi ajo përgjigje, sepse unë kisha një jetë të tërë që luaja në piano, dhe prap kishte gjëra që mund të mësoja”, tregon Pula Petrovci për këtë takim, e cila shpjegon se edhe pas përfundimit të orëve të pianos, pjesë që njëmend e kishte zotëruar Petrovci, ata të dy vazhduan takimet e shumta që rezultuan të krijojnë një miqësi të ngushtë.

“Një kohë të gjatë mbetëm shokë të ngushtë, shumë përjetime private, por edhe këshilla i ndanim me njëri tjetrin, por pa ndonjë shkëndijë sentimentale. Më vonë, Enveri filloi të më vardisej, dhe pas një lidhje nëntë muajshe ne vendosëm që të martoheshim. Mirëpo, ky vendim ma ndërroi komplet jetën time, sepse unë duhej të transferohesha në Beograd, dhe natyrisht për mua fillonte një jetë krejt ndryshe”, ka thënë Pula Petrovci.

Pula Petrovci filloi jetën me Enverin, por bashkë me Enverin dhe me Valbonën u transferua edhe pianoja e fëmijërisë së Valbonës. Punën në Prishtinë nuk e kishte ndërprerë, dhe përgjatë krejt qëndrimit të saj në Beograd, ajo ka udhëtuar një herë në javë Beograd- Prishtinë dhe anasjelltas që të mbaj mësimet në fakultet.

“Ishte shume sfiduese, sepse tashmë kishim edhe vajzën e madhe, por përgjatë këtyre shtatë viteve sa kam qëndruar në Beograd, asnjëherë nuk kam munguar në mësim”, ka thënë Pula Petrovci, por që në të njëjtën kohë, largimi nga Kosova, krijimi i familjes dhe angazhimet e tjera kishin zbehë pjesën koncertale, zbehje që vazhdonte të shtresonte mungesën e saj në skena pianistike, për të cilën kishte investuar aq shumë.

“Ato vite, kanë qenë vite që Enverin e kam parë në mëngjes dhe kur ka ardhë në mbrëmje. Ka qenë jashtëzakonisht i zënë me role. Ka pas raste që kam luajt edhe rolin e asistentes për t’ia kujtuar se cilën shfaqje ka në mbrëmje, aq shumë shfaqje ka pas përgjatë muajit në repertor”, ka thënë Pula Petrovci, duke kujtuar suksesin e tij në ish Jugosllavi por edhe në aspektin ndërkombëtar.

Duke peshuar se cili duhet të sakrifikohej, Pula kujton se kishte menduar që ajo duhet të sakrifikoj nga karriera e saj, pasi që, Enver Petrovci tashmë ishte një yll i madh.

Por ky vendim, Pula Petrovcin e bën të ndihet mirë edhe sot, sepse, sipas saj, suksesi i Enver Petrovcit e kërkonte një vëmendje të tillë edhe nga ana e familjes.

Shtatë vjet në Beograd, ishin vite shumë kualitative

“Në Serbi, në atë kohë kemi pas një tretman shumë korrekt, ndoshta edhe pse jemi shoqëruar me njerëz të nivelit të lartë artistik, dhe ato shtatë vite në Beograd, i konsideroj si shtatë vite shumë kualitative, pikërisht për shkak të rrethit të ngushtë që jemi shoqëruar”, ka thënë Pula.

Dhe, derisa Enver Petrovci bënte jetën e një aktori të madh në mes të Beogradit, Valbona Pula udhëtonte çdo javë për në Prishtinë për të mbajte ligjëratat, shtëpia e tyre me qira në Beograd ishte shndërruar në një derë të hapur për çdo shqiptar që kalonte nëpër Beograd, apo që kishin nevojë të qëndronin më shumë.

“Në fund të viteve të 80-ta dhe fillim të viteve të 90-ta shumë shqiptarë kanë udhëtuar në Beograd, qoftë transit apo për më gjatë. Ata që qëndronin më gjatë, kryesisht kanë qenë për probleme shëndetësore. Dhe dera jonë ka qenë e hapur për shumë shqiptarë. Për shtatë vite sa kam qëndruar në Beograd, mund të them se nuk di nëse janë tre muaj prej asaj periudhe që kemi qenë vetëm familja jonë, pjesa tjetër ka qenë vazhdimisht me mysafirë. Edhe tash takoj shumë njerëz që më thonë se kanë qëndruar në shtëpinë tonë, por nuk i mbaj në mend, sepse kemi pranuar shumë shqiptar”, kujton Pula Petrovci, e cila shpjegon se disa vite me vonë kishin blerë edhe banesën e tyre në Beograd, dhe atëherë ishte më e lehtë të priste edhe mysafirë.

Por jo gjithçka ishte vaj në atë periudhë, pas përkeqësimeve politike në vend, ajo kujton se kanë pas shumë situata të pakëndshme, pikërisht nga propaganda e tmerrshme që bëhej nëpërmjet medieve. “Ka pas raste që kemi fjetur me tavolinë prapa derës, sepse na ka shkuar mendja deri te më e keqja. Edhe pse, në aspektin profesional nuk kemi pas ndonjë problem”, ka kujtuar ajo, duke specifikuar edhe rolin e Enver Petrovcit në rolin e Car Lazarit, rol që kishte krijuar edhe zhurmë mediatike, duke vënë në thumb regjisorin e shfaqjes se si ka vendosë që këtë rol t’ia ndaj një aktori shqiptar, por edhe të Enver Petrovcit se si ka vendosë të luaj një figurë serbe.

Nuk dëshiroja që vajzën time ta regjistroja në shkollë në Beograd, për këtë arsye u kthyem në Prishtinë

Familja Petrovci në vitin 1992 kishte marë vendimin që ta lëshonte Beogradin dhe të kthehej në Prishtinë.

“Arsyeja e parë e kthimit ishte përkeqësimi i situatës politike, por arsyeja tjetër ishte edhe vajza jonë e madhe. Nuk dëshiroja ta regjistroja në shkollë atje, dhe vendosëm të ktheheshim. Vajzën e kemi regjistruar në shkollë, një muaj pa i bërë tetë vjet, gjë qe e kemi vonuar”, ka thënë Pula Petrovci, e cila ajo tashmë e kishte më të lehtë punën në Universitet, pasi që nuk kishte nevojë më të udhëtonte, përderisa Petrovcit i ishte bërë ftesa për të themeluar teatrin “Dodona”.

Përderisa kjo familje po provonte të ringjitej në vendin prej nga edhe kishin dalë, telashet dhe provokimet nga të tjerët nuk kishin të ndalur. Roli i Car Lazarit në Beograd nuk ishte kuptuar nga disa vetëm si një rol, dhe ky angazhim i aktorit po i nxirrte në pah pasojat. Pula Petrovci kujton se roli i Car Lazarit nxorri në pah absurditete dhe një propagandë denigruese ndaj Enverit, ku pos të tjerave ajo kujton edhe kohën kur për shkak të këtij roli, rektorati i asaj kohe nuk pranoi që Enver Petrovci të merrte pozitën e dekanit, edhe përkundër vendimit unanim të Këshillit Mësimor të Universitetit. Por, sipas Pula Petrovcit, shpesh herë janë provokuar edhe fëmijët e tyre, duke kujtuar se shumë shpesh, vajza e tyre Hana është kthyer duke qarë nga shkolla, pasi që fëmijët e kanë fyer duke i thënë se babain e ka ‘shka’. “Njerëzit që kanë bërë karrierë në Beograd kanë qenë në shënjestër, nuk ka qenë e lehtë”, ka thënë Pula.

Banesën në Beograd na uzurpoi një serb nga Mitrovica, ma vodhën edhe pianon e fëmijërisë

Dhe përderisa kjo familje ballafaqohet me probleme në Kosovë, jo lehtë kalojnë edhe me Beogradin, banesën që e kishin poseduar atje, Pula Petrovci tregon se ia kishte uzurpuar një serb nga Mitrovica.

“Shtatë vjet ka zgjatë gjykimi deri sa e kemi rikthyer banesën, por vuajtja më e madhe që më është shkaktuar nga ai uzurpim është zhdukja e pianos sime, piano që e kam pas nga fëmijëria. Atë më nuk e kam gjete”, ka thënë Pula Petrovci.

Pula Petrovci kujton angazhimin e tyre përgjatë viteve të 90-ta, Petrovci në teatrin “Dodona” e Pula Petrovci në Fakultet të Muzikës, por paraqitjet skenike në piano, në atë periudhë ishin pothuajse të pamundura. Viti 99 kur shënoi edhe përfundimin e luftës, Pula Petrovcin e gjeti në moshën 42 vjeçare.  Ajo kujton se magjinë e skenës pianistike ka vite që nuk e përjeton, pikërisht për shkak të angazhimeve të shumta që ka, prej kthimit në Kosovë e deri në ditët e sotme.

Lëvizjet e saj Prishtinë- Beograd, krijimi i familjes, përkushtimi ndaj tyre, rrethanat politike, lufta në Kosovë janë një varg i arsyeve që kanë ndikuar që nga një pianiste skenike të fokusohet në rolin e pedagogut, punë që e bën me një përkushtim shumë të madh.

“Nuk ishte e lehtë të kyçesha në aktivitete koncertale, sepse dalja në skenë bartë një përgjegjësi të madhe, më mungon shumë skena, po në anën tjetër kam një satisfaksion të madh, së paku që përvojën time po e barti te studentët e mi”, ka thënë Pula Petrovci.

Ajo pas luftës ka përfunduar edhe magjistraturën për piano, në Shkup të Maqedonisë, përderisa kujton se përgjatë karrierës së saj, mund të numërohen rreth 60 paraqitje skenike, dhe pas kësaj ka themeluar edhe Shkollën e Muzikës “Amadeus”, institucion që e menaxhon prej asaj periudhe.

Një jetë e tërë me rënie dhe ngritje, me një përkushtim të madh për familje, sidomos për tre fëmijët e saj, për Pulën është një jetë sfiduese por që nuk do ta kishte ndërruar në asnjë variant.

Jeta me Enverin nuk ka qenë e lehtë, por ka qenë atraktive

“Jeta me Enverin dhe angazhimet e tij nuk ka qenë e lehtë, por ka qenë atraktive. Nuk e kisha ndërruar për asnjë jetë. Natyrisht që çdo grua dëshiron që familja ti funksionojë si një sahat, gjë që na kanë munguar për shkak të profesionit të Enverit, por ka qenë një jetë ndryshe, jo jetë si te familjet e zakonshme. Ajo çka më ka munguar, është prania e tij, sepse ka qenë gjithmonë i zënë”, thotë Pula Petrovci, e cila shpjegon se duke parë angazhimin e tyre në botën e artit, ajo mendon se fëmijët e saj janë tremb nga këto profesione. Dy fëmijët e mëdhenj nuk merren me art, përderisa vajza e vogël ka përfunduar aktrimin, dhe Pula Petrovci thotë se goxha i ka ngjarë Enverit.

Duke iu falënderuar profesioneve që i kanë ushtruar, Pula thotë se kanë takuar njerëz me shumë kualitete e me bagazhe profesionale,  dhe mu për këtë fakt janë shumë të pasur, edhe pse, pikërisht për shkak të profesioneve kanë pas shumë ngufatje e mbrëmje pa gjumë.

Pula Petrovci që nisi profesionin e pianistes si e vogël, që barti këta tinguj për një jetë të tërë, në fund të kësaj interviste thotë se tingujt e këtij instrumenti vazhdojnë të jenë profesioni, relaksi dhe ushqimi i saj shpirtëror. /  KultPlus.com

More Raça: Arti kinematografik përçon realitetet e shoqërive dhe ndikojnë te ndërrimi i mentalitetit

Medina Pasoma

Në një shoqëri në tranzicion, regjisorja More Raça ka vendosur që të drejtoj filma të cilat pasqyrojnë përditshmërinë shoqërore në formën e saj artistike, duke arritur që ta ketë një ‘armë’ për kompleksitetin e problemeve.

Kështu, filmat “Ajo”, “Home”, “Amel” dhe “Galaktika e Andromedës” përbëjnë mozaikun krijues të deritanishëm të Raçës, e që nuk do të mbetet vetëm me kaq.

Përderisa rrugëtimet fizike këtë vit u kufizuan për shkak të masave anti-covid nëpër botë, rrugëtimet artistike nuk patën asnjë lloj kufiri. Kësisoj, ky vit për filmin e parë të metrazhit të gjatë nga ligjëruesja universitare, “Galaktika e Andromedës” ishte mjaft i suksesshëm, duke marrë pjesë në festivale ndërkombëtare të Francës, Egjiptit, Bosnjës dhe Italisë.

Në anën tjetër, More Raça nuk u mjaftua me kaq. Ajo morri një iniciativë për ta bindur publikun për fuqinë e artit pavarësisht situatës, duke organizuar Javën e Filmit të Gruas si ombrellë e kineasteve gra nga vende të ndryshme, në përpjekje të çmimit që mban emrin e regjisores së parë shqiptare “Xhanfise Keko”.

Pikërisht për t’i diskutuar të arriturat personale dhe ato organizative, KultPlus ka realizuar intervistën e fundvitit me regjisoren More Raça, e cila fillimisht na foli për festivalin që realizoi edicionin e parë të organizimit përgjatë 2020-ës.

“Qëllimi i Festivalit ishte bashkimi i kineasteve nga mbarë bota në një platformë online dhe në këtë mënyrë të krijohet mundësia e shkëmbimit të vlerave filmike nga vendet nga ku vinë këto kineaste, si: Greqia, Turqia, Irani, Qipro, Gjermania, Bullgaria”, u shpreh More Raça.

Raça tutje tregoi për KultPlus se kineastet nga mbarë bota duke u bashkuar virtualisht në Prishtinë, kanë sjell rrëfimet e tyre personale të cilat i kanë shndërruar në storie të filmit. Teksa Raça me iniciativën e saj solli një risi në organizimet kinematografike, ky vit solli suksese të njëpasnjëshme për filmin e saj të fundit “Galaktika e Andromedës”.

“Galaktika e Andromedës i ka tejkaluar të gjitha parashikimet pasi që sukseset e këtij filmi ishin vërtet të mëdha, duke u nisur nga çmimi në San Sebastian Film Festival, festival i kategorisë A; premiera në festivalin e Sarajevës si festivali më i madh në rajon ku filmi ishte në konkurrencën kryesore; pastaj në Cairo International Film Festival që është festival i kategorisë A dhe së fundmi në Les Arcs Film Festival në Francë”, thotë More Raça, teksa filmi i saj arriti të shfaqet edhe në një festival tjetër në Itali.

Në anën tjetër, në festivalin ndërkombëtar të filmit në Kajro të Egjiptit përveç që u shfaq filmi, aty Raça shpalosi edhe rrugëtimin e saj artistik në “Sarajevo Talents”.

“Përveç se kisha filmin në konkurrencë zyrtare, pata nderin të ftohem edhe si eksperte në Sarajevo Talents bashkë me emra të mirënjohur të kinematografisë botërore. Ishte kënaqësi të shpalosi përvojat e mia para talentëve të rinj të rajonit të përzgjedhur në Sarajevo Talents”, shprehet Raça.

Mediumin e filmit More Raça e sheh si një thirrje artistike për përmirësim shoqëror, duke shpalosur realitetin aktual.

“Arti kinematografik medoemos përçon realitetet e shoqërive prej nga vijnë autorët sigurisht të veshur me petkun artistik të stilizuar me një kujdes estetik, të cilët tregojnë rrëfimet që intrigojnë shoqërinë. Edhe unë trajtoj tema që na e preokupojnë neve si shoqëri”, shprehet Raça.

Kombinimi i shprehjes artistike të filmit me temat sociale është i qëllimshëm për regjisoren kosovare, e cila aspiron një shoqëri më të mirë në këtë formë.

“Filmat sigurisht se përçojnë mesazhe dhe ndikojnë te ndërrimi i mentalitetit, e sidomos në shoqëritë në tranzicion. Ky është edhe qëllimi i autorëve që përveç pjesës artistike, të lënë gjurmë edhe në ndërrime pozitive në shoqëri”, vlerëson regjisorja nga Kosova.

Kur intervista jonë drejtohet te gjendja e kinematografisë në Kosovë, Raça shprehet se vitet e fundit janë të frytshme për këtë fushë.

“Pjesëmarrja në festivale ndërkombëtare dhe bashkëprodhimet me kompani distributive të njohura në botë po na bëjnë me shpresë se kinematografia kosovare po ecën mirë por, jemi akoma larg standardeve botërore”, shprehet regjisorja e filmit “Galaktika e Andromedës”.

Përgjatë rrugëtimit si regjisore, ajo thekson se nuk ka vështirësi pse është grua, por përballet me problemet që sfidohen edhe regjisorët meshkuj.

“Problemet në fushën kinematografike kryesisht shkaktohen nga buxheti shumë i ulët dhe burokracia, mungesa e ligjeve lehtësuese për filmbërësit dhe mosfunksionimi i plotë i ligjit për sponsorizim”, vlerëson regjisorja.

Poashtu, ajo thekson se as ndërmarrjet e mëdha nuk kanë treguar asnjëherë interesim për të mbështetur filmbërësit.

Mirëpo, pavarësisht filmave të shumtë të prodhuar paslufte, regjisorja More Raça vlerëson se ka ende mungesë tematikash në këtë fushë artistike.

“Askush deri më tani nuk është marrë me filmat për fëmijë dhe ato mungojnë. Pastaj mungojnë filmat e denjë për luftën anipse ka shumë rrëfime nga kjo periudhë, e që ekranizimi i tyre do të ishte mrekulli. Po për tema të tilla sigurisht kërkohet buxhet dhe bashkëprodhim me shtëpitë të njohura filmike të huaja” thekson Raça.

Në anën tjetër, në pyetjen se me cilën profesion do ta shihnim Morenë nëse jo si regjisore, ajo sërish cak ka kinematografinë.

“Nëse jo regjisore, sigurisht diçka rreth filmit. Unë jam shumë e dhënë edhe pas skenarit, montazhës, punës si producente dhe mendoj se këtu në boten e filmit do të isha patjetër po ndoshta në detyra tjera”, mendon Raça.

Për planet e ardhshëm me të cilat do t’i gëzoj artdashësit e saj, More Raça përmend filmin dokumentar i cili është rrëfim personal mes periudhës së paraluftës, luftës dhe tash pasluftës. “Home is where the films are” quhet dokumentari i cili përveç çmimeve të shumta që ka fituar, së fundmi ka arritur të financohet edhe nga Qendra Kinematografike e Kosovës./ KultPlus.com

Blerta Basholli: Jam krenare që “Zgjoi” do t’i shpalos botës një rrëfim nga Kosova


Jeta Zymberi

Të bësh një karrierë si krijuese filmi kërkon vendosmëri, qëndrueshmëri dhe vizion të përpiktë. Mund të jetë një rrugë e vështirë për të udhëtuar, por dashuria dhe përkushtimi për punën është ura lidhëse për të arritur sukses.

Regjisorja Blerta Basholli, duke ndjekur dëshirën për të bërë filma, ajo gjithashtu punoi punë të ndryshme duke përfshirë: asistente administrative, menaxhim të projekteve humanitare, marketing etj. Por ka një moment kur tek njeriu ndezët dashuri për një profesion të caktuar të cilit pastaj i vihet pas. Por kjo dashuri padyshim që kondensohet dalëngadalë, e një rol kyç në këtë pikë e ka edhe familja. Kështu ndodhi edhe me Blertën. Shikimi i shumë filmave bashkë me babin dhe pasioni i tij për fotografinë dhe pikturën, ka ndikuar te Blerta, ku syrin për kompozicion dhe dashurinë për fotografinë e ka marrë nga i ati. Përderisa të qenit një grua e fortë ka ardhur nga mbështetja e pakursyer e nënës.

Regjisorja Blerta Basholli

Një përgatitje e tillë qysh nga fëmijëria, sigurisht do ta sillte Blertën në një vajzë që i përkushtohet shkollës e punës.

Blerta Basholli ka studiuar në Fakultetin e Arteve, dega Regji Filmi, Universiteti i Prishtinës, kurse Studimet Master i ka përfunduar në Tisch School of the Arts, në New York University, drejtimi Film dhe Televizion si bursiste e “Dean’s Fellowship”. Momentalisht është kandidate për doktoraturë në Fakultetin e Arteve në Shkup, në universitetin “Ss. Cyril and Methodius”.

Pas disa filmave të shkurtër e dokumentarëve, Basholli vendosi të sfidojë veten me një film të gjatë.

“Zgjoi” është filmi debutues i regjisores që qysh në fillim dha dritën e gjelbër që kjo regjisore do t’i shkelë kufijtë.

Përzgjedhja e filmit në konkurrencë zyrtare në festivalin prestigjioz ‘Sundance Film Festival’, i fali asaj një ndjesi tejet të mirë.

“Kemi bërë një punë shumë të madhe, me shumë dashuri e përkushtim, andaj hyrja në “Sundance” është një shpërblim shumë i mirë për punën tonë”, thotë Basholli për KultPlus.

‘Zgjoi” është film i bazuar në ngjarje të vërtetë që portretizon Fahrijen (interpretuar nga Yllka Gashi) e cila në kërkim të burrit të saj të humbur gjatë luftës së fundit në Kosovë, fillon një biznes bujqësor për t’a siguruar mbijetesën e familjes, në një ambient tradicionalisht patriarkal ku ambicia e saj për t’u zhvilluar nuk shihet me sy të mirë. Punët bujqësore fillojnë t’i ecin mbarë, pos bletëve që janë shumë kaotike dhe agresive ndaj saj. Në rrugëtimin për ta gjetur paqen me bletët, ajo fillon ta gjejë edhe paqen me vetveten.

Të kthyerit në film një histori si kjo e Fahrijes, Blertës i erdhi si ide pasi ka dëgjuar një storje televizive rreth kësaj gruaje.

“Ideja ka lindur pasi kam dëgjuar një storje televizive rreth një gruaje (Fahrije Hoti), e cila përkundër nevojës për mbijetese dhe mbështetjes qe iu ofron edhe grave te tjera te veja, të cilat ndodhen në të njëjtën situatë me Fahrijen, iniciativa e saj për të punuar nuk shihet me sy të mirë nga rrethi patriarkal ku ajo jeton”, tregon regjisorja rreth përmbajtjes së filmit.

“Zgjoi” do të jetë filmi që botës do t’i shpalosë një tregim nga Kosova, në mesin e shumë tregimeve të tjera që bota duhet t’i dëgjojë nga ky vend. Ky sukses padyshim që regjisoren e bën shumë krenare.

“Kemi shumë tregime interesante dhe shumë gjëra për të treguar. Fakti se një tregim nga Kosova do të shihet e dëgjohet nga një publik i gjerë më bën shumë krenare e aq më tepër për shkak të temës të cilën e trajton.”

Përkundër sfidave dhe vështirësive që ka Fahrija gjatë procesit, në thelb filmi përmban një tregim inkurajues dhe shpresëdhënës. Sipas regjisores, secila vajzë, grua, por edhe burrë që do ta shoh filmin mund të motivohet nga një sukses i tillë.

Të qenit vetë skenariste dhe regjisore e filmit, për Bashollin ishte një përgjegjësi e dyfishtë. Por, ajo beson se falë këtij angazhimi është rritur e zhvilluar edhe si person, por edhe si profesioniste.

“Skenari është proces i rritjes dhe me ka ndihmuar shumë që të kuptoj edhe më thellësisht temën edhe karakterin. Sa ka qenë e vështirë aq mendoj se edhe më ka ndihmuar për të depërtuar pak më brenda karakterit.”

Pjesëmarrja në ‘Sunndance’ është shenja e parë që ky projekt filmik është shumë premtues, por regjisorja rrugëtimin e filmit shpreson ta pasuroj edhe me shumë çmime.

“Fillimi është shumë i mirë, tani të shohim. Kur futesh me një festival si “Sundance” rrugëtimi i mirë është i sigurtë. Shpresojmë që filmi të vlerësohet edhe me çmime sepse ashtu do të ketë vërtetë rrugëtimin e suksesshëm.”

Të nisësh një karrierë është me të vërtetë e vështirë, por vazhdimi duket sikur është një tjetër sfidë më vete. Regjisorja beson që me dashuri do t’i kaloj të gjitha. Ndërsa përkushtimin e sheh si çelës të suksesit në secilin profesion.

Përderisa gjatë jetës marrim mësime që në momente të caktuara kanë efekte pozitive, një mësim të tillë regjisorja e ka zbatuar gjatë krijimit të filmit. Këmbëngulësia dhe puna përzistente ishin cilësi që i ndihmuan gjatë procesit të punës. Sipas Bashollit duhet të insistojmë dhe të punojmë shumë deri sa të arrihet rezultati i kënaqshëm në çdo fazë të procesit.

Teksa biseduam për kriteret që e bëjnë një film të shkëlqyer, Basholli si vlerë kyçe e sheh ndjesinë që të ofron një film.

“Për mua ndjesia që të krijon ai film, nëse bota e krijuar aty brenda është e besueshme dhe të merr me vete pa bërë asnjë pyetje atëherë filmi është i mirë. Pastaj natyrisht skenari është kryesori, aktorët, kamera e shumë elemente.”

Gjatë jetës, Blerta është frymëzuar nga shumë filma dhe regjisorë, qoftë edhe shqiptarë, por ajo përmend një ndër filmat që ka pasur më së shumti ndikim te ajo.

“Ka shumë filma dhe shume regjisorë e regjisore edhe nga Kosova edhe nga Bota që më frymëzojnë. E kam shumë të vështirë t’i listoj me të vërtetë. Një prej filmave që ende e përmend është “Dancer in the Dark” nga Lars von Trier, por ka shumë shumë filma që më frymëzojnë. Tregimi, qasja e regjisorit e më së shumti aktrimi janë ato elemente që më tërheqin edhe te ky film, por edhe tek shumë filma të tjerë.”

Krejt për fund, Basholli e cila vitin 2020 e përmbylli me një sukses të jashtëzakonshëm, shpreson që viti i ardhshëm t’i shtrojë filmit “Zgjoi” një rrugë edhe më të gjatë e të suksesshme, përderisa premton që do të vazhdoj të punoj intenzivisht. / KultPlus.com

Vataj: Në Kosovë jo çdokush që di shqip, pretendon të jetë edhe autor i një libri, kurajë e cila nuk u mungon shqipshkruesve tanë

Suada Qorraj

Kritikat letrare, poezitë por edhe shkrimet e mirëfillta gazetareske janë pjesë e një bagazhi të madh të dijes që mbart me vete shkrimtari dhe gazetari, Albert Vataj. Pasioni i madh për librin, mund të vërehet që në leximin e parë të shkrimeve të tij, madje për të është trishtuese të shkruhet një libër, që nuk lexohet.

Në një intervistë për KultPlus Vataj ka treguar arsyet se si ka lindur dashuria e tij ndaj librit, se ku gjendet letërsia dhe lexuesi sot, apo jemi duke u përballur me një komercializëm. Vataj krahas kësaj ka dhënë edhe një mesazh frymëzues për secilin që sot ka synim të shfaq anën e tij artistike e letrare.

KultPlus: Për një kohë të gjatë keni punuar si gazetar mirëpo nuk keni lënë anash as kritikat për librin? Çka ju ka shtyrë që të jepeni kaq shumë pas letërsisë?

Albert Vataj: E konsideroj veten fatlum se i përkas atij brezi, koha e lirë e të cilit mokohej prej së mundshmes, për të eksploruar botën përmes dritëpamësisë së ndjenjave dhe mendimeve, të atyre që skalitën në kryevepra të letërsisë shpirtin krijues. Veç leximit si një përfshirje përjetuese, kam patur një qasje për të parë tekstin përtej, për të eksploruar të fshehtat, misterin që zinte fill mes rreshtash, mes fjalësh e në nënlëkurën e shprehshme të personazheve dhe situatave. Hershmëria e viteve të mia lidhur me leximin, nisi duke nënvizuar fraza dhe kapituj, duke kopjuar maksima, citate, monologje e shpërthime idilike. Ndoshta kjo periudhë i shërbeu pasleximit, për ta jetësuar çfarë kumtoja në bisedat me miqtë dhe më vonë me kolegët. Shkodra, ku kam lindur dhe jam brymosur, i kishte të zakonshme diskutimet për librin, debatet për autorë dhe personazhe, përkthimet dhe tendencat, që në kohëpaskohje vinin duke marrë gjithnjë e më shumë nga impenjimi ynë angazhues. Kohë e mallshme kjo.

Pak a shumë këto ishin binarët ku do të shtroheshin shinat e këtij interesimi që do të më lidhte me librin jo thjeshtë si një lexues, por edhe si shqyrtues i tij. Ajo që më duhet të sqaroj kësodore është se unë nuk jam mirëfilli kritik letrar. Në këtë qasje udhëhiqem nga dashamirësia për të promovuar ato përpjekje, që vijnë për të sjellë pasurim të traditës sonë letrare, së cilës gjithnjë i është dashur të ndeshet me mospërfilljen dhe zëvendësimin e saj me letërsinë e huaj, që ishte dhe mbeti me e preferuar, ashtu siç fatkeqësisht jemi mëkuar dhe temperuar, me begenisjen dhe respektin e shumësishëm të të huajit, dhe mospërfilljes deri mospranimit të çdo gjëje tonën, për të cilën kujtohemi vetëm atëherë kur për të flasin të tjerët.

Përkushtohem në këtë mëtim përjetuese i prirur nga përzemërsia dhe mbështetja, njohja dhe vlerësimi i atyre karakteristikave dalluese që shfaqin mëvetësinë e aksh autor apo libër, nga e ububushmja e botimeve. Këtë e bëj sepse e ndjej dhe çdo fjalë dhe paragraf, përsiatje e kumtim, i nxjerr nga thellë meje, duke i mbrujtur me lëndën magjike të ndijimit. Nuk e tumiri, dhe i përmbahem mospëlqimit të pamëshirshmërisë hijerëndë dhe shpesh tendencioze, të kritikës akademike të një libri, autori apo një vepre. Kurrë, gjykatoret letrar nuk kanë bërë që letërsia të shpëtojë nga një e keqe, apo të mbrohet nga një kërcënim.

KultPlus: Jemi dëshmitar të botimeve të shumta të librave që janë bërë në këto vitet e fundit, si nga shtëpitë botuese në Kosovë po ashtu edhe ato në Shqipëri. Sipas jush si është gjendja e letërsisë sot dhe cilësinë përmbajtjesore të librave që botohen?

Albert Vataj: Në atë diapazon njohës që disponoj, mund të pohoj dallueshmërinë ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë në lidhje me mundshmërinë dhe lejueshmërinë që disponohet në botimin e një libri. Me fjalë të tjera, në Kosovë besoj se jo çdokush që di shqip, pretendon të jetë edhe autor i një libri, kurajë e cila nuk u mungon shqipshkruesve tanë.

Pavarësisht se autorët dhe librat që ishin në fokusin e kumtimeve të mia, jam përpjekur t’i trajtoj me nota pozitive, situata për të cilën ju pyesni është alarmante. Ajo që më duhet ta pohoj me zemër të vrarë është se libri është në periudhën e vet më të errët, ndoshta më fatkeqe se në periudhën e inkuziocionit. Çfarë mund t’i bësh më shumë krijuesit, librit, se sa t’i vrasësh lexuesin. “Ka krime më të kobshme se djegia e librave, njëri prej tyre, kur nuk i lexon”, mendon Josif Brodskij.

Të gjithë kemi diçka për të thënë, por nuk mund t’ia lejojmë vetes ta poshtërojmë krijimin, duke e thjeshtuar atë në një bisedë të rëndomtë kafenesh dhe të pretendosh ta shesësh krijimin me çmimin e pompozitetit mediatik dhe unit poterisës. Zeje e shkrimtarisë është shndërruar si çdo tjetër angazhim i kësokohshëm, për vetëmburrjeje dhe protaginizëm. Askush nuk ndalon askënd që të shkruaj, madje edhe atëherë kur duhet të lexojë, por deri te botimi i një libri, rrugën që i duhet ta shtrojë me përgjegjësi dhe para, e këshilloj me dashamirësi që ta kthjellojë në mendime dhe arsyetime, ta çlirojë nga narcizmi dhe egoja e sëmurë.

KultPlus: Në kohën e sotme a ka më shumë prodhime artistike dhe me vlerë letrare të librave, apo jemi duke shkuar kah komercialja?

Albert Vataj: Nuk mund të pretendojmë një njësi të saktë të matshmërisë të vlerave letrare, përkundër nevojës së komercit. Në këtë gjendje kaotike, fitimtarët janë ato që e njohin më mirë marketingun, rrjedhimisht, vlera e tekstshkrimit ka mundur të huajt lëmoshën e një interesim periferik. Autorë me kredenciale mediatike dhe publike, arrijnë të rrëmbejnë përfitim dhe interesim, aq sa do ta kishin zili mendjet më të ndritura botërore të letrave. Blerësve, shumica e të cilëve janë jolexues, ndër ta ka që e konsiderojnë dhe trajtojnë librin si një aksesor arredimi, kaq ju volit. Për ta i rëndësishme është autori, ai që u vjedh kohën, u vret mendimet, u ndrydh vullnetet, u përvetëson edhe para, duke u imponuar edhe shijen.

Nuk do të më pëlqente të mburresha me librin e një autori, i cili ka vetëm emrin në libër, dhe kjo gjëmë është kthyer në modë. Dhe vjen një ditë që ata zuzarë, që me poshtërsi e maskarallëk kanë vënë pasuri, kanë bërë para dhe… u paska mbetur që sedrën e tyre ta ledhatojë edhe emri në kopertinën e një libri. Këta kriminelë ekologjikë do t’i marrë harrimi shumë më shpejt se sa do t’i glorofikojë lavdia. E megjithatë, lexuesit, asaj minorance që rend hekakeqe në Golgotën e papajtueshmërisë, i lipset të jetë më selektive dhe më syçelë në këtë kaplim nate antivlerash dhe robërim egoizmi.  

KultPlus: A mendoni se libri sot ka një lexueshmëri dhe një audiencë të mjaftueshme?

Albert Vataj: Më lejoni të citoj një maksimë tragjike, sipas së cilës: “Trishtimi më i dhimbshëm i një krijuesi është kur ai shkruan për një publik që nuk lexon”. Kjo perifrazë prej kohësh vërtitet si një re e zezë në qiellin e nevojës për ushqim shpirtëror, dije dhe dritë, por sot ajo është një natë në Polin e Veriut, ku shpirti i krijuesit duhet të sfidojë errësirën dhe ftohtin për të mbarsur krijesën e vet “fatkeqe”. 

Mjerisht konstatohet një mungesë interesimi në rritje, jo e padëshirës për të lexuar, por e panevojës për të përfituar prej këtij urëbashkimi me kohërat dhe botët, përmes shpirtërores krijuese. Jo vetëm pamjfatueshmëria e kohës “së shkuar dëm” me shfletimin e librit, por fudullëkut, ndër faturat që ka për të paguar, nuk është vetëm injoranca, por zbrazëtia e njerëzores. Krahas mundësive të pafundme për të vrarë kohën, panevojshmëria motivuese për ta shfrytëzuar atë, po vret humanen dhe fisniken, të bukurën dhe të vlertën, shpirtëroren dhe iluminuesen, më pamëshirshëm se çdo barbari.

KultPlus: Cili është elementi që e dallon lexuesin e kohëve moderne, pra kohëve tona? A e konsideroni si anë pozitive apo negative këtë element?

Albert Vataj: Lexuesi i tanishëm karakterizohet nga nevoja për gjëra të lehta, të shpejta, kalimtare. Ai magjepset nga boshi dhe çdo tentativë e tij për të mbushur honin që e përpin, veçse e zbraz atë. Kjo për një shumësi arsyesh, por kryesorja ritmi, tempi i rrokshmërisë së kohës. Metabolizmi i tij, gjithashtu është i papërgatitur për një regjim kaq të dhunshëm gastrik. Kësisoj, atij i është dashur ta përgatis veten për këtë evoluim, i cili i imponohet, e përndjek, e plaçkit dhe e flak tej. Përkundër këtij rrezatimi toksik dhe një jete trazimtare dhe të hidhur ku ka vetëm të pakënaqur, ata që guxojnë t’i shkulen këtij robërimi denigrues, janë ata që i kanos vetmimi. Të lidhur me librin, leximin dhe dijen, duhet të zgjidhen nga vargonjtë e varësive moderniste të teknologjisë për të gjetur një zgjidhje.

Mes lexuesit syçelët e analizues dhe atij që është i pakohë dhe rreket ta bëjë edhe këtë si çdo punë tjetër, sa për të kaluar, është një hendek shumë i madh. Kjo bën që leximi dhe rrjedhimisht libri të kenë gjithnjë e më pak vend në përditshmërinë e secilit nga ne.

Të vetmit që do të vijojnë të mbeten robër të librit, admirues të tij, janë ata, leximi për të cilët është një varësi. Edhe atyre u duhet të ndeshen çdo ditë e më ethshëm me llojshmërinë e zhvatësve të kohës që i rrethvijnë si ujqërit zjarrit.

KultPlus: Sipas jush cili është roli i letërsisë shqipe në shoqëri?

Albert Vataj: Letërsia, si çdo gjini tjetër e artit, kanë humbur rolin klasik në shoqëri. Nuk ka më modele të virtytit, etalone të fisnikërisë, matshmëri të dijes, vlerësim të horizontit. Kanë abdikuar nga froni mbretërit, të gjithë një e nga një, duke lënë gjithçka në mëshirë të kaosit dhe konfuzionit, narcizit dhe ambicies së sëmurë për para, pasuri dhe vëmendje. Nderi dhe lavdia, beteja epike e të mirës me të keqen, për të cilat flasin shkrimtarët, himnizojnë artistët, hyjnohen nëpër altarët e predikimeve të shenjta, krejtkëto shiten tek sendet e përdorura dhe servilen në tezgat e hedhurinave. Nuk janë më letërsia, krijimi, lartësimi i idesë dhe apogjeu i mendimit, ato që diktohen si referenca, trumbetohen si kulmime, manifestohen si gjenialiteti i zgjidhjeve dhe çlirimit nga zgjedha e të qenit peng. Gjithnjë kemi patur një qasje për të gjetur rrugë të shkurtra për përfundime finale. Na është dashur të mprehim më shumë shqisën e mbrojtjes nga dhelpra se sa të guximit për tu ndeshur me ujqit. Dhe letërsia ka fare pak shanse të arnojë me lëkurën e djallit petkat e besimit te shenjtërimi i qëllimeve tona.  

KultPlus: Cili duhet të jetë roli i shkrimtarit në raport me shoqërinë?

Albert Vataj: “Një shkrimtar duhet të mendojë se çdo gjë që i ndodh atij ose asaj është një burim. Të gjitha gjërat na janë dhënë për një qëllim, dhe një artist duhet ta ndjejë këtë më intensivisht. Të gjitha ato që na ndodhin, përfshirë poshtërimet tona, fatkeqësitë tona, sikletet tona, gjithçka na është dhënë si lëndë e parë, si balta, në mënyrë që të formojmë artin tonë”, thotë Jorge Luis Borges. Kësisoj shkrimtari në veçanti dhe krijuesi në përgjithësi, duhet të jetë zëri i ndërgjegjes, kushtrimi i i asaj batërdie reaguese që ndizet dhe shuhet brenda nesh. Përmes ligjërimit të tij të dëgjojmë heshtjen tonë. Ai duhet të paraprijë zhvillimeve të kohës, të reagojë në emër të gjithë atyre që nuk guxojnë, dhe të mos ngasë të bëhet detal i kësaj makinerie asgjësuese, të bëjë pakte të ndyta për çfarë t’i vijë turp.

Gjithsesi nuk duhet injorojmë faktin, se shkrimtari nuk ka qenë dominant si zë i ndërgjegjes në shoqërinë shqiptare, madje edhe atëherë kur atij i duhej të takohej me masën, të “jetonte” mes njerëzve të thjeshtë dhe të shkruante për ta. Ai ishte pjesë e propogandës dhe kurrë nuk mundi të ishte vetëdije shpirtërore.

KultPlus: Sipas jush, kë konsideroni të jetë ndër shkrimtarët shqiptar që e ka dëshmuar më së shumti vetën dhe i ka dhënë vlera letërsisë tonë?

Albert Vataj: Emrat që i kanë dhënë letërsisë shqipe janë të shumtë, por ai që e ka bërë që kjo letërsi të jetë një zë i ndërgjegjes, kulturës, traditës, historisë dhe vetëdijes sonë kombëtare është Ismail Kadare. Bujaria e tij krijuese dhe larmishmëria e tematikave dhe trajtesave, i avantazhuar nga aksesimi që ai përfitoi në gjuhët e mëdha, bëri që shqiptarët dhe Shqipëria të kishin tek ai një zëdhënës potencial. Pavarësisht të shkuarës së tij dhe mëkatet që e akuzojnë, ai mbetet figura më përfaqësuese e letërsisë shqiptare.

Gjithëpoaq Kadare vijon të jetë i anatemuar, më shumë nga folklori se sa njëmendja gjykuese e asaj që ndan atë nga vepra. Ky korife vazhdon të mbetet në anën e përtejme… dhe përballë, një masë e pamasë gurëhedhësish e baltëgatuesish.

Vepra e tij është e sunduar prej mitit të së kaluarës, dhe evokimit të lavdisë së dikurshme. Kadare synon ta çlirojë njeriun shqiptar prej akuzave që e ndoqën ndër shekuj, përfshirë këtu edhe akuzën si popull i lindur me instinktin e luftës dhe të mercenarizmit, binjak me armën, dhe peng i saj. Dhe kjo ishte dhe është gjithçka që një njeri i penës mundi të bënte dhe ai e bëri si pakkush tjetër, pavarësisht se u shpërblye me zemërthyerje. 

KultPlus: Krejt në fund çfarë mesazhi do ju jepje të gjithë atyre të cilët dëshirojnë që të merren me krijimin e letërsisë apo që tashmë kanë hedhur hapat e parë në këtë rrugë?

Albert Vataj: Ajo që do tu sugjeroja çdonjërit që duke ju nënshtruar kryqit të rëndë të talentit, provon me vetmohim pranin e shpirtshme të tij dhe gjithçka që ai beson është ajo për të cilën, pa përbetime por me aktin krijues shpreh vullnetlirë gatishmërinë të vetëflijohet.

Ata që kapin penën si bujku parmendën duhet të mos harrojnë atë që thotë Carl Sagan se “një libër është dëshmi e njerëzve, të cilët janë të aftë të prodhojnë magji”. Te dishepulli kjo barrë e rëndë duhet ta tejkalojë banalitetet e nevojave meskine, për të marrë shpërblesën e lartë të adhurimit./ KultPlus.com

Gjurgjiali për këngën “Akoma po të pres”: E dëgjova këngën time në një radio, vëllai im e kishte kopjuar dhe ia kishte shitur Mihrije Brahës

Medina Pasoma

Përderisa sot muzika është duke shkuar drejt krijimtarisë që dëgjohet brenda një stine, këngët e disave i bëjnë ‘rezistencë’ viteve, madje duke qenë vulë e periudhave kohore. Në këtë grup të vlerave të mirëfillta hyn edhe grupi 403, të cilët vazhdojnë t’i falin nostalgji dëgjuesve të vjetër, e një simpati për ata që tani njoftohen me artin e tyre, shkruan KultPlus.

Ky vit për ta ka qenë i frytshëm, teksa kanë publikuar këngët “Përralla e fundit”, “As vet s’e di” dhe dy versionet e videoklipeve të “Akoma po të pres”.

Gjurgjiali ekskluzivisht për KultPlus ka rrëfyer historinë e një kënge që ai e do shumë, por që ka një përvojë të hidhur.

Këngën “Akoma po të pres”, ia kanë vjedhur grupit vite më parë ende pa e publikuar, madje siç ai thotë, nëpërmjet një personit tejet të afërm, vëllait të tij që ishte edhe ish-basisti i grupit 403.

KultPlus: 403 si grup muzikor me këngët e të cilëve u rritën shumë gjenerata është rikthyer së fundmi me publikimin e këngëve të fundit. Çfarë ndjesie ju dha rikthimi në atë që e doni shumë, muzikën?

Hektor Gjurgjiali: Është ndjenjë shumë e bukur të kesh kohë të shkruash tekste, të kompozosh këngë të reja, e posaçërisht të incizosh. Këtë situatë shumë të vështirë me Covid 19, me izolime dhe kufizime të lëvizjes, mendoj që e kam shfrytëzuar ne maksimum pikërisht për këto gjëra.

Me mbështetjen e pjesërishme të Departamentit të Kulturës së Komunës së Prishtinës  si dhe të Ministrisë së Kulturës, grupi 403 ka mundur të bëj realizimin e audio incizimeve të këngëve të reja, për të cilat për një kohë të gjatë ne as nuk kemi pasur fonde të mjaftueshme, e as kohë për t’i realizuar ato. Incizimi në Studion Anymate ka qenë eksperienca më e bukur gjatë gjithë kësaj kohe tepër të rëndë që po e kalojmë jo vetën ne por e gjithë bota.

KultPlus: Duke kaluar vite shohim që edhe format e kultivimit të artit dhe strukturat e brendshme muzikore ndërrojnë,  çka ka ndërruar te grupi 403 prej viteve të mëhershme dhe tash?

Hektor Gjurgjiali: Nuk ka ndërruar pothuajse asgjë. Ne akoma i incizojmë të gjitha instrumentet live në studio duke i kushtuar shumë vëmendje muzikës, orkestrimeve e posaçërisht teksteve. I vetmi dallim ndoshta është se tani në studio kalojmë kohë më shumë gjatë incizimit apo miksimit, sepse më duket që me kalimin e viteve jemi bërë më kritik, kështu që pa qenë perfekte çdo pjesë ashtu si e duam dhe e mendojmë, nuk e quajmë të përfunduar këngën, nuk e finalizojmë dhe promovojmë.

KultPlus: Nga këngët tuaja të fundit, “Akoma po të pres” sipas jush është e veçantë. Na tregoni pse?

Hektor Gjurgjiali: Kënga është e veçantë,  sepse ajo ka një histori shumë të gjatë dhe ka kaluar shumë momente të këqija, por që tani më në fund ka mbërritur aty ku duhet dhe ku e ka pasur vendin gjithnjë.

KultPlus: A mund të na tregoni historinë e këngës “Akoma po të pres”?

Hektor Gjurgjiali: Këngën “Akoma po të pres” e kam kompozuar dhe shkruar në 1995 në Tiranë ku jetoja në ato vite. Atë e kam incizuar në Tiranë në një studio profesionale në fund të vitit 1995. Është  interesante që të gjitha instrumentet në këngë i kam luajtur vet. Pas finalizimit të këngës, me kërkesën time të gjitha incizimet në studio janë fshirë dhe vetëm unë kam pasur një kopje të vetme të saj në një kasetë magnetofoni.

Nuk kam dashur ta publikoj në atë kohë këngën, prandaj dhe e kemi dëgjuar vetëm disa herë unë dhe anëtarët e atëhershëm të grupit 403 në një lokal të një shoku tonë të përbashkët. E vërteta është se në asnjë moment atë kasetë nuk ia kam dhënë askujt për asnjë çast të vetëm. I vetmi rast ka qenë kur vëllai im Mentor Gjurgjiali (atë kohë basisti i grupit 403) ma kërkoi që ta merr me vete në makinë për të shkuar të kryej një punë për 1 orë. Duke e pasur basist në grup, e aq më tepër vëlla, unë ja dhashë. Pas një ore vëllai ma ktheu kasetën dhe çdo gjë për mua ishte në rregull.

Disa muaj më vonë, kur kthehesha  për në Tiranë nga Prishtina me autobus, diku nga Maqedonia, ndodhi diçka që nuk e besoja. E dëgjova në një Radio lokale, këngën time “Akoma po të pres” e kënduar nga Mihrije Braha. Me plot sinqeritet ju them që isha në shok. Po, po. Vëllai im, Mentor Gjurgjiali, basisti i grupit 403 që, për 1 orë e kishte në duar kasetën time, e kishte kopjuar atë dhe më vonë ia kishte shitur apo falur Mihrije Brahës. Më tmerr se kjo nuk ka ku të shkoj.

Vëllain tim Mentor Gjurgjialin nuk e kam takuar që nga dita që ka marrë kasetën time për një orë, sepse pastaj ai ka shkuar në Gjermani e tani ndodhet në Amerikë.

Me Mentor Gjurgjialin kam folur dy herë me telefon. Herën e parë ka gënjyer si zakonisht duke thënë që nuk ka gisht ai në këtë punë. Herën e dytë kam biseduar me të me telefon në prani të shokut tim Arbnor Mulliqi dhe Naim Abazit në Tiranë. Vet Naim Abazi më ka treguar që në studio kur kanë shkuar me incizu këngën e kanë pasur kopjen e kasetës time. Pastaj i kam thënë Naimit që këngën ta ndaloj në emetim, dhe të gjejnë mënyrën e marrëveshjes Mentorin. Naimi më ka ka premtuar, por deri më sot nuk ka bërë asgjë.

KultPlus: Tani e keni incizuar përsëri “Akoma po të pres”. Pse?

Hektor Gjurgjiali: E kam incizuar përsëri këngën “Akoma po të pres” për dy arsye. E para, sepse të gjithë ata që e kanë dëgjuar atë këngë të kënduar nga Mihrije Braha e kanë ditë që është teksti, kompozimi dhe stili im; dhe tërë kohën më kanë kërkuar që ta dëgjojnë origjinalin. Tërë kohën kam pasur mesazhe, kërkesa, bile edhe lutje nga fansat e mi që ta publikoj origjinalin e këngës.

Dhe e dyta, e që është më e rëndësishmja, kjo këngë aq e bukur nuk e ka merituar të trajtohet ashtu deri tani, prandaj edhe e kam incizuar përsëri që më në fund të dëgjohet ashtu si është kompozuar dhe kënduar nga autori i vet.

KultPlus: Pos historisë tejet interesante, kënga “Akoma po te pres” ka edhe një video të veçantë në versionin e publikuar së fundmi. Na trego pak më shumë detaje.

Hektor Gjurgjiali: Videoja e këngës është e veçantë sepse është video 360 shkallë apo VR (Virtual Reality.) Videon e ka xhiruar miku im Alban Kasumi i cili është në mos i vetmi ekspert në Kosovë e më gjerë që incizon me këtë teknologji të fundit. Montazhin e spotit e ka bëre Leutrim Bajrami i kompanisë Anymate me të cilin të gjitha spotet i kemi realizuar deri më sot, e shpresoj edhe në të ardhmen të bëjmë. Spoti është i incizuar në Bibliotekën e Prishtinës që është objekt tepër i bukur.

Eksperienca më e mirë është nëse keni syza VR sepse aty mund të jeni në qendër te Bibliotekës dhe të shikoni spotin përreth jush me lëvizjen e kokës. Spoti ka dalë shumë i bukur dhe interesant, dhe thënë të drejtën mendimi im është se më duket që askush nuk e ka bërë të njëjtën.

KultPlus: “Ëndrra”, “Indexi”, “Engjujt nuk jetojnë në tokë” janë shndërruar jo vetëm në hite, por në vulë dhe dëshmi të një kohe. Çfarë ndjesie është të keni një bagazhi të tillë artistik?

Hektor Gjurgjiali: Më vjen mirë që këngët e mia nuk janë të momentit apo hite vere që një kohë të shkurtër bëjnë boom, e pas një viti nuk i mban në mend më. Më vjen mirë që këngët e mia akoma i mbijetojnë kohës dhe që akoma gjejnë dëgjues të rinj.

KultPlus: Përderisa grupi 403 i takon gjeneratës së viteve të 80’ta, atëherë kur muzika rok lulëzonte në Kosovë, cilat kanë qenë sfidat e krijimit të muzikës?

Hektor Gjurgjiali: Sfida më e madhe ka qenë incizimi i këngëve, sepse në atë kohë ka qenë vetëm një studio e incizimit në Radio Prishtinë, dhe mundësi ke pasë më së shumti një herë në 3 muaj të kesh studion për 3-4 orë në dispozicion dhe të incizosh e të përfundosh një apo dy këngë komplet. Sfida tjetër ka qenë se në atë kohë nuk ka pasur shumë instrumente dhe nuk lejohej blerja e tyre nga jashtë, kështu që shumë grupe të asaj kohe edhe incizonin por edhe performonin live me mjaft instrumente të njëjta që i huazonim njëri tjetrit.

KultPlus: Keni realizuar këngë, albume, intervista, e koncerte të shumta. Përgjatë këtij rrugëtimi e dimë që nuk kanë qenë të paktë artdashësit tuaj. A mund të na veçoni ndonjë përvojë speciale me dëgjuesit tuaj e cila mbetet në kujtesën tuaj?

Hektor Gjurgjiali: Përvoja më speciale që më ka ngel në kujtesë dhe që nuk do ta harroj asnjëherë ka qenë vitin e kaluar, në koncertin që kemi mbajtur në amfiteatrin e Gërmisë në shtator. Atë natë ishte një shi i paparë. Kur u ngjitëm ne në skenë filloi të binte edhe më shumë, kështu që kishim përshtypjen që pas një kënge do të ndërprisnim koncertin. Por publiku i cili rrinte në atë shi dhe të ftohtë, këndonte çdo këngë fjalë për fjalë, që na ka fascinuar të gjithëve. Prandaj edhe kemi mbajtur komplet koncertin dhe ka qenë një emocion tepër i bukur. 

KultPlus: Tekstet janë një pjesë e veçantë e muzikës dhe duke qenë të tilla shumicën e këngëve tuaja i keni shkruar vetë. Teksti i cilës këngë mbetet më i veçanti për ju dhe pse?

Hektor Gjurgjiali: Nuk mund të veçoj asnjë, sepse të gjitha tekstet e mia i dua si fëmijët. Varësisht nga momenti se si ndihem edhe top lista e teksteve që i veçoj ndërron. Për momentin për mua top 5 janë: “Akoma po të pres”,  “As vet s’e di”, “Përralla e fundit”, “Engjujt nuk jetojnë në tokë” dhe “Qyteti im”.

KultPlus: Cili është mesazhi juaj për të gjithë të rinjtë të cilët aspirojnë të përfaqësojnë vlerë në sferën muzikore?

Hektor Gjurgjiali: Ne kemi një rini të mrekullueshme dhe shumë të talentuar. Mesazhi im për ta është që të punojnë sa më shumë, të mos ngurrojnë me ideja të reja dhe të jenë sa më kreativ dhe origjinal. Dhe ne asnjë mënyrë të mos vjedhin këngët e tjerëve. / KultPlus.com

Elbenita Kajtazi: Ëndërroj që një ditë të ndaj skenën me Ermonela Jahon, ajo është krenari kombëtare

Jeta Zymberi

Fëmijërinë e kishte të thjeshtë, teatri e opera ishin dyer që nuk u hapën asnjëherë për të. Ajo nuk frekuentonte vende të tilla. Ishin dyert e shtëpive të lagjes që hapeshin për të marrë qumështin e familjes së Elbenitës, e që asaj i kishte rënë hise ta shpërndante çdo ditë. Kjo punë asaj i sillte kënaqësi sepse në atë kohë Kosova po përballej me forcat serbe dhe aktivitetet tjera për fëmijë ishin pothuajse të pamundura. Elbenita Kajtazi, atë kohë 8 vjeçare, e gjente vetën edhe në diçka tjetër. Strehim e qetësim në kohë lufte e kishte këngën. Frikën e mbizotëronte me zërin e saj poshtë tavolinës apo në ndonjë qosh të shtëpisë, aty ku zëri nuk i dëgjohej fort. Ndërsa sot, duket sikur ai zë që për shkumë kohë u akumulua në brendësi të saj, ka arritur të depërtojë në skenat më të mëdha të operës në botë. Ndonëse një rrugëtim i pamenduar më herët, Elbenita me rrëfimin e saj dëshmon që asgjë nuk është e pamundur.

Ndërsa popullariteti u përhap dhe potenciali i saj i vërtetë po shpaloset nëpër skena botërore, ajo është shndërrua në diçka shumë më tepër, në një vajzë inspiruese.

Në një intervistë ekskluzive për KultPlus, Elbenita na tregon për një rrugëtim prekës, frymëzues dhe emocionues. Ajo flet për frikën, pengesat, pasionet, përparimin e shumë më tepër për atë që e drejtoi dhe i shtroi këtë rrugë suksesi.

Elbenita Kajtazi

KultPlus: Keni potencuar që për herë të parë keni shikuar një shfaqje operistike në kanalin YouTube, ndërsa sot ju keni arritur të depërtoni suksesshëm në skenën ndërkombëtare dhe të shkelni skena të mëdha, si e përshkruan këtë rrugëtim?

Elbenita Kajtazi: Për të përshkruar rrugëtimin tim në fjalë të shkurtra do potencoja shumë punë e përkushtim, besim i madh në atë që kam dashur të arrijë, fat, dhe shumë dashuri për punën që unë bëj. Nuk ka qenë e lehtë, sepse kur shpjegohet me fjalë të shkurtra tingëllon si diçka e lehtë për tu arritur, po nuk ka qenë gjithashtu e paarritshme, ka pasur zhgënjime, ka pasur thyerje emocionale, ka pasur momente kur edhe kam dashur të heq dorë nga ajo që ëndërroja por kanë qenë çështje minutash, prap e kam marr forcën dhe guximin. Gjithashtu vlen të përmendet që kam pasur afër vetës njerëz të mrekullueshëm që nuk më kanë lenë të bie poshtë asnjëherë. 

KultPlus: Gjatë kohës së luftës së fundit në Kosovë ju ishit një fëmijë, keni deklaruar që kënga ju ka ndihmuar te tejkaloni atë periudhë të vështirë, na fol pak për ndikimin e muzikës në rrethana të tilla?

Elbenita Kajtazi: Muzika për mua atëherë si fëmijë 8 vjeçe e gjysmë ka qenë terapi, ikje nga një realitet i hidhur në një dimension që do doja të gjendesha si fëmijë, mes lodrave e jo në mes plumbave. Muzika edhe sot lirisht mund të themi që është terapi e shpirtit kur ajo muzikë është e mirëfilltë dhe të flenë në shpirt. Unë atëherë nuk e kam pasur aspak idenë se çfarë është muzika operistike, por kam kënduar këngë popullore, këngë për fëmijë, ninulla me të cilat nëna na ka rritur. Unë nuk kam pasur guximin të këndoj me zë, sepse kur futeshin serbët në shtëpi nuk është që ke guxuar të bësh zë, por në mendjen time jam gjendur diku tjetër, me tingujt e muzikës që më janë sjell nëpër kokë. Kur kemi dal si refugjatë në Shqipëri atëherë kam filluar të këndoj me zë të lartë, duke u munduar në çdo sekondë të harroj ato që kemi përjetuar ne si familje gjatë luftës, duke u munduar ta ndjej veten të lirë, sikur një zog kur këndon në degë pa menduar fare se çfarë do vijë më pas, duke shijuar lirinë në maksimum por gjithmonë duke shpresuar që një ditë do të kthehem në Mitrovicën time, në Drenicën time, vendin tim të lindjes, e lirë të vrapoj e të ëndërroj pa menduar frikën. 

KultPlus: Shkaku i pandemisë, ky vit u konsiderua i “fjetur” edhe sa i përket jetës kulturore. Por, ju morët një lajm të mrekullueshëm për karrierën tuaj. Ju besua roli i Violetës në shfaqjen operistike “La Traviata”, një rol i ëndërruar për shumë soprano, si e pritët këtë lajm?

Elbenita Kajtazi: Është e vërtetë, mua personalisht më janë anuluar shumë shfaqje dhe kontrata të cilat kanë qenë jashtëzakonisht të rëndësishme, por që njëra prej tyre u realizua, e ajo është Violetta nga Opera “La Traviata” në Bordeaux të Francës në muajin Shtator. Për shkak të Covid-19 ka qenë pikëpyetje e madhe se a do realizohet apo jo, dhe fatmirësisht u realizua dhe kishte një suksese për të cilin jam shumë e lumtur dhe krenare, sepse u shpërblye puna ime e madhe që kam bërë me këtë rol dhe debutimi im në Francë la me të vërtetë përshtypje të mira atje. 

KultPlus: Ju ka ndodhur që gjatë interpretimit tuaj në ndonjë skenë botërore të keni në publik prindërit, nëse po na fol pak për emocionin që të fal prezenca e tyre?

Elbenita Kajtazi: Unë kam pasur fatin t’i kem prindërit e mi një herë në Gjermani dhe kanë pasur mundësi ta shikojnë shfaqjen “Die Zauberflote”, fatkeqësisht jo në të njëjtën kohë, babai e ka parë Paminen time në Berlin, kurse nëna ka qenë prezente kur kam kënduar po të njëjtin rol në Aalto Muziktheater në Essen, Gjermani. Ka qenë ndjenjë që nuk kam fjalë ta përshkruaj, periudhë të cilën nuk do e harrojë kurrë. Është shumë kënaqësi e madhe kur sheh prindërit e tu të krenohen e shijojnë çdo sekondë të asaj që ke arritur. 

KultPlus: Përkundër faktit që karriera juaj po zhvillohet jashtë Kosovës, ju asnjëherë nuk i harroni rrënjët, shpesh jeni pjesë e festivaleve të ndryshme, keni në plan mbajtjen e ndonjë koncerti solistik në Kosovë?

Elbenita Kajtazi: Unë jam shumë krenare me rrënjët e mia, nuk e mohoj asnjëherë prejardhjen time dhe me shumë mburrje tregoj gjithmonë se nga vij. Kohëve të fundit nuk kam mundur të jem shumë prezente në vendin tim për shkak të angazhimeve të shumta jashtë Kosovës, por nuk e mohoj dot që kam marr ftesa dhe marr ftesa vazhdimisht por që fatkeqësisht sezonet e mia janë të planifikuara qysh tash edhe për vitin 2023 dhe është shumë e vështirë të gjej kohë të lirë të jem me ndonjë koncert ose paraqitje në Kosovë, vij shumë shpesh për pak ditë dhe vizitoj familjen por jo më shumë se aq. Kurdo që kam kohen dhe gjërat planifikohen paraprakisht nuk do hezitoj të vij dhe të këndoj për publikun më të dashur që ma mbush zemrën me shumë dashuri.

KultPlus: Përkthimi i Operave botërore në gjuhën shqipe është i mangët, andaj ju keni marrë iniciativën e përkthimit në shqip të historive të operave të huaja, si lindi ideja dhe a ka nisur procesi i punës?

Elbenita Kajtazi: Unë kam studiuar vet në Kosovë dhe e di mirë se sa ka mungesë materialesh në drejtimin operistikë, prandaj meqenëse jam shumë aktive në këtë drejtim në botën e jashtme, më erdhi ideja që përvojat e mia ti ndaj edhe me të gjithë studentët që janë të interesuar të mësojnë dhe të ecin përpara në këtë drejtim. Kam parë shumë video që postohen dhe nuk kanë aspak karakter edukues dhe prandaj vendosa të marr këtë iniciativë që ata njerëz që janë të interesuar të mësojnë rreth botës operistike të dëgjojnë shpjegimet e tyre në mënyrë shumë të thjeshtë dhe të kuptueshme. Procesi i punës ka nisur dhe deri tani kemi postuar dy shpjegime, atë të operës Manon nga opera Massenet dhe Cosi fan tutte nga Mozart. Iniciativës time ju kanë bashkangjitur edhe artistë të tjerë shqiptarë dhe mezi presim të vazhdojmë punën dhe të postojmë edhe shpjegime tjera. 

KultPlus: Ju shpesh e ngrisni zërin edhe për çështje të ndryshme sociale në Kosovë e sidomos në rastet e dhunës, sa ndikon në ju gjendja jo e mirë e popullit tënd? 

Elbenita Kajtazi: Unë mërzitem shumë nga fakti që dhuna e bërë ndaj grave nuk dënohet sa duhet, mërzitem dhe irritohem kur e shoh trajtimin e keq të grave, dhuna duhet të dënohen nuk ka rëndësi se nga kush vjen nga gratë apo burrat, dhuna duhet të dënohen ashtu siç e meriton. Mua personalisht më thehet zemra kur shoh raste që vritet gruaja dhe burri nuk dënohet aq sa duhet, thjesht se përballoj dot dhe prandaj reagoj dhe mendoj që unë nuk duhet të jem e vetmja, gjithë ata, zëri i të cilëve dëgjohet duhet të reagojnë. I ftoj edhe gratë që janë pjesë e parlamentit të bëjnë më shumë në këtë drejtim, të bashkohen më shumë se kurrë e ta luftojnë këtë dukuri që dëmton gruan, ul gruan poshtë dhe humb identitetin e gruas. 

KultPlus: Vajzat shqiptare pothuajse e kanë poshtuar botës në fusha të ndryshme, suksesi i tyre po i bën krenarë të gjithë, si e shihni ju rrugëtimin e vajzave shqiptare nëpër botë? 

Elbenita Kajtazi: Çdo arritje e çdo femre shqiptare më bënë krenare nga toka deri në qiell. Unë jam e sigurt që asnjëra nga ato gra nuk e kanë pasur të lehtë të arrijnë aty ku janë por janë përkushtuar kanë punuar shumë dhe sot na bëjnë krenarë në gjithë botën. Uroj që këto arritje të jenë inspirim për të gjitha femrat tjera, që të mos dorëzohen kurrë dhe të ndjekin ëndrrat e tyre duke lënë anash paragjykimet dhe të thënat e kota që ndonjëherë jo rrallë dëgjohen në Kosovë si pre e mentalitetit të cilin ne e kemi. 

KultPlus: Secilin sukses në jetë zakonisht ja dedikojmë dikujt, po ju ku e adresoni suksesin tuaj?

Elbenita Kajtazi: Unë suksesin tim së pari ia dedikoj punës dhe përkushtimit tim, familjes time që më kanë qëndruar gjithmonë afër duke më përkrahur në të gjitha vendimet që unë kam marr, Ermonela Jahos person që nuk më ka lëshuar dorën asnjëherë duke më këshilluar gjithmonë me gjërat e duhura, Vera Calabria personit që bëri të mundshme audicionet e mia të para, profesoreshës time të këndimit Caroline Merz pa të cilën nuk do posedoja teknikën e këndimit që posedoj sot dhe patjetër bashkëshortit tim Ardianit me të cilin kemi thurur ëndrrat që po realizojmë sot që nga shkolla e mesme. 

KultPlus: Zëri juaj po rrugëton suksesshëm në vende të ndryshme, por në cilin teatër botëror ëndërroni të interpretoni një ditë?

Elbenita Kajtazi: Unë kam shumë ëndrra që uroj t’i realizoj në një afat jo shumë të gjatë, unë tashmë kam interpretuar në teatro të ndryshme nëpër botë, dhe kontratat me teatro të ndryshme veçse janë nënshkruar, por ëndrra ime më e madhe është që një ditë të këndoj në një teatër operistike në Kosovën time të dashur, uroj të mos mbaroj karrierën time pa shkelur këmba ime në një teatër në Prishtinë për të cilin do jem krenare dhe do lë zemrën time aty. 

KultPlus: Me cilin artistë botërorë do të doje ta ndaje skenën të paktën njëherë?

Elbenita Kajtazi: Unë tashmë kam ndarë skenën me emra botëror si Placido Domingo, Rolando Villazon, Anja Herteros e shumë shumë të tjerë, dirigjent si Zubin Mehta, Kent Nagano, Donald Runicals por ëndrra ime është që një ditë ta ndaj skenën me motrën time Ermonela Jaho, sepse është  dhe do mbetet krenari kombëtare. 

KultPlus: Çfarë është duke bërë Elbenita kohëve të fundit dhe ju është ofruar ndonjë rol që do ta ndaje ekskluzivisht me lexuesit tanë?

Elbenita Kajtazi: Unë për momentin jam shumë e zënë me studimin e operës Manon, konkretisht rolin Manon nga opera e Massenet, gjithashtu rolin Mimi nga opera La Bohen si dhe Dona Anna nga opera Don Giovanni , jam me prova aktive në Staatsoper Hamburg dhe kontrata të tjera do publikoj atëherë kur edhe teatrot do i publikojnë sepse nuk kam drejtë më herët. Ajo që më duhet të veçoj patjetër është pjesëmarrja ime në festivalin më të madh botërorë këtë verë Salzburger festspiele në Austri, dhe përgatitjet natyrisht nuk janë të lehta po mezi pres të ngjitem prapë në skenën ku edhe Mozart para qindra viteve ka interpretuar. 

KultPlus: Para pak ditësh ju keni ndarë me publikun një rrëfim personal tejet inspirues. Dikur ju shisnit qumësht në lagje, sot një soprano me famë ndërkombëtare, cili është mesazhi juaj për të rinjtë që sot janë në një pozitë të tillë që ndoshta suksesin e shohin larg e ndoshta të pamundshëm?

Elbenita Kajtazi: Unë ju them që më besoni asnjë sukses nuk është i pamundshëm nëse punoni fort e nuk zhgënjeheni por besoni shumë në vetvete, asgjë nuk është e lehtë në jetë por gjithashtu asgjë nuk është a paarritshme prandaj mos harroni që puna dhe vetëm puna e përkushtimi të drejtojnë drejtë një rrugëtimi të pastër dhe plot sukses. 

KultPlus: Si do ta përshkruaje vitin që po e lëmë pas?

Elbenita Kajtazi: Viti që po e lëmë pas nuk ka qenë aspak i lehtë për secilin. Vit i çuditshëm dhe me të vërtetë një sfidë e madhe për të gjithë njerëzimin. Vit që nuk do të harrohet asnjëherë por uroj që të kaloj sa më shpejtë. Pa marrë parasysh sfidës së madhe mendoj që kjo pandemi ka afruar njerëzit më shumë me njëri-tjetrin, ka bërë të kuptohet që në këtë jetë nuk ka asgjë më të rëndësishme sesa shëndeti dhe dashuria e kujdesi në familje. Unë cilësoj familjen si gjënë më të shenjtë në botë dhe uroj ta kenë shëndetin e mos të përjetojmë dhimbje që shumë familje kanë përjetuar duke humbur më të dashurit e tyre. Për sa i përket karrierës unë e cilësoj si një vit përkundër rrethanave mjaft të suksesshëm dhe të paharrueshëm. / KultPlus.com

“Poeti laureat shqiptar” Rudolf Marku: Hierarkinë e vlerave letrare e përcaktojnë kanalet televizive

Medina Pasoma

Përderisa në jetën e përditshme vitet shihen si ngjarje, në letërsi gjithçka ‘dokumentohet’ sipas ndjenjave. Kësisoj, periudhat e ndryshme të letërsisë shqiptare janë kurorëzuar me emra shkrimtarësh, të cilën guxuan ta sfidojnë veten, për t’i bërë të tjerët të gjejnë veten në fjalën e tyre të shkruar.

Shumë shpesh, ky ‘sfidim’ doli përtej përshtypjeve të lexuesve dhe hyri suksesshëm në shinat e vlerësimeve profesionale. Në vitin e brishtë të botës dhe të lulëzimeve të krijimtarisë, vargu i Rudolf Markut u kurorëzua duke u vlerësuar me një çmim, i cili u dhurua për herë të parë në Shqipëri.

Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit çmoi poezinë e Rudolf Markut, duke e bërë që ky autor të fitoj çmimin “Poeti Laureat Shqiptar”.

Juria profesionale vlerësoi se vargu i tij ka arritur të shpreh me një gjuhë të përshtatshme atë që mbetet përherë te njeriu, duke dalur përtej konteksteve historike, politike e gjeografike. Ndër të tjera, Markut nëpërmjet këtij çmimit iu vlerësua edhe përkthimi i shumë kryeveprave të poezisë botërore në gjuhën shqipe.

Andaj, KultPlus për intervistën e fundvitit në mesin e shumë personazheve të suksesshëm, ka zgjedhur edhe Poetin Laureat shqiptar. Shkrimtari Rudolf Marku përveç që ka një penë që flet shumë nëpërmjet saj, ai tregohet edhe tejet modest për këtë sukses, duke e parë këtë arritje më shumë si një vlerësim për poezinë shqipe.

“Çmimi “Poet Laureat” do të jetë një përmendje për rivlerësimin e madh të rolit të poezisë, sidomos në një vend si i yni, ku poezia ka qenë që në fillimet e para të shkrimit, në ballë të artikulimit të madh shpirtëror”, nis rrëfimin e tij Marku.

Tutje, teksa flet për këtë çmim, Marku vlerëson se poezia është duke u nënvlerësuar nga zhanret e tjera artistike.

“Ka kohë që poezia tek ne ka filluar të shihet si diçka e dalëmode, e shkuar, e vjetër, si ballot te Rostovët- do thoshte një poet i njohur ballkanik. Mirëpo, letërsia dhe artet gjithmonë kanë provuar se janë përtej modave dhe trendeve të përkohshme. Në krye të gjithë arteve ka qëndruar poezia- si një totalart- si ngjyra e të gjitha ngjyrave”, shprehet Rudolf Marku.

Marku si poeti i parë Laureat shqiptar do të promovojë për dy vite radhazi poezinë shqipe, teksa këtë e sheh si përgjegjësi në vete. Mirëpo, përbrenda një shoqërie me tipare jo të mira, poezia për të mbetet një shërim.

“Jetojmë në një shoqëri materialiste dhe të pushtuar nga Amnesia, në një shoqëri me një banalitet arrogant dhe me një mendjetrashësi të shpërblyer me poste të larta dhe me vlera monetare marramendëse. Poezia është antidoti i kësaj, është antikorpi i këtij virusi moral dhe shpirtëror. Të flasësh për poezinë dhe bukurinë e saj do të thotë se ke folur padashje dhe për mospranimin e banalitetit në çfarëdo forme që shfaqet ky banalitet”, vlerëson shkrimtari.

Përveç këtij çmimi, ky vit ishte i frytshëm për Rudolf Markun edhe në aspektin e botimeve artistike. Vëllimi poetik “Rrathë të brendashkruar” dhe romani “Pritja” u shtuan përgjatë 2020-ës në raftet e artdashësve të këtij autori.

“Ashtu si pjesën më të madhe të Poezive të librit “Rrathë të brendashkruar”, i kam shkruar brenda vitit 2020, edhe romanin “Pritja” e kam shkruar këtë vit. Çuditërisht vitet e mbrapshta në planin njerëzor janë vite të mbara në krijimtari”, shprehet për KultPlus Rudolf Marku.

Përderisa nga Covid-19 e gjithë bota jetoi në një ‘cenzurë’ të rrjedhës jetësore, Rudolf Marku këtë ndjenjë në raport me letërsinë e kishte shijuar qyshmoti. Në vitin 1973 vëllimi poetik “Shokët e mi” ndalohet nga qarkullimi, duke i gdhendur në kujtesën e shkrimtarit dallimet mes lirisë dhe censurës në krijimtari.

 “Censura e paimagjinueshme që iu imponua krijuesve shqiptarë sidomos në vitet 1973 deri në vitet 1987-1988, bëri që letërsia shqipe, në pjesën më të madhe të saj, të asfiksohej dhe të denatyralizohej. Këtë censurë të pakrahasueshme me asnjë censurë tjetër në botë nuk duhet ta harrojnë gjykatësit e rremë puritanist moralizues të letërsisë”, vlerëson Rudolf Marku.

Por, anipse shumica e autorëve iu nënshtruan një ‘ndalese’ letrare, Marku i sheh ata dhe ato si krijuesit më të rëndësishëm të periudhës post diktatoriale.

“Duket se përvoja e censurës të jep përgjegjësi më të madhe për ta vlerësuar dhe menaxhuar – dhe jo për ta shpërdoruar- lirinë për krijimtarinë dinjitoze, po ashtu si ai që ka provuar urinë ekstreme që ia di më mirë vlerën bukës”, thotë Marku, duke aluduar për brezin e tij.

Në anën tjetër, Rudolf Marku pajtohet me domosdoshmërinë e shkrimit, botimit dhe shfaqjes të periudhës së komunizmit nëpërmjet artit. Ai thekson se kjo pjesë e historisë shpesh harrohet, madje as nuk shkruhet mjaftueshëm për të.

“Është një fenomen i natyrshëm i letërsisë serioze që periudhat traumatike të popujve të jenë në qendër të krijimtarisë letrare. Lufta e dytë botërore është tema e mijëra librave, filmave, pikturave. Tema e komunizmit tek ne sapo ka filluar të shkruhet. Mendoj se është një temë që ka për të prekur, me të drejtë, fantazinë krijuese të shumë breza shkrimtarësh shqiptar të ardhshëm”.

Në anën tjetër Marku përveç që i ka rezistuar kohës së censurës komuniste, ai tani po i bën ballë edhe largësisë gjeografike ndaj Shqipërisë. Por jetesa në Angli nuk po ndikon fare në ‘afrinë’ e frymëzimeve artistike në gjuhën e tij.

“Çdo shkrimtar jeton në gjuhën në të cilën shkruan. Naim Frashëri ka shkruar në shqipen më të kulluar duke jetuar në Stamboll pjesën më të madhe të jetës së vet! Po ashtu dhe Konica dhe Noli. Pastaj dhe vetë Bota, në kuptimin gjeografik, po bëhet gjithnjë e më e vogël në kuptimin e komunikimit modern.  Me avion, më duhen veç dy orë e gjysmë të vij në Tiranë nga Londra. Më kanë thënë se nga Tirana duhen të paktën nja 4 orë udhëtim me makinë që të arrish në Sarandë a Gjirokastër!”, shpjegon Rudolf Marku.

Për gjendjen e letërsisë, Rudolf Marku vlerëson se siç ka qenë prezente përherë, edhe tanimë frymon rreziku i tërheqjes pas krijimeve të lehta. Për të, kundërshtarët ndihmojnë nëpërmjet fjalëve të tyre, duke ua bërë me dije autorëve se ku kanë gabuar; ndërkaq vlerësuesit e drejtë të një vepre janë kritikët dhe studiuesit e letërsisë. Por, Marku gjendjen e vlerësimit të veprave te ne e sheh përtej këtij realiteti të duhur.

“Te ne, hierarkinë e vlerave letrare e përcaktojnë kanalet televizive, me të njëjtat ligje që përcaktojnë përse duhet të blihet më parë një detergjent nga një tjetër a një lavatriçe më parë nga një lavatriçe tjetër”, vlerëson shkrimtari nga Shqipëria.

Në anën tjetër, ai thekson se në trojet shqiptare ekziston një letërsi e mirëfilltë dhe e mbushur me vlera. Por, gjendja është ndryshe në rrafshet institucionale

“Te ne kritika dhe institutet e studimeve të letërsisë; sidomos shkollat dhe universitetet kanë një përgjumje të dhimbshme ose ç’orientuese”, shprehet autori i romanit “Pritja”.

Teksa po lë pas vitin e brishtë të 2020-ës, Rudolf Marku ka plane për vitet që do të vinë. Ai do t’ia dhuroj autorësinë e tij disa veprave poetike si dhe do të përmbledh tre antologji.

Antologjia e parë synohet të jetë në përbërje të 185 poezive të autorëve shqiptarë e të huaj (po aq ditë sa një vit shkollor) dhe t’iu drejtohet nxënësve të shkollave të mesme dhe studentëve universitar.

“Vepra e dytë do të jetë një antologji e poezisë moderne shqiptare e Luftës së Dytë, nga 1960 deri në vitin 1991”, thotë Marku për antologjinë e dytë.

Ndërsa antologjia e tretë do të jetë një vepër gjithëpërfshirëse për poezinë shqipe nga fillimet e deri tek poezia bashkëkohore.

Në anën tjetër, përveç si ‘përmbledhës’ të krijimeve të të tjerëve, Rudolf Markun do ta shohim edhe me libra të tjera me autorësinë e tij. / KultPlus.com

Arian Mavriqi, fotografi që bukuritë e botën së egër në Kosovë po ja shpalos edhe botës

Jeta Zymberi

Publiku çdo herë e më shumë kërkon imazhe nga natyra, andaj dokumentimi i formave të ndryshme të jetës së egër po bëhet gjithnjë e më tërheqës.

Në Kosovë dokumentimi i botës së egër është i vonshëm. Por me zhvillimin e teknologjisë dhe me vullnetin e disa fotografëve sot kemi fotografi mbresëlënëse e që nuk janë parë më herët. Këto pamje po vihen edhe para syve të botës duke e bërë kështu vendin tonë sa më tërheqës për turizëm.

Arian Mavriqi është një ndër fotografët e botës së egër në Kosovë që kujdeset të jetë gjithmonë në vendin dhe kohën e duhur e me punën e tij të arrijë të informojë publikun me shumë të panjohura nga kjo botë.

Si fëmijë ai kishte pasion të hulumtonte në natyrë, por ndoshta asnjëherë nuk i kishte shkuar mendja që një ditë do të ketë mundësi që gjithë ato pamje eksploruese do t’i dokumentonte. Madje, do t’i dukej e pamundur t’i thoje që një ditë fotografia e tij do të komentohej nga gjigandi botërorë Microsoft e të cilin Mavriqi e vlerëson si një sukses kombëtar.

Në një intervistë të veçantë për KultPlus, Mavriqi na flet për pasionin e tij, vështirësitë e të fotografuarit gjallesat, sfidat e kënaqësitë gjatë procesit të punës që shpesh është tejet sfidues. Zbulon speciet që kanë arritur t’i fotografojnë e që nuk kanë ekzistuar as në të dhënat shtetërore. Ai ndër të tjera tregon se si ndikojnë fotografitë për tërheqjen e turistëve dhe sa kanë arritur të ngritin vetëdijen e popullit përmes fotografisë.

Arian Mavriqi

KultPlus: Fillimisht na trego sa kohë keni që i jeni përkushtuar artit të fotografisë më seriozisht, si erdhi inspirimi?

Arian Mavriqi: Që nga viti 2012 jam aktivë në fotografi, dhe inspirimi më erdhi pasi që si fëmijë kam pasur shumë dëshirë të hulumtoj në natyrë, por në atë kohë (para luftës) nuk kisha mundësi të fotografoja apo dokumentoja atë që na rrethonte me fotografi, ajo që bëja ishte vetëm ti shikoja pjesëtarët e faunës, shpezët dhe kafshët por edhe natyrën dhe të kënaqesha duke vrojtuar thuajse gjithë atë që na rrethonte.

KultPlus: Jeni ndër fotografët dhe eksploruesit më të njohur të natyrës dhe faunës në Kosovë, na fol pak për këtë pjesë, si është të jesh fotograf i kësaj fushe?

Arian Mavriqi: Është e veçantë të jesh fotograf i botës së egër, njëherë edhe satisfaksion, pasi që ky lloj i fotografisë është edhe më i vështiri për tu realizuar sepse ka të bëjë me krijesa që nuk e kuptojnë gjuhën e njeriut, mandej duhet të jemi në teren thuajse gjithë kohën që t’i gjejmë ato për t’i fotografuar, nganjëherë edhe në borë e shi, por që vullneti i tejkalon të gjitha vështirësitë.

KultPlus: Sa është e vështirë deri të sjellja e një fotografie të tillë (nga fauna), besoj ju ka ndodhur të prisni me orë apo ditë për një shkrepje të tillë?

Arian Mavriqi: Po, kemi pritur me orë, por edhe me ditë, këtu doja ta veçojë xhirimin e skyfterit Accipete gentilis (Gjeraqina e shkurtes) për të cilën kemi qëndruar deri në tri ditë në të njëjtin vend deri sa ja arritëm qëllimit për të marrë një xhirim që ishte i pari i tillë i realizuar në shqiptari.

KultPlus: A keni arritur të identifikoni ndonjë specie të re në Kosovë, për të cilën nuk keni qenë të informuar më herët?

Arian Mavriqi: Si rezultat i punës sonë, kemi arritur t’i fotografojmë disa specie të reja, ndër to Shqiponja peshkngrënëse (Pandion haliateus) dhe Kojlikun e zi të cilat as nuk gjenden në të dhënat shtetërore, por kemi fotografuar edhe shumë specie tjera që janë në të dhënat shtetërore por nuk kanë qenë asnjëherë të dokumentuara me fotografi.

KultPlus: Sa mendoni që keni arritur që përmes fotografive nga bota e egër të ngritni vetëdijen e qytetarëve për ruajtjen e tyre?

Arian Mavriqi: Jemi të kënaqur me ngritjen e vetëdijes nga ana e qytetarëve tanë, dhe se çdo ditë e më shumë ata po inspirohen edhe nga fotografitë e xhirimet tona, dhe thuajse tashmë ata janë pjesë e jona dhe na ndihmojnë shumë edhe në gjetjen e tyre dhe na japin informacione.

KultPlus: Nga gjitha shkrepjet që keni realizuar, cilën do ta veçoje?

Arian Mavriqi: Do ta veçoja Kaprollin me zogun Trishtili i madh në shpindet e tij që e kam realizuar në Blinajë. Mandej Shqiponjën Osprey si dhe një zog që është i përmendur edhe në Kuran e që quhet Pupëza apo Upupa epops.

KultPlus: Një moment i veçantë për karrierën tuaj besoj ishte edhe komentimi që gjigandi Microsoft i bëri fotografisë tuaj të realizuar në Kamenicë e cila ngjasonte shumë më atë të Ëindosës XP, si është të vlerësohesh nga Microsoft dhe na fol pak për emocionin që të fali suksesi i kësaj fotografie?

Arian Mavriqi: Komenti i gjigandit Microsoft ka qenë deri më tani kulmi në karrierën time pasi që është Kompania më e madhe në botë, dhe ajo nuk është se ishte sukses vetëm i imi, por edhe sukses kombëtar, pasi që ata interesohen më shumë për ne dhe lokacionin e shkrepjes gjithsesi, mandej emocionet kanë qenë nga më të mirat për mua deri më tani dhe sikur të kisha mundësi do ta përsëritja çdo ditë, është thjeshtë satisfaksion të vlerësohesh nga një gjigand si Microsoft.

KultPlus: A mendon që kjo fotografi të dha një vëmendje më të madhe te publiku dhe puna jote filloi të shpërndahet dukshëm më shumë?

Arian Mavriqi: Po, më ka ndihmuar shumë në karrierën time, vëmendja dhe shpërndarja e asaj foto më ka bërë të ndihem krenar me punën time, dhe më dha një vullnet shumë të fortë për të vazhduar akoma më fuqishëm në të ardhmen, sepse nëse punon gjithmonë edhe do shpërblehesh.

KultPlus: Duke qenë se ju vini nga Kamenica, gjithashtu një prej vendeve që ju eksploroni më së shumti, a mendoni që keni arritur tashmë të nxirrni në pah bukuritë natyrore të këtij vendi dhe faunën e pasur që ka, apo keni ende për të na treguar?

Arian Mavriqi: Po, unë jam nga Kamenica, dhe jetoj këtu, njëherit edhe fotot që kam sjellë e kanë bërë qytetin ku jetoj të njihet thuajse në gjithë shqiptarinë sepse njerëzit kishin shumë pak informacione për këtë vend, por akoma kam shumë për të bërë për Kamenicën dhe shqiptarinë në përgjithësi, janë shumë specie tjera që na presin ti fotografojmë dhe t’i dokumentojmë në të ardhmen.

KultPlus: Fëmijët janë ata që gjithashtu zënë shpesh vend në fokusin tënd, ju fal emocion e inspirim pafajësia e tyre?

Arian Mavriqi: Fëmijët janë aq të pafajshëm dhe natyraliteti i tyre na bënë që t’i fokusojmë sepse fotografitë me fëmijë janë emocion në vete dhe gjithmonë dërgojnë mesazhe pozitive në opinion dhe padyshim se vlerësohet shumë më lart edhe në publik, sidomos fotografitë që tregojnë traditat tona dhe fotografitë me kafshë.

KultPlus: Shumë nga bukuritë natyrore të Kosovës kanë dal në pah falë shkrepjeve tuaja, sa ndiheni i përmbushur si fotograf?

Arian Mavriqi: Kemi sjellur shumë fotografi të bukurive natyrore, por ne asnjëherë nuk kënaqemi me vetveten, por gjithmonë jemi në kërkim të ekskluziviteteve të reja dhe se fotografia është një burim shpirtëror i pashtershëm edhe njeriu gjatë gjithë jetës ka çka të ofrojnë në lëmin e fotografisë, sepse vijnë situata të reja, vende të paeksploruara, specie të pazbuluara, njerëz të rinjë pranë fokusit tonë, pra me një fjalë bota nuk ndalet dhe me të nuk ndalemi as ne.

KultPlus: Si e vlerësoni artin e fotografisë në Kosovë, çmohet sa duhet?

Arian Mavriqi: Arti i fotografisë për fat të keq nuk çmohet aq sa duhet, por jemi në rrugën e duhur që të ngrisim vetëdijen dhe të respektohet në nivelin më të mirë të mundshëm pasi që është një pjesë e artit dhe ka një vlerë të jashtëzakonshme.

KultPlus: Duke pas parasysh që e drejta e autorit te ne në Kosovë nuk respektohet sa duhet, hasni në probleme të tilla shpesh?

Arian Mavriqi: Sa i përket të drejtës autoriale kemi shumë shpesh raste të tilla kur merren fotot tona dhe nuk ceket emri i autorit dhe për fat të keq kemi një ligj që nuk zbatohet thuajse fare hiq, prandaj edhe ata që marrin foto të tilla pa e respektuar të drejtën autoriale do të vazhdojnë kështu deri sa të fillon të zbatohet ligji edhe të binden që një shkelje e tillë dënohet shumë rëndë.

KultPlus: Keni menduar hapjen e ndonjë ekspozite së shpejti?

Arian Mavriqi: Po, shumë shpejt do të hapë një ekspozitë personale me disa nga fotot e mia të faunës dhe natyrës të shkrepura në Kosovë e Shqipëri, por jam duke menduar të bëjë diçka të veçantë dhe besoj që kësaj radhe ekspozita do të mbahet diku në Prishtinë, dhe dua që të jetë një prezantim edhe në nivel kombëtar, pra të kemi të ftuar dhe mysafir nga gjitha trojet shqiptare.

KultPlus: A mendon që ndikojnë fotografitë për tërheqjen e turistëve në vendin tonë?

Arian Mavriqi: Fotot ndikojnë shumë në tërheqjen e turistëve të huaj sidomos në Kosovë, pasi që në vende të ndryshme ne akoma kemi një “hije të zezë”, dhe se ata kanë nevojë për më shumë informacione për vendin tonë, sidomos fotografi të bukurive të Kosovës, faunës, traditave tona, arkeologjisë që e kemi gjithandej e që zbulon shumë për historinë tonë, si dhe qyteteve tona që njihen për ruajtjen e pjesës arkeologjike dhe historike.

KultPlus: Si e komentoni shprehjen “Fotografia vlen sa një mijë fjalë”?

Arian Mavriqi: Shprehjen “Fotografia vlen sa 1000 fjalë” do ta komentoja me fotografinë time ku zogu qëndron i qetë në shpinën e kaprollit, mandej kur një qengj qëndron në krahët e një plaku i qetë dhe me shumë dashuri, apo me fotografinë time që ishte zgjedhur për tu pikturuar në Muralin e Kamenicës si dhe me qindra foto me kafshë që i kam realizuar djalin tim Amalit, pra nëse i shikon ato fotografi secila në vete i ka nga 1000 fjalë, prandaj edhe fotografia nuk komentohet shumë, ajo flet vetë. / KultPlus.com

Enris Qinami, muzikanti shqiptar që përmes traditës e mistikës transmeton tingujt e sharkisë në Francë

Xhemile Hysenaj

Ka 20 vite që jeton në Francë dhe punon si pedagog i muzikës në “Ecole des Arts, Île-Saint-Denis”, në një qytezë-ishull buzë Senës, pranë Parisit. Bëhet fjalë për Enris Qinamin, i cili qysh në moshë të re rrugëtimin jetësor e kishte gërshetuar me artin më të bukur, atë të muzikës. Muzika e Qinamit realizohet përmes instrumentit të sharkisë dhe vjen si rrjedhojë e lidhjes së tij të ngushtë me mistiken dhe universalen. Një muzikë që flet e jeton ndryshe. Qinami, si asnjëherë më parë, ka rrëfyer për KultPlus lidhjen dhe dashurinë e tij të madhe me muzikën, sufizmin dhe mbi të gjitha atdheun e tij.

KultPlus: Muzika juaj vjen si rrjedhojë e lidhjes suaj të ngushtë me sufizmin, na flisni për lidhshmërinë tuaj me mistiken dhe si e transmetoni atë përmes muzikës që ju e bëni?

Të flasësh për mistikën dhe sufizmin është thuajse e pamundur, sepse nuk bëhet fjalë thjesht për një narracion, por mbi të gjitha për diçka që i lind nga një përjetimi i brendshëm.
Përsa i përket muzikës, ajo është një gjuhë universale e cila nuk ka kufij në kohë e në hapësirë. Si e tillë ajo mundëson pikëtakime me shumë elementë dhe dimensione të jetës, elementë të cilët mund të jenë të jashtëm ose të brendëshëm. Në planin e brendshëm të saj, dimensioni i muzikës shkon përtej dimensionit thjesht estetik të artit në përgjithësi.

Po ashtu edhe sufizmi përkufizohet si tërësia e dimensionit të brendshëm e shpirtëror të fesë islame, pjesë e pandashme e urtësisë së Gjithë-Kahershme e Universale. Përtej botës së shpërfaqur, përtej formave, ekziston një realitet i brendshëm (Hakîkati), i cili i jep kuptim gjithshkaje. Ky realitet perceptohet fillimisht nga ana e tij e jashtme (Sheriati), për të kaluar në aspektet dhe praktikat e brendshme (Tarîkati).

Në këtë udhëtim të brendshëm shpirtëror, njeriu shikon se kjo botë nuk është gjë tjetër veç se një iluzion, një perde, ku sapo e largon njërën, atëherë shfaqet një tjetër, aq sa perde pas perde, fillon e kupton se perdja kryesore është iluzioni i të qënurit “unë”. Vetëm kur e çel këtë perde, njeriu fillon e përjeton Realitetin përtej perdeve ! Për këtë gjë, nevojitet “pastrimi i shpirtit”, në mënyrë që krijesa që ne jemi të bëhet transparente ndaj Krijuesit dhe të pajiset me virtyte fisnike. Mirë ama, pastrimi i shpirtit nuk duhet të jetë një mjet në vetvete por mbi të gjitha qëllimi i cili i mundëson njeriut njohjen e Zotit. E në një hadith thuhet: “ Ai që njeh vetëveten, e njeh edhe Zotin”. Në realitet vetëvetja gjendet në qendrën e qenies njerëzore, e simbolizuar nga zemra, ndërkohë që truri është instrumenti i mendjes, në veçanti i mendimit racional. Sipas të gjitha traditave shpirtërore, zemra është vendi i inteligjencës supra-racionale e siç thotë René Guenon, ajo siguron unifikimin e të gjitha gjendjeve të ekzistencës dhe unitetin e vetë Ekzistencës.

E njëjta gjë është e vlefshme edhe për muzikën. Për atë që fillon e njeh vetveten, muzika që ai dëgjon këtu poshtë është jehonë e Fjalës hyjnore dhe muzikës qiellore atje Lart. Në muzikën mistike ekziston një marrëdhënie intime me zanafillën, e cila i shpërfaqet njeriut nëpërmjet Zbritjes së Revelatës Hyjnore. Falë saj, ne fillojmë të përjetojmë ndjesi të panjohura më parë, zbulojmë se e padukshmja dhe e padëgjueshmja janë vetëm vizione dhe frekuenca që nuk i kemi parë dhe nuk i kemi dëgjuar deri më tani. Mund të them se fakti që kam marrë këtë rrugë, më ndihmon ta përjetoj atë së brendshmi. Kjo gjë më konfirmon ndjesinë se gjithçka që kemi kërkuar jashtë, në realitet gjendet brenda vetes. Dhe pikërisht brenda nesh lind vetvetiu edhe dëshira për ta transmetuar këtë traditë.

Në fakt, fjala transmetim dhe fjala traditë kanë të njëjtën rrënje, të njëjtën etimologji. Ajo që karakterizon transmetimin është fakti se përfshin gjithshka dhe gjithëkënd brenda një tradite të caktuar, aq sa nuk ka asnjë Traditë pa një përçim të vetëdijshëm falë transmetimit. Me fjalën Traditë (T e madhe), kuptojmë totalitetin e trashëgimive të cilat kanë parim dhe burim themelor Shpalljen, e cila është Zbritja nga niveli më i lartë i Realitetit në një qytetërim të caktuar, duke bërë të mundur transformimin e objektit të dijes, në subjekt të njohjes.

Me përpjekjet e mija si muzikantit dhe si etnomuzikolog, jam munduar ta artikuloj muzikën sakrale me atë tradicionale dhe anasjelltas, duke vënë në dukje aspekte të caktuara të shoqërisë tradicionale shqiptare, për të kuptuar sesi përshtatet një organizim specifik shoqëror, sipas një sensi të veçantë estetik të gdhendur në një histori të caktuar. Në të njëjtën kohë, jam përpjekur të kuptoj edhe mënyrat e ndryshme falë të cilave muzika shpreh Traditën për të përçuar tek gjithëkush dhe në çdo kohë, mesazhin e Njëshmërisë Hyjnore.

KultPlus: Ju jetoni dhe veproni në Francë, sa ka qenë e vështirë të krijoni grupin tuaj dhe të merrni hapat e parë si muzikant?

Jetoj prej gati 20 vitesh në Francë ku punoj si pedagog i muzikës në “Ecole des Arts, Île-Saint-Denis”, në një qytezë-ishull buzë Senës, pranë Parisit.
Fillimet në Francë ishin të lidhura ngushtë me studimet, të cilat i ndoqa mbas mbarimit të studimeve në Tiranë pranë Liceut Artistik dhe Universitetit të Arteve ku dhe u diplomova në vitin 2001 me rrezultatet më të larta në degën e kompompozicionit muzikor. Po atë vit u nisa drejt Parisit për të vazhduar studimet muzikore duke u diplomuar për kitarë dhe pedagogji muzikore.

Hapat e parë kanë qënë të vështira sigurisht, por në atë vështirësi fshehej vetë lehtësia, e cila ndihmon për të kalitur durim. Durimi është në vetvete mësimi që shoqëron njeriun gjatë gjithë jetës.

Në këtë rrugëtim, hapat e parë kanë qenë shpesh herë pyetje të cilat më shtynë të kërkoj cilat janë lidhjet që ekzistojnë midis një populli dhe muzikës së tij, cilat janë metodat e transmetimit, dhe mënyrat për ta përçuar atë duke qëndruar sa më afër “frymës tradicionale”. Në Shqipëri për shëmbull, muzika tradicionale e dikurshme ishte e lidhur ngushtë me familjen, me organizimin shoqëror duke qënë koherente ndaj të gjithë elementëve të saj. Në qendër të këtij organizimi shoqëror, muzika përjetohej si aspekti më i privilegjuar i Traditës, duke mos reshtur së artikuluari në mënyra nga më të ndryshmet mesazhet e saj, dhe duke qëndruar e gjallë dhe besnike falë shpirtit të saj origjinal.

Duke jetuar larg vendlindjes, e kisha të pamundur të bëja muzikën ashtu siç ajo lëvrohet në vendin e origjinës ndaj mu desh ta adaptoja në realitetin tim duke adoptuar elementë vendas dhe duke bashëpunuar me muzikantë me prejardhje dhe horizonte të ndryshme.

Kjo gjë kishte vështirësitë e veta, por në të njëjtën kohë afronte mundësi për diçka te re dhe të ndryshme. Ndaj edhe lindi nevoja për të krijuar një grup muzikor tek i cili do të isha njëkohësisht themelues dhe udhëheqës artistik, duke i dhënë atij frymën tradicionale e shpirtërore sufiste shqiptare, dhe atë ballkanike në përgjithësi.

KultPlus: Ju luani në instrumetin e sharkisë. Talentin tuaj e keni trashëguar nga familja apo ka qenë pasioni juaj i kahmotshëm?

Mund të them se nuk jam unë ai që kam zgjedhur sharkinë, por në një farë mënyre ajo më ka zgjedhur mua. Kjo sepse kitarën e kisha zgjedhur në periudhën e adoleshencës i shtyrë nga pasionet e moshës, ndërsa sharkinë në moshën e pjekurisë dhe me vetëdidje të plotë, edhe pse nuk e kisha të trashëguar nga familja. Më tepër se zgjedhje e një instrumenti, ajo ishte një drejtim i ri që mori jeta ime artistike, por mbi të gjitha shpirtërore.

Përherë e kam pasur ndjesinë se muzika është si një “ilaç”, jo i trupit por i shpirtit dhe se mjeshtri i muzikës duhet ta “zhysi” auditorin e tij në një oqean melodish e ritmesh të cilat duhet të vazhdojnë të kumbojnë edhe mbasi muzika ka mbaruar së ekzekutuari…

Muzika tradicionale, në këtë aspekt zë një vend të veçantë nga pikëpamja e shprehjes. Ajo ndërtohet brenda një performance komplekse që përfshin shpesh shumë protagonistë të disa zhanreve. Shprehia e saj është vullnetarisht momenti në të cilën ajo ekzekutohet dhe nuk ka qëllim tjetër veç se atë që performuesit i japin asaj në praninë e atyre që janë prezent në atë momente të caktuara.

Kjo gjë ndryshon shumë me zhanret e tjera muzikore të cilat ndërtohen duke u bazuar thjesht tek estetika dhe nevoja për t’ju përshtatur një shije dhe një tregu të caktuar, në kohë dhe në hapësirë. Në ndryshin nga ato, në muzikën tradicionale, estetika është gjithnjë në varësi të etikës. Rrjedhimisht, çdo qëndrim muzikor korrespondon me një etikë, një gjendje shpirtërore fillestare. Kjo gjëndje shpirtërore është edhe pikënisja drejt një udhëtimi i cili lind në brendësinë e njeriut dhe përbën thelbin e asaj ç’ka ne quajmë traditë, në realitet një proçes të gjatë transmetimi kulturor dhe shpirtëror.

Muzika tradicionale e lartëson shpirtin në frekuenca që kapërcejnë gjëndjen tonë të zakonshme. Sa më shumë muzika priret drejt anës shpirtërore, aq më shumë ajo e qetëson egon dhe e fton dëgjuesin e saj për më shumë përulësi. Në latinisht fjala përulësi, “humilitas” vjen nga fjala humus, tokë. Pak a shumë i njëjti rrugëtim është ndjekur edhe në shqip për fjalëformimin përvujtni, nga fjala vutë, truall i sheshtë.

KultPlus: Këngët që ju këndoni i flasin kryesisht dashurisë, asaj universale. Sa është e vështirë t’i këndohet një dashurie të tillë me aq pasion?

Për ti kënduar dashurisë universale është vështirë, por edhe më vështirë është për ta kuptuar se çfarë është ajo!

Një ndër karakteristikat e sufizmit është ekuilibri midis dashurisë dhe urtësisë, dhe kjo në të gjitha nivelet e qënijes, në mënyrë që të arrihet ajo ç’ka njihet si dashuria e vërtetë, e cila është njohja e drejtpërdrejtë dhe e menjëhershme e gjithshkaje që ekziston bazuar në parimin dhe perspektivën islame të Unicitetit Hyjnor. Falë këtij kriteri, njeriu vendoset në kërkim të përndritjes, duke pasur si qëllim final bashkimin me objektin e përndritjes, Prezencën Hyjnore.

Thelbi i dashurisë është i pamundur që të përcaktohet plotësisht sepse ai nuk i atribuohet njeriut si krijesë, por vetëm Zotit si Krijues. Qëllimi final i dashurisë është pra bashkimi i krijesës me Krijuesin, duke pasur parasysh se ajo ç’ka ka qenë e bashkuar në para-zanafillë (ezel), herët a vonë do të ribashkohet përsëri.

Sa më shumë duam, aq më shumë ndihemi të gjallë. Sa më shumë japim, aq më shumë marrim, dhe falë kësaj mar-dhënije krijohen “frutat” e dashurisë. Dashuria është një farë, fruti i së cilës është urtësia….

KultPlus: Muzika juaj zë vend kryesisht në Teqe e në vende të tjera ku predikohet feja islame. Si e shihni ju një përgjegjësi të tillë?

Në realitet kam pasur fatin të luaj muzikë në vende të ndryshme, qofshin ato fetare apo laike, nëpër kisha, teqe, tempuj budistë, salla koncertesh e festivale…

Mund të përmend për shëmbull kishën “Oratoire du Louvre”, pjesë e Muzeut të famshëm të Luvrit, kishën “Saint-Pierre de Montmartre, atë Saint-Merry, të gjitha këto ndër kishat më të famshme në Paris. Në çdo koncert kam kënduar këngë në shqip, dhe kam performuar me grupin tim ilahi të traditës islame ku në disa raste janë recituar pjesë të Kur’anit dhe është thirrur biles edhe ezani brënda në kishë. Publiku francez na ka pritur gjithnjë në mënyrë të shkëlqyer, duke e rrespektuar maksimalisht traditën tonë. Gjithashtu kam pasur fatin të jap koncerte në vende prestigjoze këtu në Francë si përshëmbull « Château de Chambord », « Chapelle Royale de Senlis », « Petite Halle de la Villette», etj… Gjithashtu kam qënë i ftuar në disa festivale si përshëmbull « Festival de l’Art Sacré de Senlis», « Sufi Soul Festival » në Gjermani por edhe në Shqipëri ku mund të përmend « Festivali Multikulturor në Berat», ku kam luajtur muzikë në Teqen Halveti, « Festivali Takimi mes dy botëve » në sallën e koncerteve të Katedrales Orthodokse në Tiranë etj… Të gjitha këto aktivitete kanë lënë kujtime të paharruara dhe ka qënë një përgjegjësi e veçantë të isha pjesmarrës duke përfaqësuar traditën muzikore shqipëtare dhe atë mistike sufiste.

KultPlus: Ju keni një lidhje shumë të fort me vendlindjen, si e paraqitni atë në këngët që i këndoni?

Gjithmonë më ka përmbushur vendlindja, qyteti i Tiranës.

Ndjej në të zërat e jehonat e të parëve, e këngëve që buçonin në shtëpitë tradicionale me avllitë në oborr mbushur me tinguj që hynin përmes shkallëve të gurta, dhe pastaj shëtisnin tërë shtëpinë për tu rikthyer sërish në oborr nëpërmjet penxhereve të shumta, të “parfumosur” nga aroma e luleve shëmëngjyrëshe e erëmirë.

Kjo muzikë ka qënë dhe është gëzim, hare, emocion, pasion, mall, e shprehur aq bukur në larminë e melodive, valleve e nëpërmjet fjalëve më të bukura të dashurisë së sinqertë për njerëzit, zogjtë, lulet, dhe gjithçka që ka krijuar Perëndija.

Ajo që më lidh më shumë me Tiranën janë këto kujtime, të cilat janë pasuria më e madhe që mora me vete nga qyteti i lindjes. Prej disa vitesh udhëtoj nëpër Ballkan, kryesisht në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Mal i Zi dhe Bosnje-Hercegovinë dhe përherë mahnitem me bukuritë, traditat dhe njerëzit në rajonin tonë. Kam shumë miq të mirë në këto treva bujare dhe i përshëndes me mall.

Por atdheu ynë është edhe çdo grimcë e universit sepse vetë ne jemi pjesë e tij dhe origjina si dhe destinacioni ynë final është universi, bota Qiellore.

KultPlus: Si e konsideroni rolin e muzikës në jetën e secilit, sidomos një muzikë që përmbajtjen kyçe e ka atë shpirtërore?

Muzika është një mjet për ta afruar shpirtin më pranë Krijuesit dhe për këtë arsye ajo luan një rol shumë të rëndësishëm në jetë. Muzika gjithashtu shpreh fuqishëm lidhjet që krijojnë njerëzit dhe shoqëritë njerëzore me atë ç’ka është universale. Muzika përmbush zemrat e njerëzve, pavarësisht nga përkatësia e tyre shoqërore, fetare ose kulturore. Ajo gjithashtu përmban kodet specifike të individëve dhe shoqërive që i gjenerojnë ato. Muzika shpreh si aspiratën e shpirtit njerëzor për bukuri dhe harmoni, por dhe në të njëjtën kohë veçoritë e popujve dhe individevë që e krijojnë atë.

Muzika nuk lind në zemër e dikujt për aq kohë sa nuk ekziston aty ashku, dashuria për të.

Një histori e bukur e ilustron këtë gjë. Në traditën orientale, besohet se shpiriti ekzistonte para se të krijohej trupi i njeriut të parë. Si i tillë shpirti ishte i lirë të shkonte aty ku dëshironte ai, pa patur asnjë pengesë. Por një ditë, Krijuesi i Gjithësisë e ftoi shpirtin të hynte në trupin e njeriut të parë, Ademit. Kjo gjë ndeshi me kundërdvtimin e shpirtit i cili nuk donte të ishte i mbyllur në një trup të caktuar, qoftë ky edhe i njeriut. Andaj shpirti u largua në skajin më të largët të universit. Krijuesi i Gjithësisë u trishtua nga kjo gjë, por gjithsesi ai nuk donte ta detyronte atë të hynte me forcë në trupin e njeriut. Ndaj dhe vendosi të krijonte ëngjëjt muzikorë të cilët filluan të luanin muzikën e sferave qiellore. Ajo muzikë e mrekullueshme kumboi tej e përtej universit, aq sa shpiriti arriti t’ja dëgjojë ekon e largët dhe mbeti i magjepsur. Pak nga pak, shpiriti u dashurua me këto tinguj e këto ritme të padëgjuara më parë, aq sa filloi të udhëtonte larg e më larg për të kërkuar burimin e tyre. Kur iu afrua, ai filloi të vallëzonte e të rrotullohej rreth tyre. Në çastin kur shpirti mbërriti në ekstazë, Krijuesi e mori atë dhe e futi brenda trupit të Ademit. Menjëherë, zemra e tij filloi të rrihte…. Kjo është arsyeja pse ne kemi të gjithë në thellësi të kraharorit këtë ritëm primordial dhe saherë dëgjojmë muzikë, shpiriti ynë preket e ngacmohet duke kujtuar kohën kur ishte i lirë nga trupi.

KultPlus: Na flisni më shumë se si e shihni ju lidhjen në mes artit dhe fesë?

Arti dhe feja në të vërtetë kanë pika takimi tek marrëdhënia që ato kanë me të patregueshmen, të padukshmen e të pashpejgueshmen. Tek të dyja mbizotëron një fuqi nxitëse, një nevojë për simbole dhe për kuptimin e tyre. Të dyja hapin mundësinë e një perceptimi global dhe shpesh të menjëhershëm të realiteteve shpirtërore, përtej mendjes njerëzore. Muzika fetare në veçanti, bashkon dy qasje në dukje të ndryshme, muzikën dhe fenë.

Nga ky bashkim, lind një realitet i ri i cili e fton njeriun që të hapet kundrejt aspekteve të ndryshme të përvojave së brendshme. Në këtë rast, muzika me gjuhën e saj, ndihmon në përhapjen e kuptimeve që dalin nga terminologjia fetare. Parë në këtë prizëm, ajo bëhet “bija” e Kuranit, për ata që dinë ta kuptojnë Librin. Ashtu si “dhikri”, përkujtimi i Zotit që kulmon në frymëmarrjen e kënduar, ritmi i muzikës lejon që shpirti njerëzor të rijetojë gjendjet e para-krijimit të tij.

Por për ta kuptuar më së miri këtë gjë, më lejoni t’ju shpejgoj cila është ndjesia ime për atë çka quajmë ne fe.

Nëse njerëzit janë të tërë të krijuar nga një burim i vetëm, atëherë qëllimi i vetëm i tyre duhet të jetë njohja dhe dëshmimi i këtij burimi, pra me pak fjalë njohja e Krijuesit e cila rjell nga njohja e gjithshkaje që është pjesë e krijimit të tij, dhe mbi të gjitha njohja e vetëvetes. Udhëtimi për tek vetvetja është i gjatë dhe i mbushur më “kodra të mëdha udhëtimi”. Ky udhëtim na liron nga skllavërimi i natyrës egotike e cila e largon njeriun nga aksi i tij hyjnor, dhe e çon drejt anës shtazore, duke e ditur se të dyja dimensionet gjenden tek ai.

Poeti i madh Naim Frashëri na kujton se besimi i vërtetë nuk është i shkruar në asnjë libër, përveç se në zemrën e njeriut. Pra feja është besimi i vërtetë dhe unik ku ne drejtohemi tek përmbushja e qënijes që mund të vijë vetëm nga njohja se kush jemi, duke e dëshmuar në çdo frymëmarje të vërtetën e esencës tonë hyjnore, e cila arrihet nëpërmjet rrugës mistike të çdo lloj feje apo besimi fetar. Kur një dijetar arab ishte pyetur, “Cili është fundi i mistikut” ai u përigjigj, “Kur ai është ashtu si ka qënë, ku ka qënë para se të ishte”.

Në muzikën tradicionale mistike të kahershme, si në Shqipëri a gjetkë, kjo gjëndje përçohet nëpërmjet përkujtimit të krijuesit sepse pa përkujtim kjo rrugë është si një udhë pa udhë. Falë përkujtimit, arrihet një nivel përqendrimi i cili e ndihmon qënijen të arrijë tek shikimi, dëgjimi dhe prekja e esencës së brendshme të tij, falë së cilës Krijuesi dhe krijesa shkrihen dhe bëhen një e vetme. Të gjithë ata që e hapin zemrën e tyre dhe lejojnë të hyjnë në të rrezet e dashurisë, e presin mirë këtë muzikë dhe duan të përjetojnë më shpesh momente të tilla. Vetë dijetari dhe mistiku i madh Mevlana Xhelaludin Rumi ka thënë ” : Në kadencat e muzikës, është i fshehur një sekret; nëse e reveloj atë, ai do të trondiste mbarë botën. “

KultPlus: Cili është mesazhi juaj për lexuesit tanë?

Përpiquni të zbardhni shpirtin. Studioni përmes librave, por mbi të gjitha brenda vetes tuaj. / KultPlus.com

Alea Mehaj, fituesja e shumë çmimeve nëpër botë që një ditë shpreson të përfaqësojë Kosovën

Suada Qorraj

Ishte vetëm katër vjeçe kur filloi rrugëtimin e saj në aktrim e modelim. Si pjesë e agjencisë së modës ‘Time Models’, Alea Mehaj shënoi hapat e saj të parë në karrierë duke marrë pjesë në disa reklama televizive e për të vazhduar më tutje edhe me projekte shumë më të mëdha, shkruan KultPlus.

Ishte viti dymijë e tetëmbëdhjetë (2018) kur konkursi i bukurisë ‘Young Miss Universe 2018’, në Ukrainë, solli një fituese shqiptare në atë kohë gjashtë vjeçare, si përfaqësuese e Norvegjisë.

Por, sukseset e Aleas nuk kanë të ndalur këtu, nëntë vjeçarja pas Ukrainës fitoi çmimin e parë edhe në ‘Children Peace Price’, si dhe çmimin ‘Winner of TV Host International’. Kurse viti 2019 e gjeti Alean si një ndër finalistet më të vogla në moshë në të gjithë Skandinavinë në konkursin e Yjeve të botës në ‘WCOPA’, Kaliforni.

Në një intervistë për KultPlus, Alea ka treguar se ky rrugëtim që ka filluar që në moshë të hershme, ka kërkuar shumë kohë dhe përkushtimi. Mirëpo sipas saj kur ajo dhe skena bëhen një, të tjerat gjëra nuk kanë rëndësi.

“Ky rrugëtim ka qenë me shumë përgjegjësi, ka kërkuar shumë punë, kohë dhe përgatitje, por dëshira e madhe për aktrim më bënë që ti harroj të gjitha në momentin kur dal në skenë dhe të kënaqem me paraqitje. Por, pa përkushtimin e madh të familjes dhe menaxherëve nuk do isha këtu ku jam vetëm me punën time sepse unë jam ende e vogël”, ka thënë 9 vjeçarja.

Për Alean, aktrimi dhe modelimi nuk janë gjërat e vetme me të cilat ajo merret në përditshmërinë e saj. Mehaj qysh herët ka filluar që të bëhet ambasadore e fushatave të ndryshme sensibilizuese, pjesë e të cilave është edhe ‘Vjosa Foundation’.

Ajo tregon se aktivitetin e saj si ambasadore e ‘Vjosa Foundation’, e konsideron shumë të rëndësishëm, kjo sepse sipas saj gjëja më e mirë që mund të bëjë është t’i ndihmojë fëmijët me autizëm në Kosovë që të bëjnë një jetë më të mirë.

“Më e rëndësishmja për mua është që ti përkushtohem Fondacionit ‘Vjosa’. Kur më kanë treguar se si ka filluar axhi Lulzim Behxheti të ju ndihmoj fëmijëve me autizëm në Kosovë, kam vendosur që t’i bashkëngjitem këtij misioni të madh. Kam menduar se gjëja më e mirë që mund të bëjë është të ju ndihmoj fëmijëve që kanë nevojë të jetojnë një jetë më të mirë. Që kur ka filluar kjo ide, unë e kam mbështetur që nga dita e parë duke kontaktuar me personazhe të ndryshme e të njohura në mbarë botën”, ka thënë Mehaj për KultPlus.

Krahas Aleas, ambasadore të Vjosa Foundation janë edhe Erza Muqolli e këngëtarja shqiptare me famë botërore, Rita Ora. Mehaj tutje ka shtuar se ky fondacion së bashku me ambasadoret e saj ka planifikuar që të mbajë një koncert në Finlandë, si dhe ekspozimin e të gjitha portreteve të realizuara nga Lulzim Behxheti, në muajin mars në Kosovë.

Nismëtari i kësaj ideje dhe themeluesi i Fondacionit Vjosa, Lulzim Behxheti ditë më parë është dekoruar për herën e dytë me vulën presidenciale nga familja e Ibrahim Rugovës, pasi ka publikuar punimin e vajzës së Ibrahim Rugovës, Teutës.

E njëra nga këto medalje do ti dedikohet të voglës Alea, ambasadores 9 vjeçare të këtij fondacioni. Behxheti në një prononcim për KultPlus ka treguar se këto dy medalje ka vendosur që të ia dedikoj vajzës së tij, Vjosës dhe Alea Mehaj.

“Më janë dhënë dy medalje nga ana e familjes së presidentit Ibrahim Rugova. Unë kam vendosur që njërën nga këto medalje të ia dedikoj vajzës time Vjosës, kurse tjetrën Aleas, e cila këtë medalje fizikisht do ta pranoj në rezidencën e familjes Rugova me 27 mars”, ka pohuar ai.

Ndonëse pandemia këtë vit ka goditur të gjitha fushat e jetës duke përfshirë këtu edhe artin e kulturën, angazhimet për Alean nuk kanë munguar. Ajo ishte pjesëmarrëse në shumë javë të modës si në New York e Londër.

Mehaj tregon se në këto vende ka prezantuar veshje të dizajnerëve të njohur ku dhe ka marr ftesë të posaçme për pjesëmarrjen në këto evente. Tutje ka treguar se vitin që vjen në rrugëtimin e karrierës së saj do të bëhet edhe Milano, Itali e Paris.

“Në New York kam prezentuar dizajneren Melani Caballero, kurse në Londër kam prezantuar për ‘Little people London’, ‘bebebe’, ‘ray and roy’ dhe ‘leya.me’. Në të dyja vendet kam përjetuar emocione të paharrueshme, kanë qenë ditë të lodhshme, po kanë qenë shumë interesante. Prapa skenave kam njoftuar vajza nga e gjithë bota. Nëse lejohet nga pandemia, atëherë në vitin që vjen do të marr pjesë edhe në Milano, Itali dhe Paris”, ka rrëfyer tutje Alea.

Nëntë vjeçarja nuk heziton të tregoj se është pikërisht dalja në skenë ajo që e motivon më së tepërmi dhe e shtyn atë që të balancoj kohën mes mësimeve në shkollë, mësimeve të aktrimit, intervistave të shumta që ajo jep ditë pas dite, por edhe kohës së lirë që ajo ndanë me motrat e saj. Tutje ajo tregon se është shumë e përkushtuar që të punoj për Kosovën dhe Shqipërinë, madje ajo shpreson që do të ketë mundësinë që ndonjë ditë të përfaqësoj Kosovën njëlloj sikurse Norvegjinë.

Krejt në fund e pyetur për planet e saja në të ardhmen Alea Mehaj ka shpalosur një detaj tepër të rëndësishme për karrierën e saj. Vera e këtij viti e gjeti tetë vjeçaren si personazh kryesor të filmit ‘Elias’, premiera e të cilit do të jepet në mars të vitit që po vjen.

“Së bashku me babain do të bëjmë përpjekje për të përkthyer filmin edhe në gjuhën shqipe në mënyrë që ky të shfaqet në Kosovë e Shqipëri”, ka thënë ajo.

Kurse në vitin që po vjen Alean e presin plane të mëdha në vendin e ëndrrave, sepse ajo tashmë ka nënshkruar një kontratë me agjencinë ‘CC Managment’, e cila gjendet në Los Angeles, e ku e presin edhe xhirime të shumta. Por, nuk është vetëm vendi i ëndrrave, destinacioni filan i nëntë vjeçares sepse edhe vendet skandinave tashmë kanë shprehur interesimin për talentin e madh që posedon Alea./ KultPlus.com

Filmat hollywoodian më fitimprurës të vitit 2020

Viti 2020 nuk ishte i zakonshëm sa u përket arkave filmike botërore, që u ndikuan dukshëm nga mbyllja e kinemave si pasojë e pandemisë, dhe pezullimi i lansimeve dhe premierave të filmave të mëdhenj hollywoodian.

Megjithatë, disa filma arritën t’i shijojnë ca muaj të mirë në arkat filmike, duke arkëtuar shumë të kënaqshme të të hollave nga shitja e biletave nëpër kinematë botërore.

Vendin e parë në këtë listë e mban filmi i mbushur me skena aksion dhe humor, “Bad Boys for Life”.

I lansuar më 17 janar të vitit 2020, vazhdimi i tretë i sagës “Bad Boys” që pas 17 vjetësh në rolet protagoniste i riktheu aktorët, Will Smith dhe Martin Lawrence, arriti të pozicionohet në vendin e parë të arkave filmike botërore falë 424 milionë dollarëve të arkëtuara brenda vitit. Ndërsa, filmi është realizuar me një buxhet prej 90 milionë dollarësh.

ilmi i dytë më fitimprurës i vitit 2020 është projekti i fundit i regjisorit, Christopher Nolan, “Tenet”, i cili njëkohësisht është filmi i parë me buxhet të lartë që u lansua në kohë të pandemisë. Me një buxhet të realizimit prej 205 milionë dollarëve, ky projekt nga lansimi në shtator të këtij viti, arriti t’i arkëtojë gjithsej 361.4 milionë dollarë. Megjithatë, kjo shumë konsiderohet jo e mjaftueshme për një film të përmasave të këtilla.

“Sonic the Hedgehog” është aventura komike, e cila radhitet e treta në listën e filmave më fitimprurës të vitit 2020. Filmi, i cili bazohet në videolojën e famshme me të njëjtin emër, u lansua nëpër kinema në shkurt të këtij viti, dhe deri më tani ka arritur t’i arkëtojë 310.5 milionë dollarë nga shitja e biletave.

Në vendin e katërt pozicionohet një film familjar, me protagonist yllin e filmave “Iron Man”, Robert Downey Jr. Projekti me titull “Dolittle” që e shtjellon historinë e një veterinari, i cili arrin të komunikojë me kafshët, e shënoi premierën më 17 janar të këtij viti dhe deri më tani ka arritur t’i arkëtojë gjithsej 246 milionë dollarë. Ndërsa, për realizimin e këtij filmi ishin shpenzuar gjithsej 175 milionë dollarë.

Ndërsa filmi i pestë më fitimprurës është “Birds of Prey”. Ky projekt i bazuar në librat komikë “DC Comics” dhe i cili është vazhdim i filmit “Suicide Squad”, në rolin protagonist e solli aktoren australiane, Margot Robie. Nga lansimi nëpër kinema më 7 shkurt, filmi i ka arkëtuar gjithsej 201 milionë dollarë. / KultPlus.com

Në prag të koncertit humanitar Guetta u kërkon fansave të vaksinohen kundër COVID-19

DJ i mirënjohur francez, David Guetta, ka thënë se shpreson se të gjithë do të marrin vaksinën kundër COVID-19.

Këto komente ai i ka bërë në prag të koncertit të tij jashtë Muzeut të Luvrit në Paris, i cili do të transmetohet në natën e Vitit të Ri.

Guetta, i cili është i njohur për bashkëpunimet e tij në më shumë se dy dekada me artistë si Akon, J Balvin, Nicki Minaj dhe Kelly Rowland, është duke mbledhur para për UNICEF-in dhe kompaninë franceze për bamirësi “Les Restos du Coeur”, që ofron ushqim dhe gatime për njerëzit në nevojë.

“Unë do të vaksinohem, dhe shpresoj se njerëzit do ta bëjnë atë gjithashtu sepse nuk shoh mënyrë tjetër për të dalë nga kjo situatë”, ka thënë Guetta për Reuters.

Franca, me mbi 2.4 milionë raste pozitive dhe mbi 64 mijë të vdekur, është njëri nga vendet më të goditura nga koronavirusi në Evropë.

Por, francezët janë në mesin e popujve me dyshimet më të mëdha rreth vaksinimit, me sondazhet që tregojnë se më pak se gjysma e popullatës synon që të vaksinohet kundër COVID-19.

Të dielën Franca ka nisur vaksinimin, së bashku me disa shtete të tjera të Bashkimit Evropian.

Guetta shpreson se më 2021 do të jetë fundi i pandemisë, dhe për një festë të madhe e të çmendur.

“Dua t’u them atyre (fansave të mi) se do të jemi dëshmitarë të njërës prej festave më të çmendura në jetën tonë, sepse në momentin që do të hapet, do të jetë e mahnitshme”, ka thënë ai.

Koncerti në Paris është pjesë e iniciativës bamirëse “United at Home”, të cilën DJ e ka lansuar në fillim të këtij viti.

Deri më tani ai ka performuar në dy koncerte bamirësie në vitin 2020, duke mbledhur 1.5 milionë dollarë./ KultPlus.com

Shkrimtarja Ismete Selmanaj Leba vlerësohet me çmimin e rëndësishëm

Romani “Verginità Rapite” (Virgjëri të rrëmbyera) i shkrimtares shqiptare Ismete Selmanaj Leba është vlerësuar me çmimin e tretë në ndarjen e çmimeve ndërkombëtare të “Inventa un Film”, festivali më i rëndësishëm mbi filmat me metrazh të shkurtër në Itali.

Lajmin e ka bërë të ditur vetë Ismete Selmanaj Leba, e cila ka publikuar dhe analizën që juria italiane i ka dedikuar veprës së shkrimtares shqiptare.

“Përmes historisë së jetës së trazuar të Mirës, ​​të shoqes së saj Xhina dhe të atyre që, për të mirë ose për të keq, kryqëzojnë jetën e saj, autorja pikturon një afresk koral ndjellës të tranzicionit midis diktaturës së gjatë dhe brutale të Enver Hoxhës, dhe një demokraci e re (megjithëse akoma e brishtë), në një pasazh vendimtar në historinë dhe jetën e popullit shqiptar.

Lindja e një ndërgjegjësimi demokratik, aq e vështirë dhe e dhimbshme sa tkurrjet e një lindjeje problematike, mbivendoset në rilindjen njerëzore dhe civile të subjekteve të vendosur të bëhen më në fund qytetarë, në një komplot narrativ kompleks dhe të menduar mirë, i cili është sfondi i epikës dramatike të një tërë kombi.

Ajo tregon historinë e ndarjeve më mizore dhe të dhimbshme, atë midis një prindi dhe një fëmije, dhe të ndjekjes pa frymë të një bashkimi të trazuar, përmes faqeve plot informacione, referenca historike dhe vlerësime politike (shprehur nga protagonistët e historisë) dhe të ndara nga narrator. Të gjitha të futura dhe të shpërndara në ecurinë e komplotit në një mënyrë të ekuilibruar dhe në një mënyrë të tillë që të mos rëndojnë më së paku strukturën narrative, e cila, përkundrazi, përfiton prej saj, duke ndihmuar në rritjen e ndërgjegjësimit dhe pjesëmarrjes tek lexuesi.

Në fund ka kryesisht dy mësime që mund të kapen në tekst. E para është që dhuna nuk kalon pa lënë shenja mizore në mishin e gjallë të atyre që e vuajnë dhe kallo të ndyra në ata që e praktikojnë atë. E dyta është se ne kurrë nuk duhet ta humbasim besimin në fuqinë shpëtuese dhe rigjeneruese të dashurisë.

Shkrimi është i thjeshtë, i lirë dhe i pavarur nga ai prodhim letrar funksionalisht i efektshëm”, kështu e analizon Patrizio Pacioni romanin e shkrimtares shqiptare./ KultPlus.com

Pse sot prindërit kanë dështuar në edukimin e fëmijëve?

Shkruan: Labinot Kunushevci

Është lehtë të krijohet një fëmijë, por është vështirë të formohet një personalitet.

      A po dështojnë prindërit bashkëkohorë në formimin e personalitetit te fëmijët e tyre? Njerëz, jo në kuptimin biologjik të qenies, por në kuptimin kulturor të njerëzores. Sepse në botë ka shumë qenie njerëzore, por ka pak njerëzi. Bota nuk vuan për mungesë të natalitetit – shtimit natyror të njerëzve, por për mungesë të njerëzisë. Në një botë të deformimit të vlerave, ku Zoti, solidariteti, humaniteti, dituria, drejtësia, mëshira, empatia dhe familja janë iluzione, njerëzimi është larg njerëzores. Prandaj në epokën moderne njerëzimi e ka të vështirë ta kalojë testin e njerëzores.

      Qëllimi themelor i çdo prindi është pavarësimi dhe edukimi i fëmijës, por këtu dështojnë shumë prindër kur i thonë fëmijës ”po” kur duhet t’i thonë ”jo” dhe i thonë ”jo” kur duhet t’i thonë ”po”. Kjo nuk do të thotë se jemi kundër qasjes dhe këndvështrimit liberal apo kundër të drejtave, fleksibilitetit dhe zgjedhjeve personale të fëmijëve, por duhet të ekzistojnë disa vlera dhe rregulla që përcaktojnë dhe kornizojnë orientimin dhe edukimin e fëmijëve në vlera moderne humane dhe profesionale, derisa ata të arrijnë moshën 18-vjeçare të pjekurisë, kur ata i marrin përgjegjësitë ligjore dhe morale në dorë.

      Jo pak prindër nga mendjelehtësia thonë: ”Unë me djalin tim apo me vajzën time jemi si shokë”. Këtu bëhet gabimi më i madh në ndërtimin dhe trajtimin e raportit prind – fëmijë, sepse ky raport asnjëherë nuk mund të jetë shoqëror. Ky raport ka tjetër funksion dhe mision. Prindi mund ta respektojë dhe të ketë dashuri pa fund e pa kushte për fëmijën e tij dhe të jetë fleksibil në komunikim, por gjithmonë brenda disa rregullave të lojës dhe parimeve që fëmija nuk bën t’i shkelë apo cenojë. Ai mbetet gjithmonë prind, baba ose nënë, autoriteti më i respektuar në familje. Nëse ai bëhet shok, e humb autoritetin prindëror. Prandaj ne shohim shumë prindër që e pranojnë dështimin e tyre në edukimin e fëmijëve, se si u ka humbur autoriteti prindëror, duke u shprehur me fjalët: ”Më ka dalë djali ose vajza prej dorës”!

      Kemi parë se si krekosen disa prindër me notat, nganjëherë të pamerituara, të librezave të fëmijëve që i postojnë në Facebook. Janë po këta që i regjistrojnë fëmijët në shkolla elitare, që kanë emër dhe prestigj, përmes lidhjeve dhe ndikimeve që kanë. Në fund, një fëmijë i tillë, kur rritet dhe ballafaqohet me tregun, sfidohet nga papërgatitja e tij dhe aty fillon zhgënjimi, depresioni, thyerja e iluzioneve dhe dështimi. Sepse emri dhe prestigji nuk garantojnë sukses, prandaj strategjitë e prindërimit janë mjaft të rëndësishme edhe në orientimin arsimor të fëmijëve. Por dështimi i prindërve tregon edhe një gjë: shumë njerëz hyjnë në martesë të papërgatitur emocionalisht, kulturalisht, moralisht, prandaj ato martesa janë disfunksionale, kanë kriza dhe tensione, mungesë harmonie dhe raporte jo të shëndosha.

      Një baba apo një nënë të cilët i ofrojnë fëmijës së tyre të gjitha të mirat materiale, privilegje, statuse e të drejta të pakufishme, qasje të pafund dhe të pakontrolluar në rrjete sociale, mjete teknologjike, kujdes maksimal për dukjen fizike, mundësi udhëtimi e shfrytëzimi, liri pa përgjegjësi, por jo edhe kulturë dhe edukim, nuk meritojnë të jenë prindër.

      Një prind që nuk e dërgon kurrë fëmijën e tij në bibliotekë, librari apo panair të librit, që nuk e dërgon në teatër, që nuk e dërgon ta vizitojë ndonjë objekt të trashëgimisë kulturore, galeri, muze apo objekt fetar, që nuk i ofron ndonjë dokumentar informues dhe edukues, që nuk e urdhëron në të mirë apo nuk e ndalon nga e keqja, që nuk i intereson se me kënd dhe ku po shoqërohet, se si po i shfrytëzon të drejtat, kohën, paratë, hapësirën, se si sillet dhe komunikon në rrugë, market, qendra tregtare e parqe, që nuk ia mëson vlerën e empatisë, tolerancës, korrektësisë, përgjegjësisë, vetërespektit e devotshmërisë, nuk ka arsye morale të ankohet nëse fëmija i tij përfshihet dhe viktimizohet në ndonjë dukuri socio-patologjike, e sidomos kur kanë fëmijë që tipologjikisht janë energjikë, euforikë dhe hiperaktivë, të cilët meritojnë më shumë kujdes, trajtim dhe edukim. Ndaj tipave të tillë duhet të ketë kujdes maksimal dhe trajtim familjar, jo vetëm shkollor. Duhet t’iu krijojmë mundësi me kapacitetet tona, që energjinë e tepruar dhe hiperaktivitetin që kanë, ta shprehin në vende dhe mënyra të tjera, në natyrë, në sport, në aktivitete të ndryshme, e jo ta instrumentalizojnë në formë bullizmi e vandalizmi në shkollë.

      Një prind që sapo ta marrë pagën dhe të sheh ndonjë ofertë për ndonjë produkt teknologjik, seritë e reja të mjeteve teknologjike, e merr djalin apo vajzën e tij dhe me vrap për t’i zënë trendet më të reja të teknologjisë digjitale. Por sa prej tyre me të marrë pagën ia dedikojnë fëmijës një libër dhuratë? Apo duke e regjistruar me një klub, shoqatë, organizatë, nëpërmjet të cilave ai fillon t’i zbulojë dhe shpreh aftësitë, kreativitetin dhe imagjinatën e vet? Apo ta angazhojë në aktivitete humane, vullnetare, qytetare, mjedisore, solidarizuese, komunikuese? T’i ofrojë mundësi që ta vizitojë një vend të ri që të mësojë gjëra të reja? Këto nuk vijnë në shprehje te prindërit që i kanë virtualizuar fëmijët e tyre duke i lënë në pranga të botës së pasigurt virtuale.

      Mungesa e interesimit për fëmijë vërehet në shkollë, ku disa prindër nuk interesohen për rezultatin e fëmijës të tyre, nuk vijnë në mbledhjet e thirrura nga kujdestarët e klasave, nuk konsultohen fare, nuk shqetësohen nëse fëmija i tyre mungon pa arsye, nëse ndaj fëmijës së tyre ka ankesa nga ndonjë nxënës apo mësimdhënës, nëse fëmija ankohet për ndonjë nxënës apo mësimdhënës. Pra, nuk interesohen për kontinuitetin e zhvillimit psiko-emocional dhe kulturor të fëmijës në shkollë.

      Ata dinë të ndërhyjnë aty ku nuk iu takon, dinë të cenojnë autonominë e mësimdhënësit dhe të kërkojnë për fëmijët e tyre diçka të parealizueshme dhe të pameritueshme. Vetëm kur të mbyllen notat në fund të periudhës apo vitit shkollor, e dinë adresën e shkollës. E disa tek në fund e marrin vesh çfarë lëndë e arsimtarë ka pasë fëmija i tij. Pse duhet një mësimdhënës për hir të presionit të prindit t’i shkelë parimet e veta të vlerësimit? Ndërsa janë disa prindër që nuk lajmërohen dhe nuk kthejnë përgjigje sa herë që kujdestari i thërret për çështje që lidhen me fëmijët e tyre. Nëse mësimdhënësi është korrekt në punën e tij, duke i njoftuar nxënësit dhe prindërit në fillim të vitit shkollor me planifikimin e vlerësimit (instrumentet dhe kriteret e vlerësimit), atëherë prindi s’ka pse t’i futë hundët që ta mësojë mësimdhënësin si ta vlerësojë fëmijën e tij apo ta viktimizojë fëmijën e tij për një notë.

      Nëse nuk funksionon komunikimi dhe trekëndëshi pedagogjik nxënës – prind – mësimdhënës, nuk mund të ketë rezultate të mira. Ashtu sikur që kemi edhe prindër që nuk preokupohen se me kënd shoqërohet fëmija i tyre, me kënd komunikon online, çfarë lexon apo shikon në telefonin e tij, kënd e pranon në shoqërinë virtuale të rrjeteve sociale, çfarë higjiene mban, cilat vende i viziton, në çfarë kohe del nga shtëpia apo kur kthehet në shtëpi, në çfarë gjendjeje emocionale është, a e shqetëson diçka, çfarë raportesh ka me shoqërinë e tij, si reagon në raste bullizmi apo është viktimë potenciale e bullizmit. Kjo indiferencë ekstreme e prindërve bashkëkohorë ”liberalë” paraqet rrezik për të ardhmen dhe fatin e fëmijëve.

      Edukimi i gabuar i fëmijës fillon që në moshën e hershme, në foshnjëri. Të vetmen mundësi që sot prindërit kanë për t’i nxitur fëmijët e tyre që të ushqehen, e kanë mashtrimin përmes telefonit dhe mjeteve të tjera teknologjike. Fëmija sot pranon të ushqehet nga dora e nënës atëherë kur ajo ia jep telefonin të shikojë video nga YouTube (muzikë e filma të animuar). Atëherë kur ndërveprimi fizik, psiqik dhe kulturor i prindit zëvendësohet me teknologjinë digjitale (TV e smartfonë), me një botë virtuale, tregon krizë dhe disfunksionim familjar, ndërsa në anën tjetër, ka efekt qetësues të rrejshëm sikur opium apo mpirje psikologjike, në mungesë të emocioneve reale.

      Të mos flasim për ata prindër që i shohin fëmijët e tyre vetëm kur shkojnë për të fjetur apo kur zgjohen në mëngjes sepse gjithë ditën, përveç punës së domosdoshme, gjejnë kohë për gjithçka, për shëtitje, kafe e dreka me miq e kolegë, për lloj-lloj aktiviteti e aventure, por nuk gjejnë kohë gjatë ditës apo mbrëmjes që të merren me fëmijët e tyre. Një shkëputje fizike, emocionale e komunikuese mes prindit e fëmijës, krijon një boshllëk të pazëvendësueshëm.

      Prindërit nuk janë të vetëdijshëm për ndikimin negativ që ka muzika që nuk përfaqëson vlera artistike kulturore, të cilën fëmijët e tyre vazhdimisht e dëgjojnë. Muzikë e cila e promovon shthurjen morale, fjalorin banal, gjuhën vullgare, femrën si objekt seksi, drogën, dhunën, rivalitetin dhe konfliktet, ekstravagancën dhe komplekset luksoze të këngëtarëve. Kur një këngëtar i tillë shndërrohet në model imitimi nga fëmijët, tregon që e ardhmja e fëmijëve do të jetë fatkeqe dhe e devijuar sepse kjo muzikë vetëm se do ta shtojë agresivitetin, vullgaritetin dhe frustrimin mes të rinjve.

      Dhe në anën tjetër, janë për t’u kritikuar shumë ata prindër që ushtrojnë dhunë ndaj grave të tyre, sidomos në prezencë të fëmijëve, duke i rritur fëmijët në ambient të dhunshëm, të cilën dhunë fëmijët e shprehin dhe reflektojnë jashtë shtëpisë. Imagjinoni si ndikon dhuna e burrit mbi grua në psikologjinë dhe emocionalitetin e fëmijës i cili nganjëherë është dëshmitar dhune?

      Shikoni si komunikojnë fëmijët mes vete, si shahen mes vete, si luajnë mes vete, me ҫfarë emra fyes e thërrasin njëri-tjetrin. Jo vetëm mes vete, por edhe kur komunikojnë në familje ose në rrugë, nuk tregojnë emocion, respekt, konsideratë, empati, mirënjohje, keqardhje. Nuk përdorin më fjalët ”kërkoj falje”, ”si urdhëroni”, ”ju faleminderit”, ”në rregull”, ”a mundem”, ”ju lutem”. A nuk është mëkat nëse pajtohemi me këtë gjendje kulturore të tyre? Deri te fyerjet që nganjëherë ia bëjnë edhe arsimtarëve të tyre sepse prindi në shtëpi asnjëherë nuk i thotë që arsimtarin duhet ta respektosh. Madje e inkurajon apo e nxitë për një gjuhë dhe qasje të tillë mosrespektuese ndaj arsimtarit, duke e trajtuar mësimdhënësin gjithmonë si fajtor për dështimin e vet në familje.

      Nëse analizojmë gjuhën dhe shprehjet që fëmijët në të shumtën e rasteve i përdorin, shohim një varfëri ekstreme të fjalorit, jo vetëm kur komunikojnë e flasin, por edhe kur shkruajnë ese. Një ndikim negativ në mënyrën e komunikimit të fëmijëve e kanë edhe politikanët. Gjuha publike e politikanëve, e deputetëve dhe e qeveritarëve është plot me ofendime, sharje e fyerje, të cilat imitohen nga fëmijët dhe bëhen pjesë e fjalorit të tyre.

      Sa prindër sprovohen me sëmundje të fëmijëve, por që paraprakisht të njëjtit asnjëherë nuk i kanë dërguar fëmijët e tyre tek mjeku për kontroll. Asnjëherë nuk janë konsultuar me ndonjë pediatër a nutricionist. Asnjëherë nuk janë shqetësuar se me ҫka është ushqyer fëmija i tij në shkollë apo jashtë shkollës. Apo në cilat ambiente ka luajtur dhe si kanë ndikuar ato lojëra në shëndetin e tij. Deri tek rastet kur fëmijën e shqetëson një problem shëndetësor, ndërsa prindi pa e trajtuar tek mjeku thotë: ”Pse me dërgu tek mjeku? Hajt se shërohet, i kalon”. Kjo indiferencë i prodhon pasojat edhe në shëndetin e fëmijëve sepse shëndeti varet shumë nga kultura e të ushqyerit, ambienti, emocionaliteti, vizitat e rregullta tek mjeku për shqetësimet eventuale etj.

      Nëse një prind shprehet se fëmija i tij është më i mençuri, i ka të gjitha të mirat, të gjitha të drejtat, të gjitha privilegjet, se ia plotëson të gjitha dëshirat dhe kërkesat, se asnjëherë nuk ia prish qejfin, se asnjëherë nuk i thotë jo, se asnjëherë nuk e ndalon për diçka apo nuk e urdhëron për diçka, se asnjëherë nuk gabon fëmija i tij, se e respekton vetëm vullnetin dhe dëshirën e tij, kjo do të ndikojë negativisht te fëmija i tij, sepse fëmijës do t’i krijohet vetëbesimi i rrejshëm, krenaria e tepruar, krekosja absurde, llastimi, duke mos u ndjerë asnjëherë fajtor, i përgjegjshëm, i detyruar, i obliguar etj.

      Zakonisht disa prindër që kanë pozita të larta, i lazdrojnë fëmijët e tyre, duke u sillur me arrogancë ndaj gjithë atyre që i qortojnë, kanë vërejtje e kritika ndaj fëmijëve të tyre, duke u thënë fëmijëve: ”Ty djali im, vajza ime, nuk guxon kërkush me ta prish! Kush ta prish, veҫ mu thirrëm! Ti je i lirë, ke të drejtë me bë ҫka të duash!” Kjo gjuhë e prindërve e bën një adoleshent të shkujdesur, të papërgjegjshëm, problematik sepse fëmija e keqpërdorë lirinë e shfrenuar absolute që ia jep prindi, duke u sillur në shoqëri si ”fëmija i të fortit”.

      Derisa disa prindër i shndërrojnë fëmijët e tyre në parazitë, përtacë, pasivë, në varësi të përhershme, duke mos i angazhuar kurrë në asnjë punë apo aktivitet në shtëpi apo jashtë saj. Duke u ofruar gjithçka të gatshme e duke mos ua kultivuar asnjë shprehi të punës, duke mos i mësuar për asgjë. Një prind që nuk arrin ta pavarësojë fëmijën e tij, ai prind ka dështuar.

      Jo vetëm shprehinë e punës, por prindi duhet t’ia mësojë fëmijës së tij fillimisht idenë dhe konceptin e Zotit, pra si ta besojë Zotin dhe se si ky besim të shndërrohet në normë kulturore të sjelljes. Dhe çdo vepër, sjellje, komunikim, raport apo sukses që e arrin, ta bëjë në mënyrë të sinqertë, duke u treguar empatik, solidar, i drejtë, bashkëpunues, durimtar, kontribues dhe human me të tjerët, duke ndërtuar kështu një sistem të vlerave të cilin e preferon edhe vetë Zoti. Besimi në Zot, i shprehur përmes kujdesit, vetëpërmbajtjes dhe vetërespektit, mund ta ndihmojë shumë fëmijën në zhvillimin dhe krijimin e personalitetit. Pra, përveç rolit që ka ligji dhe vetëdija në shoqëri, respekti për Zotin mund të shërbejë si një formë parandaluese e së keqës, ndaj të cilës fëmjët janë të rrezikuar apo ekspozuar, dhe si një formë sensibilizuese e së mirës, përmes së cilës ata mund të krijojnë vlera të ndryshme. Respektimi i ligjit dhe institucioneve, vetëdija kulturore dhe besimi në Zot, janë tri koncepte kryesore me të cilat prindërit duhet t’i edukojnë fëmijët.

      Një qasje tjetër e gabuar e prindit ndaj fëmijës është mosdhënia e shansit për t’u rrëfyer: nuk pyetet fëmija asnjëherë, nuk i kërkohet llogari, nuk i jepet mundësia që të shprehet, të ankohet, të tregojë situata dhe ngjarje, probleme, dilema dhe nevoja që ka.

      Janë disa gjëra që nuk blihen me para, si lumturia, koha, emocioni, qëndrimi dhe puna me fëmijë, vlerat dhe virtytet, rregullat dhe parimet e jetës, të cilat ndikojnë në formimin e personalitetit të fëmijës. Një prind mund t’ia blejë fëmijës së tij dhuratën më të mirë për ditëlindje, por nuk mund t’ia blejë kohën. Nuk mund t’ia blejë respektin, kulturën publike, aftësinë e komunikimit, empatinë, emocionin, dashurinë dhe sinqeritetin, ndershmërinë dhe moralin, imagjinatën dhe kreativitetin, të cilat kërkojnë investim edukativ përgjatë gjithë kohës, në mënyrë sistematike pedagogjike.

      Kujtojmë fjalët e fundit lamtumirëse të Steve Jobs, njeriut që bëri revolucion në teknologji dhe ndryshoi mënyrën tonë të jetesës dhe komunikimit përmes themelimit të Apple. Por ai një gjë nuk arriti të ndryshonte: ligjin natyror të jetës. Ai vdiq në moshën 56-vjeçare, në vitin 2011, nga kanceri në pankreas, por fjalët e fundit të bilionerit, në shtratin e sëmundjes, mund të shërbejnë si një motivim dhe të ndryshojnë pikëpamjen e të rinjve për jetën dhe gjithashtu të shërbejnë si një mësim për edukimin e fëmijëve.

      I shtrirë në shtrat i sëmurë, rikujtoj gjithë jetën time dhe kuptoj se gjithë kjo famë dhe pasuri me të cilën jam krenuar aq shumë, është zbehur dhe bërë e pakuptimtë përballë vdekjes që po afron. Mund tё punёsosh dikё qё tё ngasё makinёn pёr ty, e tё fitojё para pёr ty, por jo qё tё kalojë sёmundjen pёr ty, thoshte Jobs. 

      Gjёrat materiale tё humbura mund tё gjenden. Por ёshtё njё gjё qё s’mund tё gjendet kurrё kur humbet: “Jeta”. Kur njeriu shkon nё sallёn e operacionit, kupton se ka edhe njё libёr qё duhet tё mbarojё sё lexuari: “Librin e jetёs sё shёndetshme”. Mos i edukoni fёmijёt tё jenё tё pasur. Edukojini tё jenё tё lumtur, qё kur tё rriten tё dinё vlerёn e gjёrave dhe jo ҫmimin. Mban orё 300 apo 30 dollarёshe, të dyja njësoj e tregojnë kohёn. Mban kuletё ose ҫantё 300 apo 30 dollarёshe, sasia e parave qё kanё brenda ёshtё e njёjtё. Nёse ngasim makinё 150.000 apo 30.000 dollarёshe, rruga dhe distanca janё njёsoj, si dhe nё tё njёjtin destinacion do të na ҫojnë. Nёse pi njё shishe vere 300 apo 30 dollarёshe, pasojat e alkoolit janё njёsoj. Nёse shtёpia ku jetojmё ёshtё 300 apo 3000 sq. ft. (28 apo 279 m²), vetmia ёshtё njёsoj. Do tё kuptosh se lumturia e brendshme nuk vjen nga gjёrat materiale tё kёsaj bote. Nёse fluturon me klasin e parё apo me atё ekonomik, po ra aeroplani, bie edhe ti bashkё me tё. Ndaj, shpresoj tё kuptoni se kur keni shokё e miq tё vjetёr, vёllezёr e motra me tё cilёt flisni, qeshni, bisedoni, kёndoni kёngё, flisni pёr veri-jug-lindje-perёndim, apo qiell e tokё, “kjo ёshtё lumturia e vёrtetё”– ishin këto fjalët e fundit të Steve Jobs.

      Indiferenca në familje paraqitet edhe në mënyrën e të ushqyerit të fëmijëve të tyre, sepse prindërit nganjëherë nuk i dinë pasojat e ushqimeve të shpejta që zakonisht i hanë fëmijët e tyre, as pasojat e pijeve energjike dhe të gazuara, as të sheqernave të tepruara që ngacmojnë hormonin e dopaminës së fëmijëve që krijon varësi dhe çrregullime.

      Sigurisht që ka edhe prindër të devotshëm që edukojnë me efikasitet fëmijët e tyre, që interesohen me përkushtim, vazhdojnë ta mbajnë qëndrimin prindëror autoritativ, duke u mësuar vlera morale shoqërore dhe qytetare dhe duke i trajtuar me kujdes, duke i mbrojtur të drejtat e tyre, duke i motivuar dhe inkurajuar, prandaj ata pak që janë, mund admirohen për rezultatet që tregojnë. Kemi edhe shembuj të mirë të fëmijëve të suksesshëm falë mbështetjes dhe edukimit të prindërve.

      Në anën tjetër, ka edhe fëmijë, që në mungesë edukimi, sillen me mosrespekt dhe arrogancë ndaj prindërve të tyre, duke i shqetësuar, duke i shpërfillur urdhrat dhe parimet e tyre, duke mos i bërë krenarë me punën dhe shkollimin e tyre. Fëmijë që vuajnë nga kompleksi i inferioritetit për t’u identifikuar apo ekspozuar me prindin e tij – me një ndjenjë ”turpërimi” para shoqërisë, që edhe kur të rriten dhe të pavarësohen, nuk e vizitojnë apo nuk e nderojnë atë, nuk e gëzojnë me ndonjë sukses, me ndonjë dhuratë, nuk e bëjnë të ndjehet krenar, ndikuar nga faktori i shoqërisë dhe medieve sociale.

      Lotë që peshojnë më shumë se krejt oqeanet e botës janë lotët e atij prindit, mbi 70 vjeçar, që rastësisht kur e takova një ditë në Prishtinë, i cili kishte ardhë në qytet nga një fshat jashtë Prishtinës, kur e pyeta me kënd jeton, me lotë në sy më tha: Që shtatë vjet jetojë vetë edhe ha me këto duart e mia. I kam tre djem, asnjëri nuk më vizitojnë kurrë.

      Rasti i Thomas Edisonit, sipas KultPlus, shpikësit të njohur të llambës elektrike, sistemit energjetik, mikrofonit, gramafonit dhe telegrafit, që i dhanë hov revolucionit industrial, i cili tha se gjeniu është një përqind talent, nëntëdhjetë e nëntë përqind punë, është shembull shumë i mirë se si duhet t’i qasen prindërit fëmijës së tyre dhe se çfarë fuqie të paimagjinueshme kanë fjalët e prindit.

      Thomas Edison u kthye një ditë nga shkolla me një letër në dorë: “Nënë, këtë letër më ka dhënë mësuesja. Më tha të mos e hap por të ta jap vetëm ty ta lexosh”. Me sytë e përlotur nëna e tij filloi t’ia lexonte të birit me zë të lartë: “Biri yt është një gjeni dhe kjo shkollë është shumë e vogël për të. Ne nuk kemi mjaft mësues të mirë për ta trajnuar, prandaj ju lutemi që ta mësoni vetë në shtëpi”. Shumë vjet më vonë, nëna e tij vdiq dhe Thomas Edisoni ishte bërë një nga shpikësit më të mëdhenj të kohës. Ndërsa kërkonte në sendet dhe letrat e së ëmës, gjeti një letër të mbështjellë. Në të shkruhej: “Zonjë, biri yt është një mendje prishur (i sëmurë mendor). Ne nuk e lejojmë të kthehet më në këtë shkollë”! Edisoni qau për orë të tëra dhe pastaj shkroi në ditarin e tij: “Thomas Alva Edison ishte një fëmijë mendje prishur, i cili me ndihmën e një nëne heroinë u kthye në gjeniun e shekullit”.

      Pasojat e mungesës së kulturës publike shprehen edhe në forma dhe mjedise të tjera publike. Shembull: kemi rastet e vjedhjeve dhe të thyerjeve të minibibliotekave publike në lagjet e Prishtinës, ku disa prej tyre që janë sulmuar më shumë se një herë kanë qenë të vendosura në afërsi të shkollave.

      Ndërsa organizata e cila kishte realizuar këtë projekt mjaft të rëndësishëm sensibilizues për kulturën e leximit dhe librit, kishte deklaruar në vitin 2019 se do të detyrohen t’i zhvendosin minibibliotekat larg shkollave. Shoqëri atipike dhe paradoksale, që librin dhe leximin e ka aversion dhe jo kulturë.

     Një fenomen tjetër, që është pasojë e globalizimit kulturor dhe i imitimit të verbër social, shfaqet në fundin e tetorit, në të cilin ndodhet një natë e veçantë, jo për nga vlera, por për nga vandalizmi. Çdo herë kur autobusët e trafikut urban kalojnë pranë shkollave, siç rëndom i shohim afër shkollave fillore në Prishtinë, fëmijët i gjuajnë me vezë dhe gurë, e sulmojnë pronën publike dhe i shqetësojnë qytetarët.

      Ndërsa prindërit indiferentë e inferiorë, nuk shqetësohen fare për ankthin, iluzionet, fantazitë, agresivitetin, frustrimin, fobitë, urrejtjet, bullizmin, që fëmijët e tyre i kultivojnë dhe shprehin. As për imazhin e tyre të deformuar, as për krizën e identitetit nëpër të cilën ata kalojnë, as për rrezikun që u kanoset, as për format tjera asociale dhe atipike që ata i kombinojnë, as për shembullin e keq që si nxënës shkolle e tregojnë.

      Kur i pyesja me një rast nxënësit 15-vjeçarë: ”Kur dëshironi ta bleni një produkt në market, çfarë ju tërheq ta bleni atë?”, përgjigjja e tyre dominuese ishte: ”Shija e produktit”.Pra, thjesht se u pëlqen, për shijen dhe hormonin e dopaminës (kënaqësisë), e cila krijon varësi. Ndërsa kur i pyesja nëse para se të blejnë një produkt duhet t’i respektojnë disa kritere, përgjigjja e tyre ishte se duhet ta shikojnë afatin e skadimit të produktit. Por të paktë ishin ata që ishin të vetëdijshëm se para se ta blejnë një produkt, duhet të dinë përbërjen e tij, efektin që ka në organizëm, mënyrën apo vendin e prodhimit, duke i vendosur vetes standard refuzimi të çdo produkti serb. Ishin kureshtarë të mësonin se si identifikohen produktet serbe, për të mos i blerë, ndërsa unë u tregoja përmes barkodit të ambalazhit të produktit dhe u shpjegoja pse nuk duhet t’i blejnë ato – duke e arsyetuar refuzimin e produkteve serbe si formë patriotizmi për shkak të historisë dhe konfliktit, por edhe për shkak të vazhdimësisë së luftës diplomatike dhe politike që po e bën sot Serbia kundër nesh. Prandaj nuk duhet ta financojmë armikun i cili me buxhetin – paratë tona mund të sofistikohet dhe ta përdor çdo kapacitet në dëm të Kosovës. Kur u thoja disa nxënësve që nuk duhet t’i blejnë produktet serbe, disa prej tyre çuditeshin sepse prindërit asnjëherë nuk ua kanë shpjeguar këtë si formë të patriotizmit kulturor.

      ”Disa njerëz vdesin në ditën që lindin” – me këto fjalë të sociologut të njohur gjerman, Erich Fromm, i pata motivuar me një rast nxënësit e shkollës ”Faik Konica”. Por një prind, nënë e një nxënësi, pati reaguar në mesin e prindërve tjerë, duke i cilësuar si jo-adekuate për nxënës. Unë e shpjegoja në kontekstin e motivimit, se Fromm-i kishte aluduar në vdekjen e identitetit të njeriut. Pra, njeriu mund të jetojë biologjikisht, por të jetë i vdekur me identitetin e tij social sepse nuk i shfrytëzon aftësitë për të kontribuar diçka në shoqëri dhe për ta njohur shoqëria për një kontribut. Thjesht jeton si pjesë e turmës dhe jo si personalitet i veçantë. E nxënësve u thoja se ju duhet të përgatiteni që të krijoni një personalitet të veçantë, që shoqëria t’ju njeh për ndonjë kontribut, aktivitet apo sukses në të ardhmen sepse njerëzit që nuk japin kurrfarë kontributi shoqëror në jetën e tyre kanë identitet të vdekur. Aq ”e vështirë” për t’u kuptuar nga një prind paragjykues dhe injorant!

      Prindi nuk guxon të krijojë konfuzion te fëmija i tij apo t’ia keqinterpretojë ligjërimin e mësimdhënësit. Shumë fëmijë gjenden në konfuzion dhe të orientuar gabimisht, pa informacionet e duhura sepse u mungon edukimi i duhur familjar dhe publik. Sepse prindërit hezitojnë, kanë komplekse dhe tabu, janë injorantë dhe kanë një mënyrë konsumeriste hedoniste të të jetuarit, duke u treguar indiferentë me fëmijët e tyre, duke i lënë në mëshirë të fatit, në mëshirë të ambientit të pasigurt, në mëshirë të rrethanave të paparashikuara, në mëshirë të shtetit të dobët. Aty ku dështon familja ta ruajë rolin edukativ, duke u shndërruar vetëm në funksion riprodhues e konsumues, aty ka dështuar e gjithë shoqëria. Aty ka dështuar edhe shteti.

      Pra, që ta krijojnë një karakter dhe personalitet të fortë te fëmijët, prindërit duhet ta luajnë rolin e tyre edukativ dhe të bashkëpunojnë gjithmonë me shkollën, mësimdhënësit dhe institucionet arsimore, kulturore dhe të mirëqenies. Sepse fëmijët kosovarë kanë aq shumë aftësi, talent, imagjinatë, ide, potencial, saqë është mëkat i madh nëse familja dhe institucionet publike nuk investojnë në ta, duke iu krijuar mundësi që t’i shprehin ato sepse kjo gjeneratë e re pas një kohe do të jetë gjeneratë që do të udhëheqë me vendin./ KultPlus.com

Sa e errët ishte në fakt Epoka e Errët?

Pavarësisht nëse është ideja e një hordhie barbarësh, që kalon nëpër një kontinent të sunduarpër shekuj nga romakët, apo konceptit se shkenca dhe artet pësuan një ngrirje 300-vjeçare, koncepti i Epokave të Errëta ka nxitur gjithnjë imagjinatën e studiuesve.

Në fakt, një pjesë e madhe e asaj që e bën të errët atë epokë për sytë modernë, është mungesa relative e informacionit të mbijetuar. Por ajo që nuk dimë, ka qenë gjithmonë të paktën po aq interesante sa ajo që dimë.

A ekzistonte vërtet Mbreti Artur, dhe a i dërgoi ai kalorësit e tij në kërkim të Kupës sëShenjtë? A ka ekzistuar një hero legjendar i quajtur Beowulf dhe kur, dhe prej sa kohësh para se të paraqitej dorëshkrimi më i vjetër i mbijetuar i njohur në afërsisht në shekullin X-të?

Origjina e termit “Epoka e Errët” është vetë paksa e errët në të dhënat historike që përmban. Por ky term u përdor në kontrast me lavdërimet e shumta ndaj arritjeve të mëdha kulturore të perandorive greke dhe romake, krahasuar me njohuritë dhe kulturën që ekzistonte pas rënies së tyre.

Ky koncept vazhdoi në Epokën e Iluminizmit, kur shumë studiues të asaj kohe treguan arritjet e mëdha arkitektonike të romakëve, dhe i krahasuan ato me një rikthim në strukturat më të thjeshta prej druri të periudhës që pasoi, thotë Alban Gautie,profesor i historisë mesjetare në Universitetin e Kaenës në Francë.

Ai beson se ky term ka ende kuptim të përdoret, pasi ndërsa Romakët ishin mbajtës të shkëlqyer të shënimeve, duke filluar nga shekulli i V-të dhe për disa qindra vjet,tekstet

dhe dokumentet historike janë relativisht të pakta. “Është një errësirë e madhe ​​për historianët. Ata e kanë tepër të vështirë t`a kuptojnë se çfarë ka ndodhur”–thotë ai.

Por Gautie tregon përjashtime të dukshme. Pasi ra perandoria romake, duke marrë me vete shumë prej institucioneve të saj, të tilla si shkolla laike, Kisha Katolike ndërhyri për të siguruar një formë të mësuari përmes bursave në shumë pjesë të Evropës.

“Kisha në Evropën perëndimore dhe të gjitha rajonet në veri të Mesdheut, bëhet elementi më i madh i stabilitetit”- thotë ai. Murgjit punuan për të kopjuar pjesën më të madhe të literaturës dhe teksteve shkencore të periudhës romake, dhe në një shkallë më të vogël të periudhës së artë të Greqisë së Lashtë.

“Sigurisht që ata kishin një axhendë fetare, por për t`a çuar përpara atë duhej të mësonin latinisht. Njohja e gramatikës latine, do të thoshte fitimi i njohurive dhe mësimeve nga tekstet latine”- shton historiani francez. Ndërkohë, në Angli, mungesa e shumë punimeve të shkruara që datojnë në këtë periudhë, nuk nënkupton se shoqëria ishte e papunë.

Në fakt, disa nga personazhet legjendarë të Anglisë u shfaqën pikërisht në këtë periudhë. Në atë që i atribuohet një poeti uellsian të shekullit VI-të, vjen referenca më e hershme e njohur mbi monarkun më të famshëm heroik të Anglisë, në një formë krahasimi.

Poeti përshkruan një luftëtar që vrau shumë njerëz, por vë në dukje se ky luftëtar “nuk ishte Arturi, thotë Bryajan Perkins, profesor në Universitetin e Oksfordit dhe autor i librit “Rënia e Romës dhe fundi i qytetërimit”.Një tipar tjetër i zakonshëm i lidhur me Epokën e Errët është mungesa relative e arkitekturës monumentale.

Qytetet nuk ndërtuan më struktura të mëdha prej guri. Dhe përkeqësimi i ngadaltë i infrastrukturës romake siç ishin ujësjellësit, ka të ngjarë të ketë pasur efekt në cilësinë e jetës në qytete, thotë Gautie. Në atë periudhë, popullsia e qyteteve kryesore si Roma dhe Kostandinopoja u tkurr ndjeshëm.

Por nga ana tjetër Gautie beson se jeta në fshat mund të ishte përmirësuar, sidomos në ishujt britanikë. Gjatë periudhës romake, fermerët duhej të paguanin taksa të rregullta për të mbështetur perandorinë. Por kur administrata romake u shpërbë, barra tatimore ka të ngjarë të jetë ulur.

“Qytetet ishin më të vogla. Kishte më pak nevojë që fermerët të prodhonin dhe të punonin shumë, në mënyrë që të ushqenin qytetet”-thekson ai. Por Perkins thotë se provat arkeologjike sugjerojnë mungesë burimesh dhe mallrash për njerëzit e thjeshtë.

Në vitin 450, provat e sendeve të thjeshta të përditshme si monedhat, qeramika apo tjegullat eçative u zhdukën kryesisht në shumë pjesë të Evropës, dhe nuk u gjetën më afërsisht deri në vitin 700.

Por mbi pretendimet, se shoqëritë në atë kohë bënë hapa prapa sa i përket shkencës? Ndërsa është e vërtetë që Evropa Perëndimore nuk dëshmoi aq shumë arritje në teknologji ose shkencë në Epokën e Errët sa do të shfaqet më vonë, ato mangësi u kompensuan nga një shpërthim në kulturë dhe arsim në Mesdheun jugor, me kalifatët e parë islamikë.

Vetë Evropa pati disa arritje teknologji praktike, siç janë mullinjtë me ujë. Për sa i përket të mësuarit, Isidori nga Sevilja, një kryepeshkop dhe studiues, krijoi një enciklopedi të njohurive klasike, shumica e të cilave do të humbiste.

Ndërsa Epoka e Errët mund të ketë filluar me rënien e Perandorisë Romake, periudha Mesjetare, rreth fundit të shekullit VIII, nis të shohë ngritjen e udhëheqësve të tillë si Karli i Madh në Francë, mbretërimi i të cilit bashkoi pjesën më të madhe të Evropës dhe garantoi vazhdimësinë, nën kujdesin e Perandorisë së Shenjtë Romake.

Megjithëse shumica e studiuesve do të pajtoheshin se të ashtuquajturat Epoka të Errëta përfaqësojnë një periudhë të veçantë në pjesën më të madhe të Evropës, shumë nga supozimet që e bënë të njohur këtë term për herë të parë, nuk janë më të vlefshme.

E njëjta gjë vlen edhe për më këmbëngulësit se ajo periudhë karakterizohej nga dhuna dhe mjerimi./botaal/KultPlus.com

Meta dekoron At Gjergj Fishtën në 80-vjetorin e ndarjes nga jeta

Presidenti Ilir Meta dekoroi sot me rastin e 80-vjetorit të ndarjes nga jeta, At Gjergj Fishtën, atdhetarin, historianin, gjuhëtarin e madh, diplomatin dhe iluministin e shquar, për të cilin interesat kombëtare ishin po aq të shenjta, sa vetë besimi që i përkiste.

“Në vlerësim të veprës atdhetare dhe të rolit të jashtëzakonshëm në fushat e gjuhës dhe të letërsisë shqipe, arsimit e kulturës, diplomacisë, politikës e teologjisë, si dhe për meritat e Tij historike në krijimin e alfabetit shqip dhe në proceset shtetformuese, kam sot nderin e veçantë të çmoj me Dekoratën më të lartë në Republikën e Shqipërisë, At Gjergj Fishtës”, tha Meta.

Presidenti theksoi se “nëpërmjet veprave të tij të çmuara artistike, ai ngriti lart, shpalosi botërisht dhe skaliti në përjetësi vlerat dhe virtytet e veçanta autoktone, si dhe përpjekjet e pareshtura të kombit shqiptar për liri, mbrojtje të trojeve shqiptare dhe të sovranitetit të vendit”.

“Vepra e tij e vyer do ta ndriçojë përherë kombin tonë për të tejkaluar çdo sprovë në mbrojtje të Pavarësisë, Lirisë, Demokracisë dhe së ardhmen europiane”, tha Meta./atsh/ KultPlus.com

Koncerti vjenez i Vitit të Ri një koncert për shpresën

Koncerti i Vitit të Ri i Filarmonisë së Vjenës ka të bëjë me kapërcimin e krizës së COVID-19 së bashku, tha dirigjenti i këtij viti, Riccardo Muti.

“Ne thjesht kemi nevojë për shpresë. Edhe pa publik në sallë, por me audienca në të gjithë botën, ne dërgojmë këtë mesazh të paqes, shpresës”, u shpreh ai.

“Muzika, pjesa më e madhe e përbërë nga anëtarët e familjes Strauss e famshme për valset e saj, shpreh gëzim dhe nostalgji, por edhe trishtim dhe është, mbi të gjitha, një dhuratë për dëgjuesit”, shtoi Muti.

Koncerti nga salla e koncerteve Musikverein e Vjenës do të jepet përpara vendeve bosh dhe do të transmetohet nga transmetuesi austriak ORF në më shumë se 90 vende të premten, për herë të gjashtë.

Disa pjesë do të luhen për herë të parë në Koncertin e Vitit të Ri, mes tyre “Grubenlichter” i Carl Zeller, polka “In Saus und Braus” nga Carl Milloecker dhe “Bad’ner Mad’ln” nga Karl Komzak./atsh/ KultPlus.com

“Babagjyshi i vitit të ri, o sa fort të dua”

Ky vit tashmë po shënon fundin e tij, i mbushur përplot me të papritura, 2020 ka shënuar një ndër vitet me humbjet më të mëdha në të gjitha fushat e jetës. Pandemia që kaploi botën, i shtoj një zymtësi, të pazakontë por edhe frikë pothuajse të gjithë dymbëdhjetë muajve, shkruan KultPlus.

Sonte tek sa jemi pothuajse në prag të viti të ri, KultPlus ju sjell këngën ‘Ja na erdhi viti i ri’, për të festuar, për të kujtuar, por edhe për të uruar që viti i ardhshëm të jetë më i mirë se ky që po lëmë pas.

Viti i Ri në pandemi, ja disa ide për festë

Edhe nëse planet tuaja të Vitit të Ri janë  ndryshe sivjet  për shkak të COVID-19, ju përsëri mund të kënaqeni në shtëpi në natën e ndërrimit të motmoteve.

Sipas Qendrave për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, mënyra më e sigurt për të festuar vitin e ri është të kremtuarit në shtëpi me njerëzit që jetojnë me ju, ose praktikisht me miqtë dhe familjen, shkruan Times  Herald.

Këtu janë disa ide për të festuar natën e Vitit të Ri në mënyrë të sigurt në shtëpi.

  • Bëni festime virtuale
  • Merrni pjesë në një koncert virtual ose shfaqje.
  • Planifikoni një numërim mbrapa virtual deri në mesnatë me miqtë.
  • Shijoni një darkë apo ëmbëlsirë virtuale me miqtë dhe familjen.
  • Planifikoni një aheng të Vitit të Ri për njerëzit me të cilët jetoni.
  • Dekoroni, bëni muzikë dhe vallëzoni me njerëzit me të cilët jetoni.
  • Planifikoni një vakt ose ëmbëlsirë të veçantë me familjen tuaj.
  • Njerëzit që jetojnë me njëri-tjetrin mund të qëndrojnë para shtëpisë së tyre dhe të brohorasin së bashku në mesnatë.

 Ide të tjera

  • Shikoni një shfaqje të drejtpërdrejtë të ndezjes së fishekzjarreve, koncert ose program tjetër të Vitit të Ri nga shtëpia juaj,
  • Kujdesuni për veten dhe bëni diçka që ju pëlqen, siç është leximi i një libri ose shëtitja.
  • Merrni një ushqim të veçantë nga një restorant lokal për ta ndarë me familjen tuaj./ KultPlus.com