Tirana ndez dritat e pemës së festave të fundvitit, Veliaj: Të ngrihemi bashkë përtej vështirësive, më pranë atyre që kanë nevojë

Tirana ndezi në mbrëmjen e sotme dritat e pemës së festave të fundvitit në sheshin “Skënderbej”, duke përcjellë mesazhe shprese të një qyteti që nuk përkulet e që sheh përpara.

Në respekt edhe të vendimit të Komitetit Teknik të Ekspertëve lidhur me masat anti-Covid, 10 vogëlushë të Korit të Fëmijëve “Mrekullia” ndezën dritat e pemës festive.

Në mesazhin drejtuar qytetarëve, Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj u shpreh se Tirana ndonëse kaloi vështirësi këtë vit, gjeti forcë të ngrihet si kurrë më parë.

“Ky ka qenë një vit pazakontë, ndoshta viti më i vështirë në historinë 100-vjeçare të Tiranës kryeqytet. E megjithatë, jeta vazhdon, e megjithatë dielli lind çdo mëngjes, e megjithatë pas vështirësive ne çohemi sërish në këmbë për të ecur përpara. Ndaj, këtë fundvit, duhet të merrnim një vendim, nëse do të vazhdonim me festën, nëse do të vazhdonim me zbukurimin e qytetit, nëse do të vazhdonim me harenë dhe vendosëm që “PO”, për hir të fëmijëve, për hir të atyre që nuk kanë bërë asnjë mëkat dhe që meritojnë të gëzojnë edhe këtë fundvit”, tha Veliaj.

Kreu i Bashkisë u shpreh se 2020 ishte një vit i vështirë për shumë familje, të cilat humbën banesat e tyre ose të afërmit, por komuniteti i Tiranës tregoi se bëhet bashkë si në ditët e vështira, ashtu dhe në ditët e gëzimit. “Unë e di që ky vit prej tërmeteve, prej pandemisë, ka qenë shumë i vështirë për shumë familje. Disa kanë humbur shtëpinë, disa kanë humbur të afërmit e tyre, disa të tjerë janë ende duke vuajtur pasojat e Covid-it ose duke u përballur në frontin e parë të kësaj beteje. E megjithatë, duhet të japim mesazhe shprese të një Tirane që nuk përkulet, të një qyteti që ecën përpara, të një komuniteti që bëhet bashkë si në ditët e vështira, ashtu dhe në ditët e gëzimit. Prej protokollit të pandemisë shumë aktivitete janë të ndaluara, shumë tubime, shumë festa, shumë organizime me njerëz janë gjithashtu të ndaluara. Kjo është arsyeja pse sot sheshit “Skëndërbej”, në këtë ndezje të dritave të festave ua kemi lënë 10 vogëlushëve, sa është numri që lejohet në çdo aktivitet”, nënvizoi Veliaj.

Ai bëri thirrje për më shumë solidaritet, duke qëndruar pranë atyre që kanë nevojë dhe për të inkurajuar ata që edhe këtë fundvit do të jenë në frontin e parë të betejave të rëndësishme, si pandemia apo procesi i rindërtimit.

“Shumë gjëra janë ndaluar këtë fundvit, por nuk është ndaluar dashuria, nuk është ndaluar mirësia, nuk është ndaluar bamirësia, nuk është ndaluar solidariteti. Ndaj duhet të gjejmë kurajo për t’u ngritur bashkë përtej vështirësive për t’i qenë pranë atyre që kanë nevojë ose për të inkurajuar ata që edhe këtë fundvit do të jenë në frontin e parë të betejave tona të rëndësishme, si pandemia apo i gjithë procesi i rindërtimit. Gëzuar festat”, theksoi kryebashkiaku Veliaj.

Krahas Sheshit “Skënderbej”, godinat pranë tij dhe në rrugët kryesore të Tiranës, janë mbushur plot me drita dhe me zbukurime, duke sjellë edhe pak lumturi në ditë të vështira, të mbushura me shqetësimin nga pandemia e koronavirusit. Bashkia e Tiranës është kujdesur deri në detaje për atmosferën festive. Kanë qenë të shumtë qytetarët të cilët kanë zgjedhur që të ruajnë një kujtim nga zbukurimet e shumta. /ata/ KultPlus.com

Pas 114 vjetësh, festa e Viti të Ri nuk do të pritet në “Times Square”

“Times Square” i Nju Jorkut do t’i japë lamtumirën vitit 2020 pa festimet e zakonshme me grumbuj njerëzish që bllokojnë rrugët për Vitin e Ri, shkruan DailyMail, përcjell KultPlus.

Këtë vit “Times Square” do të rrethohet nga Policia e Nju Jorkut më 31 Dhjetor. Ndërkaq organizatorët po planifikojnë një ngjarje virtuale dhe një aplikacion ku njerëzit mund të ndjekin numërimin për 2021 nga larg.

Aleanca “Times Square”, e cila drejton ngjarjen, tha se vetëm një grup shumë i kufizuar i njerëzve do të lejohen të hyjnë në shesh për qëllime transmetimi.

 “Do të ketë disa aktivitete të distancuara nga shoqëria në “Times Square”, por do të jetë kryesisht për transmetim te audienca”, tha Tim Tompkins, Presidenti i Aleancës Times Square, për New York Post.

Jamestown, i cili zotëron One Times Square, ka ndërtuar një botë virtuale të Time Square dhe një aplikacion për të transmetuar numërimin e Vitit të Ri. Aplikacioni do të lejojë që njerëzit nga e gjithë bota të përjetojnë momentin.

Kremtimi i Vitit të Ri në Times Square është ndër më të mëdhatë në botë, duke tërhequr zakonisht rreth një milion njerëz në rrugët e qendrës së Manhatanit, me më shumë se një miliard përcjellje në televizion./KultPlus.com

Pesë të vërtetat e çuditshme rreth Vitit të Ri

Festat e fundvitit sjellin gëzim e hare në familjen e çdokujt. Dhurata, gatime, ngrohtësi familjare është përshkrimi i ditëve të fundit të vitit. Për Vitin e Ri, ekzistojnë disa kuriozitete të cilat mund të shkaktojnë habi në opinionin publik, por janë të vërteta.

Dëshmitë më të lashta përsa u përket festimeve të Vitit të Ri janë gjetur në Babiloninë antike rreth 4000 vjet më parë.

Romakët festonin Vitin e Ri në muajin mars. Senati, në vitin 153 përpara Krishtit, fiksoi janarin si muajin e parë të Vitit të Ri. Në vitin 46 pas Krishtit, kalendari julian konfirmoi në mënyrë përfundimtare zgjedhjen e datës 1 janar, si Vitin e Ri (edhe data e Krishtlindjeve duket sikur derivon nga zakonet e tyre).

Në Vitin e Ri hahen disa ushqime që sjellin fat. Zgjedhja bëhet për gjithçka që ka formën e unazës. Unaza përfaqëson, në fakt, një cikël perfekt dhe mbylljen e vitit. Prandaj, gatuhen thjerrëza dhe bathë.

Në Spanjë, 12 sekonda përpara mesnatës konsumohen kokrra rrushi, një për çdo rënie kambane. Në vende të tjera, konsumohen shegë, edhe këto 12 kokrra, një kokërr për çdo muaj.

Keltët e festonin Vitin e Ri natën e 31 tetorit dhe 1 nëntorit. Ose më mirë në Halloween./shekulli / KultPlus.com

Festa në Tiranë, ja këngëtarët që do të ndezin sheshin ‘Skënderbej’

Tirana do ta presë sot ardhjen e Vitit të Ri 2019 në sheshin “Skënderbej”. Me rastin e ndërrimit të viteve, Bashkia e Tiranës ka përgatitur disa surpriza, duke nisur nga koncerti me këngëtarët më të njohur të muzikës shqiptare, e deri te shfaqja e mrekullueshme e fishekzjarreve që do të nisë me numërimin mbrapsht në orën 24:00.

Festa do të nisë në 22:30 të mbrëmjes me Koncertin e Vitit të Ri, ku do të performojnë këngëtarët e njohur si Evi Reçi, Ardit Çuni.

Alban Nimani , West Side Family, Eneida Tarifa, Eranda Libohova, Sidrit Bejleri, Flor Mumajesi, Klajdi Haruni & Bruno DJ si dhe performance e shkëlqyer e DJ Vinit.

Spektaklit nuk do t’i mungojnë as kërcimet fantastike të Tan Bramës dhe grupit të tij.

Kësaj atmosfere do t’i shtojë magjinë e saj spektakli i fishekzjarrëve, i cili do të kulmojë në çastin e ndërrimit të viteve. /KultPlus.com

Viti i Ri, festa që kremtohet në të gjithë botën

Viti i Ri është festa e urimeve dhe dëshirave më të mira, shoqërimit, argëtimit, ngritjes së dollive, tryezave të begatshme dhe shkëmbimit të dhuratave të ndërsjella.

Kësaj feste njëkohësisht dhe në mënyrë të njëjtë i gëzohen të gjitha brezat: fëmijët, të rinjtë, si dhe të moshuarit, sikur ata që presin dhuratat, ashtu edhe ata që me kënaqësi i përzgjedhin dhe i dhurojnë ato.

Kremtimi i Vitit të Ri është një ndër traditat më të vjetra rituale e shprehur gati tek të gjithë popujt e botës, pa marrë parasysh racën, fenë, kombin dhe përkatësitë e tyre të ndryshme. Disa hulumtues mendojnë se kremtimin e festës së Vitit të Ri, më së pari e kanë aplikuar kinezët, ndërsa një grup tjetër mendon se kjo traditë zanafillën e vet e ka nga romakët e vjetër.

Sipas dëshmive ekzistuese materiale të zbuluara deri tani, është vërtetuar se festën e Vitit të Ri më 1 Janar, së pari herë, në mënyrë festive dhe rituale, e kanë kremtuar romakët e vjetër dhe për ta kjo festë ishte simbol i fillimit të jetës së re plot shpresa të mira për të ardhmen.

Edhe pse popujt e kremtojnë këtë festë me besim në një fillim të ri dhe më të begatshëm, asaj nuk i gëzohen të gjithë në datën e njëjtë, sepse disa popuj e aplikojnë kalendarin Lunar (llogaritja sipas rrotullimit të Hënës), kurse disa të tjerë atë Solar (llogaritja sipas rrotullimit të Diellit).

Në krahasim me kalendarin solar, i cili është fiks dhe i pandryshueshëm me 365 ditë, ata popuj që kalendarin e tyre e përcaktojnë sipas ciklit Lunar (të hënës) ardhjen e Vitit të Ri çdo vit, nuk e kremtojnë në ditën e njëjtë, sepse sikur dihet, ciklet e hënës janë të ndryshueshme dhe momenti i ndërrimit të mot moteve kremtohet me fillimin e hënës së re, gjegjësisht në muajin shkurt të vitit tonë kalendarik .

Vitin e Ri Lunar, sot më tepër si festë tradicionale popullore e festojnë në Kinë, Indi, Japoni, Vietnam, si dhe në disa shtete të tjera të Lindjes, dhe atë paralelisht, së bashku me kremtimin e Vitit të Ri Solar, të përllogaritur sipas kalendarit Gregorian.

Për kinezët, Viti i Ri Lunar është festa e pranverës. Ajo konsiderohet si kremte më e madhe nacionale, e cila shënohet me pompozitet të madh. Në Japoni kjo festë kremtohet me tryeza të begatshme plot me specialitete të rralla tradicionale, e në mesnatën e ndërrimit të motmoteve jehojnë 108 të rëna të kambanave nga të gjitha tempujt budistë anë e kënd vendit. Simbolika e 108, nënkupton si vërejtje dhe porosi për largimin e 108 mëkateve të mundshme të njeriut në jetë.

Edhe populli hebre Vitin e Ri e kremton në mënyrë madhështore, sepse ajo edhe sipas mësimeve religjioze, konsiderohet si festë shpirtërore, me të cilën shënohet përvjetori i fillimit të krijimit të Botës. Tek këta data e kremtes është e ndryshueshme për shkak të aplikimit të kalendarit të kombinuar lunar – solar.

Edhe një gjë është karakteristike tek kremtimi çifut i Vitit të Ri: ata në çastin e ndërrimit të motmoteve, kanë vërtet një tryezë të pasur, por në dallim me popujt e tjerë, ajo është e shtruar vetëm me gjëra të ëmbla, pra tryeza e tyre e pasur është e begatshme vetëm me ëmbëlsira.

Në viset e ngrohta të gjysmësferës jugore të rruzullit tonë, Viti i Ri kremtohet në stinën e verës, pa borë dhe mrekullia dimërore me të cilat jemi mësuar në viset veriore, por kjo, aspak nuk e zvogëlon madhështinë e pompozitetit të kremtimit të saj.

Në shumë vende dhe shtete të botës është tradita që Viti i Ri të kremtohet në mënyrë kolektive. Nuk janë të pakta qytete të ndryshme të metropoleve të mëdha botërore, ku banorët e tyre, para çastit të ndërrimit të mot moteve masivisht dalin në qendër të qytetit.

Kjo formë e kremtimit të Vitit të Ri, tanimë është tradicionale në shumë kryeqytete të shteteve të Europës dhe Botës, sikurse është: Parisi, Londra, Roma, Madridi, New York, Moska, Meksiko, Kajro, Tokio … etj .

Viteve të fundit, rregullimi dhe stolisja festive e qyteteve me drita, bredha dhe figura të “baba-dimrit” si dhe dalja masive e popullatës nëpër qendra dhe sheshe të qyteteve, aplikohet në mënyrë madhështore në të gjitha sheshet kryesore të qyteteve të Shqipërisë.

-Ritet, besimet në ditën e pritjes së Vitin e Ri

Natën e ndërrimit të mot moteve gjatë pritjes së Vitit të Ri, popuj të ndryshëm të Botës i karakterizon një spektër i gjerë dhe i larmishëm i riteve, besimeve dhe bestytnive të ndryshme, që janë krijuar si shprehje e dëshirave për: pastrim, largimit të demonëve dhe shpirtrave të këqij, kërkimin e fatit dhe lumturisë, jetës më të pasur dhe më të begatshme…etj. Shumë prej këtyre veprimeve janë të ruajtura dhe kultivohen tradicionalisht edhe sot e kësaj dite.

Tradita kubane për natën e ndërrimit të mot moteve praktikon ngrënien e 12 sardeleve, të një lloji peshku. Besohet se kjo ndikon në rritjen e fatit dhe lumturisë gjatë 12 muajve të vitit të ri pasues. Në Filipine është tejet e rëndësishme që në tavolinën festive familjare gjatë pritjes së Vitit të Ri , të sigurohet sa më shumëllojshmëri ushqimesh. Me këtë akt besohet se viti që vjen do të jetë aq i pasur dhe i begatshëm, sa është e pasur vetë sofra festive e asaj mbrëmjeje.

Në traditën e popujve gati të të gjithë botës fëmijët e lindur më 1 janar, konsiderohen si fëmijët më fatlumë në botë.
Puthja në mesnatë nuk është vetëm shprehje e momentit euforik të kremtes, por ajo shpreh edhe konfirmimin e bekimit të miqësisë dhe të afërsisë me atë person, edhe gjatë 12 muajve të vitit që po na vjen.

Njeriu i parë, i cili do t’u hyjë në shtëpi pasmesnate, besohet se ai gjatë tërë vitit pasues do të jetë një person fatsjellës për ju dhe besnikërisht mund të mbështeteni në të.

Preferohet që ndonjë punë apo veprim që ju ka mbetur në gjysmë ta përfundoni pikërisht në ditën e ndërrimit të mot moteve. Ky veprim do t’u sjellë shumë fat dhe punë të mbarë në të gjitha ndërmarrjet tuaja, gjatë tërë vitit të ardhshëm.

Nëse dëshironi që viti i ardhshëm të jetë i lumtur dhe me fat, atë në asnjë mënyrë nuk duhet ta prisni me borxhe. Tentoni që para ardhjes së Vitit të Ri t’i paguani të gjitha borxhet që i keni, sepse kështu viti që vjen do t’u sjellë fillim të mbarë në të gjitha fushat e jetës.

Të gjithë portofolët tuaj këtë mbrëmje mos i lini të zbrazëta, por i mbushni me monedha, sepse kështu besohet se viti i ardhshëm do t’Iu përcjellë më shumë begati dhe pasuri./k.s/ /a.g/ KultPlus.com

Ambasada e USA në Tiranë uroi Vitin e Ri me këtë video, sivjet kërkojnë ndihmë nga qytetarët (VIDEO)

Ambasada e Amerikës në Tiranë, vitin e kaluar e pati realizuar një video shumë interesante për festën e Viti të Ri.

Në këtë video, mori pjesë i gjithë stafi i kësaj ambasade në Tiranë, ku kënduan këngën “Ja na erdhi Viti i Ri”, shkruan KultPlus.

Kësisoj, kjo ambasadë sivjet kërkon ndihëm nga qytetarët.

“Ju kujtohet kënga jonë e vjetshme “Ja na erdhi Viti i Ri? Po mendojmë për një tjetër këngë dhe duam sygjerimet tuaja. Çfarë kënge duhet të këndojmë këtë vit?”, kanë shkruar në rrjetin social Facebook, nga Ambasada e Amerikës në Tiranë./ KultPlus.com