Aktorët e njohur, Denzel Washington dhe Rami Malek, i portretizojnë zyrtarët ligjorë nga Los Angelesi në kërkim të një vrasësi serik, në filmin e ri “The Little Things”.
Trileri psikologjik vjen i realizuar me skenar dhe regji të John Lee Hancockut. Ndërsa rolin e vrasësit të përndjekur nga policia e luan këngëtari dhe aktori , Jared Leto.
Në trilerin e filmit të publikuar një ditë më parë, sherifi Joe “Deke” Deacon i cili në film portretizohet nga Denzel Washington, rekrutohet jozyrtarisht nga rreshteri Jim Baxter, rolin e së cilit e luan Rami Malek. Së bashku ata vihen në kërkim të vrasësit të rrezikshëm, por kjo përndjekje nuk shkon pa pengesa.
Përveç tre yjeve të shpërblyer me “Oscar”, në film luajnë edhe aktorët: Natalie Morales, Terry Kinney, Chris Bauer, Joris Jarsky, Isabel Arraiza dhe Michael Hyatt.
“The Little Things” do të lansohet nëpër kinema dhe në platformën digjitale HBO Max, më 29 janar të vitit 2021./ KultPlus.com
Shqiptarja Bujana Ameti, vetëm 15 vjeçe, ka interpretuar në harpë në koncertin e fundvitit në qytetin Waterloo të Belgjikës.
Ameti ka luajtii pjesë nga vepra e Dussek, Sonata I Rondo. Një performancë kjo që është vlerësuar shumë lart nga audienca.
Prezantuesja nuk hezitoi ta prezantojë Bujanën si një artiste me origjinë shqiptare.Bujana Ameti ka lindur dhe është rritur në Belgjikë. Ajo që nga viti 2014 studion instrumentin e harpës, me talentin e saj ka arritur suksese të shumta në konkurse të ndryshme ndërkombëtare.Në vitin 2016, në moshën 11 vjeçare fitoi çmimin e parë në duo në konkursin ”Harpegio”, ndërsa në konkursin ndërkombëtar për harpë ”Félix Godefroid” në vitin 2017 mori çmimin e shpresave. Në vitin 2018, në ”Concours français de la Harpe“ në Limoges të Francës mori çmimim e parë.Bujana që nga viti 2018 ndjek mësimet në shkollën private ndërkombëtare ”Musica Mundi School“ në Waterloo të Belgjikës./ KultPlus.com
Bebe Rexha është një nga këngëtarët më të suksesshme të momentit, mirëpo duket se fillimet e saj në muzikë nuk kanë qenë fare të lehta.
Këngëtarja ka treguar së fundmi se disa vjet më parë e kishte ëndërr të studionte në një ndër kolegjet më të mira të Amerikës për muzikë, por nuk u pranua kurrë. Me historinë e saj personale ajo u ka dhënë një mesazh të gjithë ndjekësve të rinj, që të mos demoralizohen, pasi nuk kanë nevojë për një kolegj fantastik për të qenë të suksesshëm, siç thotë ajo.
“Hey, nëse po aplikoni për kolegj dhe nuk pranoheni, thjesht doja t’ju bëja të ditur. Unë vdisja që të futesha në shkollën e muzikës në Manhattan dhe Julliard. Nuk u pranova në asnjërën prej tyre dhe bëra muzikë sipas mënyrës sime. Nuk keni nevojë për një kolegj fantastik që të jeni të suksesshëm”, ka shkruar Bebe në një postim në Twitter.
Kujtojmë se këngëtarja ka treguar më herët se në fillim ajo e ka pasur të vështirë të pranojë edhe origjinën e saj, por për këtë gjë e ka ndihmuar shumë Kim Kardashian.
“Po mendoj së fundmi se jam rritur në SHBA dhe sigurisht jam një fanse e madhe e Britney, Christina e shumë ikonave të tjera, të cilave doja t’ju ngjaja e të isha si to. Ajo që dua të them është se doja ta bëja këtë gjë pa treguar rreth kulturës sime dhe se prej nga vija sepse nuk kishte asnjë shqiptar kaq të njohur në botë. Thjesht nuk mendoja se ishte “cool” të tregoje në media rreth kulturës tënde, dhe kjo me të vërtetë më bëri lëmsh. Ka diçka për të cilën i jam mirënjohëse Kim Kardashian sepse të rritesh duke parë ikonën Merilyn Monroe me flokë bjond e sy blu, dhe më pas del një vajzë si Kim Kardashian, me format e mrekullueshme dhe që në fillim është treguar e sinqertë për origjinën e saj dhe ka treguar se nga vjen dhe kjo e ka bërë atë të jetë shumë e dashur për të gjithë. Të tregosh kulturën tënde është me të vërtetë bukur. Kështu po përpiqem të them se do ju tregoj më shumë rreth kulturës sime sepse kultura shqiptare më ka ndryshuar dhe inspiruar si artiste, më ka formësuar si njeri dhe jam krenare për këtë. Kaq kisha për të thënë faleminderit që më dëgjuat. Ju dua”, tregoi Bebe pak kohë më parë./ KultPlus.com
Në 31 vjetorin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit shënoi hapjen e ekspozitës “Rezistenca paqësore dhe shtetndërtimi 1989-1999” në Muzeun Shtëpia e pavarësisë “Dr. Ibrahim Rugova”, shkruan KultPlus.
Nën kurimin e Shkumbin Brestovcit, përmes kësaj ekspozite u shfaqën para publikut fotografitë, dëshmitë historike, botimet dhe pjesë nga librat vendorë e ndërkombëtarë nga periudha përgjatë së cilës një parti politike simbolizonte unifikimin dhe rezistencën mbarëpopullore të kombit shqiptarë.
Në hapjen e kësaj ekspozite i pranishëm ishte edhe kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti, i cili e cilësoi këtë ekspozitë që flet me pak fjalë nëpërmjet fotografisë dhe fakteve nga përpjekjet historike të shqiptarëve.
“Një ekspozitë e jashtëzakonshme që për 10 minuta ti e ke para syve komplet historinë e popullit të Kosovës deri në ditën e sotme”, tha Hoti.
Në anën tjetër, ministrja në detyrë për Kulturë, Rini dhe Sport, Vlora Dumoshi për KultPlus u shpreh se qëllimi i kësaj ekspozite qëndron në edukimin dhe shpërfaqjen nëpërmjet arkivave të realitetit historik.
“Kjo ekspozitë për mua është një pjesë e mallëngjimit e shumë njerëzve që kanë qenë pjesëmarrës dhe sot nuk i kemi në mesin tonë, por kontributi i tyre ka qenë shumë i madh, mbase ndonjëherë i harrojmë për këtë kontribut”, u shpreh ministrja Dumoshi.
Tutje ajo theksoi se ky bashkim historik i dokumentacioneve në një ekspozitë, është një dhuratë shumë e rëndësishme për ditëlindjen e 31-të të Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Kuratori i cili ka sjellur finalizimin e kësaj ekspozite për një periudhë 3 vjeçare, Shkumbin Brestovci detajoi për KultPlus burimet që i ka përdorur.
“Aspekti kuratorial është bazuar kryesisht në libra, natyrisht se ka pasur edhe burime narrative, që kam folur me njerëz, ka burime gazetareske, por shumica janë të bazuara në libra”, ka thënë Brestovci.
Nga të gjitha pjesët të cilat sjellin kontribute në fusha të ndryshme, kuratori veçoi shëndetësinë dhe shkollimin, gjë për të cilat tha se edhe publiku janë mahnitur me këtë aspekt të rezistencës.
“Mënyra se si është organizuar shëndetësia, si janë hapur ato 96 klinika, si janë mbajtur nëpërmjet punës vullnetare të mjekëve, është rast unik në botë, ka pasur edhe në vende tjera por jo në këso përmasash”, vlerësoi Shkumbini.
Ai përmendi edhe shkollat paralele, për të cilat tha se nga 10.000 interesime të qytetarëve për kthimin e shtëpive të tyre në shkolla, 3.000 prej tyre u shndërruan në shtëpi-shkolla.
“Unë kam takuar arsimtarë dhe profesorë që kanë thënë se nxënësit e studentët e mi të viteve të 90-ta janë më të mirë se të viteve të 80-ta, dukshëm më mirë se të 2000-tat”, tha kuratori Brestovci, duke treguar rëndësinë që kishin këto iniciativa në atë kohë.
Përveç restrospektivës të atyre që e kanë përjetuar këtë periudhë, Brestovci thekson edhe qëllimin e kësaj ekspozite për të rinjtë.
“Ideja është tua prezantojmë si dromca të ngjarjeve që ua ngacmon kureshtjen, në mënyrë që ta hulumtojnë duke ju dukur interesante”, u shpreh Shkumbin Brustovci.
“Rezistenca paqësore dhe shtetndërtimi 1989-1999” në Muzeun Shtëpia e pavarësisë “Dr. Ibrahim Rugova” do të qëndroj e hapur për kureshtjen e publikut. / KultPlus.com
Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Tiranë ka përfunduar ditët e fundit projektin e restaurimit dhe mirëmbajtjes së “Urës së Abdyl Agës” në Krujë.
Sipas DRTK Tiranë, projekti i hartuar nga specialistët e DRTK-Tiranë, shqyrtuar në Këshillin Teknik dhe i miratuar nga Këshilli Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore Materiale konsistoi në çmontimin e murit të gurit në zonat e dëmtuara, pastrimin mekanik të qemerit të gurit nga klasifikimet dhe përgatitjen për fugatim të sipërfaqes.
Po ashtu pjesë e ndërhyrjes ishte edhe restaurimi dhe plotësimi i murit të gurit tek të dy shpatullat e urës, plotësimi i muraturës së hequr nga ndërhyrjet klandestine, si dhe konsolidimi strukturor i muraturës prej guri, fugatimi në qemere guri dhe restaurimi i kalldrëmit.
“Ura e Abdyl Agës” ndodhet në Grykën e Shkallës së Zezës në Krujë ndërmjet fshatrave Barkanesh e Cudhi të malësisë së Krujës. Sot ajo lidh fshatrat e Ranxës (Barkanesh, Këlcunjë, Buronjë, Kukaj, Mukaj, Rradhesh, Herraj) me malësinë e Krujës (Cudhi Bruz, Ranxë etj). Nën të kalon lumi i Zezës, i cili pasi kalon Fushë Krujën i drejtohet ultësirës bregdetare.
Në mesjetë ura e Abdyl Agës i shërbente rrugës së karvaneve që lidhte Shkodër-Lezhën me Dibrën, nëpërmjet malësisë së Tiranës dhe asaj të Matit.
Sipas burimeve të vendit ndërtimi i urës rezulton rreth viteve 1810-1820. Në ndërtimin e urës është përdorur gurë gëlqeror i malit pranë. Ngjitur me urën ruhen gjurmë kalldrëmesh mesjetarë të kohëve të ndryshme./atsh/ KultPlus.com
Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka nënshkruar sot marrëveshje bashkëpunimi me Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave të Republikës së Shqipërisë, për dhënien e Këndit Arkivor në Bibliotekën e Qytetit.
Me anë të kësaj marrëveshje i mundësohet komunitetit shkencor të Gjilanit që të kenë qasje të plotë në dokumentin arkivor, si të ishte në Tiranë, pa pasur nevojën e udhëtimit drejt kryeqendrës shqiptare.
Haziri, pasi e nënshkroi këtë marrëveshje, tha se ndjehet i lumtur që një copë e Shqipërisë tashmë shumë shpejt do të vijë në Gjilan.
Ai tha se bashkëpunimi i Komunës së Gjilanit me Republikën e Shqipërisë ka qenë i shkëlqyeshëm, në saje të mbështetjes së vazhdueshme.
Pas kësaj marrëveshje do të fillojnë procedurat për hapjen e Këndit Arkivor, i cili pritet të hapet shumë shpejt në Bibliotekën e qytetit. / KultPlus.com
Kryetarja e Këshillit të Organit Rregullator për Media Elektronike në Serbi, gazetarja Olivera Zekiq, po gjykohet në Serbi për shkak të një pjese të biografisë së saj të publikuar.
Në përvojën e punës, në biografinë e gazetares Zekiq, ajo thotë se e ka zhvilluar aktivitetin e saj në Serbi dhe Kosovë. Për shkak të kësaj fjalie, disa media në Serbi po e akuzojnë atë se kësisoj po e njeh Kosovën si shtet të pavarur dhe se për të, Kosova nuk është pjesë e Serbisë, transmeton Gazeta Express.
Më 17 dhjetor, Zekiq u zgjodh në Kuvendin e Serbisë si anëtare e Këshillit të Organit Rregullator për Media Elektronike, ndërsa dje, u zgjodh kryetare e këtij këshilli.
Një ditë pas zgjedhjes së saj, Sllobodan Cvejiq dha dorëheqje si anëtar i këtij këshilli, për shkak të, siç deklaroi ai, “mënyrës se si u zgjodh Zekiq, dmth shkeljes së procedurave demokratike në Këshill”. / KultPlus.com
Nuk ka qenë një vit i lehtë për shumë prej nesh. Megjithatë, arti na jep shpresë dhe strukturim për të ardhmen.
Autostrada Biennale ka ndarë disa fakte të rëndësishme për edicionin e tretë, të cilin organizatorët po e përgatisin intensivisht, së bashku me dy kuratorët Övül Ö. Durmuşoğlu dhe Joanna Warsza.
Edicioni i ardhshëm nuk do të shtyhet dhe do të zhvillohet pavarësisht dhe brenda rrethanave aktuale, në tre qytete: Prizren, Prishtinë dhe Pejë. Prizreni do të mbetet bërthama e Bienales, ndërsa instalime dhe ndërhyrje shtesë do të ndodhin edhe në Prishtinë dhe Pejë.
Datat për edicionin e tretë të Autostrada Biennale janë: 17 korrik – 11 shtator 2021.
Autostrada Biennale filloi nga vendlindja e saj, Prizreni, në vitin 2014 (edicioni i parë në 2017) themeluar nga një ndjenjë e mungesës dhe nevojës për më shumë shkëmbim kulturor në rajon, si dhe për hapje ndaj botës. Ajo u formësua si një pikë lidhëse dhe si një rrugë në hartën e Ballkanit Perëndimor.
Pandemia ka bërë që të rimendohet modeli i bienales dhe për këtë ata janë shumë entuziastë për t’i zgjeruar aktivitetet në tre qytete, duke punuar kështu edhe më tej me identitetin e tyre: shumë lokal dhe shumë të ndërlidhur.
“Edicioni i ardhshëm i Autostrada Biennale do të bazohet në një model infrastrukture, formë të “takimit të verbër” midis interesave, dëshirave dhe shpresave paralele” shkruajnë Övül Ö. Durmuşoğlu dhe Joanna Warsza. “Ne shpresojmë t’a përforcojmë rolin e bienales përmes ndërtimit të një infrastrukture të butë në Kosovë, duke mbështetur kështu komunitetin si dhe solidaritetin translokal në kohë të izolimit të dyfishtë.”
Edicioni i ardhshëm i Autostrada Biennale do të paraqitet në formë analoge dhe digjitale të infrastrukturës së butë, me art, performanca, pjesë bisedash, lexime, skulptura dhe forma të tjera të artit dhe jetës në verën e 2021.
Autostrada Biennale edicioni i tretë dhe i gjithë programi Pre-Biennale është duke u përkrahur nga Zyra Zvicerane për Bashkëpunim dhe Zhvillim në Prishtinë, Fondacioni Europian për Kulturë, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Komuna e Prizrenit dhe Komuna e Prishtinës. / KultPlus.com
Qindra emigrantë në Francë që punojnë në vijën e parë të frontit në përballje me koronavirusin kanë fituar shtetësinë e Francës si shpërblim për punën e tyre.
Ministria e brendshme i ftoj banorët që kanë ndihmuar kundër Covid-19 për të aplikuar për nënshtetësi përmes një procesi të përshpejtuar.
Më shumë se 700 personave tashmë ju është dhënë nënshtetësia ose janë në fazat e fundit të marrjes së saj.
Ata që kanë marrë këtë të drejtë përfshijnë profesionistë të kujdesit shëndetësor, pastrues dhe punëtorë të dyqaneve.
Punëtorët e vijës së parë të frontit në të gjithë botën kanë qenë të ekspozuar ndaj Covid-19 në një shkallë të lartë.
Franca është në 10 vendet e prekura më keq nga infeksionet e koronavirusit, me më shumë se 2.5 milion raste të konfirmuara dhe afër 62,000 vdekje.
Nisma për shtetësinë e përshpejtuar u njoftua për herë të parë në shtator. Shtatëdhjetë e katër njerëzve tashmë u është dhënë një pasaportë franceze dhe 693 të tjerë janë në fazat e fundit. Gjithsej 2.890 persona kanë aplikuar deri më tani.
“Profesionistët shëndetësorë, zonjat e pastrimit, punëtorët e kujdesit për fëmijët, stafi i arka: Ata të gjithë dëshmuan përkushtimin e tyre ndaj kombit dhe tani është radha e republikës për të bërë një hap drejt tyre”, thonë nga zyra e ministres Marlene Schiappa. / BBC / KultPlus.com
Një statujë e gjeneralit Robert E. Lee, udhëheqës i forcave të Konfederatës gjatë Luftës Civile, që përfaqësonte shtetin amerikan të Virxhinias në Sallën Kombëtare të Statujave, u hoq nga ndërtesa e Kongresit amerikan të hënën në mëngjes.
Në një deklaratë të dielën, Guvernatori i Virxhinias Ralph Northam tha se kishte kërkuar heqjen e statujës gjatë verës, pasi një komision vendosi se një gjeneral që luftoi për të mbështetur skllavërinë nuk ishte një simbol i përshtatshëm për një shtet të larmishëm dhe modern.
Që nga viti 1909, statuja e gjeneralit Lee kishte qëndruar së bashku me statujën e Presidentit Xhorxh Uashington si përfaqësues të Virxhinias në Sallën Kombëtare të Statujave në mjediset e Kongresit, ku çdo shtet amerikan përfaqësohet nga dy statuja. Komisioni shtetëror rekomandoi zëvendësimin e statujës së gjeneralit me atë të aktivistes për të drejtat civile në Virxhinia, Barbara Jones.
Në vitin 1951, në moshën 16-vjeçare, Jones protestoi për kushtet e këqija në shkollën e saj të mesme të përbërë vetëm nga afrikano-amerikanë në qytetin Farmvill. Çështja gjyqësore e ngritur prej saj u bë pjesë e vendimit historik të Gjykatës së Lartë amerikane, e njohur si “Brown kundër Bordit të Arsimit”, që ndaloi ndarjen racore në shkollat publike në të gjithë vendin.
Në deklaratën e tij, guvernatori Northam tha se “mezi pret të shoh një grua të re me ngjyrë që përfaqëson Virxhinian në Sallën Kombëtare të Statujave”.
Nga llogaria e saj në Twitter të hënën, Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve Nancy Pelosi përçoi të njëjtën frymë, duke thënë për statujën e gjeneralit Lee se, “Nuk ka vend për të festuar fanatizmin e Konfederatës në Kongres, apo ndonjë vend tjetër në Shtetet e Bashkuara”.
Asambleja e Përgjithshme e Virxhinias do të votojë gjatë seancës së ardhshme që fillon më 13 janar nëse do të autorizojë statujën e aktivistes Barbara Jones, e cila vdiq në vitin 1991 në moshën 56 vjeçare. Guvernatori Northam propozoi një fond prej 500,000 dollarësh për arritjen e këtij synimi.
Statujat e konfederatës në vende publike si Kongresi dhe gjetkë kanë qenë fyese për vite të tëra për afrikano-amerikanët. Por ato u bënë një pikë e nxehtë debati kombëtar në vitin 2020, ndërsa shpërthyen protestat e lëvizjes “Black Lives Matter” në Shtetet e Bashkuara dhe mbarë botën pas vdekjes në maj të afrikano-amerikanit George Floyed, ndërsa ishte në paraburgim në qytetin Mineapolis të shtetit të Minesotës/VOA / KultPlus.com
Filmi “Flying Circus” me skenar dhe regji të Fatos Berishës.
Çka ka më absurde, se në një kohë lufte dhe katastrofale si ajo e Kosovës në vitet nëntëdhjetë të shekullit të kaluar, të jesh aktor. Të kesh shfaqje dhe aq më shumë të udhëtosh në festival të teatrove? Ku është kuptimi i artit dhe aktrimit në këtë brenda makinerisë së vrasjes së quajtur luftë e cila nuk pyet as për fëmijë e as për pleq? Por, pikërisht këtu shfaqet magjepsja dhe magjia e “koincidencës së rasëtishme” të artit vetë. Këtu regjisori Fatos Berisha e nisë shtjellimin e këtij paradoksi dhe vullneti të njeriut, aktrimit artistik edhe në luftë. Me mjeshtërinë e tij prej skenaristi dhe regjisori në filmin “Flying Circus” – shtrinë vullnetin e aktorit të realizojë ëndrrën e artit. Nisë një udhëtim të katër të pasionuarve pas aktrimit dhe teatrit, me gjithë absurdin e luftës, dhe brenda absurdit të luftës, bazuar në ngjarje të vërteta, të jetësoj vetë vullnetin e njeriut duke mos iu dorëzuar luftës, apo, aq më shumë, duke e ngadhënjyer absurdin e luftës me art.
Filmi “Flying Circus” i Fatos Berishës, është një udhë dhe udhëtim në kërkim të ëndrrës, ëndrrës së artit, thënë më saktësisht të aktrimit dhe teatrit. Por që për këtë rrugëtim duhet braktisur edhe familjen, shtëpinë, edhe jetën (fizike dhe të mirëqenies), edhe mundësinë për të mbrojtur shtëpinë dhe vendin, dhe, në fund, ndoshta edhe mundësinë për t’u kthyer ndonjëherë.
Është udhë e katër aktorëve, që braktisin të tërën që është, edhe luftën, edhe mundësinë për të mbrojtur familjet e tyre, për ëndrrën e tyre të aktrimit dhe të shfaqjes së tyre. Katër aktorë që nuk besojnë në atë që po bëjnë, katër aktorë që nisen nëpër katrahurat e luftës dhe të kufijve ballkanik (lexo: vullnetit të vrasësve të rastësishëm etj); duke qenë të dhunuar deri në mungesë ushqimi për fëmijtë e tyre, aktorë, por që megjithatë nuk ndalen, nuk mund të ndalen para ëndrrës së tyre, para artit, të tyre, para artit vetë. I bartë ëndrra vetë përmes “koincidencave të rastësishme”.
Nën regjinë e Berishës, kjo koincidencë e rastësishme bëhet e vërtetë. Katër aktorët kosovar nisen në këtë udhëtim, prej Kosovës/Prishtinës në Shqipëri, përmes Malit të Zi, në një festival të teatrove në Tiranë. E pikërisht në të njëjtën kohë, në të njëjtën Tiranë ndodhet Michael Palin. E ndodh që Palin është një prej anëtarëve të grupit aktrues Monty Python, në bazë të të cilëve është ndërtuar dhe titulluar shfaqja e katër aktorëve kosovar – “Flying Circus” sipas “Monty Python’s Flying Circus”. Çfarë “koincindence e rastësishme” siç thotë profesori i katër aktorëve në film.
Berisha në regjinë e tij vazhdimisht thurë dhe ndërthur këto “koincidenca të rastësishme” gjë që edhe duke qenë të thurura në komunikimin ndër – kinematografik, e edhe duke qenë ndërthurje e ëndrrës së artistit/aktorit dhe realitetit absurd, krijojnë vetë këtë udhë të filmit si rastësi e ndërdijshme, apo thënë më saktë si shtytje për të ecur nëpër ëndrrën e artit.
Regjisori Berisha, duke e përmbyllur hyrjen e filmit, e le të zhveshur dhe të vetëm personazhin Lekë- Tristan Halilaj, që luan shkëlqyeshëm dhe krejtësisht natyrshëm natyrën lucide të artistit. E le përballë filmit të Bekim Fehmiut në përmbylljen e hyrjes së filmit “Flying Circus”, dhe me këtë e përmbyllë fatin e njeriut të zakonshëm, e përmbyllë, pasi që ka ndërtuar tërë atë që i mbetet njeriut të përballur me dhunën dhe robërinë – luftën si të vetmen mundësi. Por është pikërisht këtu ku lind ëndrra, ku lind arti,
si ëndërr e si realitet: life is a dream within a dream, thotë Leka në shqip, duke cituar Sheakespearin, pikërisht ë këtë skenë. Ai është duke shikuar Bekim Fehmiun duke prerë duart në fatin e tij po ashtu të mbyllur si personazh në filmin e tij të njohur “Mbledhësit e puplave”. “Jeta është ëndërr brenda ëndrrës”, thotë Leka, derisa ai dhe në të vërtetë të katër aktorët kosovar, dhe tërë Kosova është pikërisht përballë ortekut të absurdit të luftës që është lëshuar tatëpjetë Kosovës së viteve nëntëdhjetë të shekullit të kaluar. Kjo thënie hapë atë që arti, skena teatrore, filmi dhe mbi këto aktrimi janë të lindura për ta bërë: ëndrrën brenda ëndrrës, apo thënë më saktë ëndrrën brenda absurdit të luftës siç ndodh në këtë histori.
Berisha ndërton mjeshtërisht hyrjen dhe ndërtimin e kontekstit që është në prag të luftës, dhe në këtë e hapë, e lind një ëndërr, dhe atë jo të heroizmit apo të veprimit që e kërkon ky kontekst por, në të vërtetë, krejtësisht të kundërt, atë të luftës përmes artit/aktrimit.
Udha, udhëtimi i katër aktorëve kosovar, është udhëtim i cili zbulon natyrën e njeriut të mbetur në “koincidencën e rastësishme” të të pasurit një ëndërr arti, e që është edhe bekimi e edhe mallkimi i tyre. “Koincidenca e rastësishme” e këtij udhëtimi të Lekës së lartcekur, tërësisht të humbur dhe që jeton për artin dhe aktrimin, aktorit Fatmirit (Shpëtim Selmani) që luan shkëlqyeshëm intelektualin në natyrën e tij të brishtë në çdo rast, megjithëse di edhe të aktrojë “Cowboy”-in në rast rreziku, aktorit Kushtrimi (Armend Smajli) i cili luan babain e ndjeshëm por ende të papjekur, aktorit Donati ( Afrim Muçaj) i cili është “tough guy” i trupës dhe nuk kthehet asnjëherë nga ky udhëtim duke qenë se i bashkëngjitet UÇK në luftë, është në të vërtetë përballje me realen e kontekstit ballkanik dhe shqiptar në Kosovë, Mal të Zi dhe Shqipëri. Përballje që prej zyrës së kryetarit të qytetit të “Ulqinit” i cili citon “Hamletin”, e deri në birucat e policisë së “Shkodrës”, e deri në fshatrat zotit prapa shpine të periferisë së Shqipërisë. Është udhëtim i cili krijon botën unike dhe të veçantë shqiptare në këto vite, në këtë dekadë, dhe parakalon personazhe krejtësisht të paimagjinueshme por të vërteta, si në aktrim e po ashtu edhe në jetën e përditshme, posaçërisht si atij të Kristos (luajtur nga Armond Morina) dhe vëllai i tij.
Udha në të vërtetë, siç u cek më lartë, është e ndërthurur tërë kohën, ndërmjet reales dhe kërkimit të ëndrrës, dhe të ndër-thurjes së kinematografisë përbrenda jetësimit të ëndrrës së këtyre katër aktorëve.
Çdo gjë në këtë reale është kundër aktrimit, artit dhe ëndrrës, aq më shumë është kotësi qesharake dhe e paimagjinueshme, por që në të vërtetë zbulon natyrën e njeriut i cili për të luftuar (së paku paraprakisht) zgjedh artin. Të rrethuar me fusha të pafundme, hapësirë e zbrazëtirë të pamatë të periferisë së Shqipërisë, aktorët kosovar, të humbur, zotit prapa shpine, në periferi të Shqipërisë, pyesin kriminelë, një policë të korruptuar, e një bandë fshati kriminelësh, kah i bie Tirana?
Derisa në ndër- thurjen kinematografike, Leka, aktori kosovar, shpëton shqiptarët nën mizërinë e ikjes nga lufta në një kafene të Malit të Zi përballë disa kriminelëve malazezë, duke përsëritur, apo duke përmbushur ëndrrën e tij të të përsëriturit të skenës së Bekim Fehmiut në realitet, duke prerë duart e tij në xhamin e birrës që ka qenë duke e pirë.
Me pasionin e pandalshëm, me ndërthurjen e “koincidencave të rastësishme”, ëndrra përmbushet dhe gjërat ndodhin si në filma. Krejtësisht në “koincidencë të rastësishme”, Kushtrimi ka plotësuar ëndrrën e tij dhe krejt çka ka për të thënë ai, apo secili nga ta, apo secili nga ne të gjithë pasi që e kemi parë këtë film, është “po shkoj në shtëpi”. Është sikur ai ka luftuar luftën e tij, ka ngadhënjyer dhe ka arritur lirinë e tij, qoftë edhe pse e thotë këtë derisa po kthehet në shtëpinë dhe familjen e tij e cila po bëhet gati për luftën katastrofale të Kosovës.
Derisa i tërë filmi është i ndërtuar në motivin direkt të katër aktorëve kosovar për të takuar Michael Palinin e “Monty Python’s Flying Circus” në Tiranë, i tërë filmi, dhe e tërë ëndrra, dhe me këtë sidomos arti përmbushet në të vërtetë në tërë pastërtinë e ëndrrës së aktorëve për të shfaqur shfaqjen e tyre.
Duke qenë një arsyetim, një shtytje dhe një mbështetje në absurdin e të qenit aktor në luftë, Palin është në të vërtetë arsyetimi për të pasur një ëndërr për aktrim në kohë lufte. Është arsyetimi i të qenit i mallkuar me ëndërr edhe në luftë. Është arsyetimi i të qenit aktor edhe në luftë. Por në të vërtetë është motivi për të luftuar me teatër.
Në lidhje me këtë, skena në periferinë e Shkodrës, derisa këta katër aktorët kosovarë janë duke urinuar, shikojnë yjet në qiell dhe pyeten dhe përgjigjen vetë:
Sa shumë yje paska në qiell?!
Është sepse ka shumë terr në tokë?!
sikur e japin të vërtetën e ëndrrës, artit, dhe aktrimit: sa më terr në tokë aq më shumë ëndrra, aq më e magjishme ëndrra, aq më i fuqishëm ëndërrimi.
Në të vërtet brenda filmit edhe krijohet “koincidenca e rastësishme” e tërë përvijimit të stories, mundësia për të takuar Michael Palinin e “Fyling Circus” por Kushtrimi, i cili e ka këtë mundësi, është duke fjetur. I përmbushur. Duke iu kthyer familjes. Shtëpisë, dhe duke pas arritur ëndrrën e tij, të luaj, të aktrojë dhe aq më shumë të njihet për artin e tij bashkë me tre tët tjerët. Edhe kjo është “koincidencë e rastësishme”.
Por në të vërtetë, në shumë momente të këtij filmi hasim në këtë “koincidencë të rastësishme”. Sikur kjo është motivi i Berishës për të krijuar koincidenca shpërthyese dhe emocionale të cilat në vete bartin edhe moralin e të qenit i mallkuar me ëndrrën e artit e edhe të të qenit i bekuar me këtë ëndërrim.
Duke iu kthyer fillimit të këtij shkrimi, pyetemi, a ia vlen arti/aktrimi në luftë? A ia vlente aktrimi në luftë, në Kosovë? Derisa shohim skenat në Tiranë të trupës teatrore të Prishtinës, teatrit Dodona, derisa shohim sytë shkëlqyes të tyre, derisa shikojmë në shkëlqimin e lirisë në sytë ngadhënjyes të njeriut mbi ëndrrën e tij, në aktorët kosovar të filmit “Flying Circus”, ia vlen gjithmonë. Është ngadhënjim mbi absurdin e luftës dhe absurdin e të ligës së njeriut, është ngadhënjim mbi dhunën! / KultPlus.com
Saktësisht 48.4 për qind e qytetarëve të Kosovës janë të gatshëm të largohen nga vendi, bazuar në një anketë të Grupit për Studime Juridike dhe Politike.
Duke u bazuar në të dhënat e anketës me 1065 qytetarë në shtrirje në nivel vendi, kryer sivjet, GLPS ka nxjerrë të dhëna shqetësuese në lidhje me gatishmërinë për të migruar. Raporti nxjerr vendin edhe më keq se në periudhën e vitit 2015 kur ishte vala e largimit ilegal të qytetarëve. Në anketën e kryer sivjet qytetarët janë pyetur lidhur me efektin e pandemisë për të parë nëse pasojat e pandemisë kanë ndikuar në gatishmërinë e qytetarëve për të migruar, në remitenca dhe në punësim.
“Të gjeturat e anketës tregojnë një rezultat shqetësues në lidhje me gatishmërinë për të migruar pasi të dhënat paraqesin përqindjen më të lartë të raportuar nga të gjitha valat e anketave të realizuara, madje edhe më të larta se gjatë valës së madhe të migrimit në vitin 2015. Më saktësisht, 48.4 % e të anketuarve janë të gatshëm të migrojnë. Gatishmëria për të migruar është rritur me 23% dhe 30% në vitin 2020, krahasuar me 2015 dhe 2019, respektivisht”, thuhet në njoftim të GLPS-së, ku bëhet e ditur se tash gatishmëria e lartë për të migruar nuk përkthehen në migracion të paligjshëm.
Statistikat e Eurostatit tregojnë se numri i azilkërkuesve te kosovarët ka rënë ndjeshëm në 2019, krahasuar me katër vjet më parë, nga 73 mijë kërkesa në 2300.
Rezultatet e anketës kanë treguar se më shumë se 60 për qind e qytetarëve që dëshirojnë largimin do të konsideronin migrimin e përhershëm. Rezultatet tregojnë se mungesa e shpresës për gjendjen ekonomike, politike e shoqërore janë arsyet kryesore për dëshirën për ikje.
Shumica e të anketuarve që janë të gatshëm të migrojnë fajësojnë qeverinë dhe partitë, duke e portretizuar dështimin e institucioneve për të përmbushur pritjet e qytetarëve.
“Ndryshe nga anketat e mëparshme, tre arsyet kryesore që do të bindnin individët të mos migronin janë mundësitë më të mira të punësimit dhe pagat më dinjitoze, stabiliteti politik dhe përmirësimi i situatës ekonomike. Të dhënat sugjerojnë se gatishmëria për të migruar është më e lartë në mesin e familjeve që raportojnë të kenë pranuar remitanca”, thuhet në sqarimin për arsyet që mund të bindin sivjet njerëzit për të mos lëshuar Kosovën.
Gatishmëria për të ikur nga vendi rezulton të jetë më e lartë te burrat se te gratë, te e cila gjini ka pasur rritje të gatishmërisë për migrim ndër vite. Të dhënat tregojnë se moshat më të reja janë të gatshme për largim.
Gatishmëria më e lartë për migrim është në Prishtinë me 56 për qind, sipas GLPS-së.
Punëtorët sezonalë (78.8%), ata të sektorit privat (66.8%)dhe studentët (54.5) janë kategoritë që kanë përqindjen më të lartë të gatishmërisë për migrim.
Sa i përket edukimit, gatishmëria për të migruar është më e larta midis atyre me disa vite të arsimit të mesëm, atyre me arritje të arsimit të mesëm dhe studentëve.
Individët me të ardhura më të ulëta, mes 150 dhe 300 euro, janë kategoria me gatishmërinë më të lartë për largim. Rreth 43.7 për qind e qytetarëve me të ardhura personale prej 900 deri 1200 euro janë të gatshëm për migrim, duke fajësuar kryesisht politikën.
Te të anketuarit pohohet se pandemia ka ndikuar në shpeshtimin e remitancave. Sipas të dhënave, diaspora deri në tetor ka dërguar rreth 800 milionë euro më 2020. /KultPlus.com
Kitaristi i njohur shqiptar, Petrit Çeku ka arritur të fitoj çmim nga Shoqata kroate e muzikës, shkruan KultPlus.
Çeku ka njoftuar nëpërmjet rrjeteve sociale se e ka fituar çmimin “Milka Trnina” nga Shoqëria Kroate e Muzikantëve. Këtë çmim ai e ka fituar bashkë me sopranon Marija Kuhar Šoša dhe ansamblin Camerata Cantily.
“Është nder i nivelit të lartë të përmendesh krahas shumë muzikantëve të jashtëzakonshëm kroatë që kanë marrë këtë çmim në 62 vitet e fundit”, ka shkruar Çeku.
Petrit Çeku ka performuar nëpër shumë vende me magjinë e kitarës së tij. / KultPlus.com
Ish-gjykatësja famëkeqe serbe e viteve ’90 në Prishtinë, Danica Marinkoviq pretendon se mund ta rindërtojë çdo sekondë të ‘hetimit’ të saj për Reçakun. Në një intervistë për “Novosti”, ajo e ka konsideruar masakrën e Reçakut si veprim anti-terrorist nga ana e Serbisë.
“Ajo ka qenë shembull klasik i veprimit anti-terrorist, ligjor dhe legjitim, i policisë sonë kundër anëtarëve të UÇK-së. Në Hagë, unë dëshmova se William Walker erdhi për të shpikur një skenar që ishte arsyeja e bombardimeve më 1999. Kjo ishte fitore e jona”, tha ajo, duke komentuar deklaratat e fundit të ish-ambasadorit amerikan të OSBE-së, William Walker se Raçaku ishte masakër civilësh për të cilën gjeneralët dhe ministrat serbë nga qeveria e Sllobodan Millosheviqit duhet të akuzohen nga një gjykatë speciale.
Marinkoviq kujtoi se ajo ishte dëshmitare në gjykimet kundër Sllobodan Milosheviqit, Sreten Llukiqit dhe Vllastimir Gjorgjeviqit në Tribunalin Ndërkombëtar të Hagës.
“Unë shkova në Hagë me një çantë të mbushur me prova. ‘Ju i shpëtuat dhe i sollët të gjitha?’ më pyeti Millosheviqi, kur e pashë për herë të parë në jetën time. Ai shtoi se ne duhej të provonim se serbët nuk ishin një popull që ka kryer gjenocid. Unë dëshmova në detaje, prova, unë fola aq shumë sa më në fund ata më thanë: ‘Nuk kemi kohë, përgjigju po ose jo’. Ata i morën dëshmitë dhe Reçaku nuk ishte në asnjë aktakuzë”, tha Marinkoviq.
Ajo tha se i vjen keq që s’mundi ta takonte personalisht Walkerin, i cili sipas saj duhet të gjykohet.
“Kur gjykatësi hetues shkon në vendin e ngjarjes dhe mbledh prova, nuk ka asgjë më të fortë se kjo. Gënjeshtrat e Walker janë të shkurtra. Imagjinoni, ai shfaqet tani, dhe bashkëpunëtorja e tij, Helena Rant rrëfeu se çfarë po ndodhte në Racak, ndërgjegjja e saj funksionoi. Walker duhet të gjykohet, më vjen keq që nuk e takova kurrë për t’i thënë gjithçka që kam. E takova zëvendësin e tij, John Drenkijeviq dhe ai më ndaloi të hyja Raçak, më kërcënoi me Hagë. Unë e dija se ata po fshehin diçka”, tha Marinkoviq.
Mariknoviq ishte gjykatësja që e kishte dënuar Albin Kurtin, në vitin 1999, kur Kurti ishte pjesë e Zyrës së UÇK-së në Prishtinë e cila drejtohej nga Adem Demaçi e ku Kurti ishte si ndihmës i tij dhe përkthyes. /Express/ KultPlus.com
Ka vdekur sot në moshën 59-vjecare pas një lufte me Covid-19, kornisti Andrea Canaj.
Kornisti Canaj e nisi karrierën e tij artistike në vitin 1988 si kornist pranë Orkestrës së Teatrit të Operas dhe Baletit në Shqipëri dhe nga viti 1990 deri në vitin 2000 ka qenë kornist i parë i Orkestrës. Më pas, ka punuar si kornist i parë dhe në Orkestrën Simfonike të RTSH dhe njëkohësisht ka qenë pedagog pranë Universitetit të Arteve.
Shquhet për optimizmin e tij dhe kujtohet me dashuri nga miqtë e tij muzikantë të cilëve u është gjendur gjithmonë pranë.
Për vdekjen e Canaj kanë shprehur ngushëllimet e tyre edhe Filharmonia e Kosovës, pasi ai ishte bashkëpunëtor shumëvjeçar i Filharmonisë së Kosovës.
“Me dhembje të madhe e morëm lajmin për ndarjen nga jeta të bashkëpunëtorit shumëvjeçar të Filharmonisë së Kosovës, kornistit Andrea Canaj. Ngushëllime familjarëve, miqve dhe kolegëve. Prehu në paqe Andrea!”, kanë shkruar në faqen zyrtare të Filarmonisë. / KultPlus.com
Gazetari turk me prejardhje shqiptare, Can Dündar është dënuar me 27 vite burg nga një gjykatë e Stambollit, shkruan KultPlus.
Ish-kryeredaktori i gazetës “Cumhuriyet, e njohur për mbrojtjen e vlerave republikane, mori këtë denim për mbështetje të terrorizmit dhe spiunazhit ushtarak ose politik.
Can Dündar i cili nga ana e nënës ka prejardhje shqiptare në vitin 2015 kishte botuar dëshmi se si shërbimi sekret turk furnizoi me armë terrotistët e “Shtetit Islamik”.
Tani në internim në Gjermani, ish-kryeredaktori i gazetës turke të opozitës Cumhuriyet u gjykua në mungesë.
Gjyqtarët në gjykatën “Caglayan” të Stambollit lëshuan vendimin pavarësisht nga mungesa e ekipit të mbrojtjes. Avokatët e Dündar thanë se ata nuk do të merrnin pjesë në seancën përfundimtare, duke cilësuar akuzat si të motivuara politikisht.
Gjykata vonoi vendimin e saj pasi avokatët e Dündar kërkuan që gjyqtarët të zëvendësohen për të siguruar një gjykim të drejtë, mirëpo kjo kërkesë u refuzua.
Can Dündar është autor i 20 librave dhe i disa programeve dokumentare. / KultPlus.com
Filmi “Sandokan” ka qenë ndër më të pëlqyerit dhe të dashurit e të gjitha kohërave, ku roli kryesor interpretohej nga aktori Kabir Bedi.
Sandokani do të rikthehet sërish, por tashmë nën interpretimin e një tjetër aktori, i cili është me origjinë shqiptare.
Turku Can Yaman do të interpretojë rolin e piratit rebel, mititi të viteve ’70-’80.
Seriali pritet të transmetohet vitin e ardhshëm, dhe do të ketë praninë e aktorëve të njohur italianë si Luca Argentero dhe Alessandro Preziosi.
Lindur në Stamboll, aktori 31-vjeçar ka pohuar vetë origjinën e gjyshërve të tij, ndërsa babai i tij ishte djali i një emigranti nga Prishtina.
“Nga ana e babait tim flasin shqip, por unë nuk flas se jam rritur me familjen e nënës”, ka deklaruar aktori, që ka pohuar edhe se ka ndenjur disa kohë në Tiranë.
Yaman nuk është aktori i vetëm turk që ka deklaruar prejardhje shqiptare. Diçka të tillë e kanë deklaruar publikisht emra të njohur si Kivanç Tatlitug, Halit Ergenç dhe Engin Altan Dyzyatan. /dp/ KultPlus.com
Kultura finlandeze e saunës i është shtuar listës së trashëgimisë kulturore jomateriale të agjencisë kulturore të UNESCO-s.
“Banjot në sauna janë një pjesë përbërëse si e jetës së përditshme dhe e festave, ashtu edhe e mirëqenies dhe stilit të jetesës për popullin finlandez”, tha Annika Saarikko, ministre e Shkencës dhe Kulturës.
“Kjo do ta bëjë kulturën tonë të saunës edhe më të njohur në të gjithë botën”, shtoi ajo.
Pothuajse 90 % e 5,5 milionë banorëve të Finlandës bëjnë një sauna një herë në javë, në një vend që numëron rreth 3,2 milionë sauna.
Kjo është hera e parë që Finlanda hyn në listën e trashëgimisë kulturore jomateriale të UNESCO-s, e cila përfshin tradita dhe njohuri të ndryshme kulturore, që transmetohen përmes traditave gojore, arteve skenike, ritualeve dhe festave./ atsh/ KultPlus.com
Viti 2020 ka sjellë fotografi shumë të mira, prekëse e të fuqishme.
Një e tillë e realizuar në Australi, është zgjedhur fotoja fituese në “Ocean Photograph Awards” të revistës Oceanographic. Fotografi gjerman fitoi çmimin “Community Choise” të kësaj reviste.
Fotografia është realizuar nga Tobias Baumgaertner në Melburn, njofton BBC-ja.
Fotografi tha se kishte qëndruar gjatë në këtë vend, për të kapur këtë moment kur pinguinët po e ngushëllonin njëri-tjetrin pasi kishin humbur partnerët e tyre. / KultPlus.com
Festivali i 59-të i Këngës i cili është duke u mbajtur aktualisht në sheshet e kryeqyteti shqiptar ka rikthyer dhe një herë zërin e magjishëm të Vaçe Zelës në skenën e këtij festivali, shkruan KultPlus.
Ishte fotografi e Vaçe Zelës ajo që mbuloi skenën e improvizuar, kurse zëri i saj kumbonte përmes radios së vendosur mbi pianon që shoqëroi shumë këngë të pavdekshme të mbretëreshës së këngës shqipe.
Për pak minuta Vaçe Zela u dëgjua Vaçe Zela duke folur për pallton dhe miqtë e saj kurse fare në fund u dëgjua edhe zëri i saj i magjishëm./ KultPlus.com
Sonte, në një solemnitet online, në Prishtinë është ndarë nga grupi Koha çmimi “Rexhai Surroi” për letërsi dhe gazetari. Ky çmim, për vitin që po lëmë pas, 2020, i është ndarë romanit ‘Nënë, më fol për ëndërrimtarët’, të Shkumbin Gashit, një shkrimtari të ri ri, i cili prej disa vitesh jeton në Zvicër, shkruan KultPlus.
Me këtë rast, Gashi u është drejtuar miqve të tij virtual me falënderimin që po e publikojmë në vijim: Sot pranova Çmimin prestigjioz të letërsisë, “Rexhai Surroi” për vitin 2020 dhënë nga Grupi Koha. Është padyshim dhurata më e mirë që do të mund të pranoja në – thënë më së lehti – fund të këtij viti për t’u mbajtur në mend përgjithmonë. Siç thoshte Huxley, “Kujtesa e çdonjërit është letërsia personale e tij”, e për mua viti 2020 përbën një kapitull të madh të veprës voluminoze të kujtesës.
Laureatë të mëparshëm të Çmimit “Rexhai Surroi” janë shkrimtarë të mëdhenj të letërsisë shqipe, prej Ismail Kadaresë e Agron Tufës, te Zija Çela, Kim Mehmeti, Binak Kelmendi, Mira Meksi e Ridvan Dibra, e të tjerë shkrimtarë të vlerësuar të letërsisë sonë. Është një ëndërr e bërë realitet për mua dhe një nder i jashtëzakonshëm të jem në mesin e emrave të tillë, të cilët i kam lexuar me zell e admirim.
Thonë se për të rritur një fëmijë lypset një fshat i tërë. Për një vepër letrare, që unë e quaj fëmijë timin, ndonëse tani fëmija bën rrugën e vet, kërkohet jo vetëm një ide. Jo vetëm net e net pa gjumë, krijim e rikrijim, lexim e rilexim.
Nevojiten edhe njerëz që të mbështesin nga afër. Si në rrafshin personal, po aq në rrafshin e krijimit letrar. Falënderoj gruan time që pati durimin dhe qe lexuesja ime e parë e shkarravinave që gradualisht u bënë fjali, paragrafë e kapituj. Falënderoj redaktoren time Kaltra Bardhi për punën profesionale dhe të palodhshme. Falenderoj Shtëpinë Botuese “Pema” me ekipin e jashtëzakonshëm që e latuan punën time dhe i dhanë formën e duhur. Dhe, kuptohet, falenderoj Jurinë e nderuar të Shtëpisë “Koha” për vlerësimin.
Shkumbin Gashi jeton prej disa vitesh në Olten të Kantonit të Soloturnit. Ai është duke doktouar për psikologji klinike dhe psikoterapi ne Universitetin e Bernës./ KultPlus.com
Festivali i 59-të i Këngës është duke u mbajtur aktualisht në Tiranë. Përpos këngëve konkurruese të cilat kanë marrë zë gjatë natës së sontme, ka qenë edhe Petrit Çarkagjiu si i ftuar special i kësaj nate shkruan KultPlus.
Në skenën e magjishme të Festivalit të Këngës mu në sheshet kryeqyteti shqiptar Çarkagjiu ka performuar këngën e tij Vajza e Tokave të Diellit.
Çarkagjiu përpara performimit theksoi se spoti i kësaj kënge i cili është xhiruar në Stamboll ka kapur disa nga pamjet më piktoreske të këtij vendi, që në zhurmën e përditshme dhe grumbullin e madh të njerëzve nuk mund të vërehen./ KultPlus.com