Akademia e Shkencave e Shqipërisë, në nderim të 85-vjetorit të akademikut Ismail Kadare, do të organizojë një veprimtari shkencore me temën “Ismail Kadare, shkrimtar shqiptar në letërsinë botërore”, përcjellë KultPlus.
Gjatë kësaj veprimtarie do të prezantohen disa kumtesa dhe pas kumtesave, Akademia ka bërë me dije se do të jepet edhe njoftimi për rikandidimin e shkrimtarit Ismail Kadare për çmimin Nobel në Letërsi nga kryetari i Akademisë së Shkencave, akad. Skënder Gjinushi.
Veprimtaria do të mbahet më 28 janar 2021, ora 12.00, në Akademinë e Shkencave, në sallën “Akademikët”. / KultPlus.com
TO GO WITH STORY BY LAURENT LOZANO
Albanian novelist Ismail Kadare gestures during an interview with AFP on February 8, 2015 in Jerusalem. Born in 1936 in the Albanian mountain town of Girokaster, Kadare has won a number of prestigious prizes including the first international Man Booker Prize in 2005. AFP PHOTO/ GALI TIBBON
Akademia e Shkencave e Shqipërisë, në nderim të 85-vjetorit të akademikut Ismail Kadare, do të organizojë një veprimtari shkencore me temën “Ismail Kadare, shkrimtar shqiptar në letërsinë botërore”, përcjellë KultPlus.
Veprimtaria do të mbahet më 28 janar 2021, ora 12.00, në Akademinë e Shkencave, në sallën “Akademikët”.
Në këtë veprimtari, fjalën e hapjes do ta mbajë kryetari i Akademisë së Shkencave, akad. Skënder Gjinushi.
Më pas do të vijojë kumtesa me temë “Kadare në letërsinë europiane botërore”, që do të mbahet nga drejtori i Bibliotekës Kombëtare në Tiranë, Pirro Misha, dhe më tej kumtesa e studiuesit të letërsisë shqipe, prof. Bashkim Kuçukut, me temën “Kadareja në kritikën botërore, një paraqitje enciklopedike e ndërkombëtarizimit të veprës së shkrimtarit shqiptar; paraqitje e dy vëllimeve të para “Kadareja në kritikën franceze”.”
Pas këtyre kumtesave, do të jepet njoftimi për rikandidimin e shkrimtarit Ismail Kadare për çmimin Nobel në Letërsi nga kryetari i Akademisë së Shkencave, akad. Skënder Gjinushi, dhe më pas do të çelet ekspozita fotografike me foto dhe dëshmi që lidhen me momente kyçe të jetës së shkrimtarit, përgatitur nga Roland Tasho. / KultPlus.com
Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, në kuadër të përkrahjes së pushtetit lokal në Kosovë, ka nënshkruar memorandum për themelimin e kolegjiumit për kulturë, rini e sport, në Asociacionin e Komunave të Kosovës me synim rritjen e koordinimit mes pushtetit qendror dhe pushteteve lokale në fushat përkatëse që janë në interes të MKRS-së.
Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, në emër të MKRS-së, e ka nënshkruar memorandumin e bashkëpunimit me Sazan Ibrahimin, Drejtor Ekzekutiv i Asociacionit të Komunave të Kosovës (AKK).
Qëllimi i memorandumit është mbështetja e MKRS-së për themelimin për herë të parë, të kolegjiumit të kulturës, rinisë dhe sportit, ku janë të përfshira edhe trashëgimia kulturore, e drejta e autorit dhe të drejtat e përafërta.
Ky është kolegjiumi i 18 i themeluar nga AKK, i cili është në funksion të nxitjes për krijimin e njohurive të reja, përmirësimin dhe promovimin e punës së zyrtarëve komunal duke zhvilluar dhe ofruar shkëmbim përvojash dhe trajnime në mbështetje të zhvillimit të qëndrueshëm në komunat e Republikës së Kosovës, krejt kjo me qëllimin final të avancimit të fushave që i mbulon Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.
MKRS-ja nëpërmjet memorandumit përkrah financiarisht themelimin e këtij kolegjiumi duke mundësuar takimet e rregullta të drejtorëve të drejtorive komunale për kulturë, rini dhe sport, takime në të cilat do të merr pjesë gjithmonë edhe një përfaqësues i MKRS-së.
Takimet do të mbahen në baza të rregullta periodike kohore me 4 deri në 6 takime për çdo vit, ku përpos shkëmbimit të përvojave të drejtorive komunale do të bëhet identifikimi i kërkesave për trajnime dhe ngritje të kapaciteteve komunale për fushat që i mbulon MKRS-ja në mandatin e saj.
Me këtë rast, ministrja Dumoshi, vlerësoi se bashkëpunimi i MKRS-së me AKK-në është i një rëndësie tejet të veçantë pasi konkretizohen hapat e mëtejmë për rritjen e koordinimit mes pushtetit qendror dhe pushteteve lokale në fushat përkatëse që janë në interes të MKRS-së.
“Asociacioni po bën një punë të madhe në koordinimin e komunave, gjë e cila ua lehtëson dhe mundëson edhe ministrive që të kenë një komunikim konkret me përfaqësues të komunave të Kosovës. MKRS-ja punën më të madhe e bën nëpër komunat e Kosovës pa përjashtim. Fjala vjen, në fushën e sportit kemi 88 projekte në investime kapitale, me buxhet të përcaktuar. Gjithashtu, ministria ka edhe projekte tjera financiare në fushën e kulturës, rinisë dhe fushat tjera të cilat janë në domenin e saj, e të cilat investohen nëpër komunat e Kosovës”, e informoi ministrja Dumoshi drejtorin e AKK-së.
“Është vlerësim i yni që nëpër komuna ka mungesë të kapaciteteve, sidomos në trashëgimi dhe ky kolegjium është hapi i parë i cili do të ndikojë në caktimin e prioriteteve për të ardhmen dhe do të sigurohen informatat e nevojshme për kërkesat nevojshme që kanë komunat”, tha tutje ministrja Dumoshi, duke potencuar faktin se MKRS-ja është e gatshme të marrë pjesë në këto takime të kolegjiumit.
Nga ana e tij, drejtori Sazan Ibrahimi, e falënderoi ministren për mbështetjen e dhënë të MKRS-së, përmes të cilës mundësohet themelimi i kolegjiumit.
“Përmes këtij mekanizmi të themeluar mbrohen interesat e komunave në rend të parë në fushat e kulturës, rinisë, sportit, trashëgimisë e të drejtës së autorit. Mundësohet identifikimi për trajnime dhe ngritje të kapaciteteve komunale në këto fusha dhe organizimi i takimeve të rregullta”, tha Ibrahimi. / KultPlus.com
Në fund të muajit nëntor të vitit të kaluar është hapur konkurs për Drejtor Artistik në Teatrin Kombëtar të Kosovës dhe pikërisht ndaj këtij konkursi ka reaguar Shoqata e Artistëve të Teatrit të Kosovës të cilët e kanë konsideruar në kundërshtim me ligjin për Teatër.
Sipas tyre kjo pozitë, në bazë të legjislacionit në fuqi nuk ekziston fare. Pra, konkursi në fjalë është hapur për një pozitë të punës e cila nuk ekziston në strukturën e Teatrit Kombëtar të Kosovës, andaj kërkohet edhe anulimi i menjëhershëm i këtij konkursi dhe të hapët konkursi i ri, shkruan KultPlus.
KultPlus ju sjell edhe reagimin e plotë të SHATK-së:
Kërkesë ndaj MKRS për anulim të Konkursit me nr. Reference 4163/2020 (Titulli i punës: Drejtor Artistik; Institucioni: Teatri Kombëtar i Kosovës)
Datë: 25 Janar 2021
Ref: K-01/21
Shoqata e Artistëve të Teatrit të Kosovës (SHATK) me vëmendje të shtuar është duke e përcjellur procesin e përzgjedhjes së udhëheqësve të ri të Teatrit Kombëtar të Kosovës.
Në kuadër të mandatit të shoqatës është realizuar një vlerësim i dokumenteve bazike të Konkursit Zyrtar të hapur nga Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sportit. Gjatë këtij vlerësimi është vënë re që njëri prej dy konkurseve është në kundërshtim me ligjin për Teatër. Në Konkursin me referencë 4163/2020 specifikohet Titulli i Punës i konkursit që është “Drejtor Artistik”. Kjo pozitë, në bazë të legjislacionit në fuqi nuk ekziston fare. Teatri Kombëtar i Kosovës ka vetëm një drejtor, atë të Përgjithshëm. Njëherit ka edhe udhëheqës të ndryshëm, ndër ta edhe Udhëheqësin Artistik.
Pra, Konkursi në fjalë është hapur për një pozitë të punës e cila nuk ekziston në strukturën e Teatrit Kombëtar të Kosovës. Si i tillë ky konkurs nuk është valid, dhe është jo-legjitim. Për këtë arsye SHATK kërkon që ky konkurs të anulohet menjëherë, dhe pa humbur kohë të hapet konkursi për Udhëheqësin Artistik të TKK.
Me respekt,
Bordi Ekzekutiv i Shoqatës së Artistëve të Teatrit të Kosovës:
Në fillim të kam shkru letra çdo gjashtë muaj, kësaj radhe kaluan vite. Me fal nuk kam qenë vetja ime ma e mirë edhe kjo më dhemb. Shpesh mendoj nëse prania jote do të ndryshonte shumë gjëra atje në dimensionin e kohës.
E dashtun, kam qenë në vendin ku ti je rritë, kam shkel në vendet që ti ke lozë me shoqe e jam ulë në çdo vend ku mbaja mend që ti je ulë, është i vetmi vend që nuk ka ndryshu përveç se ti nuk je ma aty, muret mi tregojnë të qeshurat e tua, e ninullat që mi ke këndu sahere që m’ke vnu në gjumë. Kisha dashtë me u kthy në kohë veç me të perqafë nji minut ma shumë, e me të thanë të du edhe njihere. Zanin tand ndonjiherë nuk e mbaj mend e mbys vetën tu u mundu me e kujtu, çka është e çuditshme, atëherë kur nuk e pres me vjen nji za, e kujtoj, më duket si i yti, kthehem por ti nuk je askund.
E dashtun, para disa dite ke pas ditëlindjen, nuk të kam thanë urime as lule nuk të kam sjell te varri, fotografin tande në dhomë nuk e shikoj ma. Aty je gjithmonë e re, unë do të plakem e ti do ta kesh shikimin me nji vend, gjithmonë e njëjtë, portret i ngrirë në kohë. Kisha dashtë me të pa teksa plakesh, teksa ballin tand e mbulojnë rrudhat. Tringëlloj çuditshëm por të tjerët nuk e din sa bekim i madhe është kjo.
E dashtun, më fal që nuk të kam shkru, janë ba vite. Ti e din se gjithmonë të kam në mendje. Letrat janë te kutia qe ma ke ba dhuratë, nëse vjen përmes dimensioneve e unë jam në gjumë më zgjo se më ka marr malli. / KultPlus.com
Znj. Kadare, dua t’ju falënderoj për kohën tuaj, fillimisht! Uroj të jeni mirë me shëndet, ju dhe gjithë familja juaj! Në këtë kohë të vështirë për të gjithë, me çfarë po merreni aktualisht? Po shkruani ndonjë libër të ri, po përktheni ndonjë vepër apo ia keni kushtuar vetëm leximit?
Helena Kadare: Në të vërtetë, koha që po jetojmë është jo vetëm e vështirë, por dhe e panatyrshme. Njerëzit kanë humbur referencat e asaj lënde të çmuar që përbën jetën njerëzore. Pa dyshim ky stil i ri jete, pa kontakte direkte, pa e parë në sy bashkëfolësin, përveçse përmes zërit që sjellin antenat, ka krijuar një farë çorientimi, të themi. Ndaj, sikurse gjithë të tjerët, përpiqem t’i vë jetës së përditshme një farë drejtpeshimi, pa deformuar shumë natyrshmërinë e saj. Ndryshimi është se ca kohë më parë të gjitha veprimet kryheshin sipas një ritmi jetik të përcaktuar në përditshmërinë e tyre. Por tani që rregullat e lojës janë përmbysur dhe nuk arrin të gjesh dot komunikimet e mëparshme, do apo s’do, do t’i përshtatesh anomalisë totale, pra këtij komunikimi virtual të detyrueshëm, duke kërkuar strategji të reja. Për mua konkretisht, që s’jam në një marrëdhënie pune, e vetmja gjë që mund të bëj pa kufizim dhe pa më vrarë ndërgjegjja se po lë pas dore gjëra të rëndësishme, është leximi. Duke hedhur vështrimin nga biblioteka, dora më ka gjetur vetishëm ata libra të hershëm, te të cilët kisha siguri absolute qe nuk do të më zhgënjenin. Sepse në kohën që i kam lexuar më kanë dhënë emocione të jashtëzakonshme. U gëzova që i gjeta sërish të njëjtat ndjesi. Dhe m’u kujtuan fjalët e një filozofi që thoshte: “Aftësia për t’u emocionuar apo mahnitur pas shfaqjeve të reja të jetës, tregon se ti kërkon dhe je gjithmonë gati për të mirëpritur dhe shijuar çuditë e papritura që ofron jeta. Përpos kësaj, jam duke shkruar disa tregime, temat e të cilave i kisha lënë mënjanë në një bllok te vogël, me mendimin që t’ju kushtohesha kur “të kisha më shumë kohë”… Dhe ja ku erdhi koha e tyre. Një kohë e bollshme nën optikën time, edhe pse aspak e gëzueshme.
Në këtë vit, gati gjithçka është kthyer online. Panairi, librat blihen dhe lexohen online, ju mungon takimi fizik me lexuesin? Po ju, i qëndroni besnike kopjeve fizike apo lexoni dhe libra online?
Helena Kadare: Jo. Nuk mund të them se më mungon ky komunikim ngaqë realisht, nuk ka qenë i shpeshtë takimi im me lexuesit, po të lë mënjanë shkëmbimin e mesazheve. Më mungon pa dyshim, madje shumë, takimi me njerëzit që dua dhe për të cilët më merr malli. Shikoni, në këtë pikë unë jam shumë ballkanase. Në kundërshtim me evropianët, ata të pjesës veriore, e kam fjalën, sikurse Franca, e kanë për të madhe qasjen që kemi ne, atë të prekjes apo të përqafimit spontan. Unë jam rritur në një familje, pjesëtarët e së cilës përqafoheshin gjithë kohës, për arsyen më të parëndësishme, ose edhe pa arsye fare, s’i bie fjala për të qenë në një mendim me tjetrin. Me këtë desha të them se më merr malli dhe dua t’i shoh e t’i përqafoj njerëzit e dashur. E njëjta ndjesi me shoqëron edhe me librat. Ndaj asnjëherë nuk e kam shijuar dot leximin letrar në një kompjuter. Online lexoj vetëm lajmet. Madje është puna e parë që bëj çdo mëngjes. Nuk mund ta filloj ditën pa marrë vesh më parë se ç’bëhet nëpër botë. Dhe pa dyshim e mbi të gjitha, në hapësirën tonë shqiptare. Ju e dini, lajmet që vijnë nga vendi ynë i dashur nuk janë përherë të gëzueshme. Shumë trazime, shumë sherre, moskuptime dhe idhnime vijnë prej andej. Të gjitha këto do apo nuk do, do ta trandin humorin, për të filluar një ditë të paqme. Dhe anasjelltas. Kur atje punët shkojnë mirë, dita të bëhet e bukur. Pa dyshim, është media elektronike që na i mundëson këtë. Ndërsa procesi i leximit të librit, është diçka krejtësisht tjetër. Këtu hyjmë në një univers të ri. Shpesh herë mendoj se sa dhuratë e madhe është për njerëzimin shpikja e librit. Momenti që ke në dorë një libër të mirë është një festë. Dhe leximi i tij është një çast i privilegjuar. Mbajtja në dorë e librit s’ka asgjë të përbashkët me ndjesitë e ftohta që përcjellin makineritë. Qofshin dhe ato më të sofistikuarat. Ju mund të më gjykoni që këto që po them janë shijet e një brezi të tejkaluar. Dhe ndoshta keni ju të drejtë. Por pyetja juaj ishte për mua dhe jo për të tjerët. Dhe unë ju thashë atë që mendoj. Elektronika është e hatashme në shkencë dhe në shumë fusha të tjera, por jo për letërsinë. Sepse ajo që përftohet nga leximi i një libri të mire është diçka kaq magjike, kaq sublime sa është vështirë ta konkurrojë diçka tjetër.
Kam parë shpesh në paraqitjet tuaja publike, të thoni se jeni e para që lexoni dorëshkrimet e Ismail Kadaresë, shkrimtarit të madh, por dhe bashkëshortit tuaj. Sa e vështirë është që të bëni gjykim neutral dhe të ftohtë, por që vlen dhe anasjelltas?
Helena Kadare: Me thënë të drejtën, nuk ka qenë aspak e lehtë. Sidomos në fillim. Së pari nga droja që kisha para admirimit total të veprës së tij. Për mua, gjithçka që dilte prej penës së tij, ngjante si ylber i zbritur nga qielli. Isha studente e letërsisë dhe e kuptoja mirë me çfarë arti kisha të bëja. Ishte si të thuash, një pëlqim pa rezerva. M’u desh një farë kohe të pranoja se krahas entuziazmit që vinte pas leximit të menjëhershëm, të shihja nganjëherë edhe hijet, krahas dritës. Dhe kryesorja, të bindja veten që mund ta thosha lirisht atë që mendoja. Në fakt, kjo ishte dhe ndihma më e drejtë, që mund t’i jepet njeriut të afërt. Por e gjitha kjo gjë është një proces i ndërlikuar, që vjen natyrshëm me kalimin e kohës, me përvojën, pjekurinë e mendimit dhe mbi gjithçka, sigurinë e brendshme, që vërejtja po ndihmon dhe asnjëherë e kundërta. Gjithsesi ky mirëkuptim i ndërsjellë kërkon kohën e vet për t’u arritur. Dhe përplasjet e gjykimeve pa dyshim që janë të pashmangshme në këtë proces.
Znj. Kadare, veçse si autore, ju keni përkthyer vepra që kanë lënë gjurmë. Duke qenë vetë pjesë e këtij procesi, sa është e vështirë të jesh përkthyes në realitetin shqiptar dhe cilët janë përkthyesit shqiptarë që vlerësoni më shumë?
Helena Kadare: Konkretisht, unë vetë kam përkthyer mjaft libra të zgjedhur sipas shijeve të mia, por edhe të konsultuar disa herë me opinionin e shtypit botëror. Kam nisur përkthimin e tyre sapo kam mbyllur faqen e fundit të leximit. Me padurim. Me dashuri. Kam zgjedhur përherë librin që më ka mbushur me mrekulli. Dhe që kam dashur ta ndaj edhe me të tjerët. Sepse lexuesi shqiptar ka një veti speciale për të kapur artin e madh. Nuk e them kot dhe as rastësisht këtë pohim. Nuk është vendi për ta shtjelluar gjatë këtë temë, por puna e gjatë si redaktore në një shtëpi botuese më ka bërë të nuhas lehtësisht shijet e vërteta të lexuesve. Ka qenë një kohë, ju e dini, kur librat shiheshin me një rreptësi të frikshme para se ata të lejoheshin për botim. Lavdi Zotit, kjo kohë ka mbaruar një herë e mirë. Ndaj ruaj bindjen se lexuesi shqiptar meriton të njohë ajkën e letërsisë botërore. Pasi kam zgjedhur librin e duhur, botuesi “Onufri” ma ka pranuar propozimin dhe, për gëzimin tim të madh, publiku e ka mirëpritur zgjedhjen që kam bërë. Shumë shtëpi të tjera botuese prestigjioze kanë ndjekur këtë rrugë. Shoh me kënaqësi në librari tituj autorësh të mëdhenj botërorë. Gjithë këto shpjegime i bëra për të treguar se s’ka patur kurrfarë vështirësie apo pengese për të përkthyer librin që do. Por ndërkaq, dua të them se krahas kësaj pune të mrekullueshme, ekziston edhe një e keqe e madhe: Cilësia e dobët e përkthimit. Kam vënë re me pikëllim se libra të mrekullueshëm kanë rënë pre e përkthimeve tejet te dobëta. Të sillesh kështu me librin i bën një dëm të pallogaritshëm jo vetëm autorit, por edhe lexuesit, sidomos atij të ri, të cilit mërzia që jep një përkthim i keq ka gjasë ta zvjerdh një herë e mirë nga leximi i mirëfilltë, një erkt. Ka të ngjarë që, pas një leximi të tillë të varfër, ai ta humbë përfundimisht shijen e leximit. Fatmirësisht, vitet e fundit kanë dalë në skenë emra përkthyesish të rinj, që i bëjnë nder gjuhës shqipe nga serioziteti dhe puna plot përkushtim e tyre. Ndër përkthyesit tanë të shquar veçoj Fan Nolin dhe Petro Zhejin. Që të dy kanë sjellë në shqip, në mënyrën më mjeshtërore Don Kishotin e Mançes te Servantesit, me një pasuri dhe bukuri gjuhësore marramendëse. Përkthyes të zot kanë qenë edhe Dhimitër Pasko, Sotir Caci, Vedat Kokona, Pashko Gjeçi, Robert Shvartz.
Znj. Kadare, tek cilët libra jeni kthyer, i rilexoni me kënaqësi dhe i rekomandoni gjithmonë, se duhet të jenë patjetër në listën e të gjithë atyre që duan leximin? Në këtë kohë, kemi nevojë më shumë se kurrë për rekomandime librash dhe kur vijnë nga ju, jemi gjithë sy e vesh.
Helena Kadare: Ka shumë libra të bukur në botë, të cilët nuk duhen lënë pa lexuar. Të tillë janë domosdoshmërish “Iliada” e Homerit, “Don Kishoti” i Servantesit, “Tri gratë” e japonezit Jasushi Inue, që është quajtur nga kritika bizhuja e historisë së dashurisë japoneze, “100 vjet vetmi” i Garcia Markezit, Poemat e Anna Ahmatoves, “Zoti President” i Asturiasit, “Çifutja e Toledos e Fojtvangerit, “Shakaja” e Milan Kunderës, ” Nderi i humbur i Katerina Blumit” i Henrik Bëll. Do rreshtoja këtu edhe një libër jo shumë të njohur të një gjermaneje anonime (por që më vonë doli identiteti i saj) që ka botuar ditarin e saj nga hyrja e ushtrisë ruse në Berlin, në mbarim të Luftës së Dytë Botërore. Libri quhet “Një grua në Berlin”. Mendoj se secili prej nesh ka shumë të mësojë prej tij. Ndërkaq dua të shtoj se ka edhe shumë libra të tjerë të mrekullueshëm, por kjo listë i përket vetëm shijeve të mia. Para ca ditëve lexoja diku: Mendja jote është biblioteka jote. Shpërndaje. Atë bëra.
Për fund, znj. Kadare, do të doja dy mesazhe nga ju, një për autorët shqiptarë dhe shtëpitë botuese dhe një për lexuesit besnikë, në këtë kohë kovidiane.
Helena Kadare: Eh! Gjithmonë më është dukur gjëja më e bezdisur dhe e papërshtatshme dhënia e këshillave. Ndoshta kjo më vjen nga një kohë e largët kur të gjithë të rriturit kërkonin të më jepnin me doemos këshilla për gjithçka. Sepse kam vënë re që përvoja e të tjerëve nuk transportohet asnjëherë. Megjithatë, meqë m’i kërkoni, dy gjëra mund t’i them nga përvoja personale. Autorëve të rinj do të doja t’u kujtoja se koha nuk është kaq e pafundme sa ç’na duket kur jemi të rinj. Ndaj ajo duhet përdorur me gjithë potencialin e mundshëm në çdo moment. Një thënie e vjetër thotë: “Kur desha të dija se ç’kishte qenë jeta, ktheva kokën mbrapa të shoh, por ajo kishte mbaruar.” Ndërsa për botuesit kam vetëm një kujtesë. Vëmendja maksimale për gjuhën në librat që botojnë. Është kaq shumë e rëndësishme kjo!/dritare.net / KultPlus.com
“Në këtë kishëz në restaurim punoi Godard”, këto fjalë të shkruara nga një suvatues, në 1856, u zbuluan javën e kaluar në kantierin e qytetit Dijon, në lindje të Francës.
Nga një restaurim në tjetrin, ishte një murator që zbuloi dorëshkrimin, një shekull e gjysmë më vonë, duke zhvendosur një gur në një mur të kishës Sainte-Croix-de-Jerusalem, e ndërtuar në shekullin e XV në kryeqytetin në Bourgogne.
“Isha në proces të bëja një kanal në mur për të kaluar linjat elektrike nëpër të. Në një vrimë të vjetër të skelave, pashë një gur të lëvizte dhe prapa gjeta letrën të palosur”, tregon Victorien Coille.
Një dorëshkrim i ruajtur në mënyrë të përsosur sipas imazheve të publikuara nga e përditshmja rajonale “Le Bien Public” e cila publikoi këtë zbulim.
Një vendas nga Moloy, në veri të Dijon, tregon se Nicolas Godard ishte fillimisht një marinar, i cili ishte përjashtuar nga fregata me avull “Orénoque” pasi kishte bërë fushatën e Krimesë në moshën 18 vjeç.
Ky konflikt do të përballte Perandorinë Ruse, nga 1853 deri në 1856, me një koalicion të formuar nga Perandoria Osmane, Franca, Britania e Madhe dhe Mbretëria e Sardenjës.
“Kush vendos një ndalesë në tërbimin e valëve, di gjithashtu të ndalojë komplotet e liga”, shton Godard, një citim nga një shfaqje e Jean Racine, Athalie. Më pas vijnë emrat e punëtorëve të tjerë që ndoshta kanë punuar në këtë kishë.
Pastaj një datë, 10 gusht 1856, në pjesën e pasme të fletës, adresa e një dyqani dhe kjo përmendje e fundit: “në kohën kur shkruhen këto letra, mjerimi më i madh ekziston në Dijon”.
“Si të shpjegojmë praninë e kësaj fjale? “Në esnafët e vjetër të zanateve, gjithmonë ka pasur një dëshirë për të lënë një gjurmë, ashtu si dhe gurëgdhendësit që nënshkruan punimet e tyre”, shpjegon Bassir Amiri, këshilltar komunal përgjegjës për Arkivat dhe Trashëgiminë Kulturore./ atsh/ KultPlus.com
Nis vaji i kitarës. Thyhen kupat e agimit. Nis vaji i kitarës. Është e padobishme ta heshtësh. Është e pamundur ta ndalësh. Qan mërzitshëm sikur qan uji, sikur qan era përmbi dëborë. Është e pamundur ta heshtësh. Qan për gjëra të largëta. Për rërën e të nxehtit Jug që kërkon kamelie të bardha. Qan shigjetën pa nishan, mbrëmjen pa ag dhe të parin zog të vdekur përmbi degë. Ah, kitarë! Zemër e plagosur nga pesë shpata.
Tek Elena Qirici ishin ndërthurur gjithë cilësitë e një artisteje, talenti si këngëtare, kërcimtare dhe akrobate. Eleni Qirici lindi më 25 janar të vitit 1925 në Australi.
Bashkëngjitur talentit, bukuria e stili i veçantë që e karakterizonte në jetë, këto veçori bënë që Qirici të tërhiqte vëmendjen e shoqërive kinematografike amerikane.
Një përfaqësues i kinematografisë amerikane të Hollywood-it, “Metro – Golduin – Mayer”, i ofroi të bëhej pjesë e projektit të tij dhe ajo pranoi. Që në vitin e parë të mbërritjes në Amerikë, Qirici interpretoi disa role kryesore, në të cilat këndonte, kërcente dhe interpretonte në mënyrë të shkëlqyer. Talenti i saj shumë shpejt u mirëprit nga amerikanët. Pa vonuar, vepra e vajzës shqiptare u pasqyrua edhe në mjaft media amerikane, të cilat nisën ta krahasojnë me balerinën e famshme amerikane të kohës Eleonor Pauell.
Në verën e vitit 1938, Elena bashkë me prindërit u kthye në Korçë, ku veç kujtimeve, kishte aty edhe plot të afërm. Për t’i respektuar ajo vendosi të japë një koncert tek kinema “Majestik”, prej nga mori rrugë veprimtaria e saj artistike. Bashkë me të interpretonin edhe prindërit. Disa ditë më vonë ky koncert u dha në kryeqytet. Shtypi i kohës bënte reklamën një ditë më parë: “Të mërkurën, ora 9 në kinema “Nacional” interpreton ylli kinematografik shqiptar Elena Qirici, këngëtare, valltare dhe akrobate…”
Me talentin dhe dhuntitë e saj të lindura dhe të përsosura në shkollën e kërcimit në Vjenë, Elena ka entuziazmuar publikun e Londrës, Parisit, Vjenës, Romës, është artistja kryesore në dy filma të në Hollywood-it.
Historia e emigrimit të atit të Elenës
Familja e Nikolla Qiricit nga Korça në vitet 1890 kishte emigruar së bashku me dy djemtë e saj, Vasilin dhe Dhimitrin, në Amerikë. Aty hapën një dyqan, në të cilin punonte gjithë familja. Por Vasili dashuronte kitarën, e për këtë vendosi të largohet për 20 vjet nga shtëpia, drejt Havanës. Bashkohet me një grup instrumentistësh aty dhe fillon të luajë në kitarovajonën e tyre. Pasioni i tij për muzikën u tërhoqi vëmendjen instrumentistëve, të cilët filluan ta ndihmonin që ta përvetësonte kitarovajonën, madje dhe ta ndihmonin të hynte në shkollë muzikë. Nga Kuba emigroi në kontinentin e largët të Australisë, ku hapi kurs muzikë për të rinjtë në kitarë, kitarovajonë, mandollë, mandolinë, violinë, duke formuar kështu një formacion orkestral. Mes këtyre instrumentistëve njohu edhe bashkëshorten e tij, Rudin, me të cilën lindi dhe Elenën.
Pas martesës së Elenës dhe largimit të saj nga jeta artistike, i ati Vasili dhe nëna Rubi shkuan në Australi, ku jetuan vitet e fundit të jetës së tyre. Pavarësisht largësisë, çifti Qirici nuk i shkëputi lidhjet me Korçën, ku jetonin të afërmit. Rubi kishte mësuar kështu dhe shqipen dhe në familjen e tyre flisnin shqip.
Në këtë foto kortezi e Muzeu Kokalari, Elena 13 vjeçare është fotografuar pas një shfaqeje në Korçë, qytetin ku u rrit dhe filloi interpretimet e para, duke nderuar me përshëndetjen mbretërore. / Gazeta shqiptare / KultPlus.com
Shkrimtari i madh Ismail Kadare, në prag të 85-vjetorit të lindjes ka mbajtur një takim me të rinjtë e klubit letrar të Kavajës.
Gjatë bisedës me ta, organizuar nga Qendra Kombëtare e Librit, ai ju përgjigj pyetjeve mbi të gjitha veprat e tij letrare duke nisur nga “Pallati i Ëndrrave”.
Shkrimtari i njohur tha se “Letërsia e ka të vërtetën me vete dhe sinqeritetin po ashtu. Kur është letërsi e mirë them, ajo ka sinqeritetin në vetvete. Ju flisni për “Pallatin e ëndrrave”, që është shkruar në kulmin e diktaturës dhe duhet të ishe shumë i cekët të mos e kuptoje se kishte të bënte e regjimin që jetonim ne”, tha ai.
Duke folur për letërsinë e të shkruarin gjatë regjimit komunist, ai foli për thyerje të ligjeve të shenjta.
“Letërsia ka ligjet e veta, që janë të shenjta e që shpesh shkojnë kundër ligjeve të jetës dhe kundër autoritarizmit shtetëror. Realizmi Socialist, binte ndesh me ligjet e letërsisë dhe po t’i bindeshe mësimeve të partisë ishte të vije duart në kokë”, tha Kadare.
I pyetur nga të rinjtë për poezitë e tij dhe veçanërisht për poezinë ku i drejtohet Pushkinit, ai duke kujtuar vitet studentore rrëfeu ndihmën që kërkonte nga poeti rus.
”Ajo është një poezi që në mënyrë metaforike i jam drejtuar Pushkinit për ndihmë. Doja ndihmë që të ruaja idetë e mia nga ato që dëgjoja në leksione, doja ndihmë të shpëtoja nga parullat e propaganda”, tha ai.
Gjatë takimit me të rinjtë dhe drejtoren e Qendrës së Librit, Alda Bardhyli, Kadare si rrallëherë foli edhe për lumturinë. ”Lumturia është e pagjendshme, e paarritshme. Ndonjëherë jemi të lumtur dhe e kuptojmë më vonë, sidomos kur shkruajmë letërsi”.
Kohët më të vështira për çiftin Ismail e Helena Kadare, kanë qenë ato të botimeve të “Dimrit te madh”, “Pashallarëve të kuq” dhe “Pallatit të ëndrrave”.
Sipas Helena Kadaresë sidomos pas Pallatit të Ëndrrave ata kaluan një torturë.
Në këtë 85-vjetor një lajm i mirë vjen nga Franca ku një produksion ka blerë të drejtat e librit me kujtime të Helenës, “Kohë e pamjaftueshme” për ta bërë film.
“Ju e dini që kam botuar një libër me kujtimet tona. Dhe na kanë kërkuar të drejtat për ta bërë film në Francë. Do jetë një film artistik. Po merren me gjetjen e aktorëve tani. Sigurisht ata e dinë si do e trajtojnë do zgjedhin vetë pjesët që duan”, tha Helena Kadare.
Takimi me të rinjtë u mbajt në Qerret, pranë shtëpisë ku prej muajsh çifti Kadare po kalon periudhën e pandemisë. /News24 / KultPlus.com
Aktori 78-vjeçar, Ian McShane, ka bërë të ditur se beson që filmi i ardhshëm i mbushur me skena aksion, “John Wick”, ku ai e luan rolin e Winstonit krahas yllit hollywoodian Keanu Reeves, do të xhirohet gjatë këtij viti, ani pse është shtyrë disa herë si pasojë e pandemisë së koronavirusit.
“Keanu dhe unë kemi shkëmbyer urime për Vitin e Ri, duke i thënë njëri-tjetrit se shpresojmë të shihemi këtë vit. E di që skenari i vazhdimit të katërt të filmit ‘John Wick’ është duke u shkruar, dhe po shpresojmë që ta xhirojmë atë gjatë vitit 2021. Megjithatë ishte lajmëruar se vazhdimi i katërt dhe i pestë i filmit të njohur aksion do të xhirohej në një njëjtën kohë, mbetet të shihet çfarë do të ndodhë. Studiot filmike bëjnë paralajmërime të ndryshme. Por nuk kam dyshime se dikur gjatë këtij viti, do të kemi mundësi t’i kthehemi xhirimeve të këtij projekti shumë të dashur për publikun”.
McShane gjithashtu reflektoi mbi suksesin e filmave aksion, duke e pranuar se nga fillimi e kishte ditur se ky projekt i përmban të gjitha elementet për t’u shndërruar në film hit të Hollywoodit.
“Filmi e përfshinë një kastë të mrekullueshme aktorësh, dhe filmi i parë e përmbante një skenar vërtetë të mirë. I dyti nuk ishte edhe aq i mirë, por njerëzit tashmë ishin dashuruar në këtë film dhe e pranuan atë. Mendoj se vazhdimi i tretë ishte i jashtëzakonshëm kështu që edhe publiku i nda i kënaqur me të. Unë gjithmonë mendoja se ishte një film që do të shndërrohej në hit, për shkak të Keanus, gruas së tij të vdekur, një qeni dhe një veture të bukur. Pra i përmbante të gjitha elementet dhe nuk kishte si të dështonte”.
Para ca kohësh ishte zbuluar lajmi se vazhdimi i katërt dhe i pestë i filmit “John Wick” do të realizoheshin në të njëjtën kohë, por regjisori i tyre Chad Stahelski ka bërë të ditur se prioritet po i jep vazhdimit të katërt. / KultPlus.com
“DTIC – Defense Technical Information Center” ka botuar, me 25 janar 1990, në faqet n°1 dhe 3, një intervistë ekskluzive të Leka Zogut I për një media serbo-kroate (Novosti Osam) me gazetarin Momcilo Popovic, të cilën, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar:
Leka stërvit forcat ushtarake jashtë vendit për të “ndihmuar” shqiptarët
…Rezidenca e tij në një periferi të Johanesburgut është e mbrojtur vetëm nga një truprojë, megjithëse ai pretendon se ka pasur deri në gjashtë përpjekje për ta vrarë në vitet e fundit.
Megjithatë, truproja i lartpërmendur është padyshim i armatosur dhe i trajnuar profesionalisht. Ai kontrollon me kujdes çdo vizitor në çdo kohë. Gjashtë qen janë gjithashtu në krah gjatë gjithë kohës. Vetë Leka I, i cili është i gjatë 180 centimetra, mban një pistoletë dhe një thikë zbukuruese në rripin e tij.
“Një pistoletë dhe një thikë në brezin e dikujt,” shpjegoi ai, “janë pjesë e traditës sonë. Ky është zakon për të gjithë shqiptarët e rritur.”
“Unë nuk dua një mbrojtje të madhe sepse jam optimist. Mbi të gjitha, ndiej që fundi i pritjes sime për tu kthyer në atdhe po afron. Ky vit do të jetë shumë i zymtë, dhe kështu e dërgova stafin tim me pushime, sepse më vonë ata nuk do të kenë shumë mundësi për këtë.” – deklaroi Leka I.
Ashtu si një hero komik, Leka I beson se gjashtë atentatet u organizuan “nga Jugosllavia”, “në përgjigje të pozicioneve të mia kritike në lidhje me Kosovën”.Edhe pse ai nuk citoi ndonjë provë, ai “e di” këtë. I pyetur, para së gjithash, sa dinte për situatën aktuale në Shqipëri dhe si e shikonte atë, “Madhëria e Tij” u përgjigj me emocion :
Leka I :Për vite me radhë, unë kam qenë jashtëzakonisht i informuar për të gjitha ngjarjet në vendin tim. Në fund të muajit të kaluar, trazirat, ose rebelimi popullor, në Shkodër dhe Kukës u shtypën pa mëshirë. Kjo është vetëm e përkohshme, megjithatë, pasi raportet që unë kam marrë tregojnë se morali në ushtri dhe Sigurimi [shërbimi shqiptar i sigurisë] atje është shumë i ulët, dhe hierarkia qeverisëse është bërë e korruptuar.
NOVOSTI OSAM : A janë përfshirë edhe paratë tuaja në këtë?
Leka I :Jo. Ata po shpenzojnë paratë e njerëzve. Për një kohë të gjatë, Shqipëria ka jetuar në një vakum dhe njerëzit janë nën presion të madh nga regjimi i urryer ateist, i cili nuk di të sundojë (drejtojë) shtetin. Njerëzit po vuajnë, sepse nuk mund të arrijnë standardin e jetesës që njerëzit meritojnë në ditët e sotme.
NOVOSTI OSAM : A keni pasur ndonjë kontakt me Ramiz Alinë, presidentin aktual shqiptar?
Leka I :Edhe pse u dënova në mungesë me vdekje si një “armik i popullit”, unë jam përpjekur t’i shpjegoj Alisë pikëpamjet e mia. Ishte e humbje kohe.
NOVOSTI OSAM : A keni pasur ndonjë problem me agjentët e Sigurimit?
Leka I :Ata vazhdimisht përpiqen të infiltrojnë organizatat tona, ashtu si agjentët e vendeve të tjera, veçanërisht nga shërbimi i inteligjencës Jugosllave. Kjo na krijon probleme të caktuara, sepse shërbimi ynë i inteligjencës duhet të humbasë kohën për t’i zbuluar ato.
NOVOSTI OSAM : Kush ka interes t’ju vrasë?
Leka I :Fati im ka qenë gjithnjë në duart e të Plotfuqishmit. Unë jam përgjegjës vetëm para popullit shqiptar, dhe kjo do të vazhdojë të jetë e vërtetë, derisa i gjithë kombi të zgjedhë lirisht dhe në mënyrë demokratike një qeveri që dëshiron të ndjekë. Unë fitoj armiq midis atyre që kërcënohen nga aspiratat tona legjitime.
NOVOSTI OSAM : A nuk ju duket se po e ekzagjeroni kur përhapni vlerësime të papërpunuara (pabazuara) të situatës në Kosovë?
Leka I :Populli shqiptar padyshim që dëshiron të ribashkohet dhe të jetë zot i fatit të vet. Si udhëheqës i tyre legjitim, për të cilin kam vetëm interesat e tyre në mendje, unë do të bëj gjithçka që është e mundur për të kontribuar në ribashkimin e zonave etnike shqiptare me atdheun e tyre. Natyrisht, rrethanat dhe metodat që do të çojnë në ribashkim do të varen plotësisht nga aftësia e fqinjëve tanë për të kuptuar perënditë tona. Veçanërisht dua të theksoj se unë besoj në një politikë të fqinjësisë së mirë si mënyra më e shëndetshme për të ruajtur stabilitetin në një zonë që ka njohur vuajtje për një kohë të gjatë dhe ka qenë shkaku i drejtpërdrejtë i dy luftërave botërore. Do të ishte më së miri të arrijmë qëllimet tona pa gjakderdhje. A nuk do të ishte më racionale të flisni me fqinjët tuaj për të ardhmen e zonave etnike shqiptare në Jugosllavi, në vend që të përkeqësonin ndarjet, siç po bëhet tani në Kosovë me ndihmën e njësive speciale nga qeveria federale në Beograd?
NOVOSTI OSAM : Ju po flisni për “ribashkim”, megjithëse Kosova nuk i ka përkitur kurrë Shqipërisë dhe megjithëse serbët, malazezët dhe disa popuj të tjerë sllavë kanë jetuar në atë rajon për shekuj.
Leka I :Shikuar historikisht, sllavët janë ardhje të kohëve të fundit në zonat që tani pushtojnë. Është e vërtetë që ka pjesë të Kosovës që kanë rëndësi të veçantë për serbët. Do të shkoja shumë larg nëse do të mohoja këto fakte. Megjithatë, dua të shkoj një hap më tej dhe të them se nëse ulemi me qeverinë serbe dhe jugosllave dhe të diskutonim për këtë, me siguri do të arrinim në një lloj interesi të përbashkët. Për shembull, manastiret e shenjta, aq të lavdëruara dhe të kremtuara, dhe monumenti i Betejës së famshme të Kosovës, mund të caktohen dhe të njihen si jashtë territorit nga të dy palët. Ky është statusi që kanë ambasadat në vendet e tjera.
NOVOSTI OSAM : Ju me sa duket nuk e imagjinoni që Jugosllavia nuk mund të pranonte një mundësi të tillë.
Leka I :Problemet në lidhje me Kosovën mund të zgjidhen vetëm me vullnet të mirë nga të dy palët. Duhet kuptuar që ribashkimi i popullit shqiptar është i domosdoshëm dhe se vetëm në atë kusht mund të ndërtohen marrëdhënie të fqinjësisë së mirë.
NOVOSTI OSAM : A do të përmirësonin ndryshimet e mundshme demokratike në Shqipëri shanset për normalizimin e marrëdhënieve me Jugosllavinë?
Leka I :Unë sinqerisht besoj se zgjedhja e një qeverie demokratike në Shqipëri do të ishte gjithashtu mënyra më e mirë për të arritur bashkëpunimin, derisa të kuptohet se populli shqiptar nuk mund të mbetet i përçarë.
NOVOSTI OSAM : Në disa raste të mëparshme, ju keni përmendur një lloj konfederate ballkanike. Çfarë kuptoni me këtë, dhe cilat vende do të ishin pjesë e saj?
Leka I :Në kohën e tanishme, është e nevojshme të kuptohet se vendet e vogla si ato Ballkanike, të cilat janë të banuara nga grupe të ndryshme etnike, të cilat kanë fe dhe zakone të ndryshme, dhe të cilat kanë trashëgimi të ndryshme kulturore, kanë një vështirësi të madhe duke jetuar në paqe dhe duke bashkëpunuar me njëri-tjetrin, përveç nëse i respektojnë ato dallime. Nëse fillojmë të respektojmë njëri-tjetrin, vullneti i mirë do t’i përgjigjet vullnetit të mirë dhe aleancat e mira ekonomike dhe tregtare do të vijnë gjithashtu. Në kushte të tilla, edhe kombet plotësisht të pavarura mund të mendojnë për t’u bashkuar në një konfederatë, kryesisht për arsye ekonomike dhe mbrojtëse. Secili komb në një konfederatë të tillë do të ishte i pavarur. Marrëdhëniet e ndërsjella do të rregullohen me traktate dhe marrëveshje, dhe jo me dominimin e disave mbi të tjerët.
NOVOSTI OSAM : Përveç oborrit mbretëror, ekziston edhe një “qeveri shqiptare në mërgim”. Cilat janë marrëdhëniet tuaja me anëtarët e saj?
Leka I :Si udhëheqës i opozitës parësore ndaj diktaturës shqiptare, unë kam kontakte me shumë parti me ide të ndryshme politike. Si i tillë, unë përfaqësoj mendimin e shumicës së popullit shqiptar. Për më tepër, meqenëse monarkia shqiptare nuk u rrëzua kurrë nga vullneti i popullit, por më tepër nga një akt agresioni nga ana e Italisë fashiste në 1939, qeveria shqiptare në mërgim nuk pushoi së ekzistuari. Detyrat e saj janë të shumta dhe ajo do të vazhdojë të mbajë gjallë pishtarin e lirisë derisa të vijë koha kur kombi do të zgjedhë qeverinë e tij në një referendum të lirë, demokratik dhe mbarëkombëtar.
NOVOST OSAM : Nëse populli shqiptar do të pranonte kthimin tuaj, si do të ishte monarkia juaj?
Leka I :Do të ishte natyrshëm një monarki kushtetuese, siç u krijua për herë të parë nga Kushtetuta e vitit 1928.
NOVOSTI OSAM : Cili do të ishte statusi i fesë në një shtet të tillë?
Leka I :Kushtetuta e vitit 1928 e përcakton mbretin si mbrojtësin e të gjitha feve. Mbreti ka të drejtë të zgjedhë fenë e tij, si çdo qytetar. Siç e dini, unë jam një mysliman, por të gjitha fetë do të trajtoheshin në mënyrë të barabartë dhe të mbrojtura.
NOVOSTI OSAM : Cilat janë marrëdhëniet tuaja me numrin e madh të shqiptarëve që jetojnë në Perëndim?
Leka I :Marrëdhëniet e mia me bashkatdhetarët e mi në të gjithë botën kanë qenë gjithmonë të shkëlqyera. Unë gjithmonë kam qenë i gatshëm të dëgjoj problemet e tyre dhe të kuptoj nevojat e tyre natyrore, madje edhe t’i ndihmoj ata nëse jam në gjendje ta bëj këtë. Kjo është e vërtetë për marrëdhëniet e mia me të gjitha partitë dhe grupet politike të emigrantëve shqiptarë, dhe me dëshirën e Zotit, kjo do të vazhdojë të jetë e vërtetë.
NOVOSTI OSAM : Shtypi i Evropës Perëndimore ka shkruar disa herë për një farë “Princ të Kosovës” Kryeziun. Kush është ai, dhe ku e fitoi një titull të tillë?
Leka I :Unë nuk e dija që i afërmi im Esad Kryeziu po e përdorte atë titull. Në çdo rast, ai është djali i hallës sime. Princesha Nafije ishte e martuar me Cenabeg Kryeziun.
NOVOSTI OSAM : Çfarë planifikoni të ndërmerrni më tej për njerëzit tuaj në Shqipëri?
Leka I :Kjo është një pyetje shumë e ndjeshme, sepse nuk dua t’i bëj publike qëllimet e mia paraprakisht.
NOVOSTI OSAM : Kohët e fundit, megjithatë, ju lëshuat një “shpallje mbretërore” dhe ia dërguat njerëzve tuaj në Shqipëri.
Leka I :Po. Në të, unë i bëra thirrje popullit shqiptar dhe forcave të armatosura shqiptare që të punojnë së bashku për të përmbysur regjimin e paligjshëm, i cili po vazhdon tiraninë dhe nënshtrimin e vëllezërve dhe motrave tona të dashura. Kjo shpallje tashmë është kontrabanduar (ka hyrë) në Shqipëri dhe fletëpalosjet (traktet) që e përmbajnë atë do të hidhen së shpejti në disa qytete nga balonat.
NOVOSTI OSAM : Ju bëni një jetë mjaft luksoze. Disa vjet më parë, ju u akuzuat si tregtar armësh. Si e fitoni (siguroni) jetesën tuaj?
Leka I :Unë e mbajta veten duke punuar si përfaqësues i ndërmarrjeve të ndryshme të mëdha, dhe së fundmi fillova biznesin tim, duke shitur mallra të konsumit. Ato akuza për tregtinë e armëve janë thashetheme që kanë ekzistuar për një kohë të gjatë. Pretendohej se merresha me drogë dhe gra. Këto ishin sulme të vrazhda ndaj personit tim. Unë kurrë nuk kam qenë tregtar armësh. Sigurisht, është e vërtetë që unë kam blerë herë pas here armë për njësitë tona, për rezistencën… Kur kjo është e nevojshme për ne, për njerëzit tanë, unë e bëj atë, dhe kurrë për përfitim.
NOVOSTI OSAM : A do të thotë kjo se keni një lloj ushtrie tuajën?
Leka I :Ne jemi përpjekur gjithmonë të krijojmë forca ushtarake që do të ndihmonin njerëzit në Shqipëri. Ato janë duke u trajnuar për vite në shumë vende.
Mali i Tomorrit, një nga bukuritë e rralla të natyrës, me Majën e Shenjtë që zotëron pamje nga të gjitha pikat e horizontit, është një nga vendet më të vizituara në Shqipëri, në mënyrë të veçantë nga besimtarët bektashinj në pelegrinazhin e tyre të përvitshëm.
Kryeministri Edi Rama ka publikuar një foto nga Maja e Shenjtë e Tomorrit mbuluar nga bora ku udhëtimi drejt këtij destinacioni do të bëhet më i lehtë dhe më i shpejtë pas përfundimit të rrugës së re që po bëhet realitet pas dhjetra vitesh premtime.
“MIRËMËNGJES , dhe me këtë peizazh përrallor nga Maja e Shenjtë e Tomorrit, ju uroj një të dielë të qetë “, shprehet Rama, krahas fotos ku petku i borës ka mbuluar Tyrben e Abaz Aliut, në lartësinë 2417 m mbi nivelin e detit, në Çukën e Tomorit.
Përfundimi I rrugës që deri më tani ka bërë të mundur shkurtimin e 7 kilometrave të para, do të ju shërbejë jo vetëm besimtarëve bektashinj, që rrinin rrugëve me orë të tëra për të shkuar deri tek Maja e Shenjtë, por edhe zhvillimit të turizmit në gjithë qarkun e Qarkun e Beratit. Krahas investimit në rrugën drejt Malit të Tomorrrit, po rehabilitohet edhe I gjithë sheshi pranë Teqesë në mal për të krijuar një ambient të përshtatshëm për komunitetin bektashi.
Tyrbja e Abaz Aliut, konsiderohet një vend i shenjtë dhe i adhuruar. Çdo fund gushti nga data 20 deri në datën 25, në këtë vend organizohet një ritual dhe një festë madhështore nga besimtarët e sektit bektashi e cila përbën festën më të rëndësishme të vitit. Gjithashtu, gjatë këtyre ditëve të festës, ai vizitohet edhe nga shumë njerëz të besimeve të ndryshme. / atsh/ KultPlus.com
60 vjet më parë ishte bërë transmetimi i parë drejtpërdrejtë televiziv në Amerikë.
Pra, më 25 janar 1961, miliona amerikanë panë transmetimin e parë të drejtpërdrejtë televiziv të një konference presidenciale shtypi. Presidenti John Kennedy që kishte filluar nga detyra 5 ditë më parë, iu përgjigj pyetjeve të reporterëve për rreth 35 minuta.
Kjo ishte e para e shumë konferencave shtypi, të transmetuara drejtpërdrejt nga televizioni, që presidenti Kennedy mbajti gjatë më pak se tre vjetëve në detyrë. Zoti Kennedy, i cili ishte 43-vjeç kur bëri betimin si president i vendit, ishte i qetë, plot besim në vetvete dhe mendjemprehtë në konferencat e drejtpërdrejta televizive të shtypit.
Ndihmësit e tij i shihnin këto konferenca shtypi si një mjet për të bërë të njohur popullin amerikan me cilësitë dhe aftësitë komunikuese të presidentit Kennedy. Transmetimet e këtij lloji në fakt e shtuan popullaritetin e presidentit amerikan. / KultPlus.com
Gjatë viteve ’60 – ’70 të shekullit të kaluar, shkëmbimet politike dhe kulturore midis Shqipërisë dhe Kinës ishin shumë të ngushta. Ish-kryeministri kinez Çu En Lai bëri tri vizita në Shqipëri, madje një herë ai e festoi Vitin e Ri në Shqipëri.
Pikërisht në bazë të kushteve të njëjta ideologjike, filmat shqiptare me temën e luftës antifashiste, si “Ngadhnjim mbi vdekjen”, “I teti në bronz” etj., dhe filmat kinezë “Vajza me flokë të bardhë”, “Basketbollistja me numër 5” etj., janë bërë kujtimi i përbashkët i një brezi të kinezëve dhe të shqiptarëve.
Në kulm të Revolucionit Kulturor Kinez, filmat e dubluar shqiptarë ishin të vetmet produkte të pastra ideologjike të vlerësuara si të përshtatshme për milionat e spektatorëve kinezë të kinemasë. Versioni i dubluar i filmit ”Ngadhënjim mbi vdekjen” ishte jashtëzakonisht popullor për publikun kinez, duke u renditur si filmi më i suksesshëm edhe në shitje biletash deri në fillim të viteve 1990-të, kur u tejkalua nga filmi hollivudian aksion, The Fugitive, me Harrison Ford dhe Tommy Lee Jones.
Filmi i Gëzim Erebarës dhe Piro Milkanit, një histori e rezistencës partizane, vazhdon të jetë edhe sot një moment historik në Kinë; impakti i madh e i shtrirë në kohë i këtij filmi në Kinë u ritregua në filmin e suksesshëm (blockbuster) të Jiang Xiao-s, Electric Shadows (Hije elektrike) (2004), i konsideruar si një nga versionet kineze të CINEMA PARADISO.
Në ritregimin herë të hidhur, e herë të ëmbël të jetës kineze në kinematë e kohës së Mao Zedong nga Xiao, një punonjëse fabrike, shtatzënë dhe e turpëruar, vendos të mos vrasë veten pasi sheh një skenë filmi ku aktorja shqiptare Eglantina Kume marshon trimërisht drejt vdekjes tek “Ngadhnjim mbi vdekjen”. Sipas rrëfimeve byroja komuniste kineze vendosi të mos i shkatërronte kitarat akustike të Kinës gjatë Revolucionit Kulturor, pasi personazhi kryesor shqiptar që luan Rikard Ljarja, mban një të tillë mbi shpatull e këndon këngë partizane gjatë filmit. Kinemaja shqiptare, mesa duket, paska fuqinë të parandalojë vetëvrasjet në film dhe e vetme të shpëtojë kitarën akustike në Kinë.
Si reagoi audienca shqiptare ndaj revolucionit të papritur kulturor kinez? Një gazetar i huaj që vizitoi Shqipërinë në vitet 1960 (duke u shtirur si turist) shkruan: “Filmat kinezë shfaqen në kinematë e shumta të hapura (një vizitor tha në mënyrë ironike se Shqipëria ka ‘filma drive-in për këmbësorë’) dhe në errësirë studentët shpesh bërtasin dhe fishkëllejnë kundër propagandës mbytëse.” E qeshura në errësirë si formë rebelimi.
Pekini siguroi bursa për të rinjtë vendas të cilët nuk mund të merrnin më trainime në Moskë, përveç shumë këshilltarëve kinezë. Të dy vendet filluan të shkëmbejnë delegacionet kulturore më shpesh. Por, për gjithë bisedat për vëllazërinë kino-shqiptare, të mirat kulturore kineze vështirë se mund të zëvendësonin ato sovjetike. Kina ishte e largët, gjuha e saj e panjohur. Kjo paraqiste probleme logjistike, nga pengesat e transportit te problemi i ndërlikuar i përkthimit. Zyrtarët dhe diplomatët e ngarkuar me mbledhjen e filmave kinezë në vitet 1960 shqetësoheshin për këtë distancë kulturore, duke e përshtatur me kujdes në termat e “kuptueshmërisë”. Kur përfaqësuesit shikuan filmin kinez, “Daji he ta de fuqin” ( Daji dhe Etërit e saj , 1961), për shembull, ata e konsideruan atë që të kishte “një përmbajtje të shëndetshme arsimore”. Por një tjetër film kinez mbi rezistencën kundër Japonisë dukej, siç e thanë ata, “i vështirë për t’u kuptuar”.
Pse filmat kinezë nuk tërhoqën më shumë shikues? Regjisorët kinezë favorizonin «një mënyrë që spektatori vendas nuk është mësuar ende». “Filmat Vietnamezë kanë të bëjnë me armë, filmat e Koresë së Veriut janë qesharake dhe tragjike, filmat rumunë janë romantikë dhe filmat shqiptarë janë krejtësisht konfuzë.” Por është e rëndësishme të kihet parasysh se filmat, qoftë burime konfuzioni apo objekte kurioziteti, ishin vetëm një aspekt i një trafiku shumë më të gjerë kulturor. Të përpiqesh t’i japësh kuptim këtij trafiku do të thotë të fillosh të hartosh kufijtë kulturorë të socializmit jo-Sovjetik, një proces i mbështetur nga shtetet partiake dhe agjencitë kombëtare të filmit, por jo i komanduar plotësisht prej tyre.
As mosmarrëveshjet politike nuk ishin në përputhje me trafikun kulturor: ashtu si filmat e vjetër sovjetikë vazhduan të qarkullonin në kinematë shqiptare pas vitit 1961, kështu që filmat shqiptarë vazhduan të qarkullonin në Kinë edhe kur të dy Partitë Komuniste kishin filluar të konfliktoheshin në fillim të viteve 1970 për shkak të vizitës së Richard Nixon në Pekin. Individë kinezë të një brezi të caktuar jo vetëm që kujtojnë filmat shqiptarë, por ata “gjithashtu mund të këndojnë disa nga këngët nga ato filma.”
Vitet në vijim nuk do të jenë të lehta. Shqipëria ende nuk ka një Kinotekë, e aq më pak një kinema publike. Një kinematografi kombëtare meriton studim, ruajtje dhe admirim serioz./ Gazeta Si/ KultPlus.com
Një vepër e Naim Frashërit e panjohur nga studiuesit është gjetur së fundmi. Ajo ka qenë e vitit 1895 nga shtëpia botuese “Karabet” në Stamboll.
Vepra e tij “Kiraat risalesi”, tashmë është e përkthyer nga turqishtja osmane në shqip prej studiuesit Abdulla Rexhepi.
I ftuar në KTV, Rexhepi ka treguar se ka rënë në gjurmët e kësaj vepre duke kërkuar online në arkivin e Stambollit.
Megjithëse kjo vepër shkollore ishte botuar që në të gjallë të autorit i cili është nëshkruar në të si Mehmet Naim, ajo kishte mbetur disi e panjohur dhe deri sot nuk ishte evidentuar nga ata që janë marrë me veprën e Naim Frashërit.
Abdulla Rexhepi i cili është profesor në Departamentin e Orientalistikës së Universitetit të Prishtinës, ka thënë se ka edhe dy vepra të tjera të Naim Frashërit që janë përmendur por që askush nuk di nëse janë botuar apo nëse ekzistojnë ndokund. /dp/ KultPlus.com
Një ndër ngjarjet më të mëdha të muzikës klasike, “Classical Music Awards 2021” ka bërë ndarjen e çmimeve për fituesit.
Juria profesionale e ICMA-së ka kryer vlerësimin e saj, duke u bazuar në kritikën muzikore të shkruar dhe digjitale.
Ndërsa vlerësimi për vokalin më të mirë shkoi për sopranon shqiptare Ermonela Jaho të tjerë artistë u nderuan me çmime të rëndësishme.
Këtë vit çmimi i karrierës ju dha sopranos Edita Gruberova.
“Artisti i Vitit” u shpall dirigjenti spanjoll Pablo Heras-Casado ndërsa pianisti Can Cakmur u vlerësua si “Artisti i ri i Vitit”.
Çmimi për “Zbulimin e Vitit” ju dha violinistes Maya Wichert, ndërsa çmimi i Orkestrës shkoi për violinistin Marc Bouchkov dhe çelistin Kian Soltani, të dy artistët e “Violin Channel”.
Çmimi për “Rregjistrimin e vitit” shkoi për prestigjozen “Berliner Philharmoniker”.
Çmimi për “Arritjet e vecanta” shkoi për menaxherin Drazen Domjanic dhe violinistin Ingolf Turban. / KultPlus.com
Një grua 85-vjeçare, familja e së cilës besonte që ajo ka vdekur nga koronavirusi i ka befasuar ata duke u rikthyer në shtëpi, nëntë ditë pasi ishte varrosur, raportuan mediat të dielën.
Pas përzierjes së emrave, familja e Rogelia Blanco u informua se ajo ka vdekur nga COVID-19 më 13 janar dhe varrimi i saj ishte ditën tjetër, shkruan La Voz de Galica, shkruan Reuters.
Kështu që kur ajo arriti në gjendje të mirë dhe u kthye mirë në shtëpinë e kujdesit në Xove, në Spanjën veriore, të shtunën, ku jetonte edhe burri i saj Ramon Blanco, ai ishte i tronditur, tha gazeta.
“Nuk mund ta besoja. Isha duke qarë pas vdekjes së gruas sime”, ka thënë ai.
Gazeta citoi Fondacionin San Rosendo, i cili drejton shtëpinë e kujdesit, të thoshte se gabimi ndodhi kur Blanco dhe banorët e tjerë që rezultuan pozitivë për COVID-19 u transferuan në një shtëpi tjetër të kujdesit më 29 dhjetor për trajtim të specializuar. Fondacioni tutje shprehu keqardhje për incidentin. Gjithashtu edhe gjykata është informuar për gabimin, thuhet në deklaratë. /Koha/ KultPlus.com
Ka vdekur në moshën 88 vjeçare shkrimtari malazez, Jevrem Berkoviq, shkruan KultPlus.
Shkollën fillore e kishte kryer në fshatin Kopilje dhe Seoci, teksa të mesmen e kishte vazhduar në Titograd dhe Sarajevë në drejtimin e gazetarisë.
Krijimtaria e tij arriti të vlerësohet nga juri të shumta profesionale, duke bërë që Berkoviq të fitoj shumë çmime.
Ai është fituesi i Çmimit të Trembëdhjetë Korrikut; Çmime dhjetori; Çmimet e Shoqatës së Shkrimtarëve të Malit të Zi; Çmimet e mbrëmjes së poezisë Ratkoviq; Karta e Goran Kovaçiq; Çmime për tekstin më të mirë dramatik në Pozorje të Sterijës në 1972; Çmimi Kepi i Shpresës së Mirë, 2005 (fituesi i parë është Çmimi Kepi i Shpresës së Mirë i Ministrisë së Arsimit dhe Kulturës së Kosovës, fituesi i dytë është Ismail Kadare, dhe fituesi i tretë është shkrimtari amerikan John Updike); Çmimet e Unazës Mesdhetare 2007 (Çmimi Ndërkombëtar). Në vitin 2010, Berkoviq-it iu dha statusi i një krijuesi të shquar. Ai fitoi çmimin Teuta në 2013 dhe çmimin Ali Podrimja në 2015.
Berkoviq ka lindur në Seoci në Piperi më 29 dhjetor 1933. / KultPlus.com
Një emër që ka hyrë nga historia e letërsisë ruse në atë botërore është Leon Tolstoi, shkruan KultPlus.
Veprat e tij bënë që në çdo fjalë të shkruar të fshihet një madhështi simbolikash, e të cilat vazhdojnë të jenë aktuale edhe sot.
Përtej librave të botuar, ai ka lënë edhe shumë thënie që janë universale.
KultPlus ua sjell disa thënie nga Tolstoi:
Nuk është bukuria që zgjat, është dashuria që na bën neve të dukemi të bukur.
Respekti u shpik për të zënë vendin bosh, aty ku duhej të ishte dashuria.
Nëse kërkon përsosmërinë, nuk do të jesh asnjëherë i kënaqur.
E habitshme se sa i madh është iluzioni, që bukuria është mirësi.
Dy luftëtarët më të fuqishëm janë durimi dhe koha.
Pa e ditur se çfarë jam dhe përse jam këtu, jeta është e pamundur.
Që të heqësh qafe një armik, duhet që ta duash atë.
Të gjithë mendojnë për të ndryshuar botën, por askush nuk mendon për të ndryshuar vetveten.
Mund të dimë vetëm që nuk dimë asgjë. Dhe kjo është shkalla më e lartë e urtësisë njerëzore.
Kuptimi i vetëm i jetës është që t’i shërbejë njerëzimit.
A është vërtetë e mundur që t’i thuash dikujt tjetër atë që ndien?
Në emër të Zotit, ndalu një moment, lëre punën, shih përreth teje.
Muzika është gjuha e shkruar e emocionit.
Nuk ka madhështi atje ku nuk ka thjeshtësi, mirësi dhe të vërtetë.
Lumturia nuk varet nga gjërat e jashtme, por nga mënyra se si ne i shohim ato.
E vërteta, ashtu si floriri, duhet ruajtur jo nga madhësia e saj, por duke hequr prej saj të gjithë ato që nuk janë flori.
Mërzia: Dëshira për të patur dëshira.
Njeriu mund të jetojë dhe të ketë shëndet pa i vrarë kafshët për ushqim; kështu që, nëse ai ha mish, ai merr pjesë në mbytjen e kafshës për hir të urisë së tij.
Jeta e vërtetë jetohet kur ndodhin ndryshime të vockla.
Një nga kushtet e para të lumturisë është që lidhja midis Njeriut dhe Natyrës të mos prishet.
Ne humbëm sepse i thamë vetes sonë se humbëm.
Dhe të gjithë njerëzit jetojnë, jo nga arsyeja e ndonjë kujdesi ndaj vetes së tyre, por nga dashuria që të tjerët kanë për ta.
Lumturia nuk varet nga gjërat e jashtme, por në mënyrën se si ne i shikojmë ato.
Kape momentin e lumturisë, dashuro dhe dashurohu. Ky është realiteti i vetëm në botë, gjithçka tjetër është marrëzi.
Të gjitha ato që kuptoj, i kuptoj prej dashurisë. / KultPlus.com
Motivi i dashurisë shtrihet më së bukuri në çdo fushë të artit, duke bashkëdyzuar dimensione të ndryshme, shkruan KultPlus.
Disa kanë shkruar për ndarje, disa kanë pikturuar një pamje magjepsëse, e disa i kanë kënduar mallit të zemrave.
Një këngë tejet e veçantë në këtë rrafsh mbetet “Buzët më ishin tharë” nga Eranda Libohova, e cila nën tekstin e Ardita Jatrus sjell një nostalgji tejet sentimentale.
KultPlus ua sjell tekstin dhe interpretimin e Libohovës të këngës “Buzët më ishin tharë”:
Ika dhe të lashë unë, sytë më nuk ti pashë Oh sa të kam dashtë, oh sa të kam dashur ty Edhe pema ku ne putheshim më parë Degët ishin tharë, degët ishin tharë për ne Më dhe një shami ti si kujtim të parë Me lotë e kam larë, me lotë e kam larë për ty. Nuk të kisha pranë unë si një vit më parë 2X Buzët më ishin tharë, buzët më ishin tharë për ty
Dikur u takuam sytë unë prapë t’i pashë Shumë fjalë nuk t’i thashë, shumë fjalë nuk ti thash unë ty Lotët ishin tharë dhe gjumë nuk kish në sy Erdha të t’jap ty, erdha të t’jap ty këtë natë Ëndërr e pafund kjo nata jonë e parë Dita nuk po zbardhë, dita nuk po zbardhë për ne Une të kisha pranë si një vit më parë 2X Buzët më ishin tharë, buzët më ishin tharë për ty
Ika dhe të lashë unë, sytë më nuk ti pashë Oh sa të kam dashtë, oh sa të kam dashur ty Edhe pema ku ne putheshim më parë Degët ishin tharë, degët ishin tharë për ne Më dhe një shami ti si kujtim të parë Me lotë e kam larë, me lotë e kam larë për ty. Nuk të kisha pranë unë si një vit më parë 2X Buzët më ishin tharë, buzët më ishin tharë për ty . / KultPlus.com
Mos e vrit veten as këtë natë Ti Që çdo mesnatë e gjen shtëpinë Zhytur në errësirë… Ku e zeza dhe drita pikturojnë Imazhet e tua surreale, Lindur prej një truri të eksituar Nikotine-alkoole-drogash…
Mos e vrit veten as këtë natë Duaje vetminë tënde Madhështore, të shurdhët, Zhurmë-tingujsh dhe aromë-masturbimesh delirante.
Mos Mos e vrit veten as këtë natë! Vetmia jote boheme është më e mirë Se gënjeshtra që mban në një krevat burrin dhe gruan Se pagjumësia e liderit pervers Që ëndërron të shembë çdo ditë nga një ëndërr tonën, Se makthi i atij që fle Mbi dyshek parash erëndyrë, Spërkatur me Pure White Cologne.
Prit! Para se ta pish dhe pikën e fundit të helmit, Dëgjoje qarjen e saksit që vjen nga lokali poshtë Klithmën e mbytur të seksit Pas murit në të majtë, Drithmën e celularit dritëmekur, Kur vizatohet një zemër në ekran. Asnjëherë s’je vetëm o Ti mik, Që kërkon të shpëtosh veten nga errësira! Jam dhe Unë këtu. Jemi të Tjerë aty-këtu Që vrasim natën me një gotë kokteji, Ku pikëllimi përzihet Me pak ëndërr Pak shpresë Dhe pak gjak cherry.
Princi Harry është i sigurt se keqinformimi i përhapur përmes mediave sociale ishte një përbërës kryesor në planifikimin e trazirave të Capiatol-it më 6 janar, shkruan Page Six.
Duka i Sussex argumenton në një intervistë për Fast Company se, “platformat mbizotëruese në internet kanë kontribuar dhe kanë nxitur kushtet për një krizë urrejtjeje, një krizë shëndetësore dhe një krizë të së vërtetës”.
“Ne po humbasim të dashurit e tyre nga teoritë e konspiracionit,” vazhdoi ai, “duke humbur një ndjenjë të vetvetes për shkak të breshërisë së të pavërtetave dhe në shkallën më të madhe, duke humbur demokracinë tonë”. /Insajderi/ KultPlus.com
Parku Disneyland në Anaheim të Kalifornisë është tjetërsuar në një qendër gjigande vaksinimi masiv kundër COVID-19. Poashtu edhe qytete të tjera të Kalifornisë si Los Anxhelos dhe San Diego kanë krijuar qendra masive me kapacitete vaksinimi prej disa mijëra njerëzish në ditë.
Qendrat e vaksinimit janë përhapur në të gjithë Kaliforninë, që nga stadiumet, ekspozitat e deri tek parku Disneyland. Disneyland është i pari nga pesë qendrat e mëdha për vaksinimin kundër koronavirusit, ku mund të injektohen rreth 7 mijë njerëz në ditë.
Vetëm ditën e parë, më shumë se 10 mijë njerëz aplikuan për vaksinim në faqen e internetit të kontesë Orange. Molly Nichelson është punonjëse e qeverisë lokale.
“Nëse nuk keni lënë takim, mos hajdeni. Pjesmarrja ka qënë e pabesueshme.”
Si rezultat i kërkesave të mëdha për vaksinim sa më të shpejtë, faqja e internetit vazhdoi të kishte probleme. Suzana shkoi të vaksinohej me burrin e saj. Ajo thotë se ishin me fat.
“U vaksinuam që të jetojmë, kjo është arsyeja e vetme”, thonë bashkëshortët.
Zyrtarët lokalë paralajmërojnë se radhët mund të jenë të gjata dhe duhet pritur shumë. Clayton Chau drejton agjencinë e kujdesit shëndetësor në kontenë Orange.
“Do t’ju kërkoja që për disa javë të tregoni durim derisa të marrim më shumë vaksina dhe t’u jepni përparësi vaksinimi të moshuarve dhe më të rrezikuarve me probleme kronike shëndetësore.”
Guvernatori i Kalifornisë Gavin Newsom ka njoftuar fillimin e fazës së parë, që përfshin vaksinimin e punonjësve të shëndetit dhe personat mbi 65 vjeç. Në këtë kategori përfshihen mbi 6.5 milion njerëz. Aktualisht nuk ka vaksina të mjaftueshme në atë shtet.
Parku Disneyland nuk u zgjodh aksidentalisht si qendër e madhe vaksinimi, thotë zyrtarja e shëndetit të kontesë Organge Molly Nichelson.
“Disney është treguar një partner shumë i mirë dhe është punëdhënësi më i madh në kontenë Orange. Është emër i njohur dhe dihet se ku ndodhet. Njerëzit kanë një ndjesi të mirë për Disneyland.”
Parku është mbyllur që nga marsi i vitit 2020 dhe vetëm kohët e fundit janë hapur disa dyqane. Por pjesa argëtuese e parkut mbetet e mbyllur.
Banorët e qytetit Anaheim duan të vaksinohen sa më shpejt që të munden që t’i kthehen punës në restorantet, dyqanet dhe hotelet e shumta në zonën përreth parkut Disneyland.
“Vendosa të vaksinohem sepse punoj për publikun. Të sigurohem që të mbroj veten dhe të tjerët”, thotë Sonya që jeton aty pranë.
Një tjetër qendër e madhe vaksinimi është hapur edhe në stadiumin Dodger në Los Anxhelos, me kapacitet injektimin e deri 12 mijë njerëzve në ditë. Po ashtu edhe San Diego ka hapur një qendër vaksinimi dhe kudo ka radhë të gjata të njerëzve që presin të vaksinohen dhe t’i kthehen asaj që dikur ishte një jetë normale. /express/ KultPlus.com