Konferenca e Paqes në Paris dhe Shqipëria

Me 18 janar 1919, filloi punimet Konferenca e Paqes e Parisit në një nga sallat luksoze të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Frances. Konferenca e Paqes, e para e këtij lloji për nga formati i pjesëmarrësve dhe problemet që pritej të zgjidhte, u mblodh pas konfliktit të madh botëror 1914-1918.

Fituesit e luftës u mblodhën për të vendosur një rregull të ri botëror që katastrofa të tilla mos të ndodhnin më. Për herë të parë mbërriti në Evropë Presidenti amerikan Wilson duke ballafaquar dy këndvështrime të ndryshme për rregullimet e pasluftës, atë amerikan mbështetur në 14 pikat e Willsoni ku spikaste parimi i vetvendosjes, dhe traditën e vjetër evropiane mbështetur në parimin e ruajtjes së ekujlibrave midis fituesve e shmangien e luftës. Në fakt në 20 vite filloi konflikti i dytë botëror duke nxjerrë në pah gabimet e vendimarrjes në Paris 1919. Zyrtarisht Konferenca e Paqes zgjati deri në vitin 1920, por në gjashtë muajt e parë të saj u morën vendimet kyçe dhe u vunë në lëvizje zinxhirët jetikë të ngjarjeve.

Në muajt që kaluan në Paris, në një hapësirë të re gjeopolitike të krijuar pas shembjes së 4 perandorive, paqbërësve iu desh; të vijëzonin kufij të rinj në hartën e Evropës, por edhe të mendonin për Azinë, Afrikën e Lindjen e Mesme, të përballeshin me nacionalizmat që lindën e u zunë vendin perandorive, të hartonin traktat paqeje me Gjermaninë, Austrinë, Hungarinë e Bullgarinë, por edhe të gjenin mjetet që të shmangnin një konflikt tjetër e të ofronin siguri kolektive. Një i tillë do të ishte krijimi i Lidhjes së Kombeve. Kryetari i Konferencës, kryeministri francez Klemanso, iu ankua një kolegu “ Eshtë shumë më e thjeshtë të bësh luftë se të bësh paqe”.

Shqipëria gjatë Luftës së Parë Botërore ishte kthyer në një shesh betejash midis paleve kundërshtare të cilat në fund të saj u ndanë në fitues e të humbur. Elita politike shqiptare u angazhua që atdheu i tyre të mos humbiste në pazaret e mëdha të Konferencës së Paqes, dhe të gjendej një mbështetës i madh dhe i interesuar për Shqipërinë midis Fuqive fituese të luftes. Më të interesuarat dhe simpatizante të pavarësisë së Shqipërisë ishin Italia dhe SHBA.

Në dhjetor 1918 nën kujdesin e Italisë, një ndër mbeshtetëset e pavarësisë së Shqipërisë në 1913, u krijua Qeveria e Përkohshme e Durrësit e cila do të dërgonte delegacionin e saj zyrtar si përfaqësuese në Paris, të kryesuar nga kryeministri Turhan Pasha. Në Paris mbërriti edhe një delegacion i kryesuar nga Esat Pasha në cilësinë e kryetarit të vetëshpallur të qeverisë shqiptare. Ky dualizëm në përfaqsim nuk i bënte dobi trajtimit të statusit të Shqipërisë i cili pas Luftës së Parë Botërore dhe ndryshimeve të ndodhura ishin vënë përsëri në diskutim. Në kryeqytetin francez, për të mbështetur qeverinë e Durrësit dhe të ardhmen e pavarësisë së Shqipërisë dhe kufijve të saj territorial, mbërritën edhe përfaqësues të kolonive shqiptare në SHBA, Rumani, Turqi, etj, të cilat herë pas here organizonin takime të përbashkëta me delegacionin zyrtar të Shqipërisë.

Në ceremonine e festimeve për Ditën e Pavarësisë së Amerikës, në 4 korrikut 1918, Fan Noli i ftuar si përfaqësues i shqiptarëve në Amerikë, arriti të takonte presidentin Willson dhe ti fliste për Shqipërinë dhe nevojën për mbështetje nga SHBA në Konferencën e Paqes. Pasi e dëgjoi me vëmendje Nolin, Willson u përgjigj “ Une do të kem një zë në Konferencën e Paqes dhe do ta përdor këtë zë edhe në emër të Shqipërisë”.

Shqiptarët kudo ndodheshin, mbështetën platformën dhe qëndrimin e delegacionit shqiptar për rinjohjen e pavarësisë së Shqipërisë dhe paprekshmërinë se saj territoriale duke korrigjuar gabimet e së shkuarës. Ata demostruan kohezion e vitalitet, duke lënë mënjanë përkatësinë fetare e krahinore, duke demostruar në këtë mënyrë vlerat më të mira evropiane në mbrojtje të të drejtave të tyre .

Nga Konferenca e Paqes në Paris, Shqipëria doli pa një zgjidhje finale për çështjen e statusit të saj dhe kufijve tokësorë, por ama shpëtoi nga platformat copëzuese të trungut të saj të diskutuara në këtë Konferencë, e kjo falë mbështetjes së madhe të SHBA. Çështja shqiptare do të ridiskutohej përsëri në Konferencën e Ambasadorëve 1921, ku do të merrej vendimi final për Shqipërinë në kushte të reja pas krijimit të Lidhjes së Kombeve 1920. / KultPlus.com

Liqeni i Dushkut zbardhet nga dëbora, mrekulli natyrore që mund të vizitohet edhe në dimër (FOTO)

Liqeni i Dushkut ose siç njihet ndryshe Liqeni i Zambakëve ndodhet në afërsi të fshatit Lenie, në lartësinë 1105 metra mbi nivelin e detit dhe sot është zgjuar nën petkun e dëborës.

Ky liqen është nga më interesantët në zonën e Gramshit. Liqeni i Dushkut përfaqëson një liqen akullnajor me gjatësi rreth 800 metra dhe gjerësi 400 metra. Ka botë të gjallë të pasur, në të cilën dallohen sidomos zambakët e mëdhenj të ujit që njihen ndryshe si simboli i jetës, pasionit, dashurisë dhe pastërtisë.

Gjenden edhe lloje të ndryshme peshqish të cilët japin një shfaqje të mrekullueshme teksa shfaqen dhe zhduken përsëri pas zambakëve gjatë stinëve të ndryshme.

Këtij liqeni i japin pamje akoma dhe më të bukur pishat të cilat gjenden në një sipërfaqe rreth 12 hektar duke formuar një ekosistem tepër interesant liqenor e pyjor. Ka vlera shkencore gjeologjike, gjeomorfologjike, hidrologjike e biologjike, didaktike, kulturore, ekologjike dhe turistike.

Jo vetëm periudha e Pranverës dhe e Verës, por edhe periudha e dimrit janë të përshtatshme për të vizituar këtë mrekulli natyrore./ATA/ KultPlus.com

Filharmonia e Kosovës me performancë në ‘Flaka e Janarit 2021’

Orkestra e Filharmonisë së Kosovës, nën dirigjimin e Hajrullah Sylës, ka mbajtur koncert artistik në hapje të “Flakës së Janarit 2021” në të cilin pasi janë intonuar Himni i Kosovës dhe ai Kombëtar, janë paraqitur edhe vepra të autorëve të njohur kombëtar. 

Kjo orkestër ka ekzekutuar “Fragmente nga Poema Simfonike “Skënderbeu” e kompozitorit Çesk Zadeja e më pas është paraqitur sopranoja Arta Jashari, e cila këndoi këngën e autorëve Sami Piraj e Kreshnik Aliçkajt “Legjendat këndoja me mall”. 

“Uvertura shqiptare” e Hajrullah Sylajt ngjalli ngazëllim tek publiku gjilanas, kurse tenori Liridon Sadriu u paraqit me këngën “Unë biri i yt Kosovë”, të Feim Ibrahimit e Valton Beqirit, derisa paraqitje mbresëlënëse pati sopranoja Adelina Paloja, e cila u paraqit me “Agimet shqiptare” të Avni Mulës.

U paraqitën solistët Liridon Sadriu, tenor, Sokol Latifi, tenor, Shipërim Isufi, bas e Endrit Rexhepi, bas që kënduan këngën “Gryka e Kaçanikut” të Endrit Rexhepit e Hajrullah Sylës, derisa këngën e Edmond Zhulalit e Valton Beqirit “Jam Kosovë e Shqiptarisë” e kënduan këngën Arta Jashari, soprano e Liridon Sadriu, tenor. / KultPlus.com

‘E hëna e kaltër’, dita më depresive e vitit

Çdo vit, e hëna e tretë e janarit quhet “E hëna e kaltër”dhe këtë vit përkoi me 18 janarin.

Sipas kësaj teorie, në këtë ditë të vitit ne jemi të gjithë të ftohtë, pa para në xhep dhe të ngarkuar me ndjesi faji nga gjithë ç’ndodhi në fundvit. Ndjesia e festave është larguar dhe gjithë çfarë mbeti janë përpjekjet e vazhdueshme për të hequr kilet e marra, për të pirë më pak alkool dhe për t’u bërë njeri më i mirë.

Por, a është në të vërtet ‘E hëna e kaltër’ dita më depresive e vitit apo thjesht një strategji marketingu?

Ky koncept u krijua fillimisht në 2005-ën, nga psikologu Cliff Arnall. Ai erdhi me një formulë që “shpjegonte” faktorët që ndikojnë në të hënën e kaltër. Kushtet e motit, borxhet e marra për festa, shpenzimet, niveli i ulët i motivimit apo ndjesia për të bërë diçka ndryshe thuhet se e bëjnë të hënën e tretë të vitit, ditën më të tmerrshme.

Gjithsesi, psikologë të tjerë thonë se ka një sërë arsyesh për të besuar se “E hëna e kaltër” është e pakuptimtë.

Kjo teori, pavarësisht vërtetësisë së saj, ka rezultuar fantastike si strategji marketingu. Njerëzit “kurojnë” depresionin e këtyre 24 orëve përmes ushqimeve të mira, trajtimeve të bukurisë apo blerjes së rrobave të reja.

“E hëna e kaltër”, e pakuptimtë ose jo të paktën nxjerr në pah një problem si vetmia dhe i bën njerëzit të flasin me zë të lartë për depresionin. Çfarë ka rëndësi është të ndërveproni me të tjerët, qoftë edhe duke i ofruar një filxhan kafeje gjatë pushimit në punë. Nëse përballuam 2020-ën, “dita më e tmerrshme e vitit” është thjesht një e hënë e zakonshme. /theIndependent/ KultPlus.com

Margherita Sarrocchi, gruaja e parë në historinë e letërsisë italiane që shkruajti poemë epike

Margherita Sarrocchi është gruaja e parë në historinë e letërsisë italiane që ka shkruajtur një poemë epike. Ndër shekuj asnjë tjetër përpara saj. Kjo poemë epike i dedikohej tërësisht Skënderbeut.

Dhe kjo poemë bashkë me shkruesen e saj i kanë mbetur historisë së letërsisë italiane. E lindur në 1560 dhe e mbetur shpejt jetime, ajo rritet nga një Peshkop Kalabrez, Guiliemo Sirleto, i cili edhe mbas transferimit si Kardinal në Romë ne Biblotekën e Vatikanit e merr vogëlushen atëherë 5 vjec, me vete.

Studion teologji, poezi, muzikë, gjuhë dhe letërsi greke dhe latine, studion retorikë, logjikë dhe filozofi. Falë gjenialitetit të saj të rrallë, kardinali gjithashtu i lejon asaj të studiojë shkencë, e cila në atë kohë ishte e rezervuar vetëm për meshkuj.

Margherita merr mësime në aritmetikë, astronomi, gjeometri. Ka dy Profesorë të jashtëzakonshëm, më të mirët që Roma në atë kohë mund të ofronte. Studiuesi dhe juristi Rinaldo Corso e udhëheq atë në shkencat humane ndërsa matematikani dhe njohësi i botës epiriote Luca Valerio, të cilin Galileo e përcakton si “Arkimedi i ri”, e udhëheq në lëndët shkencore.

Që në rininë e hershme ishte e njohur në rrethet akademike romane, korespondenca e saj me figurat më të shquara të epokës Galileo Galilei, Torquato Taso, Guido Betoli, Corneli Cataneo etj dëshmojnë influencën dhe vlerësimin që personalitetet e shquara të kohës kishin ndaj saj, për njohuritë e saj në fushën e astronomisë, gjeometrisë, fizikës etj, cka e bëri atë dhe anëtaren e parë femër të disa Akademive në Itali, si në Napoli dhe Romë.

Gjithashtu ajo ishte dhe përkthyese e teksteve greke, njohëse dhe komentuese e vargjeve të Dantes dhe Petrarkës, shkruese e teksteve filozofik. Shumë vepra të saj nuk kanë arritur dot deri më sot, por falë citimit dhe komenteve që intelektualët e asaj epoke I bënin në korespondencat e tyre, sot minimalisht njihen titujt e punimeve të saj.

Vepra e vetme e Margherita Sarrocchos që i ka mbijetuar kohës është Poema heroike “Scanderbeide” poemë e cila pa dritën e botimit një herë në nxitim e sipër në 1606 (nga frika e plagjaturës) ku u botuan vetëm 11 këngë nga 24 që duhet të ishin dhe që u botuan plotësisht në 1623 mbas vdekjes së Margheritës. Nga korespondenca e Margheritës me Galileo Galilein rezulton që ajo e vlerësonte shumë mendimin e tij në raport me këtë poemë (arkiva e Biblotekës Kombëtare Firence). Burimi historik që mendohet se Margherita Sarrochi ka përdorur për këtë Poemë elitare ka qënë edhe teksti i historianëve të shquar Paolo Giovo dhe Andrea Gambini “Commentarii delle cose de Turchi, con gli fatti e la vita di Scanderbeg”.

Ky tekst historik e paraqet Skënderbeun në të gjithë shkëlqimin dhe gjenialitetin e tij, Margherita Sarrocchi ashtu si dhe Giovo dhe Gambini e përshkruan Skënderbeun me një portret që përputhej në mënyrë reale me karakteristikat e heroit epik: mençuria, zemërgjerësia, dënimi i veseve, përulësia dhe thjeshtësia e kombinuar me aftësinë luftarake dhe besimin e zjarrtë i paraqitën botës një figurë heroike

që ndikoi jo vetëm në ndalimin e përparimit të pushtimit turk në territoret evropiane por mbarte në vetvete dhe vlera të pakontestueshme të një udhëheqësi me përmasa historike dhe botërore.

Poema “Scanderbeide” e botuar dhe cituar shpesh në tekstet dhe Enciklopeditë italiane, jo vetëm për vlerën e Poemës por edhe për shkruesen e saj (një simbol i emancipimit dhe femrës shkencëtare italiane) u përkthye në vitin 2006 në formën e prozës në anglisht “Scanderbeide: The Heroic Deeds of George Scanderbeg, King of Epirus” nga Profesorja e njohur e Universitetit të Cikagos në USA bashkëkohësja jonë zonja. Rinaldina Rusell.

Rashë në gjurmët e kësaj Poeme dhe të historisë së Margherita Sarrocchit rastësisht përpara 3 vjetësh, dhe me një kuriozitet dhe interesim profan zbulova se kopje origjinale të botimit të plotë të veprës së saj për heroin tonë që daton në vitin e largët 1623 ndodhen në Biblotekën tonë Kombëtare por edhe në Biblotekën e Shkodrës, mendohet që është edhe një kopje origjinale në Elbasan falë eruditit Sotir Kolea.

I përmënd këto të dhëna pasi është e dhimbshme që edhe pas rreth 400 vjetësh kjo vepër që ka të bëjë për simbolin dhe heroin tonë kombëtar ende nuk ka parë dritën e shqipërimit ndër shqiptarë, vepra e gjeniales Margherita Sarrocchi ka vlera poetike hisorike dhe kombëtare për ne shqiptarët. Ne duhet të rreshtim duke u mburrur dhe vetëmburrur në mënyrë foshnjarake dhe delirante, mjafton që ti shtrohemi punës, dijes, shqipërimit dhe njohjes së veprave si kjo e Margherita Sarrocchos dhe hapat që do na cojnë drejt Evropës do jenë më të pakët se dje. /shqiptarja/ KultPlus.com

Në Egjipt zbulohen sarkofagë parahistorik prej druri

Egjipti ka bërë të ditur një zbulim të ri e të rëndësishëm arkeologjik në nekropolin Saqqara në jug të Kajros ku përfshihen 54 arkivole prej druri, shumë prej të cilave mund të jenë gjurmë të para tre mijë vjetëve, pasi mendohet se i takojnë periudhës së Mbretërisë së Re.

Tempulli funeral i Mbretëreshës Neit u zbulua gjithashtu pranë piramidës së burrit të saj, mbreti Teti i dinastisë së 6-të të Egjiptit e cila daton 4200 vjet më parë, ka thënë arkeologu me nam Zahi Hawass, i cili kryesoi misionin arkeologjik.

Arkivolet ose sarkofagët përfshijnë të parët që datojnë që nga Mbretëria e Re që gjenden në Saqqara, një lokalitet i trashëgimisë botërore të UNESCO-s që është shtëpia e Piramidës së Hapit, shkruhet në një deklaratë të Ministrisë së Turizmit dhe Antikiteteve.

Të gdhendura në formë njerëzore dhe të pikturuara me ngjyra të ndritshme, shumë prej tyre janë ende të paprekura. U gjetën edhe vegla të lojërave antike, statuja dhe maska. “Të gjitha këto zbulime do të rishkruajnë historinë e Saqqaras dhe Mbretërisë së Re”, ka thënë Hawass.

Zyrtarët janë të etur të tregojnë artefakte të zbuluara rishtas ndërsa përpiqen të ringjallin numrin e vizitorëve, pasi industria e turizmit mori një goditje të dhimbshme gjatë pandemisë së koronavirusit. Numri i turistëve që vizitojnë vendin ra në 3.5 milionë vitin e kaluar nga 13.1 milionë më 2019. /reuters/ KultPlus.com

Vasfije Krasniqi: Përfaqësimi i të mbijetuarve të dhunës seksuale nga lufta në Kosovë, sfidë dhe nder për mua

Vasfije Krasniqi-Goodman ka bërë me dije se do të kandidoj për deputete në zgjedhjet e jashtëzakonshme të 14  shkurtit në listën e Lëvizjes Vetëvendosje.

Vasfija është gruaja e parë që foli publikisht për tmerrin e përjetuar gjatë luftës së fundit në Kosovë dhe në Kuvendin e Republikës së Kosovës pretendon t’i përfaqësojë të mbijetuarat e luftës së fundit në Kosovë.

Nëpërmjet një statusi në facebook, Krasniqi-Goodman është shprehur se përfaqësimi i një kategorie të tillë në tempullin e demokracisë do të jetë sfidë dhe nderë për të.

Ky është postimi i plotë i Vasfije Krasniqi-Goodman:

Qytetarë të dashur të vendit tim!

Asnjherë në jetën time nuk e kam menduar këtë moment, madje as para pak ditësh, por sot është një moment i ri në jetën time, tani i kam vënë vetës një detyrë e që nuk është e leht aspak për mua.

Siq edhe e keni kuptuar unë do të kandidoj për një ulëse në Kuvendin e Republikës së Kosovës në mënyrë që edhe më aktivisht t’përfaqësoi të mbijetuarat/it e dhunës seksuale nga lufta e fundit në Kosovë.

Përfaqësimi i një kategorie të tillë në tempullin e demokracisë do të jetë sfid dhe nder për mua, sfidë sepse kërkon sforcim shpirtëror e emocinal, e nder sepse përmes këtij përfaqësimi unë do të punoi me dëshirën ma t’madhe, dhe ju e dini përse!

Këtë garë unë kam vendosur ta bëj duke hyrë në listën e kandidatëve për deputet në subjektit Vetëvendosje.

Falenderoi secilin nga ju që në një mënyrë apo tjetër më keni mbështetur dhe më mbështesni.

E juaja Buqja. / KultPlus.com

“E di fort mirë se nuk do t’shkruaj rima, kjo penë që pahir më ka mbetur në dorë” (VIDEO)

Ata të cilët arrijnë t’i rezistojnë pluhurit të kohës janë artistët e vërtetë, që kanë një stil të veçantë dhe shprehësi të thellë. I tillë ka qenë edhe Jusuf Gërvalla, këngët e të cilët kanë vlerë të lartë artistike, shkruan KultPlus.

Përveç që ka arritur të lë gjurmë me tekstet e tij, Gërvalla hyri në histori edhe me muzikën e veçantë, e cila ishte një përzierje mes klasikes dhe muzikës të lehtë.

Një këngë tejet e njohur e tij, e që edhe albumit ia ka falur po këtë emër është kënga “Njeri ku je”, të cilën e sjell bashkë me vëllaun e tij, Bardhosh Gërvalla.

KultPlus ua sjell tekstin dhe këngën “Njeri ku je”:

Njeri ku je

E di fort mirë, se nuk do t’shkruaj rima,

kjo penë që pahir m’ka mbetur n’dorë,

shërbëtorët e djallit s’mund t’i quaj dasmorë,

bonjakë do t’mbesin vargjet, do t’i marrë fryma.

Sa m’përket mua pra, le të rrënohet,

Piramida e Keopsit,

le t’i ndërrojnë vendet Parisi e Moska,

le të vjellë plot vrer po desh Vezuvi.

Le t’u bjerë pluhuri ligjeve të Njutn-it,

Lizës s’DaVinçit le t’i zbresë çmimi,

Me simfoninë e nëntë të Bethoven-it,

le t’merren xhelatët në gijotina.

E në pallate të larta t’kulturës,

le t’bredhin qentë, mos e teprova,

n’ekuator le t’rrëshqasë Antarktiku,

brenda një nate le t’bashkohet Berlini.

Sikur për s’dyti të lindej Sokrati,

do t’ia besonim një kope derrash,

i zhgënjyer do të ngiste pas qejfesh e shqerrash,

e dimë sa fort i donte i ngrati.

Pas tij Diogjeni me fener në dorë,

do të shëtiste duke reviduar,

mos emisionet propagandisktike,

të dobëta sallamat i kanë ekspozuar. / KultPlus.com

Kënga e Ava Max për 7 javë renditet e para në dëgjueshmëri

Sukseset e këngëtareve shqiptare nuk kanë të ndalur. Të arriturat e Ava Max po shtohen dita ditës, shkruan KultPlus.

Së fundmi, Max ka shpërndarë një storje të instagramit, teksa ia ka dhuruar lajmin e gëzueshëm artdashësve të saj.

Kënga e saj “Kings and Queens” ka arritur për 7 javë të jetë kënga e parë me më së shumëti dëgjime nga artistet femra në Radion Adult Contemporary.

Ky sukses i vie asaj, teksa të njëjtin renditje e kanë pasur më parë edhe këngëtaret e famshme Adele me këngën “Hello” dhe Sia me “Cheap Thrills”. / KultPlus.com

Malcolm për Skënderbeun: Në Ballkan nuk ishte ba përpjekje për çlirim nga pushteti i Sulltanit ma fuqishëm sesa në Shqipni

Noel Malcolm, për Skënderbeun, në librin “Agents of Empire”:

“Askund në Ballkan nuk ishte ba përpjekje për çlirim nga pushteti i Sulltanit ma fuqishëm e ma me kambëngulje, sesa në Shqipninë e shekullit pesëmbëdhjetë, ku një pinjoll i një familjeje të randësishme pronare tokash, Gjergj Kastrioti – i njohun si Skenderbe, nga turqishtja ‘Iskender Bey’, ’Zoti Aleksandër’ – udhëhoqi një varg fushatash anti-otomane gjatë 25 vjetëve deri para se me vdekë me 1468. Tri herë sulltanët erdhën personalisht me armatat e tyne për me e shkatërru atë, dhe të tria herët nuk ia dolën të merrnin kështjellën kryesore, fortesën e Krujës. Skenderbeu do të vdesë nga sëmundja, jo në fushëbetejë, dhe ndodhi vetëm në vitin 1478, një dekadë pas vdekjes së tij, kur Kruja ra.“ / KultPlus.com

Xhirohet një skenë e episodit special të serialit “Friends”

Ylli i serialit “Friends”, Lisa Kudrow, thotë se tashmë ka xhiruar një pjesë të episodit të veçantë të aktorëve nga ai serial.

Ribashkimi i aktorëve ishte shtyrë për në mars 2021 për shkak të pandemisë me COVID-19, shkruan NME. 

Speciali i cili do të shfaqet në HBO Max, fillimisht ishte vendosur të shfaqej marsin e kaluar e pastaj për në gusht dhe datën e tretë kur u shty e kishte dhënë një prej aktorëve.

Ndërsa, Kudrow ka konfirmuar edhe një herë se speciali do të bëhet patjetër. Aktorja e cila luan rolin e “Phoebe Buffay” ka treguar edhe disa pamje që sugjerojnë se skenat e episodit do të bëhen në një kafe.

Aktorët që do të ribashkohen edhe një herë këtë vit janë, Matthew Perry që luan rolin e Chandlerit, Jennifer Aniston në atë të Rachelit, Courtney Cox si Monica, Lisa Kudroë si Phoebe, David Schwimmer si Ross dhe Matt LeBlanc në rolin e Joeyt. /Koha/ KultPlus.com

Kush e vodhi Mona Lisën në vitin 1911?

Mona Lisa mund të jetë fytyra më e njohur në faqe të dheut. E spikatur në emisione televizive dhe në filma të panumërt, e parodizuar në format nga më të ndryshme në krejt globin, e përmendur në libra arti në çdo gjuhë, Mona Lisa ka një fytyrë që tërheq çdo vit mbi shtatë milion njerëz në Louvre të Parisit.

Secili nga këto vizitorë do të shohë nga afër, se Mona Lisa është shumë e vogël, saktësisht 76cm x 53cm. Nuk ngjason me veprat e tjera të Rilindjes sepse nuk është masive, apo të bjerë në sy menjëherë, apo të shkaktojë ndonjë emocion të fortë. Në fakt, kur Mona Lisa u vendos në Louvre më 1797, ajo varej në mur me piktura të tjera dhe nuk ishte e vetme në qendër të vëmendjes sikundër sot. Mona Lisa, natyrisht, është një vepër arti e një artisti të nderuar si Leonardo da Vinci, megjithatë nuk ishin aftësitë e tij ato që e bënë pikturën të famshme. Mona Lisa e mori famën e vërtetë prej një vjedhësi veprash arti, një italian i quajtur Vincenzo Peruggia. Mëngjesin e të hënës, të 21 gushtit 1911, Peruggia doli jashtë nga Louvre, pa u pikasur me Mona Lisa-n të fshehur nën përparësen e punës. Peruggia nuk ishte ndonjë fytyrë e panjohur në muze. Ai ishte duarshkathët, i punësuar herë pas here për të punuar me xham mbrojtës për eksponatet. Ai kishte punuar me një numër pikturash të shtrenjta dhe të bukura në Louvre, por edhe në muzetë e tjerë.

Atëherë, përse e vodhi Mona Lisa-n?

Për Vicenzo Peruggia-n kjo ishte një çështje patriotizmi. Gabimisht kishte menduar se Mona Lisa ishte vjedhur në Itali në kohën e Napoleonit dhe besonte se ishte detyra e tij t’ia kthente këtë tablo atdheut. Ai e fshehu tablonë në një WC të muzeut natën e së dielës, duke e ditur se do të ishte i mbyllur të hënën dhe mund ta vidhte qetësisht e të largohej. Sidoqoftë, gjatë marrjes në pyetje pas dy vjetësh, Peruggia tha se thjesht kishte ardhur të hënën në mëngjes me punëtorë të tjerë, kishte pritur deri sa galeria që mbante Mona Lisa-n të zbrazej, e kishte marrë pikturën nga muri, e kishte fshehur nën përparësen e punës dhe kishte dale jashtë. Në fakt, stafi i Louvre nuk e pikasi menjëherë mungesën deri të nesërmen.
Ndonjëherë pikturat hiqeshin nga muri për t’u fotografuar, ndaj s’ishte diçka e pazakontë që njëra prej tyre të mungonte. Megjithatë, kur rojet e sigurisë pyetën fotografët, zbuluan se piktura ishte vjedhur.

Kur policia nisi hetimin, Peruggia ndodhej në shtëpi duke e futur Mona Lisa-n në një sënduk në apartamentin e tij, pa i shkuar aspak nëpër mend se kjo vjedhje sapo kishte ndryshuar historinë e artit. Përgjatë dy viteve në vijim, vjedhja e Mona Lisa-s u bë lajm ndërkombëtar. Kjo ngjarje u përhap përmes gazetave në të gjithë Francën dhe në mbarë botën, duke u publikuar edhe nga New York Times. Ndërkohë, policia kërkoi me dëshpërim për hajdutin dhe hetoi plot të dyshuar, përfshi poetin e mirënjohur Guillaume Apollinaire, i cili njëherë kishte bërë thirrje që Louvre të digjej, e që tashmë zotëronte disa statuja të vogla të cilat ishin vjedhur nga Louvre.

Policia mendoi se burri që kishte vjedhur statujat, mund të kishte edhe Mona Lisa-n. Kur policia e mori në pyetje Apollinaire-in për Mona Lisa-n dhe për statujat, për këtë të fundit ai implikoi mikun e tij, një piktor i ri spanjoll që quhej Pablo Picasso. Thuhet se Apollinaire dhe Picasso qanë gjatë marrjes në pyetje dhe në fund policia kuptoi se asnjëri prej tyre nuk ishte burri që kërkonin. Pas vjedhjes muzeu i Louvre-it ishte mbyllur për një javë. Megjithatë kur u rihap, njerëzit po mbanin radhën vetëm që të futeshin e të shikonin vendin ku më parë qëndronte piktura e Mona Lisa-s. Madje deri në Kaliforni e dinin me saktësi se ç’pamje kishte kjo pikturë e vogël nga Franca, sepse e kishin parë vazhdimisht në gazeta, si një lloj krimi sensacional. Nëse Vincenzo Periugga do të kishte vjedhur një pikturë tjetër, kjo vepër arti mund të ishte bërë po aq lehtësisht piktura më e famshme në botë, dhe Mona Lisa nuk do të bëhej aq e njohur sa ç’është sot.

Por për shkak të vjedhjes, Mona Lisa u bë vepra e parë e artit që shihej dhe shpërndahej në të gjithë botën, gjatë një kohe kur komunikimi masiv ishte ende në hapat e parë. Një vepër arti e cila më parë kishte qenë thjesht një drejtkëndësh i vogël në një mur të mbushur me piktura, tashmë ishte bërë epiqendra e një skandali global. Ndërkohë, planet e Periugga-s për t’ia shitur pikturën një galerie arti në Itali, u ndërprenë. Me famën e re të Mona Lisa-s, çdo përpjekje për ta ofruar kundrejt shpërblimit, apo për ta shitur, mund të rezultonte në arrestimin e tij. Ndaj, qëndroi brenda një sënduku, për dy vite. Më në fund, në vitin 1913, Vincenzo Periugga-s po i humbte durimi. Ai kontaktoi Alfredo Geri-n, një tregtar veprash arti në Firence, për t’ia kthyer Mona Lisa-n “vendlindjes” në këmbim të shpërblimit.

Geri i tha Peruggia-s ta takonte te Galeria Uffizi, për ta verifikuar pikturën. Kur Peruggia ia dorëzoi, Geri premtoi se do ta mbante në një vend të sigurt, megjithatë ai telefonoi policinë sapo Peruggia u largua. Hajduti i veprave të artit u arrestua në hotelin ku po qëndronte, Mona Lisa u rimor dhe krimit që shkundi botën, i erdhi fundi. Galeria Uffizi e ekspozoi pikturën për dy javë, përpara se të kthehej zyrtarisht në Louvre, në 4 janar të vitit 1914. Që nga ajo kohë, kanë ndodhur disa incidente ku individë përpiqen ta dëmtojnë Mona Lisa-n, por nuk ka pasur më vjedhje. Sot piktura ka një mur të veçantë në Louvre dhe mbrohet nga një xham antiplumb, me ajër të kondicionuar. Për sa i përket Vincenzo Peruggia-s, ai u burgos për gjashtë muaj dhe Italia e vlerësoi për atdhetarizmin e treguar. Ai shërbeu në ushtrinë italiane gjatë Luftës së Parë Botërore dhe në fund u shpërngul sërish në Francë, ku hapi një punishte për piktura, të cilën e zotëroi deri kur vdiq në vitin 1925.
Përktheu David Hudhri /topchanel/ KultPlus.com

Obama në datëlindjen e bashkëshortes: Çdo moment me ty është bekim

Datëlindjen e 57-të të Michelle Obamës, ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës ia ka uruar me fjalë të veçanta, shkruan KultPlus.

Ai ka publikuar në rrjete sociale një urim, teksa ka pasur fjalë të përzgjedhura për bashkëshorten e tij.

“Urime ditëlindjen dashuria ime, partnerja ime dhe shoqja ime më e mirë. Çdo moment me ty është bekim. Të dua Miche”, ka shkruar Barack Obama.

Çifti Barack dhe Michelle janë martuar në vitin 1992 dhe janë prindër të dy vajzave, Malia 22-vjeçare dhe Sasha 19-vjeçare. / KultPlus.com

Washington, DC – January 20, 2009 — United States President Barack Obama first lady Michelle Obama walk in the Inaugural Parade in Washington, D.C. on Tuesday, January 20, 2009. Credit: Ron Sachs – Pool via CNP

Si bëhet gati Shtëpia e Bardhë për familjen e re presidenciale?

Në Ditën e Inaugurimit, Shtëpia e Bardhë ka vetëm gjashtë orë për të hequr objektet e familjes në largim dhe për t’u bërë gati për banorët e saj më të rinj.

 “Dita e Inaugurimit mund të konsiderohet si kaos i organizuar. Ka vetëm rreth gjashtë orë në dispozicion për të nxjerrë njërën familje jashtë dhe për të sistemuar familjen tjetër”, thotë Anita McBride, ish-shefe e personelit e ish-Zonjës së Parë, Laura Bush.

“Të gjithë punojnë në ato gjashtë orë për ta bërë shtëpinë sa më komode për familjen e re të parë”, thotë zonja McBride.

Anita McBride ka punuar për tre administrata presidenciale.

McBride e di personalisht se çfarë mund të presin ditën e parë Presidenti Joe Biden dhe zonja e parë Jill Biden.

“Kur ata hyjnë në Shtëpinë e Bardhë për herë të parë, tradicionalisht pas paradës së përurimit, të gjitha rrobat e tyre janë të varura në dollap, të gjitha fotografitë e familjes janë në vendet ku ata donin t’i kishin. Është me të vërtetë një transformim i mahnitshëm”, thotë ajo.

Transformimi koreografohet me kujdes. Familja e parë e re ka zgjedhur që më parë mobiljet dhe veprat e artit nga koleksioni i gjerë i Shtëpisë së Bardhë, i cili ruhet në një depo në Mariland.

Një gjë të tillë, zonja e parë e ardhshme Michelle Obama e mësoi gjatë një takimi para inaugurimit me Laura Bushin.

“Zonja Obama kishte thënë se sa bukur ishte gjithçka dhe kështuqë ajo e dinte që më parë se e vetmja gjë që duhej rregulluar ishte zbukurimi i dhomave të vajzave që të ishin të përshtatshme për fëmijë”, tha zonja McBride.

Presidenti i ri zgjedh vetë se si ta rregullojë Zyrën Ovale. Shumica e presidentëve zgjedhin të përdorin tryezën që i ishte dhënë Presidentit Rutherford B. Hayes nga Mbretëresha Victoria në fund të viteve 1800.

“Është mjaft interesante që tapeti luan rol për të përcjellë ndjesitë dhe shijen e një presidenti ose emocionet që ata kanë për t’u ulur në atë zyrë. Sigurisht që portreti i George Washingtonit, gjithmonë ka vendin e vet të spikatur mbi oxhak dhe askush nuk e ka ndryshuar atë.”

Është një ditë me emocione të mëdha.

“Marrëdhënia mes stafit të përhershëm dhe një familjeje të parë, dhe veçanërisht kur familja e parë ka fëmijë të vegjël, bëhet mjaft e afërt dhe ndarja është e vështirë. “

Largimi nga Shtëpia e Bardhë mund të jetë veçanërisht e vështirë për një president me një mandat.

“Ka një ndjesi sikur ‘nuk bëra gjithçka ashtu siç shpresoja’. Kur largohesh pas katër vjetësh dhe veçanërisht për një familje të parë është emocionuese dhe në fakt George HW Bush ka shkruaj më kujtimet e tij, se ishte e dhimbshme. Dhe Barbara Bush e ndjeu një gjë të tillë. Familja e ndjeu thellë, por ata gjithashtu janë patriotë të vërtetë dhe u sollën në lartësinë e duhur”, thotë zonja McBride.

Lamtumirat mund të jenë të vështira edhe për anëtarët e stafit që kujdesen për kafshët shtëpiake të familjes së parë. Siç ishte për shembull punonjësi veteran Dale Haney.

“Ai kujdeset për territorin përreth Shtëpisë së Bardhë, por kishte edhe përgjegjësinë të kujdesej për kafshët shtëpiake të familjes. Ishte një përvojë e vështirë për të ditën e ikjes kur kafshët shtëpiake me të cilat është mësuar aq shumë, që ishin bërë si familje, u larguan me familjen e parë.”

Kuratorët sigurohen që gjërat me vlerë të Shtëpisë së Bardhë të mos merren gabimisht nga një familje e parë në largim.

“Ata njohin çdo gjë që i përket koleksionit të Shtëpisë së Bardhë. Ata gjithashtu dinë çdo gjë që është objekt personal dhe të gjitha këto sende etiketohen një nga një “, thotë McBride./ express/ KultPlus.com

Haziri për “Flakën e Janarit”: Heronjtë na mësuan se si duhet atdheu e si fitohet liria

Në Gjilan ka nisur zyrtarisht edicioni jubilar i 30-të i manifestimit shumëkulturor “Flaka e Janarit 2021”.

Manifestimin e ka shpallur të hapur kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri, i cili ka theksuar se pikërisht tri dekada më parë nisi rrugëtimin “Flaka e Janarit”, ndërsa nga ky vit ky manifestim hyn në radhën e manifestimeve të kulturës shpirtërore të shqiptarëve dhe vendoset në kalendarin kombëtar të aktiviteteve.

Ai ka thënë se heronjtë na mësuan se si duhet atdheu e si fitohet liria me sakrificë, se si kryengritet për të drejta e për liri. 

“Të vazhdojmë bashkë, pa dallime, për një qëllim, për një atdhe, për një komb e një flamur, sepse edhe hapin e fundit na duhet ta bëjmë bashkë dhe atë hap nuk duhet ndalë për ta çuar vendin përpara”, ka thënë Haziri. 

Ndërsa, Vlora Dumoshi, ministre në detyrë e Kulturës, ka shprehur mirënjohje për familjet e dëshmorëve që sollën lirinë, duke shtuar se ky manifestim mbledh artistë nga të gjitha trevat shqiptare, është manifestim i vlerave, andaj duhet ta ruajmë e ta kultivojmë atë. 

Për jetën dhe veprën e Kadri Zekës, të cilit i është kushtuar manifestimi i sivjetmë, ka folur atdhetari Bejtullah Tahiri, i cili ka thënë se ndër vite kjo datë e ka gjetur në Zagreb, Shqipëri e Zvicër, por gjithnjë është shënuar në mënyrë dinjitoze. Që nga vrasja tinëzare e heronjve, Kadri Zeka, Jusuf e Bardhosh Gërvalla shpirtërisht gjenden në zemrat e çdo shqiptari. 

“Kadri Zeka u brumos me ide patriotike që nga rinia, ai bashkëpunoi me Rexhep Malën e Nuhi Berishën, edhe si studentë pati veprimtari në lëvizjen për çlirim, derisa në mërgim pos që publikoi në revista të ndryshme, ai se bashkë me vëllezërit Gërvalla bëri përpjekjet për bashkim të lëvizjes së shkapërderdhur  në mërgim si dhe për pavarësimin e klubeve shqiptare në mërgim”, tha Tahiri, duke shtuar se pas demonstratave të vitit 1981, ai organizoi demonstrata në Evropë, internacionalizoi çështjen e Kosovës në botë. Ai dha shembullin më të mirë për bashkim. 

“Vrasje e Kadri Zekës dhe e vëllezërve Gërvalla ishte goditje e rëndë, por vepra e këtyre atdhetarëve kishte lëshuar rrënjë tek populli shqiptar, që u kurorëzua me luftën çlirimtare të UÇK-së”, ka thënë Tahiri. 

Në emër të familjes së Kadri Zekës, ka folur Izmi Zeka, që tha se u bënë 39 vjet kur ranë Kadri Zeka e vëllezërit Gërvalla, 37 vjet kur ranë Rexhep Mala e Nuhi Berisha dhe kur vite e vite kur ranë shumë heronj duke dëshmuar se Gjilani dhe Anamorava ishte qendër e veprimtarisë patriotike në Anamoravë. 

“U jemi mirënjohës të gjithë qytetarëve të Kosovës. Gjilani e Anamorava e kanë historinë e vet. Kur nderojmë heronjtë nderojmë vetën tonë, kur nderojmë të kaluarën e nderojmë të ardhmen tonë”, ka thënë Zeka. 

Në manifestimin jubilar, janë nderuar familja e heroit Kadri Zeka për kontributin për lirinë e shqiptarëve, dy nga themeluesit e këtij manifestimi, Sabit Rrustemi e Hasan Bunjaku, post-mortum për kontributin në artin letrar dhe atë dramatik u nderua Beqir Musliu si dhe Filarmonia e Kosovës. /express/ KultPlus.com

Rituali i hedhjes së luleve nga gratë e Shkodrës, në kujtim të Skënderbeut

Kujtimi për heronjtë kombëtar vjen në forma të ndryshme. Dikush e bën atë nëpërmjet vargjeve poetike, nëpërmjet këngëve e dikush me gërshetime ngjyrash. Mirëpo, gratë shkodrane kishin një ritual ndryshe për Gjergj Kastriotin-Skënderbeun, shkruan KultPlus.

Gravura origjinale e vitit 1906 na bën të njohim një traditë krejt ndryshe prej asaj çka kemi dëgjuar deri më tani.

Gratë e Shkodrës mendohet të kenë hedhur lule nga kalaja e Shkodrës në ditën e Shën Gjergjit, në kujtim të heroit, Skënderbeut.

Ky ritual nuk ka mbetur vetëm në qarqet kombëtare por ka arritur të depërtoj edhe në revista ndërkombëtare.

Imazhi është publikuar në revistën javore “Illustrated London News”. / KultPlus.com

Dwayne Johnson publikon trailerin e komedisë biografike (VIDEO)

Dwayne Johnson ka gëzuar artdashësit e tij, nëpërmjet publikimit të trailerit të parë për komedinë biografike “Young Rock”, shkruan KultPlus.

“Young Rock” do të vijnë në formë dokumentari si seri në NBC, duke përfshirë vitet e tij të fëmijërisë, kohën kur ishte mundës dhe karrierën e tij në aktrim.

“Me të vërtetë do të doja që babai im ta shihte këtë. Ai do të ishte krenar”, ka shkruar Johnson në Instagram.

Në trailerin e publikuar nga Johnson shihen edhe aktorët Adrian Groulx dhe Bradley Constant që futen në rol për të portretizuar një pjesë të jetës së Johnson, shkruan NME. / KultPlus.com

Kur krijimet muzikore të Jusuf Gërvallës u takuan në një CD (FOTO)

Jusuf Gërvalla i cili vdiq nga plumbat e atentatit për shkak të veprimtarisë atdhetare, njihet shumë pak për muzat e tij krijuese, shkruan KultPlus.

Përtej pjesëmarrjeve aktive në lëvizjet shqiptare brenda dhe jashtë vendit, Jusuf Gërvalla ka qenë një poet që ka kapur lapsin për dashurinë, nënën e vendlindjen. Fjalët e tij nuk kanë mbetur vetëm në vargje, por janë shndërruar edhe në tinguj muzikor.

“Njeri ku je” mban emrin e albumit të këngëve të Gërvallës, të cilat kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë e artit shqiptar.

Të përbëra prej dy CD, “Njeri ku je” mund ta konsiderojmë si album të tij.

Në pjesën e parë renditen këngët “Kënga e Bilbilit”, “Do të kthehem nënë”, “Këta janë fëmia”, “Maji”, “Vena e Spanjës”, “Njeri ku je”, prej ku edhe e mori emrin albumi.

Në pjesën e dytë gjenden këngët e riorkestruara, e që janë: “O bilbil ta bër benë”, “Kjo zemër e trishtuar”, “Mos të të tremb bora”, “Burimi”, “Rruga që shkela dikur”, “Mrika” dhe “O ju korba”.

Jusuf Gërvalla do të vazhdoj të rroj përmes veprimtarisë jo vetëm atdhetare, por edhe artistike. / KultPlus.com

“Profesor jam talent se jo mahi”, seria e komedive që mbushte me të qeshura shikuesit (VIDEO)

Një pasuri në skenën artistike ishte seria e komedive “Profesor jam talent se jo mahi”, e cila vazhdon të kujtohet me mallëngjim, shkruan KultPlus.

Me një natyrshmëri në të shprehur dhe pasqyrime artistike të realitetit, skeqet e kësaj komedie kishin arritur simpatinë e publikut.

Nën regjinë e Faruk Begollit dhe asistencën e Luan Dakës, para kamerave u shfaqnin Luan Jaha, Mentor Zymberaj, Ilire Vinca, Veton Osmani, Armond Morina, Ilir Rexhepi, Emine Toska, Adhurim Demi, Mevlan Shaqiri, Gentian Grezda, Premtim Plakolli dhe Vjollca Kelmendi.

Këta aktorë me interpretimet artistike shënuan një histori të veçantë për artin skenik shqiptar.

KultPlus ua sjell një pjesë të serive të komedisë, “Profesor jam talent se jo mahi”:

Vendet evropiane që vlerësuan figurën e Skënderbeut nëpërmjet busteve (FOTO)

Në 533 vjetorin e vdekjes të heroit kombëtar Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, çmojmë lartë veprimtarinë e tij të bujshme për hir të atdheut, shkruan KultPlus.

Skënderbeu gjithmonë e nënshkroi veten si Zot i Arbërisë, dhe nuk pretendoi tituj të tjerë përveç tij në dokumentet zyrtare.

Skënderbeu zhvilloi luftë mbrojtëse, dhe për 25 vjet, nga viti 1443 deri në vitin 1468, ushtria 10,000 anëtarëshe e tij luftoi e fitoi kundër forcave osmane, të cilat ishin vazhdimisht më të mëdha dhe më të furnizuara, gjë për të cilën u admirua.

Me heroizmin e tij, Skënderbeu arriti të depërtoj më thellë sesa koha që jetoi, duke mbetur përherë në histori. Madje, ai nuk u kujtua vetëm në qytete shqiptare, por buste të shumta janë ngritur përtej kufinjve shqiptarë.

KultPlus në përvjetorin e vdekjes së tij, ju sjell disa nga bustet e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut në vendet e njohura të botës:

Monumenti i Gjergj Kastriotit-Skënderbeut në Londër

Monumenti i Gjergj Kastriotit-Skënderbeut në Belgjikë

Monumenti i Gjergj Kastriotit-Skënderbeut në Gjenevë

Monumenti i Gjergj Kastriotit-Skënderbeut në Itali

KultPlus.com

Vendoset busti i Skënderbeut në Konsullatën shqiptare në Itali (FOTO)

Për nder të 553 vjetorit të vdekjes së Gjergj Kastriotit, Konsullata e Përgjithshme shqiptare në Bari ka vendosur bustin e tij, shkruan KultPlus.

Ky bust është dhuratë e skulptorit Albert Metasani për Konsullatën shqiptare në Bari të Italisë.

“Përkujtojmë sot me respekt udhëheqësin e parë të shtetit shqiptar, qëndrestarin heroik të mbrojtjes së vendit dhe vlerave evropiane, heroin legjendar të kombit”, kanë shkruar faqja zyrtare e Konsullatës së Përgjithshme në Bari.

Tutje, ky institucion ka thënë se figura e Skënderbeut është shndërruar në symbol dhe element të identitetit kombëtar.

“Ai do të kujtohet gjithnjë si simbol i luftës për liri dhe model i përbashkimit të shqiptarëve”, thuhet tutje në postimin e tyre.

Në fund, figura e Skënderbeut është kujtuar nëpërmjet një poezie nga Jeronim De Rada. / KultPlus.com

Rita Ora merr një milion funta për serialin “The Masked Singer”

Këngëtares shqiptare, Rita Orës i janë ofruar një milion funta për t’u shfaqur në sezonin e dytë të “The Masked Singer”.

Rita thuhet se po paguhet përgjysmë më shumë se sa i rekrutuari i ri i këtij shou, Mo Gillian.

Një burim i ka thënë The Mirror se “Rita ka pranuar një shumë prej 1 milionë funtash për sezonin e dytë për tu rikthyer si gjyqtare”.

“The Masked Singer” është një betejë ku këngëtarë të famshëm shfaqen në garë pa identitet, duke u maskuar mirëpo në fund të garës, identiteti i tyre zbulohet.

Gjyqtarë të këtij shoë janë: Jonathan Ross, Davina McCall, comediani Mo Gilligan dhe këngëtarja Rita Ora. /Koha/ KultPlus.com

Kërkesa e Rugovës për hyrje në Shqipëri gjatë kohës se Enver Hoxhës (FOTO)

Ish-presidenti, Ibrahim Rugova kishte bërë kërkesë në prill të vitit 1980 për të hyrë në Shqipëri, ku kishte treguar se qëllimi i udhëtimit ishte për hulumtime shkencore.

Në kërkesën e bërë ai kishte shkruajtur se kishte vizituar Shqipërinë edhe mëherët, konkretisht në vitin 1971 dhe në vitin 1974.

Ndërsa, ai kishte treguar se nuk kishte ndonjë lidhje familjare në Shqipëri.

Kërkesa për vizë që Rugova kishte bërë ishte e datës 14 mars e vitit 1980.

Raportet e presidentit të ndjerë, Ibrahim Rugova, me Shqipërinë vitet e paraluftës shpeshherë kanë qenë temë debati. /express/ KultPlus.com

“Partitë politike në Kosovë, shumë larg zbatimit të standardit të barazisë gjinore”

Edhe në këto zgjedhje, përfaqësimi i barabartë gjinor në listat për kandidatë për deputetë nga Partitë Politike në Kosovë, po mbetet vetëm në nivelin e dëshirës.

Listat të cilat u dorëzuan mbrëmjen e të së shtunës tregojnë që shumica e partive politike janë kujdesur që të respektojnë pragun minimal i cili është i vendosur taksativisht në Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme e jo duke e vendosur në zbatim Ligjin nr. Nr. 05/L -020 për Barazi Gjinore.

Sipas Institutit për Politika Sociale “Musine Kokalari”, mos-respektimi i legjislacionit që e favorizon barazinë gjinore, tregon se partitë – cilado qoftë ajo që do ta marrë besimin për ta udhëhequr vendin, nuk do t’i vendosë gratë në mënyrë të barabartë edhe në qeverisje. Kjo praktike tregon edhe nivelin e seriozitetit të premtimeve që në legjislaturën e fundit u bënë për zbatimin e barazisë gjinore në të gjitha propozimet dhe funksionet publike në Kosovë.

Tabela e mëposhtme tregon numrin e përgjithshëm të kandidatëve, numrin e propozuar të burrave dhe të grave, dhe përfaqësimi i të dy gjinive i shprehur në përqindje.